Nga Ilir Levonja/
Në gusht ka sherr në Himarë. Edhe në Dhërmiun e humanistit të madh Petro Marko. Me që jemi tek Himara…, unë kam jetuar aty. Dhe çfarë mbaj mend, ishte që njerëzve ua kishte qejfi të flisnin greqisht. Por kur shaheshin u mbushej gjoksi në shqip. Atyre kohëve Himara ishte e ushtarakëve. Dhe grekofonët i ishin avitur Tiranës. Aty kishte oficerë nga veriu dhe nga jugu. Kryesisht ata që nuk i shikonte mirë qëndra. Kishte dhe xhenjerë fortifikimesh. Kishte edhe bujq që ushqenin me mundim dy fabrika. Të gjithë militonin të ndërtonin socializmin. Madje vendet e kultit apo kalatë e kështjellave, u kishin hedhur ferrat ose u kishin vënë drynin. Ose ose i kishin bërë edhe reparte ushtarake. Sot është perla e sherrit greko-shqiptar. Po bëhet edhe perla e sherrit ortodoksë shqiptarë dhe bazilianë. Apo katolikët e lindjes. Edhe perla e turizmit stratosferik. Himara sado që sot bërtasin, ndërtonte me entuziazëm bunkerë dhe tunele. Bëhej më grusht me pushtetin. Pikërisht përballë armikut në pellgun e jonit. Kështu edhe sot, ndërtojnë me entuziazëm bunkerët e luftës ndaj njëri-tjetrit. Aq sa i ka kapur marrëzia e dasmave ku të gjithë vrapojnë të dorovisin një shesh ahengu. Jo vetveten. Jetën e tyre. Por sherrin e kot. Dhe më e keqja, ose bjerrja e vetvetes fillon kur gjithkush mendon se po i shërben Shqipërisë. Dhe dikush tjetër Greqisë. Dhe dikush tjetër kishës orthodokse. Dhe dikush tjetër kishës katolike. Apo priftërinjëve bazilianë në Himarë. Gjithmonë nën emrin e asaj viraneje që quhet vendosja e së drejtës në vend. E para fillon që nga përpjekjet e një deputeti që hiqet patriot. Nga një kryeministër apo minister kulture që po ashtu hiqen patriotër. (Prishin në terr, në emrin e Maliqit një objekt të betonuar qëllimisht) Nga një opozitë që bëhet po me patriote dhe vrapon sipër gërmadhave duke ngritur një flamur të dalëboje.
Një flamur rreckash mbi një muranë nga ato, që janë shenja në anë të rrugës. Kur ka të tjera punë për të bërë. Në një vend që ka një qeveri që, u tregon drejtimin e duhur qytetarëve. Duke i quajtur refugjatë nga Greqia për shkak të krizës greke. Pastaj nisen me radhë ”patriotë” profesorë e qytetarë të radhitur si grek, si ortodoks grekë. Mbetën në gojë me të drejttat e njeriut. Pastaj qytetarë shqiptarë, me ”patriotizëm”. E kujt i është kisha, e Thanasit apo Nilo Catalanos. Ashtu sikur është e mënxyrtë përdhosja e eshtrave. Pastaj një peshkop që vrapon në Athinë. Rrëmues dhe kërkues, jo kur erdhi, jo kur vdiq. Jo ishte italian, jo spanjoll. Jo kështu e ashtu. Dhe fatkeqësisht, është thjesht sherr. Grindje, gici-vici. Ja kaq…
Pse mjerë me qënë besimtar? Sepse më shumë se mirësisë po i kushtohen të drejtës boshe që jam grek, shqiptar, italian apo spanjoll. Jemi ortodoksë, jemi katolikë, apo jemi hibrit. Pra po shtohemi e riprodhohemi me mërinë e së drejtës. Gjoja duke luftuar për të drejtën pa pranuar tjetrin. Në hullinë e atyre argumentave që sillni me fakte gjoja…(pasi fakte sjellin të gjithë), për vitet 1500 apo 1600. Se çfarë bënte Thomai dhe çfarë bëri Nilo Catalano. Nga ana tjetër flasim për shtet laik, por shfaqemi arrogantë, gjoja besimtar, gjoja patriotë, gjoja mbrojmë të drejtën. Pse mjerë me qënë besimtar? Sepse po pjellim luftëtarë fanatikë besimesh, se sa besimtarë që të qetojmë hallet apo dertet. Ndërkohë në janar të këtij viti marshuam në Paris kapur krahësh. E megjithatë asnjë nga besimet nuk u ulën e të diskutojnë se çfarë dhe si mund të meremetohet apo t’i kthehet kulturës fetare ai objekt. Ajo mollë e kafshuar nga të gjitha anët. Pse mjerë me qënë besimtar? Sepse ikonat e kishave, ajo qetësia e amëshuar, ajo era drurit të shplodhur kohërash. Po na kthehet në makthin e viteve kur diktatura e njësonte me varrin. Dhe normalisht që mund të pyesim, ku po shkojmë, të falemi apo të vdesim? Pse mjerë me qënë besimtar? Sepse tërësia e atyre viteve që sjellim për argumenta. Përfytyrojeni…, luftra, dyndje, genocide, shpërngulje. Kush? Shqiptarë, grekë, turq, serb, bullgarë, rumunë, vlleh apo çfarë tjetër.
Pse mjerë me qënë shtetarë tani? Qofshi grekër minoritarë, qofshi shqiptarë autoktonë, qofshi vlleh apo bullgarë? Para së gjithash jeni shtetas shqiptarë. Shikojeni kështu ekzistencën tuaj. Dhe të gjithë duhet të kuptoni se patriotizmi më i madh është kur mbroni së pari njëri-tjetrin. Jo duke jetuar në oborrin e njëri-tjetrit dhe duke bërë duvanë e vendit që e konsideroni si vend origjine. Vendi juaj është vendi ku keni varrosur njerëzit tuaj. Ku shkoni i kujtoni. Besimi juaj është besimi që praktikoni realisht duke mos evokuar kohën e mesjetës. Mesjeta përpara se e drejta e gjithkujt prej jush, është turpi i njerëzimit. Pse mjerë me qënë edhe shtetar aty? Sepse një qeveri, jo vetëm kjo e Edi Ramës. Por të gjitha. Dhe ato që kanë shkuar. Dhe ato që do vinë…, më përpara se të ndreqin objekte kulti. Të ndërtojnë shtëpi banimi. Prandaj mbledhin taksa. Shteti nuk ndërton objekti kulti. As nuk mbjellë të tillë. Shteti mbjell shtëpi, pemë. Hap vende pune. Përmison jetën e qytetarëve, pasi është një soj kryefamiljari që merret me ato që sjellin shtetarët nga dita e punës. Pse mjerë me qënë qytetarë, shtetar, e besimtarë aty? Sepse ngelëm duke gatuar çorbë. Që vetëm po helmon njerëzit. Nuk po i ushqen.
Me që përmenda dhe Petro Markon. Ka një moment në librin e tij, Retë dhe gurët ku përshkruan bregun. Që e gjitha, historia njerëzore e bregut, është në këtë sherrnajë. Jo e imja, jo e jotja. Jo e Turqisë, e Greqisë, e Shqipërisë, e Napolit etj. Dhe asnjëherë e bregut. Që edhe pse jetojnë bashkë mbetën duke u grindur. Ja si e thotë Petro Marko, ”shumë fanatikë ishin fshatarët e mi! Njëzet e gjashtë kisha kishte. Mbaj mend unë se kishim tetë priftërinj”. Çfarë i duheshin Dhermiut gjithë ato kisha? Asgjë tjetër. Veçse sherrnaja e kohës për të cilën sot i sjellim si argumenta se kush e ka kafshuar i pari atë mollë bregu. Thjesht fatkeqësi.
BAJRAM BAJRAKTARI- PERSONALITET I SHQUAR,ATDHETAR DHE INTELEKTUAL
Shkruan:Eugen SHEHU/
Në historinë shum shekullore të Lumës,ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore zënë vendin e tyre të veçantë.Ashtu sikundër në shekujt para ardhës edhe në këto vite eposi i lirisë u përsërit në po ato dimensione të burrërisë dhe guximit.Luma dëshmoi se donte të jetonte e lirë,ajo i tregoi Shqipërisë dhe krejt Ballkanit se përpara lirisë nuk pyeste për asnjë makinë ushtarake qoftë kjo e Beogradit apo Sofijes e Romës apo Berlinit.Ndërkaq Lumjanët nuk mund të pajtoheshin asesi në ato vite me robërinë, e cila donte të rrënojë traditat e vyera dhe kontinuitetin moral të lumjanëve.Në krye të burrave të ditur dhe trima të cilët u përballën me fashistët italian,nazistët gjermanë dhe bollshevikët sllavoshqiptarë në krah të legjendarit Muharem Bajraktarit, rri denjësisht figura e vëllait dhe bashkëpuntorit e luftëtarit të tij,Bajram Bajraktarit.
Lindi në katundin Ujmisht të Lumës në shtatorin e vitit 1919. Pak kohë më parë në shtëpinë e madhe të Bajraktarëve,pat ndërruar jetë Bajram Bajraktari,luftëtar i madh i Lumës në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,me ç’rast emri i tij u përcuall tek i sapolinduri.Lumjanët ndërsa uronin babën Nezir,për djalin nuk mungonin t’i kumtonin atij,”U bëft i hajrit si baca Bajram !,Neziri u përpoq të edukonte tek biri virtytet e të jatit dhe shpesh për birin thoshte se dritën e syrit e ka si të gjyshit të vet.Në vjeshtën e vitit 1926,Bajram Bajraktari nis mësimet në shkollën fillore të fshatit Kolesjan. Shkolla në fjalë edhe e politikës arsimore thellësisht kombëtare të ideuar dhe të zbatuar prej qeverisë shqiptare të kohës,kishte mundur të përhapte jo vetëm rrezet e dijes por sidomos idetë e lume të shqiptarizmës.Ngase Luma,ndodhej pikërisht në vijën e urryer të kufirit,ngase plaga e vitit 1913 ende kullonte gjak,mësuesit-patriotë në Kolesian e gjetiu në Lumë,nuk rreshtin së edukuari gjeneratat Lumjane me idenë se kjo ndarje tragjike e vitit 1913,do të shërbente si këmbanë kushtrimi për të gjithë shqiptarët,që këta të linin gjakderdhjet e vëllavrasjen për t’u bashkuar përgjithmonë me vëllezërit e tyre të gjakut.Ende herët në vitet e para të shkollës në Kolesian,Bajram Bajraktari po merrte inat shtrigën Evropë…
Në vitin e fundit të shkollës në Kolesjan,Bajrami do të mendonte sigurisht për të ardhmen e vet. Baba Nezir,në gjendje të mirë ekonomike i pat thënë që Bajarami të zgjidhte ku të donte për t’u shkolluar,por falë traditave të kahershme lumjane,vëllai më i vogël s’mund të merrte vendin pa u konsulltuar me vëllain më të madh.Asaj kohe vëllau i madh Muharem Bajraktari ishte në funksionin e lartë të Komandantit të Përgjithshëm të Xhandarmërisë Shqiptare,ndaj së toku me babën Nezir,Bajrami merr rrugën për në Tiranë.Ai do të mrrekullohej prej uniformës së bukur të vëllaut të madh dhe do t’i thoshte atij se donte të vazhdonte mësimet më tej.Ky e pati përqafuar Bajramin dhe disa muaj më pas,me shpenzimet e veta,e dërgon atë të vijojë mësimet e mesme,në një prej gjimnazeve në Romë.Edhe këtu do të binte në sy dashuria e madhe e Bajramit për dije,si edhe këmbëngulja për t’i përvetsuar këto dije në thellësinë e tyre.”Këtu mbaron gjimnazin me rezulltate të shkëlqyera dhe dekorohet me medaljen e artë,i jepet e drejta të vazhdojë studimet e larta në degën që dëshironte dhe me bursën e shtetit Italian,Bajrami për tre vjet vazhdon studimet e larta në Romë,në fakulltetin juridik”.(H.Vata “Portrete nacionalistësh”Prizren 200,faqe 50 ).
Pushtimi fashist i 7 prillit 1939,ashtu sikundër tek gjithë shqiptarët do të linte gjurmët e veta të dhimbjes edhe tek Bajram Bajraktari.Së bashku me dhjetra e dhjetra studentë të tjerë shqiptarë në Romë ai do të protestonte pranë selisë së kryeministrisë italiane,duke ngritur madje zërin lartë në mbrojtje të fateve të Shqipërisë.Por makina ushtarake e Duçes brenda pak ditëve mundi të deportojë në krejt viset shqiptare,me ç’rast kundërshtimi ishte vetëm gjakderdhje e kotë.Në vjeshtën e vitit 1939,shkon në Lumë,Muharrem Bajraktari pas disa vitesh largimi nga Shqipëria.Karakteri i paepur i këtij burri,natyrisht që nuk do të pajtohej me okupimin e vendit,ndaj nis nga puna për ngritjen e çetave të para antifashiste.Komanda e lartë e trupave italiane në Shqipëri,duke njohur influencën e Muharremit në Veri të Shqipërisë,i ofron atij vende të rëndësishëm në xhandarmërinë shqiptare,por ky nuk pranon,përkundrazi,në fillim të vitit 1940,nis nga luftimet e para kundër forcave italiane në Kukës,ka qenë kjo arsyeja që në verën e vitit 1940,familjen Bajraktari,fashistët italian e internojnë në Ballsh të Fierit,ndërsa Bajram Bajrakatrit i komunikojnë ndërprerjen e të drejtës së studimit.Me ndjenjë përgjegjsie për fatet e popullit të vet,Bajrami kthehet menjëherë në atdhe dhe pse dikush e këshilloj që t’i drejtohej me një letër mirënjohjeje shtetit italian për të vazhduar studimet.Me të zbritur në Vlorë udhëton drejt Ballshit dhe aty shmallet me prindërit dhe pjestarët e tjerë të familjes. Brenda javës merr rrugën për në Lumë dhe pasi merr bekimin e vëllait të madh,Muharremit, zë vendin e vet në çetën e luftëtarëve.21 vjeçar me një llogjikë të mprehtë,me një bagazh të plotë intelektual,ai fillimisht merr përsipër të agjitoj nëpër Lumë,se duhej ngritur e organizuar për tu ndeshur me okupatorin.Kjo veprimtari e gjërë e tij ka rënë edhe në sy të autoriteteve vendore.Në një dokument arkivor të kohës,me anë të të cilit prefekti i Kukësit njofton Ministrinë e Punëve të Brendshme,në Tiranë,pos të tjerave mësohet se ; “Në lidhje me plagosjen e Adnan Zenelit,anëtar i Direktoriumit të Federatës së Partisë Fashiste shqiptare të këtushme,raportuer me telin tonë nr.1100,datë 3.8.1940,kemi nderin t’iu njoftojmë se nga hetimet tona të veçanta,ngjarja ash ba me shtytjen e Muharrem Bajraktarit, e prej kohës që ky asht në këtë qark punon për me ngjallë influencën e mëparshme ai vetë dhe me anën e vëllait Bajram Bajrakatrrit,të cilin asht tue e dërgue andej-këndej nëpër katunde për me pleqnue”.(A. Q. i shtetit-Tiranë.Fondi 152/2 dos.176,fleta 28)
Në verën e vitit 1942 çeta nacionaliste e Lumës numëronte rreth 300 burra të armatosur nën komandën e Muharrem Bajraktarit,ndërsa sipas kuvendeve të besës të lidhur në fshatrat Ujmisht, Lusën,Surroj,Kolesjan,Vilë,Kroi i Bardhë,Gostil,Bicaj,etj,nëse jepej kushtrimi atëherë keto forca do të numëronin mbi 1500 vullnetarë shqiptarë.Okupatori italian gjatë kësaj kohe ndiqte me vëmendje lëvizjen e çetës nacionaliste të Bajraktarit e cila i pat shkaktuar jo pak dëme,ushtrisë së tij,duke e goditur në terrene të thyera malore dhe në befasi të plotë.Roma e cila në vitet 1940-1942 ishte në kulmin e lavdisë së saj,asesi nuk mund të duronte që një grup nacionalistësh shqiptarë,të mbanin të lirë krahinën strategjike të Lumës.Mbi bazën e një plani konkret,në mesin e shtatorit 1942,ata e rrethojnë Lumën me rreth 2000 forca të paisura me armatim modern të kohës.Të informuar se Muharrem Bajraktari ndodhej në Ujmisht në mesnatën e 22 shtatorit 1942,një kompani e specializuar për luftime alpine i drejtohej në fshehtësi kullave të Bajraktarit.Ndërkaq, Muharremi, shpejton të lërë Ujmishtin duke lënë shtigje të lira dhe vendoset në pozicione të favorshme përkundruall Ujmishtit duke lënë aty rreth 40 burra,midis të cilëve Bajram Bajrakatrin,Dostan Rexhepin dhe Hamz Rexhepin,Tasim Spahinë etj.Forcat italiane ende pa iu afruar mirë kullave të Muharremit u goditën prej karakolleve të saj,ndërsa një orë më pas,u vunë midis dy zjarreve me ç’rast u larguan nga sytë këmbët duke lënë muret e kullës dhjetra të vrarë dhe të plagosur.Por edhe nga nacionalistët pati dëme.Autoritetet vendore njoftojnë atë ditë Tiranën se : “Më 23 shtator 1942, një kompani milicësh fashistë u ndesh në Ujmisht me pjestarë të çetës së Muharrem Bajrakatarit. Gjatë shkëmbimit të zjarit midis tyre u plagosën Bjaram Bajraktari,Rexhep Tusha e Nezir Osmani,i cili u transportua në spitalin e Prizrenit ku dhe vdiq”.(Arkivi Qëndror i Shtetit – Tiranë. Fondi Ministria e Punëve të Brendshme,dosja 292/1,dok 1228 ).
Ndonëse forcat italiane e patën rrethuar Lumën,ato nuk mundën të hynin në zemër të saj,pasi i trembeshin influencës së Muaharrem Bajraktarit,në mënyrë të veçantë reputacionit që ai gëzonte si në Kukës ashtu edhe në Dibër.Komanda e lartë e Trupave italiane në Shqipëri,parashihte në goditjet e Muharrem Bajrakatrit disa reaksione zinxhir,me ç’rast mund të humbiste më shumë se sa fitonte. Në këtë mënyrë okupatori italian vuri në dispozicion mjete dhe njerëz për të marrë vesh se ku fshihej Bajraktari dhe cilët ishin njerëzit që e mbështetshin atë.Qarqet e shërbimit sekret italain u pëpoqën të infiltrojnë edhe dy-tre shqiptarë të paguar në radhët e nacionalistëve lumjanë,por Bajrakatari,falë intuitës dhe eksperiencës ai i pati shmangur të huajt nga radhët e formacioneve që drejtonte.Këtej e tutje pika më e fortë e Muharremit do të mbetej vëllai i tij Bjarami,i cili ndonëse i ri në moshë,kishte pjekurinë dhe guximin për të marrë përsipër detyra tejet delikate.Vetë Bajrami përpiqej në çdo mënyrë,t’i lehtësonte vëllait të tij barrët e rënda që nisnin ç’prej mundimeve të rezistencës kundër fashizmit e deri tek aleancat e mundshme midis nacionalçlirimtarëve dhe nacionalistëve,apo vetë nacionalistëve të trevave të ndryshme për të patur të sigurtë krahët e tij.Muharremi veç aleancave me prijësit dibranë,vendosi marrëdhënie të ngushta edhe me mikun e vjetër të tij,prijësin popullor Abaz Kupin.Të dy burrat nacionalistë i dhanë besën njëri-tjetrit për ta ndihmuar shoku-shokun në luftën e përbashkët për të shporur okupatorin italian.Por mësohet se në mjaft prej bisedimeve që Bajraktari zhvillonte me Kupin,ai përfaqsohej nga vëllai i tij,Bajrami.Kështu në një telegram që MPM e Shqipërisë i dërgonte nënprefekturës së Burrelit pos të tjerave e bënte me dije se “Muharrem Bajraktari ndodhej në rajonin e asaj nënprefekture në shtëpinë e Brahim,Gjoçit ose Brahim Gjoçi e din se ku ndodhet i fshehur Muharrem Bajrakatri. Kurse Bajrami i vëllai i tij me 7 vetë gjendet në atë rajon,ka ardhë apostafat me u takue me Abaz Kupin…”(A. Q. i Sh. –Tiranë.Fondi Ministria e Punëve të Mbrendshme, dosja 292/1,nr.7/195).
Gjatë vitit 1943,Bjaram Bjarakatri zhvillon disa luftime të sukseshme me çetën e tij,disa herë larg formacioneve luftarake të drejtuara nga Muharremi.Si bashkëpuntor të vetin ky do të kishte pranë kurdoherë,togerin e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare,Tahsim Spahiun (nipin e Islam Spahisë) akademistin e shkëlqyer të Romës,i cili më pas u bë tmerr i forcave komuniste të Tiranës.Por ai do të përfaqsoj vëllanë e tij Muahrremin,në takime të ndryshme edhe me misionet britanike në Shqipëri Me fjalën e tij të matur e të butë ai do të demaskonte sidomos qëndrimin e klikës komuniste të Tiarnës, e cila pati shpërndarë fjalë kinse Muahrremi mbante lidhje me gjeneralin serb Drazha Mihajlloviqin,me anë të kësaj demagogjie nacionalçlirimtarët shqiptarë përpiqeshin të minimizonin sadopak influencën e Bajraktarit në malësitë e Gjakovës por pa sukses. Në fillimshtatorin e vitit 1943, lavdia e Musolinit ishte zbehur aq shumë sa radiot në Evropë çdo ditë flisnin mbi panikun e forcave “të humbura” të imperatorisë.Forcat italiane të dislokuara në Kukës,midis të cilave dy batalione të divizionit Puglia,një regjiment granatier 72,një repart i regjimentit të artilerisë dhe forca të tjera të milicisë fashiste,muarën urdhër të largoheshin nga Kukësi për në Prizëren.Muharem Bajrakatri sapo mëson lajmin dërgon menjëherë përfaqsuesin e vet pranë komandës italiane në Kukës,duke i kërkuar asaj komande që trupa të largoheshin por armatimin,municionin dhe mjetet e tjera të logjistikës t’ua dorëzonin forcave nacionaliste.Kur komanda italiane nuk pranoi, nacionalistët e Lumës dhanë kushtrimin duke i bërë një rrethim të shpejtë Kukësit.
Më 8 shtator 1943,qyteti verior i Shqipërisë u gjend i rrethuar krejtësisht prej forcave nacionaliste të cilat udhëhiqeshin prej Muharrem Bajrakatrit,Bajram Bajraktarit,Tahsim Spahisë,Dostan Rexhepit, Hmaza Rexhepit,Sadik Spahisë,Imer Miftarit,Liman Peposhi etj.Muharrem Bajrakatri kishte vendosur shtabin e vet luftarak në Rambas dhe jo pa qëllim pat ngritur në një kodër të dukshme, flamurin kuqezi për t’u bërë thirrje gjithë kuksianëve të bashkoheshin në këtë përleshje vendimtare me pushtuesin italian.Meqenëse sulmi mbi gazermat italiane paraqiste shumë rreziqe dhe vështirësi, Muharremi caktoi aty të vëllanë,Bajramin të udhëhiqte rreth 100 burra,ndërsa forcat e tjera i përqendroi përgjatë rrugës Kolsh-Kukës-Prizren ku forcat italiane kishin marrë urdhër për t’u tëhequr.Në të vërtetë sikundër dëshmojnë edhe dokumentet arkivore,goditja deçizive iu bë italinëve në vendin e quajtur Kulla e Lumës.Këtu falë një mbrojtjeje të shkëlqyer natyrore nacionalistët shqiptarë organizuan një pritë perfekte dhe duke shfrytëzuar elementët psikologjike të armikut ( ai po largohej turpshën nga Shqipëria) hapën zjarr të fuqishëm,nga të gjithë krahët.Beteja në Kullë të Lumës zgjati rreth dy orë,me ç’rast qindra ushtarë italian,në pamundësi të rezistonin u dorëzuan. Mjaft prej forcave vullnetare lumjane,mundën të hynin në gazermat italiane ku muarën armë dhe paisje të tjera ushtarake,por me urdhër të Bjaram Bajraktarit,asnjë prej ushtarëve apo oficerëve italian nuk u prek.Njohës i thellë i gjuhës italaine,Bajrami u takua me komandantin italian të garnizonit dhe kur ky i spjegoi se donin të shkonin në Prizren,vetë Bajrami organizoi një kompani të vullnetarëve shqiptarë,për të përcjellë robërit italin të luftës deri në qytetin e Prizrenit.Ngase më 23 shtator 1943 në ndihmë të garnizonit italian patën vajtur edhe dy kompani gjermane,pati të vrarë dhe rrobër edhe prej këtyre,ndaj Bajrami u kujdes që në këtë rast të ishin gjithashtu të sjellshëm me robërit e luftës.Luftimet në Kullë të Lumës,gjaku i derdhur aty nga të dy palët ndërluftuese,treguan edhe një herë se asnjë okupator nuk mund të ndihej rehat në Lumën heroike.Telegramet që venin e vinin nga Roma e Berlini,flisnin për heroizmin e çetave lumjane të udhëhequra nga Muharrem Bajrakatri,si edhe qëndrimin dinjitoz të vëllaut të tij,me robërit italian dhe gjermanë të luftës. Vetëm një ditë pas tërheqjes së ushtrisë italiane në drejtim të Prizrenit,në Kukës mbërriti një oficer gjerman,i cili donte të takohej me Muharrem Bajraktarin,meqë ky nuk ishte në qytet,me anën e një korieri,Bjaraktari i mbrriti një letër ku midis të tjerave i thuhej të shkonte në Prizren,me sa trupa të donte,për të biseduar rreth një bashkëpunimi të mundshëm.Edhe në këtë rast Muharremi thirri të vëllanë,Bjaramin për t’u konsultuar.Dy ditë më pas,korrieri i Bajramit shkon në Prizren dhe bën me dije komandën e lartë gjermane aty që ky flirt nuk mund të ndodhte,dhe prej atij momenti gjermanët do të bindeshin se vëllezërit Bajrakatri nuk do t’i kishin asnjëherë në krah të tyre.Por edhe vetë Bajrakatrët duke parë strategjinë e ushtrive të RAIHUT TË TRETË dhe sidomos sulmet e tij mbi Jugosllavinë dhe Greqinë,askurrë nuk e konsiderroi Gjermaninë si rrezikun kryesor për shqiptarët,duke parë përtej realiteteve,vëllezërit Bajraktari u pëpoqën me çdo kusht të lidheshin aleat Forcat Aleate për të ndërtuar një Shqipëri sipas modeleve demokratike perëndimore. Por fitorja e klikës komuniste shqiptare,ka ndërprerë veprimtarinë kundër okupatorit të nacionalistëve shqiptarë.Këtej e tutje ata po përndiqeshin prej nacionalçlirimtarëve,kinse kishin bashkëpunuar me armikun.Në të vërtetë sipas ideve bollshevike,këta nacionalistë duhet të zhdukeshin pasi ëndërronin të shpinin Shqipërinë në civilizimin perëndimorë dhe jo në Lindjen komuniste,pra larg pushtet “model” të Sovjetëve.Çeta e muharrem Bajraktarit,në të të cilën ndodhet edhe i vëllai,Bjarami,tani merr rrugën e maleve duke mbajtur gjallë frymën e lëvizjes ilegale të rezistencës atnikomuniste.Më 13 qershor 1946,ndërsa nacionalistët e udhëhequr nga Muharrem Bjaraktari po përpiqeshin të kalonin në kufijtë helen,përmes maqedonisë shqipatre,në vendin e quajtur Buvari u rrethuan nga mijëra forca partizane serbosllave.Në këtë betejë Bajrami tregon heroizëm të rrallë duke mundur të ndihmojë vëllanë e vet,Muharremin.Por këtu ai plagoset rëndë dhe bie në duart e forcave të OZN-ës jugosllave.Për dy vjet me radhë,Bjaram Bajraktari mbahet në qelitë e Idrizovës famkeqe të Shkupit. Dhe me kërkimin e klikës komuniste të Tiranës për ekstardimin e Bajramit në Shqipëri për ta dënuar atë sipas gjyqeve komuniste të montuara ai ekstaradohet.Ky bashkëpunim kolaboracionist i komunistëve shqiptarë dhe ato sllav ka qenë në nivelet më të larta në atë kohë.
Segmentet e krimit shtetëror shqiptar e mbajnë gjithashtu dy vjet në hetuesinë e tyre për ta dënuar më pas me vdekje,me pushkatim.Akuza e klikës komuniste sikurdoherë,niste nga frazat stereotipe “ka bashkëpunuar me organizatat tradhëtare të ballit dhe të legalitetit.Lidhur me pushkatimin e tij,bashkëvuajtësi politik Sheh Ali Bojdani,pos të tjerave do të rrëfente ; “Në orët e vona të natës së zezë 20 shtator 1949 që ne po flinim gjumë,futet në dhomë me rrëmbim një oficer dhe ca policë duke bërtitur ;Bajram Bajrakatari çou e vishu ! Bajrami i qetë ngrihet në këmbë,heq trikon e leshit që e kishte veshur dhe ia dhuron një mirditori të dhomës që ishte i sëmurë dhe i zhveshur.Tenton të përqafohet me shokët e dhomës,por policia nuk e lejoi.Pastaj na drejtohet me këto fjalë ;”Lamtumirë burra se sonte ndërron jetë Bjaram Bajrakatari,ma bani hallall dhe gjaku im hallall i qoftë Shqipërisë,Rroftë Shqipëria !”.Kjo natë pushkatimi koincidon me 30 vjetorin e lindjes.Duke ngelur sot e kësaj dite varhumbur si shumë patriotë shqiptarë që i pushkatoi diktatura,padrejtësisht në moshë shumë të re i ndërpritet jeta këtij intelektuali patriot,duke lënë familjen pa shtëpi,në varfëri e vetmi.Djalin e vetëm 5 vjeçar Nezirin dhe bashkëshorten e re Humen.Këto gjatë gjithë kohës jetuan në shtëpinë e babës së bashkëshortes Isen Ahmetit nga fshati Myç-Mamez.Edhe pas gjithë atij kalvari vuajtjesh dhe në moshën 80 vjeçare Huma vazhdon të jetojë ende me djalin,nipat dhe mbesat e saj”.(H.Vata”Portrete nacionalistësh”Prizren 200,faqe 54 ).
Një jetë e shuar rinore,një var i pagjetur i një nacionalisti,një kokë loti i derdhur i një fëmije për babanë e paparë,një shpresë e një zonje dhe pas 8 deceniesh vetëm për gjetjen e eshtrave të burrit të saj,të rrefen madhështinë e madhe të Nacionalizmit Shqiptar,ajo ndjenjë e aj shpirt që të mban në jetë edhe atëherë kur më jetë s’të duhet.
Bern-.Zvicër
Shkelqimi i Kryeministrise dhe mjerimi i popullsise qeverisje kozmetike
NGA SADIK ELSHANI*/
Shkelqimi i Kryeministrise dhe mjerimi i popullsise qeverisje kozmetike Dite me pare u trumpetua ne shtypin shqiptar per meremetimin (rinovimin), rregullimin e nderteses se Kryeministrise. Kati i pare u shnderrua ne galeri e librari. Ndoshta ketu nuk ka asgje te keqe, por ndertesat qe kane vlera arkitektonike, historike duhet t’u nenshtrohen disa kritereve qe nuk ia cenojne vlerat origjinale arkitektoniuke. Kryeministria ne radhe te pare duhet te jete ne sherbim te kryerjes sa me funkcionale te puneve te qeverise, te kryeje funkcionin e saj te mirefillte. Nese Tirana ka nevoje per nje galeri, librari, atehere le te ndertohet nje librari, galeri che jo Kryeministria te shnderrohet ne galeri, librari. Kryeministria si dhe te gjitha ndertesat tjera qeveritare, shteterore, akademike, kulturore, deri diku jane pasqyre e zhvillimit te nje shteti, gjendjes, nivelit te tij shoqeror e kulturor. Prandaj, edhe ato duhet te kene nje nivel te lakmueshem arkitektonik, funkcional dhe te jene te mirembajtura si duhet.
Arti e shpreh shpirtin e nje kombi, e fisnikeron shpirtin e njeriut, por ndryshimet qe ka bere zoti Rama ne Kryeministri, jane vetem ndryshime kozmetike dhe nuk cojne fort peshe ne kandarin e mireqenies se popullit shqiptar. Te gjithe e dime qe Kryeministri na paraqitet si nje njeri qe ka shije artistike, por ceshtja qendron diku tjeter: keto ndryshime kozmertike, Kryeministri dhe njerezit rreth tij i marrin si nje sukses, arritje te qeverise, vetem per t’u hedhur shqiptareve hi syve, per t’i mbuluar mosarritjet e premtimeve te dhena gjate fushates zgjedhore. Zoti Rama eshte zgjedhur Kryeminister i Shqiperise dhe jo kryepiktor, kryeartist i Shqiperise. Ai e filloi detyrten mbrapsht, pikerisht duke postuar ne Facebook disa fotografi se gjoja Kryeministria na paskesh qene ne nje gjendje te mjerueshme. Kryeministrit te nje vendi nuk i ka hije te merret me marrezira te tilla, ta leshoje veten ne nivele aq te uleta. Arroganca e Kryeministrit dhe e qeverise se tij u pa haptas kur u refuzua kerkesa e Kryetarit (Presidentit) Nishani per t’i kaluar pushimet ne nje pushimore shteterore/qeveritare. Kur kreu i shtetit trajtohet ne kete menyre, atehere vetem mund ta marrim me mend se si trajtohet qytetari i rendomte.
Shqiperia e roberuar, e sunduar me shekuj nga te huajt dhe Shqiperia e pavarur e keqqeverisur nga vete shqiptaret, tani me shume se kurre ndonjehere me pare, ka nevoje per nje qeverisje demokratike, te perkushtuar per te ecur perpara, per ta kompenzuar kohen e humbur. Shqiperia ka nevoje per ndryshime, reforma rrenjesore dhe jo per nderhyrje kozmetike e reforma sa per sy e faqe. Gjendja e pergjithshme ekonomike, politike, fiskale, siguria e qytetareve nuk jane duke u permiresuar, por duke u perkeqesuar. Gjate fushates zgjedhore kandidati Rama premtoi 300 mije vende te reja pune, ndersa tani Kryeministri Rama eshte shume larg permbushjes se atij premtimi zgjedhor. Shqiptaret e zhgenjyer me gjendjen e rende e te paperspektive ne Shqiperi, perseri kane filluar t’i marrin rruget e botes, duke kerkuar mireqenien, shpetimin e tyre ne vendet e Europes Perendimore. Kur i pyes bashkatdhetaret qe po kthehen nga Shqiperia, se si eshte gjendja atje, te gjithe pergjigjen se, koheve te fundit nuk kane pare, deshperim, varferi me te madhe se sa kete radhe. Mireqenia ekonomike, sundimi i ligjit, administrata funksionale, shkalla e ulet e korrupsionit jane nder faktoret kryesore qe e percaktojne qendrueshmerine e nje shteti, nje shoqerie. Kandidati Rama premtoi edhe sherbim/sigurim shendetesor falas, por tani Kryeministri Rama as qe e ze ne goje kete ceshtje. Gjate ketyre dy viteve te fundit nuk eshte ndertuar asnje veper madhore ne shkalle kombetare. Sic u njoftua diteve te fundit ne shtypin shqiptar, edhe grumbullimi i te ardhurave nga tatimet dhe doganat jane nen nivelin e parashikuar. Krimi ne rruge, krimi ekonomik, krimi i organizuar, pasiguria e qytetareve, korrupsioni i larte jane duke ia zene frymen shoqerise shqiptare. Por qeveritaret tane nuk shqetesohen fare, ndoshta atyre keto dukuri shume negative u duken krejt normale! Ujku do mjegull, thote nje fjale e urte.
Me premtime te zbrazeta (boshe), me deklarata demagogjike, me arrogance e injorance, nuk mireqeveriset vendi. Autori i ketij shkrimi i cmon shume njerezit qer kane nje kulture te gjere, njohuri te pergjithshme, jane te gjithanshem, por ne radhe te pare ata duhet te shkelqejne ne lemine e tyre paresore, kryesore. Te jene te afte qe t’i kryejne funksionet, detyrat per te cilat jane zgjedhur, ose jane caktuar. Shpesh degjojme e lexojme neper shkrime te ndryshme se, filan kryeministri i Shqiperise ka qene kryeministri me i kulturuar i Ballkanit. Shume mire, por a ka qene kryeministri me i zoti, me i afti i Ballkanit dhe si e ka kryer detyren per te cilen eshte ngarkuar? Udheheqja e nje vendi, qeverisja e nje vendi jane art, shkence me vete. Ne krye te iunstitucioneve, organeve udheheqese duhet te vijne njerez qe jane te pergatitur mire profesionalisht, te afte per t’u ballafaquar me sfidat e shumta e nga me te ndryshmet, njerez qe gezojne autoritetin, respektin, perkrahjen e popullit njerez qe i kane ngarkuar vetes nje mision fisnik e atdhetar per te bere dicka me shume se vetja e tyre. Po, njerez te brumosur me ndjenjat e atdhedashurise, qe e duan Shqiperine dhe jane ne gjendje te sakrifikojne per Shqiperine! Mireqenia e Shqiperise, mireqenia e qytetareve gjithmone duhet te jene ne mendjen, ne veprimet e cdo udheheqesi, qeveritari, deputeti dhe jo mireqenia e tyre vetjake (personale), klanore e partiake, qe per fat te keq gati gjitghmone e ka karakterizuar qeverisjen e Shqiperise.Qe nga Shpallja e Pavaresise se Shqiperise e gjer me tani, gati asnjehere nuk patem nje qeveri qe ishte ne nivelin e duhur te funksionimit te saj, “per mashalla”, sic thote populli.
Deshiroj qe cdo qeveri shqiptare te jete e suksesshme, sepse kur deshton qeverisja e mire, deshton Shqiperia, vuan populli. Askush te mos i ferkoje duart e t’i gezohet deshtimit te nje qeverie, sepse kembana bie edhe per ta. Shpesh me shkon mendja te Rilindesit tane mendjendritur qe sakrifikuan shume per te krijuar nje Shqiperi te lire e te perparuar ku shqiptaret e shumevuajtur me ne fund e drejtojne shtetin e tyre, fatin e tyre. Ata e sakrifikuan edhe jeten, e shkrine tere pasurine e tyre per ta bere Shqiperine, ndersa sundimtaret e sotem pasurohen ne kurriz te popullit, ne kurriz te Shqiperise, e shkaterrojne pronen e Shqiperise. Ata na lane nje Shqiperi te lire, ndersa tani eshte radha jone qe ta ndertojme, ta perparojme vendin tone. Shqiperia i ka te gjitha potencialet per te qene nje vend i begate, por i mungon nje faktor shume i rendesishem, vendimtar faktori njeri,njerezit e vendosur, te perkushtuar e te paisur me nje etike te larte pune. I mungon klasa politike e ndergjegjshme, e vetedijshme, e ndershme, qe misheron vlerat kombetare, mbron interesat kombetare.
Filadelfia, 28 gusht, 2015
*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro amerikane.
Karagjorgje shqiptar nga Sanxhaku!
Nga Ismet Azizi/
Lufta në mes Austro-Hungarisë dhe Turqisë, e njohur si Lufta e Vjenës, e cila ka zgjatë nga viti 1683 deri në vitin 1699, ka shkaktuar ndryshim të madh në strukturën etnike të popullsisë së Sanxhakut. Lufta ka shkaktuar shumë viktima dhe shkatërrime, ku si rrjedhojë pason shpërngulja e popullsisë së Sanxhakut në shumë drejtime. Në drejtim të Bullgarisë dhe Azisë së Vogël është shpërngulur popullsia e besimit islam. Popullsia katolike e fisit Kelmend është shpërngulur në drejtim të veriut në Srem dhe është vendosur në fshatrat: Hrtkovci, Nikinci, Pllatiqevo dhe Jarak. Një degë e të shpërngulurve në drejtim të Shumadisë dhe është vendosur në fshatin Rudnik. Në këtë fshat është vendosur gjyshi i Karagjorgjes, Jovan (Xhon ) Marash Klimenti(Kelmendi).
Ekzistojnë kontradikta në lidhje me origjinën Karagjorgjes. Burimet serbe thonë se Gjorgje (Gjergji) Petroviq (Pjetri) ka prejardhje malazeze nga fisi Vasojeviq. Atje ka lindur gjyshi i Karagjorgjës (Gjergji i Zi), Jovani ( Xhoni) dhe katër vëllezërit e tij. Dy nga të tjerët u shpërngulën në Serbi. Jovani ( Xhoni) me bijtë e tij Petrin (Pjetrin) dhe Mirkon u vendosën në fshatin Vishevc, qarku i Lepeniçkit të Kragujevcit. Karagjorgje është djali i Petrit dhe i ëmës Marica (Maria).
Autorët në librin “Historia e fshehtë -Karagjorgjët” (“Sakrivena istorija – Karađorđevići”) me të dhëna të argumentuara kanë sistematizuar prejardhjen e familjes së shenjtë sunduese nga fisi Kelmend (Kliment siç thonë ata), nga veriu i Shkodrës, nga e ashtuquajtura Shqipëria e Epërme apo Shqipëria e Lartë. Të dhënat arkivore vërtetojnë se për prejardhjen e tyre kanë pasur njohuri të shkëlqyeshme edhe vet Karagjorgjët. Edhe më tepër, mbreti Petar i Parë dhe prinici Pavle i cili më së shumti hulumtoi, nëpërmjet hulumtuesve të tij, të cilët i pagoi oborri mbretëror.
Bashkë autor të këtij publikimi janë gazetari i kompanisë “Novosti” Milorad Boshnjak dhe hulumtuesi i pavarur Slobodan Jakovleviq, ndërsa bashkë botues janë shtëpitë botuese “LIO” dhe “Dositej” nga Gornji Milanovci.
Një burim tjetër thotë se Karagjorgje ishte i biri i Petrit dhe nip i vojvodës Jovan (Xhon) Mrshiq (Marash) Klimentit (Kelmendi). Babai i Gjorgjës Petar Jovanoviq Klementi u shpërngul nga Kelmendi i Malësisësë Shqipërisë dhe u vendos në Malësinë e Sanxhakut dhe më pas në vitin 1756 në rrethin e Kragujevcit. Aty i ka lindur djali i tij Gjorgje (Gjergji). Pra, nga këto fakte del që shqiptari i konvertuar në ortodoks dhe i serbizuar, është themelues i dinastisë sunduese serbe. Para se të arrijë në këtë pozitë të lartë, ai kishte ekzekutuar në Ostruzhnicë, në rrethana të tmerrshme të atin e tij, e më pas në Topolla edhe vëllaun e tij.
Karagjorgje, udhëheqësi i kryengritjes së I-rë Serbe të vitit 1804, pas thyerjes së kryengritjes, largohet nëpërmes Zemunit në Austro-Hungari. Pas katër viteve në mërgim, udhëheqësi përsëri vjen në Serbi (1817), ku edhe përfundon tragjikisht. Ai u vra me urdhër të rivalit të tij Millosh Obrenoviq, i cili në këtë mënyrë është përpjekur të arrij favore te autoritetet turke.
Autorët e librit “Karagjorgjeviqët – historia e fshehur” i referohen “Glasnik Zemaljskog muzeja Bosne i Hercegovine” të vitit 1910, Nr 22, në të cilin thuhet se një pjesë e fisit Kliment (Kelmend) ka arrit rreth vitit 1737, në rrethinën e vendbanimit Rudnik, gjatë tërheqjes së ushtrisë austriake nga Sanxhaku.
Aty thuhet se në atë kohë arritën rreth 500 familje shqiptare të cilët ishin “shtatshkurtër, të vrazhdë dhe mizor”, të cilët mezi flisnin serbisht, donin blegtorinë dhe ishin me karakter të qëndrueshëm.
Autorët, Bosnjak dhe Jakovleviq veçanërisht i referohen veprave të Andrija Luburiqit, të cilat janë të botuara në vitin 1937, në të cilat potencohet se fisi ortodoks i Kelmendasve feston Shën Klementin e Romës, të cilën festë, gjoja se e kanë kremtuar edhe Karagjorgjët.
Autorët argumentojnë se këtë festë e kanë festuar Kragjorgje, biri i tij Aleksandri dhe nipi Petri, i cili “papritmas, në Cetinjë mohojë “krsne slave” (“kryqëzimin e shenjtë”) .
Ata, Boshnjak dhe Jakovleviq, pretendojnë se Mbreti Petri e dinte origjinën e paraardhësve të tij. Mandej mbreti Petri kishte vlerësuar lart ndihmën që i ofruan Kelmendasit, gjatë tërheqjes së ushtrisë serbe nëpër Shqipëri në fillim të Luftës së Parë Botërore. Sipas tyre Kelmendasit e konsideronin mbretin serb pasardhës të tyre.
Këtë fakt më së miri e ka përshkruar Dr. Jovan Tomiq, profesor në Universitetin e Beogradit, mik i madh i Peter Karagjorgjeviq. Ai, studentëve të tij këtë të vërtetë ua ka prezantuar dhe nga ta ka kërkuar ta mësojnë këtë histori. Megjithatë, historianët serb këtë të vërtetë mundohen ta fshehin nga opinioni.
Thuhet se kur u ekzekutua Karagjorgje, bashkë me te u ekzekutua edhe shoku i tij besnik Naumi, i cili nuk u nda nga ai. Prandaj, populli serb e kanë një thënie “besnik si Naumi”.
Mandej, ekziston edhe një shpjegim për “Naumin grek nga Argirorokastra”. Argirokastra është Gjirokastra në Shqipëri dhe se emri Naum nuk është i shpeshtë te grekët. Ndërsa te Shqiptarët është shumë i shpeshtë.
Se historianët serbë janë manipulator të shquar flet edhe një histori interesante për Konda Bimbashin. Fjala është për një shqiptar të dëshmuar dhe një mik i dëshmuar edhe nga serbët, i cili ka rrugën e vet në Beograd, por , që me shekuj fshehët origjina e tij shqiptare.
Petrit Imami, në librin e tij; Serbët dhe Shqiptarët ndër shekuj (Samizdat B92, 1998), për Kond Bimbashin thotë se ai ishte komandant i “trupave ‘Epirote’, shqiptar ortodoks nga Epirit”. Bile edhe historiani tejet i njëanshëm siç është Vladimir Stojančević, i cili në librin e tij botuar nga SANU në vitin 1994 shqiptarët i quajti Albanci ( jo Arbanasi apo Arnauti, I.A.), thotë: “nga beqarët në mesin e kryengritjes serbe ishte Kond-Bajraktari, shqiptari ortodoks nga kufiri i Toskërisë dhe Epirit”, dhe shton se me Kondon serbë të ikur ka “më shumë nga bashkatdhetarët e tij”. Një bashkëkohës i këtyre ngjarjeve, Llazar Arsenijeviq Batallaka, tha: “Unë kam njohur shumë të krishterë, në mesin e tyre, bullgarë, Greko-shqiptarë (Grkoarnauta) dhe Cincaroshqiptarë (Cincaroarnauta) që kanë mbetur me serbët kur Gushanac u largua nga Beogradi…”
Këto raste nuk janë të vetme. Kontribut Kryengritjes së Parë serbe i kanë dhënë jo vetëm shqiptarët, të ikur nga ushtria turke, por edhe disa fise të krishtera shqiptare (Kelmend, Grudë, Hot,..), ndërsa kryengritësit armët i kanë siguruar nga Rrafshi i Dukagjinit, të prodhuar kryesisht nga shqiptarët të përkatësisë fetare islame, kështu që një pushkë e gdhendur me emrin e mjeshtrit “Osman”, e cila ruhet në Muzeun e Kryengritjes së Parë serbe, mendohet se i përkiste Karagjorgjës.
Qeveria kosovare: Me marrëveshjet në Bruksel, Serbia e ka njohur shtetin e Kosovës
-Qeveria rishpreh gatishmërinë e plotë për të zhvilluar debat shterues dhe me argumente-/
PRISHTINË, 29 Gusht 2015-Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, rishpreh gatishmërinë e plotë për të zhvilluar debat shterues dhe me argumente, brenda institucioneve të Kosovës, lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel, më datë 25 gusht 2015.
“Ashtu siç ka deklaruar në vazhdimësi, para dhe pas arritjes së marrëveshjeve të fundit, kryeministri Isa Mustafa është plotësisht i hapur që në seancën e ardhshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës të prezantojë çdo detaj të marrëveshjeve të arritura, dhe që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës, deputetët e opozitës dhe të pozitës, të debatojnë dhe të kërkojnë sqarime lidhur me çdo aspekt të marrëveshjeve në fjalë, duke përfshirë edhe marrëveshjen për asociacionin”, theksohet në komunikatën e sapodërguar nga Kryeministria kosovare.
Qeveria e Kosovës, vijohet më tej, është e përkushtuar maksimalisht për transparencë në çdo veprim të saj, e veçmas lidhur me vendime madhore që kanë të bëjnë me të ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Qeveria e Kosovës inkurajon të gjithë faktorët politik dhe opinionbërësit në vend, që të jenë pjesë aktive e debateve të moderuara dhe me argumente, duke mos i krijuar hapësirë gjuhës dhe veprimeve ofenduese dhe kërcënuese ndaj personaliteteve publike, familjarëve dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës”, shtohet në komunikatë.
Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë në përputhje të plotë me ligjet dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se ato do të fuqizojnë sovranitetin e shtetit të Kosovës.
“Me këto marrëveshje, të mbështetura fuqishëm nga partnerët strategjikë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, Serbia e ka njohur shtetin e Kosovës dhe Kosovës i është hapur perspektivë e fuqishme integruese në strukturat euroatlantike, në organizatat ndërkombëtare dhe në Kombet e Bashkuara”, përfundon deklarata./b.j/