• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Ditën e shenjtë të Mësuesit me Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”

March 6, 2016 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera/ ku e shkoj jetën tash sa mot, veç për ty m’rreh zemra e mjera/ e prej mallit derdhi lot. – Mjeda/

Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” ecin në traditën e të parëve duke e festuar 7 Marsin, Ditën e Shenjtë të Mësuesit me një program të pasur artistik dhe sjellin në shenjë mirënjohjeje për mësueset e tyre buqeta të bukura lulesh.

Edhe natyra dukej sikur mori pjesë në këtë ditë shqiptare në New York, rrezet e ngrohta të diellit, cicërima e zogjve që bashkohej me fëshfërimen e lehtë të gjetheve të pemëve e bënin dhe më festive dhe më harmonike këtë ditë të shënuar.

Në mjediset e ngrohta dhe tejet komode të shkollës publikike amerikane PS 9, në ishullin e bukur Staten Island, prindër, nxënës dhe mësues të Shkollës Shqipe “Alba Life” që operon në tri lagje të Nju Jorkut si: në Staten Island, Brooklyn dhe në Manhattan u mblodhën së bashku për të festuar 7 Marsin.  Nxënësit gjithë nur dhe me dashurinë e madhe për shkollën vinin me tufa lulesh në duar duke iu uruar mësueseve të tyre të dashura gëzuar ditën e 7 Marsit.

Ajo që ngelet dhe më impresionuese është kur disa nxënës shoqërohen dhe nga vëllezërit dhe motrat e tyre që fillojne qysh bebe të cilët i mbajnë prindërit në krah apo ulur në karrocat fëminore dhe deri më të rritur se vetë ata dhe gëzohen për të ardhur në raste festash që nuk janë të pakta për Shkollën Shqipe “Alba Life”.

Nxënësit takohen, përqafohen dhe flasin shqip me njeri tjetrin, çka është dhe misioni kryesor i programit të shkollës.

Ardhja e tyre pranë shkollës shqipe është frymëzim, është shpresë për të ardhmen e fëmijëve në Diasporë, ndonëse na mbetet një punë dhe më e madhe për të bërë, pasi mijëra fëmijë me prindër shqiptarë në botë nuk flasin dhe shkruajnë shqip dhe kjo përbën një shqetësim real për cilindo prej nesh.

Mësuesit dhe prindërit kishin kohë që përgatisnin nxënësit dhe fëmijët e tyre për këtë ditë dhe kjo përgatitje serioze u kurorëzua me sukses në programin spektakolar që u dha në këtë ditë të shenjtë.

Se Gjuhë e Shqipërisë është Gjuhë e Perëndisë

Këto vargje të poetit kombëtar Naim Frashëri u recituan plot dashuri dhe zë kulluar nga nxënësja e shkollës shqipe Melinda Djenovic që ka vite që e ndjek rregullisht shkollën dhe ka rezultate të dukshme duke arritur që të jetë dhe prezantuese në programe të ndryshme.

Programin e ka hapur sopranoja e mirënjohur Deshira Ahmeti Kërliu e cila ka kohë që i është bashkuar programit serioz të Shkollës Shqipe “Alba Life”.  Znj.Kerliu iu uroi gjithë mësueseve festën e 7 Marsit dhe tha se ndihej krenare që bashkëpunonte me stafin e shkollës dhe me nxënësit.  Festa e 7 Marsit vazhdoi Kërliu në këtë shkollë festohet realisht si festë shqipe, si ditë mësimi pasi mësuesët martirë që luftuan për të hapur shkollat shqipe dhe derdhën gjakun në mbrojtje të alfabetit shqip lanë amanetin që fëmijët shqiptarë të flasin shqip kudo ku janë.

Znj.Kërliu ka ftuar në skenë nxënësit e shkollës shqipe të Manhattanit të shoqëruara nga mësueset e tyre Liza Pllumi, Mane Hasanaj dhe Anila Syka.

Programi filloi me poezinë “Gjuha Jonë” të Naim Frashërit recituar nga Nora Hysa.  Lendina Jahmurataj ka recituar poezinë “Nënës”.  Vëllezërit Flaton dhe Gentian Hulaj interpretuan “Shkolla ime”.  Edona Hasanaj “Festa jonë”.

Kevin Predlukaj interpretoi “Gjuha Shqipe” të Ndre Mjedës.

E dua shkollën time nga Simon Syku.

Programin, nxënësit e Manhattanit e mbyllën me vallen aq të njohur të Rugovës, pergatitur nga mësuesja Mane Hasanaj, valle që u shoqërua me duartrokitje të nxehta nga publiku.

Programi i pasur artistik vazhdoi me nxënësit e shkollës shqipe në Brooklyn.

Edhe pse  disa nxënës munguan pasi kishin ELA test në shkollë publike përsëri programi ka vazhduar me plot sukses dhe dinjitet.  Nxënësit e mësuese Raimonda Hysollit interpretuan poezi dhe këngë të ndryshme.  Kelvin Rustani interpretoi “Mësuesja”, Bjarni Brluku “Nëna”, Diola Dacaj “Mësuesja ime”, Dorentina Dacaj “Nëna”, Arjon Mazda “Nëna”, Ledion Xhoi, “Nëna”, Eneo Rustani “Nëna”.

Kelvin dhe Enea Bulku me zërat e tyre të magjishëm kanë rrëmbyer zemrat e prindërve në sallë dhe janë shoqëruar me duartrokitje kur kanë kënduar këngën e Nënës të shoqëruar nga shokët dhe shoqet e klasës.

Ndërsa nxënësit e mësuese Gladiola Bakos si Oresti Salillari interpretuan plot konfidencë dhe dashuri “Dy festa të bukura” 7-8 Marsi, Rafal dhe Andri Gjonaj interpretuan nga Ali Podrimja “Zilja e shtatorit”.

Programin e shkollës shqipe në Staten Island e ka prezantuar mësuese Entela Muda së bashku me Melinda Djenovic.

Mësuese Entela ka ftuar nxënësen Dea Watkins e cila ka recituar vjershën “Zogu dhe djali”.  Brendon Doda “Quhem shqiptar”.

Elira Xhemali “Festa e Mësuesit”.  Rilind Bardhi “Ylli i vogël lart në qiell”. Ndërsa Dea Kerliu befasoi me vjershën që kishte krijuar vetë plot dashuri dhe ëmbëlsi fëminore.

Jaedin Doci “Libri”, Ariela Gashi “Dy festa të bukura” dhe Brian Muda “8 Marsi” nga shkrimtarja Adelina Mamaqi.

Programi ka vazhduar me nxënësit më të rritur duke filluar me Melinda Djenovic “Gjuha Shqipe”, Naim Frasheri, Arsi Muda me poezinë “Atdheu” nga shkrimtarja Laureta Petoshati.  Olivia Verteniku nga Filip Shiroka “Shko Dallandyshe”.  Denis Doda “Mësueses”. Alba Ujkashi “Epika” nga Ali Podrimja dhe Alisa Pocesta: “Unë jam shqiptare”.

Të gjithë nxënësit kanë kënduar së bashku këngën: “Mësuese e dashur” interpretuar nga Dea Kerliu dhe Dea Watkins.

Mjaft spektakolare ishte kërcimi i valles së Napolonit nga nxënësit në Staten Island udhëhequr nga mësuese Entela Muda dhe Dëshira Kerliu.  Shamitë kuq e zi përgatitur nga duartë e arta të gjyshes së Elira Xhemalit valëviteshin në ajër mjeshtërisht nga duartë e vogëlusheve.

Në fund të koncertit spektakolar nga nxënësit e shkollës shqipe z.Qemal Zylo themelues i shkollës Shqipe dhe drejtues i saj i ka dhuruar buqeta me lule të freskëta gjithë mësueseve si Liza Pllumit, Mane Hasanj, Anila Syka, Aferdita Kacupaj, Gladiola Bako, Raimonda Hysolli, Entela Muda, asistenteve si Gela Bulku etj, dy artisteve shqiptare Dëshira Kërliut dhe Lindita Mezini Loles si dhe ish mësuese Adelina Lacaj, Ornela Melo, Mimoza Salillari anëtare e Bordit, Mizi Tutovic Doda, dr.Valbona Zylo Watkins, etj, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për punën e tyre të përkushtuar.

Pjesëmarrësit së bashku me nxënësit pasi drekuan sponsorizuar nga z.Harry Ujkashi vallëzuan dorë për dore dhe u argëtuan me valle dhe këngë të ndryshme nën tingujt e

DJ drejtuar nga Odise Salillari dhe Andrea Lole.

Ishte një ditë shqiptare midis nxënësve të shkollës shqipe “Alba Life” në New York, ishte një ditë që edhe pse të ikur larg Mëmëdheut zemra jonë rreh për të, rreh siç thotë Mjeda 124 vjet më parë: “Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera/ ku e shkoj jetën tash sa mot, veç për ty m’rreh zemra e mjera/ e prej mallit derdhi lot.”

Të gjithë kaluam një 7 Mars të bukur me një ditë të dielltë si shkronjat e Gjuhës Shqipe, Gjuhës sonë Hyjnore!

6 Mars, 2016

Staten Island, New York

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Keze Kozeta Zylo, ne Diten e mesuesit, shkolla Alba Life

NDERIM E RESPEKT PËR MËSUESIT E MI

March 6, 2016 by dgreca

7 MARSI është një ditë e shenjtë për gjithë mësuesit, të cilet njohuritë dhe pasionin e tyre e vunë në  shërbim të arsimimit të brezave te rinj.
Për të çuar përpara një shoqëri , politika më e mirë është  arsimimi i saj.  Arsimi ështe çelësi për të   ndezur imagjinatën e njeriut, për të prodhuar idetë që ndihmojnë personin dhe shoqërinë, që të  përballet me sfidat e kohës. Ky qe ideali i atyre dhjetra mësuesve patriotë që per gjuhën shqipe u  sakrifikuan e u martirizuan. Kolonja ishte një nga trevat që nxori nga gjiri i saj shumë mësues, të cilët  kontribuan në çeljen e Shkollës së  parë shqipe (me 7 Mars 1887), Mësonjtores së parë shqipe te   vajzave në Korçë dhe në emancipimin e gjithë shoqërisë shqiptare.
Në pjedistalin e nderit qëndrojnë emrat e Petro Nini Luarasit. Pandeli Sotirit, Papa Kristo   Negovanit,  Sevasti , Parashqevi e Gjerasim Qirjazit,  Naum Veqilharxhit, Mihal Gramenos e shumë të  tjerë.
I madhi Petro Nini Luarasi,  pasi u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe në fshatrat e  Kolonjës, hapi në Ersekë shkollën e parë shqipe më 1887 e më pas edhe në krahinat e Kolonjes e të Vakefeve.  Më  vonë punoi si mësues në Shkollën e pare Shqipe të Korçës dhe drejtor i Mësonjtores së parë të vajzave.
Për veprimtarinë e tij arsimdashëse e politike, vdiq i helmuar nga xhonturqit dhe Patriarkana e  Stambollit më 17 gusht 1911. Në gjithë veprën e tij trubetohej ideja e bashkimit për lirinë e Shqipërisë  dhe domosdoshmëria e përhapjes së arsimit për të ndriçuar mendjet e shqipëtarëve. Thënia e tij  para  vdekjes ”Vramëni, por mblidhmani gjakun se do t’u duhet nipërve tuaj që të shkruajnë gjuhën  shqipe”,  mbetet monument në memorjen kombëtare.
Të njëjtin fat pati edhe Papa Kristo Negovani, të cilin andartët grekë e vranë më 12 shkurt 1906, sepse  çeli shkollën shqipe në fshatin e tij, në Negovan.
Në këtë rrugë të ndritur shquhet emri i rilindasit të parë nga Vithkuqi i Kolonjes, Naum  Veqilharxhi (Bredhasi),  i cili na fali Abetaren e parë në gjuhën shqipe. Për këtë, në vitin 1866, Patriarkana greke e  vrau rilindasin e madh.
Një ndër emrat e ndritur te historisë së Kolonjës është ai i Fan Nolit, i cili për popullin shqiptar ka mbetur  një atdhetar i flaktë, një demokrat revolucionar, një fytyrë e shumanëshme prej  publicisti,  gojëtari,  dramaturgu,  poeti, historiani, kompozitori, muzikologu dhe shqipëruesi.
Ndihem e nderuar dhe krenare që jam bijë e kësaj treve, ku tradita  arsimdashëse  trashëgohet brez  pas brezi deri më sot.  Shumë mësues,  kuadro e figura të nderuara i bëjnë nder vendit dhe krahinës së  Kolonjës. Sjell nëpër mend dhjetra mësues që kanë punuar për formimin tim arsimor dhe edukativ, por  unë në këtë ditë, dua të veçoj dy ndër mësuesit e mi të ciklit 8 vjecar, çiftin Lefteri dhe Petraq Gjoshe, te  cilët me punën dhe pasionin e tyre janë në themel të  këtij edukimi. Emri i tyre është gjithmonë në  mendjen e në zemrën time. Kujtesa më ktheu 40 vite para, në bangat e shkollës, ku figurat e tyre të  plotësuara e të nderuara na mrekullonin. Janë ndër njerëzit më të dashur e më fisnikë për mua e gjithë  brezin tim.  Jam e bindur se në jetën tonë na kanë ndricuar rrugën dijet, fjalët, këshillat e porositë e tyre.
Mësuese Lefteria, në vitet e para të punës së saj, ka punuar si  mësuese  e më von si drejtoreshë  shkolle në fshatin  Selenicë e Kolonjës. Me punën e saj ajo la gjurmë të paharrueshme në edukimin e  fëmijëve. Gjatë viteve 1987-1992 punoi si metodiste pranë Kabinetit Pedgogjik të rrethit, ku vuri mbi  baza  të  shëndosha punën metodike të mesuesve të ciklit të ulët dhe edukatoreve të rrethit.(detyrë,për të cilën qe emëruar).
Më  pas punoi si mësuese e gjuhës dhe letërsisë  në disa shkolla të rrethit  dhe në Tiranë, ku gëzonte   respektin dhe dashurinë e nxënësve, prindërve dhe kolegëve të saj.
Figura e mësuese  Lefterisë  plotësohet edhe me aktivitetin e saj  si aktiviste shoqërore me gratë. Mënyra e të  komunikuarit, aftësia  për të ndikuar në zgjidhjen e problemeve të grave, zgjerimi i  horizontit të tyre për krijimin e marrdhënieve të shëndosha në familje dhe puna me durim  për të rritur      rolin  edukues të nënave të  reja, e bënë atë shumë te njohur e të respektuar.  Ajo ishte e zgjedhur në  Kryesinë e Gruas  të rrethit Kolonjë për shumë vite dhe anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Grave të Shqipërisë për dy legjislatura.
Për mësues Petraqin dua të veçoj faktin që me sa pasion e dashuri shpjegonte gjuhën shqipe dhe  letërsinë . Shumë nga moshatarët e mi nuk harrojnë përpjekjet e tij  për t,i  stimuluar nxënësit në leximin  e librave artistikë. Rëndësi të jashtëzakonshme i kushtonte të shkruarit bukur dhe drejtshkrimit të  gjuhës shqipe. Korrektësia ishte tipari që e karakterizoi mësues Petraqin gjatë gjithë kohës së punes,  si mësues, si drejtor shkolle dhe si inspektor në Drejtorinë  Arsimore të rrethit.
Si prindër lindën, rritën dhe edukuan dy djem të mrekullueshëm, të cilët kanë trashëguar më së miri  edukaten, korrektësinë dhe ndershmërinë e prindërve.
Me shumë mund e sakrifica,  ata i studiuan të dy djemtë  jashtë  shtetit  të cilët sot punojnë në Tiranë  e janë  dy kuadro të zot e të nderuar.
Mësuesit e mi të nderuar sot gëzojnë pensionin e tyre të rrethuar nga fëmijët, nip e mbesa të  mrekullueshëm. Kur i takoj ndiej emocion e dashuri si  para 40 vjetësh.
Shumë nga brezi ynë do të kishin dëshirë të jepnin një urim të bukur e t,i  falenderonin për vlerat e  mëdha që kanë si mësues e si njerëz. Ne ish nxënësit e tyre përulemi me respekt e  mirnjohje për gjithë  punën e tyre, për sakrificat e mundimet në profesionin e tyre kaq fisnik e dinjitoz , siç është  mësimdhënia.

             Liliana Pere
               Ing  Informatic
President: InternationalOrganization.
” Albanian Woman in the World 

    Peace Missionary & Honorary Advisor of DMPP

Filed Under: Komente Tagged With: NDERIM E RESPEKT, PËR MËSUESIT E MI

Valët e emigracionit dhe zbatica shqiptare

March 6, 2016 by dgreca

Nga Marjana BULKU/

Emigracioni, kjo dramë me efekte të shumëfishta i ka trazuar shpesh shqiptarët ku ikjet nuk janë thjesht akte ndarjesh por edhe drama plot me pasoja tragjike që nëse do i analizonim rast pas rasti me siguri që do përbënin një burim informacioni plot gjetje e zbulime se nga i ka rrënjët trauma shqiptare, pse aq shumë kronika të errëta…por nga ana tjetër duket se ka mjaft histori suksesi aq sa të krijohet përshtypja se përtej Shqipërisë ka jetë jo vetëm shpresa por edhe suksesi. Përgjigja për sentencën e fundit është e thjeshtë …mundësitë reale që krijojnë aparatet shtetërore janë detyrim për qytetarët. Si sot më rrijnë në vesh lutjet e merakosura të koleges time …”Marjana, Marjana…ajo pacientja vetull bukur shqiptare që erdhi per kontroll, e sapo martuar ne USA kishte depresesion, jepja nr e celularit…mbase do ketë nevojë për dicka, dikund…”

Eh njeriu këtu ka vlerë,në cdo fjalë dhe veprim, madje edhe cdo pikë loti e tij…

Po përse shqiptarët e lënë aq shpejt atdheun e vet? (Vazhdoj të mendoj) A nuk e vë kjo në pikpyetje patriotizmin e tyre?

Sa brezash jeton atdheu përtej kufijve? Pse rikthimet janë të vështira deri të pamundura?

Një zinxhir pafund enigmash që më kanë munduar që kur mësova për herë të parë ikjen… Ishte viti 1986…( Histori tjetër kjo…e disa historive që nyjëzohen në vitin 1959)…Por kur bisedojmë me miq kosovarë të cilët mundeshin të udhëtonin nëpër botë përvecse në Shqipëri gjatë regjimit të Titos mendoj se emigracioni shqiptar ka qenë më tragjiku sepse ekonomia e rënduar cka nxiste ikjet shndërrohej në mur politik që e bënte apsurde jetën dhe brengë e familjarëve që kishin persona të arratisur sic quheshin asaj kohe. Sa fëmijë u rritën pa prindër? Sa bashkëshortë patën fatin e baladave tona të trishta që sikur e parashkruan historinë tonë. Historia jonë hesht nëpër balada, na fton nëpër balada, thërret prej andej dhe na paralajmëron…

Valët e emigracionit që zënë fill me 250 000 shqiptarët e parë që emigruan drejt Italisë menjëherë pas vdekjes së Skenderbeut duket se nuk i ndali dot koha, pervecse komunizmit ku mund te them pa frikë se koha ngriu, mendimi, perspektiva gjithashtu bashkë me të drejtën për të ëndërruar dhe ndërtuar një jetë më të mirë.Sa e sa shqiptarë kapërcyen izolimin duke shpresuar se marrëzia nuk do zgjaste 50 vjet…Duke e parë emigracionin si të vetmin investim në kushtet e mohimit të cdo lloj shprese për normalitet në tokën trashëguar brezash,humbën lidhjet me familjarët, ndërsa këta të fundit u braktisën edhe nga shteti , farefisi, shpresa…C’tragjizëm!… Por ajo cfarë mbetet permanente në gjithë këtë det dramatik të pafund ikjesh është se shqiptrët janë popull i palumtur, këtej apo andej , se tranzicionet e pafundme ua kanë tkurrurur shpresat,por jo ambiciet, se janë një popull ëndërrimtar por pa një bazë ku të ndërtojnë perspektivat e tyre,,,e rrjedhimisht kjo i bën më pak mendimtarë dhe largpamës, pikë e dobët kjo e shfrytëzuar sistematikisht nga politikbërësit tanë aksidentalë .Imagjinoj shpesh fëmijën që ka humbur rrugën dhe në dëshpërimin për tiu drejtuar strehës së vet të rehatisë do ti besonte gjithkujt apo lypte gjithkujt dorën e ndihmës.Ky paralelizëm është tabloja që pëercjell pakujdesinë permanente të shtetit për qytetarët e vet .E dhimbshme kur bisedon me emigrantët e hershëm, me ata që e lanë

Shqipërinë brenda vetizolimit të vet apsurd…”ikëm si armiq ” -shprehen…”por me një dëshirë të pamasë për tu rikthyer e per tju treguar se ne nuk ishim armiq, por të rinj me ëndrra për tu shkolluar, për të ndërtuar, për të jetuar pse jo më mirë nga cfarë ofronte sistemi i tolonave”…Dhe në të vërtetë ia dolën…por jo në vendin e tyre. Prandaj ndonjëherë suksesi të jep një kënaqësi të dufishtë, këtej dhe andej. Kam takuar shqiptarë të sukseshëm që dashuri të pamasë kanë atdheun artistikisht dhe jo vetëm…kam takuar edhe nga ata të zakonshmit që të jashtzakonshme e kanë mallin për atdheun…një e përbashkëtqë që na bashkon…një dashuri që shumfishohet po aq sa distancat që na ndajnë.

Por është e habitshme kur ky fluks të ikurish nuk resht edhe sot…Shqipëria kopshti shkëmbor I Evropës juglindore…jo e iluzioneve me lule enveriane,por ajo e gjeografisë reale e plot kolore, me reliefet e larmishme , me lumenjt që rrjedhin mespërmes trupit elegant drejt detesh të mrekullueshëm, rrethuar nga liqenet ku Struga e Ohri i thonë: ”jemi kaq afër”, me madhështitë malore që përqafojnë diellin kur lind dhe teksa perëndon mbrëmjeve kur magjik është edhe ëndërrimi për agun tjetër,,,atje ku ashpërsia e motit të kujton kreshnikët e motcëm që për nder e pronë ishin bashkë në cdo betejë .Atje ku lakmitë dhunojnë por edhe lartësojnë dinjitetin -amanet , e Frashërve, Konicave, Fishtës, Camajt,,, ikjet po e zbrazin. U zbraz përsëri atdheu nga ikjet e gjata, nëpër ato rrjeshta varg të ikurish ka me qindra histori…vuajtjesh, zhgënjimesh, rikthimesh, ëndrash, suksesi…Bashkëbisedoni me ta…Dëgjojini…Lexojini, faljani atdheut të zbrazur duke i rikthyer natyrshëm disa jetë nga jeta e tij.

Marjana Bulku (mars 2016)

Filed Under: Analiza Tagged With: analiza, Marjana Bulku, Valet e emigracionit

Rrugëtimi i gjatë i Zonjës Ivanaj me flamurin shqiptar,Një shembull i përkryer

March 6, 2016 by dgreca

Një nyjë e përjetshme martesore e Prof.Giuseppina Pogliotti me juristin shqiptar, Dr. Martin Ivanaj/

Nga  Pertefe  Leka/

Nuk ishin rastësi martesat e një djali shqiptar me një vajzë të huaj dhe anasjelltas. Historia ka treguar se janë bërë martesa të largëta në nivele të larta të shoqërisë, për të krijuar miqësi të reja, për të bërë aleanca paqësore ose për të siguruar mbrojtje. Në kohët e reja koncepti i martesave  ka pësuar ndryshime duke u mbështetur në barazinë morale dhe juridike, në ndjenjat e dashurisë, të respektit dhe mirëkuptimit. Duke u bazuar në parimet e funksionet e saj, në detyrat dhe obligimet, çiftet janë kombinuar në mendime dhe në lidhje shpirtërore. E tillë ishte edhe martesa e Dr.Martin Ivanaj me profesoreshen Giuseppina Pogliotti. Bashkimi i tyre qe një kombinim ideal.

‘Pina’ Pogliotti, vinte nga një derë e vjetër fisnike, siç ishte   familja Nasi në Gheme të Italisë, e cila datonte në shek.16. Kjo familje zotëronte prona të mëdha në Ghemme dhe ishte e përmendur, sepse nga gjiri i saj kishin dale: doktorë, juristë, bile edhe Prelatë.

Nga ana e nënës, halla e madhe e Giuseppin-ës i përkiste familjes angleze Collins dhe ishte zotëruese e ishullit Caprera. Ajo ishte vajzë e nderit e Mbretëreshës VIKTORIA në Londër.

Po ashtu ishte edhe prejardhja e Dr. Martinit. Pema e fisit Ivanaj. është e dokumentuar që nga viti 1444.Doda, babai i Martinit, kishte një histori të pasur në luftën kundër okupatorit turk. Ky aktivitet i luftëtarëve Ivanaj u projektua më vonë me pjesëmarrjen e xhaxhait të Martinit, në Lidhjen e Prizrenit.

Prioritet i familjes Pogliotti, ishte edukimi shkollor i vajzave.

Giuseppina, si edhe motrat e saj, vazhduan Shkollën Normale për Femra(‘Rosa Stampa’ College) në Vercelli dhe  më pas studimet e tjera në Torino.

Motra e madhe, u gradua në Universitetin e Grenoble dhe tërë jetën e saj jepte mësime në frëngjisht në Novara. Ndërsa Giuseppina vazhdoi studimet në Torino, duke punuar njëkohësisht si Sekretare Ekzekutive në “Fashion House” në Itali, një pozicion jo i zakontë për femrat në ate kohë.

Kur Profesoresha Pogliotti pas studimeve në Torino, shkoi  ne Romë për një garë konkursi për stenografi, ( pasi ajo ishte një ndër 7 studentet e Prof.Vincenzo Cima, editor i” La Stampa” dhe shpikës i sistemit të stenografisë), u takua me Dr.Martin Ivanaj.Të dy vëllezërit Ivanaj, Martin e Mirash, ishin studentë në “La Sapienza” të Romës dhe jetonin së bashku në një shtëpi me qira, drejt së cilës ishte në kërkim edhe Zonjusha Pogliotti.

Atje u njohën rastësisht të ftuar në një darkë dhe prej aty  njohja  mori përmasa të tjera.

Ajo që i bashkoi, ishte dashuria e ndërsjellë e cila i orientoi dhe i drejtoi kah njeri tjetri.Dr.Martini iu drejtua një vajze që ishte e harmonizuar në vetvete me identitet dhe personalitet. Ishte e shkolluar   dhe me një edukatë për punën, gjë që i bënte edhe më dinamike marrëdhëniet  ndërpersonale  dhe  për vazhdimësinë në çift.Tashma Zonja Ivanaj, nuk e pati të vështirë të përshtatet më së miri në një bashkjetesë të re, duke e lënë Italinë ku kishin të gjitha mundësitë të jetonin atje dhe për të punuar në nivele të larta punësimi, pasi të dy ishin të shkolluar në Itali.

Zonja Ivanaj në tërësinë e saj, kishte aftësi të mëdha adaptimi që bëri hapin vijues, duke e njohur, pranuar dhe nderuar bashkëshortin me plot besim që: ne i takojmë njeri tjetrit.

Duke pasur fuqinë e dashurisë, ajo u drejtua kah tjetri, pa mohuar vetveten. Edhe pse vinte nga nje vend me kulturë dhe gjuhë të ndryshme, e kapërceu atë sfidë me edukatë, dhe angazhim për të ushqyer harmoninë familjare.

Ata vendosen që ta ndërtonin folenë e tyre në Shqipëri, sepse vendi kishte nevojë më shumë për njerëz të shkolluar e sidomos në fushën e drejtësisë, për të cilën Dr.Martini kishte mbrojtur Lauren për Jurisprudencë në ‘La Sapienza’ të Romës.

Zonja Ivanaj u përshtat krejt natyrshëm me traditat dhe zakonet e vendit. Shumë shpejt ajo arriti të fliste edhe gjuhën shqipe.

Në shtëpinë që ndërtuan vëllezërit Ivanaj, në Tiranën e Re, Zonja Ivanaj jetoi në harmoni të plotë edhe me kunatin, Prof.Mirashin, i cili nuk u martua pas vdekjes së të dashurës së zemrës, një vajzë  Romane, që ishte pasardhëse  e familjes se GIUZEPPE  MAZZINI, (politikan, gazetar, aktivist revolucionar për bashkimin e Italisë, antimarksist)

Këte lidhje të fortë me vashën e zgjedhur, Mirash Ivanaj e  ruajti  deri në fund të jetës, duke mbajtur si kujtim  deri në vdekje, Gërshetin e saj.(Për dijeni, pas vdekjes në burg të Prof.Mirashit, “Gërsheti” mundi të dilte jashtë burgut,  vetëm pas viteve 90-të me Dr.Lazër Radin i cili e kishte ruajtur amanetin e bashkëvuajtësit dhe ia dorëzoi Dritës, të vetmen relike të lënë nga xhaxhai i saj, Mirash.)

Ndërsa Dr.Martini po kalonte ditët më të bukura me Profesoreshen Pogliotti. Ai, duke parë përshtatjen e Zonjës në familjen Ivanaj i drejtohej asaj duke i thënë: Ju jeni Mbretëresha e kësaj shtëpie.

Ambienti, ku jetuan së bashku, nuk ishte thjeshtë një strehë, por ishte një shkollë, ishte një qendër kulture, ku gjeja më e vyer ishte biblioteka, e cila mbante mbi 16 mijë tituj librash.

Në dhomat – studio të asaj shtëpie, u projektuan nga  Dr.Martini  (atëhere Kryetar i Gjykatës së Kasacionit ) dy kode të shkruara; kodi civil dhe ai penal dhe nga Prof. Mirashi u projektua Reforma Arsimore që edhe sot mban po ate emër, ‘Reforma Ivanaj  1935.’

Pra, kemi të bëjmë me dy mendimtarë, studiues profesionistë dhe një Zonjë me të cilën mund të diskutonin për probleme të ndryshme sepse edhe ajo ishte e përgatitur në shumë fusha.

Gëzimin e familjes, e shtoi kur erdhi në jetë vajza e Martinit dhe e Giuseppin-ës, Drita, të cilët e pagëzuan me ate emër,si për të ndriçuar pemën shekullore të fisit Ivanaj.

Zonja në fjalë, edhe pse me origjinë italiane, nuk pati asnjë kundërshtim për emrin, por e shqiptoi me kënaqësi duke njohur simbolikën e asaj fjale të bukur shqipe, Dritë, që i dha  ndriçim gjithë familjes.

Zonja Ivanaj, e krijoi familjen në Shqipëri në një shoqëri, ku ekzistonte familja patriarkale, por liria e mendimeve dhe qëndrimeve në ate familje i dha një shtysë të mëtejshme   gjykimit, se suksesi në jetën familjare ka para kushte që të jetë i tillë edhe në veprimet e jetës shoqërore.Mekanizmi më i suksesshëm që lëviste në personalitetin e Zonjës Ivanaj, ishte ekuilibri me veten dhe të tjerët.

Kështu marrëdhënia e re me vajzën, hapi dritare të reja duke iu përkushtuar asaj jo vetëm si nënë por si një edukatore dhe mësuese e mirefilltë.

Në një fletore kushtuar së bijës, ndër të tjera ajo shkruante:Çelësi i artë:…. Kur  je e etur për diçka të madhe, qoftë ajo e natyrës materiale apo shpirtërore, mos harro se një çelës i vetëm mund të hapë të gjitha dyert, të hapë çdo kthinë,dhe të zhdukë si me magji, çdo pengesë. Ai çelës i artë quhet  BESIM!”

Këte bashkëjetesë lumturie në familjen Ivanaj, e prishi pushtimi fashist në Shqipëri, me të cilin vëllezërit Ivanaj nuk mund të përshtateshin kurrë, përkundrazi ishin gati të luftonin kundër okupatorit.

Pengesa e organizimit të rezistencës  nga qeveria, bëri që vëllezërit Ivanaj të emigronin si azilantë politikë në Stamboll.

Zonja Ivanaj e mbetur me Driten 6 vjeçare e cila vazhdonte shkollën fillore në Tiranë, fillimisht rezistoi që të mos e linte shtëpinë dhe Shqipërinë, por kur fashistët pa mëshirë i sekuestruan pronën dhe çfarë kishte deri në kërcënim fizik, u detyrua të shkonte në drejtim të Italisë ku kishte prindërit, me mendimin se do të bashkoheshin së shpejti në Shqipëri.

Kjo Zonjë e fortë në karakter, me një inteligjencë të rrallë, nuk e humbi orientimin por me kurajo dhe besim mblodhi dokumentacionin më kryesor që zotëronte kjo familje dhe xhesti më fisnik i saj, ishte kur në pamundësi për të marrë plaçka, palosi FLAMURIN SHQIPTAR dhe e vendosi në vendin më të sigurtë për ta marrë me vete. Një veprim i rrallë  që tashma i njohur, e lartëson moralisht Zonjën në fjalë.

Ajo kurrë nuk i harroi fjalët e Prof.Mirashit kur përsëriste citate nga Mazzini, ithtar i të cilit ishte: ”Patriotizmi është detyrë dhe dashuria për Atdheun është mision hyjnor.”

Ajo e dinte se me sa dhimbje u larguan vellezërit nga Atdheu, prandaj nuk e la flamurin ta shkelnin pushtuesit, duke e konsideruar si simbol kombëtar dhe të historisë. Ajo e ruajti me fanatizëm ate pëlhurë të kuqe me shkabën dykrenare me të cilën udhëtoi drejt Italisë dhe më vonë  deri në Amerikë, kur emigroi së bashku me Driten.

Të dyja, nënë e bijë, kishin pasaporta shqiptare, prandaj qëndrimi në Itali ishte i vështirë. Nuk ishte i lehtë  punësimi I Zonjës Ivanaj, tashmë si qytetare e huaj(shqiptare)  dhe  po ashtu shkollimi i Dritës me emrin shqiptar, që ajo kurrë nuk pranoi ta ndërronte, por e mbajti me krenari.

Drita në Shqipëri mundi të bënte vetëm një vit shkollor, pastaj shkollën elementare, gjimnazin dhe më vonë Liceun Shkencor e mbaroi me 1951 në Itali me rezultate të larta. Ajo  hodhi poshtë  mentalitetin e të huajve për shqiptarët, duke kaluar nga dy klasa në një vit shkollor, gjë që i solli të drejtën e përfitimit të bursës në ate  vend.

Pas vdekjes së Dr.Martinit në Stamboll me 1940, nëna italiane, e mbetur e ve, e shtoi dy herë më shumë përgjegjësinë ndaj vajzës.

Ajo edhe pse jetonte tek prindërit e saj, nuk mund t’ia pengonte të ardhmen Dritës.

Ata të dyja, nënë e bij, me pasaporta shqiptare, kishin mundësinë të emigronin në SH.B.A. nën përkrahjen e Kombeve të Bashkuara.

Në ditarin e Zj. Ivanaj, ka mbetur i pashuar udhëtimi  i dhjetorit  i vitit 1951 në bordin e një anije ushtarake amerikane, përmes dallgëve të tërbuara oqeanike, ku ruanin me kujdes pasaportat shqiptare  dhe Flamurin Kombëtar.Me këte relike të vyer, simbol i qëndresës, ato bashkuan edhe vetëmohimin e tyre, duke lartësuar vehten si pjesë e këtij etniteti.

Zonja Ivanaj, duke njohur aftësitë e Dritës, pa u stabilizue mirë ekonomikisht, kërkoi shkollimin e saj, të cilin Drita e fitoi të vazhdonte në Hunter College të N.Y.

Në qershor të vitit 1960, Drita diplomohet  në degën e ekonomikut në drejtim të biznesit, duke marrë disa dëshmi nga I.B.M. për kompjuter.

Drita i dha shumë kënaqësi nënës, megjithëse të dyja punonin rëndshëm për të mbijetuar dhe për të fituar progresin e nevojshëm që kërkonte koha.

Ndërkohë Zonja Ivanaj, nuk i shkëputi lidhjet me kunatin,

Prof.Mirashin edhe kur ai u kthye në Atdhe, edhe kur Ai  ishte në burg.( Ministri Ivanaj, i preu bursën Enver Hoxhës nga që nuk kishte dhënë asnjë provim)

Ajo e njoftonte për zhvillimet e reja të mbesës së tij të dashur, Drita.

Kunata  bëri shumë, duke shkruar letra deri në organet më të larta të Italisë për pafajësinë e Prof.Mirashit, por rregjimi I Hoxhës nuk njihte drejtësi, sidomos për njerëzit e ditur.

Ajo e njihte forcën e karakterit të Prof.Mirashit, si mësues erudit, si drejtor gjimnazi organizator, si Ministër Arsimi reformator, si kapacitet juridik deri në Këshillin e lartë të Drejtësisë, ku dha një kontribut shembullor, paçka se ishte kundërshtar i monarkisë. Ajo e njihte vetëdijen e tij, se I kishte shërbyer popullit të vet që kishte shumë nevojë për mësuesin dijetar e poliglot.

Ajo Zonjë e nderuar, kurrë s’e uli penën për të kërkuar drejtësi për Kunatin martir, M.Ivanaj.

Zj.Ivanaj, përveç punës së përditshme që bënte në N.Y. shkruante në një revistë letrare italiane për qindra biografi të emigrantëve italianë në Amerikë.

Pas 8 viteve punë të pandërprerë, në janar të vitit 1960, ajo ndërroi jetë duke e lënë Dritën në pikëllim, por me porosi  për ta vazhduar jetën me optimizëm.

Drita e ruajti në mendje dhe në zemër shembylltyrën e saj. Ajo nënë, e frymëzoi dhe vazhdon ta frymëzojë edhe sot për të jetuar me dinjitet dhe egzigjente ndaj vetes. Porositë e Nënës, për të qenë në shërbim të tjerëve si misionare, por pa mohuar vetveten, kanë gjetur zbatim të përkryer  te Drita. Ajo edhe sot i kujton fjalët e saj, kur nëna i shkruante:

“Unë vetëm lakmoj ata të cilët ‘japin’, jo ata që ‘kanë’ ose ‘marrin’. Kush jep, dhuron një gëzim dhe i jep vetvetës po të njëjtën ndjenjë, jo më pak të vlefshme. Gjithashtu, lehtësisht dhe me kënaqësi,ai ose ajo i siguron vetes lumturi të përjetshme”.

Pina Pogliotti ved.Ivanaj

Drita, si rralle kush, ka përvetësuar në themel teknologjinë e kohës për t’i dhënë zgjidhje shumë problemeve, por çuditesh kur thotë: po konsultohem me prindërit. Ajo, me forcën e vullnetit, kapërcen të gjitha barrierat dhe këte magji zotësie e ruan akoma nga urtësia e nënës, e cila i shkruante:“Kur, pra, dëshiron diçka, mos ju lut Zotit për ‘ate gjë’, por për BESIM; jo një besim në dukje, por besim në vetvete. Me te, mund të arrish jo vetëm një pushtim, por mund të pushtosh  botën tërë. Atëhere do të jesh një zot në tokë dhe të lartësosh veten mbi te, të shtrihesh në kohë dhe hapësirë pa kufi, jo vetëm si njësi e dijës dhe e jetës, por të fitosh fuqi mbi veten dhe njerëzit.” Pina Pogliotti ved.Ivanaj.

Shumë vite, Drita i kaloi e vetme në shtëpi, por pa krijuar boshllëk në jetën shpirtërore, sociale dhe profesionale. Ajo ishte gjithmonë në progres. Aftësia e saj menaxheriale dhe drejtuese në sistemin kompjuterik të Universitetit të Kolumbias, e bëri që të jetë e vlerësuar dhe e nderuar në ate dikaster dhe në jetën shoqërore.

Endrra e Dritës ishte, që eksperiencën e saj t’ia transmetonte rinisë shqiptare, nepërmjet sistemit shkollor,  ishte e pamundur ta ushtronte në sistemin diktatorial të Shqipërisë.

Pas shumë vitesh në pritje, për të ardhë në Tiranë, Dritës iu dha mundësia që ta prekë tokën shqiptare pas 54 vitesh, kur asnjë nga të afërmit e zemrës nuk jetonin më.Një ftesë nga drejtoria e Gjimnazit të Shkodrës në vitin 1993, për të marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së dekoratatës ”Martir i Demokracisë”, për Prof.Dr.M.Ivanaj, e bëri me krahë të fluturonte drejt Shqipërisë.

Ishte prekëse kur ajo zbriti nga avioni, duke u  përkulur  deri në gjunjë për të puthur tokën mëmë. Lotët e saj i pasuan të gjithë pritësit në aeroport. Ishte moment shumë emocional dhe lajmërues, se diktatura nuk do të kthehet më, për t’i     përlotur shqiptarët.

Ardhja e Dritës në Tiranë, nuk qe thjeshtë një vizitë për të shuar mallin.Ajo erdhi me vizione të qarta për të vënë gjithë potencialin e saj intelektual në shërbim të Atdheut.

Fillimisht kërkoi të sillte në Atdhe eshtrat e të atit nga Turqia, duke përballuar një situatë shumë të rëndë psikologjike, pas një ndarje gjysmë shekullore me atin e saj.

Ajo i vendosi në një memorial të përbashkët të dy vëllezërit, Martin e Mirash Ivanaj me epitafin: Së bashku në jetë dhe në vdekje, për Atdheun.

Vendosmëria për të kapërcyer të gjitha barrierat burokratike, e bënë më konseguente drejt kërkesave të drejta të saj.

Vetëm për të marrë shtëpinë e okupuar, të shtetizuar nga komunistët, kaloi përmes një kalvari të gjatë ecejakesh deri sa më në fund e realizoi.

Në ate shtëpi, Drita vendosi zyrat  e Fondacionit  “Martin e Mirash Ivanaj, Institut”, i ngjashëm me simotrën e tij në New York.

Projektet e fondacionit, që shprehin idealet e Vëllezërve Ivanaj për zhvillimin e kulturës shqiptare, do të rrezatojnë dituri për rininë, po nga ajo shtëpi.

Aty, në ballkonin e shtëpisë, Drita shpalosi Flamurin Shqiptar, të ruajtur nga nëna, Pina Poglioti Ivanaj.

Aty, Flamuri kuq e zi e ndaloi rrugëtimin e gjatë, Shqipëri, Itali, SH.B.A dhe më në fund në Atdhe.

Tani në Tiranë, Flamuri, simbol i historisë së popullit shqiptar, valon i lirë në ballin e Shtëpisë Ivanaj, për të treguar edhe një pjesë të historisë së dhimbshme gjatë diktaturës komuniste.

Filed Under: Featured Tagged With: Pertefe Leka, rrugetimi me Flamurin shqiptar, Zonja Drita Ivanaj

Julia GJIKA NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

March 6, 2016 by dgreca

Nga Julia GJIKA/
KODRINA E JASHARAJVE/
Kodrina i mban në prehër/
Kodrina e blertë,/
përkund një fis me emer./
Një harpë dëgjohet./
Ne zgjatim duart, prekim emrat,/
lulet janë pak,/
fjalët s’janë mjaft./
Flenë trimat ,/
në gji te Prekazit./
Mosha të ndryshme/
nga pesë e mbi shtatëdhjetë
fëmijët buzëqumësht
fisnikët pleq.
Zemra ime, sa e dobët je
derdh lotët rrëke
KUFIRI
Eshtë e njëjta tokë,
toka ime ku kam lindur
ku kam jetën time.
Unë i njoh këta shkëmbinj shekullorë,
barin në këto luadhe
që rritej nga gëzimi im.
Kufiri ndau pjesën time nga ty.
Ketu ka dritë, ka ajër, ka zogj, njësoj
ka tinguj, ka policë.
Këta janë shqiptarë,
buzëqeshin kur u jap pasaportën.
E kapërxeva Qafë Morinën
dhe erdha në zemrën tënde Kosovë,
bash në zemrën time.
Do të fle te ty,
nën qiellin që dje ish ndarë më dysh.
Do fle në Pejë,
qytet rrëzë Bjeshkëve,
fytyrën do t’ja kthej dritës së natës
dhe do të pres zgjimin me ty Kosovë.
JAM NJE RE NE QIELLIN TEND
Gjakovë me çati të kuqe,
me oborre, pëme rrënduar nga frutat,
gjithçka e pabesueshme më duket,
edhe qenia ime te ty, e pabesueshme.
Lëviz si një re e qiellit,
herë ndricohem,
herë ngrysem, herë humbas.
Ti e sapozgjuar,
përgjon lëndinën e Mejës,
Ringjalljen takoj te gjakovarët,
te krahët e tyre
shpresa është mbështetur, në pritje.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Julia Gjika, Kodrina e Jasharajve, ne sofren poetike, te Diellit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3022
  • 3023
  • 3024
  • 3025
  • 3026
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT