• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prof.Lori Amy: Bunkeri nuk mund të jetë vlerë

December 10, 2015 by dgreca

Ilir Ikonomi, Zëri i Amerikës /

Profesore Lori Amy e Universitetit Jugor të Xhorxhias, thotë se në Shqipëri, kujtesa për krimet e komunizmit po shtypet në mënyrë brutale. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Profesore Amy, e cila po bën një studim për traumat e komunizmit dhe tranzicionit në Shqipëri, komentoi edhe për bunkerin në qendër të Tiranës, që është bërë burim polemikash të ashpra. Ajo tha se një bunker nuk mund të shërbejë si simbol i identitetit kombëtar apo si vlerë për popullin. Profesorja amerikane u intervistua nga kolegu ynë Ilir Ikonomi.

Zëri i Amerikës: Profesore Amy, ekziston perceptimi se në Shqipëri ka një humbje të kujtesës ose një shtrëmbërim të kujtesës përsa i përket krimeve të komunizmit. Natyrisht, kjo u intereson disa grupeve të caktuara njerëzish, që kanë qenë të lidhur direkt me ish-regjimin, si ish-prokurorë dhe ish-zyrtarë të lartë. Por më duket se sëmundja është më e përhapur se kaq në Shqipëri. A ndani edhe ju këtë mendim?

Prof. Lori Amy: Po. Mendoj se është një pyetje jashtëzakonisht e rëndësishme. Nëqoftëse do të kishim vetëm humbje kujtese do të kishte qenë më mirë. Për fat të keq fjala është për një kujtesë aktive që po shtypet në mënyrë brutale. Nga njëra anë, kemi një grup njerëzish, të cilët nuk duan që të dalin në dritë disa nga gjërat që ata kanë bërë. Ata përdorin energji të shumta për të shtypur dhe për të mohuar këtë histori. Në të njëjtën kohë, ka një numër të madh njerëzish që jetojnë çdo ditë me kujtesën e asaj që hoqën dhe ata nuk e kanë mundësinë për ta bërë publike këtë. Mirëpo ne sot nuk e kemi luksin për ta lënë këtë kujtesë të humbasë, sepse nga njëra anë kemi njërën pjesë të shoqërisë që aktivisht e shtrembëron, e mohon dhe shpesh gënjen rreth kësaj kujtese, ndërsa nga ana tjetër kemi një grup njerëzish që jetojnë çdo ditë me përvojën e vuajtjeve të tyre, por që zëri i tyre nuk dëgjohet në klimën e mohimit dhe shtrembërimit.

Zëri i Amerikës: Jo shumë kohë më parë u publikua në media një listë e gjatë njerëzish të dekoruar me medaljen e mirënjohjes, mes të cilëve kishte ish-prokurorë dhe ish-hetues të regjimit, ish-agjentë të sigurimit. U përmend një person i quajtur Shyqyri Çoku, që ka qenë hetues i At Zef Pllumit dhe që u denoncua nga veprimtari i njohur Sami Repishti këtu në SHBA, si torturues i tij. Çfarë po përpiqet të tregojë qeveria duke e bërë këtë?

Prof. Lori Amy: Një nga arësyet që jepen medalje të tilla është se dosjet nuk janë hapur, nuk ka patur një analizë të plotë për 50 vitet e regjimit. Nga njëra anë, Shqipëria është në pozitën e gjithë vendeve të tjera që dolën nga lufta e Dytë Botërore pas viteve të konfliktit mes fashistëve dhe komunistëve. Përpara se të fillonte Lufta e Ftohtë, partizanët ishin njerëz që u nderuan në të gjithë botën si forca që ndihmuan në mposhtjen e fashizmit. Mendoj se qeveria po përpiqet të tregojë se ka njerëz që mund të nderohen për mposhtjen e fashizmit. Por këtu ka një problem që lidhet me shtrembërimin dhe shtypjen e kujtesës, sepse pas luftës erdhi një gjysmë shekulli shtypjeje të egër. Pra, saktësisht çfarë bënë këto figura nga viti 1945 deri për shembull në vitin 1982?

Zëri i Amerikës: Kjo nuk thuhet.

Prof. Lori Amy: Kjo nuk thuhet. Pra, t’u japësh medalje këtyre njerëzve që ndihmuan në mposhtjen e fashizmit, do të thotë gjithashtu të mohosh atë që ata bënë duke marrë pjesë në shtypjen që ushtroi regjimi. T’u japësh medalje njerëzve që ishin pjesë e egërsisë së atij regjimi është përsëritje e akteve të dhunës që kaq shumë njerëz pësuan nën atë regjim.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për bunkerin që qeveria po ndërton në qendër të Tiranës. Në pikëpamje psikologjike, çfarë sinjali dërgon ai bunker për njerëzit që vuajtën nën komunizëm? Përse duhej që qeveria të ndërtonte një bunker të tillë?

Prof. Lori Amy: Për mendimin tim, ka një kufi përtej të cilit askush nuk dëshiron të ndihet i turpëruar për historinë e vet. Në një farë mënyre unë e shoh atë bunker si një përpjekje për konvertim, pra nëse kemi patur diçka që e shihnim si shenjë të turpit, atëherë le ta konvertojmë atë simbol në burim krenarie. Por si mundet që bunkeri, i cili deri në vitin 1991 ishte simbol i…

Zëri i Amerikës: A mundet që një bunker të jetë krenari për shqiptarët?

Prof. Lori Amy: Pikërisht. Si mundet që ai të konvertohet në simbol të identitetit kombëtar, pra në një mënyrë që të kthehet në vlerë për popullin? Dhe këtu ne nuk flasim thjesht për njerëzit që u burgosën ose që jetuan në kampe internimi. Këtu po flasim për një vend të tërë, i cili deri në vitin 1991 bënte manovra ushtarake për të mposhtur imperializmin. Këta bunkerë ishin pjesë e jetës së përditshme, që krijonin paranojën se “ne do ta mposhtim armikun”. Këtë simbolizonin bunkerët për të gjithë vendin.

Zëri i Amerikës: A mund të shihet ky bunker si vepër arti?

Prof. Lori Amy: Fashizmi prodhoi vepra të bukura arti, por që ishin të dhunshme, si pjesë e një ideologjie që përjetësonte dhunën. Nëse kjo është një vepër arti, përsëri pyetja që shtrohet është: Çfarë kuptimi ka dhe çfarë simbolizon ajo? Mendoni se si u ndërtuan ata bunkerë. Ata u ndërtuan në kohën kur vendi nuk kishte bukë të hante. Është çmenduri kur e mendon. Deri në vitin 1991 njerëzit stërviteshin në këta bunkerë kundër armiqve, që, sidoqoftë, nuk mund të mposhteshin dot me kallashnikovë të vjetër në struktura betoni.

Zëri i Amerikës: Nga një pikëpamje praktike qeveria mund t’i kishte shpenzuar paratë e ndërtimit të bunkerit për diçka tjetër me vlerë…

Prof. Lori Amy: Për shembull, Shqipëria ka një trashëgimi të pasur arkitekturore dhe arkeologjike. Ka kaq shumë gjëra vërtet me vlerë që mund t’i sjellin dinjitet vendit. Por çfarë po ndodh? Këto gjëra po shkatërrohen. Po shkatërrohet trashëgimia dhe çdo gjë tjetër që ka vlerë të vërtetë, që mund ta ngrejë vendin drejt një të ardhmeje, e cila përputhet me dinjitetin e tij. E ndërkohë shihni me çfarë merremi!

Zëri i Amerikës: Çdo njeri e di se viktima e njeh kriminelin, njeh atë që e ka torturuar. E megjithatë nuk shikojmë raste në Shqipëri që vetë viktima të ngrihet e ta tregojë me gisht torturuesin e saj? Përse ndodh kjo? Nga frika, apo diçka tjetër?

Prof. Lori Amy: Një nga gjërat që shikoj tek njerëzit me të cilët flas në Shqipëri është forca e tyre shpirtërore. Këta janë njerëz që kanë vuajtur në mënyrë të tmerrshme. Por shumë prej tyre, siç ma kanë thënë edhe vetë, kanë vendosur të mos hakmerren. Shumë prej tyre besojnë se të hakmerresh, për shembull me akte dhune, kjo do të thotë të përsërisësh modelin e dhunës që u ushtrua ndaj tyre. Shumë prej shqiptarëve me të cilët kam folur do të dëshironin të kishin një rrugë drejt së ardhmes. Nuk mendoj se është thjesht frika. Në të njëjtën kohë, nëse ata jetojnë në një hapësirë kulturore, ku simbolet e kësaj dhune vazhdojnë, siç është edhe rasti i bunkerit, ose rasti i medaljeve për njerëzit që ishin pjesë e asaj shtypjeje, atëherë çfarë mund të presim tjetër përveçse më shumë zemërim dhe më shumë dhimbje që del në sipërfaqe?

* Ky material u publikua fillimisht në VOA Shqip.

Filed Under: Interviste Tagged With: nuk mund të jetë vlerë, Prof.Lori Amy: Bunkeri

Stoltenberg në Tiranë

December 10, 2015 by dgreca

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është sot në Tiranë. Në orën 10:50 Stoltenberg u prit me ceremoni shtetërore nga kryeministri Edi Rama.Kjo përbën vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri. Sipas axhendës së përcaktuar një muaj më parë, kreu i Aleancës Euro-Atlantike do të takohet me presidentin e Republikës, kryeministrin, ministren e Mbrojtjes e atë të Jashtëm dhe rreth mesditës do të mbajë një konferencë të përbashkët për shtyp në selinë e Kryeministrisë. Sekretari i përgjithshëm nuk pritet të flasë mbi manifestimet, apo për çështje të politikës së brendshme në vend. Gjithashtu në fokus të këtyre takimeve do të jenë rritja e buxhetit për mbrojtjen dhe iniciativa e qeverisë shqiptare për krijimin e një qëndre trajnimi rajonale për luftën kundër terrorizmit, e cila gjen mbështetjen e kësaj organizate ushtarake. Sipas burimeve konfidenciale, një tjetër temë diskutimi është dhe mbështetja për Forcat e Sigurisë së Kosovës, për t’i ndihmuar ato në transformimin në ushtri, një objektiv ky i Kosovës, për të cilin NATO vlerëson se vendi duhet të bëjë më shumë për ta arritur. Përgjithësisht, pritet të preken dhe zhvillimet e fundit në rajon, kryesisht në kuadër të politikave të sigurisë, të luftës kundër terrorizmit, të gadishmërisë së NATO-s për të kontribuar ndaj fluksit të refugjatëve, por dhe shqetësimet që lidhen me shtimin e deklaratave të Rusisë për destabilizim të Ballkanit, pas ftesës së NATO-s për ta bërë pjesë të aleancës EuroAtlantike, Republikën e Malit të Zi. {Sh.K.}

***

“Ne besojmë se bashkëpunimi juaj me fqinjët është një ndihmesë e vlefshme për sigurinë në rajon. Ne ju falenderojmë për mbështetjen që i jepni politikës së dyerve të hapura që ndjek NATO dhe për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen euro-atlantike” – tha zoti Stoltenberg gjatë një vizite në Tiranë në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama.

Pak ditë më parë NATO, tha ai, mori një vendim historik në këshillin e NATO-s, duke ftuar Malin e Zi të nisë bisedimet me Aleancën për antarin e 29 të saj.

“Kjo ftesë tregon vazhdimin e angazhimeve të NATO-s për t’i mbajtur dyert hapur. Kjo tregon angazhimin tonë për qëndrueshmëri në Ballkanin perëndimor dhe për një Europë të lirë dhe në paqe. Shqipëria ka rol kyç në këtë proces dhe ka falenderime për mbështetjen e fortë ndaj politikës së dyerve të hapura dhe për vendimin që të ftohej Mali i Zi si anëtar” – tha zoti Stoltenberg.

Ai tha se siguria po sfidohet në drejtime të ndryshme dhe NATO po kundërpërgjigjet duke iu përshtatur një mjedisi të ri sigurie, duke rritur gadishmërinë. Ajo ka një forcë dyfish më të madhe reaguese dhe një prani ushtarake të rritur në pjesën lindore të Aleancës. Po ashtu po ofron më tepër mbështetje për partnerët në lindje dhe në jug.

“Të gjithë aleatët e NATO-s janë pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it dhe e mirëpres kontributin e Shqipërisë këtu. Është me shumë rëndësi të theksojmë që ky nuk është një konflikt midis islamit dhe Perëndimit. Ky është një konflikt midis ekstremizmit dhe shoqërive të hapura dhe ne duhet të çohemi në mbrojtje të vlerave tona, të luftojmë ekstremizmin dhe terrorizmin së bashku” – tha zoti Stolteberg.

Ai shtoi se shumë prej sfidave komplekse duhet të trajtohen nëpërmjet mjeteve diplomatike dhe politike, por edhe atyre ushtarake, kështu që përshtatja e vazhduar ushtarake e Aleancës mbetet e një rëndësie kyçe. “Na duhet të vazhdojmë të investojmë në mbrojtjen tonë, ashtu siç të gjithë shefat e qeverive dhe të NATO-s vendosën kur u takuan në Uells vitin e kaluar” – tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se temat kryesore të bisedimeve të sotme me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s ishin terrorizmi me origjinë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, shqetësimi për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në lindje të Europës, çështja e hapur e Ukrainës, zgjerimi i Aleancës, fuqizimi dhe modernizimi i kapaciteteve mbrojtëse, si dhe misionet ushtarake.

“Ne e ndajmë fuqimisht shqetësimin me të gjithë anëtarët e Aleancës për kërcënimin serioz që paraqet terrorizmi i shfaqur sot në trajtën e tij më barbare në formën e një nazizmi të ri tek i ashtuquajturi ISIS. Të gjitha vendet aleate ndihen njëlloj të kërcënuara, ndërkohë që njëlloj zotërojmë vullnet, kemi mundësi dhe kapacitete për të përballuar me sukses këtë betejë dhe për ta fituar këtë që Papa Françesku e quan një “Luftë të Tretë Botërore” – tha zoti Rama.

Shqipëria, tha ai, përfaqëson në Aleancë modelin e një vendi ku bashkëjetesa fetare është e mundur dhe baza solide e paqes dhe harmonisë mes njerëzve të besimeve të ndryshme. Shqipëria sapo ka miratuar edhe Strategjinë Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe ai theksoi se ky është një tjetër hap si pjesë e përpjekjeve kundër së keqes, sepse “ne besojmë që qasja për të luftuar, jo vetëm shfaqjen e kësaj të keqeje aty ku ajo është e mishëruar fizikisht, por edhe shkaqet më të thella të saj, është qasja e duhur për të zhvilluar në këtë rrugë një proces nga ku bota jonë e lirë demokratike të dalë më e fortë”.

Sipas tij, zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s në hapësirën ballkanike me Malin e Zi është në thelb zgjerim i hapësirës së lirisë, të paqes dhe të demokracisë së mbrojtur. “Ne vlerësojmë dhe mbështesim anëtarësimin e Malit të Zi dhe anëtarësimin e vendeve të tjera të rajonit, që aspirojnë dhe përpiqen realisht për integrimin në Aleancë. Shqipëria shpreson që vendet aleate do të sqarojnë në kohën më të shpejtë mundësinë e afrimit dhe të institucionalizimit të marrëdhënieve të NATO-s me Kosovën” – tha zoti Rama.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg vizitoi sot për herë të parë Shqipërinë, ku zhvilloi takime me kryeministrin Rama, Presidentin Nishani dhe ministren e mbrojtjes Kodheli. Kjo është vizita e tretë e një sekretari të përgjithshëm të Aleancës, që nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, nga prilli i vitit 2009.

Filed Under: Kronike Tagged With: arrin në Tiranë, Stoltenberg

Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi

December 10, 2015 by dgreca

Shkruan:arch. Ylber Vokshi -Ylli/Për të shkruar për këtë fushë,shumë të rëndësishme,për të formësuar-definuar kufijtë e shtetit të Kosovës,duhet me qenë mirë i informuar,me pas qasje të duhur e transparente në punën e Komisionit shtetëror,aq sa e lejojnë rregullat për sigurinë kombëtare të shtetit.  Për fat të keq ky proces ka qenë tërësisht jo transparent,së paku për opinionin profesional,i cili do të kishte mundësi të kontribuoi me diturit e tyre në këto punë të ndërlikuara të vijave kufitare,posaçërisht në Ballkan. Kufijtë e ndarjes se popullit Shqiptarë në pesë shtete i kanë përcaktuar fuqitë e mëdha,që për ne Shqiptarët në të gjitha rastet kanë qenë të dëmshme,pasi asnjëherë nuk jemi renditur pas ndonjë fuqie të madhe botërore,me fjalë tjera kemi qenë të vetmuar,jetim.Kohë pas kohe opinioni është informuar për reagimet e banorëve që kanë prona në atë zonë kufitare. Komisioni shtetëror i ka përcaktuar disa kritere skajshmërisht të dëmshme për ata banorë, të cilët u detyruan edhe në mënyrë demonstrative të shprehin pakënaqësitë e tyre me punën e komisionit, i cili në mënyrë autoritative ka vepruar duke përdorur vetëm kriteret gjeodezike (ngastrave-parcelat kadastrale),apo Dokumentet Hapësinore të Komunës së Pejës, çka tregon jo seriozitet ekstrem në punën e tyre. Çështja e caktimit të vijës së demarkacionit është shumë ma komplekse,është dashur të përfshihen të gjitha elementet e duhura, për të pasur rezultate sa ma precize në këtë proces të ndërlikuar .

Në rastin konkret nuk është punuar sa duhet me banorët që i kanë pronat atje,nuk është tentuar që me durim dhe me  argumente profesionale të bindin pronarët në të drejtën-arsyet se si kanë vepruar ata si Komision. Vetëm kyçja aktive e tyre në këtë proces do të pastronte shumë dilema,por pushtetarët tonë nuk ishin të gatshëm për këtë pasi kjo kërkon punë shumë,e kjo s’duket po iu kthehet si bumerang.

Nuk duhet përjashtuar as anën manipulative të disave,që dëshirojnë të shfrytëzojnë momentin e favorshëm për të përfituar,por ato tendenca që në start është dashur të izolohen me forcën e argumenteve teknike që janë të shumta,vetëm duhej një punë e mundimshme që si duket ka munguar nga ana e komisionit. Për atë puna e tyre kërkon kohë( në rastin konkret 3 vite),duhet përkushtim dhe angazhim i madh,duhej të ishte punë parësore e Komisionit,e jo si është vepruar në rastin konkret. Natyrisht kjo punë duhet kompensuar si në tërë botën,e mos të trajtohet si punë dytësore,apo si ndonjë “honorar i lehtë përfitues” si janë mësuar disa, pasi ka përgjegjësi ekstrem të madhe si po shihet në rastin konkret, nuk caktohet vija ndërshtetërore për çdo vit.

Nëse do të ishte punuar me profesionalizëm të lartë atëherë edhe ndërhyrja e politikës nuk do të kishte hapësirë,por ajo u implikua mu nga mungesa elementare e bashkëpunimit  e të gjithë spektrit profesional, që u vërtetua se në Kosovë nuk mungon. Edhe Rezoluta e Qershorit e aprovuar në Kuvendin e Kosovës lidhur me shënimin s kufirit me Malin e ZI,u tregua së nuk ishte obliguese për Qeverinë tonë, që paraprakisht duhej të bënte harmonizimin e qëndrimeve me opozitën dhe të tjerët,para nënshkrimit të marrëveshjes.  Befasoi kryeneçësia e politik bërësve tonë që në princip tërësisht i injoruan sugjerimet,vërejtjet që u shpalosën para nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit,të cilën e bëri me 26 gusht në Vjenë. Fati i mirë është që ajo u aktualizua dhe duhet të ratifikohet në Parlamentin e Kosovës,ku nëse dokumentohen shkeljet e pretenduara,nuk duhej të kalonte,edhe se pozita me numrin e votave ka mundësi të bënë një veprim të tillë, me premisa të tradhtisë kombëtare,si na ka ndodhur disa herë gjatë historisë tonë.

Sot e kemi GIS teknologjinë me anën e të cilës me një punë të përkushtuar profesionale,shumë lehtë ka qenë e mundur që së bashku me Komisionin Shtetëror të Malit të zi të definohen të gjitha çështjet kontestuese,posaçërisht ato të banorëve të zonës ndërkufitare nga ana e Kosovës,që për shkaqe të ndryshme historike dhe hegjemoniste sllave apo gjeostrategjike kanë mbetur të pa zgjidhura,ashtu si pretendohet nga ana e banorëve. Botërisht dihet se si janë caktuar vijat kufitare para 100 vite,zakonisht në dëm të Shqiptarëve të këtyre anëve.

Së paku kur për herë të parë kishim mundësi të vendosim për vetveten,është dashur që ky proces të jetë transparent,gjithëpërfshirës, detal i analizuar,në mënyrë korrekte i punuar,që të korrigjohen dhe të plotësohen padrejtësitë e mëdha që iu kanë bërë këtyre banorëve të Kosovës,në të kaluarën. Për të arritur këto objektiva është dashur me kërkuar punë të vazhdueshme të Komisionit Shtetëror,bashkëpunim dhe angazhim të tërë spektrit profesional si bashkëpunëtor të jashtëm të Komisionit,pa ndasi politike,pasi Kosova i përket të gjithë neve dhe është absurde të ketë këso dallime.

Kundërshtarët e vijës kufitare po e argumentojnë këtë proces,por vetëm në mjetet e informimit,për mua është indikativë përse nuk pati ballafaqim televiziv pro dhe kontra,ku të dy palët do ti shpalosnin argumentet e tyre. Po supozoi se kanë të drejtë kundërshtarët në punën e Komisionit,kjo mundet të jetë vetëm njëra anë e medaljes,po shpresoi me argumente teknike e jo politike si e kemi ves të bëjmë. Tek tani na pret ballafaqimi i ri me palën Malazeze,ku shpresoi se do të dominojnë argumentet profesionale nga ana jonë,me i korrigjuar gabimet paraprake të Komisionit e që kërkon dituri,punë dhe angazhim të madh e të mundimshëm, që deri me tani nuk i ka karakterizuar shqiptarët e Kosovës.

Janë dëshpëruese veprimet e këtyre ditëve të Qeveris së Kosovës,pas presioneve të mëdha të banorëve të zonës kufitare,të opozitës e së fundi edhe të disa ekspertëve,propozon formimin e një komisioni ndërkombëtar për demarkacion, për të verifikuar atë çka ka bërë komisioni shtetëror e në bazë të cilit është nënshkruar marrëveshja me Malin e Zi. Parësore duhej të ishte puna e përbashkët e të gjithë ekspertëve vendor pa dallime regjionale,klanore apo partiake që duhej të ishte obligim kryesor i Qeveris së Kosovës të iu siguroi kushtet, si bartësi kryesor i procesit. Këtu unë e shoh dështimin ma të madh të vendimmarrësve tonë, e jo formimin e një komisioni tjetër. Ndërkombëtarët munden me u angazhuar vetëm si konsulent të jashtëm në proces,pasi Kosova ka specialist të kësaj dhe fushave tjera,vetëm duhet me i angazhuar të punojnë së bashku në punë ekipore,gjë e cila ka munguar deri me tani me u bërë,e përse nuk është vepruar kështu duhet pyetur vendimmarrësit tonë .

Kjo tregon një të vërtetë tragjikomike se si deri me tani ka punuar Qeveria aktuale,asgjë nuk është e re në këtë aspekt pasi edhe Qeveria e kaluar si edhe ato parapraket,kanë vepruar ngjashëm duke mos dhënë përgjegjësi,llogaridhënie për veprimet e tyre,duke i margjinalizuar,anatemuar,nënçmuar ekspertët e vërtetë të fushave përkatëse,duke favorizuar ”ekspertët partiak” e të pa dijshëm. Nuk duhet harruar edhe obligimet ndërkombëtare që jemi të detyruar ti kryejmë, në të shumtën e rasteve edhe gabimisht nga mos dija dhe mos puna e jonë. Për atë e kemi situatën e tillë në Kosovë,të pa perspektivë për gjeneratat e reja.

Njëjtë si duket është vepruar edhe me caktimin e kufirit me Maqedoninë para disa vite, po banorët e këtyre anëve nuk ishin këmbëngulës si këta të Rugovës. Jo-zyrtarisht flitet për mbi 3000 km2 të humbura,në zonat e Debëldesë dhe Mjakut,por atë duhet argumentuar me fakte relevante e jo me thashethëna.

Dëmet që janë duke iu shkaktuar shtetit të Kosovës janë marramendëse,me pasoja afatgjate. Vendimmarrësit kosovar duhet ta kenë të qartë njëherë e përgjithmonë se për çështje madhore,si është shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi,duhet domosdo të vendosin së bashku pozita dhe opozita në Parlamentin e Kosovës,pasi kemi sfida edhe ma të ndërlikuara që do të pësojnë në të ardhmen e afërme. Faktori KOHË nuk po merret në konsideratë,për këtë të gjitha këto veprime të dëmshme po i paguajmë të gjithë ne, e reputacioni i Shtetit të Kosovës për çdo ditë po degradon, deri kur kështu ?

*Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK).

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, demarkacioni i kufirit, me Malin e Zi

Kosovë-Kuvendi mblidhet në 14 e 17 dhjetor

December 10, 2015 by dgreca

– Sot u bë një vit nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës, në 8 dhjetor 2014, i cili një ditë më pas zgjodhi qeverinë e re, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit/PRISHTINË, 8 Dhjetor 2015-B.Jashari/ Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të hënën e 14 dhjetorit në seancë plenare për të shqyrtuar për herë të dytë Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016. Ndërsa, në një seancë tjetër të Kuvendit në 17 dhjetor presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, do të mbajë fjalimin vjetor para deputetëve.Kështu vendosi sot pasdite Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Komisioni për Buxhet dhe Financa sot miratoi Raportin me amendamente të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 dhe e procedoi tutje në seancë të Kuvendit.

Sot u bë një vit nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës, në 8 dhjetor 2014, i cili një ditë më pas zgjodhi qeverinë e re, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

Pas zgjedhjes, qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, për vitin 2015 kishte paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kosovë-Kuvendi mblidhet, në 14 e 17 dhjetor

Popullit që flenë i vidhet historia

December 10, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Jemi në një kohë të thyerjeve të mëdha morale në kombin tonë . Nuk e di , e rastësishme apo e përgatitur ? Asgjë nuk është e rastit . Ekstremi fetar jo vetëm që na e morri fytyrën në arenën ndërkombëtare por na shkakton edhe dëme të mëdha morale e historike me një qëllim humbjen e ardhmërisë së një kombi të vjetër , në mos më i vjetri në Europë.
Edhe turku edhe serbi ,për kundër shkatërrimeve që na i kanë bërë gjatë shekujve , së paku unin , moralin dhe kombin nuk kanë mundur të na zhbëjnë . Sot jemi dëshmitar dhe e sytë tanë po e shohim shkatërrimin dhe heshtim. Jo vetëm që heshtim ndaj kësaj furtune por çirremi me zë të lartë edhe ndaj vetvetes sikur duam t`i kërkojmë zotit llogari pse na e fali vjetërsinë historike.
Dhe ,  të pa origjinët nuk po kursejnë as para , as mund e as shkencë
Kush po i largon gurët e varreve nga xhamitë e Kosovës  ? fill pa çlirimit na mbërrin dijetarët  turko arab dhe me parat e tyre ne e bënë lëmsh moralin tonë kombëtar . Ata erdhën këtu me shumë qëllime.
Atë, që serbëve iu ka ikur pa e shkatërruar me shekuj ; ne me ndihmën e ardhësve të rinj iu mundësuam.
Xhamitë tona zakonisht kishin edhe oborret e tyre me varreza shumë të vjetra ; e mbi ato varre gurët me gdhendje dhe shkrime të ndryshme  romake apo osmane : por që e shënonin një kohë. Por kishte edhe më të vjetra se romake dhe osmane ,kishte edhe asi gurë që shkruante historia e vjetër, Edhe ne kohërat e kaluara ne kishim njerëz të mençur që përkundër dhunës dhe robërisë dinin te ruanin diçka nga e kaluara e largët . Ishin gurët e varrezave që e fshehin një të kaluar , që mos t`i binte në sy pushtuesit.
Shikoni këtë foto:ky gur është në oborrin e një xhamie në tokat shqiptare ; nuk po tregoj se ku , por ai është shumë i lashtë. Ai tregon diçka ,por duhet t`i japim gjuhën që të flet .
Guri nuk flet , por ne flasim për te ; por ne nuk i japim mundësi që ai apo ata gurët e larguar nga varret e xhamive të na e tregojnë të vërtetën tonë .
Me porosi të kujt u larguan  gurët e varreve nga oborret e xhamive tona , po u pyetur asnjë institucion shkencor i yni ? Por edhe pyetje tjetër , kemi ne institucione shtetërore ?
Fahri Xharra

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, popull qe fle, vjedhja e historise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3284
  • 3285
  • 3286
  • 3287
  • 3288
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT