• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORI VATRANESH

September 9, 2015 by dgreca

Kujtim Qafa: Atdheu Detyrë e Përditëshme /

Ne Foto:Anetari i Keshillit te Vatres, Kujtim Qafa (djathtas) me kryetarin e Vatres dr. Gjon Buçaj, ne nje veprimtari te Federates Panshqiptare te Amerikes “VATRA”/

1-Skuadrat e Futbollit “Stamford-Albanians” dhe “Besa”

Pas maratonës së emigrimit në Itali, familja jone udhëtoj për në tokën e premtuar, Amerikë. Një mik i familjes, Pjetër Kimeza na priti. U vendosëm në Stamford. Fillimi si për të gjithë, ishte i vështirë dhe për ne. Kërkesa e gjuhës dhe e punësimit ishin primaret. Pasi u stabilizuam fillova me mendu se çfarë mund të bënim për të mbajtë gjallë traditën e familjes. Shikova që kombet tjera përfaqësoheshin dhe njiheshin sipas traditës së futbollit. Duke qenë dhe pasioni i rinisë, vendosa që të ngrinim një ekip shqiptar të futbollit që dhe ne të përfaqësoheshim si kombet tjera. Kështu që në vitin 1970, ideja për ngritjen e një ekipi futbolli u bë realitet. Sëbashku me disa atdhetarë të tjerë vendosëm ta quanim ekipin e ri, “STAMFORD-ALBANIANS”. E regjistrova ekipin me këtë emër dhe filluam  provat. Lojtarët ishin nga të gjitha trevat e Shqipërisë etnike: Zeqir Gjini, Avdi Gjini, Hasan Bajram Ukperaj, Can Mal Dushaj, Ahmet Nezaj, Sherif Sejdiu, Gjon Hoti, Gjon Junçaj, Nik Lulgjuraj, Zef Cuni, Dede Nikollaj, Martin Mërturi, Simon Qafa, Nik Lumaj, Pjetër Micakaj.

Respekti për njeni-tjetrin ishte në standartin më të lartë vëllazërore.

Në Janar te vitit 1973, për arsye pune vendosemi familjarisht në Detroit. Detroiti qe më tepër familjar se Stamford. Familjariteti shqiptar qe më i kompletuar. Pas largimit tim nga NY, ekipi i futbollit “Stamford-Albanians” pushoi aktivitetin. Ndjeva një farë turbullimi, pse shokët atje nuk e mbajtën pas largimit tim skuadrën në fjalë?

Njohja me Shqiptarët në Detroit  qe e mënjihershme, duke pasur parasysh se disa i ritakova përsëri si Pjetër Micakaj etj…Njohja me bashkatdhetarë të tjerë si: Mark Micakaj, Lucë Lulgjuraj, Gjelosh Nikprelaj. Impresioni im ishte njohja me Gjon Lulgjuraj. Ai qe në pararojë  e një të reje, e cila i mungonte komunitetit, Radio.

Gjoni kishte filluar me transmetu me emertesën, “Zani i Komunitetit Shqiptar në Detroit” Njohja me Agim Bardhen, qe një gëzim plus, se bahej fjalë për shpirtin binjak si familje tradicionale të persekutuara nga regjimi i Enver Hoxhës. Takimi me Ndue Malote Lulgjuraj dhe me të vëllanë Vaselin ishte një plus në shoqërinë e krijuar. Pas njohjes me këta atdhetarë, më lindi dëshira që punën e lënë përgjysëm në Stamford ta vazhdoja në Detroit. Më parë në Detroit, kishte ekzistuar ekipi me emrin “Skenderbeu”, po ishte diskualifiku. Mbasi u mblodhën edhe  zotni të tjerë në shoqninë tonë krijuam ekimin “Besa”, ku nji zëri e aprovuam, duke pasë parasysh dhe definicionin e fjalës Besë. Pasi u kryen të gjitha formalitetet ligjore, në Shkurt të vitit 1974, u mblodhëm për të vendosur trajnerin e skuadrës tonë. Deri ato momente ishim pa të. Duhej një trajner profesional. Në atë mbledhje u paraqit Ninosllav Berishiq. Baba i Ninos qe shqiptar dhe nana malazeze. Ai kishte lind në Shkodër. Dhe pse kish lind në Shkodër, ai vetë thoshte se ishte malazez. Vendosëm Ninon trainer të ekipit duke pasë parasysh se ai kishte qenë futbollist dhe e njihte futbollin më mirë se ne.

Fillimi nuk qe i suksesshëm. Megjithë vështirësitë financiare, Ninon e paguanim 600 dollarë në muaj, dhe këto para më vonë u prenë për arsye se nuk kishim fonde. Ai u largua pas ndalimit të pagesës për tu kthyer përseri pa pagesë, pasi skuadra mori emër të mirë pas disa fitoreve rrallazi. Mbase me emrin e Berishiqit skuadra jonë mori dhe një emër jo të mirë, duke pasun parasysh se Nino ishte hapur pro-Jugosllav.

Megjithse të rinj në moshë, shpesh herë vrulli rinor nuk bën diferencimin si në rastin e Ninos, jo rrallë na nervozonte me broçkulla, ne gjenim kurajon për ta falur, meqë atdheun tone të dashur nuk na e prekte. Vitin e dytë, ekipi jonë u fut në elitën më të lartë të futbollit, megjithëse Liga nuk na donte për shkak të skuadrës mëparshme “Skenderbeu” që nuk kish lënë një emër të mirë. Përpjekjen për suspendim tonë nuk u ecën kundërshtarve tanë. Loja e skuadres “Besa” u tregoi dhe kombeve të tjera që dhe Shqiptarët ekzistojnë në Amerikë, krahas atyre. Në dy vite skuadra e jonë nuk kish humbur asnjë ndeshje. Krenaria qe e madhe për ne qe përfaqesonim shqipërinë etnike me emrin “Besa”. Megjithëse disa nga lojtarët tanë nuk dinin mirë serbisht dhe nuk e kuptonin shpesh herë trainierin, i cili fliste serbisht, skuadra jonë pati suksese. Suksesi i jonë i dytë ishte se dhe Nino, mësoi shqip dhe e gjithë skuadra fliste gjuhën amtare.

Në Shkurt të vitit 1976, lindi ideja që të shkonim një turne në Jugosllavinë e atëhershme, duke pasur parasysh se Shqipëria ishte në izolim të plotë, dhe nuk na lejonin,ose po të shkonim, gjysma do të perfundonte në burg. Me tregu të vërteten, në mendjen time kish zënë vend nji sfidë. Kjo sfidë qe, për me i tregu Jugosllavisë, se shih çfarë bën nji komunitet i vogël shqiptar në emigrim, po sikur Shqipnia të ishte e hapur dhe të bashkohej, cfarë do të ndodhte? Mrekullia e Zotit do të pushtonte kombin tonë.

Në Shkurt të vitit 1977, si sekretar i K.F.Besa, udhëtova për në Jugosllavi, për të biseduar për organizimin, ku do të zhvilloheshin ndeshjet, me të cilat skuadra dhe akomodimin e skuadrës gjatë turneut tonë.

Mbledhja u zhvillua në Prishtinë me datën 23, Shkurt 1977. Përfaqësuesi i Kosovës ishte z. Zija Novoberdalia. Morën pjesë dhe përfaqësues të Serbisë, K. Nezheviç, i Malit të Zi, Sharo Brajoviç, kurse përfaqësuesit nga Vojvodina nuk ja mbaj mend emrin, i cili sipas psikologjisë time ishte njeri pa sherrina, jo si përfaqësuesi Serb. Në këtë takim, përfaqësuesi i Serbisë këmbënguli që ndeshja e parë të mos zhvillohej në Serbi, e kështu me rrallë, të gjithë përfaqësuesit kërkonin që ndeshja e parë të mos zhvillohej në republikat e tyre! Zija Novoberdalia, një burrë i matur dhe i zgjuar i tha të pranishmëve që takimi i parë do të zhvillohej në Kosovë, duke pasur parasysh se ekipi qe shqiptar. Ndeshjet e para i humbëm me skuadrat e Kosovës “Liria e Prizerenit” me rezultatin  gjashtë-zero, dhe me skuadrën “Obiliq” katër-zero. Ne Mal të Zi u zhvilluan tri ndeshje, të cilat i humbëm që të trija. Me skuadrën e Ulqinit humbëm dy-zero, me “Iskra”, dhe me skuadrën e Tuzit “Deçiqit” katër me nji.

Takimi në Vojvodinë qe i njëjtë, me humbje, me skuadrën “Bella Crkva” me rezultatin katër me dy. Takimi me skuadrat e Serbisë qenë të fundit. Ndeshja me ekipin e “Radniçki” përfundoi tre me dy në favor të “Radniçkit”. Ndeshja e lamtumirës qe me skuadrën e rangut republikan “Teleoptik”, e cila perfundoi në favor të vendalive me rezultatin tre-dy. Pas këtij takimi u zhvillua një darkë, ku mori pjesë dhe artisti me famë botrore: Bekim Fehmiu dhe Faruk Bekolli.

Ato ditë iu propozue ekipit “Besa” me vendos një kunorë në shenjë nderimi tek “Ushtari i Panjohur”, dhe ne e vendosëm. Tash, ajo fotografi e vitit 1977 qarkullon si hekuraç minjësh për me kallzue se ajo kunorë a vu tek vorri i Titos! Por, Tito, vdiq  më vonë, në vitin 1981, e skuadra “Besa”nuk ka luajtur më pas vitin 1977 në Jugosllavi. Më vjen mirë që këtë sajesë nuk e thotë asnjë patriot, por bash minjët e Serbisë dhe të Enver Hoxhes, që unë kam qenë dhe jam kundra tyre të pabesve, që dhe sot, i vjen erë e qelbun tradhti! Tek varri i Titos, kanë shkuar ca sahanë lëpirës të tjerë që po të dëshirojnë ua qes emrat…

Siç e shikoni, skuadra jonë nuk pati suksesin e pritur në ndeshjet e mësipërme. Mungesat e mëdha që kishim si nga ana financiare, drejtuse dhe pregaditore qenë pasojë e prezentimit tonë. Klubi “Besa”, pas turneut në Jugosllavi krijoi një çarje. Disa të entuziazmuar nga pritja, filluan të propogandonin për Jugosllavinë. Këtu filloi dhe distancimi im me klubin që bash unë e kisha emëruar! Vendosa të largohem. Një mik i imi, Gjergj Lulgjuraj, më tha që mos të largohesha: “Po i qesim tanë pro-sllavët jashtë e po e bëjmë rishtas skuadrën”. Vendimi im qe i prerë mos me u kthy kurrë më në atë skuadër ku rrëshqiti në nji vorbull të mbrapsht. Kjo skuadër u shkërmoq pesë apo gjashtë vite më vonë .

2-Radio

Njohja më Gjon Lulgjuraj siç e ceka më lart, pati një lidhje vlerash dhe për hir të çështjes kombëtare. Radio “Zëri i Komunitetit” ishte më të vërtetë një punë e vlefshme. Mora pjesë në një sere demonstratash kundër Jugosllavisë dhe kundër rregjimit komunist shqiptar. Disa prej atyre “patriotëve” që hiqen si kombëtar të mëdhenj sot, jo vetëm që nuk u çuan kundër rregjimit komunist shqiptar, por e përkrahën atë dhe në 97, duke punuar  kundër qeverisë së brishtë demokrate dhe frymëzuar derdhjen e gjakut mbi 3800 viktima të pafajshme…Patriotë janë këta? Mos o Zot ma keq! I kisha lutur me ndejtë urtë se më duket i ka ardhë koha me i çjerrë maskat e tyne. Ne vitin 1987 e mora përsipër Radion dhe e udhëheqa vetë me shpenzimet e mia deri në vitin 1992. Dhe sot e kësaj dite falemnderoj, Ekrem Bardhen per 1000 dollarë që më ka ndihmuar dhe Gjergj Dedivanaj me reklamën e biznesit dhe për bashkëpunimin e mëparshëm ne Radio. Falenderoj gjithashtu dhe Shtjefën Berishen. Une, Gjon lulgjuraj, Julian Cefa, Col Pashku dhe Gjergj Dedivanaj vazhduam programin për të ndihmuar kombin dhe kundërshtuar politikën e ndyrë Jugosllave që kishte zënë vend në Michigan.

Lajmet bazoheshin nga informacioni i AP dhe UPI. Radio Vatikani dhe Zëri i Amerikës. Pas largimit të Gjonit, vendosa ta drejtoja vetë programin duke menduar se ishte koha për të ndihmuar zhvillimet progresive ne Kosovë dhe Shqipëri. Ne këtë program u përcollen të gjitha ngjarjet historike që u zhvilluan ato vite…U intervistuan shumë personalitete te Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë trazirave ne Kosovë 1989, korrespondenti i Radios u bë Sali Kabashi, veprimtar për të drejtat e njeriut Kosovë-Slloveni. Gjithashtu, nga Radio Prishtina, kisha korrespondent te famshmin  Mehmet Aziri dhe bashkpuntorin Lekë Musolli. Nga Shqipëria, korrespondet i Radios qe Frrok Cupi, i cili mbulonte  gazetën e parë demokratike “Rilindja Demokratike” në Shqipëri.

3-Përpjekja për Liri

Në fundin e vitit 89 nga fillimi e 90, bëra të mundur sjelljen e Sali Kabashi dhe Jasha Zllobec, të cilët me ndërhyrjen e Z.Ekrem Bardha dhanë dëshmi para Departamentit të Shtetit Amerikan. Ata u takuan me kongresmenë dhe senatorë. Takimet qenë të sukseshme për sensibilizimin e çështjes së Kosovës. Para largimit, miqtë e nderuar i ndihmuam me një shumë prej 10,000 dollarësh per organizatën e tyre.

Fill pas atyre takimeve, Ambasadori Warren Zimerman, akredituar në Beograd, jep një deklaratë bombë, për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Rasti i deshmisë së Z. Ekrem Bardha para Kongresit Amerikan, në rastin e Pjetër Ivezaj, dhe rasti i dëshmisë së Zotërinjve, Kabashi dhe Zllobec para Departamentit të Shtetit, ishin çelsi i hapjes së dyerve dhe njohjes së problemit të Kosovës. Rastet e mësipërme tërhoqën vëmendjen e Shtetit Amerikan, të cilët hapen rrugë për të pritur dëshminë e Z. Ibrahim Rugova, dhe Anton Kolaj para Senatit dhe Kongresit Amerikan.

Pas këtyre ngjarjeve historike, marr një ftesë në qershor të po atij viti…nga Sali Kabashi, në nji vjetorin e “Këshillit për të Drejtat e Njeriut” dhe shoqatës “Migjeni”, të drejtuar nga Naim Maloku. Merrnin pjesë akademikë, artistë, historianë, këngëtarë e tjerë. Duke shfrytëzuar këtë rast, në Hotel Holiday kemi biseduar me Gjeneral. Tom Berishaj, për një mundësi të shpejtë për formimin e njësive mbrojtëse në rast nevoje. Në ketë bisedë ishte i pranishem dhe Naim Maloku, më vonë komandat i UCK-së. Pas takimeve me liderë të Kosovës, vizitova Dr. Tomë Berisha, i cili më dhuroi dy karta antarsie të “Lidhjes Demokratike” të shqiptarve në Kroaci. Kartat ishin me flamurin e kuq dhe pa yll. Në muajin korrik-gusht të 90, sëbashku me Dr. Dom Lush Gjergji, profesorët Mark Krasniqi, Zekeria Cana, Anton Ceta, morëm pjesë në Tuz, me festu 20 vjetorin e “Besëlidhja e Malësisë” njëzet vjet pa u vra asnjë shqipëtar. Policia Jugosllave ishte e pranishme në çdo qoshe. Shumë fjalime e urime e mbushën me jetë e shpresë atë takim. Vlen për tu theksuar, se një patriot i quajtur, Lush Nucullaj ishte arrestuar pasi kish tentuar të sillte në atë takim flamurin tonë shqiptar. Pas takimit, organizuesit kishin pregaditur një darke tek “Kroni i Traboinit”. Me këtë rast, në fjalën time falenderova orgnizimin dhe organizuesit për këtë eveniment historik. Aty merrte pjesë dhe Bajraktari i Grudës, Gjeto Ivezaj. Bisedat qenë të ndryshme me sens kombëtar dhe familjar. Në skenë dolën një grup valltarësh kuq e zi. Tom Berisha, thotë: “Eh, sikurë të kishim një flamur?!” Unë menjëhere u përgjigja, “Flamurin e kam në gji!”-“Mos luej me mue bre…” Unë qesha dhe nxora flamurin prej gjoksit që e kisha dhe e shpalosa. Më i bukur dukej flamuri në dekorin e valltarve. Ai e mori flamurin dhe e ngriti mbi krye. U bashkua me të rinjtë. Zemra m’u ba mal. Aty ishin dhe Lekë Lulguri, Gjeto Ivezaj dhe Vasel Gjonaj. Z. Lekë Lulguri u shpreh: “Duhet ta kishim pasë flamurin dhe në Tuz!”

4-Levizja Demokratike në Shqipëri.

Pas themelimit te Partisë Demokratike Shqiptare, para zgjedhjeve të para pluraliste ne Shqiperi, mendova që të shkoja ne atdheun tim për të kontribuar sadopak për fitoren e demokracisë. Tatiana Luçi, më njohu me Kryeredaktorin e RD-së, Frrok Cupi, i cili me mundësoi takimin me Dr. Prof. Sali Berisha dhe Dr. Gramoz Pashko. Folëm për ndryshimet në Shqipëri dhe u afrova bashkëpunimin tim për çështjen e demokracisë.

Pikërisht, me ftesë të Sali Berishajt, unë u nisa për në Shqipëri. Atje erdhi dhe Gjeto Ivezaj dhe Dode Ivezaj. Para se të nisesha ne Shqipëri, bisedova me Kapedanin e Mirditës, Ndue Gjon Markaj, i cili ishte Kryetar i “Blokut Kombetar Indipendent”. Ai delegoi për Shqipëri nga përfaqësues të këtij Bloku: dr. Gjon Buçaj, Gjon Kadeli, Viktor Darragjati.

Meqë isha i ftuari personal i Sali Berishës, ai më priti në Hotel Tirana. Berisha ishte i shoqeruar nga Azem Hajdari, Genc Pollo dhe Arben Imami. Me buzëqeshjen karakteristike dhe dashurinë e një vëllai m’u drejtua: “Kujtim! Ja ku eshte Arben Imami, bashkpunoni me njeri-tjetrin, dhe dua fitoren Puke–Mirdite!” Fushata filloi e ashpër, por jo si në vitin 1991 që u martirizuan katër antarë të PD-së në Shkodër…

Radion e kisha lënë në dorën e Julian Cefës dhe Shtjefën Berishës. Informacionin e percjellja përditë për në Radio. Ishte një kohë që nuk do ta harroj kurrë. Njerëzit na prisnin me brohori, me dashuri, me lotë ne faqe. Ne flisnim nga zemra pse duhej ndryshimi. Të them të drejtën nuk dita ti dalloj moshat e tyre dhe me vinte keq ti pyesja. Ata dukeshin shumë më të vjetër. Nganjëherë gëlltisja lotët përbrenda kur degjoja historitë e tyre, megjithëse historia e familjes se Qafajve ishte po aq e dhimbshme sa e disave prej tyre. Fitorja e Partisë Demokratike ndaj komunizmit gjakatar na bëri me krahë. Grupi jonë i kryesuar nga Arben Imami, fitoi katër deputetë në Mirditë dhe Pukë.

Takimin e fitores e bëmë tek hotel Tirana. Aty merrnin pjese: Ekrem Bardha, Gjeto Ivezaj, Dode Ivezaj dhe Lek Lulguri.

Pasi u ktheva ne Miçigan, mendova që ta mbyll radion. Misioni im per informimin kishte kryer, duke pasur parasysh se demokracia në Shqipëri kish fituar. Vetë qeveria demokratike do të kryente misionin e vet historik duke i dhenë një shtytje ringritjes të popullit Kosovar për rivendosje. Me presidentin Rugova pata marrdhënie shumë të mira dhe me personalitete tjera të Kosoves dhe Shqipërisë, duke u gjindur në çdo moment ku ishte nevoja për çeshtjen e madhe kombëtare. Organizata Vatra, qe djepi qe më përkundi ndër vite. Sot e kësaj dite, pjesmarrja ime në këtë organizatë të nderuar ka influencuar në qënien time dhe ka ndihmuar ne vizionin për të ardhmen…

 

Filed Under: Vatra Tagged With: Atdheu, detyre e perditshme, Histori vatranesh, Kujtim Qafa

Vëllezërit Dreshaj, luftëtarë legjendarë të Sanxhakut!

September 9, 2015 by dgreca

Bilall Dreshaj (Dresheviq) i njohur si Biko, (1910 – 1987) dhe Dervish Dreshaj (Dresheviq) i njohur si Deko, (1907-1981) ishin luftëtarë shqiptarë të Sanxhakut të Tregut të Ri, të cilët luftuan përkrah Aqif Blytës në mbrojtjen e Sanxhakut nga çetnikët dhe komunistët./

Shkruan: Ismet Azizi/

Kur  bëhet fjalë për udhëheqësin politik e ushtarak të Sanxhakut – Aqif  Blytën, është e pamundur të mos përmenden edhe vëllezërit Dreshaj (Dresheviq). Vëllezerit Bilall dhe Dervish Dreshaj përkrah Aqif  Blytës, Shaban Polluzhës, Xhemail Koniqanit kanë qenë personalitete të rëndësishme në mbrojtjen e këtij qyteti nga sulmet e aradhave çetnike të Drazha Mihailoviqit.

Sanxhaklinjëve u është deshur 50 vite kohë për ti përmbledhë forcat që me rastin e formimit të Këshillit Nacional Mysliman të Sanxhakut, ta rehabilitojnë Aqif Blytën, legjendën e këtij qyteti i cili gjate Luftës se Dytë Botërore organizoi mbrojtjen e popullsisë së kësaj ane nga çetnikët. Pushteti komunist Blytën dhe vëllezërit Dreshaj i kishte shpallur tradhtarë, bashkëpunëtorë të okupatorit gjerman.

Vëllezërit Dreshaj janë lindur në fshatin Gllogovik të Peshterit. Dervishi u lind në vitin 1907 ndërsa Bilalli në vitin 1910. Për këta dy vëllezër, qytetarët e Pazarit të Ri  kishin dëgjuar në vjeshtë të vitit 1940, ku në një rrahje me xhandarët ishin burgosur por shumë shpejt kishin ikur nga burgu dhe ishin arratisur në male. Pas thirrjes që ua kishte bërë Aqif-efendiu, vëllezërit Dreshaj në maj të vitit 1941 kthehen në Pazarin e Ri ku qytetarët kishin përgatitë një pritje madhështore. Lufta i kishte gjetur në moshën 30 vjeçare, të përgatitur shumë mirë fizikisht. Me tu kthyer në qytet, Dreshajt vihen në shërbim të Aqif  Blytës nga i cili merrnin detyra të rëndësishme për ta organizuar mbrojtjen e qytetit nga çetnikët, të cilët bënin masakra në viset tjera.

Ata formuan policinë myslimane me qëllim të mbrojtjes së popullatës. Kjo polici karakterizohej me disiplinë të fortë dhe efikasitet  të lartë në teren. Para se të merrnin vendet komanduese në polici, vëllezërit Dreshaj ishin dëshmuar në mbrojtjen e Pazarit të Ri, në zhbllokimin e tij dhe në kundërsulmin që e kishin kryer forcat e bashkuara shqiptaro-boshnjake më 16 dhe 17 nëntor të vitit 1941. Derisa Myslimanët në njërën anë luftonin për ta mbrojtur popullsinë civile nga gjenocidi çetnik, në anën tjetër Rifat Burxheviqi, komunist i njohur, me bashkëpunëtorët e tij mundoheshin të formojnë celulën komuniste në qytet. Duke e ditur se kjo mund t’a ndaj dhe dobësojë popullsinë e Pazarit të Ri me rrethinë, Bilalli dhe Dervishi e shpartallojnë organizatën komuniste kurse anëtarët e sajë i burgosin. Në mesin e popullsisë boshnjake të këtij regjioni ka të tillë që nuk i shikojnë me simpati veprimet e vëllezërve Dreshaj. Sipas tyre, ata kanë qenë të pamëshirshëm në luftë me komunistët dhe fajësohen për vrasjen e vëllezërve Hamzagaj nga Tutini.

Një sukses tjetër që Dreshaj kanë treguar është edhe lufta me partizanët në malet Jarut në tetor të vitit 1944. Bilalli dhe Dervishi kanë mbajt lidhje të ngushtë me komandën e policisë myslimane në viset tjera të Sanxhakut: me hoxhë Sylejman Paqarizin, Hasan Zvizdiqin, Xhemail Koniqaninin. Ata kanë furnizuar me armë popullatën shqiptare të Peshterit dhe të Luginës së Limit të cilët ishin në luftë kundër forcave të çetnikëve serbo-malazezë.

Komanda e njësive çetnike vepronte në Nova Varosh. Më 16 prill 1942, komanda çetnike i raportoi Milan Nediqit se “Muslimanët në Sanxhak merrnin armë nga Shqipëria dhe Pazari i Ri”. Kah fundi i vitit 1944 në shumicën e fronteve të luftës në Evropë gjermanët po pësonin humbje kurse njësitë partizane në Sanxhak përparonin. Prandaj, ishte e logjikshme se njësitë e policisë myslimane do të pësojnë humbje dhe do të shkapërderdheshin. Megjithatë Bilalli dhe Dervishi, si edhe shumica e komandantëve të Sanxhakut, u bënë ballë partizanëve. Një ndër përballjet e fundit ishte në malet Jarut, jo larg Tutinit, në tetor të vitit 1944. Nën ndikimin e propagandës, para luftëtarëve të brigadës së shtatë malazeze popullsia e Peshterit u largua nga vendi i tyre dhe fshatrat mbetën të zbrazëta. Peshteri kah fundi i tetorit të 1944 ra në duar te brigadës së shtatë malazeze.

Çetnikët duke parë se edhe do ta humbin luftën, iu bashkuan partizanëve me qëllim të përbashkët për neutralizimin e forcave myslimane. Në sulmin e bërë në Pazarin e Ri më 26 nëntor 1944, marrin pjesë brigada e shtatë partizane, dy batalone të njësitit partizan të Ibrit, brigada e nëntë e artilerisë bullgare dhe qeta partizane e Golisë. Këto njësi ishin nisur nga drejtimi i Rashkës dhe Mitrovicës. Kishte mbet e lirë vetëm një dalje kah fshati Vidovë. Pas një beteje të përgjakshme ushtarët gjermanë dhe policia myslimane filluan tërheqjen në drejtim të fshatit Vidovë, Vojniq, Pozhegë dhe në malet Ninajë. Gjatë një kohe, vëllezërit Dreshaj  janë fshehur në një shpellë në Bobovik, e njohur me emrin Shpella e Ujkut.

Sipas Dr. Sabile Keqmezi- Basha, Vëllezërit Dreshaj ka qenë pjesëmarrës të Kuvendit të Dobërdolit më 4-5 gusht 1945, në të cilin kuvend u themelua ilegalja shqiptare “Besa Kombëtare” në krye me prof. Ymer Berishën. Organizata ilegale-patriotike shqiptare “Besa Kombëtare” ishte formuar kryekëput kundër ideologjisë komuniste. Dhe qëllimi suprem i saj ishte bashkimi i tokave shqiptare. Sadik Radovci dhe Bilall Dreshaj (Dreshoviqi) ishin caktuar udhëheqës politik dhe ushtarak për Sanxhak.

Organizata i kishte ngarkuar me detyra të posaçme. Ata kishin për detyrë likuidimin e personave, kryesisht tradhtarëve, në mesin e të cilëve ishin bashkëpunëtorët e OZN-ës. Ata kishin për detyrë të organizojnë përcjelljen e tradhtarëve dhe personat që bashkëpunonin me okupuesin, t’i dorëzonin në shtab dhe sipas vendimit të shtabit të likuidohen.  

Vëllezërit Dreshaj dhe dy bashkëluftëtarët e tyre tre muaj me radhë i kishte ushqyer dhe fshehur Demir Kaleviqi në shtëpinë e tij. Nga aty ata tërhiqen në drejtim të luginës së Suhudollit deri në Koritë, që pastaj nëpër Kosovë të kalojnë në Maqedoni e pastaj në Greqi. Vëllezërit Dreshaj  dhe shokët e tyre që ishin me ta, lëviznin gjatë natës, ndërsa gjatë ditës pushonin- kështu në këtë mënyrë ruheshin nga njësitë partizane që ishin në përndjekje të tyre.

Kështu arrijnë të kalojnë terrenet e vështira në drejtim të Dibrës, Kërçovës dhe Gjevgjelisë dhe arrijnë në Greqi për të vazhduar  tutje për Turqi. Ata u vendosën në Adapazar në brigjet e Detit të Zi ku kishte sanxhaklinjë tjerë që kishin shkuar më herët. Në Adapazar , Dreshjat  janë marrë me hoteleri. Sukseset e tyre në luftë shumë shpejt ishin përhapur në popull. Si antikomunist i përbetuar, Bilall Dervishi mori pjesë  në luftën e Koresë (1950-1953), në të cilën Turqia, SHBA-të dhe forcat e Komonveltit luftuan në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Bilalli nga kjo luftë u kthye si hero me gradën kapiten. Në kërkesën e Jugosllavisë së atëhershme komuniste që vëllezërit Dreshaj  t’iu dorëzohen autoriteteve jugosllave, Turqia ishte përgjigj negativisht. Komunistët,  pjesëtarët  e forcave të policisë myslimane, të cilët ishin organizuar për mbrojtjen e  trojeve  të veta nga çetnikët dhe nga sllavo-komunistët i kanë vra e përndjekë, ndërsa çetnikët i amnistonin, bile u dhanë edhe funksione të ndryshme në organet shtetërore.

Bilal dhe Dervish Dreshaj jetuan në Adapazar deri në fund të jetës së tyre duke përjetuar pleqërinë e thellë. Bilall Dreshaj vdiq në vitin 1987, ndërsa Dervish Dreshaj në vitin 1981.

Filed Under: Histori Tagged With: Ismet Azizi, legejndare, luftetare, Sanxhak:, Velelzerit Dreshaj

Shqetësime për shtimin e pranisë ruse në Siri

September 8, 2015 by dgreca

Shtetet e Bashkuara po shprehin shqetësim rreth njoftimeve se Rusia po shton praninë ushtarake në Siri. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry paralajmëroi homologun e tij rus se veprime të tilla mund të çojnë në më shumë viktima të njerëzve të pafajshëm dhe rrezikon konfrontim me koalicionin amerikane në Siri. Sergei Lavrov nuk i është përgjigjur publikisht zotit Kerry, por të dy diplomatët ranë dakort të diskutojnë konfliktin në Siri në fund të këtij muaji në Nju Jork.

Filed Under: Rajon Tagged With: e pranisë ruse në Siri, John Kerry, për shtimin, Shqetësime

URIM I KRYETARIT TE VATRES DREJTUAR KRYEGJYSHIT BOTEROR ME RASTIN E PERURIMIT TE ODEONIT

September 8, 2015 by dgreca

New York, 6 prill 2015 /

Shenjtërisë së Tij  Haxhi Dede Edmond Brahimaj /

Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve /

Tiranë /

Më lejoni Shenjtëri, në pamundësi të jem pranë jush në ditën e gëzueshme të  inaugurimit të Odeonit – Faltores Qendrore të Kryegjyshatës, t’ju falënderoj nga zemra për ftesën dhe, në emën të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA dhe t’imin përsonal, t’Ju shpreh përgëzimet tona për realizimin e veprës madhështore, ku Zotit të gjithëpushtetshëm do t’i drejtohen lutjet për paqë e mirësi për mbarë njerzimin dhe, sidomos, për të gjithë shqiptarët, në traditën e  lavdishme të  paraardhësave t’Uej të mëdhaj.

Bektashizmi ka qenë gjithmonë dalëzotës i interesavet kombëtare dhe shembull i harmonisë ndërfetare si shtyllë e fortë në themelin e kombit tonë të përbashkët. Zoti i plotfuqishëm Ju dhashtë shëndet dhe energji për të çue përpara Misionin t’uej të shenjtë fetar dhe kombëtar!

Me nderimet ma të larta dhe me përzemërsi,

Gjon Buçaj

Kryetar

Filed Under: Vatra Tagged With: dr. Gjon Bucaj, Kryegjyshi, Odeoni, Urim i Kryetarit te Vatres

Presidenti Nishani:Asnjëherë Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë përballur me konflikt fetar në mes tyre

September 8, 2015 by dgreca

Fjala e Presidentit Nishani në pritjen me rastin e Takimit Ndërkombëtar “Paqja është gjithnjë e mundur.”

  • Marte, 08 Shtator 2015 11:05 

Fjala e Presidentit Nishani në pritjen me rastin e Takimit Ndërkombëtar “Paqja është gjithnjë e mundur.”

Të nderuar Hirësi të komuniteteve fetare nga e gjithë bota,

Të nderuar përfaqësues të Bashkësisë “Sant’ Egidio”
I nderuar Presidenti Vujanoviç,
Shkëlqesi Ambasadorë,
Të nderuar përfaqësues të bashkësivefetare shqiptare,
Të nderuar pjesëmarrës, të dashur miq,

Kam nderin dhe kënaqësinë që, në cilësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhjen në këtë veprimtari madhështore, shumë të rëndësishme dhe me vlera të paçmuara për kohën që jetojmë dhe sfidat, me të cilatpërballemi në kuadër të zhvillimeve të brendshme dhe atyre ndërkombëtare.

Më lejoni të uroj dhe të shpresoj që kjo veprimtari në Tiranë të jetë vetëm fillimi, duke u pasuar në të ardhmen nga veprimtari të tjera të tilla të organizuara në vende të ndryshme, në mënyrë që të kthehet në një forum e të përbëjë një burim mesazhesh shumë të rëndësishme për të sotmen e të ardhmen.

Dëshiroj të përmend këtu përpara jush atë që shpreha në fjalën time të mirëseardhjes për Shenjtërinë e Tij, Papa Françesku, gjatë vizitës së Tij në Shqipëri: “Shtëpia e Shqiptarit është e mikut dhe e Zotit”. Unë thjesht përshkrova me fjalë atë që shqiptarët, kudo ku janë, e zbatojnë dhe e kanë pjesë të traditës dhe bashkëjetesës së tyre shembullore me njëri-tjetrin. Për ne shqiptarët miku është njëlloj, si mysliman apo i krishterë, hebre, budist apo hindu dhe është njëlloj i mirëpritur pa dallim në shtëpitë tona. Kjo vlen edhe sot për të gjithë ju, pjesëmarrës në këtë takim.

Për të folur më konkretisht, po citoj me këtë rast Pashko Vasën, një ndër personalitetet e spikatura të jetës politike e kulturore në Shqipëri, i cili ka shkruar: “E mos shikoni kisha e xhamia: Feja e shqiptarit është shqiptaria!”. Kjo shprehje është treguesi më origjinal i ekzistencës së tolerancës dhe harmonisë fetare në Shqipëri, që nuk është aspak e rastësishme, por e kultivuar më shumë mund e sakrificë për shekuj me radhë. Kjo tolerancë dhe harmoni i ka shërbyer plotësisht ruajtjes dhe forcimit të identitetit kombëtar, shpeshherë në kushte dhe rrethana aspak të favorshme.

Ndërkohë, një tjetër personalitet i njohur i politikës shqiptare, Faik Konica, është shprehur: “Vërtet kemi Bajram e Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë”. Kjo sintetizon më së miri kontributin e bashkësive fetare për atdheun, për Shqipërinë, që është pika e bashkimit e të gjithëve pa dallim feje e krahine.

Në qoftë se u referohemi shembujve të tolerancës dhe harmonisë fetare në Shqipëri, ato janë vërtet të shumtë dhe të gjithëllojshëm. Mjafton të përmend një fakt të vetëm historik, pasi ata janë aq të shumtë, sa nuk do të mund t’i përmendja dot kurrë të gjithë, kur delegati i Indisë u shpreh në seancën e mbledhjes së Lidhjes së Kombeve më 17 dhjetor 1920: “Kur në botë zhvilloheshin ende luftëra ndërfetare, në Shqipëri, myslimanët, katolikët dhe ortodoksët jetonin në harmoni dhe ishte fakt i shkëlqyeshëm për një vend me shumicën dërmuese të popullsisë myslimane të kishte këtu përfaqësues një të krishterë dhe një prift”.

Toleranca dhe harmonia fetare në Shqipëri manifestohen në shumë mënyra, duke nisur nga festimet e përbashkëta të festave fetare, krushqitë, miqësitë, etj. Fatmirësisht, kjo tolerancë dhe harmoni fetare është një vlerë e madhe e një kombi të vogël, që sot e transmeton me shumë bujari tek të tjerët për t’i shërbyer zhvillimit, përparimit e mirëqenies së tyre. Kjo vlerë na ka ndihmuar dhe na ka shërbyer edhe në çastet më të vështira, me të cilat jemi përballur ne shqiptarët si komb, duke kontribuar në mënyrë racionale e graduale në ndërtimin e së ardhmes dhe prosperitetit të vendit tonë. Kjo vlerë i ka kthyer shqiptarët kudo janë në faktorë të fuqishëm stabiliteti dhe përparimi.

Asnjëherë në histori Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë përballur me konflikt fetar në mes tyre, pavarësisht nga rrethanat dhe nxitjet që mund të jenë stisur në çaste të caktuara dhe kjo falë tolerancës, harmonisë, respektit dhe bashkëpunimit që ka ekzistuar dhe ekziston në mes besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri. Kjo nuk ka qenë, në asnjë rast, një koincidencë e vetme apo e rastësishme, por ka qenë produkt i një tradite të zhvilluar e të kultivuar brez pas brezi me shumë durim, mund e sakrifica.

Toleranca dhe harmonia fetare janë antiteza e fenomeneve si terrorizmi dhe acarimi ndërmjet njerëzve, bashkësive dhe kombeve. Shqipëria, fatmirësisht, nuk është prekur nga këto fenomene, përkundrazi, ajo është rreshtuar në krah të shteteve që po luftojnë me këtë të keqe të madhe që po i krijon sot shqetësime serioze shoqërisë dhe qytetërimit mbarëbotëror. Organizata terroriste po i shkaktojnë dëme të pariparueshme civilizimit mijëravjeçar botëror, si pasojë e mungesës së tolerancës së tyre ndaj besimeve të tjera dhe ndaj zhvillimeve moderne bashkëkohore.

Një ndër shtyllat, ndoshta më themelore të tolerancës e harmonisë fetare në Shqipëri, është se besimet dhe bashkësitë fetare janë njëlloj të barabarta si për nga rëndësia, ashtu edhe për nga ligjshmëria e tyre. Kjo baraspeshë dhe ligjshmëri duhet ruajtur me shumë këmbëngulje e seriozitet dhe nuk duhet provokuar nga asnjë besim apo bashkësi fetare, pasi provokimet do të çonin në shkatërrimin e pariparueshëm të kësaj vlere të paçmuar, por gjithsesi, të brishtë që ne, fatmirësisht, kemi. Shqipëria e ka sanksionuar lirinë e besimit fetar me Kushtetutë, ndërkohë që ajo ka rregulluar marrëdhëniet në mes të shtetit shqiptar dhe fesë si marrëdhënie që karakterizohen nga neutraliteti i shtetit shqiptar kundrejt të gjitha besimeve dhe bashkësive fetare në vend.

Liria e fesë dhe e besimit u godit rëndë nga sistemi i kaluar diktatorial që bëri përpjekje maksimale dhe përdori të gjitha mjetet e mundshme, deri dhe ato më barbaret, siç ishte shembja e kishave, xhamive dhe objekteve të tjera të kultit, si dhe përndjekja, persekutimi, internimi dhe ekzekutimi i klerikëve pa dallim. Kjo qe një tronditje e madhe shpirtërore dhe kulturore për mbarë popullin shqiptar, i cili megjithatë, ai doli të ruajë tolerancën dhe harmoninë me njëri-tjetrin, ashtu siç kishin bërë edhe brezat e mëparshëm. Nuk është aspak rastësi që po ajo harmoni që ekzistonte përpara kalvarit komunist, sot është rikthyer dhe rigjallëruar me të njëjtat atribute dhe vlera dhe duket qartë që do të ndiqet dhe të çohet më tej nga brezat e ardhshëm.

Toleranca dhe harmonia fetare përbëjnë sot ato vlera që po kontribuojnë në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pasi janë garancia më e madhe e stabilitetit dhe bazë e sigurt e zhvillimit gradual të vendit drejt përmbushjes së standardeve të kërkuara për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Të nderuar të ftuar,

Dëshiroj ta mbyll këtë fjalë mirëseardhjeje, duke mbetur me shpresë se kjo veprimtari do të shërbejë si përçues i mesazheve të paqes, tolerancës dhe harmonisë mes njerëzve, shteteve dhe kombeve, mesazhe për të cilat shoqëria e sotme moderne ka nevojë ndoshta më shumë së kurrë. Uroj që veprimtari të tilla të organizohen në të ardhmen edhe në shumë vende të tjera, që ato të kthehen në një urë të fuqishme komunikimi e bashkëpunimi.

Zoti i Plotfuqishëm ju bekoftë të gjithëve!

Filed Under: ESSE Tagged With: konfliktet fetare, Paqja eshte e mundur, presidenti Nishani, shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3563
  • 3564
  • 3565
  • 3566
  • 3567
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT