• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga “Elcot” tek “Archangel-at” e SHBA

December 25, 2016 by dgreca

Sot Forca Detare, 91 vite, 25 Dhjetor 1925 -2016/

1-flota-shqiptare

Nga Shefqet Kërcelli/Zhvilli i Flotës Luftarake Detare në Shqipëri ka ecur paralel me zhvillimet historike, ekonomike dhe ushtarake të popullit shqiptar/

Por ne mund të evidentojmë disa ngjarje më të rëndësishme në këtë ecuri të Flotës dhe detarëve shqiptarë.-Me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912, u bënë përpjekjet e para për organizimin e një flotilje të marinës nga Qeveria e Ismail bej Vlorës, por fillimi i Luftës së 1-rë Botërore e ndërpreu këtë angazhim të qeverisë, si dhe mjaft aspekte të tjera të jetës socialekonomike dhe politike.

-Më 25 dhjetor 1925, mbrijnë nga Italia dy anije 190 tonshe, të cilat u emërtuan me emrat sinjifikativë ”Shqipëria” dhe ”Skënderbeg”. Këto anije u pajisen me efektiva marinarësh dhe u përdorën duke kryer detyra në interes të luftës kundër kontrabandës në brigjet shqiptare. Kjo date shënon dhe Krijimin e Forcave Detare Shqiptare. Bazuar në një punë shkencore, fakte, dokumente dhe kujtime, Shoqata e Historianëve Ushtarakë nën drejtimin e të ndjerit prof.Dr.gjergji Titani, {Ku kam qenë anëtar dhe unë, SH.K} përgatiti data e formimit të Forcave e Shërbimeve të ushtrisë shqiptare nga 28 nëntori i 1912 e deri në v.1990. Në qershor të vitit 1992, parlamenti shqiptar, mbi bazën e studimit të kryer, dekretoi të gjitha datat e Forcave dhe shërbimeve në Ushtrinë shqiptare, ndaj nuk ka vend për hamendësime apo kontestime.

-Më 24.06.1928, u krijua Komanda e Marinës në Durrës, me komandant, kapidan Ahmet Kapidani, dhe u mblodhën rekrutët e pare për këtë armë. Po këtë vit në bazë të një marveshje ndërmjet qeverisë së asaj kohe dhe qeverisë italiane u sollën nga Venecia 5 (pesë) MV “Antisomergibile” të tipit “Elco” Amerikan, të cilat ishin përdorur gjatë Luftës së I-rë Botërore. (v.1917).

-Me dekret të parlamentit, dt.16.11.1929, Struktura e Institucioneve Detare të Mbretërisë përbëhej nga:-Komanda e Marinës, Skuadrilja me Motoskafë patrullimi tip “MAS”, Drejtoria Qendrore Detare dhe Kapiteneria e portit me 5 zyra, në Vlorë, Sarandë, Shëngjin, Himarë, dhe një në liqenin e Pogradecit.

-Më 1934, u blenë po nga Italia edhe dy anije të tjera të lehta, të cilat u emërtuan ”Saranda” dhe ”Durrësi”, të destinuara kryesisht për luftën kundër kontrabandës në bregdetit tonë.(B.Fisher.“Mbreti Zog dhe përpjekjet e tij për stabilizimin e gjendjes në Shqipëri”).

-Pushtimi fashist më 7 Prill 1939, e ndërpreu këtë zhvillim të detarisë shqiptare, e cila po hidhte hapa të rëndësishme për krijimin e strukturave të organizuara me një fizionomi të qartë. Gjatë periudhës së Luftës së 2-të Botërore, pothuajse u rrënua gjithçka nga këto anije. Ndaj, çlirimi i vendit e gjeti Flotën Shqiptare në gjendje të mjerueshme, me pothuajse të gjitha anijet të mbytura në portet, bregdetin shqiptar, italian dhe dalmat.

-Fillimi i vitit 1945, shënoi përpjekjet e para për riorganizimin dhe ringritjen e Forcave Detare. Kështu më 23 shkurt 1945, pranë Komandës së Përgjithshme të UNÇLSH, u krijua Seksioni i Marinës Luftarake me shef seksioni, Kapiten i 1-rë, Abdi Mati. Nga dokumentacioni i kësaj komande vlejnë për tu përmendur urdhërat për thirrjen e oficerëve të marinës në detyrë, urdhër nr.44. dt.30.03.45, për riorganizimin e kantiereve të riparimit dhe funksionimin e kapitenerive të porteve nën kujdestarinë e seksionit të marinës, urdhër nr.82. dt.04.05, “Për rikthimin e barkave shqiptare që ndodheshin në Itali”, etj.

-Më 15 gusht 1945, u bë përurimi i hedhjes në ujë të dy motoskafeve trofe me numër MS-10 dhe MS-12. Këto motoskafë u armatosën me mitraloz të lehtë dhe filluan patrullimin në ujërat tona bregdetare.

-Në prill të 1946, u krijua Komanda e Marinës, kurse në Shëngjin, Durrës, Sazan, Vlorë dhe Sarandë, krijohen grupet e ABD-së që vareshin prej saj. Në kuadrin e riorganizimit të MM, në shtator të v.1946, suprimohen Komandat dhe seksionet, midis të cilëve edhe seksioni i Marinës, pasi u krijua Drejtoria e Mbrojtjes Bregdetare.

-Periudha e mëvonëshme ka qenë një periudhë intensive, ku u punua për zhvillimin e FLD, duke shfrytëzuar edhe konjukturat politike të kohës. Bëhet fjalë për lidhjet e bashkëpunimin në shumë fusha me vendet e ishkampit socialist.

–Më 25 shtator 1957, u krijua Shërbimi Hidrografik si strukturë tekniko-shkencore për

sigurimin hidrolundrimor dhe të veprimeve luftarake, i cili përgatiti e ngriti një varg fenerësh në gjithë bregdetin. Ai njëkohësisht filloi përgatitjen e hartave detare shqiptare. U ngritën e modernizuan mjaft pika sinjalo-vrojtuese dhe u pajisën ato me një rrjet të gjerë radiollokatorësh.

–Më 21 shtator 1958, u krijua Brigada e Nëndetseve, {BrND}. ND e 1-rë, (Ëhiski 613 C, Stuhia), ND e 2-të, (Rrufeja), ND e 3-të, (Vetëtima), ND e 4-të, (Tufani),

–Më 1959, filloi nga puna Ofiçina e Riparimit të Anijeve ne Pashaliman.

–Në vitin 1961, me VKM Nr.381, date 28.10.1961, në Vlorë u hap shkolla e Marinës, sot Shkolla e Trupës,{seksioni detar}, e cila për mbi 4 dekada, ka luajtur rol kryesor në përgatitjen dhe furnizimin e FLD, FDT e NSH të Peshkimit, me qindra kuadro oficerë e specialistë, komandues e navigatorë, duke treguar një përgatitje e nivel të lartë profesional.

-Periudha e viteve 1961-1980, shënoi zhvillimin e mëtejshëm të FLD, krijimin e vendbazimeve të reja dhe disa reparteve të KS, kompletimin me anije luftarake moderne të kohës. U ngritën dhe modernizuan mjaft Pika Sinjalo-Vrojtuese me një rrjet të gjerë radiollokatorësh.

–Më 21 shkurt 1968, FLD ju shtuan KS të projektit të ri “Huchuan Pr 66-25”, të ardhur nga Kina.

-Periudha e viteve 1980-’90, mund të konsiderohet si periudha e vijueshmërisë së

lundrimeve, mbijetesës në drejtimin e sigurimin e gatishmërisë teknike të anijeve mbiujëse e nënujëse. Një kontribut të madh në këtë drejtim ka dhënë edhe Kantieri Detar i Riparimit të anijeve në Pashaliman.

-Mbas viteve ‘90, për FD shtrohej detyra e ristrukturimit, rikonceptimit të reparteve të saj për një integrim të natyrshëm me strukturat e NATO-s dhe BE. Në këtë periudhë vlen për tu theksuar mbështetja që dhanë efektivat e FD për proceset demokratike në vend, falë pjekurisë politike, shpirtit atdhetar e demokrat të kuadrove e efektivave të FD. U rrit në mënyrë të ndjeshme bashkëpunimi me Flotat e vendeve të NATO-s, ku u zhvilluan me sukses mjaft stërvitje të përbashkëta si “SAR-EX-1”, “SAR-EX-2”, “MAR-EX-1”, “MAR-EX-2” etj, në të cilat kuadrot tanë treguan një nivel profesional të vlerësuar nga partnerët.

– Në mars 1993, bazën e Kepit të Palit e vizitoi ishsekretari i Mbrojtjes i NATO-s,

Manfred Vërner.

-Ngjarjet tronditëse të marsit 1997, shkaktuan në repartet e FMD, dëme shumë të mëdha e gati të pallogaritshme. Pjesa më e madhe e anijeve me qëllim që ti shpëtonin valës të shkatërimeve lundroi e u strehua në Brindizi të Italisë. Sipas marveshjes së përbashkët të dy shteteve, pas riparimit të tyre u kthyen në Shqipëri. Gjysma e dytë e vitit 1997 dhe viti 1998 shënoi një etapë ringritje dhe riorganizimi të reparteve të FD pas dëmeve të pësuara. Kështu pas një pune intensive, falë përkushtimit maksimal të kuadrove e efektivave të FD, u bë e mundur ringritja dhe funksionimi i DD të Durrësit e Vlorës, si dhe BnD Sarandë e Shëngjin. Vlen për tu përmendur në këtë proces ringritjeje, ndihma e partnerëve tanë perëndimorë si SHBA, Itali, Turqi, Greqi, etj.

-Më 1998, si rezultat i kohës së gjatë të përdorimit, pas një veprimtarie 40-vjeçare, dolën jashtë stukturave luftarake të FD-së, të 4 ND-et e saj.

-Në mars të vitit 1999, me ndihmën e Departamentit të Shtetit të SHBA, FD u pajisën me 5 motovedeta patrulluese, (3 copë të klasit-65foot, dhe 2 copë-46 foot), të cilat u bënë protogoniste të operacioneve SAR dhe zbatimit të ligjshmërisë detare në këto 15 vite.

-Në 2002, me kontributin e qeverisë italiane, pas miratimit të Ligjit të Rojes Bregdetare

Shqiptare, Nr.8875, (dt.04.04.2002), FD u pajisën dhe me 6 motovedeta (MV të klasit 200 foot) nga Italia, të cilat së bashku me MV amerikane rritën aftësitë operacionale të Rojes sonë Bregdetare në luftën dhe përpjekjet kundër trafiqeve të paligjshme në det.

-Në shkurt 2007, filloi puna për instalimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, (SIHVD), projekt i zbatuar nga firma prestigjioze Amerikane “Lockheed-Martin”.

-Më datën 5 Shtator 2008, në molin nr.5 të Portit të Durrësit u zhvillua ceremonia e përurimit të anijes “Iliria”, P-131, e cila mbërriti në Shqipëri në kuadër të zbatimit të kontratës me Kompaninë Hollandeze “Damen Shipyards”.

-Në mars 2009, mbasi u zhvilluan provat finale, u mor në dorëzim nga përfaqësues të MM e FD, Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare, i instaluar nga specialistët e kompanisë “Lockheed Martin”, i cili aktualisht përbën asetin më të rëndësishëm të zbulimit e vëzhgimit të hapësirës sonë detare, për të gjitha ministritë tona që mbulojnë kufirin blu.

-Më datën 2 shtator 2010, në portin e Durrësit u zhvillua ceremonia e marjes në dorëzim të 3 anijeve patrulluese “ARCHANGEL”, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA. Në sajë të parametrave teknikë dhe ushtarakë “ArchAngel” janë në gjendje të zhvillojnë operacione të suksesshme për zbatimin e ligjshmërisë detare si dhe operacione SAR.

-Gjatë këtyre viteve, me mbështetjen e partnerëve tanë te NATO-s, veçmas SHBA, si dhe nën kujdesin e qeverisë dhe popullit shqiptar, Forca Detare ka bërë hapa para për realizimin e misionit kushtetues, mbrojtjen dhe zbatimin e ligjshmërise detare, mbajtjen në kontroll të kësaj hapësire nëpërmjet Sistemit të Ri të Vëzhgimit të saj si dhe krijimin e kapaciteteve te nevojshme operacionale për planifikimin dhe zhvillimin e operacioneve humanitare në ndihmë të komunitetit. Duke mbajtur një prezencë të përhershme dhe aktive në det, Forca Detare është tashmë një aktor i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga opinioni, shteti shqiptar dhe partnerët tanë. Ndërkohë anëtarësimi i vendit tonë në NATO, solli nevojën e një teknologjie ndërvepruese e efikase me partnerët e FD dhe hartimin e një plani modernizimi racional, mbështetur në burimet ekonomike që afronte shteti shqiptar. Ky plan transformimi pёrfshiu modernizimin e FD me sisteme, pajisje e mjete detare, të shtrira në plane afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, ku prioritet ka qenë kompletimi me mjete të reja që kryejnë misionin e Rojes Bregdetare. Në dekadën e fundit pajisja e FD me katër anije patrulluese të mëdha, në kuadër të zbatimit të kontratës me Kompaninë Hollandeze “Damen Shipyards”; me Motovedeta të shpejta dhe anije antindotje, dhuratë e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA dhe qeverisë italiane; ndërtimi i Sistemit të Vëzhgimit tё Hapësirës Detare nga firma prestigjioze Amerikane “Lockheed-Martin”, pajisja me sisteme tё vёzhgimit natёn dhe sistemin AIS të anijeve të Rojes Bregdetare, përmirësimet infrastrukturore të vendbazimeve detare, etj. janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore të Forcës Detare. Në këtë kuadër projekti më i rëndësishëm për modernizimin e FD, ishte nënshkrimi më 13 nëntor 2007, i marëveshjes për pajisjen e FD me 4 anije Patrulluese STAN PETROL-4207. Ky projekt bëri të mundur që 6 vjet më parë më 5 Shtator 2008, në molin Nr.5 të Portit të Durrësit të bregëzohet anija ”Iliria”, (P-131), një trashëgimtare e denjë e ”Liburnes” dhe ”Lembes” ilire. Në vijim më 14 Maj 2009, filloi ndërtimi i anijes ”Oriku”, (P-132), e cila u lëshua në ujë më 13 shtator 2011 dhe më 3 dhjetor 2012, u lëshua në ujë anija e tretë, (P-133) ”Lissus”. Ndërkohë më 8 prill 2014 u lëshua në ujë anija e katërt, ”Butrinti” (P-134), që shënon dhe përfundimin e këtij projekti.

-Ndërkohë nga fillimi i muajit nëntor 2016, anija ”Oriku” u angazhua në operacionet e NATO-s në detin Egje, që shënon një histori të re për Forcën tonë Detare, atë të pjesmarrjes në operacionet detare jashtë ujërave tona territoriale.

Modernizimi i FD me pajisje, sisteme dhe anije për të zëvendësuar teknikën e vjetër me teknikë moderne e bashkëkohore, të ndërveprueshme me NATO-n, me qëllim rritjen e kapaciteteve operacionale për realizimin e misionit dhe detyrave të përcaktuara në ligj, janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore e transformuese të këtyre viteve të fundit. Theksojmë se historikisht, përbërja, struktura dhe mjetet që kanë pasur në dispozicion Forcat Detare kanë ecur paralel me zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit dhe mundësitë financiare të shtetit shqiptar, një mbështetje e cila ka qenë e vazhdueshme në këto 91 vjet ekzistence.

Të zgjeruar historinë e Flotës Luftarake Detare shqiptare e gjeni në librin :1-histori

-“Antologji e detarisë shqiptare”, pjesa e 1-rë, nga lashtësia deri në v.1960.

-“Antologji e detarisë shqiptare”, pjesa e dytë dhe e tretë, nga v.1960 deri në v.2012.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 1925 -2016, 25 Dhjetor, 91 vite, Forca Detare, Shefqet Kercelli

VECOJME: 2 FSHATRA MUSLIMANE DHE 2 KATOLIKE TE VAUT DEJES,FESTOJNE BASHKE

December 25, 2016 by dgreca

NGA AHMET ZANI/1-santa-me-2-femije4-me-kalin-e-babagjyshit3-santajpg
5-turma
E veçanta e festimeve në ditë e Kirshtilndjeve ndodh në katër fshatra të Shkodrës dhe pikërisht atë në Vau i Dejës. Janë dy fshatra të besimit musliman dhe dy të tjerë Katolik dhe e përbashkët është se harmonia fetare vijon të mbetet trashëgimi duke festuarnë mënyrë të përbashkët të gjitha fetat fetare. Dhe kjo nuk do t’i mungonte në ditën e Kirshtëlindjeve, madje në një mënyrë ndryshe nga të tjerët, jo vetëm nga atmosfera festive , por çka është e rëndësishme harmonia fetare. Të rinjtë nga katër fshatrat. Dejë, Shelqet,Mjedë dhe Spathar do të organizohem nga iniciativa e tyre në mënyrat e tyre festive me qëllim të përçojnë tek të gjithë familjet atmosferën festive, ndërsa babagjyshi Pashku Drini emocionon tërë komunitetin me ëmblëmen e tij tradicionale duke dhuruar për të vegjlit dhuratat e grumbulluara posaçërisht nga banorët apo dhe bizneset vendase. 1-rruga
 Të rinjtë e fashatrave të kësaj zone nisin rituatlin e marshimit drejt qendrës ku kanë përfunduar ritet fetare në mesditë, pjesë e cila harmonizon besimtarët në kryerjen e vizitave, atëherë mjeti i improvizuar i shoqëruar nga babagjyshi dhe shoqëruesit bashkohen grupit të banorëve, dhe më së shumti të vegjlit që presn dhuratat.
Mjaft inreresante është dhe tryeza e improvizuar pranë qendrës nga prodhimet dhe pijet vendase, ku festohet bashkarasiht me mjaft atmosferë Krishtlindje si dhe të gjitha festat ne katër fshatrat.
 Sheqet, Dejë, Mjedë dhe Spathar janë shembull pozitiv i harmonisë fetare, që duhet preferuar me urimin e përbashkët gezuar festat një risi për të gjithë shqiptarët.

Filed Under: Featured Tagged With: dy fshatrat, festojen bashke, Krishtlindjet, Vaut dejes

FIBRA MORALE E SHOQËNISË NË SH.B.A TREGON VITALITETIN E VET

December 25, 2016 by dgreca

48-repishti-300x212Nga Sami Repishti/Ridgefield ,CT. USA.- “Në se Myslimanët  detyrohen me u rregjistrue (si persona të dyshimtë) ne, të gjithë do të regjistrohemi”./

   Kjo deklaratë e guximshme dhe fisnike u ba në mbledhje të ndryshme ndër-fetare, mbas nji serie aktesh vandale, të konsiderueme si “krime të urrejtjes” kryesisht kundër popullsisë myslimane, me nji herë mbas fitores së kandidatit republikan Donald J. Trump. Si rrjedhim, Myslimanët, Izraelitët dhe të Krishtenët po bashkohen në grupe të organizueme me kundërshtue çdo hap diskriminues kundër cilësdo palë që kercënohet.

  Grupe të përbashkëta formohen dhe koalicione ndër-fetare krijohen çdo ditë. Në radio-televizionet amerikane, figura të shqueme të botës politike deklarojnë haptazi se “të gjithë do të rregjistrohemi. Kështu që Policia nuk do të jetë në gjendje me veprue”. Gratë myslimane dhe izraelite bajnë mbledhje të përbashkëta me u organizue kundër ekstremizmit që rrezikon shoqëninë amerikane nga nji formë e re neo-fashiste. Zonja izraelite nga Kalifornia Mahela Morrow-Jones që ndihmon në krijimin e grupit të parë të përbashkët të Motrave në Santa Barbara deklaroi: “Në qoftë se myslimanët detyrohen me u rregjistrue, të gjitha ne do të rregjistrohemi”.

    Zonja myslimane Vaseem Firdau, nji managjere e Exxon-Mobil Corporation tha: “Tue dëshmue këto zhvillime njeriu nuk e ndien veten të pashpresë. Kjo veprimtari ashtë ushqim për shpirtin. Megjithate janë 60 miljonë persona që votuen për Trump-in…Kjo nuk më frikëson, por duhet të kemi nji plan veprimi”.

   Nji aspekt shumë i randësishëm i kësaj veprimtarie qytetare në sherbim të demokracisë liberale amerikane ashtë aktiviteti i shtypit amerikan. Gazetat ma të njohuna në këte vend kanë marrë nji qendrim të premë kundër valës së urrejtjes së krijueme nga fushata elektorale.

  Ma poshtë do të lexoni nji artikull që kërkon qetësimin e shpirtënve të qytetarëve të acaruem nga propaganda negative, si model i përpjekjeve me sigurue zhvillimin e pandërpremë demokratik të Shteteve të Bashkueme të Amerikës, me kultivim të tolerancës fetare, dhe afrimin e besimtarëve myslimanë e të krishtenë. Myslimanë, izraelitë, të krishtenë janë të bashkuem se vetëm nji rezistencë e organizueme ashtë përgjigja ma e mirë kundër akteve të urrejtjes, sidomos urrejtjes fetare. Fryma e kësaj lëvizje popullore ashtë mirëkuptimi për mendimet e tjetrit, respekti i ndërsjellë, dhe bashkëveprimi i organizuem.

                                                      ***           

  NJI  “GËZUAR  KRISHTLINDJA”  MYSLIMANE

(Nga:Mustafa Akyol. Author i librit “The Islamic Jesus; How the King of the Jews Became a Prophet of the Muslims” (“Jezusi Islamik; Si u ba Mbreti i Jahudijëve nji Profet për Myslimanët”)  

   Istanbul,(Turkey)-Miliarda të krishtenë rreth e rrotull botës janë të ndezun nga  dëshira me festue Krishtlindjen këte w eek-end. Ata të bashkësisë  së besimit të dytë fetar nga numri, Myslimanët, nuk e bashkëndajnë të njajtin entuziazëm. Në nji numër të vogël vendesh, si p.sh. Arabia Saudite, Brunei dhe Somalia, festimet e Krishtindjes janë të ndalueme. Në Turqi, vendi i im, ata nuk janë të ndalueme, por disa grupe islamike akoma organizojnë protesta kundër Krishtlindjes, pemët dhe veshjet e Plakut që bien dhurata, e shikohen si imponim i botës perëndimore.

   Ndërkaq, shumë të tjerë myslimanë rreth e rrotull botës kanë të drejtë që festojnë Krishtlindjen në shtëpitë e komshijve si dhe bashkëndajnë ditën e shenjtë. Nga këto, kujtoj pronarët e nji restauranti turk në Londër që vendosi të ofrojë dreka e darka falas për të vorfënit pa strehë dhe për pleqtë për Krishtlindje si dhe nji tregtar mysliman në Bagdad që vendosi nji pemë të Krishtlindjes në solidaritet me të krishtenët që persekutohen nga i vetëquejtuni ‘Shteti Islam’

.  Myslimanët që respektojnë Krishtlindjet kanë të drejtë, por jo vetëm sepse respektimi i besimit të tjetrit ashtë në vete nji virtyt. Ata kanë të drejtë sepse Krishtlindja ashtë festimi i mrekullisë së lindjes së Jezusit, që ashtë nji temë e fuqishme jo vetëm në Testamentin e Ri por edhe në Kuran.

  Dy kapituj të Librit të Shenjtë Mysliman japin hollësina mbi lindjen e Jezusit, hollësina që janë mjaft afër tregimit në Ungjillin simbas Lukës.

  Ashtu si e tregon Kurani, nji ditë, Engjëlli i afrohet Marijes dhe i thotë se Zoti ka vendosë me i dhurue asaj “nji djal të pastër”. Maria përgjigjet:” Si ashtë e mundun që unë të lindi fëmi me qenë se asnji burrë nuk më ka prekë?” Engjëlli spjegon:” Zoti krijon çdo gja që Ai dëshiron”. Atëherë, “Zoti kaloi tek Maria frymën e shpirtit tonë,” e ajo  u ba me barrë me Isan, ose Jezusin.

   Ka, pa dyshim, mënyra se si tregimi mysliman i Jezusit ndryshon nga versioni kristian që festohet në Krishtlindje. Testamenti i Ri tregon se lindja e Jezusit ka ngja në Bethlehem, në grazhdin e nji hoteli (hani) ku Maria ishte bashkë me burrin e saj, Jozef. Në Kuran, Maria ka lindë Jezusin në “nji vend të largët” krejtësisht e vetme, dhe nen nji pemë palme. Ashtë interesante me shenue se tregimet gjinden edhe në ungjillet apokrifale të lindjes, si dhe në zbulimet e reja arkeologjike që korrespondojnë me versionin e Kuranit për ngjarjen.

   Ajo që ashtë themelore, Kurani ndryshon nga Bibla për divinitetin e Jezusit. Për myslimanët, Libri  Shenjtë ngulë kambë se Ai (Jezusi) ka qenë nji qenie njerëzore dhe nji profet. Herë mbas here, Kurani përcakton Jezusin si “Mesia”. Ashtu si paraqitet Mesia në Judaizëm: nji shërbestar i jashtëzakonshëm i Zotit, e jo si Zoti i mishnuem si njeri. Jezusi i Kuranit gjithashtu ashte dergue për popullin e Izraelit, e si “konfirmim i Torah” dhe ngulë kambë në nji monoteizëm të rreptë. Jezusi i Islamizmit, mund të thuhet, ashtë ma shumë nji Jezus Hebraik.

 Sidoqoftë, Islamizmi dhe Krishtënimi bashkëndajnë shumë aspekte në adhurimin e tyne per Isanë dhe Meriemen, Jezus dhe Marie. Myslimanët janë, në fakt, i vetmi popull jo-kristian në botë që besojnë se Jezusi ka lindë nga nji nanë virgjineshë.

   Për shekuj me rradhë, Myslimanët kanë pranue këte version si të vertetë ashtu si shkruhet. Studjuesët e Kuranit gjatë Mesjetës kanë debatue hollësina si për shembull, si ashtë e mundun që Zoti kaloi “frymën” tek Maria, tue pranue si të vertetë se virgjënia e Maries ka qenë nji akt i Zotit. Sayyid Qutb, fundamentalisti egjiptian i shekullit 20 përshkruen barrën e Miriamit si “ngjarja ma e çuditshme e njerëzimit në të gjithë historinë që kemi  dëshmue”.

   Në vitin 2002, në nji libër të shkruem si kritikë e Islamizmit, nga Emir F. Caner dhe Ergut M .Caner, dy turq të konvertuem në Krishtënim dhe që u banë ministra të Southern Baptist Church, argumentojnë se Myslimanët janë ma shumë të krishtenë në këte pikë se janë “të krishtenët liberalë”, të cilët kërkojnë interpretime metaforike të kësaj mrekullie të mahnitëshme.

   Me rritë edhe ma shumë natyrën e jashtëzakonshme të Jezusit, Kurani e quen ate (Jezusin) “Fjala e Zotit”. Shkollarët myslimanë kanë qenë të habitun nga kjo terminologji që Kurani nuk e përdorë për asnji tjetër figurë. Teologët e krishtenë kanë qenë të çuditun, gjithashtu, sepse kjo të kujton Ungjillin simbas Gjonit, i cili përcakton Jezusin si Fjala e Zotit, e “bahet njeri dhe ec në mes nesh”.

   Interpretimi i këtyne paraleleve ndërmjet Kuranit dhe burimeve të herëshme kristiane varet pjesërisht nga feja e interpretuesit. Të krishtenët mund të mendojnë se islamizmi ka huazue prej tyne. Myslimanët, nga ana tjetër mund të mendojnë se shumë tregime nga krishtenimi kane parapri  ato të tyne. Ajo për të cilën na të gjithë jemi dakord ashtë se këto dy besime të mëdha abrahamike, me gjithë konfliktet e ashpra në mes tyne, kanë shumë gjana të përbashkëta. Këte vit, me tensionet në mes Myslimanëve dhe të Krishtenëve në Europë, Shtetet e Bashkueme dhe vende tjera  me tensione gjithashtu, nji ngjashmëni e këtill meriton të kujtohet.

  Populli i Arabisë Saudite dhe Brunei që pengojnë  festimin e Krishtlindjes pa asnji dyshim janë gabim. Edhe sikur kjo të mos ishte nji festë myslimane, nuk ka asnji arsye të ofendojmë Krishtlindjet. Lindja e mrekullueshme e Jezusit- profet, Mesia, dhe “Fjala e Zotit”- nuk duhet të ofendojë asnji mysliman. “Salamu-alejkum”, ose “Paqa Qoftë mbi Ju” për myslimanët duhet të shoqënohet me urimin e komshijve të krishtenë me 25 dhetor, pa hezitim, gjithashtu me urimin “Gëzuar Krishtlindjen!”

  (Marrë nga gazeta The New York Times, 22 dhetor 2016)

———————————————————————————————————

(Përktheu nga  anglishtja Sami Repishti)

=================================================================

Filed Under: Analiza Tagged With: FIBRA MORALE E SHOQËNISË, NE SH.B.A, Sami repishti

Faslli Haliti ne Sofren Poetike te Diellit: Bisede me Jezusin

December 25, 2016 by dgreca

SOFRA POETIKE E DIELLIT: FASLLI  HALITI/

1-faslli-haliti-188x300

  1. HALITI:VIZ. S.KAMBRI “ARTIST I POPULLIT”/

MJAFTON/

Zoti Jezus !/

Mund të bisedohet me Zotin:/

Në rrugë?/

Në pyll,/

Apo në diell/

Në breshër apo në shi,/

Nën qiell të kaltër apo në erë?/

Me Zotin,

Perëndinë,

Bisedohet kudo

Jo vetëm në kishë, biri im.

Zoti Jezus !

Nga të eci unë?

Të eci djathtas

Apo majtas,

Para,

Apo prapa,

Lart apo poshtë?

Në të gjitha drejtimet, ec,

Nëse shkon në takim me Zotin

Nëse je besimtar pios, ithtar i vërtetë …!
NA DUHEJ ARDHJA E TIJ  

Papa i shenjtë!

E kënaqi,

E gëzoi popullin

Shenjtëria,

E lumturoi me shenjtërinë e tij

U la me dush rrezesh shenjtërie Shqipëria.

Papa

Na uroi

Paqe.

Ne u grindëm.

Papa na uroi dashuri.

Ne urryem njeri-tjetrin fill pas ikjes së tij.

«Bukën tonë të përditshme falna Zot»

Papa iu lut Zotit edhe për ne,

Por qielli dhe toka

Janë  

Në recesion,

Në krizë.

Të varfëritë, të papunët

E marrin prapë bukën me listë.
Dhjetor 2016

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bisede, Faslli Haliti, me Jezusin, ne Sofren Poetike te Diellit

Presidenti uron shqiptarët për Krishtlindje

December 25, 2016 by dgreca

Nishani:: Të mposhten urrejtjet, vlerat njerëzore të mbizotërojnë kudo/

presidenti-i-republikes-bujar-nishani-1-300x2004-300x2008-300x200

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e Festës së Krishtlindjeve.“Me rastin e Festës së shenjtë të Krishtlindjes, kam kënaqësinë dhe privilegjin të shpreh urimet e mia më të mira e të përzemërta për të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë kudo ndodhen! Një ditë e tillë aq e veçantë që përkujton lindjen e Krishtit, shënon një ngjarje të madhërishme për besimtarët e krishterë anë e mbanë botës, e cila për nga veçantia e saj i ka përcjellë mbarë njerëzimit për më shumë se dy mijë vjet mesazhin e ripërtëritjes së shpresës për një të ardhme më të mirë e më të sigurt në paqe dhe në begati.

Si çdo vit, edhe sivjet, ky kremtim i shenjtë përjetohet e festohet nën tingujt e ëmbël të kambanave, në dritën flakëruese të qirinjve si dhe përmes lutjeve të përdëllyera të besimtarëve si zanafilla e një të ardhmeje më të shndritshme e më optimiste, e cila u jep jetë fryteve të dashurisë njerëzore e shpirtërore, të paqes, të durimit, të besimit, të vëllazërisë e të dhembshurisë për më të pafatët e të vobektit. Këto virtyte dhe qëllime të mira njerëzore si dhe paqja e bekimet e Perëndisë dhe të Birit të saj gjenden me shumicë edhe në zemrat e besimtarëve shqiptarë. Në këtë ditë feste të veçantë, në cilësinë e Kreut të Shtetit uroj që ato të triumfojnë jo vetëm në kisha dhe vende të shenjta apo në jetën tonë të përditshme, por edhe anembanë botës me qëllim të mposhten urrejtjet e pajustifikuara, ekstremizmat e ndasitë fetare të pabaza, në mënyrë që besimi tek Zoti si dhe tek vlerat më të pastra e të përdëllyera njerëzore të mbizotërojnë kudo e të na ndriçojnë rrugëtimin tonë shoqëror!

Ju uroj nga thellësia e zemrës një Festë Krishtlindjeje sa më të mbarë, shëndet, mbarësi dhe çfarë t’ju dëshirojë e bardha zemër! Gëzuar dhe përshumëvjet Krishtlindjet!”

Filed Under: Politike Tagged With: per Krishtlindje, presidenti Nishani, uron shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2303
  • 2304
  • 2305
  • 2306
  • 2307
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT