Presidenti Obama nominon Greg Delawie-n për Ambasador të SHBA-ve në Kosovë, njoftonte Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars.
“Ambasada e SHBA-ve ka kënaqësinë të konfirmojë se Presidenti Obama ka nominuar Greg Delawie-n që të shërbejë si ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë”, theksonte komunikata e dërguar.
SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 19 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Në 6 prill 2008 Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë, ndërsa më 18 korrik, po atë vit historik të shpalljes së pavarësisë, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë amerikane për Republikën e Kosovës.
Ambasadori i ri i Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, pritet që të nisë misionin e tij muajin tjetër, bëri të ditur vetë ai në profilin e tij në rrjetin social Twitter.
Delawie vjen në Kosovë pas përfundimit të misionit diplomatik të Ambasadores, Tracey Ann Jacobson.
Ambasadori i ri e ka dhënë betimin para Departamentit të Shtetit Amerikan se do ta kryejë me përgjegjësi detyrën e tij si misionar diplomatik në Kosovë./KosovaPress