-Ministrja Tahiri ngriti çështjen e qëndrimit bllokues të Serbisë për tekstet shkollore që qeveria e Kosovës i ka dërguar për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke theksuar se bashkëpunimi për çështjet e dijes dhe të shkollimit është në interesin e të gjithëve dhe vlerësoi si shenjë jocivilizuese bllokimet e Serbisë, duke theksuar se do zbatohet reciprociteti nga ana e Kosovës/
PRISHTINË, 10 Tetor 2015/ Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, qëndroi dje në Bruksel ku mori pjesë në takimin e radhës të dialogut teknik me delegacionin e Serbisë në lidhje me procesin e zbatimit të disa prej marrëveshjeve ku janë shënuar ngecje dhe vonesa në proces. Ky takim ishte vazhdim i bisedimeve të filluara me 28 dhe 29 shtator, në të cilat kishte pasur disa përparime, por që ishte vlerësuar nevoja për të precizuar më tej hapat drejt përshpejtimit të procesit të zbatimit, bën të ditur njoftimi i dërguar sot nga Kryeministria kosovare. Theksohet se,temat kryesore ishin Lëvizja e Lirë, Diplomat, funksionimi i Zyrave Ndërlidhëse dhe kthimi i dokumenteve kadastrale nga Serbia. Bisedimet u ndërmjetësuan nga BE, përkatësisht Shërbimi për Punë të Jashtme i Bashkimit Evropian.
Tema kryesore ishte lëvizja e lirë, përkatësisht zbatimi i reciprocitetit në çështjet e tabelave të regjistrimit të automjeteve. Ministrja Edita Tahiri me këtë rast rikonfirmoi qëndrimin e qeverisë së Kosovës për ta zbatuar reciprocitetin në çështjen e tabelave të automjeteve ku njoftoi se afati i fundit do të jetë fundi i tetorit. Ministrja Tahiri theksoi se pala e Kosovës ka vendosur ta shfrytëzojë të drejtën për reciprocitet që sigurohet nga Marrëveshja e lëvizjes së lirë e vitit 2011, duke potencuar se në qoftë se Serbia nuk i heq tabelat “prova” për automjetet e Kosovës me tabelat “RKS” atëherë Kosova do aplikojë masa reciproke ndaj automjeteve që vijnë nga Serbia. Po ashtu, ajo tha ky reciprocitet do të përfshijë edhe pagesat administrative për këto tabela si dhe dokumentin hyrje-dalje për qytetarët e Serbisë. “Lehtësimi i lëvizjes së lirë është në interes të qytetarëve, prandaj Serbia është dashur ta bëjë një gjë të tillë duke hequr këto pengesa, por nëse kjo gjë nuk do të ndodh, atëherë ne do të jemi të shtrënguar që ta zbatojmë reciprocitetin”, tha ajo.
Për çështjen e njohjes reciproke të diplomave universitare mes dy shteteve, në takimin e kaluar ishte arritur një marrëveshje me të cilën është hapur rruga e zhbllokimit të zbatimit të marrëveshjes për diploma të vitit 2011, por të cilën Serbia nuk e kishte zbatuar asnjëherë. Në takimin e djeshëm u dakordua që zbatimi të filloi në fund të tetorit dhe sipas marrëveshjes në periudhën prej 5 muajsh duhet të njihen të gjitha diplomat që janë në pritje të njohjes, rreth 400 prej tyre. Në të njëjtën kohë, Kosova do të bëjë njohjen e 14 diplomave që janë në pritje. Risi e marrëveshjes së arritur është që njohja e diplomave është zgjeruar, pra krahas njohjes së diplomave univeristare ( bachelor, master dhe doktoraturë) do të njihen edhe diplomat e shkollave të mesme dhe shkollave vokacionale/kualifikuese të të gjitha niveleve, sipas standardeve evropiane.
Në këtë takim, ministrja Tahiri ngriti çështjen e qëndrimit bllokues të Serbisë për tekstet shkollore që qeveria e Kosovës i ka dërguar për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke theksuar se bashkëpunimi për çështjet e dijes dhe të shkollimit është në interesin e të gjithëve dhe vlerësoi si shenjë jocivilizuese bllokimet e Serbisë, duke theksuar se do zbatohet reciprociteti nga ana e Kosovës.
Rreth çështjes së kthimit të dokumenteve kadastrale nga Serbia, është theksuar se Kosova duhet ta miratojë sa më shpejtë ligjin për Agjencinë Teknike për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, sepse kjo do ta hap rrugën për kthimin e dokumenteve kadastrale që i ka marrë Serbia gjatë luftës. Po ashtu, u kërkua edhe nga Serbia që të përshpejtojë procesin e përgatitjeve për kthimin e tyre.
Ndërsa, në kuadër të bisedimeve për Zyrat Ndërlidhëse në të dyja shtetet u arrit pajtimi që të rriten hapësirat dhe stafi i tyre, ku BE u zotua që të ofroj hapësirë më shumë për to, duke qenë se zyrat ndërlidhëse janë në kuadër të zyrave të BE-së në dy vendet. Gjithashtu, kishte dakordim që të ketë një bashkëpunim më të mirë mes zyrtarëve ndërlidhës dhe qeverive përkatëse të vendeve pritëse, si dhe lehtësime në trajtimin e kërkesave për vizita por me kusht që zyrtarët që bëjnë vizita në shtetin tjetër të respektojnë parimet e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dyja shteteve. Në këtë kuadër, në vijim do të intensifikohen angazhimet që kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ta pres zyrtarisht në takim zyrtarin ndërlidhës të Serbisë në Kosovë dhe kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç ta pres zyrtarin ndërlidhës të Republikës së Kosovës në Serbi./b.j/
DY SULME TERRORISTE NE ANKARA
86 vetë u vranë dhe rreth 200 të tjerë u plagosën, sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme turke./
Në Ankara, pati sot dy shpërthime të mëdha, që ndodhën në fillim të një mitingu për paqen në kryeqytetin turk. 86 vetë u vranë dhe rreth 200 të tjerë u plagosën, sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme turke.
Pas shpërthimeve që ndodhën pranë stacionit të trenit në Ankara, ndërsa njerëzit po vinin të merrnin pjesë në miting, shpërtheu kaosi.
Mintingu ishte planifikuar për të bërë thirrje që t’i jepet fund konfliktit mes forcave turke të sigurisë dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK.
Analistët thonë se sulmet mund të jenë organizuar nga grupi Shteti Islamik, ose nga grupe nacionaliste turke, që janë kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila është nxjerrë jashtë ligjit në Turqi.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se shpërthimet ishin “një sulm i urryer ndaj unitetit dhe paqes në vendin tonë”.
Ai tha se do t’i anulojë takimet e planifikuara për tre ditët e ardhshme, për t’u fokusuar tek sfidat e sigurisë me të cilat përballet Turqia.
Zyrtarët e sigurisë thanë se nuk është e qartë, në se sulmet u kryen nga autorë vetëvrasës.
Zyrtarët turq i kanë cilësuar shpërthimet “sulme terroriste”. Ende askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet.
Mustafa: Asoaciacioni dhe demarkacioni, nuk janë problem real
-Është Gjykata Kushtetuese ajo që vlerëson çdo pikë të marrëveshjes, dhe nëse del se edhe një pikë nuk është në harmoni me Kushtetutën ajo nuk do të implementohet/
PRISHTINË, 10 Tetor 2015/ Për Kosovën nuk janë problem real as Asociacioni I komunave me shumicë serbe dhe as Demarkacioni me Malin e Zi, shprehet sot kryeministri Isa Mustafa, duke shtuar se, problem është abstenimi në zbatimin e ligjit dhe rregullave, që stimulon hyxhymin e dhunshëm për të ardhur në pushtet jashtë rregullave demokratike.
“Asociacioni, Jo! Sepse, është Gjykata Kushtetuese ajo që vlerëson çdo pikë të marrëveshjes, dhe nëse del se edhe një pikë nuk është në harmoni me Kushtetutën ajo nuk do të implementohet”, thekson ai.
“I përkujtoj të gjithë ata që e dinë dhe ata që nuk e dinë se Asociacioni themelohet, jo me vendim dhe dëshirë të Kryeministrit apo Qeverisë, por si obligim për ta zbatuar Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të votuar nga 84 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Prandaj nuk mund të flitet për tërheqje të nënshkrimit, por për zbatim të ligjit”, shprehet Mustafa.
Ndërsa, vijon ai, Marrëveshja e demarkacionit nuk është as Bibël e as Kuran, dhe nëse dikush mund të vërtetoj me evidencë të qëndrueshme se, jo dhjetëmijë hektarë por, edhe një metër katrorë ka kaluar nga territori ynë në Mal të Zi, do të kërkohet korrigjim. “Por deri sot askush nuk ka ardhur ta dëshmoj këtë. Kurse, gjeografët tanë duhet ta kenë një qëndrim lidhur me sipërfaqen e territorit të Republikës së Kosovës. Ky territor nuk është llastik. Disa shkruajnë për 10877, disa 10887, disa 10906 e disa mua më deklarojnë në zyrë se ky territor arrin në 10960 kilometra katrorë?! Ne kemi shkencëtarë e akademikë, të cilët kanë dije dhe munden, pa u ndikuar politikisht dhe pa orekse territoriale, të jenë të saktë në dëshmimin historik të vijave kufitare në të cilat është shpallur pavarësia e Kosovës”, përfundon Mustafa në ‘facebook’./b.j/
Dhoma Amerikane e shqetësuar për masat informalitet
Në Shqipëri Dhoma Amerikane e Tregtisë shprehur shqetësim për ndikimin e operacionit të ndërmarrë nga qeveria për të luftuar informalitetin e ekonomisë dhe masat e rrepta ndëshkuese të parashikuara të cilat sic theksohet në një deklaratë të saj “kaluan pa një diskutim paraprak me organizatat e biznesit”. Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë “efektet anësore të këtij aksioni kanë filluar të ndihen te biznesi duke dhënë një efekt të kundërt nga sa pritej”, ndërsa shton se “shqetesimi ynë është se ky plan masash në vend që të bëhet një nxitje për formalizimin e ekonomisë do të kthehet në një “shkop ndëshkues” për biznesin duke i prerë rrugëtimin bizneseve të cilat kanë paqartësi dhe probleme të riparueshme, por dhe iniciativave të reja të cilat nuk munden të lulëzojnë në një klimë të tillë”. Që prej muajit shtator autoritetet kanë nisur një operacion të shtrirë në të gjithë vendin, duke e shoqëruar ata me ndryshime në Ligjin për Procedurat Tatimore të cilat parashikojnë masa shumë të forta ndëshkuese, përmes gjobave të rënda. Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerëson se “masat penalizuese në ligj nuk tentojnë të edukojnë dhe të korrektojnë gabimet e biznesit por kanë një efekt penalizimi të tejskajshëm që sjell falimentin e tyre. Gjobat dhe penalitetet duhet të jenë në proporcion me nivelin e biznesit. Në të gjithë botën gjobat përcaktohen si një përqindje e caktuar mbi nivelin e xhiros apo totalit të taksave të paguara, që do të thotë se një biznes me xhiro vjetore 8 milion lekë nuk mund të gjobitet 10 milion lekë, sepse shkakton falimentin e menjëhershëm të biznesit”. Sipas saj “bëhet fjalë për kategori biznesi të cilat nuk kanë edukimin e mirëfilltë fiskal, nuk kanë mundësinë financiare të kenë ekspertizë në dispozicion, dhe ndryshimet e bëra në Ligjin për Procedurat Tatimore janë zbatuar pa ju lënë kohën e nevojshme që t’i njohin dhe t’i zbatojnë”. Dhoma Amerikane vëren se “në ligj nuk parashikohen po të njëjtat masa drastike për punonjësit tatimore të cilëve ndërkohë ju është lënë një liri e autoritet i pakufishëm në interpretimin dhe zbatimin e këtyre masave duke rritur ndjeshëm rrezikun e abuzivitetit dhe të korrupsionit dhe duke ndikuar, për rrjedhojë, negativisht në luftën kundër informalitetit”. Në deklaratën e saj shpjegohet se dhe më herët në kërkesat për Paketën Fiskale 2016, “Dhoma Amerikane ka argumentuar se lufta kundër informalitetit fillon si një reformë e menduar mirë, mbështetur në politika fiskale lehtësuese, me taksa të ulëta që e nxisin biznesin të bëhet pjesë e ekonomisë formale, krijojnë një klimë të qëndrueshme duke rritur investimet e huaja, hapin tregjet vendase duke u bërë të konkurrueshëm në Rajon, dhe për rrjedhojë i japin ekonomisë impulse pozitive”.Sh.K
Kosova në Sesionin Vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s
-Kuvendi i Republikës së Kosovës merr pjesë në sesionet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në statusin e vëzhguesit, që nga viti 2014/
-Me sekretariatin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s diskutohet lidhur me mbajtjen e Seminarit Rose-Roth në Prishtinë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Tetor 2015/ Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i përbërë nga nënkryetarët e Kuvendit Xhavit Haliti dhe Slobodan Petroviç, po merr pjesë në Sesionin Vjetor të 61-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-së në Stavanger, Norvegji.
Udhëheqësi i delegacionit të Kuvendi të Republikës së Kosovës, Xhavit Haliti dhe anëtari i delegacionit, Slobodan Petroviç, do të marrin pjesë në këtë sesion deri në përfundimin të tij, më 12 tetor dhe do të kenë mundësinë të takohen me delegacione nga vendet anëtare dhe vëzhguese të NATO-s.
Po ashtu, delegacioni i Kuvendi të Republikës së Kosovës do të takohet me anëtarët e delegacionit të Bosnje dhe Hercegovinës, për të biseduar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët udhëtojnë në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe do të diskutojnë për çështje tjera të sigurisë në dy vendet.
Nënkryetarët Haliti dhe Petroviç do të takohen edhe me sekretariatin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për të diskutuar lidhur me mbajtjen e Seminarit Rose-Roth në Prishtinë, në vitin e ardhshëm.
Kuvendi i Republikës së Kosovës merr pjesë në sesionet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në statusin e vëzhguesit që nga viti 2014.
Njoftim dërguar nga Kuvendi i Kosovës bën të ditur edhe se, temat për debat në Sesionin Vjetor të 61-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s reflektojnë ndryshimet e mëdha në politikat globale të sigurisë që kanë ndodhur në kohën e fundit. Luftërat civile në Siri, Irak, Libi dhe Sudanin Jugor kanë shkaktuar vuajtje të shumta, lëvizje të njerëzve dhe destabilizim të vendeve kryesisht në Evropën Jugore. Po ashtu zhvillimet në Rusi dhe politikën e jashtme të Rusisë vazhdojnë të shpërndajnë pasiguri në Evropë dhe për këtë nevojitet një aleancë e përbashkuar politike. Asambleja Parlamentare e NATO-s luan rol kyç në fuqizimin dhe mirëmbajtjen e lidhjeve politike trans-atlantike, është thënë ndër të tjera në hapjen e këtij sesioni, përfundon njoftimi.
Në delegacionin e Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti është i grupit parlamentar të Partisë Demkratike të Kosovës, ndërsa Slobodan Petroviç i grupit parlamentar të Listës Serbe.