• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BE-JA DHE SHBA-JA PËRSHËNDETËN MIRATIMIN E SPECIALES

August 4, 2015 by dgreca

Mogherini mirëpret miratimin e Gjykatës Speciale/
Bashkimi Evropian, Zyra në Prishtinë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë kanë përshëndetur sonte me anë të një komunikate miratimin e amendamentit kushtetues dhe të Ligjit për themelimin e Dhomave të Specializuara, menjëherë pas votimit sonte në mesnatë të Projektligjit për Dhomat e Specializuara.
“Misionet e BE-së, Përfaqësuesi Special i BE-së/ Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë mirëpresin aprovimin e amendamentit kushtetues dhe ligjit të nevojshëm për themelimin e Dhomave të Specializuara.
Ky ishte një hap i rëndësishëm në rrugën Euro-Atlantike të Kosovës. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi kanë demonstruar përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit dhe për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Dhomat e Specializuara janë instrument jetik për vendosjen e drejtësisë lidhur me pretendimet për krimet e supozuara gjatë konfliktit në Kosovë.
Themelimi i tyre do të forcojë parimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe vendet tona do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës në këtë fushë. Duke u ballafaquar me të kaluarën e saj dhe duke siguruar drejtësi për viktimat, Kosova mund të arrijë pajtimin dhe të ndërtojë të ardhme më të mirë”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Mogherini mirëpret miratimin e Gjykatës Speciale/

Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, mirëpriti miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për themelimin e Gjykatës Speciale në Kosovë.
Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e zonjës Mogherini, thuhet se “aprovimi i sotëm i amendamenteve kushtetuese dhe ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special në Kuvendin e Kosovës është hap jetik në ofrimin e kornizës së domosdoshme ligjore për adresimin e pretendimeve të rënda që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës, si dhe zotimet e theksuara në Letërkëmbimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2014.
Duke kuptuar që ky hap i deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk ishte i lehtë, ai është shenjë e përgjegjësisë dhe vendosmërisë për të nxjerrë të vërtetën dhe për të marrë vendime që janë në harmoni me rrugën evropiane të Kosovës.
BE-ja është e përkushtuar në ofrimin e asistencës në këtë proces dhe për të vazhduar punën me palët e përfshira për të përfunduar procesin e krijimit të mekanizmave të nevojshëm ligjor në mënyrë që të mund të mbahen procese gjyqësore të pavarura dhe të drejta në një të afërme”, thuhet në deklaraten e zonjës Mogherini.

Filed Under: Komente Tagged With: GJYKATA SPECIALE, nderkombetaret

Kosovë-Serbi, bisedime në Bruksel për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve

August 4, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 4 Gusht 2015/-Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, udhëtoi sot për Bruksel për të marrë pjesë në takimin lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve, në bisedimet Prishtinë-Beograd.
Në këtë takim të ndërmjetësuar nga BE dhe Këshilli i Byrove Evropiane do të diskutohet për aspektet teknike të zbatimit të Marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në 23 qershor në Bruksel në prani të kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, si dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Mogherini. Kjo Marrëveshje ishte paraparë të hyjë në fuqi në 24 korrik dhe institucionet e Kosovës kishin bërë përgatitjet e nevojshme.
“Gjatë këtij takimi do të diskutohet për të gjitha aspektet teknike të përgatitjeve për fillimin e mbarë të zbatimit të kësaj marrëveshje sipas planit zbatues, për të cilën të dyja palët do të raportojnë për përgatitjet e duhura. Është qëndrim i delegacionit të Republikës së Kosovës që Marrëveshja duhet të zbatohet në plotëni, sa më parë që është e mundur dhe jo më larg se 10 gushti 2015”, theksojnë burimet zyrtare të Kryeministrisë kosovare.
Gjatë ditës së nesërme, delegacioni i Republikës së Kosovës do të pritet në një takim nga Presidenti i Këshillit të Byrove Evropiane (KBE), Jean Zenners. Do të diskutohet për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit, me theks të veçantë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Këshillit të Byrove Evropiane, për zbatimin e kritereve të KBE nga ana e institucioneve përgjegjëse të Kosovës dhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Byrove./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Bisedimet, Kosove-Serbi

Lengarica nuk guxon te preket!

August 4, 2015 by dgreca

Nga Fahri Xharra/
Kanjoni i Lengaricës, monument unik i rrallë në botë është shpallur me ligj si Monument i Natyrës të Europës dhe është kthyer në vend tërheqës turistik për shëtitjet në natyrë dhe shëndetit publik, pasi aty gjenden dhe banjat termale të Bënjës. 
Sa keq , që njifemi aq pak me vendin tonë , sa keq!
Po , kush më ka folur ndonjë herë,për Kanjonin e Lengaricës ?


 Miku Frederik Jani më shkruan : “Kanioni i Lengaricës nuk është vetëm bukuri natyrore , por dhe bukuri gjeologjike . Stalaktitet dhe stalagmitet në shpëllat e pellumbave janë te rralla , të cilat jane produkt i acidit karbonatik mbi formacionin gëlqeror dhe iu kane dashur miliona vjet te ndërtohen në madhësinë që kanë . Po ashtu në këte kanion ka shpella të vendbanimeve te herëshme njerezore , të pakten te kohës ilire ose më të hershme . Ura e Katiut ndertuar me gur ne shek XVIII është bukuri mëvete . Ujërat termale janë te pasura me gaz sulfidrik te tretur në ujë , i cili sherben per shërimin e lekurës . Eshtë një gjatësi e konsiderueshme e pasur me vendburime termale . Mos harrojmë se burime te tilla natyrore jane tepër të rralla , jane dhuratë natyrore te cilat vetëm çmenduria politike dhe shkatërruesit e vendit mund t’i prishin . Te tilleëve me gjithë fuqinë e shpirtit duhet t’u themi NDAL ! Fatmiresisht shqetesimi qytetar u perfaqesua me mbrojtje ligjore nepërmjet avokatit Ilia Kondi i cili meriton mirënjohje per punen që ka bërë dhe e bën për mbrojtjen e Kanionit te Lengaricës . Kjo eshte rruga per te mbrojtur pasuritë tona .
 Mos e prek , thuaj falëmnderit që na e kë dhëne ! 
Pëshperitjet nuk mbrojnë , zeri i popullit duhet te perfaqësohet me mbrojtje ligjore kudo ku nevojitet , ndryshe hienat politike nuk ndalen .(nga Frederik Jani )”


Më shumë i njoh ( nga shkrimet, kuptohet) kanjonet e botës e aq pak kanjonet tona që na i ka falur zoti si dhuratë ,të cilën nk guxon t`ia këthesh dhuruesit prapa . T`kishe qenë e mundur unë e kisha thirrur atë që na e “ krijoi” Grykën e Lengaricës , dhe me plotë përgjegjësi i kisha thënë: “ Merre , shpëtoje , se ne si të pa falemnderueshëm që jemi , po duam ta shkatërrojmë. Mundin tëndë miliona vjeqar po duam sa çel e m`shel sytë ta zhbëjmë “ Sa të pa falemnderueshëm 
që jemi !

(I planifikuar nje minihidrocentralë , 9 megavatshe, Investim i vogël )
(The hydropower plant is being constructed on the river Lengarica in Southern Albania and has a capacity of 9 megawatts. It is expected to produce about 32 gigawatt-hours of electricity a year. OeEB and the Green for Growth Fund (GGF) are providing EUR 14.1 million in financing – EUR 5 million come from OeEB. The construction of the hydropower plant helps to improve the energy supply in Albania and to reduce the country’s dependency on expensive electricity imports. http://www.oe-eb.at/en/projects/Pages/hpp-lengarica.aspx)
Zona e Përmetit është e njohur për shumëllojshmërinë e habitateve natyrore, duke filluar nga Bredhi i Hotovës, ujrat termale të Bënjës, kanioni i Lengaricës , mali i Nëmerçkës, tokat buqësore buzë Vjosës deri tek peisazhet e mrekullueshme, pra zona e Përmetit është e larmishme.
Në këtë zonë ndodhen 2 monumente të mbrojtura të natyrës, Banjat e Bënjës dhe Kanioni i Lengaricës, ndërsa zona në komunën e Petranit është shpallur Park Kombëtar në Fondin Pyjor.

Edhe Zeusi kishte për t`u hidhëruar me ne !


Fahri Xharra,04.08.15 Gjakovë


Lexoni” http://www.wikiwand.com/de/Lengarica
 http://balkanrivers.net/de/content/die-vjosa-0 ( Shpetoni Vjosen )
 http://www.kasbahitran.com/kasbah_en/02actividades/albania/southalbaniatrekking.html
 http://www.panoramio.com/photo/35555558http://www.libertas.pl/od_kanionu_do_kasztelu_albania.html
http://www.tour-albania.com/permet.html
https://chiropteralb.wordpress.com/2014/09/02/permeti-dhe-lakuriqet-e-nates-permet-and-bats/

Filed Under: Featured Tagged With: Fahri Xharra, Kanjoni, Lengarica, mos preket

VETËM NACIONALIZMI E SHPËTON KOMBIN SHQIPTAR

August 4, 2015 by dgreca

Nga Rasim Bebo,Çikago/
Sot nacionalizmi është domosdoshmёri për shqiptarёt dhe është koha e fundit që Shqipëria ta kuptojë këtë. Bashkimi kombëtar nuk duhet të mbetet me parullat kombëtare. Përmbysja e diktaturës u duartrokit, kur Sali Berisha foli se do të bashkohet i tërë kombi shqiptar.Por e ktheu pllakën duke thënë: mjafton një hapësirë demokratike për Shqipërinë. Dhe më tej nga ish M. J. Edmond Haxhinasto: “Bashkimi kombëtar i popullit shqiptar, nga lëvizja e kufijve, është e dëmshme si ide për shqiptarët dhe si veprim për rajonin. (Mërgim Korça). “Ajo parti që do të përfshijë në programin e saj politik çështjen e bashkimit kombëtar, nuk do të marrë as 100 vota në zgjedhje”. (S.Berisha 19-3-2014).
Historikisht është bërë e njohur, se nacionalizmi shovinist, kolonialist e neokolonialist serb (grek shën.im) është prush i pashuar, i cili rrezikon paqen… Në këtë situatë, përse Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, shpreh cinizmin e vet, kur deklaron se, “Nëse Evropa na refuzon, vjen Islami radikal në Ballkan… (?) “ Pra, me këtë thënie cinike, ai do të frikësojë “Ariun me shoshë”…?
Ndërkaq, kur nacionalizmi pozitiv shqiptar, historikisht ka qenë edhe është në funksionin mbrojtës të identitetit të vet, përse hedh gurë e dru mbi veprimtarinë luftarake të shtetformuesit, zulmëmadhit Gjergj Kastriot-Skënderbeut?… Kjo figurë madhore legjendare e lirisë së Shqipërisë, anatemohet, që të mos pranohet veprimtaria e tij për shtetin e pavarur shqiptar. Kjo është absurditet. Gjergj Kastrioti e identifikoi veten pasardhës të Pirros së Epirit dhe i Aleksandrit të Madh- bir i Epirit.
Skënderbeu ishte përkrahës i të tri feve për të ardhur te ideologjia kombëtare shqiptare. “Alarmi nga AK sapo ka ndodhur: Skandali i radhës ndodhi në Gostivar, ku persona të paidentifikuar kanë shkatërruar bustin e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, e kanë hedhur në një grumbull (plehrash), thuhet në reagimin e AK. (Mohimi dhe shkatërrimi në vendin tonë, vjen nga armiku mijëvjeçar “greku” dhe konkretisht në botën e sotme vazhdon nga agjentura e Janullatosit. Shën im). Dr. Ibrahim Rugova, kishte hulumtuar thellë në historinë kohore, duke e studiuar, peshuar e matur mirë veprimtarinë e gjithanshme të Pjetër Bogdanit. Ai kishte bërë një periodë kohore, duke e analizuar se pse nga ky personalitet merr frymë kombi, andaj edhe studioi veprën e pavdekshme “Çeta e profetëve” (1685) që më pas, disa gojëkëqinj e përdhosen, e së fundit po e quajnë “Çetniçka çeta “…(?). Edhe Pjetër Bogdani, duke ndjekur Gjergj Kastriot-Skënderbeun, identifikohej me Aleksandrin e Madh – pinjoll i farës ilire! Dr. Ibrahim Rugova konstatoi se “Çeta e Profetëve” e P. Bogdanit është një Komedi Hyjnore shqiptare, njëherësh është vepër bazë në humanistikën shqiptare. Në këto situata kundërthënëse edhe bamirësja Nënë Tereza, fyhet me shumë epitete të vrazhdëta, që s’i mban “fytyra e dheut”- Pse ?. Nga këto e të tjera, të gjithë jemi të vetëdijshëm se, derisa ne nuk i pranojmë vlerat e tyre, do t’i pranojnë të huajt. Gjergj Kastriotin tentojnë ta pranojnë si hero të kombit të tyre, sllavo-maqedonët, malazezët, grekët. Edhe Pjetër Bogdanin, po ashtu do ta përvetësojnë të tjerët.. Po ashtu edhe Nënë Terezën, janë të gatshëm për ta përvetësuar sllavo-maqedonët (?) Pse të lejohet një gjë e tillë, t’i humbim personalitetet bamirës më me zë të kombit tonë ? Po ashtu, edhe fretërit Luigj Palaj-Sopaj (1878-1913) dhe Shtjefën Gjeçovin (1874-1929). Me përçarjet tona përbrenda vetvetes, ne bëhemi vetmohues. Pra, me ndihmën e shqiptarëve kundër shqiptarëve, gjithë këta të huaj i shfrytëzojnë. Nga kjo del konstatimi se ne shqiptarët luftojmë meritat tona t’i marrin armiqtë…? Dhe, me heshtjen tonë, pranojmë një të keqe, një krim apo një të pavërtetë, duke bërë krim të dyfishtë kundër vetvetes, por edhe duke mbetur fajtorë kryeulët e të panderë para shoqërisë e brezave të së ardhmes. (Nga Nikollë Kerhanaj, Revista “Opinion”, Bota “SOT”, 14-7-2015).
“Misioni i këshilltarit të Janullatosit dhe antarit të këshillit të ortodokësve të Shqipërisë, komunistit dhe ateistit Pirro Prifti është: të ndihmojë mumjen ateist Janullatos në tjetërsimin e Kombit tonë, nëpërmjet përçarjes, shpifjes, prishjes, së harmonisë dhe bashkëjetesës fetare midis vëllezërve të një gjaku, të një gjuhe, të një kulture: myslimanë, begtashinj, katolikë, ortodokës dhe protestanë, që dallojnë nga formaliteti, se Zotit i falen ndryshe.” (A. Desareti 9-1-2015).
Ç’është e vërteta, Perandoria Bizantine, ishte perandoria e pellazgo-Ilirëve mesjetarë, sepse në mesjetë nuk ka pasur “grekë-helenë. Robert d’Angeli shkruan: “Për të thënë të vërtetën, Greqia ka nisur të quhet zyrtarisht dhe përgjithësisht “Hellas” për gjithë botën, vetëm shumë vonë, kur u krijua si mbretëri e pavarur më 1830, të erës sonë. Më parë, dhe sidomos gjatë Perandorisë Bizantine, ajo asnjëherë nuk është quajtur as Hellas, as Grecia, as perandoria greke ose helenike, por gjithmonë Perandoria Bizantine dhe ndonjë perandor bizantin, kurrë nuk është cilësuar grek”. (“Enigma”, bot. 1998, f. 182). Dhe më tej: “Ja se kush kanë qenë këta shqiptarë të Greqisë bizantine, të shek. VI, kanë qënë ata të vitit 1830, epoka e dijetarit J. P. FALLMERAYER dhe ata që janë ende shqiptarët e Greqisë së sotme, të cilët deklarojnë se shqiptarët janë pasardhësit e Ilirëve. Por para së gjithash, shqiptarët janë pasardhës të Pellazgëve, merret parasysh vetëm një pjesë e vogël në vend të tërësisë. Ilirët përbënin një pjesë të vogël të pellazgëve ose shqiptarëve. (Janë tre shtete shqiptare vëllezër: Ilirët, Maqedonët dhe Epirotët shën. im). Nuk mund të thuhet, të gjithë Ilirët janë shqiptarë. (po aty f. 276 Enigma). Kjo vjen se greku nuk dëshiron ta dëgjojë emrin “PELLAZGË” dhe madje në çdo kohë. Më 3 shkurt 1830, Kongresi i Londrës krijoi një mbretëri të ashtuquajtur greke. Vetë Anglia, qysh më 1830, nuk donte që mbretëria e re të kapërcente malin Parnas, pasi nuk ka grekë më përtej, ka vetëm shqiptarë dhe një pakicë vlleh shtrihej deri në gjirin e Prevezës. Në shtetin grek numëroheshin rreth 350,000 grekë (“Enigma”, f.276)
Nga Tahir Veliu “LËVIZJA PËR SHQIPËRI TË BASHKUAR”
Shqipëria duhet ta padis shtetin grek në gjykatat ndërkombëtare, për gjenocidin e bërë ndaj popullit të Çamërisë, për vrasjet dhe masakrat masive, dhunimet kolektive, shkatërrimet e pronës, mohimin e pronës, dëbimet e shpërnguljet e dhunshme dhe asimilimin e orkestruar nga shteti grek ndaj çamëve dhe arvanitasve autokton. Qëllimi i Greqisë fashiste, ishte realizimi i ëndrrës së saj për spastrimin etnik dhe shkombëtarizimin e zonave të banuara nga popullsia çame me origjinë shqiptare. Sa i takon territorit të Çamërisë, së zhdukur nga lista e toponimeve greke, kryediplomati ynë z. Tahir, shprehet: “Kjo listë ka marrë fuqi ligjore, pasi ka mbi 10 vite që është paraqitur OKB dhe fjala “Çamëri” nuk egziston. Ky është një detyrim që ne do ta trajtojmë në rrugën dypalëshe me palën greke.” Pse jemi druajtur ne dhe vazhdojmë të druhemi, t’ia paraqesim kërkesën tonë gjithashtu OKB-së ?!… Në votimin e vitit 2004, Fatkeqësisht Rezoluta Çame është rrëzuar. Në marrëveshje me grekun, Fatos Nano, me një telefonatë nga zyra e PS urdhëroi deputetët socialist të largohen nga parlamenti në prag të votimit. Po kështu Sali Berisha dhe Jozefina Topalli braktisën seancën para votimit. Në një kohë kur qeveria shqiptare e ktheu Tiranën në një Athinë të dytë për një çerek shekulli dhe nacionalistët shqiptarë nuk ngrihen sipas konventës së OKB-së. Sa kohë do të vazhdojë kështu?…
Në Artikullin 2 të Konventës së OKB, më 1948, përcaktohet: “Gjenocid është çdo akt që bëhet me qëllim për të shkatërruar plotësisht, ose pjesërisht grupe kombëtare, etnike, raciale ose fetare, duke vrarë pjesëtarë të atij grupi me qëllim eliminimin fizik, pjesërisht ose totalisht”. Rezoluta Nr. 1674 e Këshillit të Sigurimit të OKB, më 28 prill 2006 e ngarkon KS të veprojë për mbrojtjen e qytetarëve në konfliktet e armatosura dhe të mbrojë popullatat nga gjenocidi, krimet e luftës, pastrimet etnike dhe krimet ndaj njerëzimit. Zoti Tahir! Ju shkruani mirë, por qëndroni vetëm në një krah. Në këto 25 vjetët të quajtur “Demokraci” Shqipëria me firmën e absolutes Nexhmie, nëpërmjet tradhtarit Ramiz Alia, ia kaluan Çamërinë grekut. “Lideri i PD Gramoz Pashko, kur shkoi në Greqi e mohoi çështjen Çame”. Ai duhej përjashtuar menjëherë nga partia, sepse familja e tij është agjenturë greke në tre breza… “Me Tritan Shehun, ministër i jashtëm, unë jam zënë në parlament, sepse deshi të bëjë ligjin për të ndërruar kombësinë, e jo më gjuhën! Jam ngritur në mes të parlamentit dhe i kam thënë: “ik mor zotni n’Greqi dhe mos na rri këtu”. (A. Baleta. Bot 2005, f.66).
Me pak fjalë: ÇAMËRINË e kanë kthyer “Inekzistente” dhe Rezoluta çame pas 7 dekadave akoma nuk është aprovuar nga parlamenti. Në tradhti janë futur edhe pesë deputetët çamë. Kujt i kërkoni zgjidhje? Vallë guvernatorit Ajatollah, Janullatos!? Nacionalizmi, nga marshimi i modernitetit, njësoj si zhvillimi i teknologjisë, ka nxjerrë nga përdorimi, bie fjala, lokomotivën me avull, duke e bërë të mbetet thjesht një ilustrim muzeal i një epoke të superuar teknologjike. Sipas tyre, globalizimi është “teknologjia” më e fundit që krijon aspiratat për një botë të re, pa ndarjet dhe konfliktet nacionale… Nacionalizmi po rishfaqet fuqishëm në skenën e ndërveprimit shoqëror, duke habitur, trembur apo ekzaltuar njerëz të shumtë anembanë globit. (http://www.durreslajm.com/blognacionalizmi).
Sami Frashëri e kishte fjalën për shqiptarët e mashtruar, të helmuar rëndë nga propaganda fetare, kur thotë se “gjaku që derdhej nga të dy anët, ish gjak shqiptari… Shqiptari e ka derdhur gjakun pa kursim, po e ka derdhur kot, kurrë Shqipëria s’ka fituar nga gjaku i shqiptarëve; gjithnjë të huaj edhe armiq të Shqipërisë kanë fituar nga ai gjak… i derdhur pa mendim”. “Shqiptarët myslimanë kanë punuar për turqit e shqiptarët e krishterë për grekët, por këto dy kombe, të cilat as njëri, as tjetri s’ua dinë të mirën e ua shpërblejnë me të keq, duke u përpjekur për humbjen e kombit shqiptar”.Feja myslimane Osmane kthehej kundër feve të tjera të krishterimit ortodoksë të Lindjes dhe krishterimit katolik të Perëndimit. (Shqipëria e Bashkuar korrik 24-2015).
Në analogji me Sami Frashërin, shkruan profesor Arben Llalla: “Historia e kombit shqiptar është sa e lavdishme edhe e dhimbshme, kur mëson se në shekujt e kaluar shpesh herë shqiptarët kanë luftuar kundra njëri-tjetrit nën flamujt e kombeve të tjera. Janë të shumta rastet kur shqiptarët ortodoksë luftonin kundra shqiptarëve myslimanë, pra, kundra njëri-tjetrit, por kjo ishte një luftë fetare, Shqiptarët ortodoksë i luftonin shqiptarët myslimanë, sikur të ishin osmanë dhe jo shqiptarë, ndërsa shqiptarët myslimanë, i luftonin shqiptarët ortodoksë sikur të ishin sllavë apo grekë dhe jo shqiptarë. (Kërko Opinion 24-11-2013).
Por ajo që duhet çmuar, ruanin nacionalitetit e kombit shqiptar si myslimanët dhe ortodoksit shqiptarë. Ka renegatë shqiptarë dhe mohues fqinjë dhe këta ashtu siç dalin, ashtu zhduken shpejtë. Dhe Nacionaliteti i kombit shqiptar ndrit në mijëra shekuj, si po e studjojmë dhe po ua lëmë brezave pas. Renegati Kapllan Resuli, u kthye mohues në moshën e pleqërisë së thyer, do të ishte më mirë të kishte vdekur para kësaj kthese anti-nacionaliste shqiptare. Ai ua ka kaluar historianëve dhe intelektualëve serb, sa i përket mohimit të historisë së shqiptareve.” (Gazeta “DITA” 2 -6-2015)
Nga Prof. dr. Eshref Ymeri lexojmë: “Presidenti Italian e bën çorbë historinë e Kostandinit sërb! Presidenti Italian Serxho Matarela citon: “Rrënjët e marrëdhënieve tona, e atyre mes Serbisë dhe Italisë, janë të thella ndër shekuj në histori. Serbia ka nxjerre nga gjiri i saj 17 perandorë romakë, ndër të cilët veçohet figura e Kostandinit”. Jo, zoti president Matarela, ju nuk e njihni historinë. Perandoria romake u shkatërrua në vitin 476 të erës sonë, ndërsa sllavet u shkulët nga moçalet e Vollgës një shekull më pas”. Ku i gjeti Serbia këta perandorë që ia fali Romës, në mes të moçaleve që rronit vetëm me peshk dhe kafshë të egra si të egër që ishin dhe vetë?…“Lëvizja jonë, e mbështetur në parimin e kombësisë dhe jo në parim e fesë, mohon veten e saj, në qoftë se i ndan shqiptarët pas feve, në vend që t’i shikojë në njësi të kombësisë së tyre”
Faik Konica thotë më 1907: “Ne si komb kemi për detyrë të përpiqemi të bëjmë integrimin tonë kombëtar në Evropë, por jo shkaku se ata janë të mirë, por qëllimi, është se ndryshe s’është e mundshme të krijohen kushtet dhe perspektiva kombëtare në këtë sistem të kurdisur. Kjo duhet të jetë për ne shqiptarët një veprim strategjik, brenda suazave kombëtare, e jo sakrificë e një politike të verbër… Kjo nuk duhet të ndodhë në atë mënyrë siç tentojnë të plasojnë disa “pseudointelektualë islamofob” me vese të ulëta snobiste, që ashiqare trumbetojnë duke i rënë tellallit për “rikthimin” e kombit tonë në fenë e të parëve, dmth, në kristianizëm!? Dhe pasi të ndodhë ky akt, atëherë të bëhet edhe Euro-integrimi, ngase bota e përparuar perëndimore është kristiane!? Kjo si ide është shumë e ulët! Nuk mund një komb të jetë plotësisht i lirë, nëse nuk e njeh historinë e tij, nuk mund të jetë i kulturuar, nëse nuk distancohet nga çdo lloj krimi e dhune, nuk mund të jetë i qetë e të përparojë, nëse nuk është në paqe me veten dhe me të tjerët. Nëse mendojmë se bota perëndimore është e përparuar, për shkak se i takon kristianizmit, ndryshe nga ajo bota lindore islame, që sipas tyre është e “prapambetur”, atëherë, këtu koncepti i kuptimit mendor i ngushtuar në kallëpin e vet, do të gjykoj mangët dhe padrejtë, ngase realiteti tregon diçka tjetër, kurse e vërteta është shumë tjetër. Kështu Jezu Krishti nuk ka lindur në Skandinavi me flokë biond dhe me sy kaltër, siç tenton të tregoj bota perëndimore, por edhe ai lindi në Betlehem të Judeas, në Lindjen e Afërt! Dmth, edhe Jezu Krishti edhe kristianizmi e kanë prejardhjen nga bota Lindore! Prandaj mos të etiketojmë gjërat dhe çështjet në nguti, duke paragjykuar sipas interesave vetjake, ose sipas mediave të brendshme dhe jashtë saj. Por duhen shikuar nga një diapazon më i gjerë dituritë mbi civilizimet e ndryshme të botës, e veçmas ato Islame. “Kurrë dhe asnjëherë civilizimi Islam si Fe, gjatë historikut të saj, nuk arriti të bëjë krim mbi njerëzimin”!
Orientimi më i dobishëm i shtetarëve tanë duhet të jetë, ti nuhasim dhe pastaj t’i shfrytëzojmë sa më në interes të kombit rrethanat, kur interesat tona kombëtare përputhen me ato të më të mëdhenjve! Koha nxjerr të vërtetën për Greqinë!
Historianët: “ e kemi sajuar Greqinë e lashtë.” (Aliaj Distribuzione gratuita in: Albania, Australia, Belgio, Canada, Germania, Grecia, Francia, Italia, Stati Uniti e Svizera cmyk L’Albania. Storia antica Spiralismo, nuovo movimento letterario in Albania Il mosaçico magico della basilica paleocristiana illiro – albanese Page 3 Page 8.) Një grup historianёsh të njohur mbajtën një konferencë shtypi në fillim të kësaj jave te National Geographic Society, për të deklaruar se e kanë “fabrikuar krejtësisht” Greqinë e lashtë, një kulturë që prej një kohe të gjatë mendohej se ishte baza intelektuale e qytetërimit perëndimor. Grupi pranoi, se ideja e një shoqërie të sofistikuar dhe në lulëzim që ekzistonte në Greqi më shumë se dy mijëvjeçarë më parë, ishte e gjitha një sajesë e krijuar nga një ekip prej dhjetëra historianësh, antropologësh dhe klasicistësh, që punuan pandërprerje në periudhën mes viteve 1971 dhe 1974. Për të “krijuar dorëheqjen nga pozicioni i tij e kryetarit të Studimeve Helenistike në Universitetin e Georgetown.” “Sinqerisht, asnjëherë nuk e mendonim që gjërat do të shkonin kaq larg”, deklaroi Profesor Gene Haddlebury, i cili është ofruar që të japë dorëheqjen. (Burimi: dokumente dhe sende “greke”.http://www.theonin.com 20 tetor 2010).
Rasim Bebo, Adisson, Çikago Korrik 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: kombi, nacionalizmi, rasim bebo

FERRI I KRIMIT DHE ATA QË E KUNDËRSHTUAN…

August 4, 2015 by dgreca

(Mendime për romanin FERRI I ÇARË të Visar Zhitit)/
Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika/
Prolog:
KRIMIN KOMUNIST TA NJOHIM DHE DËNOJMË, TË PËRNDJEKURIT T’I VLERËSOJMË./
Mbas botimit të veprave dokumentare dhe artistike, memuare dhe fiction, etj, prej ish të përndjekurve e të burgosurve si Arshi Pipa, At Zef Pëllumbi, Sami Repishti, Musine Kokalari, Visar Zhiti, Astrit Delvina, Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori, Frederik Rreshpja, Makinsen Bungo, Zyhdi Morava, Jorgo Bllaci, Eugjen Merlika, Agim Musta, Tomorr Aliko, Lek Pervizi, Maks Velo, Uran e Hasan Kostreci, po dhe prej Mërgim Korçës, Uran Butkës, Pjetër Pepës, që nuk kanë qenë në burg, etj, etj, u duk sikur u plotësua letërsia jonë me aspektin e saj të munguar, me letërsinë e burgut, madje u shpreh dhe mendimi: mjaft më letërsi burgu, sepse lindi frika se mos ajo po zinte vendin parësor dhe po lihej pa u trajtuar jeta aktuale e pasdiktaturës.
Shoqëria jonë dhe qeveritë pasdiktatoriale nuk e dënuan si e sa duhet krimin komunist. Ish shkrimtarët e talentuar të kohës së diktaturës, atëhere nuk u revoltuan ndaj arrestimit e dënimit të njerëzve të pafajshëm, madje nuk e ngritën zërin as kur pushkatoheshin e varreshin kolegët e tyre. Mbas shkërmoqjes së diktaturës këta shkrimtarë nuk i mohuan veprat e tyre të politizuara dhe nuk morën përgjegjësi mbi vete për aprovimin e politikës së partisë shtet. Ata nuk luftuan për demaskimin e krimeve të asaj kohe dhe sa për të larë gojën, thanë se këtë punë duhet ta bëjnë vetë ish të përndjekurit. Në një kohë kur dy krijuesit më të talentuar të kohës së diktaturës, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli nuk pretenduan se kishin qenë shkrimtarë disidentë, u përshfaq një dukuri tjetër, shkrimtarë shembullorë të respektimit të normave të realizmit socialist, filluan të mashtronin, të përpunonin opinionin se ishin ata të përndjekur e disidentë. Shkruan se disa poezi nuk u ishin botuar, se ishin larguar nga Tirana me qarkullim, se ishin survejuar prej Sigurimit, etj, por nuk sollën vepra konkrete me pëmbajtje disidente. Kuptohet se shprehja poetët janë legjislatorët e botës, nuk u përket krijuesve të tillë.
Mbas vitit 1992, bijtë e ish pushtetarëve komunistë, me përjashtim të Bashkim Shehut, Spartak Ngjelës e ndonjë tjetri, nuk mbajtën qëndrim kritik e ndëshkues ndaj sistemit komunist dhe bëmave të prindërve, por justifikuan veten duke thënë se ajo kohë e ai sistem ishin të tillë dhe se nuk kishin përgjegjësi për ato që bënë prindërit e tyre. Me të tillë mendësi këta bij gjynahqarësh morën pjesë aktive në jetën politike dhe përbëjnë sot shumicën e klasës politike që qeveris Shqipërinë.
Natyrisht një situatë e tillë social-politike dhe psikologjike nuk kishte si të mos e mbarste botën emocionale dhe frymëzimin e krijuesve misionarë, të cilët e dinin se jeta e burgjeve shqiptare kishte ende shumë makabritete të pathëna. Ata që e kishin jetuar ferrin real shqiptar e dinin se ky ferr ishte shumë më dimensional. Ata e vuanin faktin se shoqëria jonë pasdiktatoriale nuk ndjente përgjegjësi për krimet e bëra në atë kohë, prandaj e morën përsipër detyrën morale, të cilën në fakt duhej ta merrte gjithë shoqëria jonë, zbulimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit dhe vlerësimin si duhej të të përndjekurve të ndërgjegjes së asaj kohe, të cilët me jetën e bëmat e tyre nëpër burgje e kampe pune, i treguan botës se në Shqipëri kishte pasur disidencë antikomuniste të vërtetë.
Një nga këta krijues misionarë është dhe poeti e shkrimtari i talentuar Visar Zhiti, i cili mbas një vargu veprash të lavdërueshme me poezi e prozë, disa të shkruara gjatë jetës në burg, hartoi e botoi më 2012 dy vepra të reja romanore Rugët e Ferrit dhe Ferri i Çarë OMSCA-1, ku vuri në qendër jetën e vet dhe të shokëve të tij në burgjet miniera Spaç e Qafë Bar, si dhe jetën pas kryerjes së dënimit, kur këta njerëz të çliruar prej burgjeve nuk trajtoheshin si të lirë, kurse në vitet e tranzicionit nuk u vlerësuan si meritonin.
Për turp z. Bujar Nishani, President i Republikës, dy tre vjet pas botimit të këtyre veprave madhore, dha një shëmbull tjetër të keq duke mohuar mendimin e z. Edi Rama, Kryeministër i vendit, për të emëruar shkrimtarin e shquar Visar Zhiti, këtë të krishter të pagëzuar shpirtërisht në burgjet komuniste, ambasador të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan.

Ferri çarë:
PËRBËN NJË NGA PIKAT KULMORE TË KRIJIMTARISË SË ZHITIT DHE TË MBARË LETËRSISË SHQIPTARE të derisotme, prandaj po ndalemi për të treguar disa nga vlerat e kësaj kryevepre të letërsisë sonë.
Kjo vepër është një roman i një tipi të veçantë, ku subjekti shtjellohet ndryshe nga forma tradicionale e kompozicionit të romanit. Këtu nuk kemi të bëjmë me kompozicion të zakonshëm të veprave romanore, ku dallohen pika e lidhjes, pika kulminante dhe zgjidhja. Shtjellimi i ngjarjeve në këtë roman ka një renditje jo kronologjike, ku mbizotëron shpalosja e ndjenjave, meditimeve, vlerësimeve të autorit për ngjarje të ndodhura në burgun e Qafë Barit dhe të shumë bëmave të bashkëvuajtësve të tij në burg dhe në galeritë e minierës, si dhe mbas daljes nga burgu. Kohën e tashme në vepër e përbën jeta nën dhunë e plot mungesa në burgun e Qafë Barit e të Spaçit, puna raskapitëse në galeritë e minierës, portretizimi i shumë bashkëvuajtësve, përshkrimi i dy revoltave, që ishin në fakt të vetmet revolta në gjithë kampet burgje të perandorisë komuniste, etj. Kjo pjesë e jetës përbën boshtin e veprës prandaj dhe titulli i romanit lidhet me të.
Ndërkohë theksojmë se po aq të rëndësishme janë dhe e kaluara dhe sidomos e ardhmja, pra jeta para dhe pas burgimit. Jeta e së shkuarës dhe ajo e së ardhmes përbëjnë material po aq të rëndësishëm për shtjellimin e ideve dhe shprehjen e vlerësimit emocional të autorit ndaj dukurive të botës shqiptare, sa dhe jeta e burgut. Kalimi nga e sotmja tek e kaluara dhe e ardhmja bëhet me lehtësi dhe mjeshtëri artistike përmes futjeve e ndërfutjeve të shpeshta pa respektuar renditjen kronologjike.
Sa për ilustrim po përmendim se të kaluarës i përket jeta e familjes së autorit para burgimit të tij, kur arrestohet babai i tij, rrëfimi i groposjes për së gjalli i shkrimtarit Mitrush Kuteli në kampin e Vloçishtit; rrëfimi i gjestit human që kreu trombisti Gasper Çurçia duke ndalur një natë krishtlindjesh anës xhades pranë kampit burg të Tepelenës ku luajti pjesën Shtille Nacht si dhuratë për të lehtësuar vuajtjet e të burgosurve, etj. Kurse së ardhmes i përket jeta e autorit dhe e shokëve të tij e paslirimit nga burgjet e Spaçit, Qafë Barit e Burrelit, rropatjet e tjera, koha e tranzicionit, rënia në dashuri e autorit me vajzën e bukur Eda, e cila bëhet bashkëshortja e tij, dhënia e një testament për djalin dhe mbarë shoqërinë, ceremonia groteske me vlerësime të çuditshme për të dënuarit dhe dënuesit e tyre në zyra shqiptare dhe në kontrast me të përshkruhet dhënia e vlerësimeve dinjitoze në ambjente jashtë shtetit, ku autorit i jepen çmime dhe i kërkohet të falur për dënimet dhe vuajtjet që iu shkaktuan pa shkak për disa poezi hermetike që nxinin realitetin socialist.
Pjesët që i përkasin së kaluarës e së ardhmes dallohen në tekst mbasi janë botuar me shkronja italike, ashtu si janë botuar dhe meditimet, thëniet e kundërthëniet e autorit për ngjarje e persona të sjellë në vepër.
Edhe pse kemi të bëjmë me një vepër artistike, ku autori ka të drejtë të shtojë ngjarje e hollësira nga fantazia e vet krijuese për të tipizuar sa më mirë personazhet e veprës dhe për të dhënë sa më kuptueshëm idetë e veta dhe vlerësimin e tij ideo-emocional, Zhiti nuk e shfrytëzon këtë përparësi të artit. Ai ecën në një rrugë pak të shkeleur prej krijuesve shqiptarë, prej të cilëve mund të përmendim tregimtarin Sami Repishti me veprën Pika Loti, ku tregohen ngjarje reale dhe portretizohen persona realë pa synuar të kalohet në tipizim e përgjithësim letrar me anë të fantazisë krijuese. Ky riprodhim i jetës ashtu si ishte pa përgjithësim e pa tipizim e ka shkakun e vet në faktin se jeta e të burgosurve shqiptarë ishte aq e tmerrshme sa që nuk kishte nevojë për përdorimin e fantazisë krijuese, mjaftonte pasqyrimi me realizëm i asaj që kishte ndodhur, paraqitja e personave historikë ashtu si kishin qenë e ashtu si kishin vuajtur.
Ngjarjet që tregohen në roman riprodhohen ashtu si kanë ndodhur. Vendet ku shtjellohen ngjarjet jepen me emrat e tyre përkatës. Fjalët, mendimet dhe vetë emrat e personazheve janë fjalë, mendime dhe emra të njerëzve realë, bashkëvuajtës të autorit. Në këtë aspekt nuk kemi të bëjmë me fantazinë krijuese të Zhitit. Kaq thellë ka shkuar ky romancier në këtë drejtim, saqë krijohet ideja sikur kemi të bëjmë me një vepër të letërsisë dokumentare. Mirëpo karakteri dokumentar i materialit të veprës përbën pikërisht një nga aspektet artistike të saj, mbasi ai është shfrytëzuar në funksion të idesë së autorit për të dëshmuar me realizëm konkret se burgjet e komunizmit shqiptar në Spaç dhe Qafë Bar ishin një ferrr i vërtetë, shumë më torturues e cfilitës së ferri imagjinar i krijuar prej poetit italian Dante Alighieri, se vlerësimin e vërtetë ndaj të përndjekurve të komunizmit shqiptar po e bënin shumë më seriozisht të huajt sesa qeveritë shqiptare të tranzicionit, etj.
Ajo që e bën këtë vepër të quhet vepër artistike, konkretisht roman lirik, ka të bëjë me mënyrën e thurrjes të materialit jetësor, pra me kompozicionin e veprës, kompozicion i cili është shumë i ndryshëm prej romaneve të tjerë të letërsisë sonë dhe asaj botërore. Thurrja origjinale e materialit jetësor, që përfshin dy periudha (48 vjet diktaturë dhe 20 vjet tranzicion), me kalime në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen, e mbushur me thënie e kundërthënie, me zërin e subkoshiencës së autorit, me vlerësime emocionale, meditime dhe shprehje e figura të shumta artistike, janë ato elementë që e bëjnë veprën Ferri i Çarë një roman modern të letërsisë sonë.
Vlerësimi i shkrimtarit rumun Aurel Maria Baros për krijimtarinë e Visar Zhitit, vënë dhe në kapakun e pasëm të librit, që duket sikur i përket këtij të fundit më shumë, është shumë domethënës: … teksti i Visar Zhitit është një afresk gjithëpërfshirës dhe tepër i gjerë, me thellësi, ku asnjë nga sëmundjet e regjimit nuk është harruar. Në këtë tekst lumturisht bashkekzistojnë, me domethënie të thella, sekuenca të tmerrit dhe të poezisë së ndjeshme… grotesku dhe meditimi serioz, patetizmi dhe fatalizmi më gjunjëzues.
Një tipar i veçantë e madhështor i Zhitit si njeri dhe krijues është se tek ai, si tek pak të tjerë dënimet, mundimet, torturat, puna raskapitëse nëpër burgje dhe jashtë tyre, nënvlerësimi dhe përbuzja e pushtetit dhe e pushtetarëve, nuk ia egërsuan shpirtin. Duke bashkëvuajtur me klerikë katolikë të shkolluar në Europën Perëndimore ky shkrimtar u mbrujt me dashuri e humanizëm, larg urrejtjes, krejt ndryshe nga aparatçikët e partisë e të Sigurimit, të cilët duke u angazhuar në luftën e klasave sipas mësimeve dhe urdhërave të partisë, u mbrujtëm me urrejtje, cmirë dhe keqdashje. Pra jeta plot vuajtje dhe shoqëria e burgut me intelektualë të nivelit të lartë, sidomos me klerikë katolikë, e ndihmuan Zhitin të arrinte atë që ne shqiptarët e tjerë nuk kemi mundur ta arrijmë: çlirimin prej ndjenjës së urrejtjes. Në këtë drejtim patën ndikuar dhe jeta e babait të tij, poet e aktor i talentuar, që u burgos dhe ai pa faj prej rregjimit komunist. Prindërit e tij, nënë e babë portretizohen si dy shenjtorë. Ai e asimiloi dhe e bëri të vetën mendësinë e krishtere të të falurit. Me një formim të tillë ai iu kushtua përmes artit luftës për emancipim shpirtëror dhe rigjenerim moral të popullit tonë.
Ky tipar mesianik tepër human i krijimtarisë letrare të Zhitit u vu në dukje prej njohësit më të mirë të letërsisë shqiptare, prej albanologut kanadez, profesorit Robert Elsie, i cili ka theksuar se vepra e këtij shkrimtari është pa kurrfarë fryme ligësie e urrejtjeje dhe pa atë tiparin kaq shqiptar – thirrjen e palëkundur për hakmarrje.
I shkruam këto mendime duke synuar për të tërhequr vëmendjen e institucioneve dhe personave përkatës në Shqipëri për ta përkthyer në disa gjuhë të huaja veprën dyvëllimshe Rrugët e Ferrit dhe Ferri i Çarë, këtë kryevepër të munguar në letërsinë tonë. Vepër e cila ka vlera të mëdha për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare dhe shumë më gjerë për njohjen sa më tërësore të tmerreve të komunizmit dhe për vlerësimin që duhet t’i japë ajo kundërshtarëve të së keqes, për të cilët ka nevojë të përhershme.
Shprehim bindjen se kjo kryevepër do të vlerësohet e studiohet gjithnjë e më shumë dhe shpejt do të futet në programet shkollore, etj. Botimi në gjuhë të huaja dhe leximi i saj prej institucioneve dhe individëve të specializuar, do të sjellë mundësinë për të propozuar dhënien e çmimit Nobel, të cilin ajo e meriton.

Filed Under: LETERSI Tagged With: (Mendime për romanin FERRI I ÇARË, të Visar Zhitit), Thanas Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3658
  • 3659
  • 3660
  • 3661
  • 3662
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT