-Kryesia e Kuvendit përgatitje për seancë plenare, opozita paralajmëron vazhdim bllokade, në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të fundit në Bruksel, ku edhe sonte pritet takim kryeministror Kosovë-Serbi-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Tetor 2015/ Në Kuvendin e Kosovës është ftuar për nesër mbledhja e Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, me vetëm një pikë në axhendë: Përgatitjet për seancën plenare.
Kuvendi i Kosovës, i bllokuar nga opozita e me të gjitha seancat plenare të ndërprera në sesionin vjeshtor rimblidhet këtë javë, ndërkohë që kërkohet zhbllokimi. Por, opozita edhe sot ka paralajmëruar vazhdim të bllokimit të Kuvendit, si dhe protesta, të cilat u zhvilluan edhe gjatë natës së kaluar në Prishtinë pas arrestimit në mbrëmje e deri në lirimin e liderit të parë të LVV-së, Albin Kurti.
Javën e kaluar, pas zhvillimeve gjatë ditës së 8 tetorit me gaz lotësjellës të hedhur nga opozita në mbledhjen plenare të Kuvendit, është mbajtur mbledhja e Kryesisë, së bashku me shefat e grupeve parlamentare. Në mbledhje, ndonëse nuk morën pjesë nënkryetarja e Kuvendit dhe shefat e të tre grupeve parlamentare të opozitës, LVV, AAK e Nisma, Kryesia vendosi për mbajten e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës në 15 tetor, e cila do hapej me deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.
Ndërsa, jo seanca të reja të Kuvendit të Kosovës, pa garantuar mbarëvajtjen e tyre, është opinioni i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i cili ka dënuar ashpër përdorimin e gazit lotsjellës në sallën e seancave dhe kërkon nga subjektet politike opozitare të ndalojnë praktikën e bllokimit të punimeve në Kuvend.
Në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë të 25 gushtit – të raundit të 28-të të takimeve të kryeministrave dhe të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, opozita kosovare ka organizuar edhe peticion dhe ka mbledhur mëse 200 mijë nënshkrime të qytetarëve, ka bojkotuar tre mbledhjet e kaluara të Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, bojkoton edhe komisionet parlamentare.
“Kryeministri Mustafa ka për obligim kushtetues, qytetar dhe kombëtar të tërhiqet nga ato marrëveshje të dëmshme dhe të pazbatueshme”, thuhej në letrën e opozitës drejtuar qytetarëve javën e kalur.
“E vetmja mundësi reale në këtë situatë është që qeveria të tërhiqet nga këto marrëveshje ose të bie bashkë më to”, ka deklaruar sot në konferencë të jashtëzakonshme për shtyp Lëvizja Vetëvendosje.
“Nuk mund dhe nuk do bëhet tërheqja e nënshkrimeve nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd në Bruksel, që janë ndërkombëtare dhe që bazohen në ligjin e miratuar në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së 19 prillit 2013”, ka theksuar qeveria kosovare.
Pas kthimit nga Brukseli, raundi i 28-të i dialogut me Serbinë në nivel kryeministror, Mustafa ka njoftuar në mbledhje të qeverisë dhe në konferencë shtypi se, “paketa e katërmarrëveshjeve të 25 gushtit 2015 përfshinë: marrëveshjen për kodin telefonik, marrëveshjen lidhur me heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë, parimet themelore për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe poashtu marrëveshjen lidhur me heqjen e barrikadave nga ura e Mitrovicës”.
“Këto marrëveshje janë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim të plotë me ligjet e Kosovës, ndërsa kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve tona që ne i kemi krijuar me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, e aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013”, është shprehur kryeministri Mustafa.
Kryeministrat e Kosovës e Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt nomalizimit të marrëdhënieve pritet të takohen sot në darkë në Bruksel në raundin e 29-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror, të nisur në tetorin e para tre viteve me raundin e parë, që pasonte nisjen bisedimeve teknike. Për takimin më të ri, media serbe njofton se kryeministri Vuçiç udhëton sot drejt Brukselit dhe paralajmëron se tema e bisedimeve do të jëtë përparimi i deritashëm në dialogun në normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës dhe hapat e ardhshëm në zbatimin e marrëveshjeve.
Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, do zhvillonjë takimin e gjashtë të tyre, ndërsa nga 28 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.
Kosove-Beteja e vështirë për UNESCO
-Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, në intervistë për të përditshmen beogradase “Danas”/
Prishtinë, 12 tetor 2015 – Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka dhënë një intervistë për të përditshmen beogradase “Danas” lidhur me votimin në Bordin Ekzekutiv të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) në kuadër të procesit të anëtarësimit të Kosovës në këtë agjenci të specializuar të Kombeve të Bashkuara.
I pyetur se çfarë kishte pritur pret nga mbledhja e djeshme e Bordit Ekzekutiv, ku Kosova korri sukses, Selimi tha se pret që bordi të vendosë për përfshirjen e kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO në agjendën e tij. Selimi theksoi se Bordi i ka 58 anëtarë dhe se Serbia ka përdorur gjithë makinerinë e saj të propagandës për të mos e lënë Bordi të shqyrtojë aplikacionin e shtetit kosovar.
Zëvendësshefi i diplomacisë kosovare tha për mediumin beogradas së në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s po zhvillohen një sërë betejash të ashpra. “Ne po veprojmë me një qasje tejet pozitive, po flasim për shkencë, kulturë, arsim dhe domosdoshmërinë që Kosova të mos mbetet e izoluar. Jemi mirënjohës që një numër rekord i shteteve e kanë përkrahur futjen e kërkesës sonë si pikë të agjendë,” deklaroi Selimi duke shtuar se “s’mund të fsheh faktin që jam i shokuar me strategjinë e Serbisë. Ajo bazohet në një qasje tejet negative dhe gënjeshtra të kulluara. Qeveria e Serbisë po shpreson se nëse i përsërit shumë herë deklaratat e paqena, ndoshta një numër i mjaftueshëm shtetesh do t’u besojnë atyre”.
Ai tha se Qeveria e Serbisë po i kapërcen të gjithë kufijtë e protokollit diplomatik, duke rikujtuar deklaratat famëkeqija të ambasadorit serb në UNESCO, Darko Tanaskoviq, Ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, dhe së fundi vet kryeministrit Vuçiq, të cilët i vënë Kosovës epitete prej më të ndyrave, madje duke e quajtur si “terroriste”, ndërsa ambasadorëve u është urdhëruar që të mos ndalojnë së quajturi Kosovën “ISIS”.
Selimi theksoi se, në javët në vazhdim, Kosova do të nënshkruajë traktatin e parë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai tha se qasja e Kosovës nuk është që të godasë fqinjët e saj, por se synon që të konsolidojë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.
Sa i përket trashëgimisë fetare dhe objekteve fetare në Kosovë në përgjithësi, zëvendësministri Selimi tha se asnjë objekt fetar, përfshirë kishat, nuk do kërcënohet nga vandalët. “Ato janë plot me turistë dhe janë pjesë e sistemit tonë kushtetues. Është gënjeshtër e radhës që anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të dëmtojë kishën. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon ka përpiluar tre raporte ku përgëzon Kosovën për dialogun ndërfetar. Ne jemi pjesëtarë aktivë të koalicionit global për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm,” tha Selimi dhe shtoi se Kisha Ortodokse Serbe është e sigurt në Kosovë dhe do të jetë edhe më e sigurt kur Kosova bëhet anëtare e UNESCO-s.
Selimi tha se Kosova ka çështje të ndryshme për t’i spastruar me Serbinë, në mesin e tyre edhe 1 miliard euro që qeveria serbe i ka vjedhur nga pensionet e Kosovës, si dhe borxhi prej 5 miliardë eurosh për kompensimin e dëmeve të luftës. “Këto janë temat që mund t’i diskutojmë. Selimi tha se Kosova vazhdon rrugën e saj drejt BE-së, ndërsa dialogu ka të bëjë me dy shtete që po e njohin njëri-tjetrin pak nga pak.
Në fund, zëvendësministri Selimi tha se Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë që fëmijët tanë të jenë të izoluar dhe të mos kenë qasje në UNESCO, vetëm për shkak se fqinjët tanë janë në vorbullën e një furie nacionaliste./b.j/
Kush u dëbua nga tokat tona 1821-1922?
*Me shkas nga…promovimi sot në Tiranë i botimit në shqip i librit “Vdekje dhe Dëbim”-spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 1821-1922”, i historianit dhe demografit amerikan Justin McCarthy./
*Pështjellim marramendës: Autori i librit në fjalë, Justin McCarthy u shpreh.“Nuk ka ndodhur triumfi i popullsisë, por ishte një zgjidhje që i shpërndau njerëzit. Në rajonin e Nishit 90 përqind e popullsisë ose u vranë ose u internuan. Në zonën e Malit të Zi po ashtu mbi 90 përqind të banorëve u vranë ose u depërtuan. Gati gjysma e njerëzve ose u dëbuan ose u vranë. Në Shqipëri 30 përqind e muslimanëve humbën jetën në luftërat.) Pra me dhembshuri për osmanët muslimanë të larguar me dhunë nga tokat e tyre./
Nga Fahri XHARRA/
Kush ishin ata myslimanë osman etnik qëu dëbuan nga viset tona?- një pyetje që na thanë shpirtin, një pyetje pa përgjigje, që shqiptarët nuk dinin t`i përgjigjen. Një temë kur Europën “ plakë, kurvë , e përdalë “ vazhdimisht e fajësojmë që më gërshërët tona e ndau pa mëshirë.(U promovua sot në Tiranë botimi në shqip i librit “Vdekje dhe Dëbim”-spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 1821-1922”, i historianit dhe demografit amerikan Justin McCarthy. Në ceremoninë e organizuar nga shoqata Arsimore Kulturore Humanitare-Alternativa e së Ardhmes “Alsar” merrnin pjesë personalitete të botës akademike, historinë, diplomatë, etj,.)
Po , sigurisht që në vitet e gërshërëve (1878 ,1912, 1919 ,1944) ishim po këta që jemi edhe sot , Kur fqinjët thoshin atëherë ( që nga 1821 ,apo edhe më herët) se i larguam osmanët nga Eiropa,; ishte shumë e qartë që ata që vendosnin e kishin më të lehtë t`i japin gërshërës një ‘shkrap “ dhe trungut i shkëputej dalë nga dalë e gjitha kurora e degëve , e rrembave dhe e gjetheve.
(Në fjalën përshëndetëse, kryetari i shoqatës Alternativa e së Ardhmes “Alsar”, Mehdi Gurra u shpreh se pasi ka lexuar këtë libër i kanë lindur disa pyetja, ndër të cilat edhe ajo që “Përse historiografia jonë, ajo ballkanike dhe më gjerë na ka servirur qasje të njëanshme për tema të rëndësishme si kjo e lëvizjeve të popullsisë gjatë shekullit të fundit Osman në Ballkan? ) .Sigurisht që ne jemi ata që edhe sot e gjithë ditën e mohojmë vetveten dhe historinë tonë .
“Gurra – paska shprehur falënderime për autorin e librit, duke theksuar se ka kryer një punë kolosale për ndriçimin e të vërtetave të mohuara, si dhe për ofrimin e të drejtës së përkthimit dhe të botimit të këtij libri në gjuhën shqipe.”
Në Shqipërinë tonë të dashur, sot jemi shumë demokratik ; tek ne vijnë, shkruajnë, na e shkërdhejnë historinë kush do që i erektohet , në krahasim me kohën e pushtimit të “ vëllezërve “ tanë otomane që ishin shumë të ashpër dhe çdo gjë kontrollohej dhe nuk guxonte asnjë shkronjë shqipe të çelë në tokat tona.
(Autori i librit në fjalë, Justin McCarthy u shpreh. “Nuk ka ndodhur triumfi i popullsisë, por ishte një zgjidhje që i shpërndau njerëzit. Në rajonin e Nishit 90 përqind e popullsisë ose u vranë ose u internuan. Në zonën e Malit të Zi po ashtu mbi 90 përqind të banorëve u vranë ose u depërtuan. Gati gjysma e njerëzve ose u dëbuan ose u vranë. Në Shqipëri 30 përqind e muslimanëve humbën jetën në luftërat. ) Pra me dhembshuri për osmanët muslimanë të larguar me dhunë nga tokat e tyre.
Një pshtjellim marramendës , qesharak por edhe tragjik “që nga vitet 1821…..” kur Perandoria Osmane ishte ende shumë e fortë . qenkan “ dëbuar” osmanët . Nga kush ?
Ne nuk jemi në vete; e lejojmë çdo pondël historishkruesi të na bënë të “qajmë” për një tragjedi të përjetuar .
“Ai ndër të tjera u shpreh se ndihet i nderuar dhe i lumtur që libri i tij është përkthyer në gjuhën shqipe dhe që ka një interes kaq të lartë. “E di që ka një rëndësi të shkruhet një libër i dytë për këtë, por ajo që dua të them është që ky libër duhet të bëhet nga vetë ju”- u shpreh Justin McCarthy. “ Sa porositës i mençur ky farë McCarthy? : ““E di që ka një rëndësi të shkruhet një libër i dytë për këtë, por ajo që dua të them është që ky libër duhet të bëhet nga vetë ju”.. Pra të shkruhet një libër i tillë nga vet ne që edhe vetë na ta bëjmë të dëshmuar që nuk ishim as më shumë se një grumbull osmanësh që na “larguan” me zor nga tokat “osmane “.
Edhe më shumë për të qeshur se çka paska thënë historiani shqiptar Pëllumb Xhufi, botimin e këtij libri e ka konsideruar si një ngjarje, “pasi sjell diçka tjetër, një gjë që ka munguar një informacion që ne nuk e kemi njohur këtu në Shqipëri” . Marri !
Në këtë botim të sjellë nga shqip nga “Alsar”tregohet historia nga pozita e turqve dhe myslimanëve të tjerë të cilët pësuan vdekje dhe dëbim, si pasojë e imperializmit, nacionalizmit dhe konfliktit etnik.
Pëllumb Xhufi , me ketë rast thotë: “Historiografia e vendeve tona ka pare vetëm një anë. Ajo e ka pare Perandorinë Osmane si perandoria e dëbimeve, vrasjeve dhe zullumeve. Vetëm tani së fundmi ka një reflektim për ti pare gjërat më ndryshe. Dua të them që në BE ka patur një vështrim të gabuar në lidhje me atë që ka ndodhur në kohën osmane. “ Hajde , Peellumb i “shkruar” hajde !
E kam vetëm një pyetje : Deri kur Shqipëria do të lejojë që kush të do nga bota të vjne e të na turbullon mendjen ?
Fahri Xharra , 13.10.15
Gjakovë
KOSOVA PER SANXHAKUN, KUVEND NE FAKULTETIN FILOLOGJIK
Nga bashkepunetori i Gazetes”Dielli” ne Kosove, Prof. Ismet Azizi,i cili eshte organizator i aktivitetit, vjen ky njoftim: Me datën 23 10 2015 në ora 12.00 në Amfiteatrin e Fakultetit Filologjiik – “Salla e Kuqe “ mbahet Kuvendi themelues i Organizatës“ Kosova për Sanxhakun”. Shpresojmë se do të merrni pjesë në punimet e këtij Kuvendi , të cilin prezenca juaj do ta nderoj dhe do ta bëjë madhështor.Shpresojmë se do ta përcilleni dhe përkrahni këtë nismë, e cila ka për qëllim ndërtimin e urave vëllazërore mes Sanxhakut dhe Kosoves.
Ftesa eshte per Federaten Panshqiptare et Amerikes”VATRA” dhe Gazeten”DIELLI”
Pentagoni dëmshpërblen viktimat e spitalit në Afganistan
Pentagoni do të ofrojë kompensime për të afërmit e të vrarëve e të plagosurit nga sulmi ajror amerikan mbi Spitalin e Kunduzit të drejtuar nga organizata humanitare mjekët pa kufij.
Të paktën 22 pjesëtarë stafi e pacientë, humbën jetën nga bombardimet e një jave më parë.
Uashingtoni pretendon se goditja e spitalit ndodhi gabimisht gjatë përpjekjeve për të shënjestruar kryengritësit talebanë. Por organizata mjekësore e quajti ngjarjen “krim lufte” kërkon zhvillimin e një hetimi të pavarur nga një komitet ndërkombëtar në Zvicër, i cili që prej krijimit të tij deri më sot nuk është përdorur kurrë.
Sqarim: -pse e dhamë në faqet e “Diellit” këtë lajm?
Tashmë mediat shqiptare, qoftë ato të shkruara ose vizive kanë akses të japin cdo lajm qe lidhet me popullin ose shtetin amerikan. Madje deri ato për ngordhjen e një qeni apo zogu në “x” provincë ose rrugicë të Amerikës. Transparenca e demokracisë dhe shtetit amerikan arrin deri atje sa të pranojë përgjegjsinë kur ndodhin gabime gjatë luftimeve e konflikteve, gjë që nuk e gjen në asnjë ushtri të botës sot. Provo i dashur gazetar të marësh një infromacion të tillë në ushtrinë ruse, kineze, koreanoveriore, apo vende të tjera. Kanë ndodhur gjëra të tmershme kudo në botë, të cilave mediat shqiptare dhe botërore nuk i qasen dot. {Sh.K}