• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ANA TJETER E HASAN KALESHIT

July 13, 2015 by dgreca

Nga Fahri Xharra/
Hasan Kaleshi thotë se teza që Ilirët kanë qenë të parët e shqiptarëve duhet parë me rezerva dhe këtë e argumenton me atë që shqiptarët nuk kanë pasur një traditë shteti dhe një trashëgimi kulturore të mirëfilltë; në lidhje me historinë e Ilirisë nuk ka legjenda dhe epope e epika popullore; nuk është gjetur një mbishkrim i vetëm i shkruar në gjuhën ilire dhe nuk kemi një organizim të kishës ilire (KALESHİ,Hasan, “Türkler’in Balkanlar’a Girişi ve İslâmlaştırılma Arnavud halkının etnik ve milli varlığının korunmasının sebepleri”, Tarih Enstitüsü Dergisi, sayı:X-XI, sene:1979-1980, Edebiyat Fakültesi Matbaası, İstanbul, 1981,177-194.
Cili na ishte Hasan Kaleshi ? Hasan Kaleshi lindi më 7 mars 1922 në fshatin Sërbicë të Kërçovës dhe vdiq më 19 korrik 1976 ishte historian, etnograf, orientalist shqiptar. Hasan Kaleshi mësimet e para i mori nga babai Ahmed Kaleshi, i cili ishte një hoxhë me autoritet i asaj ane. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjashtë klasë në medresenë e madhe “Mbreti Aleksandër” në Shkup dhe dy klasë në shkollën e mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë. Më 1951 diplomoi në Degën e Orientalistikës në Universitetin e Beogradit, kurse më 1960 përfundoi disertacionin e doktoraturës me titull “Najstariji vakufski dokumenti iz Makedonije na arapskom jeziku” (Dokumentet më të vjetra të vakëfeve të Maqedonisë në gjuhën arabe) në Fakultetin Filozofik në Beograd.)
“Këtyre ditëve më ra në dorë një shkrim shkencor me titull “Ardhja e turqve në Ballkan dhe përhapja e Islamit, shkaqe themelore të vazhdimësisë etnike të shqiptarëve”, i autorit Hasan Kaleshi. Sipas informacione që kam, shkrimi pritet të botohet në numrin e ardhshëm të revistës “Përpjekja” në Tiranë dhe në revistën “Edukata Islame” në Prishtinë. Edhe pse kisha dëgjuar më herët për Kaleshin, por gjatë hulumtimeve të mia të këtyre ditëve, mësova se ‘shkencëtarët’ e ‘kulturologët’ folkloristë shqiptarë nuk e paskëshin pasur për qefi atë dhe e paskëshin linçuar me lloj-lloj akuza e shpifje. Po ja që gjeneratat tona, të cilët pak a shumë kemi nuhatur metodologjinë moderne shkencore dhe kemi arritur të shporrim nga mendjet subjektivizmin dhe argumentet ‘shkencore’ me zana malesh, po e ndajmë shapin prej sheqerit dhe po shohim se vërtetë kush qe shkencëtar e kush sharlatanë, që na është ekspozuar si shkencëtar – shkruan Merxhan ADEMI “
….mësova se ‘shkencëtarët’ e ‘kulturologët’ folkloristë shqiptarë nuk e paskëshin pasur për qefi atë ( Hasanin, pra ) ankohet Merxhani.Sigurisht që jo,sigurisht që askush nuk e ka pasur për qefi, sepse ka shkruar me diktat. Ne shkrimin e tij thot : “Kaleshi shkrimin e tij e fillon me një kritikë të thukt për historiografinë shqiptare të cilën e akuzon si jo serioze që ka futur shprehje të panjohura për terminologjinë shkencore, siç janë ‘turqit e tërbuar”, “hordhitë turke”, “aziatikët turq”, “barbarët”. Më tutje ai vë në pahë se si albanologjia shqiptare i promovon veprat ‘atdhetare’ të disa aktivistëve të dyshimtë të Periudhës së Rilindjes Kombëtare e në anën tjetër me qëllim i heshtë shumë personalitete të dobishme të kombit shqiptar që krijuan në gjuhën shqipe me alfabet arab ose në gjuhët orientale.”
Pra dredhia turkofile e perkrahur nga qarqet e larta serbe ka filluar që moti. E kjo që pe jetojmë sot është vetëm se një vashdim i një urdhëri i cili nuk kishte përfunduar.
Hasan Kaleshi në këtë shkrim nuk mëton të arsyetojë pushtimin e tokave shqiptare nga turqit e as islamizimin e shqiptarëve, por argumenton se si ardhja e turqëve në Ballkan ndaloi procesin e sllavizimit, latinizimit dhe greqizimit të shqiptarëve dhe sesi shqiptarët në Perandorinë Osmane u forcuan, u zgjeruan dhe i sunduan popujt tjerë të Ballkanit.
Duhet theksuar se shkrimi në fjalë * JA SESI TURQIA E SHQIPTARIZOI KOSOVËN * është përkthyer nga gjuha turke dhe një shkrim me të njëjtat teza ekziston edhe në gjuhën gjermane, i cili është cituar shumë herë nga O. J. Schmit, N. Clayer, N. Malcolm, P. Bartl e shumë studiues të tjerë. https://orientalizmi.wordpress.com/tag/hasan-kaleshi/ .
Vazhdimësia e kaleshave shihet edhe nga ; “Ish-prorektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Nuri Bexheti, në një intervistë të vitit 2014 në Klan Kosova kishte deklaruar se shqiptarët i kanë zgjeruar territoret në saje të Perandorisë Osmane.
Doktori i Historisë, Bexheti, ndër të tjerash ka thënë se Kosova ia ka parë hairin më tepër osmanlinjve se disa shteteve tjera dhe se nuk ka asgjë të keqe nëse e pranojmë këtë fakt që, sipas tij, është i pamohueshëm, “Shtohet pyetja a u zgjeruan territoret shqiptare me ardhjen e osmanlinjve ne Shqipëri? Ka teza të ndryshme të ngritura nga historianë vendorë dhe botërorë, të tillë si Hasan Kaleshi, i cili thotë se ‘shqiptarët ia kanë parë hairin turqve, se u zgjeruan me territore’. Kjo nuk ka asgjë të keqe të thuhet, pasi çdo shtet zgjerohet dhe tkurret. Pse duhet ta kemi këtë breng. Hungaria ka humbur dy të tretat e territorit – territor sa dy Kosova i kanë mbetur Serbisë dhe po aq Rumanisë, ndërsa një territor i ka mbetur Sllovakisë”, ka thënë ai.
“Në kohën që po finalizohej pushtimi turk i Ballkanit, populli shqiptar ndodhej para sprovës më të rëndë historike, pra rrezikonte të asimilohej i tëri.” shkruan Kaleshi.
(Në vitin vijues, 1952, autori ynë, në revistën e lartpërmendur do të botojë edhe gjashtë studime (dy prej të cilave si bashkautor me Hilmi Thaçin). Le t’i përmendim radhazi: “Pak fjalë mbi botimet tona”, “Dr. Henrik Barić, Mbi origjinën e gjuhës shqipe”, (me H. Thaçin) “Fjaluer serbokroatisht-shqip”, “Henrik Barić, Ilyrico-Albanica”, “Me rastin e përkthimit të Kunorës së maleve” dhe “Dr. Henrik Barić, Bolla Hysein aga” (me H. Thaçin) .
Në vitin 1953 dr. Kaleshi boton tri punime (dy prej tyre si bashkautor me Hilmi Thaçin): “Ivo Andrić i njegova dela, predgovor zbrici pripovedaka” (me H. Thaçin), “Ivo Andrić, Tregime të zgjedhuna” (me H. Thaçin) dhe “I mjeri Nasradin”.)
(Në periudhën mes viteve 1956-1965 prof. Kaleshi boton nga një punim në vit. Arsyeja e numrit të kufizuar të punimeve rrjedh me gjasë nga angazhimet e tij të shumta për pjesëmarrje nëpër konferenca e simpoziume shkencore nëpër qendrat më të njohura evropiane. Gjithashtu, kjo ishte periudha kur ai punonte inetnsivisht në projektin e tij jetësor, tezën e tij të doktoratës, të cilën e mbrojti me sukses në Beograd në vitin 1960. )
(Në vitin 1960 dr. Kaleshi boton një punim me titull: “Nji prizrenas që ka shkrue në gjuhën arabishte”.
“Në vitin 1961, në revistën Përparimi autori boton një vështrim të vlefshëm historik që mban titullin: “Shënime nga e kalumja e Prizrenit gjatë periodës turke”.
Autori, në këtë punim të tij, fillimisht ofron të dhëna historike për çlirimin e Prizrenit, ku si datë definitive jep 21 qershorin 1455. Duke u bazuar në vakufname dhe sallname të ndryshme, autori ofron shënime të shumta mbi sanxhakun e Prizrenit, mbi ekonominë, tregtinë, zejet si dhe popullsinë që banonte në atë trevë. Edhe këtë punim, autori e pasuroi me sqarime të duhura për një varg termash që janë të domosdoshme për kuptimin e tekstit në tërësi.
Në vitin 1962, dr. Kaleshi paraqitet para opinionit të kohës me një tjetër kontribut, me titull: “Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda” (Prizreni si qendër kulturore gjatë periudhës së Perandorisë Osmane).
Në këtë punim të tij, autori vë në pah faktin se Prizreni pos që ishte i njohur si ‘djep i poetëve’, ka qenë gjithashtu edhe një qendër e rëndësishme kulturore gjatë pothuaj tërë periudhës së Perandorisë Osmane, pra rreth 450 vjet.
Autori këtu thekson se që nga viti 1455 e deri më 1912 Prizreni ishte një qendër e rëndësishme administrative, qendër e sanxhakbeut, e një herë madje edhe qendër e vilajetit (1868-1875). Autori përshkruan trashëgiminë kulturore-historike dhe atë fetare të Prizrenit, si: xhamitë, medresetë, bibliotekat, teqetë, hanet, mejtepet dhe institucionet e tjera kulturore. (Ky artikull është botuar në revistën “Hikmet”, nr. 5, Praneverë, Prishtinë 2014, organ i “Institutit për shkencat humane – Ibni Sina”. nga Jahja Hondozi )
Në shkrimin “ Kaleshi, ndriçuesi i figurave kombëtare” (Avzi MUSTAFA, Shkup ) shkruhet: “Hasan Kaleshi, një dijetar orientalist me merita të veçanta, që u ka dhënë shumë shkencave historike dhe filologjike. Nëpërmjet studimeve dhe përkthimeve të materialeve arkivore, sidomos të përkthimeve nga osmanishtja, ai ka lënë një thesar të çmuar e të pasur dokumentar e historik për ndriçimin e figurave dhe ngjarjeve të periudhës mesjetare të kohës osmane në trojet tona.”
Shkrimi vazhdon : “Në bazë të burime turko-osmane nga trevat e Maqedonisë së sotme, dr. Hasan Kaleshi na jep të dhëna për një shkrimtar të vjetër të lindur në Tetovë me emrin Suxhudi. Për këtë personalitet, pas konsultimeve mbi prejardhjen e tij, ai na jep të dhëna mbi profesionin dhe punësimin e tij si regjistrues dokumentesh në kohën e Sulltan Selimit dhe, më vonë, në kohën e Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, por edhe punësimin e tij si kadi në Prizren. Për këtë personalitet, në bazë të dhënave që na i prezanton, Hasan Kaleshi thotë: “Ky është shquar edhe si poet me divanin e tij, ku në poezi dhe në prozë të rimuar i këndon sundimit të Sulltan Selimit I, të shkruar në veprën e titulluar “Selim-name” “
Po , sa i madh ishte roli i Hasan Kaleshit në zbërthimin e historisë shqiptare?
Hasan Kaleshi: Shqiptarët do zhdukeshin po mos vinin osmanlijtë Në punimin e tij shkencor me temë “Ardhja e turqve në Ballkan dhe përhapja e Islamit, shkaqe themelore të vazhdimësisë etnike të shqiptarëve”, profesor Hasan Kaleshi ka thënë se pushtimi i Ballkanit nga osmanlijtë ka ndalur zgjerimin e popuvje sllav dhe atij grek. Në anën tjetar ka mbrojtur popullin shqiptar nga zhdukja dhe humbja e traditave të veta.” Me sa dhëmbsuri që flet për të kaluarën shqiptare!

12, 07,15 Gjakovë

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, Hasan Kaleshi, Kush ishte

TERRORIZMI NDËRKOMBËTAR, KËRCËNIM PËR PAQEN DHE SIGURINË GLOBALE

July 13, 2015 by dgreca

Shkruan: MSc. Eraldo MEÇALLA/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe vetë njerëzimi e kanë njohur shumë herët fenomenin e terrorizmit dhe aktiviteteve terroriste. Për shumë dekada me rrallë terrorizmi ka krijuar shqetësime dhe probleme të mëdha për sigurinë dhe paqen kombëtare e ndërkombëtare të shteteve. Terrorizmi duhet konceptuar si kërcënim ose përdorim dhune fizike përkundrejt personave ose pasurive të ndryshme nga persona ose grupe personash pjestar të organizatave terroriste, me qëllim arritjen e objektivave politike, fetare, ideologjike të drejtuara kundër një shteti ose disa shtetesh. Përkufizimi i “Terrorizmit Ndërkombëtar”, sanksionohet qartë në Kodin e Terrorizmit Ndërkombëtar të SHBA-së (18 U.S.C, 2331), si më poshtë :
“Terrorizëm Ndërkombëtar, do të thotë aktivitet me tre karakteristika, që përfshijnë veprime të dhunshme ose akte të rrezikshme për jetën e njeriut që shkelin ligjin federal ose shtetëror. Që ka për qëllim : 1.) Frikësimin ose detyrimin e një popullsie civile. 2.) Ndikimin në politikën e një qeverie me anë të frikësimit, detyrimit. 3.) Të diktojë sjelljen e një qeverie me anë të frikësimit, detyrimit, shkatërrimit në masë, vrasjeve dhe rrëmbimeve. Këto akte terroriste ndodhin jashtë juridiksionit territorial të SHBA-së, ato i kapërcejnë kufijtë kombëtar”.
Etapat kryesore të zhvillimit të terrorizmit në bazë të historisë njerëzore janë :
1.) Lashtësia. 2.) Mesjeta. 3.) Rilindja. 4.) Lufta e I Botërore. 5.) Lufta e II Botërore. 6.) Lufta e Ftohtë. 7.) Periudha pas vitit 1990. Ndërsa faktorët kryesorë që kontribojnë për zhvillimin terrorizmit nderkombetar janë : 1.) Faktori Politik. 2.) Faktori Fetar. 3.) Faktori Ideologjik.
4.) Faktori Psikologjik.
Po ku dhe si lindi terrorizmi ? Historia e lindjes së fenomenit të terrorizmit daton të paktën 2000 vjet përpara, por atëherë krejtësisht në kushte dhe ndikime të tjera. Bazuar në kronologjinë historike, politike, fetare, ideologjike dhe psikologjike terrorizmi ka pasur një rrugëtim të gjatë. Veprimtaria më hershme terroriste është ajo e “Romës së Lashtë”, ku grupe të quajtura Sicari dhe Zealtots kryenin vrasje përkundrejt Romakëve, Grekëve, Çifutëve duke i terrorizuar dhe detyruar të bashkëpunonin. Për sa i përket origjinës së fjalës terrorizëm ajo vjen nga “regime de la terreur”, në periudhën 1793 – 1794 në Francë, përgjatë Revolucionit Francez.
Terrorizmi mbi baza jo fetare lidhet me Ideologjinë Marksiste, Revolucionet në Itali, Kryengritjet përkundrejt Carit në Rusi dhe me Radikalët e Anarkistët. Në fundin e shekullit të 19 dhe fillimin e shekullit të 20, kishte akte dhe sulme të shumta terroriste në SHBA, Indi, Japoni, Perandorin Otomane. Viti 1914 solli aktivizimin e grupeve “Terroriste Serbe”, që çuan në vrasjen e Arqidukës Franz Ferndinand më 28 qeshor 1914 në Sarajevë e kryer nga “Boshnjakët e Rinj”, vrasje që shkaktoi fillimin e Luftës së I Botërore. Ndërsa si Gjermania Naziste, Italia Fashiste dhe Bashkimi Sovjetik Stalinist, përdorën vrasjet masive, spastrimet etnike, gjenocidet si forma të terrorizmit shtetëror. Këto fenomene terroriste shtetërore vazhduan edhe përgjatë Luftës së Ftohtë me diktatura ushtarake në Amerikën Latine, Afrikë të cilat përdornin metoda terroriste. Në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë lindën lëvizje nacionaliste kundër ish-vëndeve koloniale si Britania e Madhe, Franca dhe gjithashtu luftë guerile në Indokinë, Algjeri, Kenia, Malajzi, Palestinë, Izrael, Qipro. Në vitet 1960 – 1970, përveç grupeve nacionaliste u formuan edhe grupe të motivuara etnikisht dhe ideologjikisht si : 1.) Organizata për Çlirimin e Palestinës. 2.) Grupi Bask ETA. 3.) Ushtria Republikane Irlandeze Paraushtarake. 4.) Ushtira e Kuqe.
5.) Brigada e Kuqe në Itali.
“Terrorizmi Ndërkombëtar” realisht përbën një nga kërcënimet më serioze për shtetet sepse kapërcen çdo kufi gjeografik, pra nuk ka një “shtëpi” dhe kjo sigurisht që përbën një vështirësi për reagimin e strukturave të Sigurisë Ndërkombëtare. Kjo është një nga çështjet më të diskutuara dhe shqetësuese për qeveritë në vitin 2015, në një botë tërësisht të globalizuar, në të cilën fenomeni i terrorizmit ndërkombëtar është universal për të gjithë globin. Fenomeni i terrorizmit ndërkombëtar ka filluar të dominojë studimet e marrëdhënieve ndërkombëtare që nga vitet 1970 – 1980, por sot në shekullin e 21 është kthyer në çështjen më të diskutuar nga shtetet për sa i përket kërcënimit që përbën për Sigurinë dhe Paqen e Sistemit Ndërkombëtar.
Një nga aktet e para terroriste ndërkombëtare ishte ai i “Grupit Palestinez”, të cilët rrëmbyen një avion udhëtarësh dhe vranë atletët Izraelitë në Lojrat Olimpike të vitit 1972. Në vitin 1980, fenomeni u zhvillua së tepërmi dhe shkak për këtë ishte politika anti-amerikane dhe anti-europiane në Lindjen e Mesme. Shtetet që e kanë sponsorizuar dhe mbështetur më shumë terrorizmin ndërkombëtar janë ato të Lindjes së Mesem si Irani, Iraku, Libia, Siria të cilët e gjejnë frymëzimin tek besimi dhe feja radikale islamike, që përbën një nga problemet më serioze dhe thelbësore sot në ngjarjet politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Akti terrorist ndërkombëtar i 11 shtatorit 2001, që me anë të aeroplanëve goditi “Kullat Binjake” dhe Pentagonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijoi ndjenjë terrori dhe pasigurie për të gjithë botën. Ky ishte edhe momenti që zgjoi dhe forcoi interesin e çdo studiuesi të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë për tu thelluar mbi fenomenin e “Terrorizmit Ndërkombëtar”, por bëri edhe ndërkombëtarizmin final të këtij fenomeni.
Këto dekada sulmet terroriste ndërkombëtare kanë qënë të shumta, por sulmet më të përgjakëshme nga Organizatat Terroriste Ndërkombëtare janë si me poshtë : 1.) Më 18 prill 1983, shpërthimi i bombës në Ambasadën Amerikane në Bejrut të Libanit nga Organizata e Xhihadit Islamik, sulmi shkaktoi 63 të vdekur dhe 120 të plagosur. 2.) Nga 15 korriku – 17 tetori 1995, sulme terroriste me bomba në Paris në Metro dhe RER nga Grupi i Armatosur Islam i Algjerisë në Francë, sulmet vranë 8 persona dhe plagosën më shumë se 100. 3.) Më 7 gusht 1998, shpërthimi në Ambasadën e SHBA-së në Tanzani dhe Kenia, sulmi shkaktoi 224 të vdekur dhe mbi 4000 të plagosur. 4.) Më 11 shtator 2001, sulmet terroriste në SHBA me anë të aeroplanëve të rrëmbyer nga terroristët e Al-Kaedas, goditën me 2 aeroplanë Qendrën Tregëtare dhe me 1 aeroplan Pentagonin, sulmet shkaktuan 3000 të vdekur. 5.) Më 11 mars 2004, në Madrid shpërthimi i bombës në tren, sulmi vrau 191 persona dhe plagosi 1800. 6.) Më 7 korrik 2005, shpërthime të shumfishta në Londër, sulmet shkaktuan 53 të vdekur dhe 700 të plagosur.
Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar duhet bazuar në pengimin dhe moslejimin e organizatve terroriste që të zotërojnë dhe më pas të përdorin Armë të Shkatërrimit në Masë si Armët Bërthamore, Biologjike dhe Kimike, ky fakt do të ishte tejet i rrezikshëm për egzistencën e njerëzimit. Terrorizmi Ndërkombëtar, sot në vitin 2015 manifeston dhunën, terrorin dhe vrasjet masive më të përgjakëshme në të gjithë popullsinë e globit. Aktet terroriste organizohen, planifikohen, financohen dhe kryen nga “Organizatat Terroriste Ndërkombëtare”, të cilat qëllimin e përbashkët e gjejnë tek destabilizimi i Rendit Ndërkombëtar. Në librin “International Terrorism: A New Mode of Conflict”, studiuesi Brain M. Jenkins thekson: “Terrorizmi ndërkombëtar mund të krahasohet me fillimin e një Lufte të III Botërore”. Për të arritur qëllimet e tyre terroriste, si armë kryesore përdorin vrasjen dhe përhapjen e ndjenjës së terrorit në popullsi me mjete, forma dhe mënyra të ndryshme por që kanë të njëjtën pasojë gjakderdhjen e njerëzve të pafajshëm, ngjarje që krijojnë probleme, kriza, konflikte, luftra në rajone të ndryshme të botës veçanërisht në Lindjen e Mesme. Këto grupe terroriste përbëhen nga nacionalistë, ekstremistë, revolucionar, terroristë, radikalë politik, fetar, ideologjik.
Organizatat Terroriste Ndërkombëtare më të rëndësishme në bazë të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Byrosë së Kundërzbulimit janë : 1.) ISIS, (Shteti Islamik i Irakut dhe Levant), vepron në Siri, Irak, Libi, Liban dhe Nigeri është një nga organizatat terroriste më të rrezikshme për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare në momentin që jetojmë. 2.) Al-Kaeda, është organizata terroriste më e njohur në botë e krijuar nga Osama Bin Laden në fund të viteve 1980 dhe është e përhapur në Afganistan, Pakistan, Iran dhe Indonezi.
3.) Hamash, (Lëvizja e Rezistencës Islamike) e përhapur në Izrael, Bregun Perëndimor, Rripin e Gazë. 4.) Hesbollah, (Partia e Zotit) është e vendosur në Liban dhe me celula në Afrikë, Azi dhe Europë. 5.) ETA (Atdhe dhe Liri Baske) e përhapur në Spanjë në rajonet autonome në veri të vëndit. 6.) FARC (Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë), me veprimtari në Kolumbi, Brazil, Venezuel dhe Panama. 7.) Boko-Haram, i përhapur në Nigeri, Kamerun, Niger dhe Çad. 8.) Al-Nusra Front, e përhapur në Siri dhe Liban.
Sulmet terroriste më 7 janar 2015 në Paris në “Charlie Hebdo” nga Al-Kaeda e solli edhe njëherë vëmendjen e jashtëzakonshme për bashkëpunim ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit. Aktet terroriste dhe sulmet që i përkasin kohëve të fundit nga Organizatat Terroriste Ndërkombëtare të ISIS dhe Al-Kaeda në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, shtuan rrezikun e “Terrorizmit Ekstremist Islamik”. Përhapja e ISIS (Shtetit Islamik të Irakut dhe Levant) në Siri, Irak, Liban, Libi dhe Nigeri shihen si rrezik potencial për Europën dhe Amerikën.
Organizatat dhe Institucionet Ndërkombëtare përbëjnë elementin thelbësor të bashkëpunimit në marrëdhëniet ndërkombëtare për të luftuar kërcënimin e shfaqur nga terrorizmi ndërkombëtar. Roli i traktateve në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacia ndërmjet shteteve në momente krizash, luftrash është jetik sepse bashkëpunimi ndërkombëtar i ndërsjelltë në aspektin politik, ekonomik, shoqëror, kulturor, humanitar ruajnë dhe përforëcojnë sigurinë, paqen, humanizmin dhe prosperitetin e Rendit Ndërkombëtar.
Për përballimin, izolimin, kontrollin dhe eleminimin e terrorizmit ndërkombëtar duhet : 1.) Bashkepunim ndermjet Shteteve, Organizatave dhe Institucioneve Ndërkombëtare në miratimin dhe respektimin e Konventave, Marrëveshjeve, Ligjeve Ndërkombëtare anti-terrorizëm. 2.) Luftimi i drëjtëpërdrejtë ushtarak nga ajri, toka, deti i Organizatave Terroriste në vendet e origjinës. 3.) Mbështetje politike, ekonomike, financiare për shtetet e vogla, të dobëta dhe të rrezikuara nga propaganda e veprimet terroriste që të drejtohen drejt rrugës perëndimore. 4.) Vigjilencë maksimale në të gjithë territoret e shteteve aleatë në luftën kundër terrorizmit duke shfrytëzuar Agjencitë e Inteligjencës të shteteve të fuqishme për të marrë informacione mbi sulmet e mundëshme terroriste. 5.) Kujdes dhe kontroll maksimal në teknologji, informacion dhe luftën përkundrejt “Terrorizmit Kibernetik”. 6.) Bashkëpunimi ndërkombëtar ndërmjet Organizatave të Sigurisë si Interpoli, Europoli dhe Institucioneve të tjera të Sigurisë dhe Mbrojtjës. 7.) Zbatimi dhe respektimi i Konventave dhe Protokolleve kundër-terrorizmit te OKB-së që janë në fuqi, negocimi dhe implementimi i Konventa të reja anti-terrorizëm dhe sigurisht miratimi dhe respektimi i Rezolutave të Këshillit të Sigurimit për përmirësimn e Sigurisë Ndërkombëtare.
Në përfundim, strategjia e luftës kundër-terrorizmit duhet të bazohet tek mjetet diplomatike si arbitrazhi, negociatat, sanksionet diplomatike, embargot ekonomike të cilat do të ndihmonin më shumë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, ndoshta më shumë se çdo veprimtari ushtarake. Në marrëdhëniet ndërkombëtare lufta kundër së “keqes” së përgjithëshme fitohet me partneritet, bashkëpunim ndërkombëtar ndërmjet Organizatave Ndërkombëtare si OKB, BE, NATO, OSBE dhe ndërmjet shteteve të fuqishme të botës si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca etj. Qytetërimet botërore ndryshojnë nga njëri-tjetri në bazë të historisë, kulturës, fesë, traditës, politikës, ekonomisë, sigurisht këto ndryshime sjellin edhe konfliktet dhe fenomenin e terrorizmit ndërkombëtar. Lufta përkundrejt terrorizmit ndërkombëtar nuk do të fitohet në kohë afatshkurtër, por mund të parandalohet dhe mbahet nën kontroll në aspektin afatgjatë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Eraldo Mecalla, kercenim per Paqen, Terrorizmi dnerkombetar

Martin Schulz takon Ramen dhe Presidentin Nishani

July 13, 2015 by dgreca

TIRANË, 13 Korrik/– Kryeministri Edi Rama priti të hënën pasdite në një takim Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Rama ripërsëriti në një prononcim pas këtij takimi edhe një herë zotimin e mazhorancës për të përfunduar në vjeshtë reformën në drejtësi.
“Folëm për sfidat që ka vendi, ku kryesfida është reforma në drejtësi dhe ne këtë kryesfidë do ta kalojmë në vjeshtë”, tha Rama.Kreu i qeverisë shtoi se, kjo reformë shërben për ta transformuar një herë e përgjithmonë Shqiperinë, për ta kthyer në një vend të gatshëm për t’u bërë pjesë e BE.
Ndërsa kreu i PE, Schulz, theksoi se ishte kënaqësi që mbajti premtimin e bërë për të ardhur për herë të parë në Tiranë.
“U nisa sot në mëngjes nga Mynihu vetëm pak minuta pasi u arrit marrëveshja në Bruksel me Greqinë”, tha Schulz, i cili shtoi se, “me anë të kësaj marrëveshje u arrit të shmanget një krizë edhe më e thellë e BE”.
Schulz theksoi se, “ky është një lajm i mirë, pasi kriza do të prekte edhe Shqipërinë dhe është lajm i mirë për të gjithë BE-në, pasi tashmë mund të vazhdojmë punën për të hartuar një paketë tjetër për Greqinë dhe për të ecur përpara”.
“Pata një shkembim të hapur dhe të mirë me z. Kryeminsitër dhe ramë dakord për çdo gjë”, tha Schulz, i cili vlerësoi rolin konstruktiv që luan Shqipëria në rajon dhe në veçanti ai falenderoi Kryeministrin për rolin që luan qeveria e tij në këtë fushë.
Po ashtu, Schulz falenderoi Kryeministrin Rama dhe Shqipërinë për mbështetjen tepër të qartë që i ka dhënë BE-së për marrëdheniet me Rusinë, ku Shqipëria ka mbajtur të njëjtën linjë si ajo e BE. Gjithashtu, Schulz ka falenderuar Kryeministrin Rama edhe për transformimin që i ka bërë Kryeministrisë duke treguar se është një njer i artit dhe që e vlerëson shumë artin

Presidenti Nishani priti Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz/

TIRANË, 13 Korrik/ -Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot dhe zhvilloi një takim me Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz.
Presidenti Nishani uroi përzemërsisht mirëseardhjen dhe vlerësoi rëndësinë e kësaj vizite të Presidentit Schulz në Tiranë, duke përkuar me një moment të rëndësishëm si për BE-në, ashtu edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pasi përcolli përgëzimet për marrëveshjen e arritur sot në mëngjes me Greqinë, Kreu i Shtetit u ndal gjerësisht në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon.
Presidenti Nishani theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian përbën të vetmen alternativë dhe zgjedhje për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe në këtë kontekst kjo ambicie shërben si një shtysë e fuqishme për realizimin e reformave të thella që nevojiten në të gjitha fushat.
Ai informoi mbi përpjekjet për zbatimin e 5 prioriteteve, duke e u ndalur në veçanti në fushën e zbatimit të ligjit, dhe posaçërisht tek reforma në drejtësi. “Si Kreu i Shtetit dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbetem plotësisht i angazhuar për të bërë çdo përpjekje për realizimin cilësor dhe me ritmin e duhur të kësaj reforme kyçe për vendin”, theksoi Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit vuri në dukje gjithashtu se Bashkimi Evropian dhe procesi i integrimit evropian mbeten mekanizmi më i shkëlqyer garantues për suksesin e reformave të nevojshme për vendin, që nisin me ndërtimin institucional dhe vihen në funksion të konsolidimit të demokracisë në vend.
Duke u ndalur tek zhvillimet në rajon, Presidenti Nishani cilësoi se Ballkani Perëndimor sot është përpara një shansi historik për të ndërtuar mbi mentalitetet e përparuara të shoqërive tona. Dhe në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian ka një rol kyç në ndërtimin dhe inkurajimin e këtij realiteti pozitiv nëpërmjet proceseve respektive të anëtarësimit.
Presidenti Schulz përcolli vlerësimet për zhvillimin që ka njohur Shqipëria, parë edhe nga këndvështrimi i një qytetari evropian që i ka përjetuar ndryshimet e mëdha historike. Ai theksoi se dy ishin mesazhet që donte të përcillte nëpërmjet kësaj vizite: ndërtimi i demokracisë dhe ripajtimi.
Në këtë kontekst, zoti Schulz veçoi se në rrafshin e brendshëm pret që Shqipëria të shënojë përparim në vendosjen e shtetit ligjor, në të gjithë elementët e tij, përfshirë reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë, si dhe në vendosjen e kulture evropiane të dialogut politik. Në kontekstin rajonal Shqipëria vazhdon të luajë një rol shumë pozitiv për ndërtimin e një dialogu konstruktiv e ripajtues. Këto dy elementë do të rrisin besueshmërinë dhe rolin e Shqipërisë si në rajon ashtu edhe në raport me Bashkimin Evropian, dhe Shqipëria ka një potencial të shkëlqyer për ta arritur këtë.
Presidenti Nishani, duke falënderuar për mesazhet inkurajuese dhe të gjithë mbështetjen që Parlamenti Evropian dhe vetë Presidenti Schulz kanë dhënë në vazhdimësi për Shqipërinë, e siguroi edhe një herë për të gjithë angazhimin e tij personal për t’u fokusuar në agjendën integruese në përgjigje edhe të pritshmërive të mëdha që kanë qytetarët shqiptarë ndaj këtij procesi. Njëkohësisht Kreu i Shtetit shqiptar siguroi se Shqipëria do të mbetet një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian dhe do të vijojë të bashkërendojë politikat e sigurisë me ato të Bashkimit Evropian.

Filed Under: Kronike Tagged With: Rama -Schulz, Takimi

Victoria Nuland, në Tiranë, takime me Nishanin dhe Ramën

July 13, 2015 by dgreca

Ndihmës-sekretarja amerikane e shtetit për Çështjet Europiane dhe Euro-aziatike, zonja Victoria Nuland, e ka nisur këtë të hënë vizitën e saj zyrtare në Tiranë, në kuadër të turit ballkanik, me takimin me Presidentin Bujar Nishani.
Gjatë takimit u diskutua kryesisht reforma në drejtësi, ku kreu i shtetit shprehu angazhimin dhe nevojën që kjo reformë të jetë cilësore, premtuese dhe gjithpërfshirëse.
“Reforma në drejtësi mbetet prioritet i prioriteteve tona dhe ajo duhet të jetë cilësore dhe premtuese. Ajo nuk mund të ndahet në politike dhe teknike, pasi sfida kryesore ka qenë gjithmonë e lidhur me procesin e implementimit të ligjeve e reformave, që është përgjegjësi dhe vullnet politik”.
Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës vlerësoi edhe pjesëmarrjen së fundmi të opozitës në komisionin parlamentar të posaçëm për reformën në drejtësi.
Me interes u trajtuan edhe nevoja e bashkëpunimit për parandalimin e shtrirjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe elementet terroristë. Presidenti Nishani evidentoi nismat e ndërmarra për të inkurajuar klerikët e lartë të vendit për të dhënë ndihmesën e tyre në këtë drejtim dhe forcuar bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë mes njerëzve.
Presidenti shprehu mirënjohjen për vëmendjen e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj zhvillimeve në vendin tonë, duke theksuar se, “falë kësaj vëmendjeje, në Shqipëri po avancojnë çështje shumë principiale, që lidhen me reformat, forcimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe lirisë ekonomike të tregut”.
Presidenti vlerësoi nënshkrimin e Partneritetit Strategjik mes dy vendeve, duke e konsideruar si tepër të rëndësishme për vendin tonë veçanërisht.
Duke u ndalur në paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kreu i Shtetit theksoi se “Prania dhe vëmendja e Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet jetike, pasi tentativat për destabilizimin e këtij rajoni mbetet një sfidë shumë serioze”.
Shqipëria, – tha Nishani – si pjesë e NATO-s, është tepër e interesuar për të dhënë kontributin e vet në kuadër të Aleancës, duke ruajtur dhe respektuar standardet buxhetore të sanksionuara prej pjesëmarrjes në këtë Aleancë.
Ndërkaq, në orën 15.30, znj. Nuland u takua me kryeministrin Edi Rama, në selinë e qeverisë.
Nga Presidenca dhe Kryeministria pritet të ketë në vijim një njoftim për shtypin mbi temat e diskutuara në këto takime.
Në fillim të turit rajonal, znj.Nuland mori pjesë në “Forumin Kroacia 2015”, në Dubrovnik, nga ku përcolli mesazhe të rëndësishme për Ballkanin.
Ndërsa të shtunën, znj. Nuland u ndal në Srebrenicë për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore për 20-vjetorin e masakrës së forcave serbe, të cilat vranë mbi tetë mijë burra myslimanë.
Turi vijoi të dielën në Kosovë e Shkup, ndërsa pas Tiranës, zyrtarja e DASH do të udhëtojë drejt vendeve të tjera të rajonit.(SH.K)

NJOFTIM NGA ZYRA E PRESIDENTIT
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë, Nën Sekretaren amerikane të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe ato Euroaziatike, zonjën Victoria Nuland, e cila shoqërohej në këtë takim nga Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane për Mbrojtjen, zonja Evelyn Farkas.
Biseda me zyrtaret amerikane, të cilat po zhvillojnë një vizitë në Shqipëri në kuadrin e një turi ballkanit, u përqendrua në çështjet e bashkëpunimit dypalësh dhe ato të sigurisë, zgjedhjet vendore, zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët.
Presidenti i Republikës përshëndeti vizitën në Shqipëri dhe rajon të zonjave Nuland dhe Farkas dhe shprehu mirënjohjen për vëmendjen e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj zhvillimeve në vendin tonë, duke theksuar se falë kësaj vëmendjeje, në Shqipëri po avancojnë çështje shumë principiale, që lidhen me reformat, forcimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe lirisë ekonomike të tregut.
Gjithashtu, Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen edhe për Partneritetit Strategjik të nënshkruar pak muaj më parë mes dy vendeve, duke e konsideruar atë një ngjarje tepër të rëndësishme dhe mundësi shumë të madhe për Shqipërinë.
Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu edhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për çështjet e sigurisë. Kreu i shtetit i siguroi zyrtaret amerikane se Shqipëria dhe shqiptarët do të vijojnë të kontribuojnë e të jenë një aleat i besuar i Shteteve të Bashkuara në në kuadrin e NATO-s dhe në përballimin e sfidave rajonale e globale të sigurisë. Duke u ndalur në paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kreu i Shtetit theksoi se “Prania dhe vëmendja e Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet jetike, pasi tentativat për destabilizimin e këtij rajoni mbetet një sfidë shumë serioze.”
Presidenti i Republikës theksoi se: “si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria është shumë e interesuar për të kontribuar për sigurinë e vendit dhe të Aleancës, por është gjithashtu e vëmendshme edhe për të respektuar standardet buxhetore të Aleancës”. Kreu i Shtetit garantoi se: “si President i Republikës ai do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm në buxhetimin e forcave të armatosura të Shqipërisë konform standardeve të NATO-s, pasi vetëm me një angazhim të përbashkët mund të përballohen sfida të përbashkëta”.
Presidenti Nishani shprehu një vlerësimin të veçantë edhe për kontributin e Shteteve të Bashkuara dhe misioneve amerikane si ICITAP dhe OPDAT, për ekspertizën e shkëlqyer që kanë sjellë në Shqipëri, por edhe të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për angazhimin e drejtpërdrejtë dhe inkurajimit që i kanë bërë reformës në drejtësi. Kreu i Shtetit theksoi se “reforma në drejtësi mbetet prioritet i prioriteteve tona dhe ajo duhet të jetë cilësore dhe premtuese. Ajo nuk mund të ndahet në politike dhe teknike, pasi sfida kryesore ka qenë gjithmonë e lidhur me procesin e implementimit të ligjeve e reformave, që është përgjegjësi dhe vullnet politik.”. Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës vlerësoi edhe pjesëmarrjen së fundmi të opozitës në komisionin parlamentar ad-hoc për reformën në drejtësi.
Gjatë takimit u bisedua edhe mbi zgjedhjet vendore në Shqipëri, ku Presidenti Nishani theksoi nevojën e leximit me përgjegjësi nga të gjithë aktorët politik të raportit të OSBE/ODIHR-it, për të evidentuar dhe adresuar problematikat reale. Dduke vlerësuar edhe angazhimin e Ambasadorit amerikan në Tiranë, Presidenti i Republikës evidentoi dekriminalizimin si një prej betejave reale të shoqërisë shqiptare. Kreu i Shtetit vuri në dukje se: “dekriminalizimi i politikës dhe institucioneve publike shqiptare mbetet një prej sfidave shumë e rëndësishme për vendin, pasi përfshirja e elementëve kriminalë në skenën politike dhe institucionet shqiptare përbën një kërcënim real për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare”.
Me interes u trajtuan edhe nevoja e bashkëpunimit me komunitetet lokale për parandalimin e shtrirjes së influencës nga ekstremizmi i dhunshëm dhe elementet terroriste. Presidenti Nishani evidentoi nismat e ndërmarra për të inkurajuar klerikët e lartë të vendit që të japin ndihmesën e tyre në këtë drejtim dhe forcuar bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë mes njerëzve.

Filed Under: Kronike Tagged With: Nuland, presidenti Nishani, Takimi

Ndihmës Sekretarja Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland:THEMELOJENI GJYKATEN SPECIALE!

July 13, 2015 by dgreca

Mustafa-Nuland: Kosova ka kapacitet për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj
PRISHTINË, 13 Korrik /ATSH-B. Jashari/.- Ndihmës Sekretarja Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, dje pasdite në Prishtinë zhvilloi takime të veçanta me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, Presidenten e Republikës Atifete Jahjaga, Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, Zëvendëskryeministrin e parë e Ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi dhe me Kryetarin e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland.
Kryeministri Isa Mustafa shprehu falënderimet e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se për këtë mbështetje të përhershme, Republika e Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse.
Kryeministri Mustafa po ashtu shprehu përkushtimin Qeverisë së Kosovës për fuqizimin mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës.
Komunikata e dërguar nga Kryeministria kosovare thekson se, gjatë takimit u bisedua për proceset aktuale në Kosovë dhe më gjerë. Kryeministri Mustafa dhe Ndihmës Sekretarja Amerikane Nuland biseduan për progresin që po arrihet në Kosovë, zhvillimet në rajon, proceset integruese rajonale dhe euroatlantike, si dhe për progresin në dialogun për normalizimin e relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Kryeministri Mustafa dhe Ndihmës Sekretarja Nuland biseduan edhe për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe rëndësinë e madhe që ka për Kosovën themelimi i tyre, pasi që kjo dëshmon se Kosova ka kapacitet për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj, për të përmbushur obligimet ndërkombëtare si dhe për të ecur përpara në integrimet euroatlantike. Në këtë kontekst, Kryeministri Mustafa theksoi se Republika e Kosova do t’i marrë të gjitha obligimet që ka dhe do të ecë sigurt në rrugën e saj drejt të ardhmes euroatlantike.
Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland edhe për hapat konkretë që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, vlerësoi progresin që po arrihet në Republikën e Kosovës, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.
Kosovë-Jahjaga në takim me Nuland: Pres që institucionet së shpejti të themelojnë Gjykatën Speciale
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim Ndihmës Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Victoria Nuland, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, përkushtimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit dhe të rendit dhe krijimin e Gjykatës Speciale, sfidat në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe përshpejtimin e procesit të integrimeve evropiane.
Njoftimi i dërguar nga Presidenca kosovare bën të ditur se, Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e vendit dhe qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe në veçanti në përmbushjen e obligimeve të marra ndërkombëtare dhe se pret që institucionet së shpejti të themelojnë Gjykatën Speciale për t’i adresuar akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës dhe për të shmangur që një hap i tillë të merret nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Duke folur për procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është e përkushtuar në këtë proces dhe kërkon zbatim konkret të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Ajo tha se shkalla e zbatimit të marrëveshjeve duhet të jetë kushtëzim për rrugën evropiane të Serbisë, e cila edhe më të tutje vazhdon të mbështes strukturat ilegale serbe në Kosovë.
Presidentja Jahjaga theksoi se konsolidimi ndërkombëtar i shtetit të Kosovës është i rëndësishëm dhe vlerësoi se rruga evropiane e saj, sikundër edhe i gjithë rajonit të Ballkanit duhet të jetë e qartë dhe e sigurt, për të mos lejuar ndikime të tjera të jashtme. Ajo tha se Kosova duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe njëlloj me shtetet e tjera të Ballkanit në procesin e integrimeve evropiane dhe theksoi përkushtimin e plotë të institucioneve të vendit në përmbushjen e të gjitha standardeve dhe kushteve në rrugën evropiane.
Nuland-Veseli:Kosova dhe lidershipi i saj politik të tregojnë mençuri
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, pati poashtu takim me Ndihmësen për çështje të Evropës dhe Azisë të sekretarit të shtetit, John Kerry, Victoria Nuland.
Kryetari Veseli falënderoi Nuland për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria amerikane është duke dhënë për Kosovën në avancimin e proceseve politike dhe ekonomike të saj.
Sipas njoftimit zyrtar nga Kuvendi, në takim u theksua nevoja e ecjes përpara të shtetit të Kosovës, në integrimet euroatlantike dhe për këtë Nuland ofroi mbështetjen e plotë të SHBA-së.
Po ashtu Nuland shprehu nevojën që shteti i Kosovës dhe lidershipi i saj politik të tregojnë mençuri dhe vendosmëri në ballafaqimin me sfidat integruese dhe zhvilluese të Kosovës, siç janë procesi i dialogut dhe gjykata speciale.
Duke u ndalur në këtë të fundit, Nuland theksoi se është e nevojshme që Kosova me vendosmëri ta mbyllë këtë kapitull në mënyrë që vendi të ecë përpara, ndërsa kryetari Veseli theksoi se Republika e Kosovës do të kapërcejë këtë sfidë me përgjegjësi shtetërore në partneritet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.
Në takim u bisedua edhe për çështjen e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si parakusht themelor për të ndërtuar një ambient më kredibil për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Nuland gjithashtu shprehu vlerësimet e Qeverisë amerikane për rolin shumë pozitiv dhe rezultativ që është duke dhënë shteti i Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe ideologjive të tij. Ajo siguroi se edhe në këtë rrafsh mbështetja amerikane për Kosovën do të jetë e plotë.
Thaçi: Kosova dhe SHBA-të kanë partneritet strategjik
Zëvendëskryeministri i parë e Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar:
“U takova me Zëvendës Sekretaren e Shtetit Victoria Nuland për të diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon përfshi procesin e dialogut në Bruksel, Forcat e Armatosura, krijimin e dhomave të veçanta si dhe zhvillimin ekonomik”.
“Kosova dhe SHBA-të kanë partneritet strategjik bazuar në vlera të përbashkëta”, ka shkruar Thaçi në ‘Facebook’.
Haradinaj: Mirënjohje dhe respekt për SHBA-të
Edhe Kryetari i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për takimin me Ndihmës Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Victoria Nuland, ka njofuar në mbrëmë në ‘Facebook’: “Sot, pata nderin të pres në takim, Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland.
Mirënjohje dhe respekt për punën dhe angazhimin e znj. Nuland. Mirënjohje dhe respekt për SHBA-të”, është shprhur ai.
Nuland intervistë për RTK-në: Më mirë themelojeni vet Gjykatën sesa OKB-ja
Ndihmës sekretarja e shtetit amerikan Victoria Nuland ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të zhgënjyer kur nuk janë votuar ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Spesiales.
Në një intervistë për RTK-në Nuland tha se themelimi i Gjykatës do ta ndihmojë edhe SHBA-në në mënyrë që Kosova të ecë përpara.
“Është shumë me rëndësi që të themelohet Gjykata dhe shpresoj se do të ketë edhe një votim tjetër për këtë para pushimeve verore”, ka thënë Nuland.
Ajo po ashtu ka thënë se nëse Kosova nuk e krijon vet Gjykatën, atë do ta bëjë OKB-ja dhe se marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare mund të vihen në pikëpyetje
“Ne nuk duam që të ndodhë kjo sepse ne duam që Kosova të ecë përpara me Evropën dhe me neve”, ka thënë Nuland.
Ajo ka folur edhe për korrupsionin si dhe dialogun me Serbinë.
Nuland tha se nëse Kosova dëshiron që të ketë investime nga jashtë atëherë duhet të luftohet korrupsioni.
Zyrtarja amerikane ka folur edhe për terrorizmin ku sipas saj Kosova ka marrë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.
Shtypi: Nuland merr premtime për themelimin e Speciales
“Nuland merr premtime për themelimin e Speciales”, është një nga kryetitujt e shtypit të sotëm të Prishtinës.
“Presidentja Jahjaga, kryeministri Mustafa dhe kryetari i Kuvendit, Veseli, i kanë premtuar ndihmëssekretares amerikane, Victoria Nuland, se Kosova do ta themelojë vetë Gjykatën Speciale”, thekson shtypi i sotëm kosovar.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Jahjaga, Mustafa, ne Prishtine, Ramushi, Thaci, vizita e Nuland

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3723
  • 3724
  • 3725
  • 3726
  • 3727
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT