• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTOJMË AT ZEF PLLUMIN, SIMBOLIN E KUJTESËS -PËRBALLË HARRESËS

June 29, 2021 by dgreca

NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË KUJTESËS SË VIKTIMAVE TË TORTURAVE, KUJTOJMË AT ZEF PLLUMIN, SIMBOLIN E KUJTESËS – PËRBALLË HARRESËS /Nga Frank Shkreli/

26 Qershori shënoi Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Mbështetje të Viktimave të Torturës – një ditë kjo kur — anë e mbanë botës — kujtohen e nderohen viktimat e torturës, ndërkohë që të mbijetuarve të torturave në të kaluarën, u ofrohet mbështetje. 

Anë e mbanë botës kjo ditë u shënua në mënyra të ndryshme duek filluar nga Organizata e Kombeve të Bashgkuara () dhe nga shtete të ndryshme siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Në një deklaratë me rastin e kësaj dite përkujtimore, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Gutierrez tha se “Tortura është një praktikë e neveritshme dhe urrejtëse, njëkohësisht edhe një dhunim i dinjitetit njerëzor dhe shkelje e të drejtave të njeriut.” 

Ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden në mesazhin e tij në ditën ndërkombëtare të kujtesës së viktimave të torturës u shpreh se “Tortura kudo dhe kurdoherë që të përdoret, përbën një njollë të zezë në ndërgjegjen tonë morale. Të gjithë ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për tu dhënë fund një herë e mirë praktikave të tilla jo njerëzore.”  Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken në deklaratën e tij në Ditën Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës iu drejtua, shteteve anë e mbanë botës si dhe të gjithë atyre që janë kundër përdorimit të torturave, me këto fjalë: “Sot është një rast që vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, shoqëritë civile dhe individët e interesuar anë e mbanë botës të bashkohen kundër përdorimit të torturave dhe të bëjnë thirrje për zbulimin e të vërtetës, për drejtësi dhe për ndëshkueshmëri për dhunuesit dhe shkelsit e të drejtave të njeriut.  Për derisa në botë ekzistojnë të tillë individë që përdorin torturën si mjet ndëshkimi për kundërshtarët, Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin dorë nga angazhimi i tyre për ta zhdukur torturën njëherë e mirë”, ka deklaruar kyrediplomati amerikan në mesazhin e tij, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës.

Ndonëse nuk pashë asnjë lajm në media as deklaratë në lidhje me këtë ditë, nga Tirana dhe Prishtina zyrtare – megjithëse të dy vendet janë ndër vendet më të njohura ku tortura përdorej rregullisht dhe ashpërsisht ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Për këtë arsye, modestësisht, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës, po kujtoj me pak fjalë, At Zef Pllumin —Frank Shkreli: At Zef Pllumi – Krenaria e Shkrelit dhe Nderi i Kombit | Gazeta Telegraf — i cili për fatin tonë dhe për hir të së vërtetës, “rrnoi për me tregue” për torturat e regjimit komunist të Enver Hoxhës, jo vetëm ndaj tij dhe shumë vëllëzërve të tij françeskanë, por edhe për vuajtjet dhe torturat ndajë përfaqsuesve – kundërshtarë të tjerë të regjimit komunist — më të dalluar të ajkës së Kombit shqiptar të gjysëm shekullit të kaluar.

Po e kujtoj At Zef Pllumin me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturave, sidomos për veprën e tij monumentale, “Rrno Për me Tregue”, me të cilën ka lenë pas një dëshmi të gjallë historike dhe të vërtetën mbi torturat e tmershme të shqiptarit kundër shqiptarit dhe një histori vuajtjesh të pa imagjinueshme të një pjese të madhe të shqiptarëve, nën regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Dita Ndërkombëtare e Kujtesës së Viktimave të Torturës është një ditë me rëndësi edhe për shqiptarët.  Duke kujtuar këtë ditë fund javën që kaloi, Presidenti Joe Biden, besoj se u shpreh për të gjithë njerëzit vullnet mirë, kur tha se, “Torturat, kudo dhe kurdoherë përbëjnë një njollë të zezë në ndërgjegjen tonë morale…”. Ismail Kadare gjithashtu e ka vlerësuar librin “Rrno për me Tregue” – si një përshkrim të tmershëm të vuajtjeve mizore të ndërmarra nga një regjim i pamëshirshëm kundër një popullësie të pafajashme – si një vepër për të cilën, sipas Kadaresë, “Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për të ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos për më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, e mos më tepër, ata që shtypën të tjerët.  Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët.  Shkurt për të ka nevojë ndërgjegja jonë”, ka thënë Kadare.

Dua të shtoj se në këtë Ditë Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës – në mungesë të ndonjë deklarate zyrtare në kujtim të viktimave të torturës në Shqipëri dhe në Kosovë – ia vlen që vepra e At Zef Pllumit të shërbejë si pikënisje për kujtimin e viktimave të torturës komuniste në trojet shqiptare, si një përpjekje e domosdoshme për pajtim kombëtar.   Sidomos në këtë periudhë sot, kur jo vetëm indidvidë dhe organizata shtetërore e madje edhe përfaqsues të qeverisë shqiptare kanë bërë deklarata favorizuese për ish- regjimin komunist të Enver Hoxhës, që ka shkaktuar aq shumë vuajtje që përshkruhen me aq hollësi nga At Zef Pllumi – deklarata të zyrtarëve të lartë shqiptarë që, fatkqesisht, duket sikur kanë për qëllim jo vetëm shtrembërimin e fakteve historike, por edhe mohimin e tyre.  Madje edhe 30-vjet “post-komunizëm”, At Zef Pllumi nuk u lë të mohoni as të shtrembëroni historinë e vërtetë të vuajtjeve të shqiptarëve nën komunizëm! 

“Torturuesit duhet të ndëshkohen për krimet e tyre dhe regjimet të cilat mundësojnë torturat duhet të shemben ose të transformohen”, tha Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutierres, duke shtuar se “Tortura është një krim kundër njerëzimit”.  Kombet e Bashkuara e kanë dënuar që në fillim torturën si një nga aktet më të shëmtuara e të liga të njeriut kundër njeriut.  Tortura, sipas Kombeve të Bashkuara, ka për qëllim të asgjësojë personalitetin e viktimës, të mohojë dhe të dhunojë dinjitetin ekzistencial të njeriut. 

At Zef Pllumi nuk është më midis nesh fizikisht – por është gjithnjë me ne ashtu siç qëndronte gjithmonë — i pamposhtur, shpirtërisht dhe moralisht. Prandaj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës, të kujtojmë atë dhe dëshmitë e tija si due vikimat e torturave të ish-regjimit diktatorial komunist – ndër më të egërit e ish-botës komuniste.  Ashtuqë nepërmjet dëshmive të tija t’i bashkohemi botës së qytetëruar – të cilët si më sipër, me deklaratat e tyre shënuan këtë ditë për të kujtuar e nderuar mijëra viktima – të gjallë e të vdekur, “heronjë të heshtur” — të regjimit komunist të Enver Hoxhës që humbën jetën nga torturat më çnjerëzore, përballë një qëndrese paqësore.  Sidomos sot, 30-vjet “post-komunizëm”, kur heshtja zyrtare për krimet komuniste është mbytëse dhe refuzimi zyrtar i politikës shqiptare për tu përballur me atë të kaluar të errët të historisë kombëtare, ndërkohë që shumica e të mbijetuarve të torturave për të cilat ka dëshmuar At Zef Pllumi në librin e tij monumental, “Rrno për me Tregue”, po vdesin dalngadalë, ndërsa njohuria për “gulagun komunist shqiptar” po zhduket gjithashtu, sidomos në radhët e brezit të ri. Ndoshta ky është edhe objektivi, jo vetëm i përpjekjeve të viteve të fundit për të promovuar “të mirat” dhe “anën pozitive” të ish-regjimit komunist, siç kemi dëgjuar kohët e fundit nga zyrtarët më të lartë të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, por edhe i heshtjes së Tiranës zyrtare me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës. 

“Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell; një kohë për të grisur dhe një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur…” (Dhiata e Vjetër, Predikuesi 3:  

Bashkohuni me botën e qytetëruar! Ka ardhur koha për të FOLUR dhe për të kujtuar viktimat e pafajshme të torturave si dhe krimet e komunizmit gjysëm shekullore, në përgjithësi! 

See the source image
See the source image

                   . See the source image…   Disa nga udhëheqsit botëror që shënuan Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturave me 26 qershor, 2021 – Presidenti I Shteteve të Bashkuara, Joe Biden – Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutierres dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken

Filed Under: Featured Tagged With: At Zef Pllumi, Dita e Kujteses, Frank shkreli

Bllokimi i liberalizimit të vizave nga disa shtete për Kosovën, i paarsyeshëm

June 28, 2021 by dgreca

Konjufca në Parlamentin Evropian: Bllokimi i liberalizimit të vizave nga disa shtete është i paarsyeshëm /

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në Samitin e Dytë të Parlamentit Evropian me Kryetarët e Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, në të cilin u diskutua për rolin themelor të parlamenteve në procesin e zgjerimit të BE-së në epokën pas COVID-it dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar.  

Në fjalën e tij para europarlamentarëve dhe homologëve nga rajoni, kryekuvendari Konjufca foli për sfidat që i sollën botës virusi Covid-19 dhe dëmet që ai u shkaktoi shteteve në njerëz dhe në ekonomi. 

Duke e konsideruar mbylljen e shoqërive dhe pezullimin e aktiviteteve si një sprovë të pashembullt, kryekuvendari tha se po aq sa qe sfidë e madhe, në po të njëjtën masë ishte edhe etablim i një vlere të veçantë. 

“Më shumë se kurrë në historinë e botës njerëzimi e rizbuloi rëndësinë e solidaritetit. Për një moment të gjithë u ndjemë barbarësisht të cenueshëm ndaj këtij virusi të pamëshirshëm. COVID-i nuk zgjedh gjini, racë, përkatësi kombëtare e as religjioze, por as gjendje ekonomike. E kuptuam më mirë se çkado që ndodh me njërin do të ndodhë me të gjithë. E zbuluam, më shumë se që e dinim, se sa shumë e ndajmë botën të gjithë së bashku”, theksoi Konjufca.    

Kreu i Kuvendit në vazhdim foli për dëmet që pandemia i shkaktoi Kosovës dhe qytetarëve të saj. 

“Rasti i parë u identifikua më 12 mars të vitit të kaluar. Prej atëherë ndodhën mbi 107 mijë raste të infektimit. Piku i infeksioneve i afrohej 1000 rasteve për 24 orë. Mbi 2200 qytetarë të shtetit tonë fatkeqësisht nuk ia dolën në luftë me virusin. Dy herë u aplikua mbyllja e plotë, përveç veprimtarive shoqërore e ekonomike bazike e ekzistenciale. Për shkak të efektivitetit të masave, fillimit të vaksinimit masiv, por edhe përmirësimit të motit, këta tre faktorë kanë ndikuar që numri i infeksioneve të bie ndjeshëm. Qeveria ka paraqitur një plan ambicioz të vaksinimit masiv të popullatës që do t’i përfshinte 60% të atyre që kanë nevojë për vaksinim deri në fund të këtij viti”, tha kryekuvendari Konjufca. 

Ai shtoi se pavarësisht vështirësive të mëdha që i solli pandemia, kurrë nuk duhet të lihet në harresë projekti më i rëndësishëm – kompletimi i BE-së. 

Konjufca tha se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë të lidhura në mënyrë qenësore me qasjen e BE-së ndaj këtij rajoni të ndërlikuar e sensitiv. 

“Në të njëjtën masë që për ne është domosdoshmëri bashkimi në familjen evropiane, po sipas të njëjtës nevojë BE-ja e ka të domosdoshme përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në gjirin e vet. Mësimet e duhura i kemi të gatshme në histori”, theksoi kryekuvendari Konjufca. 

Ai tha se në fillim të viteve ’90-të në Evropë ka pasur edhe forca politike shkurtpamëse të cilat krizën e shpërbërjes së Jugosllavisë e shihnin si një zjarr të jashtëm ndaj të cilit kërkohej mbajtja e një distance të sigurt. 

“Pse t’i djegim duart pa nevojë në një mori luftërash që nuk janë tonat – thoshte motoja e tyre. Por pikërisht kjo qasje rrezikoi që zjarri të përhapej përtej Ballkanit. Ishte pikërisht ndërhyrja ndërkombëtare politiko-ushtarake në Ballkan më 1995 e 1999 ajo që i dha shans paqes dhe e stabilizoi rajonin tonë”, tha Konjufca. 

Qe 22 vite, shtoi ai, nuk ka më luftëra, ndërsa ato pak çështje të hapura që kanë mbetur po zgjidhen me bisedime. Por, siç tha Konjufca, optimizmi dhe entuziazmi i popujve të Ballkanit Perëndior për BE-në nuk është një adhurim i pakondicionuar. Sipas tij, në kushtet e sotme vendet e Ballkanit Perëndimor mund të ndjehen të lëna anash e të dezorientuara vetëm nëse shtetet kryesore të BE-së e aplikojnë doktrinën e cila quhet “njëherë thellim, pastaj zgjerim”. 

“Nëse krijohet një koncensus evropian ndaj kësaj strategjie, dëmi që do t’i bëhet Ballkanit Perëndimor do të jetë kolosal. Shpresoj shumë që projektet të cilat po shfaqen këto dy vitet e fundit nën formën e platformave të ‘bashkëpunimit rajonal’ si puna e MiniSchengenit, nuk e kanë funksionin e biberonit që e zëvendëson integrimin e BP në BE me një moratorium deri sa BE-ja ta kryejë thellimin e vet”, theksoi kreu i legjislativit të Kosovës. 

Në vazhdim të fjalës së tij, Konjufca tha se edhe mesazhet negative si ky që e mori Kosova qysh nga viti 2017 për liberalizimin e vizave, janë kontribut që e zvogëlon frymën e vlerave evropiane në vendin tonë. 

“Bllokimi i këtij procesi nga disa shtete anëtare është i paarsyeshëm. E në anën tjetër, as vonesat e BE-së apo mungesat e koncensusit evropian nuk duhet të na shërbejnë si justifikim për moskryerjen e detyrave shtëpiake.  Reformat në drejtësi, ekonomi, administratë e arsim janë të pazëvendësueshme. Forcimi i demokracisë dhe sundimi i ligjit, lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe fuqizimi i transparencës, si dhe mbrojtja e pakompromis e të drejtave të njeriut dhe pakicave janë ‘sine qua non’ i shoqërive të lira e të hapura”, tha në fund të fjalës së tij kryekuvendari Glauk Konjufca.​

Filed Under: Komente Tagged With: Glauk Konjufca, Parlamentin Europian

MODEL

June 28, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/ Jeta është sekondë e cila bëhet minutë, e zgjatet e zgjatet deri në kohë. Jeta ecën, është njeriu që ndalet, por humbjen nuk dëshiron ta pranojë. Siç ndodh me të pabesin që jeton me pika, vdes në çdo kohë, ose është asnjëherë gjallë. Kjo është arsyeja pse me Besën njeriu krenohet gjatë që prej kohërave që nuk dihen.
Është bërë natyrë e dytë që njeriu me përgjegjësi kur bën gabim kurrë nuk duhet të kërkojë ndjesë; njësoj si dikur edhe tani kur qeveritarët asnjëherë nuk kërkojnë falje për shumë abuzime. Paraardhësit vranë e prenë në luftë e luftë klasash dhe nuk patën ndonjë pasojë, thonë ata, atëherë pse ne sot të pranojmë vjedhjet e shkeljet, dhe të mos vrapojmë për të rizgjedhur veten, ose për një kockë që na hedhin? Çfarë komedie po luhet me turma pa çorape që brohorasin mes skandaleve dhe gafave të rënda të zyrtarëve nga më të lartët, të cilëve u zgjatet qëndrimi në vend që të japin me turp dorëheqjen, siç ndodh shpesh në raste edhe më pak të ngjashme në Perëndim. Duket se një mënyrë të tillë qeverisjeje bota e lejon si model që nuk duhet ndjekur.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, model

HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE NË RUMANI – KRYEPUNË E DR. LUAN TOPÇIUT…

June 28, 2021 by dgreca

Shkruan: Visar ZHITI/

“Sot ka dalë nga shtypshkronja libri im më i ri: “Istoria Literaturii Albaneze, de la origini până în prezent” (Historia e letërsisë shqipe nga  zanafilla deri më sot). Është realizimi i një pune shumëvjeçare. Vëllimi ka 868 faqe. Me këtë rast falenderoj të gjitha ata që bënë të mundur botimin e tij.”
Kaq shkruan në FB e tij Autori i Veprës me modesti heroike si ata studiuesit e manasatireve dhe  kuvendeve… 868 faqe… punë shumë vjeçare… falenderim botuesve…
Por flet Verpra e madhe, është e para Histori e Letrave Shqipe që del në Rumani, kur në përmasa të tilla gjithëpërfshirëse mungon dhe në Shqipëri.
Kjo histori, që është shumë më me rëndësi  se ajo e luftarave, se është histori e shpirtit dhe e krijimit,  pra dhe e identitetit, nis që nga hershmëria e gjuhës shqipe, kalon te letërsia e saj e vjetër, mesjeta, rilindja, e cila nën pushtimin otoman i shtypte veprat e veta në Rumani, te arbëreshët magjepsës, pavarësia, letërsia pas Luftës II Botërore, e reja, ajo e burgjeve dhe internimeve, e diasporës, deri në SHBA, etj, e deri më tani në shekullin XXI, shoqëruar me dokumente, imazhe, pasazhe librash, etj. E gjitha mahnitëse, do të thosha. Ngjarje kulturore – e kanë quajtur menjëherë në Rumani.
Duhet ta kishim në gjuhën shqipe së pari, por ishte Rumania ajo, tashmë vend i Bashkimit Europian, e cila kaloi nëpër kalvarin e diktaturës komuniste, jo aq rëndë si vendi ynë dhe nuk pati ndonje realizem socialist aq vrastar sa letërsia jonë, pra s’do të ishte Atdheu, por Rumania, që do ta mbante Dr. Luan Topçiun që të shpaloste punë dhe vlera, sa kombëtare, shqiptare dhe rumune, po aq dhe europiane e universale, duke arritur i vetëm të bënte atë që duhej tē bënin akademitë, universitetet, duke forcuar ndërkaq miqësinë dhe lidhjet me Rumaninë e dashur, më shumë se sa ambasadat e pergjumura, më shumë se sa Ministria e Punëve të Jashtme.
Na nëpërmenden ndërkaq arritjet e shumta të albanalogut kanadezo-gjerman Dr. Robert Elsie në kulturen shqiptare. Dhe pritej vazhdimi…
Luanin shqiptar, me afërisht 1.000 faqet e Historisë së Letërsisë Shqipe, duket sikur permbushi një punë mijëvjeçare, duke ngritur këtë Katedrale hijerëndë, ku Shqipëria është më e bukur, por dhe e përjetëshme…


Filed Under: LETERSI Tagged With: Historia e Letersise, Luan Topciu, Rumani, Visar Zhiti

KAMPIONATI EUROPIAN- SURPRIZON REPUBLIKA ÇEKE

June 28, 2021 by dgreca

NGA ALBAN KOLONJARI/

Republika Çeke suprizoi Kampionatit Evropian duke mundur Hollandën 2-0. Çekët rezervuan një vend në tetë më të mirat e Europës  duke shfrytëzuar epërsinë numerike të krijuar pasi  mbrojtësi holandez Matthijs de Ligt u përjashtua nga fusha me kartonin e kuq.  13 minuta nga fillimi i pjesës së dytë mbrojtësi hollandez De Ligt i mohoi Patrik Schick një mundësi të qartë për shënim duke e prekur topin me dorë në hyrje të zonës. Gjyqtari i dha atij fillimisht kartonin e verdhë, por VAR ndërhyri dhe ai u largua me kartonin e kuq. Kartoni i kuq rezulton i kushtueshëm për hollandezët.  Të ngelur me 10 lojtarë, hollandezët në thelb u shembën. Askush nuk foli, askush nuk e mblodhi ekipin. Askush nuk u bë lider në fushën e lojës. Në vend të kësaj ata thjesht u tkurrën. Nuk ka asnjë rregull që skuadrat e shteteve që janë një njeri më poshtë duhet të mbrohen dëshpërimisht, kjo ishte pikërisht ajo që bëri Hollanda beri duke u dukur si një ekip i hutuar nga fatkeqësitë. Hollandezët ishin bllokuar, të paaftë për të bërë një pasim të saktë për të lëvizur në fushë përtej murit të bardhë të trashë dhe muskuloz të cekeve . Pas një krosimi të ardhur nga këndi, ishte mbrojtësi Kalas që kërceu mbi të gjithë dhe shërbeu për Holes, me këtë të fundit që shfrytëzoi edhe një dalje të gabuar të portierit Stekelenburg, për të dërguar topin në rrjetë. Pamjet e përsëritura të japin idenë e një loje “volejbolli” në plazh ku futbollistët cek pasojnë tek njëri tjetri të pashqetësuar nga hollandezët. Në minutën e 80’ çekët zbresin në një kundërsulm të shpejtë dhe gjejnë golin e dytë, këtë herë me autor Patrick Schick, që shkon në kuotën e 4 golave të shënuar në këtë Europian, një më pak se Ronaldo që është në kuotën e 5-golave por që nuk ka më ndeshje në dispozicion sepse Portugalia tashmë është eleminuar.
Ylli i Ndeshjes: Reagimi i HolešYlli i Ndeshjes: Tomáš Holeš (Republika Çeke)”Ai e vendosi ndeshjen me golin e tij dhe asistimin e tij për golin e dytë. Ai ishte i shkëlqyeshëm në mes të mesfushës si mesfushor i skanimit. Ai e luajti atë të sigurt në një pozicion të rëndësishëm.”Tomáš Holeš, Republika Çeke: “Unë kryesisht kam detyra mbrojtëse në lojë, dhe ndonjëherë e përdor atë në avantazhin tim sepse mbrojtësit nuk më shënojnë. Jam i lumtur që luaja mirë sonte.”
Frank de Boer, trajner i Holandës: “Ata ishin kundërshtarë të vështirë, por unë mendova se ishim më mirë deri në kartonin e kuq. Ne e dominuam lojën. Denzel [Dumfries] arriti në vijë dy herë në pjesën e parë dhe po ashtu edhe Patrick [ van Aanholt]. Por në secilin rast, topi përfundimtar mund të ketë qenë më i mirë. “
Zhgënjimi holandez i De BoerPatrik Schick, Republika Çeke përpara: “Nuk mund të kishte shkuar më mirë. Greatshtë e mrekullueshme. Askush nuk e priste që ta bënim deri më tani. Të mposhtim Hollandën dhe ta bëjmë këtë mirë është fantastike. Unë mendoj se secili nga mbështetësit tanë këtu këtu kishte një kohë e mrekullueshme. It’sshtë e pabesueshme “.
Matthijs de Ligt, mbrojtës i Holandës: “Sigurisht, ndihet keq. Ne në thelb humbëm për shkak të asaj që bëra. Në mendje, unë nuk duhet ta kisha lejuar topin të kërcej. Mendova se kishim ndeshjen nën kontroll. Ne kishim disa shanse, veçanërisht në pjesën e parë. Unë nuk kisha ndjesinë se ata krijuan shumë raste. Por kartoni i kuq padyshim që bëri ndryshimin. “
Georginio Wijnaldum, kapiten i Hollandës: “Golat që dhuruam, shanset që nuk i shfrytëzuam. Kjo është gjithçka që po kalon nëpër kokën time. Pas kartonit të kuq, e patëm të vështirë t’i vëmë nën presion. Gjërat thjesht u bënë më të vështira për ne. Çekosllovakia / Republika Çeke kanë fituar katër nga pesë çerekfinalet e tyre EURO.Duke përjashtuar gjuajtjet e penalltive, Hollanda ka fituar vetëm një nga tetë ndeshjet e tyre të fundit eliminuese të turneut përfundimtar EURO (W1 D4 L3).Hollanda ka humbur tre ndeshjet e fundit të eliminimit të turneut përfundimtar në EURO.Republika Çeke ka fituar pesë nga shtatë ndeshjet e fundit ndërkombëtare kundër Hollandës (W5 L2).Republika Çeke ka shënuar dy ose më shumë gola në pesë nga shtatë ndeshjet e fundit ndërkombëtare kundër Hollandës.Republika Çeke ka shënuar më shumë se një gol në vetëm tre nga nëntë ndeshjet e fundit të turneut EURO.Goli i Tomáš Holeš është i pari që Republika Çeke ka shënuar në fazën e eliminimit në EURO që nga Milan Baroš në këtë ditë në 2004, në një fitore 3-0 ndaj Danimarkës në çerekfinale. 

Filed Under: Sport Tagged With: Alban Kolonjari, Europiani, Surprizon Çekia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT