Nga Bardhyl SELIMI/
Që një vit më parë, dëgjova për një Shoqatë atdhetare me emrin “Trojet e Arbrit”. Miku im, Behadini, që kishte qenë në kuvendin e saj, mbajtur në Gjakovë, vjeshtwn qw shkoi, më shpjegoi se Shoqata ka në gjirin e saj intelektualë nga të gjitha trevat dhe diaspora shqiptare. Ajo është themeluar në vitin 2004 dhe mban Kuvende vjetore në qytete të ndryshme të Shqipërisë Etnike.
Qëllimi kryesor i saj është të vetëdijësojë shqiptarët dhe institucionet e tyre për nevojën e bashkimit kombëtar në rrugë demokratike. Njëkohësisht, përmes studimeve dhe ligjëratave, antarët e saj hulumtojnë të kaluarën historike duke synuar të nxjerrin në pah të vërtetat dhe duke përgënjeshtruar njwkohwsisht mashtrimet e bëra nga historianët e politizuar. Për të janë me rëndësi luftërat e përpjekjet e popullit shqiptar dhe e përfaqësuesve të tij të shquar për mëvetësi, pavarësi, përparim shoqëror, demokraci, shtet ligjor, edukim atdhetar, shoqëri të shëndoshë.
Këtë vit, Kuvendi i trembëdhjetë, u mbajt në Krujë, në një ditë të bukur verore. Tema qendrore ishte “Populli shqiptar në rrjedhat e historisë dhe roli i personaliteteve nga Epoka e Madhe e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut e deri në fund të shekullit të njëzetë”.
Kryetari i Shoqatës, profesori Muhamet Shatri më ftoi edhe mua, për më tepër se, me këtë rast, do merrej edhe pëlqimi për propozimin, drejtuar Komunës së Prishtinës, për ta shpalluar “Qytetar Nderi” priftin atdhetar At Nikoll Marku, nga Elbasani, propozim që e pata paraqitur unë. Një vit më parë Shoqata i propozoi Komunës së Prishtinës për ta emëruar një gjimnaz të qytetit me emrin e profesorit atdhetar, Ahmet Latif Gashit, hartuesit të Hartës së Shqipërisë Etnikedhe Atllasit të parë gjeografik të Shqipërisë, drejtor i ish Normales së Prishtinës në vitin 1944.
Hotel “Panorama”, në hyrje të Pazarit mesjetar të Krujës, u bë mikpritësi i pjesëmarrësve në Kuvend të cilët ishin të shumtë. Një pjesë syresh ka udhëtuar me avion nga bota e jashtëme, të tjerë me vetura dhe autobuze.
Mbresëlënëse ishte hapja e Kuvendit. Përveç dëgjimit të Himnit Kombëtar, ju bë nderim tre antarëve të Shoqatës, që kanë ndërruar jetë këtë vit (zotërinjëve Dedë Gjon Marku, Ibrahim Metaj dhe Emin Fazlija), u recitua një poemë e Ernest Koliqit dhe u dëgjua kënga “Thërret Prizreni mori Shkodër”.
Risi ishte përshëndetja e At Nikollë Markut, famullitar i Kishës së Shën Mërisë në kalanë e Elbasanit që 20 vjet, i cili mëton për një Kishë të vërtetë autoqefale shqiptare, me idealet e Fan Nolit dhe drejtuesve të tjerë të shquar të ortodoksisë shqiptare, kundër çdo ndërhyrje nga kishat e huaja. “Në kishën tonë- tha At Nikollë Marku, mbajmë dy flamuj, atë të Kishës dhe atë Kombëtar, pasi ne jemi në radhë të parë shqiptarë pastaj ortodoksë, katolikë apo myslimanë. Në krye të Kishës sonë duhet të jenë shqiptarët dhe fryma e Kishës sonë duhet të jetë atdhetare”.
Përshëndeti edhe një ish luftëtar i UҪK, deputet, ish pjesëtar në Betejën e Koshares, ku ranë dëshmorë 113 vetë duke thyer kufirin shqiptar- shqiptar, për herë të parë. “Kur unë shërbeja ushtarak, u flisja gjithnjë vartësve të mij për historinë, që nga Lufta e Trojës, Aleksandri i Madh, Piroja, Skënderbeu etj duke i frymëzuar ata me heroizmin e tyre. Betejën e Koshares e krahasoja me atë të Termopileve, ku treqind spartanë përballuan mijëra e mijëra persë..”
Ishin planifikuar të mbaheshin rreth 65 kumtesa, referate dhe recenza. Shumica e tyre u lexua përmbledhtazi, pasi, si rregull, Shoqata i boton tërësisht ato në një libër të madh, gati një mijë faqesh, sikurse ishte ai që doli me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë nën titullin “E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë Etnike “, botuar në Prizren më 2013. (Libri gjendet në Bibliotekën Kombëtare, kryeredaktor prof.dr. Muhamet Shatri).
Nga kumtesat, që u lexuan, po veçoj disa:
“Gjergj Kastrioti- Skënderbeu dhe Kosova”, e Bedri Muhadrit, zbulon shumë fakte interesante të shtrirjes së zotërimeve të Kastriotëve deri në Prizren dhe më gjerë.
Figurën e heroit tonë Kombëtar te autorët kroatë e shtjelloi z. Pajazit Hajderi, ndërsa z. Xhemal Meçi, pasi trajtoi Të Drejtën Zakonore me emrin e Lekë Dukagjinit, kujtoi shumë elementë nga toponimia jonë që e kanë ngulitur figurën e këtij personaliteti të shquar shqiptar. Figurën e Skënderbeut si model heroik në kohë, në letrat shqipe, e paraqiti Prendë Buzhala.
Risi, edhe për mua, ishte trajtimi i temës” Vështrim historik mbi principatën e Artës, 1350-1450″ që e bëri z. Nue Oroshi. Kisha dëgjuar për princët Pjetër Losha dhe Gjin Bue Shpata, në shkrimet e prof. Astrit Lekës, pasi nga fisi i tyre kanë qenë shumë luftëtarë në oborret mbetërorë të Evropës. Kumtesa në fjalë i plotësoi më tej këto njohuri.
Rolin e princit të Mirditës, Preng Bib Doda në lëvizjet antiosmane 1878-1912, e ndriçoi z. Prenk S.Gjikola.
Prof. Muhamet Shatri solli fakte dhe përfundime të reja rreth Kryengritjes së përgjitshme shqiptare antiosmane të vitit 1912. Duke cituar një ish ambasador amerikan në Athinë, në vitin 1914, që thoshte se, në shumë raste, luftërat e shqiptarëve u kanë shërbyer të huajve dhe jo atyre vetë, prof. Shatri theksoi se kjo kryengritje ishte e tëra në dobi të shqiptarëve dhe solli pavarësinë e Shqipërisë.
Z. Eugjen Merlika nga familja e Mustafa Merlikës- Krujës sqaroi çështjen shpesh të përfolur të “kolaboracionizmit” të shqiptarëve gjatë pushtimeve të ndryshme të vendit të tyre.
Z. Izber Hoti na solli shumë vlerësime për bashkëatdhetarwt tanë nga autori i huaj Joseph Hammer, ndërsa Don Pren Kola evidentoi figurën e Nikoll kaçorrit në themelimin e shtetit shqiptar.
Rolin e Fan Nolit gjatë vitit 1919 në delegacionin shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë e paraqiti zonja Rezehana Hysa.
Zonja Rukije Rama lexoi kumtesën e Mehmet Rukiqit “Shote Galica- shembulli i heroizmit të femrës shqiptare”. Përqeshjeve të bëra nga njeërz dashakwqinj dhe fanatikë, Shota, tha ajo, iu përgjigjej me zgjuarsi dhe vendosmëri.
Në mbrojtje të veprimtarisë së Mustafa Krujës, si atdhetar dhe politikan i ndershëm, doli me kumtesën e vet z. Ervis Reçi, duke kujtuar që ai është ndër firmëtarët e dokumentit të Pavarësisë dhe luftëtar për bashkimin e trojeve etnike, përkundër subjektivizmit historik që ka ndodhur, tash 70 vjet. Në këtë frymë ishte edhe kumtesa kushtuar rolit të major Abaz Kupit, prijsit të vërtetë të qendresës antifashiste në Durrës më 7 prill 1939 dhe luftëtarit të mëtejshëm për mbrojtjen e kufijve të shtetit shqiptar.
Interes të veçantë paraqiti kumtesa për heroin Shaban Palluzha dhe luftën e tij gjatë viteve 1941-1945. Me këtë rast, foli z. Zahir Kastrati i cili kish përgatitur edhe një ekspozitë fotografike me portretet e disa nga deshmoret heronj te betejave te Shaban Palluzhes, kundwr rreth dyzetemije forca ushtarake jugosllave.
Z. Adem Tasholli referoi për një betejë tjetër të lavdishme të forcave nacionaliste më 15 mars 2015, atë të Gadimes ku u asgjësuan 64 pjesëtarë të OZNA-s. Referati është pjesë e një monografie të botuar tashmë për rezistencën nacionaliste në Gadime e rrethinë, promovuar në Prishtinë në prill 2015.
Zonja Ermelinda Kashaj ndriçoi figurën dhe veprimtarinë patriotike të të afërmit të saj, Aqif Kashah në Gjirokastër, të nëpërkëmbur nga regjimi komunist.
Pas pushimit të drekës, që u dha për të pranishmit në restorantin e hotelit, ku pjesëmarrësit patën rast të shkëmbejnë kujtime dhe njohje, u zhvillua sesioni i pasdites.
Z. Mustafë Haziri foli për ndihmesën atdhetare të Shaban Idrizit në fushën e arsimit shqip në Mitrovicë e rrethinë.
Z. Sabri Maxhuni (Novosella) u ndal në tri shpërnguljet e mëdha të popullsisë së Kosovës pas Luftws sw Dytw Botwrore. Ndërsa ajo e viteve 1954-56 që lidhet me aksionin famëkeq të armëve dhe ajo e viteve 1980 pas demonstratave të 1981 ishin të detyruara nga regjimi shtypës sllavokomunist, kur njerëzit puthnin pragun e shtëpisë dhe shpresonin të ktheheshin një ditë aty, shpërnguljet e vitit të fundit, që kapin shifra alarmuse (mbi njëqindmijë) janë të dëshpëruara, njerëzit shprehen “mos të pafsha më Kosovë!”, e kjo për shkak të politikave të gabuara të udhëheqsisë së saj, po ashtu dhe të propagandës armiqësore.
Z. Riza Sadiku u kujtoi të pranishmëve reagimin e mërgatës shqiptare në Amerikë në vitet 1960 ndaj vizitave të Titos atje, në shenjë proteste ndaj shtypjes kombëtare në Kosovë.
Për rolin dhe ndihmesën e mbretit Leka në mërgim foli Sulejman Gjana, ndërsa për profesor Zef Nekajn foli Tomë Mrijaj.
Zonja Rukije Rama portretizoi figurën e një vajze të guximshme që flijoi veten për mbrojtjen e truallit të vet, të vëllezërve dhe vendit të vet, Syke Haxhisë.
Për veprimtarinëe shquar atdhetare dhe arsimore të Ibrahim Fehmiut, referoi z. Besim Morina.
Interesant ishin dëshmitë e reja të sjella nga z. Kastriot I. Veselaj për emigracionin politik të Hasan Prishtinës 1924-1933.
Në fund, zonja Leonora Laçi u foli të pranishmëve për pasqyrimin e historisë në veprën e Tomë Mrijajt.
Sikurse thashë më sipër, kwto janë vetëm disa nga kumtesat që mundën të lexohen në Kuvend, pasi shumë të tjera, autorët e të cilëve mungonin, do përfshihen padyshim në përmbledhjen që do botohet së shpejti.
Referuesit qenë porositur të mos merrnin më shumë se 5 minuta kohë, gjë që u respektua rreptësisht duke i bërë diskutimet shumë të cunguara, por që edhe tregoi se sa pak përpiqemi ne t’i paraqesim idetë tona sa më shkurt. M’u kujtua një anekdotë më Ҫurçillin, ish kryeministrin e Britanisë së Madhe. Kur një gazetar i Radioas BBC e ftoi të fliste rreth dhjetë minuta, ky iu përgjigj se e ka të pamundur, por për një orë do binte në ujdi…
Kuvendin e mbylli kryetari prof.dr. Muhamet Shatri duke përgëzuar ligjëruesit dhe duke u uruar atyre të ritakohen në Kuvendin e ardhëshëm.
Pas fotove kolektive në hyrje të sallës, një pjesë e tyre shkuan të vizitojnë kalanë dhe pazarin mesjetar.
Bardhyl Selimi, 15 gusht 2015(Foto-Arkiv)
Ambasadori amerikan në Beograd, Kirby për normalizimin Serbi-Kosovë
– Deri tani nuk është miratuar kurrfarë dokumenti, e në çfarë forme do të jetë, i takon Serbisë, Kosovës dhe Bashkimit Evropian të vendosin e të pranojnë atë që janë marrë vesh/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Gusht 2015/ Ambasadori amerikan në Serbi, Michael Kirby, në një intervistë sot ka folur edhe për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë, duke u shprehur se për dokumentin duhet të vendosin së bashku me BE-në dhe ta pranojnë.
“Që nga tetori i vitit 2012 kur sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së Catherine Ashton erdhën në Beograd është biseduar për normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës, por as atëherë nuk është thënë se çfarë nënkupton konkretisht kjo. Deri tani nuk është miratuar kurrfarë dokumenti, e në çfarë forme do të jetë, i takon Serbisë, Kosovës dhe Bashkimit Evropian të vendosin e të pranojnë atë që janë marrë vesh”, ka thënë ambasadori amerikan Kirby, cituar në intervitën për agjencinë e lajmeve Beta.
Intervista e agjencisë së lajmeve nga Beogradi citohet edhe nga media në Prishtinë, duke bërë të ditur edhe se kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në shtator viziton SHBA-të dhe do të takohet me zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden
Sherrnajë tradhtarësh
Nga Ilir Levonja/
1)Kur shikonim ”sakrificat”. Luftën legjendare. Subjektin e armës me gjalm, torbën me bukë, ku kishte një copë misërnike, pak djath dhe një kokë të madhe qepe. Po qepë të thatë. Kur shikonim ”tradhtarët” që na ”sabotonin”. Ashtu si terroistët sot. Ashtu si ”urithët” apo zagarët e natës. Apo buqet në kohën e ndërzimit. Pra qentë, që sot i quajmë delikatesa e divanit. Kur shikonim vetmohimin në emër të partisë. Me sado varfëri, e mizerje. Me sa do sakrificë prej njerëzish lëkurërreshkur. Pëtballë ”tradhëtarëve” me syza të rrumbullakta. Faqe të pastër. Ca prej tyre rrasëzinj. Ose tyrbe të bardhë etj. Kur shikonim një grusht vigan krahas një karabine. Një sy të rreptë vëzhgues. Kur ndjenim se si e kuqja i përkiste vetëm qafës. Se si dashuritë vetëm sojit. Klasave. Dhe jo zemrave. Normale që do ishim më shumë se normalja të karikuar. Madje të rreptë edhe të vendosur. Për të ”demaskuar” shokun. Në emër të ”frymëzimit” qoftë edhe për një shaka bajate. Normale që do ta vrisnim atë. Në emër të idealit. Kështu dy të rinj, njomzakë. Shokë të mi. Atëhere. Kur loja jonë më e preferuar ishte loja me luftë. Partizanë dhe tradhtarë. Jo fashistë, jo nazistë. Jo anglezë, jo amerikanë. Por shqiptarë. Ne shokët…., vinim lojës edhe kriterin e varjes në litra. Kështu njëri nga ne, ”i bindur” që fitoi luftën. Bëri gati rripin e pantallonave të babait. E lidhi tek teli i dritës së prodhuar në Vlorë. I bëri lakun. Dhe ”i munduri”, u ngjit në karrike. Futi lakun në qafë. Të vdiste i lumtur, pasi u mund dhe u shpall ”tradhtar” i popullit të tij. Fatmirësisht, cilësisë së dobët të punës vullnetare. Që teli i llampës të shkulej vendit. Dhe i munduri nuk vdiq dot. Sot shokët jetojnë. Janë baballarë. Dhe ndoshta me siguri qeshin kur të lexojnë këto radhë.
Kjo ndodhte kur baballarët e tyre punonin nga ora 6 e mëngjesit deri në katër pasdite. Dhe sigurisht ishin të ”prapambetur”. Ishin të ”pazotë”. Ishin ”humbamenë”.
2)Sot në gjithë Shqipërinë ka një zjarr debati për çështjen e atyre dy vajzave që kanë ikur nga shtëpia. Që akuzojnë prindërit. Ata që botën fëmijëve ua tregojnë përmes televizorëve të blerë me para Greqie, Italie etj. Ose me praktikat tona të faljes, të këstit. Përmes kabllorëve televizivë. Përmes telenovelave. Përmes sherrnajës politikës dhe bigbrother-it. Përmes tradhtarëve të kombit. Përmes forcës së partisë dhe fushatave me zjarr. Ka një zjarr debatesh dhe më entuziastja anë e tyre. Eshtë kur ”intelektualë” që nuk janë prindër. Akuzojnë këta prindër ”humbamenë”. Kur ata që janë striktë në planifikimet familjare akuzojnë për pjellshmmëri të pa planifukurit e këtyre programeve. Këta ”injorantë” provincash që pjellin me shumicë. Edhe pse i ka mbytur skamja, tradita e sëmurë e provincialit. Apo mëndje e mbetur mbrapa.
Ka një zjarr debatesh për fëmijët e lajthitur. Që u është bërë mendja ujë. Që mësojnë të drejtat e tyre së prapthi. Përmes televizorit, internetit. Apo telfonëve celurarë të markave më të fundit. Që përdorin me shumicë pudrat, kremrat, bojrat. Apo piskatoret. Tatuazhet në vendet delikate. Që grisin pantallonat. Që i quajnë prindërit injorantë. Humbamenë. Që nuk dinë ta fitojnë lekun. Që i shtyjnë. Që i akuzojnë publikisht. Dhe kërkojnë garanci nga televizorët. Përmes audiencës. Që njerëzit të preken nga këta prindër ”kafshë”. Sidomos kur e thonë psikologët jo prindër. Psikologët me anëtarësi njëzetëepesëvjeçare blu, vishnje, mavi, apo të kuqe.
Ka një zjarr debatesh studiosh për atë fatkeqsi gjenetike. Që kam unë të drejtë apo ke ti? Pak rëndësi ka problemi. Dhe që nuk ka asnjë grimë shprese që po e zvogëlojmë. Përkundrazi. Po e betonojmë. Prindër ”hajvanë”. Fëmijë që duan dru. Druri ka dalë nga xheneti. Prindër komunistë. Fëmijë liberalë. Fëmijë partish. Fëmijë ekstravagandë.
3)Me që e nisëm me një varje në litar. Varje shokësh të bindur në luftën e tyre me armë nofullash nga kockat e qenve. Me karroca kushinetash. Me llastiqe. Me shallin e kuq të supermenit etj. Jemi pikërisht tek vetmohimi. Vetdenigrimi, shkatërrimi. Si e si në të drejtën e triumfatorit absolutë. Dhe tradhtarit gjithmonë prezent në jetën tonë.
Nga ana tjetër, shqiptarët nuk duan të kuptojnë asnjëherë se, pa përjashtim ne jemi të gjithë nga pak tradhtarë. Tradhtarë ndaj vendit, shoqërisë apo prespektivës kombëtare.
Një politikan shqiptar sapo vjen në pushtet. Qoftë ky kryeministër, kryetar bashkie…, kryetar lagjeje. Një drejtues administrate, institucioni…, rajoni etj. Gjeja e parë, vendimarrja e parë. Eshte shpallja tradhtarë e paraardhësit. Rrënimi me ditë të tëra skutave shkresore dhe demaskimi bosh. Duke tundur letra popullit entuziast. Për shpërdorues, tradhtarë, ordinerë etj. Dhe të kënaqur, pasi e dinë edhe vet që gjithçka është demagogji. Korrupsioni nuk bëhet me letra por me gojë. (E kemi stërthënë). Duke kryer publikisht tradhtinë e parë. Dhe ne duke e pranuar po publikisht tradhtinë e dytë, tonën.
Dhe duke gjuajtur rrugicave, hyrjeve të pallateve, apo tokave arë, gardhet, akoma më shumë tradhtarë. Jemi përjetësisht një makinë sherri.
Kështu që nuk kemi përse habitemi, kur gjejmë fëmijë depresivë. Të varur në litar. Fëmijë që na i prostituojnë. Fëmijë që na akuzojnë. Për humbamenë, për të pa aftë. Si prindër injorantë. Kështu që nuk kemi pse habitemi që, ata që nuk janë prindër na akuzojnë si prindër budallenj. Na nxjerrin në dukje pa aftësinë tuaj, timen, tonën për të çuar fëmijët me pushime. Në Vlorë a gjetkë. Kështu që nuk kemi përse të habitemi që shohim prindër që flasin për fëmijë shejtanër. Që duan dru, që duan zhdëpur. Që duan mbyllur brenda etj.
4)Përse është sherrnajë? Në njëzet e pesë vite demokraci, shqiptarët vetëm kanë akuzuar njëri-tjetrin. Krim ekonomik, krim shtetëror, krim kombëtar, krim njerëzor…, si pjesëmarrje në banda të armatosura. Kanë demaskuar njëri-tjetrin. Për përdorues droge, narkotizëm profesionist, për marrëveshje të paligjshme, për afera korruptive, për blerje dhe shitje vote, për shkelje flagrante të ligjit etj. Kanë fëlliqur njëri-tjetrin deri me libër shtëpie, për imoral, marrëdhënie brenda sojit, për nepotizëm, për sekserë kurvash, deri robtë e gjakut. Kanë masturbuar masat për shkatërrim të mjedisit, për dëme ekologjike, arkitektonike, kulturore, të traditës. Pa kamera, me kamera të fshehta. Kanë rrëzuar qeveritë. Kanë djegur veten. Janë vrarë. Janë në hasmëri me njëri-tjetrin. Pse ti je demokrat dhe ti socialist etj. Megjithatë, askush, asnjëherë nuk pa një të dënuar para ligjit. Të gjithë sherrxhinj, të gjithë tradhtarë.
‘The Times’: Britani, bllokohen 7 grupe kriminale shqiptare
‘The Times’ e Londrës shkruan se nga 19 rrjetet kriminale që merren me trafikimin e qenieve njerëzore dhe që janë shkatërruar nga policia, vetëm në zonën e Calais, në pikën hyrëse mes Francës e Britanisë, 7 prej tyre janë shqiptare. Sipas shtypit britanik, aktiviteti i tyre kriminal ka gjeneruar vetëm brenda një viti një fitim prej 2 milionë eurosh. Kjo shifër konfirmon një rritje të grupeve kriminale që merren me organizimin e udhëtimit të emigrantëve drejt Britanisë në krahasim me vitin 2014, kur në total policia arriti të shkatërronte vetëm 6 rrjete kriminale.
Arrestimet e kësaj jave të njërit prej grupeve kriminale shqiptare ishin pjesë e një hetimi të fshehtë të nisur nga policia kufitare në muajin maj. Nga 1 shkurti deri në 10 gusht të këtij viti, grupimi shqiptar kishte organizuar 44 udhëtime me 250 emigrantë shqiptarë që kërkonin të hynin në Britani. Vetëm në 24 nga këto udhëtime, dërguan në ishull 150 prej tyre.
Këto grupime thuhet se janë të armatosura dhe posedojnë shuma të mëdha parash të thata dhe bashkëpunojnë me shoferët e huaj të mauneve që transportojnë mallra drejt Britanisë së Madhe.
Shumë prej tyre organizojnë udhëtime duke rekrutuar shtetas francezë në gjendje të keqe ekonomike nga periferitë e Parisit, duke u paguar për udhëtimet e duke marrë makina me qira për të shmangur dyshimet e policisë.
Dyndjet e shqiptarëve drejt Britanisë kanë pësuar rritje gjatë vitit të fundit, ku shumica janë të rinj e minorenë që kërkojnë azil për gjakmarrje, prostitucion, orientim seksual apo për t’iu shmangur radikalizimit fetar, ndërkohë që shumica e të rriturve rrinë në të zezë dhe një pjesë angazhohen në aktivitete të tjera kriminale.
Ikja e Profesor Esatit
Nga Ramadan Bozhlani/
Dita e 15 gushtit 2015, perëndoj pikëllushëm duke marr me vete një qenie akademike dhe duke e lënë natën që të përballet me dhimbjen shqiptare. Ç’banimi i këtij shpirti njerëzor nga kjo jetë e pushoj nga përkushtimi një mendje të mpreht, një ndërgjegjje të pastërt dhe një zemër fisnike të një profesori të së drejtës të quajtur Esat Stavileci. Përkushtimi i tij i zellshëm ndaj diturisë e ngriti në nivelin më të lartë shkencor, nga cila maje zbriste me modesti nëpër qindra mendje studentore duke ju hapur horizonte diturore përmes të cilave më pas ata kontribuan në jetën shoqërore shqiptare me të njëtën frymë.
Profesori Esat Stavileci shquhej në çdo drejtim për një korrektësi shembullore dhe për ta vën në pah atë më duhet të zbres në vitet studenteske.
Si studenta ishim mësuar me abuzimet e profesorëve që vinin me vonesë ose nuk vinin fare për të ligjëruar dhe pas pritjeve të gjata dëshpërushëm niseshim drejt stacionit për t’u kthyer me autobusët e ngarkuar nëpër qytete dhe fshatra të largëta. Një gjë e tillë asnjëherë nuk ka ndodhur kur kishim ligjirata nga lënda e së drejtës administrative sepse atë e ligjironte profesori Esat Stavileci, i cili na priste para portës së amfiteatrit deri sa u mbushte salla pastaj e mbyllte portën dhe ngjitej në podium me një eleganc mbreslënëse. Orët e ligjiratave i hapte me një dashuri të madhe sa që edhe mendjet e lodhura i tërhiqte me një mjeshtri admiruse për t’u bërë pjesë aktive e atij ambienti të denjët shkencor.
Metoda pedagogjike e tij përfshinte një zbërthim teorik dhe praktik, analizë dhe shqyrtim të lëndës sa që çdo mendje studentore e mveshte mrekullisht me njohuri të thella. Nga njëherë me shembuj joshës nxiste një zbavitje edukative pastaj përsëri na kthente te bërthama e leksioneve. Ai asnjëherë nuk e cenoj shenjtërin e ligjiratave përmes temave politike siç ndodhte jo rrallë me profesorët e tjerë. Orët e ligjiratave i shndërronte në një pasion dhe frymëzim fisnik për të drejtën. Ai me një natyrshmëri e mbjellte diturin tek çdo student dhe e nxiste që ta kultivonte fuqishëm atë. Kur dilnim nga ligjiratat e së drejtës administrative, e ndjenim trurin të stërvitur në nivel të kënaqshëm. Pastaj provimet rezultojshin të sukseshme.
Veprat shkencore, studimet, analizat dhe funksionet e rëndësishme të Esat Stavilecit do të peshojnë në përjetësi si perla rrezatuese tek çdo brez që është nisur të vij si shqipfolës në këtë planet.
Mbas gjithë kësaj përshtypje pozitive, kur e mendojm si të ndjer profesorin
Esat Stavileci përjetojm një tronditje shpirtërore, e cila vazhdon e përfshin çdo qenie shqiptare dhe përfundon tek themelet e shtetit.
Përmasat e jetës së tij të lavdishme natyrshëm do të harmonizohen me vatrën e parajsës!
I leht të qoft dhéu profesor, atje ku do të pushosh ndërgjegjshëm!