• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rugova: Nënë Tereza, simbol i kombit shqiptar

September 8, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 8 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-Behlul JASHARI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në shtatorin 1997, sipas kultit të traditës e shpalli Nënën Tereze “nënë të njerëzimit, qytetare të parë të nderit të Republikës së Kosovës e simbol të kombit shqiptar”.

Presidenti Rugova, nga Gjermania jepte një deklaratë me rastin e vdekjes së Nënës Terezë, të cilën e vlerëson: “Nënë shqiptare dhe Nënë të njerëzimit, qytetaren e parë nderi të Republikës së Kosovës, simbol të kombit shqiptar, që vjen nga thellësitë iliro-shqiptare, duke bërë dritë me kurorën e saj në epokën tonë”.

Në Kosovë ishte ditë zie dhe e respektit, raportoja në 8 shtator 1997:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1997/97-09-09.ata.html

[04] DAY OF MOURNING AND RESPECT FOR MOTHER TERESA DECLARED IN KOSOVE

PRISHTINE, SEPT. 8 (ATA)- President Roguva declared in Kosova today a day of mourning and respect for Mother Teresa.

The book of condolences of the Albanian benefactor was opened in the surroundings of the presidency of the Republic of Kosova in which wrote many outstanding authorities of Kosove, international missions in Pristine and numerous citizens.b.j/ag/l/jz/lm/Z

***

Në foto: Ishte viti 1995, kur në 7 dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, takohet me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen.  “Do të lutem për popullin e Kosovës”, tha Nëna Tereze gjatë këtij takimi me Presidentin Rugova.  Takimi u zhvillua në Aeroportin e Romës, gjatë rrugës së Presidenti Rugova për në Uashington. “Unë e kam takuar vetëm një herë Nënën Tereze në Aeroportin e Romës, rastësisht, por veprën e saj e njoh shumë, shumë mirë…Ato pak çaste që kemi kaluar, kur iu prezantova si President i Kosovës i rodhën lotët, ishte në vitin 1995…dhe dëshiroi sukses dhe punë dhe e ndinte në zemër popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar që e ka dëshmuar edhe me vepër”, ka treguar Presidenti Rugova.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, Nene Tereza

Sheshi i legenave

September 8, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/1-shheshi

Çdo qeveri që vjen, ka punë me sheshin që vetëm emrin ka si i Skëndërbeut. Se në fakt është sheshi i mllefit. I vënies përtokë. Por me inat ama. Me dhunë. Me të shara me qejf. Aq sa edhe keta skrepërit me ato kova si feçka elefentësh, bilbizojnë kur shkulin gurët. Bjeri, vënçe. Shkuli më të lumtë tështima. Çoje Skëndërbeun këtu. Ngjyrose si të duash. Le të plasin ata legenat. Ta dinë që ne fituam. Ta dimë që jemi ne.

Dhe shqiptarët që gdhihen me atë kalorësin e Krujës, herë atje, në qoshe nga xhamia. Atë Skënderin e Kastriotëve. Herë andej nga treni. Herë në gropë. Herë mes dizajnit te nje paçavure bari. Dhe herë duke u matur me Enverin. Vëllain e madh të inatçorëve. Herë duke parë delet se si i kullosin tek këmbët. Herë popullin që kujtohet e djeg. Proteston. Një herë në gjysmë shekulli. Pastaj fle.

Po kur protestojnë, protestojnë ama. Madje me kamiona repoltabël, saurrela liaz etj. Me qenër policie. Diagaçe,autoblinda. Me zis-in në krye, këtë heroin e punës socialiste. Mjafton që protestojnë. Dhe të plasi ai legeni. Nuk ka rëndësi se sa para u marrim shqiptarëve.

Pastaj gjumë. Mjafton që e mbajtën fjalën me zisin e radhës. Pastaj gjumë ariu. Një e përditshme ku qeshin dhe hanë fara luledielli.

Të vej ku të vejë.

1) Sheshi i Skënderit zë fill atëhere kur shqiptarët ndanë mëndjen të kenë një kryeqytet të tipit perëndimor. Pasi vilajetet e Dovletit i kishin lënë me pesë të tillë. Dhe u përfshi në të ashtuqujturin plani sistemues i Tiranës. Me grupin e ministrive, bulevardin. Ndërtesa qeveritare dhe korpusin qëndror. Ose të ashtu nëmurin, si sopata e liktorit. E Duçes. Vëllait të madh nga koha e mbretërisë. Pra rreth viteve 1927-1929. Një lloj përngjasje apo harmonizimi me sheshin e shenjtorëve dhe sheshin Venecias në Romë. Apo Vatikan, ku pak ditë më parë ishim aty shqisërisht e me hori revolucionare në shenjtërimin e Gonxhes tonë. Më pas, me kalimin e viteve. U bë si deshi, dyshja abetares Enver-Tito. Si deshi, Stalini. Si deshi Mao Ce Duni. Si deshi vetmia jonë brenda Kampit të mbyllur socialist. Më shtatlartin, me kapërdinë atje nga krahu i gjelltores më këmbë. Ku ndahet rrugët e Durrësit me të Kavajës. Enverin nga Donovati… Dhe sot siç do vëllai i madh Erdogan. Ibrikzimi i Tiranës etj.

2) Një sehirxhi i radhës, me tregonte se si i mbeti nofka e përdalë. Ose femër me njëqind burra filankës. Ne tha, na hipi për kokë. O ta zinim dashnore, o hiç. Dhe bëheshim nja qind çuna. I silleshim poshtë shtëpisë. Fjaloseshin dy e nga dy. Kishte rivalitet mes nesh. Ndeshje me grushta. Kështu kjo punë, u bë sedër djelmoshash. Poshtë atij pallati të mjerë silleshim si zagarët në kohën e ndërzimit.

E kthyem atë rrethinë në bash, qendrën e qytetit. Shëtisnim darkave edhe të fashur. Edhe armiq të përbetuar. Hasëm të njëri-tjetrit….

Kështu, e, dhjetë vjet.

-Mirë, po vajzën kush e zuri? – pyeta unë kureshtari.

-Askush, ma ktheu ai. -Ca thoshin se aty lart, nuk kishte pasë vajzë fare. Të tjerë thoshin se, na i bëri glasën në kokë dhe shkoi e u martua diku tjetër. Kuptohet me atë që deshi. Po ne e nxorrëm inatin tonë. Kurvë e thërrasin edhe sot. Dhe asaj lagjeje, sheshit poshtë pallatit de…, ashtu i ka ngelur. Sheshi i kurvës.

———–

Kur në fakt duhej t’i ngelej sheshi i legenave.? I zagarëve

3) Tashmë ne shqiptarëve na ka hyrë dërrma e inatit. Dërrma e pedonaleve. Megjithëse shumë sheshe të kryeqyteve në botë, janë mishirim i ndryshimeve historike. Jo i tekave politike. Si të thuash një lloj muzeumi natyror i zhvilleve në vend. Me të mirat dhe këqijat e saja. Dhe koha jonë, i ka ato pak histori të sajat. Që fare mirë mund të formëzonin identitetin tonë.

Le t’i referohemi idesë përngjasuese. Sheshit të shenjtorëve. Apo Sheshit Venecia po në Romë. Një shesh me histori të madhe. I kurorëzuar nga Musolini. Aty përmblidhen shumë e shumë. Që nga memoria e unifikimit të Italisë me Viktor Emanuelin. Me altarin e atdheut, ushtarin e panjohur etj. Projekt të cilin e kurorëzoi Duçja. Fashisti që e bëri për turp Italinë. Megjithatë edhe sot e kësaj asnjë grimë pluhuri nuk ishtë luajtur Sheshit Venecia. Kurse ne, nuk ngelëm veç duke e përçudnuar çdo qeversisje. Herë me qejf rusokinez. Dhe herë me qejfinatin e erdoganizmit.

Dhe, jo vetëm italianët krenohen dhe e admirojnë atë. Por edhe ne.

Megjithatë ca pyetje, godasin me ashpërsi. Po parate e harxhura?

Sa shtëpi banimi mund t’i ofronim të pastrehëve? Sa shërbime të tjera urbane periferive? Sa institucione për të moshuarit e braktisur mund të hapnim. Sa rimbursime të drejtash studimi? Po ata gurë që po hiqen, pse hidhen kot?

Po me sa duket ne, vetëm të pyesim nuk dimë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Sheshi i Legenave

Te drejtat e njeriut ne Shqipëri te tjetërsuara deri ne trajtim çnjerëzor

September 8, 2016 by dgreca

Shkruan:Av. Gëzim Allaraj/

Kryetar i Unionit te Juristeve te Pavarur te Shqipërisë/

Vitet e fundit ajo qe dominon jetën publike te vendit është orientimi i pushtetit ekzekutiv drejt reformave dhe fjala reforme është bere si sinonim i fjalës qeverisje. Le ti marrim si te mirëqena dhe qëllimmira nismat qeveritare për reformën ne drejtësi, ne arsim, ne fushën ekonomike, fiskale etj., por çfarë rezultati japin këto reforma ne konsolidimin e shtetit te se drejtës dhe realizimin e te drejtave te njeriut? Kur vjen puna tek realizimi i te drejtave te njeriut jo vetëm qe nuk punohet, veprohet dhe as promovohen ato por identifikohen dhe konstatohen shkelje shume te renda dhe tjetërsim te plote te lirive dhe te te drejtave te njeriut këto vitet e fundit nga aparati shtetëror. Pushteti ekzekutiv aspak nuk është i fokusuar tek te drejtat e njeriut një nga detyrimet themelore te qeverise se vendit tone si shtet anëtar i OKB-se dhe KE-se. Çdo reforme e cila nuk shkon ne harmoni dhe pajtim me te drejtat universale te njeriut dhe kartat te tjera rregulluese te detyrueshme për tu zbatuar nga qeveritë nuk është demokratike si e tille nuk konsolidon një shtet te se drejtës pra do te jene te dështuara dhe regresive. Forcimi i shtetit duke mos promovuar dhe mos respektuar te drejtat e njeriut çon ne shtetin abuziv te formave te shtetit te provuara nga shoqëritë sidomos shoqëria jone shqiptare e kundërta duke respektuar te drejtat e njeriut dhe realizuar ato praktikisht nga aparati shtetëror konsolidohet shteti i se drejtës pra raporti mes tyre është ne përpjesëtim te drejte. Kësisoj reformat e ndërmarra nga qeveria aktuale jo vetëm qe nuk kane asgjë te përbashkët me te drejtat e njeriut por fatkeqësisht identifikohen dhe konstatohen shkelje me brutale te mundshme te te drejtave te njeriut. Qeveria aktuale ne kundërshtim me te drejtat e njeriut dhe parimet e shtetit te se drejtës është e fokusuar deri ne mase ekstreme represioni dhe dhune ndaj njerëzve vetëm ne vjeljen e detyrimeve te tyre (madje te rritura disa here krahasuar me qeveritë paraardhëse qe nga viti 1990) ndaj shtetit dhe nuk përmbush asnjë detyrim shtetëror karshi tyre ose i përmbush ne mënyre te pjesshme e sporadike edhe pse ato janë te drejta kushtetuese te njohura e garantuara. Te analizosh shkaqet qe vijnë nga mos efikasiteti i organeve te ruajtjes se rendit pra nga mos veprimi i tyre ne sigurimin e jetës se qytetareve kërkon një studim dhe analize te gjate për arsye se mund te dalin dhe shkaqe determinante jashtë vullnetit te subjekteve te policisë se shtetit por gjithsesi jo te justifikueshme por ajo qe rendon pozitën e qeverise është shkelja brutale e te drejtave te njeriut qe vijnë me veprime te drejtpërdrejta nga aktet qeveritare dhe bëhen nga organi me i larte i pushtetit ekzekutiv e ne mënyre kolegjiale. Ne një shtet demokratik qytetaret kanë te drejta qe janë te garantuara ndaj dhe qeveria ka detyrimet e saj për te përmbushur karshi njerëzve pra te drejta dhe detyrime reciproke siç janë parashikuar ne kushtetute e ne fakt te drejtat e njeriut dominojnë frymën dhe pjesë përbërëse te dispozitave kushtetuese, si te tilla duhet te respektohen detyrimisht. Lista e shkeljeve te identifikuara te te drejtave te njeriut e konstatuara nga shume burime por sidomos nga burimet autentike pra aktet qeveritare është e gjate dhe te krijon bindjen e palëkundur se qeveria ne programin e saj ne punën e saj te përditshme ne asnjë axhende nuk ka mbrojtjen e te drejtave te njeriut pasi ka qëllime te tjera, dhe me veprimet e saj dhe haptazi ka shkelur dhe vazhdon te shkele e tjetërsoje  plotësisht te drejtat e njeriut. Disa akte te miratuara dhe te ekzekutuara nga qeveria nëpërmjet aparatit shtetëror kane tjetërsuar plotësisht te drejtat e njeriut dhe ndjeshmëria publike ka qene e papërfillshme për shkak te çështjeve te tjera qe kane zënë, tërhequr opinionin publik sidomos shprehja frazeologjike qeveria po bën “reforma te thella” kjo e përsëritur çdo çast nga qeveritaret. Nga shkeljet deri ne brutalitet te shkaktuara nga aparati shtetëror këto vitet e fundit janë e drejta për një nivel jetese te mjaftueshme, e drejta e pronës dhe e drejta për mos diskriminim, si te drejta themelore te njeriut.

Çdo qeveri duhet te trajtoje me shume seriozitet te drejtat e njeriut dhe ne çdo rrethane duhet tu paraprije situatave politike, ekonomike, sociale madje dhe nga forcat madhore te mos cenohen te drejtat e njeriut dhe vete ajo te respektoje ne mënyre optimale ato gjate qeverisjes nga reformat qe ndërmerr te çdo karakteri qofshin.

Qeveria nuk ka respektuar te drejtën për një nivel jetese te mjaftueshme por ka shkelur këtë parim ne shume aspekte e ne mënyre te vazhdueshme e drejte e garantuar ne DUDNJ ne te cilën parashikohet se: “…çdo person ka te drejtën e punës,…te mbrohet nga papunësia, te drejtën për sigurim shoqërore ne rast papunësie (te paguar nga shteti), te drejtën për trajtim social dhe mjekësor dhe te drejtën kryesore pra për një nivel jetese te mjaftueshme…”. Qeveria jo vetëm nuk i ka respektuar këto te drejta njerëzore, por i ka shkelur brutalisht.

Anëtaret e KM-ve publikisht kane deklaruar se “… Ne nuk kemi detyrim t’iu gjejmë pune njerëzve…” dhe praktikisht është përkeqësuar masivisht e drejta për punësimin e njerëzve. Gjithashtu njerëzit nuk janë te mbrojtur nga papunësia, nuk trajtohen me asistence te posaçme te papunët dhe askujt nuk i paguan shteti sigurimet shoqërore ne rast papunësie. Është shume e cenuar e drejta për pension deri ne pamundësi te përfitimit te pensionit nga shume individëve për shkak te zvarritjeve rraskapitëse shtetërore dhe nga ato pensioniste qe kane përfituar e drejta për nivel jetese te mjaftueshme është plotësisht e tjetërsueshme.  Edhe tek familjet qe trajtohen me ndihme ekonomike ne masën 15 dollarë/muaj për person e drejta për nivel jetese te mjaftueshme është e tjetërsuar plotësisht. Pra aparati shtetëror duke vepruar ne këtë mënyre nuk bën gje tjetër por trajton ne mënyrë çnjerëzorë te gjitha ata individë e familje qe u shkelet e drejta për nivel jetese te mjaftueshme. Dhe pse vjen, ndodh, ky tjetërsim çnjerëzor ndaj pjesës dërrmuese te popullsisë?

Destinacioni i parasë publike nëpërmjet akteve qeveritare, tenderimeve prokurimeve publike dhe sidomos partneritetit publik-privat është për një pakice njerëzish, shpërndarja e parave publike qe vijnë nga menaxhimi publik i gjithanshëm nuk shpërndahet ne mënyre te gjithanshme te drejte dhe te shkoje dhe tek njerëzit qe identifikohen qe u shkelet e drejta për një nivel jetese te mjaftueshme.

E gjitha politika aktuale ekzekutive është e tille trajton ne mënyre çnjerëzorë shtresën e varfër, mashtron dhe mban ne stanjacion shtresën e mesme ne shkelje flagrante te te drejtave te njeriut dhe me ane te kompanive private te tyre me akte qeveritare përvetësojnë, plaçkitin pasuritë shtetërore, publike, kombëtare ne emër te “interesit publik” e “punëve publike” duke krijuar një shtrese te pasurish nëpërmjet formës dhe mënyrës plaçkitëse te pasurisë shtetërore, shoqërore e kombëtare dhe jo nga konkurrenca e lire e tregut.

Interesi publik i këtij lloji punimet publike apo nismat publike asnjëherë nuk duhet te cenoje te drejtën për një nivel jetese te mjaftueshme qofte dhe te një qytetari te vetëm te vendit. Gjithsecili duhet trajtuar me dinjitet kushdo qoftë. Një tjetër e drejte e shkelur ne mënyre po brutale është e drejta e pronës e provuar nga akte qeveritare dhe burime te tjera si mediatike, gjyqësore etj. Me dhjetëra e qindra familjeve u shkatërrohen shtëpitë përsëri për interes publik. Me dhjetëra e qindra familje ne Tirane, Vlore, Fier, kohet e fundit janë nxjerre ne rruge nga VKM-te.

Këto familje gëzojnë te drejtën e pronësisë dhjetëra apo qindra vjeçare dhe ne shkelje te te se drejtës themelore te njeriut te garantuar u prishen banesat përkundrejt një shpërblimi te papërfillshëm pra bëhen te pastrehe. Sipas DUDNJ shteti duhet te strehoje te pastrehët jo te beje te vetestrehuarit te pastrehe. A ka tjetërsim me te madh te se drejtës se njeriut! Ne kushtetute është e garantuar e drejta e pronës dhe lejohet shpronësimi vetëm për interes publik përkundrejt një shpërblimi te drejte. Shpërblim i drejte do te thotë:

Përpara se ti prishet banesa dikujt ti jepen aq pará minimalisht sa te blejë një shtëpi me te njëjtat kushte afërsisht ne te njëjtën zone kadastrale pa llogaritur situacione te tjera ekonomike perspektive.

Pra edhe këtu fshihen interesa private vendimmarrëse ne emër te interesit publik.

Gjithsesi interesi publik, punët publike, kur e kërkojnë vërtet nevojat e qytetit me shume njerëzve duhen kryer por me pare duhen kryer një shpërblim i drejte e pra një trajtim njerëzor i garantuar.

Edhe ne Gjykata këto çështje nuk janë trajtuar njësoj ndaj duhet përmirësuar këto praktika dhe trajtuar me drejtësi njerëzit para se qeveria ti nxjerre ne rruge.

Shkelje te renda e zvarritje ka ne te drejtën për regjistrimin e pronës. Nëse do te identifikoja disa institucione ku ka shkelje te renda te procedimit administrativ është: Institucioni i Sigurimeve Shoqërore, Institucioni i Regjistrimit te Pronave dhe Agjencia e Trajtimit te
ish-pronareve qe kane detyrime ligjore te veprojnë brenda disa afateve nga 30-45 dite, patjetër duhet t’ju jepen përgjigje zyrtare qytetareve për kërkesat e tyre, ndaj duhet trajtuar me seriozitet nga organet eprorë shtetërore. Afatet shkelen nga këto agjenci qeveritare dhe zvarritje janë deri disa vjeçare dhe çuditërisht ekzekutivi kritikon zvarritjet ne Gjyqësor ku ne fakt ka zvarritje për shkak te respektimit te procedurës dhe te fluksit te çështjeve.

Një tjetër e drejte e identifikuar e shkelur rende është e drejta për mosdiskriminim.

Diskriminimi vjen kryesisht për shkak te bindjeve politike, te gjendjes ekonomike, te origjinës familjare e krahinore, si pasoje e te cilit vijnë largime masive nga puna, cenohet barazia për individët për tu caktuar ne funksione publike etj. Nga kjo qeverisje nga te dhënat zyrtare janë larguar mbi 30 mije te punësuar ne sektorin shtetëror me gjithë shoqëritë anonime ku shteti ka aksione. Çuarja para Gjykatës e gjithë shkeljeve te lartpërmendura është mjeti i fundit përderisa te fitohet këto te drejta demi është i madh dhe i parikuperueshëm dhe vuajtjet njerëzore te ndjeshme dhe te pajustifikuara.

Pra këto “reforma te thella” te ndjeshme nga qeveria kane tjetërsuar pra shkelur po thelle te drejtat e njeriut ne vendin tone, prandaj duhet ndërmarrë iniciativa dhe nisma publike e ligjore e veprime te gjithanshme nga OJF-te, media dhe vete qeveritaret, për te cilët vlen kjo thënie nga Bastiat: “Ah ju krijesa varfanjake! Ju qe mendoni se jeni aq te mëdhenj! Ju qe gjykoni se njerëzimi është i vogël! Ju qe dëshironi te reformoni gjithçka! Pse nuk reformoni vetveten? Kjo detyre do te ishte me se e mjaftueshme.”

Reforma ne Drejtësi duhet te filloje duke filluar nga qeveria ne promovimin dhe respektimin e te drejtave te njeriut qe janë te përkeqësuara, te tjetërsuara deri ne mënyre çnjerëzore.

Për te rivendosur te drejtat e shkelura dhe përmirësuar ato vazhdimisht sipas parashikimeve kushtetuese e akteve përkatëse ndërkombëtare duhet te shkurtojmë masën plaçkitëse te qeveritareve te papërgjegjshëm, çnjerëzor, qe te triumfojnë liritë dhe te drejtat e njeriut te cilat do te sjellin një shoqëri me te drejte dhe konsolidimin e Shtetit te se Drejtës.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Av. Gëzim Allaraj, te drejtat e Njeriut, tjetersimi

’’ Trojet e Arbrit’’: Rikthimi i heronjëve të vërtetë të kombit

September 8, 2016 by dgreca

Shoqata e Intelektualëve Gjithshqiptarë ’’ Trojet e Arbrit’’ ka më shumë se dymbëdhjetë vjet më radhë ku është duke e bërë ndriçimin e historiografisë shqiptare me fakte shkencore. Rikthimi i heronjëve të vërtetë të kombit shqiptarë në vendin e duhur aty ku e kanë vendin është prioritet i ’’ Trojeve te Arbrit ’’. Sepse duke mos e harruar të kaluarën nuk na përsëritet e ardhshmja. Në kuader të planit të punëve tona përveç aktiviteteve shkencore kemi vendosur që ta bëjmë një hap më tutje ku do iu propozojmë Kuvendeve Komunale të qyteteteve: Prishtinë , Pejë , Prizren,Ferizaj, Gjakovë , Istog , Skenderaj , Mitrovicë dhe Drenas që të rikthehën në lapidarë heronjët e vërtetë të kombit shqiptarë. Fillimisht kemi vendosur që propozimet për rikthimin e heronjëve kombëtarë t’i bëjmë në nëntë qytete të Kosovës, më pas në të gjitha trojet etnike shqiptare.

Kuvendeve Komunale iu japim këto propozime:

  1. Në Prishtinë të emrohët një shesh me emrin e Profesor Ymer Berishës si dhe në atë shesh të ngritet një lapidar i profesor Ymer Berishës;
  2. Në Pejë të emrohët një shesh me emrin e Profesor Bedri Pejanit, si dhe në atë shesh të ngritet një lapidar i profesor Bedri Pejanit;
  3. Në Prizren të emrohet një shesh me emrin e Marie Shllaku si dhe në atë shesh të ndërtohet një lapidar i Marie Shllaku;
  4. Në Mitrovicë të emrohet një shesh me emrin e Xhafer Deves si dhe të ndërtohet në atë shesh një lapidar i Xhafer Devës;
  5. Në Skenderaj të emrohet një shesh me emrin e Shaban Polluzhës si dhe të ngritet në atë shesh një lapidar për Shaban Polluzhën;
  6. Në Gjakovë të emrohet një shesh me emrin e Halim Spahiut dhe në atë shesh të ndërtohet një lapidar për Halim Spahiun;
  7. Në Ferizaj të emrohet një shesh me emrin e Gjon Sereqit dhe të ndërtohet një lapidar i Gjon Sereqit në atë shesh;
  8. Në Drenas të emrohet një shesh me emrin e Mehmet Gradicës si dhe të ndërtohet në atë shesh lapidari i Mehmet Gradicës dhe
  9. Në Istog të emrohet një shesh me emrin e Bajram Gashit si dhe të ndërtohet në atë shesh lapidar i Bajram Gashit.

Duke u nisur nga fakti se ende disa gjëra sa i përket heronjëve të vërtetë të kombit shqiptarë janë lënë në mjegullnaj dhe ende një pjesë e shqiptarëve nuk mund të bëjnë dallimin në mes të herojëve të vërtetë të kombit shqiptarë atëherë më këto propozime ju bëjmë me dije se këta nëntë heroj të kombit të përmendur më lartë së bashku me mijëra të tjerë, janë heronjët e vërtetë të kombit shqiptarë. Prandaj meritojnë një kujdes më të madh nga shoqëria shqiptare se mjaftë janë përbuzur në kohën e komunizmit pansllavist që i riokupoj tokat shqiptare me ndihmën e serbëve dhe rusëve.Shoqata e Intelektualëve Gjithshqiptarë ’’ Trojet e Arbrit ’’ në një afat të shkurtër kohor do t’iu drejtohët edhe zyrtarisht këtyre nëntë kuvendeve komunale në mënyrë që të bëhet aprovimi i këtyre propozimeve dhe të rikthehën një herë e përgjithmonë në vendin e duhur herojtë e vërtetë të kombit shqiptarë. Tetë nga këta nëntë heronj të kombit shqiptarë u vranë në luftë kundër ideologjisë pansllavisto – komuniste ndërsa Xhafer Deva po ashtu luftoj me të gjitha forcat kundër ideologjisë ruso- serbe. Shumicës së këtyre heronjëve sot e shtatë dekada me radhë ende nuk iu dihen varrët. Ata mbetën të vrarë, me plumb, të vrarë për dhjetra vjet përmes propagandës staliniste, ku i vetmi faj i tyre ishte se e dështën Shqipërinë e bashkuar dhe të orjentuar drejtë perëndimit.

Në emër të SH.I.GJ. ’’Trojet e Arbrit’’

Nue Oroshi Kryetar

Besim Morina Nënkryetar

Filed Under: Komente Tagged With: i Heronjeve, rikthim, trojet e Arberit

DY LUFTËTARË MARTIRË NGA PLAVË-GUCIA

September 8, 2016 by dgreca

SELMAN FAKU PRELVUKAJ E PULEC HIMA AHMETAJ, DY LUFTËTARË MARTIRË NGA PLAVË-GUCIA
-Në 70 vjetorin e vrasjes së tyre nga serbo-malazezët në bjeshkën e Memës /
NGA RAMIZ LUSHAJ/
1.Historia i njef të asht’ e të palctë Kasemçukajt. Rrem genetik i Prelvukajve, bark më veti i tyne.
Nga kjo derë e fisme është gjyshja e Bruno Selimajt të Nokshiqit. Bjeshka i thoshin, një emën burimor shqiptar. Ajo është motra e legjendave të trimnisë, Selman Faku Kasemçukaj. Ky luftëtar i Shqipërisë Etnike është pesë herë i njoftun: si Selman, si i Kasemçukaj, si i Prelvukaj, si i Martinaj, si Plavë-Gucias.
 Një fakt: i fismi Jakup Jahelezi i Dragobisë, mbi 90 vjeç, i emigruem në Nju Jork, e përveçon Selman Fakun me thanien e thuktë: “S’kam pa djemë ma trima në jetën teme”.[1]
2.Kasem Çukaj i trimnisë, sipas pemës gjenealogjike, ishte vet i katërti vlla, sëbashku me Metën, Latifin e Omerin. Tre prej tyre pjesmarrës ballor në Luftën panshqiptare e ndërkombëtare të Nokshiqit (1879-1880).
Vet Kasem Çukaj i pati gjashtë djemë: Butin, Salihin, Brahimin, Rekun, Elkun e Fakun. Gjashtë kreshnikë. Si në Eposin e Kreshnikëve. Secili histori e lavdi të shkruar me mend e pushkë, me sakrifica e gjak.
Tre prej tyre: Brahimi, Buti e Salihi, janë martirë të kombit shqiptar.
Prof. dr. Zekeria Cana ishte në shtator 1995 në fshatin Martinaj, në kullën e të moçmit mbi shekullor, Sylë Prelvukajt, i cili e kishte përjetue pushtimin sllav genocidial të Plavë-Gucisë nga tetori i 1912-tës deri në nëntorin e 1913-tës, kohë e njohur në histori edhe me emrin e tragjedisë “Masakra e Previsë”. Ky i rrëfen historianit edhe për një nga dajët e Bruno Selimajt: “Brahim Kasemi dhe dy burra të tjerë që nuk pranuan ndrrimin e fesë u pushkatuan në vend. Varret i kanë mbi fshat pranë themeleve të kishës së vjetër katolike”.[2]
Historiani tjetër, i vuthjani R. Dedushaj, tek vepra “100 Vjet Luftë” dëshmon se djalin e Kasemçukajve, Brahimin – vet i tretë, e kanë vrarë Vasojeviçët si hakmarrje shovene ndaj trimave e trimnive të Prelvukajve në mbrojtje të Plavë-Gucisë në vitet 1854-1880.
Dy djemtë e tjerë të Kasem Çukajt, Butin dhe Salihin, i kanë pushkatue malazezët në Masakrën e Previsë.[3] Nuk iu dihen as vorret.
Kësokohe, në Previ, në këtë masakër ende të pazbardhur plotërisht dhe të padënuar ndërkombëtarisht u pushkatua nga Martinajt edhe Arif A. Balidemaj, Hysen Delia, Mujë Gali, Bajram Haxhia e në Greben Nezir Cufi e Zekë Haxhia. Ka edhe të tjerë. Ne kaq dijmë. Trolli i vet Martinajve mund të dëshmojë ma tepër.
3.
Një telegram i 27 marsit 1913 i nënshkruem nga Krahinari i Pejës, J. Plamenac, drejtue për në Çetinën e Krajlit, direkt për ministrin e Brendshëm Plamenac, i ban atij me dije se “sot në Martinaj iu vu zjarri 11 shtëpive kaçake” (Dok. nr. 488). Historianët listojnë se u dogj edhe kulla e Kasemçukajve të Prelvukajve. Krimineli i atij zjarri të përflakshëm e të përgjakshëm ishte kapiteni Vuksan Dragoviq, antar i Gjykatës Ushtarake në Plavë-Gucinë e sapopushtuar nga mbretnia e Malit të Zi, një mbretni – protektoriat i kahershëm i Perandorisë Ruse.
Kësokohe, Selman Faku i Kasemçukajve, përndryshe: vllai i gjyshes së Bruno Selimajt, ishte vetëm dy vjeç. Djalë i vetëm. Një grua e atyhit e mori në mbrojtje deri në vetsakrificë. E fshehu në një kullë, në dimit e saj. Ai iu shpëtoi kontrollit e ndëshkimit sllav dhe asaj jete shumë të vështirë të kohës së Masakrës së Previsë, një nga masakrat ma të mëdha ë ma tragjike në historinë e botës antike e moderne. Ndoshta kjo situatë e rëndë e me rrethana të ashpra në vite rritje e lanë atë disi trupshkurtër.
Selman Faku Prelvukaj i Martinajve, banor i Gucisë, luftëtar i lirisë për Plavë-Guci, për Shqipëri Etnike, veçanarisht gjatë Luftës së Dytë Botërore e në vitet e para të sundimit të shumëfishtë komunist në Malin e Zi (Jugosllavinë Avnjoiste) e në Shqipërinë Londineze, u shqua si Luftëtar i Lirisë Kombëtare Shqiptare.
4.
Ai, Selman Faku i Martinajve kishte me veti edhe një shok të pa shoq, Pulec Hima Ahmetaj i Vuthajve. Si rrinë shqiponja me dy krena në Flamurin Kombëtar Shqiptar ashtu qëndruan këta të dy sëbashku në Plavë e Guci me rrethina vrrini e bjeshke deri në Malësi të Gjakovës (Tropojë), Malësi të Madhe, Shkodër, Deçan, etj.
Ata kishin edhe një “Grup të Rezistencës Shqiptare Kundër Sllavëve” (1941-1947).
Shqiptarët prej nga liqeni i Plavës tek ai i Shkodrës dhe nga lumi i Limit deri tek rrjedhat e Drinit, si dhe ardhacakë e okupues sllavë në Alpe, e thirrnin “Grupi i Selmanit e i Pulecit” apo “Grupi i Pulecit e i Selmanit”.
Këta, të dy, nuk u ndanë kurrë në jetë në vitet e rezistencës së tyre. Ata i kishin idealet kombëtare shqiptare të përbashkëta. Për ma tepër, ishin edhe baxhanak ndërveti, i kishin gratë motra. Edhe vdekjen e patën bashkë: në të njëjten ditë, në të njëjtin vend. Edhe varret iu mbetën pranë njëri-tjetrit në Bjeshkën e Memës.
Historiani tjetër i Plavë-Gucisë, Sulejman B. Ahmeti, ndër të tjera, konkludon: “Këta dy trima i patën rrugët e hapura. Ka qënë shumë e vështirë për t’u dalur atyre përpara. Tek pushtuesit serbë ishte krijuar bindja se ata nuk i merr pushka”.[4]
5.
Në këto vite, në krejt krahinën e Plavë-Gucisë, në burime të ndryshme dokumentare thuhet se vetëvepronin përkohor disa luftëtarë edhe në grupe nacionaliste.
Këta kishin lidhje të dyfishtë ndërveti: nga gjaku e nga ideali kombëtar, si grupi i Rrustem Mulajt e i Adem Shaban Gjonbalajt (ky i fundit, daja i Bruno Selimajt nga ana e nanës së tij), i Prelë Kolë Shytit, i Haxhajve të Hotit të Plavës, i Shemso Ferrit të Plavës, i Sali Ismail Nikoçit dhe i Hasan Isuf Kukajt, i Man Zekë Qosajt e i Ram Tole Hasangjekajt, i Imer Maliqit e i Mustaf Haxhisë, i Smajl dhe Haxhi Metë Martinaj, i Belo Hamëz Ahmetajt, të cilat përndiqeshin me hjekësi e pushkë nga tana anët: edhe nga Jugosllavia (Serbia e Mali i Zi), edhe nga Shqipëria Londineze.
Grupi nacionalist i Selmanit e i Pulecit ishte tejet i veçantë, ma aktivi ndër  të gjithë, veprimtar e qëndrestar deri në kufij të legjendave të kohës.
6.
Selman Faku Prelvukaj, trim i maleve që rriten trimni, kishte vra në përpjekje e atentate gjithato shkije me cene e akte antishqiptare, ndaj pas ripushtimit të egër sllav nga Jugosllavia e Dytë e Titos, tue kanë thep e ferkem në luftë të pandalune me ta, si shumë plavë-gucias të tjerë çohet e kapërcen kufinin e padrejtë të 1913-tës e 1945-ës dhe hyn në Shqipërinë Londineze, Republikën Popullore të Enverit, sistem e fytyrë kthyeme kah Beogradi e Moska e atëherit, dy nga kryeqëndrat prej kah i erdhën përjetësisht të kqijat e derisotme kombit shqiptar.
E lypte gjithkund Jugosllavia. Selmanit ia kishte ruejt qelinë e torturave e plumbin jetëmarrës.
Diku i ra në fije edhe Shqipëria. E kapën në kambë, në rrethin e Shkodrës. Ia lidhën duert, e mbyllën për disa ditë në burg. Ia dorëzuen palës jugosllave, sipas një Marrëveshje të përbashkët në mes qeverive komuniste të Shqipërisë të (pa)varur e të Jugosllavisë federaliste.
Vetë Selmani, për realitetin zyrtar shqiptar plot mbrapshti helmtë të asaj kohe me pabesi shtetërore shqiptare e ortaknitë me sllavët, shprehej: “Ne ishim të detyruem të kërkonim strehim në vendin tonë. Komunistët e Enverit nuk na pranonin, ata na thonin tradhtarë, reaksionarë.  Ata na prenë në besë. Na lidhën dhe na kthyen te vllaznit e tyne jugosllav”.[5]
 7.
Sigurimi oktapod shqiptar, fijelidhun edhe me sllavët e Beogradit e të Çetinës dhe prej 1946-tës me të Titogradit (Podgoricës), nuk harrojnë asnjë detaj të bashkpunimit ndërveprues.
Në Han të Hotit, teksa ua dorëzonin Selmanin ashtu të lidhun e të lodhur nga burgu i vështirë, i amanetojnë palës jugosllave: “Kujdes! Mos e shihni kështu trupshkurt se është njeri shumë i rrezikshëm…”.
Ia caktojnë një ushtarë sllav trupfortë me e përcjell përkrye maleve deri në Guci, i cili iu thotë eprorëve të vet e shoqëruesve shqiptarë të deriatyshëm: “Kush, ky i lidhun e unë me pushkë në dorë, me i pasë krahët nuk mundet me më ikë mue…”.
Rrugës për në Podgoricë Selmani ishte dhe hiqej si tepër i lodhur, ndaj ky ushtari shoqërues po i ndal hapat tek një farë ure me ujë të vrulltë e po gjuen në shenjë thëllanxat e malit. Selmani gjen rast e i thotë: “Ah, trim te je! Si i mbyll burri sytë kur rrudh me gisht në pushkë?!” Fjala ndjek fjalën. Selmani nuk ndal bisedë: Të kallzoj unë qysh me gjuejt kryeshenjë. Ndale frymën, mbylle një sy, qetësohu…”
Trupgjati ushtar merr huti çasti. Selmani mendje e sy mprehtë i avitet shpejt e i shkallmohet me prangat e duarve e t’i jep plastim e rreknim teposhtë në zallishtë. E vret ushtarin, dekun e në tokë. Ia merr atë armë.
 Ik’ tue u ruejt aq fort sa mos me e pa as zogjtë. Ecte tue ngatrrue ferkem. E kalon për të dytën herë brenda asaj dite kufinin shqiptaro-shqiptar.
Kur hyn në Hot trupi i merr krahë. I troket një dere hotjane. Kish pasë mikpritje, besë e burrni. E presin shqiptarisht, pa frikën e kohës. Aty merr ma shumë forcë e shpresë. Ia hjekin prangat duarve, që i kishin lanë shenja ajtjeje. Ia vlerësojnë idealin kombëtar e trimnitë. E mbajnë për nja dhjetë ditë si ma të mirin mik në kullën e tyre e, mbasandejna, mashkujt e fortë e bestar të saj e përcjellin deri tek Shtegu i Dhënve.
 8.Luftëtari kombëtar Selman Faku Prelvukaj prej atyhit shkon drejt e në krahinën e tij të Plavë-Gucisë, drejt e në malet e lirisë të pafjetun atë ditë e sot.
Prapë me grupin e tij, me “Grupin e Rezistencës Shqiptare kundër Sllavëve”. Ky grup prej kryeherit kishte deri në mbi dhjetë antarë: Pulec Hima Ahmetaj i Vuthajve; Zenel Mehmeti Ahmetaj i Vuthajve – një burrë i shkolluar e i sprovuar për mend e pushkë; Ibrahim Smajli Prelvukaj i Martinajve; Shaban Sadria Hasanaj i vllaznisë Gjonbalaj të Vuthajve; Kadri Salihi Ulaj i Katundit Sirm të Vuthajve; Mehmet Mustafa Kukaj i Kukajve të Vuthajve, dy rugovas, e të tjerë.
 9.Shenjat e natyrës tregonin se dimni i atij viti 1946-‘47 po vinte tepër i egër. Grupit të Selmanit e Pulecit iu duhej me i ba konak vetes në jetesen plot me sakrifica sfide deri në vetmohim.
E kishin gjet vendin krejt të sigurt: përmbi Jasenicë, në afri të Hotit të Plavës, bash në Sjapicë të Haxhisë, në një shpellë tek “Buni i Shtjerrave”.
Po një dimën tjetër antishqiptar ma i madh e ma i egër po vinte edhe në Plavë-Guci nga regjimi jugosllav i Titos, nga vet Beogradi i Serbisë me kryeministrin serb Blagoje Neskoviç dhe nga dy kryeqëndrat e Malit të Zi, nga Çetina e vjetër e fronit e nga Titogradi i ri me kryeministrin malazez Blazho Jovanoviçin.
 Cilido shqiptar etnik që ishte me rezistencën antisllave e luftonte për liri kombëtare në male, i cilësuar “kaçak”, “i arratisur”, “tradhtar”, etj., UDB-ja jugosllave ua torturonte e masakronte familjet me të madh e të vogël.
 10.Sapo kishte hy’ viti 1947. Dikush nga të afërmit e grupit, që fatalisht ishte thirrë ndihmatar në përgaditjen e konakut të atij dimni të ashpër, nuk mujti me iu durue gatë torturave antinjerëzore e me shpirt ndër dhambë iu kallxoi pabesisht armiqve të kombit “shtëpinë e dimnit” të luftëtarëve të Lirisë Kombëtare, të Shqipërisë Etnike.
Ky njeri i besuar i preu në besë, i tregoi UDB-së ku ndodhej i strehuar Grupi i Selmanit dhe i Pulecit…
Shteti jugosllav u ngrit në kambë sikur do të mësynte kufinin drejt Shqipërisë Londineze e jo drejt një shpelle tek “Buni i Shtjerrave” në Sjapicë, ku thuhej se ishin vetëm 14 luftëtarë plavë-gucias e të rrethinave. Sidoqoftë nuk merr aq randësi numri i atyre luftëtarëve po fakti se kësaj here po sulmohej ajka e qëndresës luftarake lavdiplote në kit’ krahinë etno-historike shqiptare, vatra e fundit e qëndresës së organizuar antisllave në Alpe nga lumi i Vermoshit e ai i Valbonës deri në Lim.
UDB-istë të atyhit e të ardhun nga larg, shumkush nga komunitete etno-kulturore ardhacake në krahinë, mjaft njerëz përtej kureshtisë, lëviznin gjithandej në dy qytetet Plavë e Guci, në Ultinën e Epërme të Limit, luginat e Jasenicës e të Plavës…Gjithkah.
Forcat policore të rendit e të ndjekjes dhe ato ushtarake, të cilat rrinin përditë në survejim e kryenin terror e genocid në Plavë-Guci, u shtuan me përforcime të reja.
Fjala e zezë cegmoi mbi borën e bardhë, ajo doli para krismave të pushkëve: I kanë rrethue Selman Fakun e Prelvukajve e Pulec Himën e Ahmetajve…”.
Forcat e Sigurimit Jugosllav – UDB-ja, sëbashku me ato të policisë e të ushtrisë republikane e federale, ua kishin frikën një përballje luftarake me grupin e Selmanit e të Pulecit, prandaj shkuan tek vendstrehimi i tyre në shpellë tek Buni i Shqerrave tue përdorë për mburojë trupa njerëzore civile të Plavë-Gucisë. I kishin mobilizue me forcë, me dhunën e kohës. Kishte aty burra e gra me autoritet në fshatra e krejt krahinë dhe deri në Malësi të Madhe e Rrafshin e Dukagjinit. Disa sish edhe pa lidhje të afërt genetike gjaku me të rrethuarit në atë shpellë.
I kishin sjellë edhe nga të trungut familiar, të afërm e miq të këtyre luftëtarëve kombëtar në rrethim të plotë. Në mes tyre, në ballë të tyre, ishte edhe Bjeshka, motra e Selman Fakut e gjyshja e Bruno Selimajt. Ajo kishte me veti edhe djalin e saj, Ymerin e të tjerë. Aty ishin edhe të familjes së Pulec Himës. Edhe të tjerëve.
Në disa burime dokumentare thuhet se ishin mbi 100 civilë plavë-gucias të moshave të ndryshme, të thyer në moshë e të rinj, burra e gra, etj., që shumë prej tyre i kishin sjellë aty  edhe si “pengje” për të rrethuarit. Një numër tejet i madh.
Diku, në një pjesë të rrethimit, në pjesën ballore, ku komunikohej edhe me luftëtarët në shpellë, ishin vendos deri në mbi tre rradhe me civil. I shtyjnë t’i afrohen konakut, shpellës.
Prej nga afër iu thërrasin të dorëzohen, po ka qëndresë. Kurrkush nuk po don me ra në dorë të shkjaut i gjallë. Situata e tensionuar fort, keq, e paparishikueshme zgjati bukur shumë.
 11.Civilët, realisht, ishin “pengje”. Në koft se patriotët e rrethuar do të kundërpërgjigjeshin me luftë, atëherë do të kryhej një masakër e madhe mbi gjithë ata njerëz të ndershëm, të pafajshëm, të gatshëm edhe për vetsakrifikim.
I pari nga ajo shpellë si shtëpi e kështjellë po del Zenel Mehmeti Ahmetaj i Vuthajve, që shpesh printe me fjalë e shembullin e tij. Po dvet si është puna. I thanë se qëndresa e tyne do të sillte masakrën e përgjakshme. Ai e lëshoi armën përtokë tue thanë sheshit: “Jo, jo, ma mirë ma shumë se 10 se sa ma shumë se 100”.
Pas tij, dolën të gjithë. Në intervale kohe. Njani pas tjetrit. 12 luftëtarë.
 12.Të fundit, nga shpella, dolën Selman Faku Prelvukaj dhe Pulec Hima Ahmetaj. Ia kanë qit’ pushkën njani-tjetrit në gjoks gati me dhanë jetën dhe u besatuan ndërveti e përballë të gjithëve se nuk dorëzohemi të gjallë. Ia kanë nis kuvendimit nga larg.
Selman Faku po iu selamet i pari:
-Ju e keni fitue Luftën e Dytë Botnore, po ne Shqiptarët luftojmë për tokën tonë…Ju e keni ditë se jena në shpellë. Pse na i keni marrë në qafë familjet tona e i keni pru deri këtu. Pse nuk erdhët me luftue me ne e me e pa se qysh zihen burrat rob…
I shtymun nga antishqiptari barbar, Mikail Bullotovi, naçallnik në Beranë, një shqiptar, i thirrun aty, po ia përcjell fjalët e tij kah dera e shpellës:
-Selman e Pulec, mos e vrani njani tjetrin, se nuk keni nevojë. Luftë a kanë…
Atëherë Selmani po dvet prej larg shqiptarin ndërlidhës:
-A asht Bullatoviçi ende në fuqi si naçallnik në Beranë. Në koft se asht ai atje nuk dorëzohem i gjallë, sepse e di se ka me më vra për hakmarrje. Në besë të shqiptarit po të them: mos më merr në qafë…
Shqiptari u fut me trina nëpër mal. I ktheu përgjigje sikur Mikail Bullatoviçi nuk ishte naçallnik në Beranë.
 Selmani i besoi atij.
U dorëzue sëbashku me Pulecin.
 13.Menjëherë i nisën 14 luftëtarët e Lirisë Kombëtare Shqiptare drejt qytetit të Plavës. Ashtu të lidhun dy e nga dy. Me dhjetra tyta armësh të drejtuara drejt tyre.
U shkrehën armë zjarri në ajër si sinjal fitorjeje për kapjen e tyre robër. Në fakt ata ishin ma shumë se robër lufte.
Iu del para Bullatoviçi.
Selmani e Puleci e kqyrën njani-tjetrin: A thue kanë ndonjë shteg me ik?! E panë se ishin të premë në besë si na “dikushi” që ua kishte tregue UDB-së vendstrehimin e tyre dhe tashti nga ky shqiptari nderlidhës që nuk iu tha të vërtetën për Bullatoviçin. Ata do të kishin vrarë veten e nuk do të ishin dorëzue të gjallë tek shpella te Buni i Shtjerrave.
-Ndani veç ata të dy – iu tha Bullatoviçi. -Mos i çoni poshtë me të tjerët…
Ashtu ndodhi: i ndalën aty ata të dy: Selmanin e Pulecin.
Sllavët ishin të etur për vrasjen e tyre.
Në bjeshkën e Memës, mbi dyqind metra poshtë shpellës i mbështetën për një pishë të madhe e derdhën mbi ta breshëri armësh.
I pushkatuan pa gjyq.
Një vrasje politike, barbare, shovene.
Një urrejtje bio-politike e etnike ndaj tyre, pasi ata ishin e mbetën shqiptarë të vërtetë, të rrallë, legjendar.
Naçallniku Bullatoviç e shpiku një farsë sikur gjoja ata donin të arratiseshin e qëlluan mbi ta pa paralajmërim.
Në fakt e vërteta qëndron ndryshe: edhe sot pas 70 vitesh në koft se ua përmend shkijeve këta dy emra të lavdisë shqiptare atyne ua prish në çast humorin e me kanë pramje i lenë pa gjumë.[6]
 14.Pulec Hima Ahmetaj i Vuthajve ka lanë trashëgimtarë. Një nga djalë të tij, Shemunin, e kam njoft personalisht. Ishte mësues emigrant në Elbasan. Mjaft i lidhun me tre djemtë e hallës time, Dadës Razë, djemtë e Sherif Dedushajt nga Vuthajt, edhe ata emigrantë në Elbasan.
Një herë në vitet ’80 teksa shetisnim me Shemunin e Avdyl Dedushaj, bash aty tek hotel “Skampa” po ndal hapin Shemuni e vikati me tanë forcën e shpirtit të tij: “Kosova Republikë”…Duart i mbante të lidhuna lart në formë shqiponje, simbol i bashkimit kombëtar. Ky nuk ishte rasti i parë e as i fundit. Ai kishte në gjakun e tij genin e martirit të kombit, Pulec Hima Ahmetaj.
Selman Faku Prelvukaj, i derës së Kasemçukajve, i lindur në Martinaj e jetues në Guci, i ka lanë dy çika, po geni i këtij martiri të kombit jeton edhe tek gjithata nipa të tij nga Selimajt e Nokshiqit. Një prej tyre është edhe Bruno Selimaj, një emër i kohës shqiptare, një njeri simbol për kontributet e tij për kombin shqiptar.


[1] Rexhep  Dedushaj. 100 Vjet Luftë. NY. 1999.
[2] Zekeria Cana.  Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913” (Dokumente). IAP. Prishtinë. 1997, fq. 34.
[3] Z. Cana. Po aty. f. 34.
[4] Sulejman B. Ahmeti.:  “Plava dhe Gucia – Ngjarje që nuk duhen harruar…”. Monografi. Tiranë, 2002, f. 78.
[5] S. B. Ahmetaj. Po aty. f. 81.

[6] Ramiz Lushaj: Referime dhe nga Dosja ime “Plava e Gucia” (Dokumente arkivore, shënime, dorëshkrime, takime e biseda, etj.)

Filed Under: ESSE Tagged With: DY LUFTËTARË MARTIRË, NGA PLAVË-GUCIA, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2509
  • 2510
  • 2511
  • 2512
  • 2513
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT