• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shën Valentini- dita për të dashuruar…

February 14, 2021 by dgreca

Shën Valentini në sofrën e Diellit /

Shën Valentini- dita për të dashuruar, si të mos ketë ditë tjetër /

  • Poezi nga Rafael Floqi /

MESAZH 

Nëse telefoni yt do të vibrojë, 

dhe ti s’do që ta ndjesh 

sepse përpëlitet ashtu, 

ngase për ty po dridhet një zemër, 

dhe, nëse bën sikur s’e sheh dot 

se germa fillestare e emrit tënd 

është një e-moji i kuq që pulson,

atëherë t’i se ke arritur të kuptosh, 

apo e harron e nënvlerëson, e dashur

se ata që të thonë: 

” Se dashuria është e frikshme”,

ata s’ kanë ndjerë kurrë një dashuri, 

të tillë të paanë, 

si ajo që më dhuron ti mua.

Ndaj dije, zemër, 

se ata që thonë se dashuria është 

e dhunshme, e dhimbshme, 

ata kurrë nuk janë ngushëlluar, 

nga një dashuri e pa sinor

eklipsuese si kjo e jotja.

Mbaje mend, shpirt,

se ata që thonë, se dashuria e vërtetë 

nuk ekziston fare mbi dhe, 

ata më bëjnë të besoj se vërtet

se ata 

s’ kanë takuar dot një njeri si ti,

se ata 

kurrë s’ mund të dashur pa kufi

si ne.

PERPETUM LOVE

Nëse të them se zëri yt është një ujëvarë qelibari, 

në të cilin dëshiroj të kridhem çdo ditë, 

nëse ma puth gojën si një trëndafil mistik 

me më shumë dëshirë e disi me frikë, 

nëse të pëshpërit se miklimi i trupit tënd

ndjell tek unë sa fuqi të pashtershme shëruese 

aq dhe dëshira të brishta shpresash

vetëmohuese.

Nëse është vërtet kështu, 

besoj 

se kjo është e vetmja përplasje qytetërimesh

të cilin kam dëshirë me qejf 

ta përjetoj.

Nëse ti me dëshirat e ëndrrat e tua, 

mbjell plot ardhmëri në ëndrrat e mia, 

sa unë mund t’u zë prita reve të errëta, 

të ditëve të zymta që mund të mësyjnë. 

Nëse ti mendon se shumica e njerëzve 

e pranojnë me ngadalë dashurinë,

kjo ndodh

se kanë frikë nga transformimi 

që do sillte dhembka në jetën e tyre.

Dhe kurrë mos gabo, zemër 

mbaje mend mirë këtë; 

se dashuria merr përsipër të transformojë 

egon sonë,

në emër të ndjenjës sonë …

Ndaj ta vodha zemrën e dashur 

dhe të premtova do ta mbaj gjithmonë 

në burgun e dashurisë sime.

E di që, se edhe ti vetë e ke përjetuar  

Se çdo të thotë të që kujdesesh më shumë 

për ndjenjat e dikujt,

që të sakrifikosh gjithçka që duhet 

për ta ndihmuar atë,

që të ndihet më mirë.

Me fjalë të tjera,

dashuri është: 

kur zemra ime bëhet e ndjeshme ndaj tëndes. 

Dhe, nëse nuk po e ndjen veten 

kaq të lirë, të kthjellët në këtë çast 

kjo shpirt, 

do të thotë se jemi aty afër

edhe na duhet edhe ca, edhe do pak, 

që të zbulojmë mes thinjash,

misteret e asaj 

që s’mund të zbulohet kurrë fillikat. 

Se sekreti i artit më të mirë të jetuarit, 

është ripërtëritja e dashurisë në amshim,

është energjia e pashtershme 

është “ perpetum love”,

që i çliron ti 

shpirtit tim. 

MËNGJESI I SHËN VALENTINIT

Mëngjesin tonë të dashurisë

sot na e rrëmbeu mes dhelkash, 

vajza jonë e vogël vetëm 9 vjeçe, 

që kërkoj të mbrohej 

duke hyrë mes nesh në shtrat,

i trembej dinozaurëve të ëndrrës

që ta mbllaçitshin atë si të ishte trileçe. 

U fut mes nesh për të ndjerë siguri, 

por e paqetë,  rrotullohej e s’gjente rehat.

këtë mëngjes të ngarkuar me borë 

me elektronet të trupave tanë, 

që bënin gjoja sikur dremisnin

në një kotje të shtirur të përndezur nga rrezet.

Ajo rrëkëllehej e sigurt mes mamit e babit. 

dhe një dritë ylberi, sakaq me qetësi qiellore 

e përkundi mes yjesh aureolën e hënës 

duke zbritur gjumin dhe paqen prore. 

E shoh atë pafajësi hyjnore,  

ajo po fle, e ndjen po se kupton,

e sikur flet me një zë të ndryshuar,

që i përkëdhelet ditës që po vjen.

Ka vënë një tatu false në faqe,  

me një zemër ku shkruhet “I love you Oriana”.

E dashur, ju shoh tek flini këtë mëngjes 

Ju kundroj të dyjave 

dhe mendoj se duke na dashur aq fort 

papritur këtë mëngjes dashurie,

ajo kishte karamboluar me diellin

që kishte çuar në urgjencë epshet tona ,

duke i  tubuar të gjitha dashuritë lozonjare

mbi vete me atë tatunë me shkrimin 

“I love you Oriana ! ”

AKREPAT

Ne jemi si akrepat e një ore …

duke u ndjekur dhe duke u shmangur nga njëri-tjetri,

duke e humbur dhe duke e gjetur njëri-tjetrin,

rreth e përreth, para dhe prapa, 

por si degë të bashkuara 

tek një rrënjë, 

duke harruar se koha  

po harronte ritmin e saktë

e na bënte të ndjeheshim,

gabim 

sikur në ndonjë çast 

do të gjendeshim aq larg.

KUR TË NJOHA 

Vetëm kur ndjeva rrezet e diellit tënd, 

e kuptova që kisha qenë në hije. 

Vetëm kur pashë të gjitha ngjyrat e tua, 

e kuptova që e imja ishte venitur.

Vetëm kur dëgjova ëndrrat tua, 

e kuptova që isha ende duke fjetur. 

Vetëm kur e përjetova jetën me ty, 

e kuptova që gjer në ato çaste

mezi pata marrë frymë.

KUJTIM I PAKTHJELLUEM

Trupi jem, sot s‘asht hetues për shpirtin

i shtym prej kujtimesh t’lashta labeate, 

qi prej kohe iu jam lut të tranden n’zgjandra 

e kam kërkue me e zbut n’harresë pengu, 

ate 

mallin opak t’afshit të asaj nate.

Kur dy buz n’hijen e shtyllave t’rrugës,

ku ndihej zhurma e barkave të peshkimit, 

aroma e krapit që llapashitej 

dhe turfullimi n’ajër e nji lopate, 

digjeshin si tela përzhitës t’nji llampe

nsa hijet si lisharse mbi ne lodronin, 

dhe dy buz si ngjyrë  bakri i merrnin 

shkëlqimin prej sermi të hanës  

në errësinën e ndryme të shpive, 

çileshin arkapiat e mendjes seme prore,

që dhe pse tash sa vjet ujë ka rrjedhun,

asht prap’ e lëbyrtë për shpirtin.

Nji puthje, dranofillja lypte për me çilë 

sot një qerpik ende i paterun dridhet,

n’kujtimin e pa tretun të kohve rinore.

N’qepallat e mbyllme t’syve t’shpirtit tem,

fringllon tash sa parë, 

pa e mshehun kahera trandjen e nji kujtimi, 

t’bam, pa dashje, ujem, 

të largët, të pagjum, fathumb e lodrues si era

si një zemra cigane që shkapetet në arrati,

duke shkapet imagjinata dhe kujtime,    

e padashun nan za, gjith’ mall e nostalgji

nji buz e rreshkun nis e knon aromshëm,

apet.

“Karajfilat që i ka Shkodra 

sa t’bukur janë…”, 

medet. 

Filed Under: Featured Tagged With: Rafael Floqi, Shën Valentini- dita për të dashuruar

KOSOVA TË DIELEN E 14 SHKURTIT 2021 NË ZGJEDHJET E TETA PARLEMENTARE NË LIRI

February 13, 2021 by dgreca

-Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001

-Legjislatura e tretë, e  zgjedhjeve të 17 Nëntorit 2007,  ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008

-Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  29 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

Kosova këtë të diele të 14 Shkurtit 2021 voton në zgjedhjet parlamentare  – të tetat në 22 vjet liri, të pesta në 13 vjet pavarësi e të katërta të njëpasnjëshme të parakohëshme.

Kosova në Vitin e Ri 2021 shkon në zgjedhje parlamentare  të jashtëzakonshme pas rënes së dy qeverive në vitin 2020 të pas zgjedhjeve të parakohëshme të 6 Tetorit të vitit 2019.

Në 2020-tën qëveria me kryeministër Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje e zgjedhur në 3  Shkurt u rrëzua me mocion mosbesimi të inicuar nga partneri i koalicionit qeverisës – Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila mori drejtimin e qeverisë me kryeministër Avdullah Hotin të zgjedhur në  3 Qershor, por në dhjetor Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshme votën e një deputeti të minoriteteve, Etem Arifi, pasi kishte të humbur mandatin për shkak të një dënimi të formës së prerë nga gjykata, i cili tashmë ndodhet në burg. Vota e tij ishte vendimtare për zgjedhjen e qeverisë pasi mundësoi arritjen e minimumit të nevoshem  prej 61 votave të parlamentit 120 anëtarësh.

Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001, kur numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,249,987, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 803,796 votuesë – 64.30%.

Zgjedhjet e dyta parlamentare u zhvilluan në 23 Tetor 2004. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,412,680, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 699,519 votuesë – 49.52%.

 Zgjedhjet e treta parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2007. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,567,690, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 628,630 votuesë – 40.09%. Legjislatura e këtyre zgjedhjeve, e treta, ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008.

 Zgjedhjet e katërta parlamentare në liri, të parat në pavarësi, u zhvilluan në 12 Dhjetor 2010. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,632,276, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 706,317 votuesë – 45.29%.

Zgjedhjet e pesta parlamentare në liri, të dytat në pavarësi, u zhvilluan në 8 Qershor 2014. Numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,799,023, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 734,055 votuesë – 42.63%. 

Zgjedhjet e gjashta parlamentare në liri, të tretat në pavarësi, u zhvilluan në 11 Qershor 2017. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,888,059, ndërsa  pjesëmarrja në zgjedhje 779,729 votuesë – 41.3%.

Zgjedhjet e shtata parlamentare në liri, të katërta në pavarësi, u zhvilluan në 6 Tetor 2019 . Numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,961,213, pjesëmarrja në zgjedhje 826,916 votuesë – 44.56%.

Për zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurt 2021 – të tetat në liri e të pestat në pavarësi numri i votuesëve të regjistruar është 1,794,862.

 Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  29 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të dhunës e shtetrrethimit nga Serbia okupatore.

Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e zhvilluar nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan pro 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.

Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bell Jashari, Kosova ne zgjedhjet e 8-ta, KQZ

SOLZHENICIN

February 13, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/*

13 shkurt 1974 – Aleksander Solzhenicin arresohet, të nesërmen dëbohet nga Bashkimi Sovjetik për në Frankfurt të Gjermanisë Perëndimore, dhe i hiqet shtetësia sovjetike; KGB-ja i kishte gjetur dorëshkrimin e pjesës së parë të Archipelagut Gulag. Atasheu ushtarak amerikan në Moskë William Odom arriti të nxjerrë fshehurazi një pjesë të madhe të dorëshkrimeve të Solzhenitsynit, dhe ky më pas e nderoi rolin e Odomit në librin “Aleatët e padukshme” (1995). Nga Gjermania, Solzhenicin u transferua në Zyrih, Zvicër para se Universiteti Stanford ta ftonte për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara. Atij iu dha një diplomë nderi për letërsi nga Universiteti i Harvardit në vitin 1978. Në një rast, kur e pyetën se si i shpjegonte fatkeqësitë e mëdha që i kishin ndodhur Rusisë, Solzhenicini (e ëma ukrainase, i ati kazak) u përgjigj: 

“Njerëzit kanë harruar Zotin, kjo është arsyeja pse e gjithë kjo ka ndodhur. Kam kam kaluar gati 50 vjet duke shqyrtuar historinë e revolucionit socialist, kam lexuar qindra libra, kam grumbulluar qindra dëshmi personale, kam kontribuar tashmë me shkrimin e tetë librave në drejtim të gjetjes së një shpjegimi dhe nuk mund ta them atë më saktë sesa ta përsëris: Njerëzit kanë harruar Zotin, kjo është arsyeja pse e gjithë kjo i ka ndodhur Rusië”.

Me shkrimet e tij, Solzhenicin shërbeu si një arkiv vuajtjesh; librat e tij janë kujtime të shrehura artistikisht për të tërhequr vemendjen dhe prekur ndërgjegjen e çdo njeriu. Më poshtë disa vargje që Solzhenicini i shkroi në burg, pikërisht lidhur me rëndësinë e ruajtjes së kujtimeve për të treguar vuajtjet nën komunizëm;

“Zot më ruaj të mos çmendem

Kurrë nuk ka qenë, as nuk do të jetë, botë e shkëlqyer!
Pece këmbësh e ngrirë është shall që mbështjell fytyrën time
Luftë mbi qullin për të ngrënë, betejë e vazhdueshme e trazuesit.
Dhe ditët pasojnë dita-ditës, pa fund, në fatin e zymtë.
Goditja ime e dobët ndez xixa nga tokë e ngrirë.
Dielli poshtë vështron dhe unë shikoj qiellin.
Bota është këtu! Dhe do të jetë! Raund i përditshëm
Mjaft! Njeriu nuk duhet të mbyllet në këtë ditë.
Duhet shkruar! Për të shkruar tani, pa vonesë,
Jo mes zemërimit, por arsyeshëm, me kuptim të qartë.
Kujtesa kurrë nuk mund të çojë tek ngjarjet siç kanë ndodhur,
Ashtu si shumë rrallë pulset e dritës prekin shpirtin e dhembur.
Po, është i mbyllur qarku rreth nesh, tepër i tendosur,
Por vargjet shpërthejnë pengesat, kujtimet lirshëm rrjedhin
Për të shpëtuar diçka duhet shkruar, ndoshta, përtej mundësive.
Dhe pastaj ata mund të kontrollojnë më kot trupin tim –
“Ja ku jam, i gjithi juaji, kërkoni mirë, se mos iu shpëtojë gjë
Kujtesa është e paprekshme, me mrekulli hyjnore,
Mbetet përtej duarve të kasapit!”
Po sikur të më japin bukë të helmuar?
Ose nëse errësira mbulon mendjen time?
Oh, le të mos ndodhë këtu! Le të vdes atje!
Perëndi, më ruaj të mos çmendem!”

*(Marrë nga “Kalendar Historik”, Astrit Lulushi, TiranaTimes 2017)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Astrit Lulushi, Calendar Historic, Solzhenicin

Senati shpall të pafajshëm ish-Presidentin Trump

February 13, 2021 by dgreca

Senati amerikan votoi të shtunën për ta shpallur të pafajshëm ish-Presidentin Donald Trump nën akuzën për nxitje rebelimi të ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Senati votoi me 57 vota për ta shpallur ish-presidentin fajtor dhe 43 jo fajtor. Meqenëse në një gjyq në Senat kërkoheshin 67 vota, ose dy të tretat për fajësimin, ish-Presidenti Trump u shpall i pafajshëm.

Shtatë republikanë u shkëputën nga radhët e grupit të tyre dhe votuan pro fajësimit.

TRUMP PËRSËRI I MBIJETON GJYQIT NË SENAT

Është hera e dytë në 12 muaj që zoti Trump i mbijeton një gjyqi në Senat kundër tij. Demokratët synonin që ai të mos lejohej të kandidonte përsëri për një post publik. 

Zoti Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar, prandaj ishte e qartë se ngritja e akuzës për nxitje rebelimi kundër tij nuk do të përdorej dot për heqjen e tij nga detyra.

Por demokratët kishin shpresuar që, duke e shpallur atë fajtor ta mbanin atë përgjegjës për sulmin në Kapitol që la pesë të vdekur, përfshirë një oficer policie dhe të përgatisnin terrenin për ta ndaluar atë që të shërbejë përsëri në një post publik. Duke pasur parasysh mundësinë që zoti Trump të vijë përsëri në një post publik në të ardhmen, argumentuan ata, ai nuk do të hezitonte të inkurajonte përsëri dhunën politike.

Republikanët e shpëtuan ish-presidentin Trump edhe në votimin e 5 shkurtit 2020, në gjyqin e mëparshëm për shpalljen e tij fajtor, kur vetëm një senator nga radhët e tyre – Mitt Romney – votoi për fajësmin dhe heqjen e tij nga posti.

Drama në Senat u zhvillua në sfondin e ndarjeve të thella në linja politike, në planin racor dhe socio-ekonomik, ndërkohë që vendi është goditur rëndë nga pandemia.

Gjyqi solli një luftë të mëtejshme partiake, edhe pse Presidenti demokrat Joe Biden, i cili mori detyrën në 20 janar ka premtuar shërim dhe unitet pas katër viteve të trazuara të paraardhësit të tij në pushtet dhe një fushate elektorale të tensionuar.

Zoti Trump, 74 vjeç, vazhdon të mbajë nën kontroll partinë e tij me kredon populiste të djathtë dhe mesazhin “Amerika e para”. Ai ka shqyrtuar mundësinë për të kandiduar përsëri për president në vitin 2024.

Trump është presidenti i tretë në histori ndaj të cilit Dhoma e Përfaqësuesve ngre akuza për ta shpallur fajtor – një hap i ngjashëm me një aktakuzë penale – si dhe i pari ndaj të cilit ngrihen dy herë akuza të tilla si dhe i pari që përballej me një gjyq në Senat pas largimit nga detyra.

Deri më sot Senati ende nuk ka shpallur fajtor ndonjë president ndaj të cilit ngrihen akuza nga Dhoma e Përfaqëasuesve.

Demokratët vendosën të mos i ndryshojnë planet për ta vazhduar procesin, pavarësisht se e dinin se kjo mund të hedhë hije mbi javët e para yepër të rëndësishme të presidencës Biden.

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi akuzën kundër zotit Trump më 13 janar dhe 10 republikanë iu bashkuan shumicës demokrate të Dhomës. Votimi erdhi një javë pasi turma pro-Trump sulmoi Kapitolin, ndërpreu çertifikimin zyrtar në Kongres për fitoren e zotit Biden, u përlesh me policinë e vogël në numër, hyri në sallat solemne të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit dhe bëri që ligjvënësit të largoheshin me shpejtësi për në një objekt të sigurt brenda perimetrit të Kongresit.

REAGON ISH PRESIDENTI TRUMP

Ish Presidenti Donald Trump tha të shtunën se gjyqi në Senat kundër tij ishte një fazë tjetër e “gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e vendit tonë”.

Zoti Trump e bëri komentin në një deklaratë, pasi Senati e shpalli atë të pafajshëm, në një gjyq ku republikanët e mbrojtën atë nga përgjegjësia për sulmin vdekjeprurës të 6 janarit nga mbështetësit e tij në Kapitol.

ARGUMENTET PËRMBYLLËSE

Prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe pala mbrojtëse paraqitën të shtunën pasdite argumentet e tyre përmbyllëse pro dhe kundër.

Në argumentet e tyre, ligjvënësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve u kërkuan senatorëve që ta shpallin zotin Trump përgjegjës lidhur me akuzën për nxitje të rebelimit.

Prokurori kryesor demokrat, ligjvënësi Jamie Raskin, tha se turma e 6 janarit veproi sipas udhëzimeve të zoti Trump dhe me miratimin e tij, duke shtuar se ish-presidenti dështoi të mbrojë ligjvënësit apo ish-nënpresidentin e zgjedhur nga ai vetë. 

“Nëse kjo nuk përbën një bazë për fajësim, nëse ky nuk është një krim i rëndë dhe si dhe një akt i paligjshëm kundër republikës si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atëherë asgjë tjetër nuk mund të jetë. Presidenti Trump duhet të dënohet për të garantuar sigurinë e demokracisë dhe popullit tonë”, tha ai.

Avokatët e zotit Trump, kanë argumentuar se gjyqi nuk duhej të ishte mbajtur, sepse zoti Trump nuk ishte më në detyrë dhe thanë se komentet e tij në fjalimin që i parapriu trazirave ishin të mbrojtura nga amentamenti i parë i Kushtetutës.

Michael van der Veen, një nga avokatët e zotit Trump, tha se ndaj klientit të tij nuk po zhvillohej një proces i rregullt dhe se zoti Trump nuk kishte nxitur dhunë. 

“Pavarësisht se po shohim pamje me të vërtetë të tmerrshme lidhur me sjelljen e protestuesve kjo nuk ndryshon faktin që zoti Trump është i pafajshëm për akuzat kundër tij”, tha ai. “Akti i nxitjes nuk ka ndodhur kurrë”. 

Demokratët kanë hedhur poshtë ato argumente, duke përfshirë dhe pohimin se ndaj ish-presidenti nuk u zhvillua një proces i rregullt ligjor. 

ÇËSHTJA E DËSHMITARËVE

Përpara kësaj, Senati arriti një marrëveshje për të mos thirrur dëshmitarë në gjyqin ndaj ish-Presidentit Trump duke i hapur rrugë paraqitjes së argumenteve përmbyllëse.

Por fillimisht Senati u përfshi nga paqartësitë mbi këtë çështje. Senatorët votuan për të vlerësuar mundësinë e thirrjes së dëshmitarëve në gjyq.

Përplasjet e minutës së fundit për dëshmitarët ishin pasojë e komenteve të bëra të premten në mbrëmje nga një ligjvënëse republikane e Dhomës së Përfaqësuesve në lidhje me një telefonatë të nxehtë gjatë ditës së trazirave mes zotit Trump dhe udhëheqësit të pakicës së kësaj dhome Kevin McCarthy, që demokratët thonë se është dëshmia e indiferencën së zotit Trump ndaj dhunës në Kapitol.

Fillimisht në Senat po diskutohej nëse duhej të thirrej për të dëshmuar ligjvënësja Jaime Herrera Beutler, një nga 10 republikanët që votuan për ngritjen zyrtarisht të akuzës ndaj zotit Trump në Dhomën e Përfaqësuesve. Në një deklaratë të premten vonë ajo tha se zoti Trump kishte kundërshtuar një lutje të zotit McCarthy për t’i ndalur protestuesit. Demokratët e konsiderojnë atë një provë kyçe që konfirmon se presidenti ” braktisi qëllimisht detyrën si komandant i përgjithshëm”.

Procesi gjyqësor u ndal papritmas të shtunën në mëngjes dhe madje senatorët dukeshin të hutuar për hapat e ardhshëm.

Gjyqi në Senat ka nxjerrë në pah rrezikun e jashtëzakonshëm me të cilin u përballën ligjvënësit më 6 janar, ndërsa zoti Trump u bëri thirrje ndjekësve të tij të marshonin drejt Kapitolit, në një përpjekje për të parandaluar ligjvënësit që të çertifikonin ditoren e tij ndaj demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.Si pasojë pesë persona humbën jetën.

Pamje filmike të marra nga kamerat e sigurisë të cilat u paraqitën gjatë procesit të gjykimit tregonin se protestuesit ishin afruar shumë pranë e duke vendosur në rrezik ligjvënësit ndërsa ata po evakuoeshin nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve.

Në shënjestër të protestuesve ishte edhe Nënpresidenti Mike Pence, i cili më herët gjatë asaj dite kishte refuzuar kërkesën e zotit Trump për të ndërhyrë në procedurat për çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Në një postim në Twitter zoti Trump kritikoi zoti Pence për mungesë “guximi” menjëherë pasi senatori republikan Tommy Tuberville kishte njoftuar zotin Trump se nënpresidenti po evakuohej për arsye sigurie.

Avokatët e zotit Trump dhanë përgjigje kontradiktore të premten kur u pyetën nëse zoti Trump e dinte se zoti Pence ishte në rrezik kur publikoi postimin e tij. Disa senatorë republikanë thanë se ata kishin ende pyetje në lidhje me rolin e zotit Trump në sulmin e dhunshëm në Kapitol.

“Çështja është se cili ishte qëllimi i presidentit? Për këtë gjë vetëm presidenti mund të përgjigjej. Dhe presidenti zgjodhi të mos e bëjë”, u tha gazetarëve senatori republikan Bill Cassidy. Ai shtoi se nuk e kishte ndarë ende mendjen se si të votonte. Ish-Presidenti Trump e hodhi poshtë kërkesën e prokurorëve të çështjes për të dëshmuar në gjyqin e ti.(Kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Politike Tagged With: Pafajsi, Presidenti Trump, senati

Vatra dhe Dielli, Autoriteti më i Lartë moral i Botës Shqiptare

February 13, 2021 by dgreca

-Në prag 112 vjetorit të numrit të pare të Gazetës më të vjetër të botës shqiptare- DIELLI 15 Shkurt 1909- 2021-

Ne, jemi sot më të vendosur se kurrë ndonjëherë më parë që të lexojmë me përgjegjësi të lartë qytetare mesazhin e etërve tanë Nolit e Konicës, për të mbajtur me çdo kusht peshën e rëndë që na ka vënë historia mbi shpinë për të dërguar çështjen shqiptare drejt destinacionit të zgjidhjes së plotë. Dhe në këtë drejtim Vatra dhe Dielli janë autoriteti më i lartë moral i botës shqiptare….

NGA DRITAN MISHTO*

Të nderuara Zonja dhe Zotërinj,

I Nderuar z. Editor i Diellit, Dalip Greca dhe Editore e Seksionit Anglisht znj. Rafaela Prifti,

Të nderuar z. Harris, Drejtor në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, Dr. Elez Biberaj, Drejtor në Zërin e Amerikës, Prof. Nicholas Pano si edhe ju studiues shkencorë, profesorë dhe lektorë,

Të nderuar Anëtarë të Kryesisë së Vatrës, Anëtarë të Këshillit të Vatrës dhe Kryetarë të Degëve,

Të nderuar përfaqësues të Organizatave të Komunitetit,

Të dashur vatranë dhe bashkëatdhetarë kudo që ndodheni.

Më lejoni që në emër të Federatës Panshqiptare të Amërikës VATRA të deklaroj të hapur Sesion Shkencor kushtuar 110 vjetorit të Gazetës Dielli.

Ne jemi të lumtur që sot Gazeta Dielli feston këtë përvjetor me madhështi dhe me një respekt të padiskutueshëm ndër lexuesit bashkëkohorë, madhështi e respekt të cilin jo vetëm simotrat e saj të shuara gjatë rrugës së vështirë të jetës, por edhe gazeta të kombeve të tjera do ta kishin zili.

Dua që në emër të Federatës VATRA të kujtoj me respektin dhe mirënjohjen më të madhe editorët ndër vite të Gazetës sonë: Fan Noli, Faik Konica, Efthim Natsi, Paskal Aleksi, Kristo Floqi, Kristo Dako, Dennis Kamburi, Kostë Çekrezi, Bahri Omari, Loni Kristo, Andon Frashëri, Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Andrea Elia, Nelo Drizari, Peter Çiko, Qerim Panariti, Peter Prifti, Bilal Xhaferri, Athanas Gegaj, Xhevat Kallajxhi, Eduard Liço, Arshi Pipa dhe Anton Çefa. 

Përpara një viti u nda nga jeta Presidenti i Nderit i Federatës VATRA z. Agim Karagjozi, të cilit i takon merita e madhe e ribotimit të Diellit në cikël të pandërprerë periodik dhe përzgjedhja e Editorit tonë z. Dalip Greca, të cilit në emër të Kryesisë së Federatës VATRA dua t’i shpreh publikisht respektin dhe mirenjohjen më të madhe që me një punë tej çdo parashikimi arriti ta mbajë Gazetën Dielli në nivelin e një tempull të vërtetë të mendimit bashkëkohor shqiptar.

Unë jam shumë krenar dhe i lumtur që pas Kuvendit Historik të vitit 2017 dhe ngritjes së Federatës sonë në një stad të lartë tashmë, ne kemi edhe Editoren e Seksionit Anglisht znj. Rafaela Prifti të cilën e falenderoj publikisht për punën e saj të shkëlqyer.

Të dashur bashkëkombas,

Ne, jemi sot më të vendosur se kurrë ndonjëherë më parë që të lexojmë me përgjegjësi të lartë qytetare mesazhin e etërve tanë Nolit e Konicës, për të mbajtur me çdo kusht peshën e rëndë që na ka vënë historia mbi shpinë për të dërguar çështjen shqiptare drejt destinacionit të zgjidhjes së plotë. Dhe në këtë drejtim Vatra dhe Dielli janë autoriteti më i lartë moral i botës shqiptare.

Ne të ecim përpara me ritëm të shpejtë sepse gara jonë nuk është me të shkuarën apo edhe me atë çfarë ne vetë po bëjmë, por gara jonë është me atë që koha na kërkon të bëjmë. Dhe nuk jemi këtu sot për vehten tonë, por jemi këtu që fëmijët tanë të mos maten me punët tona, por me kërkesat e kohës që ata do të jetojnë. Unë, si kryetar i Federatës VATRA, Editori, Kryesia, Këshilli dhe anëtarësia jemi të vendosur dhe të palëndur në objektivat tona.

Së fundi, edhe njëherë, i shpreh këtij auditori falenderimet më të sinqerta për pjesëmarrjen tuaj këtu dhe jam i bindur në suksesin e këtij sesioni shkencor dhe se produkti i tij është një bazë e fortë për Diellin e nesërm.

Rroftë Gazeta Dielli

Rroftë Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA

Zoti Bekoftë shqiptarët kudo që ndodhen

Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës

* Përshëndetja e Kryetarit të Vatrës, z. Dritan Mishto në Seminarin kushtuar 110 vjetorit të themelimit të Gazetës”DIELLI”, 6 prill 2019.-Botoi Dielli ne Prind-Prill 2019-Ribotohet ne prag te 112 vjetorit.

Filed Under: Featured Tagged With: 110 Vjetori, dielli, Dritan Mishto-Fjalimi-6 Prill 2019, Kur festohej

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 194
  • 195
  • 196
  • 197
  • 198
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT