• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vepra e jetës së Nolit është shkëndija dhe zjarri që vloi zemrën e Shqiptarëve në rilindjen e identitetit kombëtar

November 24, 2015 by dgreca

….  Imzot Fan Noli,- Ju jeni nderi i identitetit Shqiptar, të cilin e zgjuat dhe cliruat nga prangat e skllavërisë barbare otomane dhe shovinizmit grek, me ndihmën e patriotëve, forcën e fjalës dhe vizionin e së vertetës që  ju dha Zoti ynë shpëtimtar Jezu Krisht./

Nga Franklin ZDRULI/St. Mary’s Curch, Worcester/*

Të nderuar zonja the zotërinj, të nderuar miq, motra dhe vëllezër me Krishtin, përshendetje të përzemërta.
Me lejoni ne fillim te falenderoj At Arthur Liolin dhe bordin organizativ te ketij simpoziumi per vleresimin qe i dhane komunitetit shqiptar praneKishes Orthodhokse Shqiptare Fjetja e Shen Marise,  nepermjet fteses se drejtuar ndaj meje dhe zotit John Lito. Sic e dini komuniteti Shqiptar i Worcester-it sapo festoi 100 vjetorin e themelimit te Kishessone ne kete vitjubilar.Ne perfaqesi te komunitetit tone deshiroj te sjell pershendetje te vecanta per At Arthur Liolin qe prej 45 vjet eshte sot shpirti, zeri dhe shpresa qe na fali imzot Noli. Shpesh here ai thote se Boston eshte truri i shqiptarise, kurse Worcester eshte zemra e saj. Deshiroj te shtoj se atje ku eshte zemra ka edhe trima, ne kete fortese te Shqiptarise.

Ky eveniment perkujtimor per udheheqesin tone shpirteror dhe kombetar Fan Noli,qe koincidon ne javen e pervjetorit te dites se Pavaresise se Shqiperise si dhe te dites se falenderimit ndaj Zotit,besoj se eshte dhurata me e bukur qe ne mund ti falim komunitetit Shqiptar te diaspores dhe Shqiperise per nder te identitetit shqiptar. Komuniteti shqiptar i Worcester edhe sot eshte i dedikuar ne rrugen dhe visionin qe te paret na kane besuar. Perkushtimi, mundi dhe shpresa e tyre per ruajtjen e trashegimise identitare ne rrugen me Krishtin, jeton sot mes nesh.Eshte vetem ne nderin dhe besen tone ta mbrojme dhe trashegojme kete thesar te pacmueshem ne gjeneratat e ardhshme.DeshirojtecitojprofesorStavroSkendi ne librin e tij Albanian National Awakening,(Zgjimi Kombetar Shqiptar-deklamohet fragmenti….)…..

***

Sot te vleresojme dhe perkujtojme  Fan Nolin dhe dedikimin e tij eshte nje detyre morale ne radhe te pare per te gjithe Shqiptaret, pasi vepra e jetes se tij eshte  shkendia dhe zjarri qe vloi zemren e Shqiptareve ne rilindjen e identitetit te tyre kombetar. Shpirti Shqiptar nje force te tille nuk e kishte provuar qe ne kohen e Gjergj Kastriotit. Te dy keta udheheqes jane nga te vetmit ne historine e kombit shqiptar qe permbajne ne vetvete te njejtin karakter, vleresim dhe perkushtim ndonese kane qene te ndare prej nje periudhe kohore afer pese shekullore. Nga i pari trasheguam komunitetin e pare me jetegjate shqiptar, pa nderprerjen e besimit,komunitetin arberesh, kurse nga Fan Noli trasheguam nder te tjera,institucionin e pare shqiptar,Kishen Orthodokse Shqiptare,mbi te cilen u ndertua identiteti shqiptar.

Imzot Fan Noli,- Ju jeni nderi i identitetit Shqiptar, te cilin e zgjuat dhe cliruat nga prangat e skllaverise barbare otomane dhe shovinizmit grek, me ndihmen e patrioteve, forcen e fjales dhe visionin e te vertetes qe  ju dha Zoti yne shpetimtar Jezu Krisht.
Sot kemi ardhur ne shtepine tuaj dhe tone per tu takuar. Fizikisht mund te jete dhe e pamundur por mrekullia ekziston ne faktin se shtepia jone e ka deren e hapur ashtu sic e pergatitet ju. E dime se kush jane shoket e tu, familja juaj, perkushtimi juaj dhe rruga e vertete se si do ta vazhdonit ju edhe sot. E dime se shume c’ka Ju donit eshte edhe sot per te deshiruar,- do vazhdojme te punojme me besen ne Zot. I meritoni te gjitha, udheheqes, peshkop, kryeminister,patriot,shkrimtar,perkthyes,poet,diplomat,profesor,historian etj., por perseri qellimit nuk ju ndalet deri ne fund. Rendesia e qellimit qendron tek premtimi dhe besa ne Krishtin per ta mbajtur gjalle shpresen ne popullin e tij , per te ruajtur trashegimine e tij, per tu kujdesur per shtepine e tij. Se te gjitha qe ai ka ia dhuron popullit te tij qe i ka qendruar me bese dhe ne kohet me te veshtira.
Sot motra dhe vellezer,mbane Shqiptaria duhet te edukohet me faktin se Fan Noli i perket Shqiptarise si shpetuesi i identitetit shqiptar, si themeluesi dhe udheheqesi i institucionit te pare shqiptar  me jetegjatesine me te madhe te panderprere,edhe se vete pavaresia e kombit tone shqiptar.Fan Noli duhet te njihet nga te gjithe si nje George Washington i Shqiperise.  Udheheqesi jone identitar dhe shpirteror. Noli dhe patriotet e tjere te diaspores qe nuk kursyen edhe jeten e tyre, per formimin e Peshkopates dhe Kishes Orthodokse Shqiptare me qender ne Amerike na kane lene nje amanet,- ruajtjen, forcimin dhe integrimin e besimit dhe identitetit tone.

Kete ne duhet ta tregojme duke u bere pjese aktive e komunitetit, duke bashkuar familjet dhe femijet tane ne liturgjine hyjnore,duke ju mesuar femijeve tane gjuhen dhe traditat shqiptare  duke hapur zemrat tona ne Krishtin duke kontribuar edhe monetarisht per mbarevajtjen e punes. Vetem keshtu mund te gjejme  rrugen e se vertetes, rrugen e jetes dhe rrugen e lirise se perjeteshme ne mbrojte te identitetit tone.

Sot eshte e natyrshme qe te gjithe ne shqiptaro- amerikanet ti perkushtojme kohen tone familjes ne rradhete pare,duke kryer detyren me te denje per rritjen dhe konsolidimin e nje brezi te ri me baza te shendetshme familjare , te cilat jane ura e domosdoshme drejt suksesit.Per Fan Nolin familja eshte dhe do te mbeteni ju dhe komuniteti qe perfaqesoni.Perkushtimi dhe dashuria e Nolit ndaj familjes se tij, sot na perket te gjitheve se bashku per ta trasmetuar ne brezat e ardhshem.
Perkushtimi per sukses personal i perket se shkuares dhe individit, kurse perkushtimi per sukses komunitar do ti perkase se ardhmes dhe mbare njerezimit.
Fan Noli i perket se ardhmes edhe sot kur Shqiperia dhe diaspora kane nevoje per nje perkushtim si i tij ,ne menyre qe identiteti shqiptar t’ju kalohet brezave te tjere ashtu sic e enderruan krijuesit e tij. Perkushtimi yne sot ka ne duar thesarin me te cmuar qe ne mund t’ju leme brezave pasardhes, identitetin shqiptar.Eshte shume e rendesishme te vleresojme trashegimine.Dikush me tha nje dite:- Bir, poharrove rrenjet, je djali i botes, kurse Imzot Noli na ka porositur; ate qe kishim ne dore e beme, e kemi nje Shqiperi,nje identitet, te mire opo te keq por e kemi. Tani eshte ne doren e brezave te tjere ta permiresojne.
I perhershem qofte kujtimi i Fortlumturise se tij Fan Noli.

 *Fjala e mbajtur ne Simpoziumin kushtuar 50 vjetorit te vdekjes se Imzot Nolit, organizuar nga Biblioteka Fan S. Noli dhe Kisha e Shen Gjergjit ne Boston

Filed Under: ESSE Tagged With: Fan S Nolit, Franklin Zdruli, Identiteti Kombetar

Analistët: ISIS dhe taktika e radhës e Putinit…

November 24, 2015 by dgreca

… për t’u shpëtuar sanksioneve/Pas takimit me kryeministrin britanik, David Cameron, axhenda e Presidentit francez Francois Hollande do të vijojë të jetë e ngjeshur. Masat kundër terrorizmit dhe angazhimi i përbashkët në këtë luftë do të jenë edhe kryefjala e takimit mes shefit të Elizesë dhe homologut të tij amerikan, ditën e martë. Po ashtu, ky takim do të pasohet dhe me pritjen, që Vladimir Putin do t’i bëjë një ditë më pas Francois Hollande. Në këtë valë diskutimesh të nxitura nga kërcënimet terroriste, angazhimi i madh i Rusisë në luftën kundër ISIS në Siri, ka rritur në të njëjtën kohë edhe frikën se, pozita e Moskës në fushën diplomatike do të rritet sërish. Ky shqetësim është më i madh për qeverinë e Ukrainës, gjë që kjo e fundit e ka shprehur hapur kohët e fundit. Sipas zyrtarëve të Kievit, ndihma e Rusisë kundër Shtetit Islamik ka gjasa të rrisë pushtetin e Moskës, e në të njëjtën kohë do t’i hiqte asaj sanksionet e vendosura më herët për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë. Revista “Politico” shkruan se, në prapaskenë po zhvillohet një debat i nivelit të lartë mes zyrtarëve të administratës Obama, për efektivitetin që sanksionet kanë për frenimin e ambicieve të Putinit. Sanksionet nisin që nga kufizimi i udhëtimeve të zyrtarëve rusë, deri te qasja e kompanive ruse në tregjet ndërkombëtare, të gjitha këto masa të vendosura për shkak të aneksimit të Krimesë dhe mbështetjes së vazhdueshme të rusëve për lëvizjet separatiste në lindje të Ukrainës. Ky konflikt ka lënë të vdekur rreth 8.000 persona, shumica prej të cilëve civilë. Por një ish-zyrtare e Pentagonit, e cila ka asistuar gjatë në këtë çështje, Evelyn Ferkas u shpreh se situata e Ukrainës është e shkëputur nga Siria dhe sanksionet do të mbeten në fuqi. Analistët i druhen faktin se, cila do të jetë taktika e radhës që Putin do të përdorë për të çliruar Moskën nga sanksionet perëndimore. Megjithatë, publikisht Shtëpia e Bardhë ka një ton të sigurtë, duke këmbëngulur se Putin nuk do t’ia arrijë këtij qëllimi, duke përdorur Sirinë si justifikim. Sipas analizës te revista “Politico”, Obama i druhet edhe afrimit të Hollande me Putinin, pasi kontaktet e vazhdueshme mes tyre pas sulmeve të Parisit më 13 nëntor kanë ngrysur Uashingtonin. Simond de Galbert, një diplomat francez tha se, çfarëdo të mendohet për Rusinë, fakti është se ata janë të vetmit, që janë treguar më të gatshmit në këto luftime. Por, dyshimet se Rusia në Siri po lufton më tepër kundërshtarët e Bashar al-Assadit sesa vet ekstremistët po zbehen. Tani duket se Moska ka më shumë besueshmëri si një aleate kundër ISIS, pasi pësoi edhe vet një sulm terrorist më 31 tetor, kur një avion rus me 224 vetë në bord u rrëzua nga një bombë e vendosur nga një degë e ISIS-it në Egjipt.

Filed Under: Analiza Tagged With: Isis, taktikat e Putinit

AMBASADA AMERIKANE NE TIRANE KESHILLON QYTETARET E SAJ

November 24, 2015 by dgreca

Terrorizmi, Ambasada apel amerikanëve në Tiranë: Tregohuni të vëmendshëm/

Ambasada amerikane në Tiranë, i bëri thirrje shtetasve amerikanë në Shqipëri që të tregohen të vëmendshëm ndaj çdo sulmi të mundshëm terrorist. Përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare të publikuar që në datë 20 nëntor, Ambasada Amerikane i fton shtetasit e saj që për çdo dyshim të njoftojnë Policinë e Shtetit. “Sulmet e fundit terroriste, qoftë nga ata lidhur me subjekte terroriste, apo autorë të veçantë, të shërbejnë si një kujtesë se qytetarët e SHBA, duhet të mbajnë një nivel të lartë të vigjilencës dhe të marrin hapat e duhura për të rritur ndërgjegjësimin e tyre të sigurisë. Ata duhet të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë te Policia e Shtetit duke formuar numrin 129”, thuhet në faqen e Ambasadës amerikane. {Sh.K}

Filed Under: Kronike Tagged With: Ambasada Usa, Kujdes terrorizmin, Tirane

Pandeli Majko në Kosovë-28 Nëntori – Urimie për të gjithë shqiptarët

November 24, 2015 by dgreca

-Pandeli Majko në Kosovë: Festa e 28 Nëntorit na fton të reflektojmë. Ajo nuk është një festë që nxit ndarje, por nxit bashkëpunim dhe negociata/-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli priti sot në takim ish-kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Nëntor 2015/ Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, i cili ishte në krye të qeverisë shqiptare në kohën e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-99, sot në Prishtinë dha mesazhin se, Festa e 28 Nëntorit na fton të reflektojmë, ajo nuk është një festë që nxit ndarje, por nxit bashkëpunim dhe negociata.Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli priti sot në takim ish-kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko.Në prag të 28 Nëntorit, Veseli dhe Majko përcollën mesazhe urimi për të gjithë shqiptarët, me porosinë që ajo të shënohet në frymën e mirëkuptimit vëllazëror dhe mirëbesimit ndërqytetar.Në takim zyrtar, njëkohësisht edhe midis miqsh, u evokuan kujtimet e përbashkëta të kohës së Luftës çlirimtare dhe këmbyen ide për gjendjen në rajon dhe tejkalimin e situatës në Kuvendin e Kosovës.Kryetari Veseli falënderoi ish-kryeministrin Majko për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për Kosovën nga të gjitha pozitat e tij drejtuese, në kohë dhe rrethana të ndryshme, që nga Lufta çlirimtare, kur Majko ishte në krye të ekzekutivit shqiptar.Kryeparlamentari Veseli çmoi lart bashkëpunimin që Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmjet tyre, duke e konsideruar atë shembull për vendet e tjera në rajon. Kreu i Kuvendit shfaqi interesimin dhe gatishmërinë për t’i vazhduar marrëdhëniet e tilla me Tiranën zyrtare në të gjitha fushat, duke i kultivuar dhe intensifikuar më tej ato, në të mirë të të dyja vendeve, veçanërisht lëmin parlamentar.

Lidhur me zhvillimet aktuale në skenën politike të Kosovës, ishte dakordim i përbashkët nevoja e komunikimit midis subjekteve politike, i cili do t’i hapte rrugë arritjes së një konsensusi të përbashkët, në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe përmirësimit të jetës sociale e ekonomike të tyre, zhvillimit të shtetit ligjor dhe demokracisë parlamentare.

Ish-kryeministri Majko, nga ana e tij, tha se çdo vizitë në shtëpinë e tij të dytë, siç e konsideroi ai Kosovën, përcillet me emocion të veçantë, ndërsa këtë radhë, edhe me shqetësim për situatën e krizës politike në Prishtinë, e cila shpesh herë, sipas tij, eksportohet si kulturë nga Tirana zyrtare. Por, ai u shpreh i bindur se gjërat do të shkojnë në drejtimin e duhur.
“Ne kemi një varg shumë të bukur te Himni Kombëtar, ‘Rreth flamurit të përbashkuar’. Mendoj se 28 nëntori nuk është një festë që nxit ndarje, por nxit bashkëpunim dhe negociata, sepse shqiptarët kanë ditur që në momentet më të vështira për vendin të falin edhe gjakun, e jo më të tejkalojnë inatet politike të natyrave të ndryshme, nga më të drejtat, deri në më të gabuarat. Festa e 28 Nëntorit na fton të reflektojmë”, theksoi Majko.
Ai shprehu optimizmin se të gjithë ata që janë pjesë e kujtimeve të tij, e që sot veprojnë nëpër parti të ndryshme politike, kanë mundësitë që në prag të Festës së Flamurit të gjejnë një gjuhë të përbashkët, me qëllim që t’i japin Kosovës atë që meriton, një ëndërr për të nesërmen, për të vazhduar rrugën e cila ka të bëjë jo vetëm me Kosovën, por me të gjithë shqiptarët.
Ndërsa, pas takimit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar në ‘facebook’:
“Në takim me mikun tim, ish kryeministrin dhe tash deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Pandeli Majkon, evokuam kujtimet e përbashkëta të kohës së Luftës çlirimtare dhe këmbyem ide për gjendjen në rajon dhe tejkalimin e situatës në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu, së bashku, ua uruam shqiptarëve kudo që janë, Ditën e Flamurit, që kjo festë të shënohet në frymën e mirëkuptimit vëllazëror dhe mirëbesimit ndërqytetar”.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, ne Kosove, Pandeli majko, Veseli

Kush na i prishi njerëzit?

November 24, 2015 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA-Nju Jork/
Ndërsa kundërshtarëve të tij komunizmi iu sul me tërbim dhe i shkatërroi kulturalisht, ekonomikisht dhe fizikisht, njerëzve të tij u shkatërroi dhe u përçudnoi moralin. Këtë mendim e kam pasur gjithnjë, por m’u forcua dhe m’u vërtetua disi nga transformimi i disa personave që u bënë komunistë e që Liri Lubonja, e shoqja e Todi Lubonjës, i jep në një libër kujtimesh.
Ndërmjet të tjerave, Liria flet për disa persona që i kishte njohur më parë si normalë, por që më pas ndërruan krejtësisht.
 Thotë për Nexhmie Hoxhën: “Ishte vajzë e butë, e arsyeshme, me bounsens. Më pas, si gruaja e Enver Hoxhës, bëri distancim nga njerëzit”.
Thotë për Liri Gegën: “Ishte gjithnjë e qeshur dhe me humor, tejet komunikuese dhe e dashur me nxënëset. Ishte ajo që vrau Mustafa Gjinishin”.
Thotë për Ismail Kadarenë: “Kjo lidhet me ndryshimin e Kadaresë gjatë viteve ndaj të vërtetës… Afrimi i Ismailit me ne, deri në krijimin e një miqësie familjare, është ndikuar padyshim edhe nga kjo – se Todin e shihte si mbrojtës dhe mbështetës në karrierën e tij letrare. Todi ishte anëtar i Komitetit Qendror, mik i Ramiz Alisë”.
Ndërsa për Nexhmien aludon se e prishi Enver Hoxha, për të tjerët nuk thotë se kush i prishi. Dhe vërtet, kush na i prishi këta persona? Unë mendoj se këta persona dhe të gjithë të tjerët që u bënë komunistë i prishi vetë komunizmi. Madje edhe për Enverin nuk gaboj të them se e përkeqësoi komunizmi. Ata që e kishin njohur para se të bëhej komunist, i vinin në dukje shumë të meta, por asnjë nuk kishte aluduar që të qe kriminel. Kriminel u bë pasi u bë komunist. Komunizmi nxjerr në pah dhe shfrytëzon në interesin e tij instinktet më të këqija që mund të ketë njeriu.
Cilësitë e një doktrine nuk mund të kuptohen kurrë nga baza teorike e saj. Ajo duhet provuar në jetë. Kur komunizmi u shpall si doktrinë, asnjë nuk mund të parashikonte të gjithë perversitetin e tij, asnjë nuk mund të parashikonte se ai do të ishte jo diktaturë e një grupi a klase, por diktaturë e një njeriu të vetëm, të cilin e ndante nga shoqëria njerëzore dhe i jepte fuqi të jashtëzakonshme, fuqi Zoti. Dhe, siç thotë Lordi Akton, “Fuqia të korrupton dhe fuqia absolute të korrupton absolutisht”.
Të izoluar nga populli, të ndarë me mure e me roje prej tij, komunistët e lartë rreth Enver Hoxhës as që dinin se ç’bëhej. Kur i dhanë vendimin e internimit, Liri Lubonjës, ajo tha: “Ne as që e kishim ditur se ekzistonte një Komision i Dëbim-Internimeve”, në një kohë që mijëra njerëz internoheshin pa pushim nga ai komision; ndërsa Nexhmie Hoxha, kur i dhanë lajmin se kishin rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës, sipas nuses së djalit të saj,Teuta Hoxhës, tha: “Enver, ku vajtën gjithë ato sakrifica? Ku vajti gjithë ajo punë titanike?”, në një kohë që sakrifica dhe puna titanike e Enver Hoxhës lidhej vetëm me krimet, me vrasjet e shokëve dhe kundërshtarëve të tij.
Liri Lubonja ka po atë mendim që kanë shumë nga të persekutuarit komunistë të komunizmit se përgjegjësinë për çdo gjë të keqe që u krye e pati vetëm Enver Hoxha. Ndonëse ky mendim ka shumë të vërteta brenda, nuk është tërësisht i vërtetë dhe i drejtë. Enver Hoxha nuk do të bënte dot kurrë ato që bëri, në qoftë se do të ndodhej në një tjetër sistem politik dhe në se në sistemin që u ndodh, nuk do të gjendesh një numër njerëzish kriminelë si ai, që u bënë bashkëpunëtorë në krim, të cilët i dhanë atij të gjithë ndihmën e nevojshme për të denigruar dhe persekutuar të gjithë ata që viheshin në shënjestrën e Enverit, pa çka se më pas do të denigroheshin dhe do të persekutoheshin dhe ata vetë.
Komunizmi ishte një sistem i tillë që pasi i jepte vlera dhe fuqi të plota “njëshit”, u jepte edhe të gjithë të tjerëve vlera dhe fuqi jo të pakta, në vartësi të afërsisë që kishin ndaj “njëshit”. Komunizmi prodhonte njerëz që vlerësoheshin jo nga cilësitë individuale, por nga afërsia që kishin në momentin e dhënë ndaj epiqendrës së pushtetit. Sa më afër asaj epiqendre të ndodhej personi, aq më shumë vlera kishte, madje edhe thjesht të qenit anëtar partie, të jepte vlera shtesë. Por, vlera, miqësia, respekti, nderimi ndaj tyre vepronin për sa kohë ai ishte në pushtet. Kur binte nga pushteti, binin të gjitha. Komunizmi prodhoi njerëz skllevër, servilë, idhujtarë, spiunë, të pabesë, njerëz pa personalitet, pa dinjitet, pa ndërgjegje. Ndërgjegjja e tyre ishte Partia, ishte Enveri. Vlerat morale e njerëzore, madje edhe kulturore të dikujt, as që viheshin në kandar.
Më ndonjë përjashtim të mekur, asnjë nga viktimat komuniste të regjimit komunist as sot nuk e kritikon sistemin komunist dhe nuk e quan atë kriminal. Ata kujtojnë me nostalgji vitet kur militonin në Partinë Komuniste, apo në Partinë e Punës, dhe pretendojnë se çdo gjë u prish, duke përfshirë edhe vetë partinë, kur ai, Enver Hoxha persekutoi ata vetë. Nuk është fare e vërtetë. Partia Komuniste ishte ajo që ishte që në ditët e para të themelimit të saj. Që në ditët e para ajo planifikoi të asgjësonte të gjithë ata që kishin ndonjë mendim ndryshe nga udhëheqësi apo udhëheqja e saj.
Kryekrimineli ynë, ndryshe nga ata klasikët, ishte edhe sadist, ai nuk kërkonte vetëm ndëshkimin për ata që i quante armiq, por, para së gjithash, i detyronte të poshtëronin veten deri në ekstrem e t’i luteshin atij për shpëtim.
Lexoni letrat që i çonin komunistët e persekutuar Enver Hoxhës, kronikat e plenumeve të Komitetit Qendror apo të organizatave të Partisë në mbledhjet që bëheshin për të demaskuar apo ndëshkuar ndonjë komunist të rangjeve të larta, dhe do të shihni se me sa vrull, se me sa egërsi, se me sa urrejtje, i suleshin shokët atij që tirani e kishte vënë në shënjestër për ta ndëshkuar dhe se me sa paburrëri, se me sa mungesë dinjiteti, se me sa hipokrizi, se me sa servilizëm, se me sa budallallëk silleshin vetë ata që do të ndëshkoheshin, ata të cilët pak kohë më parë konsideroheshin trima që të merrnin gjak në vetull.
Arben Putoja në librin e tij “Jetë me kujtime”, në përpjekje për t’u larguar nga regjimi komunist të cilit, siç mendojnë shumë, i shërbeu plotësisht e me të gjitha mënyrat, jep edhe këtë paragraf të cilin, për rëndësinë që ka për shkrimin tim, po e jap të plotë: “Ka edhe një gjë që e plotëson tablonë. Janë procesverbalet e dy plenumeve të ushtarakëve të botuara më vonë në shtyp. U implikuan një numër ushtarakësh të niveleve më të ulëta. U kërkohej të shpjegoheshin. Një spektakël mjeran. Ata mundoheshin të shfajësoheshin, përbetoheshin për besnikëri ndaj Partisë, ia hidhnin fajin njëri-tjetrit. Ishin luftëtarë të LNÇ-së, gjeneralë dhe kuadro udhëheqës të ushtrisë me dekorata në gjoks. Binin në gjunjë, shkelnin çdo personalitet”.
Po japim më poshtë sjellje dhe pjesë nga autokritikat dhe kërkesat e disa prej komunistëve që po persekutonte Enveri, për të parë se si e bënin veten leckë, ashtu siç donte ai, se si i luteshin atij që t’i falte për gabime a faje që nuk ishin as gabime e as faje e si e trajtonin atë si Zot, ashtu siç donte ai që kishte në dorë fatin e tyre dhe të të afërmve të tyre. Tashti këto na bëjnë të vëmë buzën në gaz, por atëherë nuk ishte kështu.

Beqir Balluku (Letër Enver Hoxhës, Roskovec, 18.09.1974)
Me gjithë se un tani nuk kam asnji të drejt morale t’i baj partisë edhe kërkesën më të vogël, por me gjithë atë po i drejtohem me lutje zemrës së madhe të kësaj mëme fisnike që të më fali për gabimet e fajet e rënda që kam barë, dhe të mos më rreshtoj në radhët e armiqve të saj, por të më konsideroj si ish birin që ka gabuar rëndë, dhe që kërkoi dorën e fuqishme të saj, për të dalë nga bataku i botës së urryer borgjezo-revizoniste… E siguroj partinë e shokun Enver se me gjithë gabimet e fajet që kam bërë… të cilat i dënoj me ndërgjegje të plotë, se në zemrën e mendjen t’ime nuk ësht shuar e nuk do të shuhet kurrë dashurija ndaj partisë e shokut Enver.
I lutem partisë që të më japi mundësinë të filloj jetën rishtazi, i lutem që me shpatën e saj të mpreht, të presi nga rrënjët pjesën e keqe të jetës t’ime që të vete në varr jo si armik i partisë e popullit, por si qytetar i thjesht patriot, dhe që fëmijët e mij dhe i tërë rrethi i im familjar që jan të lidhur si mishi me kockën me partinë dhe që dënojn me ashpërsi gabimet e fajet e mija të ecin në rrugën e jetës si bij e bija të saj.
E përfundoj kët letër me ndërgjegje të tronditur dhe i penduar për gabimet e fajet që kam bërë dhe i bindur se damet që i kam sjellë partisë nuk lahen as me jetën t’ime e cila ësht në dispozicjon të partisë në ç’do moment.
Afirmoj solemnisht para partisë e shokut Enver se me gjithë gabimet e fajet që kam bërë në zemrën e mendjen t’ime aktualisht jo vetëm nuk ësht shuar por në të kundërtën ësht shtuar urrejtja kundër armiqve imperialisto-revizionistë dhe besimi e vendosmërija për të luftuar e fituar kundër tyre si në fushën politike, ideollogjike dhe për t’i dërmuar e asgjesuar në luftën e armatosur.
Rroft partija
 Rroft shoku Enver
Me respekt të thellë ndaj partisë K.Q e shokut Enver

Kristofor Martiro, hetuesi i Beqir Ballukut, thotë: “Ish-ministri edhe në gjendjen që ishte e ruante respektin për Enver Hoxhën. Edhe kur e internuan në Roskovec, pasi e përjashtuan nga Byroja Politike dhe Partia, kur hyri në shtëpinë ku ishte caktuar të rrinte, mbante në dorë portretin e Enver Hoxhës. Ndërsa Arben Putoja shkruan se në gjyq Beqir Balluku u thoshte atyre që e gjykonin: “More, a e di shoku Enver këtë që po më bëni mua?”.

Dashnor Mamaqi
Tregon Maksim Rakipaj, i dënuar politik, për një bisedë që pati në burg me Dashnor Mamaqin:
Thotë Dashnor Mamaqi: “I thosha një ditë Shpesës (gruas): A mban mend Shpresë kur na erdhi në shtëpi komandanti ynë i dashuri, i madhi Enver…
“Nuk u përmbajta dot… – thotë Rakipaj – dhe i thashë: kjo është e fundit herë që rrimë bashkë. Me gjithë këto që ke hequr e po heq… ende e do kriminelin Enver Hoxha?… Kur do të të vijnë mend ty more… apo kur të kesh përpara vetes skuadrën e pushkatimit, si shokët e tu? Edhe atëherë prapë do të ulurish: Rroftë ai kriminel?!.
“Po prit more djalë, ule zërin” – thotë Dashnor Mamaqi… – dhe pasi u sigurua se nuk e dëgjonte njeri, më tha duke pëshpëritur: Ah sikur ta njohësh more bir, atë qen ashtu si e njoh unë… duhet ta kesh vërtet frikë. Po ti s’e ke idenë se ç’kriminel përbindësh është ai.

Halim Xhelo (Letër KQ, viti 1966)

Jugosllavëve, grekut, amerikanëve, revizionistëve modernë e reaksionit të brendshëm u kam arrestuar me qindra njerëz dhe me dhjetëra nga ata i kam pushkatuar me dorën time… Pavarësisht nga fajet që kam bërë, unë i përkas vetëm Partisë dhe pushtetit dhe po jetova, koha do ta provojë… Në qoftë se kjo kërkesë e imja për jetën do të më refuzohet dhe vdekja ime i intereson Partisë, atëherë me anë të kësaj letre uroj: Të rrojë Partia, pushteti dhe shoku Enver!

Fatmir Gjata (Autokritikë në organizatën bazë të kooperativën e Lapardhasë në Berat, viti 1966, ngaqë u tremb në Zvicër, sepse dikush i drejtoi një pistoletë lojë)
Në Zyrih, unë i ktheva shpinën armikut, më mungoi fryma revolucionare dhe humba disa veti revolucionare, që besoj se i kam pasur. Gabimi që bëra është i rëndë…. Mua s’më lejohet jo si komunist, jo si përfaqësues i popullit që isha (deputet), jo si shkrimtar, por as si qytetar që të frikësohem.
Komunisti duhet të vërë interesat e popullit mbi ato të tijat, ndërsa unë u tremba, mendova vetëm të shpëtoj kokën…
Unë gjatë kësaj kohe kam pyetur veten:
Përse unë, një komunist revolucionar… veprova kështu? Pse ndodhi kjo me mua? Kjo s’është e rastit, ndodhi jo se s’kisha eksperiencë, por do të ndodhte ashtu si ndodhi që unë të trembesha, mbasi ishte përfundim logjik që do të më shpinte aty ku më shpuri.
Pres nga organizata bazë kritikat më të ashpra. Shumë mirë që u ndodha në një organizatë prodhimi se do më skuqni veshët…

Todi Lubonja (autokritika në KQ, viti 1973)
 Fjalët i shoh të tepërta. Masën për përjashtimin tim nga radhët e Komitetit Qendror te Partisë e shoh me vend mbasi bagazhi i gabimeve dhe devijimeve te mija është i rende… Por mendoj të më jepet mundësia të militoj në radhët e partisë së cilës me te mirat e të këqijat i kam kushtuar jetën time pa të cilën jeta ime do të humbiste kuptimin dhe përmbajtjen e saj.
Lufta kundër imperializmit dhe revizionizmit kundër ndikimeve të huaja ka për të qenë e gjatë. Beteja te reja do të vijnë. Ne këto beteja do ta kem për nder të militoja për mësimet e partisë e të shokut Enver kundër armiqve të betuar të partisë, atdheut, socializmit e revolucionit po të jetë nevoja edhe me jetën time. Kjo është kërkesa ime e parë që i bej Partisë gjate 31 vjetëve të jetës sime ne parti dhe them të jetë e fundit qe i bej plenumit dhe shokut Enver: kërkesa ime është për të jetuar dhe për të vdekur komunist.

Ismail Kadare: (Autokritika për vjershën “Pashallarët e kuq”, viti 1975)
 Unë si komunist dhe si shkrimtar, në vend që të jem në ballë të situatës, të ndihmoj Partinë, jo vetëm që s’e zë këtë pozicion, por bëhem vetë problem për Partinë, pra, bëhem pengesë për të. Vetë ky fakt është tepër i hidhur për ndërgjegjen time dhe nuk zmadhoj asgjë po të them se ky është hidhërimi më i madh dhe vrasja më e madhe e ndërgjegjes që unë kam pësuar ndonjëherë në gjithë jetën.
I vetmi qëllim dhe preokupim i jetës sime këtej e tutje do të jetë kthimi në llogore, në vendin e madh të nderuar të ndihmësit të Partisë, pa të cilën as jeta ime, as vepra ime s’do të kishin ndonjë kuptim.

Thoma Deliana (Letër drejtuar Enver Hoxhës, viti 1976)
I jam shumë mirënjohës Partisë dhe shokut Enver për ndihmën dhe kujdesin që kanë treguar ndaj meje dhe më vjen shumë rëndë që ua shpërblej në këtë mënyrë…
Unë premtoj se jam dhe do të jem besnik deri në fund të jetës time Partisë dhe Shokut Enver, kam besim të madh te Partia dhe jam gati të pranoj edhe dënimin më të rëndë që do më japë ajo. Më vjen rëndë dhe turp që s’e ka kaluar akoma as një vit që shoku Enver më kritikoi rëndë dhe më paralajmëroi në plenumin e VII të KQ për mungesë vigjilence e mprehtësi politike… dhe tamam në këto gabime kam rënë përsëri.
Unë jam plotësisht dakord me propozimet e bëra në organizatën e Partisë që të shkarkohem nga funksionet që mbaj dhe për gabimet dhe dëmin e madh që i kam sjellë Partisë të shkoj në skajin më të largët të vendit, ta filloj jetën nga e para, se kam nevojë të edukohem midis klasës punëtore dhe të kalitem në gjirin e saj…
I them Partisë dhe shokut Enver se dëshira ime e fundit është të mbyll sytë si ushtar i thjesht i saj.

Mehmet Shehu (Letra para vetëvrasjes, viti 1981)
Po, shoku Enver, unë gjithmonë kam qenë i gatshëm për të lënë jetën për Partinë. Dhe pikërisht këtë po e bëj tash: po lë jetën për Partinë, për të të dhënë rastin e vetëm që më mbeti, ty, shokut, mësuesit dhe vëllait tim të dashur, unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve, siç më ke quajtur me të drejtë, që të mësosh të vërtetën….
Poshtë imperializmi, me imperializmin amerikan në krye! … Poshtë reaksioni! Amanet familjen time – Fiqiretin, djemtë (përfshi dhe Skënderin dhe Bashkimin), fëmijët e nuset e djemve!

Vladimir Shehu (Letër Enver Hoxhës, viti 1982)
I dashur shoku Enver
Me anë të kësaj letre dëshirojmë t’ju shprehim dënimin e plotë dhe pa rezerva të veprimtarisë armiqësore të tradhtarëve të Partisë, Mehmet e Fiqret Shehu… Gjithashtu, dëshirojmë t’i shprehim falënderimet më të thella Partisë dhe juve personalisht, për diferencimin që bëtë midis nesh dhe pjesëtarëve të tjerë të ish-familjes sonë të përlyer në veprimtari armiqësore…..
Ne ju jemi borxhli me gjakun tonë dhe të fëmijëve tanë. Ju falënderojmë nga zemra, veçanërisht për interesimin e posaçëm që treguat ndaj nesh në ditët e para të vetëvrasjes së Mehmet Shehut.
Për sa i përket qëndrimit ndaj pjesëtarëve të familjes së Mehmet Shehut, ndarja me ta është çështje parimore. Çështja në këtë rast shtrohet: o me Partinë, o me armikun. Ne jemi me Partinë dhe s’kemi të bëjmë me ata njerëz.
Me respekt Vladimir e Fatbardha Shehu, Tiranë më 4.1.1982
Shënim: Vladimir Shehu u vra apo u vetëvra në Gramsh dy muaj më pas.

Bashkim Shehu, djali i Mehmet Shehut, në librin e tij “Vjeshta e ankthit” tregon për varrimin e Mehmet Shehut: ” Vëllai tjetër i Mehmetit, oficer në Ministrinë e Mbrojtjes, nuk erdhi (në varrim), pasi ministri Kadri Hasbiu e këshilloi të mos vinte… Nënën (Fiqiretin, gruan e Mehmet Sheut) e bindi Vladimiri (djali i saj) të mos vinte (në varrim), duke qenë se ajo vazhdonte të ishte anëtare e Komitetit Qendror dhe ardhja e saj në varrimin e Mehmet Shehut, kushedi, mund të ndikonte që ta përjashtonin, ose, sidoqoftë, mund të jepte shkas për këtë”.
Ata që thuhej se ishin përleshur me guxim me forcat “nazisto-balliste”, që kishin vrarë kaq e aq prej tyre, tashti kanë frikë të shkojnë të varrosin njeriun e tyre! Çfarë sistemi!
Nuk ka dyshim se pasardhësve të këtyre komunistëve, apo të të tjerëve të ngjashëm me ta, sot, kur lexojnë fjalët dhe qëndrimet e paraardhësve tyre, nuk do u vijë mirë, madje, disave do t’u vijë edhe turp.
Krahasoni tashti fjalët dhe sjelljet këtyre komunistëve, me fjalët dhe sjelljet e antikomunistëve në gjyqet komuniste të cilat do t’i dënonin rëndë apo edhe me vdekje, apo me qëndrimet e tyre para pushkatimit dhe do të shikonin se me sa me burrëri, me sa dinjitet, me sa mençuri i pritnin ata dënimet dhe vdekjet, do të shikoni se sa ndryshim kanë ata që nuk u përlyen me komunizëm me ata që u bënë njësh me të. Vazhdoni e krahasoni qëndrimet e familjeve komuniste që shkatërroheshin në çast, sapo një pjesëtar i tyre goditej nga Partia me qëndrimet e familjeve jokomuniste që, me ndonjë përjashtim të rrallë, jo vetën nuk shpërbëheshin, por i ndiqnin njerëzit e tyre të burgosur nga një burg në një tjetër me një torbë me ushqime që ua hiqnin nga goja fëmijëve të vegjël, apo sjelljet e tyre nëpër kampe internimi kur qëllonte që edhe pse njërit prej bashkëshortëve i mbaronte dënimi e tjetrit jo, bashkëshortit që i mbaronte dënimi vazhdonte të qëndronte në internim, për të mos e lënë shokun a shoqen e vet vetëm. Kohët e fundit u botuan disa intervista të këngëtares Alida Hisku e cila, ndër të tjera thotë: “Fill pas izolimit tim për veprimtari armiqësore, filluan të mbajnë në mbikëqyrje babain. Një ditë e thirrën zyrtarisht në komitet dhe i shtruan dilemën e tmerrshme: Ose dorëzo dokumentin e partisë, ose moho Aidën! I gjendur para një situate të tillë, im atë me zgjuarsi zgjodhi alternativën e dytë, për të shpëtuar pjesën tjetër të familjes e të fisit”. Burri mund të mohojë gruan, apo anasjelltas, apo fëmija prindin, por shumë rrallë ndodh që prindi të mohojë fëmijën për shkaqe politike! Dhe raste të tilla të turpshme dhe imorale komunizmi i trajtonte si triumfe të kauzës së tij!
Thonë se komunizmi duke krijuar “njeriun e ri”, përçudnojë “njeriun e vjetër”. Më duhet të them se më shumë se sa përçudnoi “njeriun e vjetër”, ai shkatërroi njeriun e tij, njeriun e ri, komunistin, dhe e shkatërroi atë aq më shumë, sa më pranë majës së pushtetit të ndodhej. Atë ai kriminalizoi, e ç’burrëroi, e çnderoi, e hipokritizojë, e budallepsi.

Nju Jork, nëntor, 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Hashorva, kush i prishi, njerëzit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3330
  • 3331
  • 3332
  • 3333
  • 3334
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT