• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Që gjuha shqipe të mos jetë një atdhe i humbur për Shqiptarët në Maqedoni

July 22, 2017 by dgreca

 

 ArbenNga Arben LLALLA/Ka disa kohë që po dëgjojmë deklarata nga politikanët sllavo-maqedonas dhe shqiptarë se gjuha shqipe do të zyrtarizohet shumë shpejtë në Maqedoni. Çështja është se prej 16 vitesh politikanët sllavo-maqedonas dhe ata shqiptarë janë tallur me ligjin e gjuhës shqipe, sa është e vështirë që të besohet se gjuha e Gjergj Kastriotit do ketë vendin e nderit që i takon në Maqedoni. Unë jam pesimist se gjuha shqipe në Maqedoni do jetë e barabartë me gjuhën sllavo-maqedonase, e cila gëzon privilegjin e ruajtjes me ligj, nëse fyhet apo cënohet.

Gjatë kohës së ish-Jugosllavisë gjuha shqipe dhe flamuri kombëtar kishin përdorim zyrtar të barabartë me gjuhën sllavo-maqedonase, por pas vitit 1990, me pavarësinë e Maqedonisë gjuha shqipe u sakatua, u diskretitua nga qeveritarët sllavo-maqedonas dhe vasalët e tyre shqiptarë.

Por, si duhet të jetë Ligji për përdorim e gjuhës shqipe në Maqedoni?

Që gjuha shqipe të ndjehet e barabartë me statutin që e flasin qytetarët shtetformues të Republikës së Maqedonisë, ajo duhet të përdoret në tërë territorin e Maqedonisë si:

  1. Çertifikata e shtetësisë duhet të jepet në gjuhën shqipe.
  2. Çertifikata e përbërjes së familjes duhet të jepet në gjuhën shqipe.
  3. Dokumentet e Ministrisë së Mbrojtjes, prokurorisë dhe gjykatat duhet të jenë në gjuhën shqipe.
  4. Dokumentet e Postës së Maqedonisë duhet të jenë në gjuhën shqipe.
  5. Dokumentet e Bankës Kombëtare të Maqedonisë duhet të jenë në gjuhën shqipe.

Këto janë disa institucione kryesore që sot për sot e kanë të ndaluar me ligj që të përdoret gjuha shqipe. Janë institucione që përbëjnë barazinë shtetërore midis qytetarëve të kombësive të ndryshme në Maqedoni.

A do zyrtarizohet gjuha shqipe si gjuhë e minoritetit ardhacakë?

Kjo është pyetja që na shqetëson më shumë, sepse deri tani strukturat shtetërore të Maqedonisë janë përkujdesur që shqiptarët t’i paraqesin si ardhacakë dhe njerëz të egër të zbritur nga Mali. Kjo vihet re përditë në botimet që i financojnë institucionet akademike, Ministria e Arsimit, Ministria e Kulturës, e më gjerë. Vërtetë çfarë u bë me Enciklopedinë e botuar nga Akademia e Maqedonisë, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët?

Komisioni i Venecias dhe BE janë përkujdesur që pakicat të jenë mbrojtura me ligj. Italia votoi ligjin e gjuhëve të minoriteve më 15 dhjetor 1999, nr.482, me titull “Norma në lëndën mbi mbrojtjen të pakicave gjuhësore historike”, dhe është botuar në gazetën zyrtare më 20 dhjetor 1999, nr.297. Me hyrjen në fuqi ky ligj u lejoi pakicave historike popullsive me kombësive joitaliane si arbëreshëve (shqiptarëve), katalanëve, gjermanëve, grekëve, sllovenëve, kroatëve, francezëve, frënge-provenciale, friulane, ladine, oçitane, sarde, të cilët janë shumicë në komunat (bashkitë) në Itali të përdorin nëpër shkolla dhe shkresat zyrtare komunale gjuhët e tyre kombëtare përkrah asaj të shtetit italian. E thënë më qartë se çdo shkresë shtetërore jepet në dy gjuhë, atë shtetërore dhe kombëtare, pra në gjuhën italiane dhe në gjuhën shqipe në rastin e arbëreshëve. Ligji me numër 482 i 15 dhjetori 1999 i zyrtarizuar nga shteti italian, jo vetëm që i pranon pakicat, por mbron me këtë ligj trashëgiminë, zakonet, kulturën e tyre kombëtare dhe përdorimin zyrtar të gjuhës së tyre.

Në komunat (bashkitë) e Italisë që udhëhiqen nga kryetari dhe këshilli arbëresh (shqiptar) gjuha shqipe është gjuhë e dytë zyrtare në komunë, gjithashtu në këto komuna përkrah flamurit të shtetit të Italisë dhe të komunës valëvitet dhe flamuri kombëtar shqiptar.

E pra, politikanët shqiptarë duhet të jenë të kujdesshëm se çfarë ligji do pranojnë dhe do votojnë për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni, me qëllim që ajo të mos ketë fatin e përdorim të flamurit kombëtar, i cili lejohet zyrtarisht të jetë 1/3 më i vogël se flamuri sllavo-maqedonas dhe për këtë fajin kryesor e kanë deputetët shqiptarë të BDI-së, të cilët e votuan me dy duar ligjin e diskretitimit të flamurit shqiptar. Që gjuha shqipe për shqiptarët të Maqedonisë të mos jetë një atdhe i humbur, sepse shqiptarët sot nuk janë të shtypur, ata janë kryetar Kuvendi, ministra, akademikë, pra jo në kushtet e një shtypjeje, por vetë po e “gëlltisim” me vasalitet përdorimin e nderit që i takon gjuhës dhe flamurit kombëtar.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, gjuha shqipe, shqiptaret ne Maqedoni

NEVERI

July 22, 2017 by dgreca

1 andon dedeNga Andon Dede, Nju York/

Një miku im, që, siç pohon vetë, nuk lë shkrim timin pa lexuar, madje më merr dhe telefon për ta konfirmuar këtë, më thotë para pak ditësh:”U bënë ca kohë që s’kam lexuar gjë prej teje, mos ke ndërruar botuesit”. ”Ke të drejtë, ia ktheva, por nuk e kam ndjerë të nevojshme apo, si të thuash, s’më është bërë për mbarë. Kur ke parasysh bombardimin mediatik në Shqipëri që, në krahasim me popullsinë besoj se është nga më intensivët në Botë dhe gjithë atë luzmë politikanësh që gumëzhijnë në të katër anët e vendit, e ke vështirë në mos edhe të pamundur që të thuash diçka të re, të pathënë më parë…”. “Megjithatë, – shtoi miku im, që me sa dukej nuk mbeti i kënaqur nga reagimi im, – secili që shkruan apo dhe flet, ka  këndvështrimin e vet. Pikërisht kjo e përligj gjithë këtë lukuni analistësh, gazetarësh, opinionistësh apo quaji si të duash. Për më tepër që koha për të cilën po flasim, ka qënë e ngarkuar me ngjarje nga më të larmishmet e më të çuditëshmet, si asnjëherë tjetër: u zgjodh presidenti i ri, u ngrit çadra, vërshuan ndëkombëtarët, nga këndej e andej oqeanit, u takuan dy krye-partiakët, u bënë zgjedhjet…që ti i di më mirë se unë. Për tërë këto, s’ka se si të mos kesh dhe ti vlerësimet e tua, tjetër punë a dëshiron t’i bësh publike apo jo…Por, me që u takuam, a mund të më thuash, me pak fjalë, se si i gjykon tërë këto zhvillimet e fundit në vendin tonë?”. Mblodha buzët, tunda kokën e po e shikoja si me habi: e ç’mund t’i thosha kur për secilën nga ato ngjarje janë shkruar dhjetra në mos qindra artikuj e në kanalet e ndryshme televizive është folur për orë të tëra. Ai ma “lexoi”mendimin e prapë nuk hoqi dorë nga e tija: “Takohemi ndonjë ditë e bisedojmë më gjatë, se të dyve na duhet të ndahemi tani…”- i thashë për ta mbyllur këtë temë, por prapë pa sukses. “Po mirë, or burr i dheut, më thuaj një përshtypje, se nuk bëhet qameti”. Ndërkohë, unë po vrisja mendjen se ç’mund t’i thosha, sa më shkurt, qoftë edhe me një fjalë të vetme. “Eureka!- bërtita, –  s’po ta prish, e gjeta vlerësimin tim për gjithë zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, që mos të të ngelet merak: NEVERI! Je i kënaqur tani? Më hollësisht bisedojmë ndonjë ditë tjetër.” Dhe u ndamë.Në respekt të tij e të ndonjë tjetri që mund të më lexojë, po përpiqem, sa më shkurt, të jap mendimin tim, për zhvillimet më të fundit.

Presidenti

Si mund të mos të të shkaktojë neveri fakti se kush u zgjodh e si u zgjodh presidenti i ri? Meta qe betuar e stërbetuar se nuk do e pranonte atë post, por mjaftoi një darkë me mik/armikun e tij Ramën dhe e pranoi postin e numurit një të shtetit. A ka politikan më të përfolur se ai jo vetëm për korrupsion por edhe për një sërë cilësish të tjera negative?! Madje, të shumtë qenë ata, përfshi edhe atë që e zgjodhi, që hamendësonin se e priste burgu. Kujtoni vetëm intervistat e tij të vështira jo vetëm tek media e vendit por edhe tek të huajat. Statusi i ri që mori e donte që ai të hiqte dorë nga përkatësia partiake e të qëndronte mbi palët por, gjatë fushatës, ai qe më partiaku e më agresivi nga të gjithë të tjerët. Vetëm ndonjë naiv mund të presë që ai të veprojë ndryshe kur të ulet në karrigen e numurit një të shtetit, se partishmëria apo militantizmi nuk janë kostume që i vesh e i zhvesh sa herë të duash, për më tepër Meta që e ka treguar veten gjithmonë si një militant i thekur. Po të ndiqje intervistën e tij tek “Opinioni”, kur deklaronte se e kishte pranuar atë post kundër dëshirës së vet por për të nxjerrë vendin nga kriza, pra për të mirën e popullit, rrezik të bëje hari-kiri, si japonezët, apo të çaje barkun, siç themi ne.. Si të mos mjaftonin tërë këto, dorëzoi teserën e partisë dhe në krye të LSI-së vuri të shoqen. Përfytyroni kur Monika, në sallon, kuzhinë apo në krevatin bashkëshortor t’i kërkojë të shoqit ndonjë mendim dhe ai t’i thotë: “Nuk përgjigjem se jam president, mbi palët…”. Mbase kanë vendosur të flenë në dhoma, pse jo dhe vila të ndryshme se mundësitë i kanë. A mund t’i përjetosh pa neveri tërë këto veprime e pohime të tij, kur të gjithë e njohim se kush është?! Kaq budallenj na bën neve që e dëgjojmë? Mbase mirë na e bën, se me sa duket, e meritojmë!

 Çadra

U duk sikur çadra e përligji vehten deri para çmontimit të saj. Basha, me fjalimet e përditëshme patetike, deri në ngjirje, sikur na e ndryshoi të gjithëve sadopak opinionin që kishim për të, duke e afirmuar veten si lideri i vërtetë i PD-së. Pse jo? Analistë e politikanë, madje dhe ndërkombëtarët, po i pranonin diagnozat e tij për Ramën e qeverisjen e tij, sidomos për korrupsionin, kriminalizmin e pushtetit dhe kanabizmin e vendit. Me thirrjen e tij për të mos u futur në zgjedhje me Ramën kryeministër po binin dakord të gjithë ata që nuk bënin pjesë në “tepsinë” e këtij të fundit. Dhe ja papritur takimi i shumëpërfolur i 17/18 majit. Si me shkop magjik ndryshoi gjithçka: Kryetari i Opozitës hoqi dorë nga kërkesat radikale, çmontoi çadrën dhe pranoi të hyjë në zgjedhje jo vetëm me Ramën kryeministër por dhe të bashkëqeverisë me të. Njerëzit nuk po iu besonin syve dhe veshëve kur dëgjonin nga goja e Bashës një retorikë krejt tjetër.  U duk sikur armiqtë e deridjeshëm, që nuk kishin lënë gjë pa thënë kundër njeri tjetrit, papritmas na u bënë miq. Hë, pra, a nuk të ngjall neveri gjithë kjo?

Enigma e 17/18 majit

(Habitem me ata që habiten)

Gati të gjithë, politikanë e analistë, po luajnë mëntç për të zbuluar se ç’është diskutuar mes Ramës e Bashës në atë mesnatë. Nga një anë, nuk kanë faj, se pas asaj qepallosjeje, ndryshuan si me magji që të dy. Unë nuk e kam të vështirë të marr me mënd se si ndodhi ai ndryshim, madje habitem me të habiturit që nuk e kuptojnë se si mud të ndryshojnë tek ne qëndrimet e dy liderve brenda një nate. As më shumë e as më pak, problemi është fare i thjeshtë e i qartë: ata i kanë kapur xhaketën me derë njeri tjetrit. Rama e Basha janë akuzuar aq shumë jo vetëm nga Media e kundërshtarët politikë por dhe nga autoritetet ligjore të vendit e ndërkombëtare, për mega-afera korruptive. Ja, ky është çelësi që zbërthen atë pesë-orësh misterioz. A nuk të neveritet edhe kjo marrëveshje e fshehtë e kthesë e tyre e papërligjur?

Fushata e zgjedhjeve

Qe më qesharakja, edhe pse pa incidente, si herët e tjera. Pa nerv, pa shpalosje programesh, pa debate të mirëfillta. Kryeministri, veshur me brekushe për t’u dukur sa më popullor, shkonte fshat më fshat e qytet më qytet, apo dhe nga një televizion në tjetrin, e bënte qyfyre. As që donte t’ia dinte për premtimet e pambajtura, për kolapsin ku ka rënë ekonomia e vendit, për ikjet masive të të rinjve, për kanabisin që furnizon Europën, për asgjë, veç batuta, përralla, dialogje vulgare. Po ta dëgjoje e të mos e njihje, as që të shkonte në mendje se qe kryeministri i një vendi që po kërkonte një mandat të dytë. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se ai nuk i bënte rastësisht tërë këto. Duke pasur vetëm bilance negative ai iu shmang me mjeshtëri ballafaqimit e u mor me retorikë boshe, duke u bërë gjoja interesant e popullor. Kishte gazetarë që e miratonin një zgjidhje të tillë duke pohuar se ka ikur koha e programeve dhe premtimeve; njerëzit tashmë votojnë për liderat, për personat; sa arrijnë ata ta bëjnë për vete masën apo turmën dhe, ndofta, nuk e kishin keq, se tek e fundit ajo do t’ia jepte votën.

Dhe nga kundërshtarët e tij, fushata nuk të ngjallte asnjë interes: Basha tashmë e godiste si me pambuk kryemafiozin e djeshëm që donte me demek t’i zinte vendin; Meta me të vetët, për çudi u hodhën në një agresion të egër ndaj dy partive të mëdha, që siç të linin përshtypjen pas takimit të shumëpërfolur, patën vendosur ta nxirrnin LSI-në jashtë loje. E kishe të vështirë ta besoje se ata që po shanin tani njeri tjetrin, vetëm pak kohë më parë kishin shpallur vazhdimin e aleancës qeverisëse. Tamam kalamaj që luajnë e që papritur prishen kur kuptojnë hilet e kundërshtarit.

Fitore e turpshme e Ramës

Pas gjithë asaj fushate me qyfyre e me pranim me zë të ulët të dështimeve katër-vjeçare, nga që e kishin penguar aleatët, siç pohonte kryeministri ynë karagjoz, logjika më elementare e donte që Rama, jo vetëm të mos e fitonte dot atë 71 përqinshin e stër-lypur në çdo miting e intervistë, por minimumi të dilte një rezultat i balancuar që do të kërkonte detyrimisht koalicion me dikë tjetër. Por, ja që jetojmë në kohë çudirash e kemi të bëjmë me një elektorat po aq të çuditshëm: Rama fitoi jo 71 po 74 deputetë, më tepër edhe se sa ëndërronte vetë. Inat kije por hakun mos ia haj: ai ia arriti qëllimeve të tij: nxorri Lulin nga çadra, e detyroi të hyjë në zgjedhje, përçau PD-në siç nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe tani ka të drejtë të kapardiset si mbret. Tjetër punë që fitorja e tij është nga më të turpshmet në këtë çerek-shekullin e Pluralizmit, kur kemi parasysh se me një llogari fare të thjeshtë del që ai është votuar nga më pak se një e katërta e popullsisë. Kjo më kujton atë historinë me një nxënës që, kur u kthye nga shkolla i tha të atit se kish dalë i dyti në garë. I ati u gëzua dhe e përqafoi. Më pas e pyeti: “Po sa veta ishin në garë?”. “Dy…”- ia ktheu i biri. Por Rama as që do t’ia dijë për këto. Ç’deshi e fitoi, paçka si e qysh. Nuk po merrem me vjedhjen e votave përmes milionavet të pareve që u derdhën si lumë gjatë fushatës, nga kanabisi e burime të tjera të pista. Të ashtuquajturit ministra e drejtorë teknikë, as që arritën të frenojnë sadopak makinën e sofistikuar të fitores së zgjedhjeve që Rama e kishte instaluar prej kohësh. Ata vetëm sa i siguruan kryeministrit alibinë e duhur për krimin elektoral që u krye. A nuk të ngjall neveri e gjithë kjo?!

Po “Republika e re” ku vajti?

Që do të fitonte Rama, asnjë nuk e vinte në dyshim, pavarësisht se siç thamë më lart, ai nuk e meritonte. Duke pasur parasysh mafiozllëqet e tij, siç edhe po i dalin tani një nga një, ai e kishte fitoren të sigurt. Por, që PD-ja të përjetonte humbjen më të thellë në historinë e saj, kjo nuk parashikohej. Arsyet janë të shumta. Mbi të gjitha, përçarja e saj fatale. Qindra mijëra simpatizantë të saj nuk shkuan të votonin, sidomos pas marrëveshjes së fshehtë e të turpshme të Bashës me Ramën. Si do të dilte para publikut Basha pas gjithë kësaj? Kam parasysh sakrificat jo të vogla të ndjekësve të tij që për tre muaj u ngujuan në çadër, duke sakrifikuar jo pak. Dhe ja tani ai i preu në besë, jo vetëm pse u takua me Ramën e nuk tha asgjë se ç’bisedoi me të, por që hoqi dorë aq papritur nga tërë ato akuza e parakushte të tij. Deri sa dështoi kauza e tij, ai duhet ta kishte dhënë dorëheqjen qysh kur ndërkombëtarët, siç u tha, e detyruan të dilte nga çadra.  Pas humbjes fatale, doli si i zgërlaquar, gati duke qarë, para kamerave. Në vend që të deklaronte dorëheqjen pa revokim, e “ngriu” postin e tij pa dhënë asnjë përgjigje. Jo vetëm kaq, por pas pak ditësh ai do të “shkrihej” e do të na befasonte përsëri duke pretenduar për të qënë sërish kryetar i PD-së, pavarësisht tre humbjeve radhazi. Ai na dha kështu një mesazh tjetër se, në këtë vend, as që mund të bëhet fjalë për politikanë me sado pak personalitet e dinjitet. Turp e faqja e zezë për të e për gjithë ata që e mbështesin. Neveri!

Ndërkombëtarët

Është për të ardhur keq, deri në dhimbje, që ka akoma njerëz që iu besojnë ndërkombëtarëve. Nuk është fjala për ato shtete që na kanë ndihmuar e vazhdojnë të na gjenden pranë, por për të dërguarit e tyre që vlerësojnë zgjedhjet e fitoren e Ramës, ndonëse e panë se si u zhvilluan ato dhe janë njohur me dështimet e gjithanëshme të qeverisë së tanishme. Kjo tashmë nuk habit njeri. Atyre iu duhet vetëm stabiliteti i vendit dhe as që e çajnë kokën për zhvillimet e brendeshme; as që duan t’ia dinë se në Shqipëri po instalohet një shtet despotik, antipopullor, i korruptuar e që të vetmen “meritë” të dukshme, në raport me ta, ka furnizimin e Europës me narkotikë.

Populli

Më dhimbset mu në shpirt ai popull që po vuan pa e merituar, se andej kam dalë dhe akoma e quaj veten pjesë të tij, edhe pse ndodhem kaq larg. Ndryshe as që do e kisha marrë mundimin të shkruaja këto radhë. Por, kundër dëshirës time, detyrohem të pohoj se ai ka paguar e do të paguajë haraç të madh. Diktatorët që e kanë sunduar kanë kultivuar tek ai nënshtrimin e jo revoltën, gjë që po e shfrytëzojnë pamëshirshëm e paturpësisht edhe kiminelët, vrasësit, intrigantët, makiavelistët e të korruptuarit e pushtetit të sotëm. Liria e Demokracia, që naivisht kujtuam se i fituam në dhjetor të ’90-ës, kërkokan çmim të madh. Kur është fjala për vendin e punës, për bukën e gojës, për të ardhmen e fëmijve, mbase përligjet gjithçka edhe neveria që kemi përjetuar e do të përjetojmë edhe për kushedi sa kohë akoma. Situata politike atje më kujton një thënie pak banale që e kam dëgjuar nga të parët e mij, qysh i vogël: “Ka rënë shkopi në m… e nuk ke nga ta zësh”. Ajo mund të krahasohet me një vidë të sponuar që as nuk e shtyn dot më tej e as nuk e nxjerr për ta zëvendësuar me një tjetër.

Nju York, 21 korrik 2017

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, NEVERI

Gara për kreun e PD, Selami inferior

July 22, 2017 by dgreca

Kur ishin numëruar 36 nga 73 kuti në garën për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dukej se po vrapon drejt një fitoreje shumë të thellë, 22655 vota para Selamit.Ashtu sic ishte parathene ishte një farse që sic e parashikuan analistët të kujton garën e Namik Dokles me Ramiz Alinë.

Lulzim Basha 25389

Eduard Selami 2734

1 Luli

Filed Under: Kronike Tagged With: Basha, nis gara PD, Salami

NISHANI: Largohem kryelartë nga Presidenca

July 22, 2017 by dgreca

“Zonja dhe zotërinj, Të dashur bashkëqytetarë të mi! U bënë pesë vjet prej kur kryej detyrën e lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Pas pak largohem për t’ia lënë vendin të zgjedhurit tjetër. Lejomëni, të dashur dhe të nderuar bashkatdhetarë, me rastin e largimit nga kjo detyrë të ndaj me Ju disa konsiderata. Ishte nder i lartë për mua të jem Presidenti Juaj, të punoj për Ju, dhe të mirëkuptohem prej Jush. Dëshiroj të falënderoj, së pari me këtë rast, ata që gjatë ushtrimit të detyrës së lartë i kam pasur më afër: Familjen time, bashkëshorten dhe fëmijët e mi. Faleminderit për mirëkuptimin e gjithçkaje, Odeta, Ersi dhe Fiona! Falënderoj ndihmësit e mi për këshillat dhe kontributet e vyera që më kanë dhënë, si dhe krejt personelin e Institucionit të Presidentit që ka kryer punën më voluminoze, atë punë që nuk duket në përditshmëri, por ekziston, dhe për t’u kryer kërkon profesionalizëm, përkushtim, lodhje, sakrifica. Falënderoj publikun e gjerë! Gjithkënd që në një mënyrë, ose një tjetër me Presidentin dhe me Institucionin e Presidentit ka pasur të bëjë dhe është mirëkuptuar, pra qytetarët e shumtë që i duan të mirën vendit të tyre, ata me të cilët, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por në distancë, kemi gjetur gjuhën e përbashkët duke ndarë pikëpamjet dhe koordinuar aksionet në të mirë të fateve të Kombit. Nëse, siç është e natyrshme, më pyesni se si ndihem në këtë moment largimi, kam këtë përgjigje: Si pas çdo pune, i kënaqur. Si pas çdo kënaqësie, i lumtur. Por sidomos Kryelartë për faktin se gjatë gjithë kësaj kohe kam ndier dhe përballuar përgjegjësinë e rëndë të kryerjes së detyrës së besuar pa neglizhuar asnjë vështirësi, pa u epur përpara asnjë sulmi, pa u lëkundur para asnjë iniciative, pa u penduar para asnjë vendimi. Ndoshta ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë. Por përsosmëria nuk ka fund. Nuk bëmë heroizma si nëpër epe dhe balada. U munduam të jemi realistë. Puna dhe kontributet tona ishin thjesht punë dhe kontribut njerëzish të përkushtuar. Përtej zhurmave, apo si e thotë Populli, përtej zilkave që pengojnë të dëgjohen këmborët, punuam sa mundëm dhe ia arritëm të ndihemi kryelartë që nuk ecëm mbrapsht, as qëndruam në vend, por përparuam. Mes asaj që gjetëm dhe asaj që lamë, bëmë diferencë. Jo diferencë subjektive. Diferencë pozitive të konstatueshme, të dukshme, të matshme. Me siguri jo aq sa do dëshironim, por diku më tepër e diku më pak, përparuam në të gjitha aspektet. Padyshim që mbetet shumë për të bërë, për të ndrequr, për të përmirësuar. Nuk mund të bënim përjashtim nga rregulli i progresit njerëzor që me të drejtë kërkon gjithmonë e më tepër, ëndërron gjithmonë e më shumë. Si Shqipëri dhe shqiptarë nuk mund të mos përfillnim të kaluarën problematike prej nga erdhëm. Mbi të gjitha për të mos e harruar atë zezonë që kaluam për gati pesë dekada. Unë dhe bashkëpunëtorët e mi, të bashkërenduar me institucionet e tjera, kemi bërë jo pak dhe ia kemi arritur ta ruajmë dhe lartësojmë Presidencën si institucion që rrezaton dinjitet kombëtar, seriozitet profesional, përgjegjësi qytetare. Kemi bërë sa kemi mundur gjithashtu lidhur me qëndrim besnik dhe respektim rigoroz të përcaktimeve kushtetuese në përgjithësi dhe ndaj çdo rasti në veçanti. Kujdesi ynë kryesor, përqendrimi ynë më i madh, ajo që na ka preokupuar së tepërmi dhe ndaj së cilës jemi treguar më të vëmendshëm, është mbështetja e institucioneve të pavarura si garante të kolonave mbajtëse të Shtetit në shërbim të qytetarit. Kemi pasur komunikim të pandërprerë dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët shqiptarë. Jo vetëm në Shqipëri. Kudo ku ata ndodhen. Në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë, Arbëreshët në Kalabri, dhe në përgjithësi në Diasporë. Kemi arritur të kemi një përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare në të gjitha aspektet. Kemi bërë aktivitete në ndihmë të fëmijëve në nevojë dhe të sëmurë. Jo si shpëtimtarë. Si faktor ndihme që ata të ndihen sa më mirë. Vendi ynë ka energji njerëzore të pafundme që presin të shpërthejnë. Që shpresat e shqiptarëve për më mirë dhe më shumë të mos mbeten diçka abstrakte, kemi bërë kujdes të afrojmë dhe bashkojmë vullnetet e veçanta në ndihmë të arritjes së qëllimeve më të gjera. Pritshmëritë kurrë nuk shteren plotësisht. Aspiratat kurrë nuk plotësohen të gjitha. Shpresat kurrë nuk realizohen tërësisht. E rëndësishme është të mos ndalemi së punuari që për t’i plotësuar sa mundemi. Nuk është mirë të jemi pesimistë. Shqipëria është vendi i pritshmërive të mundshme dhe i aspiratave të realizueshme, për më tepër ekonomi, më tepër të drejta, më tepër Liri. Nder i madh për mua që i vlejta popullit tim. Faleminderit që më dhatë rastin t’ju shërbej! E them me përunjësinë më të madhe se nuk bëra kushedi se çfarë. Thjesht i shërbeva vendit tim. Atij vendi, si e thotë aq bukur Lasgushi i madh, ku: ‘Më pat lindur dheri i Zotit’ dhe ‘Bëra punën e njeriut’. Faleminderit!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, nga Presidenca, NISHANI: Largohem kryelartë

Falini se s’dinë çka bëjnë !

July 22, 2017 by dgreca

1-leonora-laci

Nga Leonora Laçi-Shkodër/

 Ndjesë o bashkombas !

 Shqiptarë të vërtetë !

Shqiptarë të besës e mikpritjes, ku jeni ?!Rënia e perdes së hekurt, solli rënien e perdes në sytë tanë për të njohur jo vetëm shqiptarët e trevave por më shumë për të njohur veten tonë. E tash në 2017 po na njohin dhe bashkatdhetarët tanë matanë kufirit. Neve na u hoq maska dhe iluzioni se Shqipëria ishte vendi më i zhvilluar i botës, e ndërkohë u përballëm me një realitet që nuk ja kishim ndje as erën, jo më parë fytyrën.

Sot po debatohet dhe diskutohet për popullimin e plazheve të bregdetit shqiptar nga “kosovaret”. Këto debate kanë marrë një rrjedhë negative dhe kjo vetëm sa na i gëzon armiqtë, e fatkeqësisht ca njerëz që e quajnë vetën shqiptar po shkruajnë duke “dërguar ujë në mullinjtë e armiqve”. E të mjerët ne !

 O shqiptarë, a e dini se “ata” vijnë në plazhet tona sepse dëshirojnë të na njohin sepse kanë luftuar për të qenë të bashkuar nën një shtet, sepse  dashuria e tyre për Shqipërinë nuk është e njëjtë me tonën për vendin tonë.

Sepse “ata” nuk e duan Shqipërinë londineze vetëm kur luan kombëtarja e futbollit. Sepse “ata”  kanë vuajtur nën thundrën e shkaut, kanë pranuar flijimin për hir të nënës Shqipëri, e për kë? Për Ne, që mundohemi të përfitojmë.

E ne nuk e duam as veten, e si mund të duam “ata”?!

Shqiptarët e Shqipërisë duhet të ndjehen të gëzuar që bregdeti po i tërheq bashkombasit tanë. Pasi kjo ka sjell zhvillim të mëtejshem të turizmit bregdetar, ka sjell rritje ekonomike e vetem dobi kemi pasur. Mos kujtoni se kushton më lirë, jo, edhe pse ndonjë pandeh kështu.

Ndonëse kemi qenë të shkëputur nga pikëpamja ideologjike për një periudhë 45 vjeçare, ku ne ishim të sunduar nga i yni e ju nga i huaji, asnjëherë nuk është venitur dashuria për atdheun nga bashkombasit tanë, po a mund të thuhet e njëjta gjë për Ne?

Shqiptarët që i njeh bota për mbrojtjen e hebrenjve, sot janë shndërruar në njerëzit që nuk duan bashkombasit e vet të një gjaku të një race të një kombësie !

Hebrenjtë na mbajnë mend si vendi besës e mikpritjes, a ka më paradoksale se kaq, që vëllezërit tanë të mos ndjehen si vëllezër në tokë të tyre, në plazhin e tyre, në shtëpinë e tyre.

 Turp të na vijë !

Kaq thellë paska pa hyrë në ndërgjegjen tonë krimbi komunist i njeriut të ri që vëllezër quajtëm racat e tjera, rus, kinez e sllav por jo shqiptar.

Shqiptar të Kosovës na pështyni në surrat kur të na shihni, sepse këtë e meritojmë, ne nuk meritojmë të na respektoni dyfish, të na bëni të ndjehemi në shtëpinë tonë, as të na admironi, as buzëqeshjen tuaj nuk e meritojmë.

Shqiptar të Shqipërisë bëhuni real, mos kujtoni se ngritja e volumit të këngës –“Xhamadani Vija-Vija” në plazh na tregon patriotë, jo, vetëm na bën qesharak, nuk kanë nevojë shqiptarët e trevave për patriotizmin tonë të shtirur. Ma kurseni turpin që ndjej kur ju ja hidhni në çmime dhe unë jam e pafuqishme për të reaguar, ma kurseni dhe turpin kur dëgjoj këngë patriotike kur ndërkohë ju mezi prisni të merrni rrugët e botës nëpër azile, e atje keni turp të thoni që jam nga Shqipëria. Ma kurseni turpin që miqtë e mijë nga Kosova të më shprehin sa e sa raste të zhgënjimit nga Shqipëria.Bashkombasit tanë kanë nevojë për një mikpritje të sinqertë, për një buzëqeshje, për një shërbim dinjitoz, për çmime reale, e jo përdorimin e dy standardeve. S’po ju kërkon kush ti falni diçka por ti trajtoni si duhet, sepse ata nuk janë njerëz të dorës së dytë. Sepse me këto sjellje ne vetëm sa po i largojmë vëllezërit tanë të një gjaku e të një kombësie.Plazhet shqiptare janë të të gjithë shqiptarëve.Vëllezërit tanë matanë kufirit janë rritur me dëshirën për të parë Shqipërinë, e tani që po e shohin dhe po na njohin, po largohen me dhimbje se sa pak gjak shqiptar ka mbetë në venat tona.  Falini se s’dinë çka bëjnë !

Filed Under: Komente Tagged With: Leonora Laci, Ndjesë o bashkombas !

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1896
  • 1897
  • 1898
  • 1899
  • 1900
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT