• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pushteti disiplinor dhe Identiteti

September 16, 2016 by dgreca

Nga Mr.Sc Blerta Haxhiaj/

Konceptimi i pushtetit shkrihen në refleksionin e subjektit dhe të identitetit ku M.F shërbehet me “Arkeologjine e Dijes” e cila si qëllim ka hulumtimin në historinë e formacioneve diskursive. Ato që organizojnë eksperiencen që njerëzit kanë për botën, prandaj le të shikojmë pak se me çfarë mund ta lidhim pushtetit si fjalë në vete dhe per vete kur e dëgjojmë ashtu siç shqiptohet pa u inkuadruar në çfarë fushe i përket ajo apo ai. Në plan të parë kur e dëgjojmë mendojmë për autoritetin, por duhet të referojmë se autoriteti kërkon vetëm një gjë ‘nënshtrimin’ pra tani e tutje kur të referojme pushtetin si fjalë në vete kemi të  bëjmë me autoritetin dhe atë që kërkon ai ‘nënshtrimin’. Metoda arkeologjike lë vend për praktika të ‘politikave gjenerale’ preçise të vërteta apo false, të cilat vendosin se cilat diskurse të pranohen apo të refuzohen. Organizime të tilla interveprojnë dhe janë të lidhura me pushtetin dhe raportet e tij. Praktikat diskursive është pikërisht vendi i artikulimit produktiv të pushtetit, elaborimi apo hulumtimi i subjektit që konçidon me shfaqjen e një diskursi mbi njeriun, me shkencat humane, që lindin pikërisht në epoken moderne me vullnetin për të krijuar një diskurs, që institucionalizon ‘individin’ si koncept. Lidhur me një identitet preçiz subjekti i një identiteti do të hulumtohet në kërkimet e saj si një teknike e domosdoshme për këtë qëllim. Një metodë e mënyrës së qeverisjes, ku subjekti është një formë e pushtetit që krijon mirazhin dhe domosdoshmërine e vetëdijes për vete për të lidhur individin për identitetin e vet. Një prepozicion nga të shumtat që na referon M.F: “Rropatje e pamate me të cilën janë përkulur në Perëndim breza të tërë njerëzish – ndërkohë që forma të tjera pune siguronin akumulimin e kapitalit – për të prodhuar nënvartjen (assujettissement) e tyre: dua të them, për t’i ndërtuar ata njëkohësisht si-subjekte (‘sujets’),“ (Kjo lloj metamorfoze jo fizike por e mbrendshme na bën të mundur që të kemi një identitet, (sub-jectum – i vënë, hedhur poshtë (lat)), një identiteti, por që të mos harrojmë gjithmonë në lidhje me pushtetin si identitet (idem – i/e njajte, po ai, njejesi) që na e furnizon po vete ai. Identiteti i dhënë  nga pushteti elaboron diskursin e subjektit të historisë duke mos njohur shtresat shtypëse të pashmangshme të zhvillimit, e referuar dhe nga autorja Camille Paglia : “Identiteti eshte pushtet” Njera furnizon tjetren mirepo nuk mund te bejme pa te, duke rifreskuar memorien me mitin e Odiseut teksa pasi verboi Ciklopim Polifem duke u arratisur therret “Une jam Odiseu “ duke u rikthyer  ne identitet – (sepse Polifemit i kishte thene se ishte Askushi) duke u rikthyer ne pushtet apo ne identitet. (Dialektika e Iluminizmit – Max Horkheimer & Theodor W. Adorno) – “te Homeri eposi dhe miti, forma dhe permbajtja jo thjeshte divergjojne njera prej tjetres, por ato edhe ballafaqohen mes tyre. Dualizmi estetik i vepres deshmon tendencen historiko-filozofike” Pushteti është diçka që qarkullon apo më mirë si diçka që funksionon si zinxhir, nuk është i lokalizuar, aty apo këtu, kurrë nuk është në duart e njërit apo të tjetrit në mënyrë përmanente. Ai ‘pushteti’ funksionon përmes organizimit qarkullues duke kapërcyer në çdo hallkë të zinxirit në një periudhë të caktuar. Foucault-ja ‘mikrofizikën e pushtetit’ e cila si pasojë e organizimit qarkullues nuk është mbi shoqërinë por tregon se koekziston mbrenda saj në brendësinë e shoqërisë aty jeton ku hulumtimi fokusohet mbi mënyrat të cilat përmes tyre qëniet njerëzore bëhen subjekte, fitojnë një identitet. Ato tregohen determinuese edhe me rolin e shkencave që flasin për njeriun, japin atë që Foucault quan ‘praktika të divizionit’ që krijojnë subjektin përmes aktit për të ndarë në një seri me një ‘tjetër’. Si shembull i kësaj nga shumë shembujt që mund të marrim implikohet edhe institucioni i çmendurisë. Pushteti dhe diskursi kanë nevojë për figurën e çmendurisë si antagoniste më të cilën i kundërvihet jonormalitetit të çmendurisë edhe pse çmenduria në epokat e më përparshme konsiderohej si diçka misterioze dhe hyjnore ku pikërisht me lindjen e klinikës psikiatrike ato i nënshtrohen diskursit mjekësor, medikalizohen, trajtohen, çmenduria bëhet një sëmundje që kurohet. Të sëmurët mendorë mbyllen në strukturat përkatëse, vëzhgohen, hetohen dhe me lindjen e klinikes psikiatrike sëbashku me të lind edhe diskursi preçiz mjekësor që konsiston në  një identiteti seksual, që në periudhën e Mesjetës ishte i shtypur dhe mohues të seksualitetit si akt dhe si zgjedhje e identitetit të saj. Pushteti tenton të nënshtrojë seksualitetin si dispozitiv i ndërtuar dhe jetësor. Diskurset represive mbi të cilat shoqëria borgjeze i shtypë dhe kur flet për seksualitetin bën për të injoruar të vërtetën natyrore të ndjenjave ku shfaqet një vullnet i ri i dijes. Me shfaqjen e diskurseve të tilla identiteti merr hov si në bazë të përcaktimit subjektiv, të anomalisë, atij seksual, identiteti dhe pushteti relacioni mes tyre është themelor në shoqërinë njerëzore sepse përmes praktikave diskursive, furnizojnë me identitet.

Shfaqja e diskurseve epistemologjike furnizon me nomenklaturë që e bën të mundur identitetin të shfaqet në një liri të kufizuar, njeriu i shndërruar në subjekt në lidhje me identitetin që e fiton në fusha të ndryshme ‘emër’, ‘numër’, ‘formë’ bile edhe ‘vepër’ (kjo është për të kujtuar autorët e kohërave të shkruara që kanë identitet përmes veprave të shkruara, monumente, vepra muzikore etj), si forcë rebeluese nga kalimi në subjekt në fitimin e identitetit është e domosdoshme diskursi epistemologjik. Me identitetin tonë të përcaktuar, i cili fillon që në momentin që lindim me stampimin e çertifikates së lindjes që mundësohet nga pushteti disiplinor apo legjislativ, që e kërkon të domosdoshme një fakt të tillë, pastaj nga identiteti individual, pason ai kolektiv, brenda një popullsie, shtresa të ndryshme të shoqërise, kur flasim për kolektiv, grupor, flasim edhe për identitete ndër-etnike, kulturore ata që i quajmë të ‘tjeret’; çfarë na dallon neve nga të tjerët? Është ‘IDENTITETI’ dhe pushteti është shumë i përgatitur të ofrojë këtë dije, pushteti disiplinor me ngritjen e strukturave përkatëse, institucioneve përkatëse konsiston në kontrollimin, disiplinimin dhe vëzhgimin e trupave duke bërë prodhimin adeguat ekonomiko-politik të trupit social prandaj si subjekt jemi të zënë në kurth me kartela identifikuese (ID), pasaporta, kartela bankare, fatura për të paguar, të cilat konfirmojnë identitetin tonë se kush jemi ne. (Vijon …)

Referenca

Foucault, Michel “Historia e seksualitetit”,

Paglia Camille “PERSONAE SEKSUALE-Arti dhe Dekadenca nga Nefertiti tek Emily Dickinson”

Foucault Michel “Disipline dhe ndeshkim – Lindja e Burgut

Kullashi Muhamedin “Pushteti dhe Dija te Michel Foucault”

Michel Foucault “REMARKS ON MARX Conversations with Duccio Trombadori

Tolstoi Lev “Lufta dhe Paqja”

Dialektika e Iluminizmit – Max Horkheimer & Theodor W. Adorno

Filed Under: Analiza Tagged With: Blerta Haxhija, dhe identiteti, Pushteti disiplinor

Isa Mustafa u takua me banorët e zonave të brezit kufitar Kosovë-Mali i Zi

September 16, 2016 by dgreca

Pejë, 15 shtator 2016/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të konsultimeve të gjithanshme lidhur me procesin e shënjimit të vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, ka takuar sot dhjetëra banorë që jetojnë dhe veprojnë në brezin kufitar.Kryeministri Mustafa, i shoqëruar edhe nga ministri Kujtim Shala, kryetarët e Pejës e Istogut dhe deputetë të Kuvendit, kanë dëgjuar të gjitha opinionet dhe qëndrimet e banorëve të këtyre zonave, lidhur me këtë proces të rëndësishëm për vendin.Kryeministri Isa Mustafa do të vazhdojë konsultimet me të gjitha subjektet e interesuara, drejtuesit e organeve shtetërore puna e të cilave lidhet me brezin kufitar me Malin e Zi dhe përfaqësuesit politikë të interesuar për të kontribuuar në procesin e sqarimit të të gjitha dilemave të ngritura lidhur me procesin e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Filed Under: Politike Tagged With: kufi, Mali i Zi, Mustafa, takim

ATDHETARIA DHE ANGAZHIMI VULLNETAR

September 16, 2016 by dgreca

Opinion nga Esad Gjonbalaj*/ Nju Jork/

Nga eksperienca kam mësua se puna vullnetare donë një përkushtim por edhe përkrahje morale, përkrahja gjithnjë duhet të filloj nga mesi i juaj gjegjësisht nga familja.

Puna vullnetare kërkon edhe sakrifica dhe ja që në start sërish përveç vetvetes kërkon edhe sakrificën që bën për të mirën shoqërisë të sakrifikosh edhe mirëqenien e familjes tënde. Puna vullnetare kërkon pikësëpari përkushtimin tuaj personal por edhe përkrahjen morale dhe direkte  të bashkëmendimtarëve tuaj. Në këtë komunitet të madh e të fuqishëm në aspektin kombëtar njoh atdhetar dhe aktivist të pa lodhshëm që kanë sakrifikuar çdo gjë për aspektin kombëtar, kanë sakrifikuar mirëqenien e tyre e besa edhe familjen me përkushtimin e tyre jetësor. Sot në këtë komunitet asë që i zë në gojë kush këta burra dhe gra të atdheut që punuan me vite të tera për çështjen kombëtare.

Ata burra dhe gra të atdheut sot na janë “zëvendësuar” me patriotet sezonal që 1 vit punojnë e 10 pushojnë.

Çka rendon shumë përkushtimin e këtyre atdhetarëve janë  shpifjet, trillimet dhe sajimet e disa pseudointelektualve ose te disa pseudopatriotëve që tentojnë tëdekorojnë shantazhojn ata që me përkushtimin e tyre jetësor edhe sot mbajnë gjallë lidhjet me vendlindjet e tyre, ndihmojnë në bazë të mundësive raste dhe çështje të ndryshme në aspektin human dhe kombëtar.

Patriotet sezonal dhe të vonuar sikur tentojnë që të zën hapin me  kohen sepse në kohen e duhur ata ishin të rreshtuar në rreshtin e gabuar të çështjes kombëtare.

Sot te mbyllur ne shkretëtirën e egove të tyre dhe të izoluar nga komuniteti këta pseudopatriot dhe pseudoniteletual dalldisen në mesin tonë ku nën ombrellën e bashkimit dhe unifikimit luajnë lojën djallit duke futur përçarje dhe urrejtje me trillimet dhe sajimet e tyre të ulta.

New York

16 Shtator 2016

*Esad Gjonbalaj dhe Henry Gjonbalaj, gjate vendosjes se Shtatores te Shen Terezes prane OKB

Filed Under: Opinion Tagged With: atdhetaria, Esad Gjonbalaj, vullnetarizmi

LELA PRODANI, NDER 30 GRATE E SUKSESSHME NE AMERIKE

September 16, 2016 by dgreca

Zonja Lela Prodani, ndër 30 gratë më të suksesshme në industrinë e financave në Amerikë/

1-gruaja

Një durrsake me profesion analiste investimesh, është shpallur në listën e 30 grave më të suksesshme në fushën e investimeve institucionale në Amerikë. Bëhet fjalë për Lela Prodanin, analiste investimesh në Mercy Health në St. Louis, karriera e së cilës është ngritur në majat e saj më të larta në një hark kohor shumë të shkurtër. “Trusted Insight”, rrjeti më i madh në botë i investitorëve institucionalë, e ka renditur durrsaken Prodani, në top 30-shen e grave në ngritjen e shkallëve të karrierës në industrinë gjigante të financave. Por sa e vështirë është të fitosh një titull të tillë prestigjioz në Amerikë, dhe mbi të gjitha kur je femër? Me sa duket akoma më e vështirë është kur flitet për gjininë femërore, pasi kjo industri, tradicionalisht është dominuar nga meshkujt. Një pozicion që kërkon fuqi, autoritet, përkushtim, përballje me sfidat, dhe sigurisht shumë profesionalizëm. Por pasioni për këtë profesion nuk e ka penguar Lelën që t’ia dalë mbanë, dhe madje të arrijë aty ku çdo analisti tjetër do t’i dukej ëndërr në një periudhë kaq të shkurtër.

Rrjeti prestigjioz “Trusted Insight”, ka realizuar një intervistë të gjatë me Lela Prodanin, të cilën e ka përzgjedhur në kopertinën e revistës së saj, mes 30 femrave të tjera më të suksesshme.

Më herët, në tetor të 2015-s, Lela Prodanit i është atribuar çmimi prestigjioz i “Investitorëve Institucionalë” dhënë nga “Investor Intelligence Awards” .

Shkrimi i plotë i publikuar në “Trusted Insight”:

*Intervistë nga revista Trusted Insight me Analisten e investimeve në Mercy Health.

Lela Prodani është analiste investimesh në Mercy Health. Prodani filloi si analiste investimesh në nëntor 2013 dhe u rrit në detyrë po në nëntor të 2013-s. Më përpara ajo punonte si analiste e produkteve teknike dhe e performances në Mercer, si dhe analiste kapitalesh dhe specialiste e fondeve të përbashkëta tek Smith, Moore & Co. Prodani është e diplomuar në Biznes Ndërkombëtar dhe ka një Master Nga Universiteti Webster. Gjithashtu është e certifikuar në matjen e performancës së investimeve.

Trusted Insight: Financa është një industri që në mënyrë tradicionale është zotëruar nga meshkujt. Sa vazhdon të jetë i vërtetë ky mendim?

Lela Prodani: Puna ime e parë pas mbarimit të kolegjit ishte në një zyrë tregtare në një firmë të vogël broker. Kur fillova, shumica e këshilltarëve financiarë ishin meshkuj, dhe shumica në zyrat mbështetëse ishin femra. Të gjitha aktivitetet e tregut, ku unë kam marrë pjesë, ishin kryesisht të mbizotëruara nga meshkuj. Edhe sot, në fushën e investimeve institucionale, femrat mbeten një minoritet.

Megjithatë, pavarësisht kësaj që thashë më parë, unë nuk mendoj që gjinia është penguese për të pasur sukses. Pasi unë u largova nga firma broker, disa femra ishin rritur në detyrë në pozicione me autoritet dhe fuqi. Ti mund t’ia dalësh në këtë industri, pavarësisht nëse je një femër apo një mashkull. Diskriminimi mund të ketë qenë mbizotërues shumë kohë më parë, por nuk mendoj se kjo përbën më një problem. Unë besoj se çdo grua që hyn në industrinë e investimeve mund t’ia dalë të ketë sukses, për aq kohë sa ka pasion për këtë profesion.

Në rastin e ekipit në Mercy, katër profesionistët e investimeve janë të ndarë në mënyrë të barabartë : 2 meshkuj dhe 2 femra. Kjo më duket shumë inkurajuese dhe pres që të shoh edhe ekipe të tjera që mundohen të rrisin diversitetin.

Trusted Insight: A ka ndonjë gjë që industria mund të bëj për t’u përkujdesur që më shumë femra të angazhohen në të?

Lela Prodani: Po. Unë në fakt po diskutoja për këtë me Elizabeth Jourdan, përfaqësuesja jonë CIO në Mercy rreth mënyrave për të rritur angazhimin e femrave në këtë industri. Ajo është pjesë e një nisme në “Shoqatën CFA” në Saint Louis që po punon për të inkurajuar sa më shumë femra t’i bashkohen profesionit të investimeve dhe të ndjekin Charter CFA. Ky grup përbëhet nga meshkuj dhe femra. Ato po mendojnë të bëjnë shumë aktivitete që nga mbledhja e një grupi investitoresh femra për të biseduar rreth temave si aftësitë negociuese dhe mundësitë për karrierë, deri tek organizimi i takimeve sociale, ku anëtarët ndajnë përvojat e tyre rreth punës në një firmë investimesh.

Më duket sikur sa herë që ne bisedojmë me femrat, nuk ka shumë femra që luajnë golf. Sa herë që ka një event biznesi që përfshin golfin, shumë pak femra duan të shkojnë. Grupi po mendon të organizojë një aktivitet golfi, ku dikush të mund t’i mësojë bazat e golfit përpara se ato të mund të luajnë. Kjo mund të ndihmojë që më shumë femra të marrin pjesë nëpër aktivitete biznesi ku ato nuk do të shkonin, thjesht sepse nuk dinë si të luajnë golf. (Batutë e përdorur nga Lela për të treguar me humor se femrat janë të afta për gjithçka, madje dhe për ato “punë” që konsiderohen vetëm si pjesë e meshkujve).

Gjithashtu unë mendoj se në këto aktivitete duhet të tërheqim edhe studentët e kolegjeve, t’i edukojmë ata dhe t’i nxisim drejt ndjekjes së një karriere në investime. Të rrisësh ndërgjegjësimin është çelësi për të përfshirë sa më shumë njerëz, veçanërisht femra në këtë industri.

Trusted Insight:  Ekipi i investimeve në Mercy ka një përqasje përgjithësuese. A mund të na tregosh për dinamikën e ekipit dhe ndarjen e detyrave?

Lela Prodani: Për momentin ne jemi katër persona në ekipin tonë të investimeve. Tony Waskiewicz, si Kryeoficeri i Investimeve, Elizabeth Jourdan  përfaqësuese e CIO-s, unë si analiste e investimeve dhe Mike Werner si Menaxher i Operacioneve dhe Manaxhimit të Riskut. Gjithashtu ne kemi dhe asistenten Beth Gray, e cila është ajo që na mban të gjithëve të organizuar. Tani ne jemi duke kërkuar t’i shtojmë një tjetër anëtar ekipit tonë, i cili do të fokusohet në manaxhimin e riskut.

Siç e përmendet edhe ju, ne kemi një përqasje përgjithësuese. Megjithatë, rolet tona janë paksa të ndara. Unë dhe Elizabeth fokusohemi tek investimet me vëmendje. Ne jemi përgjegjëse për formulimin e ideve fillestare, për mbajtjen e kontakteve të ngushta me menaxherët tanë aktualë, dhe me monitorimin e ekspozimit dhe pozicionimit të portofolave (aksione, investime).Mike merret me anët operacionale të fondeve. Tony mbikëqyr si investimet ashtu edhe anët operacionale të portofolave; ndërkohë që na nxit çdo ditë që të mendojmë përtej zyrës sonë për të gjetur mënyra të reja për të përmirësuar portofolat dhe për të zgjidhur çështjet në mënyrë proaktive. Ndonëse detyrat na mbajnë pak të ndarë, ne komunikojmë në mënyrë të vazhdueshme me njëri-tjetrin: ne mblidhemi dy herë në javë ose më shumë sipas nevojës për takime zyrtare, ku rishikohen dhe diskutohen portofolat, e më pas merren vendimet.

Trusted Insight: Mercy Health praktikon investimet me përgjegjësi sociale. Na trego rreth këtij misioni.

Lela Prodani: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Në këtë moment investimi me përgjegjësi sociale ka vetëm një kufizim për duhanpirjen, por ne po marrim një iniciativë për të zgjeruar mandatin tonë për përgjegjësitë sociale. Tani po punojmë me Misionin këtu te Mercy për të na ndihmuar të formulojmë ide dhe struktura të mira.

Ne kemi një takim të komitetit tani shpejt, dhe ne po përgatitemi të drejtojmë investime me përgjegjësi sociale,iniciativa dhe përqasje në procesin e ESG-së.(mjedis,shoqëri,qeverisje-tre shtyllat e qëndrueshmërisë). Këto përqasje mund të variojnë nga pasqyrimet përjashtuese (të ngjashme me kufizimin kundër duhanit që po zhvillojmë momentalisht), në investimet me menaxherë që përfshijnë pasqyrimet e ESG-së në proceset e tyre, deri tek qasjet më direkte, si investimet me impakt. Tani në po planifikojmë t’i tregojmë komitetit rreth kësaj teme dhe aplikimeve të saja. Pasi ta kemi diskutuar me komunitetin rreth mënyrës që Mercy dëshiron t’i qaset përgjegjësisë sociale, atëherë do ta zbatojmë. Ne kemi filluar bisedimet me menaxherët tanë rreth SRI-së dhe ESG- së. Shumë nga menaxherët tanë përfshijnë ESG-në në procesin e tyre të investimit. Gjithashtu momentalisht ne sigurojmë një listë sigurimesh të kufizuara për menaxherët tanë aktualë me mandate llogarie të ndara (planifikojmë të zgjerojmë edhe më tej këtë listë, përtej kufizimit kundër duhanit në të ardhmen). Por sërish nuk kemi bërë shumë për sa i përket investimit me impakt. Ne mendojmë se investimet me përgjegjësi sociale janë shumë të rëndësishme dhe ne po punojmë për të zgjeruar qëllimin e tyre.

Trusted Insight: A do të thoshit që investimet me përgjegjësi sociale janë ndryshim themelor në industri, apo është thjesht një modë që disa institucione po ndjekin?

Lela Prodani: Shumë investitorë europianë janë përfshirë në mandatet e SRI-së dhe ESG-së për shumë kohë. Mendoj se ne jemi pak mbrapa këtu në SHBA, por nga bashkëbisedimet e kohëve të fundit me kolegët, shumë e më shumë njerëz po marrin iniciativa në investimet me përgjegjësi sociale, veçanërisht firmat jo përfituese ose ato me përkatësi fetare. Mua më duket se investitorët dëshirojnë të bëjnë më shumë se thjesht të investojnë, ato duan të ndikojnë gjithashtu edhe në komunitet. Një nga pengesat në investimet në SRI/ESG është që ndikon në performancën e saj. Shumë njerëz mendojnë se nëse ata investojnë në SRI/ESG, ata do të kenë kthime. Ne kemi bërë disa kërkime në këtë fushë dhe nuk mendojmë se kjo është domosdoshmërisht  e vërtetë. Ne mendojmë se investimet e qëndrueshme mund të japin kthime që janë në të njëjtën linjë me etapat përkatëse. Megjithatë, ashtu si me çdo menaxher, ne mendojmë se përzgjedhja e menaxherëve është kyç në këtë fushë.

Trusted Insight: Zyrat e investimeve në spitale, përgjithësisht janë diçka e re në industrinë e kujdesit për shëndetin. Çfarë roli luajnë këto zyra në këtë industri?

Lela Prodani: Zyrat e investimeve në shëndetin publik përbëhen nga njerëz inteligjentë dhe inovatorë që përpiqen gjithmonë t’i dalin punëve përpara. Ka një ndjenjë të fortë bashkëpunimi midis ekipeve të investimeve në institucione të ndryshme. Sa herë që takohemi në konferenca ose në biseda me kolegët tanë, ne kemi bashkëbisedime të ngjashme : “Në rregull. Çfarë mund të bëjmë më mirë? Si mund t’i arrijmë objektivat dhe qëllimet tona në këtë mjedis me kthime të ulëta? Si mund të gjejmë mënyra krijuese për të përfituar nga dislokimet e tregut dhe mundësitë e reja? A mund të jemi krijues dhe të shtojmë vlera nëpërmjet zgjidhjeve më të rregulluara, si makinat me kredi, apo gjëra të tjera si këto?” Nuk është çështje konkurrence, është më tepër për të ndarë ide dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin.

Trusted Insight: Ky lloj bashkëpunimi duket i rrallë në fushën e investimeve.

Lela Prodani: Më duket se ka më shumë konkurrencë në universitete se sa në fushën e kujdesit për shëndetin. Ne komunikojmë me kolegë të tjerë dhe ndajmë ide; unë mund t’u telefonoj kolegëve të spitaleve të tjera për ndihmë ose për pyetje në lidhje me menaxherët. “ A ke folur me këtë menaxher?” Ata janë shumë mbështetës për të ndarë ide. Ne jemi njësoj dhe mua më pëlqen shumë ky fakt.

Trusted Insight: Me çfarë sfidash të veçanta përballen zyrat e investimeve të kujdesit për shëndetin?

Lela Prodani: Kthimet e ulëta janë një sfidë e madhe. Dhe kjo jo vetëm në fushën tonë. Ndoshta është e njëjta sfidë edhe për industritë e tjera. Është shumë e vështirë të arrish objektivat dhe qëllimet tona në këtë mjedis. Ose të duhet të marrësh më shumë risqe, ose duhet të heqësh dorë nga disa likuiditete me qëllim që të mund të kesh kthime me të larta. Ndonjëherë as kompensimi (kthimi për sasinë e rrezikut) nuk është i mjaftueshëm për rrezikun e marrë në projekte. Është me të vërtetë një sfidë. Në këtë mjedis të duhet të punosh për të ulur pagesat, ose të hysh në investime private për të pasur kthime më të larta. Kjo nuk është një sfidë vetëm në fushën e kujdesit për shëndetin,është një sfidë e përgjithshme, por kthimet përfundimisht po ndikojnë në objektivat dhe qëllimet e fondeve.

Trusted Insight: Kë konsideroni bashkëpunëtorë të Mercy Health? Ku ndryshoni ju nga ata?

Lela Prodani: Unë do krahasoja Mercy-n me institucionet e tjera të kujdesit për shëndetin në rangun e 2-2.5 miliardë $ me zyra të vogla investimesh prej katër – pesë vetash. Ekipet që pëlqejnë të marrin vendime të pavarura rreth planeve të tyre, por duke qenë se ato janë kaq të vogla, përsëri ato duhet të mbështeten goxha në konsulencën e tyre. Me këta kolegë do ta krahasoja Mercy-n. Nëse do të doja ta dalloja zyrën tonë nga të tjerat, do të thosha që ne kemi një shpërndarje të lartë alternativash, rreth 50% është në alternativë dhe 50% në investime tradicionale.  Gjithashtu ndërkohë që ne investojmë me menaxherë të mirënjohur dhe të mirëvendosur, ne nuk jemi të ndrojtur të investojmë me firma boutique-sh apo me mundësi të veçanta. Ne angazhohemi në partneritete që mund të jenë përfituese për ne. Një shembull është investimi ynë bazë në një fond dislokimesh me të ardhura të larta. Ne donim të përfitonim nga likuiditeti ne tregun me të ardhura të larta. Ne kemi pasur disa biseda proaktive me menaxherë aktualë dhe ata të mundshmit, dhe thamë: “Në rregull, ka likuiditet në tregun e krediteve, çfarë mund të bëjmë për të përfituar nga kjo?” Kjo na çoi të bëheshim një nga investitorët fillestar në këtë fond. Ose një shembull tjetër, ne kemi punuar me një menaxher tjetër për të përfituar nga mundësia e BB CLO Mezz. Mendoj që kjo është ajo që na dallon nga të tjerët, gjithmonë në kërkim për mënyra që të rrisim kthimet për planet tona.

Trusted Insight: Cilat janë këshillat që do t’u jepni grave të reja që duan të hyjnë në fushën e investimeve.

Lela Prodani: Ju duhet ta keni me pasion fushën e investimeve. Ju duhet të keni dëshirën të shkëlqeni kur jeni minoritet në industri. Të gjeni një ekip pune të mrekullueshëm që ushqen njohuri dhe mendjemprehtësi financiare. Mos ndalni kurrë së mësuari.

Duhet të shohim më shumë gra në industri. Ne duhet të punojmë shumë fort për të inkurajuar gratë e reja që kanë pasion financën, të zgjedhin fushën e investimeve si një zgjedhje për karrierën e tyre. Është një karrierë shumë emocionuese, dhe për njerëz që pëlqejnë të mësojë vazhdimisht është një vend i mrekullueshëm.

*“Trusted Insight” është rrjeti më i madh në botë i investitorëve institucionalë. Ai lidhet me vendimmarrësit e investimeve në dhurimet, fondacionet, pensionet, kompanitë e sigurimeve, fondet sovrane të pasurisë, zyrat familjare, korporatat dhe sistemet e kujdesit shëndetësor.

***
Sqarojme lexuesit se jeten dhe emigrimin e Leles nga Durresi ne SHBA, Gazeta “Dielli” e ka percjelle ne nje shkrim te vecante vitin e kaluar. Ky eshte nje sukses tjeter i kesaj zonje qe perfaqson nje familje te nderuar ne Durres. Me kete rast redaksia e gazetes “Dielli”, i uron arritje te tjera zonjes se nderuar Lela Prodani!

Filed Under: Featured, Interviste Tagged With: 30 grate, Lela Prodani, SHBA

POLIFONIA FEMERORE

September 16, 2016 by dgreca

Grupi i Vajzave të Tërbaçit/

Nga MSc. Albert Habazaj, studiues i etnologjisë dhe folkorit/

3-polif

4-polifonia

2-polifoniaDy fjalë hyrëse/

 Folkori femëror po e pasuron dhe e zbukuron hijshëm folkorin tradicional, me zbatimin e normave të traditës, si dhe duke mbajtur mirë parasysh parimet specifike, ato “ligjet” e pashkruara, që e bëjnë folkorin lloj të veçantë artistik. Folkori femëror po rishfaqet guximshëm, mes sfidash, ballafaqimesh e konkurencash, por edhe mes miqësirash, qokash e hatëresh. Turbullohet folkori nëpër llagëmet e “turbofolkut” ende. Dhe përsëri shfaqet i vërtetë, i qartë në dritë të diellit dhe në furtuna të vetëtimave. Veçse një gjë nuk e kuptojnë si duhet apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë si duhet shkruesit e mëdhenj e me kollare të shkrimeve të rënda e me goxha vëllim për folkorin, specialistët e jurive, vlerësuesit e notavënësit e krijimtarisë folkorike në tërësi dhe të këngës labe në kuptimin më të ngushtë të këtij punimi. Krijimi folkorik i këngës labe, sikurse folkori shqiptar apo dhe folkori i popujve të tjerë, mik ka ka vetëm natyralitetin dhe origjinalitetin e tekstit të poezisë popullore, muzikën, instrumentet (kur dhe ku përdoren, si tejtëhu), vallëzimin popullor (vallen), krahas veshjes, mjedisit, kohës dhe hapësirës së praktikimit. Ka mik vetëm nivelin artistik, cilësinë e lartë, shndërrimin në krijimtari folkorike nëpërmjet qarkullimit folkorik të një bashkësie të caktuar, jetës që bën në komunitet, pëlqimit apo shpërfilljes nga banorët dhe asgjë tjetër. Një nga figurat më të njohura të folkoristikës shqiptare sot, prof. dr. Agron Xhagolli përmend veçoritë e folkorit, ato “ligjet” e pashkruara të magjisë hyjnore, të cilat na rrëmbejnë në gjirin e Mbretësisë së Këngës labe, ndër të cilat, profesori përmend: “karakterin e tij sinkretik (të folkorit- shën. im: AH); përhapjen gojore; improvizimin; prirjen ndaj së bukurës, sublimes; lidhjen e së bukurës me të dobishmen; pasqyrimin e atypëratyshëm apo menjëherë pas ndodhjes apo shfaqjes së dukurive të ndryshme; zgjidhjen e çështjeve të shtruara nga pozita e bashkësisë apo të komunitetit; kontrastin e prerë; dinamizmin estetik; përgjithësimin tipologjik; parimin e zbukurimit; koncizitetin; simbolimin nga pozitat e bashkësisë etj.”. (Xhagolli, Agron, “Etnologjia dhe folklori shqiptar”, Vlorë, “Triptik”, 2017, f.17). Folkori, në rrjedhat e kohës, pëson ndryshime, deri edhe transformime, por asnjëherë nuk mund të shkëputet prej traditës, kritereve të krijimit e të funksionimit të vetë folkorit. Edhe kënga labe. Në vitet 1970 mbahet mend grupi i vajzave të Dhërmiut, (sot bashkia Himarë, qarku Vlorë) që u mirëprit si një dukuri e re folkorike në rang kombëtar. Po në atë kohë u paraqit në hapësirat lokale të Mesaplikut e Lumit të Vlorës edhe Grupi i Vajzave të Tërbaçit (sot bashkia Himarë, qarku Vlorë).  Sot, mbi bazën e traditës së Grupit të vjetër të Vajzave të Tërbaçit shfaqet Grupi i Ri i Vajzave të Tërbaçit, si një risi cilësore e polifonisë labe.

Tërbaci, historia, kënga. Tërbaçi i Labërisë ka emër të mirë në histori për liri, dituri e kulturë. Krahas burrave të shquar në rrjedhat e kohës, fshati ynë, që duket si fole shqiponjash mbi luginë të Mesaplikut, me kontributin e gruas dhe vajzës tërbaçiote në luftërat për pavarësi, liri, emancipim shoqëror, dinjitet dhe përparim, i ka dhënë kujtesës kombëtare thesare të çmuara. Miro Tëbaçja me histori fluturon në këngë dhe legjenda. Trimëresha e Tërbaçit, Legjenda Miro u rrit bonjake, pa nënë e pa babë, dhe, siç e këndon kënga “hasmit pashallarë,/ i vranë vëllanë”, pabesisht e padrejtësisht. Kështu realiteti shndërrohet në legjendë … Miro Tëbaçja ngrihet si heroinë popullore, që doli nga gjiri i këtij fshati, u vesh e u ngjesh si djalë dhe ormisi (vrau) pashain e Beratit, sepse tërbaçiotët s’mund të duronin më t’i jepnin haraçe hordhive barbare gjatë pushtimit feudal ushtarak të Perandorisë së vjetër osmane.  

Siç ka bërë emër në histori, Tërbaçi ka emër të lartë dhe në folkorin shqiptar me vallen dhe këngën hijerëndë labe tërbaçiote. Falë birit të fshatit tonë, dragoit të këngës labe, Kujtim Micit të paharruar, më 1966 u krijua i organizuar e i strukturuar grupi polifonik i Tërbaçit, që më vonë u quajt nga të tjerët dhe specialistët Grupi i Madh i Tërbaçit. Ky grup u ngrit mbi bazën e traditës së të parëve, ardhur si stafetë e bukur e trashëgimisë shpirtërore me vargje e melodi karakteristike vendore, që përhapej gojë më gojë nëpër gëzime, dasma e ceremoni familjare.

Kjo majë folkorike nga Grupi i Madh i Tërbaçit u arrit falë tre elementëve të veçantë të Kujtim Micit: talentit të jashtëzakonshëm krijues, dhuntisë së rrallë organizative dhe autoritetit të padiskutueshëm me të gjitha grupmoshat. Ishte vetëm 29 vjeç kur filloi atë punë kulturore titanike në Tërbaç. Kujtim Mici ishte mësues i spikatur, drejtori më jetëgjatë i shkollës 8 vjeçare “Halim Xhelo”, Tërbaç dhe drejtuesi i vetëm, regjisori, krijuesi i teksteve – perla të gurrës popullore. Ai konceptoi, projektoi dhe realizoi punën e grupeve sipas sistemit zinxhir. Krijoi grupin e burrave për këngë e për valle, grupin e grave, grupin miks, grupin e fatosave dhe të pionierëve të shkollës, siç quhej atëhere dhe, më vonë, grupin e famshëm të vajzave të shkollës së mesme të Bratit, (nga që në Tërbaç nuk pati gjimnaz). Këto grupe funksioninin paralelisht, pa ndërprerje avktiviteti në fshat, në lokalitet, në zonë, në rreth, nëpër festa, ceremoni e festivale, funsiononin si një ansambël i mrekullueshëm ylberor, saqë dhe krijuan stilin tërbaçiot të këngës labe. Tashmë, folkori i mirëfilltë tërbaçiot ngrihet në stadin e folkorit të kultivuar mbi shtratin e traditës, duke i freskuar karakteristikat lokale e duke i pasuruar ato me elementë të rinj. Në këngën polifonike labe të Tërbaçit, sidomos me të pakapshmin Sinan I. Hoxha, ashtu sikurse në këngën e Himarës së meteorit Neço Muka e bilbilit Dhimitër Varfi apo smokthinjoçen qazimademçe, që na e sjell me shkëlqim të qartë Hysen Ruka, dallon tejdukshëm karakeri etnoveçues, po aq sa karakteri etnopërbashkues si pjesë e së tërës folkorike.

Dy fjalë për grupin e grave dhe vajzave. Siç e shprehëm, se ashtu ka funksionuar rregullisht, krahas grupit të burrave, u ngrit dhe grupi grave, po në vitin 1966. Personalisht i mbaj mend edhe fillimet e këngës grarishte tërbaçiote, që të organizuara e të regjistruara në Radio Tirana nisën me njësinë folkorike “Tërbaçi, gur’ e përrallë, ma-ja-ve…”, që ia merrte me aq ëmbëlsi, shtruar e qetë, grarishte, ish – mësuesja e mirë Hatixhe Hodo (dtl. 1937, me arsim të mesëm pedagogjik), bijë nga Radhima, nuse në Tërbaç, ia thyente Edie Muho (dtl. 1938, me arsim 7 vjeçar, kthyese e grupit), ia hidhte Farì Skëndaj (dtl. 1936, me arsim 7 vjeçar) dhe ia mbushnin (mbanin iso) disa gra të tjera. Të tria, këto që u përmenda emrin kanë qenë zërat kryesorë të këngës dhe sot janë më moshë të tretë, gëzojnë respekt nga fshati, fëmijët, nipërit e mbesat. Shumë këngëtare të tjera të këtij grupi janë larguar nga jeta. (Qofshin përjetë të paharruara dhe të kujtuara nga brezat e pasëm!) Krahas këtij grupi më të vjetër, krijuesi ngriti dhe një grup me vajza të reja, ku spikatën, sidomos në vitet 1968 – 1972 vajzat e Tërbaçit: Dashuri Hodo (Mehmetaj), Afërdita Demo (Nevraj), Natasha Hoxha (Rrapoj), e paharruara Besie Hodo (Mehmetaj), Lumturi Hodo (Habazaj), Fatbardha Lushaj (Lulaj), Velide Shirokaj, Fatbardha Barjami (Kapo), Bukuroshe Abazi (Ramohito), Pestrova Mehmeti (Abazi), Ferzilete Barjami, Shpresa Abazi (Gjondeda), Nazo Dautaj (Ribaj), Shpresa Kapo (Çelaj) etj., nga të cilat, disa ishin angazhuar qysh me grupin e nxënësve e të tjera, shpesh herë e në vijimësi, këndonin edhe me grupin miks. Shpresa Kapo dallohej (që me grupin e fëmijëve në Gryka) dhe në krye të valles, si më e gjata në trup e grupit elegant dhe hedhëse me ngjyra të pastra e të ngrohta e këngëve të Nazos. Si tekste, drejtuesi u jepte së pari ato të traditës, të krijuara nga Xhebro Gjika, Hamdi Hodo, Sinan Gjondeda, Sinan Mullahu, Puçe Veliko apo pa autorësi (autorë anonimë). U kënduan po ashtu tekste të Kujtim Micit, i cili i ngriti shumë artistikisht si poezi dhe melodi. Grupi i vajzave i ka sjellë stilit Tërbaçiot përherë nota të freskëta e të bukura në këngë. Marrëset kryesore të grupit kanë qenë:

  1. Natasha Hoxha (Rrapoj) me këngët “Dëshmorët e fshatit tonë – Dola në saba’ pa dirë” (teksti Xh. Gjika), “Le t’ja thot’ labi në Jugë” (teksti K. Mici), dhe “Këngë për dëshmoren bonjake Anife Kiçaj” (teksti H. Hodo). Mbahet mend (janë dhe çertifikatat përkatëse si dëshmi) që me këngën “Le t’ja thot’ labi në Jugë” grupi i Tërbaçit fitoi çmmin e parë në Festivalin Krahinor në Brataj, ku u vlerësua edhe marrësja. Nuk këndoi shumë vite me grupin, pasi u largua nga Tërbaçi (martesa puna, largësia, pamundësia).
  2. Dashuri Hodo (Mehmetaj), ka qenë një marrëse me zë të qartë, të lirshëm, që rridhte vrullshëm, sidomos me këngën “Ç’i gjet’ zakonet që pamë” (teksti K. Mici, 1967), e cila pati jehonë për vitet kur u këndua, u përhap, u pëlqye, u regjistrua në Radio Tirana dhe transmentohej shpesh, sepse dhe motivi i saj qe lufta kundër mbeturinave dhe zakoneve prapanike të kohës së kaluar. Kjo njësi folkorike me ritëm recitativ i dha hov këngës së Tërbaçit. Dashuria jeton në Tërbaç. Janë si familje këngëtarë, (megjithëse në Tërbaç dhe gurët këndojnë labçe).
  3. Afërdita Demo (Nevraj), marrëse nga më të vjetrat e grupit të Tërbaçit, e cila dallohej për shqiptimin e kumbueshëm të fjalëve në melodi, sidomos në këngën “Ju, bijt’ e Tërbaçit plak” (teksti K. Mici), që harmonizohej aq mirë me mbushjen (ison) në krahët e notave liriko-epike të këngës aq të dashur për ne. Dhe Afërdita, sikurse Natasha pak vite bëri me grupin, për arsye se u largua nga fshati.
  4. Bukuroshe Habazaj (Ramohito) (dtl.: 30.11.1953-) u angazhua me grupin në vitet 1971-1973. Ka marrë pjesë në veprimtari të dendura artistike – kulturore në një kohë të shkurtër të aktivizimit të saj me grupin e më gjerë. Në qershor 1973 ishte marrëse e këngës “Flet Halimi, është i gjallë”, me tekst të mësuesit krijues, të paharruarit Zaim Hoxha. Gjatë viteve, që punoi në vendlindje, ishte mësues Zaimi që krijoi këngën shumë të bukur me vlera artistike, estetike dhe emocionale “Veshur Bronx e ballë lartë” kushtuar tërbaçiotit të madh Halim Xhelo, figurë demokratiko-revolucionare për pavarësi, liri e përparim, e rangut kombëtar. “Flet Halimi, ësht’ i gjallë,/ për atë s’ka vdekje./ Do sikur të thot’ ca fjalë/ bashk’ me ne në mbledhje./ Rri e do të puthë dheun,/ rri, po nuk i rrihet…” janë  disa vargje thurur nga mësues Zaimi për grupin e shkollës, që kishte ngritur drejtor Kujtimi dhe mësuesi kujtestar, mësues Rexhepi me ne, e, kur u bë kjo këngë, më 1973, ishim në klasë të shtatë dhe bënim prova me këtë tekst, me marrëse Nazon, për të cilën do të flasim në vijim. Bukuroshja ka qenë heqëse vallesh deri dhe prezantuese e festivalit zonal dhe në shkallë rrethi, (falë timbrit të kulluar të zërit), që u zhvillua në Sheshin e Flamurit, qershor 1973 si pararendës përgatitor për Festivalin Folkorik Kombëtar të Gjirokastrës të tetorit 1973. Për shkak se u martua, në gusht të atij viti, u shkëput nga grupi dhe shkoi në Shijak me familjen që krijoi.   
  5. Fatbardha Barjami (Kapo), ka qenë një nga marrëset e dalluara të grupit, me rrënjë e degë kënge. U shqua sidomos si prijëse e valles dhe marrëse e valles mikse të kënduar: “Hidhe vallen, Shqipëri” (teksti K. Mici). Kishte një zë melodioz, të fortë, të ëmbël, të lirshëm, që e zotëronte grupin dhe e nderonte këngën. Nuk lëvizi nga fshati, por për arsye të angazhimit me punët e pushtetit dhe drejtimit të komunës, nuk mund të vijonte shumë vite me grupin miks apo atë të grave të fshatit.
  6. Ferzilete Barjami, motra e Bardhës, i dha një impuls lirik të veçantë këngës tërbaçiote. U dallua si marrëse e dashur, me zë trëndeline, sidomos për këngët me motive baritore të dashurisë. Janë të shumta këngët e Ferziletes, ku, ndër të tjera, do të veçonim ato me dy marrës: djalë-vajzë, ku ajo bën rolin e vajzës si marrëse tërësisht tek këngët e Kujtim Micit, si tek: “Dil çoban nga tënda!”, apo tek e famshmja “Bujkesh’, më shkele meranë…” etj., etj. Pati jetëgjatësi me grupin e Tërbaçit, por duke u martuar në Tiranë, vetvetiu do të ndodhte shkëputja.
  7. Nazo Dautaj (Diana Ribaj) (25.06.1960-) dhe vajzat e Mesaplikut. Qysh në vitet 1967 – 1970, krijuesi zbuloi, përgatiti, inkurajoi dhe realizoi një marrëse fenomenale, bonjaken shembullore Nazo Dautaj (Ribaj), e cila shkëlqeu si marrëse dhe tronditi Festivalin e Tretë Kombëtar të Gjirokastrës më 1978 me këngën lapidare si tekst, melodi dhe interpretim “Gjurmë të kuqe latë mbi borë” – himn për Brigadën e Pestë Sulmuese Heroinë e Popullit. Zëri i Nazos magjepsi krijues, kompozitorë, orkestrantë e muzikantë. Ajo s’qe këngë. Ajo qe simfoni labe. Ajo s’qe simfoni. Qe një operë epiko-lirike. Dhe Nazua qe vetëm 17 vjeç, kur filloi provat me këtë këngë. 18 në Festival. Kalamake. Po aq ishin dhe  gjashtë vajzat e tjera. Adoleshente. E pabesueshme, kur e kujton sot dhe e krahason me çupat e kohës që jemi. Çfarë kanë patur në grykë ato vajza që ndezën atë zjarr folkorik të paparë në Kalanë e Gjirokastrës?! Një forcë tronditëse, një interpretim mjeshtëror nga grupi i vajzave të shkollës së Bratit apo i vajzave të Mesaplikut, si u quajt e mori nam atëherë. Një ndërthurje e rregullt dhe e këndshme e shumë tingujve magjikë, ngjyrave ylberore, etj., krijuan atë tërësi të harmonishme të “Shamikuqes Bramyshnjë lëndinë”. Grupi i vajzave kishte 7 veta; katër nga Tërbaçi dhe pikërisht Nazua – marrëse e talentuar, Shpresa Kapo (Çelaj), një hedhëse e përsosur, Vangjelina Gjini (Deda) dhe Shazie Hoxha (Shyti), që mbushnin këngën me iso, së bashku me Dilore Ballën (Arshiaj) nga Gjormi dhe Baire Hasanin nga Lezhani. Khtyese e këtij grupi simpatik vajzash gjimnaziste ishte Fedirete Sulçaj nga Mesapliku. Dhe ku nuk dhanë shfaqje ato thëllëza mali?! Në Vlorë, në Gjirokastër, në Libohovë, në Përmet, te Ura e Përmetit, në Sarandë, në Delvinë…Dhe u pritën si princesha.

Një visar të ri për folkorin tonë solli me zërin e saj brilant Nazua me këngën liriko-elegjiake “Mal’ i Çikës kokën uli”, 1979. Tekstit të viganit Kujtim Mici, zëri i marrëses Nazo Dautaj i dha dinjitet dhe emocion artistik sfidues. Karakterit sinkretik të këngës labe të Tërbaçit i dha krenari. Fjalë e muzikë e interpretim në këtë perlë folkorike ishin në një unitet me të vërtetë harmonik. Pak vite bëri në Tërbaç Nazua, pas mbarimit të shkollës së mesme dhe, detyrimisht, u ndërpre veprimtaria folkorike e saj. Sot jeton në Athinë me bashkëshortin e dashur e fisnik Besnik Ribaj dhe gëzojnë dy fëmijë: një djalë e një vajzë. Takimi rastësor me të, të mërkurën e 3 gushtit 2016, ndërsa bëheshin prova me grupin e grave të Tërbaçit, qe një mrekulli (falë rastësisë që u kthye për pak ditë pushime në Vlorë me familjen dhe mundësisë e takimit që na krijoi Shpresa Kapo Çelaj, shoqja e saj më e ngushtë e fëmijërisë, që në klasë të parë, shoqe e shkollës fillore në Gryka, e tetëvjeçares në Fshat, e së mesmes në Brataj; të pandara në këngë). Kujtuam atë shoqëri aq të pastër, sinqerisht të padjallëzuar e vëllazërore në kuptimin më ideal të fjalës. Kujtuam vitet e lavdishme të këngës. Shpresa, Nazua dhe unë kemi qenë shokë klase nga klasa e parë në Gryka (1967) deri sa mbaruam klasën e tetë sipër në Fshat (1974-’75). Shpresa vazhdoi shoqërinë me Nazon dhe në shkollën e mesme në Brataj. Në tetëvjeçare në klasë me ne qe dhe Hava Çelaj Muçaj, me të cilën ato vijuan udhëtimin në Brataj të tria, ndërsa unë shkova në Tiranë me bursë në gjimnazin ushtarak (ish-Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” (1975-’79) … Qysh në 8 vjeçare, po ravijëzohej profili folkorik i Nazos si marrëse absolute. Më kujtohet kur krijuesi thuri këngën baladeske “Të lutem, o nënë e dashur!” – kushtuar dëshmorit të fshatit Riza Salati, ndërtuar në formën e dialogut midis nënës dhe djalit. Një këngë e bërë me shumë ndjenjë, dashuri e dhembshuri, ndërtuar me ritëm recitativ, me metrikë 8 rrokëshe dhe rimë të kryqëzuar ab ab. Viti 1973. Kemi qenë në klasë të shtatë. Nazua ia mirrte këngës në rolin e nënës, gruas së dëshmorit, ndërsa, në rolin e djalit, ia merrja unë, Albert Habazaj. Largimi nga fshati, që 15 vjeç me shkollë e detyra larg vendlindjes, për kohën nuk mund të më rikthente më me atë grup fantastik, që s’ribëhet më…Nazua mbeti e paarritshme në interpretim, falë zërit të saj, që sikur vinte nga hyjnitë në tokë; po ashtu falë dhe natyrës së saj serioze, thjeshtësisë e karakterit të fortë. Disa e quajnë Vaçe Zela e këngës së Tërbaçit, disa i thonë Inva Mula e këngës labe e disa i flasin Ermonela Jaho e stilit tërbaçiot. Nazua i dëgjon qetë, qesh ëmbël, se e kupton që ia thonë me respekt e dashamirësi njerëzit këto vlerësime, veçse ua kthen: “U faleminderit, po, këtyre hënave, nga jemi ne, sikur nuk i mbamë dot peshat që s’i ngrëmë dot apo që s’na përkasin. Si thoni?-Sikur u kërkon miratimin me qortim për ato fjalë që të sajve, u dalin nga shpirti. -Unë jam Nazua. Thjesht. Më mjafton kaq. Ju e dini që si kam qejf ato superlativat vend e pa vend. Apo na e heq dera euforinë!… Jeni shumë të mirë! Hajt’ të këndojmë tani, se ndaj erdha t’u takoj, se më kish’marrë malli për këngë!…

Grupi i fatosave të Tërbaçit. Qysh në klasë të tretë, Nazua spikati si marrëse e rrallë e këngës labe të Tërbaçit dhe s’iu nda më asaj. Ishte pikërisht viti 1969. Kujtim Mici krijoi grupin e parë të fatosave të Tërbaçit, me 10 vogëlushë të klasës së tretë, që ishim: Nazo Dauti-marrëse, Krenar Mehmeti-kthyes, Shpresa Kapo-hedhëse, në mbushje (iso) Sulote Kapo, Liri Gaçe, Donika Rroko, Vangjelina Gjini, Kaçandon Çane, Farudin Gjondeda dhe unë, shkruesi i këtyre radhëve, Albert Habazaj. Duke kërkuar në arkivin personal, gjej disa fletë të zvedhura, shkruar me laps, që mezi lexohen. Për të qenë i vërtetë, unë po e plotësoj këtë shkrim, me shënimet ashtu siç i kam shkruar, pa ua tjetërsuar kuptimin, sepse ashtu ka qenë e vërteta e jetuar. (Unë s’di e s’mund të gënjej, sepse jam përdorues i penës dhe jo shpërdorues i saj). Po shkëpus nga shënimet e vjetra pjesën ku shkruaj për grupin e parë të fatosave të Tërbaçit, si quhej atëherë: “Kishim grupin miks, grupin e pleqve, grupin karakteristik të burrave, të valleve, grupin e vajzave dhe grupin më simpatik, atë të fatosave [janë 8 rreshta që nuk e dalloj qarët shkrimin] Grupi i fatosave doli në skenë për herë të parë me këngën: “Do këndoj xhaxhi Enverit/ dhe nënës Parti/ për të mirat që na sollën/ ne, brezit të ri/ nëpër kopshte na mësojnë,/ sa jemi fëmi/ dhe në shkolla na dërgojnë/ ne për dituri./ Tani që jemi fatosa/ lule na ke ti,/ kur të rritemi dhe pak,/ ushtar’ në kufi,/ Shqipëris’ i dalim zot,/ kemi zjarr në gji”. Me këtë këngë u bëmë të njohur në Festivalin Zonal të Vranishtit. Më vonë morëm jehonë me këngë të tjera, kur dhamë shumë shfaqje përpara sheshit të Flamurit dhe në sallën e kinoklubit “Perlat Rexhepi”. Kënga e fatosave të Tërbaçit dukej sikur hidhte tufa-tufa në sallë luleborë, lulëkuqe e luleshqerre. Çiltërsia fëminore ndërthyrej me ëmbëlsinë e zërave dhe jepte një kombinim të bukur melodioz që të mbushte me emocion. Dhjetë veta kishte në fillim grupi i fatosave, 6 vajza e 4 djem, [Ky grup shënohet si i pari i këtij formati në Tërbaç (shën. im, i sotëm – AH)]: Nazua, që ia merrte këngës si cicërimë biblili, Krenari, që kur ia kthente kumbonte si trokje buzë shpatit, Shpresa që e dridhte zërin aq bukur e me ndjenjë, Sulotja, Liria, Donika, Vangjelina, Kaçandoni, Farudini dhe Alberti, që bënin iso. Inçizuan dhe në radio disa këngë, si “Zemrën shkëmb e ballin lart”, marrës Alberti, kthyes Krenari, hedhëse Pesa; apo “Gjirokastra heroike”, “Zëra po ushtojnë”, “Kjo kalaja jonë e fortë” etj., marrëse e të cilave ishte Nazua, thyes Kruqi e hedhëse Pesa …

Tani ata janë rritur, disa këndojnë me grupin e fshatit, të tjerë janë nëpër shkolla, ku mësojnë për agromonë, mjekë, oficerë, naftëtarë, për t’i shërbyer Atdheut në çdo skaj. Gjatë pushimeve të verës mblidhen për vit, kujtojnë fëmijërinë e çiltër e ja thonë këngës në hije, te lisi i Bilbilave, si i thonë fshatarët vendit me hije të freskët ku mblidhen artistët amatorë të Tërbaçit. Nazua është marrëse e grupit polifonik dhe zërin e saj e dëgjojmë shpesh në këngët e grupit “Unë shaminë e zezë e preva shqiponjë”, “Gjurmë të kuqe latë mbi borë” apo në këngën “Kemi një shok më pak, po një amanet më shumë”, kushtuar kujtimit të ndritur të shokut Hysni Kapo. Pasardhësit e grupit të parë të fatosave e kanë çuar më tej traditën. Ata janë valltarë të mrekullueshëm, porsi baballarët. Ja, Mireli, që e heq vallen sikur është burrë serioz e duke dredhur shaminë; pasohet nga Beni, Dashamiri, Andi, Genci, Tori, Arbiri …, serbesë e me sytë që u shkrepin çika stërralli …”. Siç e shpreha më sipër, paragrafët vendosur në thonjëza janë shkëputur nga shënimet e mia me titull: “Këngë që gurgullojnë si gurrë mali”, dhjetor 1979, f. 9-11. Lehtë vihet re atmosfera romantike dhe me ngjyra politike, por ashtu është shkruar në ato faqe, s’mund t’i ndryshoj. Vërehet po ashtu, se poeti i madh liriko-epiko i vargjeve të skalitura për tekstet e këngëve të mëdha të Tërbaçit të madh kishte, tek-tuk, edhe tekste me përmbajtje politike, disa nga të cilat, qëlloi që i kemi kënduar dhe ne, fëmijët, ndër të të cilat, duhet pranuar se kishin edhe tekste të rëndomta, artistikisht të dobëta dhe jashtë botës fëminore, me mjete jo të natyrës së popullit, që denatyralizimin e folkorit kanë finale, sepse janë folkorizma. Mund të themi dhe s’mund të themi: “Ashtu ishte koha. Ashtu kërkohej”. Ashtu bëhej. Lum, kush ruante raportet dhe nuk shkarravitej, aq më keq ekstremisht, si ca të patalentuar, që sot mohojnë ç’kanë shkruar e kënduar dhe na dalin të persekutuar e flasin si pasnesër apo, si i thonë ndryshe, kuvendojnë si kaposhi majë plehut. Mos gënje, qerrata! Është e neveritshme gënjeshtra, sido që të jetë puna, sido që ta keshë patur hallin. Aq më tepër sot, që diktatura iku, vate… Apo i ha hija e saj ca e ca. (Kthehemi në tekst, se mërzita veten, jo më ju, lexues të respektuar, prandaj më falni).

  1. Grupi i sotëm i grave të Tërbaçit që ne pëlqejmë ta quajmë dhe ato ashtu kanë dëshirë t’u flasim me emrin e thjeshtë, të bukur, historik dhe simbolik: Grupi i Vajzave të Tërbaçit (ish-vajzat e viteve 1975-’80)… Ikën kohëra, erdhën kohëra. Rrodhën vitet. “Turbull lumi, turbull-o” thotë një këngë e vjetër. Jeta na vjen si det me lule dhe furtunë. U venit grupi i vajzave, iu harrua emri. Dhe Dragoi i këngës së Tërbaçit u plagos, u sëmur, ra, iku. Por, ai ka qenë. Bëri emër, na dha dhe na la emër. Dhe ne kemi qenë dikur dikush. Bëmë emër. Tërbaçi na lindi, na mësoi, na inkurajoi, na pëlqeu, na vlerësoi dhe na nderoi. Ndodhën ato që ndodhën e që ne i dimë mirë, por s’është e nevojshme të dalin matanë qafës së Shënmitrit, se mërziten e na qortojnë të parët. Të qajmë gjithë jetën, atëhere? Jo! Për nder të Tërbaçit, për paharrim të Kujtim Micit, për dinjitetin tonë do ta ringremë grupin, se s’bën! – Kështu thanë gratë e Tërbaçit, të cilat u organizuan në këtë grup të veçantë, që ka një simbolikë të madhe. Ato janë shoqe që nga fëmijëria, në përgjithësi të ditëlindjes  Gjashtëdhjetë. Janë nëna të nderuara, janë bërë dhe gjyshe të lumtura. Po kush janë këto zonja tërbaçiote, kush janë këto strëmbesa të Miro Tërbaçes, që sikurse Ajo me jatagan, këto me këngë po ia bëjnë forra dhe shënojnë emrin në historinë kulturore të fshatit e hapësirave tutje? Ato janë 9 zonja të respektuara, familjare të rregullta, që kontribuojnë vullnetarisht për vendlindjen dhe pikërisht: Shpresa Kapo (Çelaj), (02.03.1960-), Baftie Dautaj (Xhelili), (07.03.1963-), Hava Çelaj (Muçaj), (02.02.1960-), Shpresa Habazaj (Gjondeda), (25.03.1959-), Lavdie Goxho (Xhaka), (30.11.1958-), Liljana Rrapi (Kapo), (07.08.1961-), Evgjeni Habilaj (Seferi), (01.10. 1964-), Vangjelina Gjini (Deda), (-.-.1960-) dhe Margarita Kapo (Habilaj), (03.10.1965-). Shtatë janë bija Tërbaçi, nga të cilat pesë janë martuar po në Tërbaç (dy Shpresat, Lavdia, Vangjua dhe Rita) dhe tri në fqinjë, (Havaja në Brataj, Baftua në Lapardha, Gjena në Gjorm, ndërsa Liljana, bijë Gorishti, është nuse në Tërbaç). Fillimgushti 2016 është edhe ditëlindja e këtij grupi. Më datat 2, 3 gusht e në vijim, mbasditeve u mblodhën, u organizuan e nisën provat mbasditeve, duke sakrifikuar nga koha e tyre, e familjes, e nipërve dhe mbesave për të përmbushur një misioni shumë fisnik. Me mundësitë e tyre, ende pa mbështetje financiare, këto gra dinjitoze, sedërtare dhe nëna tërbaçote të nderuara u paraqitën për herë të parë me një buqetë me lule këngësh në Festën e Fshatit, në takimin e brezave, të shtunën e 20 gushtit 2016, vetëm me grupin e tyre të pagëzuar “Grupi i Vajzave të Tërbaçit”. Dhe synojnë që “Ditë më të mira paskëtaj të vinë” për promovimin, prezantimin, përhapjen dhe dobinë e këtyre visareve për komunitetin në hapësirë dhe nëpërmjet videoklipeve. Në repertorin e tyre ka këngë tërbaçote të stilit grarisht, ku ndihet se kontakton me një art të lashtë të traditës, po ashtu kërkesat e tyre janë për risi me tekste dhe melodi, të përshatshme dhe të pranuara nga banorët e trevës. Kanë krijuar një grup korret, kompakt, të mirëkuptueshëm, që të japin përshtypjen se janë nëntë motra. Baftua është marrëse. Dhe Liljana. Kthyese Rita, hedhëse Shpresa Kapo. Shpresa bën dhe marrësen. Grupi që mban këngën, që e mbush në vijën e duhur melodike me iso, me Havanë, Shpresa Gjondedën, Lavdien, Vangjelinën e Evgjeninë bën, jep e përhap një jehonë harmonike të konsoliduar. Kanë këngë për Tërbaçin, për sintesën e tij historike, që vjen si himn për folenë e shqiponjave, siç e quajmë ne vendlindjen, një këngë mallëngjimi, homazh për Kujtim Micin e paharruar. Këto zonja fisnike, shoqe dhe motra të mia, kërkuan këshillim me mua, Albert Habazajn, autorin i këtij shkrimi, për t’u organizuar si grup polifonik i grave të Tërbaçit. Unë i ndihmoj aq sa mund dhe bashkarisht kërkojmë të realizojmë të duhurën, se ka kohë që humbi. Kërkojmë ta realizojmë dhe për respekt të kujtimit të paharruar të Kujtim Micit të madh të Tërbaçit. Në repertorin e zgjedhur ka këngë të vjetra, por bazën e përbëjnë këngët e Kujtim Micit. Në festën e Tërbaçit u paraqitën me  këto tri këngë: “Himni i Tërbaçit”, marrëse Liljana Kapo, kthyese Rita Habilaj, hedhëse Shpresa Çelaj, teksti Albert Habazaj; “Elegji për dragoin e këngës”, marrëse Baftie Xhelili, kthyese Rita Habilaj, hedhëse Shpresa Çelaj, teksti Albert Habazaj; dhe “Tërbaçi ynë”, marrëse Shpresa Çelaj, kthyese Rita Habilaj, hedhëse Baftie Dauti, teksti Kujtim Mici. Në vijim, Grupi i Vajzave të Tërbaçit u plotësua me aktivizimin e dy zërave të fuqishëm Vitore Shiroka (Vera), bijë dhe nuse në Tërbaç dhe Floreta Caca (Lutaj), bijë nga Tërbaçi, nuse në Lapardha. Premton një ndihmesë të çmuar në tekste dhe në vijën melodike mjeshtri i këngës labe, Pelivan Barjamaj, monument i gjallë i lirikës dhe epikës poppullore me aromë trëndeline. Baza folkorike e “Grupit të Vajzave të Tërbaçit” janë meloditë e pasura të gurrës tërbaçiote dhe tekstet e fuqishme të Dragoit të këngës labe, të paharruarit Kujtim Mici. E veçantë është kënga e tij aq mbresëlënëse “Nënat tona shqiptare, nëna moj!”, të cilën këto gra të nderuara e kanë kënduar qysh kur ishin vajza të reja, 40 vjet më parë. Po ashtu, ka dhe këngë të ndryshme lirike, këngë të lindjes, nina-nana (ninulla), këngë zbavitëse, me motive nga puna e përditshme, të përvajshme, këngë festash, ritmike, me ritëm gazmor, shoqërore, dashurore, dasme, gëzimtare, këngë të jetës. Duan të vijojnë gjurmët artistike të Nazos dhe ta nderojnë, sa të kenë zë e shpirt, Kujtimin e Kujtim Micit të pavdekshëm.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Habazaj, Grupi i Vajzave të Tërbaçit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2491
  • 2492
  • 2493
  • 2494
  • 2495
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT