• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pa të ardhme!!!

December 23, 2020 by dgreca

NGA ALMA LIÇO/

Avioni i asaj ore të vonëu ul në aeroportin e Rinasit. Ishte një natë dhjetori e vitit 2004. Udhëtonin në tërreth dyqind të rinj, studentë në universitetet e Romës dhe rrethinave të saj. Ktheheshin pranë familjeve të tyre për festat e fundvitit. Prindërve që prisnin me padurim, sa nuk po u delte zemra jashtëkraharorit nga padurimi për të përqafuar e shtrënguar në kraharor fëmijët,të cilët nuk i takonin prej shumë muajsh. Dihatja plot emocion e nënave bashkohej me ajrin e ftohtë, duke krijuar masa të vogla të mjegullta qënën ndikimin e acarit të asaj nate, shndërroheshin në bulëza të akullta. Në mes të atyre nënave, ndodhesha edhe unë. E para herë që ndahesha kaq gjatë nga bija ime. Ajo kish kërkuar krahëtë fluturonte e lirë, të arsimohej në një tjetër botë. Të frekuentonte një shkollë ku nuk do i duhej të rivalizohej nga fëmijë pasanikësh që blinin diplomat e më pas vendet e punës. Nuk do të duhej të përballej me militantizmin e detyruar partiak dhe servilizmin që e pason atë, për tëpatur një punë, e lënë një gjurmë modeste në jetë.

Gjysëm ore më pas, në portat e daljes u çfaqën të rinjtë. Edhe ata të paduruar e ekzaltuar për të përqafuar prindërit e tyre. Lumturia që u lexohej në fytyrë ua dyfishonte bukurinë e moshës. Me kapuça e doreza të ngrohta, ngjasonin me eskursionistë që po ktheheshin nga një shëtitje mbresëlënëse alpine. Veshur e mbathur  plot shije, ata nuk kishin asnjë dallim nga djemtë e vajzat e Europës, të lindur dhe rritur në vende metjetër standart demokracie e zhvillimi.Një kënaqësi dhe krenari e natyrshme më pushtoi të tërën, teksa i shihja që rrezatonin. U mallëngjeva.

Disa sekonda më pas, të gjithë përfunduan në krahët e nënave dhe baballarëve, duke humbur në përqafimet e puthjet e ngrohta që vetëm prindërit dinë t´i japin. Sakaq kisha shtrënguar edhe unë në krahë time bijë. Lotë malli na rridhnin të dyjave në fytyrë.

  • Shpirt si shkoi udhëtimi- e pyeta?
  • Mirëmam. Shumica vijmë nga i njëjti Universitet, dhe jemi shokë e shoqe me njeri tjetrin…ishte kaq e këndshme të udhëtonin së bashku.- Pasi heshti disa sekonda vijoi:
  • Mam, teksa po fluturonim mbi Tiranë, shpërthyem të gjithë në thirrje të lumtura!!
  • Urraaa…në Tiranë paska drita.

U ligështova, por nuk e dhashë veten. Vërtet…energjia elektrike ishte shndërruar në luks, veçanërisht gjatë stinës së dimrit. Mungonte aq shumë, me orë të tëra, duke zhytur në errësirë qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Nuk e pashë të arsyeshme të zhgënjeja entuziasmin e sime bije e ta përgatisja se gjithsesi kur të mbërrinim në shtëpi, e  priste errësira.

….Kanë kaluar plot gjashtëmbëdhjetë vite nga ajo natë dhjetori. Pas diplomimit, asnjë nga ata të rinj nuk u kthye mënë Shqipëri. Ato djem e vajza plot dashuri për dijen, suksesin dhe  jetën u shpërndanë rrugëve tëEuropës, ku ndërtuan edhe jetën e tyre. Dhe sa trishtim është të mendosh e përjetosh se kjo hemorragji e  energjisë dhe e trurit vazhdon si kurrë më parë sot e kësaj dite. Po katandisemi në një vend pa rini, pa të ardhme, pa shpresë. Deri kur???

Filed Under: Analiza Tagged With: Alma Lico, Pa të ardhme

Monumentalizimi i Mbretit Zog

December 23, 2020 by dgreca

Me rastin e 96 vjetorit të “Triumfit të Legalitetit”/

*Nga Ekrem Spahiu/

Tetë vjet më parë, më 24 dhjetor 2012, në Kryeqytetin e vendit, u vendos monumenti i Mbretit Zog, pikërisht në Bulevardin që mban emrin e tij, duke monumentalizuar kështu një datë shumë të rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar: rivendosjen e legjitimitetit që është themelore për një shtet të qëndrueshëm.

Në Shqipëri dhe trevat shqiptare, në sheshe, bulevarde, institucione, shkolla, etj, ku është monumentalizuar historia kombëtare, kombi shqiptar përulet për të nderuar Skënderbeun, Ismail Qemalin, Mbretin Zog dhe figura të tjera që e bënë këtë histori.      

Sigurisht, ajo çfarë ata lanë pas, është vepra e tyre kombëtare. Gjithsesi, monumentet na e mbajnë gjallë kujtesën, sepse një popull që nuk mban gjallë të kaluarën, rrezikon edhe të ardhmen.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është guri i parë i themelit të Shqipërisë, heroi i shqiptarëve dhe po aq edhe kalorësi mbrojtës i Europës. Ai personifikon një epokë të lavdishme të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij, për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe të lirisë. Duke monumentalizuar Skënderbeun, kombi ynë takon heroin kombëtar, në të cilin janë mishëruar aspiratat e vlerat më të spikatura të tij dhe për këtë arsye, bëhet simbol i bashkimit kombëtar dhe i luftës së tyre të përbashkët.

Ismail Qemali, me aktin themelues të Pavarësisë së Shqipërisë, ndryshoi historinë politike të popullit shqiptar, duke ndikuar në riformatimin gjeopolitik të Ballkanit në përgjithësi. I ardhur nga një derë fisnike kombëtare, me kulturë shtetari të fituar në një perandori që ishte superfuqi pesëqindvjeçare, Ismail Qemali i priu kohës dhe koha e përjetësoi në rrënjët e kombit, në historinë monumentale të tij dhe në monumentet e ngritura për të.  

Për të ardhur më afër në kohë, Mbreti Zog u bë një figurë madhore dhe qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor ai do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të potencialeve të vendit. I gjithë korpusi i legjislacionit shqiptar i ndërtuar nën kujdesin e tij,  shënoi shkëputjen e plotë nga legjislacioni i periudhës osmane dhe e orientoi zhvillimin e Shqipërisë për nga modelet europiane dhe potencialet demokratike.

Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve, u thirr dhe iu përkushtua Shqipërisë në të gjitha momentet vendimtare historike të saj, duke filluar që nga shpallja e Pavarësisë dhe gjatë gjithë jetës së tij, të cilën e lidhi plotësisht me fatet e kombit.

Shteti i ndërtuar nga Mbreti Zog, e bëri krenar shqiptarin, të denjë për të paraqitur identitetin e tij në çdo vend të botës.

Sot, shqiptarët në të gjitha trojet kombëtare, gjithnjë e më shumë po i evokojnë vlerat, kontributet dhe arritjet e Mbretërisë Shqiptare. Ajo zgjati vetëm 11 vjet, por i la Shqipërisë një trashëgimi të pashlyeshme e cila, në shumë drejtime, është e paarritshme edhe sot.

Në njohje dhe vlerësim të personalitetit, kontributeve dhe trashëgimisë së tij historike e kombëtare, me 17 nëntor 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, shteti Shqiptar me një ceremoni dinjitoze dhe madhështore ktheu eshtrat e Mbretit Zog në Atdhe, të cilat u vendosën në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore në Tiranë, duke përmbushur kështu një detyrim historik, patriotik, moral dhe human.

Ky akt përbënte rivendosjen në vend të historisë, jo vetëm ndaj një personi sikurse ishte Ahmet Zogu, por ndaj një epoke që mori emrin e tij e që lidhet me shtetformimin e Shqipërisë. Rivarrimi i tij pikërisht aty ku partizanët komunist hodhën në erë varrin e Nënës Mbretëreshë, përbënte njëherësh riafirmimin e mirënjohjes dhe humanizmit si vlera të patjetërsueshme kombëtare të shqiptarëve.  

Sot është 96 vjetori i “Triumfit të Legalitetit”. Ahmet Zogu me karizmën e tij, me orientimin e qartë perëndimor, me dashurinë për kombin shqiptar, rivendosi shtetin ligjor, rendin dhe sigurinë më 24 dhjetor 1924, duke i rikthyer legjitimitetin qeverisë së atëhershme të dalë nga zgjedhjet e 27 dhjetorit të vitit 1923. Me këtë vepër, ai shpëtoi Shqipërinë nga zhvillime që mund ta humbisnin atë në vorbullat e turbullta dhe retë e zeza midis dy luftërave botërore.  

Në vlerësim të kësaj date të rëndësishme historike dhe për ta bërë të plotë kuadrin jubilar të një shekulli me shtet kombëtar shqiptar, më 24 dhjetor 2012, në Bulevardin “Zogu I” u vendos monumenti i Ahmet Zogut si protagonisti kryesor i “Triumfit të Legalitetit”.

Me veprën e tij, Mbreti Zog lidhi historinë dhe veprën e Skënderbeut e të Ismail Qemalit për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar e shtetëror të shqiptarëve. Prandaj, monumentalizimi i tyre, ashtu si edhe i figurave të tjera që bënë historinë kombëtare, është në nderin, vullnetin dhe kulturën e kombit shqiptar, për të përjetësuar historinë, sepse një popull pa memorie, është një popull pa kujtesë dhe pa histori.

*ish-deputet & kryetar i PLL     

Filed Under: Politike Tagged With: Ekrem Spahiu, i Mbretit Zog, Monumentalizimi

MJEKU I LUFTËS SË UÇK RRËFEN SI RA NË BETEJË KOMANDANTI LEGJENDAR MUJË KRASNIQI

December 23, 2020 by dgreca

Dr. Pashk Buzhala mjeku i UÇK përgjatë luftës në Kosovë rrëfen ekskluzivisht për gazetën  DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York,  angazhimin në luftë si mjek, mjekimin e komandantit legjendar Mujë Krasniqi, situatën në Kosovë pas  arrestimeve nga Specialja dhe kundërshton me force akuzat ndaj krerëve të shtetit e të luftës në Kosovë.  Sipas mjekut Buzhala, Europa duket sikur ia ka kthyer shpinën Kosovës.  E vetmja shpresë për shqiptarët në Ballkan sipas mjekut Pashk Buzhala, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me Dr. Pashk Buzhala bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

DOKTOR PASHK BUZHALA NGA DEMONSTRATAT E STUDENTËVE, MJEK I UÇK NË LUFTË

Si fëmijë kam mësuar shumë nga baba im për krimet serbe në Kosovë. Baba me ka fol shumë për Haxhi Zekën, Hasan Prishtinën, për Lëvizjet Kaçake të Azem Bejtes, për NDSh-në e Ndue Përlleshin (baba ka qenë bashkëpunëtor i Ndue Përlleshit), për luftën e Drenicës të udhëhequr nga Shaban Polluzha, e shumë histori tjera të popullit tonë, këndej dhe andej kufirit. Por jo vetëm nga baba që kam mësuar për lëvizjet dhe kryengritjet kundër Turqisë dhe Serbisë, por edhe nga të tjerë nëpër kullat tona, pastaj në shkollë, nga profesor të historisë, gjuhës shqipe etj. Si rrjedhojë e kësaj, duke qenë i mirë informuar me historinë e popullit tonë, si student i vitit të tretë në Fakultetin e Mjekësisë, marr pjesë në demonstratat e studentëve të vitit 1981 e që më pas, vazhdimisht jam munduar që të bëjë diçka për vendin tim edhe me aktivitete politike në vitet e “80 dhe ’90-ta e deri në fillim të luftës.Pasi i kreva studimet në mjekësi dhe fillova të punoj, gjithmonë kam menduar dhe i përgatitur edhe nga aspekti psikik, se në rast lufte, kontributi im duhet të orientohet në ofrimin e kujdesit shëndetësor për luftëtarët e lirisë dhe popullin në përgjithësi. Është e ditur se, pa shërbim mjekësor, nuk mund të imagjinohet menaxhimi i një situate emergjente duke përfshirë edhe luftën. 

SI RA HEROIKISHT KOMANDANT MUJË KRASNIQI ME 40 BASHKËLUFTËTARË

Kështu edhe ndodhi, luftëtarit të parë të UCK-së që i trajtova plagët ishte Komandanti i njohur Mujë Krasniqi në natën mes 15 dhe 16 prillit 1998 dhe ate ne shtepine time, kur akoma Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk vepronte mjaftueshëm publikisht në Drenicë e në të gjithë Kosovën. Pothuajse menjëherë, jam angazhuar në Ambulancën Shëndetësore në Ujmir, ekipi mjekësor i së cilës ka shërbyer gjatë gjithë kohës së luftës. Ambulanca e Ujmirit i ka takuar Brigadës 113 në Zonën Operative të Drenicës, Komandant i të cilës ka qenë Mujë Krasniqi. Pas rënies se Komandantit Mujë Krasniqi, Brigada 113 e merr emrin e vet Komandantit “Mujë Krasniqi”. Në kohën kur është pamundësuar puna në objektin e Ambulancës në Ujmir, shërbimin mjekësor për luftëtarët dhe popullin e kemi ofruar edhe në male, duke ju qëndruar afër luftëtarëve dhe popullit të zhvendosur. Për Mujen mund të flasim shumë, por në këtë rast do ti them dy fjalë. Me Mujen njifeshim mire, sepse jemi të te njetit fshat, Çabiq i Klinës. Për rreth tri vjet nuk e kisha takuar sepse vepronte në ilegalitet. Takimi me te qe i dhimbshem për mua, sepse ishte i plagosur rëndë. Muja nuk ka ditur të ndalet asnjëherë edhe pse i plagosur. Për të dytën herë, u plagos në fund të korrikut 1998 por plagët nuk do ta ndalnin asnjëherë për të luftuar për çlirim, deri sa ra në fushëbetejë më 14 dhjetor 1998 në kufirin shqiptar-shqiptar duke i pri kolonës. Ai ra së bashku me 40 bashkëluftëtaret e tij dhe me vlla Aliun e dhëndrrin Beqir Gashi. Vrasja e Mujës ishte humbje e madhe për UÇK-në, sepse ra njëri nga komandatët më të zotë që pat Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por njëkohësishtë  ishte dhembje e madhë për shokët dhe bashkluftëtarët e tij. Muja ra për të mos vdekur kurrë. Mujën e ka karakterizuar guximi dhe trimnia. Nuk me ka rastisur që të takoj ndonjë luftëtar më trim dhe të vendosur për të luftuar deri në çlirim. Për Mujën, vrasja në luftë për liri ka qenë si me lind. Muja i ka dashur shumë bashkluftëtarët. Më kujtohet një moment, teksa i mjekoja plagët në shtëpinë e tij, kur akoma ishte në një gjendje jo të mirë fizike i kërkova që derisa të forcohet edhe pak, të mos shkojë në vijat e frontit. Muja mu përgjigj shkurt: “Doktor, nuk mund ti lë vetëm shokët”. Muja nuk e ka njoftë dorëzimin. Shpesh kujtoj momente lufte me të vrarë e të plagosur, të zhvendosur në male dhe gjithmonë i bëjë pyetje vetës, se a e kam bërë më të mirën e mundshme në ato rrethana lufte. Faktikisht, këtë pyetje ia bëja vetes edhe gjatë luftës në çdo mbrëmje. Përgjigjja është se, kam bërë më te mirën e mundshme, ashtu siç është dashtë të bëhet, si nga aspekti profesional ashtu edhe ai njerëzor. Përveç kujtimeve të hidhura të luftës, ne sot kujtojmë edhe momente gazmore  me këngë dhe humor. 

NE LUFTUAM KUNDËR OKUPUESIT SERB, JO KUNDËR NJËRI-TJETRIT

Po e dëftoj një moment të luftës, që mu kujtua pas aktakuzave të ngritura nga Gjykata e Hagës, që e cila po tenton të ndajë shqiptarët në katolik dhe mysliman, madje edhe në luftë.Me 3 korrik 1998 gjatë një ofensive të forcave serbe kundër pozicioneve të UÇK-së, në magjistralen Pejë-Prishtinë, kishim disa ushtarë të UÇK-së të plagosur, shumica prej tyre rëndë. Pasi e përfunduam trajtimin e ushtarëve të plagosur e disa nga ata i dërguam në Spitalin Ushtarak në Likoc, dola në qendër të Ujmirit që të pushoj pak jashtë ambulance dhe të takoj njerëzit. Papritmas dëgjoj një zë që me thërret, ai ishte një i njohur i imi nga Drenasi. U përshëndetëm me të dhe menjëherë më pyeti për gjendjen e krijuar në atë ditë luftimesh. Pastaj tregoi se ishte duke shoqëruar një ekip të Televizionit të CNN-it dhe me luti që t’ i takoj dhe të bisedoj me ta. Iu ofruam makinës së tyre, i përshëndeta dhe miku im ju tregoi se jam mjek që po shërbej në ambulancë dhe se mund t’i njoftoj për atë që ka ndodh atë ditë. Pasi iu tregova për situatën, njëri nga gazetaret (ashtu u prezantuan) më pyeti se a ka katolik të kyçur në luftë? Për shkak se u befasova shumë me pyetjen, mua me erdhi një e qeshur krejt spontane dhe menjëherë m’u drejtua se, pse po qesh? Ia ktheva, po unë jam katolik. Gazetari përsëri mu drejtua, mirëpo ti qenke doktor dhe vazhdoi me pyetje se, a ka ushtarë të UÇK-së katolik, që janë në vijat e frontit? Për të ia dëshmuar se ka mjaft ushtarë katolik në vijat e frontit, i thashë, qenkeni me makinë dhe ejani shkojmë bashkë, do të gjesh me dhjetëra ushtarë të besimit katolik në vijat e frontit, (meqenëse nuk i tregova për dëmet e asaj dite, nuk munda t’ua tregoja se, nga ushtaret e plagosur atë ditë, rreth 30% prej tyre ishin të besimit katolik). Atëherë ata shikuan njëri tjetrin dhe më thanë, jo s’ka nevojë të shkojmë atje. U përshëndetëm dhe së bashku me shoqëruesin shqiptar u larguan.

ARRESTIMET E KRERËVE TË SHTETIT TË KOSOVËS DHE LUFTËS TË PAPRANUESHME

Fillimisht, insistimi i miqve ndërkombëtar për krijimin e dhomave të specializuara në Hagë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës , ka qenë i padrejtë.Krijimii kësaj gjykate ka ardhur si pasojëe raportitshpikës dhe fantastik të Dick Martyt. Mendoj se, ajo që e ka shtyrë bashkësinë ndërkombëtare të bëjë presion tek institucionet dhe liderët kosovar,që të krijohet kjo gjykatë,ka qenëpikërisht shpifja e Dick Martyt për trafikim organesh.Për mua, që kam kryer detyrën e mjekut në luftë, ku jam ballafaquar me kushte tepër të vështira (me mungesë të barërave dhe materialit sanitar) në ofrimin e kujdesit shëndetësor për të plagosurit dhe të sëmurët, kjo shpikje e Dick Martyt, ka qenë njëçmenduri,djallëzi dhe injorancë e të gjithë atyre që e kanë besuar dhe aprovuar këtë raport në Parlamentin Evropian. Mendoj se nga institucionet e Kosovës, ka pas neglizhencë duke mos e marrë mjaftueshëm si serioz ketë raport dhe si pasojë edhe reagim jo të duhur ndaj këtij raporti. Ndoshta edhe deputetet e Shqipërisë në Parlamentin Evropian, kanë mundur të bëjnë më tepër në parandalimin e aprovimit të këtij raporti. Por, kjo duhet të rendojë në ndërgjegjen e atyre deputetëve, sigurisht, nësekanë mundur të bëjnë më shumë në parandalimin e aprovimit të këtij raporti apo jo?Krahasimi i krimeve të Serbisë që ka bërë në Kosovë, me pretendimet për krime nga Prokuroria e Specializuar nëHagë e të servirura nga Prokuroria Serbe, janë të pa pranueshme, absurde dhe për më tepër djallëzore.Sidomos, kur vetë jemi dëshmitarë të krimeve serbe të kryera në Kosovë nga vetë shteti Serb që tashmë janë të njohura botërisht.Deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, këtu po tentohet të gjykohet lufta e drejtë e popullit shqiptar për liri, Ushtria Çlirimtare e Kosovës por edhe aleatet e UÇK-së dhe të Kosovës, në rend të parë SHBA dhe NATO.Personalisht, kështu e kuptoj gjithë këtë tragji-komedi,  sepsenë vend që të ndiqen krimet serbe në Kosovë, sot të targetuar janë udhëheqësit e luftës për liri,pothuajse komplet Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së,e me vonë liderët e Shtetit të Kosovës. Duke i lexuar akuzat, shihet qartë se aty ka shpifje dhe të pavërteta. Shpreh bindjen time të thellë se që të gjithë udhëheqësit e luftës, Gjykata do t’i shpallë të pafajshëm. Kjo edhe për faktin se lufta nuk ka pasur organizim shtetëror,pasi që Kosova nuk ka qenë shtet. Lufta është nisënga të rinj, burrat dhe gratë më të mirë të Kosovës, të cilët kanë qenë të gatshëm të vdesin për këtë tokëpër çlirimin e Kosovës nga okupimi qindra vjeçar, e shumë prej tyre kanë dhënë edhe jetën.

EUROPA SIKUR E KA BRAKTISUR KOSOVËN

Ne i jemi shumë falënderues Evropëskur u gjendnë anën e se drejtës, duke e përkrahë luftën për liri dhe iu bashkëngjitë SHBA-së, për të ndihmuar çlirimin e Kosovës. Jemi të bindur se pa SHBA, Kosova nuk do ta gëzonte lirinë dhe Shtetin që ka sot.Evropa vazhdon të bëjë padrejtësi sidomos lënja e Kosovës në një”Geto”, sepse jemi shteti i vetëm në Ballkan që nuk kemi liberalizim të vizave dhe nuk kemi lëvizje të lirë.Ne i jemi falënderues dhe mirënjohës për jetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila edhe sot ndihmon nështetndërtim. Zoti e bekoftëAmerikën!

AKUZAT POLITIKE, TË TRILLUARA, DJALLËZORE DHE TË SHPIFURA

Akuzat i konsideroj politike, të trilluara, djallëzore dhe të shpifura,të përgatitura nga Serbia dhe të përkrahura nga disa qarqe evropiane. Poashtu mund të konsiderohen edhe si akuza inatçore e të pamenduara mirë, nëse ka akuzat ngritura nga ndonjë shqiptar.UÇK-ja ka qenë një ushtri vullnetare, që ka zhvilluar më tepër luftë guerile me një armatim të pamjaftueshëm. Veprimet luftarake dhe aksionet tjera guerile janë zhvilluar varësisht nga tereni në përgjigje të sulmeve nga ushtria dhe policia serbe. UÇK-ja, ka bërë çdo gjë që të ju dalë në mbrojtje popullatës civile të zhvendosur në male, madje kanë renë edhe shumë dëshmor.Kështu që për Shtabin i Përgjithshëm ka qenë e pamundur të kontrollojë çdo veprim luftarak dhe çdoveprim të ushtarëve në terren.

BARAZIMI I AGRESORIT ME VIKTIMËN NJË ÇMENDURI

Barazimi i agresorit me viktimën, jo veç se është i turpshëm por edhe absurde. Por, fatkeqësisht shumë shpesh nga disa qarqe evropiane po ndodhëky barazim. E keqja e madhe është se, as disa ndërkombëtarë dhe as disa shqiptarë (tëcilët si dukët kanë harru për fatkeqësitë që i kanë ndodhë popullit të tyre), nuk ndalen për vetëm një moment qët’i kujtojnëdhe t’i shikojnë dëshmitë e masakrave të shumta serbe në Kosovë. Në këtë pikë mendoj se kemi faje edhe ne në Kosovë, sidomos institucione shkencore dhe kryesorja Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që shumë pak apo fare nuk janë marrë me prezantimin e krimeve serbe në Kosovë gjatë luftës 1998/1999. Pastaj institucionet e drejtësisë fillimisht UNMIK-u dhe pastaj EULEX-i as që kanë denjuar që hetojnë krimet serbe në Kosovë për kohën e luftës. Për me keq, kanë zhvillu hetime dhe procese gjyqësore për ushtaret dhe komandantët e UÇK-së, për me tepër me akuza të trilluara.

GJYKATA E HAGËS NA QËNDRON MBI KOKË SI SHPATA E DEMOKLEUT

Personalisht situatën në Kosovë e shoh më keq sot se sa në qershor të vitit 1999 sepse atëherëshqiptaret janë mjaftuar me lirinë, kthimin në shtëpi apo nëtruallintyre(shumica e shtëpive kanë qenë të djegura), preokupim kryesor kanëpassigurimin e njëstrehe dhe ushqiminpër familjet e tyre (nga organizatat të ndryshme ndërkombëtare mjaftueshëm është ndihmuar Kosova për të rinisur jetën në vendin e tyre), gjë që sot, ekonomikisht jemi shumë më mirë se sanë të kaluarën.

Pse e shoh më keq sot? Mendoj se, sot po jetojmë në një shtet mjaftueshëmtëkonsoliduar, me një gjykatëe Hagës që na qëndron mbi kokë si Shpata e Demokleut dhe që tenton t’i dënojëkrerët e shtetit dhe krerët e UÇK-së qëudhëhoqën luftën për liri dhe bënë shtetin e Kosovës, me një Qeveri tëbrishtë, me një politikë e cila para interesit tështetit e venë interesin partiak, me padituni dhe shumë protagonizem, pikërisht ashtu siçthotë Fishta; “Përderisa ecin krah për krah menjemadhësia dhe paditunia, nuk ka për të parë hajr Shqypnia”.

KRIJIMI I DHOMAVE TË SPECIALIZUARA NË HAGË VEPRIM I PADREJTË DHE FYES

Krijimin e Dhomave të Specializuara në Hagë për ndjekjen vetëm të shqiptarëve e konsiderojmë jo vetëm veprim të padrejtë por edhe fyes.Mendoj se reagimi i shtetit sidomos i Kuvendit të Kosovës, duhet të jetë shumë më i fuqishëm në lidhje me veprimet e gjykatës sepseështë vënë nëpikëpyetje legaliteti dhe legjitimiteti i kësaj gjykate. Kam përshtypjen se ka dalë jashtë fushëveprimit dhe qëllimit që është krijuar, sepse deri tash në asnjë rast të aktakuzave të ngritura nuk përmendet trafikimi i organeve e pikërisht ka qenë trafikimi i organeve, arsyeja e themelimit të kësaj Gjykatenga Kuvendi i Kosovës. Nëse Qeveria heziton të reagojë për gjoja mosndërhyrje në drejtësi, KomisioninParlamentarpër Legjislaciontë Kuvendit të Kosovës, nuk mund ta ndalojë askush, sepse ne fushëveprimin e saj ka edhe shqyrtimin e çështjevetë gjyqësisë në Kosovë, mbikëqyr zbatimin e ligjeve në fushën e gjyqësisë në përgjithësi (Dhomat e Specializuara janë krijuar nga Kuvendi i Kosovës dhe duhet të veprojnë në harmoni meKushtetutën dhe ligjete Kosovës). Sigurisht, Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së do të vazhdojnë të reagojnë dhe do ta gjejnëmënyrën e duhur për të reaguar, por patjetër qësë pari,duhet tëdëgjohet zëri i tyre nga Qeveria e sidomos nga Kuvendi i Kosovës.

SOT, GJENDJA NË KOSOVË NUK ËSHTË E MIRË

E si ndihem sot? Sot nuk ndjehem mirë, kur shoh një politikë të çakorduar, arsimim me nivel jo të kënaqshëm, gazetari jo profesionale, një rini që mendon vetëm të dalë jashtë Kosove e që nuk e sheh perspektiven brenda shtetit të tij, e shumë çka tjetër. Idealet e mija kanë qenë fillimisht liria dhe ndërtimi i një shteti funksional, demokratik dhe të zhvilluar. Për Kosovën Shtet, në të cilin të gjithë qytetaret e saj të ndjehen të barabartë dhe të gjithë të kontribuojnë në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit. Në fund dua të ju përshëndes ju dhe të gjithë lexuesit e gazetës Dielli dhe Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Pashk Buzhala, mjeku i UÇK, Sokol Paja

LAJM HATRI- MONIKA (KRASNIQI) MUSAJ

December 22, 2020 by dgreca

MONIKA(KRASNIQI) MUSAJ NDËRROI JETË NË VENDLINDJE, DJALI TUSHI ME TË MOTRËN E FAMILJE QESIN HATRIN TË DJELËN, 27 DHJETOR/

LAJM HATRI (27 dhjetor 2020)/

Monike (Krasniqi) Musaj- 31 tetor 1934 – 14 dhjetor 2020/

Me hidhërim të thellë njoftojmë se me datën 14 dhjetor 2020, në fshatin Ratish i Ulet, Deqan, Kosove, në moshën 86 -vjeçare, u nda nga jeta, MONIKE (KRASNIQI) MUSAJ.

E ndjera Monike u varros në varrezat e fshatit Ratish i Ulet me datën 15 dhjetor,

Djali Tushi me motren Pashka Ukaj, me Familje, qesin hatrin në Qendrën “Nëna Tereze” pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, 361 W. Hartsdale Avenue, Hartsdale, New York, me datën 27 dhjetor 2020, nga ora 4 deri në 8 të mbrëmjes.

Famullija “Zoja e Shkodrës” i shpreh ngushllimet e sinqerta Familjes, gjinisë dhe gjithë farefisit. Monike pastë dritë në amshim e të gjallëve u dhashtë Zoti forcë.

Jepja o Zot pushimin e pasosur, e i shndritë drita e pambarueme. Pushoftë në paqe. Ashtu Kjoftë.(Kortezi- Our Lady of Shkodra)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Lajm hatri, nena - Monika (Krasniqi) Musaj, Tush Musaj

Spastrim etnik pa pikë gjakimi në Luginën e Preshevës

December 22, 2020 by dgreca

Nga Akri Çipa*/

Me përjashtime të vogla, dy dekadat e fundit e kanë gjetur Luginën e Preshevës të harruar në politikat e shteteve shqiptare. Përballë kësaj indiference, rreth 80 mijë shqiptarë autoktonë janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me forma të ndryshme represioni, mungesë investimesh dhe një perspektivë pesimiste për të ardhmen.

Përtej gjesteve simbolike, shumë pak kohë është shpenzuar nga dy shtetet shqiptare për të ravijëzuar një politikë koherente në lidhje me Luginën. Autoktonia dhe prezenca e shqiptarëve aty është përpjekur të luftohet me gjithfarë mjetesh nga institucionet qendrore serbe, duke filluar nga anashkalimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në projektet zhvillimore ekonomike, deri në përdorimin e mjeteve burokratike për të anormalizuar jetesën e shqiptarëve në shtëpitë e tyre. Sot, Lugina e Preshevës është nga zonat më të prapambetura ekonomike në Serbi. Përtej elementeve bazike, banorët nuk mund të marrin shërbime mjekësore përveçse duke udhëtuar dhjetëra kilometra, kryesisht në qytetin e Nishit. Investimet në arsim janë inekzistente.

Si një pjesë integrale e kombit shqiptar dhe si përjetuesit më të mëdhenj të diskriminimit shtetëror serb, shqiptarët e Luginës së Preshevës meritojnë një vëmendje më të madhe institucionale si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova. Kohët e fundit ka pasur mëtime për ta ndrequr këtë gabim.

Për fat të keq, opinioni publik shqiptar u kujtua për shqiptarët e Luginës vetëm kur kjo e fundit u bë subjekt i diskutimeve për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e një marrëveshjeje hipotetike për të zgjidhur konfliktin ndërmjet tyre. Megjithatë, përtej kësaj hipoteze që u refuzua forcërisht, ka pasur rishtazi një sërë përpjekjesh për ta riparë qasjen e Shqipërisë dhe Kosovës.

Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, pati një rol aktiv në përbashkimin e entiteteve të ndryshme politike në Luginën e Preshevës përgjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Serbi. Në të njëjtën kohë, si Ministri Cakaj, edhe Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, kanë ngritur si çështje format më të targetuara dhe eksplicite të diskriminimit shtetëror ndaj shqiptarëve në Serbi. Në takimin e përbashkët të qeverive më 2 tetor, Shqipëria dhe Kosova u dakordësuan për ngritjen e fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës.

Këto hapa janë të nevojshëm dhe duhen përshëndetur si një moment i ri. Por është e dukshme që këto përpjekje duhen shumëfishuar dhe thelluar nëpërmjet një qasjeje më të gjerë dhe afatgjatë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe për faktorizimin e tyre.

Një nga shfaqjet më problematike të diskriminimit shtetëror serb është fshirja e adresave të vendbanimeve të shqiptarëve në Luginë. Nëpërmjet verifikimeve jo transparente dhe tendencioze, institucionet serbe kanë shfrytëzuar ligjin për vendbanim dhe vendqëndrim për të pasivizuar adresat e përhershme të vendbanimit. Kjo ka sjellë “zhdukjen” nga regjistrat e Luginës të qindra e mijëra shqiptarëve.

Duke pasivizuar adresat e vendbanimeve, Serbia po shkel në mënyrë flagrante të drejtat themelore të shqiptarëve në Luginë duke iu pamundësuar atyre marrjen e letërnjoftimeve të reja, marrjen e shërbimeve mjekësore ose asistencave sociale. Në mënyrë të përçudnuar, institucionet serbe po i shndërrojnë këta subjekte në qytetarë të dorës së dytë duke iu hequr të drejtën e votës. Përmes proceseve burokratike dhe diskriminimit sistemik, shteti serb është duke realizuar, pa zhurmë dhe pa derdhur asnjë pikë gjak, një spastrim të mirëfilltë etnik në Luginën e Preshevës.

Ngritja e fenomenit malinj të pasivizimit të adresave në raport me komunitetin ndërkombëtar është tejet e nevojshme. Ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës kanë gjetur në këtë drejtim një konsistencë vokale. Megjithatë, kjo problematikë dhe simotrat e saj nuk ekzistojnë në vakuum. Ato janë produkt i institucioneve dhe politikave shtetërore të Serbisë. Pikërisht për këtë arsye, këto çështje duhen ngritur në nivelet maksimale edhe në kontaktet bilaterale me Serbinë.

Për Shqipërinë është e pafalshme që të mos ngrihet në nivel institucional ky shqetësim me palën serbe. Kjo mungesë bëhet edhe më e theksuar duke marrë parasysh intensifikimin e kontakteve ndërmjet dy shteteve në vitet e fundit – edhe për hir të platformave rajonale që po synohen. Raportet e Shqipërisë zyrtare me Serbinë nuk mund të anashkalojnë politikat e jashtme destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve dhe politikat e brendshme diskriminuese ndaj shqiptarëve.

Kosova, nga ana e saj, duhet t’i ngrejë shqetësimet për Luginën e Preshevës në të njëjtin nivel me shqetësimet e presupozuara nga Serbia për pakicën serbe në Kosovë. Kjo do të thotë që Lugina të imponohet si një pikë diskutimi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Përballë këmbënguljeve malinje të palës serbe për Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, përfaqësuesit e Kosovës duhet të bëjnë të qartë se detyrimet e Serbisë ndaj minoritetit shqiptar janë po aq substanciale sa ato të Kosovës ndaj minoritetit serb. Nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet asnjë lloj bishtnimi ndaj këtyre përgjegjësive.

Është e rëndësishme që nëpërmjet një qasjeje të re nga Tirana dhe Prishtina zyrtare të motivohen dhe përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës për një ndërgjegjësim më të madh dhe aktivizëm të shtuar. Kjo nënkupton kontakte të shumëfishuara me Këshillin Kombëtar Shqiptar, institucionin e vetëqeverisjes së komunitetit shqiptar në Serbi. Hapja e degës së Këshillit në Medvegjë, me mbështetjen e autoriteteve të Shqipërisë, është një fillim i mirë, por sigurisht jo i mjaftueshëm.

Së treti, është e nevojshme që Shqipëria dhe Kosova të formojnë një strukturë të posaçme për të bashkëvepruar dhe mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në takimin e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në tetor të këtij viti, Kryeministri Hoti njoftoi krijimin e një zyre për Preshevën në varësi të tij. Normalisht një pozicion i tillë në varësi të Kryeministrisë ka më shumë vizibilitet. Megjithatë, do të ishte e udhës që një zyrë e tillë të hapej nga Ministria e Jashtme dhe të shndërrohej në një strukturë të qëndrueshme institucionale. E njëjta strukturë duhet të ngrihet edhe në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë ose, edhe më mirë akoma, ajo mund të konceptohet si një iniciativë e përbashkët e dy Ministrive të Jashtme.

Fondi i përbashkët për Luginën, i dakordësuar nga Shqipëria dhe Kosova, mbetet modest në vetvete. Të dy shtetet, në bashkëpunim edhe me diasporën, kanë mundësi për ta rritur shumë më shumë kontributin e tyre. Kjo mbështetje duhet të fillojë nga elementët më bazikë në arsimin shqip, median dhe aktivitetet kulturore, për t’u zgjeruar më pas me pak vullnet dhe koordinim me përfaqësuesit lokalë në fusha të tjera zhvillimore.

Nëpërmjet tre rrugëve – intensifikimit të marrëdhënieve me vetë përfaqësuesit dhe strukturat lokale, reagimit në rrugë zyrtare ndaj Serbisë për politikat diskriminuese dhe ndërkombëtarizimit të formave të diskriminimit shtetëror serb – mund të rikonceptualizohet roli i Luginës. Lënia në harresë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës pas luftës në Kosovë është një mëkat i madh që nuk duhet të rëndojë më mbi politikëbërësit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë. 

Shkrimi është publikuar fillimisht në Sbunker.

  

Filed Under: Analiza Tagged With: Akri Cipa, Lugina e Presheves, Spastrimi Etnik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 261
  • 262
  • 263
  • 264
  • 265
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT