• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fjalimi i Presidentit Biden për politikën e jashtme, sinjalizon rikthimin e Amerikës në arenën botërore

February 4, 2021 by dgreca

Associated Press/Zeri i Amerikes- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden mbajti të enjten fjalimin e tij të parë nëDepartamentin e Shtetit që kur mori detyrën, duke e vënë theksin tek sfidat kryesorepër diplomacinë amerikane, rikthimi tek aleancat dhe udhëheqja “nga një pozicionforce” e Shteteve të Bashkuara në arenën globale.

Presidenti Biden e bëri të qartë se bota duhet të presë që Shtetet e Bashkuara të jenëmë të angazhuara në arenën diplomatike me administratën e tij. 

“Amerika u rikthye. Diplomacia është përsëri në qendër të politikës sonë të jashtme”,tha zoti Biden

Presidenti foli konkretisht për çështjet që kryesojnë programin e tij të politikës sëjashtme: grushti i shtetit në Mianmar, bisedimet me Rusinë dhe marrëdhëniet me Kinën.

“Ushtria e Mianmarit duhet të heqë dorë nga pushteti që ka marrë me forcë”, thazotit Biden.

“Ditët kur Shtetet e Bashkuara qendronin pasive përballë veprimeve agresive tëRusisë, përfshirë ndërhyrjen në zgjedhjet tona, sulmet kibernetike dhe helmimin e qytetarëve të saj, kanë marrë fund,” deklaroi presidenti.

Zoti Biden tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do t’u bëjnë ballë abuzimeveekonomike të Kinës duke “ripërtërirë rolin tonë në institucionet ndërkombëtare dheduke risjellë besueshmërinë dhe autoritetin tonë moral, një pjesë e mirë e të cilavekishte humbur.”

Presidenti Biden tha gjithashtu të enjten se ka kërkuar nga Pentagoni nëbashkëpunim me Departamentin e Shtetit një rivlerësim të vendosjes së trupaveamerikane jashtë vendit dhe se ndërsa bëhet kjo analizë, ai do të ndalte tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania.

Ky vendim ishte një kthesë nga ai i ish-presidentit Trump vitin e kaluar, i cilimegjithë kundërshtimin e Kongresit, njoftoi planet për ridislokimin e rreth 9,500 prej afro 34,500 trupave amerikane të stacionuara në Gjermani, ku ndodhen bazaajrore Ramstein dhe selia e komandës amerikane për Evropën dhe Afrikën. 

Zoti Biden tha gjithashtu se do t’i jepte fund mbështetjes për ofensivën ushtarake tëArabisë Saudite në Jemen dhe se do ta bënte mbështetjen për të drejtat e komunitetitLGBTQ një gur themeli të diplomacisë.

Presidenti njoftoi se po nënshkruante një urdhër ekzekutiv për rritjen e kufirit tënumrit të refugjatëve të lejuar në Shtetet e Bashkuara më shumë se tetëfishin e nivelit ku e kishte ulur administrata e ish-presidentit Trump.

Zoti Trump e kishte ulur në mënyrë drastike këtë kufi, në vetëm 15,000.

Plani i zotit Biden do ta rriste atë në 125,000, 15,000 më shumë nga maksimumi qëkishte vendosur Presidenti Barack Obama para se të largohej nga detyra. 

Fjalimi i zotit Biden, ishte një sinjalizim për botën se Amerika është rikthyer pas katër vjetësh të politikës së ish-Presidentit Trump “Amerika e Para”.

Momenti që zgjodhi Presidenti Biden për të folur në Departamentin e Shtetit, nëfillim të mandatit, ishte sa simbolike aq edhe një sinjal i interesit të tij për politikën e jashtme, përfshirë vite të tëra si kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ish-Presidenti Trump e kishte vizituar Departamentin e Shtetit për herë të parë, pas më shumë se një viti në detyrë, duke e bërë një gjë të tillë vetëm për betimin e Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo në 2018, dhe në mënyrë të përsëritur e sulmoidiplomacinë si pjesë e një “shteti të fshehtë” që synonte të sabotonte administratën e tij. Zoti Trump denigroi dhe pushoi nga puna punonjës të Departamentit të Shtetitdhe u përpoq pa ia arritur qëllimit të ulte buxhetin e tij me deri 35%.

Vizita në Departamentin e Shtetit vjen pasi zoti Biden mori vendimin të mërkurënpër të zgjatur afatin e traktatit të fundit të mbetur në fuqi me Rusinë, që kufizonrezervat e armëve bërthamore ruse dhe amerikane, vetëm dy ditë para skadimit tëpaktit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Arena Boterore, Fjalimi I Presidentit Biden, Rikthimi I Amerikes

Mjerim i politikanëve kosovarë….

February 4, 2021 by dgreca

-që harrojnë se për njohjen e Kosovës nga Izraeli, Shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës presidentit Donald Trump/

Nga Elida Buçpapaj/ 

Më 1 shkurt Kosova dhe Izraeli zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike përmes një ceremonie virtuale nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi ku të dy homologët nënshkruan dokumentin ku shkruhej se Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike.

Pas një periudhe disa vjeçare në një stanjacion të plotë të diplomacisë të Kosovës, falë politikbërjeve krejtësisht të gabuara nga lidërshipi kosovar që vendosi në peshore interesat personale, në 4 shtator 2020, në mes të pandemisë, në mes të Shtëpisë të Bardhë dhe të Zyrës Ovale ku ishin ftuar në nivelet më të larta shtetërore përfaqësuesit politik të Kosovës dhe të Serbisë, Presidenti i SHBA Donald Trump bëri me dije se pas kontakteve të tij personale me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu ishte rënë dakord që Izraeli të njihte shtetin e Kosovës!

Natyrisht kjo njohje ishte një ngjarja më e madhe e kësaj dekade për Kosovën, për nga rëndësia superngjarje për diplomacinë Perëndimore dhe superlajm për shtypin botëror . Që i atribuohej direkt Presidentit Donald Trump.

Nuk mund të mos marrin me mend se për këtë njohje duhet të kenë qënë të interesuara të gjitha administratat Amerikane prej kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, pra nga administrata e presidentit George W.Bush, në administratën e të cilit Kosova u njoh si shtet i pavarur.

Njohja e Kosovës nga Izraeli është një sukses direkt i presidentit të 45-të të SHBA Donald Trump dhe natyrisht kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.

Njohja e Kosovës nga Izraeli ka rëndësisë e shteve më të fuqishme dhe është një nga shtyllat e fuqishme themelmbajtëse të shtetit të Kosovës.

Janë shumë hebreo-amerikanë që kanë dhënë kontributin e tyre për atë që është arritur sot në Kosovë, emra emblematikë të administratave, politikës të jashtme, diplomacisë dhe të këtij komuniteti në SHBA si Tom Lantos, Madeleine Albright, Wesley Clark, Richard Holbrooke, Elie Wiesel, Johanna Jutta Neumann, Norman Gershman e të tjerë e të tjerë, emra të cilët Kosova duhet t’i ngulë dhe të mos i shqisë kurrë nga memoria e saj historike!

Pikërisht shkak për këtë opinion shërbeu amnezia dhe censura e lidërshipit e diplomacisë kosovare e shqiptare, sepse në të gjitha deklaratat zyrtare të shqiptuara më 1 shkurt 2020 rreth zyrtarizimit të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Kosovës pala kosovare shprehu mirënjohjen në mënyrë të gjeneralizuar , kur e ka për detyrim të shprehet në mënyrë eksplicite, se njohja e Kosovës nga Izreali i detyrohet Presidentit Donald Trump i cili në kontakt me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu e arriti këtë sukses madhor!

Periudha 4 vjeçare e presidencës Trump nëse ka qenë e vështirë për shqiptarët, kjo për shkak të kastës me në krye Hashim Thaçin, Edi Ramën, Isa Mustafës and CO të cilët vunë në rrezik integritetin territorial të Kosovës. Kjo kastë në vend që të aktivizonte dhe fuqizonte me figura të reja lobin e mirënjohur shqiptaro-amerikan LQSHA të kryesuar nga ish kongresmeni Republikan Joe DioGuardi afroi tek presidenti Donald Trump njerëzit e Hashim Thaçit, i cili që t’i shpëtonte Hagës ishte i gatshëm ta coptonte Kosovën! Coptimi i Kosovës nuk është fjalë goje, por spiral i ri konflikti.

Kjo është e vërteta, të cilën nuk e shqiptojnë as politikanët e Kosovës, as diplomacia shqiptare dhe as shtypi shqiptar i klientelizuar nga politika e korruptuar.
Shqiptarëve pak duhet t’ju interesojë se cili është President i SHBA, a është Republikan apo Demokrat, sepse për shembull Kosova është një arritje si e presidentëve Republikanë ashtu edhe atyre Demokratë gjithmonë në aleancën Euro-Atlantike dhe të bashkëpunimit të SHBA me BE.

Mjafton të kujtojmë fjalët e ish kongresmenit republikan Joe DioGuardi, që nuk u afrua nga administrata e presidentit Donald Trump, (jam e bindur prej intrigave të shqiptaro-amerikanëve), i cili në 3 nëntor 2020 një ditë para zgjedhjeve në SHBA deklaroi se kësaj here mbështet kandidatin e Demokratëv, por se “Shqiptarët do të kenë miq në Washington D.C. edhe nëse fiton Biden edhe nëse fiton Trump!”

Këto katër vite që lamë pas kanë qenë të vështira edhe për vetë SHBA, (sikur për shqiptarët e gjithë Perëndimin e botën mbarë) nga pandemia Covid 19, nga vrasja e George Floyd, nga protestat Black Lives Matter (BLM), nga vandalizmat ndaj monumenteve e pronës publike e private deri tek sulmi në Kapitol më 6 Janar 2020.

Por nuk është as e para dhe as e fundit herë që Amerika ka zjerë për drejtësi, jo më kot është demokracia më e madhe e botës! Amerika kur bie, ngrihet edhe më lart, gjithmonë falë bipartizanizmit midis Republikanëve dhe Demokratëve dhe anasjelltas.

Mjafton të kujtojmë veprimin e Zvpresidentit Mike Pence më 6 janar të 2021 apo një deklaratë nga Sekretari i Shtetit i sapozgjedhur nga Presidenti i 46-të i SHBA Joe Biden, Antony Blinken, edhe ky me rrënjë hebreje, se “qasja e ashpër të Trump ndaj Kinës,ishte e duhur por taktika e gabuar”.

Ndërsa ne shqiptarët kemi tre detyrime kryesore që duhet t’i përmbushim si strategji kombëtare: t’i jemi mirënjohës SHBA, aleanca me të cilën është jetike, ekzistenciale; së dyti të forcojmë lobin shqiptaro-amerikan në SHBA me personalitete e figura, jo të emëruar nga partitë dhe së treti që është themelore: ta pastrojmë politikën shqiptare, kosovare e maqedone nga kasta e vjetër, kjo gangrenë e korruptuar që është armiku i popullit të vet, sepse i shet interesat e vendit për të përjetësuar pushtetin, duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin e rajonit e më gjërë.

Ndërsa urojmë që Presidenti Joe Biden të ndikojë në Vatikan që Papa Françesku të njohë shtetin e pavarur të Kosovës!

Sa më tepër njohje Kosova aq më tepër çlirohet Serbia nga e shkuara e saj….    

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Izraeli, Joe DioGuardi, Papa Françesku, president Donald Trump, SHBA, Vatikan

SHBA-Kosovë, Hyn në fuqi Marrëveshja për nxitje të investimeve

February 4, 2021 by dgreca

Korporata amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), njoftoi se ka hyrë në fuqi Marrëveshja për nxitjen e investimeve që ka arritur me Kosovën.

Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, “i mundëson DFC-së që të vendos gamën e plotë të produkteve financiare në Kosovë”, tha DFC përmes një postimi në Twitter. Më 31 dhjetor, 2020, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, nënshkruan Marrëveshjen për nxitjen e investimeve, e cila mundëson vënien në dispozicion të mbështetjes financiare të SHBA-së, veçanërisht në sektorin privat të Kosovës.

Kjo marrëveshje do t’i mundësojë Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar, që të ofrojë gamën e saj të plotë financiare, që përfshin financim të borxhit, investime në ekuitet, sigurim të riskut politik dhe grante në ndihmën teknike.

Më 31 dhjetor, zëvendësshefi i DFC-së, njëherësh drejtori menaxhues për Ballkanin Perëndimor, John Jovanoviq deklaroi se DFC-ja sheh “potencial të madh për të ndihmuar në mobilizimin e investimeve që krijojnë vende pune dhe mbështesin zhvillimin për popullin e Kosovës”.

Çfarë është DFC-ja?

Korporata e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar e lansuar më 2020-n, bashkëpunon me sektorin privat për financimin e zgjidhjeve të sfidave më të rënda me të cilat përballet bota në zhvillim sot. Ajo investon në sektorë të ndryshëm përfshirë në sektorin e energjisë, kujdesit shëndetësor, infrastrukturës thelbësore dhe teknologjisë. DFC-ja gjithashtu ofron financim për biznese të vogla dhe gratë sipërmarrëse për të krijuar vende pune në tregjet në zhvillim.(Radio Evropa e Lire)

Filed Under: Opinion Tagged With: Kosove-SHBA, Marreveshja per invetsimet

ARRITI BANDA E VATRËS NË NEW YORK- FALEMINDERIT AKADEMIK VASIL S. TOLE!

February 4, 2021 by dgreca

Libri”Banda Kombëtare ”VATRA” me autor Akademik  Vasil S. Tole, arriti në bibliotekën e Vatrës.

Ka arritur në bibliotekën e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” libri ”Banda Kombëtare”VATRA:- një histori unike shqiptaro-amerikane” i akademikut Vasil S. Tole, kompozitor dhe etnomuzikolog, anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë dhe zëvendëskryetar i saj. Libri është botuar në vitin 2020 me rastin e 100 vjetorit të arritjes së bandës së Vatrës në Shqipëri, të 100 vjetorit të Luftës së Vlorës,si dhe të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Libri i dërguar nga Akademia e Shkencave mbanë shënimin e autorit:

VATRËS sonë të dashur të Shqiptarisë, me mirënjohje dhe përulje!

Vasil S. Tole

Tiranë 15 Dhjetor 2020.

        Me mirënjohje e falenderojmë akademikun dhe e përgëzojmë për punën e shkëlqyer profesionale e shkencore që ka bërë për të sjellë në kujtesë “bëmat” kombëtare të Bandës së Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”.

Libri mbanë titullin”Banda Kombëtare”VATRA:- një histori unike shqiptaro-amerikane”, e shoqëruar me CD.

          Librin e bandës së vatrës, autori Vasil S. Tole, ia dedikon: Federatës “Vatra”, Bandës Kombëtare“Vatra”, Thoma Nasit(1892-1964) dhe familjes së Tij, patriotëve të çështjes kombëtare, misionarëve të forcimit të marrdhënieve shqiptaro-amerikane, pionierëve të artit muzikor në Shqipëri,përmbushësve të aksiomës”Me pushkë e penë për mëmëdhenë”, interpretuesve të parë të “Himnit Kombëtar” në ceremonitë zyrtare të shtetit shqiptar pas vitit 1920; dhe kujtimit të presidentit amerikan Woodrow Wilson(1856-1924).

Krahas falenderimi të gjithë atyre që e ndihmuan, autori e përcjell librin edhe me një parathënie, ku ndër të tjera shkruan: Ky nuk është një libër për muzikën, por është një libër që përmes muzikës, na fton të kuptojmë historinë e Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit XX. Si i tillë ai nuk është një tekst apokrif,përkundrazi. Përmes njohjes konkrete me rolin e bandës muzikore kombëtare shqiptaro-amerikane ”Vatra”, na jepet mundësia të kuptojmë dhe të eksplorojmë historinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, në vitet e Mbretërisë Shqiptare(1928-1939), gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të ardhur deri në krijimin e formacionit të orkestrës frymore kombëtare, emërin e së cilës sot mban Orkestra Frymore Kombëtare e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Autori me dashuri dhe përkushtim,me librin e tij çel disa dritare përmes të cilave duhet ta shohim bandën”Vatra”: si formacion muzikor, si shenjë e qartë atdhedashurie, si miqësi shqiptaro-amerikane apo dhe mekanizëm për të kuptuar vendin e muzikës në shoqërinë shqiptare.

Banda VATRA shkoi në Shqipëri kur Atdheu ksihte nevojë për të. Lufta e Vlorës në vitin 1920 ishte thirrja për bashkimin e të gjithë shqiptarëve kundër pushtuesëve. Thënia e Nolit”Mbahu nëne, mo ski frikë, se ke djemtë në Amerikë”, gjeti konkretizimin e saj përmes akteve sublime të 120 vullnetarëve shqiptaro-amerikanë, të mbledhur dhe të përgatitur nga federate “VATRA”, SHBA dhe te veprimtaria mbarëshqiptare e bandës kombëtare”Vatra”në atdhe.

  Autori arrinë në përfundimin se: falë Thoma Nasit dhe bandës”Vatra”, roli i muzikës në vitet 1920-1926 u ridimensionua në shoqërinë shqiptare. Kryeministrat e kohës dhe vetë Mbreti Zog u angazhuan drejtëpërsëdrejti për t’i dhënë shtetit shqiptar një dimension më kulturor, për ta vendosur kulturën dhe posaçërisht muzikën në themel të identitetit të saj….Fara e bandës”Vatra” dhe pjestarët e saj ishin kudo në Shqipëri, aty ku krijohej një formacion i ri muzikor, një botim ose një shkollë e re…

Për të sjellë atmosferën që krijoi banda muzikore”Vatra”në Shqipërinë e kohës, autori citon fjalët e profesorit Sederholm, pjestar i grupit të Lidhjes së Kombeve që monitoronte kufirin jugor të Shqipërisë në vitet 1920 se”…. një komb që arrinte të krijonte të tilla grupe si banda “Vatra” dhe të donte muzikën aq sa njerëzit e shprehnin këtë  me vërshimin nëpër koncerte, natyrisht që e meritonte liriën e tij…”(citohet Thoma Nasi, sipas leksionit që ai mbajti v 1960 me studentët shqiptarë të Universitetit të Harvardit).

  Për të ndjekur rruëgtimin e  bandës së Vatrës, autori e ka ndërtuar librin me 11 kapituj.

 Për më shumë na ndiqni në Gazetën Dielli në print, ndërkohë njoftojmë studuesit dhe të interesuarit se librin mund ta shfletojnë në bibliotekën e Vatrës.

Faleminderit akademik Vasil S. Tole(Dielli)

Filed Under: Politike Tagged With: Banda Muzikore e Vatres, Vasil Sofokli Tole

Si u shëmtua “Zana Popullore” e folkloristit shkodran Kasëm Taipi

February 4, 2021 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA/

Kasëm Taipi( 1893-1935 ) një nga mbledhësit e rrallë të folklorit shqiptar  botoi në vitin 1933 vëllimin me këngë popullore kryesisht atë qyetit të shkodrës  dhe të Veriut me titullin “Zana Popullore.” Botimi përfshinte këngë shkodrane atdhetare, patriotike, trimërie, të dashurisë, të ahengut  shkodran, bejtet e famshme shkodrane dhe shprehje frazeologjike. Llogariten rreth 22.000 vargje nga trevat shqiptare të Veriut të marra drejtpërdrejt nga populli. Libri pati një  jehonë të jashëzakonshme në kohën që u botua.  Në parathënien e tij te libri “Zana Popullore”  Kasëm Taipi plot thjeshtësi e me dorën në zemër shkruan: I shtyem prej dëshirit që me e vjeftun edhe unë me fuqitë e vogla të mija, zhvillimit të historisë kombëtare dhe përparimit të gjuhës qysh prej vitit 1915 (22 vjeç )nisa të përmbledhë e të përshkuej me kujdesin ma të madh këngë të ndryshme të popullit..”

Vështirë të gjesh sot një botim të “Zanës Popullore.” Ata pak shkodranë që e kanë e ruajnë si relike të jashtëzakonshme plot vlera dhe nuk e nxjerrin nga shtëpia. Këngët ai i mblodhi drejtpërdrejtë nga populli, duke shëtitur më këmbë gjithë krahinat e veriut, duke i dhuruar një pasuri të paçmuar  popullit shqiptar dhe veçanërisht atij shkodran. Shkodra si djep i qytetërimit shqiptar ka nxjerrë një numër shumë të madh artistësh, poetësh, këngëtarësh, aktorësh, piktorësh kompozitorësh, shkrimtarësh etj. Kasëm Taipi eci në gjurmët e Zef Jubanit, Pashko Vasës, Ndre Mjedës, Filip Shirokës, Kel Marubit, Kol Idromenos, Vinsent Prendushit etj. Kjo trashëgimi vlerash bëri që ai edhe pse jo me shkollë të lartë ( nuk ka pse çuditen disa) të shkruajë me një gjuhë të pasur popullore e një renditje të saktë shkencore, me sqarime të hollësishme, gjithçka që grumbulloi e botoi. Ai i takon brezit të mbledhësve të folklorit shqiptar të shekullit të XX duke filluar nga Spiro Dine-ja (1846-1922) At Vinçenc Prendushi (1885-1949) At Bernardin Palaj (1894-1946,) At Donat Kurti(1902-1983,) deri te “I fundmi mohikanëve,” i palodhuri dhe i paharruari Fatos Mero Rrapaj. 

Në vitin 1998 Instituti i Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë nën kujdesin e Selami Tabakut, Xhyher Canit me redaktor Safet Hoxha dhe recenzentë ( kurrë nuk e kam kuptuar këtë fjalë) Kozma Vasili e Rudof  Marku botuan librin: “Këngë Popullore Shkodrane” nga Kasëm Taipi. Po të mendosh se ky libër është botuar 65 vjet më vonë se “Zana Popullore” ( 1933) mendon se  do të jetë më i plotë, më i saktë dhe më i detajuar, me shënime e sqarime të  lavdërueshme. Por mjerisht nuk ndodh aspak kështu siç do ta shohim më poshtë.

 Është e çuditshme sesi në ribotimin e librit të Kasëm Taipit,  është vendosur vetëm parathënia e botuesve dhe jo parathënia e tij, gjë që nuk ka ndodhur as me Thimi Mitkon , as me Spiro Dinen e të tjerë. Natyrshëm lexuesi i sotëm do të dijë se ç’mendon, pse dhe ku i ka mbledhur këngët, cila është puna e autorit dëshirat, fjalët e tij dhe qëllimin pse ai ka bërë ato sakrifica të jashtëzakonshme për t’i mbledhur vullnetarisht. Por kjo nuk ndodh. Në parathënien e librit (bot. 1998) shkruesit deklarojnë: Në vëllimin që po paraqesim nuk kanë hyrë  të gjitha këngët e përfshira te “Zana Popullore.” Në të janë zgjedhur ato këngë që përfaqësojnë më mirë llojin sidomos epikën historike dhe janë hequr disa të tjera që janë më pak të realizuara…” Më tej vazhdojnë: Këngë të kësaj natyre (këngë lirike. shën im) të mbledhura nga Kasëm Taipi megjithëse dialektalizmat e sidomos  turqizmat që nuk  janë të pakta ua zbehin sadopak vlerat kanë mbetur e jetojnë edhe sot… Edhe dorëshkrimet janë seleksionuar sidomos nga vlerat artistike që ato ruajnë f.q 9…” Të mendosh se të gjitha këngët popullore shkodrane të kënduara nga Marie Kraja, Luçie Miloti, Ibrahim Tukiqi, Bik Ndoja, Shyqyri Hafizi, Mukadez Çanga e shumë djem e vajza dje dhe sot janë origjinale nga Kasëm Taipi dhe shijohen aq shumë nga të gjitha brezat në Shkodër, duket se sa të kota  dhe  të gabuara janë gjykimet e mësipërme.  Gjithë ajo sa citohet më sipër  është një shëmti e madhe  dhe të kujton ideologjinë e diktaturës  që në çdo lloj botimi hiqte e vinte sipas udhëzimeve të partisë vargje, e poezi të folklorit, madje poetëve të veçantë ua kthente në karton librat kur nuk u pëlqenin. Arsye tjetër se ato nuk duhen prekur është se ato janë materiale burimore që Kasëmi Taipi, Shkodrani i  Madh, i ka mbledhur nga goja e popullit dhe si të tilla kanë vlera të jashtëzakonshme. Mendim im është që këto këngë të mos preken e të shkruhen ashtu si janë. Edhe nëse në to ka turqizma, greqizma e sllavizma e ndonjë pasaktësi historike, fare thjeshtë ashtu si në shumë botime të këtij lloji jepen sqarime e shënime në fund të këngëve. Por të vësh dorë mbi ato thesare është e pafalshme ( në disa raste janë hequr e venë vargje të tjera siç pohojnë autorët e parathënies)  e kjo s’është gjë tjetër veçse mendësi enveriste ose në rastin më të mirë padituri ( injorancë) e redaktuesve. Për ta mbyllur këtë akt të shëmtuar po citoj poetin e madh Agim Shehu, një nga njohësit e thellë të folklorit shqiptar. Në Parathënien e librit “Këngë populloretë labërisë. Bot 1991)” mbledhur nga Fatos Mero Rrapaj, sa i përket fjalëve e thënieve të huaja ai shprehet: “Një fjalor i tërë me struktura të foluri që shpesh tani s’janë më të gjalla u rrinë këngëve ngjitur nga e kaluara, siç rrinë myshqet e gjelbra në muret e kështjellave. Fraza të hershmë disi arkaike tani rrinë varur në shtatin e këngës si veshje të lashta dalë nga përdorimi. Gjithë kjo materie ka fytyrën dhe gjuhën e kohës së vet. Mjaftojnë shënimet poshtë dhe ai fjalor hap gojën të të flasë atë që mban brenda (fq 5.)”

Por bëmat  në “përpunimin “ e ribotimin e veprës së Kasëm Taipit nuk mbarojnë këtu.  Parathënësit na bëjnë me dije: “Jemi nga fillimi i shekullit tonë kur në Shkodër më parë se në qytet e tjara kanë filluar të shtrihen më gjerë marrëdhëniet kapitaliste në prodhim … Të kësaj kohe janë krijimet e natyrës folklorike : “Kanë ikur shegertët e kundraxhinjëve” dhe “Gjithë punëtorët në kamë janë çue.”  Këto janë dhe të parat këngë për lëvizjen e klasës punëtore në vendin tonë…”  Vetë botuesit (faqe 108) sqarojnë se poezia e parë është në kujtim të një ngjarjeje të vitit 1877 dhe shtojnë se “ është greva e parë e punëtorëve” në Shqipëri.  Në Epikën Historike 2, botim i Akademisë së Shkencave, viti 1981, në parathënie gjejmë po të njejtin arsyetim, për këto këngë, që duket është kopjuar në vitin 1998: Elementë të kësaj teme te këto këngë dëshmojnë për lindjen e mardhënieve kapitaliste në qendrat e qyteteve. Kërkesat e punonjësve për shtesën e mëditjeve nga padronët, format e protestës kundër shfrytëzimit kapitalist borgjez paraqesin një fazë me shumë rëndësi të zhvillimit të ndërgjegjes së klasës tonë punëtore…”…  Po në parathënien e Ep. Hist. 2. bot 1981, pasi përmendën Hamz Kazazi, Dasho Shkreli, Tafil Buzi, Rrapo Hekali, Zenel Gjoleka, etj. theksohet: ” Në figurat dhe gjestet e tyre gjen një shprehje të lartë ideja marsist-leniniste se masat janë krijueset e vërteta të historisë” faqe 8” dhe më tej: Këngët kanë nxjerrë në pah vazhdimisht lidhjet reaksionare, antipopullore, antipatriotike të klasave sunduese. Në to shihet qartë se pushtuesit kanë gjetur mbështetje herë pas here te pashallarët vendas të cilët kanë shërbyer si agjentë për skllavvërimin e popullit..fq 24,”  

Këto lloj gomarllëqesh i gjen për këto këngë pothuaj në të gjitha botimet e para vitit 1990 dhe kjo është e kuptueshme, ndryshe partia nuk i botonte.  Në vitin 1981 kjo e folur e drunjtë edhe justifikohet, por të flasësh me këtë gjuhë në vitin 1998 është e papranueshme. Të vazhdosh më këtë “muzikë” në vitin 1998 kjo do të thotë, që gjithçka në parathënie është kopjuar nga parardhësit pa menduar  ose autorët as ia kanë haberin fjalëve: marëdhënie borgjezo kapaitaliste, dhe klasë punëtore. Në të dy rastet është për të ardhur keq. Por ka edhe më. Në parathënien e ribotimit të Akademisë së Shkencave thuhet: Mbledhësi patriot ka përfshirë në vëllim edhe këngë që pasqyrojnë kryengritjen e vegjëlisë së Shkodrës kundër ligjeve të Tanzimatit. Në këto këngë përfshihen figura të tilla si ajo e Hamz Kazazit…faqe 7” . Në faqen 79 te kënga për Hamz Kazazin jepet sqarim krejt tjetër se:  Shkodranët u ngritën (viti 1835) kundër sundimtarit turk për arsye se kërkonte 100 ushtarë për kalanë e Shpuzës dhe 75.000 grosh për riparimin e kalasë nga tregëtarët e qytetit. Shënimi i dytë është i vërteti. Fakti historik është se reformat e Tanzimatit u shpallën katër vjet më vonë, më 3 nëntor 1839, në pallatin e Trëndafilave (Gjylhane) të Stambollit në një ceremoni madhështore ku u lexua dekreti i Tanzimatit (Hatti Sherif i Gjylhanes, Dekreti i Shenjtë i Gjylhane) për riorganizimin e Perandorisë turke.   

Në këngën: Bini djem zoti ju dhashtë ( është shkruar “dhashë”) ka dy vargje ku thuhet: Pa ndigjoni ju, vezirë/ nuk asht Shkodra si n’Babune. Në fund jepet sqarimi; Në Babunë më 1831 kishte komanduar Mustafa Pasha veziri feudal kurse tani luftonte populli i  prirë nga Hamzë Kazazi, udhëheqës i dalë nga gjiri i saj. Siç shikohet gjuha e drunjtë e ideologjisë komuniste vazhdon të falsifikojë historinë. Hamz Kazazi në rini kishte mësuar mjeshtërinë e përpunimit të mëndafshit e jorganëve dhe merrej me tregëtinë e tyre. Në kohën e Mustafa Pashë Bushatit kishte ushtruar detyrën e kullukçibashit (komandant i rojeve të tregut të Shkodrës) që e mbajti deri në prag të kryengritjes kur e shkarkoi Hafëz Pasha. Në krye të kryengritjes u zgjodhën njerëz të pasur e me shumë ndikim në qytet si Hamz Kazazi, Hysen Beu, Haxhi Idrizi, Dasho Shkreli, Haxhi Avdurrahmani, Selja Kasëmi, Ali Bajrami, Jusuf Beu, Kasëm Hoxha, Faslli Doda, Abdyl Sokli, Sulejman Gjylbegu e tj. që përbënin parinë e Shkodrës.  

Dhe ja xhevairi i fundit i akademistëve që bëjnë ç’të duan me këtë pasuri që me aq mund i mblodhi Kasëm Taipi i Shkodrës.  Në rreshtat e fundit të Parathënies deklarohet gati me ngazëllim: “… Në vëllimin e ri është bërë ndonjë ndryshim i natyrës drejtshkrimore pasi Kasëm Taipi siç thotë vetë në fjalën “lexuesve të ndershëm” i ka rregjistruar këngët e tij siç i ka dëgjuar nga populli. Ky është padyshim kritëeri i botimit të folklorit por gjithmonë duke ruajtur një konsekuencë gjuhësore dhe me një kulturë paraqitjeje të gjuhës. Zanorja “ë” është kur lexohet sipas metrit dhe theksit të vargut, duke shmangur apostrofet e shumtë.  Janë ndjekur në vijat kryesore veçoritë e të folmes së gropës(!?) së Shkodrës. Për këngët e botuara janë marë për bazë edhe përmbledhjet ku ato zënë vend.” Le të shohim vetëm një këngë, që i bën jehonë kryengritjes së vitit 1835 të udhëhequr nga Hamz Kazazi dhe paria e Shkodrës. Kënga në botimin e “Zanës Popullore” mban titullin “Kënga e Hamz Kazazit” por ribotuesit e AK-së e kanë titulluar “Bini djem ju dhashtë zoti” gjë që e kanë bërë (ndryshimin e titujve nga origjinali) në një pjesë të madhe të këngëve, duke e shëmtuar edhe më shumë ribotimin. Qysh në titull fjala “dhashtë” është shkruar “dhashë”. Nuk po ndalemi në këtë çështje se gabimet drejtshkrimore janë të shumta. Strofa e parë, Iptida u këndue fermani/në mehqeme n’odë të kadisë/Shkodra të venë e bani/I erdh hakut Osmanllisë. Dialektin shkodran e kanë “rregulluar” kështu: “kndue” e shkruajnë “këndue”; fjala “ të venë” duhet “të vetën.” Në strofën e dytë lexojmë vargun e parë “Të shkunden dy fermana” kurse duhet:  “të shtunen dy fermana.”  Pra fjalët “të Shtunë” janë zëvëndësuar me “të shkunden.” Është me të vëtetë katastrofë.Te vargu: Hamza  a me do burra:  duhet: “Hamza aga me do burra” Te vargu 25 gjejmë: Vedvedin e ban “fisda” ku fjala “fisda” duhet fida (turq-theror.) Në çdo varg apo strofë do të gjenden gabime që ia ndryshojnë kuptimin fjalëve e rrjedhin si një lumë në çdo këngë të ribotimit. Duhet thënë se në botimet e Akademisë së Shkencave para vitit 90-të gjen plot budallallëqe në parathënie, ku për futet e ideologjia komuniste kot më kot, por sa i përket dialektalizmave, sqarimit të fjalëve të huaja, drejtëshkrimit  të fjalëve dhe sqarimeve historike, vështirë të gjesh gabime. Po ky sakatim kjo përqeshje e tallje, kjo qethje zero, që kalon hera-herës deri në depilim,  që i bëhët veprës së pavdekshme të Kasëm Taipit është e palejueshme. Kasëm Taipi vdiq shumë i ri vetëm, 42 vjeç. Thuhet që është varrosur pranë xhamisë së Luguçezmes dhe sot nuk dihet me saktësi varri i tij. Por populli Shkodrës  ia ka borxh ( ashtu si vlonjatët të madh, Fatos Mero Rrapaj) një monument, këtij biri të heshtur, që me aq zell, patriotizëm e dashuri na i përcolli këngët shkodrane e ato të Veriut. 

Po i mbyll këto shënimet me fjalët e poetit Agim Shehu: Çdo këngë folklorike sidomos historike e kaluar ka vlerë kur ajo ka rezonancë të plotë në çdo ind të saj me logjikën historike të ngjarjes kënduar nga gjithë populli dhe pranuar nga historiografia jonë… Qoftë dhe një apo pak vargje të ndryshuara mund të tjetërsojnë ngjarjen dhe të shpërfytyrojnë heronjtë nga ideali dhe lufta e tyre. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja, Kasem Taipi, Zana popullore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 208
  • 209
  • 210
  • 211
  • 212
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT