Investimet më të rëndësishme botërore, në vendin e shtatë gazsjellësi TAP/
Prej 7 vitesh bota është duke u përballur me krizën më të thellë ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore. Për shumë ekonomistë, rrugët për daljen nga kjo situatë kalojnë nga investimet madhore, në projekte të cilat modernizojnë ekonomitë, rrisin potencialin e tyre për t’u zhvilluar dhe gjenerojnë vlerë të shtuar.
Por cilat do të jenë veprat më të mëdha të vitit 2016?
Gazeta e mirënjohur ekonomike “Il Sole 24 Ore” ka bërë një klasifikim të 10 investimeve më të mëdha botërore që priten për vitin e ardhshëm. Mes tyre, i shtati renditet një projekt që kalon në Shqipëri, gazsjellësi Transadriatik. Sipas gazetës, në vendin e parë është hekurudha me ngritje magnetike që do të lidhë qytetin e Osakës me Tokion, në Japoni. Kjo vepër nis vitin tjetër dhe do të kushtojë 38.5 miliardë dollarë, duke qenë kështu hekurudha më e kushtueshme e botës.
Në vendin e dytë do të jetë tuneli Agua Negro në Argjentinë, i cili do të ketë një gjatësi 14 kilometra dhe kosto 1.4 miliardë dollarë. Pas tij renditen me radhë aeroporti i ri i Sidnejit, pista e tretë e aeroportit të Hong Kongut dhe metroja e re e Parisit. Të gjitha këto janë investime të cilat kanë kosto miliarda dollarë. Lista vazhdon me projekte të tjera madhore nga Kenia e deri në Gjeorgji. Për gazsjellësin Transadriatik, gazeta thekson se do të jetë 870 kilometër i gjatë, i cili nis në Turqi dhe përmes Greqisë e Shqipërisë përfundon në Pulia të Italisë. Projekti, punimet e të cilit kanë nisur sakaq, por që vitin tjetër do të jenë masive, pritet të kushtojë mbi 2 miliardë dollarë duke i dhënë akses tregjeve europiane në gazin e kaspikut. FMN, Banka Botërore dhe institucionet e tjera financiare më prestigjoze të botës vlerësojnë se do të jetë pikërisht ky projekt që do të mbajë barrën kryesore të rritjes së parashikuar ekonomike të Shqipërisë për vitin e ardhshëm. Madje, ai cilësohet si një nga faktorët kryesorë që mund të zgjerojë potencialin e ekonomisë për të gjeneruar rritje më të shpejtë gjatë viteve në vijim.
MAJAKOVSKI- MAMAJA DHE MUZGU I PUSHKATUAR NGA GJERMANËT- 6 Poezi
VLADIMIR MAJAKOVSKI-(1893 – 1930 )/
Ne kete perkthim Majakovski vjen prej Faslli Halitit me poezite: MAMAJA DHE MUZGU I PUSHKATUAR NGA GJERMANËT, NJË BRITMË,PËRFUNDIMI,PASTAJ ERDHE TI, S’KAM NEVOJË PËR TY, DËGJO dhe TASHMË KALOI ORA NJË/
(7 korrik, 1893 – Moskë, 14 prill 1930 ) – poet e dramaturg sovjetik, këngëtar i revolucionit të Tetorit e interpreti më i madh i kursit të ri, ndërmarrë nga kultura ruse post-revolucionare./
___________________________________________
« I doja thellësisht poezitë e para të Majakovskit. Në sfondin e farsave të kohës, serioziteti i tij i rëndë, i rreptë, akromatik, ishte kaq i pazakontë! Ishte një poezi e skalitur magjistralisht, demoniake dhe në të njëjtën kohë tmerrësisht e dënuar, pikëlluese, pothuajse lutëse për ndihmë…» –
Boris Pasternak/ /_______________________________________________
Përkthu: Faslli Haliti/
1. MAMAJA DHE MUZGU I PUSHKATUAR NGA GJERMANËT/
Nënat e bardha në rrugë të zeza
u shtrinë përpëlitëse, si kumash mbi arkivol.
Duke qarë, i thanë atij që klithte për disfatën e armikut:
«Ah, mbyllini, mbyllini bebëzat e gazetave!»
NJË LETËR.
Mama, më fort!
Tymos.
Tymos.
Tymos ende!
Ç’më pëshpërit, mama?
Shikoni,
ajri është mbushur
me gurë gjëmues nën goditjet!
Ma-a-a-ma!
Zvarritën, tani, muzgun e shoshitur nga plumbat.
U mbajt gjatë,
i ashpër,
i cungët,
dhe, befas,
duke krisur shpatullat e majme
nisi të qajë, i mjeri, mbi qafën e Varshavës
Klithën
Yjet në facoleta pambuku:
« U vra
i dashuri im,
i dashuri im».
Dhe syri i hënës së re pa tmerrësisht me vëmendje,
grushtin e plogët të shtrënguar në karikatorë.
Fshatrat lituanë u kujtun të shikonin,
si të kapur në një puthje mbi cung
duke mbushur plot me lot sytë e artë të kishave,
Kovno thyente gishtat e rrugëve.
Dhe muzgu bërtiti,
pa këmbë,
pa krahë:
«S’është e vërtetë,
Akoma mund
– dhe si! –
duke bërë të tringëllijnë mamuzet në një muzikë të zjarrtë,
të spërdredh mustaqet e verdha»
NJË BRITMË.
Ç’thua,
Mama?
E bardhë e bardhë, si kumash mbi arkivol.
«Mos qani!
Është ai
Vrasësi i telegramit,
Ah, mbyllini,
Mbyllini bebëzat e gazetave».
*Kovno- geto e ngritur nga gjermanët për hebrenjtë e Lituanisë
2. PËRFUNDIMI
Asgjë s’do ta fshijë dashurinë,
as grindjet
as kilometrat,
Është medituar
provuar,
kontrolluar.
Duke ngritur solemnisht vargjet, gishta rreshtash,
betohem:
dua
me një dashuri të pandryshueshme e besnike.
3. PASTAJ ERDHE TI
Pastaj erdhe ti.
Dhe të mjaftoi vetëm një vështrim,
për të parë
prapa asaj hungurime,
pas atij trupi vigan,
thjesht një fëmijë.
E more
ia hoqe zemrën
dhe
fillove të luash me të,
si një vajzë e vogël me topin.
Dhe të gjitha;
zonja dhe vajza
mbetën të ngrira
si para një mrekullie.
“Të duash një, kaq ?
Po ky të hidhet mbi kurriz !
Do të jetë ndonjë zbutës,
që vjen nga një kopsht zoologjik! ”
Por unë, unë gëzoja.
S’ka
më zgjedhë!
I tërbuar nga gëzimi,
galopoja,
kërceja si një indian në dasëm
kaq i lumtur ndihesha,
kaq shumë i lehtë.
4. S’KAM NEVOJË PËR TY
E di mirë
së shpejti do të vdes.
Nëse vërtetë ti ekziston
o Zot,
o Zoti im,
në qofsh ti ai që thur qilimin me yje,
nëse ky mundim i përditshëm, i shumëzuar
është për mua një eksperiment yti,
vesh petkun zyrtar.
Vizitën time prit.
Do të jem i përpiktë,
nuk do të vonohem njëzetekatër orë.
Inkuizitar i larëi
dëgjomë!
5. DËGJO
Flakma në fytyrë fjalën e tmerrshme.
përse s’do të dëgjosh?
S’e kupton se çdo nerv yti i përdredhur
bërtet si një trombë qelqi
dashuria vdiq…
dashuria vdiq…
dëgjo
përgjigjmu pa gënjyer…
si dy gropa
në fytyrë të gërmohen sytë…
Tashmë unë e di se është konsumuar dashuria.
Tani
në më shumë se një shenjë, unë njoh aty mërzinë.
6. TASHMË KALOI ORA NJË
Tashmë kaloi ora një.
Në këtë orë ti do të jesh në krevat.
Si një lumë i argjendë
përshkon nata
Udhën e qumështit.
Unë nxitoj
Dhe s’dua të të zgjoj
Me mesazhe speciale.
Siç thuhet,
incidenti u mbyll.
Varka e dashurisë
U thye kundër jetës përreth.
ti dhe unë
jemi të barabartë,
s’ia vlen fare të përmend
fyerjet
dhe dhimbjet
dhe gabimet e ndërsjellta.
Shiko sa paqësore është bota.
Nata
I ka paguar qiellit
një haraç me yje.
Është në çaste si ky
që ngrihesh
dhe flet në shekuj,
për historinë,
për krijimin.
Përkthu: Faslli Haliti
Kosovë-Konstituohet Bordi i Drejtorëve i AKP-së
-Në mbledhjen e udhëhequr nga Petrit Gashi, Kryesues i Bordit, u diskutua për një varg çështjesh të përcaktuara me axhendë bazuar në mandatin ligjor të AKP-së/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 31 Dhjetor 2015/ Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në përbërje të re, sot ka mbajtur mbledhjen e parë, konstituive, pak ditë pasi emërimit të Bordit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Në këtë mbledhje të udhëhequr nga Petrit Gashi, Kryesues i Bordit, u diskutua për një varg çështjesh të përcaktuara me axhendë bazuar në mandatin ligjor të AKP-së.
Bordi në mënyrë unanime miratoi vendimin për bartjen e shumës prej 61.3 milionë euro nga fondet e mirëbesimit të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim në buxhetin e Republikës së Kosovës, ashtu siç parashihet me Ligjin e AKP-së, për nevoja të shfrytëzimit nga ana e qeverisë së Kosovës. Këto mjete janë ndarë nga fondet e përcaktuara si tepricë prej procesit të likuidimit të 125 ndërmarrjeve shoqërore.
Gjithashtu, Bordi diskutoi lidhur me zhvillimet e fundit në ndërmarrjen shoqërore “Trepça” nën administrimin e AKP-së, dhe në këtë kuadër shqyrtoi, dhe me pajtimin e të gjithë anëtarëve prezentë të Bordit miratoi kërkesën e ndërmarrjes Trepça për shitjen e koncentratit të plumbit dhe zinkut.
Në këtë takim, anëtarët e Bordit të Drejtorëve u zotuan se do të punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm gjatë ushtrimit të mandatit si anëtarë të këtij organi, gjithnjë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me Ligjin e AKP-së dhe ligjet e tjera në fuqi, me synimin që t’i kontribuojnë zhvillimit ekonomik të vendit.
Bordi përbëhet nga tetë anëtarë: Petrit Gashi, Kryesues dhe drejtorët Bajram Zejnullahu, Hamdi Jaha, Hasime Mazreku-Krasniqi, Haxhi Arifi, Ismail Januzi, Ranko Djokic dhe Skender Komoni.
Kjo ishte mbledhja e 70-të e Bordit të Drejtorëve që nga themelimi i Agjencisë, ndërsa mbledhja e ardhshme do të mbahet në pjesën e dytë të muajit janar 2016.
Për vitin 2016, menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka përcaktuar 20 objektiva kryesore të punës, të cilat do të bëhen të ditura pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve.
Në 17 dhjetor, Kuvendi i Kosovës në seancë plenare të përmbylljes së sesionit vjeshtor bëri emërimin e 8 anëtarëve-drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pasi miratoi, me procedurë të përshpejtuar, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për këtë agjenci.
Ndërkohë, gjatë vitit 2015 Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka realizuar asnjë shitje të aseteve për shkak të mungesës së Bordit të Drejtorëve.
Në konferencën për shtyp e pritjen e fundvitit, në 28 dhjetor, ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Avni Jashari, prezantoi punën në 2015-tën, ndërsa theksoi përgatitjen e planit të punës lidhur me funksionimin në të ardhmen të Agjencisë në periudhën 2016-2018.
Bik Ndoja, mjeshtri i jares shkodrane
“Paraja nuk ban art. Vetem artisti ban art”.(Bik Ndoja)/
Nga Sadik ELSHANI/
Te dielen me 27 dhjetor u nda nga kjo bote kengetari i madh, mjeshtri i jares shkodrane, Bik Ndoja. Bik Ndoja eshte njeri nga kengetaret me te shquar te muzikes popullore e qytetare shkodrane te gjysmes se dyte te shekullit te XX. Ai se bashku me koleget tjere shkodrane: Marije Kraja, Xhevdet Hafizi, Lucie Miloti, Shyqri Alushi, cifti Florinda e Ndreke Gjergji, e shume te tjere, e ngriten kengen qytetare, jaren shkodrane ne nivelet me te larta artistike. Keta kane qene dhe do te mbeten gjithmone bilbilat e Shkodres, grupi i arte i interpretuesve te kenges shkodrane, ndersa kenget e tyre perbejne thesarin e cmueshem, jo vetem te kenges shkodrane, por edhe tere muzikes popullore e qytetare shqiptare. Kenga shkodrane nuk mund te paramendohet pa interpretimet mjeshterore te Bik Ndojes. Zeri i forte, i paster e i embel i tenorit, diapazoni i gjere, duke filluar nga zeri me i ulet e deri te notat me te larta, jane karakteristika te mjeshterise, aftesise, artisterise interpretuese te tij. E kishte zakon qe kur kendonte, shpeshhere e vinte doren te veshi (pas kreje). Te habit fakti se ky kengetar kaq i madh nuk kishte pergatitje profesionale, nuk ndoqi ndonje shkolle apo akademi te muzikes. Po cila shkolle, cila akademi mund te pergatiste nje artist si Bik Ndoja?! Bik Ndoja misheron talentin, shpirtin artistik te popullit tone, kenges ai i jepte shpirt, i jepte gjalleri.
Repertori i kengeve te Bik Ndojes eshte shume i pasur dhe perfshin kenget e trimerise, heroizmit, dashurise, margaritaret e kenges qytetare. Me shume dashuri i kendoi Shkodres Loce. Kenget me te njohura te interpretuara prej tij jane: “Dede Gjon Luli”, “Kenga per Oso Kuken”, “Kalaja e Shkodres”, “Shkoder moj e shtrejta Shkoder”, “Kenke nur i bukurise”, “Jare te due”, “Si dukat i vogel je”, “Vashes se bukur” e shume e shume te tjera. Kenget e Bik Ndojes jane degjuar e kenduar me shume dashuri ne te gjitha trevat shqiptare. Ai u paraqit ne koncerte ne te gjtha qytetet e Shqiperise dhe trojeve tjera etnike dhe ne shume vende te botes, gjithmone duke e gezuar adhurimin e te gjithe shijuesve te kenges se tij. Gjate studimeve ne Universitetin e Zagrebit, ne studentet shqiptare, sa here qe mblidheshim neper dhomat tona studentore, shpesh e kendonim kengen “Dede Gjon Luli:
“Dede Gjon Luli shkrun nji leter
Vali t’ Shkodres ja ka cue
Se Shqipnia nuk don tjeter
Vec don vetin me sundue.”
Ndersa ne ne kendimin tone, vargun e fundit e ndryshonim:
“Vec don vendin me bashkue.”
Bik Ndoja per mjeshterine e tij artistike nuk eshte vleresuar vetem nga publiku, por edhe nga koleget e tij kengetare e artiste, eksperte te muzikes. Kengetari shume i njohur nga Kosova, Ismet Peja, madje ia ka kushtuar edhe nje kenge, “Nuseron jarja me ty”:
“…O Bilbili te lumte goja
Ma kalove o Bik Ndoja…”
Ka nderim me te madh?! Ndersa kengetari i madh operistik Luk Kacaj (ai qe e kendon “Kengen e Skenderbeut” ne filmin “Skendrbeu”) e ka vleresuar lart tekniken e tij te kendimit: “Ti e perdor diafragmen ma mire se gjithe studentet e mi dhe ma mire se une.”
Ludovik Ndoj Gjergji, i njohur nga te gjithe si Bik Ndoja, lindi ne Shkoder me 13 gusht te vitit 1925. Gjimnazin e kreu ne shkollen e vjeter “Jordan Misja”. Per here te pare ka kenduar ne moshe shume te re ne nje dasem familjare. Sic eshte shprehur edhe vete, kenga e tij zuri rrenje ne lagjen Rusi i Ri ku ai u rrit. Ne vitet 1934 – 1946 ka punuar si rrobaqepes. U aktivizua ne shoqerite “Antoniane”, Dom Bosko”, “Rozafat”. Gjate sherbimit ushtarak ne Tirane, ka dhene shume koncerte dhe ka kenduar me grupin popullor te Radio Tiranes. Nuk e kane pranuar si anetar te rregullt ne Estraden e Shkodres, por e kane angazhuar si rrobaqepes ne teatrin “Mgjeni” te Shkodres. Marrezirat e kohes! Ka kenduar me orkestren e Radio Shkodres. Veprimtaria e tij u zgjerua edhe me shume nepermjet koncerteve qe Biku dha ne tere Shqiperine, ne te gjitha trevat shqiptare dhe ne shume vende te botes. Me 1969 iu dha titulli “Artist i Merituar”. Titullin “Krenaria e Qytetit” e ka marre ne vitin 1999, ndersa ne vitin 2007, Qendra Kombetare e Veprimtarive Folklorike i jep titullin “Interpretues i shquar i jares shkodrane”.
Bik Ndoja i qendroi besnik repertorit te tij te pasur dhe nuk kendoi kenge te tjera, kenge per Partine. Per muziken e sotme popullore ai i ka shprehur shqetesimet kur e krahason me muziken e brezit te tij: “Ka nji ndryshim negativ ne ritem, zhurma bam – bum po quhet muzike, duket sikur po largohet cdo dite nga origjina, nuk me pelqen lakuriqsia ne kange qe ashte karakteristike vetem per haremet turke. Ne skene duhet me u gershetue gjithcka, por jo ma se pari me thane: “Ah cfare femnet ish”. Ka hy paraja, por paraja nuk ban art. Vetem artisti ban arrt.” Porosia e tij ishte: “Mos marroni “jaren shkodrane” se Palok Kurti (1858 – 1920, kompozitori i pare shqiptar) i ka dhane fytyre shqiptare.”
Bik Ndoja u nda nga kjo bote, por kenget e tij, interpretimet e tij do te mbesin gjithmone ne zemrat e shqiptareve dhe gjithe adhuruesve te kengeve, jareve shkodrane. Lamtumire Bilbili i Shkodres dhe i gjithe Shqiptarise, lamtumire mjeshter i madh!
Philadelphia, 30 dhjetor, 2015
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.
Kliko me poshte per te degjuar nje kenge nga Bik Ndoja.
https://www.youtube.com/watch?v=X53xQjv7kGQ
Viti 2016 e kërkon angazhimin e të gjithëve për shtetin
Shkruan: Hashim Thaçi/
Fundi i vitit është koha kur krijojmë distancë nga gjërat rreth nesh, për t’i shikuar nga një perspektivë tjetër, për të krahasuar të sotmen me atë ku ishim, por edhe me atë ku duam të jemi. Kur e shohim vitin 2015 nga kjo perspektivë, del se ishte vit i të arriturave të shumta të Kosovës, ndonëse sfidat me të cilat jemi përballur nuk na kanë lejuar t’i shohim shumë ato.
Një zyrtar i lartë nga Londra, në një takim të përzemërt që kishim, kujtoi sesi para vetëm një dekade Kosova po angazhohej që ta bindte bashkësinë ndërkombëtare që të pranonte të diskutohej statusi politik i Kosovës. Dhe tash, vetëm tetë vite më vonë, ne nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, duke hyrë kështu në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Kjo është mirënjohja më e mirë për zhvillimin e Kosovës në rrafshin e ekonomisë, sundimit të ligjit dhe instalimit të institucioneve demokratike.
Qeveria që u instalua para një viti vuri në epiqendër ekonominë dhe zhvillimin e vendit. Kështu, këtë vit, Kosova arriti të tërheq më shumë se një miliard e gjysmë euro investime nga jashtë. E si vlerësim përfundimtar i suksesit të këtij angazhimi erdhi edhe pranimi i Kosovës nga “Millenium Challenge Coroporation” i SHBA-së. Kriteret e rrepta për t’u bërë kandidat për të marrë kredi nga “MCC” dëshmojnë më së miri përparimin e qëndrueshëm që ka bërë Kosova në ekonomi.
Në rrafshin e sundimit të ligjit, institucionet e Kosovës kanë arritur të ndërtojnë, nga zeroja, një kornizë ligjore që garanton një sistem të drejtësisë të pavarur dhe profesional. Ndërsa, në fushën e instalimit të demokracisë, falë marrëveshjeve në Bruksel, Kosova ka arritur të shtrijë shtetësinë e vet edhe në pjesën veriore të vendit, ku tani vlejnë vetëm ligjet e Kosovës.
Përveç konsolidimit të brendshëm, Kosova ka arritur suksese edhe në konsolidimin e jashtëm. Në muajin mars, Kosova ka qenë nikoqire e takimit të ministrave të jashtëm dhe atyre të infrastrukturës nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, në të cilin u morën vendime të rëndësishme në kuadër të Procesit të Berlinit. Kurse, në Samitin e Vjenës në muajin gusht, u përmbyllën këto projekte të nisura në Prishtinë.
Kemi vazhduar dialogun me Serbinë, duke dëshmuar pjekuri politike dhe duke e konfirmuar rolin e Kosovës si promovuese të dialogut dhe paqes në rajon. Dialogu dhe bashkëpunimi është në interes të Kosovës, të rajonit dhe tërë bashkësisë ndërkombëtare që intervenoi për të mbrojtur Kosovën në vitin 1999. Prandaj edhe bashkësia ndërkombëtare është bërë garant i implementimit të të gjitha marrëveshjeve që arrihen në Bruksel.
Për ne është i mirëseardhur edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e Parimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që përcakton se marrëveshja nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Gjykata Kushtetuese qartëson se statuti që do të përpilohet duhet t’i përmbushë zbrazëtitë që ka Marrëveshja e Parimeve si dokument i ndërmjetëm, i cili nuk prodhon efekte ligjore, si dhe të garantojë se do të respektohen parimet e Kushtetutës së Kosovës.
Kemi përfunduar edhe procesin e shënimit të kufirit me Malin e Zi, pasi më parë të njëjtën gjë e kemi bërë edhe me Maqedoninë e Shqipërinë. Kurse, tani na ka mbetur ta përfundojmë vetëm edhe me Serbinë.
Gjithashtu, edhe në kuadër të angazhimit diplomatik kemi pasur një agjendë shumë intensive që na ka mundësuar të zgjerojmë dhe thellojmë marrëdhëniet dypalëshe me shumë vende që kanë njohur Kosovën. Në fokusin e vizitave bilaterale në rajon ishte ndërtimi i një fqinjësie sa më të mirë, ndërsa i atyre në Evropë ishte përshpejtimi i integrimit të Kosovës dhe lobimi për procesin e nënshkrimit të MSA-së dhe liberalizimit të vizave. Në këto takime kemi nënshkruar edhe shumë marrëveshje dhe sot ne kemi rreth 200 marrëveshje të nënshkruara ndërshtetërore, ku një pjesë e mirë e tyre janë nënshkruar pikërisht gjatë këtij viti.
Kemi marrë pjesë edhe në shumë forume rajonale e ndërkombëtare, prej atyre që promovojnë bashkëpunimin rajonal, si “SEECP” në pranverë, deri te ato që luftojnë ekstremizmin dhe radikalizmin në botë, siç ishte Samiti i Liderëve për Luftimin e ISIL dhe Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, në vjeshtë në New York.
Edhe brenda në Kosovë kemi bërë hapa që kanë pasur jehonë ndërkombëtare. Kemi organizuar për herë të tretë konferencën ndërkombëtare “Inter-Faith Kosova”, me të cilën kemi promovuar Kosovën si shembull për tërë globin për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare.
Me fushatën për anëtarësim në UNESCO, ndonëse nuk kemi arritur rezultatin e dëshiruar, kemi portretizuar një Kosovë tjetër nga ajo çfarë e paraqesin armiqtë e shtetit të Kosovës. Kemi treguar një Kosovë, që ka gjetur forcë të tejkalojë dhimbjet dhe vuajtjet e së kaluarës dhe të kthehet kah e ardhmja në paqe dhe bashkëjetesë, kah një e ardhme më e mirë për të gjithë. E ndonëse nuk u pranuam për tri vota, për diplomacinë e Kosovës ishte sukses i madh sigurimi i përkrahjes së shumicës cilësore të botës për Kosovën. Dhe kjo lë të kuptohet, që diplomacia e Kosovës dhe përkrahësit e shtetin tonë, me punë dhe angazhim kanë bërë që Kosova të jetë e mirëpritur nga shumica e shteteve në botë.
Ngjashëm është edhe me çështjen e liberalizimit të vizave. Kemi plotësuar kushtet edhe pse për Kosovën kanë qenë dy herë më shumë se sa për vendet e tjera të rajonit. Edhe ato që u raportua se i kemi përmbushur pjesërisht, i kemi adresuar dhe tani me të drejtë presim që t’i korrim rezultatet e punës tonë në vitin që po vjen.
Është diskutuar shumë edhe për njohjet. Por, nëse shohim kontekstin gjeopolitik, vërejmë se sa kemi arritur të forcojmë subjektivitetin tonë ndërkombëtar. Kosova është njohur nga 82 për qind e BE-së, 86 për qind e NATO-s dhe 56 për qind e OKB-së. Është njohur nga 61 për qind e shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe 49 për qind e Unionit Afrikan. Vetëm CIS apo “Komonuelthi Rus” e ka njohur Kosovën me 0 për qind. Pra, po operojmë në një botë gjithnjë e më të polarizuar, ku Kosova ka arritur me sukses të gjejë vendin e vet dhe të bëhet kontribuuese e suksesshme në zhvillimet që e prekin atë.
Në anën tjetër, jemi bërë anëtarë të konventave të ndryshme, tash së voni edhe në Konventën e Apostilës, që është me shumë interes dhe dobi për qytetarët e Kosovës.
Të gjitha këto suksese ndoshta nuk kanë pasur vëmendje publike, sikur përpjekja jonë për anëtarësim në UNESCO, por kjo nuk e zvogëlon rëndësinë tyre dhe suksesin e politikës së jashtme kosovare.
Sfida kryesore e vitit 2015, me të cilën po hyjmë në vitin 2016 është përpjekja politike e opozitës në Kosovë që të provokojë zgjedhje të reja, duke e penguar funksionimin e institucioneve demokratike të Kosovës dhe duke i sulmuar institucionet e shtetit. Zgjidhja edhe për këtë është e lehtë: Të respektohen rendi dhe ligji, të respektohen parimet e demokracisë dhe të vihen interesat e Kosovës mbi interesat partiakë dhe individualë.
Askush nuk duhet ta shoh Kosovën e vitit 2015 si Kosovë të gazit lotsjellës, sepse fotografitë nga Kuvendi i Kosovës janë të mjegulluara nga politika. Kosova e vitit 2015 është Kosova e vendosur në binarë drejt BE-së dhe NATO-s. Ky rrugëtim do të vazhdojë edhe në vitin që po vjen. Ekonomia dhe zhvillimi i vendit do të mbeten në qendër të angazhimit. Fuqizimi i sundimit të ligjit, gjithashtu. Megjithatë, prioritete më konkrete dhe të menjëhershme për ne mbeten udhëtimi pa viza nëpër Evropë, anëtarësimi në FIFA dhe UEFA, por edhe pjesëmarrja në Lojërat Olimpike.
Me punën që kemi bërë këto vite kemi ndërtuar themele të forta, të qëndrueshme dhe të shëndetshme për shtetin tonë të ri, që qytetarët tonë të jetojnë në prosperitet dhe me dinjitet. Të gjithë do të dëshironim që kjo të arrihej menjëherë, brenda natës. Por, e vërteta është se kjo kërkon angazhim të madh nga të gjithë ne. Kërkon një angazhim, le ta quajmë “Kenedian”, që çdo ditë ta pyesim veten jo se çfarë bëri shteti për mua, por çfarë bëra unë për shtetin?! Sa punova unë për shtetin?!
Fundvit të hareshëm dhe fillimvit sa më të mbarë për të gjithë juve!
Gëzuar, 2016-ta!
*Editorial i zëvendëskryeministrit të parë, njëherësh ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi