• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mediat shqiptare degradojnë opinionin publik përmes degradimit të moralit publik

September 28, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

 Fotoja e Blendi Fevziut në Haxh nuk i konkuron dot të pasmet e Bleonës/

Gazeta dhe portalet shqiptare janë marrë me ditë të tëra me debatin qe hapi showgirlja shqiptaro-amerikane rreth të pasmeve të saj. Nëse janë origjinale apo me silikon. Bleona pretendoi se qëllimi i saj është të dritësojë të vërtetën, pasi mediat shqiptare e kishin mashtruar opinionin shqiptar dhe ajo ndihej me imazh të dëmtuar. Për këtë arsye u bë edhe takimi live tek Zona e Lirë midis saj edhe drejtuesit të tij ku u vërtetua realiteti që mbronte ajo dhe jo ai që publikonin mediat.

Gjithë shtypi e bashkë me të edhe opinioni shqiptar nuk u mor me gjë tjetër veç me të pasmet e Bleonës, të cilat e stërsfiduan edhe foton e Blendi Fevziut si haxhi në Mekë.

Po a meritonte ky subjekt që të tërhiqte këtë vemendje, a ishte kjo e vërtetë kaq e rëndësishme për ndërgjegjen kombëtare shqiptare sa të përfshinte hapësira të pafund të gazetave dhe portaleve.

Pa dyshim që jo. Gazetat dhe portalet online shqiptare e përmbysin realitetin e lexueshmërisë me foto dhe lajme të cilat mund të botohen vetëm në revista e gazeta të specializuara playboy, erotike e që shkojnë deri në pornografi, një mall ky rreptësisht i ndaluar për moshat e reja, të cilat futen lehtësisht dhe navigojnë në një shtyp të deklaruar zyrtarisht si i shëndetshëm.

Kur do të ndalet ky apokalips dhe nga kush do të ndalet! Kur mediat vetë kanë degraduar rolin që kanë si institucion në mbrojtje të opinionit publik.

Sepse sot janë vetë botuesit të interesuar të kamuflojnë realitetin, që të tërheqin vemendjen nga problemet e vërteta me të cilat përballet shoqëria, për të marrë në mbrojtje politikanët prej të cilëve marrin mbështetje financiare.

Gazetat e portalet shqiptare fshehin politikën e inkriminuar, korrupsionin, pasurinë marramendëse të politikanëve, varfërinë e popullit, skandalet, mjerimin, shëmtimin dhe njëkohësisht dështimin e tyre përmes fotografive dhe lajmeve me përmbajtje nga kronika rozë e që shkojnë deri ato me përmbajtje të theksuar seksuale që një organizëm mbikqyrës shtetëror do të duhej t’i censuronte dhe t’i ndalonte përmes gjobave dhe sanksioneve.

Në tregun mediatik shqiptar nuk ka institucione që të vendosin cakun dhe limitin, që të kushtëzojnë debatin publik, që të paracaktojnë prioritetet e të mostolerojnë vulgaritetin dhe banalitetin me qëllim mbrojtjen e moralit publik.

Malli që ofrojnë mediat shqiptare është helm për rininë dhe për gjithë opinionin publik shqiptar që tash nuk e di se cilat janë prioritetet e tij, a është shteti ligjor a janë të pasmet e femrave shqiptare, a është prioritet shkollimi, edukimi për të marrë një profesion dhe krijimi i një personaliteti të ndershëm dhe me integritet apo shitja nga prostituimi.

Për ta zhdukur raportin midis lexuesit dhe të vërtetës të lajmit, apo midis shikuesit dhe televizionit, oligarkët e mediave kanë gjetur mënyrën “par excellence” për ta fshirë të vërtetën, duke e bërë edhe opinionin publik palë të degradimit të tyre, sepse lexuesi dhe shikuesi tash është kthyer në një konsumator të një produkti të specializuar si mall tutorësh.

Tash klientët, pra opinioni publik, nuk paguajnë me para në dorë për “mallin” por me klikime.

Kjo situatë kuazi absurde e ka rrënuar shtypin e lirë, lirinë e shprehjes, dhe ky shkatërrim i bashkangjitet katastrofës të shkaktuar nga nënkontrolli që e mban politika. Gazetarët profesionistë, në këto kushte, nuk konkurojnë dot me të tilla media, të cilat, përmes ligjit të xhunglës të të pasmeve, janë kampionë të lexueshmërisë. Gazetarët profesionistë ofrojnë të vërtetën, ndërsa oligarkët shqiptarë i sfidojnë ata me të vërtetën e të pasmeve e cila duket se është kjo kryefjala që i intereson publikut shqiptar.

Një katrahurë e tillë, Sodoma dhe Gomorra shqiptare në mileniumin e tretë, mund të ekzistojë vetëm në vendet pa shtet dhe me një shoqëri totalisht të papërgjegjëshme, ku anarkia është diktatura e lirive, të drejtave njerëzore si dhe të drejtës për informim dhe mbrojtjes të opinionit nga abuzimi.

Opinioni shqiptar nuk ka para të blejë hashashin e mbjellur në parcelat që kanë pushtuar sovranitetin territorial tokësor të vendit, por si një shoqëri 75 % e papunë, ajo “drogohet” me marihuanën dhe opiumin e të pasmeve,  përmes klikimeve të çmendura, që i bëjnë botuesit të krenohen për mediat e tyre si “më të lexuarat”!

Kësisoj, mediat shqiptare kanë marrë rolin e tutoreve duke e kthyer shoqërinë dhe opinionin publik në kliente të produktit të tyre, që është një mall për të përfunduar në karantinë. Shtypi shqiptar është bërë pjesë e kapjes së shtetit. Nuk janë vetëm politikanët e korruptuar apo gjyqësori që ka lidhje me krimin e organizuar, por është edhe shtypi e mediat që u shkon pas.

Është një situatë alarmi. Për të dhënë alarmin SOS. Po s’të dëgjon askush, sepse pothuaj të gjithë janë të zënë duke klikuar të pasmet e dikujtit të planetit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Fevziu ne Haxh, Mediat, opinioni publik, te pasmet e Bleones

Fajin e kishte Berisha, fajin e ka Rama

September 28, 2015 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Skënder Buçpapaj/

Njëri dhe përkrahësit e tij thonë “fajin e ka Edi” tjetri dhe përkrahësit e tij vazhdojnë të thonë “fajin e ka Sala”. Deri para dy vitesh, është e vërtetë, fajin e kishte Berisha. Prej dy vitesh, është po aq e vërtetë, fajin e ka Rama.

Shteti, në zanafillë, është ndërtuar mbi logjikën e familjes. Edhe dorëzimi i protofolit nga duart e një pale në duart e një tjetre është një ritual i lashtë i njerëzimit. I zoti i shtëpisë, kryefamiljari, ishte pikërisht ai që mbante protofolin (kuletën) e një familjeje. Sapo ai e ndjente veten të pazotin për ta kryer më tej detyrën, pasi ishte i plakur, i sëmurë, nuk gëzonte më mbështetje dhe përkrahje në familje, pra, nuk gëzonte autoritet brenda familjes dhe nuk ishte më emër jashtë saj, kryetari i familjes, i zoti i shtëpisë ia dorëzonte protofolin dhe cilësinë e të zotit të shtëpisë, pra të kryefamiljarit, dikujt tjetër nga meshkujt e shtëpisë. Ky tashmë i gëzonte pikërisht ato karakteristika të cilat pararendësi i tij i kishte humbur.

Gjatë dorëzimit të detyrës, i zoti në largim i shtëpisë, përveç gjendjes së protofolit, ia tregonte të zotit në ardhje të shtëpisë të gjitha borxhet e trashëguara, të gjithë borxhlinjtë e trashëguar, të gjithë miqtë, përkrahësit dhe aleatët, ku ai duhej mbështetur, të gjithë armiqtë, penguesit dhe kundërshtarët, ia tregonte marrëdhëniet në farefisni, fqinjësi, fshat dhe krahinë. Bashkë me protofolin e zotit të shtëpisë, i sapoardhuri në detyrë trashëgonte të gjithë faturën e kreut të mëparshëm të familjes, të gjithë faturën e qeverisjes së mëparshme të shtëpisë. Nëse ky nuk e ndjente veten në gjendje për t’i përballuar trashëgimitë me sukses dhe dinjitet, atëherë nuk e pranonte detyrën, nuk e merrte në dorëzim as protofolin, as faturën e krijuar nga pararendësi dhe detyra, bashkë me të gjitha përgjegjësitë, bashkë me të gjitha privilegjet i kalonte dikujt tjetër që merrte përsipër gjithçka.

Qeveritë ndoshta edhe harrojnë se gjatë kohës kur janë në fuqi ato përgatitin ardhjen e pasrendëses së tyre në pushtet. Opozitat, gjatë kohës që pala tjetër është në pushtet, përgatiten, në mënyrë që, sapo të thirren, ato të jenë gati për të marrë qeverisjen në duart e tyre. E, bashkë me qeverisjen, ato njëherazi marrin në duart e tyre të gjithë faturën e krijuar nga qeveria e mëparshme. Mundet që opozita, për shkak se është jashtë pushtetit, të mos e dijë gjendjen e vërtetë të faturës që merr në duar, mundet as të mos e krijojë përfytyrimin e vërtetë të gjendjes së kësaj fature në periudhën e saj të menjëhershme të qeverisjes, por, brenda një kohe sa më të shpejtë ajo duhet ta zotërojë plotësisht situatën dhe të vihet plotësisht në detyrë. Një pjesë e madhe e suksesit varet nga aftësia dhe zotësia e qeverisë së re për t’u vënë sa më shpejt dhe me kapacitet sa më të plotë në krye të punëve që e presin.

Është e natyrshme që, në vitin e parë, qeveria e re, të krahasojë çdo rezultat të saj me ato të qeverisë pararendëse. Qeveritë të cilat e marrin seriozisht detyrën e tyre, megjithatë, që nga tremujori i dytë i qeverisjes, fillojnë të bëjnë krahasimet me tremujorin e parë. Pra, rritjet ose rëniet maten jo vetëm midis dy qeverisjeve, por edhe brenda vetë mandatit qeverisës në vazhdim. Me kalimin e kohës, megjithatë, krahasimet zbehen dhe bëhen gjithnjë e më të paqëndrueshme. Ndoshta ato mund të kenë njëfarë pranueshmërie në shfrimet e deputetëve gjatë seancave plenare apo në mediat pranë qeverisë, por gradualisht humbin çdo tingëllim në gojën e kreut të ri të qeverisë. Ai nuk mund ta mbështetë qëndrimin e mëtejshëm në detyrë tek gabimet apo fajet e kryeqeveritarit të mëparshëm. Qytetarët, vendi nuk ngopen me përmendjet e fajeve të atij të cilin e kanë rrëzuar me votën e tyre. Dhe e kanë rrëzuar pikërisht, sepse nuk ua ka përmbushur pritshmëritë e tyre, nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna. Rama nuk do të vinte kurrë në pushtet, nëse populli do të kishte qenë mjaftueshëm i kënaqur me Berishën.

E gjithë historia e të ashtuquajturit pluralizëm politik në Shqipëri është histori e krijimit të precdentëve negativë, e përsëritjes dhe e thellimit të këtyre precedentëve negativë. Aq sa janë të panumërt precedentët negativë, aq janë të rrallë dhe gati të papërfillshëm precedentët negativë si në marrëdhëniet pozitë-opozitë e anasjelltas, si në marrëdhëniet me elektoratet përkatëse, me shoqërinë në tërësi, me reformat e tjerë. Është e vështirë që një zhvillimi në dukje i ri të mos ia gjesh një precedent të mëparshëm në hisorinë e këtyre viteve.

Precedentët në politikë nuk mund t’i shërbejnë asnjë pale për t’i justifikuar gabimet, fajet, mosarritjet. Precedenët shërbejnë vetëm në drejtësi, ku të njëjtat gjykata, nuk mund të japin vendime të ndryshme për një rast të njëjtë apo tejet të ngjashëm të gjykuar po prej tyre. Përdorimi i precedentëve në politikë si mjet për t’ia mbyllur gojën palës tjetër dhe për t’ia mbyllöur sytë dhe mendjen publikut janë një akt i papërgjegjshëm që çon në vendnumërim të zhvillimeve të një vendi, fundi i të cilit është regresi i pandalshëm. Në qoftë se asnjëra palë nuk heq dorë nga tradita barbare e përsëritjes së precedentëve, atëherë perspektiva e vendit është fatale.

Berisha krijoi precedentin negativ të marrëdhënieve destruktive me Presidentin e Republikës. Ai shkoi deri në qëndrime flagrante, të cilat janë të palejueshme ndaj Kryetarit të Shtetit në çdo vend me rend demokratik dhe shtet ligjor. Kjo e dëmtoi vendin sidomos në jetën parlamentare, si dhe në fushën e drejtësisë e të diplomacisë. Në gjysmën e dytë të mandatit të parë kryeministror dhe gjatë mandati të tij të dytë, Berisha dëshmoi grykësi dhe babëzi ndaj institucioneve të pavarura, duke i uzurpuar ato dhe duke e likuiduar çdo pavarësi të pushteteve në Shqipëri. E njëjta prirje, ndonëse me disa zbprapsje, falë ndërhyrjes ndërkombëtare, vihet re tek Rama.

Berisha krijoi precedentin e një akti rrugaçëror kur arrestoi kreun e opozitës Fatos Nano. Precedenti iu kthye atij kur, në një akt tjetër rrugaçëror, ndërsa ishte tashmë kreu i opozitës së re, u arrestua nga kryeministri Ilir Meta. Dhe vetëm falë ndërhyrjes energjike ndërkombëtare, ai nuk e pësoi më tej fatin e Fatos Nanos.

Një precedent të paskrupullt përbën sistemi zgjedhor, ku Dushqet janë përsëritur sa në favor të njërës, sa të tjetrës palë. Berisha, në mënyrë absolutisht të panevojshme dhe tejet të dëmshme, e krijoi precedentin e referndumit kushtetues, të cilin e shndërruan në bumerang ‘socialistët’ duke miratuar me ‘referendum’ të tretë një kushtetutë të gjymtuar, të cilën ndryshimet vetëm sa e kanë çoroditur.

Edhe 11 janari i vitit 2011 ishte një përsëritje e precedentit të 14 shtatorit 1998, të cilin ‘socialistët’ edhe tani, pas 17 vjetësh, e quajnë ‘grusht shteti’. Ndërsa ‘demokratët’ e quajnë ‘grusht shteti’ përsëritjen e thelluar të precedentit. Një ndërthurje, pra, tragjike e precedentëve.

‘Socialistët’ e arsyetuan ardhjen e tyre me dhunë në pushtet më 1997 si përgjigje ndaj precedentit të 22 majit 1992 – “ata na rrëzuan, ne po i rrëzojmë”.

Të dyja palët kanë rol të barbartë të krijimin, konsolidimin dhe institucionalizimin e marrëdhënieve klienteliste pozitë-opozitë. Asnjëra palë, sa herë ka kaluar në opozitë apo ka ardhur në pushtet, nuk ka hequr dorë nga kjo praktikë, por vetëm e ka thelluar. Asnjëra palë nuk ka çarë kokë për të mbrojtur interesat e elektoratit, të shtresave prej nga vijnë votuesit e tyre. Asnjëherë asnjëra palë nuk ka bërë opozitë, por vetëm demonstrim force – se unë të rrëzoj kur të dua ty nga pushteti – për të ruajtur dhe shtuar privilegjet e klaneve të fuqishme, të natyrës mafioze.

Sa jemi tek tema e mafies: ajo u krijua në vitet 1997-2005 si degëzim shqiptar i mafies ndërkombëtare, e cila ishte faktor i rëndësishëm në ngjarjet e vitit 1997. Ndërsa u konsolidua me individualitetin e saj, si partnere e mafies ndërkombëtare, gjatë viteve 2005-2013. Tashmë ajo ka vënë nën hije vetë shtetin.

Më 2005 Berisha erdhi me premtimin se do ta luftonte korrupsionin, mafian, trafiqet, kontrabandat, do ta zhdukte mjerimin, do ta zbuste varfërinë, do t’i bënte reformat që nuk ishin bërë, do të ndërtonte marrëdhënie të reja me opozitën dhe me institucionet. Ai nuk i përmbushi premtimet. Vendi u zhyt në korrupsion, mafie, trafiqe, kontrabanda, mjerim. Ai u paraqit në mënyrë tejet arrogante dhe të shëmtuar për t’ia kërkuar elektoratit, tetë vjet të braktisur dhe të mashtruar, mandatin e tij të tretë. Dhe mori atë që pamë të gjithë më 23 qershor 2013. Sepse fajin tetë vjet rresht e kishte Berisha.

Rama erdhi më 2013 në emër të vendosjes së shtetit ligjor, të luftës kundër krimit, korrupsionit, informalitetit. U përbetua sidomos kundër nepotizmit që ishte shndërruar tashmë në gangrenë. Nëse Berisha më 2015 vinte si njeri i shpresës së rikthyer, Rama për t’ua rikthyer shpresat e humbura shqiptarëve, për t’ua kthyer besimin e humbur. Viti i dytë i qeverisjes së Ramës u karakterizua nga eksodi masiv i qytetarëve të Shqipërisë drejt Perëndimit, sidomos drejt Gjermanisë. Pra, Rama nuk ua riktheu besimin dhe shpresën shqiptarëve, përkundrazi i zhyti edhe më tej në mungesë perspektive, ku më e prekura është rinia shqiptare.

MERITËN E KISHTE BERISHA, MERITËN E KA RAMA

Në fjalorin e politikës së Tiranës nuk pranohen meritat e kundërshtarëve. Megjithatë, sado relative, ato ekzistojnë.

Në qershor të vitit 1997, në mitingun përmbyllës zgjedhor të Vlorës, Fatos Nano iu premtoi vlonjatëve dhe shqiptarëve se do t’ua kthente një më nje, në mos më shumë, paratë e humbura në skemat piramidale.

Në vitet 1997-2005 flotat e skafeve shqiptarëve mbushën detet mes nesh dhe Italisë, saqë vendi fqinj u alarmua tej mase dhe alarmoi për këtë shqetësim edhe Evropën. Nëpërmjet kësaj flote u krye pjesa më e madhe e trafiqeve të njerëzve, sidomos femrave, kryesisht të mitura, i armëve, i drogave e tjerë. Nano e mbajti dhe e stërmbajti premtimin, por Shqipëria u shndërrua në vendin e bandave të panumërta të trafiqeve, kontrabandave, larjeve të hesapeve. Këto banda përbëheshin nga krahu i armatosur i PS-së, i cili e soli këtë parti në pushtet më 1997. Kështu edhe u institucionalizua për herë të parë krahu i armatosur, krahu i krimit, pranë partive.

Më 2005, një ndër veprimet e para të qeverisë Berisha, ishte moratoriumi i skafeve. Kjo ishte një goditje vendimtare ndaj mafies së skafeve, çka e qetësoi Italinë dhe Evropën, duke ndikuar shumë pozitivisht në pranimin e Shqipërisë në NATO pak vite më vonë. Në atë kohë, ‘demokratë’ të rikthyer në pushtet qëllonte të më pyesnin si t’ia bënin për të pasur sukses në luftën kundër kanabisit, trafiqeve e tjerë. Iu jam përgjigjur se kjo luftë nuk do të ketë sukses, nëse nuk do të krijohen vende të shumta pune për qytetarët, ashtu që mënyrat e paligjshme të mos jenë më burime dhe mjete të jetesës së tyre. Por u zgjodh alternativa më e lehtë, ajo e tolerimit dhe ligjërimit të informalitetit dhe paligjshmërisë, që pushtuan ekonominë dhe jetën e vendit.

Më 2013, duke ardhur në pushtet, qeveria Rama, në emër të vendosjes së shtetit ligjor dhe çrrënjosjes së informalitetit, sipas programit të Rilindjes, si e quajti ai programin me të cilin fitoi votat e zgjedhësve, mori masa të menjëhershme dhe energjike kundër informalitetit dhe në drejtim të vendosjes së shtetit ligjor. Por as ai nuk arriti të krijojë vende pune, nuk arriti të rritë prodhimtarinë vendëse, një nga shtyllat kryesore të programit të tij. Me gjithë goditjet qe iu dha Lazartit dhe dukurisë përkatëse anembanë vendit, ajo tashmë është duke u shndërruar në edukatë dhe në një nga mënyrat e pakta a të vetme që shqiptarët të sigurojnë bukën e gojës. Nga ana tjetër, flota e dikurshme e skafeve duket se do të zëvendësohet nga flotiljet e avionëve të vegjël, të cilët ngarkohen në Shqipëri me drogë për t’u shkrakuar në Itali.

VITI I TRETË I MANDATIT TË RAMËS, VITI VENDIMTAR

Tashmë qeveria Rama ka hyrë në vitin e tretë të saj. Është vit vendimtar, sidomos duke ditur faktin se në Shqipëri vitet e katërta të mandateve qeveritare janë vite elektorale.

Dyvjetori i qeverisë kryeministrin Ramën e zuri në ekspozitën e tij javore me skica në Mynih. I sapokthyer, intervista tek Top Story pritej të ishte bërje e bilancit. Në vend që t’iu përgjigjej pyetjeve me seriozitet, ai e hëngri kohën në dispozicion me kundërpyetje, me komente të pyetjeve që iu drejtuan. Edhe në intervistën me Tim Sebastian të Deutsche Welles, Rama bëri cicmice nga fillimi deri në fund. Dhe e vetmja gjë që neto nga intervista ishin pyetjet e Sebastianit.

Rama gjithandej vazhdon të paraqesë veten si piktor. Kjo tregon se ai, në mes të mandatit, ende nuk është futur jo më në petkun e kryeministrit, por as në petkun e zyrtarit të lartë shtetëror ku vegjeton prej vitit 1997.

Edhe mania për t’u paraqitur si lider i Ballkanit dhe për të folur në emër të Ballkanit nuk e bën aspak serioz portretin e tij kryeministror.

Kjo qeveri ka trashëguar nga e mëparshmja, siç e thamë, para së gjithash, një ekonomi informale, me logjikë piramidale. Nëse Berisha do të vazhdonte të rrinte në pushtet, ajo, në një çast të caktuar jo të vonuar, do të binte në mënyrë të menjëhershme. Në kushtet e qeverisë së re, ajo rrezikon të bjerë, ndonëse në mënyrë të ngadalshme, por pothuaj të sigurtë.

Gjendjen e bëjnë më të vështirë veprimet jopopullore të marra nga kjo qeveri, siç janë ato me pagesat e dritave, prishjet e ndërtimeve pa leje e tjerë. Kur ato nuk shoqërohen me veprime popullore, krijohen situata të paqëndrueshme.

Reforma administrative dhe e decentralizimit është një nga veprimet jopopullore të qeverisë. Mjafton mosadministrimi i suksesshëm i saj që të fundosë këtë qeveri. Është një reformë që e thellon hendekun mes qytetarëve dhe qeveritarëve të të gjitha niveleve.

Vendosja e shtetit ligjor nuk mund të kuptohet pa reformën e thellë të sistemit të drejtësisë. Dhe kjo reformë nuk mund të bëhet pa opozitën. Dhe nuk mund të bëhet pa reformimin e thellë të Kushtetutës, çka kupton pastaj një reformim të të gjitha ligjeve. Mjerisht nuk mund të përdorësh këtu përcaktorin “në fuqi”, sepse në Shqipëri 25 vjet janë miratuar me miliona ligje, por ato vetëm sa e rëndojnë inflacionin e ligjeve të shkruara dhe të pazbatuara, pra nuk mund të thuhet “ligje në fuqi”. Është e domosdoshme që kushtetuta e reformuar të përcaktojë qartë dhe prerë ndarjen e pushteteve dhe marrëdhëniet mes pushteteve, të respektit të ndërsjellët dhe kontrollit të ndërjsellët, në mënyrë që përfundimisht të marrë fund uzurpimi i pushteteve nga ekzekutivi, pra nga regjimi politik i radhës në fuqi.

Kjo do të vendosë mbi një platformë të re punonjësin në gjithë hierarkinë e administratës, duke e shkëputur sa më qartë nga bazat psikologjike ekzistuese, nga ndjenja e përkohësisë, e cila i stimulon zyrtarët që ta shfrytëzojnë qëndrimin e tyre në post në mënyrë sa më të shfrenuar, sipas logjikës se pushteti nuk është i përjetshëm, sot je në karrike, nesër nuk je, mile deri në fund sa të jesh. Në mënyrë profetike këtë logjikë e ka përshkruar shkrimtari amerikan John Steinbeck: “Pushteti nuk korrupton. Frika korrupton… ndoshta frika e humbjes së pushtetit.”

Frika e humbjes së pushtetit politik ka qenë ndoshta stimuli kryesor i politikanëve tanë, që, gjatë qëndrimit në pushtetin politik, kanë krijuar edhe pushtet ekonomik, i cili, në një vend pa shtet ligjor, ka jetëgjatësi të pakufizueshme dhe të paprekshme. Sipas këtij shembulli jo ofiqi i deputetit, ministrit, gjykatësit e tjerë, por pasuria marramendëse, nëpërmjet së cilës blejnë kë të duan dhe çfarë të duan, i ka bërë të paprekshëm zyrtarët e lartë në Shqipëri.

Ndarja e qartë e pushteteve, nxjerrja e drejtësisë nga kthetrat e oligarkive, mundëson çrrënjosjen e korrupsionit, dekriminalizimin dhe demafiozimin e politikës, biznesit, drejtësisë. Kështu arrihet, më në fund, edhe ndarja e institcionit të fajit nga institucioni i meritës.

Pothuaj me çdo sjellje të tyre, politikanët tanë lënë përshtypjen se i vetmi model i vendimmarrjes së tyre është Enver Hoxha. Duket se përballë çdo situate, ata pyesin veten: Si do të vepronte në rastin e saktuar Enveri në rrethanat e reja të pas vitit 1990, të imponuara nga jashtë. Enveri një gjysmë shekulli të gjitha fajet ia la kryesisht Ahmet Zogut, si dhe bllokadave të jashtme dhe tradhtive të brendshme.

Kjo ka përcaktuar që ata të mos iu japin përgjigjet e duhura, të qëndrueshme, afatgjata situatave të realitetit dhe të pritshmërive. Xhon Kenedi ka një thënie që i shkon pikë për pikë realitetit tonë. I shqiptonte në fillim të mandatit të tij presidencial. Me këto fjalë unë po i përmbyll këto shënime: “Le të mos e kërkojmë përgjigjen republikane apo përgjigjen demokrate, por përgjigjen e duhur. Le të mos kërkojmë gjetjen e fajit tek e shkuara. Le ta pranojmë përgjegjësinë tonë për të ardhmen.”

Filed Under: Analiza Tagged With: fajin e ka Rama, Fajin e kishte Berisha, Skender Bucpapaj

Kryeministri kosovar u takua ne Nju Jork me ministrin e Jashtëm grek

September 28, 2015 by dgreca

 -Përkrahje e Greqisë për proceset integruese evropiane dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare/

Nju Jork, 28 shtator 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministrin Bekim Çollaku, janë takuar me shefin e delegacionit të Greqisë në AP të Kombeve të Bashkuara, ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikolaos Kotzias.

 Kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për avancimin e rrugës integruese në Bashkimin Evropian, si dhe anëtarësimin në organizata tjera ndërkombëtare.

 Kryeministri Mustafa e falenderoi për mbështetjen e Greqisë në proceset integruese evropiane të Kosovës.

 Kryeministri Isa Mustafa kërkoi përkrahje të mëtejshme për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, INTERPOL dhe organizata tjera ndërkombëtare.

 Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikolaos Kotzias, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e Greqisë për proceset integruese evropiane dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: Isa Mustafa, me Ministrin Grek, takim

SHBA, përkrahje e fuqishme për Kosovën

September 28, 2015 by dgreca

-Kryeministri Isa Mustafa në Nju Jork takon zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Hoyt Yee/

 Nju Jork, 28 Shtator 2015/ Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit i SHBA-ve për Çështje të Evropës dhe të Euroazisë, Hoyt Yee, në takimin sot në Nju Jork me kryeministrin  Isa Mustafa vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën. Yee po ashtu e përgëzoi qeverinë e Kosovës për konstruktivitetin e treguar në kuadër të proceseve rajonale.

 Zëvendës ndihmës sekretari Yee gjithashtu shprehu vlerësimet e tij për angazhimin e Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe avancimin e proceseve integruese euroatlantike, duke shprehur përkrahjen e SHBA-ve në këtë rrugë, thekson njoftimi dërguar nga Nju Jorku i Zyrës së kryeministrit kosovar. Në takim, ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.Mustafa theksoi përkushtimin e qeverisë së Kosovës për zhvillimin e gjithanshëm të vendit dhe proceset integruese euroatlantike. Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e gjithanshme që SHBA-të po japin për Kosovën, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për zgjerimin e mëtejshëm të partneritetit me SHBA-të.

Po ashtu kërkoi mbështetjen e SHBA-ve për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, anëtarësimin në UNESCO dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.Kryeministri Mustafa dhe zëvendës ndihmës sekretari Yee biseduan edhe për modalitetet e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) si dhe përfundimin e mandatit të EULEX-it.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po qëndron në Nju Jork, ku është ftuar nga presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, që të marrë pjesë në Samitin Global të Liderëve Kundër ISIS-it dhe Ekstremizmit të Dhunshëm, që do të mbahet më 29 shtator./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: Isa Mustafa, per Kosoven, përkrahje e fuqishme, SHBA

OSCE Mission in Kosovo launches campaign to promote free helpline for reporting threats against journalists

September 28, 2015 by dgreca

-Misioni i OSBE-së promovon linjë telefonike falas për raportim të kërcënimeve ndaj gazetarëve/

PRISHTINË/PRIŠTINA, 28 September 2015 – The OSCE Mission in Kosovo today launched an awareness-raising campaign urging journalists to report cases of intimidation, threats or blackmail to a new helpline set up by the Association of Journalists of Kosovo.The campaign will run for one month on billboards posted across Kosovo in the Albanian, Serbian and Turkish languages. The aim is to inform the journalist community of this helpline and use the information received to help law enforcement bodies take necessary action.

“Recent years have been quite difficult for journalists in Kosovo. At least 27 journalists were harassed, threatened, attacked or mistreated in 2014,” said Ambassador Jean-Claude Schlumberger, Head of the OSCE Mission in Kosovo. “The trend remains the same for the first three quarters of 2015 – 22 cases have already been registered. For this reason, we have supported the Association of Journalists of Kosovo in establishing the free helpline through the Telecom of Kosovo, which will be used by journalists to report attacks on them directly and confidentially.”“Journalists should be free to report on sensitive topics of public interest. Failure to investigate attacks against them encourages perpetrators to continue with these acts and suppress good journalism,” he added.Zekirja Shabani, Head of the Association of Journalists of Kosovo, said: “Ensuring the safety of journalists needs the support and the help of everyone. This is why we are launching this 24/7 helpline where journalists can lodge their complaints, concerns or threats. The helpline will also help us to create a log with first-hand data on cases involving journalists, that will be used to better protect the journalists and try to end impunity of perpetrators.”The free helpline for reporting threats against journalists is 0800 11 333.The OSCE Mission in Kosovo is mandated with human rights protection and promotion, democratization and public safety sector development. It is helping safeguard freedom of media and freedom of expression and supports media development.

**

Kosovë-Misioni i OSBE-së promovon linjë telefonike falas për raportim të kërcënimeve ndaj gazetarëve

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 28 Shtator 2015/ Misioni i OSBE-së në Kosovë ka nisur sot një fushatë vetëdijesimi për të inkurajuar gazetarët të raportojnë rastet e frikësimeve, kërcënimeve dhe shantazheve në linjën e re telefonike falas të themeluar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Fushata me billborde në gjuhën shqipe, serbe dhe turke në mbarë Kosovën do të vijojë për një muaj dhe ka për qëllim informimin e komunitetit të gazetarëve rreth kësaj linje telefonike dhe përdorimin e informative të marra për të ndihmuar organet e zbatimit të ligjit në marrjen e masave e duhura. “Vitet e fundit kanë qenë mjaft të vështira për gazetarët në Kosovë. Së paku 27 gazetarë janë kërcënuar, sulmuar ose keqtrajtuar në vitin 2014” , tha ambasadori Jean-Claude Schlumberger, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Trendi mbetet i njëjtë edhe për vitin 2015 me 22 raste të regjistruara deri më tani. Për këtë arsye kemi përkrahur Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës të themelojë linjën telefonike falas përmes Telekomit të Kosovës, linjë që do të përdoret nga gazetarët për të raportuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe konfidenciale sulmet ndaj tyre”, theksoi ai. “Gazetarët duhet të jenë të lirë të raportojnë për tema të ndjeshme në interes të publikut. Dështimi për të hetuar sulmet ndaj tyre inkurajon sulmuesit të vazhdojnë me veprime të njëjta dhe të sfidojnë gazetarinë e mirë”, shtoi ambasadori Schlumberger. Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, tha se, “garantimi i sigurisë së gazetarëve kërkon mbështetjen dhe ndihmën e të gjithëve”.“Për këtë arsye po fillojmë më këtë linjë telefonike falas në dispozicion 24 orë  ku gazetarët mund t’i shprehin ankesat, shqetësimet ose kërcënimet. Kjo linjë do të na ndihmojë të krijojmë një regjistër me informata të dorës së parë për rastet që përshijnë gazetarët e të cilat do të përdoren për të mbrojtur më mirë gazetarët dhe për t’i dhënë fund mosndëshkimit të sulmuesve”, vijoi ai. Linja telefonike falas për raportim të kërcënimeve ndaj gazetarëve është 0800 11 333.Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni ndihmon në ruajtjen e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes dhe përkrah zhvillimin e mediave.

Filed Under: Featured Tagged With: -Misioni i OSBE-së promovon linjë telefonike falas për raportim të kërcënimeve, Behlul Jashari, ndaj gazetareve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3500
  • 3501
  • 3502
  • 3503
  • 3504
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT