• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova në 2015-tën, vendime të mëdha dhe reforma

December 30, 2015 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në konferencë shtypi të fundvitit, 30 dhjetor 2015/
-Kryeministri Isa Mustafa: Qeveria e Kosovës ka arritur Marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian/
-Kosova ka përfunduar “autostradën” energjetike deri në kufi me Shqipërinë prej 400 kilovatësh, investim rreth 34 milionë euro/
-Veçantë kryeministriMustafa ka vlerësuar nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, një investim privat amerikan në një vlerë prej 1 miliard euro, që përbën investimin më të madh deri më tani në Kosovë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 30 Dhjetor 2015/ Viti 2015 i Kosovë ishte i vendimeve të mëdha dhe reformave të fuqishme ekonomike, tha sot kryeministri Isa Mustafa një konferencë shtypi pas mbledhjes së fundit të qeverisë për këtë vit, të 67-tën, ku miratoi planin e saj të punës në vitin 2016.
“Plani vjetor i punës së qeverisë për 2016-tën është në përputhje me objektivat dhe synimet e përcaktuara në dokumentin e programit qeverisës, duke nisur nga prioritetet e vendosura edhe dokumentet tjera të rëndësishme të qeverisë së Kosovës si Strategjia kombëtare për zhvillim 2015-2020, programi i reformave ekonomike etj, drejt integrimit evropian”, u tha në mbledhje.
Në konferencën për shtyp të fundvitit, kryeministri Mustafa, duke u fokusuar në rezultatet kryesore gjatë kësaj periudhe, ka veçuar të arriturat në zhvillimin ekonomik, proceset integruese evropiane, qeverisjen e mirë dhe mirëqenien sociale të qytetarëve të Kosovës, ndërsa ka theksuar se qeveria ka punuar me një program të qartë qeverisës, të harmonizuar paraprakisht ndërmjet partnerëve të koalicionit.
“Këtë punë tonën gjatë këtij viti e karakterizojnë dy drejtime ose dy qasje. Një qasje është përkushtimi shumë i madh i qeverisë në përmbushjen e programit qeverisës dhe në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, dhe në anën tjetër e kemi po ashtu një përkushtim tepër të madh të opozitës për ta penguar çdo proces të zhvillimit në Kosovë, për ta bllokuar shtetin dhe për ta bllokuar jetën institucionale dhe jetën ekonomike të vendit”, u shpreh kryeministri kosovar.
Ai veçmas theksoi suksesin se, qeveria ka arritur Marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, ndërsa renditi edhe arritje të tjera.
“Kemi filluar investimin më të madh që është zhvilluar ndonjëherë pas lufte në fushën e energjetikës në Kosovë. Kemi siguruar që të punohen të gjitha tokat në Kosovë. Kemi arrit që të përmirësojmë dukshëm mirëqenien sociale të qytetarëve tanë. Kemi arrit që të përmbushim kriteret për liberalizimin e vizave, sepse kjo është vlerësuar pozitivisht nga Bashkimi Evropian. Kemi arrit të kemi përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar në orientimet dhe në qasjen tone”, tha Mustafa.
Ndërsa, vijoi ai, opozita është marrë me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, ka bllokuar punën e Kuvendit, ka shkatërruar pronat publike në Kosovë. “Opozita ka lënduar policët dhe qytetarët, ka sulmuar fizikisht anëtarët e qeverisë së Republikës së Kosovës, ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën dhe në kundërshtim me rekomandimet dhe opinionet që i ka dhënë faktori ndërkombëtar, dhe veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kauzat e opozitës kanë dalë që janë të paqëndrueshme, sepse Gjykata Kushtetuese ka përfunduar se Asociacioni duhet të themelohet, sepse është kategori juridike në Kosovë dhe duhet të bëhet sipas marrëveshjes së parë, ndërkaq Departamenti i Amerikan i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka konstatuar se vija kufitare me Malin e Zi është përcaktuar në vijën në të cilën është shpallur Pavarësia e Republikës së Kosovës dhe e cila është administruar nga Krahina Socialiste Autonome e Kosovës në kohën e ish-Jugosllavisë. Por, po ashtu jemi pajtuar që të formohet një komisioni ndërkombëtar në mënyrë që të sqarojë çdo dyshim dhe çdo pretendim lidhur me këtë vijë kufitare dhe ajo pastaj të zgjidhet në bashkëpunim me Malin e Zi”, tha kryeministri kosovar.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi se është e qartë se qytetarët e Kosovës kanë pritur edhe më shumë nga qeveria e Kosovës, sepse kërkesat dhe nevojat e qytetarëve janë shumë më të mëdha sesa që ka pasur mundësi gjatë kësaj kohe të zgjidhen.
“Por, po ashtu është shumë e qartë se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk e kanë përkrahur dhunën dhe nuk e përkrahin dhunën, nuk e përkrahin shkatërrimin e pronës publike dhe dhunën si mjet të zgjidhjes së problemeve politike të vendit”, tha kryeministri.
Mustafa vlerësoi se duke u nisur nga rrethanat në të cila ka punuar, qeveria dhe ministritë përkatëse me sukses e kanë përmbushur misionin e tyre gjatë këtij viti dhe kanë realizuar programin qeverisës duke i përmbushur obligimet ndaj qytetarëve. Kryeministri kosovar po ashtu tha se qeveria ka treguar lidershipin e duhur sepse është marrë me vendime të mëdha, gjë që nuk është çështje e lehtë dhe nuk është çështje e cila gjithmonë hasë në mirëkuptimin e të gjithëve.
“Sa i përket orientimeve themelore të qeverisë, mund të them se ne jemi përcaktuar me programin qeverisës që të punojmë shumë në zhvillimin ekonomik, të punojmë shumë në forcimin e shtetit ligjor, në integrimet evropiane dhe euroatlantike, dhe po ashtu në reformat themelore në fushën e arsimit dhe në fushën e shëndetësisë”, tha kryeministri i Kosovës.
Për zhvillimin ekonomik, kryeministri Mustafa tha se ky vit do të përmbyllet me një normë mesatare të rritjes të bruto produktit vendor, e cila do të sillet nga 3.2 deri në 3.8 që është më e larta në vendet në regjion, ndërsa theksoi se është arritur të sigurohet stabiliteti makroekonomik dhe stabiliteti buxhetor dhe të përmbushen të gjitha detyrimet e dala nga Buxheti i Kosovës.
Veçantë kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, një investim privat amerikan në një vlerë prej 1 miliard euro, që përbën investimin më të madh deri më tani në Kosovë.
“Kemi përfunduar ‘autostradën’ energjetike deri në kufi me Shqipërinë prej 400 kilovatësh, investim në vlerë prej rreth 34 milionë euro. Kemi arrit marrëveshjen me FMN-në, cila ka mundësuar që të ndryshohet korniza fiskale. Kjo marrëveshje na ka mundësuar që ne të marrim 185 milionë euro kredi nga FMN-ja dhe të kemi pajtueshmëri me FMN-në edhe për 400 milionë euro kredi hua nga institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat do t’i orientonim në programe të cilat gjenerojnë zhvillim ekonomik dhe punësim. Kjo do të na mundësonte që buxheti i vitit 2016, pasi që është aprovuar edhe ndryshim plotësimi i Ligjit mbi Financat Publike dhe Përgjegjësitë, të jetë rreth 2 miliardë euro”, tha kryeministri.
Mustafa, po ashtu, tha se gjatë kësaj kohe janë bërë reforma të nevojshme fiskale dhe se të hyrat buxhetore për këtë vit janë rritur për 113 milionë euro.
“Në fushën e bujqësisë, vlerësojmë se janë arritur suksese të mëdha. Kemi akorduar rreth 43 milionë euro grante dhe subvencione të cilat kanë mundësuar që të punohet thuajse çdo pëllëmbë toke në Kosovë dhe të krijohen 2500 vende të reja të punës në fushën e bujqësisë, ku kanë përfituar 38 mijë fermerë”, tha kryeministri Kosovar.
Ai bëri të ditur se janë arritur 10 marrëveshje për bashkëpunim financiar, të cilat do të mundësojnë zhvillime në fusha të ndryshme.
“Kemi siguruar mjete prej 160 milionë euro për rekonstruimin e hekurudhës e cila do ta lidhë Kosovën me 6 vende të Bashkimit Evropian. Këto huazime janë bërë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nga Banka Evropiane për Investime dhe grante të cilat ne i kemi nga Komisioni Evropian”, tha kryeministri Mustafa.
Kreu i qeverisë kosovare theksoi edhe rëndësinë e miratimit të Ligjit për Faljen e Borxheve, nga i cili ligj kanë përfituar edhe bizneset edhe qytetarët, në një shumë prej 600 milionë eurove, të cilat janë falë deri në 31 dhjetor të vitit 2008 duke shtuar se një stimulim i rëndësishëm për bizneset është bërë edhe me Ligjin për Garantimin e Kredive për Bizneset, sidomos për bizneset e grave dhe bizneset e të rinjve.
“Për herë të parë kemi përgatitur dhe kemi aprovuar Ligjin për Investime Strategjike, i cili tani është në procedurë në Kuvend që do të mundësojë marrëveshjet e drejtpërdrejta të qeverisë me investitorë të jashtëm dhe mundësinë e tërheqjes së investimeve të jashtme”, tha ai.
Kryeministri Mustafa vlerësoi edhe trendin pozitiv sa i përket investimeve të huaja direkte, sidomos në numrin e firmave të themeluara nga investitorë të jashtëm gjatë vitit 2015 në Kosovë.
Duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Trustit të Kursimeve Pensionale dhe Ministrisë së Financave përkatësisht Administratës Tatimore dhe burimeve të tjera, kryeministri Mustafa theksoi se është arritur në konkludim se deri në nëntor të këtij viti, janë punësuar rreth 15 e 500 qytetarë duke mos i llogaritur edhe 2500 të tjerë si efekte të punësimit në fushën e bujqësisë.
“Po ashtu mund të konstatojmë se në vitin 2015 kemi pas një sektor shumë të fuqishëm dhe stabil bankar, i cili i ka ulur normat e interesit për rreth 30 për qind, dhe ulja e këtyre normave të interesit ka ndikuar veçmas në nxitjen e sektorit të prodhimit sepse janë përmirësuar këto kushte. Jemi zotuar qysh në fillim të vitit se do të bëjmë kursime buxhetore, dhe ne kemi konstatuar se kemi pasur kursime së paku prej 60 milionë eurove gjatë këtij viti. Po ashtu, jemi zotuar që ta zvogëlojmë edhe parkun e automjeteve dhe këtë park e kemi zvogëluar për 178 automjete të cilat edhe e zvogëlojnë përdorimin e tyre”, tha kryeministri.
Në fushën e politikave sociale, kryeministri Mustafa tha se është arritur që pas 16 vjetëve të jepen pensionet për veteranë të UÇK-së duke bërë të ditur se deri tani janë rreth 12 mijë përfitues të këtij pensioni. “Kemi rritur ndihmat sociale për 25 për qind, janë 27 mijë familje që përfitojnë nga ndihmat sociale me 135 mijë anëtarë që përfitojnë nga këto ndihma dhe po ashtu kemi siguruar me buxhet 23 milionë për rritjen e pensioneve për kontributdhënës që do të ndikojë po ashtu në përmirësimin e statutit të këtyre pensionistëve, ku llogarisim që i kemi 40 mijë pensionistë. Sa i përket pagave, pa marrë parasysh që ne kemi thënë se nuk do të ketë ngritje të pagave në vitin 2015, mund të konstatohet se ne kemi pasë ngritje prej 7 për qind të pagave si ngritje mesatare, që ka ardhur si efekt i zbatimit të 0.5 për qind të përvojës së punës, pra në të cilën kanë përfituar ata të cilët kanë një vit në 0.5, dhe ata që kanë përvojë shumë vite, deri në 22 për qind, do të thotë ka qenë rritja e pagave, në qoftë se merret si një shtrirje, varësisht prej përvojës së punës”, tha kryeministri kosovar.
Duke folur për fushën e qeverisjes së mirë dhe fuqizimit të ligjit, kryeministri Mustafa tha se gjatë këtij viti janë proceduar 79 ligje në Kuvend që përfshijnë fusha të ndryshme, që nga zhvillimi ekonomik, konsolidimi demokratik, fuqizimi i axhendës integruese evropiane, arsimi, siguria dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimi i organizuar.
Kryeministri kosovar theksoi edhe miratimin e amendamenteve kushtetuese, të cilat kanë mundësuar që të themelohen dhomat e veçanta të Gjykatës Speciale, marrëveshjet me Serbinë, me ndërmjetësimin e BE-së në fushën e drejtësisë, e cila marrëveshje ka mundësuar që të shtrihet sovraniteti dhe zbatimi e respektimi i ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
“Kemi marrë masa ndaj të gjitha rasteve të evidentuara të korrupsionit dhe kemi larguar shërbyesit civilë, i kemi pezulluar nga puna të gjithë ata që janë të dyshuar qoftë për shkelje të detyrës zyrtare, ose për shkelje të tjera. Kemi filluar me prokurimin e centralizuar, dhe ky prokurim është zhvilluar në 83 organizata buxhetore, gjë që ka mundësuar që të evitohen ndryshimet e çmimit gjatë prokurimit, sidomos të materialeve që kanë qenë evidente në periudhat e kaluara. Kemi bërë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Prokurimin Publik, i cili do të mundësojë që nga fillimi i vitit të ardhshëm të fillojmë me prokurimin elektronik”, tha kryeministri Mustafa, duke përmendur edhe siguruam Buxhetin për të transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Për agjendën evropiane, kryeministri Mustafa veçoi nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, si një marrëveshje tepër e rëndësishme kontraktuale për Kosovën, pastaj raportin pozitiv dhe të fundit lidhur me liberalizimin e vizave, duke shtuar se tani pritet vetëm rekomandimi për këtë proces.
Më tej, kryeministri Mustafa foli edhe për rezultatet e dialogut në Bruksel, duke veçuar zhbërjen e integrimin e “Mbrojtjes Civile” që ishte në veri të Kosovës.
“Kemi pasë shumë kontakte me vendet e Bashkimit Evropian, kemi pasë kontakte me NATO-n dhe vendet anëtare të NATO-s sa i përket transformimit të FSK-së. Është arrit marrëveshja për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, e cila është kundërshtuar nga opozita, por e cila do të zbardhet tërësisht dhe nuk do të mbetet asgjë e dyshimtë dhe kontestuese për qytetarët, dhe çdo gjë, çdo pretendim do të zgjidhet me Malin e Zi. Dhe po ashtu kemi arritur të sigurojmë përmes programit IPA 2, 645.5 milionë euro deri në vitin 2020, të cilat do të shfrytëzohen edhe në programe të zhvillimit ekonomik, edhe të demokratizimit dhe të përgatitjes së administratës, në mënyrë që ajo të jetë e reformuar dhe të punojë. Kemi themeluar edhe Këshillin Konsultativ për Investime, i cili këshill së paku do të implementoj rreth 60 milionë euro nga programi IPA për çdo vit”, tha Mustafa.
Po ashtu, vijoi ai, vlerësoj se janë bërë edhe reforma thelbësore dhe suksese thelbësore edhe në fushën e arsimit dhe fushën e shëndetësisë.
“Janë dy fusha tepër të rëndësishme për ne, të cilat ne nuk i konsiderojmë vetëm si fusha sociale, por në radhë të parë edhe si fusha zhvillimore dhe ekonomike, sepse një shoqëri e arsimuar mirë, është një shoqëri e cila është bazë e zhvillimit ekonomik, dhe po ashtu një shoqëri e shëndoshë është një shoqëri e cila i nevojitet zhvillimit ekonomik dhe perspektivës ekonomike të vendit tonë”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri i Kosovës ka falënderuar përzemërsisht gazetarët dhe të gjithë përfaqësuesit e mediave për bashkëpunimin, duke i siguruar se edhe vitin e ardhshëm qeveria do të jetë plotësisht e hapur dhe do të trajtojë me seriozitet maksimal të gjitha vërejtjet, sugjerimet, në mënyrë që të gjitha ato të shërbejnë për një perspektivë më të mirë të vendit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosova ne 2015-ten, vendime te medha dhe reforma

KUJTESE: 30 dhjetor, u mbushën 75 vjet që kur u nda nga jeta Atë Gjergj Fishta….

December 30, 2015 by dgreca

Kur kujtojmë Atë Gjergj Fishtën/
Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Sot, më 30 dhjetor, mbushen 75 vjet që kur u nda nga jeta Atë Gjergj Fishta, njëra ndër figurat më emblematike të nacionalizmit shqiptar. Si një intelektual i shquar, i cili studimet e larta i kishte përfunduar shkëlqyeshëm në Kroaci për filozofi dhe për teologji, tërë jetën e vet ia kushtoi njohjes nga afër të jetës dhe tëformimit psikologjik të banorëve ku punoi dhe meshoi për vite me radhë.
Në mesin e banorëve të viseve veriore të vendit tonë, ai njohu nga afër gjendjen tyre të rëndë ekonomike, e cila nuk i pengonte që ata të shpërfaqnin forcën e karakterit të tyre, bujarinë karakteristike, mikritjen tradicionale, fisnikërinë e shpirtit, besnikërinë ndaj normave të kodit zakonor, trimërinë dhe qëndresën burrërore para çdo padrejtësie në jetën e përditshme. Aty ai u njoh me thesaret e gjuhës shqipe, me pasurinë e saj të pamatë leksikore, e cila do të gatuhej aq mjeshtërisht në “magjen” e krijimtarisësë tij artistike
Si njohës i pesë gjuhëve të huaja, ai erdhi e u kalit me një kulturë të gjërë në disa fusha të dijes, duke dhënë një kontribut të shquar në lëmin e letërsisë artistike, në publicistikë, në arsim, në estetikë, madjeedhe në pikturë. Në të njëjtën kohë, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm si politikan, duke ngritur zërin e tij të fuqishëm në mbrojtje të interesave kombëtare, përballëkrimit të rëndë që kreu shovinizmi evropian me copëtimin e trojëve tona etnike për interesat e grekosllavizmit.
Prandaj është emblematik fjalimi i tij në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, ku ai deklaroi burrërisht:
“Po qe se përnjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përmbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografikë”.
Kur lexojmë këtë deklaratë të Atë Gjergj Fishtës në një forum të lartë ndërkombëtar, siç ishte konferenca në fjalë, bindemi plotësisht se ai është burrëria dhe lavdia e kombit shqiptar, ai është dinjiteti, nderi dhe krenaria e nacionalizmit shqiptar. Ai është burim i pashtershëm frymëzimi për të gjithë shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare.
Vite më vonë, në veprën e tij të shquar “Lahuta e Malcisë”, Atë Gjergj Fishta do ta demaskonte rëndë Evropën për krimin e rëndë që kreu me copëtimin e trojeve tona etnike:
Uh! Evropë, ti kurva e motit!
Që i re mohit, besës së Zotit!
Po, á ky asht sheji i qytetnisë?
Me da token e Shqypnisë,
Për me mbajt klyshtë e Rusisë?
Por, në të njëjtën kohë, Atë Gjergj Fishta është edhe shuplaka më e rëndë për të gjithë besëprerët, dallkaukët, hajdutët, mercenarët dhe tradhtarët e kombit shqiptar, të cilët, në krye të politikës shqiptare, shenjtërinë e të qenit shqiptar, nacionalizmin shqiptar, e kanë nxjerrë në breg të pazareve grekosllave dhe të pabesisë evropiane. Prandaj ai u drejtohet atyre me vargjet gjëmimtare:
Ju rrugaça sallahana,
vagabonda shakllabana,
rricna t’ndyet, mikrobe të kqij
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë me ne,
do t’na qelbi fis e atdhè?
Çdo bashkëkombas që i thotë vetes shqiptar, kur kujton Fishtën e Madh, për forcë të ligjit të antitezës, sjell ndërmend menjëherë figurën më të urryer të kombit shqiptar, kriminelin Enver Hoxha, i cili qe vënë kokë e këmbë në shërbim të shovinizmit jugosllav. Në dallim nga Fishta, i cili shovinizmin jugosllav e kishte vënë në tehun e “bajonetës” së vet letrare dhe publicistike, Enver Hoxha kishte rënë në gjunjë para serboshovinizmit jugosllavdhe ishte gati që Shqipërinë ta kthente në një republikë të shtatë të Jugosllavisë.
Për të nxjerrë në spikamë figurën e neveritshme të Enver Hoxhës, si një servil i pështirë i sllavizmit, para madhështisë së nacionalizmit të Gjergj Fishtës, lexuesve të nderuar po ju përcjell fragmentin e mëposhtëm, të shkëputur nga një fjalim i Enver Hoxhës:
“… Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshallit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe. Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugosllavia…..Po të studjojmë historinë e vërtetë të popullit tonë dhe jo atë të shkruajtur prej agjentëve të imperializmit, do të shohim se populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë… Këtë miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta me “Lahutën e Malësisë”, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t’i bëjë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmendur…..Fishta dhe Vlladan Gjeorgjeviçi janë njerëz të po një shkolle dhe shërbëtorë të një ideje skllavëruese. (Citohet sipas: “Pse u masakrua Gjergj Fishta”. Pjesë të fjalës së Enver Hoxhës para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Pleniumin e IV të rinisë popullore.Marrë nga faqja e internetit “Peshku pa ujë”. 06 dhjetor 2012).
Nuk e kam informacionin e saktë se kur është zhvilluar ky Plenumi IV i rinisë punëtore Por gjasat janë se duhet të ketë qenë periudha mes viteve 1945-1948, në kohën e dashurisë përvëlimtare të komunistëve enverhoxhistë për Titon dhe për shovinizmin jugosllav. E ka fajin Nexhmije Hoxha që këtë fjalim të turpshëm, me përmbajtje kriminale të Enver Hoxhës, nuk e ka përfshirë në serinë e veprave të tij, në mënyrë që të kishim mundësi ta citonim me faqe, me vëllim dhe me datë konkrete. Pikërisht në këtë fjalim, Enver Hoxha radhitet në krah të sllavizmit, armikut të tërbuar të kombit shqiptar. Enver Hoxha ka paturpësinë të deklarojë se “populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë”, duke harruar qëllimisht masakrat e shovinizmit serbë kundër popullit shqiptar në krahinën e Nishit pas vendimeve të Kongresit famëkeq të Berlinit, pas Konferencës edhe më famëkeqe të Londrës të vitit 1913 në mbarë Kosovën dhe sidomos krimet e tij kundër popullit shqiptar të Kosovës mes dy luftërave botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Me urrejtjen e tij egërane dhe me shpifjet e tij të ulëtakundër Gjergj Fishtës, për demaskimin që ky i ka bërë serbosllavizmit në veçanti dhe sllavizmit në tërësi, Enver Hoxha radhitet pranë Titos dhe shovinizmit jugosllav, si një vegël e verbër e tyre. Se sa “mike” ka qenë për popullin shqiptar Jugosllavia titiste, e vërtetoi periudha mbigjysmëshekullore në qëndrimin kriminal që ajo mbajti ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Për qëndrimin e tij të vendosur më mbrojtje të kombit shqiptar dhe për demaskimin që i ka bërë shovinizmit evropian dhe sidomos shovinizmit serbomadh, Gjergj Fishta duhet nderuar me shtatore gjigante jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë dhe në Shkup.

Santa Barbara, Kaliforni
30 dhjetor 2015

Filed Under: Histori Tagged With: Kur kujtojme Fishten, Prof. dr. eshref Ymeri

“Gallup”: Clinton e Obama, më të admiruarit

December 30, 2015 by dgreca

Presidenti amerikan Barack Obama dhe kandidatja demokrate për Shtëpinë e Bardhë, Hillary Clinton janë burri dhe gruaja më të admiruar nga amerikanët, sipas një sondazhi të “Gallup”.
Më 17% Obama kryeson listën për herë të 8 rradhazi, ndërsa Clinton, e cila siguroi 13% të votave të amerikanëve, shpallet si gruaja më e admiruar për herë të 14 rradhazi dhe për të 20-n herë në total. Në vend të dytë e të tretë mes burrave janë Papa Françesku dhe kandidati republikan për President, Donald Trump, secili me nga 5%. Trump ka qenë edhe më parë mes dhjetë më të admiruarve, nga viti 1988 deri në 1990 dhe përsëri në vitin 2011. Lista vijon me Bernie Sanders, Bill Gates, Dalai Lamen dhe George Bush. Aktivistja pakistaneze, Malala Yousafzai dhe Oprah Winfrey renditen në vend të dytë dhe të tretë mes grave me 5% dhe 4% respektivisht. Ato ndiqen nga Michelle Obama, Carly Fiorina, Mbretëresha Elizabetha II-të dhe Angela Merkel. Sipas përfaqësuesve të “Gallup”, sondazhi reflekton emrat e atyre personave që janë shfaqur më së shumti në titujt e shtypit të shkruar dhe atij elektronik.

Filed Under: Opinion Tagged With: Clinton e Obama, më të admiruarit

Kur nderohet “tjetri”

December 30, 2015 by dgreca

Nga Qerim Vrioni/
Foto:Berat, 1936/
Titulli i mësipërm i shkrimit në leximin fillestar nuk duket shumë i ftilluar. Kjo, sepse përgjithësisht, tjetri duhet nderuar e respektuar, nga që po i kreve këto veprime për vetën e parë, njëjës (përveç që nuk është e vështirë) kalojnë në individualizëm dhe vetmburje, ose siç u thonë rëndomë “i bëjnë fresk vetes”. Me mbiemrin tjetri, në rreshtat që pasojnë, përgjithësohet banori i një qyteti tjetër, se bashkëqytetarët janë tanët, i yni etj.Më poshtë do jepen tri shembuj të thjeshtë në të cilat pasqyrohet nderimi dhe respekti i tri qyteteve për figura të shquara jo bashkëqytetare. Po i rendisim duke filluar nga më e hershmja në kohë deri te më e reja.
Nderimdhe respekt të veçantë ka treguar populli i qytetit të Beratit ndaj dy figurave të njohura atdhetare, Çerçis Topulli dhe Muço Qulli në vitin 1936 (asnjeri nga ky qytet ose me lidhje farefisnore në të ). Ishte koha kur arkëmortet me eshtrat e tyre po bënin udhëtimin e fundit nga Shkodra, ku u vranë nga shovinistët malazezë më 1915, drejtë Gjirokastrës dhe Leskovikut për t’u prehur në përjetësi. Kortezhi bëri një ndalesë në Berat, ku në Bashki u organizuan homazhe në nderim të këtyre dy patriotëve nga autoritetet dhe populli i qytetit. Veprimtaria, përbënte ngjarje për qytetin dhe tregonte frymën kombëtare të qytetarëve beratas, të cilët më pas, e përcollën kortezhin me kurora deri në të përpjetën e Drobonikut. Casti i pë rcjelljes nga Bashkia e dy arkëmorteve, u përjetësua në letrën fotografike nga fotokronikani i njohur i qytetit, Ilia Xhimitiku në një fotografi dokumentare e historike, por edhe me vlera simboli, me të cilat edhe mund të mburen beratasit.
Shembulli i dytë i përket nderimit të figurës së poetit të madh Gjergj Fishta nga qyteti i Vlorës. Kjo veprimtari u organizua atje nga seksioni i kulturës në Komitetin Pluralist të rrethit, në vjeshtën e vitit 1991 me nismën e z.Kristaq Suli. Ky, para pak muajsh, ishte caktuar nga Partia Demokratike, shef i këtij seksioni, më ndryshe “i ishte gjetur punës njeriu”, sepse z.Suli ish-mësues i dalluar gjimnazi, shquhej dhe njihej mirë në qytet për erudicionin e tij.
Mbledhja përkujtimore u zhvillua në Pallatin e Kulturës “Labëria” (Skelë). Të mos harrojmë se atëbotë ishte rrëzuar “Muri i Berlinit” dhe kënga e “Scorpions”-ave, “Era e ndryshimit” (The wind of change) dëgjohej e këndohej në të gjithë botën, veçanërisht në vendet e Europës Lindore dhe si të thuash, përbënte një himn për liritë dhe të drejtat e njeriut. Në Shqipëri, kënga “Liberta” (Liri) e kënduar nga Albano Carisi dhe Romina Power, kishte ndezur me shpresa të mëdha njerëzit në stadiumin e Tiranës. Gjithsesi, siç më shkruante kohë më parë edhe njëri nga të ftuarit dhe fjalëmbajtësit e veprimtarisë, z.Rudolf Marku, në vigjilje të takimit në Vlorë, nga të ftuarit pati një farë ndrojtje se “ishte në një qytet të Toskërisë, një qytet që mendohej të qe barikadë e komunizmit, një qytet që mendohej të ishte kundërshtar i Fishtës në çdo pikpamje. Në fakt ndodhi e kundërta. E mbaj mend emocionin e pritjes nga intelektualët e Vlorës-një pritje dashamirëse, e kulturuar, e mirëkuptuar”.
Ndoshta, sesioni përkujtimor nuk do ishte zhvilluar po të mos e miratonte Kryetari i Komitetit të Rrethit, z.Mezan Malaj, i zgjedhur në atë detyrë nga Partia Socialiste, që para pak muajsh kishte ndryshuar emrin e PPSH, e cila e kishte mohuar e përdhosur me egërsi dhe kryeneçësi për dekada të tëra figurën e Gjergj Fishtës. Ai, e miratoi pa hezitim e ndoshta edhe me kënaqësi idenë e nderimit të Poetit verior në qytetin jugor të Vlorës. Madje, z.Malaj ishte në rreshtin e parë të sallës që ishte mbushur përplotë me qytetarë, shumica e të cilëve e ëndëronin prej kohësh këtë ceremoni.
Fillimisht, u ekzekutua Himni i Flamurit. Mandej z.Suli recitoi me ngrohtësi vargjet lapidare të Gjergj Fishtës :
Edhe hana do t’a dije,
Edhedielli do t’ket pa,
Se per qark ksaj rrotullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ka !, vargje që ai i kishte mësuar qysh fëmijë në shkollën fillore, duke i dhënë veprimtarisë një solemnitet të veçantë. Më pas z.Suli foli përmbledhtas mbi vlerat e mëdha të Poetit.
Gjatë mbledhjes përkujtimore u mbajten disa kumtesa me nivel të lartë nga studiues dhe poetë të njohur, si Kudret Velça, Qemal Haxhihasani, Fatos Arapi, Gjergj Zheji, Rudolf Marku, Perlat Xhiku etj, që u ndoqën me vëmendje të madhe nga të pranishmit. Ishte një nga gjërat me mbresëlënëse dhe të paharruara të vitit 1991 në fushën e veprimtarive kulturore të shënuar në qytetin e Vlorës.
Të kthehemi tek rradhët e para të shkrimit, nderimi i veprës së Poetit dhe vendosja e tij në piedestalin e munguar nga bashkëqytetarët e tij shkodranë duke themeluar një shoqatë kulturore e atdhetare me emrin e tij, përbën një ngjarje me shumë vlera historike, kulturore e shoqërore, që duhet kujtuar përherë. Por dhe nderimi që i bëri At Gjergj Fishtës, qyteti i Vlorës përbën një vlerë të veçantë dhe meriton të përmendet, sidomos nga njerëzit që merren me studimin e figurës së Poetit të Madh. Ndoshta kjo ishte veprimtaria e parë që organizonte një institucion i shtetit shqiptar për Fishtën pas vitit 1944, dhe kjo nuk është gjë e vogël.
Ndër kumtet që shpërndau takimi atëhere, por me jehonë sot, më me vlerë është ai kundër përçarjes së shqiptarëve për motive të ndryshme, gjeografike, fetare, ekonomike, politike po se po. Ky mesazh, mendoj se ka të njëjtën gjatësi vale me ato të vargjeve të Fishtës : Vërtetë ne kemi/ Bajram dhe Pashkë/Po Shqiprënë? e kemi bashkë. Po ashtu veprimtaria e Vlorës, shënoi një shembull të shkëlqyer, do thoshim, dhe jo të shpeshtë të nderimit të një figure të shquar jo nga vendlindja a vendbanimi i tij , po nga një qytet që lidhej me të vetëm nëpërmjet faktit të të qënit shqiptar.
Një rast më i ri i “nderimit të tjetrit”, ka ndodhur në qytetin e Lezhës në vitin 2000. Atje, me nismën e dy lezhjanëve të njohur të letrave, poetit të ndjerë, Ndoc Gjetja dhe shkrimtarit Kujtim Dashi, të dy me detyra në pushtetin lokal, u vendos përkujtimi i 80-vjetorit të lindjes (12 maj 1920) të orientalistit të shquar dhe poetit, Vexhi Buharaja nga qyteti i Beratit. Në sallën kryesore të Këshillit të Rrethit, në krye të së cilës ishte vendosur një fotoportret i madh i beratasit të dalluar, fjalën kryesore e mbajti z.Kujtim Dashi, një nga nismëtarët e veprimtarisë. Në nderim të figurës së Buharasë, folën edhe njerëz të tjerë të letrave të qytetit. Orientalistin e shquar berates me Lezhën nuk e lidh ndonjë farefisni apo krushqi, por vetëm krijimtaria e tij në fushën e letrave shqipe.
Beratin me Çerçiz Topullin e Muço Qullin, ashtu si Vlorën me Fishtën dhe Lezhën me Vexhi Buharanë nuk i lidhte asgjë tjetër veç shqiptarizmit dhe kontributit të tyre për Botën Shqiptare.Këto tre shembuj nuk ulin aspak vlerat e nderimit të njerëzve të shquar nga bashkëqytetarët e tyre, por nderimi vetëm si shqiptarë, përbën një mbivlerë (jo me kuptimin ekonomik marksist). Madje, do thoshim se shembuj si këta ja vlen të popullarizohen për të shuar përçarjet tradicionale të shqiptarëve midis vedit. Kjo vihet re edhe sot, kur megjithë gjendjen ekonomike të shqiptarëve, më të mirë se kurrë më parë, mendoj niveli i përçarjes mes tyre është sërish shqetësues. Kështu, këto tri veprimtari (natyrisht, mund të ketë e ka edhe të tjera) pahtësojnë, ndonëse simbolikisht, kulturën e njësimit kombëtar të vlerave shpirtërore të të gjithë shqiptarëve, larg nga të gjitha llojet e ndarjeve, sidomos përkundër krahinarizmave që kohët e fundit po gëlojnë në forma e mënyra të ndryshme.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kur nderohet “tjetri”, Qerim Vrioni

Kosovë-Tahiri: Serbia shkeli marrëveshjen e Brukselit dhe…

December 30, 2015 by dgreca

-…Pengoi integrimin e pjesëtarëve të ish-Mbrojtjes civile në institucionet e Kosovës/
PRISHTINË, 30 Dhjetor 2015-B.Jashari/ Ministrja kosovare për Dialog, Edita Tahiri, deklaroi sot se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit duke penguar që pjesëtarët e të ashtuquajturës “Mbrojtje civile” në veriun me shumicë serbe të integrohen në institucionet e Kosovës, proces ky që ishte paraparë të realizohej dje, më 29 dhjetor 2015.
Ajo njoftoi se Kosova kishte kryer të gjitha obligimet për integrim, duke përfshirë procesin e verifikimit, rekrutimit dhe selektimit të kandidatëve në pajtim me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, dhe se ceremonia e nënshkrimit të kontratave ishte paraparë të mbahej më 29 dhjetor 2015 në Kuvendin Komunal të Mitrovicës veriore në praninë e BE/EULEX-it.
Ministrja bëri të ditur se, përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, nga institucione qendrore kanë qenë prezentë në këtë ceremoni, por pjesëtarët e ish Mbrojtjes civile kanë refuzuar të nënshkruajnë kontratat e punësimit, madje as nuk janë paraqitur fare në ceremoni sipas direktivave të Beogradit për refuzim.
“Ne kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian gjatë ditës së djeshme për të kërkuar angazhimin e tyre që të realizohet ky proces i integrimit. BE-ja ka provuar pareshtur që të kontaktoj me autoritetet e Serbisë, mirëpo përpjekja e tyre ka qenë e kotë sepse zyrtarët e Serbisë as që iu janë përgjigjur telefonatave të BE-së”, tha ministrja Tahiri.
Kjo sjellje e Serbisë, vijoi ajo, nuk është për t’u habitur, sepse shkelja e kësaj marrëveshjeje është vetëm një shkelje e radhës nga ana e Serbisë.
“BE-ja po ashtu na njoftoi se paraprakisht kishin marrë konfirmim nga Serbia do ta zbatojë marrëveshjen, mirëpo në realitet dështoi ta zbatoj atë”, tha ministrja Tahiri.
Ajo theksoi se ka njoftuar zyrtarisht Bashkimin Evropian për shkeljen e kësaj marrëveshje nga ana e Serbisë.
Ministrja Tahiri njoftoi se dje është dashur integrohen 378 pjesëtarë të ish-mbrojtjes civile, ku prej tyre 328 në institucione qendrore të Kosovës dhe 50 në fondin e kontigjencës, ndërsa më herët në tetor janë integruar 105 persona. Numri i përgjithshëm i personave që integrohen është gjithsejtë 483 dhe qeveria e Kosovës duke respektuar obligimet e zbatimit të kësaj marrëveshje ka nxjerrë vendimin përkatës për integrim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kosovë-Tahiri: Serbia shkeli, marrëveshjen e Brukselit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3225
  • 3226
  • 3227
  • 3228
  • 3229
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT