-Në Vjenë, kryeministri Isa Mustafa takon presidentin e BERZH-it, Suma Chakrabarti-/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 27 Gusht 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka takuar të mërkurën në Vjenë presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabarti.
Gjatë këtij takimi, i zhvilluar një ditë para fillimit sot të Samitit të Ballkanit Perëndimor 2015, ku po merr pjesë, kryeministri Mustafa dhe presidenti Chakrabarti kanë biseduar për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it, projektet konkrete të cilat do të mbështeten nga BERZH-i në Kosovë si dhe rëndësinë që ka për Kosovën ky bashkëpunim në fazat e mëtejshme.
Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë si dhe për prioritetet e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe avancimin e gjithëmbarshëm të proceseve në Kosovë.
Kryeministri Mustafa vlerësoi kontributin e BERZH-it në shumë projekte të deritashme për Kosovën. Ai po ashtu theksoi rëndësinë që ka për Kosovën mbështetja e mëtejshme financiare nga ana e institucioneve ndërkombëtare financiare, duke veçuar rolin që BERZH-i mund të ketë në mbështetjen e projekteve konkrete të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabarti, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë në shumë aspekte. Presidenti Chakrabarti po ashtu theksoi përkrahjen e mëtutjeshme për Kosovën dhe mbështetjen e BERZH-it për projektet konkrete në Kosovë.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe presidenti Chakrabarti kanë biseduar edhe për disa projekte konkrete të cilat mund të përkrahen nga BERZH-i, duke përshirë linjën hekurudhore Hani i Elezit (kufiri jugor me Maqedoninë)- Leshak (kufiri verior me Serbinë), trafikun urban në Prishtinë, rrugën Kievë-Zahaq, zgjerimin e hyrjeve në Gjilan, Ferizaj, Podujevë dhe Suharekë si dhe mundësinë e përfshirjes në ndërtimin e pjesës së mbetur të autostradës kosovare nga Besia në Merdare (kufiri me Serbinë te Podujeva), pjesa e cila nuk mbulohet nga donacioni i Komisionit Evropian, si dhe autostradës Lipjan-Gjilan.
Kryeministri Mustafa në Samitin e Ballkanit Perëndimor 2015, në Vjenë, do të prezantojë progresin që po arrihet në Kosovë në shumë fusha dhe hapat e mëtejshëm në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e gjithanshëm të shtetësisë. Mustafa po ashtu do të ketë takime të nivelit të lartë dhe do të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të këtij samiti.
Janullatosi nuk e njeh Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë
Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Siç është bërë e ditur nga mjetet e informimit masiv lidhur me prishjen e kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, çka është tërësisht një çështje e brendshme e Republikës së Shqipërisë, ka ardhur menjëherë reagimi zyrtar i Athinës dhe i kreut të shovinizmit grekokaragjoz në Tiranë Anastas Janullatos, i cili u nis fill drejt Athinës për të takuar kryeministrin dhe presidentin grek dhe për t’iu ankuar për prishjen e kishës në fjalë. Nga faqet e internetit vjen ky informacion:
“Kisha e Dhërmiut është kthyer në çështje dite në Greqi pas vendimit të qeverisë shqiptare për shembjen e saj. Kryepeshkopi Anastas Janullatos është takuar mesditën e sotme me ish-kryeministrin grek Cipras dhe presidentin Prokopis Pavlopoulos. Tema e bisedës së tyre ka qenë pikërisht prishja e Kishës në Dhërmi” (Citohet sipas: “Kisha e Dhërmiut alarmon Greqinë, takim Janullatos-Cipras”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Mapo”. 25 gusht 2015).
Nuk është hera e parë që Janullatosi sfidon hapur autoritetet shqiptare, duke shpërfillur Kryeministrin dhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Nëntë vjet më parë dhe pikërisht më 26 qershor 2006, unë pata botuar në internet një artikull me titull: “Janullatosi, kreu i shovinizmit grekokaragjoz në Shqipëri”. Si shkas për atë artikull patën shërbyer zhvarrimet në Kosinë të Përmetit për të blerë eshtra shqiptarësh dhe për t’i deklaruar si eshtra ushtarësh agresorë grekë, me qëllim ngritjen e varrezave të tyre në jugun e Shqipërisë, siç edhe ndodhi faktikisht. Në atë artikull, ndër të tjera, unë shkruaja:
“…zhvarrimet në Përmet janë një vepër sa e pistë aq edhe e poshtër e filialit të kishës ortodokse greke në Tiranë dhe personalisht e kreut të shovinizmit grekokaragjoz në Shqipëri, Anastas Janullatosit. Prifti sahanlëpirës i Janullatosit, Vasil Thomollari, është veç çakalli që merret me zhvarrimet e Përmetit, kurse ujku i eshtrave të zhvarrosura është kreu i shovinizmit grekokaragjoz në vendin tonë Janullatos. Plani për nisjen e aksionit të zhvarrimeve në Përmet me siguri që është hartuar në kabinetin e kryeministrit Karamanlis dhe i është ngarkuar për zbatim kreut të shovinizmit grekokaragjoz në Tiranë, Janullatosit. Prandaj edhe kryeshovinisti grek Janullatos ia hipi helikopterit dhe zbriti në Përmet për të dhënë porosi të drejtpërdrejta në terren se si duhej të niste procesi i zhvarrimeve…
Në çështjen e zhvarrimeve në Përmet gazetat shqiptare merreshin me priftin injorant Vasil Thomollari dhe jo me kryeujkun e eshtrave të zhvarrosura, Anastas Janullatosin, i cili, sapo iu hoqën petët lakrorit të zhvarrosjeve, fluturoi drejt Athinës dhe frymën e mbajti në “Megaro Maksim” – selinë qeveritare të kryeministrit Kostas Karamanlis, pikërisht atje ku është hartuar edhe plani për zhvarrosjen e eshtrave në Përmet. Pikërisht për këtë kryeujk të eshtrave të zhvarrosura, shtypi dhe kanalet televizive shqiptare nuk guxuan të bënin as komentin më të vogël”.
Pra, asokohe Janullatosi, duke shpërfillur krejtësisht Kryeministrin Berisha dhe Presidentin Moisiu, të cilët nuk i njihte si dy autoritetet kryesore të shtetit shqiptar, shkoi menjëherë t’i qahej kryeministrit grek Karamanlis për zhurmën që u bë për zhvarrimet në Përmet.
Të njëjtën gjë po bën edhe tani Janullatosi për problemin e kishës së Shën Thanasit. Sikur Janullatosi të ishte me të vërtetë kryepeshkop i kishës ortodokse të Shqipërisë, për çdo shqetësim që atij mund t’i lindte brenda grigjës ortodokse shqiptare, normalisht, ai duhej t’i drejtohej Kryeministrit Rama dhe Presidentit Nishani. Por Janullatosi, siç e vërtetoi në vitin 2006 dhe siç po e vërteton edhe tani me fakte konkrete, nuk është kryepeshkop i kishës ortodokse të Shqipërisë. Përkundrazi, ai është kryepeshkop i filialit të kishës shoviniste ortodokse greke në Tiranë. Sepse, për turpin e klasës politike të Tiranës dhe për turpin e mbarë shqiptarëve të besimit ortodoks, Janullatosi në një filial të tillë e ka kthyer kishën ortodokse të Shqipërisë, të cilën dikur e pati themeluar Noli ynë i madh dhe, në bashkëpunim të ngushtë me Mbretin Ahmet Zogu, i pati siguruar asaj pavarësinë e plotë nga kisha kriminale greke dhe nga patrikana shoviniste e Stambollit.
Vajtja me të shpejtë e Janullatosit në Athinë dhe takimi i tij me Ciprasin dhe me Pavlopulosin, dëshmon pa asnjë mëdyshje se Athina shoviniste, të ashtuquajturën kishë të Shën Thanasit e quan kishë greke dhe Himarën, me të gjithë fshatrat e bregut, e konsideron zonë “minoriteti”.
Në rastin kur Kryeministri Rama ca kohë më parë përmendi mundësinë e ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë, fletushka greke, me emrin “Kathimerini”, zëdhënësja e thekur e qeverisë greke, deklaroi pa pikë turpi:
“Pse mos të kërkojnë edhe grekët e jugut të Shqipërisë të bashkohen me Greqinë, e kështu me radhë. Ndoshta Rama nuk po e kupton që luan me zjarrin dhe se me të tilla krekosje nuk hyn kurrë në Bashkimin Evropian” (Citohet sipas: “Edhe nga Greqia “gozhdim” Ramës për bashkimin kombëtar”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Mapo”. 28 prill 2015).
Sipas kësaj gazetë-paçavureje greke, edhe grekët e jugut të Shqipërisë na populluakan “territor grek” që mund t’u “bashkuakan me Greqinë”! Harron kjo paçavure greke se territoret shqiptare kufirin jugor e kanë në Artë e në Prevezë, të cilat, së bashku me Janinën, Kosturin, Filatin, Konicën, Paramithinë e të tjera emërvende shqiptare të trevës së Çamërisë, për ne janë simbole kombëtare. Athina shoviniste e ndien tërmetin që po vjen e afrohet dalëngadalë pas ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Se Shqipëria një ditë të bukur do të bëhet me Zot në Krye të Kombit dhe Çamëria do t’i ribashkohet trungut amë.
Fletushka-paçavure greke “Kathimerini” paska edhe kuturinë ta kërcënojë kryeministrin Rama se po luaka, demek, me zjarrin për faktin që është shprehur për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ç’është e vërteta, Kryeministri Rama nuk ka luajtur me zjarrin. Përkundrazi, ai ka shprehur një aspiratë mbarëshqiptare për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në raport me Republikën e Shqipërisë, me zjarrin ka luajtur gjithmonë shteti grekokaragjoz, i cili asnjëherë nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj vendit tonë, paçka se vazhdon të mbajë të pushtuar një pjesë të mirë të trojeve tona etnike që përfshihen në krahinën tonë etnike të Çamërisë. Me zjarrin ka luajtur gjithmonë Athina karagjoze: dhe ky është zjarri i gënjeshtave, i hileve, i hipokrizisë, i mashtrimit, i pabesisë, i pafytyrësisë në qëndrimin ndaj Bashkimit Evropian dhe sidomos ndaj kreditorëve të huaj, një zjarr ky që po zbulon faqe botës se cila është fytyra e vërtetë e kësaj prostitute të Evropës që u ka grabitur kreditorëve të shumtë 350 miliardë dollarë dhe tani rri e vërtitet si zorra në prush.
Kryeministri Rama, disa ditë pas ardhjes në pushtet më 23 qershor 2013, gjatë një interviste për gazetën “Le Courrier des Balkans”(Korrieri i Ballkanit), pati deklaruar se “synon të bëjë politikë për të lënë një emër në histori” (Citohet sipas gazetës “Panorama”. 30 qershor 2013).
Në një artikull me titull “Një ogur i mirë për demokracinë”, të botuar në internet më 07 korrik 2013, unë pata shprehur me gjithë zemër dëshirën që zoti Rama, si Kryeministër i të gjithë shqiptarëve, pa dallime partiake, të lërë emër në histori. Në aspektin e marrëdhënieve me fqinjin e jugut, Kryeministri Rama e ka vetë në dorë për të lënë emër në histori për tri çështje themelore, duke pasur edhe bashkëpunimin e ngushtë të opozitës.
Së pari, të largojë nga Shqipëria Janullatosin, i cili, në çdo hap të veprimtarisë së tij, e ka vërtetuar dhe vazhdon ta vërtetojë në praktikë, si në rastin zhvarrimeve në Kosinë, ashtu edhe në rastin e kishës së Shën Thanasit, se është emisar i shovinizmit grekokaragjoz në Tiranë dhe mbron vetëm interesat e tij, në dëm të interesave tona kombëtare.
Së dyti, ta detyrojë Athinën shoviniste të abrogojë me se s’bën ligjin e luftës, për të cilin poeti Luan Çipi, në faqen e internetit “Tribuna Shqiptare” (01 maj 2015) shkruan në vargje:
Mirë greku nuk po tundet,
Ruan ligjet e ish-mbretit,
“Rilindja”, si nuk po shkundet,
Pse si del për zot shtetit?
Së treti, të vërë në rrugën e zgjidhjes politike përfundimtare “Çështjen Çame”: rikthimin e popullsisë së Çamërisë në trojet e veta etnike, duke gëzuar të gjitha pronat e trashëguara brez pas brezi.
Pikërisht zgjidhja e këtyre tri Çështjeve Themelore për Republikën e Shqipërisë, do të bëjë të mundur që Kryeministri Rama të lërë me të vërtetë emër në histori, si një personalitet i shquar i kombit shqiptar. Por emri në histori nuk lihet, duke reaguar si “varfanjak hesapi” në twitter në adresë të Athinës: “nuk pranojmë tutelë”.
Tiranë, 26 gusht 2015
Përfaqësues të të gjitha feve të botës mblidhen në shtator në Tiranë
“Paqja është gjithmonë e mundur”, do të jetë mesazhi i konferencës ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha feve të botës. Komuniteti i Sant’Egidios bën të ditur se këtë herë konferenca do të mbahet në Tiranë nga datat 6 deri në 8 shtator.
Konferenca do të nisë me një mesazh të rëndësishme nga Papa Françesku. Për tri ditë dhjetëra panele diskutimi do të mbahen me liderët më të rëndësishëm fetar në Europë dhe Mesdhe, Azi dhe Afrikë, me figurat më të mëdha kulturore dhe përfaqësues të institucioneve. Këta të fundit do të marrin një apel të fortë për arritjen e menjëhershme të armëpushimit humanitar dhe punën urgjente dhe komplekse të ndërtimit të paqes. Të gjitha organizatat ndërkombëtare do të konsultohen, veçanërisht në Europë, që e gjen veten në udhëkryq. Komuniteti i Sant’ Egidios njofton se ngjarja do të jetë si Lutja ndërkombëtare për Paqe, që për herë të parë u mbajt nga Papa Gjon Pali II në San Francisco, më 1986. “Çdo ditë një numër i madh njerëzish do të vijnë nga Europa si pelegrinë në kryeqytetin shqiptar për të marrë pjesë në këto mbledhje”, njofton komuniteti.
Por pse është zgjedhur Shqipëria?
“Sepse ndërtimi i paqes duhet të nis nga periferia. Vitin e kaluar Papa Françesku nisi vizitën e tij në Europë pikërisht këtu. Ky vend i vogël, që ka pjesën më të madhe të popullsisë muslimane, është bërë sot një model i bashkëekzistencës mes feve dhe kulturave, një laborator interesant ku do të diskutohen për tri ditë temat për paqen, çështje si zhvillime të qëndrueshme, emergjencat mjedisore dhe pabarazia sociale”, thuhet në njoftimin e komunitetit të Sant’ Egidios.
Familja Gjonlekaj nga Nju Jorku, mban premtimin e dhënë
Nga Beqir SINA/
Luce, Gjekë dhe Tomë Gjonlekaj, me rastin e 105 vjetorit të lindjes së Nana Terezes, e kan përmbushur premtimin e tyre – duke dhuruar edhe 25 mijë dollarë të premtuara më parë – dhe e çuar shumën e përgjithshme për familjen Gjonlekaj nga Nju Jorku, në 100 mijë dollarë amerikan.
HARTSDALE NEW YORK : Shqiptarët e Amerikës gjithmonë e kan treguar zemërgjërësinë dhe bujarinë e tyre për të ndihmuar vepra madhështore në momentet më të vështira për atdheun dhe, vendorigjinën e tyre.
Një nga ndihmat më të mëdha në historinë e disaporës ka qenë edhe ajo për të ndihmuar me të holla ndërtimin e Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë, një kontribut, ky, që e dëshmoi edhe një herë solidarizimin e madh shqiptaro-amerikan, deri në pa dallime fetare.
Në këtë fushatë të ideuar qysh më 2007 nga Kisha Katolike Shqiptare në Amerikë “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York, dhe famullitari i saj Dom Pjetër Popaj, deri tani janë dërguar mbi 2 milion dollarë amerikanë me gjithë parat e dhuruara dhe ato të premtuara.
Familja e njohur shqiptaro-amerikane Gjonlekaj nga Nju Jorku – bënë pjesë në donatorët me shuma më të mëdha – duke mbajtur premtimin me 100 mijë dollarë.
Gjekë Gjonlekaj, i tha gazetës tonë, se ai me vëllanë e tij Luce e Tomë Gjonlekaj, me rastin e 105 vjetorit të lindjes së Nana Terezes, e kan përmbushur premtimin e tyre – duke dhuruar edhe 25 mijë dollarë të premtuara më parë – duke e çuar shumën e përgjithshme për familjen Gjonlekaj nga Nju Jorku në 100 mijë dollarë amerikan donacion ky për Katedralen Nana Tereze në Prishtinë.
Ai sqarojë se 50 mijë dollarë janë dhënë në fillim të kesaj fushate në vitin 2007, dhe 25 mijë janë dhënë në 100 vjetorin e lindjes së Nana Terezes, duke rrumbullakosur shumën 100 mijë dollarë, tash me këto 25 mijë, që u dhuruan këto ditë.
Vlenë për t’u permendur me këtë rast, se përveç veprimtarisë publicistike dhe atdhetare zoti Gjekë Gjonlekaj – ish gazetarë i Zërit të Amerikës, është ndër të vetmit gazetar shqiptarë, që ka intervistuar në Nju Jork – Nëna Terezen.
Intervista e tij me Nënë Terezën – nobelisten shqiptare – humanisten shqiptare të përmasave botërore ka qenë në vitin 1988 në Nju- Jork. Ku, Gjonlekaj, duke raportuar për Radion e Zërit të Amerikës nga Washingtoni, për viziten e nobelistes shqiptare, arriti të regjistrojë edhe zërin origjinal të Nënë Terezës në recitimin e uratës tradicionale “ Puna e Pendimit”, në gjuhën shqipe.
Nga ky fragment i inçizuar atehere nga z. Gjonlekaj dhe i transmetuar , nga Zëri i Amerikës, të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës mësuan më vonë se Nënë Tereza , nuk e kishte harruar gjuhën e origjinës – shqipen edhe pas një largimi prej 60 vjetësh nga qyteti i Shkupit dhe qëndrimit të saj në ambijente joqshqiptare.
Zoti Gjonlekaj – thuhet se ka patur fatin e madh të takojë vete disa herë Nënë Terëzën dhe ka pasur korrespondencë me të, ndërsa ka qenë edhe pjesmarrës në varrimin e saj në Kalkuta – Indi , ku morën pjesë edhe shqiptarë të tjerë prej Amerikës
Dr. Safete Juka, Dora D’Istria e mosnjohur nga shteti
Nga Dalip GRECA/
….ku lindi dhe ku u varros në shuarje të jetës…/
Dr. Safete Juka deshi me zemër Shqipërinë dhe Kosovën deri në çastin e mbramë të jetës. E gjithë jeta e saj është një përkushtim shembullor ndaj vendit që e lindi. E formuar si një intelektulae e klasit të parë, studiuesja, filozofja, poliglotja, piktorja, eseistja, ajopërbën një shembull të rrallë atdhetari. Është tjetër të flasësh për kombin, dhe tjetër t’i shërbesh kombit. Dr. Safete Juka bën pjesë tek të dytët. Me librin “Kosova” ndriçoi mjegullën që kishin endur akademikët serbë në SHBA e Europë… Si arkeologe e pasionuar ëndërroi, që të punonte në Shqipëri, por dëshira mbeti e paplotësuar…Si piktore ishte e dashuruar pas ngjyrave dhe qe cilësuar”Piktorja e luleve”.
Ismail Kadare shpërndante nga Parisi kumtin:”Thojuni shqiptarëve se kemi në Nju Jork një Dora D’Istre të dytë…Po kasnecët e shtetit nuk ia kishin ngenë ta merrnin kumtin sepse ata merreshin me ndarje kolltuqesh e vjedhjen e votave për të realizuar abortin e demokracisë, që kishte si asistent-mami Ramiz Alinë…Inxhinierja shkodrane në vitin 2002 jepte alarmin në Presidencë: Shpalleni Nderi i Kombit Safete Jukën se nderi do të jetë në anën tuaj… Po ëhë… Ato kohe dekoratat qenë lënë për Fatos Nanon që mbushte 50 vjeç dhe ia kishte shtuar vuajtjet Shqipërisë, apo edhe për Fehmi Abdiun, që në prag të demokracisë kishte dhënë vendimin e dënimit me vdekje të poetit, që të vetmin krim për të cilin i morën jetën, ishte shkrimi i poezive… A mund të dekorohet krimi?…
***
E patëm aq pranë dhe papritur nuk e kemi më intelektualen e shquar. Kur Eduard Dilo, më dha i pari lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Dr. Safete Sofi Juka, ndjeva një sëmbim të thellë në gjoks. Kisha folur disa herë më Safeten në telefon. E kishim dhe të abonuar në gazetën Illyria, madje gazeta ende shkon në shtëpinë e saj në Bronx. E kishim lënë që së bashku me Edin të shkonim në shtëpinë e saj për një intervistë. Vetë shkencëtarja, piktorja, kritikja, esteistja, Dora D’Istria e dytë siç e ka quajtur shkrimtari ynë i madh Ismail Kadareja, e kishte pranuar takimin, por gjithçka shtyhej për shkak të problemeve të shëndetit të saj…-Nesër, arkivoli me trupin e së ndjerës niset për në Shkodër, më mbeti në veshë jehona e informacionit që më përcolli Eduardi, i cili qe mik shtëpie më Safeten. Të nesërmen ne Illyria botova lajmin e shkurtër të ndarjes nga jeta dhe nisjen e trupit për në qytetine lindjes, sipas amanetit të saj.Gjithçka ishte shumë dhënë shumë shkurt me kërkesë të familjes.
Të nesërmen shfletova në online të gjithë shtypin shqiptar,por mbeta i zhgënjyër; gjëkundi nuk pashë shkrime për ikjen e shkencëtares tonë, me përjashtim të gazetës “Shkodra” që jepte njoftimin e vdekjes dhe të varrimit në qytetin e lindjes. Në fakt është po kjo gazetë, që ka shkruar më shumë për jetën dhe veprën e Dr. Safete Sofia Juka.
Mbajta veshë se mos komuniteti ynë ringjallej në ndonjë veprimtari përkujtimore a përcjellëse për të ndjerën, që sa pati jetë s’pushoi së punuari për çështjen kombëtare, veçanërisht për Kosovën, por jo, askush nuk u kujtua! Ndoshta ngaqë Safete Juka nuk u mor kurrë me Partitë politike, ndofta dhe shoqatat tona qenë shumë të zëna ato ditë. T’na i ruaj Zoti shoqatat! Dhe unë jam i bindur se shumica prej kryetarëve të shoqatave tona të shumta, një ditë do të harrohen, ndërsa emri i Safete Jukës, jo. Emri i saj ka mbetur arkivave, bibilotekave, ka mbetur në kujtesë të kombit, edhe pse burrat që na udhëheqin kombin nuk janë kujtuar që t’i japin asaj ndonjë titull, medalje, a urdhër…Edhe pse të tillë kanë marrë edhe batakçinjtë që e kanë cfilitur kombin, ndoshta nga “dashuria” e tepërt për ta zhvatur…
Safete Sofia Juka: “Unë dhe të parët e mi kemi le’ në Shkodër…”
Ajo fliste dhe shkruante një gegënishte të ëmbël. E kam pasë fatin që t’ia dëgjoja zërin e ëmbël në telefon. Na kishte shpëtuar diku një gabim ortografik për Kosovën dhe ajo ëmbël-ëmbël, na këshilloi që të ishim të kujdesshëm, pasi ne shqiptarëve nuk na lejohej të gabonim me pjesën më të martirizuar të kombit tonë, qoftë dhe gjuhësisht.
Safetja, kur ishte mirë telefononte në redaksi dhe bëntë vrejtje ose na përgëzonte për shumë shkrime që trajtonin çështjen kombëtare.
Zërin e saj të ëmbël e ruaj të freskët, dhe tani, ndërsa lexoj biografinë e saj të shkurtër, të shkruar me dorën e saj, me një kaligrafi të zilishme, më duket se ç’ka lexoj aty në dy fletë e gjysëm letër, jam duke e dëgjuar prej gojës së saj…
“Shkodra asht vendlindja e të gjithë të parëve të mi.Edhe unë aty kam le’.Pak kohë pas lindjes t’eme prindët u instaluen në Tiranë e unë mësimet e para i bana në shkollën”Nana Mbretneshë të kryeqytetit t’onë, Tiranë.
Në moshën 13 vjeçare, prindët më dërguan në një shkollë austriake në Vjenë.
Mësimet e mesme i kam ndjekë në gjermanisht e në këtë gjuhë i kam ba provimet e maturës.
Mësimet universitare i kam ba në Paris, ku kam studju arkeologji, Histori Arti e Letërsi.
Në 1950 kam marrë prej Sorbone diplomën Licence e’s letters.
Kam kenë gjithmonë e pasionueme për arkeologji e dëshira e jeme ma e madhe ka kenë me punue në këtë degë në vendin t’em. Por fati nuk ma plotësoi këtë dëshirë.
Pas marrjes së diplomës në Paris kam shkue menjëherë në Egjypt, ku bashkë me familjen teme kam banue disa vjet e kam dhanë mësime historije në Liceun Francez t’Aleksandrisë.
Në SHBA kam ardhë në vitin 1956. Në kët vend vazhdoj të banoj(Jetshkrimi është shkruar në të gjallë nga vetë Safete Juka).
Ç’prej vitit 1957-1970, mbas një viti në Maine, ku isha profesore frengjishteje, kam dhanë mësim gjermanishteje dhe frëngjishteje në Fieldston School, shkollë private në Nju Jork, e njohur në vend për standardet e nalta akademike.
Falë një garnt-i që më dhuroi kjo shkollë, muejta, ndërkohë të shkoj në Paris për të përgatitë një doktoratë në Filozofi. Kjo doktoratë m’asht dhanë prej Sorbonne-s në 1969.
Në vjetin 1970 jam emnue prefesore në Lehigh University në Pennsylvania, ku kam dhanë mësime Letërsi Franceze të shekujve 19 dhe 20.
Kam dhan mësim gjithashtu si”Visiting lecturer” në Lafayette College e në Seaton Hall University….” Ndërsa shoh shkrimin e saj të shkruar bukur, tamam bukurshkrim, më duket se i dëgjoj zërin e kthjellët me atë shqipen e pastër që ajo e ruajti si gjënë më të shtrenjtë gjatë të gjithë jetës së saj edhe pse zotronte shumë gjuhë:Gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht, arabisht etj.…A nuk iu bie në sy një modesti e tejskajshme në këtë jeshtshkrim kaq të shkurtër të firmuar nga vetë Safetja?Po ta kishte këtë ndonjë akademik i vetshpallur që kohët e fundit na janë shtuar shumë edhe në diasporë, do të kishte shkruar një serial veprash.
Në letërkëmbim të inxhinieres shkodrane Zenepe Dibra, Safetja shkruan:”…por unë kam shumë besim në popullin tem e mbajë në vteëdije nji shpresë të thellë se të rinjtë e sotëm, djelm e vajza, kanë me pasë mundësina me krijue e prodhue kur të rriten, kanë me pasë, ç’ka me diftue për jetën dhe krijimtarinë e tyre, sigurisht gjana ma të bukura e ma të vlefshme se kam unë sot”.
“Kosova” e Dr. Safete Juka, libri që erdhi në kohën e duhur
Safete Juka nuk u mor me politikë, por u mor me Kombin. Kosovën e kishte në zemër gjatë të gjithë jetës. Pengu mbetet libri tjetër që kishte në duar po për Kosovën, të cilin nuk arriti që ta përfundonte. Ishte shumë aktive për fatet e Kosovës dhe intelekti i saj u vu në shërbim të mjekimit të plagëve të Kosovës. Studjonte vazhdimisht dhe shkruante për të, gërmonte nëpër arkiva dhe evidentonte gjithçka të mirë që qe shkruar për gjysmën e martirizuar të Kombit. Në vitin 1982 ajo është ideatorja e një Konference për Kosovën, një konferencë shkencore që do të nxirte në shesh shumë nga të”palarat” e serbëve, të cilët kishin shtrembëruar historinë duke fabrikuar mitetet e rreme, të veshura me aureolë sllave. Edhe pse mitet shqiptare e ndjenin veten keq nën kostumet sllave, akademikët e Serbisë prodhuan në seri shumë e shumë nga këto lloj mitesh.
Kumtesa e Dr. Safete Jukës në Konferencën e Nju Jork-ut vlerësohet për kthjellësinë e mendimeve, forcën e argumenteve dhe përfundimet logjike. Më pas kumtesa e pasuruar do të botohej si libër më vete me titullin”Kosova” dhe me nëntitull”Shqiptarët në Jugosllavi nën dritën e dokumenteve historike”, për të cilin shtypi është shprehur si ky libër përbënte në kohën që u botua një kamxhik për perëndimin e qytetëruar, që kishte bërë sehir dhe ishte engëldisur me mitet serbe, të fabrikuara nga pseudo studiues mitomanë, që kërkuan të ndërtonin Serbinë e Madhe duke shfarosur racën shqiptare, e cila ishte autoktone në trojet e veta ilire.Libri i shkruar në gjuhën angleze, i ndërtuar vetëm mbi fakte historike, erdhi në kohën e duhur dhe shpërndau një pjesë të reve dhe mjegullnajës me të cilin kishin veshur librat serbë bibilotekat e Amerikës dhe të Europës.
Që kur libri s’qe më shumë se kumtesë dhe që Dr. Safete Juka e mbajti në një konferencë për Kosovën, e cila u organizua në Nju Jork, u dhanë vlerësime pozirtive maksimale.Ndërsa kur kumtesa mori përmasat e librit dhe u shpërnda nëpër librari, univeristete, iu dhurua presidentit Klinton, senatorit Bob Dole, Kongresit e gjithandej, vlerësimi dhe shërbesa ndaj kombit shënuan ngritje.
Vlerësim tepër pozitiv ka bërë për librin dhe autoren e tij,Dr. Safete Juka, Prof. Peter Titonsky i Universitetit George Town në Uashington.Ai shkruante kështu në kohën kur mori në duar librin:”Libri i mrekullueshëm për shqiptarët në Jugosllavi, me titull”Kosova”, më ka bërë një impresion të thellë. Ai më ka lënë të mahnitur si nga hapësira e gjërë e njohurive historike, ashtu edhe nga materialet burimore, aq të shumta në gjithëfarë gjuhësh, që ka përdorur autorja e librit…Unë e konsideroj këtë vepër si një kontribut rrënjësor për kuptimin e historisë dhe të politikës në Ballkan. Asnjë studiues nuk mund të shkruaj për Kosovën pa iu referuar këtij vëllimi të shkëlqyer…
Dr. Safete Juka, me librin e saj, me citimet, argumentet, faktet, interpretimet, arrin që të grisë perden e mashtrimit serb për historinë e glorifikuar dhe të arnuar me fallsitete..Ajo arrin me shumë sukses që t’i nxjerrë”bojën” mashtrimeve serbe, të cilët janë përpjekur që ta paraqesin veten si autoktonë, jo ardhacakë, siç janë në realitet.
Duke komentuar rreth librit “Kosova” të autores Dr. Safete Juka, juristi Mexhit Kokalari shkruante në Gazetën Shkodra të datës 17 nëntor 2002 në shkrimin me titull”Mjerimi i Kosovës është mjerimi i Shqipërisë” se: Autorja Juka në librin”Kosova” na jep të kuptojmë se ajo nuk ndrit vetëm në njohjen e thellë të gjuhëve të ndryshme dhe në letërsinë e artin francez, por edhe në arenën politike. Ajo parashikon drejt pasojat e rrezikshme të politikës grabitqare, thellësisht antishqiptare, të fqinjëve tanë shovinist dhe na këshillon që të mos presim shumë nga Fuqitë e Mëdha që kanë qenë gjithmonë pro serbëve dhe grekëve. Kjo intelektuale e shquar ka jetuar përjetësisht me shqetësimin për fatin tragjik të popullsisë shqiptare që jetontë në Kosovë dhe shkruante”Mos ndodhtë kurrë fatkeqësia prej së cilës kam frikë.Mjerimi i kosovarëve është mjerimi i gjithë Shqipërisë..” Dhe që të mos realizohej kjo parandjenjë ajo këmbëngul që shqiptarët t’i dalin të keqes përpara vetëm duke qenë të bashkuar.
Me kujdesin e një studiuesje të dispilinuar Dr. Safete Juka parashtron në librin e saj fakte dhe vetëm fakte. Ajo nuk eci në rrugën e historianëve akademikë serbë që përvetësuan historinë e shqiptarëve autoktonë për t’u shitur vetë si të tillë, madje dhe mitet e legjendat shqiptare u përpoqën që t’i serbizojnë, t’u ndërrojnë emrat nga shqiptar në sllavë, madje të përvetësonin edhe origjinën ilire, të privatizonin Luftën në Fushë-Kosovë më 1395 në emër të popullit të zgjedhur serb,paçka se ajo ishte Luftë e Koalicionit ballkanik, luftë që u tradhëtua nga Brankoviçi, dhëndri i krajl Llazarit. Serbët nuk e patën për gjë që edhe vrasësin shqiptar të Sulltanit, Millosh Kopilin ta paraqesin si serb, duke e kthyer në “Kopiliç”. Mitologjia serbe në librin e Safete Jukës thërrmohet vetëm nga argumentet dhe interpretimi shkencor që ajo u bën atyre. Shkencëtarja jonë i vjen në ndihmë racës shqiptare me argumente që vijnë nga njerëz të mëdhenj. Ajo kujton se në vitin 1878 Goshen shkruante:”vetëm një Shqipëri Etnike, lehtëson zgjidhjen e çështjes së Lindjes dhe të Ballkanit të sotëm.”
Libri”Kosova” me nëntitullin”The Albanians in Yogoslavia in light of historical documents” është një kontribut me vlera shkencore i dr. Safete Juka. Ky libër i ardhur në fillim të viteve ’80 ishte parathënie se Kosova do ta ndryshonte statusin e saj nga robëria në liri, realitet që erdhi nga mbështetja amerikane.
“Golgota shqiptare”, zbulimi në bibliotekën e Harvardit
Në kërkim të përhershëm për dokumente, shkrime e libra që marrin në mbrojtje racën shqiptare, apo që pasqyrojnë ngjarje e masakra, Safete Juka arrin që të zbuloi në bibliotekën e Hravardit një libër me vlerë “Albanians’ Golgotha”, libër që qe botuar në vitin 1913 nga njeri prej njerëzve të shquar në fushën e politikës dhe të letrave, deputeti dhe gazetari austriak Leo Freundlich, një mik i hershëm i familjes Juka. Është një fotografi që shoqëron këtë shkrim, ku paraqitet Safete Juka në moshë të re me autorin e librit dhe bashkëshorten e tij. Shqiptarja e dashuruar pas popullit të vet arrin që ta përkthejë librin nga gjermanishtja në anglisht dhe në vitin 1991 arrin ta botojë, ndërsa në vitin 1998, në agun e betejës finale kundër serbëve, e riboton librin duke “përgënjështuar” mitet e rreme serbe.
Ky ishte një kontribut i jashtëzakonshëm dhe një freskim kujtese për njerëzimin. Duke botuar librin “Golgota Shqiptare” në anglisht, studiuesja Safete Juka, e paralajmëronte botën:”Kujdes se shqiptarët e kanë provuar Holokaustin para hebrejve”… I revoltuar nga ofensiva serbe për të zhdukur një popull të tërë, Leo Freundlich ngriti zërin e tij kundër asaj që ai e qujati “Golgotha Shqiptare”, e që u shoqërua nga masakra të atij tipi që nuk i kishte njohur Bota më parë. “Unë e dënoj dhunën që ushtrohet padrejtësisht ndaj çdo populli. Ai që nuk bën kështu sot, të mos çuditet nëse nesër edhe ai vetë do të bëhet viktimë e një Golgothe tjetër” – shkruan shkrimtari hebre Frojdlih i përshkroi masakrat e serbëve kundër shqiptarëve në trojet e tyre në Kosovë, Maqedoni në vjeshtën e 1912 –pranverë 1913, me një vertetësi rënqethëse: “Me qindra mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjëve. Ata që mundin t’i shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës.
Më zi e pësonin ata që fshiheshin në shtëpitë e tyre.Pas kontrolleve të imta që bëheshin për plaçkitje dhe florinj, gjendeshin lehtë dhe thereshin si berrat. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilat përdhunoheshin, lidheshin më pas, bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ato ishin shtatzana, ju çahej barku me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija nga barku vendosej në majë të bajonetës apo të hunjëve.Pas masakrimit serbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle.Kishte raste që ata gjatë therjes, mblidhnin gjakun në kupa dhe hapnin gostinë me të.’
Leo Freundlih, mik i familjes Juka nga Shkodra, nën titullin”Akuza që ulërijnë” dha alarmin në botën e shurdhët të asaj kohe, duke botuar dëshminë e parë për shfarosjen kolektive të një populli evropian, para atij Ebraik, duke dëshmuar se ishin shfarosur gati 500 mijë njerëz, mbi 250 mijë të masakruar vetëm në veriun e Shqipërisë. Në koment të librit të Leo Freundlih, gazetari gjerman Hans Peter Rullman, shkruan se “Në fillim të Luftës Ballkanike, Shqipëria ishte gjysëm e shkretuar dhe trupat serbe, në emër të luftës kundër Perandorisë Osmane,ndërmori një sërë pushtimesh, të cilët i shoqëëruan me masakra masive kundër një popullsie krejtësisht të paarmatosur, ku sipas shtypit Europian humbën jetën 250 mijë shqiptarë, ndërkohë që ka të dhëna se shifra mund të jetë dhe gjysëm miloni. Nga 180 mijë Kilometra katrore, me një popullsi rreth 2 milion banorë, që numëroheshin brenda territoreve shqiptare në fund të Shekullit XIX, në vitet ’30 kishin mbetur territore shqiptare vetëm 80 mijë km katrore dhe këto në pjesën më të madhe jashtë shtetit shqiptar…
Nxjerrja në dritë e këtij libri ishte një kontribut i jashtëzakonshëm i studiueses shqiptare. Dr. Safete Sofia Juka.
safete-juka
Profesorja e përkushtuar, studiuesja e pazëshme
Ish nxënëse e shkollës”Nana Mbretneshë” në Tiranë, ajo shumë shpejt do të binte në kontakt me rrethe që përçonin kulturë. Shkuarja në Austri që më 1937 me synim për të kryer shkollën e mesme, ishte një shans i saj për të rënë në kontakt me kulturën perëndimore. Rrugët e përfitimit të dijeve nuk u mbyllën kurrë për të. Deri në fund të jetës shfletoi, studioi dhe shkroi.Studimet universitare në Francë, përbëjnë një tjetër urë lidhje me Perëndimin, Letërsinë dhe Kulturën frënge. Pra pas kulturës austro-gjermane, ajo depërton në atë frëngë, për të trokitur më vonë denjësisht edhe në kulturën anglo-amerikane. Në vitet ’50 kryen studimet dhe merr diplomën”License es Lettres” Për 6 vjet nga 1950 deri në 1956 është një ndër profesoret më të respektuara nga studentët në Aleksandri të Egjyptit, një dritare tjetër që e çoi në kulturën e lashtë arabe. Studentët e Liceut Frëng të atij qyteti i ndiqnin me dëshirë dhe pasion orët e Letërsisë Frënge dhe të historisë, pasi vetë profesoresha e re ishte pasionante pas lëndëve. Profesoresha kishte dhe një pasion tjetër, atë të pikturës. Arrin që të hap në Aleksandri dy ekspozita dhe të fitojë vëmendjen e shtypit.”Piktorja e luleve” zuri faqet e para në gazetat dhe revistave të specializuara të artit.
Në vitin 1957, Safete Juka shpërngulet familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendoset në Nju Jork dhe jep lëndën e gjuhës frënge dhe të gjermanishtes në shkollën private Fiedelson School, një shkollë shumë e njohur për standartet e larta të mësimdhënies.
Profesoresha jep mësim, por nuk heq dorë nga studimet. Shkolla dhe biblioteka ishin vendet që ajo kalonte pjesën më të madhe të kohës.Punon intensivisht për të përgatitur doktoraturën, të cilën e arrin ta finalizojë në vitin 1969. Pasi kthehet me doktoraturë të Sorbonës, fiton të drejtën e dhënies mësim si profesoreshë në Universitetin e Pensilvanias, si profesore e Letërsisë Frënge të shekujve XIX-XX, vend pune që do ta mbante me dinjitet e vlerësime sipërore derisa doli në pension.
Profesoresha ishte frekuentuese e rregullt e rretheve shkencore e kulturore.Ishte jo thjesht pjesëmarrëse, por dhe një ligjëruese që dëgjohej me vëmendje. Ajo ishte kontribuese me shkrime të një standarti të lartë në revistat prestigjioze si”The French Review”, Revue de Mitaphisyque et de morale”,”Les Lettres romanes”,”Ectrits de Paris”, “Relites”,”La nouvelle”,”Revue Française”,”South Asian Review”. Dr. Safete Juka ishte jo thjeshtë amatore e pikturës, por një penel i spikatur dhe një studiuese, që zotëronte në mënyrën autoritare elementët e analizës.
Është i njohur studimi i saj për piktorin Zhorxh Ruo apo studimi i saj për mitolgun e shumënjohur me origjinë rumune të shekullit të XX, Mirce Eliada. Ndër studimet e saj përmenden edhe botimet”Krishtërimi dhe ndjenja e natyrës e Andrea Suarezit dhe të Zhorzh Ruoit” si dhe “Vehtja në veprën e Marsel Prustit”. Me kompetncë janë shkruar edhe botimet e saj “Njerëzorja dhe abstraktja në ujëdhesat e Zhan Grenies”.
Çështja shqiptare ishte ajo që e shqetësonte në vazhdimësi dr. Safete Juka. Ajo iu përkushtua kësaj çështjeje duke botuar shkrime për Kosovën në gazetat me zë të kohës si”Le Mond”, në France-Amerique, në revistën”East Europian Quartely”, në gazetën”Dielli”, organ i Federatës”Vatra” etj.
Kombi do të kishte nder po të nderonte Safete Jukën
Kam mbi tavolinë një letër që inxhinierja shkodrane Zenepe Dibra, i ka drejtuar Presidentit shqiptar, Alfred Moisiu. Letra mban datën 18 tetor 2002 dhe është publikuar në gazetën “Shkodra”. Letra është një apel që i bëhet numrit Një të shtetit shqiptar nga inxhinierja, që flet jo thjesht në emrin e vet, por në emër të shoqatës “Gruaja intelektuale shkodrane” dhe të një grupi të madh intelektualësh për një vlerësim të figurës të intelektuales së madhe të qytetit me tradita të lashta kulturore e historike, Shkodrës… “Është në nderin Tuaj që të bëjë vlerësimin maksimal për Safete Sofia Juka…”, shkruan Zenepe Dibra.
Duke plotësuar mendimin e inxhinieres shkodrane, unë them se do të nderohej kombi nëse Dora D’Istria e Dytë shqiptare do të shpallej së paku Nder i Kombit… Edhe Tirana edhe Prishtina duhet t’i kërkojnë falje pas vdekjes Safete Jukës, që nuk e nderuan në gjallje…
Data e Publikimit për herë të parë : 09/12/2005-Gazeta ILLYRIA ne New York dhe shtypi i tiranes.(Falenderoj Elida & Skender Bucpapaj per ribotimin ne www.VOAL.com)