Presidenti Thaçi: Për Kosovën është hapur një kapitull i ri evropian
-Mirënjohje për Parlamentin Evropian për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe për besimin e patundur në institucionet dhe qytetarët e Kosovës dhe në orientimin e tyre evropian/
PRISHTINË, 16 Maj 2016/Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim një delegacion të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, të kryesuar nga eurodeputeti Tonino Picula, të cilët i falënderoi për vizitën e tyre, duke thënë se për Kosovën është hapur një kapitull i ri evropian.
“Ky është vit evropian, është një bazë e fuqishme për shtetin tonë, duke filluar nga miratimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, fillimi i zbatimit të saj, si meritë dhe punë e institucioneve të Kosovës, gjithnjë duke pasur parasysh obligimet e reja implementuese”, ka thënë presidenti Thaçi.
Thaçi shprehu mirënjohje për Parlamentin Evropian për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe për besimin e patundur në institucionet dhe qytetarët e Kosovës dhe në orientimin e tyre evropian.
I pari i vendit theksoi se kulmi i këtij suksesi është arritur me përmbushjen e të gjithë kritereve për rekomandimin për liberalizimin e vizave, me ç’rast u zotua se edhe si President i Kosovës do të mbetet i përkushtuar për kryerjen e të gjitha obligimeve që të ndodhë liberalizimi sa më shpejt të jetë e mundur, duke përfshirë grupet e veçanta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
“Këto ditë janë pozitive për Kosovën edhe për sa i përket anëtarësimit të shtetit tonë në UEFA dhe FIFA, prandaj po ndodhin hapa të rëndësishëm për të ardhmen evropiane dhe për integrimin e Kosovës në të gjitha institucionet ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.
Në këtë takim u diskutua edhe për pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, me ç’rast presidenti Thaçi tha se Kosova vazhdimisht po ofron argumente edhe më bindëse për Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron që të kompletohet njohja evropiane e Republikës së Kosovës.
“Kosova ngulmon për zbatimin e të gjitha kritereve dhe reformave demokratike, qoftë në legjislacion, ekonomi apo në politikë, dhe se do të vazhdojë dialogun e brendshëm, sidomos tani pas rikthimit të normalitetit në funksionimin e institucioneve të vendit”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë dialogun me Serbinë, me theks të posaçëm në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, si dhe do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha fenomeneve të tjera negative.
Për ta bërë këtë, presidenti Thaçi ka thënë se ka iniciuar edhe ndryshimin e Kodit Penal, sepse janë vërejtur disa boshllëqe në sistemin prokurorial, gjyqësor apo të qendrave korrektuese dhe se vendi mbetet i përkushtuar për reformën elektorale./b.j/
DIASPORA- U mbajt seminari i mësueseve shqiptare në Greqi
Anila Kila: “…bashkë bëjmë mrekulli” …dhanë shumë për seminarin: Ilira Ndrio Bakalli, Mimoza Hida, Ermira Morina, Alma Zekollari. Përpjekja madhore e mësuesve obligon institucionet e shtetit shqiptar të zgjohen nga agonia./
Nga Hazir Mehmeti /
8 maj 2016, Kallabaka. Organizuar nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi, u mbajt seminari me temë “Shkëmbim përvojash”, ku morën pjesë shumica e mësueseve në Greqi.
Nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë ishin të pranishëm Anila Ferizaj dhe Besnik Rama, Dr.Olimbi Velaj, pedagoge nga Durrësi. Nga MASHT së Kosovës Nuhi Gashi dhe nga Ministria e Diasporës e Kosovës ishte prezent Ymer Avdiu, Nga stafi konsullor shqiptar mori pjesë Moira Metani, konsull në Greqi. Nga vendoret e pranishme ishte Lila Badeka, nënkryetarja e Bashkisë së Kallabakes,dhe përgjegjëse për arsim, ajo mes tjerash tha: ”Është më rëndësi gjuha amtare dhe dua ta falënderoj mësuesen e vyer Merita Ymeri për përpjekjet e saj në kultivimin e vlera gjuhësore e artistike. Ndihem mirë që seminari mbahet në bashkinë tonë. Kjo na obligon në respekt ndaj gjithë asaj çka mësuesit arrijnë në punën e tyre”
Hapjen e punimeve të seminarit i beri .Anila Kila, kryetare e Lidhjes së Mësuesve Shqiptare në Greqi e cila përshëndeti në emër të organizatorit, kure mësuesja në Kallabaka, Merita Ymeri në fjalën e saj falënderoi mysafirët dhe seminaristet. Ajo e filloi programin me nxënësit e saj. Ishte emocionuese përshëndetja e seminaristëve nga fëmija katër vjeç, Dashamir Ymeri i cili u përcoll me duartrokitje. Me programin e tyre të bukur u paraqiten nxënësit Anita Sinajlaj nga Shkodra; Marinela Sina, Brisa Ymeri dhe Erika Ymeri nga Elbasani; Silvia Elezi nga Berati ,Evita Coku nga Tirana. prezantuan me disa pika të këndshme artistike, valle, recitime dhe këngë. Kostumet e tyre kombëtare krijonin kolorit tërheqës në sallën e bukur. Disa nxënës të cilët për shkaqe të ngutshme familjare mungonin recituan në monitorin e përgatitur me shije, pak që dallohej nga loja në skenë, Ada, Sadihe e Sami Dervishi nga Berati dhe Sara Agalliu nga Mallakastra.
“Do të mbështesim aktivitete të mësuesve në Greqi me mundësitë tona të kufizuara. Për kuizin e diturisë ndajmë donacion dhe për disa shpenzime të kufizuara të seminarit që po mbahet. Diaspora shqiptare është e pandarë pa marr parasysh nga cili cep shqiptar vjen” u shpreh në fjalën e tij përshëndetëse Ymer Avdiu, drejtor dikasteri në Ministrinë e Diasporës. Gazetari i njohur Rexhep Rifati nga Zvicra u paraqit para seminaristëve me pamje fotografike nga disa treva historike shqiptare deri në Kalabrinë përtej Adriatikut nën përcjelljen e zërit madhështor të Vaçe Zeles. Ishte kjo temë sa çlodhëse aq inspiruese e frymëzuese në punën madhore me gjeneratat e reja në ruajtjen e gjuhës shqipe. Shembulli i shkëlqyer ishin pamjet nga arbëreshet në Kalabri ku e ruajtjen gjenin e tyre shqiptar shekujve. Mësuesja nismëtare e mësimit shqip në Greqi, tani jashtë procesit mësimor, Mimoza Dako kishte dërguar letër përshëndetëse emocionuese nga larg. U lexua nga biografia e hkrimtarit të njohur Iljaz Bobaj, i cili përshëndeti punimet e seminarit. Pjesëmarrësit i përshëndeti aktivisti i njohur dhe njëri nga themeluesit e mësimit shqip në Greqi, Jovan Mëhilli. Me pajtimet e Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri dhe Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit me tyre. Ky do ngritë shkallën e kontakteve, informatave, materialeve mësimore me rëndësi për mësimdhënie e afirmim gjuhësor.
Me kumtesë nga praktika mësimore “Orë mësimore në klasën heterogjene” u paraqit mësuesi nga Austria, Hazir Mehmeti, “Mësimi në klasat heterogjene kërkon angazhim të veçantë. Puna në grupe mësimore me tekstet e reja nga projekti i përfunduar ka përparësi didaktike e metodike. Puna e pavarur e nxënësve është e konceptuar në strukturën e teksteve me të cilat punojnë shumica e mësuesve në mërgatë” Çdo fazë e orës mësimore ishte e ilustruar me foto krahas tekstit. Nuhi Gashi (MASH e Kos.) mbajti kumtesën “Shkolla shqipe dhe kompetenca ndërkulturore”. Tema shtjellon efektet pozitive të hapësirës shumë-kulturore ku nxënësit shqiptarë janë pjesë aktive, roli i mësuesit, aktiviteteve kulturore prezente etj.Dr.Olimpi Velaj, zv.dekani në Fakultetin e Edukimit “Aleksandër Mosiu” u paraqit me temën “Metodika bashkëkohore në mësimdhënien e lëndës së letërsisë”. Mësuesja në Selanik, Aurela Konduri dhe Nasta Paraskeva, mësuese dhe shkrimtare, u prezantuan me temën: “Nëna ime: Si një libër me ilustrime, hap rrugën për një projekt, takim gjuhësh dhe kulturash në mjedisin dygjuhësh të shkollës shqipe, pranë shoqatës së emigrantëve shqiptarë “ Nënë Tereza”, në Selanik.”
Ishte ky një seminar shembull edhe për vendet tjera, se si duhet shkëmbyer përvojat në mësimdhënie, aktivitete kulturore, qëndrim ndaj shkollës shqipe, ndaj integrimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. Porosi seminari: Formimi i personalitet të së ardhmes është i plotë vetëm me ruajtjen e identitetit të tij kombëtar.
NATO forcon mbrojtjen raketore në Europën Lindore
NATO forcon sistemin e mburojës raketore në Europën Lindore, me një bazë të re amerikane në Poloni. Ushtarakë nga e gjithë bota si dhe ministri i Jashtëm polak morën pjesë në vendosjen e gurit të themelit për sistemin e ri të mbrojtjes raketore në fushën pranë Slupskit. Projekti është pritur me protesta nga vendasit, kryesisht për arsyen, sepse ata ndihen të mashtruar lidhur me zhdëmtimin. Sistemi i mbrojtjes nga raketat do të ndërtohet vetëm 3.5 km larg bashkisë. “Për ne kjo është një katastrofë”, thote Robert Biedron, i cili është që prej një viti kryetar bashkie në qytetin me rreth 90 mijë banorë. “Në një distancë prej 15 km përreth kësaj zone këtej e tutje nuk do te lejojet te ndërtohet më asgjë, pa miratimin e Departamentit Amerikan te Shtetit”, ankohet ai. Sipas kryebashkiakut, sistemi ka shkaktuar një efekt të madh frike ende pa u ndërtuar, në radhë të parë për investitorët. Në këtë sistem bën pjesë edhe një impiant në Deveselu në jug të Rumanisë. Që nga fundi i vitit 2015, ai është i gatshëm për përdorim dhe të enjten u vu zyrtarisht në funksion. Të dy komplekset në Europën Lindore janë pjesë e një sistemi mbrojtës Aegis, që synon të mbrojë partnerët europianë nga sulmet raketore nga Lindja e Mesme. Pjesë e tij është edhe një impant i madh radarësh në Turqi dhe katër anije të SHBA-ve me raketa mbrojtëse të ankoruara në jug të Spanjës. Qendra e komandës ndodhet në Gjermani, në bazën e aviacionit luftarak të SHBA-ve Rammstein. Në samitin e NATO-s në fillim të korrikut në Varshavë, ky sistem do të vihet nën kontrollin e NATO-s. Rusia, e cila ndihet e provokuar, ka ngritur zërin për kërcënim të sigurisë së saj. Ministria e Jashtme ruse argumenton se ky kompleks ka kapacitet edhe të hedhë raketa dhe përbën kësisoj një rrezik për ekuilibrin strategjik. Por, për analistët,qëndrimi i Moskës nuk është gjë tjetër veçse propagandë.
Kosovë-Shqipëri, ministritë e financave bashkëpunim intensiv
-Delegacioni i Ministrisë së Financave të Shqipërisë vizitë zyrtare në Kosovë. Mbahet tryeza “Dialogu ndërshtetëror: Të bërit biznes – sfidat e qasjes në tregjet respektive”/
-Dakordim që pas analizimit të të gjitha hapave, Porti detar i Durrësit të ketë procedura unike për eksportuesit nga Kosova, pra kjo të jetë ndalesa e vetme e bizneseve kosovare/
PRISHTINË, 16 Maj 2016-B.Jashari/ Në Prishtinë po qëndron sot për vizitë zyrtare një delegacion i Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë, i prirë nga ministri Arben Ahmetaj, të cilin e priti ministri kosovar i Financave Avdullah Hoti. Në ambientet e qeverisë së Kosovës u mbajt tryeza “Dialogu ndërshtetëror: Të bërit biznes – sfidat e qasjes në tregjet respektive”. Në këtë tryezë u morën pjesë delegacioni i Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë i kryesuar nga ministri i Financave Arben Ahmetaj, delegacioni i Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministri i Financave Avdullah Hoti, si dhe përfaqësues të odave/dhomave ekonomike të të dy vendeve. Vizita zhvillohet derisa po bëhen përgatitjet për mbledhjen e tretë të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë në 3 qershor 2016 në Prishtinë, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, të tretën pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014 dhe të dytës në Tiranë në 23 mars 2015.Deklaratë e përbashkët e Ministrit të Financave të Republikës së Kosovës Avdullah Hoti dhe Ministrit të Financave të Republikës së Shqipërisë Arben Ahmetaj , nga vizita zyrtare e ministrit Ahmetaj në Prishtinë:
Ministria e Financave e Kosovës dhe Ministria e Financave e Shqipërisë, kanë një bashkëpunim intensiv me qëllim krijimin e një klime të favorshme për sipërmarrjet në të dy vendet.
Ne kemi arritur një numër marrëveshjesh që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e një ambienti të favorshëm të të bërit biznes. Gjithashtu, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që do të mbahet me 3 qershor, do të nënshkruhen dy marrëveshje mjaft të rëndësishme në drejtim të unifikimit të tregjeve dhe lehtësimit të procedurave. Jemi dakorduar gjithashtu për ngritjen e grupeve teknike të përbashkëta të punës për shqyrtimin e propozimeve të reja.
U dakorduam që pas analizimit të të gjitha hapave, Porti detar i Durrësit të ketë procedura unike për eksportuesit nga Kosova, pra kjo të jetë ndalesa e vetme e bizneseve kosovare.
Një tjetër çështje e dakorduar është që shumë shpejt të bëhet njohja reciproke e të gjitha certifikatave dhe licencave të lëshuara nga autoritetet të shteteve përkatëse.
Në vlerësimin tonë një çështje mjaft e rëndësishme, me impakt të drejtpërdrejtë në shkëmbimet tregtare të zonave kufitare të dy vendeve, është që bizneseve që shtrihen në një zonë me rreze prej 20 km, t’u mundësohet shkëmbimi tregtar me procedurë të thjeshtësuar.
Puna e Doganës shqiptare në 24 në 7 dhe dakordimi për funksionimin e kanalit të gjelbër për kalimin e produkteve të freskëta është një hap konkret në bashkëpunimin tonë. Një progres tjetër që është bërë në bashkëpunimin tonë është edhe tek çështja e licencimit të produkteve farmaceutike.
Krijimi i një zyre të përbashkët doganore është një pikë tjetër me të cilën ne sot bashkërisht u dakorduam që të punojmë intensivisht që të realizohet shumë shpejt. Çështja e kostos së qëndrimit në terminalet doganore është një shqetësim i sipërmarrjes, të cilin jemi duke e adresuar së bashku me ekipet tona në të dy Ministritë në mënyrë që të ofrojmë së shpejti një zgjidhje në favor të sipërmarrjes.