• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

THIRRJA E JUAN PEDRO ALADRO KASTRIOTIT

December 6, 2016 by dgreca

31 JANAR 1902 : THIRRJA E JUAN PEDRO ALADRO KASTRIOTIT NDAJ PATRIOTËVE SHQIPTARË/1-aleandro-kastriotiNga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Dhjetor 2016/

Revista Pariziene « l’Echo des Jeunes », në numrin e saj të 238-të, të 1 tetorit 1903, përshkruan Juan Pedro Aladro Kastriotin (1845 – 1914) si një njeri me një zgjuarsi dhe një energji të jashtëzakonshme, fisnik dhe dijetar që fliste rrjedhshëm tetë apo nëntë gjuhë : frengjisht, spanjisht, gjermanisht, anglisht, italisht, holandisht, rumanisht, pa llogaritur dhe dy dialektet shqiptare. Revista shton se ai kishte një kujtesë fenomenale dhe një dituri mbresëlënëse.

Juan Pedro (lindur në Jerez të Spanjës) u arsimua në Universitetin e Seviljes ; Fillon karrierën si avokat, duke vijuar më pas (1867) si diplomat në ambasadën spanjolle në Vjenë, Paris, Hagë etj. Pas karrierës diplomatike, ai bëhet deputet dhe meqë mbreti i Spanjës, Alfonsi i XII-të, e vlerësonte atë, e dërgon si përfaqësuesin e tij në kurorëzimin e mbretit të Rumanisë.

Pas vdekjes së Alfonsit të XII-të, ai shkëputet nga karriera politike dhe shkon të jetojë në Paris. Në qetësinë e sheshit Lamartine, ku jetonte në mesin e librave të tij, Princi, i ndihmuar nga sekretarët e tij, mbante lidhje aktive me Shqipërinë dhe të gjithë ata që interesoheshin për fatin e këtij kombi të lashtë.

Sipas revistës, prejardhja e tij shqiptare shpjegohet nëpërmjet stërgjyshit të tij, i cili ishte martuar me princeshën Kastriota, trashgimtaren e patriotit të madh Skënderbe.

Ëndrra e Juan Pedros ishte « Shqipëria e lirë » dhe për këtë arsye u drejtohet asokohe patritotëve shqiptarë me këto fjalë :

 « Vëllezër Shqiptarë,

Emri Kastrioti, të cilin e mbaj lart dhe me nder, më ngarkon me detyrime të mëdha dhe të shenjta. Ky emër përmbledh të gjithë historinë e lavdisë shqiptare ; ky emër kujton gjithashtu pesë shkekuj zije (vajtimi).

Unë kuptoj se sa serioze janë këto detyrime para jush dhe botës së qytetëruar, por me ndihmën e Zotit dhe tuajën, unë marr përsipër gjithçka.

Shërbëtor i përulur i Shqipërisë, i lindur në një tokë të huaj si rezultat i peripecive që detyruan të mërgonin paraardhësin tim mbretëror, Gjon Kastriotin, djalin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, nuk kam ditë e natë, pasion tjetër apo mendim tjetër vetëm se shpëtimin tuaj. Dhimbja juaj është e imja, aspirata juaj është i imja.

Diplomacia evropiane të mos frikësohet, vepra jonë është një vepër paqeje. Pretendimet tona nuk janë të padrejta, ne nuk kërkojmë pronën e të tjerëve, ne duam vetëm atë që kanë edhe popujt e tjerë në botë : një Atdhe.

Thirrja jonë është : Zoti qoftë me ne ! Emri i lavdishëm i Skënderbeut është flamuri ynë. Me këtë britmë dhe në hijen e këtij flamuri, të bashkohemi të gjithë, myslimanë, ortodoksë dhe katolikë ! Unë, shërbëtor i përulur i atdheut shqiptar, ju kërkoj të luftoj përkrah jush në luftërat e shenjta të çlirimit….O trima, o Shqiptarë. »(Marre nga Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania )

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, e Aleandro Kastrioti, Thirrja

APOLOGJIA E NJE GREKU

December 6, 2016 by dgreca

-Sipas Panajot Barkes, qyteterimi shqiptar, civilizimi, Rilindja Shqiptare, janë  si rrjedhojë e kulturës që ata kanë marrë nga Greqia dhe helenizmi./

-Duke përdorur me djallëzi dhe si një sheqerkë embëlsuese fjalën “objektiviteti”, ai me një të rënë të shpatës, të gjitha mendimet e dala kundër atyre që do të thotë z.Barka, i quan subjective!!!/

-DISA  MENDIME MBI SHKRIMIN E Z.PANAJOT BARKA/1-panajot-barka

Ne Foto: Panajot Barka ne vitin 1997 me automatik/

                      NGA PETRO DANGELLIA/*

       Kur lexon shkrimin e z.Panajot Barka “Polisemia pozitive në marrëdhëniet  historike greko-shqiptare” duket sikur  pi një gotë çaj nga një bimë e helmatisur, por e ëmbëlsuar që në titull me fjalët e sheqerosura “pozitive greko-shqiptare”.  Z.Panajot rreh të na mbushë mëndjen se civilizimi shqiptar, qytetërimi i shqiptarëve,  rilindasit shqiptarë dhe vetë Rilindja Shqiptare janë  si rrjedhojë e kulturës që ata kanë marrë nga Greqia dhe helenizmi. Dhe për mbushjemendje, na thotë se edhe vetë Naim Frashëri, një nga poemat e tij në vitin 1866 e ka shkruar në greqisht! Për të realizuar këtë ai përdor sofizma të pastra greke, pelivanllëqe historike dhe akrobacira referencash të paprincipta dhe na i server në pjatë si një gjellë greke klasi dhe me standarte historike. Me të pavërteta historike për revolucionin grek, ai qëllimisht ngatëron paralelen, Kollokotroni-Ali Farmaqi, lidhur me flamurin që do të kishte ushtria e revolucionit grek;  me bashkëpunimin Kolloktroni me shqiptarët. Me këtë rast, me zell të madh fillon të hedhë baltë, jargë dhe pështymë sa andej këndej mbi figura të tilla si, Zenel Gjolekën, Rrapo Hekali, madje mbi vetë Abdyl Frashërin. Sipas Barkës, Zenel Gjoleka u është ulur në gjunjë grekëve, më saktë vllaho-grekut, ish kryeministrit grek të vitit 1845, Jani Koleti; që t’i njihte identitetin grek!!!

       Që të mos flasë njeri dhe të na mbyllë gojën, ai që në fillim vendos si barrierë mbrojtje Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, z.Myzafer Korkuti. Si një sofist i shkathët  ai i del në mbrojtje z.Myzafer, i cili paska një shqetësim objektiv, të cilin shqiptarët nuk e kuptojnë dhe  na del një grek në rolin e terxhumanit që rreket të na i shqipërojë ato që z.Korkuti i thotë shqip. Duke përdorur me djallëzi dhe si një sheqerkë embëlsuese fjalën “objektiviteti”, ai me një të rënë të shpatës, të gjitha mendimet e dala kundër atyre që do të thotë z.Barka, i quan subjective!!!

       Pasi e shtron mirë rrugën, ai u kthehet rilindasve shqiptarë duke i akuzuar se ata kanë dashur t’i japin popullit të tyre “një etnogjenezë të ndritshme”, dhe këta rilindës z.Barka i ka kapur si hajdutë me “presh në dorë” duke vjedhur dhe “përvetësuar lavdinë e civilizimit të Dodonës dhe mitologjisë greke”. Ky, sipas z.Barka është një krim i rëndë, pasi kjo është një e drejtë e pamohueshme vetëm e bashkëatdhetarëve të tij.

       Pasi  mbaron punë me etnogjenezën e shqiptarëve dhe u tregon atyre “arat që u ka lënë babai ”;  na këput edhe një “kumbull” tjetër se, “parimet e ideollogjisë kombëtare shqiptare ishin një adoptim I parimeve të ideollogjisë së re kombëtare greke”. Pra, shqiptarët në Rilindjen e tyre nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë kopjuar grekët e Barkës. Kjo, sikur Rilindja Italiane dhe e gjithë Rilindja europiane të mos ekzistonte fare. Z.Barka e ka lënë koha prapa nja 20 shekuj  dhe haron që nuk jemi në  shekullin e tretë, apo të katërt p.e.s; por në shekullin e XIX, kur  grekët e Barkës sapo kishin hapur sytë, të cilët u vriteshin nga shkëlqimi verbues I civilizimit të ri europian që rezatonte në të gjithë botën, në atë kohë dhe sot e kësaj dite. Z.Barka haron që rektori i parë i universitetit në Turqi Hasan Tahsini, në erudicionin e tij brilant reflektonte parimet e Dekartit dhe të Lajbnicit dhe po kështu gjithë rilindasit e tjerë që ishin frymëzuar nga parimet e revolucionit francez me thirrjet e famshme “Liri, Barazi, Vëllazëri”, nga parimet e shkëlqyera të Zhan Zhak Rusosë, Volterit, Hygosë,Shekspirit, Balzakut etj etj.

       Dhe si për t’i vënë kapak mendimit të tij , i referohet një studjuese filo greke, Natalia Kler, e cila vetë është e sëmurë nga virusi i helenizimit. Duke këputur broçkulla të tilla si “shqiptarizmi kultivohej nëpërmjet helenizmit” dhe se shumica e rilindasve shqiptarë kishin kulturë greke.

       Më tej me një akrobaci sofiste, duke mbështetur  “konstatimin shqetësues” të z.Korkuti, indirect dhe si pa dashje, hedh idenë se idetë e Rilindasve tanë për etnogjenezën e popullit të tyre; mund të gjejnë krahasim vetëm tek idetë nazizte, mbi origjinën ariane të racës gjermane. Pra, Barka me një gur vret dy zogj.

       Dhe në fund të kësaj apologjie, na ve përpara të madhin Çabej; por pa një referencë të qartë dhe të saktë të veprës dhe vendit ku i ka thënë ato fjalë, që me emrin e Çabejt,  gurgullojnë në gojën greke të z.Barka.

       Më tej në shkrimin e tij, z.Barka na hap dritaren e helenizmit, ku thëniet e paskrupullta, për sa i përket vërtetësisë historike të tyre, ndjekin njëra tjetrën.

       E para, se ideatori i megalidhesë, në të cilën mbështetet edhe ideja e Vorio-Epirit, Jani Koleti, është arvanitas. Kur dihet botërisht, që Jani Koleti  është vllah. Këtu z.Barka do që me një gur të vras dy zogj, edhe të hedh helmin e tij; por edhe të na thotë që idetë e megalidhesë nuk kanë lidhje me grekët, por me vetë racën tuaj, shqiptarët, ose arvanitasit.

       Në vazhdim të idesë së helenizmit dhe vendndodhjes së tij gjeografike, duke na përmendur Shuflajin, na tregon se kufijtë e helenizmit, ose greqizimit shtrihen nga Shkumbini e poshtë; po në atë territor që donte të përfshinte Republika Autonome e Vorio-Epirit e vitit 1914 e shpallur prej bashkëatdhetarëve të tij minoritarë grekë.

       Në mbështetje të kësaj na tregon përralla me mbret, lidhur me një deklaratë të Ismail Qemalit; pa e cituar konkretisht dokumentin ku ndodhet kjo deklaratë; ku sipas Barkës edhe vetë Ismail Qemali ka caktuar me dorën e vet kufirin e helenizmit, pra edhe të vetë Greqisë, apo Vorio-Epirit të Barkës; në vijën Manastir-Himarë. Dëgjoni o shqiptarë, se ku jua vendos kufirin z.Barka, prof i asociuar i një universiteti në provincë.

       Në vazhdim të përrallave të tij, z,Barka na tregon se në perandorinë osmane, në të ashtuquajturat  territore greke; ndërkohë që, që nga viti 146 p.e.s, me pushtimin romak të qytet shteteve greke, nuk janë përmendur më në histori territore greke, pasi perandoritë zëvëndësuan  njera tjetrën, Romake, Bizantine,Osmane dhe për  territore greke mund të flasim pas vitit 1831; “gjuha shqipe u bë gjuha e ushtrimit praktik të pushtetit ushtarak, ekonomik dhe administrative nën territoret greke nën perandorinë otomane”. Kështu ky “kalorës me fytyrë të vrerosus” i helenizimit na tregon se gjuha shqipe, qe gjuha administrative e Perandorisë Osmane!!!  Dhe duke marrë për tezë këtë hipotezë, ose një të pavërtetë për argument, hidhet në sulm me shtizën e ndryshkur të Vorio-Epirit duke na thënë një të “vërtetë” qe bota nuk e paska ditur; që , “aq i theksuar qe ky pushtet  (kuptohet i gjuhës shqipe), sa që shumë të krishterë (vetëkuptohet nga grekët e Barkës), në kushtet  kur koncepti komb ishte i pandjeshëm në krahasim me fenë dhe të ekzistencës së një mjedisi multikulturor, pranuan të adoptonin shqipen për të shpëtuar besimin”.

       Një xhevair të tillë “shkencor” nuk e kishim dëgjuar, që gjuha shqipe paska qënë agresive në të ashtuquajturat  territore greke të Barkës, sa që “grekët” e Barkës, për të shpëtuar fenë; zëvëndësuan gjuhën e mëmës, greqishten, me shqipen!!! Dhe për të na mbushur mëndjen me këto përçartje historike dhe gjuhësore, na nxjerr përpara Hamondin, këtë  anglez dogmatic filo-helen; i cili edhe ai nga ana e vet, këput ca kumbulla akoma më të tharta nga pikëpamja shkencore: “…Banorët shqipfolës në Epir ishin fillimisht greqishtfolës dhe adoptuan të folmen shqipe, vetëm kur nën presionin e Turqisë ndryshuan besimin”!!!!

       Po mirë, o zoti Hamond, dakort. Po pse Turqia, nuk bëri presion për gjuhën turqishte, po e kishte zënë meraku me gjuhën shqipe, me se s’bën??!!! Vetëm po të na trulloset mëndja nga rrotullimi në pelivanllëqe të tilla “shkencore”, mund t’i pranojmë këto argumenta.  Këto argumenta dalin nga mëndjet e çoroditura, për mëndje të çoroditura.

       Por, për të na bindur se të gjitha ato që thotë z.Barka më lart janë përsiatje të një mëndje të çoroditur; na vjen në ndihmë po vetë z.Barka. Si, z.Barka do të thoni ju??!!! Po ore, dora vetë. Ja dëgjoni se çfarë na thotë ai me gojën e vet: “ Gjithë ushtrinë e Ali pashë Tepelenës e përbënin shqiptarët, por gjithë infrastrukturën në administratë e përbënin grekët…dhe (Ali pashai) kishte adoptuar si gjuhë zyrtare greqishten”.

       Aman o z.Barka, po kësaj çfarë emëri t’i vemë??!!! Më lart na thua, se “gjuha shqipe u bë gjuha e ushtrimit praktik të pushtetit ushtarak, ekonomik dhe administrative nën territoret greke nën perandorinë otomane”, ndërsa tani na thua të kundërtën, pasi meqënësë sipas teje dhe Hamondit, Epiri ka folur greqisht; por ja ktheu në shqip administrata otomane; nga ana tjetër na thua që Ali pashai, që ishte pjesë e pushtetit turk dhe administratës otomane, pushtet i cili shtrihej në Epir dhe Thesali, na mbante për gjuhë zyrtare gjuhën greke!!!.

Këto përçartje “shkencore” vetëm një donkishot I historisë mund t’i thotë.

Se me të drejtë, po të pyesim o z.Barka, se nuk po të kuptojmë. Kur, administrata e pushtetit otoman në Epir përdorte si gjuhë zyrtare greqishten; grekërit e tu, pse duhej të flisnin shqip, kur shkonin në zyrat e shtetit?!!!

       Si argument, që të mbyllësh gojën e të mos këpusësh më broçkulla të tilla; Po të pyesim: Si ka mundësi që bashkëatdhetarët e tu minoritarë grekë në Dropull dhe në Vurg, 200 vjet nën sundimin e Turqisë dhe 100 vjet nën sundimin e shqiptarëve, nuk pranuan të “ të adoptonin shqipen për të shpëtuar besimin”, por sot e kësaj ditë, ata dhe t’i vetë o zotni nuk e keni humbur greqishten, për të ruajtur besimin. Por flisni greqisht, pa ju penguar njeri. Kësaj çfarë t’i themi??!!!

       O perëndi e madhe, ku të të besojmë; në ato që na thua më lart, apo në ato që na thua më poshtë!!!

       Të gjithë këtë rokopujë z.Barka e bën vetëm e vetëm të na mbushë mëndjen se banorët e Epirit, që nga lashtësia e deri më sot, kanë folur greqisht dhe vetëm greqisht, dhe janë grekë 24 karatë.

       O profesori i letërsisë antike greke, meru me letërsinë dhe mos u ngatëro në thekrat e historisë, se do të pengohen këmbët, do rrëzohesh dhe do të thyhesh hundën. Pasi, po të lexosh, Omerin, Herodotin, Tuqididin, Strabonin, Dionisin e Halikarnasit etj etj, do të mësosh se Epiri në lashtësi ka qënë barbar, pra nuk ka folur greqisht o xhan.

       Por, që të mbushet  mëndja “top”, po të japë një shëmbull nga fusha e letërsisë dhe bash nga ajo fushë, ku zotëria juaj ka marrë titullin Prof, I Asociuar. Po të citoj Eskilin e Madh nga vepra e tij “Lutëset”:

“Përpara teje ndodhet Pelazgu, zot i vendit, i bir’ i Palektonit, i lindur nga dheu…fisi i pelazgëve, që rron në këtë truall. E tërë kjo krahinë, ku rrjedh Strimon I shënjtë, gjer tej ku perëndon (kuptohet dielli), veç mua më përket. Pushteti im arrin tek trojet e perrebve, tej viseve të Pindit (ku banojnë sot vllaho-grekët) gjer pranë Peonisë  (ku banojnë sot shqiptarët e Maqedonisë); Mbi malet e Dodonës; këtu dhe cak i fundit  tallazet shkulm të detit. Ja vendi ku sundoj…”.

Pra sipas asaj që thotë Eskili, territoret ku sundon  pellazgët kufizoheshin : Gjithë gadishulli i Peloponezit; Gadishulli I Atikës, Beotia, Eubea dhe I ghjithë Epiri. Pra, kufizohej ky territos: Në Lindje me lumin Strimon; në Veri me Peonët dhe Perrebët, fise ilire; dhe në Perëndim me  bregdetin e Kaonisë dhe Thesprotisë (Çamërisë së sotme). Pra territore, ku brenda tyre, përfshihej edhe Epiri. Dhe në të gjithë këtë territor me Epirin brenda, kuptohej që flitej pellazgjisht dhe aspak greqisht. Pra në kohën e zbarkimit të danajve në Argos, në Argolidë, Thesali, në gadishullin Kalikidik (Selaniku i sotëm), por dhe në Epir nuk flitej greqisht, por pellazgjisht.

Si përfundim, se kush është bijë apo mbesë e pellazgjishtes, shqipja, apo greqishtja, këtë po ja lemë në dorë gjuhëtarëve.

Mbeç me shëndet  z.Barka.

20.11.2016. Petro Dangëllia.

  • Ky shkrim i derguar ne redaksine e Diellit nga autori eshte replike me shkrimin e Panajot Barkes botuar ne Gazeten Shqiptare datë 30.10.2016 .

Filed Under: Opinion Tagged With: apollogjia e nje greku, Panajot Barka, Petro Dangellia

Ambasadori LU: Cfarë presin Shqiptarët?

December 5, 2016 by dgreca

*Ju duhet të prisni që shumë prej kontrabandistëve të drogës dhe krerë të krimit të organizuar në Shqipëri, do të futen në burg./

*Duhet të prisni që politikanë të lartë të korruptuar, nga e djathta dhe e majta, do të përballen me drejtësinë./

*Dhe më e rëndësishmja, duhet të prisni që kontrabandistë droge, krerë të krimit të organizuar dhe politikanë, gjykatës e prokurorë të korruptuar të jenë të frikësuar.

1-ambasadori-lu-sot-ne-simpozium

***

*Fjala e Ambasadorit Donald Lu në Simpoziumin Antikorrupsion “Sytë drejt së ardhmes: Muri i korrupsionit çahet!” (5 dhjetor 2016)

I nderuar Kryeministër Rama, kolegë diplomatë, gjyqtarë, prokurorë, policë, studentë dhe profesorë,

Në Shtetet e Bashkuara ka një rast të njohur korrupsioni që u zbulua në vitin 2008.  Ai përfshinte dy gjykatës që morën më shumë se 2.6 milionë dollarë rryshfet nga burgje private për të mitur në këmbim të dënimeve të rënda për t’i mbajtur burgjet plot.

Një prej viktimave të këtij korrupsioni ishte 17 vjeçarja Hillary Transue që në vitin 2007 postoi në faqen e saj të medias sociale një shaka, ku tallej me nëndrejtorin e gjimnazit të saj. Ndonëse shënimi tregonte qartësisht se ishte një shaka, gjykatësi e dënoi me tre muaj në burgun për të mitur, për ngacmim.  Prindërit e panë të tmerruar, tek e morën me pranga në duar.

Mbi 2,000 të rinj mund të jenë burgosur padrejtësisht dhe jetët e tyre u shkatërruan, për shkak të veprimeve të këtyre dy gjykatësve të korruptuar.  Dy gjykatësit u pushuan nga puna dhe do të kryejnë shtatë vite dënim në burgun federal.  Tani janë duke u rishqyrtuar të gjitha çështjet e tyre.

E përdor këtë shembull për të theksuar kostot e tmerrshme njerëzore të korrupsionit në nivele të larta.  Në Shqipëri, çdo familje ka një histori për të treguar se si korrupsioni i ka prekur jetën. Disa ankohen për inspektorë tatimorë të pangopur që i detyrojnë të mbyllin bizneset. Të tjerë flasin për biznesmenë të korruptuar që krijojnë monopole në sektorin farmaceutik ose që kontrollojnë politikanë për të ndikuar vendimin për një tender ose pronë. Ose, se si gjykatës apo prokurorë të korruptuar kërkojnë pará, seks ose favore për një vendim gjyqësor korruptiv.

Në korrik, Kuvendi i bëri popullit shqiptar një dhuratë — miratimin e ndryshimeve kushtetuese për krijimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).  Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, këto institucione të reja do të sigurojnë një kapacitet të pavarur të akuzës dhe të hetimit për të kapur krerët e krimit të organizuar dhe zyrtarë të lartë të korruptuar. Ata do ta bëjnë këtë me mbështetjen e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Por, kjo do të funksionojë vetëm nëse populli shqiptar ka pritje të larta dhe kërkon rezultate nga këto institucione të reja.

Ju duhet të prisni që shumë prej kontrabandistëve të drogës dhe krerë të krimit të organizuar në Shqipëri, do të futen në burg.

Duhet të prisni që politikanë të lartë të korruptuar, nga e djathta dhe e majta, do të përballen me drejtësinë.

Dhe më e rëndësishmja, duhet të prisni që kontrabandistë droge, krerë të krimit të organizuar dhe politikanë, gjykatës e prokurorë të korruptuar të jenë të frikësuar.

Shohim prova që këta persona janë tashmë të frikësuar dhe se po përpiqen të luftojnë kundër kësaj reforme. Për shkak të frikës së tyre, ata po sajojnë histori dhe thonë gënjeshtra për Ambasadoren e BE-së, EURALIUS-in dhe Gjykatën Kushtetuese. Sikurse e tha vetë Kryetari i Gjykatës Dedja, Gjykata ka dërguar tashmë një përkthim të rishikuar në Komisionin e Venecias dhe asnjë nga dallimet e përkthimit nuk ishte thelbësor.

Të gjitha partitë kryesore politike e kanë vënë besimin e tyre në gjykimin e Komisionit të Venecias. Jemi në pritje të opinionin të tij, i cili do të ndihmojë në udhëzimin e Shqipërisë për zbatimin e reformës në drejtësi.

Më lejoni ta mbyll duke falenderuar pjesëmarrësit tanë të shumtë që sjellin përvoja antikorrupsioni nga Kroacia, Rumania dhe ekzotiku Detroit i Miçiganit – Gjykatësen Kora Bumci, Prokurororen Florentina Mirica, Prokurorin Federal të Shteteve të Bashkuara Mark Chutkow dhe Agjentin Special të FBI-së Robert Beckman.  Jemi të përkushtuar që të kemi një diskutim të gjallë dhe të sinqertë gjatë këtyre tri ditëve.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ambasadori LU: Cfarë duhet, të presin Shqiptarët?

Homazh për atdhetarin e diplomatin e shquar, Gani Azemi

December 5, 2016 by dgreca

1 enver Bytyci

Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi/

gani-azemi-ibrahim-rugova

Në historinë tonë kombëtare brezat kanë lënë një trashëgimi të pashtershme, e cila i frymëzon shqiptarët në udhën e lirisë, demokracisë dhe prosperitetit. Ndërsa periudha e dekadave të fundit të shekullit XX ishte për Kosovën koha e rilindjes së saj, për shkak se djemtë dhe vajzat e Kosovës u shkolluan dhe mësuan se nuk mjafton vetëm pushka për ta fituar lirinë. Ndër këta më të spikaturit ishte padyshim Gani Azemi, një personalitet politik, diplomat, gazetar, veprimtar i shquar dhe pse jo edhe krijues e poet i talentuar. Gani Azemi lindi më 1951 në fshatin Babush, afër Gadimes së njour në Kosovë për shpellën e saj të famshme me kristalet e mrekullueshme. Ndoshta këtu, ku dhe mbaroi studimet e para, ai u formua si idealist i kristaltë, me shpirtin e lirisë dhe dashurinë e pakufishme për vendin e tij, Kosovën. Mbaroi normalen e Ferizajt e më pas universitetin e Prishtinës. Ai ishte vetëm 17 vjeç kur u përfshi në protestat dhe demonstratat e vitit 1968 për “Kosovën Republikë” dhe natyrshëm një protestues i kësaj moshe nuk mund ta tradhëtonte veten e tij në asnjë moshë tjetër. Prandaj nuk iu nda veprimtarisë patriotike për një Kosovë të lirë e të pavarur, derisa nën presionin e forcave të sigurisë e të shërbimit të fshehtë serb u detyrua më 1978 të arratiset nga vendi e të kërkonte azil në Bruksel. Eshtë interesant fakti se kur Ganiu u arratis nga Kosova në Perendim po kryente shërbimin ushtarak në armatën jugosllave. Të guxoje të ikje nga ai shërbim ishte një guxim i dyfishtë, që shprehte veç tjerash vendosmërinë e tij për të sfiduar regjimin e Beogradit në Kosovë. Një sfidë, të cilën pak njerëz e kanë realizuar. Dhe për këtë arësye Gani Azemi ishte në shënjestër të goditjeve dhe të atentateve të UDB-së. Shërbimi sekret serb nuk mund të pranonte këtë sfidë, si dhe devotshmërinë dhe punën atdhetare të tij me qëllim lirinë e shqiptarëve në Kosovë. Prandaj u përpoq që ta likuidontë atë fizikisht, siç kishte bërë me patriot të mëdhenj të asaj kohe si Jusuf e Bardhosh Gërvalla (1981) apo Enver Hadrin më vonë (1990). Ai u largua dhe dezertoi nga ustria jugosllave pas një dhune e torture të zgjatur në kohë, për ç’shkak ishte dobësuar dhe do të përballes edhe me ndonjë sëmundje. Ashtu, I dobët, por me vullnet të fortë Ganiu i tha “JO” shërbimit ushtarak, i tha “JO”, torturës e dhunës fizike e psikologjike të regjimit të Beogradit. Gani Azemi u shfaq në Bruksel asokohe jo si një punëkërkues, por si një luftëtar lirie. Shpirti i lirisë ishte dhe shpirti i Kosovës, e cila pak më vonë do të bëhej përsëri pre e dhunës dhe terrorit serb. Ndodhën ngjarjet e vitit 1981, të krahasueshme me ato të vitit 1968, dhe Prishtina e qytete të tjera të vendit u pushtuan nga tanket, ushtria dhe policia federative e Jugosllavisë (saktësisht Serbisë). Zoti Azemi prej këtij momenti organizoi mërgatën e Brukselit, më pas të të gjithë shqiptarëve në Belgjikë e më vonë me ndikim tek e gjithë mërgata në Europë e deri në Amerikë, për të denoncuar dhunën shtetërore të Beogradit në Kosovë. Denoncimi i atyre veprimeve antihumane e antishtetërore ishte një detyrë parësore për shumë arësye. – Sepse Serbia ishte shfaqur para opinionin europian si viktima e shqiptarëve dhe e kombeve të tjera në Ballkan dhe me evidentimin e dhunës serbe e denoncimin e saj, ajo do të shihej me sytë e një realiteti ekzistues. – Sepse shqiptarët, ata në Shqipëri dhe shumë shqiptarë të Kosovës në diasporë nën ndikimin e ideologjisë komuniste hoxhiane, u shfaqën në opinionin perendimor si nacionalistë, si njerëz problematikë, që duan të ndryshojnë hartën e Ballkanit me dhunë. Ky qëndrim i Shqipërisë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, duke thirrur në ndihmë të pushtetit nacionalizmin e përforcoi përceptimin se “serbët janë vërtet viktima të shqiptarëve”. Në vend të ankoheshin shqiptarët, ankoheshin serbët, në vend që shqiptarët të qanin për varret që hapeshin, ata mburreshin me heroizmat e tyre dhe me dëshmorët fiktivë të tyre, duke e ndihëmuar procesin e viktimizimit të Serbisë e të serbëve. Me përkushtimin e jashtëzakonshëm të tij, Gani Azemi punoi me mish e me shpirt për bashkimin e diasporës shqiptare në botën e Perendimit dhe për këtë qëllim bashkëpunoi ngushtë me shumë patriot të tjerë me emër, si Jusuf Gërvalla në Gjermani e Hysen Gërvalla në Zvicër. Në këto përpjekje ai u shpreh gjithnjë kundër indoktrinimit të shqiptarëve me ideologjinë komuniste, që vinte si propagandë e regjimit komunist të Tiranës. Sipas tij “nuk fitohet përkrahja e botës demodratike me parulla komuniste, por vetëm duke kërkuar mbrojten e të drejtave të njeriut dhe të popullit për shqiptarët të Kosoves”. Duket se Deklarata e të Drejtave Universale të Njeriut si dhe zhvillimet që kishte marrë mbrojtja e këtyre të drejtave pas Konferencës së Helsinkit kishin shënuar një ndikim të jashtëzakonshëm te ai. Bashkatdhetarët e tij mërgimtarë e mbajnë mend Gani Azemin si një personalitet me cilësitë e një njeriu të mençur e të urtë, karizmatik e më një zë të fuqishëm si vocal e në përmbajtje, si një intelektual që ushqente besim, krijonte atmosferë entusiazmi dhe dëshmonte fuqinë e mendimit të tij patriotic e demokratik. Vokali i tij ndoshta ishte i trashëguar nga babai, i cili ishte një imam (hoxhë) I zoti në fshatin e tij të lindjes. Gani Azemi nuk u tundua nga kjo lloj megalomania, u tërhoq nga vetëmburrja. Ashtu i qetë, paqësor, dukë prodhuar gjithnjë energji positive ai iu ngjiz jo vetëm fakteve, ngjarjeve, të dhënave, argumenteve që prodhonte sidomos grupi për të Drejtat e Njeriut, të cilin ai e drejtonte bashkë me Enver Hadrin, por i tillë u shfaq para bashkëbiseduesve europianë. Rastësisht ose jo ai jetoi dhe militoi në kryeqytetin e Europës së Bashkuar. Aty gjeti bashkëbisedues të shumtë, me të cilët kontaktoi çdo ditë e çdo orë, duke ndarë me ta ngjarjet e Kosovës, sidomos dhunën e terrorin serb që ushtrohej mbi shqiptarët. Nuk u ndal asnjë moment dhe punoi me përkushtim në marrëdhënie të ngushtë me politikanët e diplomatët europianë të Brukselit, me median europiane, me personalitete të kulturës dhe shkencës. Bashkëshortja e tij, Mejreme Azemi, e cila është ende sot e angazhuar me shtypin dhe medien në Bruksel, u bë një mbështetje e jashtëzakonshme për Gani Azemin, duke krijuar kështu një çift të aftë e të suksesshëm në përpjekjet e mundimshme në ndihmë të çeshtjes kombëtare shqiptare. Natyrisht që dalja e Dr. Ibrahim Rugova ne skenën politike dhe të lidershipit të Kosovës krijoi një hapësirë të re për përpjekjet e vazhdueshme të diasporës shqiptare në ndihmë të çlirimit të vendit nga sundimi e dhuna e Serbisë. Duhet thënë se diaspora e shqiptarëve të Kosovës mund e duhet shënuar si kontribuesja kryesore e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, edhe për shkak të pamundësive për të vepruar në territorin e saj. Gani Azemi kishte shumë arësye të ishte në një linjë me Rugovën e të bëhej krahu i djathtë i tij në kryeqytetin europian, ku vendimmarrja ishte shumë domethënëse për lirinë e shqiptarëve. Ai kishte një profil të lartë intelektual, kishte kapërcyer, ashtu si edhe Rugova, nëpër shumë realitete të dhimbshme për vendin, kishte marrë pjesë në barrikadat e luftës për liri, kishte një përvojë të gjatë të luftës “guerile” kundër pushtetit e dhunës serbe në Kosovë. Nga ana tjetër kishte një temperament të qetë, e urrente protagonizmin, por punonte fort për të informuar botën demokratike për çka po ndodhte në Kosovë. Ai ishte i urtë, i kthjellët, karakteristika këto që i pëlqenin liderit historik të Kosovës. Për të gjitha këto arësye mund të thuhet se Rugova dhe Gani Azemi u mirëkuptuan që së paku në Bruksel të plotësonin njëri-tjetrin. Nëpërmjet Gani Azemit Ibrahim Rugova ishte çdo ditë i pranishëm në Parlamentin Europian e në Komisionin Europian, por edhe në Këshillin e Europës. Ai u bë urëlidhëse midis Prishtinës e Brukselit si dhe mbështetja kryesore e Ibrahim Rugovës në ndërtimin e promovimin e çeshtjes shqiptare të Kosovës në Bruksel. Dhe jo vetëm në institucionet europiane, por edhe në selinë e NATO-s Gani Azemi u gjend kurdoherë si bashkëbisedues dhe ndërlidhës i politikave të lëvizjes çlirimtare të Kosovës me interesat, konjukturat dhe rrethanat në të cilat duhej të vepronte Aleanca e Atlantikut. Nëse ka patur ndonjë lidhje të qëndrueshme e të pakompromis për lirinë e Kosovës midis dy personaliteteve, si dhe midis Kosovës dhe Europës, midis Prishtinës dhe Brukselit, kjo lidhje padyshim mund ta marrë emrin si lidhja midis Dr. Rugovës dhe Gani Azemit. Në këtë mënyrë zoti Azemi u bë “ambasadori” i parë i presidentit Rugova në Bashkimin Europian, u formua praktikisht e teorikisht si një diplomat i klasit të lartë, u shqua për një marrëdhënie miqësore, mirëkuptimi e kompromisi me partnerët e tij të politikës dhe diplomacisë euripiane e euro-atlantike, duke shkuar hap pas hapi te krijimi i bindjes se “Kosova vuan një regjim aparteidi”, dhe se “duhet dalë nga kjo situatë dhune e terrori të pandërprerë të regjimit të Milosheviçit”. Sa më shumë shtohej terrori serb në Kosovë, aq më shumë i rriste Gani Azemi kredencialet e vendit të tij dhe përçonte argumentet e ndërhyrjes nga jashtë për zgjidhjen e konfliktit. Por edhe kur lindi UÇK, ai me shumë maturi e largpamësi dalloi se lëvizja paqësore e Dr. Rugovës dhe Lëvizja e Armatosur për Çlirimin e Kosovës ishin dy aleatë të pandashëm për lirinë e saj. Qenë shumë pak ata njerëz që Luftën dhe UÇK-në e kuptuan dhe e interpretuan si të tillë, si zgjatim i përpjekjeve të shqiptarëve për liri e pavarësi, fillimisht përmes lëvizjes paqësore active të refuzimit të regjimit serb në Kosovë. Ndër ta spikati Gani Azemi, duke dhënë mesazhin e bashkimit të shqiptarëve në luftën kundër përpjekjeve të Milosheviçit për asgjësimin e tyre. Pas Luftës Gani Azemi thjesht iu gëzua çlirimit të Kosovës dhe mbeti gjithnjë besnik i vijës së urtë e filozofisë përbashkuese të presidentit Rugova. Ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, qeveria e Kosovës e emëroi Gani Azemin si këshilltar-Ministër në ambasadën e saj në Bruksel. Nuk e di nëse do të gjendej apo u gjet ndonjë diplomat tjetër si ai për ta përfaqësuar Kosovën si ambassador në kryeqytetin europian! Por ky aspekt nuk është çeshtje që mund të trajtohet në këtë homazh me rastin e 4 vjetorit të asaj dite të dhimbshme, kur njeriu i urtë e besnik i Rugovës dhe i Kosovës ndërroi jetë. Kam pasur fatin ta njoh Gani Azemin, të bisedoj me të, madje në librin tim “Ibrahim Rugova: Filozofia politike dhe nacionale”, kam vënë disa vargje të poemës që ai i kushtoi presidentit historik të Kosovës, Dr. Rugovës. Me këtë dua të përmend faktin se Gani Azemi nuk ishte thjesht një politikan dhe diplomat, ishte gjithashtu poet, eseist, gazetar dhe një personalitet, vepra e të cilit mund të konsiderohet shumëdimensionale, para së gjithash humane e shoqëruar me vendosmërinë, përkushtimin dhe devotshmërinë e pafund për t’i dhënë Kosovës lirinë e pavarësinë e saj.

Filed Under: ESSE Tagged With: diplomati, Enver Bytyci, Gani Azemi, homazh

Dita Ndërkombëtare e Punës Vullnetare

December 5, 2016 by dgreca

1-lindita-komaniDita Ndërkombëtare e Punës Vullnetare. Në Austri e përkujton Ministri i Jashtëm me një postim. Në një popullsi prej rreth 8,5 milionë banorë, mbi 3 milionë angazhohen vullnetarisht në shoqata e organizata të formave të tjera dhe japin ndihmën e tyre për një shoqëri më të mirë. E mësojnë thuajse që në djep që kjo është një sjellje normale në jetesën në shoqëri. Nga kjo sjellje austriake u infektova edhe unë në kohën që jetoja aty. Sigurisht që infektimi nuk ndodh te kushdo, se duhet të kesh prirje altruiste të lindur. Pavarësisht zhgënjimeve të shumta që mund të kem pësuar nga marrëdhëniet me njerëz që mezi presin për “viktima” vetësakrifikuese për të përfituar nga puna falas që ata/o bëjnë, apo mosbesimit që mund të kenë pjesëmarrësit në një nismë shoqërore si pasojë e prirjes së theksuar drejt mosbesimit që kemi si popull, mund të them se angazhimi vullnetar është diçka me vlerë. Ke plotësim shpirtëror, si pjesë e një komuniteti ndihmon në një çështje që është me vlerë për ty e mund të jetë edhe për shoqërinë si e tërë, duke bashkëvepruar për një të mirë të përbashkët, njeh njerëz e ku i dihet se ku të çojnë edhe lidhjet që krijohen me këtë rast. Aktualisht praktikuesit e rregullt të këtij sporti në Shqipëri konsiderohen si budallenj. Por unë besoj që kur përqasja ndaj kësaj teme të ndryshojë, me dëshirë e jo me dhunë shtetërore si në diktaturë me të djelat e pastrimit apo aksionet që prindërit tanë i njohin mirë, punët si shoqëri do të na shkojnë më mirë.

Filed Under: Komente Tagged With: Dita nderkombetare, e Punës Vullnetare, Lindita Komani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2346
  • 2347
  • 2348
  • 2349
  • 2350
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT