• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Basha në Zërin e Amerikës: PD me dy variante për BKH

March 18, 2016 by dgreca

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet i gatshëm për negociata me pozitën mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias. Zoti Basha i bëri komentet në një intervistë të drejtpërdrejtë në studiot e Zërit të Amerikës ku foli për propozimet e PD mbi ngritjen dhe funksionimin e BKG-së, si dhe takimet me zyrtarët amerikanë në Uashington.

Zëri i Amerikës: Fillojmë menjëherë bisedën me takimet që keni zhvilluar me zyrtarë të administratës, me zonjën Nulland, Ndihmës Sekretare e Shtetit dhe me zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë për Sigurinë Kombëtare. Si gjithmonë, mesazhi është që Shqipëria është një aleate e rëndësishme dhe mbështetja vazhdon për procesin demokratik. Por më konkretisht: lidhur me rolin e opozitës në Shqipëri, çfarë mesazhi përcillni nga zyrtarët amerikanë?

Lulzim Basha: Vizita këtu kryhet edhe në një moment historik siç është 25- vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. Ky është momenti kur ne kujtojmë edhe një herë mbështetjen e jashtëzakonshme që kemi marrë nga ky vend në 25 vite të Shqipërisë së hapur, të Shqipërisë që ndërton demokracinë dhe shtetin ligjor. Proceset e reformave që kanë sjellë hapjen dhe demokratizimin e Shqipërisë, shtetin ligjor, janë procese që kanë punuar për shqiptarët në radhë të parë. Futja në NATO, përtej të qenit një arritje strategjike, është një arritje që ka funksionuar për shqiptarët dhe për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Po kështu, heqja e vizave apo marrja e statusit kandidat, pavarësimi i Kosovës janë arritje kombëtare. Por të gjitha këto arritje, të cilat janë pa dyshim rezultat i reformave të brendshme dhe i mbështetjes së SHBA-së, duhet të jenë të parikthyeshme, një term, që është përdorur gjatë antarësimit në NATO. Kjo nuk po ndodh. Po shohim në rajon dhe në veçanti në Shqipëri një zhbërje të standarteve demokratike, prishje të rregullave të lojës, kërcënim të fondamenteve të demokracisë dhe të shtetit ligjor…

Zëri i Amerikës: Kishte shqetësim nga zyrtarë amerikanë lidhur me këto?

Lulzim Basha: Ky është një dialog i përhershëm me përfaqësuesit e SHBA-ve dhe përfaqësuesit e saj në Tiranë, me ambasadorin Lu, me zonjën Nulland, e cila viziton rregullisht rajonin dhe Shqipërinë, natyrisht me sekretarin Kerry gjatë vizitës së tij në Tiranë, dhe në Uashington gjatë këtyre ditëve me kongresmenë, me antarë të senatit, me përfaqësues të lartë të administratës amerikane, duke përfshirë Ndihmës Sekretaren Nulland dhe me parfaqësuesit e këshillit të lartë të sigurisë në Shtëpinë e Bardhë. Çfarë mund të bëjë opozita shqiptare? Së pari, rolin e saj: të jetë gardiane e rregullave të demokracisë e të shtetit ligjor, të të drejtave të garantuara me Kushtetutë, jo të opozitës, por të qytetarëve shqiptarë, duke kërkuar transparencë, duke bërë transparencë, duke bërë detyrën, që i ngarkon ligjvënësi opozitës, sepse opozita ka përgjegjësitë e saj në demokraci. Së dyti: një përgjegjësi tjetër e rëndësishme e opozitës është të japë alternativa, të japë zgjidhje, të artikulojë zgjidhje politike aty ku ka krizë, aty ku ka rënie apo zhbërje të standarteve. Edhe kjo është një detyrë shumë e rëndësishme e opozitës, të cilën si kryetar i opozitës e kam marrë shumë seriozisht prej ditës së parë dhe në dialogun tim me SHBA pjesa e alternativës që Partia Demokratike ofron për të dalë nga kriza politike dhe ekonomike ka qenë dhe mbetet një pjesë shumë e rëndësishme, për t’u treguar partnerëve tanë amerikanë se çfarë vizioni ka Partia Demokratike dhe opozita shqiptare për nxjerrjen e vendit nga kriza politike, për ruajtjen e standarteve të arritura dhe që bënë të mundur antarësimin e Shqipërisë në NATO si dhe për të sigurar të ardhmen e Shqipërisë në 25 vitet e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, ne kontaktuam Departamentin e Shtetit lidhur me këtë takim. Lidhur me rolin e opozitës, aq sa thoni ju se ju takon të paraqisni një alternativë, zyra e zonjës Nulland në komentin e saj tha se ka theksuar edhe nevojën që ju të jeni të gatshëm dhe të hapur për kompromis dhe për të bashkëpunuar me qeverinë për të gjetur zgjidhje për problemet më kryesore të vendit si dekriminalizimi, reforma në drejtësi. Pra, nuk është puna thjesht për të paraqitur plane që ecin paralelisht dhe që në fund nuk do të kenë asnjë pikë të përbashkët, çfarë do të bëni ju për të gjetur një zgjidhje në fund të fundit?

Lulzim Basha: Detyra jonë si opozitë t’u japim shqiptarëve një alternativë tjetër qeverisëse. Por kur vjen puna tek çështje të tilla të shtetndërtimit si reforma në drejtësi, zbatimi i ligjit të dekriminalizimit apo reforma zgjedhore, ajo që lypset është që palët politike të bashkëpunojnë për të implementuar standardet dhe normat europiane dhe euro-atlantike, jo standarde sui generis, jo standarde Rama as standarte Basha. Jo standarte alla Tirana, por standarde europiane, euroatlantike, të Uashingtonit dhe të Brukselit. Në takimin me zonjën Nulland këtë kam theksuar: faktet tregojnë që Partia Demokratike nën drejtimin tim, jo vetëm nuk ka refuzuar, por ka shtrirë dorën e bashkëpunimit, a thua se jemi ne tashmë në qeveri dhe pala tjetër në opozitë. Kjo është refuzuar deri në ditën e sotme. Unë kam këaqësinë të ndaj nga kjo studio me teleshikuesit tuaj dhe me gjithë bashkatdhetarët tanë në Shqipëri dhe kudo, se nën presionin e aleatëve tanë SHBA, sot duket se maxhoranca ka reflektuar dhe të paktën në letër sot ka rënë dakord për të nisur dialogun politik pa kushte, por bazuar mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias, për reformën në drejtësi. Në qoftë se marrëveshja e sotme respektohet, dhe për fat të keq, nuk do të ishte çudi po të shkelej si marrëveshja e 8 janarit po ashtu e negociuar nga ambasadori Lu, por shpresojmë që jo, pra, nëse kjo marrëveshje respektohet, atëherë kjo do t’i hapë rrugë kompromisit dhe konsensusit politik për një hap shumë të rëndësishëm si reforma në drejtësi. Ky është një hap i rëndësishëm jo vetëm për politikën, jo për Partinë Demokratike, jo për Partinë Socialiste, por për qytetarët shqiptarë. Ajo çfarë ne insistojmë: konsensusi politik nuk ka të bëjë që Partia Demokratike të ketë më shumë kontroll apo Partia Socialiste të ketë më pak kontroll tek drejtësia; ka të bëjë me faktin se një drejtësi e kontrolluar politikisht nuk do t’i shërbejë qytetarëve shqptarë, nuk do të japë drejtësi, do të vazhdojë të mbetet e korruptuar. Prandaj lufta jonë nuk është për interesa politike, nuk është për interesa të Partisë Demokratike apo të Lulzim Bashës, por është për t’u dhënë shqiptarëve një drejtësi të pakorruptuar, të pakapur politikisht, e cila u shërben qytetarëve dhe jo politikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, ju shpresoni se do të uleni me palën tjetër, me palën në qeveri dhe të diskutoni paketën që solli Komisioni i Venecias pa kushte. Ndërkohë ju keni paraqitur një numër ankesash që vënë në pikëpyetje disa elemente thelbësore të kësaj pakete…

Lulzim Basha: Jo vetëm e vënë në pikëpyetje, por e hedhin në erë projektin e kapjes politike të…

Zëri i Amerikës: Kjo paketë ka ardhur nga Venecia, në një kohë që ju keni thënë ne do ta përqafojmë çfarëdo opinioni që sjell Venecia.

Lulzim Basha: Rekomandimet e Venecias janë baza mbi të cilën ne jemi gati të punojmë. Paketa e nisur, e cila u kritikua në të dyja rastet nga Venecia tregoi edhe një herë se ajo që ne u parashtruam qytetarëve shqiptarë, Brukselit dhe Uashingtonit, nuk ishte një fabulë në kokën e opozitës, por ishte realitet. Qeveria bëhej gati të çimentonte kapjen politike të drejtësisë. Prandaj ne jemi shumë të kënaqur dhe mirënjohës ndaj Komisionit të Venecias dhe ndaj partnerëve tanë që përmes këtij procesi kanë çmontuar përpjekjen për çimentimin e kapjes politike të drejtësisë, sepse për fat të keq drejtësia është e kapur politikisht, dhe i hapim rrugë kështu një reforme me një drejtësi për t’i shërbyer qytetarëve, por edhe një drejtësie të aftë për t’u përballur dhe për të luftuar korrupsionin në nivele të larta.

Zëri i Amerikës: Pra, lidhur me Paketën që ka ardhur nga Venecia, jo me variantin që ka dërguar shumica e majtë, ju i qëndroni asaj paketa, nuk keni ankesa? Nuk do të shkoni me kushte në takim?

Lulzim Basha: Kushti ynë i vetëm ka qenë moskapja politike e sistemit të drejtësisë. Venecia është shprehur qartë dhe i qëndrojmë asaj që Venecia ka thënë: duhet konsensus, duhet kompromis politik, duhet dialog politik në mënyrë që kapja politike të shmanget përmes zgjidhjeve të cilat pamundësojnë që një forcë e vetme politike, qoftë edhe duke disponuar 3/5 siç i disponon ky koalicion, të vendosë se kush dhe si do ta menaxhojë drejtësinë për 15 apo 20 vitet e ardhshme. Kjo, ka thënë Venecia, është e papranueshme ndaj ne jemi gati të ulemi. Shpresoj që edhe angazhimi i tyre formal sot të qëndrojë edhe nesër. Të ulemi, të dialogojmë politikisht, të marrim përgjegjësitë para shqiptarëve, duke mos u fshehur pas ekspertëve, por të marrim përgjegjësitë para shqiptarëve dhe t’u japim shqiptarëve një drejtësi të pakorruptuar, por të aftë për të luftuar korrupsionin në nivele të larta.

Zëri i Amerikës: Dy forca politike ulen për të diskutuar një paketë që do sjellë ndryshime kushtetuese me qëllimin që Gjyqësorin ta largojë nga presioni politik. Forca politike që futen me interesa politike. Si do arrini ta ruani këtë reformë gjyqësore nga presioni politik kur ju vetë po futeni në dialog me interesa të caktuara?

Lulzim Basha: Jua them fare thjeshtë; fare thjeshtë nuk është, do të mundohem ta bëj sa më të kuptueshme për shikuesit tuaj. Interesi ynë nuk është të kemi një kompromis bipartizan për drejtësinë, por një kompromis jopartizan për drejtësinë. Sepse një drejtësi e politizuar, e polarizuar më tej nuk do të jetë në gjendje t’i shërbejë mirë qytetarit. Ndaj në çdo hap ne kemi propozuar formula evropiane, euro-atlantike të cilat do të garantojnë që përfaqësuesit e zgjedhur nga politika në këto institucione të jenë njerëz që reflektojnë konsensusin e gjerë shoqëror dhe jo militantë me flamuj partiakë në dorë. Për këtë ka formula të suksesshme. Unë shpresoj që dialogu që do të nisë nesër të orientohet dhe të përqafojë këto formula. Për këtë vullneti ynë ekziston dhe vullneti im ekziston. Uroj që e njëjta gjë të ndodhë edhe me kryeministrin e vendit.

Zëri i Amerikës:  Një element i rëndësishëm i reformës do të jetë Byroja Kombëtare e Hetimeve. Ka pasur një konfuzion; të them të drejtën kur dëgjon çfarë ka dalë nga PD-ja nuk arrin të kuptosh ku qëndron Partia Demokratike lidhur me këtë institucion shumë të rëndësishëm. A mund të na e sqaroni ju lutem?

Lulzim Basha: Logjika është fare e thjeshtë. Ku mund të qëndrojë opozita në raport me një instrument që heton dhe lufton korrupsionin dhe ku ndodhet korrupsioni? Korrupsioni, si rregull, kudo dhe veçanërisht në Shqipëri ndodhet aty ku merren vendimet për paratë e shqiptarëve, aty ku merren vendimet për pasuritë e shqiptarëve. Çfarë interesi tjetër mund të ketë çfarëdo opozite, e në veçanti opozita ime, Partia Demokratike, përveçse ekzistencës së një institucioni të tillë. Dhe sigurisht, nga ana tjetër, ka një përpjekje për t’i rezistuar një institucioni të tillë, apo të paktën pavarësisë dhe mundësisë së një institucioni të tillë për të bërë hetime në nivele të larta të korrupsionit. Dhe këto tentativa u mishëruan në përpjekjen që BKH-ja të ndodhej nën sqetullën e kryeministrit fillimisht, pastaj nën sqetullën e ministrit të brendshëm, dy propozime që Venecia i çmontoi.

Zëri i Amerikës: … Dhe propozimi juaj?

Lulzim Basha: Propozimi ynë do të ishte implementimi i Venecias. Byroja Kombëtare e Hetimeve nuk mund të jetë kurrë në vartësinë e asnjë institucioni përveç institucionit të cilit Kushtetuta i beson hetimin, që është Prokuroria Shqiptare.

Zëri i Amerikës:  Ju do të prisni që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe pastaj të ngrihet BKH-ja?

Lulzim Basha:  Ka dy mënyra për ta bërë këtë, me ndryshime kushtetuese që do të thotë ngritja e një organizate të re me kompencë të veçantë për luftën kundër korrupsionit…

Zëri i Amerikës: … që mund të dojë vite të tëra në pritje që të kalojë gjithë procesi….

Lulzim Basha:  Prandaj duhet filluar një orë e më parë. Prandaj nuk duhet tjetër. Dhe së dyti, varianti tjetër është që të futet nën varësinë e Prokurorit të Përgjithshëm, për të cilin nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese. Ne jemi të hapur për të diskutuar në meritat e tyre, në thelbin e tyre të dyja përqasjet dhe për të zgjedhur atë që funksionon më mirë.

Zëri i Amerikës:  Për të marrë argumentin tuaj, si mundet një institucion që e keni pasur në ekzistencë deri tani dhe që ka pikëpyetjet e veta në luftën kundër korrupsionit, si mundet të udhëheqë luftën kundër korrupsionit dhe këtë radhë ta bëjë në mënyrë të tillë që të fitojë besimin e qytetarit, me transparencë, por edhe me rezultate që kërkohen nga vetë qytetari shqiptar, por edhe nga ndërkombëtarët?

Lulzim Basha:  Kjo është pyetje shumë e rëndësishme, sepse ndërkohë që fokusi në reformën në drejtësi ka qenë pothuajse i përditshëm, kemi humbur pamjen e plotë të asaj që po ndodh në Shqipëri. Shqipëria nuk është Republika Prokuroriale e Shqipërisë, dhe as Republika Gjyqësore e Shqipërisë; është Republika e Shqipërisë – një demokraci parlamentare. Përgjegjësinë, pra, e ka shumica e zgjedhur me votë, çdo katër vjet normalisht, për të siguruar një ambjent në të cilin luftohet krimi dhe korrupsioni. Prokuroria ka përgjegjësitë e veta, por çfarë mund të pritet nga disa, apo nga një individ i vetëm, nëse krimi bashkëjeton me vendim-marrësit, nëse krimi është ulur këmbëkryq në Parlament dhe dikton vendim-marrjen; nëse krimi dikton se kush do të emërohet në dogana, kush do të emërohet në tatime, kush merr Lagunën e Patokut, ku emërohen drejtorët e OSHE-së, cili merr tenderat publikë, cili emërohet në polici?

 

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: : PD me dy variante, Basha në Zërin e Amerikës, për BKH

Kush duhet fajësuar për krizën e ujit në Flint (Michigan)?

March 18, 2016 by dgreca

Nga Rafael Floqi/ Michigan/

…Michigan. Faji mbetet jetim, thotë një proverb shqiptar. Kjo do të më vinte në mend, ndërsa po shihja dëshmitë e nxehta para Kongresit të ditës së enjte me Guvernatorin e Michigan-it, Rick Snyder (R) dhe Administratoren e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, EPA, Gina McCarthy. Nëse do të donit qartësi, apo të gjenit një shenjë se i kujt ishte faji, përgjigjja, ndoshta do të varej nga përkatësia juaj partiake.

Republikanët e bënë të qartë se ata mendonin se McCarthy dhe EPA ishin arsyeja që shumë banorë të Flintit, ende nuk kanë ujë të pijshëm të pastër prej një viti e gjysmë, pasi qyteti kaloi furnizimin me ujë nga Detroiti në burimet e lumit të Flintit dhe filloi pompimin e ujit të ndotur tek banorët, shtëpitë dhe bizneset. “EPA ka qenë shumë e ngadaltë – ndoshta edhe e pakujdesshme, për t’iu përgjigjur shqetësimeve, të banorëve”, thonë ata.Ndërsa demokratët ia vunë gishtin pikërisht gov. Snyder, i cili erdhi në pushtet, në vitin 2011, duke premtuar për ta drejtuar qeverinë si një biznes. Ata thonë se vendimi i tij për të kapërcyer procesin demokratik dhe për të emëruar menaxherët e emergjencës (sikur Flinti apo Detroit të mos ishin të falimentuar) për luftuar për sigurimin e bilancit të qyteteve të tilla, si Flinti e ka krijuar këtë krizë.

Të dyja këto teori, u luajtën disa herë gjatë seancës të së enjtes, ku si Snyder dhe McCarthy, iu nështruan për pesë orë akuzave të ligjvënësve për atë që ndodhi tmerrësisht kaq keq në Flint.

Loja e fajësimit filloi pothuajse menjëherë, pasi demokrati më i lartë në komision, me reputacion Elijah Cummings (Md.) shfaqi qëndrimin e demokratëve për seancën, duke e akuzuar z. Snyder, dhe jo qeverinë federale, e cila mban pjesën më të madhe të fajit, për atë që ndodhi.

“Administrata gov. Snyder përzgjodhi, për ta kaluar furnizimin e ujit nga lumi Flint dhe jo EPA,” tha ai. “Administrata Gov. Snyder i injoroi paralajmërimet e mbikëqyrësit të trajtimit të ujit Flint, për të mos e ndërmarrë këtë hap dhe jo, EPA.”

“Administrata Gov. Snyder e shkaktoi këtë katastrofë të tmerrshme, duke helmuar fëmijët e Flintit.”

Shkaku i helmimit me plumb të ujësjellësit të Flintit ndodhi pasi uji i burimeve të lumit Flint kishte PH acid, gjë që shkaktoi gërryerjen dhe tretjen e tubacioneve të vjetra prej plumbi dhe rrjedhjen e plumbit të tretur në rubinetet e shtëpive.

Kështu të enjten kongresi u kthye në një sallë gjyqi, ku të gjithë ligjvënësit drejtonin

gishtat duke fajësuar palën tjetër.

Shumë nga ligjvënësit, të cilët vunë në pikëpyetje Snyder dhe McCarthy u munduan të bëjnë rolin e zbatuesit të ligjit, pasi kanë edhe një përvojë të tillë. Komisioni Prestigjioz i Kongresit mbi Mbikëqyrjen dhe Reformën Qeveritare, i cili shpesh mban seanca të diskutueshme që i venë dëshmitarët në siklet, është një nga vendet e profilit të lartë, ku të gjithë marrin poza duke përdorur sfondin e ligjit dhe duket si një nga seritë e “Law and order”.

Kongresi u kthye në gjykatore dramatike televizive, kur kongresmeni Matt Cartwright (D-Pa.), një avokat nga profesioni mori në pyetje z. Snyder, sikur guvernatori të ishte në bankën e dëshmitarit për një gjykim penal dhe Cartwright të ishte duke u përpjekur ta vinte atë të poshtë, për ta bërë të ngecte në ndonjë deklaratë të gabuar.

CARTWRIGHT: Guvernatori Snyder, a nuk pranoi sot këtu para këtij komisioni, që ju dhe administrata juaj ka dështuar me popullin e Flintit?

SNYDER: Unë e kam bërë të qartë, për sa i përket situatës sime në fjalimin e situatës së shtetit, kur kam thënë … (Cartwright e ndërpret sërish.)

CARTWRIGHT: Dhe vetë ekipi i caktuar nga ju, zbuloi se Departamenti juaj i Cilësisë Mjedisore ishte, citoj, “Kryesisht përgjegjës për krizën në Flint.” A e pranoni ju sot këtu këtë?

SNYDER: Po, dhe mora veprime menjëherë në bazë të rekomandimeve. (Cartwight e ndërpret)

Ai vazhdoi kështu deri në fund Cartwright ndjeu se kishte mjaft material për të arritur synimin e tij:

“Mohim i besueshëm, ka kuptim vetëm kur diçka është e besueshme,” tha ai, “dhe unë nuk mund ta ha atë që ju nuk dinit asnjë rreth kësaj situate deri në tetor të 2015. Ju nuk ishin në gjendje kome të detyruar mjekësore për një vit. Dhe unë kam pasur mjaft dyshime rreth pendimit tuaj të rremë dhe gjoja keqardhjes suaj.”

Mjedisi diskutuesve të komitetit gjithashtu të jepte idenë e teatrit dhe të çfarë teatri se.

Më vonë ishte radha e republikanëve për shfaqjen e tyre vizuale. Rep. John Mica (R-Fla.) paraqiti një raport nga ekspert ujit i EPA-s, Miguel Del Toral, i cili u përpoq të alarmonte eprorët e tij në fillim të vitit 2015, se mund të kishte diçka të gabuar me ujin e Flintit. Republikanët argumentojnë se EPA nuk u mor parasysh në kohën e duhur raportin e Del Toral; dhe disa madje akuzojnë shefin EPA, McCarthy dhe stafin e saj për heshtjen mbi këtë (një akuzë që zyrtarët e EPA-s e mohuan fuqishëm në seancat e kësaj jave).

McCarthy tha se ajo dëshironte që stafi i saj të kishte marrë kontrollin e situatës më herët, dhe se ajo nuk kishte bërë asgjë të gabuar. Republikanët nuk ishin të bindur.

“A e shihni këtë raport?” Mica pyeti, duke mbajtur lart raportin e Del Toral “Një student i shkollës së mesme që mund ta merrte këtë raport , do të përcaktonte se fëmijët janë duke u helmuar.” McCarthy u mbrojt se kjo nuk ishte faji i agjencisë së saj, se ata nuk ndërhynë apo u përpoqën për të ndaluar rrjedhjen e ujit të helmuar në shtëpitë e Flintit për muaj të tërë. “Kjo ishte gjendja e, tha ajo. “Ne ishim të mashtruar, ne kemi qenë të mbajtur larg nga zyrtarët e mjedisit të shtetit, të cilët nuk na jepnin informacionin e saktë.

Rep. Jason Chaffetz (R-Utah) tha se nuk ishte i impresionuar me gishtin e tij tregues drejtuar asaj tha :”Wow”, duke, e ngritur zërin e tij normalisht, pasi e pat ulur një oktavë. “Ju thjesht, nuk po e merrni parasysh atë raport. Ju ende nuk po e bëni.”

Gjërat mes Chaffetz dhe McCarthy u përshkallëzuan më tej. Një nga mosmarrëveshjet qendrore midis republikanëve dhe zyrtarëve EPA-s, është nëse EPA kishte autoritetin për të ndërhyrë dhe për të marrë kontrollin e ujit në Flint.

Zyrtarët EPA iu mbajtën idesë se ata kishin nevojë për më shumë prova, përpara se ata mund të merrnin masa ndërsa republikanët e akuzojnë EPA kishte qenë e lëkundur pa arsye. Kur erdhi koha për të folur ligjvënësi Paul Gosar (R-Ariz.) ai ishte gati për luftë. Ai e sulmoi McCarthy-n, pasi ai e pa, se ajo dukej më shumë të shqetësuar për zbatimin e rregulloreve të qeverisë dhe jo për të ndihmuar amerikanët e vërtetë. “Kjo është një proçkë e vjetër,” tha Gosar.

“Amerikanët janë të sëmurë nga ky nepotizëm burokratik dhe ju jeni kultura e problemit. Unë jo vetëm unë kam kërkuar që ju të pushoheni nga puna, në qoftë se ju nuk do të jepni dorëheqjen, por ju duhet të akuzoheni penalisht.”

Dhe thelbi e çështjes me problemin e ujit të Flintit, sërish mbetet i paqartë. A ishin burokratët federale që krijuan këtë zallamahi, sepse burokracia është e ngadalshme dhe e paefektshme për të mundur të keqen, apo ishte z. Snyder, i cili u përpoq ta drejtonte qeverisjen e shtetit si një biznes, duke dashur të fuste kambanoren në thes?

Por edhe pas tri seancave të Kongresit për Flintin, përfshirë 10 orë të kësaj jave, nuk duket e saktë një përgjigje. Të paktën, jo një përgjigje, për të cilën të gjithë mund të binin dakord.

Dhe ndërsa kongresmenët imitonin Judge Judy-n, ata ende nuk kanë miratuar fondet e një projektligji, që do t’i jepte paratë dhe do të ndihmonte në zgjidhjen e problemit dhe të shkakut të tij, ekzistencën e tubave të vjetër prej plumbi që treten nga ujërat me përmbajtje acide. Se pse, edhe,nëse nuk do të ishte ndërruar burimi i ujit, plumbi jo i tretur do të ishte po aty. Ndërsa FIMA nuk jep fonde edhe sot, duke arsyetuar se nuk është fatkeqësi natyrore por gabim njerëzor, a nuk është ky një arsyetim burokratik? Nëse fajësohet guvernatori, po zyrtarët lokalë të zgjedhur apo emëruar a s’kanë faj? Këtu ka shumë pyetje që Kongresi në vend të bëjë gjykatësin duhet t’u japë zgjidhje. Të paktën Snyder po përpiqet ta ndreqë gabimin në vend, në mos qoftë vonë, se siç thonë plumbi, qoftë dhe i tretur të vret.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: kriza e ujit ne Flint, kush eshet fajtori, Rafael Floqi

TRE VJETORI I PETICIONIT PËR RRUGËN E ARBËRIT

March 18, 2016 by dgreca

Nga Gezim ALPION/ Birmingham, Angli/

Përshëndetje Përkrahës të Peticionit,/

Sot tre vjet më parë filluam peticionin online për Rrugën e Arbërit.

Nuk kemi asgjë për tu gëzuar në këtë përvjetor. Ëndrra dibrane për rrugën është binjake me ëndrrën shqiptare për demokraci. Në çerek shekullin e fundit kaotik është e admirueshme që dibranët akoma kanë forcë të ëndrrojnë. Dhe mirë bëjnë.

Rruga e Arbërit është me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Kur të bëhet! Tani për tani, kjo rrugë në ndërgjegjen e shqiptarëve është treguesi më domethënës i nivelit të seriozitetit të shtetit, i mënyrës se si qeveris partia në pushtet, dhe i shkallës së efektshmërisë së opozitës.

Ja bilanci i rrugës, që filloi zyrtarisht në vitin 2005, edhe pse për të nuk kishte dhe akoma nuk ka një projekt serioz: Edhe ato segmente që quhen të përfunduara nuk përmbushin standardet ndërkombëtare. Në tre vitet e fundit qeveria aktuale ka arritur të përfundojë vetëm 464 metra. Fondet e rrugës nuk janë gjëkundi.

Siç premtuam në fillim, ne e kemi mbajtur dhe do ta mbajmë peticionin jashtë politikës. Për ne nuk ka rëndësi se cila parti apo aleancë politike është në pushtet.

Ne kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë të takohemi me Kryeministrin. Dhe kjo jo thjesht për të dorëzuar peticionin, një akt formal që përbën obligim si për ne ashtu edhe për z. Edi Rama ndaj më shumë se 10,000 nënshkruesve online dhe në formularë. Takimi do të mundësoj edhe fillimin e një dialogu konstruktiv.

Ne do të kthehemi së shpejti në Shqipëri për të vazhduar dialogun që filluam në Maj 2014 me përfaqësues të pushtetit lokal, deputetë të Dibrës dhe drejtues të shtetit dhe politikës në Tiranë. Shpresojmë që një nga takimet të jetë edhe me Kryeministrin me të cilin jemi të gatshëm të dialogojmë në çdo kohë brenda këtij mandati.

Duke ju falenderuar për përkrahjen tuaj të vazhdueshme, ne ju sigurojmë edhe një herë se nuk do të pushojmë së lobuari për këtë vepër deri sa të përfundohet.

Me respekt,

Gëzim Alpion

Në emër të Grupit të Lobimit

Birmingham, Angli, 18 Mars 2016

_____________

Peticionin mund ta nënshkruani këtu: http://chn.ge/1NZeyGu

 

Filed Under: Komente Tagged With: 3 vjet nga Peticioni, Birmingham, Gezim Alpion, Rruga e Arberit

Don’t stop the ball at formation, think of taxation

March 18, 2016 by dgreca

By Aida Dismondy/

It is tax season. As a business attorney, it has come to my attention, listening to CPAs, that some businesses owners once having formed a company fail, for various reasons, to make a tax election. When tax season comes and they sit with their accountant or CPA to prepare the taxes, they find that no tax election was made. Tax election is the next important step after forming the company because it determines how the profits will be divided.

When forming a business the attorney working with the owner(s) should make you aware that the next step after forming the company is taxation. An attorney should coordinate with the CPA or a tax advisor about the filing of the tax elections, for when tax season comes and no election has been made, it might be usually too late to make an election.

If a corporation is formed under state law, then it has to take the next step and choose one of the two available tax choices elections: be taxed under subchapter S (also known as S-Corp), or be taxed under subchapter C (C-Corp) of the IRS code. A business owner working with a CPA or tax attorney gets to choose. If no choice of election is made then a corporation will be taxed under subchapter C, as C-Corp. A C-Corp pays its own taxes directly, and the owners pay tax on the wages. An S-Corp is a pass-through entity. The election applies to small business corporations; whereas larger corporations choose subchapter C.

If on the other hand, an LLC is formed, then a business owner gets to choose how they will be taxed; either as a partnership, an S-Corp, or a C-Corp. For this reason, it is called an LLC tax election. Each of the elections is determined by a separate set of factors and circumstances that should be discussed with the attorney and the CPA or tax advisor, both of them working in concert with each other. Ultimately, it is the CPA or the tax advisor, who will guide the owner(s) in making the determination, as experts in tax, and the work of the attorney is to draft the operating agreement accordingly.

In conclusion, when forming a company don’t stop at the formation but go through taxation election. The consequences are not just a matter of time wasted, but also a choice of control that a business owner(s) could have on taxation of their profits might not be available at the time of filing. Hence, it could result in paying money that could have been saved.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Aida Desmondy, Don’t stop the ball at formation, think of taxation

Durrsaku që na nderon në Harvard

March 18, 2016 by dgreca

Ja si mund të studjosh në SHBA/

Bisedë më studentin më të ri të bioteknologjisë në Harvard, djaloshin durrsak Kevin Shani/

 Nga Shefqet Kërcelli/

Është një fakt që shqiptarët mund të jenë ndër popujt më arsimdashës në botë. Ata janë gati të bëjnë të pamundurën që fëmijët e tyre të arsimohen sa më mirë, jo vetëm në universitetet këtu në Shqipëri, por dhe jashtë vendit. Tashmë në universitetet perëndimore janë arësimuar dhe po vazhdojnë studimet mijëra djem e vajza nga Shqipëria, Kosova dhe viset e tjera shqiptare. Kjo gjeneratë është pasuria më e vyer e kombit shqiptar, ajo që do ti japë vizionin, strategjinë, drejtimin dhe frymëmarjen e duhur kombit tonë në të ardhmen. Ky brez i mirëarësimuar përfaqson denjësisht popullinin shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe ka lozur rol kryesor në momentet e zhvillimet kryesore të tij. Pjesë e kësaj armate shqiptarësh që sakrifikon e përpiqet të arsimojë sa më mirë fëmijët e tyre janë dhe prindërit durrsakë Shani, zonja Lindita dhe zoti Mihal. Natyrisht cdo familje shqiptari një pjesë të kohës e kalon duke biseduar për të ardhmen e fëmijëve, mënyrat, mundësitë finaciare, shokët, miqtë që mund ti ndihmojnë në rrugën e dijes fëmijët e tyre. Shahinin vecse e kam koleg e kam dhe mik të vjetër. Ai shërben në Qëndrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare, si specialist i peshkimit. Një njeri i thjeshtë, i dashur e i repektuar nga të gjithë. Shpesh pij kafe me të. Kuptohet që një kohë të bisedës e kalojmë duke folur për arsimimin dhe perspektivën e fëmijëve. Ai më modesti më tregon se si djali i madh Kevini, në sajë të studimit sistematik, këmbënguljes e inteligjencës vetiake kishte arritur të fitojë bursë në universitetin prestigjioz të Harvardit. Më bëri përshtypje ecuria e djaloshit durrsak dhe dashuria e prindërve të tij për arsimin, ndaj i kërkova Shahinit, një takim me Kevinin gjatë kohës së pushimeve, kur ai ndodhej në Durrës. Kevini kishte mbi një vit pa ardhur në Shqipëri dhe kohën e kishte shumë të kufizuar. Në këto raste s’di ctë bësh më parë, të cmallesh me prindërit dhe familjen, të takosh shokët e fëmijërisë dhe gjimnazit, të kryesh vizita mjekësore, sidomos ato tek dentisiti, për arësye të cmimit këtu në Shqipëri, etj? Më vinte keq që t’ja merrja kohën Kevinit, në ato pak ditë që qëndroi në Durrës. Gjithsesi dy ditë para se të largohej pimë një kafe tek kafe“Fly”. Kisha dëgjuar për rezultatet dhe pasionin e tij në shkencat ekzakte dhe pamja e Kevinit ma vërtetoi më së miri këtë. Një djalosh i ciltër, me një fytyrë të pastër, me sy të mprehtë e të zgjuar, cdo shqisë e këtij djaloshi shprehte dije, intelektual i lindur. Këtë ndjesi ma krijoi Kevini që në pamje të parë. Në cast mendova vështirësitë dhe sakrificat e familjes Shani, për të arsimuar në mënyrë ekselente fëmijët e tyre, vështirësi të cilat i kam kaluar dhe unë si familje më parë. Kishim shumë gjëra të përbashkëta në këtë udhëtim të dijes e diturisë drejt universiteteve të SHBA. E urova më shpirt këtë djalosh të ri durrsak, që studjon për Bioteknologji në Universitetin me emër në botë. Madje është i pari shqiptar që studjon në këtë degë të vështirë, pasi programi universitar ka bazë shkencat ekzakte.{Matematikë, Fizikë, Kimi}. Por Kevini po e përballon më së miri, pasi ai deri sa të mbrrinte këtu ka studjuar sistematikisht për vite me radhë. Shpejt biseda rrodhi normalisht, dukej sikur njiheshim prej kohësh. I kërkova të më tregonte dicka për shkollimin e tij, hapat që kishte hedhur për të arritur deri këtu. Përgjithësisht këta tipa e kanë të vështirë të flasin për veten, më tepër flasin rezultatet e tyre në jetë. Talenti dhe aftësitë e Kevinit u shfaqën që në arësimin fillor tek shkolla “Jusuf Puka”, ish “Dalip Tabaku”. Durrës. Matematika dhe anglishtja u bënë dy lëndët më të preferuara të Kevinit. Nga 9-vjecarja në gjimnazin “Gjergj Kastrioti”, Kevini studjoi jo vetëm programin e detyruar, por dhe autodidakt, herë pas herë dhe kurse të vecanta për të thelluar njohuritë e mara. Nga 2005 deri më 2014, ai ka marrë pjesë në të gjitha olimpiadat e matematikës të zhvilluara në rreth apo në shkallë vendi, në të cilat herë pas here ka fituar dhe cmime. Pamvarësisht se nëna e Kevinit, Lindita, është mësuese tek gjimnazi “Gjergj Kastrioti”, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për favorizim në nota. Kam dashur të di njohuritë e mija reale në cdo lëndë, thotë Kevini. Por në ecurinë time patjetër kanë ndikuar të gjithë mësuesit e mi nga fillorja deri në gjimnaz dhe punën parapregatitore për universitetet e SHBA. Shpesh, kur kam kohë të lirë këtu në Harvard, kujtoj me respekt mësuesen time të fillores Liljanën, gjithashtu shpreh mirënjohjen për mësuesët e gjimnazit, Niko Bllani, Afërdita Mataj, por dhe zonjën Teuta Domi, që më ndihmuan në përgatitjen e zotërimin e matematikës, fizikës, por dhe provimeve specifike SAT dhe TOEFL. Një punë sistematike disavjecare në matematikë, fizikë, kimi, anglisht, më ndihmuan të fitoj pikët e duhura në TOEFL dhe SAT, shpjegon Kevini. Por, nuk kishte gëzim më të madh për mua, kur në ato ditë qershori 2014, më erdhi lajmi i mrekullueshëm, kisha fituar bursë për bioteknologji në Harvard!? U cuam të gjithë më këmbë, atmosferë feste dhe gëzimi mbretëroi që nga ajo ditë në shtëpinë tonë. Natyrisht unë kisha aplikuar dhe në universitete të tjera, prisnim dhe përgjigje, por Harvardi i vulosi të gjitha. Ëndrra ime u realizua, ma vlerësoi mundin tim e prindërve të mi zoti, dhe nga ai cast më mbërthyen ethet e përgatitjes drejt auditoreve të këtij universiteti elitar, më thotë Kevini, ndërsa i shkëqenin sytë, sa herë e kujtonte këtë ngjarje. E kush si ëndëron këto universitete?! por fitimtari është ai që këmbëngul, studjon, sakrifikon, heq dicka nga kënaqësitë meskine të moshës apo rutina e përditëshme e kafesë që ka mbërthyer një pjesë të të rinjve tanë. Kështu në gusht të vitit 2014, djaloshi durrsak me valixhet në krahë, me plot ëndrra e dëshira ju drejtua auditoreve të Harvardit. “Unë e kam filluar vitin akademik më 21 gusht 2014 si pjesë e “Freshmen International Program”, një program orientues për studentët jo-amerikanë, ku si bazë kishte njohjen dhe përvetsimin e kulturës amerikane, si të përshtatemi me jetën akademike në kolegjet në Amerikë, anglishtja, shkrimi akademik, përgatitjet e dokumentave, etj”, tregon Kevini për ditët e para të studimit. Sigurisht që fillimi ka dhe vështirësitë e veta, nuk është e lehtë të orientohesh me ambiente dhe kampusin e këtij universiteti gjigand, vijon Kevini. Edhe pse shumë mirë i organizuar, për një student nga një vend tepër i vogël, gjetja e sallave të leksioneve ishte një problem më vete. Me pas vinte asimilimi i kulturës amerikane dhe përshtatja me një trupë studentore të përbërë nga studentë prej 40 vendeve të botës, plus kultura e punës, mungesa e kohës, faktorët social, pjekuria, etj. Normale, që edhe anglishtja nuk qe e thjeshtë, pasi unë nuk kisha studiuar kurrë në anglisht në një nivel akademik. Pyetjes sime se, cfarë këshëllon për të rinjtë dhe të rejat shqiptare që duan të studjojnë në SHBA, Kevini ju përgjigj kështu: Këshilla ime është që të fillojnë përgatitjen për provimet e SAT dhe TOEFL, sa më herët të jetë e mundur, të investojnë në mësimin e anglishtes që në klasat fillore, të pyesin sa më shumë studentë që po vazhdojne aktualisht jashtë vendit dhe që kanë përfunduar ato. Mund ti informoj dhe për dicka të rëndësishme: Unë dhe disa studentë të tjerë shqiptarë këtu në SHBA, kemi ndërmarrë një nismë për të ndihmuar bashkëkombasit tanë për të studiuar jashtë vendit në shkolla elitare internacionale, ashtu si dhe ne. Ne kemi krijuar një faqe në FB, në mënyrë që cdo nxënës, mësues ose prind të këtë mundësinë të na kontaktojë lehtësisht. Kjo nismë është mënyra jonë e të kontribuarit në zhvillimin e kombit tonë, duke i dhënë mundësinë nxënësve të talentuar të vendit tonë të aplikojnë për të marrë një edukim elitar dhe të bëhen lidera njësh të së ardhmes. Për më shumë info shihni faqen “Discipuli Aquilae” në adresën: https://www.facebook.com/daquilae/. Duke i kërkuar një mendim se cdo të thotë të studjosh në SHBA? Inxhinjeri i ardhshëm bioteknolog u shpreh se, për mua të studioj në SHBA, është një ndër mundësitë më të mëdha që më është dhënë në jetë. Ndaj po punoj fort t’i marr të gjitha frytet në sajë të një vullneti të hekurt dhe dashurisë për arsimin.

Në të ardhmen kam dëshirë të vazhdoj shkollën a mjekesisë, por më parë dua të punoj në fushën e bioinxhinierisë, shkurt në kërkimin shkencor. I urova dhe njëherë suksese e fat, të parit inxhinjer bioteknolog shqiptar në Harvard, ndërsa vlerësova djersën dhe sakrificat e familjes Shani. Mbështetur dhe në përvojën personale familjare të arësimimit të fëmijëve të mi në SHBA, gjykoj se hapat e hedhura nga Kevini kanë qenë të matura dhe rezultativë. Bashkë me fëmijët e mi kemi konsultuar vullnetarisht mbi 40 të rinj e të reja shqiptarë për mënyrën e arësimimit në universitetet e SHBA. Mjaft prej tyre kanë ecur në rrugën e duhur. Ashtu si ka ecur Kevini, kuptohet që arësimimi në universitetet amerikane ka vështirësitë e veta, kërkon dije, punë sistematike në zotërimin e programit arësimor dhe përgatitje shtesë në anglishte dhe matematikë. Kuptohet që shqiptaro-amerikanët e dinë më mirë këtë. Gjatë vizitave në SHBA kam konstatuar përvoja të mira e të këqija në këtë fushë. Krahas përgatitjes serioze në SAT, GREE e TOEFL duhet dhe mbështetja financiare. Kur më pyesnin miqtë amerikanë se si e përballojnë shqiptarët arësimimin e fëmijëve në SHBA, ja u ktheja, ne për arësimimin e fëmijëve sakrifikojmë shumë, punojmë shumë, bëjmë një jetë të thjeshtë, madje mund të shesim dhe shtëpinë. Po, ka shumë shqiptarë që e bëjnë këtë në emër të dijes, të një formimi cilësor e profesional të fëmijëve të tyre. Kjo është ana më e mirë e karakterit e vlerave të shqiptarit. Kështu shqiptarët përfaqësohen si qyetarë të denjë në shoqërinë amerikane dhe kudo në botë. Nga modeli i kësaj shtrese të shqiptarëve, duhet të marin shembull dhe pjesa tjetër e shoqërisë sonë. Bazuar në përvojën e djaloshit Kevin, themi se eksperienca e tij personale është një mënyrë se sic do i ri shqiptar mund të studjojë në SHBA e gjetkë. Kuptohet që këto janë përpjekje personale dhe familjare të cilat gërshetohen me dicka tjetër. Pasi në Shqipëri, ka dhe një punë të organizuar nga Ambasada e SHBA në Tiranë për këtë qëllim. Kështu ka dy vjet që në vendin tonë funksionon Qendra Informative e Arsimit Amerikan, {Education USA Advising center in Albania}, ku të gjithë studentët shqiptarë që kërkojnë të vazhdojnë studimet në SHBA, mund të marin informacionin falas. {Gazeta“Dielli” e ka përcjellë në kohë lajmin e hapjes së këtij institucioni arësimor}. Kjo qendër ndodhet pranë universitetit “Marin Barleti” dhe mundëson këto informacione: përzgjedhjen e institucionit më të përshtatshëm për arësimim, njohje me kriteret e pranimit për fusha të ndryshme studimi, orientim për testet {TOEFL, GREE, GMAT, SAT, GED, ACT}, etc, testim të gjuhës angleze, mbështetje financiare dhe mundësi bursimi, informim mbi jetën sociale dhe kulturore në USA, etc. Gjithashtu vetë ambasada e SHBA, në bashkëpunim me këtë qendër, me Këndin amerikan në Vlorë, Tiranë, Kukës, me universitete publike e jopublike, shkolla të mesme, etj. ka zhvilluar disa aktivitete promovuese për njohjen e të rinjve shqiptarë me universitetet e SHBA, mundësitë dhe avantazhet e arësimimit në to. Psh. në Panairin e 18-të Kombëtar të Librit, Ambasada Amerikane në Tiranë hapi zyrtarisht stendën e saj. Gjatë ditëve të panairit, Zëvendës Ambasadori David Muniz, i shoqëruar nga Shefi i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun Ryan Roberts, nisën aktivitetet e Ambasadës me një bashkëbisedim të hapur mbi arsimin në Shtetet e Bashkuara dhe rëndësinë e librave për të ardhmen e brezit të ri. Z.Muniz i falenderoi studentët për vizitën në Panair, si dhe ju përgjigj pyetjeve të shumta të studentëve për punën si diplomat në Shqipëri. Po ashtu spikati aktiviteti i Javës Ndërkombëtare të Arsimit, i organizuar nga ambasada e SHBA. Tema e këtij viti “Mundësi për të Gjithë” u theksua nëpërmjet aktiviteteve me nxënës së Medresesë së Tiranës, Qendrës Romani Baxt, Shkollës Bajram Curri, Institutit e Nxënësve që nuk shikojnë, Institutit e Nxënësve që nuk dëgjojnë, Shkollës Ndërkombëtare të Tiranës, Kolegjit “Turgut Ozal” në Tiranë, Panairin Virtual të Kolegjeve Amerikane, etj. Në këto aktivitete, specialistja për programet e shkëmbimit dhe këshilltarja pranë EducationUSA, prezantuan para një publiku të përbërë nga prindër, nxënës dhe studentë sistemin e Arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara dhe mënyrën si është i organizuar, dallimi ndërmjet kolegjit dhe universitetit, universiteteve publike dhe private, diplomat që japin, kostot dhe mundësitë për bursa. Ato shpjeguan procedurat e transferimit nga një universitet shqiptar në një amerikan, provimet e detyruara, dhe procesin e aplikimit. Një aktivitet me vlerë ishte dhe ai i zhvilluar në Këndin Amerikan në Vlorë. Këtu, koordinatorja rajonale e këshillimit për arsimin Cheryl Francisconi dhe dy këshilltaret për arsimin e lartë në Amerikë u takuan me një grup nxënësish nga shkolla e mesme “Ali Demi” dhe bënë një prezantim mbi mundësitë e arsimit në Shtetet e Bashkuara, bursat dhe se si të kërkojmë për universitetin e duhur. Ndërkohë dhe zyra e konsullit amerikan në Tiranë ka disa kohë që ka hapur rubrikën, Pyet Këshilltarin – A keni pyetje për arsimin në Shtetet e Bashkuara? Këtu koordinatorja Rajonale për Këshillimin mbi Arsimin, si dhe këshilltaret e EducationUSA shpjegojnë si të aplikoni në një universitet amerikan, çfarë testimesh të kryeni, mundësitë për bursa, procedurat e vizës studentore, dhe shumë të tjera. Postoni pyetjen tuaj në linkun, Qendra Informative e Arsimit Amerikan në Shqipëri (EDUSA-UMB) Për të mësuar më shumë për këshillimin akademik për studime në Amerikë, ju lutemi vizitoni http://www.educationusa.al. Natyrisht krahas përpjekjeve familjare të sipërpërmendura, ka raste që dhe në univeristete publike shqiptare, pedagogë të vecantë ofrojnë konsulencë falas për të studjuar në universitetet e SHBA. Një rast që duhet inkurajuar, është ai i pedagoges së anglishtes në Universitetin “FAN NOLI”, Korcë, zonja Alda Jashari {Cicko}, e cila ka informacionin e duhur për të sqaruar cdo person, se si mund të studjojë në SHBA? Është një fakt që shteti amerikan por dhe universitetet në SHBA, nuk mund t’ju japë të gjithëve bursë, pjesa tjetër e shpenzimeve duhet mbuluar nga vetë personi, mundësi të cilën nuk e ka kushdo. Dhe shteti shqiptar duhet të bëjë dicka në këtë drejtim. Gjatë vizitave në disa universitete në Pittsburgh, New York, Ilinois, Conecticat, etj, pashë dhjetra studentë nga India dhe Kina. Me sa u informova studimet e tyre i financonte vetë shteti. Përballë kërkesave për teknologji të lartë, inovacione, formim tekniko-shkencor dhe sfidave të ekonomisë, këto shtete kishin gjetur këto zgjidhje. Jo se në Indi dhe Kinë s’ka universitete, por diplomimin e një mase të gjerë të rinjsh në universitetet amerikane, qeveritë kineze dhe indiane e quanin domosdoshmëri. Dhe shteti shqiptar përballë evazionin universitar, sa të harxhojë para për universitete të paakredituar, nivelit të së cilëve s’di cfarë emri ti vë, mirë do ishte që të financonte studentë të talentuar si gurë themeli për të ardhmen e vendit. Por dhe kompani të fuqishme që duan kuadro me nivel të lartë kualifikimi duhet ta shohin këtë mundësi. Teknologjia e re, perspektiva e zhvillimit ekonomik të vendit, por dhe stafi pedagogjik i universiteteve tona, kërkojnë kuadro të arësimuar në këto universitete. Mos e gënjejmë veten. Pak dhe saktë. Kuptohet që ata që fitojnë bursa nga shteti shqiptar, janë të detyruar të kthehen me ligj në Shqipëri, ndërsa ai që shkon me djersën dhe punën e tij, vështirë. Në Shqipëri ende s’ka kompani që të paguajnë persona që janë diplomuar në Harvard apo Carnegie Mellon, që janë akredituar të parët në shkallë globale për shkenca sociale dhe inxhinjerike. Akoma më keq ti vlerësosh e krahasosh këto kualitete me militantë partiakë me diplomë në administratën tonë shtetërore. Duhet strategji, kompleks politikash dhe kohë për këtë. Gjithsesi rruga e arësimimit të shqiptarëve në SHBA, është vazhdim i një tradite shekullore, që nga shkollat e para shqiptaro-amerikane, produkti i të cilave është afirmuar qysh në rrënjët e shtetit shqiptar. Sot mundësitë dhe hapësirat janë të pakrahësueshme me atë të viteve më parë, kur ne nuk kishim as mardhënie diplomatike. Me sa kam parë Ambasada e SHBA, për të rinjtë që kanë fituar të drejtën e studimit në SHBA dhe që plotësojnë kushtet e studimit atje, s”kanë nxjerrë pengesë. Në mbyllje të këtij shkrimi i uroj dhe njëherë Kevinit suksese në rrugën e bioteknologjisë, si dhe gjithë studentëve shqiptarë në SHBA.

 

Filed Under: ESSE, Komunitet Tagged With: Durrsaku, Kevin Shani, ne Harvard, qe na nderon, Shefqet Kercelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2983
  • 2984
  • 2985
  • 2986
  • 2987
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT