• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shtatë vjet nga vendimi i GJND për Deklaratën e Pavrësisë së Kosovës

July 23, 2017 by dgreca

-Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje/GJND

PRISHTINË, 22 Korrik 2017-B.Jashari/ Para shtatë vitesh, në 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavrësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008 “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikueshëm të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Atëherë ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare. “Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata. “Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Media në Kosovës sot përkujton se, “Deklarata e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia kishte dërguar në këtë organ të drejtësisë, kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.

Filed Under: Histori Tagged With: 7 vjet, Behlul Jashari, deklarata e pavaresise, GJND

Fitorja 90 % e Bashës si votimet e kohës së sazeve

July 23, 2017 by dgreca

….Nuk kisha shpresë se do fitonte Selami. Asesi. ….Vetëm bojkoti nuk duhej të kishte ndodhur në këto zgjedhje. Bojkoti duhet të vdesi një here e mire si praktikë aty. Pasi bojkoti është kanceri i demokracisë. …/

Nga Ilir Levonja/

1) Duhet të ketë qënë viti 2011 kur në atë kalvarin e zgjedhjeve shqiptare, dalja e rezultatit i ngjan një lindje të vështirë (megjithëse mbrëmë me këtë 90%-in tënd qe një lindje vajore) kur atëhere, duke ecur më këmbë i lutesha Zotit për fitoren tënde. Garoje kundër Ramës. Llojit mastiç pas karrikes së qeveriut. E unë jam totalisht kundër këtij soji. Pasi jam për ujin që rrjedh. Dhe e kam bindje se plot burra më të mire se ty dhe Edi Rama, janë aty o mallra magazinash, o pjesë e këtyre farsave zgjedhore që po kalon Shqipëria jonë.

Vendi i marrë peng nga 5 a 6 emra. Një demokraci e shkërdhyer militantësh që si e si të mbysin njëri-tjetrin, veç këta emra të mos preken.

Ti atëhere fitove me 10 a 11 vota. Një fitore e ngushtë, e dyshuar, e përfolur. Por që zbythi nga karrika mastiçin. Një fitore që më ngrohu dhe më bëri të besoj se më në fund tek ne do fillonte demokracia. Gjuha statuore dhe vullneti i fort i tërhqjes si motori i demokracisë bashkëkohore.

Por nuk ndodhi. Madje si karshillëk të dyshimeve opozitare për ato 10 a 11 vota, Sali Berisha emëroi kryetarin e komisionit zgjedhor të atyre zgjedhjeve, si nënkryetar partie. E emëroi…

E mjera shpresë e imja u bë qull dhe me keqardhje pohova se pengmarrësit vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk e kanë hallin. Për gjithçka mund ta kenë, por vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët jo. Kjo u vertetua shpejt me aleancat jo të natyrshme që PD bëri me LSI, apo grupin e Zemunit, me marifetet për zgjedhjen e presidentit, duke shitur karrike kuvendi në listat zgjedhore. Duke bërë aleanca me djemtë e nomeklaturës në shit-blerjen e armatimeve stok të diktaturës. U bëm gaz i botës me vrasjet në Gërdec. Nga aleancat mallinje, ndërsa demokratët magazinoheshin dhe bënin sehir duke ngrënë fara luledielli. Bënin mbrojtësin e zjarrtë të zullumeve të LSI-së. U vu re me skandalet e para 21 janarit se si u bëm mburojë e vjedhjes. Me 21 janarin vrasjet e radhës. Deri sa përfunduam në një opozitarizëm dhëndurrësh e çunash nga resortet e karaibeve. Me nuset top modele. Apo me kunetërit dhe të tjerë nga soji i grave. Ndërsa shqiptarët akoma diskutojnë ujin dhe dritat. Akoma diskutojnë lëmoshat sociale. Akoma vdesin të ikin nga vendi.

2) Sot PD eshte, sa e marrë peng aq dhe ndarë plotësisht. Dhe këtë e verteton 90%-i i fitores tënde. Më kujtoi ato votimet e kohës. Me saze, me pjesmarrje 100% dhe rezultat 100%. Sa edhe të mundurit, të përmbysurit ishin të lumtur që ishin përmbysur, të lumtur që ishin degdisur e internuar. Të rrojë sa malet Enveri, legeni. E vertetoi tallja me kandaditain konkurues. Mungesa e debatit. Mbytja e ndonjë proteste. Megjithëse në mendësinë botërore, sidomos këtë amerikane, të protestosh është patriotizëm. Jo rrugaçari. E vërtetoi, përgjegjësia pa përgjegjësi. Kjo formula manovër me ngriva-shkriva që e kishim mangut ne demokratët. Përjashta luftojnë ish zyrtarët milionerë. Brenda, grupi rreth teje dhe grupi që bëri aleancë me Zemunin etj. Këta më kryemilionera. Por nuk kishin faj… asokohe, vendit i duhej një klasë investitorësh, kështu edhe partisë me intelektualë të kulturës marksiste, i duhej klasa e të pasurve, borgjezia gjoja e djathtë. Sa ironi jete, sa ironi demokracie alla shqiptare. Se asaj që përmbysëm, që e ropëm, që e shkërdhyem më 1945-ën, një mut i dhamë. E kemi futur në analet e letrave dhe gjyqeve. Kurse vet u ngritëm fitimtarë mbi botën e vjetër të gërmadhave. Ngadhënjyem. Një borgjezi e djathtë me neomarksista kundër marksiszmit. Ndaj jo rastësisht kemi sot plot kaptera të regjimit, plot shefa byrosh, plot supaxhinj, milionerë që i ka zili edhe perëndimi. Klasa e re, borgjezia, e djathta jonë. Kjo shpurë pengmarrësish që veç demagogji bëjnë. Sa majtas sa djathtas. Demagogji dhe lojra fjalësh. Ca imitues të përkryer të njëri-tjetrit. Aq sa edhe pas plot 27 vitesh demokraci, shqiptarët hapin gojën si ata zogjtë e deti në vape për pikën e ujit. Një klasë politikanësh që e vetmja gjë që kanë përvetësuar përsosmërisht, është vjedhja e votes në bazë të ligjit. Dhe pikërisht për këtë u ankohen militantëve, fisnikëve që u shkëlqen syri nga shpresa. Fisnikëve që naiviteti i ka bërë tu dukeni shenjtorë, aq sa edhe fëmijëve u veshin bluza blu, rozë a lejla, por edhe të kuqe. Një lloj masturbimi kolektiv një për të gjithë dhe të gjithë për një.

Po shumë shpejt do hani kokat edhe ju aty brenda. Se për opozitë ha ha. Nuk ia kemi ngenë tani. Të paktën shqiptarët shpresojnë dhe ngushëllohen në opozitarizmin e zonjës së parë. Demokratët opozitarë ca do vine tek selia me shpresën se kur të vine në pushtet do i japin shefat ndonjë vend. Ca po bëjnë valixhet. Nuk kanë faj, e ka zënë kuçedra ujin. PD-ja ka jo punët e tyre, por hallet e veta. Do shahet e shqyhet. Do pështyjnë njëri-tjetrin sepse tek ne inati është statuti më i fort, është kanun, kuran, bibël.

3) Nuk kisha shpresë se do fitonte Selami. Asesi. Nuk e çoja nëpër mend. Nga ana tjetër lojrat të tilla si, ai po kandidon sa për tu dukur etj. Kundërshtitë e çuditshme të grupit Patozi, thirrja për bojkot, ose ajo që i donin gjërat në distance dhe me propogandë etj. Me sillnin neveri. Vetëm bojkoti nuk duhej të kishte ndodhur në këto zgjedhje. Bojkoti duhet të vdesi një here e mire si praktikë aty. Pasi bojkoti është kanceri i demokracisë.

Eshtë punë e pa bërë por e paguar dyfish.

Nëse kanë memorie shqiptarët, duhet të kujtojnë se pikërisht për shkak të politikave të bojkotit. I kanë dhënë vendit dy qeverisje të dështuara. Ajo e Sali Berishës 2005, 2009. Dhe Edi Ramën më 2013, 2017. Këtu qëndron, apo gjen përgjigje pyetja e juaj se, pse, edhe sot akoma diskutohet uji, energjia, informaliteti në biznese ku gjithkush vret e pret e askush nuk mban përgjegjësi. Eshtë kjo arsyeja që akoma pagat janë informale dhe të pamjaftueshme për kushtet më minimale të jetesës.

Pra bojkoti dhe politikat e distancimit nga marshimi i uzurpatorve dhe klaneve të zemunit.

Madje unë besoja sinqerisht tek futja e tij në garë. E njoh mire natyrën e njeriut pas një përvoje emigrimi. Jam edhe vet emigrant. E aq më tepër të një emigranti amerikan. Kjo u vertetua me fushatën e tij. Me qetësinë dhe argumentat, që neve absurdisht nuk na duhen. Ne jemi të betuar drejt vetvrasjes. Dhe nuk na duhet e verteta. Nuk na duhet rruga e duhur. Jemi bijë të urra-së kolektive.

Frikë nga argumentat kanë njëshat. Ndaj çfarë nuk bëjnë. Ose janë bërë mjeshtra tashmë. Mjeshtra të manipulimit.

Dhe të korrat, i kanë të mbara 90 kuintal grurë për hektar.

……

Filed Under: Politike Tagged With: Fitorja e Bashes, Ilir Levonja

Gjakova mikpritëse e mësuesve nga Diaspora

July 23, 2017 by dgreca

Seancë nga Seminari i Mësuesve në DiasporëGjakova mikpritëse e mësuesve nga Diaspora, seminar katër ditor/1_GjakovaNga Hazir MEHMETI, Vjenë/

    Seminari i trembëdhjetë me radhë do të mbahet prej 1-4 gusht në Gjakovë ku  do marrin pjesë mësuesit nga shumica e vendeve evropiane.  Seminari organizohet nga MASH, MASHTK dhe Komuna e Gjakovës. Mysafir i veçantë Prof. Dr. Dr. Basil Schader, Shkolla e Lartë Pedagogjike e Zürichut. Kërkohet mbështetje financiare nga qeveritë tona të Shkollës Shqipe në Diasporë. Çdo vonesë me pasoja tragjike kombëtare.Përkraje ...

Këtë verë seminari i mësuesve nga diaspora do mbahet në qytetin e Gjakovës, i njohur si qytet historik, i kulturës e traditës shqiptare. Seminari organizohet nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë (MASH) dhe Ministria e Arsimit Shkencës e Teknologjisë së Kosovës (MASHTK) dhe komuna nikoqire e Gjakovës. Është ky seminari i trembëdhjetë me radhë i cili do të mbahet prej 1-4 gusht, ku  do marrin pjesë mësuesit nga shumica e vendeve ku mbahet mësimi shqip. Rëndësia e seminarit është komplekse dhe shumëdimensionale: shkëmbim përvojash, ligjërata nga pedagog ekspertë të kulturës e gjuhës, promovime tekste mësimore e artistike, njohje me trashëgiminë kulturore të qytetit nikoqir.

Krahas ligjëratave nga pedagog e gjuhëtar eminent do  prezantohen tekstet e reja didaktike e metodike të dedikuara mësuesve të gjuhëve amtare në disa gjuhë mes tyre edhe në gjuhën shqipe, të quajtur doracakë. Përmbajtja e tyre bazohet në përvojën profesionale të shumë mësuesve gjuhësh amtare në Evropë. Këto tekste janë konceptuar e hartuar nga metodisti e didakti i njohur Prof. Dr. Dr. Basil Schader, ligjërues në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Zürichut në Zvicër, “Kontribute të reja për mësimin e  gjuhës  amtare dhe të kulturës së

prejardhjes”.  Nexhat Maloku dhe  Nexhmije Mehmetaj  do prezantojnë nga projekti i theksuar: “Punë me 6 doracakët e MP në diasporë…  Janë gjashtë tekste, doracak për mësues gjuhësh amtare në gjithë kontinentin: Bazat dhe arsyet, Përkrahje e komunikimit gojor, ..e kompetencave ndërkulturore, … e të shkruarit. … e të lexuarit në gjuhën e parë, Strategjia dhe teknika të mësuarit.
Në historikun e shkollës shqipe në diasporë do shënohet përfundimi i projektit në botimin e 19 teksteve mësimore për tri nivelet mësimore. Projekt me nismëtar mikun tonë të njohur Prof. Dr. Dr. Basil Schader dhe MASHT- së Kosovës me koordinator Nuhi Gashi, i cili fitoj edhe çmimin evropian  “Projekt i Shkëlqyer” në Grac të Austrisë me karakter gjithë evropian në konkurrencë prej 66 subjektesh konkurruese nga disa vende me rastin e  Ditës së Gjuhëve Evropiane. Këto tekste sipas standardeve dhe strukturës metodike e didaktike bashkohore evropiane e ngritin mësimin në gjuhën shqipe në nivelin krahasuese me gjuhët tjera amtare turke, kroate, polake, hungareze etj.

Pritet që të paraqiten me fjalën e tyre përfaqësues nga Ministritë e Arsimit nga të dy vendet tona dhe Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Gjakovës.  Seanca zyrtare do të drejtohet nga Anila Ferizaj (MAS), Nuhi Gashi (MASHT), Diana Qarkaxhija (Gjakovë). Me kumtesa do paraqiten:

nga  MASH Shqipërisë: Zamira Gjini, Anila Ferizaj, Dr. Albana Tahir  Dr. Merita Koka Karaguni , Prof, Asoc.Dr. Enida Kume Ergisa Bebja. Dr. Jostina Dhimitri, UN- Tiranë, Dr.Blerta Avdia, Tiranë.   Nga MASHT e Kosovës: Nuhi Gashi, Shqipe Gashi dhe Arbër Salihu. Ligjërata do mbajnë edhe Prof. dr. Anton Nikë Berisha (UN i Kozencës-Itali) “Funksioni identitar i letërsisë…”, Driton Kajtazi ( ISEAL Lozanë),Prof. dr. Naxhi Selimi (SHLP –Zvicër),Mirela Xoxi-Duka (CH),  Nga Greqia: Aurela Konduri, Arian Polisi, Merita Imeri dhe Eva Paloka.  Aida Haziri dhe Anila Kadija ( Londër), Marinela Qytyku (Samaticë).

Krahas ligjëratave trajnuese nga ekspert nga lëmi i didaktikës e metodikës në mësimdhënie, në seminar do këmbehen përvoja nga praktika mësimore mes mësuesve vendesh të ndryshme, njohja me rrethanat specifike të mësimit shqip, njohja me format e reja të mësimdhënies bazuar në arritjet elektronike e teknologjike, promovime tekstesh me autor mësuesit krijues.

Krahas seminarit tradicional në vendlindje, tani disa vjet me radhë në disa vende po mbahen edhe seminare trajnuese rajonale  si në Greqi, Kroaci, Itali, Austri, Zvicër etj. të përkrahura na MASHT- Kos dhe Ministria e Diasporës, kurse jo edhe nga MA e Shqipërisë si bartëse kryesore e detyrimeve ndaj mërgatës shqiptare. Premtimet boshe për ndihmë në financimin e Mësimit Plotësues në Diasporë nga kjo ministri, seminareve të më parme, janë vetëm zhgënjim i  hidhur për nxënësin e gjuhën shqipe. Shumica e këtyre seminare u përkrahen nga afarist e veprimtarë patriot që punojnë për ruajtjen e qenies kombëtare aty ku asimilimi vepron pamëshirshëm. Këto seminare janë shembuj e përvojë edhe për vendet tjera, se si duhet shkëmbyer përvojat në mësimdhënie, aktivitete kulturore, qëndrim ndaj shkollës shqipe, ndaj integrimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në formimin e plotë të personalitet duke e ruajtur identitetin kombëtar.  Nga vende të ndryshme do duhej të kemi Werkshope-punëtori nga puna me materialet mësimore, nga faqet e internetit pranë Drejtorive të Mësimit, këndeve kulturore e sportive, nga sukseset e talenteve nga radhët e fëmijëve shqiptarë, e tjerë, krejt kjo në shërbim të pasurimit të përvojës profesionale nga vende të ndryshme ku shumëkultura tani është një realitet pozitiv, si dhe në pasurimin e konceptit të seminarit.

Mes dy seminareve shkolla shqiptare mbeti pa disa figurat e njohura që dhanë ndihmë të madhe në zhvillimin e saj, Prof. Dr. Musa Kraja, drejtor i Akademisë Shqiptare të Edukimit, autor i shumë teksteve didaktike e metodike, ligjërues në shumë seminare;  Arif Demolli, shkrimtar, autor dhe koordinator tekstesh mësimore,  ligjërues në disa seminareve dhe Dashamir Zaqe, mësues e veprimtar i dalluar në Greqi e Shqipëri.
Mësuesit në diasporë shpresojnë se Ministritë tona do jenë në vijën e strategjisë kombëtare në përkujdesje ndaj mësimit shqip në diasporë, si gjymtyrë e trupit kombëtar. Deri tani nuk mund të jemi të kënaqur nëse vetëm 5% apo më pak nxënës shqiptarë mësojnë të lexojnë e shkruajnë shqip, kur dihet se shumica absolute e mësueseve nuk kanë paga të rregullta, disa paguhen vullnetarisht nga prindërit, disa punojnë falas. Është urgjente dora e shteteve tona në financimin e mësimit shqip në mërgatë pa marr parasysh çmimin. Veçan duhet dhen dora mësuesve në Greqi e Itali. Kjo po zvarritet me vite, kurse çmimin do e paguaj kombi me humbjen bijve e bijave të tij.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Gjakova mirepret, Hazir Mehmeti, mesuesit e diaspores, Vjene

E djathta në Shqipëri dhe ridimensionimi i saj

July 22, 2017 by dgreca

1 Basha MediuNga Fatmir MEDIU/

Sot bëhen votimet në PD. Pa dashur të hyj në polemikat e PD-së, por dhe si aleat i Partisë Demokratike do uroja qe PD të jetë sa më e fortë dhe e bashkuar.

Jo vetëm procesi i Bashkimit dhe forcimit të PD-së si forca kryesore e opozitës, por dhe riorganizimi i të djathtës është vendimtar

Partitë tradicionale si Legaliteti dhe Balli Kombëtar (të dy partitë) duhet të jenë pjesë e rëndësishme e këtij riorganizimi.

Të përndjekurit politik dhe pronarët janë jo vetëm historia e të djathtës për të cilët duhet të krenohemi të gjithë, por dhe një forcë e jashtëzakonshme politike dhe elektorale injorimi i të cilëve ka sjellë pasoja të mëdha në peshën politike të së djathtës. Marrëdhënia me ta duhet të ridimensionohet dhe ata duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe konkurrimit elektoral.

Po ashtu njëherë e mirë profili ynë në mbështetje të biznesit duhet jo vetëm të shpjegohet si mundësia e vetme e zhvillimit ekonomik të vendit, por edhe si një marrëdhënie e përditshme shumë solide që duhet të synojë në një angazhim të përditshëm për të fituar besimin dhe mbështetjen e tyre.

Rinia ka qenë forca e të djathtës dhe luftëtarët e lirisë, pragmatizmi i së majtës duke e kushtëzuar të ardhmen e tyre me pushtetin dhe punën e shtetit ka krijuar dhe do krijojë një hendek të madh në demokracinë tonë të manipuluar nga Etatizmi i së majtës, prandaj angazhimi i tyre si forcë lëvizje drejtuese dhe jo skalion mbështetës është domosdoshmëri.

Pushtetit i marrë i së majtës që po shkatërron çdo vlerë tradicionale dhe konkurruese, me blerjen e votës, varfërinë dhe largimin masiv nga Shqipëria kërkon një gjykim dhe politikë krejt ndryshe të së djathtës.

Rama po shkatërron çdo vlerë pozitive të shoqërisë sonë duke tentuar që korrupsionin e qeverisë dhe të majtës ta kthejë në një korrupsion të pranueshëm të shoqërisë.

E djathta duhet të jetë një strukture politike dhe organizative vendimmarrëse ndoshta në një organizim federativ ku gjithë faktorët e saj të jenë pjesë e gjykimit dhe vendimmarrjes.

E djathta është një mozaik vlerash që bazohet tek Liria dhe Besimi, në luftë me pushtetin që kufizon lirinë dhe vendimmarrjen tonë.(Syri.net)

Filed Under: Politike Tagged With: E djathta shqiptare, Fatmir Mediu, ridimensionim

Për ju që votuat për Lulzim Bashën

July 22, 2017 by dgreca

1 astrit PatoziNga Astrit PATOZI/Jam shumë i sigurt se shumica prej jush janë demokrate dhe demokrate me kontribute, por edhe me histori sakrifice dhe përkushtimi në Partinë Demokratike. Kam vlerësimin maksimal për secilin prej jush dhe jam shumë i bindur, se sot keni bërë atë që keni ndjerë, në shërbim të rimëkëmbjes së forcës sonë politike, pas humbjes dërrmuese të 25 qershorit.

Fakti që unë dhe qindra mijëra të tjerë anëtarë të Partisë Demokratike vendosëm të mos bëhemi pjesë e asaj, që ne e konsiderojmë farsë e neveritshme elektorale, nuk ka të bëjë fare me ju dhe as me zgjedhjen tuaj të lirë për të votuar. Ne nuk e morëm atë vendim për t’u ndarë me ju, sepse kjo nuk ka për të ndodhur asnjëherë.

Kemi kaluar shumë të mira e të këqija bashkë dhe plot sfida të tjera na presin në të ardhmen. Madje e them me shumë përgjegjësi, që refuzimi i këtij procesi, nuk do të thotë as ndarje me vetë Lulzim Bashën, i cili, pa asnjë dyshim, është përgjegjësi kryesor, në mos i vetmi, për krizën e rëndë që po përjeton Partia Demokratike.

Vendimi ynë është refuzim ndaj një politike të vrazhdë impunimi, ndaj një mentaliteti stalinian, që po zë rrënjë tashmë në partinë tonë, sipas të cilit nuk ka rëndësi si votohet, por vetëm si numurohet. E them me dhimbje, por ne sot mund të krahasohemi vetëm me Korenë e Veriut, ku udhëheqësit i tolerohen dhe i falen të gjitha, madje edhe krimet. Sepse në partinë tonë po humbet gati në mënyrë të pariparueshme sensi i marrjes së përgjegjësisë. Si askund tjetër, në Europë, Ballkan, madje edhe në Shqipëri.

Me keqardhje konstatoj që me votën tuaj të sinqertë sot janë tallur mizorisht. Lulzim Basha kryesisht, por ndoshta edhe të tjerë. Natyrisht, që ky nuk është edhe s’ka se si të jetë problemi juaj. Por ju duhet ta dini se sot halli i Lulzim Bashës nuk ka qenë se cili do të jetë fituesi, sepse ai ështe i paracaktuar.

Problemi i tij ka qenë pjesmarrja, ndaj edhe gjë mbi këtë tokë nuk është lënë pa bërë që ajo të shkruhet sikur ka qenë e lartë. Që nga raportimet false të Komisionit, tek votimet pa asnjë rregull, ku vijnë nga rruga dhe vetëm firmosin mbi emra, por pa treguar asnjë dokument, e deri tek raportimet për hedhje votash në grup, dhe një dreq e di si do të vazhdojë deri sa të mbyllet.

Unë nuk e parashikoj dot me siguri se cfarë do të ndodhë deri në fund të këtij procesi farsë, i cili na turpëron të gjithëve, si ju që votuat, ashtu edhe ne, që nuk morëm pjesë. Por kam frikë se Lulzim Basha po kërkon qe të arrijë një rezultat fiktiv, që të provojë se demokratët e duan më shumë tani, që e provuan se i hodhi në greminën e humbjes së 25 qershorit, sesa para katër vjetëve, kur nuk e dinin ende se ku do t’i çonte.

Ndaj them se vota juaj, edhe pse është hedhur nga detyrimi që keni ndjerë si anëtarë të Partisë Demokratike, nuk ka pasur asnjë vlerë. Ju kanë fyer padrejtësisht, duke ju përdorur si alibi për një rezultat të trukuar që në start. Ju kanë konsideruar numra apo tesera, që duhen vetëm një herë në katër vjet, më 22 korrik, vetëm si pamje televizive apo si foto që hyjnë e dalin nga qendra e votimit.

Mos u mërzisni kur them se sot ju keni votuar të gjithë për Lulzim Bashën, edhe pse jam i sigurt që disa prej jush ia kanë dhënë votën e tyre Eduard Selamit. Sepse, sipas nesh, ky i fundit ka qenë në këtë farsë thjesht dhe vetëm per te mos e lënë vetëm Lulzim Bashën, por për t’ia bërë më të lehtë atij rrëmbimin e mandatit të kryetarit të PD.

Shpresoj shumë qe edhe ju ta kuptoni sa më shpejt se gjithçka po ndodh nuk i shërben askujt prej nesh, sepse ajo i shkakton nje traumë tjetër të rëndë Partisë Demokratike, ndoshta më të rëndë edhe se humbja zgjedhjeve politike.

Pa asnjë keqkuptim për vendimin tuaj të ndershëm për të votuar sot Lulzim Bashën, por pa asnjë mirëkuptim për këtë të fundit dhe për këdo tjetër, që në vend të garës, imponuan farsën, në vend të bashkimit, deshën përçarjen, dhe në vend të ringritjes, zgjodhën zvarritjen e Partisë Demokratike.

Koha do ta provojë shumë shpejt se ne kishim të drejtë. Vetëm analiza serioze e humbjes dhe gara e drejtë dhe e barabartë do ta shpëtojë Partinë Demokratike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Patozi, Për ju që votuat, sot për Lulzim Bashën

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1895
  • 1896
  • 1897
  • 1898
  • 1899
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT