• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VJET NË ROMË – SIVJET NË PRISHTINË

June 20, 2017 by dgreca

1 Golfi

Foto: Nje foto me pjesmarres ne  “Blue Hill Golf Course”, organizuar te Henen me 19 Qershor 2017(Foto nga fb i z. Marjan Cubi)/

Si çdo vit edhe sivjet u organizua grumbullim fondesh në Nju Jork, në një mënyrë tipike amerikane, sponsorizuar nga biznismenë të ndryshëm shqiptarë dhe amerikanë në fushën e njohur të golfit, “Blue Hill Golf Course” në Peral River. ….

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Po bëhën përgatitjet e fundit për shugurimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, më 5 shtator, 2017.  Ishte me 4 shtator të vitit të kaluar që Papa Françesku shpalli të Shënjtë Nënë Terezën. Në përvjetorin e parë të shënjtërimit të Nënë Terezës do të ndodhë shugurimi i Katedralës që mban emërin e kësaj bije të madhe të kombit shqiptar, në kryeqytetin e Republikës së pavarur të Kosovës, në Dardaninë antike.  Janë nevojitur 10-vjetë dhe shumë fonde për realizimin e kësaj vepre madhështore fetare e kombëtare.

1 Ipeshkevi Gjergji

Në Foto:Ipeshkëvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji/

Një rol me rëndësi në grumbullimin e fondeve për ndërtimin e Katedralës së re në Prishtinë ka luajtur Kisha Shqiptare Katolike, “Zoja e Shkodrës” në Scarsdale të Nju Jorkut, si dhe komuniteti shqitaro-amerikan pa dallim feje a krahine.  Për dhjetë vjetë tani komuniteti shqiptar ka organizuar për çdo vit grumbullim fondesh për përfundimin e punimeve të kësaj vepre monumentale fetare, kulturore dhe kombëtare.  1 antoni ok 2

Ne Foto: Organizatori Anton Raja duke four gjate “Blue Hill Golf Course”(foto e derguar nag author i shkrimit)

Si çdo vit edhe sivjet u organizua grumbullim fondesh në Nju Jork, në një mënyrë tipike amerikane, sponsorizuar nga biznismenë të ndryshëm shqiptarë dhe amerikanë në fushën e njohur të golfit, “Blue Hill Golf Course” në Peral River.  Protagonisti kryesor dhe organizatori i kësaj veprimtarie është aktivisti i palodhur, Z. Anton Raja, i cili me shumë bashkatdhetarë të tij biznismenë, nga viti në vit, nepëmjet këtij aktiviteti, kanë grumbulluar fonde të konsiderueshme për të bërë të mundur përfundimin e punimeve në Katedralën e Prishtinës. Falë ndihmës së pa kursyeshme të shqiptaro-amerikanëve, shugurimi do Katedralës do të ndodhë me 5 shtator, 2017.1 Katedralja Prishtine

Në aktivitetin e këtij viti për grumbullimin e fondeve, që siç duket mund të jetë i fundit, në këtë format – morën pjesë klerikë të lartë të Kishës Katolike të Kosovës, përfshirë Ipeshkvin e Kosovës, Imz. Dodë Gjergji, Kryeipeshkvin e Tivarit, Imz. Rrok Gjonlleshaj, Arkipeshkvin e Tivarit në pension, Imz.Zef Gashi dhe Mons Lush Gjergji, të cilët iu bashkuan famullitarit të Kishës “Zoja e Shkodrës”, Dom Pjetër Popajt dhe ndihmsit të tij Dom Viktor Dedaj për bashkmeshim në Kishën Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”.   Në emër të vizitorve të lartë  të ardhur nga trojet shqiptare, Imz. Dodë Gjergji përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi famullinë e Zojës së Shkodrës, siç u shpreh ai,  “Për angazhimin tuaj si famulli për të ndërtuar Katedralën e Nënë Terezës në Prishtinë ashtu edhe për organizimin e “Golf Outing, që vazhdon sa vite, e që nesër do të përpiqemi të bëjmë edhe këtë përpjekje të fundit për të mbledhur një kontribut për Katedralën Nënë Tereza, që do të jetë edhe kontributi i fundit i juaji.”   Imz. Gjergji theksoi se për këtë arrijtje, mbi të gjitha, duhet, “Të falenderojmë Zotin, që pas 10-vite pune, bashkpunimi e angazhimi, sakrificë, vuajtje, lëmoshë, bukën e fëmijve tuaj, drejsën e ballit tuaj dhe shumë e shumë lutje nga të gjitha anët e botës, kemi mbrrijtë të kemi një Shënjtore në Prishtinë.”

1 ok FrankNe Foto:Autori me Presidentin Ibrahim Rugova, 2005 me modelin — në krah të majtë të fotos — e Katedralës së ardhëshme në Prishtinë, që e mbante në zyrën e tij dhe për realizimin e së cilës fliste me plot entuziazëm./

Realizimin e këtij objekti fetar e kombëtar, Imz. Gjergji e cilësoi si një shpërblim nga i Madhi Zot për vuajtjet shekullore të të parëve tanë, duke iu drejtuar të pranishmëve, duke intonuar fjalët biblike të Moisiut: “A e mbani mend se sa kanë vuajtur të parët tuaj 600-vjet nën turk?  A e mbani mend se sa kanë vuajtur shqiptarët nën komunizëm?  A e mbani mend se si e ka shtrydhë  Zoti shpirtin tonë, vetëm që të shoh nëse e duam vërtetë me gjithë zemër?  Këto vuajtje, Zoti po i shpërblen në kohën e sotëme. Zoti po i këthen nderin dhe dinjitetin e vuajtjeve të të parëve dhe Kishës Katolike në popullin shqiptar”, theksoi Imzot Gjergji në predikimin e tij në Kishën “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, të djelën që kaloi.  Ai vazhdoi duke thënë se shpërblimi i Zotit mund të shihet në ringjalljen e fesë dhe të Kishës, duke theksuar se sot, pas më shumë se 100-vjetë të largimit otoman nga trojet tona dhe pas shëmbjes së komunizmit dhe 25 vjet post-komunizëm,  “Kemi 7 ipeshkvijë shqiptarë, në krejt trojet shqiptare, dy të posa emëruar ditët e fundit. Kemi një kardinal… ne kemi sot një Shëjtneshë.  Një Shëjtneshë që është nderi më i madh që Zoti na ka bërë neve, për vuajtjet dhe sakricifat që kemi pësuar ndër shekuj.”  Për këtë” nënvijoi kleriku i lartë katolik i Kosovës,  “Na ka shpëblyer Zoti çdo vuajtje, na ka shpërblyer Zoti çdo dhimbje të shpirtit. Na ka shpërblyer Zoti çdo sakrificë dhe gjakun e derdhur të martirëve me dashurinë e madhe që Nënë Tereza ka derdhur nepër botë, sepse Ai është zemra e popullit tonë, zemër bujare, e përvujtë dhe e dashur…“Ne për ta falënderuar Zotin”, vazhdoi udhëheqsi i Kishës Katolike të Kosovës, “kemi dashur t’i ndërtojmë Nënës Tereze një tempull, një shtëpi të shënjtë, një kishë… kemi dashur të kushtojmë një Katedrale Kishës në Kosovë dhe falendërojmë Zotin që ia kemi arrijtur këtij qëllimi”, tha Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

1 Tony Dovolani

Ne Foto”Tony Dovolani dhe Gezim Nika/(Dergoi per Diellin Frank Shkreli)/

Duke përdorur moton e vet, “Vjet në Romë –Sivjet në Prishtinë”, Imzot Gjergji në fund të predikimit të tij u bëri thirrje shqiptaro-amerikanëve që në përvjetorin e parë të shënjtërimit të saj me 4 shtator të vitit të kaluar, të vërshojnë në Prishtinë më 5 shtator për shugurimin e Katedralës kushtuar Bijës së Madhe të kombit, “Ashtu si jemi takuar në Romë me shumë prej jush dhe me shumë të krishtërë të botës, për të kremtuar Shënjtërimin e Nënë Terezës, ashtu sivjet do të takohemi në Prishtinë, për të festuar ditën e kushtimit të kësaj Kishe”.  Ai përfundoi duke iu lutur të pranishmëve dhe siç duket edhe shqiptarëve kudo, që të kuptojnë se shugurimin e Katedralës në Prishtinë, shtoi ai, “Do t’ia kushtojmë Nënë Terezës dhe aty do të themelojmë vendin e dashurisë dhe burimin e dashurisë së Zotit në Kosovë, në mënyrë që kush don ta ngjyjë shpirtin e vet, për t’a zbutur dhe kushdo dëshiron të gjejë dashurinë për të zhdukur urejtjen prej zemrës së vet.  Kushdo që dëshiron të jetë baba i mirë, nënë e mirë, njeri i mirë, të mund t’a gjejë në shkollën e saj të dashurisë.”

Si ide, ndërtimi i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë kishte filluar me vendosjen e gur-themelit më 26 gusht, 2005, ndërsa punimet për ndërtimin e saj filluan dy vjet më vonë.  Dihet se ndërtimi i kësaj Katedrale ishte dëshirë e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës dhe i shumë intelektualëve dhe udhëheqsve të vendit. Me rastin e vendosjes së gur-themelit Dr. Rugova kishte deklaruar se: “Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin e Kosovës dhe më gjërë, ndërkohë që bekojmë gur-themelin e një tempulli, dedikuar Nënës së dashur të Shqipërisë, të Kosovës dhe Nënës së mbarë njerëzimit – të bekuarës Nënë Terezës.  Sa nder i madh për shqiptarët në Kosovë dhe anë e mbanë planetit, ku Nënë Tereza vërtetoi vlerat shqiptare duke ndihmuar mbarë botën”, është shprehur me atë rast, Dr. Ibrahim Rugova.

Mori kaq vite për ndërtimin e “përmendores së përmendoreve”, një monumenti që ngrit imazhin e shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve kudo.  Është gjithashtu edhe një simbol i qytetërimit dhe kulturës së vjetër arbërore e shqiptare në trojet dardane.  Si e tillë, kjo Katedrale është e të gjithë shqiptarëve pa dallim feje a krahine, të cilët kanë kontribuar për realizimin e këtij objekti fetar e kombëtar.  Në të vërtetë, në portalin e revistës Drita, organ i Ipeshkvisë së Kosovës thuhet se, “Katedralja është financuar përgjithësisht nga kontributi i besimtarëve katolikë, në vend dhe në diasporë.  Por nuk ka munguar as kontributi i individëve dhe grupeve shqiptare që nuk janë katolikë.   Angazhimi i gjithë shqiptarëve në ndërtimin e Katedralës është dëshmuar më së miri në New York, ku bashkëkombësit tanë nga Shqipëria, Kosova, Malësia, Maqedonia, Presheva e Bujanoci, Arbëreshët nga Italia, pa marrë parasysh fenë, katolikë, ortodoksë e myslimanë, të gjithë janë bashkuar në aksionin për grumbullimin e fondeve.  Gjithashtu, s’ka munguar edhe mbështetja e dioqezave katolike dhe miqve të tjerë nga Gjermania, Italia e ndonjë vendi tjetër”.  Thuhet gjithashtu se ishte dëshira e Imzot Dodë Gjergjit që fondet për ndërtimin e Katedralës në Prishtinë të mblidheshin, sipas fjalëve të tija, nga “njerëzit tanë”.   Imzot Gjergji, ka insistuar që “Katedralen ta ndërtojmë me kontributin e bashkëkëmbësve, sepse vetëm në këtë mënyrë do ta konsiderojmë pjesë vitale e jona dhe se ne — bijtë e bijat e saja — ia kemi ndërtuar këtë Kishë Shenjtëreshës sonë”, shtë shprehur Imzot Gjergji.

Kështu, Katedralja do të bëhet “shkollë” e dashurisë, shujtë e shpirtit terezian e arbëror-shqiptar, në të cilën qytetarët e Kosovës dhe vizitorë të vendeve të ndryshme, do të mësojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte këto që Nëna Tereza i mori ndër ne dhe i barti e i dëshmoi në mbarë botën, përfundon shënimi në portalin e revistës Drita mbi historikun e ndërtimit të Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë.

Le të jetë shugurimi i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë më 5 shtator të këtij viti, një ngjarje fetare po se po, por edhe një ngjarje kombëtare, që të pasqyrojë vlerat më të shtrenjta të kombit shqiptar dhe të historisë së tij të lashtë – por mbi të gjitha të forcojë edhe më shumë vlerat dhe të jetë burimë i vazhdueshëm i   bashkjetesës fetare për të cilën shqiptarët janë të njohur me shekuj.

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: - SIVJET NË PRISHTINË, “Blue Hill Golf Course”, Frank shkreli, VJET NË ROMË

Trajtesë e qenësishme dhe e hollësishme për prejardhjen dhe formimin e popullit tonë

June 19, 2017 by dgreca

Dy fjalë rreth veprës së Nelson R. Çabejt “Prejardhja dhe formimi  i popullit shqiptar” – Vëllimi i parë.Botuar në Albanet Publishing, viti 2017/

prejardhjacover

Nga Anton Çefa/

Këtë vepër madhore, ku njëmendësohet çështja sa rendësore aq e vështirë e prejardhja dhe formimi i poullit tonë, autori ia dedikon: “Popullit tim, mbijetues në kufirin e së pamundshmes”.

Në këtë vëllim parashtrohen rrënjët historike të popullit tonë, ndërsa rruga e formimit të tij do te jepet në një vëllim të dytë. Për trajtimin e lëndës autori ka shfrytëzuar të dhënat shkencore të deritanishme nga historia, gjuhësia, arkeologjia, etnografia, besimi, folklori, artet, gjenetika, etj., nga burimet shqiptare dhe të huaja. Siç shkruan autori: “Fatmirësisht, në historinë e prejardhjes së shqiptarëve dhe gjuhës shqipe u përfshinë një numër dijetarësh, historianësh e gjuhëtarësh europjan e të rangut botëror, duke filluar me Leibnitz-in, Niebuhr-in, Mommsen-in, Kretschmer-in, Jokl-in; dhe, në shekullin e kaluar, me shkollën shqiptare të albanologjisë të Eqrem Çabeut, që e bëri Shqipërinë qendrën botërore të studimeve albanologjike.”:

Në vepër, duke filluar me “Vështrim i shkurtër i pikëpamjeve rreth formimit të popullit shqiptar”, flitet për banorët paraindoeuropian të Ballkanit Perëndimor, dyndjen indoeuropiane dhe formimin e etnosit ilir. Në vijim trajtohen çështje të tilla si : Ilirët dhe Iliria në kohën hisdhtorike, Epiri si pjesë e Ilirisë së Jugut, historia etnike e Ilirisë së Jugut përmes emrave të vendeve, urbanizimi, shteti ilir dhe tërësimi etnopolitik i Ilirisë së Jugut, ilirishtja – gjuha nënë e shqipes;   bota shpirtërore ilire: morali, arti, folklori, muzika, besimi i ilirëve; rreth romanizimit të Ilirisë. Ky vëllim ka gjithësejt 550 faqe.

E gjithë vepra është një dëshmi e pamohueshme e së vërtetës shkencore që shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, që kanë banuar në trojet e sotme shqipfolëse. Ajo është gjithashtu një dëshmi e njohurive dhe e përpikërisë, që e dallon autorin. Po bie një shembull: për të dëshmuar vërtetësinë e historisë etnike të Ilirisë së Jugut përmes emrave të vendeve janë analizuar 34 emra të tillë, që kanë zënë 58 faqe. Vepra mbështetet një një mori referencash tek të cilat është mbështetur ose i ka kritikuar autori, gjithësejt 1288. Siç na e thotë edhe vetë Nelsoni: prej tre shekujsh dijetarë të shquar shqiptarë e të huaj, që janë marrë seriozisht me studimin e prejardhjes së popullit tonë kanë arritur në përfundimin se shqiptarët  janë pasardhës të ilirëve që kanë banuar në trojet e sotme shqipfolëse.

Në vepër dëshmohet autoktonia iliro-shqiptare dhe hidhet poshtë si e pabazë pikëpamja e Weigand-it për prejardhjen trake të shqiptarëve.

Në kreun e dytë flitet për banorët paraindoeuropian të Ballkanit Perëndimor, duke trajtuar gjurmët arkeologjike të tyre, trajtohen edhe lidhjet gjuhësore të shqiptarëve me ta, besimi dhe arti i tyre. Pasojnë dyndjet indoeuropiane dhe i jepet një rëndësi e veçantë formimit të etnosit ilir, duke dritësuar parahistorinë e ilirëve përmes kulturës dhe gjuhës së tyre.

Në kreun IV, fillon historia e ilirëve, nga organizimi fisnor kalohet në formimin e mbretërive. “Duke filluar nga shekulli V para erës së re, u krijuan katër shtete të mëdha të pavarura: mbretëritë e Epirit, e ardianëve, e dardanëve dhe e pajonëve, të cilat rivalizonin me njëra-tjetrën, duke ruajtur një drejtpeshim të brishtë e të habitshëm si në rrafshin politik dhe në atë ushtarak . . .” vë në dukje autori. Trajtohen më poshtë shkaqet përse nuk u formua një shtet i centralizuar ilirjan. Me organizimin e shteteve ilire u kultivua vetëdija mbifisnore, etnike, tek ilirët. Autori jep gjithashtu disa tipare të karakterit ilir.

Duke folur pet pushtimin romak të Ilirisë, krahas dëmeve si ndërprerjes së   procesit të zhvillimit te shtetet ilire, ndarjes së territorit në disa njësi administrative të veçanta, përhapjes së krishtërimit që lidhej me një ideologji mbietnike të këtij besimi, autori vë në dukje faktin se pushtimi romak e pengoi , por nuk e shoi vetëdijen “Ne” ndër ilirët, që ishte arritur më parë. Ndikoi në mënyrë të veçantë, ndër të tjera, urrejtjen dhe luftën kundër këtij pushtuesi. Lidhur me çështjen e vetëdijes etnike të ilirëve në kohën e pushtimit romak, autori trajton edhe problemin jashtëzakonisht të rëndësishëm të lindjes së gjuhës shqipe, “në saje të shndërrimeve të thella të strukturës gramatikore të ilirishtes, në përputhje me rrethanën e depërtimit masiv të latinizmave, që ishte një reagim vetëmbrojtës i ilrishtes për t’i shpëtuar romanizimit.”

Hollësisht më pas jepën kufijtë etnikë të ilirëve dhe si dëshmi e njëjtësisë etnike të Ilirisë së Jugut me Epirin, jepen emrat vetjakë. Shkencëtarët e fushave të ndryshme të dijes i kanë trajtuar ilirët si një nga grupet etnike të hershme, që mori pjesë në indoeuropianizimin e Europës prehistorike.

Autori ka venë në kahun e kritikës tendencën për një lloj ilirofobije, që priret të rrudhë konceptin mbi ilirët vetëm në “Illyri proprie dicti”, si tek arkeologu M. Garashanin, i cili lë jashtë territorit të ilirëve dhe bashkësisë ilire një  pjesë të Dardanisë, japodët dhe panonët, duke i cilësuar si trakë. Historikisht, fiset ilire, që u formuan nga shkrirja e popullsisë parailire me ardhësit indoeuropianë, zënin një truall shumë të gjerë, që përfshinte gjithë Ballkanin Perëndimor.

Në vijim, trajtohet Epiri si pjesë e Ilirisë së Jugut, dhe jepen sqarime për prejardhjen e emrit Epir, kufijtë e Epirit të vjetër, fiset epirote, gjuhën e tyre, vendemrat e shpjeguar me anën e shqipes ose që kanë evoluar në pajtim me fonetikën e saj. Flitet për kolonitë greke në bregdetin e Epirit, shtetet epirote dhe tregohet se Epiri për grekët e lashtë ishte një vend i huaj. Gjithashtu, shpjegohet historia etnike e Ilirisë së Jugut përmes emrave të vendeve.

Në një kapitull të veçantë trajtohet urbanizimi, shteti ilir dhe tërësimi etno-politik i Ilirisë së Jugut, duke filluar me lindjen e jetës qytetare, zhvillimin e qyteteve iliro-epirote, kolonitë greke në bregdetin ilir, zhvillimet e qyteteve iliro-epirote, vetëdijen etnike të ilirëve. “Vetëdija “Ne”, që i bashkonte ilirët, – shkruan Nelsoni, – nënkuptonte edhe veçimin e tyre nga gjithë joilirët, nga “Ata” ose “Të tjerët”. Në konceptin “Të tjerët” mund të mishërohej edhe ideja e “Armikut”, që ushqehej nga konfliktet e paprera të fiseve ilire me fiset e popujt e tjerë. Kjo tablo kërcënuese rriste solidaritetin e brendshëm fisnor e mbifisnor të tyre, duke favorizuar përpjekjet për formimin e shteteve ilire. Me formimin e mbretërive ilire, faktorët e mësipërm ndikuan edhe për formimin e vetëdijes dinastike, me kultin e mbretit dhe në përhapjen e miteve për prejardhjen heroike / hyjnore të tij e të familjes mbretërore.”

Trajtohet, gjithashtu, problemi i gjuhës shqipe si bijë e ilirishtes, dhe shpjegohet se “fjalët ilire që njohim janë shpjeguar vetëm me anë të shqipes; kështu, emrat ilirë,  ato vetjakë, të lumejve, vendeve, bimëve, fiseve, popujve, etj., Jepen edhe huazimet ilire nga latinishtja dhe greqishtja e vjetër dhe marrëdhëniet me trakishten. Autori thekson dhe argumenton që “shqipja është gjuhë indoeuropiane dhe bijë e ilirishtës”.

Flitet më pas për botën shpirtërore të ilirëve : moralin, folklorin,  muzikën, vallet dhe veshjen, etj. Lidhur me besimin trajtohet totemizmi ilir, kultet, etapat e zhvillimit të fesë, panteoni ilir, kozmogonia dhe etnogomia e ilirëve.

Në kreun e XI, dhe të fundit, jepen shkaqet përse iliria e Jugut i shpëtoi romanizimit. “I ashtuquajturi romanizim në trevat shqiptare ose në Ilirinë e Jugut,  në pëgjithësi, thotë autori, në thelb ka të bëjë me ndikimin romak në jetën e qyteteve ilire, por . . . preku vetëm përciptas zonën rurale, që përfaqësonte pjesën më të madhe të trojeve dhe popullsisë së Ilirisë së Jugut.”

Përfundimisht, po theksojmë që në këtë vepër, autori ka shpjeguar formimin e popullit tonë në mënyrë të gjithanshme, duke marrë në shqyrtim tërësinë e të dhënave historike, gjuhësore, arkeologjike, të artit, besimit, folklorit, etnografisë, etj. Vepra është një dëshmi e drejtësisë së faktit që ne shqiptarët jemi pasardhësit e ilirëve.

*   *   *

Botimet e Nelsonit

Për rrethanat në të cilat iu desh të punojë, kërkimet e Nelsonit shtrihen në një fushë relativisht të gjerë, duke filluar nga biologjia e aplikuar (veterinari) dhe teorike (biologji e përgjithshme, evolucion, gjenetikë dhe epigjenetikë), deri  në fushën e albanologjisë (histori e popullit shqiptar dhe e gjuhës shqipe). Këto  kërkime janë pasqyruar në mbi 80 artikuj shkencorë e popullarizues dhe në 16 libra të botuar deri sot.

Lista e librave të botuar

– Gjenetika në Shërbim të Njeriut  (1977)

– Ç’është Imunologjia (1977)

– Gjenetika (bashkautor me B. Shehun) (1979)

– Nga Historia e Zhvillimit të Shkencës Shqiptare (1980)

– Mbi Natyrën e Jetës (1984)

– Njohja Shkencore dhe Biologjia e Sotme (1987).

– Probleme Filozofike të Biologjisë (1988)

– Quantic Evolution (2001)

– Neural Control of Development (2004)

– Epigenetic Principles of Evolution (2012)

– Building the Most Complex Structure on Earth (2013)

– Ilirët që Mbijetuan (2013)

– Vazhdimësi Iliro-shqiptare në Emrat e vendeve (2014)

– Në Gjurmët e Perëndive dhe Mitologjemave Ilire (2014)

– Epirotes – Albanians of Antiquity (2016)

– Prejardhja dhe formimi i popullit shqiptar – Vëllimi i parë (2017)

Veprat e mëdha shkencore që ka përkthyer në shqip :

– Origjina e Llojeve (1982) – përkthyer nga origjinali anglisht The Origin of Species (1859) e Çarls Darvinit

– Zbulimi i Ligjeve të Trashëgimisë (1987) – përkthyer nga origjinali gjarmanisht Versuche über Pflanzenhybriden (1865) të Gregor Mendelit, pajisur me një studim 35 faqesh për lexuesin shqiptar

– Autoktonia e shqiptarëve në Studimet Gjermane – me pjesë të zgjedhura nga vepra të 12 autorëve të mëdhenj gjermanë për autoktoninë dhe prejardhjen ilire të shqiptarëve, duke filluar nga viti 1705 deri në kohët e fundit.  Përkthyer nga origjinalet gjermanisht dhe pajisur me shënime e një studim 37 faqesh)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, i popullit shqiptar”, Nelson Cabej, prejardhja dhe formimi

‘‘ LIQERI ’’ I LASGUSHIT, PARAJSA E SHPIRTIT …

June 19, 2017 by dgreca

Natyra këtu ka magji. Lasgushi këtë magji e kishte kthyer në poezi. Tani “dremit liqeri” me kujtimet për të…/

OLYMPUS DIGITAL CAMERA3456OLYMPUS DIGITAL CAMERA

NGA PËLLUMB GORICA/Një ndenjë e bukur dhe e këndshme kënaqësie shoqëroi udhëtimin tonë drejt juglindjes, mes një grupi miqsh të penës. Mëngjesi gëzimdhënës, plot dritë, por edhe me aromë kundërmuese lulesh gjithfarësoj.

Udhëtojmë luginës piktoreske të Shkumbinit plak. Malet, me madhështinë e tyre, e rrethojnë luginën e thellë. Thyrjet e relievit, diku me një ashpërsi tërheqëse, e diku të mbytur nga deti i gjelbërimit të drurëve të lartë e të shumëllojshëm me blerimin e harlisur, i japin një bukuri të veçantë. Pa fjalë një natyrë e magjishme shqiptare!

Kalojmë Elbasanin, Librazhdin dhe Përrenjasin. Makina duket sikur fluturon në panoramat interesante, që të emocionojnë për çdo metër udhëtim. Herë pas here shfaqen e zhduken vendbanime të vogla, të shtrira në shpate kodrash. Po gjithsesi, me gjarpërimet  e saj është një rrugë që ecet shpejt dhe këndshëm. Ajo kalon ngjitur rrjedhës së stërlashtë të lumit Shkumbin, gurgullues e i kaltër si një shirit argjendi, me vërshimin e ujrave drejt detit Adriatik.

Në liqen mahnitja dashuruar

Por kur kalon Qafën e Thanës, një ndjesi e këndshme të kaplon si asosacion me malet e hirta në horizont, të mbuluara me qeleshen e bardhë dhe liqenin e Ohrit. Një panorama magjepse si një poezi a telajo e pikturuar me ngjyra drite. Mes qiellit e tokës, ky liqen, një bukuri që natyra e krijoi në zemrën e bukurive të Ballkanit.

Re puplore era i lodron në hapësirën qiellore. Dielli, duke i sfiduar ato me ndriçimin vezullues, derdh rreze, të cilat, teksa përthyehen në liqen e reflekton mahnitjen e dashuruar të kësaj bukurie të papërshkruar. Kur vjen këtu në një ditë të tillë, e shijon më bukur prarimin magjik të liqenit dhe natyrën rrethqark tij. Ndaj me syrin e aparatit fotografik e përjeton këtë panoramë të shushurimës së patrajtshëm të gjallesave natyrore, së bashku me freskipuhizën që rrudhos pasqyrën liqenore. Kodrat, malet, vendbanimet, si roje, i shtrohen në gjunjë. Qytetet e Ohrit, Strugës, Pogradecit me panoramat piktoreske, por edhe perlat turistikë: Shën Nauni, Lini, Voloreku etj, me pamjet e tyre të mrekullueshme, të mahnitin veçanërisht në ditë të kthejllta qiellore. Natën, dritat e tyre vezullojnë si yje uji në liqen. Lini, me shtëpi të ngjeshura rreth kodrës, të rrethuara me pemë të llojeve të ndryshme, të magjeps me pozicionin e tij tërheqës e të ngjason si një vapor i ankoruar prej kohësh.

Ecim drejt Pogradecit, qytet i vendosur në skajin jugor të liqenit. Tablotë e natyrës kalojnë me radhë. I soditim këndshëm, duke thithur ajrin e freskët të stinës. Aty këtu shfaqen shtëpi dhe lokale midis mozaikut të kulturave bujqësore, dhe pemëve frutore të gjelbëruara. Nëpër kodra bari mbulon tokën si qylym i blertë e që ndrit nga vesa. Bregut në ca kallamishte nositët cicërijnë. Valët numërojnë njëra-tjetrën në breg me një shushurimë të lehtë. Tutje ca varka lëkunden në sipërfaqen e pastër të ujit. Panorama tërheqëse e piktoreske e Pogradecit, të krijon një kënaqësi të veçantë. Sigurisht të pushton një ndjenjë ndryshe, kur kthehesh këtu pas shumë vitesh. Kemi pasur rast të vizitojmë qytetin e Pogradecit shumë herë në fillim të viteve ’90, ndaj dhe shumëllojshmëria e objekteve me kujtimet e asaj kohe, kaq natyrshëm na rrjedhin si ujëvarë. Godina të pakta disa katëshe, rrugë të shkatërruara, parqe të rrënuara, dritat e venitura…

Qyteti sot shfaqet më i mrekullueshëm e impresionues si një kartolinë shumëngjyrëshe. Ndërtimet e vjetra ndërthuren me simbolet e reja të zhvillimit modern të këtij qyteti. Pallate shumëkatëshe me modele të ndryshme arkitekturore, lokale, skulptura, parqe, shatërvanë, rrugë të shtruara me standarte, të rrethuara nga të dy anët me blirë e drurë të tjerë dekorativë.

Shijojmë me ecjaket tona pastërtinë, ngjyrat e qytetit, flladin e liqenit… Koloriti i stinës i jep një tjetër hijeshi qytetit.  Rugët e tij gumëzhijnë nga lëvizjet e vizitorëve. Pogradecarët, banorë të dashur e mikpritës ndjehen të lumtur që janë nga ky vend kaq i bukur, e me trashëgimi të pashtershme kulturore, historike dhe fisnikëri vlerash, që meritojnë pa dyshim respekt. Ata krenohen me qytetin e tyre, figurat e njohura të tij dhe liqenin. Liqeni, jo vetëm për forcë të zakonit, që nuk shprehet me fjalë, por, është një lloj pasqyre për Pogradecin dhe bukurinë e tij. Duke shkuar përtej pikëpamjeve gjuhësore, banorët u pëlqen ta emërtojnë gjoli. Ndërsa Lasgushi derdhte në vargje emrin liqeri. Por liqeni dhe Lasgush Poradeci identifikojnë njëri-tjetrin. I ngritur fare pranë liqenit me vështrimin nga ai, monumenti i Lasgushit plot hir me qenin Cuci para këmbëve dhe pak metra më tutje i Mitrush Kutelit, dy korifejve të penës, bij të këtij qyteti, përbëjnë simbolet e Pogradecit. Ndalemi pak çaste, ku valët e liqenit llokoçiten lehtë në breg dhe i flladit fytyrat tona të emocionuara. Por, duke kundruar Pogradecin, malin e Thatë, liqenin, të kumbojnë vargjet e Lasgushit, ku ai ka derdhur dhëmbjen për plagët e nositit:

“Un’ ik liqerit zemërak 
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:

Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi,
Dh’ u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari.

 

Liqeri i shkretë e rrit tallazi porsi det

E shpirtin duke më përcjellë më thotë se

Ah! Shih sa është i thellë

Ky gjiri em që të patë pjellë”

Magjia ka zbritur në Volorek( Drilon)

Të shkosh në Pogradec e të mos vizitosh Volorekun është sikur të mos kesh ardhur fare aty. Kjo sepse është një nga perlat më të bukura të natyrës shqiptare, që dikur ishte një “mollë e ndaluar”, për t’u shijuar sot nga gjithkush. Të shprehesh me shumë fjalë e gjithë ndjenja, gati të dalldisur të rrëmbejnë befasishëm e të pushtojnë aq shumë panoramat qetësuese, të parkut të vogël, i mbushur me drurë të lartë dhe me shtrirje përgjatë ujërave të kristalta e të qeta, që nën rrezet shëndritëse të diellit janë një kënaqësi ripërtëritëse. Kundërmimi i luleve, romantika mahnitëse sa reale dhe e ëndërrt, mërmërima e lehtë e flladit, shto këtu përjetimin e pllaquritjes së pulëbardhave e të peshqve të veçantë, aq sa marrin shikimin e vizitorëve të shumtë dhe varkave të vogla, apo simfoninë e cicërimave të zogjve nëpër pemë, të bëjnë të ndjehesh i dehur nga kënaqësia.

– Voloreku i mbushur me aromë natyre, të jep një ndjesi mjaft pozitive si një privilegj i së bukurës,- thotë Besniku, bashkëbiseduesi dhe miku ynë pogradecar.

Në Volorek ndërtimet: bar kafetë, restorantet dhe hotelet e zbukurojnë këndshëm në çdo stinë të vitit, ku nuk mungojnë shije të ndryshme, të cilat ofrojnë pushime, por dhe zbavitje të këndshme me një shërbim të kulturuar dhe ajo që është me rëndësi, përkujdesjen e veçantë.

Por, pak më tej Volorekut të bukur e të mirëmbajtur, spikatin ndërtimet e vjetra, por edhe të reja të Tushemishtit. Ato, edhe pse me nota optimiste për një turizëm elitar po shpërfytyrohen barbarisht. Një përzierje e vorbullës, të asaj që ne i themi zhvillim në emër të progresit me betonizim pa kriter buzë liqenit, duke e ngushtuar pjesën e plazhit. Panoramat e bukura humbasin vlerat dhe nuk mund të kthehen kurrë në antivlera duke i shkatërruar.

Voloreku është një poezi që meriton të interpretohet. Natyra e tij të përkëdhel aq bukur sa të josh ta vizitosh atë përherë, jo vetëm në verë, por edhe në ditët e dimrit me borë. Se s’ka si të ndodh ndryshe, në këtë perlë magjepse të natyrës shqiptare gjithkush që e viziton gjen parajsën e shpirtit të munguar.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: ‘‘ LIQERI ’’ I LASGUSHIT, PARAJSA E SHPIRTIT, Pellumb Gorica

Shkolla Shqipe “Alba Life”, ceremoni në mbyllje të vitit shkollor

June 19, 2017 by dgreca

Shkolla Shqipe “Alba Life” në NY përfundoi me plot sukses vitin shkollor akademik  2016 të -2017-të./

1 nxenesit deftes2 nxenesit3 valle5 syte e mbyllur ok8 kendonSot është dita shqipëtare/ Të përpiqmi/ Alfabetin tonë ta mbrojmë/ Shpejt o burrani/ Shkronjat tona janë të arta/ Këto duamë-  Parashqevi Qiriazi/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Shkolla Shqipe “Alba Life” që operon në disa lagje të Nju Jork-ut përfundoi me plot sukses vitin shkollor akademik 2016 të -2017-të.Gjyshër, Prindër, mësues dhe nxenes vinin grupe grupe të gëzuar për të festuar së bashku mbylljen e vitit shkollor dhe për të parë nga afër programin që do të shfaqnin nxënësit dhe njëkohësisht fëmijët e tyre në skenën e shkollës publike amerikane Ps: 9 në Staten Island.7 dy femijeIMG_97616 femijeVatra e Gjuhës Shqipe e alfabetit të shenjtë të Kombit i mblodhi në ishullin e bukur në Staten Island të gjithë nxënësit që vijnë dhe vazhdojnë me plot dashuri programin e shkollës shqipe i mblodhi në vatrën me prush të ndezur për Shqipen, aty ku nisi mësimi i parë i Gjuhës Shqipe të Shkollës “Alba Life”.

Nxënësit e shkollave Shqipe kudo në botë janë dashuria dhe krenaria e Kombit, ata janë e ardhmja.  Jam e sigurtë se qysh kur ka shkelur shqiptari i parë në Amerikë duhet të ketë menduar dy gjëra nga më të rëndësishme për shqiptarin:  Kombi dhe Gjuha Shqipe.  Prandaj është detyrë shumë e rëndësishme dhe e ngutshme për të sensibilizuar Diasporën anë e mbanë në lidhje me Gjuhën Shqipe sepse asnjëherë Komunitetet nëpër botë nuk bëhen të forta në se gjeneratat që lindin jashtë trojeve të tyre harrojnë gjuhën e nënës.

Moderatorja e programit tha se ka qenë një rrugëtim i gjatë, i vështirë, por tejet frymëzues.

Ne sot festojmë mbylljen e Vitit Shkollor 2016 të -2017 të.  Ka qenë një vit i mbushur me punë dhe dashuri për mësimin e Gjuhës Shqipe.  Dhe ja më në fund ja arritëm sepse jeni ju mësues të dashur, si Entela Muda, Vlera Sela Thaqi, Adelina Lacaj, Raimonda Hysolli, Ardita Miloti Vadahi, Blerta Gjevori, si dhe Eduard Dilo anëtar i stafit si dhe prindër dhe nxënës që po realizojmë misionin më fisnik në Diasporë dhe po kaq dhe për Kombin tonë të përbashkët.

Shkolla Shqipe “Alba Life” ka nje aktivitet 10 vjeçar dhe është bërë krenari e gjithë dashamirësve të Shkollave Shqipe në Diasporë.  Sivjet Shkolla Shqipe arriti suksesin e radhës duke hapur një shkollë shqipe në Queens në shkollën publike amerikane 68.  Aktivitetet e saj janë të panumërta dhe gjithmonë në shërbime të kulturës shqiptare.  Programi tejet serioz i saj si festimi në Ditën e Flamurit, Festat e fundvitit, festa e Mësuesit, Festivalet e Shkollave Shqipe dhe gradimi në fund të vitit janë vërtetë patriotike dhe frymëzuese.

Programi i nxënësve të Shkolles Shqipe “Alba Life” në fund të vitit shkollor 2016 të -2017 të

Nxënësit e filluan programin me këngën “Gjuha Shqipe , Gjuha jonë” që është bërë hymn për Shkollën Shqipe si dhe është kënduar nga të gjithë pjesëmarrësit në katër festivalet e nxënësve të Shkollave Shqipe në Amerikë.  Këngëtarët ishin Eda e Elsa Kulla nxënëse të shkollës Alba Life në Queens, Dea Kërliu, Elira Dzemaili dhe Dea Watkins nxënëse të shkollës “Alba Life” në Staten Island të shoqëruara nga kori i shkollës.Më pas u këndua “Kënga e “Alfabetit Shqip” me tekst të Parashqevi Qirjazit kënduar nga  Dea Kërliu dhe shoqëruar nga kori i shkollave “Alba Life”.  Teksti është shkruar nga Parashqevi Qiriazi dhe i është kushtuar alfabetit të dalë nga Kongresi i Manastirit prej 14-22 nëntor 1908

Kënga e “Mësuesit” orkestracioni Gust Daija. Këndoi dhe luajti në piano Dea Watkins nxënëse e shkollës “Alba Life” në Staten Island NY.

Vjersha “Lapsi im” interpretuar nga nxënësi i shkollës shqipe “Alba Life” në Queens, Iliran Karamuca

Kënga “Për mëmëdhenë” me tekst të Mihal Gramenos. Këndoi Elsa Kulla dhe Era Vadahi shoqëruar nga kori i shkollave “Alba Life”.

Kënga e Gjyshes u këndua nga Dea Kerliu shoqëruar nga kori.

Arsi Muda interpretoi vjershen “Jam Dibran”.

Programi u mbyll me “Kuq e zi”.  Kënduan: Elsa Kulla, Era Vadahi,  Joana Kulla dhe Ilirian Karamuça të shkollës “Alba Life” në Queens, shoqëruar nga  kori i shkollave Alba Life  vallëzon  grupi i valltarëve  të shkollës në Staten Island, NY të përgatitur nga mësuesja Entela Muda.

Mbas programit Drejtori dhe themeluesi i Shkollës Shqipe “Alba Life” z.Qemal Zylo ka përshëndetur gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit për mbylljen me sukses të vitit shkollor akademik 2016 të-2017 të dhe iu ka uruar atyre pushime të mbara!

Një falënderim special iu dha bashkëpunëtorëve të Shkollës Shqipe si z.Shpetim Bardhi, Kreshnik Dorzi dhe Todd Watkins.

Z.Qemal Zylo iu ndau të gjithë nxënësve certifikatën si nxënës të Shkollës Shqipe “Alba Life” si dhe mirënjohjen për përkushtimin e tyre ndaj programit mësimor të Gjuhës Shqipe si dhe pjesëmarrjen në Festivalin e katërt të Shkollave Shqipe në Amerikë, në Waterbury, Connecticut.

Me certificatë mirënjohje u vlerësuan mësueset Entela Muda, Vlera Sela Thaqi, Adelina Lacaj, Raimonda Hysolli dhe Ardita Miloti Vadahi me këtë motivacion:  Për kontributin e tyre në dhënien e mësimit të Gjuhës Shqipe si dhe ndihmesën në përgatitjen e nxënësve dhe përfaqësimin e tyre në Festivalin e katërt të Shkollave Shqipe në Amerikë në Waterbury, CT.

Në fund u nda torta me simbolin kuq e zi dhe logon e Alba Life, përgatitur me bujari nga familja e nderuar Thaqi.

Nxënësit u argëtuan me valle dhe këngë shqiptare nën kujdesin e muzikantit Kreshnik Dorzi.

Programi u filmua nga TV “Alba Life” me kameraman Todd Watkins dhe do të transmetohet së shpejti në kanalet televizive.

17 qershor, 2017

Staten Island, New York

 

Filed Under: Featured Tagged With: Alba-Life, Keze Kozeta Zylo, mbylli me sukses, Shkolla shqipe, Vitin shkollor

Çamëria dhe marrëdhënjet shqiptaro- greke nëpër shekuj

June 19, 2017 by dgreca

Nga Mr.sc.Nue Oroshi/*

Kryetar i Shoqates se Intelektualeve Gjithshqiptar “Trojet e Arbrit“/

unnamed (4)

Kam nderin që pikerisht sot në këtë ditë historike në Gjirokastër t’i hapë punimet e sesionit të XIV shkencor me temën: ” Çamëria dhe marrëdhënjet shqiptaro- greke nëpër shekuj”. Më gëzon fakti se pikërisht sot jemi tubuar studiueset dhe studiuesit shqiptarë nga të gjitha viset etnike shqiptare dhe diaspora e madhe atdhetare për ta elaboruar me fakte shkencore historinë e Çamërisë tonë ku këto punime do të mblidhën dhe botohën në një vepër enciklopedike të veçantë për historinë e Çamërisë.

unnamed (6)

Në heshtjën e gurit ku na sillet vërdallë koha e trurit për t’i parë gjëmat dhe lotët e burrit për Çamerinë tonë. Çamëria sot është loti e varri i shqipës që thërret që nga bregu i pikëllimës t’i dalin zot bijtë dhe bijat e veta. Çamëria sot është plaga shekullore, testamenti i shkruar dhe i pashkruar , kaluar nëpër Konferenca Kombëtare dhe Ndërkombëtare. Çamëria nuk është vetëm çështje pronash por është tokë Arbërore e trashëguar shekuj me radhë gjatë ecjakjeve historike. Çamëria është zëri i Gjin Bua Shpatës dhe Pjetër Loshës këtyre dy viganëve Arbëror që na thërrasin që t’i dalim zot kësaj toke të bekuar. Çamët dhe Arbërorët në Çamëri u përballën me presionet dhe dhunën greke shekuj me radhë.Masakrat mbi Arbërorët e Çamërisë ishin shekullore ato asnjëherë nuk u ndalën.

unnamed (7)

Ato e mbuluan edhe heshtjën e gurit prej kohërave të lashta e deri në shekullin e informatikës ku përzihen lotët e nënave arbërore të Çamërisë për bijtë dhe bijat e tyre që u vranë, u masakruan dhe u larguan nga tokat e të parëve.Çamëria apo Principata e Artës mesjetare pas shuarjes së shtetit të Artës , Arbërorët e Çamërisë mesjetare mërguan në viset etnike shqiptare por një pjesë e tyre mërguan edhe në Itali ku u krijuan viset me shqiptarë në Kalabri dhe në Sicilinë e sotme duke i ruajtur për pesë shekuj me radhë traditat dhe identitetin e kombit shqiptarë. E një poet do të shkruante : “Atë që e bëri Kastrioti me shpatë e bëre ti me pend o i madhi De Radë.” Është fjala për poetin e shkrimtarin tonë të madh arbëresh themeluesin e Rilindj ës shqiptare Jeronim de Radën.

Çamëria – Kjo plagë e rëndë e Arbërisë sot është e mbështjellur dhe e ngulfatur nga shofinizmi grek.Çamëria gjaku dhe shpirti Arbëror, sot është e mbuluar me petkun e zisë. Çameria është sot loti dhe varri Arbëror që thërret që prej bregut të pikëllimes, t’i dalin zot bijtë e vet. Po ku është Çameria sot?Ku janë Çamët sot?Ku janë të shpërndarë pasardhësit e Gjin Bua Shpatës dhe të Pjetër Loshës këtyre viganeve të Arbërisë të cilët në fund të shek.XIV dhe në fillim të shek.XV e ngritën dhe e mbajtën në këmbë Principatën Arbërore të Artës.

Sot thërrasin zërat e Gjin Bua Shpatës e Pjetër Loshës ku je katandisur Arbëri.Ku i ke djemtë e tu që janë përgjumuar, i ka nxënë gjumi shekullor dhe ai mortor. Sot me zë të artë thërrasin: Arta, Janina, Ajdonati, Filati, Konica, Margëllaqi, Filipa dhe Parge, Trikalla, Preveza e Gjiri i Artës, Meçovë, Grebenë, Naselicë, Kostur, ata therrasin në ndihmë Arbërinë ngrihuni djemtë e Arbërit e na ndihmoni është koha e fundit të bëni diç për Çamërinë. Derisa Çamëria kjo plagë e hapur e Arbërisë na thërret që në çdo mënyrë të mundëshme t’i dalim zot kësaj pjese të trupit tonë, do të ishte e udhës që edhe ne  intelektualët shqiptarë kudo qofshin dhe ngado qofshin ta humbin një pjesë të kohës të çmuar për Çamërinë, dhe pikerisht sot jemi mbledhur në e këtë Akademi madhështore që  ta themi dhe me pas ta shkruajmë  historinë  enciklopedike të Çamërisë me forcën e argumentit shkencor.

Që në fillim dua të theksoj se sot o kurrë është koha e duhur që t’ia kthejmë borgjin shekullor Çamërisë, ta ngulitim në kokat dhe mendjet e gjeneratës së re përmes librave të shkruara se Çamëria është djepi dhe trolli Arbëror, është koha t’iu tregojmë këtyre gjeneratave se në vendin e sotëm të Çamërisë të gllabëruar nga  greket, mu në këto themele në gjysmën e dytë të shekullit XIV, dhe në fillim të shekullit XV, ka eksistuar Principata e Artës me prijësit e saj: Gjin Bua Shpata, Pjeter Losha, Muriq Bua Shpata, Zguro Bua Shpata, Pal Bua Shpata, Jak Bua Shpata, Karull Bua Shpata, të gjithe këta prijësa Arbëror përplot dy shekuj jetë e mbajtën të gjallë Principaten Arbërore të Artës.

Intelektualë shqiptarë kudo që janë të shpërndarë, anë e kënd botës, sot kemi  mbledhur mendjën dhe fuqinë  intelektuale  ta  flasim të vërtetën e hidhur për motrën tonë Çamërinë. Shoqata e Intelektualëve Gjithshqiptarë “Trojet e Arbrit” , sot me,4 Qershor 2017 në Gjirokastër  po  mbanë sesionin e XIV shkencor me temën : “Çamëria dhe Marrëdheniet shqiptaro-greke nëpër shekuj.”Kjo Shoqatë Gjithkombtare deri tash ka mbajt katërmbëdhjëtë sesione shkencore të rregullta, dy sesione shkencore të veçanta nëpër të gjitha viset etnike shqiptare dhe tetë akademi shkencore në Evropë dhe si fryt i kësaj pune të madhe të njëqind e pesëdhjetë intelektualeve shqiptar janë botuar katëtmbëdhjetë vepra enciklopedike, në periudhën kohore 2004-2017,me një vëllim shkencor prej 10.000 (dhjetmijë ) faqesh. Ku me fakte shkencore është ndriçuar historia jonë shqiptare, nëper shekuj, dhe është bërë korigjimi i shumë ngjarjeve historike për të pavërtetat shkencore që janë thënë deri më tani.

Intelektualë dhe intelektuale shqiptarë, anë e kënd botës dhe në trojet tona Arbërore, sot kemi bashkuar  fuqinë dhe mendjët, kemi  lënë anash heshtjën e gurit dhe lotët e burrit por kemi futur në funksion trurin dhe me duart tona  të arta do ta shkruajmë e flasim të vërtetën e hidhur për motrën tonë Çamërinë.

Na u prift e mbara!

* Fjala e Hapjes e Mr.sc.Nue Oroshi Kryetar i Shoqates se Intelektualeve Gjithshqiptar “Trojet e Arbrit“  mbajtur më, 04.Qershor 2017 në Gjirokastër

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Cameria, dhe marrëdhënjet shqiptaro- greke, Mr.sc.Nue Oroshi, nëpër shekuj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1948
  • 1949
  • 1950
  • 1951
  • 1952
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT