NGA ILIR HASHORVA/ New York/
Trazira që shkaktoi intervista e Alida Hiskut mbi përdhunimet në masë të grave të dënuara nuk është ulur ende. Pati përkrahje dhe kundërshtime për mundësinë e përdhunimit të grave të burgosura nga hetuesit dhe sigurimsat. Unë për vete, fjalët e saj i mora me shumë rezervë, jo sepse sigurimi nuk mund të arrinte deri aty, por sepse vetë Alida nuk ishte konsistente në ato që thoshte, se ajo m’u duk se vuante nga përdhunimomania, pasi thoshte që e kishin përdhunuar jo vetëm hetuesit në burg, por edhe shoferët gjatë udhëtimit për në Gjermani dhe pastaj i mohonte të gjitha si dhe sepse disa ish të dënuar politikë që kanë përvojë të gjatë të burgjeve komuniste, të cilëve mund t’u besohet, si Sherif Merdani dhe Maks Velo, deklaruan se çdo gjë mund të ketë ndodhur në burgjet dhe hetuesitë komunist, por jo përdhunimet. Nga ana tjetër, Agim Musta, i dënuar politik, edhe ky me përvojën e një burgu të gjatë, një studiues shumë produktiv dhe i kujdesshëm i terrorit komunist, në librin e tij “Gjëmat e komunizmit në Shqipëri”, jep një listë të plotë me 20 lloj torturash të kryera në hetuesitë dhe burgjet komuniste, por përdhunimin e grave nuk e përmend. Ka edhe plot gra të dënuara në kohë të komunizmit që kanë shkruar apo kanë treguar jetën e tyre nëpër hetuesi apo burgje, por për përdhunime nuk flasin.
Në këtë valë të demaskimit të sigurimit të shtetit për përdhunimin e grave të burgosura e cila u pranua në masë, disa gazeta botuan një lajm edhe më sensacional se ai i Alida Hiskut, të cilit u vunë titullin “Njerëzit e Sigurimit të Shtetit përdhunuan në burg Musine Kokalarin”. Lajmi merr shkas nga një pjesë e një libri të shkruar nga Novruz Xh. Shehu për Musine Kokalarin, i cili, ndër të tjera, thotë se Hektori, nipi i Musinesë, i ka treguar këtë ngjarje: “Musineja erdhi tek ne kur i vdiq nëna Hanushja, në vitin 1964. Nuk guxonte njeri të fliste me të. M’u afrua vetëm mua dhe më tha: -Në burg kam hequr më shumë nga çdo parashikim… Në qeli më sollën një person lakuriq…. -Cili ishte?, -e pyeta -nuk e njoh, -më tha.” Nga ky tregim i mangët, gazetat nxjerrin përfundimin se Musinenë e kanë përdhunuar, kur ajo vetë nuk thotë se e kanë përdhunuar, kur ajo nuk thotë nëse personi që i futën në qeli ishte femër apo mashkull, kur ajo nuk thotë as pse e çuan personin lakuriq, kur për ta përdhunuar mund të çonin edhe një person të veshur. Megjithatë, në kohë të caktuara edhe shakatë më të trasha besohen.
Tashti të vijmë të thelbi i çështjes. Në përgjithësi lajmet që u dhanë për përdhunimet në hetuesitë dhe burgjet komuniste shqiptare u besuan, sidomos u besuan nga jo komunistët. Unë për veten time, edhe pse nuk jam komunist, nuk i besova. Unë mund të pranoj që edhe të ketë ndodhur ndonjë përdhunim në ndonjë rast të veçantë, por nuk janë përdhunuar gratë në masë, dhe as ndonjë një pjesë e konsiderueshme e tyre. Nga ana tjetër, a ishte Sigurimi i Shtetit aq i dhimbsur sa të mos e përdorte edhe përdhunimin si armë torture? Jo, fare. Por, siç kanë thënë edhe të dënuar të tjerë, për përdhunimet kishte urdhra të forta që të mos kryheshin dhe kështu, sigurimsat ruanin kokën e tyre.
A është të mosbesuarit e përdhunimeve të grave nëpër burgjet komuniste shprehje e përkrahjes së regjimit komunist dhe armës së tij, Sigurimit të Shtetit? Jo, fare, përkundrazi. Për mua përkrahje e sigurimit është të besuarit se gratë shqiptare të burgosura, nga më të fismet e më të moralshmet e këtij kombi, janë përdhunuar të gjitha, ose një pjesë e konsiderueshme e tyre. Për mentalitetin shqiptar, gabimisht, përdhunuesi qëndron më lart se i përdhunuari, i përdhunuari mbetet fajtor e përdhunuesi jo dhe, ndërsa përdhunuesi është njeri abstrakt (hetuesi, sigurimsi, pa emër), i përdhunuari është njeri konkret, (e burgosura, me emër dhe mbiemër). Nuk di nëse këtë hipotezë të përdhunimit të grave e përhapi vetë Sigurimi i Shtetit apo jo, por kjo, me siguri, i shërbeu atij. Ndërsa sigurimit një akuzë më shumë apo një akuzë më pak nuk i prish asnjë punë, gratë e përdhunuar mbeten me një turp të shpifur. Të gjitha gratë që kanë qenë në burgjet komuniste dhe që deri tashti janë parë si të nderuara, si gra që i kanë bërë ballë torturave dhe poshtërimeve, që kanë shpërfillur me dinjitet hetuesit, prokurorët, gjykatësit dhe gardianët injorantë të burgjeve, këtej e tutje do të shihen ndryshe dhe vetë atyre do t’u vijë turp nga familjarët, nga të afërmit dhe nga të njohurit për të shkuarën e tyre dhe do të mundohen me çdo mënyrë të shfajësohen e të thonë pak a shumë nga zori se “mua nuk më kanë përdhunuar, për të tjerat nuk di gjë”. Kjo, me dashje apo pa dashje, është si një goditje e fundit e sigurimit të shtetit që kryhet në postkomunizëm ndaj atyre që ai persekutoi aq egërsisht në atë kohë dhe tashti duket sikur thotë me mburrje: “të gjitha jua kemi bërë, edhe ju kemi përdhunuar”. Deklarimet e Alida Hiskut duhen hedhur poshtë me përbuzje, jo vetëm se nuk na interesojnë, jo vetëm se nuk janë të vërteta, por sepse janë tejet të dëmshme.
Nju Jork, nëntor, 2015
Kosovë-Krimet e luftës: 12 mijë të vrarë, 6 mijë të zhdukur
-Prof. dr. Ismet Salihu:Krimi i zhdukjes së personave është një ndër krimet më të rënda të parapara me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet nacionale/
Nga Behlul Jashari/.-PRISHTINË, 7 Nëntor 2015/ Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të Serbisë kanë kryer një numër të madh të krimeve ndaj popullatës civile, kanë vrarë rreth 12 mijë shqiptarë, mijëra i kanë zhdukur e rreth 1 milion i kanë dëbuar. Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në publikimet e tij dëshmon edhe se, në Kosovë janë ende 1229 të pagjetur nga 6027 personat që nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët, menjëherë pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999.
Në prezantimin e Monografisë – Personat e zhdukur, të autorëve prof. dr. Ismet Salihu dhe prof. dr. Pajazit Nushi, botimi i së cilës, në dy gjuhë shqip dhe anglisht, u përurua nga Instituti, u theksua se “krimi i zhdukjes së personave është një ndër krimet më të rënda të parapara me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet nacionale”.
“Ky krim shtë shumë i rëndë jo vetëm për viktimën, por edhe për familjen e tij dhe për tërë komunitetin. Për më tepër, ky krim është dhe më i rëndë se vrasja, sepse humben, zhduken edhe mbetjet mortore”, tha profesor Salihu, drejtor i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. “Në Konventat Evropiane, për të zhdukurit thuhet se viktima të këtij lloj krimi shumë të rëndë nuk janë vetëm personat e zhdukur, por edhe familjarët e tyre”, theksoi ai.
Në Kosovë, sipas studimit që është bërë nga hulumtuesit e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, deri në fund të majit të vitit 2015 janë ende 1229 persona për fatin e të cilëve nuk duhet dhe konisderohen të zhdukur. Ndërsa, sipas bazës së të dhënave të Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, deri në fund të majit 2015 konsiderohen akoma të zhdukur edhe 1653 persona. Dallimi prej 424 personave të zhdukur është nga fakti se, sipas Statutit dhe rregulloreve të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, krime të luftës përfshirë zhdukjet konsiderohen ato që kanë ndodhur deri në 12 qershor 1999 – në ditën e përfundimit të luftës e çlirimit të Kosovës.
Nga 1229 përsonat e zhdukur, 173 janë femra, 1056 meshkuj, 104 janë nën moshën 18 vjeçare, të cilët konsiderohen fëmijë sipas konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit të Kosovës.
Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, i themeluar para katër viteve, këtë javë bëri promovimin e katër botimeve të tij: Sfidat e hulumtimit të krimeve të luftës në Kosovë 1998-1999 / Challenges of researching ëar crimes in Kosovo 1998/1999, Prishtinë, 2013; Prof. Dr. Ismet Salihu – Prof. Dr. Pajazit Nushi, Personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998/99 /Missing persons in Kosova during the ëar 1998/99, Prishtinë, 2015; Prof. Dr. Fejaz Drançolli, Monumentet e shkatërruara në Kosovë 1998/99 /Destroyed monuments in Kosova 1998/99, Prishtinë, 2015; Ilir Ulaj, Vrasjet në Kosovë 1998-1999 (Vëllimi i Parë) / Killings in Kosova 1998-1999” (First volume), Prishtinë, 2015.
Nje Vit pa Adriola Spahiun
Nga Gjergj Lacuku-Jacksonville/Florida/
Me 18 Tetor, familja e Z.Adriatik Spahiu, njikohesisht edhe Kryetar i deges “Vatra” Jacksonville, perkujtoj nji vjetorin e ndarjes nga kjo jete te vajzes se tyre te shtrenjte, Adrioles. Ne kete pervjetor nuk munguan shoket dhe miqte e familjes por gjitheashtu edhe Vatrane te ardhun nga Tampa, Kryetari z.Tahsim Ruko me bashkeshorten dhe gjitheashtu edhe nga Orlando , Kryetarja e Vatres Orlando, zonja Florisiana Metollari se bashku me bashkeshortin Ermalin dhe nenkryetarin z.Gent Lulo me te fejuaren e tij.
Ne banesen e perjetshme te Adrioles, u vendosen buqeta me lule te fresketa per te i kujtuar asaj se e tille ishte dhe e tille do mbesin: nji lule ne kopshtin e jetes . Me sa duket, kete lule Zoti e kishte thirrur ne kopshtin e parajses per te u kujdesur ne mbretnine e tij te perjetshme. Per familjen Spahiu , mungesa e Adrioles është e paimagjinueshme dhe e pabesueshme. Siç u shpreh edhe babai i saj, Adriatiku, ” per mu mungesa e saj është nje lufte e mbrendshme, nje lufte me vetveten derisa te jem gjallë.”Vajtimi i nenes Flora mbi varrin vajzes se saj ishte nje thirrje e dhimbshme qe kerkonte te pamunduren ne ketë shekull plot me lot.Motra e saj e vogel, Matea, perveç lotve qe nuk i mban te, ledhatonte lulet e fresketa plot arome e i dukej se fliste me Adriolen sepse e tille ishte ajo: si nje lule qe parasja e mori per vete per ta vendosur ne kopshtin e vet; Parajsen e Perjteshme.Ne nuk na mbetet gje tjeter por veçse te i japin kurajo dhe force familjes Spahiu per te perballue kete sfide te jetes dhe te mundohena sado pak t’ja lehtesojme dhimbjen e mungeses fizike te Adrioles. Te gjithe jemi te vetedijshem qe ne kete jete ne jemi thjesht kalimtar dhe asgje nuk është ne doren tone, asgje nuk varet nga ne , planet tona jan te perkohshme dhe ato te Perendise jane te perjetshme.Prej lart, nga bota e engjejve , Adriola ju buzeqesh prinderve dhe motres se vet.E vetmja gje qe ajo kerkon nga to është qe ato te jene te lumtur sepse jeta është e shkurte dhe e nesermja per ne mbase s’ do vije kurrë.
Ne ,prinderit tuaj, Matea, motra jote dhe lumturia jone, jemi me ty me shpirt e me zemer.
Ta dish se Ti je me ne në çdo sekond te jetes tone, ne çdo frymemarrje. Mungesen tende fizike e zevensdojne kujtimet e perbashketa qe jeta na i dhuroj. Ti ike para nesh por kjo ndarje është e perkohshme sepse ne do jemi me ty gjithemone, ne jeten e pasosur. Ti je engjelli jone dhe e dijme se ti na shikon nga lart.
Pushofsh ne paqe !
“Kurajoja”
“Në vendin e të varurit, mos kujto litarin!”- Popullore
(skicë humoristike)/
Nga Përparim Hysi/
Ndodh që je mirë e bukur dhe, papritur, ndesh me një hall shëndetësor që, sado në dukje është i vogël, befas bëhet i madh. Ky ” befasim” i kësaj rritjeje është, pa dyshim, subjektiv. Por,sidoqoftë, bëhet sa agravues, aq dhe acarues. Mandej, ky hall, zë e rrit peshën e tij relevante sa të duket si mal që e mban mbi shpatulla. Shto,pastaj zakonin tonë të keq që”hallin” tonë ua transmetojmë të tjerëve, atëherë; “vil mendime nga njëri e nga tjetri,e pak nga pak,ja “tek u mbars malli dhe polli një mi”. Se vërtet kështu ka ndodhur. Hallin e kam unë mbi shpatulla dhe, nëse e bie si shkrim për ju, e bëj enkas: mos t’i ndodhë askujt siç më ndodhi mua.
* * *
Kam patur prej kohësh një “nishan” apo puçërr mbi shpinë. As e trazoja dhe as më trazonte. Kurrë dhe, në ndodhte që më kruhej, as që guxoja ta bëja një gjë të tillë, se psikologjikish, por dhe shkencërisht, thuhet që duhen lënë në “punë të tyre”. E lashë unë, por nuk më la “nishani”. Duket i ngjau një “vullkani të fjetur”,që, befas, zë e çliron magmën që ka përbrenda dhe “zgjohet”. Unë nuk e pashë që u “zgjua”, por ndjeva një si dhimbje të lehtë që më shponte shpinën. Kërkova ndihmën e timeshoqeje dhe qe ajo që vërejti:” vullkani ” qe zgjuar. Natyrisht, që, fillimisht, u mundova ta ktheja në atë”gjumin” e dikurshëm , me mjekime ambulatore, por nuk më njohu për zot. Atëherë trokita tek mjeku specilaist. Kirurgja konstatoi që kish nevojë për ndërhyrje mikrokirurgjikale dhe,me që mjekësinë e kem “falur, më dërgoj që të blija ca medikamente që duheshin. I bleva ato dhe bëri ndërhyrjen e duhur. Mjekimi për të mbyllur “erupsionin e vullkanit të heshtur mbi trupin tim”, vazhdon edhe ca ditë. Por, në e shkruaj këtë skicë,e bëj enkas. E kam quajtur humoristike,se me të vërtetë është pak me të qeshur, sidomos për tipa si unë që i marrim dhe “thagmat” me sportivitet.
* * *
Me qeskën e farmacisë në dorë, takova ca shokë që,sado rrallë, të paktën një herë në javë ulem nga një copëherë me ta. Duke më parë me qeskën e farmacisë në dorë, lindën dhe bisedat e më poshtme:
-Ç’ e ke këtë qeskë?
-Vajta në farmaci dhe bleva këto ilaçe.
Dikush (epo sa kurioz që bëhemi) e hapi qeskën dhe, tek i pa, më thotë:-Ore, mos ka filluar Sika dhe bën gjëlpëra aty tek rri,se paske blerë “betadinë”, një pomadë, garza, leoko-plast dhe shiringa. Të lumtë,- e mbylli,- zanati nuk vdes kurrë.
-Jo, mor mik,- u mbrojta unë,- Sika (është fjala për time shoqe,infermiere me profesion), ka njëzet e pesë vjet që është përciell me gjëlpërat, po i kam blerë unë. Dhe fillova të tregoja për “vullkanin” tim mbi shpinë që qe “zgjuar”.
-Ou,- bëri ky që hapi qeskën. Po ç’ke bërë kështu, more ditëzi? Po a e di ti që Hamzai i Merjemës, pse doktori i hoqi një puçërr të tillë, pas 6 – muajësh iku nga kjo botë.
Tek dëgjoja këtë “leksion” kaq të qëlluar, u mundova me politesë, po ku më la radhë një tjetër.
– Ore, po ku e pati ai “merhumi” Hamza atë “puçrrën”?
-Po ja, kështu si Papi. Tohidho: mbi kurriz e kishte. Pastaj Papi e ka nga halli,se iu “zgjua”, po ajo “puçrra” e ” merhumit Hamza flinte pr qejf të saj, por Hamzai i shkretë na paskej mik një kirurg dhe ky, pasi ia kish parë, i kish thënë:- Hajde, o Zake, të ta heqim. Shkoi e hoqi dhe, pas gjashtë muajësh, iku nga kjo botë. Ja, para një jave, i bëmë të dyzetat. Bobo! Ta gjesh, nga nuk e pandeh.
Natyrisht, që nuk më erdhi aspak mirë, sa dëgjova seç bloi “kuriozi”, por nuk qe me kaq. Për fat të keq, timin me domosdo, ata hynë aq thellë tek halli im,sa,secili po mundohej të më jepte “kurajo”.
-Mirë në shpinë, se nuk e sheh dot me sy dhe, tek lahesh, zë e ngacmon, por ti,- m’u drejtua “kurajozi” tjetër,- e njihje Danen e Azbiut.
-Po si nuk e njihja?- u përgjegja unë.
-Epo qy, Dania, atë të shkretë nishan ma kish në krah. Ç’e kam? Pse e kam? Dhe, kështu si ti, frymën tek doktori. Ky po tak thikën dhe m’i thotë:- Ta hoqa dhe shpëtove. Shpëtove, por “nishani” më paskësh atë avazin e qemanes së Nastradinit, tak “u zgjua”, siç thotë Papi dhe gjithë ai Dane brenda një muaj erdh dhe u fal pak nga pak, siç bën kandili kur i mbarohet vaji.
Sado me sportivitet që dëgjoja këta miqtë e mi,që po më mbanin me “kurajo”, sikur po më hipnit kacabujtë,sado që “lektorët” qenë njerëz me të cilët kam të bëj dhe, për t’i bërë bisht, ndonjë bisede tjetër të “nxehtë”, u ndava nga ata dhe po bëj këtë shkrim që besoj diçka thotë.
Tiranë, 7 nëntor 2015″Kurajoja
FATJON PAJO NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT
NGA FATJON PAJO/
1. Në zgjim./
—————-
Unë devolliu i shekullit të ri/
e kam të vështirë të ndryshoj/
në këtë tjetër gjysmëhemisfere./
Në zgjim, s’i lyej flokët e përthinjur/
të bëj për vehte ndonjë syresh,/
s’kam kohë për to,/
më duhet të ze trenin e kohës,/
si robot frymor jam shndërruar./
Shuaj dritat, marr kafenë,/
këpucët vesh pas portës/
të mos ia tremb ëndrën gruas./
Shkoj duke lënë përqafimin,/
aromën e puthjes së shpejtë,/
natën me sytë e gjysmuar./
2. Meditim.
——————
Askënd s’kam lënduar
në udhën e gjatë
burimin tim pij
qetësisht…
Me askënd s’jam përfolur
ditëve plot trazim
arën time lëroj
paqësisht…
Askënd s’kam fajësuar
për dimrat në vetmi
ëndrës sime i flas
Shpirtërisht…
3. Boshllëk.
——————
E akullt më duket shtëpia
asgjë s’pipëtin, veç hapave në dhomë
të dal,
ku të shkoj i vetëm
të ulem të lexoj,
s’kam nerva.
Me godën e rakisë ulem në divan
para meje sytë e Tu
vështrim që më lehtësojnë shpirtin.
Si shpuzat e zjarrit në vatër
netëve të dimrit
sonte trazohen tek unë
të argjendtat kujtime.
Fola gjatë me ata sy
u çmalla si kurrë më parë
vetmisë ia grisa brymimin.
4. Nënës
—————-
Vuajte shumë në pritje
asnjë zë e as lotë
Dy emra veç mërmërisje
pa na parë s’shkoje dot.
Vuajte shumë në ikje
ku ishte ajo forcë
Heshtja shkëmb në rrokullisje
nata ngricë e fortë.
5. Atë mëngjes.
———————-
(viti 1997)
Atë mëngjes pas “luftës” kur u pamë
klorofili i fjalës humbi mes nesh
kryeneçja heshtje s’na fajësoi.
Unë nga nata bastarde shokuar
Ti me lotët mbetur rrugës malluar,
eh, falë Zotit jemi sërish pranë.
6. Ndjehmë poezi!
————————
Pas kaq vitesh shëtitur
ugareve të letrës së bardhë
me këpucët e lidhura nyje
pas gjymtyrëve të lodhura
bujk i fjalës u bëra sot.
Vendosa të përvesh mëngët
“pronar me letra” u bëra.
Parcelat e muzës etiketova
sipas kualitetit hodha ndjenjën
I vadita si di.
Nën perëndimin e Diellit
me ëndje thërmova syvet lodhjen
“Do pres verën të shoh ç’mbolla.”
Në s’kam qullur gjë
edhe kësaj here,
ndjehmë poezi!
Nëntor, 2015