• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zgjedhjet nuk e zgjidhin krizën në Maqedoni

March 9, 2017 by dgreca

1 MaqedoniNga:Zërijeta Hajro Jajaga/Kriza politike në Maqedoni nuk mund të zgjidhet me zgjedhje të reja parlamentare, siç insiston VMRO DPMNE-ja, por vetëm duke respektuar shumicën e re parlamentare e dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit të kaluar, thonë njohës të çështjeve politike.

VMRO DPMNE e Gruevskit ka ripërsëritur kërkesën për zgjedhje të reja në të cilat sipas saj “qytetarët duhet të deklarohen nëse janë ose jo për platformën e partive shqiptare të cilën e ka pranuar LSDM-ja”.

Partia Social-Demokrate thotë se ‘zgjidhja e krizës qëndron në dhënien e mandatit liderit të saj Zoran Zaev i cili ka siguruar shumicën parlamentare për formimin e qeverisë’.

Mitko Gaxhovski ligjërues i shkencave politike, thotë se është i pakuptimtë insistimi i VMRO DPMNE-së që të shkohet sërish në zgjedhje përderisa zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit të kaluar u pranuan nga të gjitha partitë politike të cilat u përfshin në to.

Ai thotë se “duke imponuar nevojën e zgjedhjeve, VMRO DPMNE dëshiron ta faktorizojë veten si faktor i rëndësishëm politik pa të cilin nuk mund të ndërmerret asnjë hap që çon kah zgjidhja e krizës politike”.

“VMRO DPMNE dëshiron të përfitojë kohë dhe njëkohësisht të imponohet si faktor në zgjidhjen e situatës andaj insistojnë në organizimin e zgjedhjeve edhe pse e dinë se zgjedhjet nuk paraqesin zgjidhje për situatën. Veçanërisht pas retorikës së fundit të zyrtarëve të kësaj partie kundër avancimit të të drejtave të shqiptarëve, asnjë parti shqiptare nuk do të mund të marr guximin për të bashkëpunuar me VMRO DPMNE-në”, thotë Gaxhovski.

Sipas tij, me rëndësi të veçantë është ajo se partitë politike shqiptare nuk i përgjigjen gjuhës nacionaliste të shprehur nga zyrtarët e lartë të VMRO DPMNE-së “kështu që partia e drejtuar nga ish kryeministri Nikolla Gruevski mbetet gjithnjë e më e izoluar me politikat e saj destruktive”.

Ndërkohë, Arsim Sinani, drejtues i Institutit për Studime Evropiane, konsideron se Maqedonia ka humbur shumë me politikanë që kanë imponuar problemet ndëretnike duke e mbajtur vendin larg procesit të integrimit në strukturat euroatlantike për të fshehur aktivitetet kriminale.

“Nuk mendoj se zgjedhjet janë çështja që do t’i zgjidh problemet në Maqedoni. Maqedonisë si shtet ajo që i duhet, për momentin, është një qeveri e re properëndimore, me program të qartë reformues që do ta rikthejë vendin në rrugën e integrimeve euroatlantike. Zgjedhjet në një situatë të këtillë vetëm do ta komplikonin situatën dhe përmes zgjedhjeve, ish kryeministri Gruevski dhe disa zyrtarë të lartë të partisë së tij, nuk do t’i përgjigjen drejtësisë për veprat kriminale për të cilat tanimë ka ngritur padi dhe zhvillon hetime Prokuroria Speciale Publike”, tha Sinani.

Diplomatët e vendeve perëndimore kanë intensifikuar thirrjet që presidenti Ivanov të ndajë mandatin për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë, me këtë dhe konsolidimin e institucioneve për t’i hapur rrugë procesit të reformave si kusht për anëtarësimin e vendit në strukturat euroatlantike.

Filed Under: Analiza Tagged With: ne Maqedoni, nuk e zgjidhin krizën, zgjedhjet

Rohan: Kosova ka ushtrinë e saj, FSK-në

March 9, 2017 by dgreca

1 RohanNe Foto: Albert Rohan, ish-zëvendës ndërmjetësi i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës/ Ish-zëvendës ndërmjetësi i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan, i tha Radios Evropa e Lirë se ‘Forca e Sigurisë së Kosovës është realisht Ushtria e Kosovës” dhe shtoi se çfarëdo ndryshimi rreth saj duhet bërë brenda kuadrit kushtetues.

Deklaratat e Rohanit pasuan dorëzimin në Kuvend të një projektligji për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me kompetenca shtesë nga Presidenti Hashim Thaçi.

Projektligji iu kalua Qeverisë së Kosovës ndërkohë që shkaktoi reagimin e fuqishëm të NATO-s dhe të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, që kundërshtuan, siç thanë, ‘veprimet e njëanshme’.

Zëvendës ndërmjetësi i OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se “FSK-ja kufizimin e vetëm e ka në numrin e pjesëtarëve dhe armatimin e rëndë”.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është një Ushtri. Kufizimi i vetëm është në numrin e saj dhe në pajisjet erënda. Nuk e di se cfarë duhet të ndryshojë në konceptin dhe mandatin e kësaj force. Në çfarëdo rasti mund të ndryshohet vetëm brenda procedurave të ligjit të Kosovës dhe të Kushtetutës”.

Radio Evropa e Lirë: Por kjo është shmangur nga institucionet e Kosovës. Kemi parë një reagim të fortë nga NATO dhe nga përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-së. Megjithatë, a mund ta krijojë Kosova Ushtrinë e saj?

Albert Rohan: “Por ajo e ka një Ushtri. A mund të më qartësohet se cili është dallimi ndërmjet Forcave të Sigurisë dhe një Ushtrie?”

Në pothuaj dhjetëvjetorin e përfundimit të bisedimeve në Vjenë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe dorëzimit në OKB të Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, i njohur si Plani Ahtisaari, që nuk u pranua nga të gjithë anëtarët e organizatës botërore, Albert Rohan tha se dialogu i vazhduar në Bruksel është alternativa e vetme drejt zgjidhjes së çështjeve. Ai tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia mund të ndodh në fund të dialogut.

“Pranimi i shtetësisë si një fakt jetësor nuk mund të vijë në fillim por në fund të dialogut. Do të ishte e pakuptimtë të shpresohej për diçka tjetër. Në fund, Serbia mund ta njoh Kosovën… si do të ndodh kjo nuk e di. Supozoj se kjo mund të ndodh në kontekstin e anëtarësimit të të dyja vendeve në BE, kurdo qoftë. Por kjo situatë do të ndodhte në fund dhe jo në fillim. Ndërkohë duhet të vazhdohet ky proces proaktiv i arritjes së gjërave të vogla, por të rëndësishme. Një nga një dhe të mos fillohet me çështjet e mëdha që nuk mund të zgjidhen sot”, tha Rohan.

Megjithatë, një prej çështjeve më problematike që ka ngjallur reagime të fuqishme posaçërisht të opozitës në Kosovë, është ajo e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e paraparë të krijohet me një Marrëveshje Kornizë të arritur në Prill të vitit 2013.

Por një marrëveshje e lidhur dy vjet më pas në Bruksel për Asociacionin çoi drejt një krize politike në vend. Në një vendim që pasoi kërkesën e presidentes së Kosovës, Gjykata Kushtetuese tha se pjesë të marrëveshjes nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ndërkaq, e kanë ndërlidhur pjesëmarrjen e tyre në jetën institucionale të vendit me themelimin e Asociacionit.

Por Albert Rohan tha se çështja e Asociacionit të Komunave është propozuar edhe me Planin Ahtisaari “që u mor si një instrument i Këshillit të Evropës, bazuar në Kartën Evropiane për vetëqeverisjen lokale”. Ai tha se “ideja sipas Kartës Evropiane është jo një shtresë administrative, jo diçka që ka përgjegjësi të veta, por një Asociacion që duhet të promovojë interesat e komunave”.

“Ka të bëjë me promovimin dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta të komunave. Detyrat do të ishin: trajnimi, ndërtimi i kapaciteteve, ndihma teknike, rekomandime të politikave. Pra për nga natyra është plotësisht e ndryshme nga ajo që Beogradi ka në mendje. Këso lloj Asociacionesh ekzistojnë edhe në vendim tim në Austri, në Gjermani dhe cdo kund. Ne kemi një Asociacion të Komunave dhe një Asociacion të Qyteteve.Por ato nuk kanë kompetenca vetanake. Janë organizma këshillëdhënës ose të lobimit. Ato diskutojnë psh për resurset financiare që duhet t’i jepen komunave por pa kompetenca ekzekutive. Kjo është ideja e Këshillit të Evropës, kjo ishte ideja që ne kishim kur e futëm në Planin Ahtisaari dhe çdo gjë tjetër është në kundërshtim me këtë ide”, tha Rohan.

Në bisedë me Radion Evropa e Lirë, Albert Rohan tha se “e ka të paqartë kundërshtimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi” dhe theksoi se “kufijtë e Kosovës sot korrespondojnë me kufijtë në ish Federatën Jugosllave, përveç atij me Maqedoninë”.

“Zakonisht demarkacionet e kufirit janë procese teknike, ku teknikët dhe ekspertët vendosin se ku shtrihet vija kufitare. Nuk mund ta kuptoj se pse kjo është bërë një problem politik. Qëndrimi iopozitës është i vështirë të kuptohet. Do të duhej të ishte një proces i qetë ndërmjet dy fqinjëve që do ta përcaktonte vijën kufitare bazuar në hartat ekzistuese”, tha Albert Rohan për Radion Evropa e Lirë.

Filed Under: Analiza Tagged With: FSK-në, ka ushtrinë e saj, Rohan: Kosova

Bugajski: SHBA nuk ka ndërruar qasje ndaj Kosovës

March 9, 2017 by dgreca

1 BugajskiNe Foto:Janusz Bugajski, drejtor i Qendrës për Analiza të Politikës/ -SHBA po e shtyn përpara procesin e shndërrimit të FSK-së në ushtri, madje do të fillojë të bëjë më tepër presion në shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet, si dhe do të vazhdojë të jetë ndihmuese në proceset integruese të Kosovës në NATO dhe në BE/17201240_1402150853169515_7514570636145885904_nPRISHTINË, 9 Mars 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Përkrahja e SHBA-së kundrejt vendeve evropiane, veçanërisht ndaj Kosovës, nuk është zbehur pas fitores së Donald Trump-it dhe si rrjedhojë e kësaj, SHBA po e shtyn përpara procesin e shndërrimit të FSK-së në ushtri, madje do të fillojë të bëjë më tepër presion në shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet, si dhe do të vazhdojë të jetë ndihmuese në proceset integruese të Kosovës në NATO dhe në BE.

17156329_1402150723169528_1854292103370075911_n

Ne Foto:Prof. dr Edmond Hajrizi/

Këtë konstatim e ka bërë analisti me famë botërore, njëherësh drejtor i Qendrës për Analiza të Politikës, Janusz Bugajski, gjatë ligjëratës tematike “Çfarë të pritet nga presidenca e Trump-it”, mbajtur në UBT në Prishtinë.“Fitorja e Trump-it ka ngjallur frikë të madhe në mesin e shumicës së vendeve evropiane, për shkak të politikës së tij karshi Rusisë, por edhe përkundër kësaj, politika e jashtme amerikane nuk ka ndryshuar karshi vendeve evropiane, sidomos karshi Kosovës, të cilën po e shtyn drejt finalizimit të proceseve integruese”, vlerësoi Bugajski, nën arsyetimin se “një shtet mund të konsiderohet si i tillë vetëm atëherë kur bëhet me forcë ushtarake të përgatitur mirë dhe të gatshme për ta mbrojtur veten dhe kufijtë, si dhe për të dhënë kontribut edhe në NATO”, bën të ditur njoftimi dërguar sot nga UBT.

Duke folur për politikën e jashtme amerikane, ai shtoi se nuk ka mundësi të ndryshohet qasja karshi vendeve në mënyrë drastike, pasi që, sipas tij, është e nevojshme që SHBA të mbajë lidhje me vendet e tjera të botës, në mënyrë që të vazhdojë të mbetet e fuqishme.

“Në qendër të doktrinës politike të presidentit Trump është Amerika e madhe dhe e fuqishme, por Amerika nuk është e vetmja në botë, prandaj për të forcuar atë, duhet të mbahen dhe të forcohen lidhjet me vendet e tjera të botës”, theksoi Bugajski.

Tutje, ai pohoi se presidenti Trump nuk e ka humbur interesimin ndaj mbështetjes së NATO-s dhe BE-së, por sipas tij, kanë ndryshuar vetëm kërkesat e tij ndaj këtyre organizatave.

“Kritikat e Trump-it ndaj BE-së dhe në veçanti ndaj NATO-s qëndrojnë tek përqendrimi dhe mënyra e financimit të kësaj organizate, sepse vendet e Evropës paguajnë shumë më pak se sa Amerika, e në anën tjetër, ndonëse të gjitha janë të obliguara, vetëm 5 shtete e shpenzojnë 2 përqindëshin e buxhetit të tyre në këtë organizatë”, tha Bugajski, për të shtuar se “duke e ndihmuar Amerikën, secili shtet e ndihmon veten”.

Sipas tij, ashtu siç ishte pritur dhe siç kishin shpresuar Rusia dhe Serbia, SHBA nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj tyre, edhe pas zgjedhjeve të fundit.
“Rusia është munduar që ta shkatërrojë kredibilitetin e kandidates Clinton dhe ta dobësojë atë, në atë mënyrë që të manipulojë më lehtë me Trump-in, por në vend të kësaj, në vend të braktisjes së NATO-s, siç shpresonte Rusia, presidenti Trumpi u kërkoi aleatëve që, vetëm të shpenzojnë më shumë në këtë aleancë, në mënyrë që së bashku t’i arrijnë qëllimet”, theksoi Bugajski.

Në fund të ligjëratës, të pranishmit shtruan pyetje mbi çështje të rëndësishme dhe aktuale, duke përfshirë të metat e udhëheqjes së presidentit Obama, karshi vendeve që po përballen me luftë, për ndikimin e Rusisë në zhvillimet e fundit në Maqedoni, për rreziqet dhe krizat që mund t’i përballojë BE-ja, për ndikimin e Gjermanisë tek vendet e Evropës, për situatën e krijuar pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja etj.

Para fillimit të ligjëratës, Janusz Bugajski u prit në takim nga rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, i cili e njoftoi me punën e UBT-së, si lider, ambasador dhe përfaqësues i vendit tonë, në shumë institucione ndërkombëtare.

Në takim u diskutuan një varg planesh për bashkëpunim midis UBT-së dhe Qendrës për Analiza të Politikës, të cilën e drejton Bugajski.

Filed Under: Opinion Tagged With: Bugajski, qasje ndaj Kosovës, SHBA nuk ka ndërruar

Dekreti i Mbretërisë së Greqisë njihte Çamërinë si pjesë e Shqipërisë

March 9, 2017 by dgreca

–*Fletorja zyrtare e Mbretërisë së Greqisë, numër 21, botuar më 20 dhjetor 1835./

*Rreth nënndarjes së Konsullatës së Epirit dhe Shqipërisë, në nënkonsullata./

1-arben-llalla-250x299

1835.fq.11835, fq.21835.fq.3Nga Arben LLALLA/

Në fletoren zyrtare të Mbretërisë së Greqisë e dhjetorit të vitit 1835 botohet dekreti rreth zonës se deri ku përfshihet veprimi i Konsullatës së Greqisë e vendosur në Janinë, Vlorë dhe Durrës Fletorja zyrtare është nxjerrë nga arkiva e Akademisë së Athinës. Lexim të këndshëm! 

 VENDIM I OBORRIT MBRETËROR PËR PUNËT E JASHTME TË SHTETIT/

Nënndarja e zonës së katërt ku zyra konsullore e Turqisë deri tani ka qenë e papërcaktuar nga nenet nga data 30 janar deri më 11 shkurt 1835. Udhëzimet konsullore shtesë u vendosën mbi propozimin e Sekretariatit si më poshtë,

Periferitë e konsullatës së Epirit dhe Shqipërisë ndarë në këto nënkonsullata:

a. Të Epirit që ka qendrën në Janinë. Kjo përfshin krahinat Zagorisë, Meçovës, Konicës dhe shtrihet në lindje deri në qytetet Grevena, Paramithi e Sul, deri në Kalarite (Artë, shën, A.Ll.), në perëndim përgjatë gjithë vijës bregdetare të Çamërisë që nis nga Butrinti dhe përmban edhe Sajadhën.

b. Të Shqipërisë së Poshtme që selinë kryesore e ka në Vlorë. Kjo nënkonsullatë përfshin tërë bregdetin perëndimor deri në Kavajë duke filluar nga Butrinti deri në kufijtë e saj në lindje në një pjesë të Konicës dhe nga ana tjetër në Berat përfshin gjithë plazhet përreth.

c. Të Shqipërisë Veriore me qendër në Durrës. Kjo nënkonsullatë shtrihet gjatë gjithë vijës bregdetare të Kavajës dhe rrethinat e këtij qyteti deri në limitet e bregdetit Austriak (Kotorr), në kufijtë e provincës së Shkodrës nga Kavaja në perëndim, deri në lindje duke përfshirë zonën e Ohrit dhe rrethinat përkatëse.

Athinë më 19 nëntor 1835.

Në Oborrin Mbretëror nga Sekretari i Punëve të Jashtme Jakov Rizos.

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, Cameria, Mbretërinë së Greqisë, shqiperia

Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit

March 9, 2017 by dgreca

BOTIM ME  VLERA SHUMËDIMENSIONALE/1 shqiptaret ne Mal te Zi

Hajrullah Hajdari, Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri më 1941, Botoi:Art Club, Ulqin, 2016/

NGA DR. NAIL DRAGA/

Trajtimi i temave  qe ka të bëjë ne lidhje me pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi, vazhdimisht ka qenë intriguese për hulumtues fushave të ndryshme shkencore.Gamës së studimeve të tilla të publikuara vitëve të fundit ditë më parë i shtohet edhe libri Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri më 1941, nga autori H.Hajdari, botuar ditë më parë nga Art Club në Ulqin.Botimi në fjalë trajton pozitën kushtetuese-juridike me një vështrim retrospektiv, duke prezantuar çështjet përkatëse në mënyrë analitike dhe me një qasje profesionale, që paraqet botimin e parë në  shqip në këtë aspekt tek ne në kohën e pluralizmit.Pas pathënies në hyrje autori trajton aspektin gjeografik, historik dhe popullsinë e vendbanimeve shqiptare sipas shpërndarjës territoriale të viseve shqiptare në Mal të Zi, nga Ulqin në jug e deri në Rozhajë në veri. Ndërsa në pjesën e parë bëhët fjalë për rrethanat politike në Ballkan para Kongresit të Berlinit e pas tij, protestat e shqiptarëve kundër coptimit të trojeve të tyre, organizimi i mbrojtjës dhe kryengritjeve të ndryshme për mbrojtjën e tërësisë toksore shqiptare, që kulmon me formimin e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit.Me pas bëhët fjalë për luftërat ballaknike, Luftën e Parë Botërore, shpërnguljet  dhe  emigrimi i shqiptarëve si  dhe kolonizimi i viseve shqiptare me popullsi sllave sikurse ishte rasti i qyteti i Ulqinit etj.  Ndërsa në pjesën e dytë  bëhët fjalë për rregullimin shtetëror të Malit të Zi si dhe pozita juridiko-kushtetuese e shqiptarëve në Mal të Zi.Në përgjithësi autori trajton organizimin  e pushtetit qendror dhe ati lokal me theks të veçantë në territoret e aneksuara ku bënin pjesë viset shqiptare, pastaj çështjet nga fusha e arsimit, liritë fetare, përfaqësimi i shqiptarëve, partitë politike të kohës dhe zgjedhjet lokale e parlamentare, padrejtësitë ndaj shqiptarëve, dëbimi dhe shpërngulja e tyre e çështje të tjera qe ishin në favor të politikës së pushtetit përkatësisht  në funksion të shkombëtarizimit dhe asimilimit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi.

Autori këtë studim e trajton në aspektin shumëdimensional, duke ofruar të dhëna historike, gjeografike, gjeopolitike, ekonomike,juridike,  arsimore, kulturore etj. Një punë e tillë nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse i është dashur të konsultoj një literaturë profesionale nga autor të ndryshëm, e sidomos dokumente arkivore të cilat disa publikohen për herë të parë.

Objekti i këtij studimi është qendresa e shqiptarëve  në Mal të Zi, përkundër diskriminimit të pushtetëve të kohës , si djegia e shtëpive dhe fshatrave të tëra, plaçkitjet, vrasjet, denimet, konvertimi me dhunë nga feja islame në ate pravosllave, deri të mohimi i të drejtave civile e politike, siç ishte  mohimi i arsimit në gjuhën shqipe, mospunësimi në administratën publike, mospërfaqësimi  në organët ligjvenëse, ekzekutive e gjyqësore dhe zhvillim jo adekuat i viseve shqiptare, veprime këto që si pasojë patën tentativat e politikave shtetërore për shkombëtarizimin dhe asimilimin e shqiptarëve në Mal të Zi.

Periudha kohore e trajtuar në këtë botim është e një rëndësie të veçantë historike për kombin shqiptarë në përgjithësi, e në veçanti për shqiptarët në Mal të Zi.Në këtë periudhë  kohore , prej gjashtë dekadave, populli shqiptarë përjetoi shumë ngjarje të hidhura  qe nga okupimi e aneksimi, që si pasojë patën copëtimin e trojeve shqiptare e deri të pavarësia e Shqipërisë me 1912, që për këtë periudhë paraqet aktin më të ndritshëm të historisë sonë kombëtare.

Krahas veprimeve përfide të pushtetit të kohës ndaj shqiptarëve përmes formave ligjore, autori trajton edhe format joligjore të cilat ishin në favor të politikës asimiliuese dhe humbjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi. Natyrisht këto veprime joligjore të pushtetit malazez kanë ndikuar  drejtpërdrejtë në nivelin e të drejtave dhe lirive qytetare e më ketë edhe pozita kushtetuese juridike e politike e shqiptarëve në këtë mjedis. Një nder format direkte asimiluese ishte veprimi i pushtetit në deformimin e mbiemrave të shqiptarëve, duke iu vendosur prapashtesën sllave viq dhe iq. Ishte ky një veprim joligjor  i imponuar pa vullnetin e popullsisë shqiptare, qe nuk kishte asnjë bazë juridike, pra nuk kishte as ligj  apo urdhëresë të qeverisë. Megjithate, kjo ndodhte në çdo evidentim zyrtar administrativ apo gjyqësor, të regjistrave të ndryshëm ku shqiptarët evidentoheshin me prefiksin sllav, nga del se sipas të gjitha gjasave kemi pasur të bëjmë me direktiva sekrete të pushtetit.

Kështu duke filluar nga viti 1899, e sidomos nga viti 1904, një veprim i tillë asimilues ishte direktivë e pushtetit, nga del se shqiptarët prezentoheshin me identitetin e patronimit të sllavizuar.Ne lidhje me këtë dukuri asimiluese autori na ofron të dhëna për popullsinë shqiptare në vendbanimet krahinës së Krajës  dhe të viseve tjera shqiptare që ka të bëjë me vitet 1904 dhe 1905.Ndërsa një dukuri e tillë e pushtetit nuk ishte aktive në qytetin e Ulqinit, sepse pushteti si duket ne ketë mjedis ishte me i kujdesshëm, por pas Luftës së Parë Botërore në rrethana të reja politike e shoqërore edhe këtu kjo formë e asimilimit mori përmasa shqetësuese. Në të njëjtën formë u vepru edhe me emërtimet e vendbanimeve shqiptare, duke i deformuar, përkthyer apo kriuar dubleta të panevojshme, me të vetmin qellim për të ndryshuar identitetin e tyre ne viset shqiptare.

Për këtë periudhë kohore të cilën e trajton autori, për ne shqiptarët përjashtim bën koha e Austro Hungarisë (1916 -1918) gjatë Luftës së Parë Botërore, ku shqiptarët realizuan të drejtat të cilat i kishin të mohuara nga pushteti i Malit të Zi. Në këtë kohë pushteti austro-hungarez shqiptarëve iu siguroi të drejtat nacionale, duke iu hapur shkollat me mësim në gjuhën shqipe, vendosjesn e gjuhës shqipe në administratë, përdorimin e flamurit kombëtar, punësimin e shqiptarëve në sektorin shtetëror etj. Por, për fat të keq kjo kohë ishte e shkurtër dhe zgjati vetëm tre vite, sepse me pas  ndaj shqiptarëve pushteti i kohës Mbretëria SKS veproi me të njëjtat metoda duke i trajtuar shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë, duke legalizuar diskriminimin e përgjithshëm  qe vazhdoi deri në vitin 1941, kur filloi Lufta e Dytë Botërore.

Duke lexuar këtë libër del qartë angazhimi dhe puna serioze e autorit duke ofruar të dhëna shumëplanëshe, në saj të shfrytëzimit të literaturës së publikuar, por edhe të dokumentave arkivore.Madje, një numër i tillë i dokumentave publikohen për herë të parë, qe ia rrisin vlerën këtij studimi. Çështjet e trajtuara në këtë botim, autori  i trajton në kontekstin e kohës, duke demaskuar politikën diskriminuese të  pushteteve përkatëse, duke ofruar të dhëna të cilat dëshmojnë strategjinë e pushtetit ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Andaj,  është konstatim i pakontestueshëm se shqiptarët pas shkëputjes nga shteti amë përjetuan tragjedi të mëdha,  nga ushtria serbo-malazeze, sepse përjetuan masakra e krime të rënda ndaj popullsisë civile shqiptare, ndaj individëve dhe ndaj grupeve të tëra, me elemente të gjenocidit,që dëshmohet  gjatë Luftërave Ballkanike 1912-13 dhe gjatë e pas Luftës së Parë Botërore. Një veprim i tillë gjenocidal   prezentohet me dokumente përkatëse nga autori ne saje të hulumtimit të fondit në “Komisionin hetues”  qe  ka të bëj në veçanti me popullsinë shqiptare  në krahinën e Plavës e Gucisë.Nga këto dokumente konstatohen  shumë keqpërdorime e krime të kryera nga zyrtarët e lartë të gjendjes civile, të ushtrisë, policisë, xhandarmërisë dhe gjykatës ushtarake  të Malit të Zi, që pasqyrojnë në detaje veprimet antinjerëzore të pushtuesve të rinj dhe vuajtjet e popullit shqiptarë të krahinës së Plavës e të Gucisë. Autori me të drejtë konstaton se këto veprime kanë një emërtim e ai është gjenocid, sepse nuk mund të quhën me emërtim tjetër konvertimi me dhunë nga feja islame ne ate pravosllave, ndryshimi i emrave te personave, pushkatimet me gjyq e pa gjyq vetëm se ishin shqiptarë e çështje të tjera diskriminuese me urrejtje patologjike kundër shqiptarëve të kësaj krahine.

Nga veshtrimi retrospektiv i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi në kuadër të legjislacionit pozitiv shtetëror të kohës autori me të drejt konstaton se  pozita kushtetuese juridike  e shqiptarëve ka qenë neglizhuese, e pabarabartë dhe diskriminuese kundrejtë shtetasve të tjerë në Mal të Zi. Por, edhe përkundër vështirësive dhe padrejtësive të cekura populli shqiptarë në Mal të Zi mbijetoi dhe sfidoi rrethanat e kohës, edhe pse të zvogluar numërikisht  në viset e tyre autoktone.

Urojmë dhe shpresojmë qe autori të vazhdoj këtë studim  edhe për vitet në vazhdim nga koha e Luftës së Dytë Botërore e më pas, deri më rënien e sistemit monist, sepse në këtë periudhë kohore kanë ndodhur ngjarje dhe ndryshime të mëdha shoqërore ku shqiptarët i kanë përjetuar drejtpërdrejtë si qytetarë të këtij shteti por të një etnie tjetër.

Satisfakcioni i vetëm për autorin dhe për të gjith ne shqiptarët është se në rrethana të reja në pluralizëm, kemi të vetmën mundësi të hulumtojmë dhe të shkruajmë për çështjet përkatëse ashtu si kanë ndodhur dhe pasojat e tyre, ku ne shqiptarët i vuajmë  në përmasa të ndryshme edhe në ditët tona. Pra tani, çështjet trajtohen me qasje shkencore e jo ideologjike, si ne kohën e monizmit, ku janë paraqitur deformime dhe pasaktësi, duke eliminuar realitetin  sepse nuk ishte në favor të pushtetit të kohës. Autori, bën një paraqitje dhe analizë me kompetencë profesionale çështjeve të trajtuara, pa paragjykime apo lajthitje shkencore duke iu mbetur besnik argumenteve të kohës për çështjet e luftërave të zhvilluara, okupimit dhe aneksimit të viseve shqiptare në kontekstin e rrethanave të kohës.

Andaj,  këtë botim e vlerësoj një përpjekje  profesionale dhe kombëtare të autorit për të dëshmuar të kaluarën tonë, sakrificën dhe mbijetesën shqiptare në këtë periudhë kohore ku janë zhvilluar ngjarje të mëdha dhe dekompozime territoriale në kuadër të  gjeopolitikës së kohës. Ishin pikërisht Fuqitë  e Mëdha  të kohës ku si parim nuk kishin aspektin etnik përkatësisht parimin e   drejtësisë por interesat e tyre, qe ishin  në dëm të popujve të vegjël ku shqiptarët janë rasti tipik i këtyre veprimeve të padrejta, ku pasojat e tilla  janë edhe në ditët tona.

Nga ajo qe u tha më lartë nuk ka dilemë se  ky botim do të jetë referencë e domosdoshme për të gjithë ata të cilët do të trajtojnë në të ardhmën  pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi për këtë periudhë kohore, dhe si i tillë  do të mirëpritet nga opinioni i gjerë shkencor dhe kulturor.

*Dr.Nail   Draga-(Lexuar më rastin e përurimit të librit në Ulqin,  më 26.12.2016 )                                                                                 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Hajrullah Hajdari, Nail Draga, Shqiptaret ne Mal te Zi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2147
  • 2148
  • 2149
  • 2150
  • 2151
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT