• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PERSE U DUHET SOCIALISTEVE DEPUTETI TRAFIKANT NE PARLAMENT?

July 28, 2015 by dgreca

Perse Partia e Kryeministrit Rama, bene shurdhin ndaj kritikave te ashpra te ambasades Amerikane ne Tirane pas Raportit te Departamentit te Shtetit per deputetin trafikant? Vertete jane te pafuqishem ata qe ta flakin nga Kuvendi? Fakt eshte sheshit:Deputet i Shqipërisë i dënuar për trafik të qenieve njerëzore, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion është Arben Ndoka. Dosja e deputetit socialist të Lezhës u publikua më 12 korrik të vitit 2014 nga Partia Demokratike. Ai rezulton i dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg nga gjykata e Romës. Edhe pas publikimit të këtij skandali që i tregonte botë se në Parlamentin e Shqipërisë kishte hyrë një i dënuar për favorizim prostitucioni, nga Partia Socialiste nuk pati asnjë reagim. Vetë deputeti, që fillimisht kërcënoi edhe zëdhënësen e PD, Laura Vorpsin (pasi kishte goditur në parlament edhe deputetin e PD Gent Strazimirin) tha se kishte qenë një gabim rinie. Kryeministri Rama, që po përballej me një kërkesë gjithnjë e më të fortë të opozitës për të larguar personat me të shkuar kriminale nga jeta politike dhe institucionet, e amnistoi Arben Ndokën. Ai tha se i kishte kërkuar dëshminë e penalitetit Ndokës, si çdo deputeti tjetër, përpara se ta fuste emrin e tij në listën e deputetëve dhe rezultonte i padënuar. Kur mori vesh që ishte i dënuar, tha se ai e kishte shlyer dënimin dhe se tani ishte qytetar i lirë. Rama u shfaq me Ndokën edhe në fushatën e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Por 1 vit nga publikimi i dosjes, Edi Ramës i duhet të përballet me një prej reagimeve më të forta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me mbajtjen afër të deputetit të dënuar për trafik me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që me ardhjen e ambasadorit Lu e kanë shpallur prioritet të tyrin kryesor dekriminalizimin e politikës shqiptare. Nisur nga fakti se njerëz të botës së krimit kanë depërtuar deri në Kuvendin e Shqipërisë, se shumë prej tyre kanë pushtet të madh financiar dhe se mbi shoqërinë shqiptare rëndon pesha e frikës për të denoncuar konkretisht individë me të shkuar dhe të tashme kriminale, SHBA po luajnë një rol vendimtar në çlirimin e shoqërisë nga kjo frikë. Në këtë kuadër duhet parë edhe deklarata e fundit e Departamentit të Shtetit që flet troç për një deputet shqiptar që rezulton i dënuar për trafik të qënieve njerëzore dhe ndërkohë bën ligje për qytetarët shqiptarë. Aq shqetësues është ky fakt sa të nesërmen e raportit të DASH, edhe ambasada e përforcoi këtë fakt duke e cilësuar si “të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve. Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarte të larta etike, jo kriminelë”.
SHBA ndoshta nuk kanë bërë deklaratë më të fortë për një shtet demokratik. Shprehja se shqiptarët kanë të drejtë të kenë përfaqësues me integritet dhe jo kriminelë është një shuplakë e fortë për drejtuesit e mazhorancës, që megjithë paralajmërimet e shumta jo vetëm nuk u distancuan nga këta elementë, por edhe kandiduan disa syresh në zgjedhjet lokale. Ky fakt ka qenë një surprizë e hidhur dhe zhgënjyese për ambasadën e SHBA, e cila u investua seriozisht në dekriminalizmin e politikës shqiptare.
Zhgënjimi ndoshta ka filluar që me vendimin e gjykatës së lartë që nuk dënoi deputetët që goditën Strazimirin në Kuvend, duke u dhënë atyre mundësi të mbajnë mandatet e tyre. Njëri ishte pikërisht Arben Noka që akuzohet nga opozita dhe që mendohet se është deputeti i dënuar dikur në Itali për trafik të qënieve njerëzore. Por lapsi.al ka mësuar se ky zhgënjim u shndërrua në shqetësim pasi drejtuesit e mazhorancës dhe vetë kryeministri Rama, ndryshe nga sa kishin premtuar, nuk hoqën dorë nga kandidimi në zgjedhjet lokale i disa inividëve më të kaluar të dyshimtë e që nuk i përmbushnin “standartet e larta etike” për të cilat flet ambasada e SHBA. Jo vetëm kaq, por qëndrimi i Ramës, i cili jo vetëm nuk u distancua por bëri fushatë me këta individë, është përkthyer si një sfidë ndaj angazhimit amerikan.
Deklaratat e DASH dhe ambasadës së SHBA janë me siguri një reagim ndaj kësaj sfide. Ata u drejtohen shqiptarëve duke bërë qartë dallimin mes votës së tyre dhe njerëzve të caktuar nga drejtuesit e mazhorancës. Pavarësisht tentativa të mediave pranë Ramës për ta trajtuar këtë çështje si problem të të gjitha palëve apo të politikës shqiptare në përgjithësi, është e qartë se zhgënjimi amerikan i drejtohet kryeministrit Rama. Ai vërtet nuk e dinte dikur që deputeti Noka kishte një dosje penale në Itali, por edhe kur e mësoi nuk është se mbajti ndonjë qëndrim politik. E njëjta situatë edhe me kandidatët për kryetar bashkie, të cilët sipas Edi Ramës, “kishin ndërruar emrat për efekt dokumentash në Itali”. Tani, pas këtyre deklaratave, kryeministri do të duhej të mbante një qëndrim publik. Në të kundërt, vështirë se SHBA do të heqin dorë nga një betejë që kanë nisur dhe për të cilën shoqëria shqiptare ka sot më shumë nevojë se kurrë.

Filed Under: Komente Tagged With: Arben Ndoka, deputeti trafikant, i socialisteve

Ruzhdi Pulaha: Sot “Zonja nga qyteti” mbush dyzet vjet, por më duket se e kam bërë sot

July 28, 2015 by dgreca

Intervista/Flet shkrimtari dhe dramaturgu, Ruzhdi Pulaha: Sot “Zonja nga qyteti” mbush dyzet vjet, por më duket se e kam bërë sot
-Këtë komedi ua kam kushtuar Violeta Manushit dhe Dhorkë Orgocka, pa ato komedia nuk do të kishte patur atë sukses që pati/
– Sekretari i parë i Komitetit të Partisë Korçës Ever Halili, kishte ftuar në shfaqjen e komedisë Enver Hoxhën, i cili ishte me pushime në Pogradec/
– Drejtuesit e Partisë ishin në tension sepse pikërisht në këtë teatër “Ai” kishte goditur e groposur dy shfaqje të tjera :”Njollat e Murme” dhe “Dimri i bardhë”/
NGA Albert Z. ZHOLI/
Jetëshkrimi/
Ruzhdi Pulaha lindi në Korçë më 1942. e fundit është autori më i inskenuar i Teatrit Kombëtar të Tiranës. Një pjesë e mirë e dramave dhe komedive të tij janë vënë në skenë edhe në Korçë e teatro të tjerë të vendit. Pas studimeve për gjuhë e letërsi në Universitetin e Tiranës, punoi për rreth dhjetë vjet në Radio Televizionin Shqiptar . Më 1975 u emërua mësues në Pogradec. Pas katër vjetësh u rikthye në Tiranë, këtë herë si autor në Teatrin Kombëtar, funksion që e kreu deri më 1986, kur doli në krijimtari të lirë. Më 1992 u zgjodh deputet. Në mbarim të legjislaturës u tërhoq nga politika zyrtare. Autor i angazhuar, Pulaha shquhet për frymën polemiste në trajtimin e konflikteve të mprehta të ditës në dramat e tij. Veprimi në këto vepra shpesh provokon debate sociale e politike të ndezura, si në një sallë gjyqi. Përmes tyre synohet një efekt kathartik tek audienca, që duhet të nxisë frymën e kundërshtimit ndaj padrejtësive të çdo lloji. Stili i këtij autori dallon për kompozicionin e thjeshtë, veprimin e qartë e të rrjedhshëm, dialogun konkret e të drejpërdrejtë, vizatimin e shkëlqyer të karaktereve, si edhe tempin e lartë. I lidhur fort pas realizmit, nuk ka tentuar fare të eksperimentojë metoda alternative. Talenti dhe angazhimi qytetar e kanë bërë të kapërcejë me sukses ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri. Pas disa dramave të suksesshme para vitit 1991, si “Maro Mokra”, “Mësuesi i letërsisë”, “Përballë vetes”, “Nën dritat e skenës”, “Doktori pacient”, “Nesër është vonë”, “Shkallët” apo komedia , kalon një periudhë “tranzicioni” si skenarist i radionovelës së parë shqiptare “Rruga me pisha” (në bashkëpunim me Radio BBC). Në vitin 2000 rikthehet në skenë me “Kohë e çmendur” dhe arrin të bëhet sërish i kërkuar dhe i vënë në skenë, me , “Streha e të harruarve” (2004). Në vitet 2001 – 2002 është skenarist edhe i telenovelës së parë shqiptare, “Njerëz dhe fate”. Ruzhdi Pulaha është shkrimtari më i njohur i shqipërisë, ai ka shkruar filma shumë të njohur si “Zonja nga qyteti” dhe “shoqja nga fshati”, që janë ndër kryeveprat e teatrit dhe të filmit shqiptar.
***
Bisedat telefonike me shkrimtarin, dramaturgun dhe komedianin Ruzhdi Pulaha janë tejet interesante. Vazhdimisht krijimet e tij i kam ndjekur në distancë dhe pse nga afër njohja me të, ende nuk ka mbushur një dekadë (njohje direkte). I thjeshtë, studiues, fjalëpakë por tepër i dashur, njohja ime me të ka qenë surprizë. Mendoja një njeri të ftohtë, “filozof” që i largohet realitetit. Qëmoti është thënë “njeriut mos i shih gunën por punën”. Njohja me të më solli afër një intelektual kurajoz, serioz, korrekt dhe tepër intuitiv. Në veprat e tij gjen jo vetëm realizëm, por edhe largpamësi, por më së shumti mesazh, një mesazh njerëzor që të ofron respektin për njeriun dhe kohën kur jeton. I shmangej me marifet intervistave, pasi vetë puna e tij është një intervistë e gjatë, ku labirintet e krijimtarisë nuk kanë të shterur. Intervista për komedinë “Zonja nga qyteti” ishte një këmbëngulje e vazhdueshme, pasi për mua kjo komedi është një ndër Kryeveprat shqiptare të komedisë, që sa herë e shoh, aq më shumë më shtohet dëshira për ta parë sërishmi.

-Në mos gaboj, komedia juaj “Zonja nga qyteti” mbush dyzet vjet që është shfaqur për herë të parë?
-Po, dyzet vjet. Data s’më kujtohet por e di që ishte korrik. E di sepse, në korrik, Enver Hoxha shkonte në Pogradec dhe pikërisht në një nga ditët e Korrikut 1975, ai erdhi dhe pa komedinë në Korçë. Po për këtë flasim më vonë.
-Si lindi”Zonja”, si erdhi ky frymëzim. Patët ndonjë ngjarje, ndonjë ngasje të veçantë?
-Për historinë se si u krijua “Zonja” dikur kam shkruar gjatë dhe ndoshta mund të mos jem konsekuent në ndonjë gjë. Po i bie shkurt. Gjatë shërbimeve si gazetar i Radio-Tiranës, në një fshat të thellë malor kam njohur një nënë me të bijën, e cila ishte emëruar të punonte aty. Të ardhura nga një prej qyteteve kryesore të vendit ato e kishin tepër të vështirë të ambientoheshin me jetën e fshatit, sidomos e ëma, Ollga, e cila duke u hequr si “Zonjë” qibërmadhe binte shpesh në pozita shumë komike. Kjo më ngacmoi dhe fillimisht kam shkruar një tregim, më pas e kam shtjelluar si linjë subjekti të një romani. Por e ndjeja se impresionet që pata prej tyre, më ngacmonin vazhdimisht dhe më tërhiqnin drejt një komedie. Dhe në rolin e Zonjës më ishin ngulur në mendje dy aktore të shquara të teatrit, Violeta Manushi dhe Dhorkë Orgocka. Atyre ua kam kushtuar këtë komedi dhe me shumë përulje them se, pa ato komedia nuk do të kishte patur atë sukses që pati.
-Si ishte historia e vlerësimit. Nxirrje realiteti? Konkursi,çmimet?
“Teatri Popullor” nuk e pranoi fillimisht ta vinte në skenë. Komedia fillimisht u vu në skenë në teatrin e Korçës, me regjisor Dhimitër Orgockën. Edhe aty me shumë luftë e kundërshtime, sepse disa e quanin një skeç të gjatë, por në thelb rezervat ishin ideologjike se Ollga binte ndesh me porositë e Partisë për të shkuar e për të gjetur lumturinë në fshat. Shfaqja pati shumë sukses, Dhorka ishte brilante. Gjithë trupa kishte krijuar një ansambël mbresëlënës. Më kujtohet se një grup kundërshtarësh të komedisë natën e premierës në Korçë, kishin zënë vend në radhën e parë të galerisë dhe kishin marë edhe konjak e çokollata për të festuar dështimin. Por publiku e priti shfaqjen me ovacione dhe festa iu dështoi. Mbas dy-tri ditësh më thirri në zyrë, bashkë me regjisorin Orgocka, Sekretari i parë i Komitetit të Partisë Ever Halili, për të cilin kam shumë respekt jo vetëm se ishte shumë artdashës e sportdashës por dhe se me ne u tregua vazhdimisht mjaft liberal e tolerant. Na tha se kishte ftuar në shfaqjen e komedisë Enver Hoxhën, i cili ishte me pushime në Pogradec. Madje e kishte gënjyer dujke I thënë se shfaqja zgjaste një orë e gjysmë, ndërsa ajo i kalonte dy orët. Na pyeti mos kishim merak për të hequr ndonjë gjë nga shfaqja. Jo, i thamë ne. Një nga instruktorët hidhet e thotë, porse atë batutën “ku shkon mbreti më këmbë “ do ta lini? Po, i thashë sepse edhe Ai nuk shkon me makinë.
Përgatitja e shfaqjes ishte një komedi më vete. Aparatçikët u shpërndanë nëpër ndërmarrje dhe institucionet për të zgjedhur spektatorët me të besuar politikisht të cilët dhe u porositën që të mos kthenin kokën pas e të mos qeshnim shumë se s’dihej si e priste shfaqjen “Ai”. Unë isha ulur në një nga radhët e para me prindërit e mi,të cilët vinin për herë të parë në teatër. Sigurisht emocionet ishin të mëdha. Aktorët edhe më të emocionuar. Të tensionuar ishin edhe drejtuesit e lartë të Partisë e të pushtetit të rrethit sepse pikërisht në këtë teatër “Ai” kishte goditur e groposur dy shfaqje të tjera :”Njollat e Murme” dhe “Dimri i bardhë”.
Shfaqja filli me një heshtje varri. Kaluan disa minuta por salla nuk po reagonte… Heshtje. Dikur dëgjohet një e qeshur e thellë, sikur vinte nga shpella. Po qeshte “Ai”…Salla akoma heshtte. Dhe ai tha, po qeshni o korçarë, qeshni se komedi është. Aktorët u çliruan dhe shfaqja shkoi shumë mirë. Kur Enveri po dilte nga salla, në holl e kishin rrethuar apartaçikët dhe badigardët. Isha edhe unë aty, por askush nuk më paraqiti si autor të komedisë. Ai ishte i kënaqur dhe foli me superlativa. Të nesërmen bëri një takim me artistët tek ish kampi i punëtorëve në kodër. Aty foli përsëri për shfaqjen…Dhe siç ndodhte në ato kohë për këto raste fjala mori dhenë. Filluan të mbushen gazetat, kronikat televizive…U bë dhe një mbledhje e posaçme në Lidhjen e shkrimtarëve. Dhe unë u bëra i famshëm me një komedi që ishte përfolur jo pak si vepër që i kundërvihej vijës së Partisë.
Mbas këtij suksesi dhe sidomos pasi e pa shfaqjen Enver Hoxha dhe foli me superlativa, komedia u vu edhe në Teatrin Kombëtar, me regjisor të ndjerin Agim Qirjaqi. Violeta Manushi shkëlqeu me origjinalitetin dhe potencën e saj në skenë e një vit më vonë edhe në filmin me të njëjtin titull. Ishin vitet 1975-76.
-Si mendoni,pse komedia pati një komunikim kaq të mirë me publikun që e ndjekin me interes edhe sot pas 40 vjetësh?
-Posi të them, mbase nga që komedia ka një frymë tepër popullore dhe duket sikur ngjarjet dhe personazhet janë realë dhe që krijojnë afinitet njerëzor me publikun. Sigurisht janë dhe aktorët që e përcjellin me shumë sinqeritet këtë intimitet dhe këtë afeksion tek publiku. Ju jam mirënjohës me respektin më të thellë të paharuarve Violeta Manushi, Dhorkë Orgocka, Pandi Raidhit, SulejmanPitarka, Stavri Shkurti, Vasillaq Vangjeli, të cilëve iu përulem me shumë dashuri e mall,si dhe Robert Ndrenikës, Sotiraq Bratkos ,Yllka Mujos, Raimonda Bulkut, Piro Kita e të tjerëve që interpretuan ne skenë apo në film. Sigurisht dhe regjisorëve Dhimitër Orgocka e Agim Qirjaqi për realizimin skenik dhe Pirro Milkanin për realizimin e filmit.
-Pas Zonjës ju shkruat edhe “Shoqen nga fshati”.Mendon se ishte e nivelit të Zonjës nga Qyteti ?
-Zakonisht në këto raste, pas një pjese të parë mjaft të suksesshme, pjesa e dytë e ka të vështirë ta arrijë atë sukses, gjithë publiku e mirëpriti edhe shoqen. Këtu do të shtoja vetëm diçka: Për”Zonjën nga qyteti” fillimisht pata qëndrime kritike sepse nxija realitetin meqë Ollga nuk e donte fshatin, kurse për “Shoqen” mora kritik të kundërta se zbukuroja realitetin. Pra shpesh krijuesi në atë kohë ishte para gjykimit: Pse i dhe ujë të ngrohtë gomarit?! Pse i dhe ujë të ftohtë gomarit?!
-Tani të paktën nga kjo e keqe “I dhe ujë të nxehtë apo të ftohtë politik gomarit” krijuesit kanë shpëtuar, apo jo?
-Sigurisht, por shpesh ka një të keqe tjetër, nuk i japin fare ujë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Zholi, Ruzhdi Pulaha, Zonaj Nga Qyteti

Leter pa zarf Myftiut te Pukes

July 28, 2015 by dgreca

Nga ILLO FOTO- NJU JORK/
Ne foto: Myftiu u Pukes, Gezim Kopan/
I pernderuar Myfti,
Nuk njihemi fizikisht, por kjo nuk me pengon te te pershendes miqesisht dhe te te dergoj te fala te sinqerta, per te pasur gezime dhe lumturi,ne jeten provizore, qe na eshte dhene e drejta ta jetojme.
Ne diten e lumtur te Fiter Barjamit , Ju ju drejtuat populit te Pukes ku sherbeni , me nje mesazh shume kuptimplote dhe qortus , per aq sa e lejojne suret perkatese te ketij problemi , qe rregullon mardheniet e njerzve me te derguarin e Perendise.
Po e citoj nje pjese te mesazhit tuaj, ashtu si e ka botuar shtypi civil i Shqiperise :
“Largimi është tradhti ndaj vendlindjes. Azili nuk është shpëtim, bëhuni më vizionarë! Ktheni sytë nga tokat tuaja bujqësore. Jemi i vetmi vend ku toka nuk punohet. Kur nuk doni vendin tuaj, si mund t’iu duan të tjerët”.
Si bashkatdhetar dhe specjalist i vjeter bujqesie , te falnderoj nga zemra , per kete konsiderate te munguar , qe shprehni ndaj tokes meme dhe ndaj bujqesise te vendit tone . Te tere njerzit, me perjashtim te qeverritarve, e dine se ne Shqiperi, ka 25 vjet, qe nuk mbillen gati c’do vit, mbi 200 mije Ha toke, ne mos me shume.
Me lejoni t’i shtoj shqetesimit tuaj qytetar , se tokat me te mira bujqesore ne Myzeqe, Zadrime, Vurg, Mamuras, Maliq dhe luginat e lumejve ka vite , qe u ka mbire trusku . Mbi to po kuturiset te peshkohet, i respektuar, Myfti.
Eshte tamam keshtu, sic shpreheni ju. Jemi i vetmi vend ne bote, ku toka nuk punohet. Ne e kemi alternitiven, qe te mos emigrojme dhe e perbuzim .
Shumica e tokave te pa punuara jane te pa kulluara dhe pa ujitje . Po sa do t’i leme keshtu ? Ministrat e bujqesie te ketij tranzicioni 25 vjecar, jane fajtoret e drejtperdrejte te ketij handikapi te pa pare . Lere, qe nuk kane vene ujet ne zjarr, per te ndryshuar situaten me token bujqesore , po nuk i kane dhene popullit shqiptar nje raport , sa toke nuk selitet dhe pse . Me sa duket, Ministrat nuk e dine shifren e sakte te tokes te pa mbjelle . Shifrat, kemi te drejte te dyshojme se jane te manipuluara , deri sa ish Ministri Ruli, raportonte, perpara medjave se bujqesia eshte rritur mbi 8 %, kur ajo eshte shume posht nivelit te vitit 1990.
Nuk eshte e qarte , pse fshihet shifra e mos mbjelljes se tokes bujqesore , nje realitet nga me mostruozet , qe ka njohur ky vend, ashtu sic e nenvizoni dhe Ju ne mesazhin tuaj. Fshatari token e ka punuar me parmende druri dhe ja ka dale. Sot nuk behet fjale, per mjete mekanike te punimit, qe i kemi dhe i gjejme, po s’i patem.
Keto 25 vite kane ministruar Ministrine e bujqesise 10 Ministra . Sejcili e ka shpallur veten shkencetar dhe patriot ,por e kane dorezuar Ministrine me token shqiptare te pa mbjelle dhe pa thene gjysem fjale , per faktin pse nuk mbillet. Ministri i bujqesise , mund te emertohen ndryshe edhe Ministri i tokes dhe i ujit siperfaqesor . Faktikisht nuk kane menazhuar as toke , as ujra dhe perseri e kane mbajtur emrin ministra; per cfare ? Si i ka lejuar populli te kaperxejne pragun e Ministrise , pa u pergjigjur? Profesoret e bujqesise shqiptare , dogjen diplomat perpara zyres se ish Ministrit . Kete nuk e harron bota dhe Europa, por ne Shqiperi kjo ngjarje unikale u harrua , qysh ne mbremjen e dites , qe ndodhi . Lavdia eshte e perjeteshme per profesoret bujqesore shqiptare !
Situata e heshtjes 25 vjecare, nuk ka spjegim. Ajo qe te them me sinqeritetin e burrit eshte kjo : Po qe se do ta kisha krijuar une kete situate , ose dicka afer kesaj, do te kisha vajtur me kohe ne vetvrasje pa u menduar dy here !
Nje koleg, me ka thene , tani von , se pushtetaret e fshefin gjendjen e tokes se pa punuar , sepse nuk i pranon Europa . Personalisht mendoj krejt te kunderten . Europa nuk e ka vene kete kusht dhe ne se dikush mund ta zgjidhi kete ngerc , eshte vete Europa . Ne kemi dhene boll prova , se jemi te pa afte , per nje sipermarrje te tille mbi token tone . Duhen investime te medha , brenda nje afati kohor sa me shkurter. A mund ta realizojme ne kete investim , me buxhetin modest, qe do te kemi ne c’do kohe ? Europa mund ta beje , po tja kerkojme .
Shtypi ka bere dhe po ben sehir . Duhet te gjendet nje burre t’u kerkoi llogari pushtetarve , ne emer te popullit ! Juve dhe kleriket e tjere shqiptare ju dhemb zemra , per token , qe nuk mbillet , sepse ju i doni besimtaret e varfer . Nuk kini asnje ngjashmeri me Ministrat e korruptuar dhe te pa ndergjegjshem , per detyren , qe ju ka ngarkuar populli . Nuk jeni as nje gazetaruc , qe pergjon per ndonje lajm sensacional .
Toka e pa mbjelle nuk eshte nje gabim , qe riparohet me nje autokritike. U eshte hequr shqiptarve alterrnativa me e plote per punesim , mirqenie dhe evitim te emigracionit marrok .
Kur themi , qe jane fajtore te rinjte , qe ikin , me perpara , duhet te kthejme syte dhe vemendjen nga Ministrat e bujqesise , qe populli i ka paguar dhe vijon t’i paguaj me roga te pa krahasushme , per 25 vite . Une nuk di te mallkoj . Besoj kete do ta beni Ju , ne emer te besimtarve , qe ju u sherbeni me perkushtim .
Juve keni besim tek pushtetaret e rinj te Bashkive te medha se do te bejne dicka me shume per bujqesione , vecanerisht per kullim- ujitjen . Kete mendim kam dhe une , por me shume rezerva . Pse ? U bene reforma te sukseshme ne arsim , pensione , ushtri , shendetesi , do te behet dhe ajo e drejtesise; kudo . Bujqesia do te mbetet po kjo , me koregjim te inflacionit . Bujqesine e duan hiq e mos keput . Kjo situate arsyetohet se ka ndryshuar struktura e mbjelljve, sipas kerkeses se tregut. Kjo keshtu ka ndodhur vertet , por pritej . Te publikojne sa $ merren nga nje Ha. toke e kadastruar ? Kjo shifer na duhet per krahasim . Le te mbillet toka me se te duan; qofte dhe manaferra .
Pak dite perpara degjova Zv. Ministrin e bujqesise , qe fliste se do te pastrohen me shume kanale . Per c’kanale flet ky zoteri ? Fjala eshte per nje rrjet te tere inxherik , te eliminuar ne teren .
Zv. Ministri optimist foli dhe per politikat bujqesore , qe do te formuloi me mire Ministria , tani , qe “kanalet “ i ka Bashkia . Po per c’politika behet fjale , kur nuk ekziston objkti allfa : Nuk mbillet toka ! Do te ndjehem i lumtur , ne se realizohet parashikimi tuaj per punen e Bashkive te medha . Jam ende skeptik .
Toka bujqesore nuk eshte “disa kanale “ , sic e percaketojne keta “optimiste “ qeverritare . Toka bujqesore eshte bonifikim integral, nga Velipoja ne Karaburun .Bonifikimin nuk e beri Diktatura , por populli. Shqiptarve ju deshen 30 vite per ta perfunduar . U prish per disa dite dhe vijon te mos jete funksional per 25 vjet . Kur dhe kush do ta beje funksional? Kete duhet ta gjykoi drejtesia e pa varur !
Uroj te behet me e mira dhe ne kurban Barjam te takohemi me koncepte dhe praktika te reja per token dhe ujrat siprfaqesore , qe gjithsesi duhet te kemi ende besim tek vendimi mbarepopullor , i shprehur 2 here me vote .
Me konsiderate te larte : Illo Foto , NY- Korrik -2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Kopani, Illo Foto, leter, Myftiut te Pukes

Kosovë, themelohet Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj

July 28, 2015 by dgreca

FERIZAJ, 28 Korrik 2015/-Ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka marrë pjesë sot në mbledhjen konstituive të Këshillit për themelimin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Ai ka vlerësuar se themelimi i këtij universiteti është shumë i rëndësishëm dhe do të ndihmojë edhe zhvillimin ekonomik të Ferizajt. “Ky nuk është një universitet më tepër në Kosovë, sepse është një universitet i veçantë, i profilizuar, e që do të jetë i lidhur me tregun e punës”, theksoi Bajrami.
Ai shprehu bindjen se anëtarët e Këshillit do të angazhohen maksimalisht për ta quar përpara këtë universitet dhe i porositi ata që të angazhohen për të siguruar lidhje me ekonominë dhe partneritet me bizneset.
Ministri Bajrami është takuar edhe me kryetarin e komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, ku i ka uruar të gjithë qytetarët e kësaj komune për fillimin e punës së Universitetit, ndërsa ka biseduar edhe për gjendjen në arsimin parauniversitar në këtë komunë.
Ministri vizitoi edhe shkollën e mesme në Ferizaj, respektivisht punët finale që janë duke u kryer në këtë objekt të ri që është investim i MAShT, si dhe shkollën fillore në Zaskok për të parë nga afër kushtet, në të cilat mësojnë nxënësit dhe mundësitë për investime në të ardhmen./B.Jashari/

Filed Under: Kronike Tagged With: Kosove, në Ferizaj?, themelohet, Universiteti i Shkencave të Aplikuara

Tiranë, ambasada e SHBA-ve për raportin e DASH

July 28, 2015 by dgreca

Raporti për Trafikun e personave, ambasada “vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve”
Në Shqipëri Ambasada amerikane u shpreh sot se e “vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve”. Deklarata e përfaqësisë diplomatike të Shteteve të Bashkuara në Tirana, erdhi pas publikimit një ditë më parë të Raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për Trafikun e qënieve njerëzore ku vihej në dukje fakti se një deputet i tanishëm i parlamentit ka qenë dënuar më parë për krime që lidhen me trafikimin. “Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarte të larta etike, jo kriminelë”, thuhet më tej në deklaratën e ambasadës, ndërsa shtohet se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kërkojnë të gjitha partive politike që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë”.Në raportin e këtij viti Shqipëria klasifikohet në shkallën e dytë, pa ndryshim nga viti i kaluar, ndërsa theksohet se “Qeveria e Shqipërisë nuk i plotëson krejtësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore, megjithatë po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim”. Në deklaratën e ambasadës në vijim të interesimit të mediave vendase lidhur me raportin e Departamentit të Shtetit thekson se “ne nxisim qeverinë shqiptare t’i vazhdojë ato përpjekje për të luftuar të gjitha format e trafikimit të njerëzve nëpërmjet zbatimit të fortë të ligjit dhe mbrojtjes efikase të viktimave, si dhe me politika për parandalimin e trafikimit. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Shqipërinë për të mbështetur përpjekjet e vazhduara kundër trafikimit të njerëzve”, saktëson deklarata

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit/

Trafiku njerëzor, Shqipëria pa ndryshim

Në raportin e këtij viti Shqipëria klasifikohet në shkallën e dytë, pa ndryshim nga viti i kaluar. Gratë dhe fëmijët në Shqipëri, thuhet në raport, janë kryesisht objekt trafikimi seksual në vendet fqinje, Kosovë, Maqedoni dhe Greqi, por edhe në vende të tjera evropiane. Viktimat shqiptare dhe disa viktima të huaja janë objekt pune të detyruar në Shqipëri, sidomos në industrinë e turizmit. Një numër në rritje fëmijësh shqiptarë, shpesh të etnisë rome ose egjiptiane, janë objekt lypjeje të detyruar dhe formash të tjera pune të detyruar në Shqipëri si dhe në vendet fqinje: Greqi, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Disa vajza shqiptare bëhen objekt trafikimi seksual ose pune të detyruar pas martesave me kontratë. Një numër grash të huaja nga vende evropiane, si Ukraina, Rusia, Britania dhe Norvegjia janë objekt trafikimi seksual në Shqipëri. Në raport thuhet se bashkëpunimi i zyrtarëve në krimet e trafikimit mbetet një shqetësim i rëndësishëm. Aty përmendet fakti se një deputet i tanishëm i parlamentit ka qenë dënuar më parë për krime që lidhen me trafikimin. Qeveria e Shqipërisë, thotë raporti, nuk i plotëson krejtësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore, megjithatë po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim. Raporti rekomandon që Shqipëria të rrisë financimet për strehimin e viktimave të trafikimit dhe të vërë rregullisht në dispozicion fonde për këtë qëllim. Aty rekomandohet gjithashtu që për viktimat të sigurohet kujdes shëndetësor dhe mendor falas, sipas një ligji të vitit 2014 dhe vendimit të ministrisë përkatëse. Në raport thuhet që viktimat të mos ndëshkohen për akte të paligjshme të kryera si rezultat i drejtpërdrejtë i faktit që kanë qenë objekt trafikimi. Raporti rekomandon gjithashtu që të vazhdohen përpjekjet për kontrollin e fëmijëve të rrugëve për shenja trafikimi.

Filed Under: Kronike Tagged With: ambasada e SHBA-ve, për raportin e DASH, Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3676
  • 3677
  • 3678
  • 3679
  • 3680
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT