• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mustafa: Për Asociacionin është vendosur me Ligj në 27 qershor 2013, jo në 25 gusht 2015

September 19, 2015 by dgreca

Ne Foto: Prishtine 19 Shtator 2015- Kryeministri Isa Mustafa ne konference shtypi-fotografi nga Behlul Jashari/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Shtator 2015/ Do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që përfundimisht do të japë mendimin e saj për marrëveshjet e 25 gushtit në Bruksel, paralajmëron sot kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, derisa konsideron janë sipas ratifikimit me Ligj në Kuvendin e Republikës në vitin 2013 të Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të Planit të Zbatimit për këtë Marrëveshje.

Në ‘Facebook’, kryeministri i Kosovës, Mustafa sot pasdite ka shkruar:

“Për arsye thjesht politike, opozita por edhe një pjesë e shoqërisë civile dëshiron të adresoj përgjegjësinë te unë si Kryeministër i vendit dhe te Qeveria, për Parimet e Përgjithshme për Asociacionin.
Ata dëshirojnë të shlyejnë nga kujtesa se Kuvendi i Republikës së Kosovës më 27 Qershor të vitit 2013 ka aprovuar Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të Planit të Zbatimit për këtë Marrëveshje.
Prej 88 deputetëve sa kanë votuar, 84 kanë votuar për këtë Ligj, 3 kanë votuar kundër dhe një ka abstenuar. Ndër ata që kanë votuar për këtë Ligj kanë qenë edhe 15 deputetë të LDK-së, e cila atëherë ishte në opozitë, dhe 8 deputetë të AAK-së, e cila po ashtu ishte në opozitë.
Në pikën e parë të Marrëveshjes e cila është ratifikuar me Ligj me 2/3 e dyfishta të deputetëve thuhet: ‘Do të krijohet një Asociacion/Bashkësi e komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Anëtarësia do të jetë e hapur për çdo komunë tjetër nëse anëtarët janë në pajtim’. Në pikën 4 të kësaj Marrëveshje thuhet: ‘Në përputhje me kompetencat e parapara me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë në ushtrimin kolektiv të kompetencave të tyre përmes Bashkësisë/Asociacionit. Asociacioni/Bashkësia do të ketë vështrim të plotë mbi fushat si zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, planifikimi urban dhe rural’. Janë edhe katër pika të tjera të cilat i destinohen Asociacionit në atë dokument. Prandaj, dua të nënvizoj se, për krijimin e Asociacionit është vendosur me Ligj më 27 Qershor të vitit 2013, jo më 25 gusht të vitit 2015.
Ata që sot kërkojnë të tërhiqet nënshkrimi , duhet ta dinë se deputetët e tyre e kanë dhënë votën për këtë Asociacion, me ratifikimin e Marrëveshjes së Parë me Ligj. Prandaj, ata që kërkojnë tërheqje të nënshkrimit, kërkojnë moszbatim të Ligjit për ratifikim të marrëveshjes ndërkombëtare. Dhe rrjedhimisht, të drejtën për të kërkuar moszbatim të Ligjit nuk e ka askush në këtë vend.
Unë ftoj opozitën për qasje konstruktive. Ligji vlen për të gjithë, për pozitën dhe opozitën, për qytetarët dhe për shoqërinë civile. Unë konsideroj se çdo gjë është bërë sipas Marrëveshjes së ratifikuar me Ligj, është bërë sipas ligjeve të Kosovës dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Por do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që përfundimisht do të japë mendimin e saj”, përfundon kryeministri Mustafa.

OPOZITA: PETICIONI KUNDËR “ZAJEDNICËS” EDHE SOT, NË DITËN E DYTË, PO NËNSHKRUHET NGA DHJETËRA MIJËRA QYTETARË

Ndërkohë, në Kosovë, peticioni i organizuar nga opozita po vazhdoi të nënshkruhet sot në ditën e dytë, i nisur dje me firmat e liderëve të LVV-së, AAK-së e Nisma-s.

 “17 mijë e 463 nënshkrime kundër ‘Zajednicës’ dhe marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, u mblodhën vetëm gjatë ditës së parë të peticionit”, ka njoftuar subjekti më i madh opozitar ksovar, Lëvizja Vetëvendosje, sipas të cilit “dhjetëra mijëra qytetarë po e nënshkruajnë peticionin edhe sot në ditën e dytë”.

“Zajednica” është shprehje në gjuhën serbe, që në shqip do thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën është nënshkruar marrëveshje me Serbinë, në raundin e 28-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror,  në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Ne qytetarët e Republikës së Kosovës të nënshkruar në këtë peticion, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të tërheqë menjëherë nënshkrimin nga katër marrëveshjet e datës 25 gusht 2015 të nënshkruara me Serbinë si dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi”, thuhet mes tjerash në peticion.

Opozita kosovare këtë javë  ka bërë edhe një deklaratë të përbashkët kundër “bosnjëzimit të Kosovës”, ndërsa të enjten edhe ka protestuar në Kuvend dhe ka bllokuar e ndërprerë seancën e parë të sesionit vjeshtor me kërkesë që mos të shtyhet “raportimi i qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015”, i cili ishte në axhendë derisa mungonin raportuesit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Asociacioni, Behlul Jashari, Isa Mustafa, konference Shtypi

BULLGARIA HEQ KUFIZIMET PER KRIMET E KOMUNIZMIT

September 19, 2015 by dgreca

Leksioni : Bullgaria, heq statutin e kufizimeve për krimet e periudhës komuniste/
Nga Beqir SINA – New York/
Përmes këtij ligji ndoshta do të marrë leksione edhe Shqipëria, e cila tani udhëhiqet nga PSSH – të cilët së bashku me kualicionin e majtë, kan aktualisht edhe më shumë se dy të tretat e Parlamentit dhe qeverisin vendin.
download.jpeg
SOFJE BU: Në një kohë kur politika shqiptare, është përfshirë në një debat të tej-stërzgjatur për miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve, Bullagaria, pas Gjermanisë,  Rumanisë, Polonisë, Hungarisë , Çekisë, Polonisë, ish vendeve Balltike, ka marrë vendimin parlamentar të “heq statutin e kufizimeve për krimet e periudhës komuniste” e cila parashikonte një perudhë 30-40 vjeçare për për zbardhjen e krimeve nga ish zyrtarët komunist gjatë periudhës 1944 – 1989.
Përmes këtij vendimi ndoshta do të “mësojë” edhe Shqipëria, e cila tani udhëhiqet nga PSSH – të cilët së bashku me kualicionin e majtë kan aktualisht edhe më shumë se dy të tretat e Parlamentit.
Mbasi, Shqipëria, është njëri prej vendeve ish-komuniste që deri më sot nuk është bërë lustracioni sistematik. Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, deklarojë para disa ditëve se: “Të hapen dosjet, njerëzit e përzier në krim janë ende mes nesh”
Shqipëria, e cila me përjashtim të një ligji të miratuar në vitin 1995, që dy vjet më pas humbi çdo vlerë ligjore, është ndër të paktat vende që 25 vjet pas rrëzimit të sistemit diktatorial është ende në fazën e debatit nëse duhet miratuar apo jo ligji për hapjen e dosjeve.
Edhe iniciativa e fundit për miratimin e ligjit është konsideruar e papranueshme jo vetëm nga opozita, por edhe nga një pjesë e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, mbasi ashtu si duan ta bëjnë këtë ligj ligjëbërsit e Parlamentit shqiptar sot, ka shumë mungesa dhe është shumë larg atyre vendeve që e kan miratuar këtë ligj.
Parlamenti i Bullgarisë të enjten ngriti statutin e kufizimeve për ndjekjen e krimeve politike nga epoka komuniste, duke hapur rrugën për ndjekjen e rasteve, duke përfshirë vrasjen famëkeqe të një disident në mërgim, në vitin 1978.
Ndryshimet në kodin penal u miratuan pasi u mbështën nga 111 ligjvënësit bullgar, kurse, vetë 30 prej tyre votuan kundër dhe shtatë abstenuan, duke bërë të mundur ndjekjen penale edhe të zyrtarëve të lartë të periudhës komuniste për vepra penale të kryera midis 1944 dhe 1989, pushkatimet, burgosjet dhe interrnimet si dhe presekutimet politike.
Mes këtyre, rasteve, është edhe ai më i bujshmi i asaj kohe – ishte vrasja e disidentit bullgar Georgi Markov, i arratisur në Angli, i cili ishte helmuar ndërsa ishte goditur në mes të rrugës në Waterloo Bridge të Londrës në vitin 1978 – me majën të një çadëre shiu lyer me helm – ricin.
Statuti i Bullgarisë i kufizimeve, kishte miratuar një ligj i cili parashikonte “mos- hapjen e dosjeve” ose ndjekjen e tyre penale për ish zyrtarët e lart, të cilët kishin kryer krime në periudhën 1944- 1989, për 35 vjet.
Mirëpo, shumë politikanë dhe grupe qytetare kishin kërkuar heqjen e tij, pasi përpjekje për të ndjekur penalisht rastetet asaj kohe, duke reflektuar atë që kritikët thanë se ishte një mungesë e vullnetit politik, në një kohë kur disa nga ish zyrtarët e lart -komunistët e asaj kohe ende janë duke mbajtur pozita të larta në qeveri.
Partia etnike turke MRF tha se heqja e afatit të prokurorisë mund të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për asimilimit të dhunshëm të minoritetit turk në Bullgari, në mesin e viteve 1980.
Një “Proces ringjallje” i nisur nga diktatorit komunist Todor Zhivkov për të asimiluar me dhunë muslimanët kulmoi me një fushatë për të detyruar ata të ndryshojnë emrat e tyre, dhe eksodin e mbi 300.000 turqve etnikë në Turqinë fqinje në vitin 1989.
“Ndryshimet, në ligjin e ri, do të shpërblejnë përpjekjet dhe pritjet e atyre që janë ende gjallë dhe kanë vuajtur krimet e regjimit komunist,” tha nënkryetari i partisë të komunitetit turk MRF zoti Çetin Kazak. “Ky tekst nuk synon për një”hakmarrje”, ajo kërkon për të ndëshkuar ata që janë autorët e drejtpërdrejtë.”
Simbas shtypit, Myslimanët përbëjnë rreth 12 për qind e 7.1 milionë banorëve të Bullgarisë, dhe shumica e pjesës tjetër i përkasin Kishës Ortodokse Bullgare. Vendi ballkanik fitoi lëvdata për të shmangur përleshjet etnike pas përfundimit të vitit 1990 të Luftës së Ftohtë, në kontrast me ish-Jugosllavinë në kufirin e saj perëndimor, që kalojë luftëra të përgjakshme etnike dhe fetare.
Bullgaria, është i vetmi vend anëtar i Bashkimit Evropian, ku muslimanët nuk janë emigrantë të kohëve të fundit. Shumica janë pasardhës të turqve etnikë që erdhën në këtë vend gjatë pesë shekujve të sundimit otoman deri në vitin 1878. Ata jetojnë së bashku me të krishterë në një kulturë të njohur si “komshiuluk,” ose marrëdhënieve fqinjësore.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Beqir Sina, Bullgaria, heq kufizimet, kriemt e komunizmit

Kosovë- Peticioni kundër “Zajednicës” 17, 463 nënshkrime në 1 ditë

September 19, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 19 Shtator 2015/ Në Kosovë, peticioni i organizuar nga opozita po vazhdon të nënshkruhet sot në ditën e dytë, i nisur dje me firmat e liderëve të LVV-së, AAK-së e Nisma-s.

“17 mijë e 463 nënshkrime kundër ‘Zajednicës’ dhe marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, u mblodhën vetëm gjatë ditës së parë të peticionit”, ka njoftuar subjekti më i madh opozitar ksovar, Lëvizja Vetëvendosje.“Zajednica” është shprehje në gjuhën serbe, që në shqip do thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën është nënshkruar marrëveshje me Serbinë, në raundin e 28-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror,  në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Ne qytetarët e Republikës së Kosovës të nënshkruar në këtë peticion, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të tërheqë menjëherë nënshkrimin nga katër marrëveshjet e datës 25 gusht 2015 të nënshkruara me Serbinë si dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi”, thuhet mes tjerash në peticion./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: 17, 463 nenshkrime, Behlul Jashari, Peticioni, Zajednica

FSHEHJA

September 19, 2015 by dgreca

Mëshehja e pellazgëve  nga vet shqiptarët/

(Bisedë e imagjinuar me zot. Arif Mati (Mathieu Aref ) )
Mathieu Aref: Këtu jam në Alpet franceze …në Malësinë e stergjyshërve !/
– Ju përshëndesë Juve Z.Aref, dijetar i madh me zemër dhe shpirt të një Shqiptari të lavdishëm!
Pse dhe çka po ndodhë me historinë tonë të lashtë ?

M.A.: :Ja një rast  i cili më lejon që dënoj  vrullshëm disa qëllime të fshehta, të cilat e kanë për qëllim sabotimin e të gjitha studimeve SERIOZE që i përkasin PELLAZGEVE, të lashtët e shqiptarëve dhe paraardhësit e Grekëve në botën ballkanike, paraardhësit e Egjeut dhe Azisë së Vogël. Më duhet të them që sot të përmendësh  etnonimin “ Pellazgë” është  një mode që sjellë keqardhje apo ndryshe edhe e rrezikshme.  Karshi të huajve , kjo “modë “ e zbulon mospërputhjen e dukshme , gabimet në vrojtime,  kundërthëniet, kronologjinë e rreme,, mungesën e studime te thella e serioze dhe praktikisht mungesën e e referencave të besueshme të cilat vetë sa e errësojnë historinë dhe mbjellin farën e dyshimit , duke i vënë në pozitë shumë të vështirë studiuesit  meritor dhe serioz; e gjithë kjo vetëm  sa  e sjellë kënaqësinë e armiqve të tezës pellazgjike

-Pse dhe si arritëm këtu Zoti  Aref ?
M.A. : “ Pikë së pari , historia e vërtetë e popullit shqiptar ishte mëshehur për gjatë 45 vjetesh nga regjimi komunist i Shqipërisë. Historianë (dashtë e pa dashtë ) servilë të regjimit kishin urdhëruar që gjatë asaj kohe të flitej vetëm për Ilirët si para ardhës së shqiptarëve.
– Pse?

M.A.: “ Që të mos ketë fërkime me serb dhe grek, sepse ata mendojnë që janë të stërlashtët e civilizimit grek.  Ishte vetëm Sipro Konda , i cili në vitet e gjashtëdhjeta u mundua të bëj një studim mbi Pellazgët, por puna u ngulfat sa ishe si vezë. Drejtori i sotëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Myzafer  Korkuti ishte “vrasësi “ më i dhunshëm i kësaj teorie. – Pra e gjithë kjo shpjegohet , se pse edhe sot e ashtuquajtura akademi “shkencash” ende  nuk i beson Pellazgëve si të stërlashtit e parë të shqiptarëve?

M.A. – Po.  Mandej që nga rënja e komunizmit i shkruanim të gjitha, në ofiçinat gazetareske, forume të internetit, në artikuj të ndryshëm në Facebook si dhe në libra të ndryshem që i vërshuan libraritë e Shqipërisë , Kosovës dhe vendeve tjera   shqipfolëse ;por jo të vërtetën historike. Dhe çdo gjë në dëmtimin e tezës pellazgjike.

-Si e spjegoni ndryshe Zoti Aref ?

M.A.: “ Këtu shihet dora perfide e armiqve të trashëgimisë shqiptare :  dora e grekëve dhe e serbëve  dhe lakenjve të tyre shqiptar.

– Kë mund ta përmendim për të mirë?M.A.:” Robert D`Angely ,  Aristidh Kola,  Niko Stilos  (Les plus connus d’entre eux sont Aristidh Kola [1944-2000 (Gjuha e perendive, Plejad-2003, Tiranë)], Nikos Stillos [1946 – …(Historia e shenjtë e Arvanitëve, 2004 Pristinë)]. J’en ferai prochainement une critique approfondie.)

-Unë po iu përmendi juve: “Shqipëria-Historia dhe gjuha- Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen”( (Albanie – Histoire et langue- ou l’incroyable Odyssée d’un peuple préhellénique)  , “ Greqia_ Mikenanasit”,  “Pellazgët apo zgjidhja e enigmes”

-Nga të  studiuesit e huaj , cilët  i kishit përmendur ?
M.A.L:” Edwin Jacques,  Robert Elsie,  Georges Castellan,  Serge Métais
Ju falemnderit , deri në takimin e vërtetë me  Ju, Zoti Mathieu Aref !

Fahri Xharra,19.09.16
Gjakovë




Filed Under: Opinion Tagged With: Arif Mati (Mathieu Aref ), Fahri Xharra, Pellazgishtja

Dëshpërimi

September 19, 2015 by dgreca

Nga Ilir Muharremi/

    Uh sa keq jam tepër keq. Më duket që tretem në vetminë time tok me mendimin e keq. Nuk kalon fare kjo dhimbje që ndjejë përbrenda qenies sime. Nuk e dijë as vet nga erdh dhe pse rri tek unë. Sytë rrudhen, pamja dobësohet fotografia lëviz, këmbët çdo çast ndërrojnë pozitën. Ndrydhem përbrenda vetes dhe nuk e di se çfarë kam. Nganjëherë ndjejë një lëvizje të lehtë shprese, por ajo nuk bënë shumë punë, vetëm se rregullon të pamurit dhe lëkura e fytyrës tendoset, buzët lëshohen lehtë frymëmarrja ngadalësohet. Nuk kalon dhe nuk kalon, oh sa keq jam. Sikur të mundja të mos lindja kjo ndoshta do ishte më mirë për mua. Lëviz dhe pres koti çdo ditë diçka të vije, por nuk vjen njëjtë sikur të Becketi. Më mirë të mos lindja nuk do kisha vdekur kurrë. Kur krijoj vepër arti lehtësohem nga ky mundim që më gërryen përbrenda. Dua të vdesë dhe nuk mundem. E kërkoj vdekjen të vije pa dorën time. Nuk vjen. Nuk përmirësohet asgjë.

    Bie telefoni, ajo lëshon një zë të lehtë, rregullon pak këtë çast të dhimbshëm për mua. Ndjejë një qik lumturi dhe bëhem më i përshtatshëm për një vazhdim më të mirë. Nuk e dua. Vendos grushtin përfundi mjekrës rrudhë prapë sytë dhe pamja mjegullohet ngadalë.  Sikur të shkoj në kuzhinë të marr thikën dhe të nxjerrë njërin sy, pastaj të filloj tjetrin. Edhe kjo nuk rregullon asgjë. Dhimbja ecën.  Ose të vrasë veten për shkak se dita e sotme nuk shkoj mirë. Kaq mjafton për t’i dhënë fund pakënaqësive. Më duket vetja si analist i vetëvrasjes. Nuk e vrasë veten se as kjo nuk zgjidh asgjë, por prapë kam mendjen te thika.  Të filloj ngadalë të pres fytin të shohë rrjedhën e gjaku poshtë fytit. Ose të ngulë në bark përnjëherë, të nxjerri jashtë zorrët, ose të prej copa-copa mëlçinë. Të ngrejë kupën me gjakun tim, të ndjejë pak krenari në këtë çast dhunimi. Më mirë më bie ta shkul zemrën dhe ta gëlltiti vetë. Të ndjejë ftohtësinë e kësaj katrahure, ta përjetoj ferrin në të cilin jetoj kështu çdo ditë, të kthehem aty ku nuk më kujtohet asgjë, këtu do ndjehem më mirë.

     I depresionuari ka frikë nga muzgu nga perëndimi i diellit, e urren natën. Dita me diell i duket më e bukur. Edhe në diell ndjen mprehtësinë e rrezeve që shpojnë sytë dhe kokën.  Ai prapë vazhdon se jeta e ka dënuar në këtë ferr nga i cili u ngop.  Ai dallon sepse revoltohet dhe i kthehet kundër. Kjo revoltë do të vdesë me këtë njeri dhe me atë të fundit.  Ecën nën këtë qiell çdo ditë frymon vdesë ngadalë, është kufomë që vdesë përse gjalli. E di këtë, prandaj revoltohet. Lind me revoltë. Më dua t’ja shprehë ndokujt dhe këtë e zgjedhë te njeriu që mendoj që e dua. E thërras në telefon. Ajo flet për shëtitje, aventura, risi, unë e kuptoj.  “Por ta kuptosh të përvuajturin duhesh të vishesh me dhimbjen e tij. Dy të vajtuar, dy të revoltuar qëndrojnë bashkë.” I thash pa mu dridh zëri.  Edhe po të shkoj ta kapja përdore, të shëtisim nën ndriçimin e hënës, prapë do të tretem nën vuajtjen time, sepse vetë e krijova vet vdes me të. Bie prapë telefoni. Prapë zëri i saj: “ Përse, të gjitha i ke pse të vdesësh, ke familje, shtëpi punë”. I nevrikosur i përgjigjem. “Kjo është materializëm”. Ajo ma kthen: “ E çka është jeta…. po jeton me qenë një pijanec, endacak i rrugëve”. Mua më duken fjalë të dëgjuara, retrospektivë. “Por  mbi të gjitha qëndron dashuria në qoftëse dikush të donë, këtë e bënë pa kushte sikur unë dhe fëmija ynë”, tha ajo duke vazhduar “ Të dua”. “Vajza jonë  u gëzua shumë për nesër që të takon”. Mbylli telefonin. Ndjeva një qik lumturi, por në kokë më rrinë vibracionet, britmat, dëgjoj zëra që vijnë nga largësitë. Mitet e mëdha janë dëshpëruese ngjyrë të zezë. Atmosferë kasaphaneje, torturash, gjakderdhjesh nuk e imagjinoj përrallën e bukur. Fajin për këtë nuk e ka e dashura në telefon, e as muzika që dëgjoj, as komshiu, por vetë jeta, ose thënë më mirë ferri në tokë. Liria është e zezë. Duke parë nga brenda jashtë jetën e vërej si një xhungë të qelbur gjigante, morale, por edhe shoqërore të shtrydhur kolektivisht tokë me qelbësirat. Helmi i hedhur nga vetë shoqëria në trupin tonë shoqëror ngjanë me një epidemi vrastare e që na shërben. Këtë jetë do ta quaja edhe unë sikur Artaudi Teatër dhe murtajë, krizë e shtjellimit përmes vdekjes dhe shërimit. Tek kjo e dyta unë shohë  krizën komplete dhe spastrimin ekstrem dhe e mira e së mirës është se  dëshpërimi ndez energjinë me veprimin bamirës ngase më shtynë të shohë veten ashtu siç jam, heq maskën, zbulon rrenën, flashkësinë, poshtërsinë. Zbuloj fuqinë e errët, forcën e fshehur dhe ky veprim dëshpërues më fton të marr një qëndrim heroik të cilin nuk do ta mendoja pa u dëshpëruar në ekstrem. Pyetja ekstreme që do t’ja shtroj vetes është se a do të vazhdoj të vetëvritna çdo ditë duke pritur diçka, duke shpresuar për një copë Zot ose do të rrëshqas gjithnjë më poshtë jetës?  Kjo polemikë më shumë më afron te thika te arritja e asgjësë, sepse kjo asgjë jemi ne vetëm se vërtitemi si hije me pikëpyetje. Ngrohtësinë dhe dashurinë e kujt ta kërkoj në këtë botë? As Nietzsche-ja këtu nuk gjeti përgjigjen e as ai që vazhdon ta kërkon.

        E duart e ngrohta, ose zjarrin e zemrës? Kush mund të mi ofron këto? “I dergjur, plot rrëqethje. Si një që po vdes, të cilit i ngrohin këmbët”, ulërinë Nietzsche. Ai shkundet nga e panjohura dhe vdesë për të. Kjo më shumë më dhemb sepse e mendoj dhe nuk e dijë pse duhet ta mendoj. Ose kur e mendoj ekziston një bazë larg kohës së tashme në një kohë të ardhme. Nuk kërkoj forcë nga Zoti, por nga mendimi i cili në çast është i huaj për mua. Enigmatik, pa identitet, i kamufluar, i lemerishëm, nga ferri i tokës të drejtohem ty o mendim për një Zot të cilin e lind vet, e bëjë të jetoj dhe e vrasë. Vazhdoj të dergjem. “I qëlluar prej teje, gjahtar mizor, Zot i paemër”, zbulon kuptimin e dyshimit dhe identitetin Nietzsche. Lehtë e quan kështu sepse horizonti i mendimit mund të arrin deri këtu. Është më mirë që ky Zot ta aplikon kërkesën e të qëlluarit më fortë, bile edhe një goditje më të fortë. Këtë e dua edhe unë, sepse mendja më rri te thika e jo të jeta. Më mirë të më vrasësh o Zot, shqyema zemrën, thithma gjakun. Jo do të më mundosh, të më zvarritësh si qen ose si kufomë. Vështrimi yt nuk u ngop me njerëzit. “Mundimtar njerëzish që s’u lodhe”, këndon Nietzsche. Në tokë solle shkreptima hyjnore dhe nuk arrite të më vrasësh me to. Vazhdove dhe vazhdon mundimin. Dua ta dijë arsyen e këtij mundimi. Ndjejë afërsinë tënde, shtrëngimin, erën, vërej ngjyrën, erdha shumë pranë. Përgjues i zemrës dhe frymëmarrjes. Vritem. Jo kërkon ende të më mundosh. Ke futur shkallët brenda tek unë me tendencë të arrish mendimet e fshehura. Nietzsche-ja përgjigjet: “I paturp! I panjohur! Kusar! Ç’kërkon të grabitësh? Zoti e do përgjimin dhe mundimin. Kërkesën që e bënë të vij vërdallë si qen nuk do ta shohësh. Kërkoj nga ti të më shposh më thellë, ashtu nga duart e tua të gjakosura vritem, vritem sepse dua të ndjejë dhimbjen ekstreme në këtë botë. Vazhdo ngulite thellë thikën. Jo, donë të më mundosh. Nuk jam servil e as qenë. Por, as nuk krenohem me burgun që ma bënë, o vrasës. Kërkoj vetëm një përgjigje, ndoshta edhe këtë e kamuflon. I mbështjellur me plot panjohuri. Dëshiron ndonjë shpërblim nga unë? “Të kërkoje shumë, do të këshilloja krenarinë”, përgjigjet Nietzsche. Ai këtu rra poshtë këmbëve të tua Zot, unë nuk e dua krenarinë, shkurtë dhe prerë ta them. E dua vetëm arsyen dhe shkallën e përfitimit së mbështjelljes së arsyes. Përse e bënë këtë? Ndoshta më kërkon mua tok me arsyen, të vdesë pa mu kujtuar asgjë se çfarë isha në këtë tokë. Ky është mundmi më i madh që i bëhet njeriut. Më mundon, vazhdoje pra. Kush duhet të ma jap dashurinë dhe ngrohtësinë dhe duart e ngrohta?  Nietszche-ja kërkon akullin më të ftohtë, pastaj do të jepet i tëri ty dhe vetëm ty. Unë e dua në këtë nxehtësi ekstreme arsyen. Të duket shumë kjo? Mos ik, qëndro ende. Rri me mua o Zot. Ty të kam mik të fundit, të vetmin, prapë mbetesh i panjohur për zemrën time. Nietzsche-ja të kërkon përsëri sepse të gjitha rrëketë e lotëve i derdhen veç për ty. Flaka e fundit e zemrës e këtij filozofi flakëron veç për ty.  Bie sërish telefoni. “Zemër mezi pres të takohemi nesër dhe do të bëjmë s….”. Përnjëherë harrova Zotin që ishte mu pranë, dhimbja ime, gazimi im i fundit do t’i takojnë vetëm asaj. Unë tash ndjehem neutral ndaj dhimbjes që e kisha dhe çastit që ndjeva. Thikën nuk e nxjerra edhe pse prapë mendja më rri te thika. Për dhimbjen të gjithë duan të dinë pse përveç vetes. Këtu nuk ka shumë shpjegim.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dëshpërimi, Ilir Muharremi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3531
  • 3532
  • 3533
  • 3534
  • 3535
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT