• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-LDK feston 27 vjetorin e themelimit

December 23, 2016 by dgreca

1-shtepia-e-rugoves

-Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992/

1-ldk

PRISHTINË, 23 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Feston sot 27 vjetorin Lidhja Demoratike e Kosovës, e themeluar në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë.“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është themeluar LDK, e të shndërruar edhe në seli të institucioneve të Republikës së shpallur me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990. “Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi edemokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në dhjetor 2002.Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër.Që në atë kohë, Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallnin idenë për shtetin e Kosovës, ndërsa theksonin se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”.Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992.Me rastin e 27 vjetorit të themelimit Lidhja Demoratike e Kosovës sot në mësditë mbanë një manifestim festiv, ndërsa paradite kryetari i kësaj partie, njëherësh dhe kryeministër i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa me anëtarët e Kryesisë së LDK-së, i bënë homazhe Presidentit historik Ibrahim Rugova.

Filed Under: Kronike Tagged With: 27 vjetorin, Behlul Jashari, E THEMELIMIT, LDK feston

Kuvendi i Kosovës miraton Buxhetin e Shtetit

December 23, 2016 by dgreca

-Sot në seancë për adresimin e Presidentit të Republikës/

2-thaci

-Pritet seancë edhe për murin në veri të Mitrovicës/

PRISHTINË, 23 Dhjetor 2015-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kuvendi i Kosovës në një seancë të zhvilluar pas mesnatës së kaluar miratoi me shumicë votash Buxhetin e Shtetit për vitin 2017 prej më shumë se 2 miliardë euro.Ishte kjo seanca e dytë e veçantë për Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, pas miratimit në parim në mbrëmje në përmbyllje të seancës së zhvilluar gjatë ditës, ku fillimisht me shumicë votash u vendos që të renditet pikë e parë dhe të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar.Kuvendi i Kosovës u mbledh sot edhe në një seancë tjetër të veçantë në mesditë me të vetmen pikë në axhendë adresimin vjetor të Presidentit të Republikës Hashim Thaçi deputetëve.“Është kënaqësi të ndjek hapat e presidentëve të mëparshëm të cilët i shërbyen Kosovës me tërë qenien e tyre, duke u bërë shembull se si duhet të punojmë për vendin tone”, u shpreh ai.“Ju ofrojmë bashkëpunim institucioneve vendore e partnerëve ndërkombëtarë për forcimin dhe zhvillimin e vendit tonë, që të jemi krahë për krahë me botën e qytetëruar”, theksoi Presidenti Thaçi.Pasditën e sotme Kuvendi, sipas vendimit që mori dje me shumicë votash, do të zhvillojë edhe një seancë debati parlamentar për çështjen e ndërtimit të murit në mënyrë ilegale në pjesën veriore të Mitrovicës.Gjatë ditës së sotme Kuvendi i Kosovës është paralajmëruar të vazhdojë edhe seancën e nisur dje paradite me pikat e mbetura pa u shqyrtuar, që në axhendë renditeshin pas shqyrtimit të parë të Projektligjit për Buxhetin e Shtetit.Sot paradite zhvilloi mbledhje edhe qeveria e Republikës së Kosovës, të 122-tën që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, të 54-tën në 2016-tën.

1-thaci

Fjalimi i plotë i presidentit Hashim Thaçi, në Kuvendin e Republikës së Kosovës/

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës z. Kadri Veseli,

I nderuar Kryeministër, z. Isa Mustafa,

Të nderuar ministra të kabinetit qeveritar,

Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Zonja dhe zotërinj, 

Është kënaqësi dhe privilegj që sot t’ju drejtohem si President i Republikës së Kosovës.Kjo mundësi dhe detyrë më jep nder dhe përgjegjësi.Është kënaqësi të ndjek hapat e presidentëve të mëparshëm të cilët i shërbyen Kosovës me tërë qenien e tyre, duke u bërë shembull se si duhet të punojmë për vendin tonë.Në fillim të mandatit dhashë betimin para juve, deputetë të nderuar, se do të ruaj pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.

Se do të garantoj liritë dhe të drejtat e njeriut për tërë qytetarët e Kosovës.

Se do të mbroj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Se do të ruaj paqen dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

Në sheshin “Nëna Terezë” u zotova se do të jem president i të gjithë qytetarëve, në shërbim të të gjithë qytetarëve.Edhe një herë faleminderit për besimin e dhënë.Në fund të këtij viti, jam i lumtur të them se puna ime është udhëhequr nga këto parime dhe kam nisur të realizojë këto synime.

3-thaci

Të nderuar deputetë,

Gjatë kësaj periudhe kohore, si president kam ndërmarrë veprime konkrete për të garantuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës, për të fuqizuar rendin e ligjin dhe integritetin e shtetit të Kosovës.Vendi ynë edhe ashtu ka Kushtetutën dhe legjislacionin më të avancuar në rajon.Por, ne kemi identifikuar disa mangësi, prandaj edhe kam vepruar menjëherë duke kërkuar ndryshim-plotësimin e Kodit Penal me qëllim që t’i korrigjojmë ato dhe të mos lejojmë askënd që t’i shmanget apo abuzojë me drejtësinë dhe ligjin në Kosovë.Ministria e Drejtësisë dhe organet tjera relevante kanë filluar punën dhe tani janë duke përgatitur rekomandimet për ndryshimet që duhet bërë.Në qershor të këtij viti, ne filluam t’i marrim kompetencat ekzekutive në sektorin e drejtësisë, që deri atëherë ishin në duart e institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.Prandaj, i vetëdijshëm për progresin e shënuar në fushën e drejtësisë në Kosovë, përkundër sfidave, i bindur në profesionalizmin e organeve vendore dhe në fuqizimin e tyre me transferimin e kompetencave të EULEX-it, e kam adresuar edhe nevojën për të punuar në çështjet që shqetësojnë qytetarët e Kosovës:

–                      krimet e luftës,

–                      krimet e pasluftës,

–                      sulmet dhe dëmtimet kundër trashëgimisë sonë kulturore e historike,

–                      si dhe për viktimat e luftës, me theks të veçantë tek të pagjeturit dhe viktimat e dhunës seksuale.

Jam i inkurajuar me reagimin e menjëhershëm të organeve relevante për të punuar rreth këtyre pikave.Çdo hap në zbardhjen e së vërtetës është një gur tjetër në themelin e shoqërisë sonë si një shoqëri e barabartë për të gjithë.Të gjithë duhet ta kuptojnë se drejtësia nuk njeh kufizim kohor, status social apo etnik.Një nismë tjetër e imja është edhe puna për përfundimin e reformës elektorale, e cila ka filluar vite më parë dhe nuk është përfunduar.Reforma elektorale bëhet për t’i siguruar qytetarët e Republikës së Kosovës se ata do të votojnë në një proces të drejtë, transparent dhe fer, në të cilin vota e tyre nuk mund të humb dhe të manipulohet.Por, do të jetë besim për të udhëhequr institucionet.Ekipi im ka kryer punën e vet në përpilimin e propozimeve konkrete për reformën elektorale dhe mbetet në vullnetin tuaj politik, deputetë të nderuar, që propozimet që kanë rrjedhur nga konsultat e përbashkëta me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, shoqërinë civile, mekanizmat ndërkombëtarë, etj., të shndërrohen në vendime të Kuvendit të Kosovës.Kam mbledhur Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit në të cilin ekspertët e fushës kanë debatuar për mënyrat më të mira të luftimit të këtij fenomeni në Kosovë.Korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdimisht paraqiten lart në listën e shqetësimeve të qytetarëve të Kosovës.Prandaj, lart janë edhe në listën e prioriteteve të çështjeve që duhet zgjidhur menjëherë nga politika dhe institucionet e Kosovës.Organet tona të drejtësisë kanë hapur raste të korrupsionit.Hetimeve, akuzave e dënimeve nuk u kanë shpëtuar as zyrtarët më të lartë shtetëror.Kjo punë e bërë është për çdo vlerësim, por duhet bërë edhe më shumë.E përsëris, para ligjit të gjithë jemi të barabartë.Kam mbledhur edhe Këshillin Kombëtar për Integrim në Bashkimin Evropian, në të cilin konfirmuam se nuk kemi alternativë tjetër përveç se NATO-n dhe BE-në.

Por, kërkuam që edhe BE-ja të mendojë në mënyrë strategjike për rajonin e më gjerë.Kam mbledhur edhe Këshillin Konsultativ për Komunitetet.Kam vlerësuar punën e tyre në promovimin e të drejtave dhe barazisë për të gjitha komunitetet.Në kuadër të punës për forcimin dhe ruajtjen e sovranitetit tonë shtetëror, të inkurajimit të atyre pjesëtarëve të policisë kufitare dhe oficerëve të doganave të Kosovës, kam vizituar pikën kufitare në Jarinjë, në mes Kosovës dhe Serbisë, në veri të Leposaviqit.Puna dhe përkushtimi i pjesëtarëve të policisë dhe doganës së Kosovës me bindi se sovraniteti shtetëror i Kosovës nuk mund të cenohet nga askush.Kosova është një, e pandashme, nuk do të ketë barrikada dhe mure, por vetëm ura që na bashkojnë.Muri nuk do të qëndroj aty e askund tjetër.Muri nuk do të shkurtohet e as zvogëlohet për disa centimetra, por do të hiqet nga baza.

Nuk do të ekzistoj fare.

Por, në mes të këtyre sukseseve, kemi përjetuar edhe sfida.Sfida më e madhe është mos mbajtja e zotimit të dhënë para partnerëve ndërkombëtarë.Që t’u qëndrojmë prapa zotimeve tona kushtetuese dhe ligjore, qoftë për të themeluar asociacionin e komunave me shumicë serbe, qoftë për miratimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.Kjo marrëveshje është e drejtë.Është sipas Kushtetutës dhe interesave të vendit tonë, e cila do të çonte tutje konsolidimin e integritetit shtetëror.Reagimet kundër kanë dëmtuar më të pafajshmit, qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët ende nuk mund të udhëtojnë të lirë në Bashkimin Evropian.Reagimi kundër ishte agjendë e interesit të ngushtë politik dhe injorancës profesionale, e në asnjë rrethanë kauzë kombëtare apo ngadhënjim i argumenteve.

Prandaj, shteti ynë do të qëndrojë prapa të gjitha obligimeve ndërkombëtare që ka marrë mbi vete.

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar deputetë,

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Në kuadër të promovimit të të drejtave dhe lirive njerëzore, kam marrë pjesë dhe kam përkrahur marshin e komunitetit LGBTI dhe kam përkrahur punën e shoqatave që u dalin në ndihmë viktimave të dhunës seksuale të luftës.Kam vizituar komunitetin kroat në Janjevë dhe komunitetin malazez në Gorazhdec të Pejës, për t’i siguruar të gjithë se Kosova është shtëpi e të gjithëve.Se në shtetin tonë të gjithë janë të barabartë, të lirë për të gjetur lumturinë e tyre.Ndërsa sot, me lejoni të rikonfirmoj se asnjë individë apo grup nuk do të mbetet i margjinalizuar, i harruar apo i përjashtuar në shoqërinë tonë.Në Kosovën tonë ka vend për të gjithë ata që e shohin Kosovën si atdhe dhe shtëpi të tyre.

Kam vizituar dhe kam takuar afaristë dhe ndërmarrës në tërë Kosovën, odat ekonomike të Kosovës dhe ato të rajonit.Jam inkurajuar nga sukseset e bujqve dhe blegtorëve të Kosovës.Investimet disavjeçare në bujqësi kanë sjellë dobi për tërë Kosovën, duke krijuar të hyra të mëdha që kontribuojnë në mirëqenien e qytetarëve tanë.Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim, bujqit dhe blegtorët tanë, vreshtarët dhe prodhuesit e verës, tashmë kanë qasje në tregun më të madh në botë, atë të Bashkimit Evropian.Në kuadër të punës sime, një pjesë të konsiderueshme i kam kushtuar edhe përfaqësimit të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.Në samitin Brdo-Brione dhe në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore kam konfirmuar se pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe dhe stabilitet në rajonin tonë.Në vizitat bilaterale në Slloveni dhe në Maltë, jo vetëm që kemi konfirmuar marrëdhëniet e mira në mes vendeve tona, por kemi eksploruar edhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik.Në Kanada kemi hapur përfaqësinë e Republikës së Kosovës dhe jemi pajtuar së bashku me autoritetet e Kanadasë për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral.Në Vatikan kam pasur audiencë private me Atin e Shenjtë, të cilit i konfirmova edhe një herë se Kosova është e pa luhatur në promovimin e vlerave euroatlantike.E kam ftuar Atin e Shenjtë për vizitë në Kosovë dhe kjo vizitë do të ndodhë në kohën më të përshtatshme.E kemi konfirmimin edhe nga vetë Ati i Shenjtë.Në Vjenë kam takuar Presidentin e Austrisë, ndërsa në Tiranë tërë lidershipin e Shqipërisë.Në të gjitha këto forume është theksuar integriteti dhe sovraniteti shtetëror i Kosovës dhe është lavdëruar konsolidimi i shtetësisë sonë në botë.Por, pjesë e veçantë e të arriturave të këtij viti, për tërë Kosovën është edhe pjesëmarrja në Lojërat Olimpike në Rio.Falë performancës së shkëlqyer të sportistëve tanë, veçanërisht falë medaljes së artë të Majlinda Kelmendit, janë hapur dyer për takime me krerë shtetesh e qeverish nga e tërë bota që merrnin pjesë në Rio, me të cilët kam biseduar për Kosovën, për vendin tonë të ri, të vogël, por me potenciale të mëdha.Ishte kënaqësi të takoja diplomatë nga e tërë bota dhe ta shfrytëzoja rastin për të dëshmuar edhe një herë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe rolin konstruktiv që po luan vendi ynë në skenën ndërkombëtare.Isha edhe në Finlandë, në ndeshjen e parë të përfaqësueses sonë në futboll, ku isha dëshmitar i pikës së parë të fituar në garat ndërkombëtare.Pjesëmarrja në këtë garë u bë e mundur pas pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA.Pas gati një çerekshekulli izolim, tash futbollistët dhe talentet tanë në sportet e tjera janë të lirë të zhvillojnë talentet e tyre, të konkurrojnë, të ëndërrojnë dhe të punojnë që ëndrrat e tyre t’i bëjnë realitet.Si çdo kosovar tjetër, në garat dhe fitoret e sportistëve të Kosovës jam ndier i lumtur dhe krenar me flamurin dhe me himnin tonë.Janë këta gurët mbi të cilët ndërtojmë dashurinë dhe respektin në shoqërinë tonë, për shtetin tonë.Kam pasur fatin që të eci së bashku me Kosovën në ndërtimin e historisë, në dekadat më të rëndësishme tonat.Kemi ditur se çfarë angazhimi kërkon secila epokë, prandaj edhe sot jemi të suksesshëm.Dikur ishte koha të angazhohemi për barazi dhe liri.Kemi guxuar të kërkojmë liri edhe kur askush tjetër nuk ka shpresuar dhe besuar.Kemi qenë të gatshëm që të sakrifikojmë çdo gjë për të arritur këtë liri.Pas lirisë, guxuam ta ëndërrojmë dhe realizojmë edhe pavarësinë.Jam krenar që në të gjitha këto procese, të çlirimit të Kosovës, të shpalljes së shtetit të Kosovës, kemi qenë së bashku me ju dhe me të gjithë qytetarët e Kosovës shtylla kryesore të realizimit të këtyre aspiratave.Por, sikurse atëherë që e kemi ditur se është koha për sakrifica deri në pavarësim, ashtu e dimë edhe sot që është koha për integrim.Është koha për dialog dhe për pajtim, brenda në Kosovë dhe në rajon.Për ketë qëllim, gjatë këtyre muajve kam takuar edhe familjarë të viktimave të luftës dhe të të pagjeturve.Dhemb shumë të shohësh që të gjithë ende vuajmë nga plagët e luftës.Ndoshta plagët nuk do të mbyllen kurrë, por ne duhet që së paku t’i japim fund agonisë, sidomos për familjet e të pagjeturve.Duhet të nxjerrim mësime nga kjo e kaluar e hidhur, që të mos lejojmë të përsëriten tmerret që kemi parë me sytë tonë, që kemi përjetuar me zemrat tona.Nuk do të lejojmë që asnjë fëmijë i Kosovës ta mbushë zemrën me urrejtje e me vuajtje.Qëllimi im, por edhe i juaji, është të punojmë që fëmijëve të Kosovës t’ua mbushim zemrat e mendjet me dashuri për njëri-tjetrin, për vendin e tyre dhe për të ardhmen e tyre.Gjatë verës dola sërish që të nderoj dhe kujtoj viktimat e luftës dhe t’i inkurajoj organet e drejtësisë dhe pajtimin ndëretnik.Këtë herë shkova në Grackë të Lipjanit.Aty vendosa lule tek pllaka përkujtimore në qendër të fshatit që përkujton 14 qytetarë serbë, bujq e punëtorë.E theksova atje dhe po e them përsëri këtu se ky akt dhe aktet e tjera të dhunës kanë qenë vepra kundër lirisë dhe së ardhmes demokratike të Kosovës, dhe jo vetëm kundër viktimave dhe familjeve të tyre.Krimi është krim, kundër kujtdo qoftë të jetë bërë apo nga kushdo qoftë që është kryer.Edhe sot lutem me dhimbje dhe shpreh edhe një herë keqardhje për të gjitha viktimat civile të të gjitha komuniteteve, të vrarë gjatë dhe pas luftës.Në muajin gusht përkujtova vrasjen e dy dhe plagosjen e katër fëmijëve serbë në fshatin Gorazhdec në afërsi të Pejës, që kishte ndodhur në vitin 2003.Në qendër të fshatit u ndala me banorët vendas, serbë.Pas këtyre vizitave, kishte opinione të ndryshme.E dija se ende ka njerëz të lënduar apo të helmuar nga urrejtja ndërnacionale.Prandaj këtu menjëherë ftojë të gjithë që të ngrehemi mbi urrejtjen dhe jotolerancën.Dikush thoshte se është herët për gjëra të tilla, kurse unë vlerësoj se jemi vonë.Fundja, viktimat ishin produkt i ferrit historik të raporteve serbo-shqiptare dhe atyre rajonale, që kurrë nuk u ushqyen me vullnet mirëkuptimi apo pajtimi, por vetëm me urrejtje dhe armiqësi.Çuditërisht, sulmet kundër këtyre veprimeve takoheshin dhe bëheshin bashkë në ekstremet e tyre.U ngritën disa pyetje legjitime: pse po nderoja serbët kur ata na kanë vrarë? Kur në pllakat përkujtimore shkruante në çirilicë: “viktima të terroristëve shqiptarë dhe të agresionit të NATO-s”.U tha se po cenoheshin vlerat e luftës së popullit të Kosovës për liri.Po fyheshin dëshmorët dhe lufta e shenjtë e UÇK-së dhe popullit të Kosovës.Në anën tjetër vazhdonin akuzat e stërvjetëruara tash e dekada kundër shqiptarëve në tërësi.Në tërë këtë, më i urti ishte reagimi i familjarëve të të vrarëve, shqiptarë e serbë, të cilët edhe një herë patën vetëm një kërkesë, vetëm një dëshirë: “duam të vërtetën”.Prandaj të sakrifikojmë nga pak të gjithë për të vërtetën.E vërteta nuk duhet ta pengojë dhe frikësojë askënd.Isha i vetëdijshëm dhe i bindur se po bëja punën më të mirë për vendin.E dija se çfarë shkruante në pllakat përkujtimore në alfabetin çirilik.Nuk pajtohem me tekstin, sepse është paragjykim dhe gënjeshtër.Por, kjo nuk duhet të na ndalojë t’i nderojmë viktimat.Me këtë nderim ne nuk cenojmë vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së.Vlerat e lirisë sonë e të luftës së UÇK-së i cenojnë mu ata që i kanë bërë këto krime dhe ata që sot i arsyetojnë këto krime.Përpjekja për t’i arsyetuar krimet duke thënë se janë bërë në emër të kauzës kombëtare, duhet të jetë arsye për brejtje të ndërgjegjes, sepse po keqpërdoret çështja kombëtare, në dëm të interesit dhe së ardhmes së shtetit të Kosovës.Ata që i kanë kryer këto veprime, individë apo grupe, kanë fyer e cenuar vlerat e lirisë dhe vetë luftën e UÇK-së.Ne duhet t’i standardizojmë vlerat çlirimtare dhe të mos e lejojmë askënd që t’i degjenerojë ato.Gjykata speciale nuk është produkt i vendimeve politike të gabuara.Nuk duhet të shikohet si ndëshkim, por si avantazh për vendin.Presioni ndërkombëtar për themelimin e saj ka ardhur si rezultat i përvojës së keqe në mbrojtjen e dëshmitarëve.Unë besoj në Zot dhe vlera morale, ndërgjegje, drejtësi e pajtim, duke mos e akuzuar apo ofenduar askënd për asgjë.Por, duke i ftuar të gjithë për drejtësi, solidaritet dhe pajtim ndëretnik.Këtë vit kemi vendosur marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe kemi nisur dialogun politik me NATO-n.Janë këto dy pika të përcaktuara si qëllimet tonat dhe për këtë kemi konsensus të plotë politik dhe shoqëror.Do të dëshironim që udhëtimi ynë drejt NATO-s e BE-së të jetë më i shpejtë.Por, kjo nuk varet vetëm nga dëshira dhe nga puna jonë.BE-ja dhe shtetet anëtare të saj sot kanë sfida të mëdha dhe kanë nevojë që t’i rimendojnë raportet në mes tyre dhe pozitën e tyre në vetë Unionin Evropian.Përgjigjet nuk do jenë as të shpejta, as të lehta.Kosova më shumë se të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor është duke vuajtur pasojat e kësaj situate komplekse.Si pasojë, jemi ende të fundit në rajon në kuadër të procesit të integrimit në BE dhe jemi padrejtësisht të izoluar nga BE-ja në aspektin e lëvizjes pa viza në Zonën Shengen.Pavarësisht këtij fakti të hidhur, BE-ja që synojmë ne, më shumë se Brukseli apo Komisioni Evropian, se Parlamenti Evropian apo Këshilli i Ministrave, është BE-ja e vlerave për të cilat angazhohemi ne.Paqja dhe dialogu, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, toleranca dhe bashkëjetesa në mes etnive e feve, gjithëpërfshirja dhe të drejtat e liritë e njeriut. Këto janë vlerat që ne ia përshkruajmë BE-së, por janë edhe vlerat me të cilat ne dëshirojmë të udhëhiqemi e të bashkëjetojmë.Jetojmë në një botë më dinamike se kurdoherë më parë, me trende dhe lëvizje përplot me të panjohura.Por, ne kemi arritur t’i identifikojmë aleancat tona strategjike dhe të qëndrueshme.Jemi përcaktuar për marrëdhënie të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për bashkëpunim me BE-në deri në anëtarësim të plotë në këtë organizatë.Jemi përcaktuar për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe për bashkëpunim rajonal.Jemi përcaktuar që idetë ekstremiste e radikale, pa marrë parasysh se nga çfarë ideologjie janë nisur, idetë përjashtuese të komuniteteve e individëve, të mos i pranojmë si parime apo ideologji në shoqërinë tonë.Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, shembull i dialogut dhe pajtimit, tolerancës dhe bashkëjetesës.Kosova është shembull se si të gjendet fuqia që të tejkalohet e kaluara e hidhur, me lufta e dhimbje, dhe të ndërtohet e ardhmja në paqe e prosperitet.Kjo është ajo për të cilën kam punuar këtë vit.Kjo është ajo për të cilën do të punoj edhe katër vitet e ardhshme.Ju ofrojmë bashkëpunim institucioneve vendore e partnerëve ndërkombëtarë për forcimin dhe zhvillimin e vendit tonë, që të jemi krahë për krahë me botën e qytetëruar.Këtë e kemi obligim. Këtë presin qytetarët nga ne. Për këtë do të angazhohemi.

Ju faleminderit!

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: flet Thaci, Kuvendi i kosoves, miraton Buxhetin e Shtetit

Kosova prezantohet në Bienalen e Venedikut 2017

December 23, 2016 by dgreca

-Artisti i cili do të prezantojë Kosovën në Bienale, është emri i afirmuar në skenën botërore të artit, Sislej Xhafa, ndërsa kuratore do të jetë Drejtoresha e Galerisë së Kombëtare të Arteve, Arta Agani. Ndërsa, Komisioner i Pavijonit të Republikës së Kosovës, në edicionin e 57-të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut, është caktuar Valon Ibraj, si përfaqësues zyrtar i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit/

1-bientale-logo-ed57PRISHTINË, 23 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka pranuar një letër nga drejtori i Bordit të Bienales së Venedikut, Paolo Baratta, përmes të cilës aprovohet kërkesa e ministrit që Kosova të jetë e pranishme në Edicionin e 57-të Bienales së Venedikut, që do të mbahet nga muaji maj deri në nëntor të 2017-tës.

Artisti i cili do të prezantojë Kosovën në Bienale, është emri i afirmuar në skenën botërore të artit, Sislej Xhafa, ndërsa kuratore do të jetë Drejtoresha e Galerisë së Kombëtare të Arteve, Arta Agani. Ndërsa, Komisioner i Pavijonit të Republikës së Kosovës, në edicionin e 57-të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut, është caktuar Valon Ibraj, si përfaqësues zyrtar i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka marrë përsipër shpenzimet për realizimin e këtij projekti, duke ndarë 150 mijë euro, përfshirë këtu edhe koordinimin e donacioneve të mundshme.Ministri Shala e vlerëson si tejet të rëndësishme prezantimin e Kosovës në këtë ngjarje. “Bienalja e Venedikut është një nga ngjarjet më të mëdha të artit në botë dhe prezantimi i vendit tonë në këtë organizim kulturor është një rast për promovimin e artistëve tanë dhe në njohjen e skenës sonë kulturore dhe ngritjen e mëtejme të imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.Sislej Xhafa, është një nga emrat më të njohur të artit bashkëkohor, i cili së fundmi është vlerësuar me titullin Akademik Nderi i Shkollës së Arteve të Firences. Prezantimet dhe kritikat që janë shkruar për të, garantojnë një prezantim të denjë e afirmativ të Kosovës në Bienale, në paraqitjen e tretë të vendit tonë në këtë ngjarje të madhe botërore në fushën e kulturës. Përmes krijimtarisë së Xhafës synohet tërheqja e vëmendjes së publikut bazuar në reputacionin e konsiderueshëm që po e gëzon aktualisht në skenën artistike botërore.

sislej_xhafa

Sislej Xhafa/Është i lindur në Pejë, 1970.Jeton në New York. Është i njohur për hetimet e tij artistike në realitetet sociale, ekonomike dhe politike lidhur me kompleksitetin e ndryshme të shoqërisë moderne. Xhafa ka gjatë viteve theksuar punën e tij artistike për tema ekonomike dhe sociale, realitetet politike, si ata ndërveprojnë me shumëllojshmëri paqëndrueshme të shoqërisë moderne. Hetimet e tij, për shembull, në fenomenet e turizmit ose ilegalitetit të detyruar të përdorin një gjuhë minimale dhe ata janë në të njëjtën kohë ironike dhe subversive, duke praktikuar me shpërfillje një gamë të gjerë të mediave, nga skulptura vizatimit, nga performancë të fotografisë.Xhafa ka ekspozuar në MAXXI Museum of Contemporary Art, Rome Benvenuto! Kuruar nga Hou Hanru and Luigia Lonardelli (2016); BWA Sokół Contemporary Art Gallery in Nowy Sącz, Poland The Stillness of Thought kuruar nga Anna Smolak and co-ordinator Monika Smyła (2016); Harrova që Fillova curated by Klod Dedja and Ema Andrea, Fondacioni i Artit M.A.M. Tirana, Albania; Informal Mind kuruar nga M.A.M. Foundation, Elbasan, Albania (2014); Italian Pavilion of the 55th Venice Biennale Vice Versa Venice Biennale, Venice; 21st Century Museum of Contemporary Art Kanzawa Borderline: Collection Exhibition II Kanazawa, Japan (2013); Galleria Continua Unpoetic Bride Le Moulin (2012); François Pinault Foundation The World Belongs to You Palazzo Grassi, Venice; Hardau City Park, Y, Zurich; MADRE Museum of Contemporary Art Donna Regina, Still Untitled Napoli; The Power Plant Contemporary Art Gallery Rearview Mirror Toronto (2011); PRISM Misericordia West Hollywood, California; MAXXI Spazio. Dalle collezioni di arte e architettura, Roma; Il Museo Privato. La passione per l’arte contemporanea nelle collezioni bergamasche, GAMeC, Bergamo; Röda Sten, 2705 Baci…, Göteborg (2010); MART Rovereto Museo di Arte Moderna e Contemporanea di Trento e Rovereto, Language and Experimentations; PAC Padiglione d’Arte Contemporanea, Ibrido. Genetica delle forme, Milano; DEPO, Indefinite Destinations, Istanbul; MADRE Museum of Contemporary Art Donna Regina Barock Napoli (2009); Havana Biennial, Havana, Cuba; Modern Art Oxford Transmission Interrupted Biennale of Gwangju, Gwangju, Korea; MOCAD Museum of Contemporary Art of Detroit, Business As Usual; Schirn Kunsthalle, All-Inclusive. A Tourist World Frankfurt (2008); Istanbul Museum Of Modern Art Time Present, Time Past, Istanbul; Göteborg International Biennial for Contemporary Art Rethinking Dissent, Göteborg, Sweden; Mori Art Museum, All About Laughter Humor in Contemporary art, Tokyo (2007); PERFORMA05, performance biennial, New York (2005); I Bienal de Arte Contemporáneo de Sevilla, Fundación BIACS, La alegria de mis sueños, Monasterio la Cartuja de Santa María de las Cuervas, Sevilla; The Renaissance Society, New Video, New Europe, Chicago; Museum of Contemporary Art, St.Louis; Tate Modern, London; Stedelijk Museum, Amsterdam, North Dakota Museum of Art, Grand Forks; Fundació ‘la Caixa’ la Sala Montcada, Barcelona; Haifa Museum of Art, Israel (2004), Palais de Tokyo, Paris (2003), Gwangju Biennial, Pause,Gwangju, (2002); Istanbul Biennial, Egofugal Istanbul; S.M.A.K., Casino, Gent; PS1 Uniform New York (2001); Manifesta III, Ljubljana, Slovenia, S.M.A.K., Over the Edges Gent (2000); Fondazione Olivetti, Rome (2000) and the Venice Biennale (1997,1999, 2005 & 2013).

arta_agani

Arta Agani/

Është e lindur më 1973 në Prishtinë. Jeton dhe punon në Prishtinë. Prej Gushtit 2016 kryen funksionin e drejtoreshës së Galerisë Kombëtare të Kosovës. Ligjëron lëndën Tipografi në Akademinë Evolucion për Dizajn Komunikimi. Ajo mban titullin Magjistër i Dizajnit Grafik, prej vitit 2004, ku magjistroi tek Profesor Shyqri Nimani me temën “Haiku- Vargu dhe Vizioni” në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ndërsa paraprakisht më 1997, diplomoi në degën e Dizajnit Grafik në po këtë Fakultet.Më 2011 mori Certifikatën e Programit të Certifikuar Dizajn dhe Menaxhim i Ekspozitave te Universiteti Donau në Krems të Austrisë (Fakulteti për Shkencë, Kulturë dhe Ndërtimtari), Departamenti i Artit dhe Shkencës së Imazhit me ligjërata nga ekspertët ndërkombëtarë si Frank den OUDSTEN, Jorge WAGENSBERG, Brigitte FELDERER, Becky GILBERT, STEFAN IGLHAUT + GESA von GROTE, Enrique GUITART etj. Puna e saj profesionale gjatë karrierës ngërthen fillimisht dizajnin si profesion primar, projekte artistike dhe ekspozita, por me theks të vecantë në menaxhimin e projekteve artistike dhe kurimin e disa ekspozitave. Përvoja profesionale e saj u shtua veçanërisht gjatë punës si koordinatore e projektit ndërkombëtar Artistët e së Nesërmes, për Galerinë Kombëtare të Kosovës në periudhën 2005-2010. Gjatë kësaj periudhe ajo menaxhoi projektin në fjalë ku edhe udhëhiqte procesin e produksionit dhe kurimit të ekspozitave. Projektet e fundit të saj në këtë funksion ishin: “Muzeu i Memories”, Prishtinë Dhjetor 2015; “Art in Embassies”, Ambasada Amerikane në Prishtinë Dhjetor, 2015.Ekspozitat ku mori pjesë: Galeria e Arteve e Kosoves, “Retrospektiva e Dizajnit” Tetor 2000; Galeria e Arteve e Kosovës –“ Portreti” Mars 2001; Galeria e Arteve e Kosoves – Ekspozita për nder të vizitës së SPKB Kofi Annan Tetor 2001; Galeria Hibya, Tokyo – Ekspozita Ndërkombëtare e Paqes, Qershor 2004; Galeria Vision 2000+:, Ekspozitë personale “Femrat nga Marsi”, Korrik 2004; Galeria e Arteve e Kosovës – “Java e Dizajnit Kosovar”,Shtator 2004; Galeria e Arteve e Kosovës – Salloni i Nentorit, Nëntor 2005;, Galeria e Arteve e Kosovës – Bienali i 13 i vizatimit, Shkurt 2006; Galeria e Arteve e Kosovës – “Muslim Mulliqi” Dhjetor 2006; Galeria e Arteve e Kosovës – “Muslim Mulliqi”,Dhjetor 2008; “Dasma e Bardhë”, Galeria e Ministrisë së Kulturës, Shkurt 2010,; “Dasma e bardhë”, Bruksel, The Centre, Maj 2010;, “Muzeu i Memories”, Prishtinë, Dhjetor 2015.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arta Agani, Bienalen e Venedikut 2017, kosova, prezantohet në, Sislej Xhafa

“KIRURGU” I RUGOVES: NEGOCIATORET E KUFIRIT ME MALIN E ZI KANE SHKELE KUSHTETUTEN

December 23, 2016 by dgreca

KLUBI  I INTELEKTUALËVE   RUGOVAS”KIRUG”/

demarkacioni 1

Prof dr Riza SMAKA/ Kryetar/Kryesia   e Klubit të Intelektualëve Rugovas “ KIRUG”, në takimin e punës të mbajtur në datën 22  dhjetor  2016, filluar nga ora 16:00, në Prishtinë,  e përberë nga Prof dr Riza Smaka, Prof dr Mujë Rugova, Prof dr Ali B. Muriqi,  Prof dr Shemsedin Dreshaj,Prof dr Hysen Lajqi, Prof dr Jeton Kelmendi ,Prof dr Zymer Neziri, Prof dr Muhamet Mala,Prof dr Azem Lajqi, pas  diskutimit, njëzerit miratoi këtë:

D E K L A R A T Ë /

Komisioni Shtetëror i Republikës së Kosovës për Demarkimin e Kufirit të Kosëvës me Malin e Zi ( Komisioni për Demarkacionin), gjatë  negociatave me  Komisionin për Demarkacionin e Malit të ZI, ka  shkaktuar  këto  dy gabime  të kundershtimshme me Kushtetutën   si dhe në dëmin e integritetit territorial të   Republikës së Kosovës , nga se në vend të  negocimit   të mbeshtetur në  vlerësimin e  faktorëve  esencialë  dhe primarë    natyrorë( të determinuar nga  konfiguracioni   i  terrenit  ,siç janë   majat,  kreshtat, qafat,  ujëndarjet e ujërëniet, vargmalet ), gjeografikë,   gjeostrategjikë, historikë,  etnikë të balansuar,   ekonomikë, pronësor -Uti Possidetis , ka praktikuar  dhe trajtuar   vetëm kadastin ( sic) ,ndryshe,  komponentë e karakterit sekondar, subsidiar e kompmenentar! si dhe,  në vend të  demarkacionit  kufitar Kosovar- Malazez sipas  delimitacionit të bërë në shkurtin e vitit 1945 , të pandryshuar asnjëherë ,   jashtë mandatit të caktuar nga Kuvendi, ka praktikuar   delimitacion të rinjë  e ,për të qenë edhe   më keq,   tepër të dëmshëm për integritetin territorial të  Republikës së Kosovës ! kjo nga se, të territorin e Kosovës  , panevojshem,  padrejtësisht dhe  arbitrarisht e ngushton për 82.3 km2!  Sikundër dihet e me asgjë nuk  mohohet,  Komisioni për Demarkacionin nuk ka pasë autorizim për   delimitacion kufitar  të rinjë  Kosovar- Malazez, por, përkundrazi , ka qenë i mandatuar nga Kuvendi i RK-së qe , në bazë delimitacionit  egzistues, të sanksionuar  juridikisht nga rendi juridik i  YU II nga  viti 1945 – 92, të  aplikojë  demarkacionin në terren!Kufinjët ndërmjet  republikave dhe krahinave autonome ( Kosova dhe  Vojvodina ishin krahina autonome me territore të sanksionuara sikundër edhe republikat – shtetet e YU II) nga viti 1945 – 92  ishin të karakterit  administrativ e , rrjedhimisht , edhe sipas Komisionit  Ndërkombëtar për Zgjidhjene  Krizës Politike të YU II “ Komisionit të   Badinterit” linjat e tyre janë  promovuar dhe sanksionuar në kufinjë shtetëror!

Në  këtë kontekst ,  vlenë të apostrofohet fakti  relevant se , sipas  rendit  juridik e  sistemit kushtetutar të YU II,  të Sërbisë  dhe  të Kosovës, kufinjët  administrativë të Kosovës sikundër edhe të  republikave tjera të YU II, kanë qenë të sanksionuar dhe  është lejuar  ndryshimi i tyre vetëm në saje të pelqimit të Kuvendit të Kosovës dhe të kuvendit të  republikës  fqinjë tjetër. Kufiri administrativ   kosovar – malazez ( 1945- 92) përkatësisht kufiri politik ( 1974- 92 e vijimisht deri sot) asnjëherë jo që nuk është ndryshuar pos as nuk ka qenë temë debatuese. Seandejmi ,  linja kufitare kosovare malazeze e delimituar në  vitin 1945 ( Qakorr, Usovishte, Mokna, Hajlë, Shtedim-Kullë)  apo shkurtimisht Qafë e Çakorrit, Qafë  e Diellit, Kullë , ishte dhe mbetët meritorisht e  delimituar dhe e njëjta nuk mund të ndryshohet pa pelqimin e  organeve legjislative të entiteteve politike në fjalë.

Komisioni për Demarkacionin , është dashtë   që eksklusivisht , sipas mandatit imperativ nga Kuvendi që të negociatojë me  komisionin homolog për precizimin, konkretizimin dhe materjalizimin e delimitacionit në fjalë kurdoherë në përshtatje me faktorët  esencialë  të sipërtheksuar dhe në përfillje me rektifikacione përkatësisht  koncesionime territoriale ekuivalente por kurrsesi qe të akceptojë zgjidhjen kadastrale sipa së cilës Kosova padrejtësisht e panevojshëm  reduktohet për hiq më pak se 82.3 km2!  Ndaj Marrëveshja   e atillë për Demarkacionin   Kosovar – Malazez ,edhe pse e parafuar edhe nga pala kosovare , gjithnje juridikisht e pa aplikueshme ,  sipas  bindjes e qendrimit të KIRUG-ut  ( sikundër  të pjesë-s së konsideruar të botës akademike, shoqërisë civile,  opozitës parlamentare e 210 000 qytetarëve peticionistë tok me qindra mia  protestues publikë) kurrsesi nuk duhet , jo  të ratifikohet ,por ,as të prezantohet për  ratifikim. Eventualisht, nëse Qeveria aktuale qe quditërisht është persistente për  ratifikimin e Marrëveshjes në fjalë , nëpërmjet  bashkëveprimit joparimor me Kryesinë e Kuvendit e prezanton për ratifikim të njëjtën, KIRG-u , apelon  në ndërgjegjën  shtetërore e kombëtare të  deputetëve të kësaj legjislature qe atë Marrëveshje ta refuzojnë ,pa hesitime, me indinjatë  !

Qeveria e Kosovës ,   edhe sipas funksioneve të përcaktuara me dispozitat e neneve 93 & 94 te Kushtetutës, do të duhej qe, përfundimsht dhe seriozisht të ndryshojë qendrimin e deritashëm për ratifikimin e pakusht të Marrëveshjes për Demarkacionin ashtu që , vendoshmërisht dhe energjetikisht të   angazhohet për  demarkacionin  kufitar të vendit tonë konform me delimitacionin e  kufinjëve administrativë të republikave e krahinave të   ex YU II ( 1945- 92)   përkatësisht të Kosovës dhe Malin e  Zi , i cili , rrjedhimisht, me dokumente   politike – juridike ndërkombëtare është   pranuar  dhe konfirmuar  për  linjë  kufitare ndershtetërore ( Komisioni i Badinterit, Rezoluta 1244-99 e KS të OKB-së, Propozimi i Ahtisarit për Zgjidhjen e Statusit Politik të Kosovës..)

KIRG-u, i gjykon të  quditshme  dhe iracionale  angazhimet  e kryeministrit Isa Mustafa, i cili ,edhe në kohë të fundit , në vend të pozicionimit për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit , gjithnjë angazhohet pro  ratifikikit të Marrëveshjes  për Demarkacionin,  të mbështetur, në vend në  faktorët   relevantë ,vetëm në  të dhënat kadastrale sekondare, subsidiare e suplementare dhe për aq problematike dhe të dëmshme për vendin tonë!

KIRG-u i gjykon për sjellje e veprime  negative  dhe aspak të pranueshme përpjekjet e pa legjitimuara politikisht dhe të pakualifikuara profesionalisht  të disa individëve , të  cilët , duke llogaritur në  funksione publike apo financiare  aktualisht  të volitshme ,të cilët  ,kryesisht , për hirë të favoreve pushtetare, agjitojnë dhe propagojnë pro ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin Kufitar Kosovar – Malazez  në verzionin e tashëm të  bazuar ( në vend në të dhënat primare :  gjeomorfologjike, gjeostrategjike, gjeopolitike,  etnike, pronësore, historike veçanërisht në të drejtën e fituar nga viti 1945 )  vetëm në faktorin kadastral, ndryshme të karakterit   sekondar eventualisht   subsidiar e komplementar !

KIRUG-u edhe në këtë rast  prononcohet për  demarkacion ndërkufitar të vendit tonë me Malin e Zi të bazuar në delimitacionin nga viti 1945 ( të cilin, koincidentalisht e kanë   disajnuar vetë malazezët  në krye me Millovan Gjillasin, Milladin Popoviqin,  Svetozar Vukmanoviq Tempo-n ,etj) i cili si i tillë figuron edhe në hartat zyrtare të Malit të Zi,  të  Sërbisë, të YU II, Kosovës , në tekstet  shkollore, universitare e shkencore , në enciklopeditë bashkëkohore të shteteve në fjalë si dhe të shteteve tjera.Poashtu,  KIRG-u , shtetin Malin e Zi e falënderon për pranimin e vendit tonë për shtet të pavaruar e  sovran  si dhe është i  përcaktuar për  kultivim të marrëdhënieve fqinjësore të mira e të qendrueshme ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

KIRG-u , nga shkaqe politike e pragmatike , duke e abstraktuar dimensionin e faktorin historik   para vitit 1945,   angazhohet dhe thekson se

  • kufiri Kosovar – Malazez duhet të sanksionohet në linjen Qafë e Çakorrit, Qafë e Diellit, Kullë, të   fiksuar dhe të sanksionuar  me delimitacionin e vitit 1945,
  • kufiri i tillë do të mbetej i pakontestuar dhe si i tillë i qendrueshëm dhe
  • do të krijojë parakushte të volitshme për kultivim të raporteve  shoqërore, ekonomike, politike, kulturore, shkencore, sportive reciproke të  dobishme ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi!

 

Kryetari i KIRUG-ut

Prof dr Riza SMAKA

Prishtinë, 18  dhjetor 2016

 

Filed Under: Analiza Tagged With: demarkacioni. Kosove, I INTELEKTUALËVE, klubi, Mali i Zi, RUGOVAS"KIRUG"

Kardinal Troshani: Politikanë, qëndroni më afër problemeve të popullit!

December 23, 2016 by dgreca

1-dom-ernest-troshani-1

Ne Foto:Kardinal Ernes Troshani u flet deputeteve nga foltorja e Kuvendit te Shqiperise/Kardinali Dom Ernest Troshani ishte i ftuar në seancën plenare të Kuvendit diten e djeshme, ku mbajti një fjalë në fillim të punimeve të tij dhe bëri apel ndaj deputetëve që të qëndrojnë më pranë problemeve të popullit.“Nuk kam ardhur për t’ju mësuar gjëra të reja, por kam ardhur që të falenderoj atdheun dhe popullin, që pas një “rrebeshi” prej 5 dekadash, më në fund gjeti forcën shpirtërore për t’i njohur bijëve dhe bijave të tij, që për të ruajtur lirinë e ndërgjegjes dhe besimit, nuk e braktisën popullin e vet. Jam dëshmitari i fundit i një brezi klerikësh katolikë që vuajtën dhe u persekutuan. Duke më bërë kardinal, Papa Françesku nuk më nderoi vetëm mua, por të gjithë Kishën Katolike Shqiptare dhe të gjithë popullin shqiptar”, deklaroi Dom Ernesti.
“Të nderuar deputetë, përpiquni të gjithë bashkë që kur çdonjëri të shohë në sytë tuaj, të shohë begatinë, drejtësinë, bujarinë dhe bekimin hyjnor. Qëndroni më afër problemeve të popullit shqiptar dhe bëni që politika të jetë shërbim e jo përfitim. Vetëm atëherë do të keni respektin e njerëzve të thjeshtë që kanë besuar te ju”, e përfundoi fjalën e tij, Dom Ernest Troshani.

Filed Under: Komente Tagged With: : Politikanët, Kardinal Troshani, Parlamenti, populli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2308
  • 2309
  • 2310
  • 2311
  • 2312
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT