• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HAKMARRJA E SHËN VLASHIT

October 15, 2016 by dgreca

Nga cikli «Apostuj të dashuruar»/

1-xhevair-lleshi-zyre

Ese nga Xhevair Lleshi/

 Vdiq? Vërtet? Ç’thua more derdimen! Nga nepërka? Iu hodh me egërsi mbi gjoksin e hapur! E çë… ç’domethënë kjo? A nuk e pret kryq vendin ku ajo monstër e kafshoi? A nuk ia thithët gjakun? Kjo-ë-shtë-e-tmerr-shme! Me sa duket nuk e kuptoni fare ç’ka ndodhur! Më duket se kisha ngrirë. Vdiq, studenti nga një fshat i Elbasanit, Myrto Zela, i vitit të parë, në ditën e parë të luftës së shpallur kundër fesë, duke shkulur gurin e parë të kishës në manastirin e bekuar të Shën Vlashit. Ne përshkonim rrugën me pluhur me një makinë të zbuluar drejt manastirit. Këndonim. Lëkundeshim sa andej-këndej dhe sërish i shtronim në dru fjalët e këngëve revolucionare. Flamuri i kuq mbi ZIS-in e hapur tundej si çdo flamur në erë. Te sheshi i manastirit, teksa ZIS-i po rrotullohej me shpejtësi të vogël unë u hodha nga spondi dhe «fluturova» mbi barin e njomë. Ishte fillim qershori. Provimet ende s’kishin filluar. Sa e pashë Myrvete Kasëmin që po kalonte aty, u çudita dhe e ndjeva se duhej ta takoja. Dhe ashtu bëra. Ajo, si gjithnjë, «u tremb» nga e papritura. Vëllaçko? Ç’kemi? Kur paske ardhur? Ja, i tregova, kemi ardhur, do ta shembim! Ju? Na thanë se do ta shembë ushtria! Ç’ne! Do ta shembin studentët dhe ata të shkollave të mesme të Durrësit… Myrvetin dikush e thirri dhe ajo iku. S’u duk më. Aksident që ditën e parë. Kishim ardhur të mbushur me një moto të madhe dhe e gjitha u kthye në rëndomësi, në fatalitet. S’dinim ç’të bënim. Ata, më të vegjlit, domethënë dy ose tre vjeç më të vegjël se ne, ia kishin therur vrapit përmes rrugëve me tym që ndërthureshin plot udhëkryqe drejt Durrësit, ish-kënetës dhe detit. ZIS-i i flamosur se ku qe fshehur, s’u mor vesh. Ndoshta ia kishte mbathur drejt spitalit me djaloshin e vdekur, me Myrton e shkretë, «dëshmorin e parë të luftës kundër fesë».  Ne na mbeti në prehër dhimbja dhe s’dinim ç’të bënim me të. E shtynim tutje ajo nuk largohej, e afronim dukej sikur na hidhej në fyt. Dhimbja na përfshiu me shpejtësi skëterrë. Pastaj, pas pak, rreth e qark manastirit vumë re që sorollatej e lirë. Dhe ky i fundit, manastiri i famshëm që shëronte sëmundje dhe shpëtonte të kërbunjurit e kësaj jete, u fut në vorbullën e një rrëmuje që s’kishte zot ta merrte vesh.  Do të donim të na rrëmbente në krahë, por nuk ndodhi asgjë. Besonim se mund të shfaqej së shpejti në rrugën me pluhur nepërka e gjëmës. Pedagogët edhe ata qenë fshehur. S’u mor vesh kurrë pse ndodhi ashtu. S’mund të dënohej njeri në atë kohë në Shq­ipërinë tonë socialiste për urdhra e për iniciativa revolucionare. Përkundrazi! Ai që hodhi kazmën e parë mbi manastir gjeti vdekjen! Ai po, mund të ndëshkohej rëndë: për atë që nuk bëri dot, për atë që nuk arriti ta çonte deri në fund. Vdekje qesharake… A duroheshin këto? E ndieja se «kandidatët» studentë duhet të rrinin sipër livadhit dhe mbanin shënime. Asnjëherë nuk ndodhte të mbanin shënime në leksion, kurse në kohën e lirë blloqet e tyre të kuq mbusheshin plot me shënime me stilolapsat e kuq! O tmerr! Një korrespondent vullnetar nga të fshatit s’di nga doli mes nesh. Vdiq? Pyeti. Vdiq, i tha një shoku im afër. Askujt nuk ia mban të shkojë te muri për ta prishur. Ja, i shikon kazmat e gurit si prehen mbi bar e tym? Ato flasin më shumë se njerëzit. Dikush qe ngjitur në kambanore dhe u dëgjua tingulli i fortë i kambanës. Vetëm dy herë dhe reshti. As u kujtua njeri të shihte andej. Pse nuk vazhdon aksioni? – pyeti korrespondenti vullnetar, nga Shënavlashi, besoj. Nuk e dimë. Ne nuk folëm por ngritëm supet. Policia? S’ka ardhur kryetari i Degës? Si? Ne u drodhëm. I pëshpërita shokut pranë dhe ai uli kokën. Mirë e ke, duhet të zhdukemi. Se, dëshmitar na duhet të jemi, ajo na mungon. Ikim. E pëshpëritëm, e menduam, por askush, vinim re, nuk po lëvizte. Megjithatë i pari mbërriti  sekretari i parë i rinisë. I njohur, kaçurrels, bardhosh (emrin më duket se Bardhosh e kishte!), i qeshur me një nur të zi mbi plagët e buzëqeshjes, hyri mes nesh. Kjo është thirrje e partisë, duhet të hidhemi në sulm. Të rrëmbejmë kazmat dhe ta shembim. Ai rrinte drejt, hell, dhe sikur i këngëzonte fjalët me përtim. Ku janë profesorët? Pyeti ai i tmerruar. Tani vijnë shokët e komitetit të partisë. Më duket se paskeni ardhur të shkrehur fare! Sekretari i gjorë rrëmbeu kazmën e gurit me çek të gjatë dhe u turr nga kisha. O-bo-bo! Bërtiti. Nepërka!…
Humbi nëpër studentët e frikësuar. Profesori i fundit i gjeografisë, i miri Vasil Naço, doli si mënjanë dhe dyllë i verdhë i tha diçka nëpër dhëmbë sekretarit dhe vajti të ulej diku. Vura re se ai mezi priste të iknim ne të parët. Ia lexova qartë në sy, sido që nuk e jepte veten. Përfytyroja, duke parë lëvizjet e handakosura të njerëzve, të njohur e të panjohur, sikur po luanin një akt të një baleti klasik. Dukej sikur ne po shkruanim elegjinë tonë të pa menduar kurrë. Ndoshta një valle epike nga ato të veriut mund ta ngrinte diçka moralin. Unë dhe Rauf Tabaku vinim nga Berati, vendi i kishave dhe i xhamive, i shtëpive më të bukura në botë, i tragjedive shekspiriane dhe i lëngatës së madhe. Të dy u pamë në sy. Jo. Ne do të rrimë. Aq duan, e kupton. Ç’humbje e madhe! Të dy ne… As na i merrte mendja! M’u duk se tej në thellësi deti na solli një gjëmim të largët. Turp e marre. Teksa shkruaj kam përpara syve Bardhin dhe Vaso Papain. Vaso që nuk lë rast tragjedie pa e ngritur një përmendore fjalësh, nëpër shkallët e të cilave ngjiten dhe zbresin vetëm djem e vajza, studente apo shkollarë, sepse aty ecën me ritëm të përveçuar e mbrapshta dhe koha e mbaruar. Nëpër shkallë gremiset së pari vdekja, vdekja e Myrto Pelës, nga një fshat i thellë, emrin s’ia mbaj mend. Vdekja duhet të luajë në skenë një valle të çmendur plot duf e shkreptima, me krahë shqi­ponje dhe duke shkelur nëpër shkrepa Bjeshkësh të Namuna, e therur mbi barin alpin. Nëpër ato shkallë, duke ardhur rrotull manastirit të Shën Vlashit humbi edhe korrespondenti vullnetar, u tremb komunisti sekretar i parë i rinisë, që mbante emrin Bardhosh dhe një mbiemër me siguri e kishte. I mbahej paksa goja dhe ia ngjitën menjëherë: gagaçi! Kurrë nuk më ra ndërmend…

Po, më kujtohet, në Tiranë kur bezdia thyente këmbën, por të përthyhej kaq keq këmba në ditën e parë të aksionit, tashmë të mbetur pezull në ajër që në çastin kur Myrto Pela ra i vdekur në tokë. As korrespondenti vullnetar nuk shkroi dot një rresht për vdekjen e tij, kurse shpifja ishte vërtet elegante, një gënjeshtër me brirë, se kisha e Shën Vlashit ishte prishur nga rinia heroike. Nuk më është hequr nga mendja kurrë ky fakt. As sytë e përlotur të profesor Naços s’mund t’i harroj. Aty mund të luhet partitura makabre dhe e mullosur e tmerrit makbetian që na përfshiu atë mëngjes të gjithëve. Ata që kanë qenë aty e dinë. Dhe të thuash të vërtetën ajo ditë «heroike» u mbyll vërtet stoikisht, duke u mbajtur gjallë nga këmbët e drobitura, me një shpirt të lodhur. «Nuk pati asnjë hollësi, shkruante korrespondenti vullnetar, sepse prej kohësh kisha mezi priste të shembej!» Kësaj i thonë hollësi gazetareske, gjetje e bukur!? Askujt tjetër, përveç atij djali të trembur s’mund t’i shkonte nëpër mend kjo që shkruante. Më ra në sy drita e mekur në sytë e mikut tim Rauf Tabakut, që më përmendi mëngjesin gala, sikur të ishte një shfaqje në Opera. Luhej një vals atje, më duket nga të Shtrausit, për t’u hequr me shpejtësi nga skena. Para se të niseshim ishin menduar edhe detajet. Ne do të vinim çdo ditë në Shënavlash, kështu ishte menduar. Do të punonim e do të hanim drekën e marrë me vete. Por gjithçka u prish. Nuk pati aksion. Ne prisnim si mjaft të tjerë. Pastaj ikëm duke marrë këmbët në krahë, të paktën deri te stacioni më i afërt i trenit në Sukth. Te vila e Zogut, ku flinin zyrat e drejtorisë së NB. Një nga shoqet tona, Myrvetin nuk e pashë më, veç asaj flakërime, më pëshpëriti diçka dhe u pengua papritur. E mbajta fort. Faleminderit. Ditë ters, belbëzoi. Dhe me diell, pale! Pata një ndjesi të çuditshme, një lloj turbullimi. Mbaroi dhe aksioni ynë, thashë. Sa e filluam dhe u tret. Shoqja ime, mbështetur tek unë, më tha se s’mund të na linin kaq kot, sa të mos e festonim suksesin tonë të madh! Ironi therëse, ashtu e hollë, fine. Shoqja, e cila bënte sikur nuk ecte dot, dukej me një fytyrë prej ajri. E çiltër dhe e ngrohtë. Shikonte larg, pëshpëriste diçka të harruar dhe mbahej krejt e pavëmendshme. Lodhja ose më mirë rraskapitja prej atij mëngjesi ishte vulosur në fytyrën e saj. Peizazhi i asaj paradrekeje nuk ishte ky që njohim sot, sepse gjithçka e ka afruar autostrada, ndonëse pa ndonjë farë arti. Kurse atëherë, në vitin 1968, ishte vërtet sfilitje të kaloje andej, që mund ta tregoje më pas si një sëmundje lënguese, që teksa shikoje Marjetën edhe e dëshiroje, dhe këtu s’ke pse çuditesh. Mos u trembe Marjeta? Më duket se ke temperaturë. S’di as vetë se si më hipi një damar evgjiti, m’u përzjenë krenari e marrëzi së bashku, asaj nuk i kujtohej mëngjesi dhe mua më erdhi ta shtyja tej e pastaj të tallesha, sepse ajo më lëvrinte në majë të gjuhës. Nuk po të kujtohet Myrto Pela? As nepërka? As vdekja? Ç’thua? Do të lë këtu në mes të kësaj fushe gjersa të vijnë mendtë dhe hajt të të gjejnë! Mendimi më përshkoi si rrymë dhe unë menjëherë u dorëzova, pa kurrfarë ndjesie. Çudi, meqë asaj i erdhi mendja shpejt nuk e mora për lajthitje. Në mesin e studentëve ndodhin gjëra edhe më të mëdha, të çuditshme po se po. Lajthitja është më e pakta…

E gjetëm stacionin e trenit pas nja dy orësh. Të vinte keq kur i shihje vajzat të çjerra nga këmbët. Kurse treni erdhi shpejt. Sapo u bëmë të gjithë bashkë në vagonin e gjatë, na erdhën pranë mbrëmjet e harruara, por përfytyrimi mbeti pas, sepse dielli i fortë të përfshinte në tjetër energji që ndizte me flakë drita­ret e vagonit. Marjeta dhe jo vetëm ajo u mbështetën në pezule dhe po i mbanin kokat jashtë me flokët që ua merrte era. Një pamje vërtet emocionuese. Zërat e ngritur më tepër se e zakonshmja bënin përshtypje dhe njerëzit kthenin kokat pas dhe anash. Kushedi, mendoja, mund të zëmë ndonjë punë me këto prishjet e kishave e të xhamive. Si në ethe. Se atje me siguri donin ndonjë që të njihte arkeologjinë, ose edhe fushat, malet, grykat. Ndoshta mund të kishim fat dhe na ecte. Isha futur në të thella, imagjinoja lëvizjen e skëterrshme dhe nuk më binin në mendje pasojat. Madje po më bëhej e gjithë kjo shfaqje makabre me një ritëm të llahtarshëm, me mizanskena allasoj, me një atmosferë të përçudnshme. Kush jeni ju, që dashkeni këtë lloj pune? Nuk iu përgjigja zërit të brendshëm. Nuk do të na lejonin të merreshim me shembje kishash dhe objektesh të tjera kulti? Ndoshta thjeshtonim edhe kohën. Domethënë të shkonim dhe të vinim, vetëm sa për t’i parë, se kishat apo xhamitë i prishnin korrespondentët vullnetarë dhe sekretarët e paepur të rinisë. Më doli para syve Myrto Pela dhe u drodha. Më dha një ditë një arançatë, mbaje më tha, sot e kam festë, këmbyem unazat, ah, ajo është e ekonomikut, erë, më duket dhe engjëll… Tunda kokën dhe m’u krijua një pështjellim, aq e gjallë ishte figura. E mbante në duar unazën e tij të thjeshtë, hiq e vër nga gishti i mesit të dorës së majtë, duket që s’ishte mësuar. Ia pranova arançatën me shije pjepri dhe po lëvizja edhe unë gishtërinjtë. Kishe rënë brenda Myrto? Ai qeshi duke hapur fytyrën e bardhë dhe që atë çast më dhuroi një kënaqësi të veçantë… Po, po, brenda që ç’ke me të… Të paktën kur të largohemi nga Tirana do të jemi bashkë dhe kjo me siguri që do të jetë një mbrojtje e madhe. Nga se? Epo ne brinjë zogu kemi, ushtër, të njomë, thyhemi lehtë ndaj dhe mbajmë njëri-tjetrin. Ku e ke të fejuarën? – e pyeta. Iku me nënën time dhe do blinin diçka. Vërtet? Ai qeshi. Është e mahnitshme Marga! Mbeta gojëhapur. E njihja Margën, zeshkanen e ekonomikut. E njihnin edhe të tjerë. U drodha. Mos është edhe ajo në tren? I bëra gjërat lëmsh. Këtu në vagon s’bie asnjë kambanë! S’ka alarm këtu. Rrëmujë, vetëm rrëmujë. Askush nuk e çan kokën. Dëshiroja që përfytyrimi im të rrinte dhe ca, se sigurisht që përfytyrimet ikin lehtë, po le të rrinte edhe ca meqë m’u kujtua ajo skenë e bukur, megjithëse më mundonte një ndjenjë e paarsyeshme dhe pyesja veten, mos po e tregoja sheshit që isha thjesht një egoist? Befas u tremba. Marjeta erdhi pranë meje. Pa shikoje si më është bërë koka? Unë pashë një gëmushë të harlisur që s’merrej vesh as fytyra dhe kurrgjë tjetër. U bëra gati mos së andejmi mund të dilte papritur fytyra dhe prita gjithnjë në heshtje. Por ama brenda meje ishte edhe Myrto Pela. Zbulohu Marjeta, largoji flokët. Ke aparat ti? Jo. Aparat ka vetëm Çeliku. S’e dija. Çeliku? Ai syshtrembri? E, ai, ai! Sa i ëmbël që është, do vete ta gjej. Fytyra e Myrtos brenda meje këtë radhë m’u shfaq e rreptë. Do ta gjej, tha dhe do ta sjell para teje! Ç’lidhje ka me mua? Fytyra e tij dhe ai vetë po bëheshin nervozë. Nuk e mbante vendi nganjëherë, ngrihej e ulej brenda një çasti të vetëm, bënte gjeste të çuditshme. Myrto Pela nuk binte në sy, por hera-herës shfaqej papritur ndryshe nga ditët e tjera dhe të linte pa frymë, qeshte sa mekej, pastaj befas zymtohej. Ta them hapur fare: si moti në prill. Pastaj lëviza nga vendi aty në ndenjësen e gjerë të vagonit. Ku ta kenë lënë? Ndoshta në morg. Kërkova me sy profesor Vasilin dhe meqë nuk e pashë mendova se do të ketë shkuar në morg. Po ne? Balli m’u mbush me djersë të ftohta. Kjo ishte shenjë e tronditjes së madhe. Ai djalë kishte provuar dashurinë dhe e kishte të sigurtë parajsën, kishte njohur artin e saj, pat provuar shijen e asaj ndjenje të hollë të shpirtit të lartësuar, nën efektin e një muzike hyjnore, pa të cilën jeta jonë vetëm fizike do të kthehej në një vulgaritet pa anë e kufi. Myrto Pela me dashurinë e përjetuar e bëri jetën e tij më të lehtë e më të bukur, mendova, ndërsa fytyra e tij po më shfaqej e merakosur. Ata, të tjerët rrotull nesh, ndjejnë ndoshta zilinë e pakuptueshme për studentët. Herë të tjera më bëhet se ata ndjejnë dhe kënaqësinë që ata pranë nesh dhe ne aty afër tyre. Kjo kohë që jetojmë është vrasëse, mendova dhe një fije djegësirë e keqe më kaloi në trup e në shpirt. Do ta donim dhe ëndërronim që ajo të mos ishte kurrë vrasëse, por e bukur si dashuria e Myrtos…

Më duket vetja i lodhur me kohët e jetuara dhe s’di pse sot mendoj për atë ditë, por sidomos edhe për jetën e atij djali që iku rrëmbyeshëm dhe u harrua menjëherë, tronditshim, me një dhimbje të egër që vazhdimisht na djeg e na djeg. Ndihem i lodhur me kohët dhe për më keq edhe me kohën që jetojmë. Vërtet kjo nuk shemb kisha e xhami, por ka hedhur përtokë si pa pikë vlere njeriun. Pale shpirtin e tij. E ka dreqosur krejt! Unë nuk shkruaj kujtime, boll janë ato që shkarrashkruhen gjithandej. Mirëpo askush nuk e vë gishtin mbi plagën ku vërtet dhemb. Bëja qejfin, shefit… Shemb shtëpi me tritol… Vidh, gënje dhe mashtro me art! Ulërima më e keqe që më zënë veshët dhe, ndërkaq, gjithnjë më del para syve fytyra e dashuruar e shokut tonë, që humbi jetën sa ceku gurin e kishës, ditën e parë të mallkuar, duke mbetur dëshmor i askujt. Në kohë të këqija, s’di ku të fshihesh. Ndoshta prandaj dhe ikim. Ikim nga sytë këmbët. Mbase dhe Myrto do të kishte ikur, ose fëmijët e tij e të Margës. Nostalgjia për atë njeri, sidomos për ne që e kemi njohur, është shumë e dhimbshme. Dhe pastaj, Marga… Përpiqem ta mbaj veten. E shoh gati përditë në rrugën time, të plakur e të kërrusur por që ende e ruan bukurinë mbi fytyrën paksa të zeshkët. E di që mbeti vejushë (për të qeshur!) e një fejese, ndërsa miku ynë e humbi jetën aq kot dhe aq thekshëm. Nxitoj se nuk di ç’t’i them më. Nxjerr një faleminderit dhe largohem, s’di as vet për ku. Sa për t’u përfshirë në turmë, e cila e asgjëson personalitetin. Kap veten nga krahët që të mos iki më larg se ç’duhet. Më dhimbset lëkura ime. Thjesht egoizëm dhe kaq. Ankth. Dhe fytyra e Myrtos më vjen sërish e ngrohtë, e fisme, e lodhur. Më duket se do të jetë ende atje, në morg… Amen!

 

Tiranë, 04.09.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: E SHËN VLASHIT, Hakmarrja, Xhevair Lleshi

MOIKOM ZEQO – TALENTI I BEFASIVE TË MËDHA

October 15, 2016 by dgreca

…..Moikom Zeqo ishte dhe është universal. Ai rrëmon dhe shpirtin e njeriut dhe gjirin e tokës. Nga shpirti njerëzor nxjerr brilantet e virtyteve, nga toka reliket, identitetin, gjenezën, moshën e kombit, kulturën./

1-moikomzeqot

 (Mrekullitë nuk eklipsojnë dhe nuk eklipsohen)

Detin Adriatik e kam gjetur ndonjëherë të qetë, por Moikom Zeqon s’e kam gjetur kurrë të qetë. Prandaj në përfytyrimin tim ai ka mbetur si një trazim që kërkon të qetësojë, por jo të qetësohet.
_________________________________________________________
 /

1-faslli-haliti-2Esse nga FASLLI HALITI/

Deti Adriatik, buzë të cilit shtrihet Durrësi si një Poseidon, ka dallgë të mëdha dhe të vogla. Moikom Zeqo është dallga e tij me përmasa, me buçima dhe forma të çuditshme, synon vazhdimisht pushtime brigjesh të reja poetike. Ishte oqeani Kadare që e dalloi i pari dallgën dhe lartësinë poetike, Moikom Zeqo.

Në vjeshtën e vitit 1968 Kadare më thotë të shkruaja një recension për librin poetik “Vegime të vendlindjes” të Moikom Zeqos. “Është poet i talentuar, më thotë, dhe librin e ka interesant.” I premtova.  Kur  u takuam sërish më thotë: “Unë e mbajta fjalën, e dorëzova recensionin e librit tënd në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, ti s’e mbajte fjalën. Nuk ma solle recensionin për librin e Moikomit, apo s’të pëlqen libri? – “S’më pëlqen”, i thashë. Në të vërtetë gënjeva. Unë e shkrova disa herë recensionin, por s‘më dukej në lartësinë e porositësit. Ishte koha kur Kadare ishte redaktor në gazetën “Drita”.
Pas konsideratave të Kadaresë, e shtova interesin për poezinë e Moikomit dhe vetë Moikomin. Ishim të dy në konsideratën e Kadaresë. Kjo dhe poezia na lidhi më shumë, na bëri më intimë, më të vëmendshëm me njëri-tjetrin, na bëri të lexonim e të shkruanim më seriozisht.

  1. ZEQO

Moikom Zeqo ishte student i shkëlqyer. Më kujtohet që profesorët nuk e merrnin në provim. E vlerësonin a priori me notën maksimale. Kjo e rriste shumë para meje e të tjerëve Moikomin, unë kisha dobësi për studentët e shkëlqyer, inteligjentë, plus pastaj, që Moikomi ishte dhe një poet, që për mua po bëhej gjithnjë e më shumë një habi. Poezitë e tij ishin plot metafora të mahnitshme, subtile.

Metaforat ishin lulet e vargjeve, por jo lule dekorative, por me frutin në brendësi. Vargjet të kënaqnin me lulet dhe frutat njëherësh. “Qyteti Feniks” qe libri që kish edhe lulen edhe kokrrën. Poeti i ri në këtë libër kishte perfeksionuar njëherësh dhe lulen dhe kokrrën. Zakonisht shkencëtarët përsosin kokrrën e pemës si madhësi dhe si ëmbëlsi. Lulen s’e përsosin dot. Kurse Moikom Zeqo përsoste këtu edhe lulen edhe kokrrën poetike.
Artisti superonte kështu shkencëtarin.

***

Udhëtonim pasdite për në Vlorë. Moikomi ishte redaktor në gazetën “Drita” dhe i duhej të shkruante diçka për monumentin e “Pavarësisë”, që ishte në prag të përurimit, (nëntor 1972). Rrugës u bëmë shumë të gjallë. Moikomi edhe më i gjallë se të gjithë. Kishte hyrë vjeshta e dytë dhe plepat bri xhadesë ishin zhveshur. Por në maja kishin mbetur ca gjethe. “Vjeshtë në majat e plepave”, tha Moikomi. Mbase ky ishte vargu i fundit i ndonjë poezie, mbase titulli i saj. Moikomi ndodhej përherë në gjendje krijuese, në gjendje frymëzimi. Duke udhëtuar për në Vlorë, ne udhëtonim drejt mikut tonë të përbashkët, drejt habisë tjetër, po pranë detit, habisë koloristike, piktorit stuhi Skënder Kamberi. Nëse Moikomi dhe deti kishin të përbashkët lëvizjen, dallgët, Skënderi dhe Moikomi ishin të dy miqtë e mi me cilësinë e përbashkët që s’i gjeje kurrë të dëshpëruar, veçse të revoltuar.
Më vonë, shumë vonë, do të mësoja, se Moikomi kishte si hobi pikturën, mbase kjo ishte edhe një arsye e vetvetishme që na afronte të treve, pasi dhe unë kisha mbaruar  Liceun artistik për pikturë.
***
Moikom Zeqo ishte dhe është universal. Ai rrëmon dhe shpirtin e njeriut dhe gjirin e tokës. Nga shpirti njerëzor nxjerr brilantet e virtyteve, nga toka reliket, identitetin, gjenezën, moshën e kombit, kulturën. Ti e kërkon Moikomin në bibliotekë, ai të del nga deti, ku është zhytur gjer në thellësitë e perlave dhe s’del pa to prej thellësive. Perlën më të sigurt ka poezinë. Pa të s’del nga asnjë lloj thellësie.

***
Gjithë interesa, i mençur dhe erudit, Moikomi, në ndryshim nga shokët, guxonte të thoshte fjalën e tij pa pikën e ndrojtjes për cilindo. Asnjëri nga ne s’guxonte të shkruante për Kadarenë, pasi nuk i përgjigjej dot kuotës së lartë kadareane, e pra, ai që guxoi, ishte Moikomi. Shkrimi i tij gati dy faqe në gazetën “Zëri i rinisë” për romanin “Kështjella” të Kadaresë ishte jo vetëm dinjitoz, por ai bëri bujë në qarqet letrare artistike. Të gjithë i befasoi vizioni, kultura dhe aftësia analizuese, që pasqyrohej në shkrimin kritik. Dhe s’ishte një rastësi. Moikomi do të shkruante edhe për vepra të tjera të Kadaresë, Dritëroit dhe do të na linte të gjithëve gojëhapur. Ky djalosh me talent e vullnet “përbindëshi”, sapo vinte e po merrte përmasat e një avalanshi, por jo të një avalanshi shkatërrues, por të një avalanshi kulturor, enciklopedik, aq sa do të detyronte dhe diktatorin që të shprehej gati me zili, se sa me entuziazëm, për kulturën dhe erudicionin e poetit dhe poliedrikut Moikom Zeqo, diku në një takim me të rinjtë.
Kur u kritikua “Dimri i vetmisë së madhe” i Kadaresë, Moikomi më erdhi në shtëpi. Moikomi e kishte lexuar romanin, që në dorëshkrim dhe më ishte shprehur me superlativa, duke e quajtur atë një çudi letrare. Prisja me padurim se çdo të më thoshte tani, që po kritikohej. Por ai më foli për vetë autorin Kadarenë, pasi për romanin e kishte thënë fjalën e tij. “- S’e çan kokën fare për kritikat, – më tha, – As që i përfill fare. Kolos po tregohet, Kadareja”.
U çlirova nga ankthi. U qetësova. Mora zemër. Për ne Kadareja ishte kryekulla e kështjellës së letërsisë shqiptare. Dhe konservatorët këtu i kishin drejtuar topat e mllefit, këtë kërkonin të shembnin.
Moikomi ishte një emisar qetësimi dhe inkurajimi në çaste makthesh shoqërore. Ai ishte shoku dhe miku që të pyeste jo “ku e ke plagën, por si e ke plagën”? I tillë është dhe i tillë do të mbetet ai. Dhe unë atëherë e kisha shumë të pezmatuar plagën. Isha goditur rëndë për poemën “Dielli dhe rrëkerat” e për plot poezi të tjera.
Ardhja e Moikomit në shtëpi në kohërat kobzeza ishte si ardhja mesianike. Dhe Moikomi ishte i pafrikshëm për shokët që ndodheshin në vështirësi.
Disa muaj më vonë ai do ta pësonte vetë. Do të shkonte vetë në Rrogozhinë për riedukim. Dhe në vend të riedukimit të tij ai do të edukonte krijuesit e rinj rrogozhinas. Në kohën e kritikave që po i bëhej poezive “hermetike”, “formaliste, “revizioniste” Moikomi botoi disa poezi ekspresive, moderne, kundër të ashtuquajturit “hermetizëm”. “Më mirë ta themi ne fjalën, ta bëjmë ne kritikën kundër “hermetizmit” – më tha, më mirë ne sesa këta konservatorë të mykur. Por kjo “dredhi”, kjo finte nuk i eci. Vigjilenca e militantëve partiakë, sigurimsave, sekretarëve ishte më sipërane, se sa dredhia, sofistikimet poetike. Moikomi u kritikua ashpër për hermetizëm, modernizëm, formatizëm dhe unë për shfaqje

revizioniste, gabime ideologjike, pra për përmbajtje të gabuar.
Tani, përveç poezisë, miqësisë me Kadarenë, na lidhi goditja e tmerrshme, autodafetë që po na bëheshin.

Filloi koha që t’i çonim vetëm të fala njëri-tjetrit nga, larg.
Aty nga viti 1983-84, Moikom Zeqo do të botonte një cikël me poezi, midis të cilit edhe poezinë “Mbreti lakuriq”. Poezia bëri përshtypje të jashtëzakonshme. Filloi mërmërima popullore. Mbase, kjo mërmërimë, nuk shkonte gjer te Moikomi thjesht për të mos e trembur atë. Cili ishte ky mbret lakuriq? Pse s’guxonin t’i thoshin “Mbreti lakuriq”?
Kumti ishte i qartë. Inkonformizimi i Moikomit ishte tepër i sofistikuar, i tërthortë, që s’kapej edhe kaq lehtë nga syçelët…

***

Moikomi është nga ata që u goditën ashpër nga plenumi IV, dhe u dënua konkretisht, u hoq brutalisht nga detyra e redaktorit në gazetën “Drita”, duke ia ndërprerë rrjedhën e jetës, duke e larguar nga Tirana, jo pak por 32 vjet. Por është për t’u habitur që pas ndryshimit të sistemit politik më 1991, Moikomi asnjëherë nuk e përmend faktin që e dinë të gjithë, dënimin e tij. Ai  nuk manipuloi për të përfituar diçka nga ky fakt, nuk bëri asnjë alibi, sepse ai i urren alibitë. Ndryshe ndodhi me të tjerë që nuk ishin kritikuar as sa një e njëqinda e Moikomit, që u vetëshpallën të persekutuar, madje disidentë të mëdhenj. Shpesh së bashku me Moikomin ne qeshim dhe bëjmë shaka me këta “trima” postfestum. Përgjegjësia për të mos përfillur atë që nuk i takon është një veti karakteri, por nuk duhet treguar i plogët me atë që me të drejtë i takon.

***

Moikom Zeqo është tepër shoqëror, dashamirës, i begatë në vlerësime, tepër i vëmendshëm ndaj krijuesve. Ai i lexon të gjithë shokët, pothuaj. Mua më duket sikur atij nuk i shpëton asgjë, tipar ky i gjithë kapaciteteve. Moikomin nuk e ligështojnë lartësitë e shokëve, ai ngjitet edhe më lart. Ai është një thyerës rekordesh poetike. Krejt origjinal vetë, ai çmon cilindo poet origjinal. Bile dhe shprehet. S’ka rast që ta kem takuar dhe ta takoj dhe Moikomi të mos bëjë vlerësime për këtë apo atë poet, për këtë apo atë  cikël poezish, tregim, roman. Ndonjëherë ndihem ngushtë, pasi nuk i kam ndjekur botimet si ai. Shoqëria me Moikomin është tejet e gëzueshme, pasi pasurohesh, por në të njëjtën kohë ajo është dhe tejet e vështirë, pasi kërkon durim rezistencë, përqendrim vëmendjeje, shpejtësi e volum kujtese. Te Moikomi takohesh i varfër dhe ndahesh i pasur shpirtërisht, intelektualisht.

Moikomi është tolerant i madh. Ti mund të tregohesh indiferent, mbase dhe mospërfillës në një bisedë, debat me të, apo, ndaj një krijimi të tij dhe ai nuk tregohet zemërak, të toleron, pasi është i bindur, se ka të bëjë me një subjektivizëm gnoseologjik dhe jo etikë. Ai të flet me patos e kompetencë për një poezi tënden, jo vetëm se poezia jote e bën të flasë, porse dhe është i zoti, i aftë që të flasë. Ai është frekuentues i thellësive dhe është i zoti ta mbajë frymën për një kohë më të gjatë se ti e se unë. Kurse ti edhe unë s’e kemi edhe kaq të lehtë të flasim për një poezi të tij edhe pse e pëlqejmë atë. Jemi të zotë të ndiejmë të dalldisemi, por s’jemi po aq të zotë sa të shprehemi. Ky është ndryshimi midis tij dhe nesh. Prandaj dhe ai nuk na zemërohet, nuk fyhet, por na kupton dhe na rrok në qafë.
Edhe më i kulturuari, profesori, akademiku, pas një bisede me Moikomin ndahet disi i lodhur, jo se ngarkesa e bisedës ishte jashtë kapacitetit, por vetë biseda ishte intensive, me ritëm e dinamikë tepër rinore. Moikomi është një sinor i përhershëm dhe urtan. E tillë dhe poezia e tij.

***

Moikom Zeqo ka folur, ka shkruar, flet edhe shkruan shumë për të tjerët, për magët dhe belbanët, kurse për të kanë folur dhe flasin shumë pak. Mendoj se ka dy arsye. E para. Nuk prononcohen për të, sepse presin, që ai të prononcohet, të shkruajë për ta. Kjo është tepër egocentriste. E dyta. Ka, që duan të flasin, por nuk flasin dot për të pasi materia poetike e tij është disi e vështirë. Të paktën kështu u duket atyre. Kjo është një fatkeqësi. Të të duan dhe të mos mund të ta thonë dot. Dhe të tillë janë jo pak.
Megjithatë, thënia e Rexhep Qoses, se Moikom Zeqo është eseisti më i madh shqiptar i gjallë, është jo vetëm tepër impresionante, por edhe shumë cilësore.
Moikomin e kanë joshur disa herë me kolltukun, por poezia e ka superuar zyrën, kolltukun e ka sunduar poeti. Kjo ka qenë shenja më e sigurt e një talenti pa mëdyshje.

***

Po arkeologjia? Është një hobi, apo rivale e poezisë, shemër e saj?
Shpesh herë Moikomi, më ka folur për një vazo, mozaik, për një statuetë, për një urnë, gati me entuziazmin, që më ka folur për një libër poetik, roman, poet.
Dhe unë e kam kuptuar. Ai është gëzuar dhe i gëzohet identitetit, autoktonisë sonë. Nëntoka për Moikomin është po aq frymëzuese, sa dhe qielli dhe toka. Prandaj dhe në poezinë e tij ka diçka nga nëntoka (thellësinë), ka diçka nga qielli (suverenitetin).

Këto karakteristika janë në librat poetikë: “Ditët”, “Libër i hapur”, “Njëqind zemra”, “Meduza”.
Moikom Zeqo ka shkruar për Naimin, Konicën, Fishtën, Migjenin, Kutelin, Mekulin, Barletin, Nolin, Onufrin, Kadarenë, Qosen, Agollin…
Të parët, edhe po të donin të shkruanin diçka për Moikomin, s’do të mundeshin, pasi, s’e kanë më këtë mundësi. Tre të fundit e kanë mundësinë dhe kam bindjen, se do ta thonë fjalën, pasi ata janë tepër të ndjeshëm ndaj vlerave.
Disa herë poezia zemërohet me Moikomin, pasi ai penën s’e ka vetëm për të. Ai, përkthen, shkruan për një copë tjegull, nëse ajo i shërben Shqipërisë. Kur është puna për Shqipërinë, ai e lë mënjanë qibrën dhe shkruan pa u merakosur nëse i var apo jo buzët e bukura poezia.
– Një poezi e Moikom Zeqos – më tha një ditë një poet i ri, jo pa talent, ka më shumë metafora sesa një libër i tërë. Kuptohet, këtu, hiperbola dhe e vërteta. E vërteta është, se poeti që jeton e shkruan në Durrës, ndanë detit Adriatik, gjithçka do ta ketë disi me tepri, siç ka me tepri deti, dallgët dhe buçimën… Të rinjtë e kanë në natyrën rinore, që të flasin me hiperbola. Ata, gati, e konsiderojnë poezinë si valutën dhe lekun. Një lloj poezie e quajnë dollar, një tjetër lek, po ne i kuptojmë të rinjtë dhe i shijojmë hiperbolat dhe gjuhën e tyre metaforike. Kështu do të fliste Moikomi në lidhje me të rinjtë, pasi ai nuk ikën nga mesi i tyre. Gjithnjë në mesin dhe në ballin e poezisë së re, Ai.

***

– E ke parë bibliotekën e Moikom Zeqos? – më thotë një tjetër poet i ri, që Moikomi e mban afër si talent.
– Jo i them.
– Rrëmuja është rregulli i asaj biblioteke.
– Si kështu?
– Ja, kështu është, një rrëmujë estetike. Libra në dysheme, në tavolinë, karrige, komodina, mbi frigorifer, lavatriçe, anash murit, gjer në tavan… E thotë edhe vetë: “Unë e kam më të lehtë të gjej një statujë nën tokë se sa një libër në bibliotekë”.
– Ç’t’i bësh, dhomat i kanë ata, që s’kanë libra.
– Të ka rënë në sy diçka në shtëpinë e Moikomit? – më thotë një mik i tij.
– Çfarë?
– Muret i ka të mbushur me lloj-lloj statueta dhe antikash të tjera të zbuluara prej tij dhe, asnjëra prej tyre nuk është origjinale, por të gjitha janë riprodhime me tasela.
– Si kështu?
– Origjinalet ai, vërtet i zbulon, por ato ia dorëzon Shqipërisë. Në muret e Shqipërisë e kanë vlerën e plotë statuetat e zbuluara, origjinalet. Sepse Shqipëria është shtëpia e parë e Moikomit, shtëpia e shtëpive.

***

Rreshtat e mësipërme i kam shkruar në nëntorin e vitit 1997. Tani në vitin 2005, numri i veprave të Moikomit ka arritur në 70. Madje, ka shkruar dhe botuar disa nga kryeveprat e tij. Më ka bërë përshtypje libri “Syri i tretë”, ku universaliteti është tronditës, Moikomi krijon një libër të hapur, ashtu si kozmosi, të lirë si natyra. Duket sikur Moikomi është shterues, derdh gjithçka nga shpirti. Energjitë e kanë megjithatë një limit. Ekziston rreziku i përsëritjes, formë kjo e lodhjes. Por si ka mundësi, që ai të botojë një tjetër libër krejt të pangjashëm si: “Grishja e Florimontit”? Ky libër po të qe botuar në italisht, frëngjisht, apo anglisht do të ishte nga më të njohurit e kohës. Moikomi matet me të mëdhenjtë, duke qenë gjithmonë vetvetja. Vetë ai thotë, se do të dëshironte, që librin e Florimontit t’ia lexonte Umberto Eko. Por ja, që s’qenka e mundur. Por kur lexova shkrimin e përkthyesit të shquar Fotaq Andrea “Letër Moikom Zeqos për Florimontin” (Koha Jonë, 17 qershor 2005) e kuptova thellësisht se unë nuk jam thjesht një entuziast në vlerësimet ndaj tij, e kuptova gjithashtu se për vlerësimin estetik të veprave të Moikomit duhet një optikë makroskopike dhe mikroskopike kulturore. Kam dëgjuar vlerësimet e larta të Dritëro Agollit për Moikom Zeqon dhe Florimontin në TV.
Edhe të tjerë janë shprehur lartësisht për të, por mungon një vështrim estetik i vërtetë dhe i thelluar.
Disa shkrime si ato të Frederik Rreshpes, Dritëro Agollit, Dhimitër Shuteriqit, Bedri Dedjes, Alfred Uçit, Ali Aliut, Anton Paplekës, Musa Vyshkës, Odise Grillos, Klara Kodrës, Kristo Zharkalliut, Leka Ndojës, Fatmir Mingulit, Josif Papagjonit etj., me të drejtë kanë ravijëzuar anë të veçanta të krijimtarisë së Moikomit.
Më ka bërë përshtypje një mendim i Skënder Drinit, i cili ka shkruar, se Moikomi mund të bëjë një sintezë si ajo midis stilit të Malrosë dhe të Prustit. Shumë esse dhe vështrime vlerësuese janë shkruar për Moikomin në Kosovë. Proza e Moikomit klasifikohet si postmoderniste dhe e ideve të reja të rrymës planetare New Age.
Unë mund të them, se proza e Moikomit nuk ngjan me prozën e askujt tjetër, në kuptimin që ai është një shkrimtar shqiptar, i njohur, por jo si emrat e disave, megjithëse as një çikë më pak origjinal, i rëndësishëm se ata.

***
Proza e Moikomit është një nga format më të çuditshme të palimpsestit, ku kulturat, qytetërimet, poetikat, idetë, përplasen dhe ndërthuren.

Kritiku i shquar Ali Aliu ka shkruar, se Zeqo nuk i ka sot për sot lexuesit që i takojnë, por ndoshta nesër do të ketë lexuesit më të shumtë. Por meqenëse unë jam një mik shumë i vjetër i Moikomit më takon të them diçka më të përgjithshme, më intime dhe klasifikuese për të. Moikomi që më 1970 “shpiku” një poezi të re. Kjo poezi krijoi një sistem sui generis të metaforave. Libri “Meduza e dashuruar mban syza Dielli” është një vepër avangarde. Poezia e Zeqos arriti disa kulme si me “Tempulli i Hënës”, “Zodiak”, “Nostradami në 3 qershor”, por dhe me “Syzet e thyera të Meduzës”. Dritëro Agolli e ka krahasuar sistemin figurativ të Zeqos të përafërt me atë të Majakovskit dhe të Georg Traklit për shkak të vizionit dhe padurimit kozmik të figurave. Por pas këtij rebelizmi heretik në poezi, Zeqo do të krijonte korpusin me format të madh për figurat e mëdha të kulturës kombëtare. Onufri i tij është më shumë se sa një emblemë.
Ai e botoi librin “Kështu foli Mona Liza” pesë vjet para librit bestseller “Kodi i Da Vinçit” të Dan Brown. Zeqo po e plotëson korpusin e tij enciklopedik me librat, që do të botojë së shpejti për Gjon Buzukun dhe Skënderbeun.
Ai ka krijuar rrymën që unë do ta quaja “Labirintizmi”, ku nuk humbet, por del në horizonte të hapura me dritë, duke mos qenë rob i territ. Gjerësia jo gjithmonë është thellësi. Kurse tek Moikomi ato pjellin njëra-tjetrën, ndihmojnë njëra-tjetrën dhe nuk lodhin njëra-tjetrën. Në këtë pikë Moikomi përkon me Pol Eluarin, në errësirën e të cilit veton drita.
Kultura e shumëfishtë e Moikomit nuk më jep aq ndjesinë e së kaluarës, se sa të së ardhmes. Ai na kthen mbrapsht duke na çuar vetëm përpara, në të gjitha kuptimet.
Arritja më e lartë dhe më e veçantë e Moikomit është konceptualiteti. Konceptualiteti i tij është vetë ai, i ndërlikuar dhe i thjeshtë, i qartë dhe metaforik, konkret dhe me abstraksione të mëdha. Por, sa i thjeshtë është ai në bisedë. E keni vënë re?

***

Moikomi njeri meriton më shumë vëmendje. Askush si ai nuk ka ndihmuar shokët dhe kolegët, në këtë pikë ai ngjan Pasternakun, i cili i cili i shkroi Stalinit për lirimin e Madelnshtamit nga burgu. Moikomi nuk e njeh fare ndjenjën e zilisë, nuk ka komplekse. I hapur, shoqëror, i pasur intelektualisht,  ai nuk kursehet për të tjerët, ndonëse shpesh e ka pësuar nga mosmirënjohja. Ndonjë talent i zbuluar, i ndihmuar dhe i rritur prej tij, kujton se mund ta harrojë që ka qenë Moikomi ai që,

«I ka dalluar atij kokrrën i pari/ Kur atë / S’e dallonte askush nga bari»,

 

Por asgjë nuk mund të harrohet. Moikomi njeri ka një jetë, që është jeta e një protagonisti, ka qenë i pranishëm dhe veprimtar qoftë në jetë, qoftë në art, dikur dhe në politikë. Morali i tij është një shëmbëlltyrë, një  ganxhë, ku mund të kapen të gjithë ata, që duken se do të rrëzohen. Nëse Moikomi nuk thyhet edhe shqiptarët e tjerë nuk kanë të drejtë që të thyhen.

***

Krijimtaria e Moikom Zeqos i ngjan një qyteti të madh, me mrekullira arkitekturash të kohërave të ndryshme, me sheshe, me kuaj dhe kalorës pellazgë, ilirë, florimontianë, skënderbejanë, me qerre të stilit barok, apo dhe mekanizma kozmike, të sofistikuara dhe të frikshme. Ky qytet i madh nuk mund të vdesë, as të kërcënohet nga tërmetet, mbi të nuk mund të bjerë pluhuri i harresës dhe indiferencës. Pesëmbëdhjetëkatshin, si pikë orientimi, adresimi dhe takimi për kryeqytetin, s’e ka eklipsuar asnjë nga pallatet vigane që popullojnë sot Kryeqytetin tonë. Mrekullitë nuk eklipsojnë njëra-tjetrën. Ato lindin dhe krijohen për t’iu shtuar pambarimisht njëra-tjetrës. Prandaj themi Shtatë mrekullitë e botës dhe jo një mrekulli e botës. Themi ullishta e Vlorës dhe jo ulliri i Vlorës…

***

Duke pasur parasysh thënien e Hugoit se «Komenti e prish poezinë, si vaji i tepërt që e shuan zjarrin»  nuk pozova specialistin, por  shënova disa ide dhe mendime për Moikom Zeqon, të cilin e njoh mirë, pa mëdyshje dhe në prova të vështira të karakterit prej 40 vitesh, kam vënë re se Moikomi aq sa nuk do të jetë skllav, po aq nuk do të jetë zotëri, kështu si Linkolni,  e kupton ai demokracinë.  Them se analizat dhe zbulimet më të imta, ideore, estetike do të jenë specialistët ata  që do t’í bëjnë në një kohë të ardhme. Unë vetëm artikulova ato gjëra, që mendoj për Moikomin duke riparë vazhdimisht në bibliotekën time librat e tij të rilexuara dhe të nënvizuar apo të mbushura me vizatime në pjesët e bardha, pa shkronja…

Dikush, pasi lexoi këtë shkrim  timin, më tha:-Vërtet  s’e keni vënë re që  Moikomi ka ndërruar mendim, nryshe mendonte dje  e krejt ndryshe mendon sot?

Abraham Linkolni se  «nuk vlen ai njeri që, sot, nuk është më i mençur se dje»

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, Faslli Haliti, I BEFASIVE TË MËDHA, MOIKOM ZEQO - TALENTI

FUNDI I PAFUNDESISE

October 15, 2016 by dgreca

Nga Prof.dr.Hazbi M.Shehu/New York /

Po shkruaj; i prekur nga vdekja e disa kolegeve te mi[ shkencetarë Shqiptarë gjeologë-gjeofizikë ],këtu në Amerikë.

[Astronomët e kërkojnë fundin e pafundësis në Univers,ndërsa në vendin tonë ai përfaqeson dhe përqafon garën pozitë-opozitë gjatë 25 vjetëve të ashtuquajturës demokraci.].

Nga fillimi i Shtatorit të vitit 2016;K/Ministri i beri thirrje shkencëtarëve Shqiptarë të  emigruar në vende të ndryshme të botës; për tu kthyer në atdhe .Njekohësisht ai kritikoi Akademinë e shkencave.

A është kjo thirrje:Detyrë,mirësjellje apo ironi?!

Për mendimin tim;kritika për Akademinë nuk është plotësisht e drejtë?

Mbyllja e institucioneve shkencore dhe largimi i shkencëtareve nuk varej direkt nga  Akademia.Ajo zbatonte urdhërat e Qeverrisë dhe të politikanëve, që drejtonin shtetin në atë kohë.

Kyçi ,apo e keqja,që çoi në shkatërrimin e institucioneve shkencore dhe largimin e shkencëtareve shpjegohet me parrullat, që u hodhën nga disa  drejtues politikanë gjatë viteve të tranzicionit:Shkatërroni dhe digjni gjithshka,që lidhet me regjimin komunist.Këto thirrje shkaktuan tensione trunore tek disa të rinjë: Pa principe,pa ndërgjegje dhe pa ideale, që ju nënshtruan këtyre thirrjeve.,.Inisiatorët e këtyre shprehjeve; duhen pranuar ose si injorante ose agjentë të shëbimeve të huaja,? Thirrja:Amerika do na japi çekun e bardhë; ishte mashtrim,sepse kapitalisti llogarit fitimin e çdo qindarke?!Ajo do të jepte ndihmë,por jo çek të bardhë.

Shtetet perendimore dhe Amerika e realizuan qëllimin e tyre:Renien e komunizmit.Tani detyra e politikanëve drejtues ishte ta ringjallnin vet ekonomin e coptuar të vendit tyre. Disa shtete si Rumania,etj. jo vetëm,që nuk shkatërruan asgje,por i ruajtën  i rifreskuan dhe i modernizuan kombinatet me kalimin e kohës. .

Mbas shkaterrimit dhe mbylljes të institucioneve shkencore ;shkencëtarët u larguan jasht vendit në kërkim  të vendeve të reja të punës ,për të ushqyer familjet.

Eshtë llogjike të pranohet; se në këtë çeshtje ka influencuar paaftësia dhe egoizmi i disa prej drejtuesve  të Akademisë të asaj kohe.Por duhet theksuar se përgjegjësit direktë të shkatërrimit e,mbylljes të institucioneve dhe largimit të shkencëtareve kanë qenë disa nga drejtuesit politikë të tranzicionit .Ky është realiteti të dashur qytetarë..

Mbas 25 vjetëve K/Ministri  i bën thirrje shkencëtarëve Shqiptarë të kthehen në atdhe të ringjallin shkencën.në vendin tonë!?

Mirë po:një pjesë e tyre nuk jeton më,;disa janë gjysëm të gjallë,ndërsa shumica punojnë të rrjeshtuar në vargun e punëtorëve për të ushqyer vehten dhe familjen.Emigrant do të thotë:Angari,për mos me thenë :skllavëri?!

Edhe shteti Gjerman mbas renies të murit Berlinit,ju bëri thirrje shkencëtarëve të dëbuar nga regjimi nazist?Por ishte vonë,sepse Anshtajni me shokë ishin gjysëm të vdekur.

Thirrja e K/ministrit nuk është detyrë[Detyrë ishte ruajtja e institucioneve dhe mbajtja në punë e shkencëtarëve në kohën e tranzicionit?!]

Sot kjo thirrje mund të konsiderohet:Mirësjellje.

Tani ne emigrantët [shkencëtarët Shqiptarë] mund ta quajmë dhe ironi ,prandaj vetëm qeshim;sepse na janë tharë lotët për të qarë hallet e popullit tonë?!

Presidenti ka bërë shumë mirë,që ka dekoruar artistët,etj mjeshter i madh,etj..,por ka nënëvlerësuar shkencëtarët e prodhimit ,veçanërisht ata të mineraleve të dobishme si nafta,kromi,bakri,etj.,që mbajtën dhe vazhdojnë ta mbajnë gjalë ekonominë e vendit; duke fituar shteti miliarda euro dhe dollarë.

I njejti nënëvleresim ka ndodhur dhe me bashkitë.Janë propozuar nga institucionet përkatëse për qytetar Nderi ndërsa k/bashkive i kanë mbajtur në sirtarë[Berat,Fier,etj.].

Kush duhet ta studjoi dhe ta zgjidhi fundin e varfëris të popullit tonë?Politikanët,gjykatësit,etj. apo vet populli?!

Njeriu; para së gjithash duhet ta kërkoi mënyrën e jetesës tek vetvehtja,sepse varfëria i ka rrenjët tek ai vet.

Varfëria është krijuar me njerëzimin dhe nuk duhet pritur të zhduket me te.Si të pasurit dhe të varfërit janë njerëz.Të parët ,jo vetëm e ngacmojnë jetën,por dhe urdhërojnë.Të dytëve ju pëlqen të përkëdhelen dhe të urdhërohen ,si rrjedhoj i dobësisë  tyre?!

Ka shumë raste kur nga rreza e ndonjë fshati[ p.sh.Tropoj,Skrapar,etj.] ;njeriu arrin të bëhet ,jo vetëm i pasur,por dhe k/ministër ,president,etj.Kurse ,jo rrallë;qytetari i një kryeqyteti përkëdhelet nga lojrat e fatit dhe përfundon para kohe në varreza?

Mbeta i habitur,jo nga pasuria;se sa nga lumturia shpirtërore e një fermeri nga fshatrat e Korçës!.Kur e pyeta si u bëre ,jo vetëm i pasur,por veçanërisht i lumtur shpirtërisht?

Ai më pa ndër sy dhe vetëm qeshi. Kur unë e përsërita pyetjen;ai u përgjigj: Eshtë e tepërt të gatuaj me fjalë;ato, që shprehen  shpirtërisht në fytyrën time?!

Mos prit buzëqeshje apo përkëdhelje nga bota,sepse ato janë,për të kaluar kohën dhe ty më vonë do të ngelen vetëm dhimbjet.?

Cilido ,që voton e ka të qartë,se përfaqësuesi,që ai zgjedh mendon vetëm për xhepin e vet.?Në Parlament deputetët grinden,jo për interesat e zgjedhësve.Atje diskutohen shumë ligje,por asnjëher nuk janë shtruar problemet ekonomike të popullit.?Përse largohen njerëzit[jo vetëm punëtorët e thjeshtë ,por dhe shkencëtarët]?

Atëhere del pyetja: pse populli ja u jep  votën? Përgjigjëja është e thjeshtë:Për bukën e pëditëshme të familjes.

I shkreti popull edi, që rrenjët e mashtrimit janë kudo ;por çfar të bëj?

Pasuria dhe varfëria janë të lldhura me ty o njeri! Prandaj,duhet ,që sejcili ta zgjidhi vet fundin e pafundësis të varfëris;të mos tallet me vehten duke shpresuar tek deputetët ,se të gjithë ata janë mashtrues.

Luani nuk pret lëmoshë.Ai e zgiedh vet rrugën për të ushqyer familjen.

Në jetën e popullit tonë ka zenë vend pafundësia e varfërisë.

Ndërtesa e re kërkon arqitektë të rinjë.?

Kjo mund të realizohet vetëm nga djemtë e rinjë[ që të mos jenë  bijtë e komunistëve,sepse ujku qimen ndrron ,jo zakonin[ thotë populli]  dhe sepse pasuria ndryshon,ndërsa,trashëgimëria mbetet],që kanë studjuar dhe punuar në shtetet perendimore dhe Amerikë. Me përvojën e fituar dhe guximin e nevojshëm të ndihmuar dhe nga aleatët e mëdhenj të përpiqen ta drejtojnë vendin tonë në rrugën e demokracisë së vërtetë.

Filed Under: Komente Tagged With: FUNDI I PAFUNDESISE, Prof. Dr. Hazbi Shehu

Atë Shtjefën Gjeçovi, kolosi i Fesë e Atdheut

October 14, 2016 by dgreca

 

1-gjecoviMë 14 tetor, kujtojmë vrasjen mizore të fratin e studiuesin e madh, Atë Shtjefën Konstandin Gjeçovin, në vitin 1929 në fshatin Zym të Hasit. Atë Shtjefën Gjeçovi, françeskan shqiptar kosovar, është një nga figurat vigane që krishterimi i fali kulturës kombëtare shqiptare, i cili për kontributi e tij, radhitet përkrah gjenive të tjerë të krishterimit ndër shqiptarë, si imzot Pjetër Budi, imzot Pjetër Bogdani, imzot Gjon Kazazi, Atë Gjergj Fishta, Atë Anton Harapi e shumë e shumë të tjerë.

Sapo kujton emrin e Atë Shtjefën Gjeçovit (1874-1929), edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t’i vejë menjëherë mendja te “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, mbledhur e kodifikuar nga frati i madh.

Po Atë Shtjefni ishte shumë më tepër se kaq. Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte nga pak në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit gjatë diktaturës, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë.

Atë Shtjefën Gjeçovi lindi më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës në një familje thellësisht katolike. Në pagëzim ia vunë emrin Mëhill e shkurtimisht e thirrën Hilë. Që i vogël shfaqi shenja jo të zakonshme zgjuarsie, prandaj famullitari françeskan, me leje të prindërve, e mori një ditë për dore dhe u nis bashkë me të për në Shkodër, në Kolegjin françeskan. Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç kur veshi zhgunin e murrmë, të lavdishëm, të fratit. Vijoi mësimet në Troshan, Fojnicë, Dërventë, Kreshevë, përgjithësisht në Bonjë-Hercegovinë, ku është përgatitur një pjesë e mirë e françeskanëve shqiptarë, ndërmjet të cilëve, Fishta. Më vonë françeskanët e rinj do të merrnin rrugët drejt Austrisë e Italisë.

Nisi të interesohej për gjithçka kishte të bënte me historinë e popullit të vet: për fillimet e krishterimit, për arkeologji, etnografi, gjuhësi, letërsi e natyrisht edhe të hidhte në letër shkrimet e para, pa harruar kurrë se detyra e tij kryesore do të ishte predikimi i Ungjillit të Krishtit.

U kthye në Troshan më 1896, 22 vjeçar, famullitar i ri me fe të gjallë e kulturë të thellë. Atë Shtjefën Gjeçovi predikoi Ungjillin në Rubik, Pejë, Laç-Sebaste, Zarë, Sapë, Theth, Prekal, Vlorë, Shkodër, Gjakovë e Zym, ku u ndal për pushimin e mbramë! Kulmin e krijimtarisë e arriti në vitet 1900, kur u bë i pranishëm në të gjitha fushat e kulturës e të arsimit.

Shkroi në të tria gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte, “Kanunin e Lekë Dukagjinit” monument i gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin “Doktor i shkencave in honoris causa”.

Po kujtojmë disa prej veprave të tij: “Dashnia e atdheut”, drama “Agimi i qytetnisë”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut”,  botimi i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, vepra “Trashëgime trako-ilire”, “Atil Reguli”. “Shna Ndou i Padues” mbas Dal-Gal );  përkthim i lire i dramës me 3 akte të Pjetër Metasatasit,“Vajza e Arleans-it a Joana d’Ark” mbas A.F. prej Bergamos dhe vepra e fundit teologjike “Shpërblesi i botes ase  Jeta e Jezu Krishtit”, të cilën e shkroi me qellim që të mësojë dhe edukojë popullin në frymën e gjuhës shqipe dhe në frymën e dashurisë së Jezusit.

Shumica e veprave i mbetën në dorëshkrim. Madje edhe “Kanuja” u botua pas asaj dite ogurzezë të vitit 1929, kur ra nën plumbat e tradhtarëve, duke shuguruar me gjakun e vet bucat e asaj toke, për të cilën kishte shkrirë jetën, të cilat nuk lageshin për herë të parë me gjak frati.

Ai vetë pati mbledhur, sipas të gjitha kritereve, të dhënat për të lartuar në altar një tjetër frat shqiptar, Atë Luigj Paliqin, martir i fesë e i atdheut. E ndërmjet shkrimeve të shumta kushtuar Atë Gjeçovit, po kujtojmë se për të është shkruar edhe një monografi me titull “Shtjefën Gjeçovi: Jeta, vepra” me autor Ruzhdi Matën. Gjithsesi shkrimet më të besueshme për të janë ata që mbajnë nënshkrimin e sivëllazënve të tij françeskanë, të cilët e njohën nga afër, sidomos Atë Pashkë Bardhit, historianit të fretërve.

Duke përkujtuar sot Atë Gjeçovin, bëmë vetëm një skicë të shpejtë të një figure që i ngriti vetvetes me vepra një monument të pashterueshëm nga koha, sepse françeskani Atë Shtjefën Gjeçovi ishte dhe mbeti pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit të tij, të cilat u bënë për të pajë shpirtërore dhe qëndrese deri kur dha edhe frymën e fundit.

****

“Takimet e Gjeçovit 2016″ më 15 tetor në Zym

Më 15 tetor, në Zym të Hasit, mbahen manifestimi i përvitshëm kulturor i njohur si”Takimet e Gjeçovit 2016”. Ja njoftimi i Nikollë Kërhanajt nga fshati Zym:

TË BASHKUAR NË KUJTIM TË GJEÇOVIT

Në muajin e përgatitjeve për shënimin e 45-vjetorit të manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit 2016” që sivjet mbahet më 15 tetor (ditë e shtunë) kujtojmë 142-vjetorin e lindjes dhe 87-vjetorin e vrasjes së françeskanit të madh shqiptar, Atë Shtjefën Gjeçovit, nga dora katile, më 14 tetor 1929.

Të kujtojmë se françeskani e studiuesi i jashtëzakonshëm atë Gjeçovi ka lindur dhe është rritur në gjirin e popullit, me vegjëlinë e popullit, e, jo me qeveritë e pushteteve në kalim duke rrëshqitur si në akull, gjithnjë duke e ndjekur deri në vrasje në tradhti e pritë

Atë Shtjefën Gjeçovin e ka mbrojtur populli e jo pushtetarët që ndërroheshin si figurat në shah. Populli e ka ruajtur emrin dhe veprat e tij, duke i aplikuar e zbatuar në jetë. Kështu, Gjeçovi nga populli është rritur e ngritur në martir të kombit. Kanuni i mbledhur e kodifikuar nga françeskani atë Gjeçovi u ruajt dhe u zbatua në jetë nga populli. Andaj, tani në manifestim marrin pjesë qytetarë e pushtetarë, sepse kaluan kohët e katilave që ishin për Gjeçovin, Fishtën e të tjerë që ndiqeshin e anatemoheshin deri në fundshekullin XX-të.

Tani, të gjithë të bashkuar në kujtim të Gjeçovit në fshatin Zym të Hasit!

12 tetor 2016 – Nikollë Kërhanaj

 

Filed Under: Histori Tagged With: Atë Shtjefën Gjeçovi, kolosi i Fesë e Atdheut

PRESIDENTI NISHANI KTHEN PLEHRAT NE PARLAMENT

October 14, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 92/2016/

D E K R E T/

PËR/

KTHIMIN E LIGJIT NR. 92/2016 “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10463, DATË 22.09.2011, “PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË MBETJEVE”, TË NDRYSHUAR./

Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,/

D e k r e t o j/

Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”.

Nr. Dekretit 9765

Tiranë, më 14.10.2016

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

BUJAR NISHANI

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”

Të nderuar deputetë,

Në seancën plenare të datës 22 Shtator 2016, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr.92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”.

Përmes këtij ligji është rilejuar importi për mbetjet e ngurta jo të rrezikshme të listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit, për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvëndësues, të lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme.

Sipas Dokumentave Parlamentarë, Relacioni dhe Raporti i projekt ligjit, aktualisht në Shqipëri operojnë disa industri, nevojat e të cilave për lëndë të parë siç mund të jenë mbetjet e listës së gjelbër, nuk përmbushen nga mbetjet e krijuara në vend kështu që është kërkesë e vazhdueshme dhe e pranuar që nga viti 2003 importi i këtyre mbetjeve në bazë të procedurave e rregullave të forta. Sipas propozuesve të ligjit, në rast se nuk lejohet riciklimi i mbetjeve, atëherë të gjitha industritë duhet të bazohen në shfrytëzimin ekstensiv të burimeve natyrore të lëndëve të para, duke çuar në shterimin e plotë dhe më të shpejtë të burimeve ekonomike. Si rezultat, kjo industri krijon biznese të reja si ato që lidhen me transportin, përpunimin dhe shitjen e materialeve të ricikluara, si dhe kompani që lidhen me prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve të prodhuara me material të ricikluar, duke u shoqëruar me krijimin e vendeve të reja të punës dhe shtim në të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Referuar Raportit të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, thuhet se projekt-ligji është diskutuar në seancë dëgjimore me grupet e interesit të ricikluesve dhe me pjesëtarë të shoqërisë civile, shoqata ambientalistësh e ekspertë të ndryshëm të mjedisit.

Në lidhje me sa më sipër, në ushtrim të funksioneve të përcaktuara në Kushtetutë, kam dëgjuar grupet e interesit të cilët e kundërshtonin ligjin e përcjellë për dekretim nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe kam dëgjuar përfaqësuesit e shoqatave të ricikluesve. Nga ana tjetër kam kërkuar nga ana e Kuvendit dhe Ministrisë së Mjedisit, vlerësimet e ligjit nga ana e Qeverisë, grupeve të interesit, ekspertëve, institucioneve të tjera, të cilat janë marrë në konsideratë nga ana e Komisionit përkatës.

Gjithashtu, kam marrë në konsideratë iniciativën e 65 mijë zgjedhësve, të cilët në Nëntor të vitit 2011 paraqitën kërkesën për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e pikës 3 të nenit 22 dhe të nenit 49 të ligjit 10 463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, e cila u pranua nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.8, datë 08.03.2013 dhe mbi bazën e të cilës vendosa dhe datën e zhvillimit të Referendumit, me Dekretin nr.8093, datë 08.04.2013.

Ky referendum nuk u zhvillua, pasi Ligji 156/2013 “Për disa ndryshime në ligjin nr.10 463, datë 22.09.2011” Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” “, shfuqizoi pikërisht dispozitat që ishin dhe objekt i referendumit, dhe si rezultat Dekretit nr.8093, datë 10.4.2013 “Për caktimin e datës për referendum të përgjithshëm” i pushoi fuqia.

Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë, në respektim të kuadrit ligjor ndërkombëtar të detyrueshëm për Republikën e Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se ky ligj, duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme:

Së pari: Ligji 92/2016 është në kundërshtim me Direktivën 2008/98/EC , sipas të cilit duhet të zbatohet parimi i ‘vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë’ dhe për më tepër nuk është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit apo ndonjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë.

Marrëveshja e Stabilizim Asocimit në nenin 108 të saj përcakton se: ’Palët do të zhvillojnë dhe forcojnë bashkëpunimin në detyrën shumë të rëndësishme të luftës kundër degradimit mjedisor, me synim promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore. Bashkëpunimi përqendrohet kryesisht në fushat prioritare që lidhen me acquis e Komunitetit për fushën e mjedisit.’ Përmes ligjit nr. 10 463, datë 21.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” u hodh hapi i parë në drejtim të përafrimit me Direktivën 2008/98/EC, në drejtim të modernizimit të sektorit të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri. Me ligjin nr. 156/2013 u ndalua importi i mbetjeve jo të rrezikshme, gjë që përmbushi edhe pritshmëritë e 65 000 zgjedhësve, të cilët i kërkuan KQZ zhvillimin e një referendumi me qëllim shfuqizimin e dispozitave përkatëse që lejonin importin e mbetjeve jo të rrezikshme.

Direktiva 2008/98/EC përmban një parim të rëndësishëm që është “vetëmjaftueshmëria dhe afërsia”,që do të thotë se çdo shtet duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit. Pra, nuk ekziston asnjë detyrim që Shqipëria të importojë mbetje jo të rrezikshme nga shtete të tjera. Përkundrazi, Shqipëria ka ratifikuar me ligjin nr.8216, dt.13.05.1997 Konventën e Bazelit “Mbi kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre”, sipas të cilës: “Secila palë do të marrë masat e duhura: a) për të siguruar që prodhimi i mbetjeve të rrezikshme dhe mbetjeve të tjera, brenda saj është pakësuar në minimum duke marrë parasysh aspektet sociale, teknologjike dhe ekonomike;.. g) për të ndaluar importimin e mbetjeve të rrezikshme dhe mbetjeve të tjera në qoftë se ka arsye të besohet që mbetjet në fjalë nuk do të trajtohen në një mënyrë të shëndoshë nga ana mjedisore”.

Pra, është e qartë që Konventa e Bazelit nuk ka vendosur ndonjë detyrim për Shtetet Palë, përfshirë Shqipërinë që të parashikojnë dispozita në drejtim të importit të mbetjeve jo të rrezikshme.

Sipas propozuesve të ligjit, ndryshimet ligjore do t’i hapin rrugën implementimit të plotë të direktivës nr.1013/2006 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit për qarkullimin e mbetjeve, duke pretenduar se ligji 156/2013 ishte në kundërshtim me të.(1)

Në fakt, propozuesit e Ligjit i referohen një Direktive, ndërkohë që është një Rregullore nr. 1013/2006 “Për tregtimin e mbetjeve”, e cila ka si parim themelor që në rastin e tregtisë së mbetjeve për disponim duhet të mbajë parasysh afërsinë, prioritetin që i jepet rikuperimit dhe vet-mjaftueshmërisë kur flitet në nivelin e Komunitetit dhe në nivele kombëtare, gjithashtu.

Me Ligjin 156/2013 u shfuqizua dispozita që lejonte importin e mbetjeve jo të rrezikshme, duke arsyetuar se: ‘dispozitat që lejojnë importin e mbetjeve me qëllim riciklimin e tyre në Shqipëri, bien në kundërshtim me direktivën e BE-së për zbatimin e “Parimit të vetmjaftueshmërisë dhe afërsisë”. Sipas direktivës 2008/98/EC (neni 16) çdo vend duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit. Gjithashtu, importi i mbetjeve bie ndesh me përparësi që duhet të ketë trajtimi i mbetjeve që prodhohen nga tregu shqiptar. Kjo do të thotë që me politika stimuluese fiskale, siç janë heqja e TVSH-së apo subvencionet, duhet stimuluar industria e riciklimit që të trajtojë mbetjet lokale. Lejimi i importit i bën të pamundura politika të tilla shtetërore, pasi nuk mund të subvencionohet trajtimi i mbetjeve që vijnë nga jashtë. Për më tepër, importi i mbetjeve nga jashtë ul interesin për trajtimin e mbetjeve që prodhohen brenda territorit tonë.’(2)

Çuditërisht, pas tre viteve propozuesit e ligjit mohojnë diçka të cilën e kishin pranuar më parë, duke sjellë pretekstin e përafrimit me një Direktivë tjetër që në fakt është Rregullore.

Referuar Konventës së Bazelit, Shqipëria duhet të marrë masa për minimizimin e mbetjeve të brendshme dhe në asnjë rast nuk është e detyruar të importojë mbetje të tjera (jo të rrezikshme) nga jashtë. Madje, ka të drejtën edhe ta ndalojë me ligj nëse ka arsye të besohet se nuk do të trajtohen në mënyrë të shëndoshë mga ana mjedisore. Në fakt, nga viti 2013 kur u shfuqizua ajo dispozitë, progres-raportet për Shqipërinë nuk flasin për një pozitë të favorshme të Shqipërisë në menaxhimin e mbetjeve dhe në asnjë rast nuk janë lënë detyra për të parashikuar dispozita në lidhje me importin e mbetjeve të rrezikshme.

Në progres raportin e vitit 2013 thuhet se: ‘Menaxhimi i mbetjeve vazhdon të mbetet problem serioz për Shqipërinë. Ndarja nuk ka filluar ende, me disa përjashtime, dhe niveli i riciklimit vazhdon të jetë shumë i ulët. Investimet e reja duhet të përqëndrohen më tepër në ndarjen dhe riciklimin e mbetjeve’.(3)

Edhe në progres-raportin e vitit 2014 thuhet se:”… kapacitetet e autoriteteve të menaxhimit të mbetjeve mbeten të dobëta. Ndarja e mbetjeve është pothuajse inekzistente dhe niveli i riciklimit vazhdon të jetë shumë i ulët… Menaxhimi i mbetjeve vazhdon të jetë shqetësim për Shqipërinë”(4)

Ndërsa, në Progres-Raportin e vitit 2015 thuhet se: ’Planifikimi, koordinimi dhe zbatimi i politikave për menaxhimin e mbetjeve po përparon shumë ngadalë dhe kapacitetet administrative mbeten shumë të kufizuara. Legjislacioni zbatues në përputhje me acquis është miratuar në fushën e eksportimit dhe kalimit të mbetjeve jo të rrezikshme dhe të ndërtimit, si dhe në fushën e përdorimit të llumrave të ujrave të zeza. Veçimi i mbetjeve është shumë i kufizuar dhe niveli i riciklimit mbetet i rrallë”(5)

Shqipëria ka për detyrë të luftojë kundër degradimit mjedisor, duke marrë masa në drejtim të menaxhimit sa më të mirë të mbetjeve përmes ndarjes në burim dhe riciklimit të tyre, gjë e cila nuk ka ndodhur gjatë këtyre tre viteve. Ndërkohë, që ka dështuar në këtë drejtim, përmes këtij Ligji do të lejojë importimin e mbetjeve nga jashtë, pa paraqitur një analizë transparente se këto mbetje do të trajtohen në mënyrë të shëndoshë nga ana mjedisore. Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Kuvendit, apo edhe referuar dokumenteve parlamentarë në asnjë rast nuk rezulton të jetë bërë një analizë e tillë, përkundrazi shoqëria civile ka paraqitur të dhëna të cilat e bëjnë edhe më të dyshimtë qëllimin e propozimit dhe të miratimit të ligjit. Këshilli i Ministrave në mendimin e dhënë në lidhje me projekt-ligjin është shprehur se: ‘Mendojmë se përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh, duhet të shihet mundësia për rritjen e eficencës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas. Deri më tani nga të dhënat rezulton se në Shqipëri gjenerohen 386,728,650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17 % e tyre riciklohet. Kjo tregon që 83% e mbetjeve është ende një treg i paprekur nga kompanitë e riciklimit’(6)

Për më tepër, referuar Relacionit të projekt-ligjit, ky Ligj nuk ka qenë i parashikuar në programin analitik të akteve të Ministrisë së Mjedisit, pasi për të miratuar një akt të tillë janë dashur të bëhen një sërë investigimesh pranë doganave të vendit dhe pranë impianteve të riciklimit të mbetjeve në vend.

Është plotësisht e qartë se Shqipëria nuk ishte në kushtet optimale që pasi kishte bërë një analizë dhe transparencë në lidhje me menaxhimin e mbetjeve, të merrte vendimin që të importonte dhe mbetje të tjera nga jashtë, gjë e cila në asnjë rast nuk rezulton të jetë e detyruar nga instrumentet ndërkombëtarë.

Së dyti: Ligji bie ndesh me nenin 59 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet se: ‘Shteti brenda kompetencave dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm’.

Lejimi i importit të mbetjeve referuar Ligjit, duke gjeneruar një ndotje shtesë në raport me popullsinë dhe territorin e vendit mund të kompromentojë në mënyrë të pakthyeshme parimin e zhvillimit të qëndrueshëm të sanksionuar në Kushtetutë.

Shqipëria është një vend me shumë avantazhe bazuar në atë që i ka dhënë natyra dhe burimet njerëzore vendase, dhe ka strategji zhvillimi në bujqësi, turizëm, energji, të cilat nëse vihen në eficencë krijojnë e do të krijojnë mjaftueshëm vende pune dhe mirëqenie në vend. Avantazhi konkurrues për Shqipërinë nuk mund të jetë riciklimi i mbetjeve të importuara.

Në kushtet që Relacioni i projekt-ligjit përmendte një investim prej 120 milion Euro dhe 35 mijë vende pune, Këshilli i Ministrave në Mendimin e dhënë përmes Vendimit nr. 360, dt.3.8.2016 ka sugjeruar që projekt ligjit t’i bashkëlidhet një raport i detajuar, i bërë nga kompani vlerësuese, qoftë nga ana teknike edhe nga ana financiare, i këtyre investimeve dhe punësimeve.

Sipas Mendimit të Këshillit të Ministrave, nuk duhen marrë në konsideratë vetëm investimet e deklaruara, por edhe vlera reale në treg e makinerive ricikluese, sa kanë ricikluar ato nga mbetjet vendase dhe kapacitetet për të trajtuar dhe mbetjet e huaja. Gjithashtu, sugjerohen të përfshihen dhe të dhëna të sakta për të punësuarit lidhur me siguracionet e tyre, kushtet në punë, higjenën etj.(7)

Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion nga ana e Kuvendit nuk rezulton që të jetë bërë një raport i tillë vlerësimi. Përkundrazi, shifrat në lidhje me investimet dhe të punësuarit kanë ngjallur debat në diskutimin e projekt-ligjit në Komision me grupet e interesit.(8)

Referuar Relacionit dhe Raportit të projekt ligjit, në vitin 2013 u ndalua importi i mbetjeve për arsye riciklimi, pasi institucionet përkatëse nuk ishin në gjendje të inspektonin cilësinë e mbetjeve për shkak të mungesës së laboratorëve përkatës.(9)

Referuar Relacionit të projekt-ligjit, pretendohet nga propozuesit se gjatë këtyre tre viteve, janë bërë përmirësime të dukshme në: (i) rinovim të Inspektoriatit të Mjedisit, si në infrastrukturën përkatëse (e cila i mungonte), ashtu edhe (ii) në trajnimin e personelit si brenda dhe jashtë vendit. (iii) Agjencia Kombëtare e mjedisit është pajisur me një laborator, i cili kryen analiza të ndryshme, dhe në rastet kur ai nuk ka mundësi t’i kryejë ato i bën në laborator privat të specializuar dhe akredituar për këtë qëllim. (iv) Gjithashtu, edhe në doganë ka përmirësime si në infrastrukturë dhe në personel të trajnuar.(10) Sipas propozuesve të ligjit, nënshtrimi i këtyre mbetjeve ndaj analizave specifike të përbërjes dhe rrezikshmërisë së tyre, eliminon mundësinë e rrezikut të futjes së mbetjeve të rrezikshme në R.SH-së, duke shtuar kështu edhe rrezikshmërinë për jetën dhe shëndetin e njerëzve.(11)

Por, ndryshe nga sa pretendohet nga propozuesit e ligjit, ekspertë të mjedisit, mendimet e të cilëve më janë vënë në dispozicion nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, vënë në dukje se aktualisht nuk ekziston ndonjë raport për analizat/matjet laboratorike të mbetjeve dhe se Drejtoria e Akreditimit nuk ka akredituar asnjë nga laboratorët e Doganës apo Institutit të Fizikës Bërthamore. Sipas ekspertëve, kontrolli dhe inspektimi kanë rezultuar dobët dhe nuk kanë dhënë sigurinë e nevojshme që procesi i importit garantonte mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit publik.(12) Ekspertët hedhin dyshimet, se me këto mangësi sa më sipër, pavarësisht faktit se nuk do të importohen mbetje të rrezikshme, kjo nuk do të thotë që këto mbetje në një përqindje të caktuar do të kthehen në mbetje të rrezikshme. Sipas ekspertëve duhet të ishte bërë një studim dhe në përfundim të ishte përgatitur një Raport i vlerësimit Strategjik Mjedisor që do të jepte përputhshmërinë e objektivave të importit të mbetjeve me objektivat mjedisore, me ato që prek shëndetin e një populli. Sipas ekspertëve, mungon një Raport i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis që përmes standarteve evropiane përcakton se si një aktivitet riciklimi të godasë sa më pak shëndetin mjedisor dhe atë të njerëzve.(13)

Progres raportet për Shqipërinë flasin qartë se Shqipëria nuk ka kapacitetet e duhura të kontrollit dhe monitorimit institucional të cilat do të lejonin kontrollin efektiv, moslejimin dhe mospërdorimin e importimit të mbetjeve jo të rrezikshme. Kjo do të thotë se pretendimi i propozuesve të ligjit referuar Relacionit të projekt-ligjit, referuar sa më sipër nuk qëndron.

Qeveria përmes Kuvendit dhe Ministrisë së Mjedisit ka dështuar të paraqesë një informacion të qartë në lidhje me masast konkrete të marra në drejtim të forcimit të kapaciteteve ekzistuese apo kapaciteteve të tjera shtesë kontrolluese/monitoruese që do t’i shtohen strukturave të doganave apo inspektoriateve përkatëse, rritjes së buxhetit, ngritjes së laboratorëve etj, me qëllim krijimin e kushteve dhe standarteve bashkëkohore në menaxhimin e mbetjeve të importuara referuar ligjit me qëllim arritjen e objektivave socialë të përcaktuara në nenin 59/ d të Kushtetutës. Menaxhimi i mbetjeve të importit kërkon fonde shtesë dhe hapësira publike shtesë për minimizimin e efektit të tyre në mjedis e shëndet. Në këtë mënyrë shteti shqiptar shpenzon fondet e tij publike në funksion të përpunimit dhe depozitimit të mbetjeve që prodhohen jashtë Shqipërisë.

Pra, është e qartë se Shqipëria nuk disponon infrastrukturën dhe kapacitetet njerëzore për monitorimin e kontrollin e importit të mbetjeve dhe ekziston rreziku i futjes ilegalisht të mbetjeve me rrezikshmëri të lartë. Sipas ekspertëve, Shqipëria është një vend i pasur me burime ujore dhe një sasi më e madhe e mbetjeve, sado i lartë qoftë standarti i menaxhimit të tyre rrit rrezikun e ndotjes së mjedisit dhe vë në rrezik shëndetin e qytetarëve.

Stukturat shtëtërore qëndrore dhe vendore duhet të miratojnë politika, kuadër ligjor dhe të forcojnë institucionet për të mundësuar ndarjen në burim, mbledhjen, menaxhimin dhe përpunimin e mbetjeve të cilat ndodhen në Shqipëri.

Ministria e Mjedisit duhet të maksimizojë mbrojtjen e mjedisit, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të shtetasve shqiptarë dhe jo mbrojtjen e interesave të industrisë ricikluese, ku në konkurrim mes tyre, mbizotërojnë shtetasit shqiptarë.

Nga ana tjetër, duke vlerësuar biznesin e shoqërive të riciklimit në Shqipëri, këtyre duhet t’u krijohen kushtet nga organet shtetërore në mbledhjen e lëndës së parë dytësore në Shqipëri dhe jo nga mbetjet e importuara, duke mundësuar në këtë mënyrë arritjen e objektivit për të siguruar një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Së treti: Procedurat e ndjekura në miratimin e Ligjit kanë qenë të përshpejtuara, në mungesë informacioni, transparence dhe pjesëmarrje të qytetarëve Shqiptarë, në kundërshtim me nenin 56 të Kushtetutës referuar të drejtës së qytetarëve për t’u informuar me gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij si dhe Konventën e Aarhus “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”

Kushtetuta e R.SH-së në nenin 56 të Saj përcakton se: ‘Kushdo ka të drejtë të informohet për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij’.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka ratifikuar me ligjin nr.8672, datë 26.10.2000, Konventën e Aarhus “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”. Në nenin 1 të Konventës së Aarhus përcaktohet se: ’Me qëllim që të kontribuojmë në mbrojtjen e të drejtës së çdo individi të brezave të sotëm e të ardhshëm, për të jetuar në një mjedis të përshtatshëm për shëndetin dhe mirëqenien e tij, çdo palë do të garantojë të drejtën e publikut, për të pasur informacione për mjedisin, për të marrë pjesë në marrjen e vendimeve mjedisore..’

Sipas parimeve kryesore të kësaj Konvente e drejta e secilit për të marrë informacionin mjedisor që mbahen nga autoritetet publike mund të përfshijë:

(i) informacion mbi gjendjen e mjedisit, por edhe në politikat ose masat e marra, ose për gjendjen e shëndetit të njeriut dhe sigurisë kur kjo mund të ndikohet nga gjendja e mjedisit.

(ii) autoritetet publike janë të detyruar, në bazë të Konventës, që në mënyrë aktive të shpërndajnë informacionin mjedisor në posedim të tyre;

(iii) vendimmarrjet mjedisore duhet të bëhen publike nga autoritetet shtetërore për të mundësuar publikun e ndikuar dhe organizatat mjedisore joqeveritare për të komentuar mbi, propozimet për projekte që ndikojnë në mjedis, apo planet dhe programet që kanë të bëjnë me mjedisin; këto komente duhet të merren në konsideratën e duhur në vendimmarrje dhe duhet dhënë informacion shpjegues në rast se nuk do të merren në konsideratë mbi arsyet se përse nuk janë marrë në konsideratë;

(iv) e drejta për të shqyrtuar procedurat për të kundërshtuar vendimet publike që janë bërë pa respektuar të drejtat e lartpërmendura apo ligjin e mjedisit në përgjithësi.

Konventa në nenin 6 të saj përcakton se publiku duhet të njoftohet në procedurën e hershme të marrjes së një vendimi për mjedisin dhe në një mënyrë të përshtatshme, efektive dhe në kohë. Në fushën e veprimtarive për të cilat ka të drejtë të marrë informacion dhe pjesë në vendimmarrje publiku është dhe administrimi i mbeturinave.(14)

Në një rast të tillë është e qartë se procedura e konsultimit nuk ka qenë e hershme dhe nuk është zhvilluar në mënyrë të përshtatshme, efektive dhe në kohë. Në rastin konkret janë shkelur Konventa e Aarhusit dhe ligjet e brendshme si: Ligji “Për mbrojtjen e mjedisit”, “Për njoftimin dhe konsultimin publik’, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, etj përmes të cilave garantohet aksesi në informacionin mjedisor, akses në vendimmarrjen mjedisore dhe aksesi në drejtësi për çështje mjedisore.

Në rastin e pranimit të kërkesës për Referendum të Përgjithshëm që kishte pikërisht të bënte me shfuqizimin e dispozitës së ligjit që përcaktonte importimin e mbetjeve jo të rrezikshme, Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka rikonfirmuar qëndrimin e mbajtur edhe më parë nga ana e saj, duke konkluduar se: ‘Instrumentet e demokracisë direkte konsiderohen jo si pushtet konkurrues i organeve përfaqësuese, por si instrumente që mundësojnë mënjanimin e mungesës së veprimit nga ana e përfaqësuesve, ose balancimin e kësaj mungese. Ato nuk mundësojnë bërjen e ligjeve, funksion i cili i është ngarkuar ekskluzivisht ligjvënësit. Në këtë mënyrë, referendumi paraqitet si mjet për integrimin dhe stimulimin e procesit ligjvënës në parlament, në rastet kur nuk gjen zbatim parimi i përputhjes së vullnetit të shumicës parlamentare me shumicën e popullit në një çështje konkrete. Pra, bëhet fjalë për një instrument që mundëson transmetimin e mendimit të zgjedhësve në drejtim të instancave politike ‘(15)

Në fuksionin e Presidentit të Republikës përmes Dekretit nr. 8093, datë 8.04.2013 kam caktuar datën 22 Dhjetor 2013 për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm me objekt shfuqizimin e pikës 3 të nenit 22 dhe të nenit 49 të ligjit nr. 10 463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Dispozitat e ndryshuara të ligjit 10 463/2011 përmes ligjit 156/2013 që hyri në fuqi në datë 14 Nëntor 2013 kanë qenë dhe objekti i referendumit, i cili duhej të ishte zhvilluar në datë 22 Dhjetor 2013.

Si rezultat hyrja në fuqi e ligjit 156/2013, i cili është dekretuar nga Presidenti i Republikës ka sjellë si pasojë dhe pushimin e fuqisë juridike të tij, pasi është arritur qëllimi për të cilin do të mbahej ky referendum.

Në kushtet që pas tre viteve nuk konsiderohet zëri i publikut dhe çbëhet ajo që u arrit nga ligjvënësi pas përfshirjes së publikut në vendimmarrje në vitin 2013 është në kundërshtim me çdo standart të vendosur nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa e Aarhus-it e detyrueshme për R.SH-së.

Është e drejta e publikut të përfshihet në një vendimmarrje kaq të rëndësishme sa ç’është ajo e importit të mbetjeve që ndikon direkt në mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.

Ka rezultuar se ky ligj nuk ka qënë në programin analitik të akteve të Ministrisë së Mjedisit, por pavarësisht kësaj, me hapa të përshpejtuar, pa asnjë konsultim paraprak me publikun siç kërkon Kushtetuta dhe Konventa e Aarhus është futur në kalendar, duke e vënë publikun para faktit të kryer dhe duke i dhënë mundësinë që vetëm në dy séanca të shpreheshin në lidhje me projekt-ligjin. Ndërkohë, referuar procesverbaleve të seancave në Komision dhe dokumenteve të vëna në dispozicion nga ana e Kuvendit, ka rezultuar se koha ka qene tepër e shkurtër, e papërshtatshme (korrik, shtator) dhe për më tepër edhe mendimet e dhëna me shkrim nga ana e ekspertëve apo grupeve të interesit nuk janë marrë në konsideratë.

Nga ana tjetër është pretenduar se Ligji duhet të përafrohet me acquis të BE. Është e vërtetë që Plani Kombëtar për Integrimin Europian (2016-2020) ka vendosur si prioritet riciklimin e mbetjeve në burim, forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e mbetjeve si dhe ndarjen e mbetjeve në burim, por kjo nuk do të thotë që prioritet është rregullimi ligjor në lidhje me importin e mbetjeve.

Projektligjet që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian duhet të jenë të shoqëruara me relacionin shpjegues dhe tabelat e përputhshmërisë (instrumentet e përafrimit) dhe se organet e Kuvendit (Kryetari i Kuvendit dhe Komisioni për Integrimin Europian) mund të kthejnë te nismëtari projektligjet e depozituara në Kuvend kur konstatojnë mangësi në dokumentacionin që shoqëron projektligjin. Gjithashtu, projektligjet e propozuara Kuvendit që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian (siç pretendohet se është rasti i ndryshimit të ligjit të mbetjeve) shqyrtohen nga Komisioni për Integrimin Europian, i cili ka në fushën e tij të përgjegjësisë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.(16) Sipas Rregullores së Kuvendit, raporti i Komisionit për Integrimin Europian është i detyrueshëm për t’u shqyrtuar nga komisioni përgjegjës para miratimit në tërësi të projektligjit.

Në rastin konkret, duke patur parasysh parimet e përcaktuara në Konventën e Aarhusit dhe kushtet e përputhshmërisë me acquis, duke patur parasysh se çështja është tepër sensitive, në kuadër të transparencës dhe gjithëpërfshirjes, duhej që ky informacion të ishte bërë publik., gjë e cila është sugjeruar edhe nga ana Këshillit të Ministrave përmes Mendimit të dhënë në lidhje me projektiligjin.(17)

Së fundi, ligji është miratuar me votat e vetëm 63 deputetëve të Kuvendit, gjë që vë në dyshim rregullsinë dhe kushtetutshmërinë e këtij Ligji, për të cilin duhet të kishte një bashkëvendimmarrje nga publiku.

Të nderuar deputetë,

Në përfundim, referuar sa më sipër kërkoj mirëkuptimin Tuaj në rishqyrtimin e ligjit nr. 92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar” pasi bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe marrëveshjet ndërkombëtare me fuqi detyruese në Republikën e Shqipërisë.

Me respekt,

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

BUJAR NISHANI

Filed Under: Analiza Tagged With: kthen plehrat, ne Parlament, presidenti Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2431
  • 2432
  • 2433
  • 2434
  • 2435
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT