• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MJEGULL DHIMBJEJE

February 24, 2017 by dgreca

1-xhevair-lleshi-zyre
Tregim nga Xhevair Lleshi/E gjeta në dhomë me kokën mes dy duarve. Era e tymit të duhanit të bënte të ngriheshe vrulltas dhe të ikje diku larg, aty ku mund të kishte ajër tjetër. I hodha dorën butë mbi shpatulla dhe ai u drodh. E kisha mik të mirë Lutin, më ishte përgjigjur gjithnjë. Ndaj mora rrugën e largët dhe erdha tek ai, sapo e dëgjova gjëmën: vajza e tij kishte humbur jetën. Çfarë tmerri. Nuk gjej dot fjalë. Miku im lexonte libra, ndonëse jetonte në fshat dhe punët e bujqësisë nuk e linin një çast të prehej. Kur tregonte ndonjë histori shprehej edhe me figura. E doja Lutin. E doja atë, gruan e tij dhe të dy fëmijët. Madje e bija, ajo që tashmë nuk ishte më në jetë më kishte ardhur disa herë në shtëpi. Era! Ç’vajzë! Në dukje një natyrë të qetë, me një të qeshur që të linte pa frymë dhe sidomos kur të hidhte bishtin e syrit! O Zot, s’më mbushej mendja për atë kishte ndodhur! Një mrekulli si ajo! Ende i ndiej shpatullat e Lutit që dridheshin me një zmadhim të çuditshëm nën peshën e dorës sime. Doja ta pyesja për ndonjë detaj, por fjalët më mbeteshin në fyt, ndaj përpiqesha t’i gëlltisja, po edhe këtë nuk e bëja dot. Gjëma tashmë kishte ndodhur. Ç’ta kishte shtyrë Erën të hidhej nga kati i pestë i konviktit? Mos ndonjë zënkë? Tradhti? Ndonjë e papritur e jashtëzakonshme? Hamendjet ta drithëronin shpirtin dhe ato çaste nuk kishe dëshirë as të ngrije sytë për ta parë në sy të zotin e shtëpisë. Pyetjet e mia të pafundme ishin thjesht për mua dhe jo për atin e Erës. Kjo gjendje e nderë mua po më dukej e çuditshme. Luti nuk nguroi t’i ngrinte sytë drejt meje, një buzëqeshje e flashkët, e mekur, e thatë i ngeci në cep të buzëve dhe fërgëlloi. Me siguri lotët do t’i breshëronin nëpër faqe dhe do t’i mblidheshin në gropëzën e madhe të mjekrës. M’u bë se sytë e tij të shkruar ishin futur thellë në zgavra dhe një hije e errët i qe formuar rreth e qark, si re. Era plot ëndrra, Era e bukur, studentja e mirë, vajza e mrekullueshme që të bënte menjëherë për vete. Nuk e pashë njëherë të mos i gëzohej edhe gjërave më të imta dhe të padukshme të jetës, por që e rrëmbejnë atë, i japin flatra, e tejkalojnë, ose e ndëshkojnë keq. Një studente si Era! Përplot ëndrra, gjithnjë mes një atmosfere të gëzuar, e veshur thjesht, që bënte përshtypje sapo e shihje, që shpesh i pëlqente të rrinte vetëm, që e kapte veten duke u menduar gjatë dhe trazonte mendimet duke i mbajtur sytë ulur… Eraaaa! Pse Eraaaa!…
Luti po më shihte pa shprehje. I rënduar, si vdekja. Atë çast u ngrit, si të shmpihej. Erdhi dikush nga fqinjët. Shtëpia ziente nga pëshpërimat dhe heshtja frynte me një ngut të azdisur. Shtëpia e tij e madhe, në dy kate, të cilën e kisha ndonjëherë edhe si shtëpinë time, po më dukej e huaj dhe e largët. Mendja më rrinte tek e bija. Ngjallja bisedat me të, fytyrën e bardhë borë, dukej se një pigment bardhësie ishte me të tepër në lëkurën e saj, po kjo nuk ta largonte as bukurinë e shfrenuar, u jepte shprehje kryqëzimit të vështrimeve dhe ti mendoje menjëherë se ajo bëhej shumë e afërt menjëherë. Kishte një të ecur të këndshme, e gjatë, e hollë dhe këmbët i hidhte bukur, sikur do të kapeshin fshehtas me njëra-tjetrën. Vajzë që ëndërronte, dukej menjëherë, tërheqëse dhe djemtë ndiheshin mirë kur kuvendonin me të. Ç’do të kish ndodhur atje në atë dhomën e saj në katin e pestë? Mos ka marrë ndonjë lajm të hidhur? Ndonjë?… Vetëm fjalë të kota s’mund të thoshe, ndonëse mendimet, si fjalët, tërboheshin brenda për brenda me një vrull të paparë e që perceptohej lehtë. Kur fliste të shikonte në sy dhe të pyeste edhe për gjërat që dukeshin të parëndësishme. Po kur, kur? Kush të ketë qenë me të? M’u bë se po ia dëgjoja heshtjen e saj, po ëndrrën, ëndrrën e frikshme që ia kishte treguar së ëmës në telefon një natë më parë? Jo, Era nuk është hedhur vetë. Me siguri. E kam të pamundur të bindem… Erdhën edhe dy burra, miq të largët. U rridhnin lot vetvetiu. Luti ishte krejt i mpirë. Dhoma u mbush plot. Dhe dora ime nuk hiqej nga shpatullat e tij që dridheshin me një ngut të tmerrshëm dhe drithërima e pagojë t’i degdiste mendimet, sido që nuk e doje këtë gjë. Gjallë të mbajnë edhe fjalët. Fjalët që thua. Me gjuhën e perëndive. Ç’të thoshe? Ka plot fjalë të zgjuara që e ngushëllojnë njeriun. Mjafton që të mos thoshe «Si ndodhi?». Ose t’i mbaje sytë jashtë dritares e po të mundje pastaj të bisedoje me rrezet e diellit, me ajrin, me erën. Erën? E si mund të bisedoje me Erën?  Me hënën, fjala vjen, edhe mundje…  
Më vinte në mendje kur rrija me Lutin dhe flisnim atje pranë vreshtit të tij, ose ullinjve që i kishte mbjellë në rreshta të përsosur dhe prodhimin e kishte marrë në krye të vitit. E kisha qejf atë vend të bryllët. Jetë e bukur bëhet këtu, Lut! E di, vëlla, bukuri e madhe fort. E pse? Varfëri e rëndë, mik. Po më tepër varfëri në shpirt. Sikur nuk e duam më njëri-tjetrin. Varfëri me rroba të reja. Nuk e do njeri fshatin. Nuk e do njeri punën. Ja, edhe fëmijët e mi nuk e duan! Gjithë ky investim ikën për dhjamë qeni. Ua lexoj mendimet edhe djalit, edhe vajzës. Në erë nuk e duan! Të flas me zemër në dorë. Pastaj dembelizëm i llahtarshëm. Nuk e ha njeri punën. Dembelizëm me brirë. Dhe uria endet mbi krye. Se s’ka lekë. Muzikë, tallava, internet, filma, telefona të magjishëm. Ja, rri me mua dhe ta shohësh. Vetëm një ditë rri dhe do t’ia dëgjosh krismën. Rrugët janë shtruar me asfalt, s’ke ç’thua, makinat janë gati të të hidhen mbi kokë. Njerëzit të paktën janë të veshur e të ngjeshur. Rroftë Gabi dhe rrobat e lira! Dhe gjen ç’të duash! Por, a mjafton kjo? Fshati, domethënë serrat, vreshti, ullinjtë, bagëtia duan punë. Punë skllavëruese. Kurse,… ç’të të them, atje matanë, gjen edhe nga ata që s’kanë çfarë të shtrojnë për të ngrënë. Kanë mbetur pleq. Fëmijët kanë ikur, kanë marrë arratinë, të pikon zemra… Dhe kur them kështu, të jesh i bindur se s’kanë vërtet. Vetëm kur u çojnë në shtëpi… Shteti, jo, ç’ne! Ç’punë ka shteti? Po edhe në telefon me fëmijët nuk para flasin. Se telefoni do karikuar. Energji elektrike s’ka. S’ka se i ka prerë shteti. Shteti që ulërin do bëjmë shtet! Dhe fshati ngre supet dhe krihet. Prit kur të dëgjosh të pabërën! Ia kam frikën. E ndiej, mik, e ndiej se shpirti i njeriut është thërrmuar nëpër duar… Ç’ka ndodhur, Lut? Ai më pa thellë në sy. Qeshi paksa dhe shfryu. Ka mbaruar gjithçka, mik! Punë bëhet, nuk them, por me familje. Sepse ata që i ka vënë poshtë e keqja, aha, s’ka muzikë që i bën për vete. Janë ftohur! Duket se kanë mbetur vetëm ëndrrat. Po edhe ato të uruara kanë marrë arratinë. Ty s’të besohet. Pikë pasioni nuk gjen. Zvarrë. Dhe ti e di më mirë ç’do të thotë kjo. Toka të papunuara. Fëmijët në arrati. Dhe… në darkë, besoje, nuk ke fuqi as të hash një çapë bukë…
Njerëzit hynin e dilnin nga dhoma e pritjes. Këmbët zvarrë. Përshëndetje të ftohta. Fjalë si nëpër dhëmbë. Një ndjesi delikate e drithëruese të mbante mbështjellë me një mjegull mendimi dhe re të hedhura si akuarel. Rrezet e një ëndrre të largët vinin e përplaseshin në brigjet e mendimeve të tua. U dëgjoja të gjithëve frymëmarrjen. Hyri dikush. Një burrë i shkurtër. U përkul mbi Lutin dhe ia rrahu shpatullat fort. Dhe u ul përballë meje. E njoha. Sigurisht që e njoha. Atë e njihnin thuajse të gjithë. Gërrici pak fytin dhe zëri i trashë ra mbi mort. Dëgjoheshin fjalë të thata në korridor, fjalë që mbeteshin pa përgjigje. Ishte një rast për ta deklaruar veten. Dhe i sapoardhuri nuk e fshihte këtë gjë. Kish zemër të madhe, thoshin për të, aq sa të merrte më qafë. Dhe i linte të gjitha punët bosh. Mjaftonte një zë dhe të gjendej pranë. Duhet se nganjëherë i shpikte gjërat si duhet. Dhe në errësirë ishte i vetmi, luante për mrekulli pa drita. Mbaje veten! tha. Ndodhin këto gjëra! E ç’qenka jeta? Një rrymë drite të shtynte të kapërtheheshe edhe me mendimet e tua. Një mistikë tjetër. Fatalitet? Mohim? Kjo që kish ndodhur dukej vërtet e frikshme? Shpatullat e Lutit fërgëlluan si me tërbim. Edhe ai endej midis ëndrrës dhe një realiteti të rënduar gjer në zgrip. Tani edhe ky që erdhi mungonte. Ia ndien erën. Ia kisha frikën broçkullisjeve të tij.  Dhe kthehej në vemje, në sëmundje që ta bënte mendjen ujem, me një fshehtësi si të dërguar kushedi prej ku, enkas ose për ta shëruar plagën, ose për ta malcuar më keq atë. M’u duk se s’do të ngutej dhe do përfitonte nga ngadalësia e hapave të ngushëllimit. Tani mund të mendoje se të gjithë ne në atë dhomë kishim dalë në breg të një errësire ngushëlluese. Të presësh me padurim këtë njeri që ne e dinim se do të vinte si kosëtari pas të vjelash. Pse jo edhe si errësira? I pëlqen vdekja këtij? U bëra gati të ngrihesha, por dora e Lutit më shtrëngoi fort. E mora vesh, gjëmoi dhoma. Më erdhi keq sa s’ka! E keqja! Sa dëgjova lajmin më theri në shpirt! Erdha! Ngushëllime miku im! E tmerrshme! Po ç’t’i bësh? Jeta! Pastaj edhe ai dukej se po jepte shpirt. Rrethanat kanë rëndësi, apo jo?! Nuk thonë kot: tri ditë e në dhè, por ama me moshë! Vajzë e re, e brishtë. Një… Nuk e di… Po pse? Pse?… Dhe ta mendosh që këto kohë kur ende s’po miratojmë dot Vetingun! Edhe protesta mungonte!… Mjaft! Lërini këto! Luti kishte ngritur kokën dhe po dridhej i gjithi. E ula në vendin e tij dhe prita duke u mbushur me frymë në zor të patreguar. Ishte e tepërt për të. Pse duhet të vinte shkurtabiqi zëtrashë deri këtu, kaq larg!? Pse? S’di të them, por dëshirën e tij të papërmbajtur për të folur e kam ende para syve. Dëshirë patologjike, e marrë. Dhe Luti që u bë bishë. Halli i tij e kapërcente gjithçka…
Atë çast erdhën dy burra dhe u tokën me Lutin. Pas tyre hyri dhe një djalë i gjatë, i veshur thjesht. Lotët ia kishin veshur sytë e kaltër.  E pashë me vëmendje. Luti nuk i ngriti sytë. Shikonte si në tym. Djali belbëzoi diçka dhe kërkoi sytë e mi. E ndjeva peshën e tyre. Më bëri shenjë dhe dola pas tij. Mora pak frymë në korridor. Ç’ka ndodhur djalë? Mendova se mund t’i thosha dy fjalë juve… Po? Për Erën… Diçka e tmerrshme. Ishte në ballkon dhe krejt papritur ka rënë. Po?… Ka rënë te këmbë tona. U mblodhën gjithë studentët. E çuam në spital, por kot. Ajo vdiq në duart tona! Sytë e saj më panë thellë dhe fryma e fundit… O Zot!… Nuk mund të ndahesha prej saj në ato momente. Ndaj erdha. Kanë ardhur të gjithë studentët e grupit të saj. Po ç’vlerë ka?… Ajo e humbi jetën. Kaq e papritur, kaq e pamundur për të ndodhur…
Dhe atë çast dëgjova zërin e trashë brenda që po gjëmonte, ndonëse e besoj, që fliste ngadalë, për jetën e bukur të fshatit, për punën e madhe të qeverisë dhe për realizimet e mëdha… I kërkova ndjesë djalit dhe hyra brenda. Luti mbante kokën me duar… Një imazh tjetër, një ëndërr që sfidon vdekjen dhe ndalimin e papërmbajtur të atij zëri që nuk linte të qetë edhe vdekjen. I dridhej buza. Pak i kërrusur, hante veten me dhëmbë dhe dridhej fort nën shpatulla. Burri i shkurtër u largua. Ecte e sikur më kërkonte sytë dhe mua më bëhej se do të thërriste me zërin e fortë. Dikush e tërhoqi jashtë. Erë! Erë… bija ime!… Dritarja e hapur sillte një ajër të lagësht. Burrat mbusheshin me frymë. Po vinte ora të ngriheshim që të kryenim ritualin e fundit. Erë! Rënkoi sërish Luti. Studentët prisnin jashtë. Luti u fut në dhomën e grave, u përkul mbi arkëmort dhe një britmë e thellë ushtoi mbytur nëpër dhomë. Erë!… M’u duk sikur ajo u ngrit në këmbë, veshur me të bardha dhe e përqafoi të atin, duke u rrotulluar të dy në një përqafim mjegulle…
 
Shkurt, 2017

Filed Under: LETERSI Tagged With: MJEGULL DHIMBJEJE, Xhevair Lleshi

David L. Phillips: Evropa po kontribuon në radikalizmin e shqiptarëve

February 24, 2017 by dgreca

Izolimi i kosovarëve, refuzimi që po ia bën në vazhdimësi Evropa shtetit të vetëm në Ballkan pa liberalizim të vizave është duke kontribuuar që kosovarët të kthehen nga Lindja, ndërkohë që fuqi të mëdha si Turqia janë duke e shfrytëzuar këtë mundësi perfekte për agjendat islamike, thotë gjatë një interviste ekskluzive për “Zërin” David Phillips, profesor në Universitetin Columbia të SHBA-së/*

1 David Philips

Identiteti evropian për shqiptarët po bëhet i pakapshëm. Kosovarët janë të ndjeshëm ndaj radikalizmit sepse ata ndihen të refuzuar nga Evropa. Mohimi i udhëtimit pa viza për kosovarët drejt BE-së përkeqëson frustrimin dhe izolimin. Këto kritika të ashpra në drejtim të ndërkombëtarëve i ka bërë amerikani David Phillips, profesor në Universitetin Columbia të SHBA-së, njohës i mirë i çështjes shqiptare, në intervistën dhënë gazetës “Zëri”. Ndonëse e pranon se shqiptarët janë aleatët kryesorë të amerikanëve në Evropë, ai foli për rrezikun e influencës turke e cila po shtrihet në Kosovë dhe në Maqedoni shumë me investimet direkte të Erdoganit.Philips kritikoi edhe politikanët shqiptarë të cilët ua kanë dhënë pasuritë kryesore kompanive turke. Ndërkohë që nënvizoi se ekstremizmi i shqiptarëve i shërben agjendës serbo-ruse. Sipas tij, Turqia është një aleat i pasigurt për SHBA-në, kurse shqiptarët janë aleatët më të mëdhenj të SHBA-së. Megjithatë, sipas tij, shqiptarët po ashtu paraqesin një alternativë për ideologjinë salafiste. Phillips tha se në përgjigje të mendimit islamofobik botëror të Trumpit, shqiptarët mund t’i profilizojnë vlerat e tyre të moderuara properëndimore në mënyrë që të thellojnë miqësinë dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara.

Zëri: Z. Phillips, ju keni shkruar tashmë shumë artikuj dhe libra në lidhje me shqiptarët në Ballkan, posaçërisht të atyre në Kosovë. Cila është tani sfida jonë kryesore?

Phillips: Në Ballkan unë jam duke u fokusuar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Amerikanët dhe shqiptarët kanë një lidhje të veçantë. Ne duhet të punojmë së bashku në luftën kundër radikalizmit islamik, i cili keqpërdor mësimet fisnike të islamit si fe e të paqes për të justifikuar dhunën. Unë gjithashtu punoj ngushtë me kurdët në Siri dhe në Irak për ta forcuar pjesëmarrjen e tyre në përpjekje për të mposhtur “Shtetin Islamik”.

Zëri: Cilët faktorë ndikuan në përkushtimin më të madh të shqiptarëve ndaj fesë?

Phillips: Faktorët e jashtëm janë të rëndësishëm. Turqia ka qenë sistematikisht një eksportuese e agjendës së saj islamike në blerjen e pasurive dhe duke ndikuar te politikanët. Shtetet e Gjirit dhe Turqia kanë qenë dorëgjerë në financimin e aktiviteteve dhe partive politike që kanë për qëllim përhapjen e islamizmit. TIKA, Agjencia e Turqisë për Bashkëpunim dhe Koordinim, ka luajtur një rol të rëndësishëm në financimin dhe restaurimin e strukturave osmane dhe objekteve kulturore. TIKA shpesh ofron grante me para në dorë, duke sponsorizuar një rrjet të xhamive, organizatave me bazë fenë dhe medresetë kuranore. TIKA ofron bursa arsimore për të rinjtë që të studiojnë në institucionet fetare në Lindjen e Mesme dhe në Turqi. Ajo kërkon formimin e një identiteti të ri që bazohet në islamin politik, e frymëzuar nga “Umeti” si një bashkësi islamike mbikombëtare.

Zëri: A ka kontribuuar edhe Perëndimi në rritjen e islamizmit?

Phillips: Evropa dhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu mbajnë përgjegjësi për rritjen e islamizmit në Kosovë. Identiteti evropian është i pakapshëm. Kosovarët janë të ndjeshëm ndaj radikalizmit sepse ata ndihen të refuzuar nga Evropa. Mohimi i udhëtimit pa viza për kosovarët drejt BE-së përkeqëson frustrimin dhe izolimin. Shtetet e Bashkuara gjithashtu duhen fajësuar pjesërisht. Amerikanët dhe shqiptarët kanë një lidhje të veçantë. Megjithatë, Uashingtoni ka lënë pas dore kryesisht Ballkanin Perëndimor gjatë tetë vjetëve të fundit. Roli i zvogëluar i Amerikës ka krijuar një boshllëk të mbushur nga ekstremizmi.

Radikalizmi i shërben agjendës proserbe të Rusisë

Zëri: Cili është mendimi juaj për rolin e Rusisë?

Phillips: Radikalizmi i shërben agjendës proserbe të Rusisë. Përveç promovimit të ekstremizmit ortodoks, unë nuk do të çuditesha nëse Rusia mbështet grupet islamike në mënyrë që t’i ushqejë tensionet dhe t’i shfrytëzojë ndarjet politike në një rajon tradicionalisht proamerikan. Rusia është e njohur për përdorimin e autoritetit të saj për të destabilizuar vendet në një orvatje për të nxitur agjendën e saj nacionaliste dhe proserbe.

Zëri: Ndikimi më i madh duket se vjen nga Lindja, si do ta përshkruanit agjendën e tyre?

Phillips: Turqia është sistematikisht duke eksportuar vlerat islamike të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). Politika e saj e jashtme përdor fenë për t’i avancuar qëllimet politike dhe strategjike. Unë nuk kam asnjë problem me religjionin, por jam thellësisht i shqetësuar në lidhje me islamin politik, i cili në mënyrë aktive kundërshton vlerat laike dhe demokratike. Turqia i ka dhënë mbështetje financiare dhe logjistike “Shtetit Islamik” në Irak dhe në Siri në mes të viteve 2013 dhe 2016, Agjencia e Inteligjencës turke ka operuar në autostradën e xhihadit nga Sanliurfa në Raqqa si një kanal për luftëtarët dhe armët e ISIS-it. Një ligj u miratua duke e cilësuar si vepër penale diskutimin për lidhjet e Turqisë me ISIS-in.

Zëri: Ju keni alarmuar disa herë se Kosova është në rrezik nga ideologjia islamike, si e vlerësoni vendin tonë nga ky këndvështrim?

Phillips: Shumë kosovarë e shohin Qeverinë e tyre si joefektive, të korruptuar dhe të paaftë për t’i përmbushur nevojat themelore të qytetarëve. Ata janë të zhgënjyer. Gjendja e keqe është përhapur.

 Turqia ka ndikim të madh në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoni

Zëri: A mendoni se politika e korruptuar ka ndihmuar edhe në krijimin e ambientit të përsosur për ideologjinë e re islamike?

Phillips: Aeroporti i Prishtinës dhe KEDS-i janë shitur për kompanitë turke me një çmim të volitshëm. Ku shkuan paratë? Pasuritë e njerëzve u janë shitur turqve me të cilët elita politike e Kosovës është tepër miqësore.

Zëri: A mund të bëni krahasimin e këtij trendi në tri vende: Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni?

Phillips: Ndikimi i Turqisë në të gjitha këto tri vende është shumë i madh. Sovraniteti i këtyre vendeve duhet të ruhet si një mburojë kundër agjendës islamike dhe autoritare të Erdoganit. Turqia përfaqëson një model të qeverisjes: të centralizuar, hierarkike dhe diktatoriale pa kontrolle dhe llogaridhënie. Modeli tjetër është më progresiv në bazë të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe pluralizmit politik. Kjo e fundit është mënyra më e mirë për t’i çuar përpara liritë themelore. Ajo është gjithashtu një mbrojtje kundër agresionit serb.

 Zëri: Me përjashtim të Arabisë Saudite, Kosova është e ndikuar edhe nga Erdogani. Ju keni botuar tashmë artikuj për këtë, sa është i madh ndikimi i tij këtu?

Phillips: Investimet e qëndrueshme dhe me qëllim të caktuar nga vendet e Gjirit Persik dhe Turqia e përdorin fenë si një mjet të politikës së jashtme, në mënyrë agresive promovojnë parësinë e identitetit fetar dhe një mënyrë jetese konservatore islamike. Sponsorët e huaj kultivojnë identitetin panmysliman të rrënjosur në parimet e solidaritetit vëllazëror dhe të ushqyer nga zemërimi mbi agresionin kundër sunitëve në Siri.

 Erdogani ka agjendë islamike me shqiptarët

Zëri: Çfarë synon Erdogani duke investuar në xhami dhe në grupe fetare në Kosovë?

Phillips: Investimi kërkon t’i radikalizojë kosovarët për të ndryshuar perceptimet e tyre dhe vlerat themelore duke i kthyer ata kundër Perëndimit.

Zëri: A mendoni se ai ka arritur të futet në politikë me anë të lëvizjes “Besa” në Maqedoni, që do të thotë se ky është qëllimi i tij edhe në Kosovë?

Phillips: “Besa” duhet të jetë transparente në lidhje me të dhënat e saj financiare. Nga ku kanë ardhur paratë për aktivitete të gjera që ia kanë mundësuar lëvizjes “Besa” për të fituar 5 vende në zgjedhjet e fundit? “Besa” nuk është një parti e vërtetë politike në Maqedoni. Ajo është një degë e AKP-së së Turqisë, e cila funksionon si një degë e Vëllazërisë Myslimane.

Zëri: Qeveria e Kosovës ia ka dhënë Erdoganit pasuritë kryesore të vendit – aeroportin dhe shpërndarjen e energjisë. Si e vlerësoni këtë?

Philips: Privatizimi i këtyre pasurive ishte një mashtrim i madh. Kriminelët në të dyja vendet kanë bërë pasuri duke vjedhur atë nga kosovarët.

Zëri: Në anën tjetër, Shqipëria ka lejuar të ndërtohet xhamia më e madhe në Ballkan, pse?

Phillips: Çfarë fiasko. Sekularizmi mbizotëroi për 50 vjet nën sundimin komunist. Pse ky përqafim i papritur i islamizmit? Pse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është tepër miqësor me presidentin e Turqisë, Tajip Erdogan, duke vallëzuar në dasmën e vajzës së tij?

Shqiptarët, miqtë më të mirë të Amerikës nga Evropa

Zëri: Si e sheh Perëndimi Shqipërinë?

Phillips: Unë jam tepër krenar nga aksioni i NATO-s, i kryesuar nga SHBA-ja, që ndaloi pastrimin etnik në Kosovë. Jam gjithashtu krenar se SHBA-ja udhëhoqi në njohje të koordinuar ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Mbështetja ndaj Kosovës ka qenë gjithmonë dypartiake. SHBA-ja nuk ka miq më të mirë në Evropë sesa shqiptarët. Ata janë kokëfortë dhe besnikë. Ne i duam shqiptarët.

Zëri:  Ju keni sugjeruar administratën e re amerikane t’i marrë në konsideratë shqiptarët si aleatët më të rëndësishëm në këtë rajon, pse?

Phillips: Turqia është një aleat i pasigurt. Nëse Turqia kufizon përdorimin e bazës “Air Force” në Inçirlik afër Adana-s në Turqinë Juglindore, SHBA-ja mund t’i zhvendosë operacionet ajrore që synojnë ISIS-in në Irak dhe në Siri në bazën ajrore në Shqipëri. Duke pasur parasysh përafrimin e Turqisë me Rusinë dhe kërcënimin e Rusisë në Ukrainë, Poloni dhe Shtetet e Baltikut, a do të qëndrojë Turqia përkrah NATO-s nëse sulmon Rusia? Sipas Nenit 5 të Kartës së Aleancës, një sulm ndaj njërit është sulm kundër të gjithëve. Ndërrimi i aleancave përfaqëson një kërcënim real për interesat perëndimore dhe SHBA-në.

Shqiptarët duhet të hapin derë tek Trumpi

Zëri: A kanë nevojë shqiptarët për të hapur një kapitull të ri në administratën Trump?

Phillips: Presidenti Trump mbështet një politikë “Amerika së pari”. Për të rritur bashkëpunimin amerikano-shqiptar, shqiptarët do të duhej të pyesin se çfarë ata mund të bëjnë për Amerikën përveç asaj që mund të bëjë Amerika për ta. Shqiptarët nuk duhet të marrin çdo gjë si të gatshme.

Zëri: Si i shihni shqiptarët në të ardhmen, në planin gjeopolitik?

Phillips: Shumica e shqiptarëve janë myslimanë. Shqiptarët paraqesin një alternativë për ideologjinë salafiste. Në përgjigje të mendimit islamofobik botëror të Trumpit, shqiptarët mund t’i profilizojnë vlerat e tyre të moderuara properëndimore në mënyrë që ta thellojnë miqësinë dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara.(Albana Xharra-Zeri)

  • U dergua per Gazeten “Dielli” nga Peace-Building and Human Rights

Filed Under: Politike Tagged With: David L Phillips, Evropa po kontribuon në, radikalizmin e shqiptarëve

MAFIA JONË- MË E LUMTURA NË BOTË

February 24, 2017 by dgreca

Capture-112

By Skënder Buçpapaj/Mafia jonë, në Tiranë, Prishtinë dhe në krejt hapësirën tonë në Ballkan, si dhe celulat e saj të përhapura gjithandej, është mafia më e lumtur në botë, ndërkohë që është mafia e qytetarëve më të varfër, e shoqërisë më të mjerë, e kombit më halleshumë. Pse kështu.

Ne që e kemi quajtur me emrin e saj të vërtetë, 20 e sa vite më parë e në vijim, ndërkohë që ajo po profilizohej si e tillë, e dimë sa zemërim kemi ngjallur te ajo, sa armiqësore ka qenë përgjigja e saj, sa i pamëshirshëm ka qenë kundërveprimi i saj. Ligji i saj është – njëherë i shpallur armik i mafies, gjithherë armik i mafies.

Sepse, në atë moshë të saj, nuk ka akuzë më të rëndë, më dërmuese, më rrënuese për mafien se sa ta thërrasësh atë me emër. I pranon të gjithë eufemizmat, sado të pagjetur, sado të papërshtatshëm, sado joartistikë të jenë ato. Por emrin e vërtetë jo, kurrsesi.

Sepse eufemizmat janë klima më e shëndetshme, më pjellore, më e rehatshme për mafian. Sepse eufemistët janë rritësit dhe selitësit më të mirë të dukurive të tilla si mafia.

Sot të gjithë e quajnë mafie. Të gjithë ata që nuk na duronin ne kur, në kushte krejt të tjera, krejt të pafavorshme, e bënim të njëjtën gjë që ata po bëjnë tash. Të gjithë pa përjashtim.

Mafia jonë, aq sa tronditej kur ne e quanim me këtë emër, aq sa tërbohej, hakërrohej dhe shkumëzonte atëherë, po aq përkëdhelet sot, po aq kapardiset dhe ndihet krenohet sot, po aq llastohet e lazdrohet, kur të gjithë ata që mohonin papushim, sot e quajnë me plot gojën ‘mafie’.

Mafia jonë është e sigurtë se asaj nuk do t’i vijë asnjë e keqe nga një shoqëri si e jona, që ka dalë nga sundimi gjysmëshekullor enverist brenda kufijve shtetërorë dhe nga pushtimi shekullor i Serbisë jashtë kufijve shtetërorë. Shoqëria jonë është e tulatur. Është e traumatizuar gati pa shpresë. Ajo edhe kur reagon, si më 1997, reagon në mënyrë të verbër, reagon kundër vetvetes, e rrënon vetveten dhe përsëri ushqen tentakulat e mafies me tragjedinë që ia shkakton vetvetes.

Një ditë, megjithatë, edhe mafia jonë do të ketë fundin e saj. Por nuk do ta ketë nga ne. Fundin e saj ajo do ta ketë nga disa dukuri që e shoqërojnë atë, që e përbëjnë atë.Mafia jonë është një mafie që vuan përherë e më shumë nga vetëkënaqësia e tepëruar. Në këtë gjendje të sëmurë e çojnë sukseset e pafundme, pa asnjë dështim, fitoret e pafundme, pa asnjë humbje.

Kjo sëmundje e brendshme e çon mafien tonë në një shkëputje gjithnjë e më të madhe nga realiteti. Mafia jonë është përherë e më shumë mes reve, këmbëpërpjetë e kokëposhtë, përherë e më larg realitetit shqiptar.

Mafia jonë është një mafie narciste. Është një mafie e festave të pafundme gala, e sfilatave të pafundme në paradat festive. Me sytë e saj të shtrigosur ajo e han vetveten, duke e kundruar nëpërmjet ekraneve të pafundme të mediave të panumërta, të cilat mbahen ‘live’ ditë e natë, në një reality show të pakufishëm dhe të paprecedent.

Mafia jonë është një mafie ishullore. Ajo është e shpërndarë nëpër pallatet luksoze madhështore në kryeqytete, në zonat bregdetare, në zonat malore, në komplekset private të banimit, të ngjashme me ato që superyjeve të Hollivudit.

Bllokut të dikurshëm i duket vetja i mjerë, kur i shikon blloqet e reja që mbijnë si kërpudhat pas shiut.

Pa dashur, pa kuptuar mafia jonë e fut veten në bunkerë. Sado të ëmbël, sado të ndritshëm, sado parajsorë këta bunkerë të kujtojnë bunkerët e Hoxhës të cilët tashmë po ekspozohen për publikun, ku paraardhësit e mafies e parashikonin të ardhmen e tyre, të mbrojtur nga urrejta konkrete e popullit të vet dhe nga armiqtë abstraktë, imagjinarë.

Si mafie me prejardhje ateiste, mafia jonë nuk ka frikë as nga Zoti.

Nga librat që kemi lexuar, nga filmat që kemi parë, jemi mësuar ta shohim mafian në ankth dhe në makth të përhershëm përballë bëmave të saj, të cilat një ditë do të kenë fundin e merituar. Ato arrijnë të kapin segmente të shoqërisë, të politikës, të shtetit, por nuk e kapin dot gjithë shoqërinë, nuk e kapin dot gjithë politikën, nuk e kapin dot gjithë shtetin. Prandaj ato janë në ankth të vazhdueshëm.

Mafiat e tjera, përkundër të gjithave e gjithçkaje, e kanë vetëdijën se janë të përkohshme, ndërsa populli është i përjetshëm. Mafia jonë është ndryshe. Ajo është e gatshme ta zëvendësojë popullin e vet me gjithkënd tjetër. Përvjet nga njëra anë e kufirit ikin me dhjetëra mijë shqiptarë, në mënyrë të ligjshme. Nga ana tjetër e kufirit ikin me qindra mijë shqiptarë, me pasaporta të vendeve fqinje, në mënyrë të ligjshme, ose pa ato, në mënyrë të paligjshme.

Nga i tillë këndvështrim, mafia jonë është sa tipike në bëmat e saj, aq atipike në sjelljet e saj.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: MAFIA JONË-, MË E LUMTURA NË BOTË, Skender Bucpapaj

NATO dhe e ardhmja e sigurisë euroatlantike

February 24, 2017 by dgreca

Më 23 shkurt 2017, në UBT u mbajtë një Tryezë diskutimi, me temën: NATO dhe e ardhmja e sigurisë euroatlantike/

DSC_1383

1 PllanaMe këtë rast, përveç shumë studentëve të UBT-së dhe të fakultetit të sigurisë në Vushtrri, me Prof.dr.Bejtush Gashin – dekan, Gjeneral Brigade Enver Cikaqi – Komandant i Komandës së Stërvitjes të FSK-së, morën pjesë edhe nikoqiri, Prof.dr.Edmond Hajrizi – Rektor i UBT-së, Prof.dr.Arian Starova – President i “Këshillit Atlantik të Shqipërisë”, Prof.dr.Brook Smith – Windsor – përfaqësues i “Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s”, dhe Gjenerali Giorgio Battisti – Komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës së Ushtrisë Italiane.
Në emër të Universitetit “Hasan Prishtina” të Prishtinës, pata nderin të jem i ftuar dhe të marrë pjesë aktive me një kumtesë shkencore, me titull: Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte karakter humanitar
Në  përfundim të Tryezës shkencore, mysafirëve të nderuar të NATO-s, Prof.dr.Arian Starovës, Prof.dr.Brook Smith – Windsor dhe Gjeneralit Giorgio Battisti – në shenjë respekti për kontributin e tyre dhe, përpjekjet për anëtarësimin e NATO-s në Kosovë, ua ‘dhurova’ nga një libër timin në gjuhën angleze “NATO Intervention In Kosova”.

***

Dr. Nusret PLLANA

Universiteti “Hasan Prishtina”, Prishtinë

 Ndërhyrja e NATO-s  në Kosovë, kishte karakter humanitar/

NATO Intervention in Kosova had humanitarian character/

Abstract:  The war of Kosova Liberation Army was the right war on protection of elementary right of Albanians.  But, in period March-June 1999, in Kosova is exercised un-seen genocide ever from the side of military and police Serbian forces to civil population.  This rightful war and this genocide on everything Albanian set into motion all the sluggish mechanisms of international diplomacy.The preparatory activities of the North Atlantic Alliance, NATO, regarding the military intervention in Kosova, were the first signs of international community who from words and resolutions of diplomacy would soon switch to military actions, which was the only language that the fascist regime of Belgarde would understand.  This period comes more intense with diplomatic actions, but it was also dramatic to the developments on battles on the ground.  Prominent names as:  Holbrooke, Solana, Clark and Albright, were at the center of attention of media worldwide.  However, the Serb regime leaded with Milosevic, did not give up on the colonial occupation of Kosova.

Key words: NATO, military intervention, liberation war, genocide, Rambouillet conference, diplomacy.

Abstrakt:  Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte një luftë e drejtë në mbrojtje të të drejtave elementare të shqiptarëve.  Mirëpo, në periudhën mars-qershor të vitit 1999, në Kosovë po ushtrohej gjenocid i paparë ndonjëherë mbi popullatën civile nga ana e forcave ushtarake dhe policore serbe. Kjo luftë e drejtë dhe ky gjenocid mbi çdo gjë shqiptare, kishte vënë në lëvizje gjithë mekanizmat e fjetur të diplomacisë ndërkombëtare. Veprimtaritë përgatitore të Aleancës Ushtarake Veriatlantike, pra të NATO-s, për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, janë shenjat e para të faktorit ndërkombëtar, i cili nga fjalët dhe rezolutat po kalonte në veprime ushtarake, që ishte e vetmja gjuhë, të cilën e kuptonte regjimi fashist i Beogradit.  Kjo periudhë del më e ngjeshur me veprimtari diplomatike, por edhe më dramatike, sa u përket zhvillimeve të luftimeve në terren. Emrat shpresdhënës:  Holbrooke, Solana, Clark dhe Albright, ishin në qendër të mjeteve të informimi botëror.  Në anën tjetër, pushteti okupues serb, me në krye Millosheviqin, nuk hiqte dorë nga pushtimi kolonial i Kosovës.

Fjalët kyçe:  NATO, ndërhyrje ushtarake, luftë çlirimtare, gjenocid, Konferenca e Rambujesë, diplomaci.

Falë diplomacisë perëndimore të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të vendeve kryesore të Evropës, palët ndërluftuese ishin takuar në Rambuje të Francës, më 6 shkurt të vitit 1999, për t‟i përpunuar hollësitë e një marrëveshjeje që do ta rivendoste autonominë, do t‟i mbronte shqiptarët e Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi, nëpërmjet një operacioni të drejtuar nga NATO-ja. Këto ishin çështjet për të cilat mendohej të bisedohej në Kështjellën e Rambujesë.

Medlin Ollbrajt dhe homologu i saj britanik, Robin Kuk, ndiqnin një politikë të këtillë me vendosmëri.

Pas një javë bisedimesh, të cilat i bashkërendonte ambasadori amerikan Kris Hill, si dhe homologët e tij të Bashkimit Evropian dhe të Rusisë, Sekretarja amerikane e shtetit kishte konstatuar se këto qëndrime kundërshtoheshin nga të dyja palët. Serbët nuk donin ta jepnin miratimin për një forcë paqeruajtëse të NATO-s, kurse shqiptarët e Kosovës nuk donin ta jepnin miratimin pa u garantuar referendumi për pavarësi. Diplomatët perëndimor që udhëhiqnin bisedimet, kishin vendosur ta shkruanin marrëveshjen në atë mënyrë, që të bënte të mundur të shtyhej për një kohë referendumi, por nuk do ta mohonin atë përgjithmonë.

Marrë në përgjithësi, kjo ishte rrjedha e ngjarjeve jashtë opinionit të shqiptarëve të Kosovës, të cilët kishin shumë pak informata se çka ndodhte në Kështjellën e Rambujesë. Mirëpo, pas përfundimit të Luftës së UÇK-së, rrjedha e këtyre ngjarjeve do të shpalohet në gjithë përmasën, edhe nga një kënd tjetër, nga këndi i peshës dhe i përgjegjësisë që mund të merrnin individë të caktuar, në rrethana të caktuara për jetën e një populli. Sekretarja amerikane e Shtetit ka shpaluar një anë tjetër të rrjedhës së këtyre bisedimeve, anën e gjendjes psikologjike të pjesëmarrësve në ato bisedime, përmes së cilës shpalohet për mrekulli e gjithë barra që kishin marrë përsipër pjesëmarrësit e Konferencës së Rambujesë.

Po afrohej dita e ndërhyrjes së NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe në Serbi. Një ditë para se të merrej vendimi, ndërmjetësi amerikan për Ballkanin, Hollbruku, më 23 mars të vitit 1999, tashmë ishte larguar nga Beogradi. Kishte mbetur të jepej urdhri nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, që në atë kohë ishte diplomati spanjoll Havier Solana. Kreu i NATO-s, doemos e kishte mbështetjen e drejtpërdrejtë edhe të administratës amerikane, të cilën e përfaqësonte Sekretarja e Shtetit, Medlin Ollbrajt, por për gjithë rrjedhën e procesit ishte i informuar edhe Presidenti amerikan, Bill Klinton. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, ia kishte dhënë udhëzimet paraprake dhe shumë të qarta gjeneralit Uesli Klark, i cili duhej t‟i fillonte sulmet ajrore. Për të qenë çdo gjë në rregull me procedurat ligjore amerikane, po atë ditë, edhe Senati amerikan kishte dhënë pëlqimin e tij për ndërhyrjen e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë, por edhe ishte miratuar vendimi për dërgimin e trupave amerikane në Kosovë, nëse do të kishte një marrëveshje paqësore.

Mirëpo, si përherë gjatë dy shekujve të fundit, edhe kësaj radhe, Rusia ishte kundër. Përkundër pëlqimit që ishte dhënë nga shumica e vendeve anëtare të NATO-s, si dhe nga Senati amerikan, kundërshtimi i Rusisë nuk dukej shumë problemor. Në qarqet diplomatike evropiane dhe në ato të NATO-s, mund të thuhet se ky shqetësim nuk ishte marrë shumë seriozisht. Përpjekjet e Rusisë mbase ishin të vonuara, ngase kur kryeministri rus, Jevgeni Primakov, ishte nisur për në Shtetet e Bashkuara për ta takuar nënpresidentin Al Gor, para se të zbriste në tokë, nënpresidenti amerikan e kishte informuar se një sulm i NATO-s kundër Jugosllavisë, pritej të niste së shpejti. Kryeministri rus i asaj kohe, Primakovi, edhe sipas kujtimeve të Presidentit amerikan, Bill Klinton, e  kishte urdhëruar pilotin e avionit të tij ta ndërronte drejtimin e udhëtimit dhe të kthehej në Moskë.[1]

Janë interesante fjalët e Presidenti amerikan, Bill Klinton, kur kishte informuar opinionin amerikan lidhur me fillimin e fushatës së ndërhyrjes së NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe në Serbi. Ai ia kishte rikujtuar popullit amerikan, ditën kur kishte filluar ndërhyrja e NATO-s, më 24 mars të vitit 1999, se Milosheviqi dhe shteti serb ua kishin marrë shqiptarëve të Kosovës autonominë e tyre, ua kishin hequr të drejtat që i kishin pasur me Kushtetutë, ua kishin ndaluar për ta folur gjuhën e tyre, për t‟i pasur dhe qeverisur shkollat e tyre, por edhe për të pasur një qeveri të tyre ose, siç ishte shprehur Presidenti amerikan, për t‟u vetëqeverisur.[2]

Përveç këtyre theksimeve, Presidenti amerikan kishte paraqitur para popullit të tij një përshkrim të hollësishëm të krimeve të shëmtuara, që kishin bërë forcat ushtarake dhe policore serbe, siç ishin: vrasjet e civilëve, djegiet dhe rrënimet e fshatrave, nxjerrjet me forcë të njerëzve nga shtëpitë e tyre. Kishte dhënë shifra alarmuese, që nuk e kishin lënë indiferent opinionin amerikan. Kur u thoshte amerikanëve se serbët kishin përzënë nga shtëpitë e tyre, ua kishin rrënuar dhe ua kishin djegur ato, afro 60 000 njerëzve, vetëm gjatë pesë javëve të fundit, kurse kishte më shumë se 250 mijë njerëz që kishin qenë të detyruar të iknin nga shtëpitë dhe vendlindjet e tyre, ishte shumë e qartë se aprovimi i opinionit për ndërhyrjen e NATO-s ishte vendimtar për ato rrethana. Mirëpo, duke qenë i vetëdijshëm se po bëhej një hap shumë i rëndësishëm edhe në historinë e forcave të NATO-s, në përcaktimin e Presidentit amerikan ishte e pamundur të shmangej konteksti i luftërave të përgjakshme që regjimi serb kishte bërë në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci, duke i dhënë përmasë evropiane gjithë asaj tragjedie njerëzore, e cila mbi shqiptarët po merrte format e gjenocidit etnik. Sipas analistëve, por edhe sipas burrave të shteteve që ishin marrë me luftën e Kosovës, fushata e ndërhyrjes së NATO-s kishte tri qëllime themelore:

– Një, t’i tregonte Milosheviqit dhe pushtetit serb se forcat demokratike evropiane ishin plotësisht të vendosura për ta ndalur, qoftë edhe një mundësi tjetër të spastrimit etnik.

– Dy, për ta shmangur një ofensivë edhe më të përgjakshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë.

– Tre, në qoftë se Milosheviqi nuk do të hiqte dorë nga qëllimet e tij, do të dëmtohej seriozisht aftësia ushtarake e ushtrisë dhe policisë serbe.

Sulmet ajrore të ndërhyrjes së NATO-s, që kishin filluar më 24 mars 1999, do të vazhdonin për njëmbëdhjetë javë. Në anën tjetër, makineria ushtarake dhe policore serbe e Milosheviqit do të vazhdonte t‟i vriste shqiptarët e Kosovës, t‟i nxirrte me forcë nga shtëpitë e tyre, t‟i shndërronte në refugjatë afro një milion shqiptarë të Kosovës.

Bombat e forcave të NATO-s do të shkaktonin dëme të mëdha në infrastrukturën ushtarake dhe ekonomike të Serbisë.[3] Por, ishte për të ardhur keq, se në disa raste ato bomba nuk do t‟i qëllonin objektivat e paracaktuara ushtarake dhe policore, andaj do të vriteshin njerëz të pafajshëm, për të cilët ndërhyrja e NATO-s ishte bërë që t‟i mbronte.

Kishte ardhur një moment në zhvillimet e ndërhyrjes së NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë dhe në Serbi, kur duhej të merrej një vendim për të kaluar në një fazë tjetër të ndërhyrjeve. Pra, duhej shtuar arsenali luftarak, si dhe duhej zgjeruar, në momente të caktuara, pjesëmarrja e ndërhyrjes. Atëherë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, nga selia e tij në Bruksel, kishte urdhëruar fillimin e fazës së dytë të operacioneve luftarake të NATO-s kundër makinerisë ushtarake dhe policore të Serbisë. Në këtë fazë të dytë të operacioneve parashihej goditja dhe asgjësimi i mjeteve tankiste të artilerisë, si dhe i tërë makinerisë serbe të luftës, me të cilat forcat ushtarake dhe policore serbe po zhvillonin operacione me përmasë gjenocidi në Kosovë. Mirëpo, kjo fazë ishte zgjeruar edhe në hapësirë, ngase trupat serbe dhe teknika e tyre luftarake, përveç në Kosovë, do të qëlloheshin edhe në Serbi, siç thuhej, deri te paralelja 44, e cila përfshinte edhe qytetin e Kragujevcit.

Me këtë rast, zëdhënësi i Ministrisë amerikane të Mbrojtjes kishte deklaruar se gjatë fazës së dytë të operacioneve të NATO-s, do të vazhdohej edhe më tutje, duke u shtuar sulmet nga ajri.

Gjatë kohës së zhvillimit të operacioneve të kësaj faze, ishte regjistruar edhe një bisedë telefonike e Presidentit amerikan, Bill Klintonit, bërë me kryeministrin britanik, Toni Blerin. Kjo bisedë ishte e rëndësishme, ngase, përveç të tjerash, ishte shprehur vendosmëria për të vazhduar sulmet e NATO-s mbi agresorin serb, deri në arritjen e qëllimit.

Struktura të caktuara të NATO-s, përfshirë këtu edhe zëdhënësin e saj, Xhejmi Shian, ishin të vetëdijshëm për faktin se sulmet nga ajri nuk mund ta parandalonin çdo akt dhune e terrori mbi popullsinë civile shqiptare. Mirëpo, në anën tjetër, ai kishte thënë se shqiptarët do të duhej edhe të vetorganizoheshin, për t‟iu kundërvënë akteve kriminale të forcave ushtarake dhe policore serbe.[4]

Në këtë kohë, në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ende nuk besohej plotësisht se do të kishte ndërhyrje. Pastaj, kësaj dileme ia lëshonte vendin ankthi se si do të dukej ndërhyrja, çfarë do të ishin bombat, si do të reagonte ushtria dhe policia serbe, por edhe si do të mund të mbrohej popullata civile, e cila ishte e pambrojtur.[5]  Në anën tjetër, në selinë e NATO-s dhe në qendrat e tjera botërore të vendosjes bisedohej për të gjitha format e ndërhyrjes. Në ato bisedime të gjata kishte zëra për dhe kundër ndërhyrjes së forcave të NATO-s mbi caqet e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Në kujtimet e tij shumë interesante dhe shumë domethënëse, gjenerali Klark ka dhënë edhe ndonjë moment emocional, edhe si shpalim i psikologjisë së luftës. Duke përshkruar botën e tij emocionale si ushtarak, ai ka dhënë edhe disa detaje të rëndësishme të fuqisë ushtarake të NATO-s, gjatë ndërhyrjes mbi caqet ushtarake serbe në Kosovë.[6]

Përkundër faktit se vendimi për ndërhyrje dukej të ishte i njëzëshëm, në opinionin e vendeve të ndryshme kishte luhatje që herë pas here krijonin huti dhe dyshim. Kishte forca të caktuara, grupe njerëzish dhe individë me shumë ndikim, jo vetëm që ishin kundër këtij veprimi që kishte marrë NATO-ja, por thoshin se rrethanat luftarake do të ishin më të volitshme, nëse do të ishin dërguar trupa tokësore. Nga selia e NATO-s, shpesh nuk arrihej të bindej opinioni i vendeve të ndryshme, pjesëmarrëse në ndërhyrjen e NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe në Serbi. Mekanizmat udhëheqës të NATO-s kishin dy argumente që hidhnin poshtë arsyetimet e dilemave të asaj kohe.

Së pari, në kohën kur ushtarët tanë do të zinin pozicione në numër të mjaftueshëm dhe me mbështetjen e duhur, serbët do të kishin shkaktuar një numër tepër të madh dëmesh.

Së dyti, ndoshta humbjet në radhët e civilëve nga një fushatë nga toka do të kishin qenë më të mëdha, se ato të shkaktuara nga bombat e dala jashtë kontrollit. Në filozofinë e ndërhyrjes së NATO-s, siç dihej, kishte mbretëruar koncepti që të mos bëhej ndonjë veprim, i cili do ta shkaktonte vdekjen e një numri të madh të ushtarëve amerikanë. Në anën tjetër, as kjo arsye nuk ishte bindëse, nëse veprimi i këtillë e rriste mundësinë e fitores. Strategjia e NATO-s për ndërhyrje nga ajri edhe pse do të shqyrtohej e rishqyrtohej shpeshherë, siç e ka thënë edhe Presidenti Klinton në kujtimet e tij, asnjëherë nuk do të braktisej.[7]

Konkluzione

Fushata e ndërhyrjes ajrore të NATO-s ishte një përgjigje e pritur kaherë kundër zhdukjes së një pjese të një populli dhe të lirisë së tij.  Me këtë ndërhyrje NATO-ja po fillonte një mission të ri në kuadër të ekzistencës së vet pesëdhjetëvjeçare, duke krijuar një moral të ri botëror, në të cilin diktaturat fashiste luftohen edhe me armë.  Intervenimi i Aleancës Veriatlantike pati karakter humanitar, ngase e shpëtoi nga çfarosja kolektive popullin e shumëvuajtur dhe liridashës shqiptar.

Bibliografia:

  1. Klinton, Bill. Jeta Ime, Tiranë, 2005
  2. Wesley, Clark. Të bësh luftë moderne, Prishtinë
  3. Pllana, Nusret. Rruga e lirisë, Prishtinë, 2000

[1] Klinton, Bill. Jeta Ime, Tiranë, 2005, fq.714

[2] Klinton, Bill. Jeta Ime, Tiranë, 2005, fq.715

[3] Pllana, Nusret. Rruga e lirisë, Prishtinë, 2000, fq. 16

[4] Klinton, Bill. Jeta Ime. Tiranë, 2005, fq. 715

[5] Pllana, Nusret. Rruga e lirisë. Prishtinë, 2000, fq. 21-22

[6] Clark, Wesley, Të bësh luftë moderne. Prishtinë, 2003, fq. 231-235

[7] Klinton, Bill. Jeta Ime. Tiranë, 2005, fq. 714

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Nusret Pllana, e sigurisë euroatlantike, NATO dhe e ardhmja

Ish-studenti i Arkitekturës në Prishtinë, në kompaninë amerikane “Architects Rule”

February 24, 2017 by dgreca

I diplomuari në UBT, i punësuar në kompaninë amerikane “Architects Rule”/

1 i punesuar amerikanet Ish-studenti i Arkitekturës në UBT, Ledri Mahmuti është duke punuar në kompaninë amerikane “Architects Rule”, me seli në New York, në të cilën ai është i angazhuar si arkitekt i ri, duke u inkuadruar në projekte të shumta ndërtimi.Duke treguar për planet e së ardhmes, Mahmuti tha se koha e kaluar në SHBA, ka qenë një përvojë e mrekullueshme për të.

“Jam shumë i lumtur që më është dhënë mundësia të vazhdoj punën në New York, por pas marrjes së përvojës së nevojshme dhe përfundimit të studimeve master, planifikoj të kthehem në vendlindje, për të shfrytëzuar dhe për të transmetuar përvojën dhe njohuritë tek të tjerët”, thotë ai.Tutje, Mahmuti vlerësoi se UBT ka merita të mëdha për suksesin e arritur.“Programi bachelor i Arkitekturës në UBT, ka qenë i përbërë nga një staf shumë profesional në punën e tyre, ku prej tyre kam mësuar për bazat e dizajnit arkitektonik, jam përgatitur për punë, si dhe për avancim në karrierë”.Para se të shkonte në Amerikë, Mahmuti ka qenë i punësuar në firmën “Learch3D”, në Prishtinë, vend që sipas tij, i ka dhënë mundësinë e parë për të zbatuar në praktikë, njohuritë teorike të fituara në UBT.

Filed Under: Emigracion Tagged With: “Architects Rule”, Ledri Mahmuti është duke punuar në kompaninë amerikane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2176
  • 2177
  • 2178
  • 2179
  • 2180
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT