• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Obama nominon Greg Delawie-n për Ambasador të SHBA-ve në Kosovë

July 25, 2015 by dgreca

Presidenti Obama nominon Greg Delawie-n për Ambasador të SHBA-ve në Kosovë, njoftonte Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars.
“Ambasada e SHBA-ve ka kënaqësinë të konfirmojë se Presidenti Obama ka nominuar Greg Delawie-n që të shërbejë si ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë”, theksonte komunikata e dërguar.
SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 19 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Në 6 prill 2008 Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë, ndërsa më 18 korrik, po atë vit historik të shpalljes së pavarësisë, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë amerikane për Republikën e Kosovës.
Ambasadori i ri i Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, pritet që të nisë misionin e tij muajin tjetër, bëri të ditur vetë ai në profilin e tij në rrjetin social Twitter.
Delawie vjen në Kosovë pas përfundimit të misionit diplomatik të Ambasadores, Tracey Ann Jacobson.
Ambasadori i ri e ka dhënë betimin para Departamentit të Shtetit Amerikan se do ta kryejë me përgjegjësi detyrën e tij si misionar diplomatik në Kosovë./KosovaPress

Filed Under: Kronike Tagged With: ambasadori i ri, amerikan ne Kosove

Vrasja e dytë e Enver Hadrit

July 25, 2015 by dgreca

Nga Enver Robelli/
Një mafioz serb, i dyshuar për vrasjen e Enver Hadrit, aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut, pasi është kapur nga policia kroate, ka arritur të humbë pa gjurmë në Split. Për këtë skandal po hesht Qeveria e Kroacisë, po aq sa edhe ajo e Kosovës
Enver Hadri kishte një ideal. Ai ideal quhej një Kosovë e lirë dhe e pavarur, e cila banorëve të saj u garanton mirëqenie dhe jetë me dinjitet. Ai ishte i vetëdijshëm se ky ideal s’mund të realizohej pa informimin e opinionit botëror mbi përmasën e shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë nga regjimi jugosllav dhe serb. Për këtë qëllim Hadri themeloi në Bruksel një komitet për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.
Dhe për këtë qëllim ai bashkëpunoi me shumë aktivistë evropianë për të drejtat e njeriut dhe politikanë në kryeqytetin e Belgjikës. Hadri jetonte në Bruksel që nga fillimi i viteve shtatëdhjetë. Ai e njihte mirë gjuhën frënge dhe ishte integruar në shoqërinë belge – një përparësi e madhe në krahasim me aktivistë të tjerë, të cilët veprimtari kombëtare e quanin edhe fabrikimin e intrigave brenda diasporës.
Ditën e diel të 25 shkurtit 1990, rreth orës 16:30, rrugëtimi i Enver Hadrit mori fund. Derisa Hadri, i cili drejtonte një veturë të markës “Opel”, në një rrugë në Bruksel po priste hapjen e semaforit për të vazhduar udhëtimin, atij iu afrua një automjet i markës “Golf”. Një pasagjer hapi dritaren, nxori një armë me shurdhues dhe qëlloi dy herë Hadrin. Rreth tri orë më vonë Hadri do të vdiste në spitalin “Saint-Pierre” të Brukselit. Vrasësi profesionist e kishte qëlluar drejtpërdrejt në kokë.
Janë përmendur në mediume dhe nga autoritetet belge tre persona, të cilët mund të kenë marrë pjesë në vrasjen e Enver Hadrit. Ata janë: Andrija Lakoniq, Veselin Vukotiq dhe Darko Ashanin. Që të tre rrjedhin nga bota gjysmështetërore e krimit të organizuar jugosllav. Sidomos në vitet ‘70 dhe ‘80 Shërbimi sekret i diktatorit Josip Broz Tito kishte intensifikuar luftën kundër kundërshtarëve politikë në diasporën kroate dhe atë shqiptare.
Autoritetet gjermane supozojnë se Shërbimi sekret jugosllav ka vrarë rreth 70 emigrantë në disa vende perëndimore. Së paku 13 raste të këtij kapitulli të përgjakshëm nuk janë mbyllur ende nga drejtësia gjermane. Aktualisht në Mynih gjenden para gjyqit dy udbashë kroatë, të cilët akuzohen për eliminimin e disidentit Stjepan Gjurekoviq.
Ndërkohë drejtësia belge po e kërkon Andrija Drashkoviqin, një bashibozuk i nëntokës ballkanike, të cilin gazeta kroate “Jutarnji list” në një portret e përshkruan si “sharmant, të rrezikshëm dhe të pasur”. Drashkoviqi, babai i të cili ka punuar në kombinatin “Trepça”, dyshohet po ashtu për pjesëmarrje në vrasjen e Enver Hadrit.
Në fund të qershorit Andrija Drashkoviq u arrestua në Aeroportin e Splitit. Sipas mediumeve kroate të etura për rrëfime sensacionale, ai kishte ardhur në Kroaci me avion privat, kishte shijuar jetën nëpër bregdetin dhe ishujt kroatë dhe përmes Aeroportit të Splitit planifikonte të kthehej në Beograd. Pak pas arrestimit Drashkoviq u lirua me kaucion prej 100 mijë eurosh.
Ai u urdhërua të qëndronte në një hotel në Split. “Drashkoviqit i është marrë pasaporta, ai nuk guxon ta braktisë Splitin, e gjatë dhjetë ditëve të ardhshme do të ekstradohet në Belgjikë”, kishte deklaruar gjykatësi Damir Romac.
Nga mesi i javës së kaluar Drashkoviqi duhej të ekstradohej në Belgjikë. Dhe sërish foli gjykatësi Romac: “I kemi telefonuar Drashkoviqit në apartamentin ku ishte i vendosur, por ai nuk është lajmëruar”.
Me sa duket Kroacia me këtë deklaratë qesharake të një gjykatësi nga Spliti dëshiron ta mbyllë këtë kapitull. Kjo është skandaloze, sepse si vend i anëtarësuar së fundi në Bashkimin Evropian, Kroacia duhet të jetë shembull edhe për shtetet e rajonit sa i përket sundimit të ligjit. Pas zhdukjes së Drashkoviqit nga hoteli në Split, Qeveria e Kroacisë ka heshtur. Kësaj heshtjeje i është bashkuar edhe Qeveria e Kosovës.
Nuk e ka përshëndetur as ndalimin e Drashkoviqit më 24 qershor në Split, por as nuk ka shprehur shqetësim për ikjen e tij tejet të diskutueshme. Autoritetet në Kosovë e kanë shpallur Enver Hadrin hero, disa rrugë në Kosovë bartin emrin e tij, në Pejë i është vendosur një bust. Të shpallësh hero një veprimtar është ndoshta puna më e lehtë, por të respektosh idealet e tij dhe të angazhohesh për zbulimin e vrasësve të tij është detyrë e përhershme e një qeverie. Me po aq indiferencë sa rastin e atentatit ndaj Hadrit, autoritetet në Kosovë e kanë shikuar edhe vrasjen e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës afër Stuttgartit.
Derisa pala gjermane ende zhvillon hetime dhe përpiqet t’i gjejë vrasësit e tyre, drejtësia në Kosovë nuk ka dhënë kurrë detaje se kush qëndron, ta zëmë, pas vrasjes së Selim Broshës, një punëtori të Shërbimit sekret jugosllav, i cili mund të ketë qenë njëri prej atyre që përmes vëzhgimit të vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës hapën rrugën për kryerjen e atentatit.
Enver Hadri u vra së pari në vitin 1990. Për herë të dytë ai simbolikisht po vritet në vitin 2015 – me heshtje dhe injorim të fatit të tij tragjik. Kjo sjellje e qeveritarëve të Kosovës tregon – sërish – mungesën e madhe të respektit për viktimat e terrorit komunist jugosllav. Ndërkohë, derisa qeveritë në Prishtinë dhe Zagreb heshtin, mediumet serbe triumfojnë.
Gazeta “Veçernje novosti” shkruan se Drashkoviqi mund të ketë ikur “me amin të kroatëve”, sepse ai në Kroaci “ka miq të shumtë me ndikim”. Po kjo gazetë e citon edhe një herë gjykatësin Damir Romac, i cili do ta meritonte çmimin për budallallëk nëse një i tillë do të ekzistonte për fushën e drejtësisë: Romac thotë se Drashkoviqi nuk kishte dhënë ndonjë shenjë se po planifikonte të ikte. Një i dyshuar për vrasje që do të jepte shenja se do të arratisej nuk do të ishte profesionist në veprimtarinë e tij mafioze.
Drashkoviqi është kalibër tjetër dhe këtë autoritetet kroate e kanë ditur mirë. Edhe për figurën e Enver Hadrit nuk mungojnë informacione në Kroaci. Në festivalin e filmit dokumentar “Zagrebdox” më 2013 ishte shfaqur filmi “Meet Enver Hadri”, në të cilin tregohej rruga jetësore e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut.(Kortezi:Koha.net)

Filed Under: Analiza Tagged With: e Enver Hadrit, Enver Hadri, Robelli, vrasja e dyte

SHBA:Kërkohet hetim për Hillary Clintonin

July 25, 2015 by dgreca

Gazeta New York Times njofton se dy inspektorë federalë i kanë kërkuar Departamentit të Drejtësisë të hapë një hetim penal për të sqaruar nëse zonja Hillary Clinton ka vepruar në kundërshtim me ligjin përsa i përket informacioneve sensitive qeveritare në llogarinë private të emailit që ajo përdorte kur ishte sekretare e shtetit. Zonja Clinton ka thënë se në llogarinë e saj të emailit nuk ka patur asnjë informacion të klasifikuar.
Sipas gazetës New York Times, kërkesa erdhi pas një dokumenti të datës 29 qershor, ku inspektorët e përgjithshëm të Departamentit të Shtetit dhe agjencive të zbulimit thoshin se në llogarinë private të zonjës Clinton ka pasur “qindra emaile që mund të ishin të klasifikuara”.
Sipas gazetës New York Times, nuk është e qartë nëse ndonjë nga informacionet që përmbanin emailet ishte përcaktuar si i klasifikuar nga Departamenti i Shtetit, kur zonja Clinton i kishte marrë ose dërguar ato.
Njoftimet se ish-sekretarja e shtetit kishte përdorur një llogari private emaili për punë zyrtare bënë bujë në muajin mars dhe kjo u kthye menjëherë në një çështje të debatuar për fushatën presidenciale të zonjës Clinton.
Ish sekretarja e shtetit ka thënë se në llogarinë e saj të emailit nuk ka patur asnjë informacion të klasifikuar.
Sipas New York Times-it, zyrtarët e lartë i thanë gazetës se Departamenti i Drejtësisë nuk ka vendosur nëse do të hapë ose jo hetime.
Pas daljes së lajmeve lidhur me llogarinë e saj private, zonja Clinton i kërkoi Departamentit të Shtetit të publikonte emailet e saj. Departamenti po shqyrton aktualisht 55 mijë faqe emaili të zonjës Clinton dhe në fund të qershorit bëri publike paketën e parë me 3000-emaile.

Filed Under: Kronike Tagged With: për Hillary Clintonin, SHBA:Kërkohet hetim

Promovimi dhe vrasja e këngës

July 25, 2015 by dgreca

Shkruan:Hazir Mehmeti/
Vapë. Uji na pihej kthesave gjarpëruese të rrugës drejtë Shalës, një krahinë malore shqiptare e njohur për thesaret nëntokësorë anë e këndë globit. Ahishtave të përgjysmuara nga sëpata bishtmbarpshtë ua lakmonim freskinë e përmotshme. Koha nuk priste, na duhej të jemi në promovimi i “Thesarit…” voluminoz nga shkrimet njëvjeçare të mërgimtarëve në Suedinë e kulturës e shkencës. Aty edhe “Papa Klementi XI – Albani”, emër për respekt. Lakesa djathtas lartë kodrinës hapte horizonte mahnitëse të kodrave veriore që lidheshin në pafundin verior me Albanikun plak. Një dhënie e lehtë majtas timonit kthesave na nxori në fshatin Mazhiq, i njohur në mote si fshat mbi ar, por me jetën e rëndë të banorëve në robërinë e vjetër aq sa themelet e tij. Karriget dhe bina e ngritur mjaftonin që ta kuptonim se kishim arritur cakun. Puhia që vinte luginës ishte shpëtimi ynë nga dielli i shpërthyer i ditës. Rruga e ngushtë dhe pa hije e fshatit strehoi veturat me vështirësinë e rastit, ashtu siç mirëseardhjen e shijuam duke u shty për hapësirë nën hije strehëve të shtëpisë së dëshmorit Rifat Zeneli. Çdo mundim yni tani shumë herë u shpërblye kur mësuam për heroizmin e deshmorit bashkë me vashën e shtëpisë e sëmurë, në mbrojtjen e pragut të shtëpisë. Me vete pëshpërita vargjet Gjergj Elez Alisë në hedhjen e tij kundër Bailozit të Zi, dëgjova zërin e Hamzë Jasharit në këndimin e fundit të këngës së Çërçiz Topullit në partiturë lirie me Zhui Selmanin. Tani aty ishin të gjithë së bashku. Karriget me sy nga dielli u mbushen me kohë, aty edhe përfaqësuesit e institucioneve tona, zëvendësministri, sekretar ministrie, këshilltarë, kryetari i komunës, shkrimtarë, luftëtarë, veprimtarë, referues, , gazetarë, kameramanë, fëmijë me kostume kombëtare, mërgimtarë nga shumë rrethe deri nga Opoja e Hasi. Fjala e hapjes nga zonja avokate e ardhur nga Suedia tingëlloi fuqishëm nga altoparlanti i madh përballë duke shkundur molisjen tonë nga vapa. Edhe pse na dukeshin të gjata në diellin përvëlues. përshëndetjet e referuesve i pritnim përplot respekt në përpjekjet e mërgimtarëve tanë globit, veçan atyre që promovonin “Thesarin 4”. Zemra na bëhej mal kur dëgjoje shembuj vetëmohimi të njerëzve tanë sferave të jetës jo të lehtë të mërgimtarëve me të cilat krenohej secili. I ndienim tonat, i preknim ngrohtësisht me respektin për gurët e hedhur në afirmimin tonë pranë kulturave të popujve tjerë, drejtë përmirësimit të imazhit tonë të lënduar kohëve kur ne ishim të huaj në tokën stërgjyshore. I ndienim si gurë të hedhur në hapat tanë drejtë kapjes së kohës së humbur në shekujt e robërisë, drejtë progresit kombëtar të ëndërruar. 
 Mirënjohjet e ndara ringjallën duartrokitjet e publikut edhe hijeve nën pemët Arëshpatit. Pritje finalja, programi kulturor nga vajza e djem që pritnin hijeve të veshur me kostume kombëtare. “Këngë për dëshmorin Rifat Zeneli” ushtoi zëri i moderuarës luginës së Mazhiqit deri përtej kodrave. Rapsodët akorduan çiftelitë e sharkitë, rregulluan karriget e mikrofonat pranë zëvrimave të instrumenteve, lëshuan zërin e tyre veç sa nuk pëlcitnin altoparlantët e ngrohur valë. Sapo emri i dëshmorit pllakosi ajrin e ngrohur, nga turma përplot fëmijë shpërthyen rafalët e revolverit, tjetra anash dhe i treti në rrugicën e gurtë prapa karrigeve përplot mysafir nga i gjithë vendi. Dielli u skuq me nxehtësinë e tij para fyerjeve të gjithë asaj mase nderuese, disa re filluan ecjen e tyre drejtë majave lajmëruese të atavizmit të vjetër primitiv në oborrin ku gjaku u derdh jo për krisma, por për shtet i nderuar e mbrojtur sipas rregullave e ligjeve të lirisë. Mbrojtësit e rendit nuk u duken askund, vetëm pasi tri revole e vranë këngën e vet. Asnjë fjalë, asnjë vërejtje, asnjë paralajmërimi i mysafirëve, se në program ka edhe shtënie me armë. Plaku nga Malësia e Mbishkodrës në konakun e tij i kishte thënë dikur Kreshnikut të Komitëve, kur kishte shtënë duke e dëgjuar këngën e babait të tij që la pa kokë me sëpatë shtatë xhandar pushtues: “ E more djalë, e vrave këngën tënde”. Edhe Mazhiqi.

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe vrasja e këngës, Hazir Mehmeti, promovimi

Merre me vete mallin tim

July 25, 2015 by dgreca

Shkruar nga Viron Kona/*
“Mund të shkëputësh një njëri nga vendi i tij, por nuk mund të shkëputësh vendin nga zemra e njeriut.”-
Thënie e urtë/
Kam në duar vëllimin më të ri poetik të Sokol Demakut “Magjia e zemrës”. E shfletoj me qejf e dëshirë, pasi dua të njihem me mendimet dhe idetë e tij të reja, me vërshimin e ndjenjave poetike që burojnë natyrshëm dhe plot jetë në librat e Sokolit, por edhe sepse poezia e tij, e shkruar thjeshtë, është gjithnjë origjinale, tërheqëse dhe ngacmuese, gjer të vë në mendime të thella. Si edhe në vëllimet e tjera poetike ”Baladë e përflakur”, ”Mbrëmja në mërgim”, ”Lundra ime” etj., edhe kësaj here Sokoli ka shkruar një libër të bukur që të ngjallë emocione dhe kënaqësi estetike me bukurinë e vargut, me figuracionin artistik që përdor, me stilin e zhdërvjellët…Është një libër me mesazhe mbresëlënëse, të shprehura çiltër dhe me gjuhë shpirti e zemre.
Libri nis me poezinë “Magjia e zemrës”, e pikërisht me “një pulëbardhë …që çerdhen e saj kërkon”. Një nisje me bukuri romantike, që shkakton kureshtje dhe duket sikur çel portën e kopshtit të bleruar poetik, teksa “bahçevani” u dhuron lule plotë ngjyra dhe aroma njerëzve që i kalojnë pranë… Vijon më tej poezia ”Një natë e qetë”, ku poeti ia beson pëllumbit mesazhin e tij të zemrës, mallin për vendlindjen që ndodhet larg, si të dojë me këtë poezi të aktualizojë thënien se,“Mund të shkëputësh një njëri nga vendi i tij, por nuk mund të shkëputësh vendin nga zemra e njeriut”:
“Eja pëllumb dua të porosisë,
Dua të rrugëtosh,
Fushë e male të kalosh,
Shumë të fala vendlindjes të m`i çosh,
Dhe në vijim porosia e poetit pasohet nga “urdhri” i tij poetik që është edhe refren i çdo mërgimtari:
“Shko pra fluturim në këtë rrugëtim,
Merr me vete mallin tim…”
Demaku zgjedh pëllumbin si lajmëtar për mesazhin e tij të çmuar, jo vetëm se ka besim te krahët e shkathët dhe të palodhshëm të shpendit paqësor, tek vet-orientimi i shpendit që s`e gabon kurrë rrugën për ku do të shkojë, por, edhe sepse, pëllumbi, si shpendi më i dashur dhe më i afërt i njeriut, me siguri do ta çojë në vendlindje kupën e mallit, pa derdhur as edhe një pikë gjatë udhëtimit të tij disa ditor…Fabula poetike e pëllumbit lajmëtar, kushedi pse na sjellë në kujtesë baladat e lashta me bukuri tronditëse, legjendat e trashëguara ndër shekuj, ku shpendët historikisht janë vënë në shërbim të njeriut. Duke qenë të lirë të fluturonin në qiellin e paanë, ata u “specializuan” në vendosjen e lidhjeve dhe komunikimit mes njerëzve anë e kënd rruzullit tokësor, duke përbërë kështu “mjetet telefonike të kohës”. Me aftësitë fluturuese dhe instinktin orientues, zogjtë, e mes tyre pëllumbat lajmëtarë, zgjuan te njeriu jo vetëm ëndrrën dhe dëshirën për fluturim, por edhe u bën shkak për t`u dhënë udhë ëndrrave për të gjetur rrugët moderne të komunikimit…Një letër e lidhur në njërën këmbë të pëllumbit, ka shpëtuar sa e sa jetë njerëzish, ka paralajmëruar se po vinin hordhitë pushtuese, po afronin stuhitë dhe shtrëngatat…; një zogë në qiellin e hapësirës detare lajmëronte kapitenin dhe detarët e humbur mes detit se diku pranë tyre ishte toka, shpëtimi…Poezia e Demakut, kush e di pse më sjellë ndërmend edhe këngën e famshme himarjote “Vajza e valave”, e cila rrinte në anë të detit, në një shkëmb dhe priste të dashurin e saj: “Gjithë bota ven’ e vijnë/ Po ay nuk vjen”. Atëherë vajza që nuk gjen asnjë mundësi komunikimi, u drejtohet zogjve: “Ju të bukur zogj,/ Tek ju kam një shpres’,/ Ju që shkoni det’e male,/ Dua t’u pyes…”. 
Kurbeti ka mbetur dhe vazhdon të jetë një plagë e hapur për shqiptarët, që shkakton dhembje të thella e deri edhe ngjarje dëshpëruese e tragjike. Madje, edhe kur mërgimtari qëllon që arrin më të mirën e mundshme, përsëri kurbeti mbetet një rrugë e pasigurt, pa të ardhme…Demaku e ndjen thellë këtë, prandaj edhe dhembja e madhe që ai fshehë e shtrëngon brenda gjoksit, është kthyer në një refren thuajse në të gjithë librat e tij poetikë. Njëherazi besoj se ajo dhembje përbënë edhe shkakun që poezitë e tij që shprehin dashurinë dhe mallin e madh për vendlindjen, janë më të spikaturat, më mbresëlënëset te lexuesi.
Sokol Demaku ka sens filozofik të dallueshëm në poezitë e tij, poezia nuk rrjedh thjesht si vargëzim, ritëm dhe ndjenjë, por ajo është poezi e mendimit të thellë, që transmeton ide, mesazhe dhe ndjenja të fuqishme, madje, herë – herë ajo është tërësisht filozofike. Duke hulumtuar e ndriçuar abstrakten, poeti kërkon ta zbërthejë atë dhe t`ia ofroj lexuesit, siç bënë djali i dashuruar kur e qëron një portokall dhe ia afron të dashurës së tij…Mesazhi filozofik është më i dukshëm te poezia “Nata”, ku “Hëna është dëshmitarë i parë”, por mjeshtërisht shfaqet ky mesazh edhe te poezia “Vetmia”, që është një “pozicion” i zgjedhur nga disa njerëz që poeti i këshillon, ashtu siç bënin dikur burrat e mençur në kuvende:
“Mbaj vlerën e madhe të asaj që ke,
Mos humb atë që ke pasur,
Se jeta të gjykon.”
Poeti e di mirë se poezia është e brishtë, delikate, kërkon kujdes si lulja e fushave, e faqeve të kodrave dhe maleve, ajo mund të rezistojë edhe në një shkëmb që rrihet fort nga erërat dhe stuhitë, por, gjithsesi, ajo është e brishtë, prandaj ai e do shumë, e përkëdhelë, e ledhaton, i pëshpëritë fjalëza të ëmbla dhe të ngrohta dashurie, gëzohet për të si për një njëri të dashur:
“Eh, sa ma gëzove vargun,
Rimës i dhe jetë,
E mbushe poezinë,
I dhe shpirt e jetë”.
Pajtohem plotësisht me autoren e parathënies së librit, Kadrije Meniqi, e cila duke qenë edhe vetë poete, vlerëson se “Poezia e këtij vëllimi poetik është përplot me engjëj të vërtetë, një elegji e shpirtit, me ndjenja të zjarrta që shpërthejnë nga brenda shpirtit e që shprehen fuqishëm në vargun poetik.”
Përbën një poezi interesante në këtë vëllim poezia “Trumcaku i vogël”, ku poeti ndalet te zogu që ka nevojë për më shumë mbështetje, për më shumë ndihmë e ngrohtësi, jeta e “trumcakut të vogël” duhet mbrojtur, pasi ai vetë e ka të vështirë mbijetesën…Besoj se dëshira për ta mbrojtur është edhe arsyeja që poeti e kërkon trumcakun si bashkëshoqërues, duke shpresuar te ky zog i vockël, duke besuar te butësia dhe brishtësia e tij, te pastërtia dhe ëmbëlsia e syve, te cicërimat e zërit të tij të kthjellët e të pafajshëm. Poeti shpreh dhe zbulon kështu një anë të rëndësishme të botës së tij të brendshme, dëshirën për t`u ardhur në ndihmë njerëzve, për t`ju gjendur atyre në halle e vështirësi, shpesh herë edhe duke sakrifikuar nga vetja. Vetëm njerëz me përvojë, që kanë kaluar vështirësi të skajshme për të mbijetuar, të atilla siç ka përjetuar Demaku në rrugëtimin e tij të jetës, mund të ndjejnë kaq shumë e të shkruajnë me kaq klas e delikatesë:
“Eja trumcak, derën e ke të hapur,
Do fluturosh atje ku ka shpresë,
Më merr dhe mua, ka kohë të pres,
Të këndojmë së bashku,
Shpresës t`i japim jetë…
“Vrapojnë” poezitë e vëllimit “Magjia e zemrës”, me ritmin dhe melodinë e krelave të dallgëzave të lehta kur fillon shiroku dhe kur dallgët përplasen butësisht dhe me muzikalitet të rrallë në rërën e lëmuar të bregut:
“Të kërkova në vargun tim,
Të kërkova në shkronjat e arta,
Të kërkova në poezi e prozë,
Në shkrimet e mia të gjata…”
Emigrantët nga Kosova, mbase më shumë se sa emigrantët e çdo vend tjetër, panë me sy dhe përjetuan dhimbshëm ligësinë, kur ajo u shfaq e plotë , e zezë e shëmtuar dhe e urryer në vatrat e tyre, duke zënë vend padrejtësisht në përfytyrimet e tyre, ashtu si ëndrrat e këqija me përbindësha të zinj…Duke lexuar poezitë e vëllezërve nga Kosova, sheh se herë – herë , ajo tronditje e gjerë dhe e thellë mbarë evropiane dhe botërore, ashtu si edhe në shkrime, tregime, artikuj, romane, shfaqet po me aq forcë tronditëse edhe nga poeti ynë. Poezia “Paqe” e Sokol Demakut vjen si thirrja për paqe, nga vendi i njerëzve heroikë e paqësorë, nga vendi që shigjetoi me kurajë tejpërtej kuçedrën me shumë koka, dhe, sot, kërkon që të mos ringjallen më kuçedra të tjera në jetën e të gjithë njerëzve të globit.
Etja e njeriut për jetën, për lirinë dhe begatinë, ndjeshmëria ndaj brishtësisë, të bukurës dhe të dobishmes në jetë, rrjedhin në mënyrë befasuese te “Pika shiu”, dhe”Kur shelgu i gjelbër qan” e ku, poeti duke përdorur nota të ëmbla muzikore, sikur ledhaton qetësisht e butësisht vargjet, ashtu si harku i mjeshtrit fërkohet në telat e violinës zëëmbël:
“Kur shelgu i gjelbër qan,
Loti kristal rrjedhë,
Rrugëtimin e tij nuk e ndal.
………………..
Rrjedhë ai kristal,
Me bardhësinë e tij,
Rrëfen vuajtjen, që mban në gji”
Shpirtin e qëndresës, poeti e shpreh te poezia “Ura e vjetër”, e cila ka mbetur dëshmitare e historisë së një populli nëpër shekuj:
Qëndrove krenare,
Madhështore gjithmonë,
E fortë si shkëmbi,
E truallit arbëror.”
Kurse te poezia “Atje”, poeti këshillon:
“Mos harro vendin,
Mos largo mendjen,
Qëndro krenar,
Nga e ke prejardhjen.”
Gjen perla të mrekullueshme poetike në poezitë “O valë deti!” dhe ”Lamtumirë”: “O valë deti/Që valëvitni varkën time” Apo: “Në errësirë,/Një yll shkëlqen,/Në rrugë një grua kalon.”Teksa, ndjenjat dashurore shfaqen te poezitë “E ndjej një çast”,”Dua të jem”,”Të lutem”,”Era magjike”,ndërkohë që poeti kërkon ndihmën e valës së detit, për të pastruar të keqen:
“O valë deti,
Që shkumoni në të bardhë,
Ma thoni,ma thoni,
Ky llum kur do të jetë tharë?”
Poezitë e këtij vëllimi vijnë herë si dallgët, e herë si fllade të ngrohta pranverore, herë si stuhi dimri, por në shumicën e tyre ato shfaqen si rruazat e një gjerdani që ledhatojnë gushën e butë dhe me aromë trëndafili të vajzës së dashuruar, ato shfaqen të mbushur plot e përplot me mirësi e ëmbëlsi, si të duan të na sjellin në kujtesë nga mitologjia, “kupat me nektar që Ganimedi 1). ua mbushte perëndive nëpër gostia…”. Kohë pas kohe qiellin dhe hapësirën e poezive e mbulojnë net dhe qiej të vërejtur, shtrëngata vetëtimash dhe bubullimash, që shpërndajnë në hapësirë shpirtin e ndjeshëm dhe të vrullshëm të poetit Sokol Demaku. Edhe herë të tjera e kam vënë re këtë pamje të poezive të Demakut, edhe sot pas leximit të këtij libri, kjo ndjenjë dhe ky përjetim më forcohet edhe më, kur ndjej se si poeti, tashmë i sprovuar dhe me përvojë, orienton lindjen dhe vërshimin e poezisë te burimi më i freskët, më ujë-kaltër e transparent, te burimi i artit të vërtetë, që është zemra…
“Lejonje të shprehet,
Dhe le të flasë,
Zemra,
Se ajo ka art.”
Urime Sokol Demaku dhe faleminderit që me aftësinë tënde krijuese e poetike, na mbajte të përfshirë gjatë gjithë leximit te “Magjia e zemrës”, që në thelb është zemra jote e bukur, që pulson fort dhe me ndjenjë, që e orienton gjithkënd që dëshiron, drejt detit të pafund të mirësisë, madhështisë, aty ku ti vozit prej kohësh me lundrën tënde poetike, e ku shpërndanë me gjuhën e ëmbël të zemrës mesazhe jete, paqeje dhe dashurie…

1).Ganimedi, djali që ua mbushte perëndive kupat me nektar nëpër gosti. Nga dashuria që kishte për njerëzit, kur Zeusi nuk e kishte mendjen dhe vështrimin e kishte gjetiu, Ganimedi u hidhte njerëzve nga nektari që u shërbente perëndive.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3683
  • 3684
  • 3685
  • 3686
  • 3687
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT