• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VETËVENDOSJA GJUAN ME VEZE ZV/ MINISTRIN PETRIT SELIMI

October 14, 2015 by dgreca

Qeveria dënon sulmin e LVV kundër zv/ministrit Selimi/
Petrit Selimi, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme, është gjuajtur me vezë sot nga aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Asnjëri nga eksponetët e kësaj Qeverie nuk do të mund të vazhdojë punën normalisht, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi. Nuk ka kuptim që pushteti të zhvillojë jetë normale dhe të rehatshme derisa shteti po shitet e defunksionalizohet dhe qytetarët po varfërohen.
Petrit Selimi njihet për miqësinë e tij me Ivica Daçiq-in, personin që Kosovën e quajti ISIS. Petrit Selimi dhe as shefat e tij asnjëherë nuk reaguan për këtë deklaratë të mikut të tyre Daçiq.
Petrit Selimi dhe shefat e tij, nuk do ta kenë funksionimin e lehtë nëse nuk tërhiqen!
***
Kosovë- Qeveria dënon sulmin e LVV kundër zv/ministrit Selimi
-Qeveria: Aktet e dhunshme të kryera sot, në vazhdën e sjelljeve të dhunshme të kohëve të fundit të kryera nga kjo Lëvizje e të mbështetura nga partitë tjera opozitare, janë të drejtuara kundër institucioneve legjitime dhe vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës/
-LVV: Asnjëri nga eksponetët e kësaj qeverie nuk do të mund të vazhdojë punën normalisht, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi/
-Opozita ka paralajmëruar vazhdim të bllokimit të Kuvendit të Kosovës, edhe para seancës së ftuar për nesër nga Kryesia e shefat e grupeve parlamentare pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të saj/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Tetor 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon sulmin e sotëm kundër zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, të organizuar dhe të kryer nga Lëvizja Vetëvendosje.
Deklarata e dërguar thekson se, aktet e dhunshme të kryera sot, në vazhdën e sjelljeve të dhunshme të kohëve të fundit të kryera nga kjo Lëvizje e të mbështetura nga partitë tjera opozitare, janë të drejtuara kundër institucioneve legjitime dhe vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ky sulm, i kryer pikërisht në kohën kur Selimi dhe të gjithë bartësit e tjerë të institucioneve të Kosovës po angazhohen fuqishëm për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, si dhe në proceset e integruese evropiane, duke filluar nga liberalizimi i vizave dhe nënshkrimi i MSA-së, dëshmon papërgjegjshmërinë si dhe përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të penguar suksesin e Republikës së Kosovës, në këto procese vitale për të ardhmen e vendit.
Qeveria e Republikës së Kosovës fton sërish përfaqësuesit e opozitës që të heqin dorë nga aktet e dhunshme që cenojnë punën e bartësve legjitim të institucioneve dhe organeve të pavarura shtetërore, si dhe që të jenë pjesë e angazhimeve institucionale për fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian, përfundon deklarata.
Subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, sot ka njofuar se aktivistët e saj kanë gjuajtur me vezë zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Petrit Selimi.
“Asnjëri nga eksponetët e kësaj qeverie nuk do të mund të vazhdojë punën normalisht, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi”, është shprehur LVV.
Opozita ka paralajmëruar vazhdim të bllokimit të Kuvendit të Kosovës, edhe para seancës së ftuar për nesër nga Kryesia e shefat e grupeve parlamentare pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të saj.
Në Kuvendin e Kosovës sot është mbajtur mbledhja e Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, me vetëm një pikë në axhendë: Përgatitjet për seancën plenare. Ishte kjo mbledhja e katërt pa përfaqësuesit e opozitës, e cila bojkoton edhe punën e komisioneve parlamentare.
Javën e kaluar, pas zhvillimeve gjatë ditës së 8 tetorit me gaz lotësjellës të hedhur nga opozita në mbledhjen plenare të Kuvendit, është mbajtur mbledhja e Kryesisë, së bashku me shefat e grupeve parlamentare. Në mbledhje, ndonëse nuk morën pjesë nënkryetarja e Kuvendit dhe shefat e të tre grupeve parlamentare të opozitës, LVV, AAK e Nisma, Kryesia vendosi për mbajten e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës në 15 tetor, e cila do hapej me deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.
Ndërkohë, ka pasur kërkesa për marrjen e masave të nevojshme në rast se opozita kryen “aksione simbolike” si në seancat e kaluara, ku pati bllokime, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës.
Përkundër bllokimit nga opozita me 31 deputetë në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, kryeparlamentarti Kadri Veseli gjatë seancave që s’kanë arritur të mabahen deri në fund që nga fillimi i sesionit vjeshtor dhe janë ndërprerë shumë herë nga “aksionet simbolike” të opozitës ka thënë se, “sa të jem unë kryetar i Kuvendit në këtë sallë nuk do të hyjë sigurimi në asnjë moment”, ndërsa ka kërkuar që të mundësohet debati dhe të kthehet normaliteti.
Ndërsa, sipas njoftimeve, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë sot vendim që të ketë kontroll të shtuar sigurie për të gjithë që do të hyjnë në ndërtesën e Kuvendit.

Filed Under: Kronike Tagged With: ndaj Selimit, vetevendosja, veze

Shtypi në Kosovë : Analistët: Rruga e vetme, dialogu

October 14, 2015 by dgreca

-“Nëse opozita përcaktohet për variantin e vazhdimit të bllokadës dhe provokimit të konfliktit, kjo atëherë çon drejt ndeshjes me forcën e shtetit. Si pasojë, do ta kemi rrezikun e shpërthimit të një lloj lufte civile ose, të paktën, të gjendjes së anarkisë, gjë që do ta komprometonte aftësinë e Kosovës që të krijojë shtet stabil”./

Analistët politikë Shkëlzen Maliqi dhe Nexhmedin Spahiu, duke e komentuar situatën e fundit ndërmjet pozitës dhe opozitës, kanë paralajmëruar se mund të ketë veprime edhe më radikale në seancën e radhës të Kuvendit, në rast se nuk ndërmerren hapa për ta qetësuar situatën.
Njohësi i proceseve politike, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se zgjidhja më e mirë për tejkalimin e krizës është dialogu dhe tërheqja e opozitës nga qëndrimet ultimative. Në të kundërtën, ai ka thënë se ka rrezik për shpërthimin e një lloj lufte civile. “Nëse opozita përcaktohet për variantin e vazhdimit të bllokadës dhe provokimit të konfliktit, kjo atëherë çon drejt ndeshjes me forcën e shtetit. Si pasojë, do ta kemi rrezikun e shpërthimit të një lloj lufte civile ose, të paktën, të gjendjes së anarkisë, gjë që do ta komprometonte aftësinë e Kosovës që të krijojë shtet stabil. Zgjidhja më premtuese do të ishte nëse do të vendosej kanali i dialogut, pra që opozita të heqë dorë nga ultimatumet, duke kërkuar nga pushteti garancitë se marrëveshjet nuk çojnë drejt pasojave që ajo i alarmon”, ka deklaruar Maliqi për “Epokën e re”, duke shtuar se, nëse partitë opozitare nuk do të ndalen atëherë, sipas tij, kemi të bëjmë me një shembull tipik të dhunës interpretative. “Opozita e kushtëzon Qeverinë të heqë dorë nga marrëveshjet ndërkombëtare që i ka nënshkruar, atë për asociacionin e komunave serbe dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi. Opozita thotë: Hiqni dorë nga nënshkrimet dhe ne do ta zhbllokojmë Kuvendin! Por, në të vërtetë, ajo nuk ndalet tek kjo. Në esencë kërkon edhe më shumë, skajshmërisht shumë. Kemi të bëjmë me një shembull tipik të asaj që unë do ta quaja dhunë interpretative, kur një subjekt politik pretendon se qëndrimet e saj janë të drejta, alfa dhe omega e situatës dhe se nuk mund të ketë qëndrime të tjera. Pastaj opozita kërcënon se do të kalojë në protesta publike derisa pushteti aktual nuk dorëzohet dhe nuk anulohen marrëveshjet”, ka thënë Maliqi.
Ai ka vlerësuar se kjo nuk është pikënisje e duhur për ta zgjidhur çështjen, pasi shumica e koalicionit në pushtet, e përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare, nuk ka ndërmend të tërhiqet nga marrëveshjet, as nga pushteti që e ka falë votës së fituar vitin e kaluar dhe, sipas Maliqit, kjo krijon atë situatë të tensionuar që mund të çojë drejt konfliktit të hapur. “Opozita sikur synon që pushtetin ta përmbysë me dhunë, ndërkaq që pushteti i kontrollon forcat e rendit dhe sigurisë dhe mund të intervenojë kundër ambicieve puçiste të opozitës militante”, ka theksuar Maliqi. Sipas tij, një prej arsyeve për radikalizimin e opozitës është frika e disa drejtuesve të saj nga ndërhyrja tashmë e legalizuar e faktorit ndërkombëtar, sepse së shpejti do ta kemi të instaluar Gjykatën Speciale. “Edhe te Vetëvendosja!, tek AAK-ja dhe Nisma kemi disa figura politike të spikatura dhe mujshare, që do të mund të gjykoheshin nga Specialja. Për dallim nga mujsharët e pozitës, kandidatë për Specialen, që bashkëpunimin me ndërkombëtarët e shohin si mundësi për ‘amnistim’ nga ndjekja penale, mujsharët e opozitës përcaktohen për radikalizim të qëndrimeve dhe veprimeve, për të krijuar idenë se janë faktorë me fuqi destabilizues: mos na prekni, mund të sjellim anarki dhe kaos në Kosovë!”, është shprehur Maliqi.
Duke folur për mundësinë e intervenimit të faktorit ndërkombëtar, ai ka thënë se tashmë ndërkombëtarët mbajnë qëndrimin e prerë në favor të Qeverisë dhe e kritikojnë ashpër opozitën. “Kjo ia jep mazhorancës fuqinë ta mbrojë kushtetutshmërinë me të gjitha mjetet, ndërkaq përpjekja e opozitës që të imponohet me dhunë do të ishte aventurë e rrezikshme, sepse nuk do ta ketë përkrahjen as të ndërkombëtarëve, as të shumicës së popullit”, ka vlerësuar Maliqi.
Edhe analisti tjetër politik, Nexhmedin Spahiu, duke folur për zhvillimet e fundit, ka thënë se klasa politike e Kosovës është duke luajtur me zjarr. Ai ka thënë për “Epokën e re” se Kosova ka nevojë për formimin e një qeverie teknike me mandat njëvjeçar. “Nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme, situata rrezikon të përshkallëzojë. Ajo çfarë i duhet Kosovës aktualisht është formimi i një qeverie teknike, ku do të përfshiheshin të gjitha partitë politike parlamentare me një mandat njëvjeçar derisa të qetësohet situata. Përndryshe, ndezja e gjakrave, që veç ka filluar, mund të dërgojë në një situatë tepër të rrezikshme edhe për fatin e Kosovës. Prandaj, është koha që pozita dhe opozita të ulen, të bisedojnë dhe të formojnë një qeveri teknike gjithëpërfshirëse dhe të përgatiten për zgjedhje pas një viti”, është shprehur Spahiu. Në këtë kontekst, ai ka thënë se është e domosdoshme ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar që, sipas tij, duhet të ndodhë sa më shpejt. “Mendoj se ambasadorët e vendeve të Quintit duhet të takohen me të gjithë liderët politikë dhe të bëjnë një zgjidhje, pra qeverinë teknike. Nuk ka zgjidhje tjetër e cila do të mund ta evitonte përshkallëzimin e mëtutjeshëm të dhunës që veç ka filluar. Po ashtu, mund të ketë veprime edhe më radikale në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës në rast se nuk ndërmerren hapa për ta qetësuar situatën”, ka deklaruar Spahiu.

Filed Under: Analiza Tagged With: dialogu, e vetmja rruge, Shtypi ne Kosove

DILEMA

October 14, 2015 by dgreca

Dilema:”Të punojmë edhe për fenë apo të kultivojmë vetëm ndjenjën për kombin dhe shtetin?“
Opinion nga Fahri XHARRA/
(Reagim ndaj shkrimit “Mësimi fetar dhe arsimimi në shkollë” shkruar nga Dr. Mustafa Bajrami , drejtor i Institutit për Hulumtime Shkencore “Victory )/
Historinë tonë duhet të shkruajmë drejt, shqip dhe si shqiptarë. Jo vetëm historianët që dinë të shkruajnë vetëm histori, por të gjithë, politologët, sociologët, psikologët, arkeologët, teologët e shumë të tjerë, së bashku, shkencërisht dhe për të mirën e këtij populli.- e thotë Dr. Mustafa Bajrami .
Këto ishin te shkruara ne artikullin e përmendur ; fjalë të cilat kisha dashur që të fliteshin në ligjëratat nëpër xhami . Por autori e kërkon domosdosmërisht mësimin fetar nëpër shkolla duke e trajtuar këtë temë në mënyrë të rrjedhshme.
Të punojmë edhe për fenë apo të kultivojmë vetëm ndjenjën për kombin dhe shtetin? – pyetja që e ngritë autori , por pa e precizuar se për cilën fe të punojmë. Sigurisht që autori qëllimisht e harron se ne shqiptarët i përkasim të dy feve abrahamike apo katër konfesioneve kur thotë: “Shqiptarët, përveç tjerash, kanë dy të mira mjaftë të rëndësishme; Për fe, në shumicë, kanë Islamin “oriental”, dhe janë evropian që për fe në shumicë Evropa është e krishterë.” ( krenari apo imponim i domosdoshëm
fetar !?!? )
Sipas autorit; “të qenit evropian dhe si popull me shumicë myslimane është sfidë e dorës së parë për neve shqiptarët.”- habitet profesori . Ne nuk kemi asnjë ballafaqim (sfidë ) me Europën as që jemi sfidim ( ballafaqim ) për Europën. Pjesa muslimane e popullit shqiptar ( ashtu si musliman të lehtë që ishim , por edhe jemi përveç disa ekstremeve të porositura ) nuk paraqet asnjë pengesë .

“Edhe Orienti islamik tepër i ideologjizuar, edhe Oksidenti i krishterë së tepërmi i materializuar janë edhe të dobishëm edhe të dëmshëm për ne. Të dobishëm për aq sa i kontribuon qenies shqiptare dhe i dëmshëm për aq sa qenia shqiptare e keqkupton dhe keqinterpreton edhe orientin islamik edhe oksidentin e krishterë “ – një pyetje me mëdyshje dhe ç`orientuese .
Ne e pamë në këto vitet e fundit që “Orienti islamik tepër i ideologjizuar” na sollin një dezorientim shoqëror bukur shumë me pasoja; e zhvilluam antiamerikanizmin dhe anti europianizmin , u bëmë treg i pazareve më të pa skrupullta politike-ideologjike dhe e gati e filluam urrejtjen të çdo gjëje perëndimore.

Autori paska ardhur në përfundim që : “Në Perëndim, liritë individuale janë thuajse të pafund, arsimimi dhe teknologjia kanë arritur zenitin, por fare pak i jepet rëndësi anës shpirtërore të njeriut.” Dhe është e vërtetë ajo që e thotë. Në kë rast ne si të reagojmë ? të shkojmë pas perëndimit apo ta bishtërojmë atë dhe ti qasemi “anës shpirtërore islamike “ ? Pse Perëndimi po “vuan ” shumë që e paska lënë anash edukimin fetar ? Sa është i nevojshëm për popullin shqiptar edukimi fetar , pëderisa me shkolla , industri dhe teknologji jemi aq mbrapa botës. ? ( ne nuk dimë as që mundemi të prodhojmë vetë as më të thjeshtën , fijet e shkrepses ( kibritit ) .
Autori shkruan : “Shqiptar, mysliman apo i krishterë, me gjithë specifikat tepër të veçanta si qenie historike dhe si pjesë e gjeografisë evropiane, është diçka që nuk e kanë popujt tjerë të Evropës.” , mirë e thotë por e tepron kur i jep përgjigje vetvetes duke thënë : “Nuk bënë të çuditemi ku disa herë biem pre e xhelozive dhe mërive që mund të kenë të tjerët neve, pikërisht pse jemi të këtillë.” . Cilave xhelozi? Kush po na xhelozon ? ( Gabim e keni dr. Mustafa Bajrami ! )
“Aty edhe mund të gjenden fillesa të armiqësive që të tjerët kishin, kanë dhe vazhdojnë të kenë kundrejt kombit shqiptar. “ Jo , Profesor Bajrami , jo ! askush nga Europa nuk na xhelozon për këtë ,por janë çarqet e caktuara që po mundohen që për mjet të “pastrimit të shpirtit : të na e prishin këtë harmoni fetare që e kemi. E se kush janë ata , ju fort mirë e dini.
Qenia shqiptare si produkt i historisë dhe themel i gjeografisë ku jetojnë! “Ne duhet të jemi më origjinal, të hulumtojmë në vetvete çka është jona dhe çka e huaja. Tonën ta promovojmë, ndërsa të huajën në ne ta përdorim vetëm për aq sa është në dobi tonën. Asgjë më shumë. “ dhe unë po të plotësoj që nuk duam asgjë orientale as fetare , as ideologjike e as sahanprishëse . Nga Lindje kemi vuajtur shumë; t`iu numëroj?
Mësimet e fesë dhe ligjërimi fetar, në mënyrë institucionale nuk na na nevojitet; ato le të mbesin thjeshtë individuale , thjeshtë të mbyllura por të kontrolluara nga shteti dhe t`i grahim shkollës përpara .
“Në këtë kontekst, realiteti ynë shoqëror-shpirtëror, duhet të kundrohet pikërisht nga këto dy dimensione: Si ju flasim të tjerëve dhe si sillemi para të tjerëve!”- Shumë thjeshtë , t`iu flasim si europian , t`iu fusim në gjak shkollimin e mirëfilltë dhe të kultivojmë vetëm ndjenjën për kombin dhe shtetin dhe mësimin fetar nëpër shkollat tona laike ta harrojmë. Ta harrojmë përfundimisht !

Fahri Xharra, 14.10.15
Gjakovë

Filed Under: Opinion Tagged With: Dilema, Fahri Xharar, Feja apo shteti

Përkujtohet 15-vjetori i vdekjes së Ali Spahisë

October 14, 2015 by dgreca

Arben Imami, Natasha Shehu, Rushen Golemi, Eduart Selami e ish-kryeministri Sali Berisha ishin të pranishëm në një ceremoni përkujtimore që Partia Demokratike i bëri të martën Ali Spahisë në 15 vjetorin e vdekjes së tij. Ali Spahia, një nga personalitetet e shquara të Partisë Demokratike, u vlerësua nga kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha. Ai u shpreh se kjo është partia e njerëzve si Ali Spahia, e doktorit, e profesorit, e intelektualëve, e studentëve kurajozë, e njerëzve që e duan Shqipërinë me shpirt. “Politikën e kanë parë që nga dita e parë e ekzistencës së kësaj force politike, si sakrificë e jo si biznes, as si mënyrë shpëlarje mëkatesh të të parëve apo të vetes së tyre. Kjo na diferencon dhe na ngarkon me përgjegjësi të madhe”, tha Basha. Në prag të garës për kryetarin e ri Forumit të Partisë Demokratike, zoti Basha ka theksuar se Ali Spahia dhe “bashkëluftëtarët” e tij do të jenë frymëzim për të rinjtë. “Të mbushur me frymëzimin që përcjell pa asnjë dyshim e kaluara jo e largët e Partisë Demokratike, të rinjtë do të dinë të bëhen pjesë e këtyre virtyteve, e këtij kohezioni, e kësaj Partie Demokratike, as të vjetër as të re; një parti demokratike përtërihet e ripërtërihet pa fund, besoj si pema e blertë e ullirit, e paqes dhe e demokracisë, për vlerat e të cilës kemi dhënë e do të vazhdojmë të japim gjithçka. Në 15 vjetorin e ndarjes nga jeta, Ali Spahisë iu akordua nga kryetari i Partisë Demokratike një certifikatë mirënjohje “Për kontributin e tij të çmuar në rrëzimin e regjimit komunist dhe vendosjen e vlerave demokratike në Shqipëri”. Ali Spahia ishte deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë në vitet 1991-97. Ai ishte nënkryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i grupit parlamentar të PD-së. Spahia ishte edhe anëtar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe ishte edhe kryetar i delegacionit shqiptar në Këshillin e Europës në Strasburg. Pas vitit 1997, ai ishte anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe kryetar i Departamentit të të Drejtave të Njeriut të PD-së. Ali Spahia vdiq në Pavia (Itali) më 13 tetor të vitit 2000. {Sh.K}

Filed Under: Histori Tagged With: 15-vjetori i vdekjes, perkujtohet, së Ali Spahisë, Shefqet Kercelli

Kosovë-Serbi, bisedime të vështira

October 14, 2015 by dgreca

-Kryeministrat e Kosovës e Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, ishin mbrëmë në një “darke joformale” në Bruksel/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Tetor 2015/ Me ftesë të ndërmjetësueses së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, kryeministrat e Kosovës e Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, ishin mbrëmë në një “darke joformale” në Bruksel.
Darka ishte në “kontekst të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, është theksuar në njoftimin e BE-së.
“Të dy kryeministrat patën një diskutim të hapur për gjendjen aktuale të dialogut, në veçanti sa i përket implementimit të marrëveshjeve të 25 gushtit”, thuhet në njoftim dhe shtohet se “të dy palët e kanë përsëritur përkushtimin e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tash”.
Pas kthimit nga Brukseli, raundi i 28-të i dialogut me Serbinë në nivel kryeministror, Mustafa ka njoftuar në mbledhje të qeverisë dhe në konferencë shtypi se, “paketa e katërmarrëveshjeve të 25 gushtit 2015 përfshinë: marrëveshjen për kodin telefonik, marrëveshjen lidhur me heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë, parimet themelore për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe poashtu marrëveshjen lidhur me heqjen e barrikadave nga ura e Mitrovicës”.
“Këto marrëveshje janë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim të plotë me ligjet e Kosovës, ndërsa kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve tona që ne i kemi krijuar me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, e aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013”, është shprehur kryeministri Mustafa.
Burime nga BE-ja, të cituara nga media, kanë thënë se darka e punës e mbrëmshme nuk paraqet raund klasik të bisedimeve, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Por, sido që të jetë, ky ishte takimi i 29-të në Bruksel Kosovë-Serbi në nivel të lartë kryeministror, pas të parit të nisur në tetorin e para tre viteve.
Kryeministrat Mustafa e Vuçiç nuk kanë bërë deklaratata pas darkës së përfunduar mbrëmë vonë.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, nga Brukseli për median në Prishtinë ka thënë se, “ka qenë një takim juridik me ballafaqime të mëdha” dhe nuk ishte aspak i lehtë.
“Vërehet një frustrim i madh i përfaqësuesve të Serbisë pas mbështetjes së madhe që ka marr Kosova për anëtarësim në UNESCO, por reagimi ynë ka qenë se Kosova do të anëtarësohet në UNESCO dhe organizatat tjera ndërkombëtare, ku do ta forcojë pozitën e shtetit në arenën ndërkombëtare”, citohet Thaçi .
Ndërsa, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç citohet nga media në Beograd të ketë deklaruar se bisedimet ishin shumë të vështira dhe pajtimi i vetëm i arritur ishte që të zbatohet gjithë çka e dakorduar me Marrveshjen e Brukselit.
Para më shumë se dy vitesh, në 19 prill 2013 është nënshkruar në Bruksel Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, Baronesha Catherine Ashton.
Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, zhvilluan mbrëmë takimin e gjashtë të tyre, ndërsa nga 29 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Thaçi e Daçiç.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.

***

SHTYPI: SERBIA OBLIGOHET TË ECË DREJT NORMALIZIMIT GJITHËPËRFSHIRËS ME KOSOVËN

Prishtinë, 14 Tetor 2015/ Gazeta “Koha Ditore” shkruan sot se ka arritur të sigurojë draft-platformën për kapitullin 35. Serbisë i është kërkuar përkushtim maksimal në implementimin e marrëveshjeve të arritura me Kosovën dhe atyre që do të nënshkruhen në të ardhmen, nëse dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, raporton gazeta.
Theksohet se, megjithëse nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja e Kosovës nga Serbia, kapitulli 35 e obligon shtetin serb që të ecë drejt normalizimit gjithëpërfshirës me fqinjin jugor.
Shteti serb duhet të sigurojë se do të kompletojë angazhimet për zbatimin e marrëveshjeve të 25 gushtit të vitit 2015, veçanërisht të krijimit të Asociacionit-Bashkësisë të komunave me shumicë serbe në Kosovë…
“Serbia siguron transparencë rreth financimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
Serbisë do t’i duhet të ndërmarrë edhe veprime të tjera. Këto veprime konsistojnë: rreth policisë; rreth drejtësisë; rreth mbrojtjes civile; rreth marrëveshjeve për zyrat ndërlidhëse; rreth Marrëveshjes për energjetikë, telekomunikacion; rreth doganave; rreth lirisë së lëvizjes/largimit të barrikadës mbi Ibër; rreth bashkëpunimit rajonal; rreth njohjes së diplomave universitare; rreth bashkëpunimit me EULEX-in në Kosovë.
***
Statement by the Spokesperson following tonight’s informal dinner in the framework of the EU-facilitated dialogue/
“In the context of the EU-facilitated dialogue between Belgrade and Pristina, Federica Mogherini, High Representative for Foreign Affairs and Security Policy/Vice-President of the European Commission, hosted an informal dinner tonight with Prime Minister Aleksandar Vučić and Prime Minister Isa Mustafa.

The two Prime Ministers had an open discussion on the state of play in the dialogue, in particular as regards the implementation of the August 25 agreements. Both sides repeated their commitment to the implementation of all the past agreements.”

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, bisedime të vështira

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3451
  • 3452
  • 3453
  • 3454
  • 3455
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT