• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dënimi me vdekje jepet edhe nga gjykata edhe nga shteti

September 19, 2015 by dgreca

Nga Saimir LOLJA/

Shteti dhe regjimi politik janë dy gjëra të ndryshme, dy gjysma që përbëjnë një vend me një emër të caktuar, dy gjysma që plotësojnë njëra tjetrën dhe që i kanë të ndara veprimet. Regjimi politik në një vend mund të jetë parlamentar, presidencial, mbretëri, popull-mbret (“republikë”), “demokraci”, “diktaturë”, fetar ose jo fetar, etj. Regjimi politik përfaqson “sovranin” i cili ripohon duke i ligjëruar detyrat natyrale të një shteti dhe më pas nuk i ndërhyn shtetit (qeverisë) në zbatimin e tyre; dhe anasjelltas, shteti nuk ndërhyn në formën apo punën e regjimit politik. Kushtetuta është dokumenti themeltar i “një ndërtese të ngritur mbi një tokë”, ku në themel është shteti dhe në çati është regjimi politik.

            Regjimi politik është dhunues (“diktaturë”) kur me autoritetin e tij dhe nëpërmjet shtetit kur kërkon bindje absolute ndaj regjimit politik të vendit, kur nuk lejon lëvizjen e lirë të qytetarëve përtej kufinjve të shtetit, kur nuk pranon [dhe dënon] lirinë e fjalës së lirë, kur nuk lejon të ndiqen rrugët e shpirtërimit drejt zotit, si dhe kur një rrugë të besuar drejt zotit e kthen në mjet sundimi dhe kufizimi absolut duke përjashtuar çdo mendim tjetër. Rregjimi politik është i hapur dhe jo dhunues kur pranon lirinë e shprehjes së mendimit të lirë, lirinë për të zgjedhur shpirtërisht rrugën e lumturimit drejt zotit, si dhe lirinë e lëvizjes se njerëzve.

            Detyrat natyrale të një shteti janë sigurimi i shtetit, i jetës, i dokumentacionit, i pasurisë, i pronës, i pasurive natyrore, i prodhimeve dhe ndërtimeve, i grupeve shoqërore, i individit dhe edukimit të tij, i marrëdhënieve midis qytetarëve, i lëvizjes, i ndarjes së punës dhe i trashëgimisë kombtare. Së bashku këto formojnë një platformë e pa diskutueshme shtetërore e cila qëndron mbi çdo interes, dëshirë, emocion, pëlqyeshmëri, ndjenjë apo kuptim vetjak të kujtdoqoftë. Forma dhe përfaqësuesit e regjimit politik shkojnë dhe vijne kurse shteti nuk ndryshon. Nga ana e tij, institucioni i qeverisë nuk mund të shplajë nga duart përgjegjësitë e mësipërme duke i ngatërruar ato me fjalë të tilla si gjykatat, drejtësia, “demokracia”, të cilat i përkasin regjimit politik. Sepse liria e besimit dhe e fjalës së lirë as nuk është e barabartë dhe as nuk nënkupton liri veprimi për kriminelët, terroristët, spiunët, sabotatorët dhe grabitësit. 

            Qeveria është organi më i lartë i shtetit kurse gjykatat dhe prokuroria janë organe të regjimit politik, p.sh. të Kuvendit dhe Presidentit. Në kohë paqeje dhe lufte, për arësye shtetërore, për raste të parashikuara saktë dhe vulosur ligjërisht, shteti mund të zbatojë dënimin me vdekje ose jo pavarësisht nëse atë e japin ose jo gjykatat qytetare dhe ushtarake të regjimit përkatës politik. Kur krahasohen se ç’bëhet në dy vende, kuptim ka kur krahasohet shtet me shtet ose regjim politik me regjim politik, polici me polici, gjykatë me gjykatë; dhe është e pakuptimtë të krahasohet policia ose qeveria ose shteti me formën regjimin politik në atë vend. Nuk ka lidhje “përparimi demokratik” (Përkthimi në Shqip?) me mosruajtjen e shtetit dhe mosdhënien e dënimeve për kriminelët, terroristët, spiunët. Nuk ka patur ndonjëherë ndokund e as nuk do të ketë, as edhe në të folur, “polici demokratike” apo “ushtri demokratike”. 

            Në disa shtete të ShBA, Bashkimit Europian, Kanadasë, etj. nuk është e nevojshme për gjykatën të ketë të drejtën ligjore të dhënies së dënimit me vdekje. Sepse në këto vende e ka të drejtën për të vrarë drejtpërsëdrejti në rrugë edhe polici i shtetit, mjafton që një përson të paraqitet kërcënueshëm me armë ose thikë dhe nuk i bindet urdhërit të policit. Në rastet e kriminelëve dhe terroristëve të përndjekur të cilët nuk dorëzohen dhe vazhdojnë të keqen e tyre, shteti dërgon skuadrat e asgjesimit të cilat kryejnë detyrën e gardhimit të rrezikshmërisë së pakontrollueshme dhe asnjanësimit të saj. Për shkak të ngarkesës së madhe që kanë policët e shtetit në rrugët e SHBA, Kanada, etj. dhe lirive për të marrë vendime të shpejta sa herë që përballohen me një situatë kërcënuese dhe jo bindëse, ndodhin edhe raste kur policët shkelin kufinjtë e lejuar apo kushtet e hyrjes në veprim. Për shëmbull: vrasja e një të riu me thikë në një tramvaj të Torontos në Kanada më 27 Shkurt 2013, vrasja e nje personi me duart lart nga policia në Teksas të ShBA më 1 Shtator 2015, etj. Në raste të tilla, gjykata mbledh hetimet dhe merr vendim mbi veprimet e policëve.

            Policia “demokratike” amerikane ka vrarë drejtpërsëdrejti në rrugë mbi 680 persona vetëm në tetë muajt e parë të vitit 2015. Për të mënjanuar sa më shumë keqpërdorimet e detyrës nga ana e policëve në SHBA dhe Kanada , atje ka filluar programi i vendosjes mbi trupin e policëve të aparateve që regjistrojnë pamjen dhe zërat. Si do që të vërvitet çeshtja, një pyetje mbetet: A mund të mbahen në këmbë vende të mëdha dhe me popullata të ndryshme, si për shembull SHBA dhe Rusia, pa një polici shteti dhe gjykata të forta? Të dy këta vende “demokratike” kanë 1% të popullsisë në burg.

            Kodin Penal e zbatojnë gjykatat. Në Kodin Penal që hyri në fuqi në vitin 1952 dënimi me vdekje përkufizohen në 31 Nene të tij ku peshë të madhe kishin ato që quheshin si krime kundër shtetit [politik]. Kodi Penal i vitit 1977 pati 33 Nene që përmbanin dënimin me vdekje ku rëndoheshin më shumë dënimet për arësye politike dhe ideologjike (mendim ndryshe); për shembull, pati njërëz që u dënuan me vdekje pse shkrojtën vjersha. Në anën tjetër, ashpërsia e dënimeve kundër vrasësve, së pari të atyre të gjakmarrjes, ndikoi pozitivisht sepse nga 17% që ato zinin në vitet 1945-1950, 13.5% në vitet 1951-1955, në vitet 1965-1989 nuk pati më krime të atilla.  

            Kodi Penal i vitit 1988 i tkurri në 22 Nenet që përmbanin dënimin me vdekje. Pas vitit 1991, ndërsa krimet politike dhe ideologjike u shfuqizuan me ligj, krimet kundra shtetit dhe njerëzve morën të përpjetën. Megjithatë, regjimi i ri politik vazhdoi tkurrjen e dënimeve me vdekje dhënë nga gjykatat dhe me ligjin Nr. 7769 më 16 Nëndor 1993 Kodi Penal ngeli me 16 Nene të tilla. Deri në Qershor 1995, shpërndarja sipas viteve të dënimeve me vdekje dhënë nga gjykatat dhe të kryera ishte: 5 (1990), 6 (1991), 14 (1992), 7 (1993), 6 (1994), 1 (1995). 
            Kodi Penal i Qershorit 1995 mbeti me 13 Nene që përkufizonin dënimin me vdekje dhënë nga gjykatat në kohë paqeje. Po në Qershor 1995, Shqipëria u pranua anëtare e Këshillit të Europës së Bashkuar. Pasi nënshkroi Protokollin Nr. 6 me të dhe e pranoi ligjërisht (“ratifikoi”) në Kuvend, dhe në pajtim me Nenet 116 e 122 të Kushtetutës së Shqipërisë, regjimit politik të Bashkimit Europian iu njoh sovranitet i sipërm [me autoritet korrigjues] mbi atë të Republikës së Shqipërisë në rastet e marrëveshjeve politikë midis tyre. Një kusht për anëtarësim në Këshillin e Europës së Bashkuar ishte pranimi edhe i Marrëveshjes Europiane për të Drejtat e Njeriut e cila nuk lejonte të jepej dënim me vdekje nga gjykatat edhe i këshillës ngrirëse për të pezulluar për tre vjet zbatimin e dënimeve me vdekje të dhëna nag gjykatat. Prandaj, ndonëse gjykatat dhanë dënime të merituara me vdekje për 17 persona në vitet 1996-1995, ato nuk u zbatuan për shkak të atij kushti ngrirës që pat rënë nga Këshilli i Europës.

            Dhe më 10 Dhjetor 1999, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë shfuqizoi si të papajtueshëm me Marrëveshjen Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe me Kushtetutën e Shqipërisë të drejtën e dhënies së dënimit me vdekje në kohë paqeje vetëm (vetëm!) nga gjykatat qytetare dhe ushtarake, por jo nga shteti. Me atë rast, u çligjëruan Nenet 29/1, 31, 73, 74, 75, 77, 78, 79, 109, 141, 208, 209, 219, 221, 230 dhe 334 të Kodit Penal Qytetar dhe Nenet 59/2 dhe 77 të Kodit Penal Ushtarak. Në rast lufte Kodi Penal ushtarak përmbante edhe gjashtë raste të tjera për të cilat gjykakat ushtarake jepnin dënimin me vdekje, veçse ato Kuvendi i shfuqizoi me ligin Nr. 9722 më 30 Prill 2007. (Eh sa mirë, nuk ka patur, nuk ka, nuk do të ketë armiq, kriminelë, terroristë, spiunë, dezertorë, tradhëtarë, grabitës!).

            Njëkohësisht në atë vendim, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e mirënjihte Nenin 2.2 të Marrëveshjes Europiane për të Drejtat e Njeriut e cila sqaronte se shteti e jep dënimin me vdekje kur një gjë e tillë është absolutisht e domosdoshme, kur shkaktohet për shkak të përdorimit të forcës, kur nevojitet vetmbrojtje ndaj dhunës së paligjshme, kur kryhet një arrestim i ligjshëm ose pengohet arratisja, kur shtypet një kryengritje e paligjshme. Dhe në përputhje me Nenin 17.1 dhe 21 të Kushtetutës së Shqipërisë domethënë se për arësye shtetërore, për arësye të sigurisë së përbashkët të popullatës, për arësye të mbrojtjes së të drejtave të të tjerëve, për arësye të sigurisë së tërësisë territoriale dhe qenies politike si shtet i pavarur, policia, ushtria dhe shërbimet e fshehta në varësi të qeverisë [edhe prokuroria dhe gjykatat, kur lejohet] e kanë lirinë me zbatuar dënimin me vdekje në rastet absolutisht të domosdoshme. 

            Konditat dhe rradhitja e veprimeve për të kryer një vrasje të lejuar nga një polic ose skuadër policie dhe për të marrë një vendim më vdekje nga një gjykatë sqarohen me imtësi dhe ligjërohen në Kuvend që më parë. Sepse, saç është i domosdoshëm sigurimi i shtetit po aq është i domosdoshëm edhe mbarëvajtja e sigurimit të shtetit. Siç nuk mund të lihet policia e shtetit të livadhisë pa kontroll, po ashtu nuk mund të lihet të livadhisë pa kontroll edhe gjykata. Një gjykatës i ndotur (i “korruptuar”) është drejtpërsëdrejti edhe bashkëpunëtor me kriminelët, terroristët dhe shkelësit e ligjeve edhe nxitës i kriminalitetit. A nuk janë të tillë tre gjykatësit në Shkodër që liruan një vrasës i cili më pas kreu vrasjen e dy turistëve çekë në Qershor 2015?

            Shfuqëzimi më 10 Dhjetor 1999 prej Gjykatës Kushtetuese vetëm të dënimeve me vdekje dhënë nga gjykatat qytetare dhe ushtarake në kohë paqeje shkaktoi krisje në vendosjen e sigurisë së përbashkët dhe nxiti kriminalitetin e veçuar dhe atë të organizuar. Policia e shtetit dhe qëllimi i shërbimit të saj nuk ka pse të nëpërkëmben nga një vendim politik i detyruar i atillë i pranuar prej regjimit politik; themelet janë themele, çatia është çati. 

Neni 21 i Kushtetutës së Shqipërisë është vetëm një fjali: “Jeta e personit mbrohet me ligj”. Kjo fjali domethënë mbrojtje të jetës ndaj shkakut dhe veprimit të qëllimshëm që e cënon jetën. Në rastet e vdekjeve për shkak të gjëmave natyrore, veprimeve të paqëllimshme dhe vetvrasjeve, edhe Neni 21 urdhëron që të kryhen të gjitha përpjekjet për të parandaluar vdekjet ose për të shpëtuar jetën pas ngjarjeve. Në rastin kur si shkak është veprimi i qëllimshëm i një krimineli ose terroristi, në qoftë se Neni 21 nuk do urdhëronte asgjësimin e atij shkaku, atëhere ky përdorim ligjor i Nenit 21 mohon vetë Nenin 21. A mund ta mbrojë jetën Neni 21 duke mbrojtur shkakun që e kërcënon jetën, duke mos e asnjanësuar përfundimisht me dënim me vdekje kriminelin apo terroristin të cilët me qëllim mbesin gjithmonë kërcënues dhe sulmues kundrejt jetës? 

Dënimi me vdekje i kriminelëve dhe terroristëve është sa i domosdoshëm aq dhe ligjërisht i detyrueshëm të kryhet me të paktën një nga dy mënyrat: nga shteti dhe nga gjykata. A është i vështirë dallimi i tyre? Ç’humbje ka shoqëria nga vrasja dhe dënimi me vdekje i një krimineli apo terroristi? Kaq pa vlerë është jeta e një polici, ushtaraku, qytetari të thjeshtë që të helmohet apo vritet nga kriminelët dhe terroristët? A ishte normale që në Qershor 2015 policia e shtetit të shkonte në fshatin Lazarat të Gjinokastrës më pushkë druri dhe kriminelët të vritnin dhe plagosnin policë, kurse ato vetë të mos pësonin gjë?

            Mafia ose [e thënë butë] krimi i organizuar është trekëndëshi politikë-biznez-krim. A egziston ky trekëndësh në Shqipëri? A ka mafie në Shqipëri? A nuk e dëshiron vetëm mafia lirimin e kriminelëve dhe heqjen e dënimit me vdekje ngase vetëm ajo përfiton? A bëhet mbulesë krimi i veçuar për krimin e organizuar? Sepse me kërcënimin e kriminelëve, veçanërisht kur ato lirohen dhe nuk dënohen, mafia sundon popullin. Mafia ka nevojë për skllevër dhe xhungël ku sundohet duke përdorur kërcënimin nga egërsirat. Mafia bie shpejt pre e spiunazheve të vendeve armike apo rrjeteve terroriste botërore dhe e keqja e saj shumëfishohet. Mafia nuk ka për qëllim mirëqenien e përbashkët të popullatës, edukimin dhe përparimin e kombit. Mafia është errësia, egërsia, dhuna, prapambetja kurse qytetaria është drita, butësia, mirësjellja, përparimi. Në një vend të përparuar, shteti dhe regjimi politik janë mekanizmat që mirëmbajnë rregullin, organizimin dhe mbrojtjen e popullatës. Qytetaria ka nevojë për qytetarë të lirë që respektojnë njëri-tjetrin, vendin dhe meritën e njëri-tjetrit, mendimin e lirë dhe punojnë për të mirën e përbashkët. 

            Një shtet dhe regjim politik rrumpallë shërohet me një shtet të fortë dhe regjim politik me bosht kombtar dhe qytetarie për të mirën e përbashkët. Një shtet i i mirëorganizuar domethënë se çdo njeri ka vendin e vet të merituar me punë dhe çdo vend ka një njeri. Një shtet i mirëorganizuar domethënë se qytetarët, shteti dhe regjimi politik ndihmojnë për sigurinë, dokumentimin, mirëqenien, punën, prodhimin, edukimin, përparimin dhe mbrojtjen e përbashkët. 

            Nga një tokë nën kujdes do lindin lule dhe prodhime të mbara. Një tokë e lënë djerr do mbushet me ferra, do bëhet ferr, ku dallohen vetëm egërsirat dhe ulërimat e tyre. Një periudhë rrumpallë ka një anë të mirë se u krijon kushte edhe njerëzve edhe egërsirave të shprehin sinqeritetin e tyre. Një vend rrumpallë ka një çorganizim të organizuar mirë nga njërëz të këqinj, të papërshtatshëm, me qëllime të mbrapshta dhe ka nevojë për rregullim, vendosje të njerëzve dhe gjërave në vendin e duhur. Ay rregullim lind si nevojë për të qenë në harmoni me natyrën, për të krasitur të keqen, për të rivendosur baraspeshën e lirive, për t’u shkëputur nga parregullsia, nga egërsia, nga errësira, nga kaosi. Ordo ab Chao.

Filed Under: Analiza Tagged With: denimi me vdekje, edhe nga shteti, jepet edhe nga gjykata

“Zoja e Shkodrës” – Fillon proçesi për shpëtimin dhe konservimin e ikonës

September 19, 2015 by dgreca

Piktura e Zojës së Shkodrës, ose siç njihet edhe ndryshe me emrin tjetër “Zoja e Këshillit të Mirë”, vepra në telajo e shekullit XIX, pasi i shpëtoi masakrës së kulteve dhe mbijetoi në muzeun ateist të Shkodrës deri në vitin 1990, sot ruhet në Famullinë e Shën Shtjefnit nën kujdesin e Dom Artur Jaku.Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro pasi e ka vizituar gjatë këtyre ditëve nga afër këtë thesar të trashëgimisë, dhe pasi ka konstatuar dhe dëmtitet e saj, ka njoftuar se do ti nënshtrohet procesit të restaurimit.

‪‎Edlira Çaushi dhe skuadra e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë filluan punën për të shpëtuar dhe konservuar ikonën.Zoja e Shkodrës, është një ikonë e Shën Marisë me Jezusin fëmijë. Kjo ikonë gjendej në kishën kushtuar Sh. Marisë në Shkodër.ZOJA E SHKODRES

Sipas dëshmive të ndryshme të asaj kohe, thuhet se ikona braktisi kishën rrëzë kalasë së Rozafës me 25 prill 1467, pak para pushtimit të qytetit nga turqit, që kërcënonin ç’shenjtërimin e kishës, dhe mori rrugën fluturimthi duke kaluar detin drejt Italisë, e mbajtur nga dy engjëj.

Në Itali, ikona e Zojës së Shkodrës u vendos në kishën e Gjenacanos, një kishë ndërtuar që në shekullin e dhjetë.

Këshilli i katërt i peshkopëve shqiptarë, i mbajtur në vitin 1895, e shpalli Zojën e Shkodrës “Pajtore të Shqipërisë”. Shkodranët e shprehin në këngë mjerimin që pushtoi qytetin pas shtegtimit të Figurës së Zojës dhe pushtimit osman.(Kortezi:ATSH)

Filed Under: Kulture Tagged With: ikona, konservimi, Zoja e Shkodres

QEVERIA E KORÇËS NË KOHËN E FRANCEZËVE

September 19, 2015 by dgreca

Nga Vepror Hasani/

Qeveria e Krahinës Autonome të Korçës u vendos me qira në shtëpinë e zotit Lutfi bej Mehmeti. Anëtarë të qeverisë ishin 7 myslimanë dhe 7 ortodoksë: Shaqir Shabani, Tefik Rushiti (Panariti), Hysen Dishnica, Emin Rakipi, Qani Dishnica, Sali Babani, Haki Shemshedini (Mborja) Vasil Singjello, Kostandin Noçka, Rafail Avrami, Nikolla Evangjeli, Eftim Cali, Vasil Kondi dhe Llambro Mborja. Qeveria mblidhej tri herë në javë, por për shkak të problemeve të shumta që duheshin zgjidhur, nisi të mblidhej katër herë në javë. Në mbledhjet e qeverisë ishte i pranishëm edhe oficeri francez, leitant Barzhetoni, i cili më pas u zëvëndësua nga leitant Ern. Sikfrit

Sali Babani u emërua prokuror, Shaqir Shahini (Hoxha) gjykatës dhe Llambro Mborja kryegjykatës. Vendet e tyre si anëtarë të qeverisë u zunë respektivisht nga Selim Pojani, Mehmet Babani dhe Thimi Marko.
Në krye të xhandarmërisë lëvizore shqiptare u vendos kapedan Ferid bej Frashëri, i cili pas disa kohësh u dërgua si qeveritar në qarkun e Tomoricës. Drejtimin e xhandarmërisë e mori oficeri francez, kapedan Tyberi. Xhandarmëria lëvizore kishte këtë përbërje: 1 kapiten (longin), 1 kapiten (selaydin), 1 lietenan (toger) (Liza Kadiu), 1 lietenan (toger), Mehmet Qinami, 1 lietenan (toger) Tosun Selenica, 1 lietenan (toger) Ismail Panariti, 1 lietenan (toger) Qemal Panariti, 1 sulietenan (nëntoger) Senishti, 1 axhudan, 1 kapter, 12 reshterë, 20 tetarë dhe 5 kursimtarë. Xhandarmëria lëvizore për sa kohë vazhdoi lufta përbëhej nga më shumë se 1000 xhandarë. Ndërsa më pas numri i tyre zbriti në 500. Nga këta 36 ishin kalorës dhe 25 meqeraxhinj (comvoyans)

Prefekt policie u emërua Themistokli Gërmenji. Drejtor i parë i policisë u emërua Selim Emini. Në vend të tij, pas 4 muajve, erdhi Qamil Panariti, i cili qëndroi në këtë detyrë 13-14 muaj, deri në qershor të vitit 1918. Nënkomisar u emërua Xhafer Emini. U zëvëndësua pas 3-4 mujave nga leitant Voti. Ky i fundit qëndroi deri në mars të vitit 1918, kur drejtor i policisë së Korçës u bë leitant Gotie, ish qeveritar i Ostro-Tomoricës, ku tashmë qeveriste Ferit Frashëri.

Personeli i policisë së Korçës kishte këtë përbërje: 1 komisar (Xhafer Emini), 4 nënkomisarë, 15 policë, 2 enterpretër-sekretarë, 1 sekretar në Bilisht, 1 sekretar në policinë e tregut dhe 1 drejtor burgu. Policia e Korçës kishte degët e saj në Bilisht, në Bozhigrad, në Arzë, në Selenicë, në Vithkuq dhe në Pojan. Xhandarmëria e Korçës kishte këtë përbërje: 173 xhandarë, 15 kalorës, 1 kapiten (Ferit Frashëri), 1 lietenan (Hysen Fazliu). Sulietenan: 1 toger (Thanas Kota). Nëntogerë: 1 serxhan mazhor (Hafiz Hyseni). Kapterë: 8 serxhan beshtarë (Hafiz Hyseni), 16 kaporotë tetarë, 1 serxhan furnie (kursimtar).
Në krye të Doganës u vendos zoti Ymer Fazlli, i cili tregoi aftësi të rralla në drejtimin e saj. Në fund të muajit shkurt u vendos që dogana të quhej Oktrovë. Deri në muajin maj 1918 për çdo plaçkë që do të hynte në Korçë do të paguhej një taksë dogane 15%, ku nga kjo taksë përjashtoheshin drithi dhe bagëtitë (të imta dhe të trasha) për të cilat nuk paguhej asgjë. Për ushqimet, bulmetin, konservat, llampat, lëkurët, duhan etj., paguhej për okë. Për manifaktura, hekurinat, bojërat, certet, mobiljet paguhej sipas faturës. Taksa varionte nga 5-8-10-12-15-25 deri në 50%. Për pijet alkoolike raki, konjak, rum etj., paguhej 40%, ndërsa për birrën dhe verën jo. Në mesin e vitit 1918, taksa për pijet alkoolike u bë 100%, ndërsa për cincano, vermut, dhe birrë 40%. Vera u la pa pagesë. Për rakinë që vinte nga fshatrat paguhej një taksë prej 5 franga okën, ndërsa për atë që prodhohej në qytet 21 franga e gjysëm oka. Për cigaret paguhej 25%. Për periudhën 1 janar 1917 – 31 mars 1919, u realizuan 1,008,000 franga të ardhura.
Fill pas krijimit të qeverisë, u formua me urgjencë një shoqëri tregtare me një kapital prej 300,000 frangash, e cila mori përsipër sigurimin e drithrave për bukë të qytetarëve të krahinës autonome, pasi popullsia prej kohësh vuante mungesën e bukës.

Në tetor nisi ndërtimi i një spitali, i cili fillimisht u instalua në lagjen “Katavarosh” në rrugën e Maliqit dhe më pas në “Varosh” në shtëpinë e Mborjarëve. Numri i shtretërve ishte 28. Shërbimi ofrohej falas. Personeli i spitalit përbëhej nga 1 ikonom, 2 ndihmësmjekë, një infermiere (grua) dhe 1 gjellëbërës (kuzhinier).

Pas përmirësimit të gjendjes, në Korçë filluan të vinin turistë: profesorë, inxhinierë, doktorë, avokatë, tregtarë, fabrikantë, politikanë, korrespondentë të shtypit, përfshi këtu edhe korrespondentin e përgjithshëm të ushtrisë anglezë të Orientit, Ata vinin ga Franca, Amerika, Anglia, Italia e vende të tjera

 

BASHKIA E KORÇËS NË KOHËN E FRANCEZËVE

 

Këshilli i Bashkisë Korçë përbëhej nga 6 këshilltarë, tre myslimanë dhe tre ortodoksë: Belul Lutfiu, Mehmet Panariti, Nexhip Fehmiu, Thanas Viso, Ilo Protosingjelo dhe Mihal A. Mano. Personli i bashkisë përbëhej nga 1 inxhinier, 5 çaushë (policë), 20 fshesazhinj dhe tullumbaxhinj (ujitës) me 10 karro për plehrat, 1 kujdestar për çezmat, 1 kujdestar për kopshtet, 1 kujdestar për pastërtinë e sallahaneve (kasapanave) dhe 1 kujdestar për banjat publike. Mbledhejt e Këshillit të Bashkisë bëheshin një herë në javë, por pas punës mund të mblidheshin edhe 2-3 herë në javë. Detyrat e Bashkisë ishin: të kujdesej për pastërtinë dhe zbukurimin e qytetit, për zjarrin, (tullumbaxhinjtë ishin nën urdhërat e Bashkisë), dhe për udhët e qytetit që të bëheshin sipas planit urbanistik të përgatitur.

 

Bashkia e Korçës njihej si një nga më të pasurat në vend. Përveç ndërtesës që ishte pronë e saj kishte në pronësi dyqane dhe objekte të tjera. Të ardhurat siguroheshin nga taksat dhe oktrova (lloj takse), e cila më pas u bë pjesë e taksave doganore, të cilat hynin në arkën e Bashkisë. Bashkia kujdesej edhe për dy kopështet e qytetit

 

Edhe realizimi i të ardhurave deklarohej në mënyrën më transaparente. Në fund të vitit 1918, me vendim të qeveritarit delegat dhe Këshillit të Parësisë (këshilli i krahinës autonome), e dhjeta e drithit dhe e produkteve të tjera që paguajnë të dhjetë, u caktua të paguhej, në dhjetë një, d.m.th., çdo pronar të paguante 1 në 10 prej produkteve që kishte prodhuar. Në vitin 1919 nga e dhjeta e prodhimeve, arka publike e Korçës mori 2.500,000 franga, shumë më tepër nga sa ishte parashikuar (1,600,000 fr). Tejkalimi i të ardhurave u realizua  nga ngitja e çmimit të bereqetit në 1.20 franga oka e grurit. Për këtë arsye, blerësit e së dhjetës e shtuan shumë kërkesën. Vetëm e dhjeta e Korçës u shit pothuaj 140,000 franga, prandaj edhe të ardhurat e këtij moti, sipas buxhetit të ri të vitit 1919 kapën shifrat e 2,725,000 frangave, ndërsa shpenzimet shkuan 2,510,000 me një tepëricë prej 210,000 franga. Sipas kronikave të kohës, punët e doganës dhe të oktrovës i vuri në rregull drejtori i saj, Ymer Fazliu, i cili u shqua për korrektësi dhe ndershmëri në punë. Që nga 1 janari 1917 deri më 31 mar 1919 të ardhurat që u realizuan kapën shifrat e 1,008,000 franga.

 

Pas sigurimit të të ardhurave, francezët filluan të hapnin vende pune. Tërë udhët e qarkut të Korçës u ndërtuan nën drejtimin e inxhinierit kapiten Dymonit. Mijëra argatë në ditë punonin për të ndërtuar ose për të ujdisur udhët. Inxhinieri leitant z. Bidon, sikundër dhe përpara z. Vylëri u përkujdesën për mademet eA qarkut të Korçës.

 

Në Vithkuq u gjend bakër dhe baltë tunxhi, në Boboshticë u gjend gaz (vaj guri). Deri më 1 dhjetor 1917 nga qymyriguri  i Mborjes u nxorën 2,000,000 okë. Deri në fund të majit 1918 u shit me çmimin e caktura nga qeveritari, 5 franga qindi okë për civilët dhe 4 për ushtarët. U caktua edhe fondi për ndihmë publike.

 

Në fund të vitit 1917, kur hartohej buxheti i qarkut për vitin 1918 u vendos të fillonte edhe ndihma publike ashtu si në të gjitha shtet e qytetëruara. Do të ndihmoheshin të vobektët me të të holla, plaçkë, ose duke iu gjetur punë  merreshin përsipër shpenzimet e varrimit për familjet e varfëra. ndihmoheshin familjet e xhandarëve të vrarë, pleqtë e pafuqishëm dhe nuk përpiqeshin për t’i ndarë njerëzit në ca të nënës dhe ca të njerkës, ashtu siç ndodh sot në Korçë.

 

Në vitin 1917 u caktua një buxhet prej 7,000 frangash. Shkollat, nga  30 që ishin në fillim, u bënë 60, numri i nxënësve nga 2,000, u dyfishua, numri i mësueve nga 70 shkoi në 130.

(Materiali i mësipërm i referohet librit të Petro Harizit “Historia kronografike e Korçës”)

Filed Under: Histori Tagged With: koha e francezve, Qeveria e Korces, Vepror Hasani

Histori Suksesi-Aferdite Shani

September 19, 2015 by dgreca

Me idëne që njeriu sduhet të ndalet kurrë së rrituri tregon Aferdita Shani konsulentja per formim profesional në kompanitë Shqiptare, në bashkëpunim më dy kompani të mesme në Firence, Change Spa dhe Local Global./

Histori Suksesi/

Nga Liliana Pere/*

Profili/

Aferdite Shani“Fëmirija ka qënë një periudhe e lumtur dhe e kujtoj me shumë mall si të gjithë Shqiptarët, besoj. Lidhjet sociale, miqësore dhe natyra perreth na ka ushqyer dhe rritur si fëmijët më të lumtur në botë”.  Spostimi në Itali, në vitin 1998 ishte vendim i familjes, unë edhe vellai u bashkuam me prindërit që kishin ardhur një vit më parë nga arratisjet e ’97- ’98 si pasojë e trazirave post-piramidale.

Pyetje: largimi nga Shqiperia ne vitin 1988, per aresye te njohura per shume shqipetare , beri qe ju te shvendoseshit ne Itali , sa e veshtire ishte ky proces , ndryshimi gjuhes , i kultures , i fillimit te nje jete te re , na teregoni pak ju lutem ?

Pergjigje- Për mua dhe familjen time ka qëne shumë i veshtirë fillimi, por besoj se ia dolem mbanë më së miri. Fillova gjimnazin dhe mora një kulturë më shumë përveç asaj shqiptare, saktësisht dy herë gjuhë mëmë, dy kultura, dy tradita..

Pyetje: Ju u diplomuat ne Itali per Shkencat Politike , sa vleu kjo diplome ne vendin ku qendruat Cfare suksesi te shoqeroi ne laurimin tuaj dhe sa e veshtire ka qene kjo rruge ?

Pergjigje- Në 2005, fillova fakultetin e Shkencave Politike “Cesare Alfieri”, Firence, dega Studime Ndërkombëtare dhe Evropiane, dhe pastaj specializimi/ Master që mbarova në vitin 2012 në degën Marrëdhenie Ndërkombëtare, me speciliazim në zhvillimin ekonomik të vendëve në zhvillim, siç ishte ekonomia shqiptare gjatë 2005 – 2010. Nga 2010 ajo mund të quhet një vend i sapo-zhvilluar.  

Sukseset në Itali arritën që nga Gjimanzi, ku mbarova me notën 98 në 100. Dhe pastaj në përfundimin e Universitetit ku mora notën maksimale me nderim, 110 cum Laude. Gjithashtu, gjatë 2006/2007 kalova një vit studime në Francë tek Grandes Ecoles, IEP, (Institut d’Etudes Politiques), në Aix en Provence, ku mora titullin CEP ( Certificat d’Etudes Politiques); dhe trainershipe të tjera të shkurtëra në Bruxelles dhe Nju Jork, tek Kombet e Bashkuara si New Delegate-NMUN (Nation Model United Nations), në 2008 dhe 2009. Studimet dhe spostimet me kanë lejuar të mesoj dhe të flas mirë pësë gjuhë, si dhe të interesohem për të gjashtën: rumanishtën.

Pyetje:Ju keni qene nje grua kerkuese tek vetja , duke vazhduar studimet dhe kerkimet tuaja ne fushen ekonomike , sa rezultative ka qene kjo eksperience studimi per ju dhe ekonomine Italiane ?

Pergjigje- Interesi im në studime ka qënë gjithmonë në fushën e ekonomisë së zhvillimit, prandaj në 2010 u spostova për nje ekperiencë tremujore në Bucaresht, Romani, për specializim në fushën e ndërkombëtarizimit të firmave dhe investimeve, sot Condifunstria Romania.

U ktheva në Itali, aty ku kam edhe familjën, në vitin 2011 dhe hapa agjencinë, një Spin off brenda Universitetit, ICSE & Co (Qendra Nderkombëtare per Europen Jugore) në Firence ku edhe punoj si dhe vazhdoj të jem Presidente e organizatës. Përveç kërkimeve, ICSE & Co merret me projekte për zhvillim e territorit dhe per çeshtjet sociale në degat evropiane. Këtë vit realizojmë evenimentin Job Balkan Day në Firencce per të Diplomuarit të huaj, si shqiptarët që duan të kthehen në Shqipëri për punë.

Gjithashtu drejtoj shoqatën AssoAlbania, shoqata e sipërmarrësve shqiptarë ne Itali që nga lindja e saj në 2012. Shoqata më ka lejuar të ndërtoj aktivitete të shumta për komunitetin Shqiptarë në Itali. Idea e shoqatës lindi nga fakti që forca e sipërmarrësve shqiptarë mund të japin një kontribut të çmueshëm për konumitetin jashtë vendit si dhe për shqipërinë. Ajo është edhe një organizatë që mbron dhe ndihmon firmat shqiptare në aspektet burokratike përditësore.

Pyetje: Sa e obliguar ka qene Aferdita si intelektuale per te ndihmuar bashkeatdhetaret e vet,dhe te lutem sillni ne vemendjen e pubilkut,C’fare  interesash te tjera ju kane shoqeruar ne jeten sociale?

Përveç këtyre angazhimeve, gjithmonë për çeshtjet sociale dhe që i përkasin emigracionit, kam kuruar ndër vite edhe një pjësë të rëndësishme, që është publikimi i artikujve dedikuara emigracionit. Fillimisht me on line AlbaniaNews.it dhe ShqiptariiItalisë.it, si dhe  me revistën di dhe mujore Bota Shqiptare

Shtytja e shkrimeve mbi emigracionin si dhe e hapjes se shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve jashtë lindi si kundërshtim i forcës fuese që mediat italiane publikonin mbi shqiptarët. “Si mund të fyhej nje qytetërim kaq i lashtë si ai shqiptarë”?- mendoja unë.  Me kalimin e kohës mësova që klasifikimet që përdorën për të ulur të huajt me bazë etnike, ngjyre dhe lokacione gjeografike ishin dhe janë një pjësë e sëmurë dhe e rrezikshëm e një shoqërie si rrjellojë e injorancës që ajo mbart; ose më mirë  një virus që mund të luftohet vetëm me informacionin dhe me durimin për të pritur që të tjerët të dinë dhe të njohin më shumë.

Pyetje- A e keni ndjere vehten te vleresuar dhe sa, ne vendin fqinje Itali ?

Pergjigje- Vëtëbesimi për ti dedikuar më shumë kohë shkrimeve më erdhi nga një çmim për një artikull humultues dedikuar të rinjëve, dhënë nga Dr. Saccomani, Drejtor i Bankës së italisë në 2011. Përveç kënaqësisë personale, ishtë liveli i çmimit dhe mundësia për të shrkuar në mesin e kërkuesve të vërtet në fushen e zhvillimit, demografisë dhe emigracionit në Itali.

Pyetje- Kush eshte puna qe punon sot Aferdita dhe me c’fare devocioni punon ?

Pergjigje- Puna:  Sot punoj në rrolin e konsulentës per formim profesional në kompanitë Shqiptare, dhe si Export Manager për mdërkombëtarizimin e aktivitetëve ekonomike jashtë territorit italian për firmat italiane në bashkëpunim më dy kompani të mesme në Firence, Change Spa dhe Local Global.

Pyetje- Cfare ura lidhje personale dhe profesionale keni me Atdheun tuaj dhe te afermit tuaj ? Sa Atdhetare dhe nostalgjike eshte Aferdita per vendin e vet shqiperine ?

Pergjigje- Mendoj që lidhja me Shqipërinë është diçka natyrale për shumë shqiptarë, që ka të bëje me emocionet e femirisë dhë i çon ata ta vizitojnë kaq shpesh dhe të jënë kaq të lidhur. Nga ana tjëter mosbesimi që kanë në autoritete në përgjithësi na shtynë neve si profesionistë të sektorit social dhe të zhvillimit ekonomik të ndërtojmë ura ndihmesë ku të kanalizohet kontributi i shqiptarëve që jetojnë jashte vendlindjes.

Mbi këtë udhëzim kam krijuar një seri aktivitetesh për Shqipërinë dhe konunitetin shqiptarë në Itali, duke u nisur nga gjenrata e re, të lindurit nga prindër shqiptarë që rrezikojnë të mos e mesojnë kurrë gjuhën shqipe, për këto kemi krijuan Shkollën Shqipe Nënë Tereza në Pistoia për sipërmarrjen dhe njohuritë që i nevojiten me idëne që krijohet komunikim mes tyre dhe me institucionet vendore italiane kemi organizuar konference dhe konvenjo në të gjithë italinë për romovimin e investimeve italiane në Shqipëri si dhe për promovimin e turizmit në Shqipëri kemi krijuar aktivitete dhe paketa të posaçme  që nga 2012 (conferenza mbi investime ne Shqiperi;

Për shqiptarët: Për të nderuar festimet shqiptarë gjatë pavarësisë organizojmë dhe kemi organizuar aktivitite si më poshtë: Torino 2013, festim i pavaresise: Firenze Mostra Maruba 2013:

Si presidente e organizatës ICSE & Co ( International Center For Southern Europe) si dhe drejtoreshë e AssoAlbania kam krijuar një network të gjëre ne rrjetet politike, sociale dhe ekonomike në Itali, në dobi të komunitetit shqiptarë rezident.

Janë fimosur 4 protokolle bashkëpunimi:

  1. Mes Qarkut Shkodër dhe Firencës në 2012, ku në mes ishte shoqata
  2. Mes Komunës së Pistoia dhe Shoqatës AssoAlbania në 2013
  3. Mes AIDA, agjensia e zhvillimit shqiptare dhe AssoAlbanisë ne 2014
  4. Mes Rajonit Toskana dhe shoqatës AssoAlbania në 2015

Nuk besoj të kem arritur suksesin akoma. Më kujtohet një fjali e gjyshës sime që më persëriste gjithmone, deri kur vdiq në moshën 104 vjëçare: “Nelt e ma Nelt”- në të folurin e saj pak ulqinake, që do të thotë: “lart e më lart”. Me idëne që njeriu sduhet të ndalet kurrë së rrituri.

Aferdite:- Ju faleminderit Liliana Pere per kete interviste dhe ju roj suksese ne misionin tuaj si org GSHB

Liliana Pere- Ju faleminderit per bashkebisedimin e dashur Aferdita , intelektualja e shkelqyer me nje ativitet te dendur dhe te suksesshem ne Italine fqinje.Lart e me lart ashtu si uron dhe gjyshja juaj.

Bisedoi:Liliana Pere

Ne Foto: Liliana Pere, Presidente e Organizimit Internacional Gruaja Shqiptare ne Bote

Filed Under: Interviste Tagged With: Aferdite Shani, Histori Suksesi, Liliana Pere

Bëje për mua

September 19, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/

Të kam shok, jemi shok. Jemi miq, më bë një nder? Ma bëj këtë nder etj? Ndryshe ta bëfsha në kokë. Eshtë tërësisht një politikë e përqëndruar brenda saj. Dhe e pa lidhur me realitetin. Dhe nuk ka asnjë dyshim pse sot, Shqipëria është në kulmin e dështimit të saj. Fabrika apo Myzeqeja e hambartë e kanabisit. Eshtë tërësisht përllogaritje aleancash deri në një çmenduri pushteti. Si e si të dërrmojmë sa të mundim kundërshtarin. Kjo kuptohet lehtësisht derisa, opozita mbron vetveten. Denoncon me propogandë. Një realitet që sado i frikshëm prej saj. Nuk e beson populli. Dhe pozita që demostron luftën e ashpër demaskuese të ishëve. Realieti nuk është asgjë tjetër një mburrje. Një aleancë shokësh. Një ndjesi krahinore. Aq sa nuk ka se si shpjegohet ndryshe, përshembull qytete si Poliçani. Krahinë kaq e vlertë voton gjithmonë një emër. Edhe pse ky është herë socialdemokrat, herë minoritar grek, herë socialist, herë demokratë, herë-herë… Një Zot e di se çfarë.?

Megjithatë, sipas shoqnisë. Ti do e bësh për mua? Dhe shqiptari e bën.

Nga ana tjetër. Realiteti i shoqnisë është ky. Shoqnisë qeveritare. Kërkujt se i ka rënë rruga të shohi përshembull lumin e Vlorës. Se si jetojnë ata njerëz? Kërkujt se i bie rruga të shohi thepinat e Dukagjinit. Të shohi se si jetojnë ata njerëz? Kërkujt se i ka rënë rruga të shohi thatinat e gurta me bar të çmuar, përshembull midis Mezhgoranit, Përroin e Gani Lekdushit apo Përroin e Mogilëve. Kurveleshin etj. Vende që sekuencat e lajmeve po na i sjellin ditë më ditë. Si suksesin e korrjeve dhe shirjes. Të shohi se si mbytet nga vetmia. Nga braktisja dhe mjerimi në diell e në të ftohtë. Nga këmbët e zbythura drejt Greqisë dhe Italisë, Gjermanisë apo edhe gjetkë. Krahinat për të cilat shoqnija mburret. Mburren në bulevardin e Tiranës. Mburren dhe rrahin gjoksin. Madje thellojnë dhe kërcënojnë me aleanca të forta karshi njëri-tjetrit. Të gjithë në emrin e patriotit. I keni dëgjuar të thonë, është nga anët tona ai, jepi pozitë. Jepi diçka se na duhet. I takon. Ndaj kur shullehen në plazhet e Vlorës, Sarandës, Durrësit, Patokut, …. Velipojës. Shto edhe Ulqinin Malin e Zi, Kroacinë. Shto edhe Bora Borën e Turqisë etj….. mburren për prejardhjen e krahninave. Dhe shoqnisë.

Në fakt zonat në fjalë janë të sikterisura. Kanë qënë dikur fronti i ashpër i luftës, i internimeve, i reaksionit. Janë krejtësisht të braktisura. Të trajtuara me konsideratë vetëm nëpër tavolinat me meze klasike. Tabela reklamash restaurantesh. Fabrikash që janë pronë e shoqnisë. Nën avujt e shoqnisë. Duket sikur i përkasin teatrit. Një lloj dëshire për t’i mbajtur me qejf krejt të pazhvilluara. Akoma me ura pasarelë. Me rrugë zhavorri fushatash. Me energji kandili. Me shkolla ku ecet më këmbë. Edhe pse çantat e shpinës janë me figurina kapitalizmi. Me familjarë që presin një pension shtetëror për vëllain, a babain e vrarë në një protestë shoqnie. Njësoj, ashtu si kolonelit të Markesit dikur. Në rrethinat e Aracatas në Kolumbi. Pyetjes se përse nuk shkruajti edhe më për kolonelin, luftrat e tij, apo gjyshin e tij. Shkrimtari iu përgjigj. Midis jetës së gjyshit dhe gjyshes unë zgjodha këtë të dytën. Pasi ajo e kolonelit ishte plot luftra, vrasje dhe dhunë. Kurse bota e përrallave të gjyshes, plot me dritë.

Me sa duket, shoqnia shqiptare ka zgjedhur botën e gjyshërve. Por më me forcë. Më me ashpërsi. Më me ndere kokë për kokë. Ndaj sot rezultojnë një hambar i prodhimit të parasë. Ndërsa burrat e karrierës mburren me krahinat e tyre. Ata mbetacakër atje, andej…, që ruajnë si zogj korenti, bimëzat magjike. U sajojnë shtëpiza me mushama. U sajojnë siguri nëpër katuat e braktisura. Nëpër vathët e gjësë së gjallë. Zgërbonjave nëpër përrenjtë e kaçakëve, shpellave historike. Pak dritëz mbi to. Vidh një bateri makine. Të sajojmë dritë. Na mbron partia jonë. Përse i votuam. Le ta bëjnë një sy qorr. A nuk e bëri Berisha me Lazaratin?

Nuk e di se çfarë po ndodh në Dragobi. Por mos u habisni kur nesër të dali ndonjë titull gazete. Se bash në shpellën e bacë Bajramit u shkulën kaq apo rrënjë kanabis sativa. Dhe sigurisht policia e shoqnisë, do e demaskojë si arritje.

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Bëje për mua, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3530
  • 3531
  • 3532
  • 3533
  • 3534
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT