• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Krijuesit shqiptarë në Suedi

March 29, 2016 by dgreca

Poezia, kjo fuqi magjike/

Pos krijuesve shqiptar në festivalin” Sofra Poetike, që u mbajt në Boros të Suedisë, morën pjesë edhe shkrimtarë suedez dhe të komuniteteve tjera që jetojnë në këtë vend skandinav./

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Qendra Kulturore Shqiptare “ Migjeni” në Boros të Suedisë, në kuadër të shumë aktiviteteve konkrete që po zhvillon një kohë të gjatë, së bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “ Papa Klementi XI Albani” që vepron në këtë shtet skandinav, për herë të katërt organizuan manifestimin letrar i titulluar “ Sofra poetike në Boros”, i cili u mbajt dje e në të cilin morën pjesë krijues e dashamirë të fjalës së shkruar jo vetëm nga Suedia, por edhe nga disa vende evropiane si dhe poet e miq suedez. Sipas njërit nga organizatoret të këtij eveniment, Sokol Demaku ky manifestim  që tashmë është bërë tradicional qëllim kryesor ka kultivimin dhe ruajtjen e poezisë shqipe në mërgatë. Thënë konkretisht, kjo veprimtari ka për qëllim që ta kultivoj e ruaj gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgim në këtë pjesë të Evropës. Njëkohësisht ky manifestim, kjo sofër, paraqet një shtytje e nxitje për të gjithë ata që janë të prirur të merren me shkrime që ta gjejnë vetën këtu, të veprojnë kështu në mënyrë të organizuar dhe nesër të krijojnë vepra më të mira letrare, artistike e kombëtare. Më pas ai foli edhe rreth aktivitetit të pasur e me përmbajtje që po zhvillon Shoqata kulturore shqiptare “ Migjeni” në Boros të Suedisë, e cila është bërë një faktor i rëndësishëm në kultivimin dhe ruajtjen e gjithçkaje që është shqiptare si dhe në integrimin e shqiptarëve në rrjedhat e shoqërisë suedeze. Kulmin e suksesit kjo shoqatë e ka arritur kur pas një pune të madhe dhe kontakteve të zhvilluara me organe e institucione kompetente u bë e mundshme që në kuadër të saj të funksionoj me mjaft sukses radio e kanali televiziv lokal. Po ashtu, anëtarët e kësaj shoqate po organizojnë aktivitete të shumta kulturore që po tubojnë jo vetëm pjesëtar të komunitetit shqiptar, por miq të komuniteteve tjera që jetojnë në këtë komunë e më gjerë. Ndërkaq, Hysen Ibrahimi, kryetar i SHSHASH” Papa Klementi i XI Albani”, të pranishmit i informoj lidhur me aktivitetin e madh që po zhvillon ky asosacion . Ai me shifra e fakte konkrete vuri në dukje se anëtarët e shoqatës së shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptar kanë bërë punë të madhe në botimin e librave të rinj dhe në fusha të tjera të krijimtarisë.

Me poezitë e tyre në këtë festival u paraqitën u paraqitën Hamit Gurguri, Axin Welat, Soleyman Ghasemiani, Bajram Muharremi, Fetah Bahtiri, Shuquri Sejdiu, Louise Halvardson, Henric Mimerson, Elhame Zhitia Krasniqi,Mona Juniku, Shaban Osmani,Muhamet Krasniqi,Remzi Basha,Emine Hoti, Edona Heta Sejdiu, Idriy Gashi, Ibrahim Abedini dhe Hysen Ibrahim.

Në këtë tubim mori pjesë edhe Zyrtarja e lartë e Komunës ës Borosit, Ida Legnemark, e cila pos tjerash tha se në në komunë jetojnë rreth 3500 pjesëtar të komunitetit shqiptar të cilët me sukses janë integruar në shoqërinë suedeze dhe janë një shembull i mirë i punës, mësimit ndihmës së zhvillimit të përgjithshëm në mjedisin ku ata jetojnë.

Poezia përmban mesazhe të rëndësishme

Në këtë tubim të rëndësishëm poetik, u lartësua poezia si një fuqi magjike që po arrin t’i tuboj krijues e dashamirë të fjalës së shkruar nga shumë vende të botës. Në poezitë e lexuara me këtë rast motiv  kryesor i krijuesve ishte dhimbja për atdheun, pastaj në këto krijime jetojnë edhe lirika, lumturia e dashurisë dhe optimizmi. Zaten të gjitha këto janë pjesë përbërëse në poezinë shqipe. Kuptohet se në këtë poezi jetojnë edhe lirika, lumturia e dashurisë dhe optimizmi. Poezia ka veti dhe aftësi të mrekullueshme për të shprehur gëzime dhe hidhërime, vuajtje dhe fitore, shpeshherë në pak rreshta. Poezia kalon nëpër shekuj dhe përmban mesazhe të rëndësishme edhe për njerëzit e kohës sonë. Për këtë arsye ky manifestim tash e katër vjet me sukses ka futur përsëri  kulturën shqiptare dhe poezinë në qendër të vëmendjes duke shpresuar që të kemi dobi dhe kënaqësi nga dita e Sofrës poetike”. Hamit Gërguri, autor i disa librave në gjuhën shqipe e suedeze, ndër të tjera theksoi se në shqiptarët erdhëm në këtë vend të largët e të ftohtë, por me zemër të ngrohtë. Gjetëm strehim, bukë e përkujdesje dhe buzëqeshjen e parë kur ikëm nga ato përndjekje barbare që na i bënte regjimi fashist serb. Ne, krijuesit dhe artistët shqiptar, me punën tonë po bëjmë përpjekje që ta rrisim dhe pasurojmë degën në atë drurin e pasur kulturor të Suedisë. Shuquri Sejdijaj, krijues dhe gazetar, pos tjerash, u angazhua që të kihet parasysh në kultivimin e drejt të gjuhës shqipe për shkak se, sipas tij, kohëve të fundit është i pranishëm një bastardim i gjuhës sonë të bukur. Këtë pos tjerash, fatkeqësisht mund ta vëresh edhe në disa medie e portale jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri dhe troje tjera etnike shqiptare.

U ndanë tetë shpërblime për poezitë më të mira

Sofra poetike ka edhe karakter garues ndaj edhe u ndanë tetë shpërblime për krijimet më të mira poetike, katër i ndanë Shoqata “ Migjeni” dhe katër të tjera Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar “ Papa Klementi XI Albani.  Të shpërblyerit janë Elhame Zhitia Krasniqi,  Fetah Bahtiri,Bajram Muharremi, Louise Halvardsson, Henrik Mimersson, Mona Juniku, Shaban Osmani, Idriz Gashi,Shuquri Sejdiu. Në këtë tubim u promovuan edhe Librat e autorëve shqiptar që jetojnë e veprojnë në këtë vend skandinav: Hamit Gurgurit, Hysen Ibrahimit, Sokol Demakut, Fetah Bahtirit, Emine Hotit, Mona Junikut, Bajram Muharremit- Bistrica dhe Antalogjija e “ Sofres Poetike”.

SHSHASH “Papa Klemnti XI” dhe QKSH “ Migjeni” që veprojnë në këtë shtet të largët meritojnë lëvdata për një punë të mrekullueshme që janë duke bërë këtu në mërgim me synimin e vetëm që në këtë mënyrë t’i shërbejnë rinisë sonë, popullit tonë dhe atdheut të cilin e duan aq shumë të gjithë këta krijues, shkrimtarë e veprimtarë. Po ashtu, qëllimi i këtij manifestimi është që t’i afroj njeri me tjetrin krijuesit shqiptar me krijuesit e vendit ku ata veprojnë e krijojnë, pra me poet suedezë dhe poet të komuniteteve tjera që jetojnë e veprojnë këtu.

 

Filed Under: Mergata Tagged With: kjo fuqi magjike, poezia, Xhavit Citaku

Prek Cali – Legjenda e Kelmendit

March 29, 2016 by dgreca

Nga Arber Gashi/

Preka (Hasanaj-Selmanaj) në Malin e Jushit (Rranzat e Bushatit), fëmija i parë i Cal Metit dhe Rudes. Kishin pasur një vajzë e tre djem. I pari ishte Preka, Toma, që nuk e pati jetën e gjatë, mbasi si fëmijë u mbyt tek po lahej në ujërat e ëmbla të lumit fushor Buna. Një tjetër fatkeqësi, rëndon familjen Cali, moshën 21 – vjeçare, djali i tretë, me armë zjarri aksidentalisht humbet jetën. Motra e vetme e Prekës, Lula, kur u rrit u martua në Rapsh të Hotit me Syn (Gjelosh) Mashin.

Preka gjatës jetës së tij u martua dy herë. Me gruan e parë, Dranden, jetoi shumë pak sepse ajo vdiq e re, nga sëmundja më e përhapur e kohës në Malësi, që ishte tuberkolozi, duke i lënë një vajzë të vetme Agen në moshën 4 vjeç. Kurse nga martesa e dytë me Pashkë Prekën, nuk pati fëmijë. Sikurse dihet Pashka, vinte nga dera e patriotit e luftëtarit të shquar Gjekë Selcës. Pas pushkatimit të kryetrimit kelmendas, u detyrua të braktisë kullën në Vermosh, të cilën e përvetësoi pa të drejtë regjimi, për nevoja të veta ushtarake. Pashka, mundi të gjente strehim në shtëpinë e malësorit Dak Lucit, gruaja e të cilit Gjystja, ishte mbesa e Prekë Calit, ku, qëndroi për shumë vite deri sa mbylli sytë në fund të viteve ’60.

Në Konferencën e Londrës të vitit 1913, Fuqitë e Mëdha të Europës, vendosën arbitrarisht kufijtë mes pjesës veriore të Shqipërisë e shteteve kufitare: Mali i Zi (Malësia) e Serbisë (Dardania). Marash Mali, sot i moshuar me banim në Florida (USA), sërisht kujton vendosmërinë e Prekës për çështjen e kufijve, duke iu dretjuar Komisionit, që kishte dalë në terren e po verifikonte kufijtë: “…Shtetet e Mëdha dhe ambasadorët e tyne, Komisioni Qendror i Kufijve edhe deri Gjykata e Hagës, Native American i ka njoftë si toka shqiptare. Ju si amanetqarë të Misionit, që keni marrë përsipër jeni tue e shpërdorue. Ato zhgarravina në hartë nuk i njofim. Me ne, nuk ka mujtë me luejtë as ushtria e Sulltanit turk. Këto troje i kemi larë me gjak, gjatë gjithë shekujve, kundra atyne që deshtën të Native American i marrin.

Edhe sot luftarët e Kelmendit, janë gadi të vdesin për trojet e veta, ashtu si dikur të parët e tyne. Prandaj ndigjoni fjalët që po ju them: Mos kërkoni të luani me kufijtë tanë, që janë aprovue se është tokë shqiptare, përndryshe…Mendohuni mirë se atë majë nuk e kaloni lehtë! Njeni nga të Komisionit tha: – “Zotni Cali, për pak çaste Komisioni don me bisedue mes vedi.” Ata u larguan në nji anë dhe nuk qëndruan shumë. Meqenëse i kuptuan intrigat e përfaqësuesve jugosllavë, vendimin e morën shpejt. Kur u kthyen njeni prej delegatëve iu drejtue Prekës, duke i folur: – “Zotni Cali, Komisioni, vendosi që ju bashkë me shokët që ju shoqërojnë t’i prini Komisionit, duke e shkel terrirorin tuej që keni pas me fqinjët.” Mjerisht Brada e Vezirit mbeti jashtë kufijve, se ishte tepër në thellësi të territorit jugosllav. Ajo ishte pronë e shkrelasit Gjon Nik Sykut, njeni nga familjet e njohuna shkrelase me banim në Breg të Matës. Ai çdo verë dilte në atë bjeshkë me kopenë e madhe të bagëtive, me autorizim të autoriteteve malazeze.

” Emri me veprën e tij mbushur me atdhedashuni, u bë simbol qëndrese, për malësorët, që e mbështetën, mbasi e deshtën me gjithë zemër. Popullariteti i Prekë Calit, ishte i padiskutueshëm. Ja disa pasazhe përshkrimi, të kryetrimit azgan: “Bile, ai qe i vetmi malësor, që u bë i njohur deri në selitë e krajlive europiane. Ndue Gjon Smajli, një plak shumë i vjetër kelmendas, i cili në vitet shtatëdhjetë ishte akoma i gjallë, kishte qenë njeriu më i afërt i Prekë Calit në veprimtarinë e tij për çështjen e kufijve veriorë. Ai më pati folur edhe për një dokument identiteti të Prekë Calit, të firmosur dhe vulosur nga shtatë krajla. Sipas këtij dokumenti, Prekë Cali konsiderohej njeriu i paprekshëm nga shtatë krajlitë. Një lloj imuniteti i veçantë, që zor ta ketë pasur ndonjë shqiptar tjetër. Mbase ishte pikërisht ky imunitet, tek i cili besonte Prekë Cali, që e shtyu të dorëzohej i gjallë, pas dështimit të Kryengritjes së Kelmendit.” (Spathari, f. 93).

E Preka, lëshoi kushtrimin ndër malësorë, se “gjallë a vdekun” tokat shqiptare si amanet brezash, do t’i ruaj përmes tytës së ngrohtë të pushkës.

Malësia në mote, ka mbrojtur trojet me dinjitet e krenari nacionale. “Vendasit ndër shekuj, kanë shkruar historinë me gjak arbëror, me një betim solem të quajtur ‘tabe’, që do të thotë besëlidhje e qëndrueshme, me moton: “Besa e Zotit, është besa e burrave, për Nder – Atdhe – Besë e Fe”. “Lidhja e Shkodrës”, e organizuar mes maleve më 13 maj 1944, erdhi si imperativ i kohës, kundërpesh e çerdheve me gretha të frontit komunist, që ishin krijuar (si kërpudhat pas shiut), për të ardhur në pushtet me krime e mashtrime ideologjike. E gjithë programi konkret nga fraza e parë dhe deri tek e fundit, përshkruante vendosmërinë luftës deri në fund ndaj komunizmit si terror i zi, nami i së cilës kishte marrë dhen si epidemi, e po synonte të trokiste drejt Veriut të Shqipërisë. Pjetër Smajlaj, sjellë nga kujtesa episode, që i ka rrëfyer babai Kolë Pjetër Smajlaj me miq, që kanë bujtur shpesh në familjen e tyre bujare. Preka, gjithnjë ka qenë i veshur me kostumin popullor tradicional të Kelmendit, me ornamentet e qendisura me kujdes nga vendasit. Ai, asnjëherë nuk e ndante nga brezi koburen e argjentë, që ia kishte dhuruar Mbreti Ahmet Zogu I. E pinte shumë duhanin e fortë të Sheldisë me çibuk. Mendimi i tij visar, përparimtar e i guximshëm, dallohet për mprehtësi e logjik të shëndosh në bashkbisedimet me të huajt e bashkatdhetarët e çdo krahine të Shqipërisë. Ai me Malësi, ka zbatuar me ndërgjegje normat ligjore kanunore, që buronin mirëfilli nga ‘Kanuni i Lek Dukagjinit’. Kanuni, mori emrin e Lekës si Princ i Veriut të Shqipërisë. Ai ishte mik i Gjergj Kastriotit, rival dhe zot i zonave të kufizuara me Kryetrimin e Krujës, që pas vdekjes së Gjergjit, për 10 vjet (1467 – 1477), rifilloj luftën kundër ushtrisë së Perandorisë turke. Ky ligj (Kanun), është një kompleks parimesh, ligjesh, normash, zakonesh, me të cilat rajoni malor është qeverisur gjatë, në epokën kur turqit zotëronin drejpërdrejt në pjesën tjetër të Shqipërisë. Për zbatimin e tyre, ka vendosur populli i krahinës… Preka, ishte e mbeti më i dëgjuari e i respektuari në kohën e vet në viset e Veriut. Ende sot, flitet e shkruhet me respekt nga autorët e rinj, që me dokumente autentike po venisin helmin e historisë deformuesve të kohës së absurdit totalitar. Kjo për më tepër, duket në stimën e lartë, që shfaqin kelmendasit dhe në tërësi e gjithë Veriu i Shqipërisë, shqiptarët në Mal të Zi e Dardania martire.

Kelmendi, shkruan studiuesi e publicisti malësor Ndue Bacaj, në gazetën nacionale ‘Shqipëria etnike’ (Shkodër, 2004), nuk është shkelur nga asnjë këmbë italiani apo gjermani. Treva e lavdishme, nuk ka arritur të pushtohet asnjëherë nga ushtritë e huaja. Edhe sot, ekziston shprehja malaziase, për stërgjyshërit e Prekë Calit: “Pusho kangën o zogu i malit/Se po të dëgjon Memi i Smajlit”. Dhe është Prekë Cali, që ka kundërshtuar vendimet e qeverive të mëdha, që kanë qenë në dëm të Shqipërisë e trojeve tona. Ishte ai, dhe vetëm Prekë Cali, që apeloi vendimin e marrë prej tyre, që kufiri i vendosur nga Bishti i Krajës, Ura e Përroit të Thatë, Qafa e Grishajve, Thana Binoke në Shkrel, Qafa e Terthores të zhvendoset dhe fitoi kufirin e sotëm ekzistues me Malin e Zi. Prandaj, 820 partizanëve sllavo – serb, sulmuan kështjellën e tij në Vermosh, tre muaj para se të “çlirohej” Shqipëria. Ai u tërhoq nga Vermoshi e u vendos me shtabin e tij në Vukël. Serbo – sllavët, u larguan pa kryet e Prekë Calit, por të fituar nga ana e tjetër, sepse dy brigada shqiptare të shtetit amë luftonin gjoja për “çlirimin” e Kosovës.” Me ardhjen në pushtet të qeverisë së Mbretit Ahmet Zogu, ai herë pas here bën kërkesa dhe proteston pranë qeverisë, për të ngritur zërin për Vermoshin, pranë organizatave ndërnacionale. Në këtë kohë, përplaset Prekë Cali me Ahmet Zogun, mbasi ai ishte përkrahës i forcave të opozitës asokohe. Pas rënies së qeverisë së Fan S. Nolit, qeveria monarkiste, Prekën me disa të tjerë i internuan burgun e kalasë së Gjirokastrës. “Lirimi i Prekës, nuk ishte i rëndomtë. Qytetarët e Gjirokastrës, në sheshin e qytetit e përgëzuan me urime e ngrohtësi njerëzore, si të parakalonte një mbret. Preka, përmes gazetave, që e kishin intervistuar, falënderon për së tepërmi qytetarët e Gjirokastrës. Ai nuk u pajtua kurrë me pushtimin fashist dhe prej ditëve të para të pushtimit u vu në anën e forcave nacionaliste. Ishte kundërshtar dinjitoz edhe i komunizmit.” (Lajçaj, f. 70) Kur situata u qetësua dhe gjakrat e urretjes midis shqiptarëve ranë në qetësi, Mbreti i Shqiptarëve Ahmet Zogu I (1895 –1961), rishikoj vendimin e dënimit ndaj figurës së shquar të Prekë Calit. Ndonëse me vonesë, Mbreti e kuptoj, se nuk ishte ashtu sikurse i kishin thënë, mbasi kelmendasi me trima, kishte luftuar për çështjen nacionale të trojeve të Veriut. Mbreti u tregua fisnik, tek e liroi dhe ftoi në rezidencën e tij në Tiranë, për t’u takuar miqësisht. Qysh kur dy burrat e njohur i shtrenguan dorën njeri tjetrit, Mbreti Zogu I, i kërkoi ndjesë, duke i thënë se: “ – Të kam internue, se kam pas të dhana, se ju jeni marr me politik dhe je kundër meje. A asht e vërtet kjo? – Jo, iu përgjigj Preka, vetëm me politik as nuk jam marr as nuk merrem! – Po kundër meje a je? – ia ndërpreu Zogu I. – Vetë nuk jam kundër teje dhe nuk kam ken kundër shqiptarve. Un kam luftue e do të vijoi me luftue vetëm kundër atyne, që duan të na marrin trojet tona. Vetë jam vetëm shqiptar e për Shqipnin nuk më dhimbset jeta.” Pas bisedës së përzemërt e me sinqeritet, në shej patriotizmi e miqësie të re, Mbreti i Shqiptarëve Zogu I, e bëri Prekë Calin Kapiten Rezervë. Kreu i fronit mbretëror, i dhuroi heroit kelmendas naganin me dorezë të bardh me nënshkrimin: “Ahmet Zogu I”.

Preka me kelmendas, kishin një motiv më shumë e arsye, pse kishin dalë në fushë të mejdanit, për jetë a vdekje, sepse nuk donin, që tokat e tyre, të ishin pjesë e Perandorisë Sllave; nuk donin, që fëmijët të merrnin emra sllav, zakone e tradita të pushtuesit; nuk donin, që të harronin varret e të parëve të larë me lumenj gjaku trimash. Gjithsesi, shqiptarët etnik nuk donin asgjë, që ishte dhuratë e verbër e pushtuesve sllav. Edhe kur këta erdhën në pushtet, ai, nuk e ndërpret luftën në të mirë të popullit, duke iu kundërvu me armë në dorë satanait pa fe, atdhe, ide e shthurje morale, sa që shpesh thuhej, se gratë partizane ishin në përdorim kolektiv. Studiuesi malësor 85 – vjeçar Marash Kolë Mali (1920), ish – burgosur politik në kohën e diktaturës në Shqipëri (një familje e njohur vojvod në Dedaj të Shkrelit, shënimi im K.K.), në librin e fundit shkruar në Florida, Ngjarje historike dhe figura të shquara shqiptare, rikujton: “U ba nji Mbledhje e madhe me krenet e Malsisë së Madhe, nën drejtimin e Kolonel Mulo Bajraktarit, i cili ishte komandant i vullnetarve të Malsis asokohe edhe për malet andej kufinit. I deleguem i ardhun prej Shkodre ishte Ndoc Çoba, ish politikan dhe n/Kryetar i parlamentit Shqiptar. I ftum ishte edhe i deleguemi i partizanve i quajtun Ramadan Reçi, të cilët qendrën e tyne e kishin në Reç (mbi Koplik të Sipërm, shënimi im K.K.). Çun Junuzi, asokohe si komunist punonte ilegalisht, e me qendër ishte në Aliaj të Kastratit. Mbasi folën Mulo Bajraktari e i deleguemi i Shkodrës Ndoc Çoba (Ministër i Financave më 1920, Delegat në Kongresin e Durrësit, më 1918, të Lushnjës më 1920, shënimi im K.K.) fjalën e mori Ramadan Reçi: “Ju po e shifni se dy okupatorët italo – gjerman, pra Boshti po e humb luftën. Ne nuk duhet të kemi tjetër mbeshtetje e as lidhje me ta, për arsye, se fituesit e tjerë aleat, nuk duhet të na gjejnë të mbështetun me të humbunit, mbasi vetëm pasoja të këqija do të kemi. A nuk do të ishte ma mirë që ne, për hirë të vendit e popullit tonë t’u mbshtemi që tani fituesve? Unë them se po!”. Ndërsa Çun Jonuzi, tha: “Malësia e Madhe ka nji besëlidhje, që asnji parti dhe as aktivitet politik të mos zhvillohet në këtë krahinë. E pse atëherë bahet kjo mbledhje këtu në territorin e Kastratit, për të na lan ne sherrin tek dera e shpisë?!” Mul Delija, e kapi për krahu dhe e largoi Çunin nga mbledhja, e cila po përfundonte pa asnji vendim. I fundi, që e mori fjalën ishte Prek Cali, i cili me nji za të naltë e të shqerrun tha: “Ai djaloshi i Reçit, foli e deshi të na tregoj, se kush e humbi dhe kush e fitoi luftën. Ky tjetri kastratas, u ankue se me këtë mbledhje i paskena prue sherrin te dera e shpisë. Kjo nuk asht e vërtet, mbasi sherri i popullit tonë janë vetëm komunistët, që kan zanë vend këtu afër. Mua më duket, se sikur po rrim duarkryq ose në gjum, pa marrë asnji vendim. Prandaj, po u baj thirrje të bashkohemi dhe të dëbojm këta, sa nuk asht vonë prej andej, e nqoftëse ndonjenit nuk i pëlqen kështu, vetë me djemtë e Kelmendit, do t’ia tres farën e do t’i dëboj prej Rranxave të Malsis!…” (Mali, f. 340). Preka, sëbashku me trimat, në të cilin bënte pjesë i riu 26 – vjeçar Mirash Fran Rrukaj, kur morën vesh, se një batalion me ushtar partizan, Natën e Krishtlindjes, më 24 dhjetor 1944, kishte kaluar Rapshën e Hotit, e po synonte të futej në drejtim të Lugjeve të Kelmendit, kryetrimi me parinë e vendit e luftëtarët, kishte zënë pritat në grykat e dy luginave mbi Urë të Tamarës. Ai më parë, u çoi fjalë partizanëve, se: “Na nuk dona vllavrasje, shkoni ka keni ardh, se s’keni rrugë këtej.” Mirëpo komandanti nuk mori asgjë parasysh dhe filloi ofensiven. Për shumë kohë gjamët e pushkve ushtonin. Armët e Kelmendit pritën e thyen partizanët. Komandanti që kishte disa spijuna vendali, u mundue me çdo mjet trathtie t’i binde malsorët të dorzoheshin, por ata ishin në shpin e tyne dhe kështu luftimet vijun panderpremje. Partizanët, në panik filluen me pa, se Kelmendi nuk u dorëzonte pa vdek të gjithë. Atëherë, ai kërcnonte partizanët, se kushdo që do të tërhiqet asht dezertor e dihej se çfarë e priste…”, kujton i arratisuri nga burgu i Tiranës (1952), shkodrani me banim në Florida Kolec Pikolini, në librin me kujtime: “Rregjimi i hienave” (Shtëpia Botuese Camaj – Pipa, Shkodër, 2001, f. 51) Kryepatrioti, ishte infomuar me saktësi nga rojet besnike të Major Llesh Marashit, të cilët kishin zbuluar batalionin partizan, duke marshuar nga Lugina e Shkrelit me armë e municion drejt Kelmendit. Atdhetari ballist Llesh Marashi, urdhëron Kolë Nikë Prelën (Marçinaj) t’i bie kumbonëve të kishës. Sipas urdhërit (të firmosur nga terroristi “hero i popullit” Shefqet Peçi), që mori Komanda e Brigadës së I – rë (nga Shtabi i Korparatës së III – të) Batalioni i I – rë u nis në drejtim të Kelmendit. Batalioni, vendoset në formacion luftarak e vazhdon të tërhiqet në drejtim tjetër nga rruga, që të çonte në Vermosh, përmes kishës së Kastratit. Kryengritësit sulmuan batalionin, e arritën t’a shpartallonin për disa orë, duke e çarmatosur. Armët dhe municionin e kapur i dërguan në shtabin e Prekë Calit. Forcat e batalionit të ndjekjes, bashkë me forcat e poskomandës së Bajzës, që e kishin marrë informacionin, donin ta shtypnin kryengritjen pa filluar ajo, ndaj mësyne drejt Grishës, më 23 janar 1945, për të arrestuar Luket Marashin dhe krerët e tjerë të kryengritjes. Në këto rrethana, plasi kushtrimi në Grishaj. Vullkan u bë shtëpia e bë shtëpia e Luket Marashit, që ishte një poetencial i madh besë e burrërie në Malësinë e Madhe. Forcat kryengritëse, u gjenden përballë forcave ndëshkimore të Sigurimit të Shtetit e të ushtrisë, që sulmonin në ballë të gjerë. Praktikisht, lufta kishte filluar para kohe, pra, në mëngjesin e datës 24 janar. Në këto përpjekje u vra Pjetër Gjoka, i cili në krye të 40 burrave të Shkrelit, zbriti si ortek bore në poskomandën e Dedajt, e mori ate dhe, duke kaluar nëpër Zagore, i drejtohet vertik Bajzës. Grishajt e kishin zmbrapsur sulmin dhe ishin hedhur në kundërsulm. Në ballë printe oficeri i ri Zef Toma, që ra duke luftuar trimërisht. Atë natë luftimesh, do të binte edhe Lulash Cuku. Gjaku i tij do të shenjtërorente besën e do të nxirrte kushtrimin. U plagosën Pjetër Gjokë Hoti, që vdiq pas disa ditësh. U plagos nga forcat komuniste toger Gjosh Nikaj. Kryengritësit me në krye Llesh Marashin, u mblodhën në oborrin e kishës së Bajzës, ku, frati At Ciril Cani rreh kumbonën e kishës e i lutet Zotit, që bijtë e Malësisë, të fitojnë kundër pjelles së djallit të kuq. Kryengritësit sulmuan drejt Koplikut, nën drejtimin e Llesh Marashit. Mbas luftimesh të ashpra, ata morën postkomandën dhe spitalin dhe më pas krejt qytetin. Kontribut të veçantë dha familja e Shaban Binakut. Mësymja vazhdoi deri në Hanin e Dedë Zefit. Të ndaluarit, u liruan të gjithë, pasi iu morën armët. (Butka, f. 19) “Po në të njajtën kohë edhe me bekimin e famullitarit të Shkrelit, Dom Nikollë Gazullit, Kolë Nikë Prela Marçinaj (Çekdedaj – Bzhete), u bien kumbonve për me mobilizue Shkrelin për në luftë. Kështu burrat e Shkrelit, u nisën për t’u bashkue me forcat e kryengritjes në Koplik.” (Franz Llesh Grishaj, ‘Shkreli dhe roli i tij në Kryengritjen Antikomuniste e Malësisë së Madhe të vitit 1945, Revista KUVENDI, Shkurt, 2005, Michigan, USA, f. 24 – 49). I sigurtë në “historit” e veta, përfaqsuesi e historishkruesi komunist ushtaraku Ndriçim Plasari, në librin me trillime: Shpresë për popullin, tmerr për armikun (Tiranë, 1971), kushtuar Brigadës I – rë Sulmuese, duke i ndjekur luftimet nga shtëpia e vet shkruan: “… Kolona i kishte kthyer shpinën Brojës dhe pararoja porsa kishte shkelur mbi Urën e Tamarës, kur plasi pushka dhe çfarë pushke. Qëllonin nga kodra mbi urë, qëllonin nga Broja, qëllonin edhe nga Bardhaj. Batalioni kishte hyrë në një kazan të zjarrtë. Armiqtë qenë njoftuar për ardhjen e një reparti partizan në Kelmend, kishin llogaritur foecën e tij prej afro 300 vetësh, kishin llogaritur edhe rrethnat e tjera në dobi të tyre dhe qysh herët, në mëngjesin e 15 janarit kishin zënë pritë këndej dhe andej përroit, me qëllim të caktuar, ta godisnin dhe ta asgjësonin batalionin tonë. Një goditje e tillë partizanëve u ra krejt papritur. U krijua një gjendje kaq e vështirë sa më s’bëhet. S’kishte tjetër rrugëdalje, veçse të qëndrohej me çdo mënyrë në vend, duke kundërvepruar me të gjitha forcat. Ndihmë e shpejtë s’mund të pritej as nga një anë. Forcat e tjera të brigadës ndodheshin dy ditë larg, në Shkodër. Batalioni s’kishte ndërlidhje me radio. Reaksionarët kishin zënë vend nëpër shkëmbinjtë dhe që andej villnin zjarr kundër luftëtarëve tonë të rrethuar plotësisht. Partizanët përdornin për mbrojtje çdo send të rastit, shkëmb, gropë dru. Që andej qëllonin në drejtim të qerdheve të zjarrit armik. Sulmi për të çarë rrethimin ditën ishte i pamundur. Edhe lëvizja më e vogël kontrollohej nga reakionarët… Ishin vrarë komandanti i batalionit, Fejzi Micoli, dhe një numër luftëtarësh… Në të vërtetë bajraktarët trathtarë Preng Cali e Llesh Marashi me shokë kishin grumbulluar rreth vetes 300 – 400 burra të armatosur dhe përpiqeshin të shtonin gjithnjë e më shumë forcat e tyre. Ata kishin marrë lidhje me misionin ushtarak anglez në Shqipëri, i cili qe treguar i gatshëm t’u jepte çdo ndihmë dhe përkrahje. Aeroplanët anglezë i kishin furnizuar mbeturinat e reaksionit me armë, municione dhe veshmbathje. Me ndihmën e anglezëve trathtarët kishin hartuar planin e një kryengritjeje kundërrevolucionare. Do të sulmonin dhe të merrnin Shkodrën me Koplikun…” (Plasari, f. 566 – 567) Partizanët nga ana e tjetër, nuk e mendonin, se do të hasnin në rezistencë aq të fortë, prandaj po vinin të qetë. Kur filloj pushka, këta nuk kishin nga të shkonin, sepse ishin të izoluar në shtigjet e ngritura dhe nuk kishte forcë ushtrie t’i shkatërronte pozicionet mbrojtëse të malësorëve, që ishin fortifikimet natyrore shumë të sigurta. Malësorët kishin epërsi ndaj partizanëve, sepse sëpari bënin një luftëe mbarojtëse dhe njihnin shumë mirë vendin e tyre, ku, gjatë luftimeve u vranë, plagosën dhe ranë në lumë shumë partizanë. “Prekë Cali bashkë me me 15 burra, u ngujuan në shpellën e famshme mbi fshatin Vukël, që u mbiquajt Shpella e Prek Calit. Mark Luka dëshmon: “Na, ketë shpellë e zgjodhëm për me ba qëndresën e fundit, me e la vedin e me vdek per së mbari. Për shtatë ditë rresht, gryka e shpellës nuk ka pushue as natë as ditë prej plumbave e zjarrit të mitrolozave. Komunistët vendosën me na marrë me uri e me pabesi. Na u dorzuem me një kusht, që të vinte Frati i Vuklit, kryetari i këshillit, si dhe të mos dhunoheshim. Por komunistët nuk e mbajtën fjalën e dhanë. Dhe as besimin e Fratit. Kur na çuen ke shtabi i batalionit, në Rrapsh të Hotit, Mehmet Shehu, u ndodh ballë për ballë me Prek Calin: – E, Prekë Cali, – i tha Mehmeti, – të pat ardhur dita ta mbyllesh historinë tënde me shkronja ari, po të bëheshe me ne! Pse bëre kështu? – Zotni, – iu përgjigj Prekë Cali, – faji bie mbi ju, se ju u batë aleat me anmikun shekullor tonin, me Serbin.” (Butka, f. 16) Preka e besniku deri në fund Mirash Fran Rrukaj, e dinin se mbas kësaj që ndodhi, brigadat partizane do të dyndeshin nga Rapsha e Kelmendit, si dhe nga krahu tjetër i Gusisë, ku, kishin përkrahjen e vëllezërve siamez sllav. Në këto kushte, nacionalistët morën udhën e arratisë. Hienat e pangopshëm komunist, u lëshuan nga të dy krahët mbi krahinën e Kelmendit. Mehmet Shehu, me brigadën e vet ndeshkuese të inkuizicionit kundërmalësorë e kundërkatolikë, vendoset në fushim në fushën e Rapshës. Malësorët, prisnin gjëmen e madhe në shtëpitë e tyre. Nuk kishte informacion, se kush e kishte radhën: Kelmendi apo Kastrati. Në natën e 1 janarit 1945, kryexhelati terrorist Mehmet Shehu e përgjaku Kelmendin. Me urretjen patologjike të trashëguar nga koha e pushtimit turk, sulmi i hienave të kuqe ishte i befasishëm. Nga Gryka e Grabonit dy toga me “druzhe” (shok) sllavoserb, marshuan drejt Kelmendit. Ata hapën zjarr tek Ura e Tamarës mbi popullatën e pambrojtur, me synime të pastra spastruese pa mëshirë. Brigadat e Ndjekjes, të drejtuar nga kriminelët Mehmet Shehu e Fejzi Micoli, e forcat e Sigurimit të stacionuar në 26 kampet e burgjeve, hetuesisë, torturave etj., në Qarkun e Shkodrës, të mbështetur nga Ushtria Jugosllave, më 15 janar 1945 përfundimisht pushtojnë Vuklin. Sikurse pritej, menjëherë bishat partizane iu vërsulën luftëtarëve malësorë, i lidhën dhe ushtruan dhunë mbi ta. Si në kohën e skllevërve i lidhën me konop njëri pas tjetrit, duke i shtyrë, ndonëse ata mezi lëviznin, nga mundimet me ditët e tëra pa gjumë. Më pas i hypën në një kamion e shpejt i nisën për Shkodër. Njësitë partizane, që i shoqëronin ishin të vogla, pasi pjesa më e madhe e tyre qëndruan aty, për të filluar terrorizimin e tërë Kelmendit. Ata që janë dëshmitar të kësaj poshtërsie të pashembullt, e kanë parë me sytë e tyre, provuar mbi shpinën e vuajtur tërë torturat, që asnjëherë s’mund t’i parashikonte mendja e njeriut. Të gjithë të plagosurit i lidhën pas kalit dhe ashtu nën tortur, ata pothuajse ishin në prag të vdekjes së sigurt. Prekë Cali, me 15 trima kelmendas kapen rob, duke i kaluar gjyqit ushtarak, i cili i dënoi me pushkatim. Brigadat e Ndjekjes bënë kërdi, duke derdh gjak malësori shqiptar. Ata si të uritur vranë e shkatërruan, dogjën dhe prenë, e sëfundi pushtuan Kelmendin e papushtuar në shekuj. “Ishte mbasdite e unë po qëndroja me nji shok përbri zyrës së Posttelegrafës. Diku u dëgjuan të shtëna armsh. Njerëzit kishin marrë lajmin, se Prek Cali asht dorëzu e pritet t’a binin para Postës. U shihnin grupe individësh. Dikush në heshtje e të tjerë shakllabana që banin komente. Pas disa kohe u panë kamionat. Ato lëviznin ngadalë, saqë u afruan pak nga pak aty ku populli të mund t’i shihte shumë mirë “reaksionarët”, që s’mundën t’i përballonin ushtrisë. Ishin pikrisht këto komente që banin njerzit servila e katila, që asnjiherë nuk u ngopën me gjakun e sternipave ilirian. Binte në sy shtati i tyne si lisat e bjeshkve të Kelmendit, ku mes tyne dallohej trupi vigan i martirit Prek Cali. Disa fundrrina komunist filluan t’i pshtynin e përbuznin ashtu të lidhun. Kjo pamje e shemtum ma prekte shpirtin. Edhe unë, si kureshtarët që erdhen duke u shtu rrinim të ngrim në heshtje me keqardhje, që vriste me logjiken e përbuzjes ndaj masakruesve të burrit vigan kelmendas, që shikonte se ku po shkonte qyteti i tyne i dashtun Shkodra, e cila pretendonte se ishte qyteti ma i zhvillum në Shqipni… Grupi i Prek Calit doli në gjyqin komunist. Ai i zhvillua në nji ndërtes dykatshe, diku në veriperendim të Gjimnazit. Unë ndoqa tri seanca, si dëshmitar okular në at se çfar dëgjova e pash ndaj Prek Calit. Në fillim të seancës nuk lejohej me marr pjesë shumë popull, mbasi komunistët kërkonin që gjyqi të zhvillohej sa ma shpejt. Prek Cali, nuk ishte vetëm i pushkës, besës, traditës etj., por edhe nji trim që me gojën e vet nxirrte fjalë të matuna, i qetë, që mohonte pa frik të gjith akuzat e rreshtume kunder tij. “Unë jam këtu, – u shpreh Prek Cali – ndër të tjera, për me marr pergjegjesin e luftës kundra partizanve që u ba në Kelmend. Dhe për t’drejt tjetër nuk keni pse m’akuzoni. Kam luftue kundra shkjeve, kur deshten me na nda prej nanes Shqipni dhe kam mbrojt at çka asht e jona. Mundësi ma të madhe nuk kam pas. Vërtet jam malcor pa shkoll, por jam shqiptar. Ju m’keni marr ne bes e s’kam nevoj me ju kerkue falje. Un as Mbretit si kam kerkue falje, kur m’ka denue se isha opozitar…” (Pikolini, f. 55) Por këta, ndonëse përdoren barbarinë komuniste, nuk arritën me tutë (friksu) dhe mposht krenarinë e Malësisë. Malësori e pagoi, por kurrë nuk trathtoi truallin e shtëpisë së vet, duke mbrojtur lirinë nga ofensiva komuniste asokohe. Me shumë urretje, se nuk mundën të kapnin luftëtarët nacionalistë të lirisë, forcat terroriste partizane: “… banë nji kërdi të zezë, tue torturue deri edhe gra e fëmi. Ata mashkuj apo luftëtar, që gjendeshin në shtëpi i arrestonin, u digjnin shtëpitë, u merrnin pasuninë, ndersa familjet (e luftëtarëve në arrati) tyne i internonin në krahinat e vendit… Edhe Preka, me nji çetë luftarësh trima e besnik, vendosi e u ngujua në nji shpell, që ishte mjaft e ilzolueme e i përngjante nji fortese të vogël, me nji shprese fare të vogël, se mund të bante si dikur Kelmendi me ushtrin turke, të cilët zinin vende në ndonji luginë ose bregore, duke mos i ndjekur kryengritësit nëpër male. Me partizanët, ndodhi e kundërta: Ata i ndoqen çetat kamba kambës dhe kur u mirëinformuan, se ku ishin i rrethuan dhe i derguan njerëz për t’u marrë vesht me ta At David Picin, i cili, u tregoi se ishin të rrethum dhe se partizanët kërkonin të dorëzohen pa pushkë. Prek Cali nuk i trembej vdekjes, por ai mendoj, se nji vdekje me gjyqe, asht ma krenare për t’u njoh nga publiku, se për çka e si do të dënohen… Nga ana e tjetër, Preka kishte disa djem të rinj (Sipas tregimeve të Fritz Radovanit dhe Don Tomë Laca, kujtoj, se Preka, ka pas me vete në shpellë, një djalë të ri ,Gjelosh Tomë Biku-n,22 vjeçarë në atë kohë që ishte i vëtëm (dëshire) në familje, dhe komunistët i kanë thanë atij, se do t’ia falim jetën djaloshit të ri. Por në fakt, kur janë dorëzuar, duke i prerë në besë deshen ta vrasin pushkatojnë) Gjeloshin ,por Prëka u kundërshtojë duke mohuar se ai kishte lidhje me luftën për ti shpetuar jetën,dhe jeta ju fal por u dënua me 30 vite burgim.

Prandaj, u kërkoj partizanve, nëpërmjet Fratit disa kushte: – Meqë udhëtimi do të bahej me ecje në këmb nëpër Kelmend, të lejohen të kalojnë të armatosun; – Të mos i cënojnë (keqtrajtoj) kush me dorë; – Gjykata të bajnë punën e saj. Këto kushte komunistët ia premtuen, por si zakonisht nuk i mbajtën. Ata porsa kaluen nji copë rrugë të shoqnuem e të rrethuem me shumë partizan, i çarmatosën u lidhën duart, i ulën drejt e në Koplik, ndërsa ne e nesre në qytetin e Shkodrës, në të ashtequjtunin Burgu Gjerman… Prek Cali asokohe 66 vjeç, ishte i burgosun në nji dhomë më vete e kur të burgosunit ndryheshin në dhoma, ate e nxirrnin dhe shëtiste i vetëm. Ai kishte nji tjetër trajtim prej të burgosurve të tjerë.” (Mali, f. 341) Në mjedisin e Fushë Çelës, trimin legjendar, e ka rruar pa i njomur mjekrën me pastë rroje një partizane, që shihte nga afër stoicizmin. Skenat e dhunës ndaj Prekë Calit janë të papërshkruar, e ndoshta Shekspiri i madh anglez, do të ishte i pafuqishëm nga fantazia e torturave që kanë përdorur këta. Preka, ka qenë i bindur se do ta vrasin, por është prerë në besë nga komunistët, të cilët i kanë prmetuar në fillim, se do t’ia falin jetën Gjeloshit,të cilin e burgosën dhe ja pushkatuan nënën,Katrinën që refuzoj të tregojë vëndolljen e Prëkës dhe të birit të vet Gjeloshit.

Përpara momentit të pushkatimit, Prekën, e kanë mbështetur tek muri i Vorrezave Katolike të Rëmanit në qytetin e Shkodrës, të ulur ndjenjur me cigare në gojë (për tallje), i veshur me çakçirë dhe i prishur në fytyrë nga plumbat. Rrëfimin dhe vojimin kur është pushkatuar, ia ka bërë Don Tom Laca. Atë ditë më 25 mars të vitit 1945, në muret e qytetit të Shkodrës u shpërnda një afishe e madhe e cila kishte këtë titull: “Pushkatohen kriminelat e Luftës dhe Armiqtë e Popullit”.

Studiuesi e publicisti Mërgim Korça, gjatë hulumtimeve për përgatitjen e dorëshkrimit: Në përkujtim të Kryengritjes Armatosur të Malësisë Madhe, shkruan: “Si sot e kam parasysh, kur e pruene duer lidhë n’shehët t’Shkodrës kreshnikun Prenk Calin! Ecte kryenaltë, me mjekër t’dendun aj, si me kenë fitues. Por shkjau, brateja e partizanve ngjallnjyes, ia kish n’vesh t’vjerrun trimit inadin. E ndalne mjedis Fushës Çelë, e ulne n’gjuj e nji partizane e ekzaltueme ia rroi mjekrrën pa lagë atij. Mjes gishtave t’duerve t’mija me t’cillat kishem mlue ftyrën, kureshtja m’bate me e pa si i shkojshin lotët kreshnikut qi za nuk xirrte dhimbet! Kjo pamje e mbrame qi kam e prijsit maleve qi pat thye shkjetë n’luftimet e 1911 – ës e të 1913 – ës. Mbas kësaj veç kur ndjeva se e kishin denue me vdekje dhe me 25 mars njimij’ e nandëqind’ e katërdhet’ e pesë e kishin pushkatue Prenk Calin. Ksisoji komunistat shqyptarë e vrane animikun e betuem të shkjaut dhe e hapne rrugën m’u shkue uji n’mulli t’tyne!”

ARRESTIMI DHE VRASJA

“Në dokumenta arkivi figuron replika n’Rapsh t’ Hotit n’mjes t’lidhunit Prenk Calit edhe Mehmet Shehit, por ajo kurr nuk u ka ardhë për marë historianve lakej t’diktaturës t’a përmendshin… I tha Mehmeti: “- E more Prenk Cali, të pat ardhur dita t’a mbyllje historinë tënde me shkronja ari po t’ishe bërë me ne. Pse bëre kështu?” I gjegjet trimi legjendar burrnisht: “- Zotni, faji bjen mbi ju se ju u batë aleatë me anmikun tonë shekullor, me Serbin!” (Korça, f. 5, 6) Por odiseja e të ngujuarve në shpellë, nuk do të përfundonte me dorëzimin e tyre. Të parët që u pushkatuan, ishin: Dedë Lulash Smajli dhe Dedë Gjon Deda, të cilit i kishin prerë me parë mishin dhe trupin me sopatë. Fran Zef Bajraktarit, ia nxorrën sytë dhe e varrosën të gjallë me gurët e malit. Luc Gjon Bajraktarin, e prenë në qafë me bajonetë dhe e hodhën në greminë. Fran Zef Bajraktarin e groposën të gjallë, pasi i dogjën kullën. Marash Vat Lumajn, e pushkatuan para popullit të Vermoshit, si agjitator kundër bolshevizmit. Dedë Prek Nikën, e sollën nga kampi i Tepelenës dhe e pushkatuan pa gjyq, në mes të kelmendasve. Uk Mark Biku (Bikaj), u pushkatua në mes të katundit Brojë, për të ngjallur panik. Nik Mark Rezaj, i cili qëndroi 21 ditë i varur në burgun e Koplikut, u pushkatua përsëri pa gjyq. Gjelosh Fran Pellumbi, vdiq në burgun e Kavajës nga torturat çnjerëzore, me fjalëte fundit: Poshtë komunizmi! Pas një gjyqi në Shkodër, u dënua me vdekje kreshniku i Vermoshit, plaku 70 vjeçar Prek Cali. Ky gjyq, do të dënonte plot 25 vetë, nga të cilët edhe 4 me burgim të përjetshëm, ndërsa të tjerët kryesisht me 30 vjet burg. Kështu Kelmendi u përzhit dhe u ndeshkua përsëri. (Butka, f. 17 – 18) Këto janë kelmendasit, që kishin të ruajtur në gene prej gjeneratave virtytet më të mira, si mikprirës e bujar, trima sypatrembur e atdhedashës, njerëz të besës e fetar. Ata e donin meshtarin si antarë të familjes, duke i besuar fjalën e nderit… Malësia, humbi 137 bijë të saj, trimat e devotshëm në kryengritje. U burgosën 345 burra e u internuan 41 familje të shpallura reaksionare. Malësia, u vesh me petkun e zisë. Malësorët trima, denbabaden të patundur në trojet e tyre, u shpërngulën në kampet e internimit të Tepelenës, të Kavajës, të Vloçishtit, në burgjet e kampet e punës, më çnjerëzore që ka njohur historia. (Butka, f. 21) Në momentin, që do ta ekzekutonin toga e zezë e pushkatimit komunist, kërkojnë që të denuarit me pushkatim të kthehen mbara (me shpinë) dhe t’ua mbyllin sytë. Por Prekë Cali, në mënyrë kategorike kundërshton, duke thënë fjalët: “ – Nuk shkohet n’Parajsë me shpin dhe me sy t’mbyllun” dhe siç ishte duarlidhur, ngrehi kryet lart, hapi gjoksin, duke shkyer pullat e këmishës dhe u tha: “ – Kështu vdes shqiptari”. Para se të rrëzohej, ai trup si një lis, nga plumbat e shqiptarëve të armiqve të nacionit të vet, zëri i fuqishëm i malësorit të bjeshkëve, ushtroi si jehona e luginave: “ – Rrnoft Shqipnia! Rrnoft populli shqiptar! Heret a vonë Shqipnia do të fitojë.”

Filed Under: Histori Tagged With: Arber Gashi, Prek Cali – Legjenda e Kelmendit

TRI FIRMAT E VETËVRASJES SË KOMBIT NGA RAMIZ ALIA

March 29, 2016 by dgreca

Opinion Nga Rasim Bebo, Chikago/

Mora nxitje nga artikulli i Z. Mërgim Korça, që patriotin Kolë Bib Mirakaj, e quan shumë bukur:  “SHARTIM TË SHPIRTIT TË MËSUESIT NË ZËMRAT E NXËNËSVE”, siç e kishte shartue At Gjergj Fishta, At Ambroz Marlaskaj, Mati Logoreci, Ndue Paluca, Gaspër Mikeli e të tjerë veteranë të arsimit shqiptar. Ndaluni pak Z. Mërgim, se sot e mbrapa një çerek shekulli “Dmokracia e pjellë nga komunizmi është bërë më e tërbuar  dhe e lidhur me fqinjët nëpërmjet të quajturit “internacionalizmi proletar”, që vazhdon qysh nga viti 1941, me krijimin  e degës të PKJ nën drejtimin e të deleguarve të Titos dhe vendosën njeriun e tyre, diktatorin Enver Hoxha.”

Tani po marrim vazhduesin e Enverit, pas vdekjes së tij, Ramiz Alinë, i cili hodhi tri firma vetëvrasjeje të kombit shqiptar. Po të jetonte sot Kolë Bib Mirakaj, do të vinte duart në kokë për këto llahtara shkatërruese që i prek deri-diku autori i artikullit, Z. Mërgim Korça.

Po nënvizojmë të tri firmat e Ramiz Alisë:   

1- Refuzoi lidhjen me Gjermaninë dhe firmosi lidhjen me Greqinë mjerane dhe armike shekullore e kombit tonë.

  1. Hodhi firmën për pranimin e Kolonelit të Asfalisë greke, me veladon prifti.
  2. Firmosi që prona të mos u njihej pronarëve.

Me këto tre firma vazhdojnë pasardhësit e zgjedhur prej ti, Sali Berisha, Fatos Nano dhe në vazhdim deri sot.  

Eduard Zaloshnja thotë: “Në 22 vjetët që nga vizita e parë e familjes Shtraus, shansi  për të realizuar një hop të madh për të ecur përpara e kanë pasur katër njerëz: Ramiz Alia, Ismail Kadare, Sali Berisha dhe Fatos Nano. Ky shans, iu dha në vitin 1985. Në atë vit, pas vdekjes së Enver Hoxhës, këta u ndodhën para udhëkryqit: “Ose të ndiqnin shembullin e Ten Siao Pinit, ose të vazhdonin rrugën e Enverit. Fatkeqësisht zgjodhën këtë të fundit.” (gazeta“ILLYRIA”, 21 dhjetor 2006, f. 12).

Agim Shehu thotë: “Me trokitjen e demokracisë në Evropë, Gjermania, mike historikisht e shqiptarëve, i ofroi ndihmë Shqipërisë para se këtë t’ia jepte Sllovenisë. Presidenti Ramiz Alia iu përgjigj të deleguarit të shquar gjerman, F.J. Shtraus: “Nuk na lejon kushtetuta të pranojmë ndihmë të huaj”! Miku i lartë u përgjigj me keqardhje e ironi: “Edhe kështjella më e mbyllur e ka një dalje për çdo rast. Po të duan të zotët e shtëpisë, këtë dalje e gjejnë”! Por të zotët atëherë, që komanduan dhe në demokraci, e kishin përcaktuar, se dalja në Evropë s’duhej të qe  Gjermania, Italia etj, por Athina!  Në atë udhë e donin Shqipërinë siç e bënë. (Gazeta “ILLYRIA”“Kushtetuta në gjykim…” 6-7-2006, f. 23.)

“Më 23 tetor1987 erdhi në Tiranë ministri i jashtëm Hans Deitrih Gensher, i cili tha: ”Shqipëria ka pasuri të mëdha natyrore, lëndë të para, që për ne janë të pazëvendësueshme, si për shembull, kromi. Ajo ka nevojë për prodhime industriale dhe për modernizimin e bujqësisë. Është më mirë të jemi të parët, e të mos themi që humbëm shansin”, tha Shtrausi atë ditë. (Gazeta “ILLYRIA”, 26-10-2007).              

“F. J. Shtrausi i shtriu dorën qeverisë komuniste në Tiranë për një aleancë të mundshme në perspektivë, por oferta që u refuzua me stilin idiotesk klasik nga qeveritarët e padenjë të Shqipërisë, po në këtë kohë “Komsomolskaja Pravda” pati botuar një shkrim  ku thuhej se, Shtrausi kishte refuzuar tri ftesa të njëpasnjëshme për të vizituar BRSS e për të investuar atje. Shkurt fjalët , atje e ftuan por, ai nuk deshi…  Në Shqipëri erdhi vetë, por ne nuk e deshëm.(“ILLYRIA” 8-8-05, f. 11). Shtrausi, ky mbret i Bavarisë, shpresonte të shihte një ndryshim pozitiv në politikën e vendit të vogël Ballkanik, me synim për ta bërë një port të volitshëm në drejtim të lindjes dhe në drejtim të Afrikës Veriore, për ekspansionin ekonomik gjerman në këtë pellg. Përfitimet e Shqipërisë do të ishin të mëdha. Por Tirana zyrtare nuk diti dhe nuk deshi.”                                                          

Përfytyroni ku do të ishte Shqipëria sot, po të kishte bërë një afrim me SHBA dhe me Perëndimin në mesin e viteve ’70, kur Shqipëria kish dalë nga traktati i Varshavës në vitin 1968. Ky hap me një domethënie të mirëfilltë politike, mund të ishte kthyer në një shans për afrim me Perëndimin.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                         Shqipëria në këto vite tranzicioni, jo vetëm ka humbur kohë duke prodhuar kriza të panevojshme, se kështu u intereson fqinjëve tanë, duke bërë “xhiro në boshllëk”, por ka humbur  dhe shansin, se do të ishte qëkur antar i  BE-së dhe i NATO-s. Dhe tani, “rruga kalon nga Athina”, thotë ministro  J. Venixellosi.

Qeveria Shqiptare gjatë periudhës 1997-2005 bëri përpjekje të vakëta, nuk e mori seriozisht projektin e koridorit të 8, për të nxjerrë vendin nga varfëria dhe mjerimi, se ishte një me qeverinë e Athines, që e kundërshtonte kategorikisht ndërtimin e këtij koridori. Qeveria e Fatos Nanos, për marrëdhënie të ngrohta me Greqin, nuk e vlerësoi fitimin që dotë kishte Shqipëria vetëm nga transporti i mallrave, rreth 450 milion dollarë, por nga ana tjetër e bënte Tiranën faktor të politikës ballkanike dhe evropiane njëherësh. Por qeveria  greke kombinoi një sabotim të heshtur me qeverinë shqiptare të Fatos Nanos, për ta shqyrtuar pas vitit 2020 koridorin 8. Veprimtaria e koridorit të 8 nisi në vitin 1998 deri sot. Koridori 8 përmban një autostradë që detyrimisht duhet të kalojë: Durres – Tiranë – Elbasan – Qafë thanë – Shkup – Sofie – Varna, e shoqëruar me morinë e aksesorëve të domosdoshëm për të mbajtur në këmbë këtë strukturë gjigante, uzina prodhimi  materlalesh inerte, fabrika tullash, betoni, magazina, hotele, motele, restorante,  nyje furnizimi me karburant, mjedise çlodhjeje etj.  Është një komplekes i tërë industrial në shërbim të korridorit të 8, që do të sjellë gjallëri të paparë në të gjithë vendin. Për mbi të gjitha, përfitimi ekonomik i të tri vendeve (Shqipëri, Maqedoni, Bullgari) do të jetë i jashtëzakonshëm. Për Shqipërinë emigracioni ekonomik do të kthehet në një fakt historik të së kaluarës, duke çliruar qeveritë e ardhshme Shqiptare… prej luanit të vogël grek. Pra, Ramiz Alia me pasardhësit, janë vetëvrasja e një kombi.

  1. Janullatosi me firmën e presidentit Ramiz Alia u pranua në Shqipëri në Korrik të vitit 1991, duke deklaruar se vinte si misionar i përkohshëm në krye të kishës së rrënuar ortodokse në Shqipëri. Vendosja e Janullatosit në krye të KOASH-it, ishte më fatalja e veprave e antikombtare të kryera nga politikanët shqiptarë në këtë 100 vjet jetë të shtetit tonë. Tani pas 25 vjet, në vitin 2016, vëmë re mos mbajtje të fjalës, një sharlatanizëm  pa rrugëdalje. Pse ndodh kështu: Prifti kolonel me veladon, anëtar i “Kupolës komuniste në Shqipëri, është i sinkronizuar me Panterën e zezë dhe me anëtarët e tjerë si, Sali Berishën, Fatos Nanon, Edi Ramën etj, siç parashikohej, fjala e tij është e parë dhe e dëgjueshme në kupolë, përderisa në Shqipëri ai ka ngritur Shtetin  grek brenda shtetit shqiptar. Kjo principatë greke e krijuar prej tij në Shqipëri vlerësohet realisht nga kryeministri grek Cipras, i cili shprehet hapur, se Janullatosi: “ka punuar mirë për Greqinë”. Dhe për këtë  apendiks shtetëror  të formuar me sukses prej tij, siç deklarohet nga Athina zyrtare, Janullatosit i ofruan vendin e presidentit të Greqisë. Por këtë detyrë, ai nuk e pranoi pasi. “Arsyetoi se fronti më i mirë për të, do të ishte vijimi i punës në dobi të Greqisë, brenda në Shqipëri. Ka krijuar sinodin e shenjtë me shumice greke. Meshimi nëpër kisha në gjuhen greke, miratimi i një statuti, ku nuk figuron Kombësia Shqiptare, ka zhvlerësuar klerikët e shquar shqiptarë si Fan Nolin, Visarion Zhuvanin, Kristofor Kisin etj.(Gazeta “55”, 4-2-2015 “kryeministri grek vlerëson Janullaosin”).                                                                              

Historiani Grek Nikolas Stavros vlerëson:  “Futja në dorë e kishës  shqiptare është fitoria më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX” (Prof. Dr. Eshref Ymeri, “Top Çannel 4-12-2004).                                      

Për të greqizuar Jugun e Shqipërisë u ndërtuan shumë kisha për nder të Shën Kozmait në Aliko, Vrisera, Himarë, Çarçovë etj. Në vitin 2009 Janullatosi shoqëroi prefektin e Thesprotisë Vasili Gjogjakas, për t’i parë këto kulte me emrin e njeriut që punoi për greqizimin e shqiptarëve. (“DIELLI” 22-12-2013).

Nga Arben Llalla: Gjatë rrugës për në Butrint është ngritur  një flamur gjigant i Greqisë me qëllim që turistët e huaj të mendojnë se këtu është territor grek. (20-8-2014). Afresku i ri ikonografik, te Katedralja ortodokse e Tiranës, paraqet Kryepeshkopin Anastas, tek zbret nga qielli si Jezu Krishti… të ikonizuar në murin brenda kishës.  Kryepeshkopi zëvëndëson Krishtin në mendjen e besimtarëve, duke imituar pozitën gjysëm-hyjnore  e gjysëm-njrëzore të Zotit Perëndi. (A. Llalla “DIELLI” 13-9-2015).

Janillatosi ka deklaruar në gazetën  greke “Kathemerini”: “Nuk e kuptoj idenë e shqiptarëve që “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, këtë tezë do ta luftojmë duke dalë hapur kundra “Rilindjes kombëtare Shqiptare” (Prof. Dr. Eshref Ymeri).                                      Me urdhër të Edi Ramës më 28 tetor 2014 është thirrur bordi i Ministrisë së Arsimit në ilegalitet, ka miratuar pa asnjë transparencë  dhe ka dërguar në shkolla një listë e re librash për bibliotekat shkollore ku janë përjashtuar “Nënë Tereza”, “Ibrahim Rugova”,  dhe krejt letërsia studimore e Kosovës, si dhe e “De Rada” dhe një listë me 385 tituj. (Ramiz Demaku, “Skandal”, “Bota Sot”, 5-11-2014. )

Po citojmë D. Agollin: “Në vendin tim, në vendin tënd / një kokë e çmendur po çmend një vend. (Ilir Levonja 25-12-2015).

Kryeministri Edi Rama me Ministrin e P. J. Ditmir Bushatin po propozojnë  “Rilindësit” e rinj të diplomacisë, militant të PPSH, përfaqësues të denjë të baballarëve e gjyshërve të tyre, të cilët janë vetëm nomenklaturë e regjimit të kaluar stalinist. Me këto propozime Edi Rama gjen rrënjët dhe frymëzimin. (gazeta “55” 8-2-2015).

Ku janë të 300.000 vende pune?Po vjedhin e vjedhin pushtetarët pa pushim dhe korrupsioni nuk ka të ndaluar. Polarizimi i shoqërisë shqiptare, në njerëz që nuk dinë fundin e pasurisë dhe atyre që nuk kanë bukë për të ngrënë, është bërë një tragjedi kombëtare. Shqipëria , që afro gjysma e popullsisë ka lëshuar vendin e saj, po vuan nga një qeverisje e keqe, e mbrapshtë dhe kriminale. Kriminel nuk është vetëm ai që vret, kriminel është edhe ai që urdhëron për të vrarë. Profesor Petro Fundo thotë:“diktatorët si Enver Hoxha, vazhdojnë të sundojnë edhe pas vdekjes”.                         3. Firma e tretë e tradhtisë së Ramiz Alisë: Katovica Shqiptare që është diskutuar top–sekret nga Ramiz Allia, të cilën ai e mori nga Gorbaçovi, thuhet kështu: “Të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë, që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim. Në forma të ndryshme do t’i ngatërroni, nga Gjykata e Shkallës së Parë në të Dytën dhe për defekte teknike të kthehen për rigjykim në Shkallën e Parë. Këta janë të moshuar dhe fuqi nuk kanë, duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre: Por këta duke ju dhënë një pasaportë dhe me pak presion i largojmë jashtë vendit. Ata që pretendojnë dhe do të këmbëngulin, do të lëndohen. Pasuria e tërë na përket ne. Se ne e bëmë”.

Erdhën vërdallë pasardhësit e Ramiz Alisë, duke folur dhe përfolur për pronat si Bufi, Nano, Berisha, Rama, këta kanë pranuar konventat ndërkombëtare, por konsumojnë prej 25 vjetësh shkeljen e një prej të drejtave themelore të njeriut, të drejtën e pronës. Shqipëria ka humbur  të gjitha gjyqet me pronarët legjitim në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Janë qindra vendime nga kjo Gjykatë, që kanë dënuar shtetin shqiptar për këtë shkelje të së drejtave të njeriut, duke shkaktuar një kosto qindra miliona ero buxhetit shtetit. (N. Çika, 6-12-2015).

Projekti i Alisë që po zbatohet nga politikanët aktualë, nuk shkon vetëm  kundra pronarëve legjitimë, por në dëm të shumicës së shqiptarëve… idioti komunist nuk e ka parashikuar dot Gjykatën e Strasburgut apo me vetëdije ai dhe politika aktuale ja kanë ngecur popullit shqiptar faturën e grabitjes së pronave të tyre. Tani shumica e pronarëve legjitim po i drejtohen Strasburgut dhe pritet që vendimet kundrejt Shqipërisë të shtohen bashkë me ta edhe miliona ero që taksapaguesit shqiptar duhet të paguajnë, vetëm për faktin se qeveria nuk ka vullnetin  te kthejë pronat tek pronarët dhe pushtetarët vazhdojnë të ngelen besnikë të projektit politik të Ramiz Alisë.

                   Rasim Bebo, Addison, Çikago  IL. USA.  Mars 2016 

Filed Under: Opinion Tagged With: NGA RAMIZ ALIA, rasim bebo, TRI FIRMAT E VETËVRASJES SË KOMBIT

FJALË TË PATHËNA PËR SALI TAHIR BAJRAKTARIN E SHIPSHANIT

March 29, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Ekspozita “Shkollat Amerikane në Shqipëri” e 7 marsit 2016, e hapur në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, më kujtoi një personazh publik të veçantë. Sali Tahir Bajraktari, i thonë. Nga bajraku, fisi e krahina e Shipshanit të Malësisë së Gjakovës. Një nga të shkëlqyerit nxanas i shumanshëm i Shkollës Teknike “Harry Fultz”. Ai, kaherit, prej asokohe të rinisë së tij, rrezatonte trefish: i ditur, trim, i pashëm.
Ai – në ato vite shkollore – bani emër, la emër, e mbeti emër i mirë, aq sa portretin e tij dhe fakte nga jeta e veprimtaria e tij i sjellin në mendje e i përcjellin në biseda dhe breza pasardhës të “Harrifultzëve”. Dikush flet për një foto të tij në shtypin e kohës. Një tjetër tregon se për pak sa nuk i mbeti emri në histori si atetantor ndaj një personaliteti tejet të njohur. Rrëfejnë dhe për qëndresën e tij vetjake e në grup shkollarësh qëndrestarë ndaj pushtimit fashist të 7 prillit 1939. E rrëfejnë…gjithandej, shumkush.
Sali Tahir Bajraktari në 73 vite moshe i përjetoi shumë regjime përgjatë nji shekulli: të Zogut repblikan e mbretnor, të Nolit kryengritës e pushtet jetëshkurtë, të fashizmit Italian, të nazizmit Gjerman, të Komunizmit tipik alla-shqiptar, të Demokracisë të pambrrime e, në disa prej tyne, u godit shpesh e fort po gjithnji qëndroi në kambë, gjithmonë në ecje, përherë përballës deri në sfida. Ai kishte një jetë të atillë me qëndrime e lartësime që ka me i folë dhe të nesërmes, po erdhi një farë kohe me ashpërsi komuniste të luftës së klasave, me diferencime politike e tri internime ndaj tij e familjes së tij të madhe, po nuk i munguan në derë e udhë ata që e njohën për mirë dhe e deshën përnjimend, paçka se fjala e mirë publike ceremoniale, plotërisht, e gdhendur, e thuktë, duket se iu tha nga poeti bashkvendas, Selim Aliaj, vetëm në tubimin përcjellës për në banesën e tij të fundit, në agun me diell e me ngrica të vitit të lodhur nga dështimi i regjimit komunist e në rizgjim demokratik – më 1991.
2.
Sali Tahir Bajraktari i Shipshanit ishte djalosh malësor rreth 16 vjeçar kur mori rrugën nga kulla e tij trojenike në Kasaj të Tropojës, nga Qafë Morina kult mitik- historik-legjendar, për në kryeqytetin shqiptar, në shkollën teknike amerikane “Harry Fultz”, një shkollë e atillë që edhe pse po ban gati një shekull nga hapja e saj nuk po mundet t’i dalin rivale astenji shkollë shqiptare e derisotme, si për nga mësimdhania, baza material, përgaditja profesionale e nxanësve, etj.
Tirana e shpallur kryeqytet në Kongresin e Lushnjës më 1920 dhe Sali Tahir Bajraktari, i datëlindjes 1919, i ardhun nga “Nënprefektura e Kosovës” (siç thirrej atëherit “Malësia e Gjakovës”), përkitazi, ishin pothuaj moshatarë.
Po, asokohe, Sali Tahir Bajraktari, ky malësor i ri, vinte në kryeqytet me një qytetërim të avancuar prej kohësh. Lartësisht, në dy shekuj.
Të parët e tij, Din Bajram Bajraktari e Bek Din Bajraktari, prej se nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Tahir Bek Bajraktari në Kryengritjen e Pavarësisë të 1912-tës në Shkupin dardan udhëtonin me trena, pasi Kosova ishte me linja hekurudhore. E, prej atëherit bota malësore e alpinëve dardanë modern ishte e madhe, kishte “kryeqëndrat” e veta të qytetërimit, si e thoshin ma të vjetrit në shprehjet e përveçme: “nga Shkodra në Shkup”, “nga Gjakova në Pejë”, “në Plavë e Guci”. Aty, nëpër Kasaj të Shipshanit, bash për skej kullës së Bajraktarit të Shipshanit, kalonte rruga antike ardiano-dardane, e prej nga vitet monarkiste të Kohës së Zogut kishte dhe një rrugë për të lëvizë dhe me makinë për me ra dekteri në qytetin e Gjakovës me rrethina.
Sali Tahir Bajraktari vinte në kryeqytetin e Shqipërisë Londineze nga Dera e Kulla e Bajrakut të njohur të Shipshanit, e cila kishte nxjerrë figura atdhetare me përmasa rajonale e deri kombëtare si Din Bajram Bajraktari, Bek Din Bajraktari, Tahir Din Bajraktari, Rrustem Tahir Bajraktari e të tjerë, të cilët luftuan atdhetarisht e trimnisht me bajrak, me mendttari, me gjak e me plagë kundër serbëve, malazezëve, turqëve, austro-hungarezëve, si para e gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në Dy Luftërat Ballkanike, në Luftën e Parë Botërore.
Ndonëse asokohe po binte gradualisht fuqia e bajrakut si instituticion, Sali Tahir Bajraktari ia ndiente peshën e genit e të traditës bajrakut të tij, po nuk ia ndjente aq shumë nevojën në realitetet jetësore e shkollore në kryeqytetin e Shqipërisë, pavarësisht se ishte larg kullës e trevës së tij. Kjo për faktin se Sali Tahir Bajraktari i Shipshanit dhe po të mos e kishte mbiemrin “Bajraktari”, ai ishte vet një bajrak i gjallë i kohës së tij shkollore.
3.
Sali Tahir Bajraktari në shkollën teknike në Tiranë ishte në kulmin e rritës së vet nga shtati fizik listar alpin e nga mendja e tij me fuqi krejt genetike e bile disi magjishme.
Ky shkollar malësor, si e thonë të tjerët, kishte një zgjuarsi natyrore të lakmueshme, demonstronte një shkathtësi të admirueshme.
Me thanë të vërtetën e cilësojnë si fort të pashëm. Si ai ma. Një Sali Bajraktar.
Me thanë të drejtën ishte i dhanun pas mësimeve, veçmas në shkencat ekzakte dhe i dallueshëm në praktikat mësimore. I kapte mësimet qyshce në klasë, por dhe rrinte ultas e ngultas për me nxanë dije. E kishte merak të madh mos me mbetë pas të tjerëve dhe nuk e donte veten me e ulë kryet para “profesorëve” të tij mjaft të zotë.
E, në koftë se atëherë do të ishte shpik kompjuteri, pa më dyshje, do t’i thoshin Sali Tahir Bajraktarit “kompjutër” në simbolikë, në përngjasi dijetare memoriale.
Duket se këta të Derës së Bajraktarit të fisit tim të Shipshanit e kanë pasë për gen ndër brezni, diçka krejt genetike, për me kanë “kompjuter” të tillë, çka iu shprehet njëjtësisht dhe ndër degëzimet e tyne, tek shumë e në shumësi nipash e mbesash si dje dhe sot. E, iu priftë e Mbara, e iu ndrittë e Mira me i pasë shembuj e shembullime të tilla dijetare dhe në ditë-vitet e shekujt e ardhshëm.
E, unë, e kam njoft nga afër Besnik Sali Bajraktarin, një nga mendjet “kompjuter” të kësaj dere bajraktarësh, të kësaj kulle dijetarësh genetik, i cili si dhe të tjerët e genit të gjakut e tamblit të tij të trungut me degëzime, ia thotë matematikës si bilbili kangës. Po ky Besniku dhe diçka ma tepër: është shahist i kalibrit të madh që ka dalë në duele me kampion bote dhe prej kohësh është i zgjedhur nënkryetar i Federatës Shqiptare të Shahut, për ma tepër: pjesmarrës e përfaqësues i Shqipërisë dhe në disa kongrese ndërkombëtare.
Pra, këta të “Derës së Bajraktarit” e kanë shahun “meny” të ditës dhe të jetës së vet familjare e publike.
E njof dhe ndryshe Besnik Sali Bajraktarin, atëhere kur ai ishte krejt i ri e “me cene” në biografi politike të motmoteve moniste, atëherit kur ishin të internuem për së treti familjarisht e fatkeqësisht në Brisë, në fshatin ma të largët dhe ma reliev thyer shkëmbor në krejt rrethin e Tropojës. I internuan në vitin 1976 nga Kasajt në Brisë. Për pesë vjet, po ngaqë ishin të punës së madhe e të mirë dhe me sjellje morale e shoqërore të lartë, ngaqë ishin të vlerësuar nga brisianët mërturas, i kryen mbi tre vjet internim, po kësaj here, nuk mujtën, ma saktë: nuk i lejuan shtetërisht e politikisht me u kthye në fshatin e lindjes, në trollin e tyre. Kësokohe, i riu Besnik Bajraktari, tregoi një rast tejet unik, plot me sakrifica e sfida për shkollimin e tij, pasi shkonte nga Brisa e Tropojës, e kalonte Qafën e Agrit, dh e binte deri në Breg-Lumi të Shkodrës me e ndjek shkollën e mesme bujqësore, që atëherit kishte për drejtor Mahir Domin, profesorin e nderuar të Universitetit të Shkodrës. Tri orë bante me shkue deri në Breg-Lumi dhe tre orë e gjysmë me u kthye për nelt në Brisë. Udhëtonte dhe në kohë me reshje e trashësi bore sa që gjunjtë në rrehe ia kapnin telat e linjës telefonike dhe në gjithato herë kur kthehej mbrëmjeve i jehonin rrugës ulërimat e ujqërve të maleve përrreth. E, Besniku i tejkalonte të gjitha, shkëlqente në mësime, në sjellje, në dukjen e tij, në udhët e tij…
4.
Sali Tahir Bajraktari i Shipshanit, një nga të veçantit nxënës të shkollës teknike të Tiranës, ishte mjaft i lidhun me shoqërinë. Ai nuk të linte në udhë po të tha “mik” dhe ishte e vështirë me i dalë para në udhë edhe po ta kishe “armik”. Ai, pa fol me tepri, njihej si malësor tipik alpin për nga traditat, karakteri e fiziku i tij, por ndokush dhe e krahasonte me Kreshnikët e Eposit të Veriut.
Në shkollën teknike të Tiranës (e cila dhe sot mban emrin e saj të parë “Harry Fultz”) u njoft nga afër e mirësisht, në kushte e rrethana të caktuara, me nxanës “harryfultz”. Me Mehmet Shehun e “Luftës së Spanjës” dhe kryeministrin e mavonshëm të Shqipërisë Socialiste. Me Fadil Hoxhën që u ba personazhi politik ma kryesor i Kosovës në vitet e Luftës Partizane, në krye të LKJ të Kosovës, në drejtimin disa dekador të Kosovës (KSA në kuadrin e RSFJ). Me Mustafa Gjinishin – një nga luftëtarët e prijtarët e shquar; njëri nga shtatë antarët e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, një nga antarët e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL të Shqipëris (10 korrik 1943), sekretar i mbledhjes të Konferencës së Mukjes, etj.. Me Perlat Rexhepin e Vlorës që shkroi “Epopenë e Tre Heronjëve të Shkodrës”. Me gjirokastrin Abedin Çiçi, Mjeshtër i Madh, njeriu me punë e shpirt dritë, që i trokiti në derë dhe kur Salihi ishte në internimin e dytë klasor ideo-politik ndëshkimor në Fier.
E, më rrëfen shumkush, se A. Çiçin e ka njoft në praktikat mësimore të agronomisë në Fidanishten e Laprakës. Apo ma saktë, qysh atëherë i madhi A. Çiçi shihte tek Sali Tahir Bajraktari një nga njerëzit ma të shquar të trevës së tij, Malësisë së Gjakovës, e ma shumë e ma mirë – një burrështetas të kohës së ardhme. Sali Tahir Bajraktari me Mehmet Shehun, ma i madh në moshë, ishte njoft në verën e vitit 1936 kur, ky i fundit, punonte përkohor si traktorist në fermën e shkollës teknike të Tiranës.
Sali Tahir Bajraktarit, këto njohje me figura të tilla, kjo shoqëri në dyert e “Harry Fultz”-it, këto lidhje në kryeqytetin e Tiranës, kjo kohë aktive shkollore, ia rritën ma shumë personalitetin e tij, ia shtuan veprimtarinë e tij, e brumosën ma tej e ma fort atë. Qysh atëherit, këto e të tjera veçanti të tij, e kthyen Sali Tahir Bajraktarin e Shipshanit në një personazh publik.
E njifte dhe vet Mbreti Zog si dhe disa ministra të Qeverisë së Tij, jo vetëm se ai vinte nga një derë e njohur e bajraktarëve të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës, por dhe nga që ai, Sali Tahir Bajraktari, po rritej ndër vite si një bajrak i kohës, në kohë, për kohën.
Kulla e tij bajraktare në Kasaj të Tropojës, veçmas pas vdekjes së Tahir Bek Bajraktarit, si dhe shteti monarkik në Tiranë për të mbajtur lidhjen e vet me këtë derë e me këtë krahinë luftarake të Shipshanit, e kishin një mendim e projektim me e çue Sali Tahir Bajraktarin me studime për jashtë shtetit, por…jeta nganjëherë nuk është aq e bukur apo e vështirë siç shfaqet në andrra e në sy-pamje të parë.
5.
E premtja e zezë e 7 prillit 1939, ma fort e ma qartë se astenjiherë tjetër, e shfaqi lartësisht e botënisht të riun Sali Tahir Bajraktari si një nacionalist të shquar, si një patriot të madh.
Ua thashë kryhere se Sali Tahir Bajraktari ishte trup lisnar, e përngjasonte me ata “kreshnikët e Alpeve”, me personazhe të Eposit të Kreshnikëve, për të cilët “Harryfultzit” kishin njohje dhe nga vepra “Visaret e Kombit”: Vëll. II (1937) dhe Vëll. IV (1939), etj.
Ai, Sali Tahir Bajraktari, energjinë e tij fizike dhe shpirtërore shpesh herë e kthente në një fuqi të madhe, si më 7 prill 1939 kur ai i theu forcërisht me levë hekuri dyert e magazinës ushtarake të shkollës. Hynë aty. U armatosën me armë.
Misioni i shenjtë i mbrojtjes kombëtare të Atdheut të vet i nisi për udhë drejt Durrësit. Mirëpo në Shijak, ura mbi Erzen ishte minosur dhe rruga ishte e pakalueshme për ma andej drejt Portit Detar, ku pushka kushtrimtare jehonte mes flakëve të luftës mbrojtëse atdhetare. Aty erdhën lajme jo të mira nga fronti i luftës. Heroi përballës Mujo Ulqinaku ishte vrarë në krye të detyrës ushtarake luftarake. Qëndresa shqiptare ishte thyer në det e në tokë. Ushtria fashiste italiane po marshonte me hapat: me zjarr e hekur, me flakë e gjak në pushtimin e gjithkahshëm të Shqipërisë.
Nxënësit luftëtarë të shkollës teknike të Tiranës i kthyen nga rruga luftarake e nisur drejt frontit të luftës. Ata u detyruan të ikin prej andej, nga Shijaku, të arratisen drejt Maqedonisë. Atje i futën në një kamp në Gostivar.
Pas disa ditësh Sali Tahir Bajraktarin e çuan në Tropojë, në fshatin e tij të lindjes, në Kasaj të Shipshanit. Aty qëndroi pak kohë, pasi iu doli “falja” atyre që ishin qëndrestarët antifashistë të 7 prillit 1939 dhe, nga që ishte maturantë, atij si dhe të tjerëve, iu dha e drejta për të kryer provimet e diplomimit. Ai u rikthye në Tropojë i diplomuar “agronom”, detyrë të cilën e zotëronte mjaft mirë, aq sa dhe vet puna e bujqësisë ia kishte nevojën atij, profesionit të tij, veçmas në dekadat e para të pasçlimit e të internimeve të tij në Lushnje, Fier, Tepelenë.
6.
Sali Tahir Bajraktari, i diplomuar në shkollën teknike të Tiranës, i rikthyer në Tropojë, filloi punë për nji kohë të shkurtër si përkthyes i italishtes në minierën e kromit në Kam të Bytyçit të Tropojës. Ai u largua prej andej dhe kontribuoi në profesionin e tij të agronomit, në pronat e familjes së tij të madhe, në truallin e bajrakut të tij.
Pas kapitullimit të Jugosllavisë në prill 1941, ky shtet federal monarkist u copëtua nën ndikimin italo-gjerman. Me Dekret Mëkambësor, nr. 133, datë 3 dhjetor 1941, në Qeverinë e Tiranës u krijua Ministria e Tokave të Lirueme dhe Prefektura e Kosovës me qendër në Prizren përbahej nga disa komuna administrative me territore e popullsi të ndryshme.
Një ndër to ishte dhe komuna e Becit, ku Sali Tahir Bajraktari emërohet sekretar i saj dhe, tevona, me largimin e kryetarit, e kreu zyrtarisht dhe këtë funksionin shtetëror.
Në disa dokumenta arkivore gjenden “Raport mbi sjelljet e autoriteteve serbe kundra shqiptarëve gjatë kohës së sundimit të tyne në rajonin e komunës së Becit”, “Raport mbi djegjet e shkatërrueme prej serbëve në kohën e shkatërrimit të tyne”, etj.
Në dokumentin e parë na tërhjek gjuha e të shkruarit, kultura e të trajtuarit të çështjeve qyshce në kryefjalë, në fillesë. Aty thuhet tekstualisht: “Në ditët e para e fatëzeza që zbritën serbët e malazezët në këto vende, ata u dukën të butë, të sjellshëm dhe sikur të dishim çka don me thanë Qeverim drejtësie. Po sikur thotë një fjalë e vjetër “Ujku qimen e ndrron e vesin s’e harron”, ashtu dhe pushtuesit e Kosovës nuk shkojnë shumë pa i dhanë ngjyrë tjetër sundimit të tyre. Pikësëparit jugosllavët kërkuan dorëzimin e armëve dhe të çdo lande që kanë lidhje me mjete lufte. Shqiptarët e këtushëm, mbas shumë e shumë vuajtjeve shtazore pa kurrfarë mëshire e njerëzie, banë dorëzimin që kërkohesh. Edhe sot kur kujtohen për këtë veprim bahen sit ë mahnitun. Megjithëse çdo armë e municion ishte dorëzue, gjindarmërija jugosllave nuk mbetesh kurr e mjaftueshme, kërkonte rishtas me sasi të shumta tue përdorë çdo mjet barbarizmi që mund të kujtojë historija…”.
Në dokumentin e dytë shohim përgjegjësinë e lartë zyrtare në trajtimin me emra e mbiemra dhe me fakte të dëmeve të shkaktuara nga serbët në fshatin Bec, si, konkretisht: Çel Shabani dhe Mus Zeneli nga 12.000 franga shqiptare secili; Ukë Myrta, Rexhep Sejdia, Dervish Bajrushi, Isuf Musa, Palush Marku, Demush Shabani, Man Halili nga 10.000 franga shqiptare secili, etj., etj.
Komuna e Becit, e drejtuar nga Sali Tahir Bajraktari, u kthye në një bazë të randësishme të Luftës Nacionalçlirimtare në këtë trevë e për Rrafshin e Dukagjinit. Kati i parë i saj i ngjante një spitali partizan, ku shëroheshin të sëmurët nga të ftohtit e nga plagët e luftës. Atyre iu shërbente si një “mjeke popullore” dhe e shoqja e tij, Fatimja e derës (oxhakut) së fisme të Bajram Hazir Rrogamit të Tropojës.
Në arkivën time, në një dosje, kam disa faqe me kujtime të veteranit Ali Zenun Qelia i Shipshanit. Ai tregon se si me njësitin e tij partizan shkoi në komunën e Becit dhe e mori aty Xheladin Hanën – Hero i Popullit, i cili ishte i plagosur dhe e kishin mjekuar e ia kishin shpëtuar jetën Sali Tahir Bajraktari me të shoqen e tij. Ata e morën prej aty dhe e çue në fshatin Valbonë. Atëherë, në vitet e komunizmit, janë kanë interesuar veçanarisht Ali Z. Qelia dhe im atë, Ali Lushaj, që Bek Din Bajraktari i vrarë në luftë me sllavët të shpallej “Dëshmor i Atdheut”, që ky akti ndaj Xheladin Hanës të përmendej si vlerë e luftës partizane dhe të ekspozohej në stenda të muzeut krahinor apo të rrethit. Kjo çështje shkoi për shqyrtesë deri tek sekretari i parë i KP të rrethit, po gjithçka mbeti në pikënisje, pa u krye atë ditë e sot. E kjo është fjala e parë publike e shkruar për këtë akt të lartë të familjes Bajraktari të Shipshanit, të vet Sali Tahir Bajraktarit e të vet Fatime Rrogamit-Bajraktari, bashkëshortes së tij dinjitare, e ditur, e përkushtuar, një malësore tipike e kohëve të vështira të luftës e të monizmit.
7.
Pas Tahir Bek Bajraktarit, në linjë genetike, bajraku i takonte Rrustem Tahir Bajraktarit, vllaut të madh të Sali Tahir Bajraktarit. Ai e mbajti nja shtatë vite. Deri në hapin e fjalën e fundit të tij. Ishte fort i ditun e mjaft i lidhur me fshatin e tij, krahinën e tij, bajrakun e tij. I kishin hije për mirë: fjala me peshë në kuvende, pushka trimnore në beteja e pamja bukurnore e burrnore. Dinte artin e luftës. Bante art tradite në komunikimin me njerëzit e fisit e të Nënprefekturës, me të Rrafshit të Dukagjinit. Fliste edhe në gjuhët e huaja: në italisht, në serbisht…
Asokohe Rrustem Tahir Bajraktari nuk kishte shumë nevojë për Bajrakun e Shipshanit, po për emrin e veprimtarinë atdhetare, ditunore e prijtare të tij kishte nevojë vet bajraku i Shipshanit. Dukej si i lindun për t’i prirë bajrakut të vet.
Përgjatë historisë, bajraku i Shipshanit, sikurse dhe të tjerët në Malësinë e Gjakovës, ishin mjaft të lidhur me krahinën e Plavë-Gucisë, me tre bajrakët e saj, me viset e saj. Vet dera e Bajraktarit të Shipshanit kishte krijuar lidhje farefisnore me këtë trevë epike, që Lufta e saj e Nokshiqit e viteve 1879-1880 ishte Parathënie e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorën e 1912-tës të Ismail Qemalit, apo siç thonë vargjet: Si dy male i rrijnë Historisë / Nokshiqi e Vlora e Pavarësisë”…/
Aty nga fundviti 1942 banda çetnike sllave e Marko Vaçeliqit mësyni tek Stanet e Hotit, në Lipovicë, duke kërcenue e për të pushtue krejt Plavë-Gucinë. Kur në pranverën e vitit 1943 sulmuan çetnikët e Pavle Gjurishtit, komandant i formacioneve çetnike në Malin e Zi, atëherë u muar vendimi popullor institucional për me ngritë kompani vullnetare në Plavë-Guci për ta mbrojt atë nga sulmet e Çetinës e të Beogradit e deri të Moskës. Prapë në shtator 1943 çetnikët e kërcenuan krahinën për pushtim, donin të hynin në qytetin e Plavës “për të likujduar komunistët”, por në bisedime me Shemsi Ferrin, Shaban Bej Rexhepagajn e Hajro Shahmanin u detyruan me u zmbraps deri në kufijtë e 1912-‘13-tës.
Në fillim të nëntorit 1943 repartet çetnike të Veliçko Bojoviqit e sulmuan krahinën legjendare të Plavë-Gucisë. U lëshua kushtrimi luftarak. Në këtë luftë mori pjesë dhe një formacion ushtarak vullnetar i Shipshanit, i prirë nga bajraktari i fisit, nga Rrustem Tahir Bajraktari. Ai e mbante flamurin (bajrakun) në ballë të betejës.
Në një nga ditët e kësaj lufte sa lokale dhe (ndër)kombëtare, tue u kthye hypur në kali shale për në qytetin e Plavës e kapin dhimbje të forta të zemrës dhe ai bie përtokë. Pësoi dëmtime frakturore jo të lehta e shtypje të randa, çka e banë me e nxanë shtratin e lëngesës e të shpresës për shpëtim. Ai qëndroi tek një familje me mbiemrin Beshkoviq në Plavë, me sa duket të origjinës shqiptare, të cilët u përkujdesën për Rrustem Tahir Bajraktarin si për djalin e vet për me ia mjekue plagët, me ia shërue dhimbjet, me e ngritë në kambë si një luftëtar prijtar i zoti.
Kur lajmi i shkoi në vesh Sali Tahir Bajraktarit u nis nga komuna e Becit e shkoi në krahinën e Plavë-Gucisë, tek vllau i tij. Ai e mori Flamurin e Bajrakut të Shipshanit për me e çue tek kulla e vet në Kasaj. Thonë se një ditë Sali Tahir Bajraktari shkoi në një përpjekje luftarake me çetnikët sllavë. E mbante Flamurin e Bajrakut.
Ishte beteja e fundit që valvitej Flamuri i Bajrakut të Shipshanit.
Sali Tahir Bajraktari ishte i fundit bajraktar i Shipshanit që printe në një luftë me bajrakun e fisit në dorë.
Pas asaj lufte në Plavë-Guci, Sali Tahir Bajraktari u kthye në shtëpinë e tij, bashkë me vllaun e vet, Rrustem Tahir Bajraktarin dhe me Flamurin e Bajrakut të Shipshanit. Thonë se Rrustemi qëndroi një apo ma shumë ditë në kullën e tij në Kasaj dhe ndrroi jetë ende pa i mbush tridhjetë pranverat e moshës së tij.
Ai mbeti në historinë që ende nuk është shkruar plotërisht, saktësiht, lartësisht për jetën e veprimtarinë e tij e të bajrakut të vet, të Dinastisë Bajraktari të fisit të Shipshanit.
8.
Sali Tahir Bajraktarit ishte nxënës në shkollën teknike amerikane “Harry Fultz”, një vit pas shtetëzimit të saj nga Zogu, po gjithë jetën e tij në komunizëm e përndoqi me trajtesa e mbingarkesa politike fakti se ishte një “Harry Fultz”.
Përkundrazi ai një thanie të njohur të Harry Fultz “Përpiqu të bësh Shqipërinë vend për të cilin vlen të jetosh” e kishte moto të veten, pavarësisht se dhe për shërbesa të larta kombëtare e qytetare ndaj vendit të vet dhe nuk i mori shpërblesat e merituara. Përkundrazi: e internuan tre herë, atë vet dhe familjen e tij të madhe. Të parën herë, në vitet 1953-’55 në Lushnje-Tepelenë-Lushnje. Të dytën herë, në vitet 1959 deri më 1970, në Fier, në NB “Çlirimi”. Të tretën herë, më 1976 në Brisë. Pas internimit të fundit nuk u kthyen ma në vendlindjen e vet, në Kasaj të Shipshanit, përveçse kur Sali Tahir Bajraktarin e çuan për ta varrosur në vendlindjen e tij trojenike. Aty ku lindi dhe u rrit si bajraktar, si luftëtar, si dijetar, si shtetar, si shqiptar.
Sali Tahir Bajraktari në jetën e vet i pati dy martesa me çika nga dyer të mëdha, të njoftuna ndër Shqiptari për pushkë e mendje, për traditat, vlerat e virtytet e tyre. E para martesë ishte me Xhevahiren e derës së Sahit Hoxhës të Fletit të Pukës. E dyta martesë ishte me Fatimen e derës së Bajram Hazirit të Rrogamit. I pati 12 fëmijë: Drita, Mustafa, Tahiri, Bedrija, Nexhmija, Makbulja, Besniku, Bahria, Zarifja, Vojsava, Fiqireti, Afërdita, të cilët gëzojnë një emër të mirë, i qëndruan kohës me vështirësi e krenari, me sakrifica e dinjitet. U rritën vet të mirë e rritën fëmijë të mirë. Me gene të trollit, në brezni. Me i rritë këta fëmijë atij i duhej shpesh herë të tregohej e të çertifikohej “rebel” i kohës me të gjithë ata kurthaçi që nuk ia donin të mirën, që donin me ia klucë të keqen, që e sulmonin për zotësitë, që e ndiqnin me “cenet” e biografisë, etj. Atij, në internime nga Brisa në Fier-Lushnje-Tepelenë, në veprat e mëdha të dritës si në Fierzë, në qytetin alpin të Bajramcurrit, etj. për me i ruajt fëmijët e vet, familjen e vet, i duhej të sillej si Shqiponja në Folenë e Vet…
Sali Tahir Bajraktarin vërtet nuk e lanë të rritej i madh me pushtet e në shtet, po as nuk mujtën me e ba “të vogël” në kullën e vet, në udhën e vet. Atë nuk e lanë apo nuk ia mundësuan me i demonstruar vlerat e tij të rralla në lartësitë e kohënave sado të vështira, por as nuk mundën për me ia hup genet në rrjedhat e brezave të tij degëshumë. Ai po rritej i madh që në rininë e tij në shkollën teknike të Tiranës, po dhe kur u ba i madh në moshë e me thinja dukej e ndjehej sikur të ishte djalosh i ri.
Sot, lisnaja e tij në vargavijë genetike, dhe deri me nipër e mbesa të derës kombëtare Bajraktari, janë të njohur për mirë: juristi e shahisti Besnik Sali Bajraktari, djemtë e Tahir Sali Bajraktarit, vllaznit Mulaj të Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës, vllaznit Ponari të firmës “Kassel”, të Fondacionit “Kastriot Kadri Ponari” etj. Këta, të gjithë, janë si notat e pentagramit, apo ndryshe: secili me instrumentin e vet, me hapin e tij, përndryshe: janë një ansambël vlerash e arritjesh bashkëkohore.
Faktikisht, nipat e mbesat e Sali Tahir Bajraktarit janë genemirë në truallin e kullat e tyre, por kanë një nderim e kumtim të veçantë për dajën e tyre, për Dinastinë Bajraktari të Shipshanit, prej se nga Din Bajram Bajraktari, Bek Din Bajraktari, Tahir Bek Bajraktari, Rrustem Tahir Bajraktari e të tjerët të mavonshmit, si Mustafë Sali Bajraktari, martir i demokracisë prej vitit 1976, “Qytetar Nderi” i Tropojës, emrin e të cilit prej 26 majit 2016 do ta mbajë Sheshi kryesor i kësaj njësie administrative të madhe, ish nënprefekturë, ish qendër rrethi e komune, etj. apo si e ceki në disa shkrime të mijat “kryeqyteti” edhe i krahinës time të Shipshanit ndër dekada të shekujve të fundit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajraktari, Ramiz Lushaj, Sali Tahir, Shipshani

Një qytet në ankthet e pushtimit…

March 29, 2016 by dgreca

Nga  Andrea  Liko & dr. Niko  Ferro/ Lushnjë : kronikë plot nerv e 24 orëve të 6 prillit 1939./

Këto kanë ndodhur në qytetin e Lushnjës më 6 prill 1939, plot 77 vite më parë, në ditën e fundit të lirisë, në orët e pragpushtimit  fashist . Kronika është  e  plotë, e dokumentuar, e ruajtur mirë. Eshtë një kronikë plot nerv në  rritje me një ankth përcëllues…

Shënimet nisin në orën 9 të mëngjesit të së enjtes së madhe, asaj para Pashkëve. Në pijetore flitet vetëm pë Italinë e italianët, të cilin “ishin ashtu” e “janë kështu”. Çaste të tilla u hapin rrugë muhabeteve me heroizma të së djeshmes. Midis folësve kishte dhe pjesëmarrës të Luftës së Vlorës, të cilët më shumë mbanin mend përzënien e “pepinove” dhe e thjeshtonin  gjëmën tek pragu i derës…

Dhe befas shfaqen dy skuadrilie të aeroplanëve italianë, të vendosur në formacion luftimi, që ecnin mjaft ultë, pak mbi lartësitë e pemëve. Njerëzit prisnin kthimin, por ai vonoi. Gjatë tërë ditës, guida u përsërit edhe dy herë…Sakaq, fusha e vogël e shkollës plotore u mbush me fletushka të verdha, me shkrim në gjuhën shqipe. Mjetet të propagandës fashiste bënin thirrje për moskundërshtim, pasi “po vinin vetëm për të ndihmuar” dhe se “Italia ishte një mike e madhe e Shqipërisë” etj., etj. Mësimi u ndërpre, nxënësit vrapuan për në shtëpi t’u tregonin prindërve pë “zogjtë e hekurt” dhe përmbajtjen e fletushkave…

Kaq u desh dhe koha e ankthtë e pritjes mbaroi. Vala e zëmërimit lindi vetiu në shpirtin e të gjithëve dhe dallga e njerëzve u grumbullua para nënprefekturës. Tërë sy e vesh, lushnjarët prisnin ndonjë lajm nga Tirana, në mos, po, nga Durrësi. Në mesditë, nënprefekti i Lushnjës, Tafil Boletini organizoi një takim me personat më me ndikim në popull. Njëri nga dëshmitarët, mësuesi Ahmet Shehu, ka lënë këtë shënim : Nënprefekti tha se Lushnja dhe lushnjarët janë ndeshur edhe tjetër herë me italianët, madje u ka bërë ballë në kohë edhe më të këqija. Tash Shqipëria po është në po ato kondita. Them se fllota italiane do zbarkojë në skelat e vendit tonë…Të pranishmit i drejtuan pyetjen sa retorike, aq edhe plot tension : E zotëria juaj, çfarë këshille na jepni; çfarë urdhëroni të bëjmë ? Nënprefekti nuk u mendua dy herë : duhet një fuqi luftuese nga e gjithë nahija e Lushnjës.

Atij iu kërkua të njoftonte të gjitha komunat dhe kështu u bë…

Nuk dihet se si, por në darkë, rreth orës 17.00, në Lushnjë sollën ca armë – ndofta nga Tirana -, kryesisht pushkë, bashkë me fishekët. Trimi i njohur Rrahman Uruçi, i cili më vonë komandoi grupe e brigada partizane, veçonte se “…binte në sy mungesa e armatimit të rëndë dhe fakti që pushkët ishin thuajse vjetërsira”. Sidoqoftë, sipas kujtimeve të vet nënprefektit Boletini, “…rreth 3000 vet u turrën kush e kush me marrë nji pushkë. Më është dasht me ndërhy shpesh me ja dhanë armën ma të zotit…Më bante çudi një farë entuziamit të miletit. Kishte raste që vinin edhe 2 a 3 veta për derë, sikur po shkonin me festu e jo me luftu…”.

Ende pa u errur, tek Çesma e Kalifasë u grupuan vullnetarët e parë. Vetëm nga Karbunara ishin 2 “batalione” me 150 vetë secili; rreth 200 pushkatarë erdhën nga Darsia. Të shumë ishin ata nga zona e Libofshës, mbi 500 vullnetarë. Ata i komanonte patrioti Zoi Ndreko. Luftëtari i regjur Llazar Bozo u printe kolonjarëve. Pasi u bë ndarja e armëve, nënprefekti dhe komandanti i xhandarmërisë u sugjeruan luftëtarëve që të vendoseshin përgjatë bregdetit Seman – Karavasta – Divjakë – Shkumbin. Pati nga ata që donin të niseshin për në Durrës apo Vlorë, por autoritetet nuk ishin të këtij mendimi.(!).

Por kjo situatë tensioni solli edhe surpriza aspak të mira. Aty para mesnatës, nga Lushnja u larguan pikërisht më të nevojshmit, nënprefekti dhe komandanti i xhandarmërisë.(!). Ikën fshehurazi, me nxitim të madh, gati hajdutshe…Kjo solli një heshtje të qelqtë në qytet dhe një pikëpyetje me goditje këmbane tek njerëzit. Mësuesi patriot Ahmet Shehu, tashmë komandant i pushkatarëve të Karbunarës, tregon se “atë natë askush nuk e vuri kokën në jastëk”…

…E premtja  shpirtakullt e 7 prillit 1939 u gdhi me fytyrën e trishtimit. Zyrat kryesore të shtetit ishin boshatisur. Në qytet kishte qendruar vetëm kryetari i gjyqit, Teki Libohova. Ai së bashku me Arif Kurtin morën në dorë zyrat e lëna bosh. Ndërkohë u zbulua se centrali telefonik ishte shkatërruar. Në mjedis kishte edhe telegrame të djegura…(!).

Në gjuhën e liturgjisë, e premtja para Pashkëve të Mëdha quhet “e premtja e zezë”. Më 7 prill 1939 ajo ishte tamam e tillë. Ndërsa u rreshtun mbi kodra dhe dëgjonin bombardimet e Durrësit, lushnjarët e ndjenin se goditja e vezëve të kuqe të Pashkës  këtë radhë do të ishte ndryshe…

Ne Foto: Pamje nga qendra qytetit e Lushnjes viti 1941.  Nga e djathta ushtaret italiane.

Filed Under: Histori Tagged With: Andrea Liko & dr. Niko Ferr, Një qytet në ankthet e pushtimit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2958
  • 2959
  • 2960
  • 2961
  • 2962
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT