• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Urra, rrofshin mësuesit!

March 7, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Në vitet 1960, me një vendim të presidiumit të kuvendit popullor të kohës. U vendos që 7 marsi të njihej si dita e mësuesit. Kjo për nder të mësonjëtores së parë shqipe, në Korçë, po atë muaj të motit 1887. Atëhere në Shqipëri ishte e ligjëruar të mësohej gjithçka, përveç shqipes. Arabishtja e xhamive, osmanishtja e zyrave të Dovletit, greqishtja e qishave, vllahishtja ose arumunçja. Tek-tuk gjuha e frëngut dhe inglizit, ama veç shqipja jo.

Një akt i një grupi arsmitarësh të diplomuar jashtë vendit. Dhe me mbështjen e emigrantëve. Një e drejtë e fituar me çmim të lartë, aq sa sot shqiptarët e thonë me gojën e një mytesarifi, komandant xhandarmaje Anadolli. Kushedi me sa gjak e mund është paguar kjo rade (leje) për hapjen e shkollës së parë shqipe.
Megjithëse edhe ajo u doli hundësh. Më keq se vitet a shekujt e deriatyshëm. Nga të mësuarit skutave të shtëpive ku mbanim zairet. Për faktin e vetëm se, shqipja ishte herezi. Një paradoks social perandorak. Ku të gjithë e kuptonin, ama ne shqiptarët jo.
Një ngjarje e madhe që poeti ynë kombëtar, një nënpunës doganash, Naim bej Frashëri do e lavdëronte me vargjet ”lum si ti moj Korçë lule/ që le pas shoqet e tua”.
Por le t’i kthehemi ca fakteve që si një ironi e madhe na bien kokës.
Dhe që ne, nën atë euforinë, karakteristikë unikale e sojit tonë. Këtej bëjmë patriotin. Këtej mbulojmë të pëgërën. Këtej nuk ndërgjegjësohemi e t’i japim sharmin shqiptar. Mësuesit, apo arsimit në përgjithësi.
A është mësuesi vërtetë figura më e nderuar, kështu siç po e pretendojmë?
Marrim vetëm një fakt administrativ. Mësuesit nuk gëzojnë një status të nënpunësit të administratës. Për rrjedhojë në çdo ndërrim qeverish, janë të kërcënuar me vendin e punës. Madje edhe në arsim. Karriera bëhet përmes partisë. Jo për merita shkencore.
Biles i ndërgjegjësuar për këtë, arsimtari i kohës studion për të forcuar partinë, me diplomat apo kualifikimet e tia. Se sa vetveten apo figurën e nderuar të mësuesit a pedagogut.
Mësuesi, pavarsisht deklaratave nëpër statute publike, është figurë tallje. Një lloj modeli për t’i thënë tjetrit me sarkazëm, rri o mësues, rri. Kjo për shkak të atij statuti të mangët. Atij nënshtrimi kolektiv të profesionistëve të vërtetë karshi partisë.
Por edhe po ta quajmë të mirëqënë, postin politik të një mësuesi. Si drejtor shkolle përshembull. Eshtë një ngërç i madh në raport me kohën dhe arsimin bashkëkohor. E para se drejtori nuk emërohet për merita shkencore, por partiake. E dyta nuk emërohet në bashkëpunim me komunitetin e zonës ku vepron shkolla, por nga një mbledhje natën partie. E treta, drejtori nuk është punëdhënës. Që domethënë nuk të merr në punë. Ashtu si praktikat e kohës në botën perëndimore. Në punë të merr drejtoria arsimore, një praktikë tashmë e vdekur në botë, veç në Shqipëri jo. Drejtori merr në punë pastrueset, kurse arsimtarët janë një treg fitimprurës për drejtorinë dhe partinë. Vendet e punës shiten. Për rrjedhojë, vendi i punës nuk është kurrë i sigurt. Po ashtu edhe posti i drejtorit. I cili sado meritave, sado përgatitjes, nesër del një plaçkë e pavlerë. Që e zëvendëson çdo lloj i paafti.
Nga ana tjetër arsimi në përgjithësi vuan akoma nga metollogjia e shkuar e notës. Jo e kredit në pjesëmarrje. Testimet janë një treg i madh fitimi i një grupi njerëzish. Të cilët hiqen sikur testojnë, por në të vërtetë të shtrydhin për një kartmonedhë. A një drekë me meze e raki. Nga roli i mikut dhe ndërhyrjeve. Ndërkohë që në botë provimi a testimi është i vëzhguar nga kamerat, jo komisioni njerëzor.
Por këto lihen qëllimisht evazive. Në mënyrë që partia të ket pushtet…, mbi arsiminin tënd. Që është rënie sociale. Mbi diplomimin tënd. Që është kancer social. Mbi emërim tënd … Që është vdekje sociale. Një ndërrmarje serash me xham, për mbashtrimin dhe kultivimin e korrupsionit. Të edukatës na merre, futi diçka në xhep. Jepi se pa paguar nuk bëhet. Nuk shkojënë shkollë se duan lekë.
Jo rastësisht analfabetizmi kap shifrat mbi 18% të vendit.
Mbi 40% e shoqërisë janë vetëm me arsim 9 vjeçar. Ku 10% e marrin pa qënë fare aty. Mjafton të kenë emrin ose nr e amzës. Le të kenë ikur. Le të jenë në Greqi, Itali, Gjermani. Kudo le të jenë.
Nga ana tjetër arsimi është i mbytur nga paralelizmat e teksteve.
Nga tregu i teksteve të pavaruara. Apo dispenca.
Dhe lidhur me ato që thamë më sipër… përpjekja intelektuale për tu lëvruar në truallin e vet, karshi Anadollit e qishës greke. Sot Shqipëria lehtësisht mendon se është e çliruar. E unifkuar në arsim. Kur Turqia i kërkon me ngulm të rishikojë tekstet. Arsimit laik i ofron atë fetar. Në analogji me këtë, falemi greqisht. Edhe pse qisha nuk ka kërkuar as sot e kësaj dite një ndjesë për martirët arsimdhënës të Kolonjës. Ndërkohë që e bëri Vatikani për inkuizicionin katolik të mesjetës.
Vet shkollat si objekte, janë godina pa fitime dytësore. Mjaftohen me orarin mësimor. Dhe aq. Sidomos ato të sistemit 9 vjeçar. Nuk ofrojnë asnjë program pas mësimor. Aq sa të zhurmshme janë në mëngjes, aq të vdekura në mbrëmje. Ndërkohë në botë afrojnë plot gjëra, plot programe…, një lloj zerme plot energji e komunitetit ku operon.
Çfarë të thuash më? Në ditën e arsimit? Në ditën e mësuesit?
Eh, harrova…, shpërblimin. Pagën e 13-të në fund të vitit.
Po më mirë të vazhdojmë si turma. Urra, rrofshin mësuesit. Rroftë arsimi. Ia bëfshim në kokë për vit, si ngahera.

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Levonja, rrofshin mësuesit!, Urra

MUZIKA TRADICIONALE E PROFESIONISTE SHQIPTARE:PROBLEME ESTETIKE

March 7, 2017 by dgreca

Nga Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI/

Universiteti Winthrop/Rock Hill, South Carolina/ U.S.A.1 ok Spiro Shituni Diktim i shijeve estetike muzikore të artdashësve!  Diktim!  Diktim!  Diktim!/

1.Në një shoqëri me të vërtetë demokratike, shijet estetike muzikore burojnë nga dëshirat individuale të njerëzve:  pë arsye të ndryshme, disa njerëz pëlqejnë më tepër muzikën tradicionale;  dëgjues të tjerë pëlqejnë më shumë muzikën klasike;  një grup i tretë njerëzish parapëlqen vetëm atë pjesë të muzikës tradicionale që i takon vend-lindjes ose vend-banimit të tyre;  një grup i katërt parapëlqen të ashtuquajturën muzikë e lehtë;  një grup i pestë—muzikën operistike;  një grup i gjashtë—muzikën instrumentore e orkestrore, etj.  S’mungojnë as grupe dëgjuesish ose individë që pëlqejnë më shumë se një zhanër artistik muzikor, sikurse as grupe dëgjuesish ose individë shijet estetike muzikore të të cilëve janë me të vërtetë specifike.Sa mirë që në një shoqëri demokratike askush nuk mund t’u diktojë artdashësve se çfarë lloj muzike duhet të pëlqejnë dhe se çfarë lloj muzike duhet të mos pëlqejnë!  Sa mirë që në një shoqëri demokratike artdashësit janë të lirë t’i drejtojnë valët e radios e të televizionit drejt muzikës së stacioneve radio-televizive të çdo vendi e kontinenti të botës!  Sa mirë që në një shoqëri demokratike dëgjuesit janë të lirë të dëgjojnë atë lloj muzike që, ndërsa të tjerët s’e vlerësojnë, për ‘ta është mjaft tërheqëse!  Askush nuk mund t’u diktojë artdashësve shijet estetike!  Askush!  Askush!  Askush!  As një Perandori Biblike!  Lart demokracia, e cila sjell liri!  Poshtë diktatura, e cila sjell skllavëri!

2.-Sidoqoftë, çdo shoqëri është e interesuar për të formuar shije dhe koncepte mbarë-shoqërore estetike mbi muzikën, ashtu sikurse mbi artin në përgjithësi.  Dihet se, shijet estetike, me gjithë praninë e elementit individual në ‘to, kanë gjithnjë karakter shoqëror:  përderisa formohen nën ndikimin e mjedisit shoqëror, ato asnjëherë nuk mund të merren të shkëputura prej tij.  Në këtë qerthull, muzika për brezat e rinj të shoqërisë—pa mohuar aspak natyrën e veçantë të saj—nuk është tërësisht specifike.  Duke marrë në konsideratë veçoritë psikologjike të moshës së brezave të rinj, shijet estetike muzikore të tyre sërish nuk janë tërësisht të ndryshme, në krahasim me ato të brezave të tjerë të shoqërisë.  Një dukuri e tillë shpjegohet me faktin që zhanre, stile, kategori të ndryshme muzikore, tradicionale ose profesioniste, janë njësoj të pëlqyeshme për të tërë brezat e shoqërisë.

3- Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, periudhë e cila afërsisht përkon me kohën e sundimit të sistemit politiko-shoqëror të diktaturës komuniste në Shqipëri (1944-1991), arti profesionist shqiptar iu nënshtrua plotësisht teorisë dhe praktikës marksiste-leniniste dhe doktrinës së ashtuquajtur realizëm socialist.  Brenda këtij qerthulli, një ngjarje e rëndësishme artistiko-shoqërore në jetën e shoqërisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, siç ishte Festivali XI i Këngës në Radio-Televizion (dhjetor, 1972), tashmë mund të shihet si një protestë e hapur ndaj dogmave, klisheve, formulave të doktrinës së realizmit socialist.  Kompozitorët, poetët, regjizorët dhe organizatorët e këtij festivali, për herë të parë, synuan për t’u afruar disi me artin muzikor bashkëkohor të kombeve, popujve e grupeve të tjerë etnikë.  Përpara publikut shqiptar thellësisht të izoluar nga Partia Komuniste e Shqipërisë—udhëheqësja e jetës ekonomiko-shoqërore dhe politiko-kulturore të vendit–, këtë herë, u shpalosën një radhë dukurish të panjohura më parë, si:  u shfaq një nuancë e lehtë lirie artistike e shoqërore;  u sollën disa tema të reja të jetës së rinisë;  iu këndua dashurisë jashtë dogmave të ideologjisë marksiste-leniniste;  u dëgjuan disa këngë metrike/ritmike;  u vërejtën disa formacione të reja instrumentore;  u interpretua në mënyrë deri-diku të lirshme, etj.

Dihet se sa i madh ishte zemërimi i udhëheqjes qendrore të Partisë Komuniste të Shqipërisë ndaj Festivalit XI të Këngës në Radio-Televizion.  Në të vërtetë, Festivali u vlerësua si një ngjarje e rrezikshme artistiko-shoqërore, e cila mund t’i kushtonte rëndë udhëheqjes komuniste.  Prandaj, e trembur deri në palcë, ajo mbajti Penumin IV të Komitetit Qendror (qershor, 1973), i cili, as më shumë e as më pak, përcaktoi strategjinë themelore që duhej ndjekur në fushën e artit e të kulturës.  Ashtu siç pritej, përveç terrorit të kuq aq masiv, Plenumi u shoqërua edhe me dënime, persekutime e burgime.  Viktimat e para të tij ishin dy ideologë të sistemit politiko-shoqëror në fuqi:  Fadil Paçrami e Todi Lubonja.  Ata vuajtën dënime dramatikisht të gjata e të rënda në burgjet e llahtarshme të diktaturës komuniste!  Krahas tyre, aktori, regjisori, dramaturgu dhe pedagogu i mirënjohur, Kujtim Spahivogli, u internua për shumë vite me radhë, derisa u sëmur për vdekje!

Ndërkohë, edhe përsa u takon pjesmarrësve të Festivalit XI të Këngës në Radio-Television, dënimet nuk ishin më pak dramatike:  Këngëtari Sherif Merdani e regjizori Mihallaq Luarasi u futën në burg!  Këngëtarët Justina Aliaj e Françesk Radi, si edhe kompozitori Aleksandër Lalo, u dënuan ose internuan!  Poeti Sadik Bejko, redaktori i teksteve poetike të Festivalit, u internua! Pak a shumë, të njëjtin fat patën edhe dy konferencierët e kësaj veprimtarie artistike:  aktorët Edi Luarasi e Bujar Kapexhiu, etj.

4.Brenda qerthullit të parashtruar më sipër, në emër të lirisë së njeriut dhe të krijimtarisë së tij, disa çështje estetiko-sociale që do të kërkonin shqyrtim të  vëmendshëm, si sot, ashtu edhe në të ardhmen, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:Përse duhej që të mos i këndohej aq shumë dashurisë në Festivalin XI të Këngës në Radio-Televizion?!

Përse duhej që dashuria të konceptohej detyrimisht brenda dogmave të ideologjisë marksiste-leniniste?!

Përse duhej që dashuria të mos shihej si ndjenjë e pastër, e sinqertë dhe e fortë, midis dy të rinjve?!

Partia Komuniste e Shqipërisë, në këtë rast, a nuk mori përsipër që t’u mësojë brezave të rinj të shoqërisë, jo vetëm se çfarë lloj muzike duhet të pëlqejnë, por edhe si të dashurojnë, sa të dashurojnë dhe çfarë të dashurojnë?!  (Sikur Ciceroni të ishte gjallë, para një gjendjeje të tillë, Ai sërish kishte për të thënë:  “O tempora!  O mores!”)

Historikisht, tërë sistemet politiko-shoqërore diktatoriale, pra, edhe diktaturat komuniste, janë hequr sikur kujdesen për njeriun, për jetën e tij private e shoqërore, për shijet e tij artistike e muzikore.  Po ashtu, tërë sistemet politiko-shoqërore diktatoriale, pra, edhe diktaturat komuniste, kujtojnë se kanë të drejtën e pronës mbi individin, mbi jetën e tij private, shoqërore e artistike.  Ndërkohë, shkrimtarët, kompozitorët e artistët asnjëherë nuk duhet të harrojnë misionin e tyre të madh:  t’i tregojnë shoqërisë të vërtetën edhe atëherë kur ajo (e vërteta) fshihet në forma nga më të ndryshmet prej sistemeve të caktuara politiko-shoqërore.

Shpërfytyrim i veprimtarisë së përfaqësuesve të muzikës shqiptare!  Shpërfytyrim!  Shpërfytyrim!  Shpërfytyrim!

1.Çdo kulturë muzikore mbi rruzullin tokësor, tradicionale ose profesioniste, përfaqësohet nga tre grupe, klasa ose kategori kryesore njerëzore:  i)  krijues;  ii)  interpretues (këngëtarë, instrumentistë, valltarë, dirigjentë, etj.);  iii)  studiues (muzikologë, etnomuzikologë).  Nën-vlerësimi ose mbi-vlerësimi i njërit grup ose tjetër është një veprim i njëanshëm, teorikisht i gabuar dhe praktikisht i dëmshëm.  Si ligjësori universale, grupet kryesorë njerëzorë të botës muzikore janë njësoj të vlefshëm:  ata parakuptojnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin.  Statusi i tyre në jetën e shoqërisë e të artit është i barabartë, si nga pikëpamja teorike, ashtu edhe nga pikëpamja praktike.

2.Përfaqësimi i muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare në fjalorë enciklopedikë ndërkombëtarë, nuk mund të jetë vetëm se shprehje e njohjes përherë e më të gjerë të saj në botën intelektuale e akademike.  Lejomëni të vë në dukje, midis të tjerash, një vepër të mirënjohur enciklopedike me karakter akademik, siç është, Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve, i cili është fryt i punës së qindra e mijra hartuesve.  Nëse krahasohet botimi i parë i këtij fjalori (Sadie, hartues. 1980) me botimin e dytë të tij (Sadie, hartues. 2001), me kënaqësi vërehet një rritje e ndjeshme e lëndës mbi muzikën shqiptare.  (Vetë përmasat e fjalorit u rritën në mënyrë të përfillshme:  ndërsa botimi i i parë ka 20 vëllime, botimi i dytë vjen me 29 vëllime!)  (Si shtjellim akademik të sintetizuar të muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare, brenda këtij fjalori, j’u lutem, shihni artikullin me titull “Albania.”  (Stockmann, Stockmann 1980);  (Leotsakos, Sugarman 2001).)

Sidoqoftë, për hir të objektivitetit shkencor, nuk mund të mos vihet në dukje se, Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve, s’ka mundur që t’i shpëtojë një mangësie parimore:  njëanshmërisë së theksuar.  Brenda tij, ndërsa krijuesit janë përfaqësuar në një masë deri-diku të pranueshme, interpretuesit (këngëtarë, instrumentistë, valltarë, dirigjentë, etj.) e studiuesit (muzikologë, etnomuzikologë) janë mohuar tërësisht!  Njëanshmëria në përfaqësimin e kategorive kryesore njerëzore të universit muzikor s’është në nderin dhe prestigjin e asnjë lloj fjalori akademik, sado me emër qoftë ai!

Brenda qerthullit të parashtruar më sipër, vijnë si të ligjshme një radhë pyetjesh të mprehta, të cilat meritojnë plotësisht përgigje, si:  Përse?!  Përse vallë?!  Përse vallë të ndodhë kështu?!  Thjesht për shkak të mungesës së kohës?!  Apo mos ndoshta edhe për të treguar, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, ose një lloj mbi-vlerësimi ndaj disa grupeve njerëzorë të botës muzikore, ose një lloj nën-vlerësimi ndaj disa grupeve të tjerë njerëzorë të botës muzikore?!  Por, duke qenë se, dukuri të tilla, kanë natyrë jashtë-profesionale, ato janë, që të dyja, teorikisht dhe praktikisht, të dëmshme.

 3. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, janë botuar, gjithashtu, fjalorë muzikorë enciklopedikë në gjuhën shqipe, midis të cilëve, kronologjikisht, lejomëni të përmend:  Enciklopedia [sic] e muzikës popullore shqiptare (Tole, hartues. 2001), Enciklopedia [sic] e muzikës shqiptare, Vëllimi i parë (Shupo, hartues. 2002), etj.  Pa dyshim se, hartuesit e tyre—Vasil S. Tole, Sokol Shupo–meritojnë vetëm që të përshëndeten nga opinioni shkencoro-artistik.  Fjalorë të tillë ndihmojnë që të ngushtohet boshësia kritike në aspekte të ndryshëm të muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare, si:  pasuria, historia, përvoja estetike, autorët më në zë, veprat më përfaqësuese, etj.  Mirëpo, duke çmuar ndihmesën e tyre, njëkohësisht, nuk mund të mos vihet në dukje se, ata, herë pjesërisht o herë tërësisht, kanë pasur edhe mangësi parimore, midis të cilave lejomëni të përmend vetëm dy:  së pari, niveli shkencor cilësisht i diskutueshëm, si rrjedhojë e një lloj nxitimi, rrëmbimi, përshpejtimi, në përgatitjen e tyre;  së dyti, zbehja e besueshmërisë shkencore, si pasojë e një lloj subjektivizmi, personalizmi, arbitrarizmi, në parashtrimin dhe interpretimin e lëndës, etj.

4.Mjerisht, në fjalorin enciklopedik me titull Enciklopedia [sic] e muzikës shqiptare, Vëllimi i parë (Shupo, hartues. 2002), i cili, në mënyrë parimisht të gabuar, i paraqitet lexuesit me titullin e një enciklopedie (!), mungojnë kriteret objektivë të parashtrimit dhe interpretimit të lëndës:  ata janë zëvendësuar de facto me praninë e kritereve subjektivë.  Kështu, çështje të tilla, sa të rëndësishme, aq edhe delikate, si:  i)  autorët që përfaqësohen;  ii)  autorët që nuk përfaqësohen;  iii)  sasia e informacionit për një autor të caktuar;  iv)  interpretimi i informacionit për një autor të caktuar, etj., zgjidhen, kryesisht, duke u nisur nga raportet personale të hartuesit me autorët!  (Të mos harrojmë se shumica e autorëve ende jeton!)  Si rrjedhojë, në rrafsh të përgjithshëm, bien në sy veçanërisht katër dukuri subjektive, personale, arbitrare: –prania e diskutueshme, pra, subjektive, personale, arbitrare, e autorëve të caktuar!

-mungesa e diskutueshme, pra, subjektive, personale, arbitrare, e autorëve të caktuar!

-lartësimi i diskutueshëm, pra, subjektiv, personal, arbitrar, i autorëve të caktuar!

-ultësimi i diskutueshëm, pra, subjektiv, personal, arbitrar, i autorëve të caktuar!

                  Që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, autorët që hartuesi i konsideron si simpatizues të tij, këtë radhë, ishin me fat:  ata, ose u përshinë subjektivisht, personalisht, arbitrarisht, ose u lartësuan subjektivisht, personalisht, arbitrarisht!  (O tempora!  O mores!)  Ndërkohë, autorët që hartuesi nuk i konsideron si simpatizues të tij, këtë radhë, ishin pa fat:  ata, ose s’u përfshinë subjektivisht, personalisht, arbitrarisht, ose u ultësuan subjektivisht, personalisht, arbitrarisht!  (O tempora!  O mores!)  Prandaj, vetkuptohet se, në cilat raste vërehet njëra dukuri dhe se në cilat raste vërehet dukuria tjetër.  Sidoqoftë, në analizë të fundit, duke iu përmbajtur kritereve subjektivë, personalë, arbitrarë, në parashtrimin dhe interpretimin e lëndës, herë-herë, të vërtetat ua lënë vendin gjysmë të vërtetave, kurse gjysmë të vërtetat ua lënë vendin thjesht gënjeshtrave.  Pra, dëmi s’është i vogël:  veprimtaria e përfaqësuesve të muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, në vend që të jepej në dritë të vërtetë, jepet pak a shumë e shpërfytyruar!  E shpërfytyruar!  E shpërfytyruar!  E shpërfytyruar!

Brenda qerthullit të parashtruar më sipër, sërish vijnë si të ligjshme një radhë pyetjesh të mprehta, të cilat meritojnë plotësisht përgjigje, si:  Përse?!  Përse vallë?!  Përse vallë të ndodhë kështu?!  Thjesht për shkak të mungesës së kohës?!  Apo mos ndoshta edhe për të treguar, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, ose një lloj simpatie personale ndaj disa autorëve, ose një lloj antipatie personale ndaj disa autorëve të tjerë?!  Por, duke qenë se dukuri të tilla kanë natyrë jashtë-profesionale, ato janë, që të dyja, teorikisht dhe praktikisht, të dëmshme!

5. Fjalorët muzikorë enciklopedikë, nëse kanë synime akademike, s’duhet të përgatiten në mënyrë dramatikisht të nxituar!  Në analizë të fundit, nxitimi, rrëmbimi, përshpejtimi, vetëm se krijojnë kushte për të pasur një nivel shkencor cilësisht të diskutueshëm.  Po ashtu, fjalorët muzikorë enciklopedikë, nëse kanë synime akademike, s’duhet të përgatiten as në mënyrë dramatikisht subjektive!  Në analizë të fundit, subjektivizmi, personalizmi, arbitrarizmi, vetëm se ua zbehin atyre parametrin themelor për çdo lloj libri me natyrë akademike:  besueshmërinë shkencore.

Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, në çdo fushë të artit e të shkencës, as fjalorët enciklopedikë, as enciklopeditë, nuk mund të hartohen nga një studiues i vetëm, sado pretencioz që të jetë ai!  Përvoja më e mirë ndërkombëtare, dëshmon pikërisht për një dukuri të tillë.   (Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve—Sadie, hartues. 1980;  Sadie, hartues. 2001–, i cili sapo u përmend, p.sh., është fryt i punës së qindra e mijra autorëve!)  Prandaj, mbetet të shpresojmë se, në të ardhmen, brezat e rinj të muzikologëve e etnomuzikologëve shqiptarë, do të hartojnë fjalorë enciklopedikë dhe enciklopedi me ndihmesën e sa më shumë studiuesve.  Eshtë e qartë se, në këtë mënyrë, do të mund të përmbusheshin më lehtë dy kërkesa themelore parimore:  së pari, niveli shkencor cilësisht sa më i lartë;  së dyti, parashtrimi dhe interpretimi i lëndës në një mënyrë sa më objektive.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: :PROBLEME ESTETIKE, MUZIKA TRADICIONALE E PROFESIONISTE, Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI, shqiptare

Bashkia Shkodres mbulon me heshtje Marije Shllakun

March 7, 2017 by dgreca

Flijimi i Marie Shllakut vazhdon të lihet në heshtje nga Bashkia Shkodres !/
Ky shkrim unnamedështë një letër e hapur drejtuar Kryetares së Bashkisë Shkodër znj.Voltana Ademi në ditën ndërkombëtare të gruas!unnamed
 
Leonora Laçi, 2017/
 
 E nderuar znj. Kryetare!
Si femra e parë Kryetare Bashkie në Shkodër, për të cilen ndjehemi krenar, e të privilegjuar për përfaqësimin e femrës në pushtetin vendor si dhe për ta shfrytëzuar  këtë në dobi të femrës për femrën,  duke pas parasysh se zgjedhja juaj në krye të Bashkisë ka thyer tabunë e fanatizmit maskilist.
Por, krenaria zbehet kur vihet re që Shkodra një qytet që udhëhiqet për kaq dekada nga Partia Demokratike të lërë në harresë dhe në hije heroinën Marie Shllaku, antikomunisten e betuar e cila në moshë të re u pushkatua në Prizren për aktivitetin e saj politik.  Shkodra i ka borxh Marijes, prandaj ky shkrim le ti shkoj në tryezë znj.Kryetare dhe Këshillit Bashkiak të Shkodres. Sepse nderimi i Maries është nderimi i femrës, nderimi i Shkodres si qytet, qoftë një hapësirë për memorial, një titull nderi pas-vdekjes, një aktivitet përkujtimor.
Nëse ju keni hezitim apo mos njohuri për veprimtarinë e saj, unë jam e gatshme t’ju sjelli të gjithë librat që janë shkruar për të, madje dhe t’ju informoj për aktivitetet që janë zhvilluar në Kosovë, Shkodër, e Tiranë, apo përkujtimin dhe vlerësimin që i bën Kosova me emra rrugësh e nderime të tjera.  Prandaj Shkodra si qyteti i lindjes duhet ta vlerësoj dhe ta njoh aktivitetin e saj !
Boll me amnezinë institucionale prej disa dekadash !
Po e bëj këtë thirrje pikërisht me 8 Mars, pasi duhen kujtuar ato femra që u sakrifikuan për kombin, Shqipëria nuk ka vetëm Musine Kokalarin, ka shumë Musineja të tjera si Maria Shllaku, Bardha Gjomarku, Marie Tuci etj. Është për tu vlerësuar nderimi që Gjirokastra por jo vetëm ajo, po nderojnë Musinen, të cilat duhen marrë shembull dhe të jenë nzitje për nderimin e Marie Shllakut nga Shkodra.  8 Marsi është dita e sakrificës së femrës por edhe për të kujtuar përpjekjet e tyre  për barazi, paqe e drejtësi.
Po e risjelli një poezi që duhet të jetë epitaf për femrat që u flijuan për idealet kombëtare, kjo u shkrua prej një nga të dënuarit në gjyq me Marie Shllakun, profesori shkodran Shefqet Kelmendi që  i thotë të gjitha që duhen thënë për Marien si një vajzë 24 vjeçare që u quajt armike dhe u pushkatua, ajo e luftoi komunizmin me pushkë e penë.
Prandaj konsiderojeni këtë thirrje si domosdoshmëri dhe të nevojshme !
 
                                                              ***
“Pranë një qyteti është një varr pa varr. Është një vajzë e re që prehet në qetësi e varrin e saj askush sot s’e di…
Nuk ia thau rinin dashuria e vrarë.
Nuk ia shkimi dritën ndonjë e papritur.
Hëna pesëmbëdhjetëshe e harroi vetveten. Theu pasqyrën e nusërisë. I dogji edhe studimet, se një zë nga brenda i thirri:
“Bija ime, rininë tënde falma mua. Digje zemrën për mijëra zemra, që gufojnë sot anekënd!”.
Dhe Shkodrania doli në ballë me flamurin e Skenderit.
 
Re të zeza sterruan qiellin. Tymi mbuloi tokën tonë.
Sokolesha s’iku natën në dhe të huaj për të shpëtuar lëkurën.
Mali iu bë çerdhe.Toka ujë i dha të pijë.
Po një ditë me mjegull shumë, pesëthepat të gjallë e zunë…
-Ti armike e popullit,- i thanë në një sallë,- fol për fajet e tua !
-Për tokat e të parëve luftova sa munda. Kreva veç detyrën.
-Po ti, a e di se për këto krime plumbi ty të pret?
-Nuk më trembet syri. Unë ia fala jetën Kosovës martire. Ndaj dhe jam krenare, se mbi varrin tim lule do të sjellin të rinjtë e kësaj toke.
-Varrin tënd, nepërkë, askush s’do ta dijë.
-Kjo ka pak rëndësi. Emrin tim, zotëri, ju s’e zhdukni dot!
E salla pikoi lot…
Brinjët ty t’i thyen, po nuk ta thyen zemrën…
Buzët t’i shkrumuan, po s’ta mbyllën gojën…
Sytë t’i shterruan, po në dritë u shndërruan…
Verë e vitit dyzet e gjashtë…
 
Sot Prizreni në gji të vet
Me xhelozi ruan një sekret.
Borxhlinj të jemi, motra jonë,
O Marija, o shqiponjë !”
Shkruar në burg Zejmen, Lezhë 1986.

Filed Under: Histori Tagged With: Bashkia Shkodres, Leonora Laci, Marije Shllakun, mbulon me heshtje

Dy faqe të Francës

March 7, 2017 by dgreca

Francezët ,nga  Keltet, Galët, Romakët  dhe Frankët  Gjermanë/

1 Riza Smaka

Nga Prof Dr Riza SMAKA/   

Territorin sotëm të Francës, në antikë,   e popullonin popuj më së të ndryshëm, nder të  cilët, Gaulët (Gaul) ishin më numerikë.Gaulët ishin një nga popujt keltikëfolës  dhe, gjuha e tyre, fillimisht  quhej “ Gjuhë Keltike- Gaule”  e rrjedhimisht “ Gjuhë Gaule”.Gjatë viteve 58-51 para Epokës së Re, territori i Gaulëve ,  nga   legjionet romake të komanduara nga Cesari ,ka qenë okupuar dhe bashkuar me Perandorinë Romake. Gaulët , gjatë një periudhe relativisht të shkurtër , kryesisht  kanë qenë  romanizuar dhe  integruar në Perandorinë Romake  . Vijimisht rrjedhën Gaulët e Romanizuar. Para , e veçanërisht pas  rënies   së pjesës perendimore të Perandorisë Romake, kryesisht , gjatë shekullit të V-të pas Epokës së Re, territorin e Gaulëve e kanë pasë pushtuar gjermanët,  kryesisht, të fisit Frank të  shquar për  luftarakë, luftëdashës, guximtarë e të  fortë.Karli i Madh (Charlemagne, Charlemaine, Caroli Magni) në vitin 800 ka qenë kurorëzuar nga Papa i Romës dhe ishte një  burrë shtetas i  talentuar, luftëtar e ambicioz për përtrirjen e Perandorisë Romake ,të cilin qellim, në masë të madhe ,e ka pasë realizuar. Ai dhe pasardhës vijues ,shtetin e Frankëve  tok me  territore tjera të ish Perandorisë Romake të ashkuara , i kanë pasë emërtuar” Perandoria e Shënjët Romake  e Popullit Gjerman”, e cila,  në  formacione të ndryshme,ka zgjatë afer 1000 vjet, deri në shekullin XIX-të. Gjatë  sundimit të Karlit të Madh ,qe ishte  Frank përkatësisht Gjerman, Gaulët e  popullit Kelt, konsideueshem të  romanizuar , pashmangshëm , në masë të madhe, kanë qenë gjermanizuar , gjithsesi duke mbajtur dhe  asimiluar karakteristika të etinve të mëparshme .

Së andejmi , brumi i popullit, përkatësisht, kombit francez të sotëm, kryesisht ,  konsiston  në   asimilime e hibridizime të ndërsjella të    gaulëve  keltikë, të  romakëve  dhe të  frankëve gjermanë përkatësisht   të   gaulëve,  romakëve, frankëve të  asimiluar reciprokisht dhe të   transformuar në një substrat tjetër, të rinjë, rrjedhimisht , të emërtuar francezë.

Ndryshe ,  identiteti i francezëve deri në  vitin 1600 nuk ka qenë i ditur as  i njohur. Tek në atë vit, për herën e parë, ka qenë fabrikuar termi “ Bon Françiois”. Deri atëherë  as  gjuha franceze ,virtuelisht ,nuk ekzistonte pos në  dialekte të ndryshme dhe reciprokisht të largëta.

Dy faqe të   Francës /

Faqe  e ndritshme franceze/

Revolucioni Borgjez Francez ,në vitin 1878 kushtimisht, e   ka shënuar  Epokën e Re, duke e tejkaluar feudalizmin  monarkist në Francë si dhe gjetiu ,kund më herët e kund më vonë.Në dekadën e parë të shek. XIX-të,  sipas kërkesës së Napoleonit , ka qenë përgatitiur e  ,vijimisht, ka qenë miratuar  dhe  promulguar Kodi Civil ( Code Civile) i cili me të drejtë  konsiderohet  vepër monumentale e historisë së shtetit dhe të drejtës, në përgjithsi.Kodi Civil , në masë të konsideruar ka qenë i  frymëzuar   madje  i  bazuar në Kodin Civil   të  bërë e miratuar  në  shek. VI-të  sipas kërkesës së  Perandorit Romak ( të Lindjes)  ,Iustinianit ,   që ishte me origjinë Ilire .Kodi  Civil i Iustinianit ka qenë apklikuar në pjesën më të madhe të Europës përafërsisht 1000 vjet e rrjedhimisht Kodi Civil i Francës ka pasë shërbyer për mostër të  kodeve civile të shumicës së shteteve   kontinentale të Europës  bashkëkohore.Kodet civile   të tilla , të  shumicës së shteteve  kontinentale europiane  bashkëkohore,  rezultojnë Sisitemin Juridik Kontinental Europian.Së andejmi rezulton se ,Sistemi Juridik Kontinental Europian, virtuelisht  ,origjinon nga vepra madhore  e një ilirit të famshëm, Iustinianit të Madh,  perandorit romak,  i cili ,nder të tjera, pat bër tri vepra madhështore të historisë  dhe  kulturës  europiane e më gjërë: Aja Sofinë  në  Konstantinopolis, Kodin Civil dhe  restorimin e madhështisë  dhe  të  lavdsisë se Perandorisë Romake!Pra ,në historinë  juridike të  shumicës së shteteve  kontinentale europiane, gjurmë , influrencë  dhe  trashëgimi   qenësore ka   lënë e dhënë korpusi ilir, paraardhësi i shqiptarëve autoktonë në Europë.Francezët , nga Revolucioni Borgjez Francez, janë  ideatorë të sentencës dhe parimit  humanist   progresist të mirënjohur “Liberte,  Egalite, Fraternite” apo “Liri, Barazi, Vëllazërim”.Francezët janë popull me kulturë e traditë  dhe histori të pasur dhe si të tillë kanë kontributuar shumë për progresin  e civilizimit, në përgjithsi.Muzeumi i Luvrit “ La Louvre Museum” është një nga më të njohurit dhe të çmuarit në botë.Gastronomia franceze e mirënjohur për verëra, djathëra të 1200 varieteteve etj, është  e pranuar dhe e ruajtur nga UNESCO për status të trashëgimisë botërore.Franca ka dhënë shumë mendimtarë , letrarë,  artistë, shkencëtarë të  çmuar, nder të tjerë, Descart-in, Pascal-in, Voltaire-n, Flaubertin, Rouseau0n, Balzak-un, Sartrin, Camu-sin  e shumë të tjerë.Aktualisht ,Franca,  me  15 nobelistë për letërsi,  e zënë vendin e parë në botë.

Faqe e errtë e  Francës/

Franca,   gjatë  shekujve XIX-XX-të, shpejtë  i ka pasë  humbur tri luftëra nga gjermanët, në vitin 1871, në Luftën e Parë Botërore ( 1914-19)  si dhe në në Luftën e Dytë Botërore ( 1941-45).Në saje të   ndihmës  kolosale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëriseë së Bashkuar ,  sikundër në Luftën e Parë Botërore ashtu edhe në Luftën e Dytë Botërore , Franca ka qenë çliruar nga okupimi gjermanë.Mirëpo, çuditërisht –sic,  francezet , nëse aspak , krejt pak  u  janë mirënjohës ndihmave   dominante për  çlirim nga  okupimet gjermane   me plotë  sakrifica dhe të pakursyera të amerikanëve e britanIkëve. Përkundrazi, francezët  oksidentalë e kryesisht katholikë  me rrënjë etnike ,nëse, jo krejtë të përbashkëta ,atëherë ,dukshëm të përafërta   me gjermanët e britanikët  oksidentalë  protestantë përkatësisht katholikë ,virtuelisht , kryesisht , tradicionalisht   anojnë  kah  sllavët  orientalë  orthodoks ,në radhë të parë, kah rusët e sërbët!Nga mësimet   e fituara nga pësimet   e përjetuara gjatë historisë , francezët sikundër rusët   ,   ndjejnë   animozitet  paranojik  antigjerman, në një anë si  dhe vuajnë nga droja  e fuqisë së paparashikuar  gjermane , në anën tjetër.Ndaj , francezët dhe  rusët , gjatë të gjitha etapave historike – kritike pas Krizës së Lindjes,  në vitete 1978, 1913, 1919, 1945, 1992, 1999,në kundërshtim  edhe  me parimet e vetëvendosjes si dhe me  kriteret natyrale, etnike e historike , ndër të tjera , kanë favorizuar shtete pupete ,çfarë ishte Sërbia, kryesisht, në dëmin e popujve fqinjë  të  sërbëve , konkretisht të shqiptarëve, hungarezëve!Politikat shtetetëre franceze ,  në  kundërshtim me parimin e vetëvendosjes ,veçanërisht , në Konferencën e Ambasadorëve, në London, në vitin 1913 , në Konferencën e Paqës në Paris, në  vitin 1919,ishin, makijavelisht prosërbe dhe për aq antishqiptare  përkatësisht antihungareze.Në Konferencën e Paqës , edhe sipas  deklaratës së  kryetarit të saj ,Lordit Gray… “padrejtësisht, por  ,për hir të paqës, Kosova i ka qenë konceduar shtetit sërb “ ! Poashtu, edhe në Konferencën e Paqës , nga influenca e paskrupullt e Francës  nuk ka qenë konsideruar  revidimi i  vendimit të padrejtë të Konferencës së  Paqës referuar  Kosovës   përkatësisht dëmtimeve territorial të trungut shqiptar ,madje , shtetit sërb, të protezhaur  kryesisht nga Rusia dhe  dhe  nga Franca  ( alas) ,i ka qenë konceduar  Vojvodina  kryesisht e banuar me hungarezë e gjermanë ,e cila ,asnjëherë më parë gjatë historisë ,nuk ka qenë pjesë e atij shtetit pupet – Sërbisë – sic!Franca , në  epoka kritike historike ( 1945, 1992, 1999)  makijavelisht e padrejtësisht dhe ,për gabimisht , në dëm të popujve  rreth saj e ,veçanërisht të shqiptarëve  , e ka  mbështetur Sërbinë  hegjemoniste ! Gjatë   agresionit sërb  ,kryesisht, kundër  boshnjakëve muslimanë – viktimave  civile  të paarmatosura , përkatësisht,  kundër Bosnës dhe Hercegovinës  ( 1992 – 95) , shtetit të pavarur e anëtar të OKB-së , Franca  ka qenë  dalluar për përkrahje të padrejtë të  Sërbisë   agresore dhe sërbëve boshnjakë të trajnuar, të armatosur e  të  pajisur nga shteti sërb ( Burg Shoup, The War in Bosnia – Hercegovina, M.E.Sharpe, 1999).Gjatë NATO- bombardimeve të caqeve ushtarake sërbe ( 1999) , jo pak oficerë   përkatësisht  pilotë francezë    edhe pse anëtarë të asaj  aleance ushtarake impozante e të dobishme për paqën në botë, jo rrallë herë , trathtisht , i kanë zbrazur bombat e avionëve të vetë, në vend në caqe  të planifikuara, në Detin Adriatik ,madje, qendrave  komanduese   ushtarake sërbe , ju kanë treguar  vendet  dhe terminet e  sulmeve ajrore në Kosovë  si dhe në Sërbi.Rol negativ  iracionalisht  prosërb ,për aq  antikosovar – antishqiptar   i politikave franceze të zbatuara nga segmente të  KFOR-it francez , ka  influencuar dhe rezultuar  në  disfavorin e integritetit territorial të Kosovës nëpërmjet  ndarjes  fizike e faktike të  pjesës  së saj ,në veri të lumit Iber!

Dështime të  judikaturës franceze në “ Rastin Haradinaj”

Muaj  më parë ,   në përfillje të një fletëarresitit   (autoriteteve të judikaturës të Jugosllavisë së tretë ,e cila ,aktualisht nuk ekziston, por ,pretendohet të jetë  e  sukseduar nga Sërbia)  të lëshuar mbi dhjetë vite më parë- sic,  z. Ramush Haradinaj  ka qenë  ndaluar nga autoritetet gjyqësore franceze !Ndalimi në fjalë  ishte dhe mbetet në  kundërshtim flagrant   me ,sëpakut ,tri parime juridike- penale  ndërkombëtarisht të mirënjohura  :

“ Res Iudiciata”,

“ Ne Bis In Idem”

“ In Dubio Pro Reo” si  dhe me

Precedentin   Gjyqësor   Slloven për të njëjtin rast!

Res Iudiciata    ,në kontekst dhe koherencë me te edhe Ne Bis In Idem , janë  parime themelore në të drejtën e procedurës ,penale sipas të cilave , kunder personit të njejtë ,kundër të cilit ,për një apo disa raste të  gjykuara përfundimisht , nuk lejohet riprocedim  penal  tjetër.   Sipas këtyre parimeve , askush nuk mund të gjykohet  më së një herë  për të njëjtën përkatësist të njëjtat vepra penale,  të cilat  ndodheën në koherencë    me  postulatin  për sigurinë juridike e, sëandejmi ,  edhe me  dokumentet si dhe    vlerat qe rezultojnë nga:

  • Deklarata Univerdsale për  të Drejtat e Njëriut,
  • Konventa Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave  dhe Lirive  Themelore  të  Njëriut dhe Protokolet e saj,
  • Konventa Ndërkombëtare  për të Drejtat Civile e Politike dh eProtokolet e saj!

In Dubio Pro Reo është  parim themelor i së drejtës   së procedurës penale  ,sipas të cilit ,në rastin e dyshimit  kurdoherë   kërkohet ( Ius Imperativum) të procedohet në favorin e të pandehurit!

Në “Rastin Haradinaj” një gjykatë   lokale franceze , sipas  kërkesës sërbe për ndalimin e  z Ramush Haradinaj-t, edhe për shkak të mungesës së  provave të kërkesës, pashmangshëm është   dashtë ta flakte të njëjtën dhe të gjykonte në favorin e tij, të z Ramush  Haradinja-t! Aq më parë kur autoritetet e judikaturës së shtetit sërb as brënda 14 vjetësh nuk paskan pasë mundësi për të mbështetur kërkeësn për ndalimin e z Ramush Haradinaj-t, gjë qe,  është  treguar haptas edhe nga  pretendimi i   tyre për një “Time Out” përderisa të “ argumentonin  atë kërkesë”!

Sikundër dihet  ,  kërkesën sërbe për ndalimin e Z Ramush Haradinaj-t, vite më parë,  Judikatura Sllovene  e ka pasë refuzuar, si të pabazuar dhe, ashtu ,ndër të tjera, ka pasë krijuar precedent juridik obligator për cilën do judikaturë e, veçanërisht, për judikaturat e  shteteve anëtare të EU-së dhe të INTERPOL-it.Edhe judikatura franceze, për aq sa  nuk do t’ishte në  funksion të “shtetit juridik”, por, të   të shtetit të së drejtës  si  dhe jashtë influencave të poltikave ditore të proveniencave të ndryshme,  pashmangshëm ishte  dasht  dhe,  gjithnjë  kërkohet për të përfillë precedentin e sipërpërmendur të judikaturës sllovene!Sëandejmi , Judikatura Franceze  “Rastin Haradinaj”  është dasht dhe duhet  të trajtojë  ngjashëm me  precedentin    slloven të  sipërpërmendur nëpërmjet  flakjes ( rejection)  të kërkesës sërbe për ndalimin e Z Ramush Haradinaj-t.

Përfundime

Ndërmjet Francës së  faqes së  ndriçme dhe të kundërtës ,kurdoherë,  do të ishim për të parën.Franca, bazuar në historinë e saj të gjatë  e të vrullshme ,virtuelisht,  veçanërisht

nga viti 800 kur ka qenë kurorëzuar Karli i Madh nga Papa i Romës deri në ditët e sotme, për civilizimin  botëror , ka dhën kontribute të vlerëshme, pothuaj, në të gjitha sferat shoqërore.Sistemi juridik Europian Kontinental, pikërisht, bazohet në Kodin Civil të Francës, të miratuar në fillimin e shekullit XIX-të.Rendi juridik i Francës konsiston në akte kushtetutare e ligjore të standardeve  të avancuara.Jurisprudenca franceze konsiston në   parimet, sentencat ,postulatet dhe premisat  shkencore juridike nder më të përparuarat. Sëandejmi, edhe  sistemi i drejtësisë apo rendi  juridik i   Francës, radhitet ,nder më bashkëkohoret në UE-në e, gjithandej. Poashtu ,praktikat juridike e gjyqësore franceze, radhiten në nivelet afirmative e inspirative.

Sëandejmi , me bazë mund të pritet se , përfundimisht , Sistemi  Gjyqësor Francez, duke e flakë anash imperativin e politikave ditore efemere, do të përfillë funsionin e judikaturës konetmporare,  sundimin e ligjit dhe  vlerat e shtetit të së drejtës.

Shteti i së drejtës,kudo e kurdo dhe ,  konkretisht, shteti francez i së drejtës ,  i inspiruar nga kontributet dhe atributetet afirmative gjatë  historisë së tij,   në kontekstin e “Rastit Haradinaj” ,  me bazë mund të pritet   që në favorin e z Ramush  Haradniaj-t, do t’i përfillë  parimet themelore të së drejtës  së procedurës  penale , në radhë të parë “Res Iudiciata”, “Ne Bis In Idem”, “In Dubio Pro Reo” tok me precedentin “Rasti Haradinaj, Slloveni”!

Prof dr Riza Smaka-riza_smaka@hotmail.com

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Dy faqe të Francës, Prof dr Riza Smaka, Riza Smaka

Nis Shfuqizimi i ‘Obamacare’, gati Plani i Repubulikanëve

March 7, 2017 by dgreca

 – Republikanët prezantojnë planin për kujdesin shëndetësor/

1 Obama Care

 Ashtu sikurse kishte premtuar edhe gjatë fushatës, Presidenti Trump ka nisur përpjekjet konkrete për shfuqizimin e Obamacare, ligjit për kujdesin shëndetësor, të miratuar gjatë administratës së paraardhësit të tij, Barak Obama. Republikanët e Kongresit kanë hartuar planin zëvendues të platformës aktuale, e cila do të diskutohet shumë shpejt për të kaluar më pas në proçesin e votimit. Legjislacioni i prezantuar së fundmi është kritikuar nga demokratët, të cilët shprehen se me këtë platformë, 30 milionë qytetarë do të humbasin kudjesin shëndetësor.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan kanë paraqitur planin e shumë-pritur për të shfuqizuar ligjin për kujdesin shëndetësor të miratuar gjatë administratës së Presidentit Barak Obama, i cili njihet si Obamacare.

Legjislacioni i propozuar parashikon një sërë ndryshimesh thelbësore, i cili është kritikuar menjëherë nga demokratët.

Këta të fundit janë shprehur se shfuqizimi i Obamacare do të bëjë që më shumë se 30 milionë qytetarë amerikanë të humbasin kujdesin shëndetësor.

Ata shtojnë se ndryshimet e legjislacionit aktual do të favorizojnë gjithashtu rritjen e çmimit të medikamenteve.

Megjithatë, nuk janë të të njëjtit mendim republikanët. Sipas tyre, Obamacare ka qenë një projekt i gabuar dhe se ka nevojë të shfuqizohet menjëherë.

Ndryshimet që do të vijnë nga projekti i konservatorëve amerikanë pritet të reduktojnë ndjeshëm rolin e qeverisë në sigurimet shoqërore.

Aktualisht republikanët kanë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit Amerikan, gjë që mund të lehtësojë votimin.

Megjithatë, mes tyre ka një sërë qëndrimesh të ndryshme sa i përket pikave që duhet të tjetërsohen nga plani aktual, Obamacare.

Pavarësisht, mosmarrëveshjeve për çështje të caktuara, ekspertët shprehen se ndryshimet në legjislacion do të bëhen të mundura.

Obamacare, një prej platformave më të mëdha që ndërmori ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, bëri që 20 milionë persona më shumë të kishin akses në sigurimet shëndetësore.

Ky numër, natyrisht që pritet të reduktohet me ndryshimin e politikave nga administrata e Presidentit aktual, Donald Trump.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: gati, Nis Shfuqizimi i 'Obamacare', Plani i Repubulikanëve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2151
  • 2152
  • 2153
  • 2154
  • 2155
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT