• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Për qytetarët jo për deputetët si Mesila

September 27, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/

Kjo letra e Mesila Dodës, që po qarkullon kaq shumë. Dhe që na ka futur në debate miqsh dhe armiqsh. Më kujton letrën e Mehmet Shehut drejtuar Enver Hoxhës më 1985­ën e largët. Po ndërsa ai i kohës, Kryeministri, deputeti, anëtari i Presidiumit etj. Çfarë ishte e nuk ishte…, i qëndroi besnik Partisë. Këta të post kohës së Mehmetit kanë kaq shumë liri sa mund të shkojnë ku të duan, të flasin si të duan dhe ta nxjerrin veten krejtësisht të kulluar edhe pse kanë vegjetuar për njëzet e kusur vite brenda llumit që demaskojnë. Ndërkohë ne shqiptarët edhe pse e dimë mirë se faji edhe kur vesh kostum apo vë vello, askush dhe kërkush nuk e merr për rrisk si burrë apo grua. Prapë ne nxjerrin fajtorë. I nxjerrim me shumicë dhe me gisht. Të bindur përjetësisht në të drejtën tonë. Të bindur në jetë të jetëve se faji asnjëherë nuk na ka cekur, edhe pse kemi jetuar me ‘të, kemi kaluar vite nga e përditshmja jonë që nuk është jetë vetjake. Por ajo e një personi publik me aktivitet politik, që është aspiratë për të qënë shtetar i vendit tënd.

Sot koha e internetit na jep mundësi të shohim statutet e njëri­tjetrit. Shtypin në përgjithësi dhe reagimet e qytetarëve kudo që ndodhen. Por edhe personave publikë, ata të mandatuarit nga ne si popull. Pasi gjithçka është publike. Dhe në ato të Mesilës (statutet, pasi janë disa) vihen re vetëm një armatë e madhe miqsh që e quajnë xhestin e saj një heroizëm. Kurse ata të tjerë ”miq” që i bëjnë ndonjë vërejte, u fshihet komenti. Edhe pse ankesat e tyre janë këmbëngulëse. Në aspektin tjetër jo vetëm Mesila por tërësia jonë, i trajtojmë problemet në emër miqësish dhe të miqve. Vet Mesila u kërkon ndjesë gazetarëve miq për interesin e treguar. Por që ajo i ka refuzuar. Dhe po ashtu miqve, apo demokratëve të vërtet të cilëve u është mbyllur goja dhe janë anashkaluar.

Para së gjithash t’i përgjigjesh shtypit, është detyrim publik, jo detyrim mes miqve. Të paktën për sa kohë mban në supe mandatin e deputetit të Kuvendit në vendin tënd. Dhe detyra nuk është raport mes miqve, pavarsisht edukatës që të lejon të përdorësh këtë si terminologji.

Rasti i Mesilës është bërë një fenomen kopjakeq i politikës tonë. Dhe për më keq akoma, është përfshirja jonë me këto tendenca tifozërish mes miqsh e shokësh. Duke sikur e kemi dënuar veten, jo për të drejtën universale, por për atë të mikut apo shokut. Nga ana tjetër nuk e di, por nuk u duket se ka një shfaqje boshllëku të mandatit të deputetit me Kushtetutën e vendit. Edhe pse mund të jetë e rregulluar ligjërisht, prapë shfaq dukuri negative në jetën politke. Do të ishte më e udhës që një deputet, aq më tepër kur flet për llum partiak, bashkë me largimin nga Partia, t’i largohet edhe mandatit të vet, që e mori nga ajo. Në listën e Partisë ka të tjerë militues që presin në radhë.

Përse u privohet kjo e drejtë anëtarësie? Pra një xhest largimi duhet të konsiderohet automatikisht

dorëheqje. Dhe jo kalim sa tek njëra forcë politike tek tjetra.

Për së pari nuk dot të kemi më forca politike që bëhen problem. Përshembull, LSI është sot një e tillë që ka grumbulluar të gjithë të ikurit nga të gjithë krahët. Kujtoni qeverisjen me PD, skandalet më të mëdha erdhën nga emrat që përfaqësonin këtë forcë politike. Kështu po ndodhe edhe sot në koalicionin qeveresisës. Një e tillë po bëhet edhe PDIU­ja. Madje edhe pse flet në emër të çemërve, ka kthyer misionin e saj në karrike dhe zyra administratash.

Nga ana tjetër puna e meritave, u bë një gangrenë shekullore në lidhje me etapat e tranzicioneve politike në vendin tonë. Mbajë mend se dikur ishin të privilegjuar ata që luftuan, që bën luftën sipas regjimit në pushtet. Më pas ata që quheshin të persekutuar, apo Lëvizja e dhjetoristave…, ata pa dosje etj. Lëvizja e Dhjetorit përmbysi një pushtet, jo për të imituar. Dhe nën pretendimin e meritave, dekoratave, të sundojë vendin. Apo brenda një Partie. Dhjetoristë ka djathtas, majtas, midis dhe dikund diku në heshtje. Një lëvizje i shërben vendit për një afat të caktuar. E rëndësishme si kudo është mundësia. Sot në Shqipëri ankohen ata që thonë se luftuan. Ankohen ata që thonë se u persekutuan. Ankohen ata që përmbysën diktaturën. Ankohen nënkryetarët për Kryetarët dhe formojnë Parti pa ndërprerje. Dhe nëse nuk formëzojnë, shtojnë radhët në ato të tipit LSI. Bëhen pjesëmarrës të shkeljeve statuore, idealeve etj, e mbas njëzet e kusur vitesh, herë si pushtetar dhe herë si opozitar, prapë i ankohen popullit. I qahen për njerëz llum në radhët e ishPartisë.

Një Parti nuk bëhet e mirë kur më pyet mua, por kur unë jam pjesëmarrës i saj dhe i mbroj idealet.Nuk mburrem dhe as nuk mbaj ato për dekorata. Kësisoj do të kemi edhe një jetë më të përgjeshme politike. Dhe për rrjedhojë një kohë ndryshe, pa tranzicionin e përjetëshëm made in Albania.

Nuk e di se çfarë mendojnë votuesit e Mesilës dhe të tjerë ikanikëve. Por ka ardhur koha që mandati tu mbetet juve. Dhe jo deputetit.

Filed Under: Featured Tagged With: deputetet, Ilir Levonja, Mesila, qytetarët

REFLEKSION PËR SHTATË FJALSHIN & E RESHIDA ÇOBËS

September 27, 2015 by dgreca

Nga Hasan SELIMI/
 “Luginës së gjinjve,/
Hutuar dallgë e bardhë, /
Harroi bregun”. /
 E nderuar Reshidë. Fort bukur ky lloj përkufizimi klasik dhe krejt filozofik. Nuk ka çka mendon tjetër njeriu vetëm misterin e kësaj strofe me nga dy fjalë. Mundem me i thënë vetëtimë, mundem me i thënë koncentrimi filozofik i çdo ngjarjeje.
Jeta vazhdon dhe njeriu duhet të ketë optimizëm. Thellësia e mendimit të vargut që ju bëni lenë me gojë hap çdo lloj kritiku sa do i shkathtë të jetë. E lenë me gojë hap se nuk di se çka me thënë tjetër, se çka me thënë më parë për këtë pamflet. Ja “Luginës së gjinjve” e kush nuk ka kaluar nga kjo anë me lëngun e jetës të dhënë nga nëna. E kush nuk hutohet, kur nëna gjirin fëmijës ia tregon. Nga ëmbëlsia dhe nga nevoja njeriu gjindet i pa asnjë pretekst tjetër vetëm me emocionin e gëzimit në gulçin e shpresës.
    Gjinj ka çdo nënë njeri, gjinj ka edhe nëna kafshë. Fëmijë ka nëna njeri, fëmijë ka edhe nëna kafshë, bile edhe shpend. Njësoj është. Dhimbje dhe dashuri ka nëna njeri, dhimbje dhe dashuri ka nëna kafshë, apo shpend. Në të gjithë gjinjtë ka jetë, në të gjithë gjinjtë ka dashuri, në të gjithçka ka gjinj, ka edhe seks ,sepse pa seks nuk do kishte gji, sepse pa seks nuk do të kishte lindje dhe pa lindje nuk do të ketë emocion gëzimi për gjirin e nënës.
Këtu më kujton Oshon, njërin nga filozofët më të kohës. Ai e shpjegon me një imtësi filozofike të pakrahasueshme zhvillimin dhe seksin, dashurinë dhe konfirmimin material deri tek fëmija që do të thërrasë nënë.
    Që të mos zgjatem tek i madhi Osho, ne duhet të përcjellim shtatë fjalët e poetes Reshida Çoba si një skenë në vazhdim, si një kapardisje për gjinjin e vet. Ju lutem kuptoni dhe mos e shpërdoroni poeten se Ajo po flet në Vetën e Parë. Ajo po flet për “Luginës së Gjinjëve”. E kush është femër dhe nuk ka pa gjinjtë e vet. E kush është mashkull dhe nuk ka pa gjinj. Cili nuk është marrosë prej atij objekti material jetësor kaq të pazëvendsueshëm. Ju keni pa nëna që nuk kanë qumsht në gjirin e vet pas lindje. Fëmijën e rritin me qumshtin e dhisë, apo të lopës së kuqe. Ky fëmijë e ka mallin e pashuar për gjirin e nënës. Herë pas here hapë gjoksin e nënës dhe puth gjinjtë edhe pse e di se qumësht aty nuk ka.
   “Hutuar dallgë e bardhë” Po, po qumshti është dallgë e bardhë. Ju keni parë edhe në reklama marketing se si bën dallgë qumshti. Ndoshta ju ka sjell puna dhe keni pa qumshtin në zjarr, kur zihet se si nxjerr shkumë të bardhë dhe ndërton një stom të madh shkume e qumshti bashkë, si vullkan që del nga bërthama e tokës, pastaj dirgjet në faqet e kovës si ortek në shpatet e bjeshkëve. Ja, ai qumsht që derdhet në zjarr fik krejt zjarrin. Pra, shuhet edhe zjarri nga qumshti. Edhe zjarri paska etje për qumsht dhe qumshti i shuan etjen.
      “Luginës së Gjinjëve”/“Hutuar dallgë e bardhë”/. Merre si në të vërtetë si ka ndodh shpesh herë. Shikon gjinjtë dhe mendja se ku nuk të shkon. Janë me të vërtetë të bardhë, me të vërtetë ka një luginë në mes tyre, ka edhe brigje në të gjitha anët, ngado që ti shikosh ka brigje, ka lugina, ka bardhësi pa fund. Të mos harrojmë ka shumë jetë, ka shumë dashuri, se dihet pa dashuri nuk ka jetë. Bile disa herë nuk kam qejf të përseris edhe dashuri, edhe jetë. Këto dy emra fjalë nuk kanë kuptim pa njëra- tjetren, bile ku shënon njerën ke shënuar të dyja.
E tash “Harroi bregun” po, po merre si ta marrësh. Në se e merr se harron të puthish buzën nuk ka asnjë faj askush. Para gjinjve nuk ka asnjë diçka tjetër që e zëvendëson. Tek njeriu ka shumë pragje, shumë brigje, shumë dilema, ndaj është materie më vehte. Në asnjë rast dashuria nuk shpërdorohet. Nuk ka koncept që mund të vërtetoj mendësinë e shpërdoruesit të dashurisë. Në se je me nënën, atëherë duhet të jetosh. Gjini i nënës është në atë moshë që gdhend vetëm në nevojën për jetë.
“Harroj Bregun”, po mundet të harrohet gjithçka edhe epshi i pa përmbajtur qendron pezull mbi gjinjtë e bukur të gruas nënë. Ka nga ata që e trajtojnë si t’u deshirojnë qejfi i tyre, por në këndvështrimin tim një nënë, e cila është edhe grua para saj dhe gjinjve të saj kanë një ndjesi të pamatshme. Sado pendë e guximshme të jesh nuk mund të përshkruash emocionin që të sjell epshi dhe pezullimi që të sjell mania e gjirit të nënës grua. Them nënë-grua, sepse çdo grua është nënë dhe çdo nënë është edhe grua. Tani, uroj që çdo grua të bëhet nënë.
Shtatë fjalët e Reshida Çobës më detyruan të shënoj gjithë këtë mendim timin për gjinjtë, për luginat e tyre, për dallgët që ato çojnë, për zanafillën biologjike dhe për atë më kryesoren për filozofinë e vargut të saj.
Por unë e kam fjalën për gjinjtë që ka lind nga nëna dhe jo për gjinjtë e harrnuar dhe të montuar, që në prekje ngjajnë si dru. Këtu e kam fjalën për gjinjtë, për ndjesinë që jep ai gji në misterin e tij, si diçka e padukshme, e imagjinueshme, e paimagjnueshme, që mendo e kujton dhe nuk guxon ta prekësh si e paprekshme dhe që nuk duron përçmim. E kam fjalën për gjirin si ushqimi fillestar nga nëna që të rritë dhe të pjek intelegjencën, të konsolidon llogjikën e të jep jetën. Për këtë lloj gjiri shkruan Reshida Çoba.
Këto shtatë fjalë janë një postulat, tezë e një mendimi të kualifikuar. Ju thashë më lart se duhet një simpozium i tërë të zbërthejë këtë shtatë fjalësh. Koncentrimi filozofik i vargut të Reshidës sjell me vete një thesë fjalë që duhet të seleksionohen. Gdhend fjalë, gdhend metaforë, gdhend realitet, gdhend epokë.
Autorja u nxori punë të gjithëve, mendoj unë. Për një shkreptim rrufeje pa re që përzhitë gati çdo mendje në harrim, jo si harresë, por si vëllim.
Aty nuk ka figura, pak dhe shumë, aty nuk ka legjenda, pak dhe pa fund, aty ka mister që askush ndonjëherë s’ka për ta njohur. Ka dhe transparencë që shihet nga kudo, aty ka gjithçka që gjen njeriu tek nëna.

Filed Under: ESSE Tagged With: Hasan Selimi, Reshida Coba, shtate fjaleshi

Dosjet sekrete dhe tranzicioni i Shqipërisë

September 27, 2015 by dgreca

Intervistë me dr.Lori Amy mbi diktaturën, dosjet sekrete dhe tranzicionin e Shqipërisë/

Dr.Lori Amy, pedagoge në Universitetin e Georgias, është duke shkruar një libër të ri mbi Shqipërinë, kujtimet traumatike dhe identitetin nën regjimin komunist dhe gjatë tranzicionit.Për librin e saj ajo po mbledh gjithë historitë që i treguar shqiptarët mbi komunizmin dhe tranzicionin, në mënyrë, që sic thotë, bota ta kuptojë se sa shumë kanë vuajtur ata.“Për 50 vjet në regjimin komunist, afro gjysëm shekulli izolim, dhe e shtypur brutalisht, Shqipëria pësoi vuajtje të mëdha. Shqiptarët po vuajnë ende nga pasojat e komunizmit, por gjysma e popullatës nën 30 vjeç po vuajnë përsëri gjatë tranzicionit” – thotë ajo.

Kjo është, sipas saj, një tjetër përvojë traumatike, ndonëse varfëria e thellë tani ndryshon shumë nga varfëria e regjimit komunist.“Në atë kohë ishin të gjithë të varfër. Ndërsa tani pak njerëz kanë pasuri të përqëndruar fort në duart e tyre, ndërsa pjesa tjetër e popullit po varfërohet vazhdimisht. Diktatura shkatërroi besimin dhe çdo mundësi për besim” – thotë zonja Amy.

Një tjetër pasojë traumatike që regjimi ia përcolli tranzicionit është se tani njerëzit nuk kanë më besim që mund të arrijnë diçka me përpjekje, sepse besimi i tyre u tradhtua dhe u shkatërrua, por në 25 vjetët e fundit pak njerëz flasin për vlerat dhe shumica flasin vetëm mbi përfitimet, thotë dr. Lori Amy.

“Ekziston një boshllëk i madh midis përvojave dhe kujtimeve ndërmjet brezave të vjetër, të mesëm dhe të rinj. Kanë ndodhur shumë ngjarje të dhunshme, që nuk po përcillen si informacion nga një brez në tjetrin dhe zhvillimet e vërteta po harrohen pa u ndriçuar plotësisht”- shtoi ajo.

Sipas saj, është e kotë frik se gjoja hapja e dosjeve do të shkaktojë tension tek njerëzit që do të mësojnë kush i spiunoi, dhe ata mund të zemërohen dhe të kundërveprojnë.

Në vitin 2010 dr. Amy intervistoi shumë të burgosur politikë në Shqipëri dhe mblodhi shumë histori.

Prej tyre doli se këtu të gjithë viktimat i njohin gjyqtarët që i dënuan, prokurorët dhe dëshmitarët.

Ajo mendon se koha kur ata mund të sulmonin persekutorët e tyre ka kaluar, ndërsa nëpër dosjet e Sigurimit të Shtetit janë pa u zbuluar informatorët e niveleve të ulëta, në atë pjesë materialesh që kanë mbetur, sepse shumë prej tyre janë shkatërruar.

“Kur të nisë leximi i atyre të dhënave, unë pyes a kemi mundësi të ndalim një çast dhe të interesohemi jo se çfarë ka ndodhur, por pse dhe si ndodhi që pati aq shumë informatorë. Nëse ne do të studiojmë si ndodhi, atëherë ne do të zbulojmë strukturën e terrorit” – thotë dr. Ami.

Ajo mendon se çdokush në atë sistem ishte, në një mënyrë a në një tjetër, viktimë e dhunës së asaj strukture. Njerëz të ndryshëm e pësuan atë dhunë në mënyra të ndryshme.

Sipas saj, nëse njerëzit merren me pjesët e vogla të secilës ngjarjeje, atëherë do të humbin pamjen e plotë që duan të zbulojnë. Pastaj edhe lustrimi është çështje me rëndësi.

“Publiku e di mirë se kush ishte në zyrat e larta të regjimit komunist dhe më vonë gjatë 25 vjetëve tranzicion. Ata kishin në dorë gjithë dokumentat sekrete për veten e tyre dhe i shkatërruan ato. Ata nuk mund të linin pas dokumenta që njollosnin figurën e tyre. Kjo nuk është një çështje që zbulohet nga dosjet” – thotë ajo, duke shtuar se njerëz të regjimit komunist nuk duhet të mbajnë poste shtetërore në sistemin e ri, por kjo është një detyrë e vështirë.

Dr. Amy është gjithnjë pro që dosjet të hapen për arsye studimore, për të parë historinë e vendit, sepse qytetarët nën 30 vjeç nuk e dinë as nga vijnë. Hapja e dosjeve duhet të jetë një proces analizash kritike pse ndodhi ajo dukuri.

“Nëse mendojmë se hapja e dosjeve do të sjellë drejtësinë, – thotë studiuesja – ne mund të tradhtohemi përsëri, ne mund të zhgënjehemi përsëri. Drejtësia nuk do të vijë për shkak të hapjes së dosjeve. Drejtësia do të vijë kur secili prej nesh të përballet me të vërtetën për çfarë ka ndodhur në të kaluarën”.

Sipas saj, hapja e dosjeve është vetëm një përmasë e përballjes me të vërtetën, por hapja e dosjeve ka rrezik të keqpërdoret për konsum dhe për pushtet, si ka ndodhur për 25 vjet.

“Pyetja nuk është a duhen hapur dosjet, por si duhen hapur ato. Nuk është aq e thjeshtë; hyn aty, marr dosjen, e hap dhe e lexon çfarë ka brenda. Dokumentat duhen sistemuar, skeduar, arkivuar, dixhituar dhe ndarë në mënyra shkencore; këto procese nuk janë aspak të lehta” – tha dr. Amy.

Ajo mendon që hapja e dosjeve do të thotë analizë e tyre, çfarë, si dhe pse ndodhi. Sipas saj, kjo analizë është themelore, sepse shumë nga funksionet e atij regjimi vazhdojnë të zbatohen edhe tani.

“Kur të kuptojmë se çfarë ndodhi nën atë regjim, ne mund të përdorim analizën për të parë se si dhe pse strukturat e totalitarizmit vazhdojnë edhe sot. Përfitimi i vërtetë është se si të përfshihemi në mënyrë të frytshme në procesin e hapjeve e dosjeve” – thotë ajo.

Dr. Amy thotë se kur vizitoi për herë të parë Shqipërinë gjeti një vend kaq të pasur me histori, arkeologji dhe minerale, por që kishte një popull aq të varfër.

Libri i saj shpjegon se si kaloi Shqipëria nga Lufta e Ftohtë, nga e cila Shqipëria ende ka pasoja, në kohën e re.

Studimi përpiqet të shpjegojë se si mbërritën shqiptarët deri këtu, a munden ta ndryshojmë këtë trajektore dhe si mund të jetojnë më mirë në këto rrethana.

Dr. Amy thotë se ky libër u drejtohet brezave të rinj në Shqipëri, që ata të mësojnë dhe të kuptojnë çfarë ka ndodhur në vendin e tyre, sepse vetëm kështu ata mund të përfytyrojnë të ardhmen e tyre.(Intervistoi:Ilirian Agolli- VOA)

Filed Under: Interviste Tagged With: dosjet sekrete dhe tranzicionin e Shqipërisë, Dr. Lori Amy, Ilirian Agolli, Interviste

Papa, të burgosurve: jam këtu si vëlla, për të ndarë dhimbjen

September 27, 2015 by dgreca

Menjëherë pas takimit me ipeshkvijtë, Papa Françesku shkoi në burgun më të madh të Filadelfias, burg për meshkuj, ku ai u takua me të burgosurit, duke ndarë me ta gjendjen e tyre aktuale e duke u lutur së bashku me ta për dhimbjet e shpirtit të tyre:  “Kam ardhur sidomos si vëlla, për të ndarë gjendjen tuaj e për ta bërë timen; kam ardhur që të lutemi së bashku e t’ia paraqesim Zotit gjithçka na dhemb e gjithçka na inkurajon, për të marrë prej Tij, forcën e Ringjalljes”, tha Ati i Shenjtë.

Duke u nisur nga pjesa ungjillore në të cilën Jezusi u lan këmbët dishepujve, në Darkën e Mbrame, Ati i Shenjtë kritikoi ato sisteme burgosjeje, ku nuk bëhen përpjekje për t’u kujdesur për plagët e njerëzve, nuk shërohen ato e nuk krijohen mundësi të reja. Papa këshilloi që periudha e jetës, të cilën njerëzit që kanë gabuar në udhën e tyre e kalojnë në burg, të shndërrohet në ndihmë për të burgosurin që ai të hyjë sërish, kryelart, në shoqëri, sepse shpesh, plagët e të burgosurit janë edhe ato të vetë shoqërisë.

“Jetoni – u tha 100 të burgosurve Bergoljo – një çast të vështirë, plot tension, të dhimbshëm për ju, por edhe për familjet tuaja, për gjithë shoqërinë. Një çast, që në jetën tuaj, mund të ketë vetëm një qëllim: t’ju shtrijmë dorën për të rimarrë udhën, t’ju shtrijmë dorën për t’ju ndihmuar në reintegrimin shoqëror. Një integrim në të cilin bëjmë pjesë të gjithë, të cilin të gjithë jemi të thirrur ta nxisim, ta shoqërojmë e ta realizojmë. Një integrim i kërkuar e i dëshiruar nga të gjithë: të burgosur, familje, funksionarë, politika shoqërore dhe edukative. Një reintegrim, që i bën mirë dhe e ngre nivelin moral të gjithë bashkësisë”.

Papa, ipeshkvijve: bindini të rinjtë se familja është kryevepra e Zotit/

Shtegtimit të dhjetë apostolik të Papës Françesku në Kubë e në SHBA-të po i vjen fundi. Sot, Ati i Shenjtë ndodhet akoma në Filadelfia për Takimin Botëror të Familjeve, ku fillimisht u prit nga ipeshkvijtë e mbledhur në këtë qytet pikërisht për Takimin. Më pas, takoi të burgosurit në Institutin Curran-Fromhold, burgu më i madh për meshkuj i Filadelfias. Sonte, në orën 22.00, me atë evropiane, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën për mbylljen e Takimit VIII Botëror të Familjeve e pasi të përshëndesë në aeroport, komitetin organizator, vullnetarët dhe bamirësit e këtij udhëtimi, do të kthehet në Vatikan. Por t’i kthehemi takimit të sotëm me ipeshkvijtë nga e gjithë bota.

Sfidat e sotme të familjes

I përqendruar mbi familjen, mbi sfidat që ka përpara në epokën bashkohore dhe mbi përgjigjet, që duhet të japë Kisha: edhe kësaj herë, në fjalën e tij, Papa Françesku vuri në dukje argumentet, që ka më për zemër, qendra e këtyre ditëve në Filadelfia me familjet e mbarë botës. “Familja – nënvizoi Papa – është vendi themelor i besëlidhjes së Kishës me krijimin e Zotit”, është kryevepra e krijimit të Tij. Duke marrë si shembull ndryshimin e një dyqani të thjeshtë, nga një vend ku njerëzit gjenin të gjitha gjërat, që u duheshin, pavarësisht se jo në shumëllojshmërinë e sotme, në një supermarket, ku nuk ke asnjë lidhje me shitësin, asnjë afërsi me të tjerët, Papa Françesku vuri në dukje se është konsumi ai, që vendos për gjithçka. Konsumohen kështu edhe marrëdhëniet, miqësitë, fetë, duke e bërë të afërmin, njeriun, gjithnjë e më pak të rëndësishëm:

  “Kjo sjellje lind një kulturë, që hedh poshtë çdo gjë që ‘nuk duhet më’, ose ‘nuk kënaq’ shijet e konsumatorit. Kjo sjell një plagë të madhe, një vetmi radikale, në të cilën detyrohen të zhyten shumë njerëz. Vetmi, që ka frikë nga impenjimi, në përpjekjen e shfrenuar për t’u ndjerë dikushi. …Por do të gabonim po ta interpretonim këtë ‘kulturë’ të botës aktuale vetëm si pakënaqësi ndaj martesës e familjes, për shkak të një egoizmi të thjeshtë. Shumë të rinj, në gjirin e kësaj kulture frenuese, kanë bërë të tyren një lloj frike të pavetëdijshme. E paralizohen para hoveve më të bukura e më të larta, edhe kur janë të nevojshme. E shtyjnë martesën, në pritje të kushteve për mirëqënie ideale. E ndërkaq, jeta konsumohet, pa shije”.

Mos shpjegoni, ftojini të rinjtë të kenë guxim

Papa tregoi se e njeh mirë kulturën e rrjeteve shoqërore, sa të nevojshme aq edhe pa asnjë lloj qëllimi, përveçse dëshirës për të pasur sa më shumë ndjekës, nëse përdoren thjesht për të kaluar një çast të ditës, i cili kthehet në një çast të jetës. Shijet e vërteta për jetën, nënvizoi Papa, i cili ftoi të mos kritikohen më kot të rinjtë, piqen me kalimin e kohës e janë fryt i investimit bujar të pasionit, të inteligjencës e të entuziazmit. E ç’duhet të bëjnë barinjtë e Kishës?

   “Jemi të thirrur t’i mbledhim forcat e të nxjerrim sërish në dritë entuziazmin për lindjen e familjeve, që i përgjigjen më shumë bekimit të Zotit, sipas vokacionit të tyre! Jo aq duke shpjeguar e rishpjeguar të këqiat e kushteve aktuale të sotme dhe të mirat e krishterimit, sa duke i ftuar haptas të rinjtë të marrin guximin e të zgjedhin martesën e familjen. Duhet t’u tregojmë se Ungjilli i Familjes është vërtet ‘Lajm i Mirë’ në një botë ku duket sikur mbretëron vetëm kujdesi për vetveten! Këmbëngulja në formimin e familjes e në zhvillimin e saj e shndërron botën dhe historinë”.

Ngjajini nënës e babait

Që këndej, detyra e meshtarëve, rregulltarëve dhe ipeshkvijve të vigjëlojnë mbi jetën dhe zhvillimin e besimtarëve, pa fjalime, por me kujdes baritor, me lutje, duke i ngjarë nënës e babait e jo një njeriu, që ka mësuar të jetojë pa familje. Bariu i mirë, tha Papa, heq dorë nga dashuria e familjarëve të vet për t’ua kushtuar të gjitha forcat, me ndihmën e Zotit, bekimit të dashurisë ndërmjet burrit e gruas, që plotësojnë planin e krijimit të Zotit:

    “Shërbimi ynë ka nevojë ta çojë më tej besëlidhjen e Kishës me familjen. Përndryshe thahet, dobësohet, meket e, familja njerëzore largohet pa pushim, për fajin tonë, nga Lajmi i Mirë, që na ka dhënë Zoti. Familja është aleatja jonë, dritarja jonë mbi botën, evidenca e bekimit të pakthyeshëm të Zotit për të gjithë bijtë e kësaj historie të vështirë e të bukur të krijimit, së cilës, Zoti na ka kërkuar t’i shërbejmë”.

Filed Under: Komente Tagged With: Papa me te burgosurit, Takimi me Ipeshkvijte

Papa me viktimat e abuzimit seksual: përgjegjësit do të japin llogari

September 27, 2015 by dgreca

Të dashur vëllezërit e motrat e mia në Krishtin, jam i lumtur që më jepet rasti t’ju takoj: prania juaj është bekim për mua. Faleminderit që erdhët këtu, sot. Fjalët nuk arrijnë të shprehin plotësisht dhimbjen time për abuzimet, që keni pësuar. Jeni bij të çmuar të Zotit e do të duhej të prisni gjithnjë mbrojtjen tonë, kujdesin e dashurinë tonë. Më vjen thellësisht keq për faktin se pafajësia juaj është dhunuar nga ata, të cilëve ju u besonit. Në disa raste, besimi është tradhtuar nga anëtarë të vetë familjes suaj, në raste të tjera, nga meshtarë, që kanë përgjegjësinë shenjte të kujdesen për shpirtrat. Në çdo rast, tradhtia është dhunim i tmerrshëm i dinjitetit njerëzor.

Për të gjithë ata, që kanë pësuar abuzime nga ana e një anëtari të klerit, më vjen thellësisht keq për të gjitha herët, që ju apo familjet tuaja keni denoncuar abuzimet e nuk ju kanë dëgjuar, ose nuk ju kanë besuar. Ju lutem ta besoni se Ati i Shenjtë ju dëgjon dhe ju beson. Më vjen thellësisht keq që disa ipeshkvij nuk e kanë kryer detyrën e tyre për të mbrojtur fëmijët. Është shumë shqetësuese të dish se në disa raste, kanë qenë vetë ipeshkvijtë ata, që kanë kryer abuzime. Ju premtoj se do të ndjekim udhën e së vërtetës, kudo të na shpjerë. Kleri dhe ipeshkvijtë do të thirren të japin llogari nëse kanë abuzuar me fëmijët, ose nuk kanë qenë në gjendje t’i mbrojnë.

Jemi mbledhur këtu në Filadelfia, për të kremtuar atë dhuratë të Zotit, që është jeta familjare. Brenda familjes së fesë e në familjet tona njerëzore, mëkati dhe krimi i abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve nuk duhet të jenë më sekret e turp. Ndërsa presim Vitin jubilar të Mëshirës, prania juaj – bujare, pavarësisht nga zemërimi dhe vuajtja, që keni provuar – na zbulon zemrën e mëshirshme të Krishtit. Historitë tuaja prej viktimash, secila unike dhe mallëngjyese, janë shenjë e fuqishme e shpresës, që vjen nga premtimi se Zoti do të jetë me ne, përgjithmonë.

Më vjen mirë që keni sjellë me vete anëtarë të familjes e miq në këtë takim, sot. U jam mirënjohës atyre për mbështetjen plot dashuri për ju e lutem që njerëzit e Kishës të dinë t’i përgjigjen nevojës për t’i shoqëruar ata, që kanë pësuar abuzime. Porta e mëshirës qoftë gjithnjë e hapur në dioqezat tona, në famullitë tona, në shtëpitë e në zemrat tona, për të pritur ata, që kanë pësuar abuzime e, për të kërkuar udhën e faljes, me besim në Zotin. Ne premtojmë ta mbështesim shërimin tuaj e të jemi gjithnjë vigjilentë për të mbrojtur fëmijët e sotëm e të nesërm.

Kur dishepujt, që ecnin pranë Jezusit për në Emaus, e njohën se Ai ishte Zoti i Ringjallur, i kërkuan të rrinte me ta. Si ata dishepuj, unë lus me përvuajtëri ju dhe të gjitha viktimat e abuzimeve të rrinë me ne, të rrinë me Kishën, që, së bashku, si shtegtarët në udhëtimin e fesë, të gjëjmë rrugën për të arritur tek Ati Qiellor.

Filed Under: Kronike Tagged With: e abuzimit seksual, Papa me viktimat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3504
  • 3505
  • 3506
  • 3507
  • 3508
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT