Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë qëndrimit në Vjenë, u takua me ambasadorin amerikan, mikun e madh të Kosovës, Frank Wisner.
Kryeministri Mustafa e falënderoi ambasadorin Wisner për mbështetjen e dhënë për shtetin e Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa me këtë rast shprehu mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për kontributin që ambasadori Wisner dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë dhe po japin në vazhdimësi për Kosovën.
Kryeministri Mustafa e njoftoi ambasadorin edhe për progresin në Kosovë dhe fokusimin e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës si dhe reformat në shumë sektorë, me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës.
Kryeministri Mustafa e njoftoi ambasadorin Wisner edhe për progresin e Kosovës në proceset integruese euroatlantike si dhe në bashkëpunimin rajonal.
Ambasadori Frank Wisner vlerësoi lartë punën e deritashme të qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Mustafa, duke theksuar se Kosova po bën hapa të rëndësishëm përpara.
Ambasadori Wisner vlerësoi edhe proceset e fundit të cilat janë adresuar nga Kosova, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të tij për Kosovën, bën të ditur njoftimi dërguar nga Vjena i Kryeministrisë kosovare.
Në Vjenë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në sesionet e zhvilluara të enjten në Samitin e Ballkanit Perëndimor 2015.
Para shpalljes së pavarësisë, Ambasadori Frank Wisner ishte i Dërguar Special i SHBA-ve për Kosovën në bisedimet për statusin.
Para tre vitesh, në shtator 2012, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka dekoruar Ambasadorin Frank Wisner me “Urdhrin e Pavarësisë”, që u jepet personave për kontributin e tyre për pavarësinë e Kosovës./B.Jashari/
Shkollë verore për gazetarinë investiguese në Durrës
Në mjediset e hotelit “Adriatik” në plazhin e Durrësit po funksionon shkolla verore e gjashtë e BIRN-it (Balkan Investigative Reporting Network – Rrjeti Ballkanik i Raportimit Investigues). Ky edicion bashkoi gazetarë të rinj nga Shqipëria, Serbia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Bullgaria, Austria, Kosova, Palestina, Gjermania dhe Gjeorgjia për të mësuar nga ekspertët se si të përdoren mediet sociale në zbulimin e krimeve, aftësitë për të hyrë në brendësi të kompanive offshore dhe si t’u mbushet mendja burimeve që ngurrojnë të flasin, thotë BIRN-i. Shkolla verore e raportimit investigues 2015 është organizuar nga BIRN-i në bashkëpunim me Programin e Medias për Evropën Juglindore i Fondacionit Konrad Adenauer me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim, Fondacionit për Shoqëri të Hapur dhe USAID Maqedonia.
Sh.K
Një herë ndahesh dhe ajo mbetet e përherëshme !
Nga Fahri XHARRA/
U ndamë në vitin 1912 ; i thamë njeri tjetrit shkofsh e mos u kthefsh . Dikush qante e shkulte flokët se humbën të mirat , e tjetri gëzohej edhe pse nuk e dinte se ç`është ndarja . Askush nuk na e kishte shpjeguar se ç`është ajo gjendje kur je i lire, kur nuk e ke të huajin mbi krye dhe thiun nuk duhet më që ta “duash” si dajën tënd . Kaluan vitet dhe erdhi edhe një ndarje tjetër , ndoshta me vlerë edhe më të madhe se ajo e para; por prap dikuh qante e dikush gëzohej. Të çuditshëm jemi, të lehtë që jemi !
Ndarje përfundimtare me histori dhe pasuri e bëri Mali i Zi nga Serbia. Mua si hulumtues i së vërtetës sonë më intereson ajo pjesë e historisë ku historianët malazias përfundimisht e shkëpusin edhe historikisht mashtrimin serb (siç e thonë ata) që malazezët nën rrenat serbe u shndërruan në serb. Do e përdori gjuhën e tyre , po iu kundërvu disa perceptimeve të gabueshme që i kanë , mbi origjinën reale të tyre
Historiani më i madh serb Sima Çirkoviq e rrëzon për dhe të gjitha përrallat e rreme serbe të KOSH-it dhe ASHAS (Najveći srpski istoričar Sima Ćirković ruši lažibajke SPC i SANU ) Jo vetëm për historiografinë malazeze ( por edhe për atë shqiptare) , posaçërisht ajo mesjetare janë të rëndësishme hulumtimet e Çirkoviqit sepse në shumë prej tyre i thyen mashtrimet serbe për gjëja se prejardhjen serbe të malazezve , por edhe të tjerëve .Jo vetëm Çirkoviqi , por edhe Miroslav ĆOSOVIĆI dhe SLAVKO PEROVIĆi flasin me “pezmin e tyre” për të “vërtetën”serbe mbi Malazezët
Tabuja serbe po thyhet pëditë e më shumë , e sidomos libri i Miroslav Çosoviqit ; “ Si e shpiku Njegoshi kombësinë serbe të malazezve “ (Njegoš je izmislio srpsku narodnost Crnogoraca , Cetinje 2003 ) “ paraqiti një befasi të jashtëzakonshme dhe një eksplodim tëmadh të së vërtetës historike e cila i vë në lojë gënjeshtrat qenësore serbo medha për Malin e Zi, kulturocidin serbomadh mbi kulturen malaziase , si dhe vrasjen përfundimtare të fabrikimit serb të malazezve.”
Qosoviqi i porositë lexuesit e vet :”që duhen të jenë vetëdijshëm që projekti i mëshehur serbomadh i Garashaninit ; Naçertanje ( 1844) i ka mbytur jo vetëm malazezët por edhe vet serbët dhe vetë Serbinë” ( Po na shqiptarët ende jemi pre e mashtrimeve të planeve zhbërëse të Garshaninit dhe Çubriloviqit fxh)
“E mira e librit të Qosoviqit , shkruan Slavko Peroviq “është, se ai në çdo falsifikim serb përgjigjet në mënyrë të dokumentuar , të mbushur me të vërteta ( libri i ka 750 faqe ) dhe dëshirën serbomadhe e çon në pluhur dhe hi duke e gjuajtur nga aty ku vjen , dhe duke i dalë për ballë krimit monstruoz serb i cili end e vazhdon dhe është aktual që 170 vjet “
Si i vogël Petar Petroviq – Njegoshi , u edukua nga poeti i njohur Simo Milutinoviq Sarajlija.
Qosoviqi thot se “ Milutinoviqi ishte një spiun dhe propagandues i teorisë serbomadhe .Ai ishte shumë i preokupuar me serbizmin sa që edhe përkthyesin gjerman të këngëve popullore serbe , Gerhardin e kishte bindur që të gjithë poetët e romës antike ,ishin me emra serb.
(Ju kujtohen shkrimet “ Shqiptarët , Ilir të rrejshëm,” Roma e vjetër serbe “ etj ? )
Pra , “Njegoshi nuk ishte serb, por i mashtruar nga edukata gjithëserbe e Simeon Milutinoviqit.Njegoshi ishte poet gjenial por besimi ii j në serbizëm ishte i gabuar “. Shtrirjen e ndenjes nacionale serbe në Mal të Zi, e ndihmuan dhe e përhapen rrjetet e mëshefta të Serbisë, të parapara me programin e mesheht të Garshaninit. (Dakle, Njegoš nije bio Srbin, već je kao pjesnik bio ponijet sveslovenstvom i svesrpstvom sa kojima ga je upoznao Simeon Milutinović. Sve ovo ne znači, naravno, da Njegoš nije bio genijalan pjesnik, ali je njegovo uvjerenje o srpskom karakteru Crne Gore bilo pogrešno, jer mu je bilo nametnuto sa strane. Proširivanje srpskog nacionalnog ośećanja u Crnoj Gori najviše su pomagale srpske agenturne mreže koje su je preplavile, predviđene tajnim velikodržavnim programom – Načertanijem.)
Pra malazezët me këmbëngulje kundër falsifikimeve serbe të historisë .Po , ne ?
(…”Dije o at i shenjtë, se qysh nga koha e të paepurit Skëndërbe, të madhit mbretit tonë, të mbiquajtur Kastriot, asnjë herë kurrë dhe askush, as edhe më I egëri dhe i pamëshirëshmi turk me gjithë forcat e tij të pashterruara, nuk ka mundur kurrë të na mposhtë dhe të na gjunjëzojë e të na nënështrojë nën zgjedhën e perandorisë së tij, megjithëse ditë për ditë e or’e çast nuk na lë kurrë të qetë me ushtërit e tij, ashtu që na sjell dëme të mëdha në njerëz…”, i shkruanin Papës së Romës fshatarët e Himarës në 12 korrik të vitit 1577, duke i kërkuar ndihma materiale dhe bekime apostolike. Historiani prof.dr.Bardhosh Gaçe,)
Asociacioni ashpërson fjalorin e “replikave” në distancë që priten edhe në Kuvend
– Mbrëmë nuk kishte vetëm fjalë: Afër komunës së Prishtinës vetura e kryeministrit të Kosovës është gjuajtur me vezë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 29 Gusht 2015/ Në Kosovë, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në raportet mes pozitës dhe opozitës ashpërson fjalorin e “replikave” në distancë, që priten të barten edhe në Kuvend, pas “heshtjes” së pushimeve verore. “Në seancën e parë të sesionit vjeshtor do ta informojmë Kuvendin për katër marrëveshjet, të cilat, më 25 gusht , i arritëm në Bruksel”, ka paralajmëruar kryeministri Isa Mustafa.
“Lidhur me marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel në mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë, ne në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe në Zyrën e Kryetarit të Kuvendit, presim që, në rrugë institucionale, të kemi informatat e plota zyrtare mbi procesin dhe përmbajtjet e këtyre marrëveshjeve”, ka deklaruar kryeparlamentari Kadri Veseli.
Lideri i LDK-së, partisë që udhëheqë me qeverinë, kryeministri Mustafa dhe lideri një kohë të gjatë i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Albin Kurti, kanë “replikuar” ashpër mbrëmë, jo në të njëjtën orë, nga studiot e dy televizoneve të ndryshme, njëri publik e tjetri privat.
Por, mbrëmë nuk kishte vetëm fjalë. “Mbrëmë derisa shkoja në intervistë në RTK dëgjova një krismë në makinë, por mendova qe ishte jashtëqitje (glacitje) e zogjve. Më paskan gjuajtur me vezë njerëzit që marrin rrogë te Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu”, ka shkruar sot Mustafa në ‘facebook’, ku emrat që i përmend janë të kryetarit e nënkryetarit të komunës së Prishtinës që udhëheqet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Policia në njoftimin e dërguar bën të ditur se, “gjatë realizimit të lëvizjes në eskortë, afër komunës së Prishtinës vetura e kryeministrit të Republikës së Kosovës është gjuajtur me vezë nga disa persona”.
Më tej njoftimi bën të ditur se, “Policia e Kosovës duke u bazuar në informacionet e sakta ka pranuar informatën se dy persona të moshës së re kanë lëshuar një qese të mbushur me diçka (të dyshuar) tek rrethoja e komunës së Prishtinës (saktësisht tek gardhi i gjallë).
Dy zyrtarët policorë në detyrë kanë shkuar në atë lokacion për të verifikuar se për çfarë qese bëhet fjalë në mënyrë që të eliminohet dyshimi për ndonjë mjet të dyshuar. Në ato momente nga dera hyrëse e Komunës ka dalë një person i dyshuar, S. Z., duke thirrur me zë të lartë, duke fyer, e pastaj edhe duke sulmuar fizikisht zyrtarët policorë të angazhuar në detyrë zyrtare.
Pasi që i dyshuari S. Z. ishte mjaft i dhunshëm, dhe si rezultat i sjelljeve agresive ka lënduar dy zyrtarët policorë, në asistencë për të vënë kontroll janë angazhuar edhe dy zyrtarë të policisë në rroba civile.
Pas reagimit efikas të policisë i dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit kompetent është dërguar në qendrën e mbajtjes për vazhdim të procedurave të mëtejme ligjore”, përfundon njoftimi i Policisë së Kosovës.
Lëvizja Vetëvendsosje ka organizuar “aksione simbolike” dhe paralajmëruar edhe protesta për të kundërshtuar “Zajednicën” (Bashkësinë) – Asociacionin e komunave serbe. “Krijimi i Zajednicës sjell tensione të reja”, tha mbrëmë Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa kreu aktual i këtij subjekti politik më të madh opozitar në Kosovë, Visar Ymeri, e ka ftuar kryeministrin Mustafa “në një debat publik për të diskutuar për Zajednicën, dëmin që ajo e shkakton, dhe rrezikun që i kanoset Kosovës nga ajo”, derisa kryeministri ka ritheksuar se “Asciacioni është në harmoni me ligjet e Kushtetutën e Kosovës dhe me Paketën Ahtisaari”.
Mark Krasniqi ishte nje nder miqte e shquar te Vatres
Akademiku Mark Krasniqi, qe u shua ne Kosove, me 28 Gusht 2015, ishte dhe nje mik i shquar i Federates Panshqiptare te Amerikes”VATRA”. Ai ishte i ftuari i Vatres edhe ne pervjetorin e Pavaresise se Kosoves me 2011 dhe folesi i darkes. Bashkepunimi ka qene edhe me i hershem mes Vatres dhe akademikut Krasniqi. Te gjithe vatranet ndjehen te prekur nga ikja e akademikut Krasniqi dhe ngushellojne familjen dhe te gjithe miqte e te ndjerit. Ndiqeni kroniken qe dergoi bashkepunetori i Diellit nga Prishtina, gazetari Behlul Jashari me 28 Gusht 2015.
***
Kosovë-Shuhet Akademik Mark Krasniqi/
-Akademik Mark Krasniqi, nga personalitetet më të shquara në fushën e shkencës dhe të kulturës shqiptare, njëri prej njerëzve më të mëdhenj të Kosovës që ka punuar për lirinë dhe pavarësinë, kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën, një jetë në shërbim të atdheut…
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 28 Gusht 2015/ Akademik Mark Krasniqi ndërroi jetë në moshën 95 vjeçare sot pas mesnate rreth orës 00:35 minuta në Qendrën Intensive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku u shtri dy ditë më parë.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njofton në një deklaratë se, sot në ora 00:35 minuta të mëngjesit, në spitalin e Prishtinës, vdiq njëri nga personalitetet më të shquara në fushën e shkencës dhe të kulturës shqiptare, anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, dijetari, intelektuali, profesori dhe veprimtari i spikatur i kauzës sonë kombëtare, akademik Mark Krasniqi. Është kjo një humbje e madhe për familjen, shkencën, Akademinë, për kulturën shqiptare, për kolegët dhe miqtë nga Kosova dhe e gjithë bota shqiptare.
Mark Krasniqi lindi më 19 tetor 1920 në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon) afër Pejës, ku e kreu shkollën fillore, kurse gjimnazin e mbaroi në Prizren në vitin 1941. Prej vitit 1941-1943 ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), ndërsa në vitet 1946-l950 gjeografinë dhe etnografinë në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua më 1950. Në vitet 1945-1946 punoi gazetar-redaktor në gazetën “Rilindja” në Prizren, ndërsa në vitet 1947-l949 gazetar-redaktor në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe).
Në vitet 1950-1961 ka punuar fillimisht si asistent e pastaj bashkëpunëtor shkencor në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd. Në vitin 1960 mbrojti doktoratën në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Lubjanës. Në vitet 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, deri atëherë kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ushtroi disa herë detyrën e prodekanit dhe të dekanit të Fakultetit Juridik-Ekonomik, ishte nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës. Ka botuar dhjetra libra shkencorë e letrarë dhe shumë tekste publicistike e shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezishë.
Me punën e tij shkencore, para së gjithash në fushën gjeoetnografike, të mbështetur në fuqinë e argumenteve shkencore, arriti ta studiojë dhe pasqyrojë realitetin kompleks hapësinor e shoqëror të Kosovës dhe ta gjurmojë thellë kulturën materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve, duke bërë emër përtej suazave të Kosovës dhe atyre kombëtare. Të gjitha këto angazhime të tij ishin pashmangshmërisht të lidhura me luftën për barazi, çlirim dhe afirmim kombëtar.
Për punën shkencore dhe angazhimin e tij në planin shoqëror, politik dhe kombëtar mori shumë mirënjohje dhe dekorata, ndër të cilat edhe “Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” nga Presidenti historik I. Rugova në vitin 2003 dhe çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë, B. Nishani në vitin 2014.
Me këtë rast, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Krasniqi, miqve dhe dashamirëve të tij gjithandej Kosovës dhe mbarë botës shqiptare.
Mbledhja komemorative dhe homazhet do të mbahen në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Për ditën e komemoracionit dhe ceremoninë e varrimit ju njoftojmë në ndërkohë, përfundon deklarata e Akademisë.
JAHJAGA: AKADEMIK MARK KRASNIQI, NJËRI PREJ NJERËZVE MË TË MËDHENJ TË KOSOVËS QË KA PUNUAR PËR LIRINË DHE PAVARËSINË
Me rastin e vdekjes së Akademik Mark Krasniqit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Krasniqi.
“Me pikëllim dhe dhimbje të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Mark Krasniqit, njërit prejpersonaliteteve më të njohura të shkencës dhe të politikës në vendin tonë, që gjithë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare. E ndaj me Ju, e nderuara familja Krasniqi, këtë dhimbje të madhe për humbjen e njeriut më të dashur, duke e kujtuar përherë punën dhe angazhimin e palodhshëm për dekada me radhë të Akademik Mark Krasniqit”, shprehet ajo.
Akademik Mark Krasniqi, vijon Jahjaga, do të përkujtohet ndër gjenerata për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e shkencës, publicistikës letrare dhe si autor i teksteve shkollore dhe njëri prej njerëzve më të mëdhenj të Kosovës që ka punuar për lirinë dhe pavarësinë e saj.
“Ndarja nga jeta e Akademik Mark Krasniqit është humbje e madhe për familjen, për miqtë, për bashkëpunëtorët, për të gjithë ata që patën fatin ta njohin. Është humbje e madhe për gjithë Kosovën. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në emër të Institucioneve dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e Presidentes Jahjaga.
MUSTAFA:MARK KRASNIQI, KONTRIBUT TË JASHTËZAKONSHËM PËR KOSOVËN
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ngushëlloi familjen Krasniqi dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar, anëtarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Akademik Mark Krasniqi.
“Me dhembje dhe pikëllim të madh e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Mark Krasniqit, personalitet i shquar në fushën e shkencës dhe kulturës shqiptare. Akademik Mark Krasniqi me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në arsimin, shkencën, kulturën dhe botën akademike të Kosovës”, thuhet në telegramin e kryeministrit Mustafa.
Kryeministri Mustafa po ashtu thekson se Akademik Mark Krasniqi, do të përkujtohet përherë si një personalitet i shquar frymëzues për kosovarët, për kontributin e dhënë në shumë fusha të shkencës në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, thekson se vdekja e Akademik Mark Krasniqit është humbje shumë e madhe për familjen, për kolegët dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
HARADINAJ: AKADEMIK MARK KRASNIQI, NJË JETË NË SHËRBIM TË ATDHEUT
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj,
e ka ngushëlluar familjen Krasniqi dhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, me rastin e vdekjes së Akademik Mark Krasniqit
“E nderuara Familje Krasniqi dhe gjithë Komuniteti shkencor dhe letrar mbarëshqiptar:
Vdekja e Akademik Krasniqit, është një humbje e madhe për familjen e tij, shkencën dhe dijen si dhe për gjithë popullin shqiptar!
Akademik Krasniqi, e harxhoi një jetë në shërbim të atdheut. Një njëri i urtë e me vlera të jashtëzakonshme, Akademik Krasniqi, do të mbetet një nga ikonat e luftës për lirinë e Kosovës, një studiues i shkëlqyer si dhe njëri prej krijuesve më origjinal në historiografinë dhe letërsinë shqiptare.
Përherë shembull në rrugëtimin tonë të mëtutjeshëm!
Ju lutem që të pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta të cilat i shpreh edhe në emër të anëtarësisë së AAK-së dhe të familjës sime”, thuhet në telegramin e Haradinajt.
AKADEMIK MARK KRASNIQI NË 28 TETOR 2010: SOVRANITETI I KOSOVËS NUK ËSHTË I PLOTË
Në 28 tetor 2010, Akademikut Mark Krasniqi, deputetit më të vjetër kosovar të të gjitha mandateve të pasluftës, iu urua 90-vjetori i lindjes në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Unë do ta shfrytëzoj rastin që edhe në emerin tim edhe të deputetëve t’ju uroj 90-vjetorin e lindjes”, iu drejtua kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniq, akademikut Mark Krasniqi, duke e falënderuar në përfundimin e fjalës së tij në deklarimet e deputetëve jashtë rendit të ditës.
Urimi i kryeparlamentarit për akademikun dhe deputetin që kishte hyrë në dhjetëvjetëshin e dhjetë të jetës u përcoll përshëndet me duartrokitje.
Akademik Mark Krasniqi në deklaratën e tij në seancën plenare të Kuvendit shpreh shqetësimin se “sovraniteti i Kosovës nuk është i plotë”, duke u angazhuar që të bëhet i plotë dhe duke tëhequr vëmendjen edhe për veprimin e stukturatve të Serbisë në disa pjesë të Kosovës.
Ai shprehu shqetësimin edhe për “harrimin e veriut të Mitrovicës” dhe bëri thirrje që mbi të gjithë të jetë interesi i shtetit të pavarur të Kosovës, mbi të gjitha interesat partiake, personale e të tjera.
Ai tha edhe se “eksterritorialiteti është heqje dorë nga pjesë të territorit të Kosovës dhe dhënie tjetërkujt që t’i administrojë”.
“Këto janë gjera që nuk duhet t’i pranojmë në asnjë mënyrë…Kur është interesi i Kosovës, i territorit, i sovranitetit, aty nuk duhet të pranojë askush asnjë gjë. Madje, këto gjëra duhet t’i vendosë Parlamenti, e jo Qeveria”, theksoi akademik Krasniqi.
Ai theksoi mbështetjen për komunitetin serb dhe të gjitha komunitetet në Kosovë dhe u angazhua edhe që “të drejtat e bartabarta të jenë për të gjitha komunitetet e jo vetëm për komunitetin serb”.
“Ne jemi për komunitetin serb dhe për të gjithë që t’i kenë të drejtat maksimale të Evropës Perëndimore, por jo edhe të jenë në dallime shumë të mëdha me të drejtat e komuniteve tjera”, tha akademik Krasniqi. Ai foli edhe për rëndësinë e madhe të regjistrimit të popullisë, të munguar gjatë 30 vjetëve, e që do të bëhej në vitin 2011, për domosdonë e luftës kundër korrupsionit dhe për angazhime të tjera për të mirën e Kosovës, duke u angazhuar për më shumë suksese në të gjitha fushat në shtetin e ri.