• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NEXHAT HAKIU, POET I MANIFESTIT TË DASHURISË

June 22, 2015 by dgreca

nga MSC. Albert HABAZAJ/

Nexhat Hakiu mbahet mend si poet i ëmbël dhe njeri i ditur. Kur themi që Nexhat Hakiu është tërësisht poeti i dashurisë, kuptojmë që ai e zbërthente dashurinë me detaje shpirti si një sistem zinxhir në klasifikimin hierarkik të kësaj ndjenje universale, që thur ylberin më të bukur të botës njerëzore. Më të vjetrit në qytet kujtojnë lirikat e tij melodioze, (jo vetëm idilet e madrigalet) që vijnë si vijim i këndshëm nga këndvështrimi i tij artistik e shpirtëror i imazheve liriko – epike të princit të Principatës së Dashurisë, Ali Asllanit. Por përsëri, Nexhat Hakiu është zë i veçantë, sepse është zëri i tij, origjinal, me këngët e zambares si një simfoni pranvere. U lind në Vlorë më 20 qershor 1917 dhe vdiq më 18 qershor 1978. Njihet në letrat shqipe si poet dhe studiues, përkthyes dhe botues. Poezia e N. Hakiut është manifest në shërbim të dashurisë. Ai i përket brezit përparimtar të shkrimtarëve të viteve ’30 që kërkuan fjalën e lirë e u bënë zogjtë e fluturimit të saj në atë kohë të murme me vetëtima.

Emri i N. Hakiut në Bibliotekën Kombëtare, në kujtesën akademike dhe në memorien sociale: Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë janë regjistruar 15 botime që mbajnë firmën e Nexhat Hakiut, nga të cilat 11 tituj librash dhe 4 regjistrime bibliografike janë cikle me poezi të botuara në organet e e shtypit të përditshëm dhe periodik si suplimente apo në rubrikën e kulturës dhe letërsisë. Sipas rendit kronologjik ato janë: “Kangët e Zambares”, Tiranë : Shtypshkronja “Gutenberg”, 1939, autori në fletën e titullit është shënuar Nexhat Haki Mahmuti, libri ka 36 faqe; “Këndoj”, [poezi], Tiranë, 1958, 63 f.; “Zëri i fyellit” : vjersha Tiranë, “Naim Frashëri” 1959, 80 f.; “Fjala ime”, [poezi], Tiranë, “Naim Frashëri” 1961, 63 f. ; “Komente të zgjedhura : kl. V – XI”, Tiranë : Drejtoria e Studimeve dhe e Botimeve Shkollore, 1962, në serinë “Biblioteka e Mësuesit”, me 180 f., ku trajtohet letërsia shqipe, ajo botërore, si tekst për mësuesit dhe për shkollat 8 vjeçare të kohës; “Antologji e komentuar : klasa e V”, me 129 f. me serinë: “Biblioteka e Mësuesit”, Tiranë: Ministria e Arsimit dhe Kulturës, 1964, ku ka antologji të letërsisë shqipe me poezi dhe prozë, tekst për shkollat  8 – vjeçare; “Kënga e gjakut”, poezi, Tiranë, me 46 f.; “Një lule mbolla”, vjersha, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1973, me 44 faqe; “Copa letrare të komentuara në ndihmë të mësuesit : nga leximi letrar kl. 5 – 6”, përmbledhje (antologji) e përgatitur me përzgjedhje nga letërsia shqipe, si tekst për mësuesit), me 80 f., Tiranë: Instituti i Studimeve Pedagogjike, 1974; “Në garë me stinët” : poema, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1977, 38 f.  Dhe, me këtë libër të vogël me poema, e mbylli jetën e madhe poeti optimist i dashurisë, i cili ishte ai intelektuali që ia ngriti Vlorës ballin në lartësitë kombëtare të vlerësimit e të nderimit të meritueshëm. Një vit më vonë, Nexhat Hakiu mbylli sytë nga emfizema polmonare. Vetëm 61 vjeç. Iku qetësisht, pa u ndier. Dhjetë vjetë mbas ikjes së poetit tonë të ëmbël, Mësuesi i Popullit Kristaq Shtembari (1934 – 2007) do të bënte shkrimin “Homazh i vonuar për poetin Nexhat Hakiu”, ku, ndër të tjera, na njeh: “Veç miqve, shokëve, dashamirësve e nxënësve, njerëzve të dashur të familjes, askush nuk tha ndonjë njoftim për vdekjen e tij. “Për të s’ra asnjë kambanë”. Edhe revista “Nëntori” nr. 7, korrik 1978, që botoi vjershën e fundit të shkruar prej poetit nuk dha ndonjë njoftim. Historia e letërsisë dhe e artit njeh plot shembuj të tillë. Por ajo rezervon edhe vende në panteon për ata- siç shkruante poeti – “që duke u djegur vetë, të tjerëve u falin dritë dhe jetë”” . (Shih: Shtëmbari, Kristaq, “Udhëve të hapësirës letrare”- gjurmime, studime, kritika, Tiranë,Toena, 2002, f. 134). Duhej të kalonte një çerek shekulli e kusur (plot 27 vjet) heshtje, që poeti i dashurisë t’i thoshte lexuesit vlonjat dhe atij shqiptar: “Tungjatjeta dhe mirësejugjeta!” dhe ata, që aq shumë e kishin pritur, ta përshëndesnin gëzueshëm: ‘Tungjatjeta dhe mirësenaerdhe për fare!”. Është pikërisht viti 2005, kur Prof. Nasho Jorgaqi mbledh, redakton dhe boton në Tiranë librin antologjik “Këngët e Zamabares” me krijimtari të zgjedhur nga poezia, proza, kritika, interpretimi dhe menditaria e Nexhat Hakiut, me 431 faqe. Gjithashu, pjesë të zgjedhura poetike nga krijimtaria e tij janë botuar, përkatësisht: [Poezi] në “Rilindja demokratike”, Nr. 1156, 13 janar, 1996, f. 5; “Si u lidh, o kjo krushqi…”; “Nusja mbi govatë lante”, në “AKS”, Nr. 27, 8 korrik, 1995, f. 7;  “Pëshpëritje vjeshte; Madrigal; Vitit të Ri; Stinët e tua” në “Revista letrare”, Nr. 9, 1998, f. 37 – 41; “Nusja mbi govatë lante : poezi” në “Gazeta shqiptare”, (“Milosao”, suplement), Nr. 4948, 6 qershor, 2010, f. XI. Vetëm duke studiuar bibliografinë e botimeve të tij, kuptojmë kontributin e dukshëm të këtij intelektuali vlonjat, që na sjell imazhin e kallirit të grurit me kokrrën e plotë e të pjekur, i pabujë, i heshtur, punëshumë e punëdobishëm për arsimin, për kulturën, për letërsinë dhe qytetërimin shqiptar. Botimi i nivelit akademik “Historia e Letërsisë Shqiptare…”, 1983, kur merr në shqyrtim poetët e prozatorët e brezit të viteve 30 dhe letërsinë e tyre të rrymës së realizmit kritik zbërthen dhe mendimin e përparuar demokratik të kohës. Dhe në vijim: “Me disa përjashtime (Bulka, Spasse, Shuteriqi, V. Kokona, N. Hakiu) shumica e shkrimtarëve të rinj të viteve 30 nuk arriti të dilte me përmbledhje të  botuar në vëllime me vete. Në këtë mënyrë, krijimtaria letrare e këtyre autorëve mbeti e përhapur përgjithësisht nëpër organe të ndryshme shtypi ose nuk u botua”. (Shih: “Historia e Letërsisë Shqiptare që nga fillimet deri te LANÇ”, bot. i ASH së RPSSH, IGJL, Tiranë, 1983, f. 568). Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (FESH) kemi këtë informacion telegrafik: “HAKIU, Nexhat (1917- 1978). Poet dhe publicist. Lindi në Vlorë ku kreu dhe shkollën e mesme tregtare. U diplomua në Institutin e Lartë Teknik të Selanikut. Punoi si gazetar dhe mësues i letërsisë. Drejtoi gazetën “Bashkimi i Kombit” (1943-44) dhe është ndër themeluesit e “Revistës letrare” (1944). Debutoi në letërsi që në v.’30 me vëllimet poetike “Këngët e zumbares” (1939), “Këngë gjaku” (1944) dhe duke bashkëpunuar në shtypin e kohës. Pas çlirimit ka botuar përmbledhjet poetike “Këndoj” (1958), “Fjala ime” (1961), “Një lule mbolla” (1973) dhe “Në garë me stinët (1977). Poezitë e N.H përshkon nga notat lirike dhe fryma popullore”. (Shih: FESH, 3, ASHSH, Tiranë, 2009, f. 3033, zëri përgat.: Nasho Jorgaqi. Ndërkohë që Profesori ka vlerësim mirënjohës, sepse e nxorri nga hiri emrin poetik dhe intelektual të Nexhat Hakiut me botimin e krijimtarisë së tij të zgjedhur, duke dhënë mesazhin kohës së sotme, se Nexhat Hakiu me poezinë e tij më të mirë na paraqitet një poet i ngrohtë lirik, këngëtar i dashurisë, i botës dhe i natyrës shqiptare. Botimi i plotë i veprës së shkruar, që na ka lënë trashëgim ky njeri i dashur, i ëmbël, artist, virtuoz dhe njerëzor, do të jetë plotësimi i detyrës ndaj Njeriut që detyrat ndaj nesh dhe emancipimit letrar dhe kulturor të Shqipërisë i kreu korrektësisht. Shumë nga vjershërimet e tij mbahen mend përmendësh nga vlonjatët e vjetër, disa prej tyre dhe janë këngëzuar, sidomos ‘Banushja”, apo dhe të tjera që këndohen lehtësisht si: “Më more…”, “O moj lule!”,  “U bubu…”, “Trim, o trim…”, “Ku ta dijë e zeza grua”, ‘Bir, të keqen…”, “Ç’ka ky trim…” etj. Këto tekste qarkullonin gojë më gojë në mëhallat e në lagjet e qytetit dhe këndoheshin nga banorët, sidomos nga plakat apo dhe vashat e reja. Disa vjersha të tij, sidomos dy, ato me titull “Pëshpëritje vjershe” dhe “Kam një fjalë” djemtë (trimat e dashurisë) ua këndonin si serenada vajzave të bukura, sidomos netëve të ullinjta me kitarë e mandolinë, poshtë dritareve të së dashurave përkatëse të zemrave djaloshare, trimërore dhe për dashuri. Poezitë e tij të kënaqin me gjuhën e pastër, me vargun elegant, në stilin popullor, me fjalë të ëmbla, të dhembshura, të natyrshme, me melodi të ngrohta Vlore. Ja teksti i plotë i serenadës së parë: “Ja po piqet, mike rrushi/ Deg’ e pjeshkës më një thyhet,/ T’i ka zënë faqet pushi/ Edhe gjiri po të fryhet…/ Eja mike bashkë të bredhim,/ Erdhi koha që t’i mbledhim:/ Un’ i zgjedh, ti i këput/ Ca në dorë e ca në futë…/  Në se degat nuk arrin/ Do të kap, moj, mu në mes:/ Të të ngre, moj, mbi pëqin/ Me një zemër, me një shpresë./ Kokrrat fshehur nëpër fletë/ Hajt t’i mbledhim, më nuk rriten,/ Eja mike, se un’ vetë/ T’i këpus kam frik’ se vriten…!”. Lirika e Nexhat Hakiut vlerësohet shumë në Vlorë, mbas Kushtetutës Poetike që shpalli përjetësisht Ali Asllani. Ndjenjat, shqetësimet, dëshirat e përjetimet e tjera të poetit, që përbëjnë lirikën e natyrës, atë qytetare dhe dashurore të Hakiut rrjedhin, siç e përcakton kritiku dhe studiuesi Rinush Idrizi, “në psikologjinë e fizionominë e vlonjatit e vlonjates dhe nga kjo pikëpamje, ai është një biografi e vendlindjes së tij. Poet social, ai është njëkohësisht dhe poet i portreteve” (Shih: Hakiu, Nexhat, “Këngët e Zambares”, Tiranë, 2005, f. 408). Robert Elsie, teksa e trajton me poetë të tjerë të kohës para marrjes së pushtetit nga komunistët, në rrymat e letërsisë shqipe deri më 1944, pasi na jep profilin e V. Prennushit, L. Shantos, B. Palajt, Gj. Bubanit e A. Asllanit, shkruan: “Nga Vlora është poeti Nexhat Hakiu (1917-1978), i njohur edhe si Nexhat Haki Mahmudi, autor i një vëllimi me poezi të gjallë e spontane me titull “Këngët e zambares”, Tiranë 1939, një përmbledhje e ribotuar më pas me titullin “Zëri i fyellit”, Tiranë 1959. Më vonë, Hakiu, poezia e të cilit është me ndikim të fortë nga poezia gojore toske, botoi edhe vëllimin “Fjala ime”, Tiranë 1961, por pati sukses më pak” (Shih: Elsie, Robert: “Histori e Letërsisë Shqiptare”, Tiranë – Pejë, dukagjini, 1997, f.326). Dhe kur shkruan për vërshimin e realizmit socialist, për letërsinë shqiptare të pasluftës deri më 1961, krahas mjaft figurave të shquara intelektuale shqiptare që u arratisën nga vendi qysh vjeshëtn e 1944-ës, si Ernest Koliqi, Mehdi e Mid’hat Frashëri, Karl Gurakuqi, Branko Merxhani, Tajar Zavalani etj., studiuesi i huaj e përmend emrin e poetit Nexhat Hakiu ndër 25 shkrimtarë dhe intelektualë të tjerë, ndër ta Mitrush Kuteli, Petro Marko, Musine Kokalari, Andrea Varfi, Kudret Kokoshi, Mirash Ivanaj, Sejfulla Malëshova, Pashko Gjeçi, Jusuf Vrioni, Selman Riza, atë Donat Kurti, Dionis Bubani etj. që u arrestuan e u burgosën gjatë gjuetisë së shtrigave pas Luftës së Dytë Botërore [LDB]. (Shih: Elsie, Robert: vep. e cit., f. 377-378). Emri i Nexhat Hakiut dallon në zenitin kulturor të mesit të viteve tridhejtë, si një nga pikat më të larta për fuqizimin e kulturës së shkruar në Shqipërinë e asaj kohe. Nexhat Hakiu, së bashku me Mitrush Kutelin, Vedat Kokonën dhe Sterjo Spassen themeluan në 15 shkurt 1944 revistën e përdyjavshme “Revista letrare”, e cila edhe pse qe afatshkurtër u paraqit me një staturë serioze dhe pati ndikim më peshë në kulturën shqiptare gjatë jetës së saj të shkurtër nëpër stuhi lufte. Studiuesi kosovar Isak Shema, gjatë trajtimit që i bën monografisë së Ilinden Spasses “Im atë, Sterjo!: përmes arkivit vetiak”, (me kujtime e biografi në formë letrare), Tiranë, 1995, ndër të tjera  shkruan: “Katër shkrimtarë dhe miq të pandarë: Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Nexhat Hakiu dhe Sterjo Spasse, më 13 shkurt 1944 botuan numrin e parë të “Revistës letrare”. “Revista është themeluar nga katër të rinj…që patën kujdes të madh të vinin emrat e tyre në majë të fletushkës, nga frika se mos nuk binin mirë në sytë e leçitësit…”. Më 1944 doli nga shtypi edhe përmbledhja e novelave “Nusja pa duvak”, në të cilën, në mënyrë realiste është trajtuar tema sociale. Në rrethanat e ashpërsuara të zhvillimit ëtë luftës, Sterjo, si edhe disa shkrimtarë të tjerë, bashkëpunonin me “Revistën letrare”. Ajo ishte gëzimi dhe shqetësimi i tyre. Pas botimit të trembëdhjetë numrave, revista u ndërpre së botuari, sepse bëhej presion i madh ndaj anëtarëve të redaksisë. Nexhat Hakiu ishte në rrezik, sepse ndiqej në çdo hap. Mitrush Kuteli kishte ikur, sepse edhe ai ndiqej nga oficerët gjermanë, “për ta arrestuar për sabotimin e emisionit të monedhës së re kombëtare”. Nonda Bulka ishte…”. (Shih: Shema, Isak: “Vlerësime të Letërsisë Shqiptare”, Orishtinë, Rilindja, 1996, f. 103). Ky informacion, të nderuar lexues të gazetës sonë “Dielli” nuk ka nevojë për koment. Ai flet vetë. Nga ne vetëm duhet drejtkuptuar. Dhe më tej Profesor Shema vë në dukje: “Mbas luftës Sterjo takohet përsëri me shokët e tij në “Kasollen e xha Tomit” me fjalët “Fitore dhe Paqe”; “…u përshëndetën…Nexhati, Mitrushi, Nonda, Vedati, Petro Marko, Andrea Varfi, Manol Konomi, Peter Elezi, Mustafa Greblleshi, çunaku më i ri etj.” (Shih: Shema, Isak: vep. e cit., f.104). Më 1979 Sterjo u nda përgjithmonë nga dy shokët e tij të dashur: më 19 qershor vdiq Nexhat Hakiu [18.06. 1978- shën. im: A.H] dhe më 1 tetor Petër Elezi [1903-1979. P. E. qe veprimtar i arsimit kombëtar, autor tekstesh mësimor, gjurmues i folkorit dhe studiues i etnografisë shqiptare. Atje ku lindi, prehet, në Shelcan, Shpat të Elbasanit – shën. im: A. H] Pikëllimin e thellë Sterjo e ka shfaqur edhe në kujtimet që ka lënë në dorëshkrim”.  (Po aty, f.112). Qoftë dhe nga kjo paraqitje fragmentare, kuptojmë që ata burra të lartë e të pashëm edhe nga bota e brendshme, i lidhte diçka më e madhe në Bërthamën e Molekulës së Kulturës Shqiptare: Dashuria për jetën, për atdheun, për diturinë dhe përparimin, humanizmi m edritë të ngrohtë. Ata ishin altruistë, idealist, dritanë të dijes. Ishin Njerëz. Ishin Artistë. Nexhat Hakiu ka kontribute edhe për bibliografinë e veprave dhe të studimeve të historisë së letërsisë, që është vertët e pasur. Siç theksojnë edhe studiuesit, kronologjia e hartimit dhe e botimit të doracakëve, e teksteve shkolloree universitare dhe e historive të letërsisë shqiptare, paraqet më së miri zigzaget e zhvillimit të historisë së letërsisë gjatë shekujve XIX dhe XX. Ecim në kohë dhe vijmë në LDB, për ngjarjet letrare- arsimore- kulturore që ndodhën. Nën kujdesin e Ernest Koliqit dhe Namik Resulit, në Tiranë, më 1941, doli nga shtypi “Shkrimtarët shqiptarë I” (1462-1878), dedikuar klasës së tretë e të katërt të kursit të lartë të shkollave të mesme. Bashkëautorë të këtij vëllimi kanë qenë: Aleksandër Xhuvani, Filip Fishta, Justin Rrota, Karl Gurakuqi, Lumo Skëndo, Namik Resuli, Rosalin Petrotta, Simon Shuteriqi dhe Zef Valentini. Pasqyra e historisë së letërsisë shqiptare që nga viti 1878-1943 është përfshirë në pjesën e dytë “Shkrimtarët shqiptarë”, 1943. Bashkëpunues të vëllimit të dytë janë Aleksandër Xhuvani, Andon Fashëri, Filip Fishta, Gjon Kasmi, Henrik Laçej, Justin Rrota, Karl Gurakuqi, Namik Resuli, Nexhat Haki, Rosalin Petrotta, Stefan Shundi, Sterjo Spasse, Vedat Kokona dhe Zef Valentini. “Një poet që mbeti deri në fund poet- e cilëson studiuesi Jorgaqi Nexhat Hakiun. Lirik në shpir, lirik në këngët që këndoi. Nga mesi i viteve 30, që mund të quhet vërtet kohë e artë për për shpërthimin dhe lulëzimin e letërsisë artistike shqiptare, edhe N. Hakiu e nisi rrugën e vjersëhrimit me një grup vjershëtorët të rinj, që hodhën hapat e parë nën ndikimin marramendës të poezisë së L. Poradecit. Të gjithë pothuaj u bënë lasgushianë, epigonë e tij të tij dhe askush nuk arriti të krijojë individualitetin e vet. Epigoni (fjalë me burim nga greqishtja – epigonos – i lindur vonë) quhet në mënyrë përbuzëse ai që ndjek dhe imiton verbërisht një shkrimtar të njohur pararendës, përsërit në mënyrë mekanieidetë dhe mjetet e tij artistike. N. Hakiu nuk u bë epigon as i Lasgushit, as i Ali Asllanit, pati ndikim nga ata, por asnjëherë nuk i imitoi. Sa qe gjallë këndoi me zërin e tij nëpër blerimet e ëmbla të lirikave intime, të florës, të faunës, të fshatit, të qytetit. Edhe këngë liriko – epike bëri ai. Këndoi këngë atdhetare që u pëlqyen nga njerëzit. Qe i vetmi ndër shokët e grupmoshës së tij që fitoi emër në poezinë shqipe të kohës me zërin e tij norigjinal. Të paktët moshatarë me shekullin në Vlorë, Petrit Velaj dhe Shaban Xhyheri e kujtojnë me mallëngjim dhe nderim “Kingun e Tregtares”, që bashkë me Sh. Musarajn, P. Markon e A. Varfin, më pas, u bënë katër shkrimtarët e Vlorës me djep formimi të përbashkët Shkollën Tregtare të Ujit të Ftohtë. Pas studimeve të larta në Institutin Teknik të Selanikut, N. Hakiu punoi si gazetar e më von si mësues i shkëlqyer i letërsisë në shkollat e Tiranës. U bë bashkëpunëtor i rregullt i organeve letraro- kulturore të kohës: “Bota e re”, “Illyria”, “Përpjekja shqiptare” etj. Në vitet ’40 drejtoi revistën “Shkëndija” dhe gazetën “Bashkimi i Kombit”. Përmbledhja e tij e parë me poezi “Këngët e zambares” 1939 vlerësohet si më e mira artistikisht. Libri me poema “Kënga e gjakut”, 1944 erdhi si një frymë antifashiste në formë artistike. Mbas çlirimit botoi disa thërrime letrare. Ai do t’i paguante kështu haraç të pamerituar një kohe në të cilën nuk u rreshtua asnjëherë si këngëtar i saj i vërtetë i angazhuar, i përkushtuar dhe militant, sikurse ishin disa autorë minorë bashkëkohës dhe “patriotë” të tij (me origjinë nga Vlora e Himara). Shpesh herë në Vlorë poezive të tij u thonë këngë e disa prej tyre marrin trajtën e romancave dashurore. Kënga e N. Hakiut frymëzohete buron në radhë të parë nga gazet e dertet e fshatit, të agjes , të mëhallës, të rrugicës, nga jeta zakonore. Ajo gurgullon si poezi e mirëfilltë dhe e pastër rustike (fshatare), plot kolorit e frymë fshatarake, brend asë cilës gjallojnë personazhe dhe ndihen shqetësime të kohës. Poeti shfrytëzoi në mënyrë krijuese modelet e lirikës popullore, sidomos të këngëve lirike të Labërisë. Disa nga vjershat e tij më të bukura morën trajtën e idileve (poemtha dashuror me subjekt baritor e fusharak ku paraqiten në mënyrë të idealizuar tablo e ngjarje nga jeta e njerëzve të thjeshtë që rrojnë në gjirin e natyrës, sidomos nga jeta e barinjve, mes fluturimesh romantike – shën. im: A.H). Idilet e Hakiut janë si llokume të spërkatura në lëng portokalli dhe pëlqehen edhe sot, fakt që tregon se i kanë qëndruar kohës, të rreptës kohë, e cila s’pyet për miq, por vetëm për vlera. Vjershat e tij të bëjnë për vete e të rrëmbejnë me hovet lirike dhe situatat psikologjike, me tonet optimiste dhe reflekset e gjalla njerëzore. Të gjitha këto përcillen me një shprehje spontane, varg të harmonishëm e gjuhë të rrjedhshme, që i bëjnë të denja për çdo antologji të poezisë shqipe. Sa qe gjallë e në këmbë, ai mblodhi, zgjodhi, përgatiti, përpiloi, pajisi me shënime e botoi autorët e shquar pararendës. Tradita duhet ta vijojë fisnikërisht stafetën. Kritikët, studiuesit e poetët e sotëm duhet të bëjnë me Nexhat Hakiun atë që ai bëri me Ali Asllanin. Vetëm kështu shkon haka tek i zoti, siç na kujton fjala e urtë. Edhe pse ai qe mendimtar i lartë e përkthyes i mirënjohur, edhe pse pena të spikatura të kritikës letrare shqiptare e klasifikojnë si njërin prej këngëtarëve më lirikë të poezisë shqipe në kapërcyell të shekullit XX, gjykoj se poezia e N. Hakiut nuk është majë, kodër është, një ndër kodrat e shumta të letrave shqipe, që duket në horizont që tej. Ai është një individualitet artistik i pakontestueshëm, por poet mesatar është Nexhat Hakiu. As vetë poeti ynë nuk do t’i duronte këto lëvdata që kërcasin, se s’i ka patur kurrë qejf fryrjet si kokoshi i vitit të ri. Po seç m’u kujtua biseda e famshme e Johann Peter Eckermann me gjeniun Johann Wolfgang von Goethe, kur Gëte, midis të tjerash, i thotë Ekermanit, se ai njeri që njeh nga letërsia gjermane vetëm tre-katër shkrimtarë të shquar të këtij kombi nuk ka aspak dijeni të plota për këtë letërsi. Dhe më tejpohon mendimin: “Në doni të jeni të drejtë, t’i jepni cilitdo vendin dhe vlerën që meriton, duhet më përpara të njihni mirë letërsinë tonë mesatare, që nuk është punë e paktë”. Ndaj m’u shpalos në kujtesë ky mendim i vyer i Gëtes, teksa po shkruaja këto radhë paharrimi për Nexhat Hakiun, që na ka dhuruar gjithë këto lule artistike të pavdekshme me “Këngët e zambares”, antologji e përzgjedhur nga krijimtaria e tij e paraçlirimit. Fillimet e botimeve të vjershave të para datojnë: “Trëndafili dhe konxhja” më 22 shkurt 1934 “Poetit dhe bilbilit”, 12 gusht 1934, “Çerdhe e shqipes më 28 Nëndor!” dhe “Mike t’iku lumturia” të dyja botuar më 28.11. 1934 dhe të gjitha sa shkruan në “Kuvendi kombëtar”. Gjatë vitit 1935 ka dhe dy vjersha botuar në “Kuvendi kombëtar”: “Fytyra jote!” më 10 maj dhe vjershën humoristike “Agaj qan hallet”, po aty më 11qershor 1935. Edhe pse në rrafshin patriotik më pak poezi ka shkruar, ato janë të mbushura me zjarrin e dashurisë si rilindasit për Shqipërsinë, me vargje origjinale, që i burojnë natyrshëm e pa sforco figuracioniste: “Er’ e ditës shkoi, fryn flladi atdhetar…/ Dhe në zemrën e arbneshkës futet plot me dashuri”. Vijon me vjershën tjetër patriotike “Si bien dëshmor burrat”, botuar te “Populli”, 8 tetor 1935, me lirikën e dhembshme e të gjatë “Shegertit”, “Illyria”, 2 nëntor 1935, me “Epopeja Kombëtare (1443-1912), i kushtohet kujtimit të Naim Frashërit”, botuar te “Populli” 28 Nnëtor 1935, që vjen si  “një psherëtimë djalërie për KOSOV’ E ÇAMËRINË”; me dy vjersha të tjera “Plakut të Njëzetetetës”, botuar te “Illyria” më 28 Nëntor 1935 dhe “Rrapo qorrit…” po aty më 1shkurt 1936. Më tej autori boton te “Bota e re” nga ku do të veçoja “Vallja e kohës” dhe tingëllimën “Djepit”, kur dimë që tingëllimën apo sonetin pak autorë shqiptarë e kanë lëvruar si L. De Martino, Z. Serembe, E. Koliqi, me kryemajë Mjedën  poemat sonetike “Lissus”, “Scodra”, e  “Lirija”. Është peshë e rëndë artistike dhe teknikisht kërkon mjeshtëri të lartë soneti, se pastaj i qorton keq krijuesit Francesco Petrarca e William Shakespeare. N. Hakiu ka guxuar duke lënë një gjurmë të bukur e ndjesore të virgjër në shportën e paktë me yje tingëllimash shqiptare. Në vijim të krijimtarisë së tij poetike autor boton tek “Përpjekja shqiptare”, “Kombi”, përsëri te “Bota e Re”, te “Jeta e re”, “Diana”, “Shkëndija”, “Shkolla shqiptare”, “Vatra shqiptare”dhe “Revista letrare”. Është një vjerëshëz e ëmbël, qaj e qesh e qesh e qaj:  “Vaj -me det çobankë, vaj! (në kadencë popullore)”që nuk duhet komentuar. Duhet shijuar po aq ëmbëlsisht sa ç’e ka thurur autori në hojet e shpirtit të zjarrtë romantik e sentimental. Na vjen çudi se asnjë studiues nuk e ka vështruar këtë poezi dhembshurisht të zjarrtë. Do ta sjellim siç e ka shkruar në original, sepse duke respektuar parimin fonetik, kuptojmë frymën popullore të autorit dhe burimin e frymëzimit të krijimit. Vjersha na vjen si një melodie ngrohtë Jugu. Edhe dhembje, edhe mall, edhe dert, edhe gaz, edhe gjëmë, edhe fat: “Vaj- medet, çobankë, vaj!/ Qaj, çobankë e vogël, qaj/ Se kasollja ty t’u doq/ Se manarja ty t’u poq,/ Qaj çobankë, q ëtë qaj/ Se kjo bota qënka vaj!/ Moj e gjor’, çobankë e gjorë,/ Mbete moj me krrab’ në dorë/ T’iku syska me këmborë,/ Vaj- medet, çobankë, vaj!/ Qaj, çobankë e vogël, qaj/ Se kjo bota qënka vaj!/ Kú- kú- kú, çobanë kú,/ Bú-bú stani seç t’u doq/ Pú-pú nëna seç t’u poq,/ Bú-bú-ú, çobankë, bú,/ Ku je ti, çobankë ku,/ Mbete qyqe dhe kërcu!/….Há-há-há, çobankë, há/ Qesh, çobankë e vogël, qesh/ Se ky trimi të pru desh,/ Qesh, çobankë, qesh, mos qaj,/ bota qënka gas e vaj/ Qesh, çobank’, që të mos qaj!”. Përdorimi i onomatopesë për të krijuar harmoninë imituese i jep forcë shprehëse vargut dhe ndez emocione mbresëlënëse. Kontributi i N. Hakiut, përveç se si poet, shfaqet edhe në kritikë, studime e gazetari letrare, në mësuesi, në shërbim të arsimit kombëtar dhe në fushën e vështrirë të përkthimeve. Nuk do të zgjatem shumë në prozën e tij, që e ka brilante dhe na duket sikur flet me shumë elokuencë, por dua të theksoj se N. Hakiu ka një skicë të veçantë “Shamisë”, që ai e quan vjershë në prozë. “Fshi lotët e mos u gris, moj shami!- shkruan autori në mbyllje të kësaj proze kaq të gjallë, që duket se ecën kundër rrymës, duke i thurur himn shaminë, kur dihet se kujt i kushtohen himnet, ato këngë solemne…Në një trajtë tjetër, vjershanë prozë “Shamisë” e N. Hakiut më bën të heq një paralele  të largët me prozën poetike të Gorkit “Kënga e Zgalemit”:  “…Mbi të thinjtin shesh të detit, era fryn e mblidhen retë…” (Megjithëse këto krijime të Gorkit janë vigane, të papërsëritshme, të paarritshme). Pena e mendjes së Nexhat Hakiut ka bërë edhe përkthime dinjitoze, duke na sjellë në shqip poezinë “Kau” të Giosuè Carduccit (nobelist i vitit 1906), novelën “Shkallët e lumit” të nobelistit indian Rabindranath Tagore, (1913) “Formaliteti” të Luigi Pirandelos (nobelisti italian i vitit 1934), prozën “Stania” të shkrimtares italaine Ada Negri, “Dialogu i fisnikërsië” nga Giuseppe Parinio, si dhe poezinë e Petrarkës “Kajsia” me një koment për këtë vjershëtë vogël me katër strofa katërvargjëshe, nëntërrokëshe,  me rimë të kryqëzuar ABAB, krijuar nga një prej më të mëdhenjve të Rilindjes Europiane, Francesco Petrarca. Me vlera është dhe mendimi kritik i N. Hakiut për veprën “Folkor shqiptar”, vëll.I me autor Stavro Th. Frashëri, për librin me poema “Ngjyra të jetës”, shkruar nga Skënder Arrëza, studimin e gjatë dhe të arrirë “Naimi si poet i dashurisë”, “Shkrimtarët dhe populli”, “Libra që duhet”, “Shkrimtarët, frymëzimi dhe origjinaliteti”, sidomos “shkrimi “Talentet femërore”, me rastin e librit “Rreth vatrës” të Musine Kokalarit, botuar me pseudonimin Ali Dervella në “Bashkimi I Kombit” më 9 korrik 1944. Vlera të veçanta studimore përbëjnë punimi i gjatë “Komedia hyjnore – Ferri”. Ato nuk janë dy fjalë për përkthyesin e talentuar Pashko Gjeçi të kryeveprës së madhështorit Dante Aligeri; ato janë një skaner i plotë i kritikës letrare shumë i nevojshëm sidomos për brezate sotëm, sepse punime të tilla i ka zënë pluhuri i harresës egoiste të gjithologëve të shqyer që kemi në qarkullim. Unë kujtoj. Po kështu, një artikull i goditur, serioz dhe i punuar me përgjegjësi profesionale është “Natyra në poemën “Milosao”, që, si duket, aq shumë i shkon për shtat dhe natyrës së tij poetike, të dashuruar aq fort me natyrën shqiptare. Shkrimi “Poezi të zgjedhura (vëllim nga Ali Asllani)” u botua në revistën “Nëntori”, nr. 7, 1974, pas botimit antologjik të lirikut të madh vlonjat. Artikullshkruesi thekson se me krijimtarinë e Ali Asllanit letërsia shqiptare mori tipare të reja dhe e vlerson fuqinë poetike të tij, q ëka ditur të transfigurojë realitetin me një veshje artistike, me frymë popullore dhe kolorit shqiptar. Na tërheq vëmendjen vëmendjen largpamësia, dhe vizioni i Nexhat Hakiut, kur shkruan, ndër të tjera në revistën “Shkëndija”, nr. 2, gusht 1949: Pasi të kemi formuar SHKOLLËN FOLKORISTIKE SHQIPTARE, atëhere jemi të pregatitur edhe për agime të reja të Muzës së huaj, e cila do të na zgjerojë horizontin e ndjenjave e të mendimeve dhe do të na bëjë të kuptojmë shpirtin  e botës” (Shih: Hakiu Nexhat: “Këngët e Zambares”, Tiranë, 2005, f.300). Për veprën e N. Hakiut kanë shkruar Jani Lili, (Malseni) [1939], Qemal Draçini, [1940], Mario Skanjeti, [1942], Dr. Kolë Ashta [1943], H.H (iniciale vetëm) [1944]…heshtje, heshtje dhe Rinush Idrizi [1993], Nasho Jorgaqi [1995], Tarik Llagani [1996], Perikli Jorgoni[1996], Kristaq Shtembari[1998], Albert Habazaj [2007] dhe Hiqmet Meçaj [2009]. Ai bëri shumë për ne. Ne pse kaq pak për të?! Më kujtohet një natë magjike detare e 28 Gushtit 2006. Me të paharruarit Koçi Petritin e Kristaq Shtëmbari. Poeti, kritiku dhe mikpritësi. Sot e kujtoj si ëndërr. Ruaj në shtëpi edhe fotografi dhe kemi një kujtim të bukur, të papërsëritshëm: E gdhimë thuajse tërë natën me yje duke folur me zjarr e respekt për letërsinë, sidomos për korifejtë e traditës nga Vlora. Ju vlonjatët duhet ta mbani kokën lart, sipër te Çika, sidomos me shkrimtarët që keni nxjerrë: Ali Asllanin, Petro Markon, Nexhat Hakiun… Ju, ose s’i njhni, ose s’doni t’i njihni, ose s’dini t’i njihni. Vetëm Nexhat Hakiu është një ajsberg. Poezitë e Nexhat Hakiut, fliste me zjarr Profesor Kristaqi jan ësi buqeta lulesh shumë ngjyrëshe dhe erëmira, që të japin kënaqësi me freskinë dhe njomësinë e tyre. Vokacionet e vjershërimit të atij vlonjati dallohen që përtej nga ëmëblsia, natyrshmëria e ndjeshmëria emocionale që na përcjellin ne si lexues. Po të lexojmë, më mirë të këndojmë “Këngët e zambares” na duket se n ashfaqet parasyve një tablo sie punuar me akuarel, që na ngjallimazhet për natyrën dhe njeriun e thjeshtë. Dhe biseda mori zjarr nga mirësia e ëmbël e profesor Koçiut apo dhe detajet që dija unë. Dhe  pimë raki rrushi shoqëruar me meze sinqeriteti. E mali na hidhte fllad. E deti na niste valë. Formohej një iso e magjishme sikur dilte nga Epi i Gilgameshit, nga Këngët e Kreshnikëve apo Labërishtja shumëzërëshe, e shtruar labçe, vënçe, himarioçe, që pastaj ndizet e s’ka zjarrfikëse ta shuaj… Në fakt ajo harmoni krijohej nga Akrokeraunet pellazgjiko-ilirike, që janë, ja këtu, sipër, mbi ballë të Vlorës. Me nderim u këndon edhe Homeri vargmaleve të Vetëtimës – Akrokerauneve… E…

Dy fjalë për vëllimin me poezi të zgjedhura “Këngët e zambares” të Nexhat Hakiut: Më kujtohet, ka qenë mesdita e së martës së datës 21 mars 2006, kur në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj” të Vlorës me forcat krijuese të qytetit  përuruam botimin e veprës së zgjedhur të poetit Nexhat Hakiu, i cili, ka qenë edhe një nga themeluesit e Bibliotekës së qytetit të Vlorës. Diskutuam për krijimtarinë e zgjedhur të poetit të ëmbël të Vlorës, mbledhur dhe redaktuar nga Prof. Nasho Jorgaqi, botuar në librin me titull “Këngët e Zamabres”. Edhe unë mbajta një kumtesë të shkurtër, në të cilën i quajta poezitë e Nexhat Hakiut Manifest në Shërbim të Dashurisë. Sot kujtoj, se pikërisht dje Nexhat Hakiu kishte 98 vjetorin e lindjes, ndërkohë që pikërisht në qershor, data 18, 37 vjet më parë, iku të prehet në heshtjen hyjnore 61 – vjecari i përjetshëm Nexhat Haki Mahmudi. Fatmirësia jonë është sot ky nderim i merituar që i bëjmë një pinjolli të kulturës kombëtare, që shkëlqeu për mendimin e tij brilant, human e të emancipuar. Emri i Nexhat Hakiut i bën mirë Vlorës në ballafaqimin që vendlindja e tij dhe e jona bën me djepet e tjera qytetare të Atdheut, siç janë për kohën:  Korça, Elbasani, Shkodra, Gjirokastra etj. Vepra e Nexhat Hakiut është një manifest bukurisht origjinal i lirikës dashurore vlonjate, ku ai shpall mesazhet, synimet poetike, shenjtërimin shpirtëror të vargut të lulëzuar, vlerat artistike, estetike, etike dhe humane të krijimtarisë së tij që  e ngrenë veprën e këtij dashnori të penës së ëmbël në nivel kombëtar. Ne jemi me fat që kemi në dorë veprën e tij të zgjedhur me emrin kuptimplotë e të veçantë, labëror: “Këngët e zambares”. Liriku ynë mendjehollë qe me fat, se pati profesor Ernest Koliqin dhe Skënder Luarasin, të birin e Petro Ninit. Përsëri qe me fat sepse nuk e shpërdoroi këtë mundësi që iu dha. Ai shfaqet si një zë i dëgjuar në vitet ’30 dhe gjysmën e parë të viteve ’40 në shekullin e kaluar. Bashkëkohës i Petro Markos, Migjenit, Musarajt, Shuteriqit, Andrea Varfit, Branko Merxhanit, Krist Malokit, Nonda Bulkës, Vedat Kokonës, Sterjo Spasses, Lumo Skëndos, etj., ai bëhet krijues i angazhuar i këtij ansambli të zgjedhur dijetarësh. Shfaqet në disa plane me talentin e tij mendimtar.Veçojmë katër: I) Poezinë me sheqer për ndjenjën e hollë dashurinë dhe vargjet me kripë për ndjenjën e lartë, atdhetarizmin. II) Prozën e këndshme me skica, tregime e novelëza sentimentale. III) Mendimin kritik të vyer e të emancipuar si dhe IV (përkthimet dinjitoze që u ka bërë F. Petrarkës së madh, Pirandelos e Cardduccit, Giusepe Parinios e Ada Negrit,Tagores së papërsëritshëm të Indisë e mjaft penave të shquara të letërsisë botërore. Ai qe studiues e mësues i talentuar, një pedagog i klasit të lartë për t’u marrë shembull, sidomos me botimet e tij pedagogjike. Por së pari e mbi të gjitha ai qe poeti, liriku. Tok me Lasgushin, Ali Asllanin, Mitrush Kutelin çelën shkollën letrare të kohës me individualitete. Të veçantë, origjinalë, të talentuar. Me “Këngët e Zambares” ai shfaqet si emblemë lirike e Vlorës epike, sepse e ka spërkatur me sherbet trëndafili vendlindjen e bëmave të mëdha. Nexhat Hakiu është autor antologjik. Këtë e them me plot gojën, sepse emrin e tij e kam lexuar dhe te “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” dhe tek “Histori e letërsisë shqiptare” të Robert Elsie: Nexhat Hakiu (3.12.1917 – 8. 6. 1968). Poet i lidhur shumë me frymëzimin popullor; poezia e tij është freskët, ka botuar këto vëllime me poezi “Këngët e Zambares”, Tiranë 1939; “Zëri i fyellit”, Tiranë 1959; “Fjala ime”, Tiranë 1961. Bashkë me M. Kutelin, S. Spassen dhe V. Kokonën ka botuar “Revistën Letrare” që në shkurt 1994. Ka punuar si gazetar dhe arsimtar. Figurë kryesore në letrat shqiptare, antar themelues i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, së ngritur më 07. 10. 1945 nën drejtimin e Sejfulla Malëshovës, pati ndikim me peshë në kulturën e kohës. Poezia e tij e gjallë, spontane është e guximshme në vërtetësinë e shijshme me të cilën këndon autori. Duke kënduar me melodinë e këngëve  popullore qytetare vlonjate, të shtatë strofat e “Banushes”, që s’donim të mbaronin kurrë as atë  natë vere të grohtë të gushtit  2005, kur profesor Kristaq Shtëmbari vinte për herë të parë mik në shtëpinë  time, në Ujë të Ftohtë. Duke biseduar në ballkon, ai më tha: “More, Berti! Jo vetëm “Banushja” po gjithë “Këngët e zambares” të vlonjatit tuaj dhe mikut tim janë me yndyrë. Poezi me yndyre të shëndetshme dhe të freskëta si ëndrrat e çupave labe, vargje ilaçi që të bëjnë mirë t’i dish e t’i këndosh”. Dhe unë mendoja gëzueshëm: “Lumthi ti, o xha Nexhat, që t’i ka mësuar përmendesh vjershat Vlora. Lum si ti që ike si një stuhi dashurie e vjen sot si mal i trishtuar me profil të ndezur lirik. Dritë paç ku prehesh mbuluar me ëndrra! “Nëno shpirti, nëno xhani/ M’u zvogëlua xhamadani/ Edhe linja m’u shkurtua/ Nëno gazi sa të dua!/ Mu fry gjiri, shpejt u zgjata,/ Po më ndjek një trim nga prapa/ Po më ndjek se u zu malli/ Për gërshetat vijë mali./ …E kur në shtëpi po via/ Prap-Banushe! – thirri trimi/ M’u te brodha ra shamia/ Ra dhe shtëma nga nxitimi!…”. Ja vargje të tilla mbushur me mjalt dashurie këndon Vlora dhe Labëria jonë nëpër dasma e gëzime dhe nuk harrojmë asnjëherë që është pikërisht Nexhat Hakiu majaja e këtye brilantinave që bota e qeshur e gëzimit i shikon me një zili të admirueshme.

Ne Foto:Drejtuesit e Revistes: Nexhat Hakiu, Sterjo Spase, Vedat Kokona dhe Mitrush Kuteli

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Habazaj, Nexhat Hakiu, poet i dashurise

Në kujtim të poetit dhe krijuesit poliedrik Gani Xhafolli

June 22, 2015 by dgreca

Krijuesi ynë i mirënjohur i letrave shqipe,u lind më 1945 në fshatin Drenovc afër Prishtinës dhe vdiq më 16 qershor 2015, në kryeqytetin e Kosovës së lirë. Babain thuhet se ia kishin vrarë që para lindjes së tij, në vitet më të furishme luftës, kohë në të cilën sikur bëheshin gara se kush do të shfaroste më shumë shqiptar, komunistët shqipfolës, apo ata serbo-jugosllav.

Atëbotë, tymi dhe baroti i luftërave, ende ngrinin lartë shumë mjegull, frikë e trishtim, jo vetëm në shpirtrat e shqiptarëve të terrorizuar shumëfish, por edhe në sytë e Ganiut të sapolindur, ndaj pothuajse ishte e pamundur të kuptohej, ngase qanin sytë e tij më shumë, nga vuajtja për vrasjen e babait, apo tronditjet terrorizuese të pushtuesve sllavë ,që asokohe ende tmerronin, pareshtur familjet e pafajshme shqiptare.

Por, edhe përkundër vuajtjeve dhe peripecive të jetës së një jetimi, të rritur pa prind, ky krijues, pas burrërimit të tij, përveç se punoi një kohë bukur të gjatë si redaktor i programit për fëmijë, në Televizionin e atëhershëm të Prishtinës dhe drejtoi revistën me emrin e bukur “Zanore”, ai u bë edhe njëri nga shkrimtarët më të dashur për fëmijë dhe të rritur, kreativiteti i të cilit pothuajse gjithmonë ishte i pranishëm në çdo eveniment institucional dhe zhvillim kulturor, ku la gjurmë të pashlyeshme.

Ndaj, ndarja nga jeta e Gani Xhafollit, është një humbje e rëndë sidomos për fëmijët, me të cilët poeti ishte aq i miqësuar, dhe tani e tutje, vetëm përmes veprave ,do të bashkëjetojë me ta përjetësisht.

Ai ,jo vetëm se ishte një poet kombëtar dhe ndërkombëtar ,vepra e çmuar letrare e të cilit u përkthye edhe në gjuhët frënge e gjermane, por njihet edhe si piktor i mirë që vlerësonte maksimalisht krijimet e tij, dhe mbetej me bindje të pa lëkundur, për vlerësimin meritor të tyre, në të ardhmen.

Rasti më i freskët mbetet ekspozita e hapur në janar të vitit 2015, në Galerinë “In On” në Prishtinë, ku Gani Xhafolli , para kamerave televizive deklaronte se pikturën e vet personale, ai nuk do ta shiste as për një milion, të cilës duke shikuar në perspektivë, pas 100 vitesh mund ti rritej vlera edhe për aq sa ai pretendonte, përderisa pikturat e vjetra të piktorëve me nam, tani pas qindra vitesh të kaluara, vlerësoheshin në disa miliona.

Sipas z.Reshat Sahitaj kolegë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i ,Gani Xhafolli, ishte krijuesi i fundit nga plejada e Rifat Kukës, Agim Devës, Ali Podrimjes etj, i cili deri në ditën e mbramë, mbet unik për veprën e tij poliedrike dhe krijimet me talent të rrallë poetik. 

Ai, për gjallje të vet, përmes karvanit të shkrimtarëve   vizitoi pothuajse të gjitha shkollat fillore në vend, ku çdo herë dhe pa asnjë përtesë, lexoi poezi kushtuar  fëmijëve.

Siç dihet tanimë, shkrimet e Gani Xhafollit janë përkthyer në disa gjuhë e vende, i cili si krijues i mirënjohur dhe aktiv që ishte, ai bënte pjesë edhe në rrjetin ndërkombëtar të poetëve. 

Përveç krijimtarisë letrare, Gani Xhafolli, siç u tha më lartë, nga viti 1979 deri në vitin 1990, ishte edhe redaktor i programit për fëmijë, në Radiotelevizionin e atëhershëm të Prishtinës, derisa në korrik të vitit 1990,organet policore të pushtuesit serb, përjashtuan me dhunë nga puna, atë bashkë me mbi 1.340 punëtorë të këtij mediumi masiv.

Ai me krijimet e veta, do të mbetet një zë i çmuar dhe me vlerë sidomos në pjesën për fëmijë, i cili me vargjet e realizuara me aq shumë kujdes e dashuri prindërore për jetën dhe bukuritë e saj, përvetësoi shumë lexues, që do ta përkujtojnë atë, përgjithmonë dhe me devotshmëri.

Ndaj, mësuar me zërin dhe shprehjet e këtij poeti, botës hyjnore të fëmijëve do tu mungojnë gjatë organizimet e karvanëve të reja dhe vargjet e magjishme poetiko-letrare të krijuar rishtas, të tij.

Gani Xhafollli ,si poet kombëtar dhe ndërkombëtar ,i përkthyer edhe në gjuhën frënge, gjermane, spanjolle etj, përveç vlerësimeve tjera, në vitin 2013,me poezinë “Dielli mbi Krujë dhe Prekaz”, fitoi edhe çmimin e madh letrar “Ali Podrimja”që atëbotë, për herë të parë e ndau, Unioni i Shkrimtarëve.

Ai, është autor i rreth 40 veprave letrare për fëmijë, e shumë të tjerave për të rritur, ndër të cilat kësaj radhe, veçojë:

 “Vjershën s’e zë gjumi”, 

“Te porta e edhave”, 

Shtëpia me kulm teposhtë”, 

“Po”, 

“Të dua”, 

“Zog shiu”, 

“Në gojë të gjarprit”, 

“Princesha që fluturon”, 

“Ëndrra në shuplakë”, 

”Kroi thërret dallëndyshet”. 

“Lejlek i syrit”. 

”Nuse nën mollë”,  

“Dielli me tri dritare”, etj.

Pra, një autor i mirënjohur si ky, edhe pas vdekjes së tij, me veprat që la, do të mbetet përherë i përjetësuar në kulturën dhe letërsinë tonë e më gjerë.Sipas kryetarit të Uninonit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptar z. Reshat Sahitaj, Gani Xhafolli, edhe për gjallje , ishte i vetëdijshëm se ai shkruante për gjeneratat e ardhshme nga të cilat ishte i bindur se do të vlerësohej si duhej.

Krijimet e tij në këto kohë të pabalancuara, u vlerësuan lartë nga mese shtatë kritik të njohur evropian dhe ndërkombëtar, por jo  edhe nga kritik të shitur e xheloz shqiptar dhe nga ata që nuk dinë të shkruajnë, por megjithatë janë ngritur (më lartë seç do duhej), nga sistemi jugosllav, citohet z. Sahitaj. 

Fatkeqësisht,veprime të tilla sot kan shtri rrënjët kudo, përfshi edhe diasporën dhe shqiptarët në mërgim, ku fjalën kryesore dhe vendimtare e kanë grupet klanore, të cilat nuk kanë të bëjnë çdo herë vetëm me artë e kultur as krijim të mirfilltë.

Ndër, kritikët e jashtëm që kanë vlerësuar krijimet e Gani Xhafollit, përmenden edhe Helen Staford nga universiteti i Oksfordit në Angli, Alla Polosina, kritikja më e njohur e veprës së Tolstoit në Rusi, si dhe personalitete tjera të shquara nga Universiteti i Sorbones në Francë, nga Spanja etj…

Ndaj kryetari i Unionit të Shkrimtarëve, krenohet me veprat e Gani Xhafollit, Ali Podrimjes, etj, (bashkë) me të cilët( ata) përjetuan të mira dhe të këqija, por nuk u thyen kurrë. 

Ky autor do të mbahet mend gjatë, sidomos për gërshetimet e poezisë dhe këngës për më të vegjlit me paraqitjet e tij sharmante dhe të mahnitshme në lojërat e njohura poetiko-skenike për fëmijë.

Madje, përveç se ishte krijues poliedrik, për të thuhet të ketë qenë edhe shkrimtar i imagjinatës, i cili do të ruhet gjatë në kujtesën e të rinjve dhe të rriturve të këtij vendi.

Vepra dhe arritjet e Gani Xhafollit, zënë vend të rëndësishëm, jo vetëm në letërsinë bashkëkohore shqiptare, por ato përfaqësojnë me dinjitet edhe letërsinë e kulturën tonë mbarëkombëtare, në Evropë e më gjerë. Ndaj, në shenj nderimi ndaj Poliedrikut tonë i cili pas një sëmundje të shkurtër, vdiq më 16 qershor të këtij viti, urojmë që të jetë i përjetshëm kujtimi ,për emrin dhe veprën e tij madhore! (Gani Qarri Cyrih)

Filed Under: ESSE Tagged With: Gani Xhafolli, ne kujtim

Figura e Skënderbeut që bashkoi Nolin me Konicën

June 22, 2015 by dgreca

Fletore koniciane nr.5./

Nga Fotaq Andrea/

Viti në vazhdim 2015, dhe konkretisht gjashtëmujori i parë, përkon me tre përvjetorë të shënuar: 610 vjetori i lindjes së Heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, 140 vjetori i lindjes së Faik Konicës dhe 50 vjetori i vdekjes së Fan Nolit. Ndonëse njohim me saktësi datën e lindjes së Konicës, 15 mars 1875, ndonëse njohim po ashtu edhe datën e vdekjes së Nolit (13 mars 1965), jemi të detyruar të ngremë supet për datën e saktë të lindjes së Skënderbeut, përderisa nuk është gjetur gjer më sot asnjë dokument për të na e vërtetuar. E megjithatë, ja ku na vijnë në ndihmë, simbolikisht e me mjaft kuptim vetë Konica e Noli për të përcaktuar 6 majin 1405 si datën e lindjes së Gjergjit të Madh të Arbërisë! E më tej, si datën e festës kombëtare të Shqipërisë!

Nisur ndoshta nga tradita ortodokse që emri i pagëzimit të fëmijës vihej sipas emrit të shenjtorit që kremtohej atë muaj, Konica e Noli duket sikur e lidhin organikisht këtë datë me ditën e Shën Gjergjit, martirit të krishtërimit, pajtorit të kalorësisë dhe fitimtarit të çdo beteje, që mposhti dragoin, duke simbolizuar ngadhënjimin e së mirës ndaj së keqes. Konkretisht, në numrin 3, XI/1907, të Albania-s së tij (çuar për shtyp në qershor 1908), Faik Konica, në shkrimin Skënderbeu prej të përndriturit Fan S. Noli, do të vinte në dukje në paragrafin hyrës : ” Më 6 të Mait, ditën e Shën Gjergjit, e cila po njihet ngadalë për e kremtia kombëtare e gjithë Shqiptarëve, sikundërë ka qenë kurdoherë e kremtia vendore e myslimanëve dhe e krishterëve të shumë viseve të Shqipërisë së mesme e së poshtme – i Përndritshmi Fan S. Noli, përpara piktyrës së kuroruar me tyle të mbretit të pavdekshëm t’onë Gjergj Kastriotit, tha një fjalë të bukur, tekstin e së cilës jemi fat-mirë që mundim ta botojmë in-extenso këtu më poshtë. Dr. [Drejtori]”.

Për mendimin tonë, ky paragraf i Konicës në hyrje të fjalës së Fan Nolit për Skënderbeun në Kishën Shën Gjergji të Bostonit, si dhe pasqyra në gjuhën frënge e veprimtarive të organizuara në Amerikë me rastin e 6 majit 1908, botuar tek i njëjti numër i Albania-s – përmendim si veprimtari atë të shoqatës shqiptare në Jamestown, ku mbajti fjalën e rastit ish kryetari i saj S.A.Baldwin – janë tepër domethënëse në disa drejtime. Para së gjithash, ato dëshmojnë për një bashkërendim përpjekjesh paraprake Noli-Konica përqendruar rreth figurës së Kastriotit të Madh për t’i dhënë kësaj figure një përmasë të re frymëzimi kombëtar. Dhe në fjalën e tij panegjirike Skënderbeu (Fan Noli, Vepra, vëll. V), nga më spikaturat në Letrat Shqipe, Noli shkëlqen jo thjesht si prift i emëruar rishtas në krye të Kishës Ortodokse shqiptare në Amerikë, por mbi të gjitha e para së gjithash si atdhetar i flaktë e si veprimtar aktiv për çështjen shqiptare të shtruar për zgjidhje. Me fjalë poetike në gojë, plot emocionalitet, me thirrje nga shpirti në emër të Perëndisë dhe të “Nënës së dhembshëruar Shqipëri”, me këngë e vajtim njëherësh, Noli shfaqet madhërishëm në rolin e rilindësit pararojë, tek ndez në zemrat shqiptare kujtimin e “Babait të Kombit” siç e quan ai Heroin kombëtar, atë “trim mbi trimat”, atë “Mbret të Nënës Shqipëri”, atë “Aleksandër të Madh”, “Yll të Shqipërisë, shndërruar në diell”.

Nëse liturgjia e parë e Nolit 26 vjeçar në Boston (22 mars 1908) synonte kryekëput fjalën e goditur shqipe me psalme të përkthyera prej tij, që të kujtojnë pas pesëqind vjetësh robëri, formulën e pagëzimit po në shqip të Pal Engjëllit, liturgjia e tij e dytë (6 maj 1908, ditën e Shën Gjergjit) është himn për Skënderbeun, duke shënuar kështu simbolikisht datën e rilindjes apo të ringjalljes së kujtimit të tij, pikërisht në altarin e Kishës Ortodokse autoqefale shqiptare të Amerikës, që do mbante emrin e nderuar “Kisha Shën Gjergji”. Sepse shihej tashmë si nevojë e domosdoshme shpirtërore, për krejt Rilindjen Shqiptare të fillim-shekullit XX, të lidhej ngushtë, brenda një date të vetme, 6 majit, figura e Gjergj Kastriotit me Shën Gjergjin, kalorësin e hershëm ushtarak të krishterimit, apo, pse jo, edhe të njësoheshin të dy figurat në mënyrë emblematike, për vetë bëmat e larta kalorësiake në misionin e tyre fisnik. Dëshmon kështu medaljoni i Kishës Ortodokse shqiptare me figurën e Shën Gjergjit, rreth të cilit janë të shënuara fjalët: Albanian orthodox church of Amerika. Knights of Saint George (fig.1).

Dhe këtu, është më se e qartë se kalorës të Shën Gjergjit (knights) janë tërë besimtarët ortodoksë shqiptarë, po ata kalorës pasardhës të vetë Gjergj Kastriotit, përkrah tërë besimtarëve të tjerë, katolikë, muhamedanë e bektashinj, që e njihnin Kastriotin e tyre të Madh për Hero Kombëtar.

Në fakt, drejtori i Albania-s, e kishte bërë paraqitjen e Nolit të ri urdhëruar prift që në numrin paraardhës të revistës (Albania 2/XI, 1907 – botuar në prill 1908), ku kishte botuar jo vetëm një foto të posaçme realizuar bukur artistikisht (me diçiturën “I përndershmi Fan S. Noli”), por edhe një shënim hyrës në rubrikën Fleta e Dreqtorit, tek jep këtë cilësim për të: “I Nd. Fan S. Noli, i holli shkronjësi t’onë, prift-i-xgjedhur i Shqiptarëve të Amerikës…”. Po në të njëjtin numër të Albania-s, konkretisht në hyrjen e fjalës së Nolit titulluar “Kisha shqipe ortodokse”, Konica gjen rastin për të theksuar: “Të zgjedhurit e të Nd. Fan S. Nolit prej Shqipëtarve t’Amerikës dhe t’urdhruarit e tij si prift prej kryepeshkopit rus të New-Yorkut është një e ngjarë për të vënë ‘re, rëndësirën e tërë të së cilës bota do ta kuptojnë më mirë në disa vjet. I kërkova të dashurit atdhetar një “message” a lajmërim për Kombin dhe më dërgoi këtë që po botoj me gëzim më poshtë. Hoqa kryeartikullin që t’i bëj vend”. Kurse, tek Albania nr. 4 (1907), Konica vë në dukje (në frëngjisht): “… Z. Fan Noli, që shkruan një shqipe gjithë nerv e muskuloze, dhe që është për më tepër një njeri me kulturë të madhe…”.

Kësisoj, Albania, në vitin e parafundit të saj, shndërrohet në dy numra radhazi në tribunë për Nolin dhe për krejt veprimtaritë e zhvilluara në Amerikë me rastin e ditës simbol të Shën Gjergjit, gjë që shfaqet, për mendimin tonë, si një prelud i veprimtarisë së përbashkët atdhetare Noli-Konica që do realizohej me vajtjen e këtij të fundit në Amerikë më 1909.

Është e njohur se si Konica, si Noli nuk reshtën së shkruari për figurën e Skënderbeut, me penë të mprehtë plot frymëzim, sikurse gjithë rilindësit e tjerë. Konica jo vetëm solli dhe shpalosi në epokën e rizgjimit kombëtar flamurin e Skënderbeut, mbuluar nga pluhuri i historisë, jo vetëm i rindriti armët dhe përkrenaren e kryetrimit duke vajtur vetë në Vjenë për t’i kundruar, studiuar e për t’u frymëzuar, jo vetëm studioi toponiminë e fushatave të Skënderbeut, por ai krejt Albania-n e tij e bëri tribunë për tërë penat e ndritura të Rilindjes. Që më 1899, Konica 24 vjeçar shkruante me pendë të lehtë vargjet lapidar të poezisë “Flamuri”: “Skënderbeu kur jetonte / Shqipëria lulëzonte. /  Ish e fortë, ish e zonjë / Kish në flamur një shqiponjë. / Një shqiponjë me dy krerë / Ai lirisht hapej në erë…”.

Po ashtu Noli, krahas studimit madhor Histori e Skënderbeut dhe një mori shkrimesh poetike kushtuar Heroit kombëtar, vetë “Himnin e flamurit” e sheh të lidhur ngushtë me emrin e Kastriotit të Madh, tek shkruan : “O Flamur gjak, o flamur shkabë, /  O vënd e vatr’ o nën’ e babë, / Lagur me lot, djegur me flagë, / Flamur i kuq, flamur i zi… / Me Skënderben’ u-lavdërove
Dhe në furtun’ i funtmi u-shove.”

 Veçse Konica, të cilin me të drejtë Noli e quante “Ustai”, i kishte dhënë tashmë shenjat e para të binomit Gjegj Kastrioti-Shën Gjergj që në ilustrimet e revistës së tij Albania. Sepse kur i kërkoi në fillim të vitit 1898 mikut të tij të ngushtë, skulptorit dhe piktorit belg Paul Nocquet, – me të cilin kishte thyer sa e sa shpata gjatë ushtrimeve në skrim, siç e pohon edhe vetë në letrat drejtuar Apolinerit –, të ilustronte kryeveprën Albania, mjeshtri belg, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, realizoi, mbi bazën e ideve të Konicës, jo vetëm koren (ballinën) e saj të mrekullueshme (fig. 2) me portretin e Skënderbeut si emblemë të shqiptarit veshur me fustanellë, por edhe figurën e fuqishme të farëhedhësit shqiptar, si dhe një mori vinjetash (zbukurimesh) tipografike (fig. 3, 4, 5) të cilat nuk janë marrë asnjëherë në analizë, por që janë tepër domethënëse, tek shohim në to lulen shëngjergji (Convallaria majalis), simbolin e festës popullore të verës në mjaft vende të Europës (mygetat franceze të 1 majit), përfshirë edhe vendin tonë. Kjo lule është e përhapur edhe në pyjet e Shqipërisë e të Kosovës, siç na mësojnë specialistët e bimësisë pyjore Ferdin Liçaj e Përparim Çarçani, dhe njihet gjithashtu me emrin lot zoje, zambaku i luginave, lule me këmborë, ndërkohë që te keltët e lashtë njihej si lulja e fatit. (Sa për anekdotë, lulja shëngjergji u quajt edhe lulja e lumturisë kur mbretit Karli IX iu dhurua për t’i sjellë fat. Dhe që nga ajo kohë, në ballot e Europës, zonjave u dhurohej lule shëngjergji, duke simbolizuar dashurinë, djemtë tek e mbanin në thile të xhaketës dhe vashat në fustan të bardhë).

 

fig. 3, 4, 5 Lulja shengjergji (e çelur dhe e paçelur) në revistën Albania paraqitur në formë vinjetash.

Kur shkruante prozën poetike Dita e Verës, Konica e dinte fare mirë se në këtë festë popullore të hershme shqiptare nderoheshin jo vetëm perënditë e luleve që sillnin mirësi, por edhe kujtimi i të parëve dhe i kryetrimit shqiptar. Disa rubrika të Albania-s, sidomos në frëngjisht (Dokumente mbi folklorin shqiptar, Letërsia gojore shqiptare, etj.), trajtojnë ndër të tjera zakonet e lashta shqiptare, simbolet pagane me kafshë, shpendë, lule, të cilat Konica i ka me shumicë te Albania e tij në formë simbolesh tipografike, që nga kalliri i grurit në ballinë (me kryerubrikën Billni që të korrni), gjer te tërfili, luleshqerra, fluturat, dallëndyshet, shqiponjat, etj. etj. si dhe krejt pema e lulëzuar Albania apo vazoja plot lule Albania pasqyruar grafikisht nga Nocquet, si një bri i lulëzuar i bollëkut. Konica e njihte fjalën e Gjergj Kastriotit nën penën e Barletit kur iu drejtua krutanëve për herë të parë me thirrjet për bashkim e qëndresë dhe kur ndezi zemrat e tyre tek u tha që vetë Shën Gjergji i qe shfaqur atij në ëndërr për të mbrojtur Arbrin; se ky Shën Gjergj i Barletit ishte mbrojtësi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve; e dinte se vetë dita e Shën Gjergjit, 6 maji, është Dita e Verës për shkodranët; se kjo festë popullore kremtohej që nga koha e Ilirëve, tek të cilët ishte i përhapur “kulti i hyjnisë kalorës luftëtar” (Medaurusi tek Japodët); se mjaft kisha në Shqipëri e Kosovë (Fier, Vithkuq, Voskopojë, Korçë, Prizren, Ulqin, etj.) kanë mbajtur e mbajnë emrin e Shën Gjergjit, ashtu sikurse edhe vetë fshati Shëngjergj në Elbasan. Flet ai vetë aq bukur për ditën e verës, kur djem e vasha varin në qafë me pe të kuq kungullin e egër, lahen te burimi rrëzë shelgut a në ujët e kulluar të lumit, lozin e harbohen mes gjelbërimit të luadheve, bëjnë kurora me lule, ndezin zjarre, ngrenë shilarthe në pemë, teksa në ara lulëzojnë të lashtat e mbjella.

Jo rastësisht edhe Lkeni i Hasit (At Shtjefën Gjeçovi) boton te Albania (prill-maj 1902), poezinë “Pse ?!”, duke nderuar Ditën e Shën Gjergjit në Krujë, Ben, Shkeret, Nënujë (Nnuâj), Marshiq e në rrethe të tjera, tek shkruan: “Pse, un pves [pyes] me aq t’ madhe lumnii / Dit’n e Sh’Gjergjit Kruja é nnéeron,… / Mret i Shqypniis Gjergj Kastrioti /N’jeet kaa bajtun kët émn t’nnéerue…” . Nga ana tjetër, Konica na mëson, përmes një episodi të bukur  (Albania, 15, 1-15 korrik 1898), se malësorët dibranë festojnë Shën Gjergjin dhe jo Bajramin. “Në thelb, shkruan Konica në shkrimin e tij në frëngjisht Shënime rreth Kombësisë Shqiptare, malësorët tanë ende nuk dinë mirë se ku qëndron konkretisht feja myslimane dhe po ashtu, nuk dinë ç’është krishterimi. Ata vetëm dinë se një ditë e vitit quhet Bajram, dhe se atë ditë duhet dëfryer e bërë festë. Është e vërtetë se ata kremtojnë edhe Shën Gjergjin; dhe më kanë rrëfyer dikur lidhur me këtë çështje një anekdotë të bukur. Dihet se festat muhamedane nuk kanë datë të caktuar, por rregullohen sipas hënës. Mirëpo qëlloi që Bajrami dhe Shën Gjergji ranë në një ditë. Habi, siklet, rrahje mendimesh nga ana e malësorëve dibranë. Më në fund, ata vendosën të kremtojnë Shën Gjergjin, “sepse kjo festë, thanë ata, është e caktuar dhe serioze, ndërsa tjetra vjen e shkon, pa u ndalur kurrë…”.

Duke iu rikthyer emblemës së Shën Gjergjit, nuk ka si të mos përmendim personazhin e dytë të saj, dragoin e mposhtur, atë qenie mitologjike që është bërë historikisht burim frymëzimi për shumë shkrimtarë e artistë të shquar, madje edhe për disa urdhra kalorësiake të mirënjohura në Mesjetën europiane, që njihen si Urdhër i Dragoit, sidomos gjatë shekullit XV. Albanologu Auguste Dozon, në raportin e tij të dytë drejtuar Akademisë franceze më 15 nëntor 1872 (Deuxième Rapport sur une mision littéraire en Macédoine…), thekson se miti i Olimbisë molose që u ngjiz me një dragua-gjarpër (vetë Zeusi i metamorfozuar) për të lindur Aleksandrin e Madh, do përsëritej “njëmijë e shtatëqind vjet më vonë lidhur me Shqiptarin e Madh George Castriota…” (Archives des missions scientifiques… t. 1, f.204, Paris, 1873). Është fjala për ëndrrën e Vojsavës kur do lindte Skënderbeun: kësaj iu shfaq në gjumë një gjarpër aq i madh, thotë Barleci te Histori e Skënderbeut sa mbulonte me trupin e tij gjithë Arbrin dhe Epirin. Po ashtu, nuk është rastësi që një letrinë nga vepra e Barletit paraqet pikërisht simbolin e dragoit dhe ilustrimi i Historisë së Skënderbeut të Barlecit nga gravuristi i shquar gjerman Jorg Breu jep, ndër të tjera, edhe ëndrrën me dragoin-gjarpër të Vojsavës shtatzënë (fig.6).

Pas Barlecit që përdor mitin e dragoit-gjarpër te Histori e Skënderbeut, do të jetë Frang Bardhi, më 1636, që do ta cilësojë Kryetrimin shqiptar me epitetin Kulshedra e Arbënit, gjë që e përmend edhe Pukëvili në fillim të shekullit XIX në veprën e tij Udhëtim në More, Kostandinopojë e në Shqipëri kur flet për Heroin shqiptar. Sigurisht që ka dallim mes figurave mitologjike të dragoit, gjarprit, kuçedrës shqiptare apo lubisë, dhe Konica termin dragua e përdor si në kuptim pozitiv: ” Aj, Noc Kola trim drague” (Albania, nr. 4, 1904) dhe në kuptimin negativ: “Le të luftojmë turqit e rinj, shkruan ai në një artikull në frëngjisht, se sot ata personifikojnë dragoin”. Dhe si sinonimi të fjalës “dragon” në frëngjisht, ai ka vendosur në shqip mes kllapash termin “koudchedra” (Albania XII, nr. i fundit 1909).

A. Luka në studimin e tij “Aleksandri i Madh dhe Skënderbeu, me epitetet gjarpri, dragoi, kuçedra”, e bën bukur fort dallimin e tërë këtyre figurave mitologjike, ndonëse shpesh në gojëdhëna

fig. 6. Jörg Breu, Endrra e Vojsavës , 1533.

 

këto qenie i shohim të pleksen me njëra-tjetrën në rolin e përbindëshit; veçse në thelb, të tëra shfaqin Kimerën e Homerit që villte zjarr nga goja dhe përhapte gjithandej tmerr, duke simbolizuar kështu forcën, fuqinë, guximin.

Një “Shën Gjergj shqiptar” që mposht dragoin e shohim konkretisht edhe te albumi me vlera të rralla i prof. Ferid Hudhrit Shqipëria dhe shqiptarët në vepra të piktorëve të huaj (Tiranë, 1987), ku autori na shfaq historinë e luftëtarit arbëresh Giorgio di Prenta Albanese (1470) që u rikthye në Shqipëri për të luftuar pushtuesin osman dhe që ra në fushën e betejës. E veçanta e kësaj tabloje (fig. 7) është se mban vulën e piktorit të shquar të rilindjes italiane Carlo Crivelli dhe se është porositur nga Salvatore de Prenta, ndoshta i biri i Giorgio Albanese për famullinë Porta San Giorgio, një fshat pranë qytetit Fermo banuar edhe nga arbëreshët.

Mitin e dragoit e jep bukur në frëngjisht Faik Konica që në fillim të Albania-s së tij (nr. 2, 1897) kur flet për Dy rapsodi shqiptare. Vasha (apo virgjëresha) po i këndon ëmbël në vesh djaloshit që fle mbi gjunjë të saj, i dërrmuar nga betejat, kur befas, shfaqet nga pylli përballë dragoi (kuçedra), gati për t’i përpirë. E tmerruar, vasha mundohet të zgjojë trimin në gjumë të thellë, por më kot; dhe veç “dy pika loti rrodhën nga sytë e saj turtulleshë e i bien trimit në vesh”. Kreshniku zgjohet, tendos harkun, vret kuçedrën. Pikërisht, kjo gurrë e pashtershme popullore, së cilës Konica i rikthehet aq shpesh te Albania, do të jetë edhe burimi kryesor që do ta frymëzojë e drejtojë atë natyrshëm drejt idesë së shkëlqyer për binomin Gjegj Kastrioti-Shën Gjergji, duke njëzuar e barazuar figurën e Kryetrimit Gjergj me Shenjtin Gjergj. Vite më vonë, më 1936, Noli, tek do përkthente Hymnore për kor të përzier, do të shqipëronte bukurisht edhe troparin e Shën Gjergjit: “Si çlirimtar i robërve dhe mbrojtës i të vobekëve, mjeku i të sëmurëve dhe përluftar i mbretërve, dëshmor i math Shën Gjergj trope-prurës, nërmejto te Krishti Perëndia jonë, të shpëtohen shpirtet tona”.

Është e njohur fotoja e Konicës veshur me fustanellë kur shkoi në Boston më 1909, ashtu sikurse shkrimet e tij për kostumin shqiptar “si pjesë e veshjes kremëtore”, tek larton para së gjithash figurën e Bajronit me këtë veshje. Autorë të huaj dhe piktorë me emër nuk kanë munguar të flasin për kostumin shqiptar dhe konkretisht për fustanellën shumëpalëshe nën gjunjë si një simbol i fuqishëm historik i popullit tonë përhapur nga Jugu në Veri të vendit. Janë mjaft domethënëse në këtë drejtim dy ikona të shekullit XIX që ndodhen në Arkivin e Muzeut Historik Kombëtar me “Shën Gjergjin e Janinës” siç emërtohen, veshur me fustanellën tipike shqiptare (fig. 8). Por po kaq kuptimplote dhe e rrallë është edhe një gravurë e vitit 1862, Skënderbeu me fustanellë, në librin Skënderbeu apo Heroi i Krishterë, i abatit Charles Guenot (fig. 9). Pra, është në këtë rast, fustanella shqiptare që bashkon Shën Gjergjin me Gjergjin e Madh Kastriot.

 

fig 8 fig 9

Më në fund, na e ka ënda ta mbyllim këtë shkrim me një portret tepër të rrallë, në të cilin studiuesi amerikan i artit oriental F.R.Martin (The Miniature Painting and Painters of Persia, India and Turkey from the 8th to the 18th Centry, London, Holland Press, 1912)  sheh portretin e Skënderbeut (fig.10). Edhe pse ky portret i realizuar ndoshta nga piktori fjorentinas Antonio Pollaiulo (më 1460) mban shënimin “Il gran Turco”, Martin vërteton se si portreti, si vetë shënimi nuk kanë të bëjnë aspak me Mehmet Fatihun, ngadhënjyesin e Kostandinopojës, i njohur me epitetin Turku i Madh. Për të, shënimi është shtuar shumë vite më vonë dhe nuk ka kurrfarë ngjashmërie me portretet e njohura të Mehmetit II, realizuar nga piktorët e Rilindjes Italiane, si veneciani Giovanni Bellini (fig.11). Në takimet tona (maj 2013) me specialistë të Topkapi Sarayi Müzesi Istanbul (që disponon këtë portret edhe me ngjyra), si dhe me miqtë tanë në Stamboll na u ripohua se portreti në fjalë nuk ka kurrfarë ngjashmërie me atë të Mehmet Fitimtarit. Ne nga ana jonë, shtruam si argumente jo vetëm dallimin në paraqitjen e hundës dhe të krejt portretit, por edhe faktin që simboli i dragoit në kapelën karakteristike të këtij portreti ishte

 

Fig. 10 Skënderbeu, sipas  F.R.Martin,

 

fig. 11. Mehmeti II.                           fig. 12

disi pa vend për një portret të fesë myslimane, që nuk pranon zbukurime nga fauna, por vetëm zbukurime florale, sikurse ndodh me ornamentet e institucioneve të kultit mysliman. Nga ana tjetër, ka specialistë që këtë portret e lidhin edhe me një medaljon të Pisanello-s (fig.12), ku është paraqitur perandori bizantin Joani VIII Paleolog (në vitet e mbretërimit të tij 1425-1448); por përsëri duket qartë që mungon ngjashmëria mes dy portreteve. Sa për kapelën e admirueshme me dragua të këtij portreti, mendohet se ajo “pasqyron njëfarë mode të kohës”, kur përkrenaret, në radhë të parë, zbukuroheshin ndër të tjera edhe me dragonj, “pa simbolizuar domosdoshmërisht ndonjë urdhër dragoi”. Për mendimin tonë, nuk kemi të bëjmë këtu thjesht me një zbukurim kape, sipas modës së kohës, sepse një gjë e tillë rrezik të thuhet edhe për përkrenaren e njohur të Skënderbeut me kokën e dhisë, kur në fakt, tek figurat e shquara, simbolika nuk mund të shmanget kollaj. Nga ana tjetër, dimë se shqiptari Millosh Kopiliqi që vrau sulltan Muratin I, brenda në çadrën e tij gjatë betejës së Kosovës (më 1389), kishte krijuar Urdhrin e fshehtë të Dragoit dhe mbante në përkrenare, së bashku me përkrahësit e tij, pikërisht simbolin e dragoit. Dimë gjithashtu se përkrenarja e Pirros së Epirit kishte figurën e dragoit, figurë të cilën e gjejmë të qëndisur edhe në xhubletën shqiptare që daton nga Lashtësia. Kemi të drejtë në këtë rast të shohim një vijueshmëri dhe lidhje tradicionale në simbolin e dragoit, sidomos një lidhje simbolike midis dy arbërve, Kopiliqit dhe Kastriotit, që të dy në luftë të paepur kundër Osmanëve. Dhe, në përfundim, do thoshim se nuk është aspak i rastësishëm vetë shënimi “Il Gran Turco” mbi portret, që zbulon njëfarësoj enigmën. Sepse, përderisa është shtuar si shënim vite më vonë në fund të tablosë dhe përderisa nuk i përshtatet aspak portretit të Mehmet Fatihut, e kundërta mund edhe të pranohet, duke qenë se i shkon për bukuri Atij me të cilin vetë Mehmeti II kaloi vitet e rinisë më të bukur, Atij që do të bëhej i barabarti dhe kundërshtari i tij më i rreptë, që do t’i ndalte rrugën drejt pushtimit të Europës, Atij që është cilësuar, siç vumë në dukje, “Kulshedra e Arbërit” dhe që fare mirë do mund t’i thoshin: “Il Gran Albanese”.  Pra, duke pranuar mohimin “Il Gran Turco” për të parin, do kishim në këtë rast tërthorazi një pohim të nënkuptueshëm për të dytin. Dhe dialektika e pranon: gjatë kalimit të vet nëpër mohim, pohimi arrin tek e vërteta. Nëse do pranohej që ky portret është ai i Skënderbeut (i fantazuar apo i porositur rreth vitit 1460, sikurse ndodhte shpesh me veprat e artit të kohës, për ta paraqitur si figurë heroi kreshnik me kapë të veçantë – a nuk ishte e veçantë vetë përkrenarja e Skënderbeut! – që po i bënte ballë Turkut të Madh), do kishim në këtë rast portretin e parë për Heroin tonë Kombëtar, kur dihet tashmë se pesë vjet më vonë më 1465, te kodiku De Romanorum Magistratibus, do të na shfaqej portreti i tij në miniaturë (këtë herë i realizuar me shumë gjasa në natyrë si portret origjinal, që është botuar për herë të parë nga prof. Sh. Sinani (bardhë e zi – fotokopje) në frontispicin e veprës së tij Beratinus, Argeta LMG, Tiranë 2004), portret që me të drejtë konsiderohet si i pari portret më pranë figurës së vërtetë të Heroit Kombëtar (I.S. Karanxha – fig.13).

Në përfundim, Skënderbeu, siç shprehet F. Konica, ky “Trim i pavdekshëm që Shqipëria e njeh si Kryeprinc dhe bota me gojën e Papës e quajti Mbret”, Skënderbeu, “Një nga fytyrat më të larta e më të bukura të Historisë së përbotshme” (E. Reclus, Albania, nr. 4, 1905), vjen e bashkon këndshëm me hiret dhe bëmat e Shën Gjergj Martirit dy korifenjtë e Rilindjes shqiptare, Nolin e Konicën, themeluesit e Vatrës përherë të ndezur të shqiptarizmës. / Qershor 2015.  

Filed Under: ESSE Tagged With: Fotaq andtrea, Noli-Konica, Skenderbeu

Kaçamak elektoral në Shqipërinë e esnafeve

June 22, 2015 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI?
 Megjithë dilemat për mospjesmarrje, më së fundi vendosa të shkoj në qëndrën e votimit tek shkolla “Kristoforidhi”, në rrugën “Shyqyri Bërxolli”. Nuk u nguta. Kur u gjenda aty ishte ora 5 e pasdites. Ne të vërtetë gjithçka dukej e qetë, plot njerëz që dukeshin si sehirxhinj, por që në fakt ishin të interesuar e i vigjëlonin sytë për të parë ndonjë hile që mund të bënte kundërshtari. Pasi mora letrat, i vendosa shenjën e përzgjedhjes për kryebashkiak dhe për këshilltarë e dola në oborrin e shkollës. Aty u gjenda para një surprize. Në këndin e kundërt, përkundruall qendrës, por brenda oborrit të shkollës, ishte një kënd i improvizuar me një tryezë e me një kuti votimi. Më bëri përshtypje ndaj u afrova. Vajza në ballë të tryezës bisedonte me një çift, të cilët shënonin në ca letra. Pastaj papritur u kujtova se letrat ishin identike me ato që kisha plotësuar brenda në qendrën e votimit. M’u duk një gjë e parregullt, prandaj sapo çifti u largua e pyes vajzën, çfarë ishin ato letra që plotësuan ata njerëz. Fletë-anketime. – më tha. Çfarë anketimesh e kush i bën. Ora News bashkë me qendrën e anketimeve AA….nuk më kujtohen shënjat që më tha. Këto janë sondazhe. Po mirë, – i them, – këto sondazhe behën përpara votimeve e nuk është e pranueshme të ngrihen instanca paralele ditën e votimit, sondazhet janë prognoza jo realitete paralele, nuk mund të dualizojnët qendrat e votimit e KQZ-të. Mua kështu na kanë thënë, – tha ajo. Deri këtu biseda ishte e thjeshtë por mënyra se si po justifikohej nuk më pëlqeu, ndaj i shpreha dyshimin e dytë. Si është e mundur që flete anketimet të jenë identike ne ngjyre e format dhe me të njëtët emra si ato që unë sapo votova. Nuk e di, tha vajza. Dhe padyshim që ajo nuk e dinte. Atëherë dyshimi im u konsolidua dhe i thashë: bukur, le ta themi se është i mirëqenë dhe i ligjshëm ky paralelizëm ditën e zgjedhjeve. Më jep mua dy fletë, një për këshilltar e një për kryebashkiak që t’i mbush e t’i fus në kutinë që keni vendosur këtu në tryezë. Vajza më pa, dyshoi dhe më tha prerë: Jo. Nuk të jap fletët. Pse? – e pyeta. Pse, – më tha ajo, – se ata që i anketojmë i zgjedhim vetë. Po unë kam dëshirë të anketohem – i thashë. Kur unë këmbëngula ajo akoma më shumë kundërshtoi. Nuk donte të m’i linte në dorën time fletët e votimit (anketim) që ishin identike, siç thamë, me ato që hidheshin në kutitë e votimit. Epo, vazhdova kuvendimin me atë vajzë duke përdorur sarkazmën, o zgjedhje o zgjudhje, media private nuk ka pse gatuan kaçamak në punët e hyqymetit… Hodha sytë rreth e rrotull mos shihja ndonjë të policisë, që t’i pyesja a janë të rregullta këto zgjedhje paralele, kuti votimi paralele e fletë votimi autentike paralele në të njëtën qëndër votimi. Askund këmbë polici megjithëse isha në qendër të Tiranës. Po këto fletë votimi ku shkojnë e pyeta vajzën duke i treguar kutinë, ku mund ishin qindra fletëvotimi të mbushura. I dinë ata, nuk e di unë, – tha ajo. Po, – i thashë, – i dinë ata, por i përfytyroj edhe unë. Ajo vazhdoi punën e vet duke përzgjedhur njerëz, të cilët mesa duket i njihte dhe duke mbushur fletë votimi e duke i hedhur në kutinë e madhe mbi tryezë. Mirë mua më lindi një dyshim, po ata që janë të interesuar që zgjedhjet të mos manipulohen pse nuk u tërheq vëmendje fakti se fletët e votimit ishin autentike. Ku i kanë marrë, ku i kanë shtypur dhe a nuk ka rrezik që kjo arkë të futet fshehurazi në klasat e shkollës e të numërohet si kutitë e tjera? Po sa të tilla ishin në tërë Tiranën?! A mund këto të keqpërdoren për të manipuluar rezultatet? Këto gjëra kanë ngjarë prandaj të mos ju duket çudi të dilni se keni votuar dy here- thashë me vete. Dhe pastaj vazhdova arsyetimin: Se çfarë i duhet Ora News të përzihet në këto zgjedhje paralele nuk e dimë por e marrim me mend, sepse ajo për të përfituar e ka pas një kurs pro PD kur kjo ishte në pushtet, por menjëherë pasi këtij televizioni Ministria e Kulturës së qeverisë së sotme sapo erdhi në pushtet, i shiti në mënyrë të fshehtë e jashtë syve të publikut një pjesë të oborrit të Kinostudios për një çapë bukë, e ka kthyer timonin 180 gradë dhe është në shërbim mediatik të partive në pushtet. Me çfarë shohim përnatë aty gjendet e kapur si peshku në grep. Përndryshe e la veten të kapet nga pushteti me shumë dëshirë se nga pushteti burojnë milionat e reklamave. Ajo çfarë ndodhi me Televizionin “Agon” është edhe një mësim i mirë që po nuk bashkëpunove e pësove. Vajte për lesh. E, mos vallë, na ruaj zot se ne vetëm hamendësime po bëjmë, me këto kuti Ora News dëshiron t’i japë një dorë pozitivitet ndonjë kandidati të partive në pushtet. Mos më thoni që nuk është e mundur, sepse, si në asnjë vend tjetër në botë, nuk ka gjëra të pangjara në këtë Shqipërinë tonë të esnafeve dhe kasnecëve televizivë.
21 qershor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: kacamak elektoral, Kolec Traboini

Dibra e Madhe :’ Qendra për Diagnostifikimin e Kancerit “FLORINA RUSI – MARKE”

June 22, 2015 by dgreca

 E vetmja e këtij lloji në Maqedoni dhe në Ballkan që ofron të gjitha shërbimet falas dhe me një aparaturë të sofistikuar që familja Rusi e ka sjellë nga SHBA-të /
 Reportazh nga Beqir SINA /
 DIBER E MADHE : Më 15 nëntor të vitit 2003 z.Turhan Rusi, dhe tre djemtë e tij, Selimi, Ilirjani dhe Beniamin dhe z.Faton Marke, ishin ata që e përuruan në Dibër të Madhe, Qendrën për Diagnostifikimin e Kancerit “FLORINA RUSI – MARKE”, me financim të drejtpërdrejtë të familjes Rusi – nga Nju Jorku në SHBA.
Qëllimi dhe misjoni i kësaj qendre shëndetësore, ngritur në qytetin Dibër e Madhe, nga Amerika, ishte t’ju ndihmote grave në zbulimin e diagnostifikimin e hershëm të kancerit në gji, gjë, që është e vetmja mundësi për mjekim të suksesshëm, në këtë qendër e cila është më e madhja dhe e vetmja në Ballkan.
“Kjo Qendër për Diagnostifikimin e Kancerit, e para dhe vetmja klinikë në Ballkan, është e pajisur me personel të kualifikuar dhe me aparatet më të sofistikuara për zbulimin e kancerit në gji, sjellur këto nga familja jonë në SHBA”, thotë babai i katër fëmijëve, Turan Rusi, i cili këtë klinikë në mynyrë profetike, thotë se e bëri si dhurat “për shpirtin” e vajzës, së tij, që vdiq 10 vjetë më parë, nga kanceri në gji. Për , t’ua dhuruar dibranëve në qytetin e tij të lindjes, ngritur me kontributin e fëmijëve, për t’i shërbyer të gjitha grave si në Dibër e për rreth saj, Peshkopi, Bulqiz, Gostivar, Tetovë, Kërçovë, Strugë , Ohër, dhe të tjera viset shqiptare në Ballkan.
Familja Rusi, veç kësaj tregojnë dibranët ka një kontribut të madh edhe në strehimin dhe dhënjen e ndihmave  në luftën e Kosovës, me të larguarit, kohë kur qyteti i Dibrës, u bë streha dhe ndihma e tyre, aqsa për këtë është vendosur edhe një pllak mermeri në mes të qytetit, nga qytetarët e Kosovës, ku shkruhet” Qershor 1999 – Dibra, ishte Kosovë, dhe Kosova plagë e saj -” .
  Gjatë udhëtimit tim në trojet shqiptare, në një ndales në Dibër të Madhe, në këtë fillim qershori, takova në vilën e tij, e njohur në qytet si “Vila e Turhan Rusit”, pata rastin të bisedojë me zotin Rusi, i cili më spjegojë se :” Vizitat, kontrollet mjekësore dhe ndihma që ofron personeli i specializuar mjekësor në këtë klinikë, janë të gjitha falas, madje, shtoi ai kemi financuar edhe ndonjë operacion në gji – në spitalin e Shkupit, po me shpenzimet tona”.
 Ai e quan këtë qendër si një bërthamë e vogël e shërbimit onkologjik, model shembullor në botë. Nga ku ky lloj i bashkuar i asociacioneve të vogla kancerologjike edhe në SHBA-të, dhe ka gjetur aplikim të madh, ku femrat edukohen për vetëkontroll dhe kontroll të rregullt mjekësor, thotë Rusi.
Kurse, shtypi lokal ka shkruar se roli i kësaj klinike mbështetet në zbulimin dhe diagnostifikimin e hershëm të kancerit në gji tek femrat, si mundësi për ta parandaluar dhe mjekuar atë. Qendëra për diagnostifikimin në Dibër, është e pajisur me Eho dhe Manograf nga më të sofistikuarit, të sjellura aparaturat nga Shtetet e Bashkuara, dhe me personel mjekësor, të specializuar për këtë sëmundje, në Shkup e Dibër të Madhe .
Kures, një nga mjekët e kësaj klinike, i cili shërben në spitalin e Shkupi, nëpërmjet telefonit, sqaroi se kontrollet në ordinancën e tyre nuk kufizohen në paciente nga kurbeti dhe Dibra, por ka edhe të atilla që vijnë nga Tetova e Gostivari, ndërsa interesimi më i madh është te gratë nga Shqipëria, gjegjësisht nga viset kufitare.
“Gratë e viseve kufitare janë pacientet më të rregullta në ordinancën tonë. Çdo ditë numri i tyre rritet, përmend doktori i kësaj klinike duke vazhduar më tej  me sqarimet se përmes kontrolleve të tilla të grave, kanë zbuluar infeksione, tumore, kancer, ndërsa pacientet janë përcjellë në mjekim përkatës, ose sipas nevojës ka pasur edhe intervenime kirurgjike”.
Turan Rusi, i cili ka edhe rolin e Presidentit të Qendrës për Diagnostifikimin e Kancerit “FLORINA RUSI – MARKE” , na tha se në këtë klinikë, aktualisht punojnë 5 vetë – 2 doktora, sekretarët dhe tekniku, i cili bën incizimet dhe lan filmat e mamografive, të cilët punojnë në këtë klinikë që kur ajo është ndërtuar:  “Janë të njëjtët njerëz, që nuk kanë ndryshuar, dhe, ata janë Doktor Nikolla- i cili është drejtori  i sëmundjeve kanceroze të asesionit të Shkupit, për Maqedoninën, Dr. Bashkim Cami , sekretarja si edhe tekniku i mamografisë”, tregonë Rusi.
 Ndërkaqë, e pyesim atë se;”Ju thatë pak më përpara që keni përafërsisht 30 pacient në muaj – që i bie tek më shumë se 360 pacientë në vit, dhe se vit për vit është e njëjta situatë?”
Rusi, përgjigjet pa hezitim po, se “çdo vit është e njëjta gjë, këtu vijnë edhe emigrantet nga Italia, Zvicera, Gjermania, Franca, dhe SHBA, dhe bëjnë kontrolle pa para, mbasi në vendet ku jetojnë u kushton paksa më shumë, ose kan probleme burokratike dhe komunikimi”.
“Në muajt qershor dhe korrik, në Dibër dukshëm vijnë rritur kontrollet falas gjinekologjike, thotë ai dhe,, ajo që karakterizon këtë dukuri është fakti se thuajse gjitha gratë e kontrolluara janë ato që vijnë në këtë sesion nga mërgimi në shtetet e huaja.”
Më pas ai duke treguar mbi klinikën, na paraqiti edhe një raport botuar në një gazetë shqiptare, para disa vjetëve, ku thuhej se :”Deri tani në këtë ordinacë janë kryer me qindra vizita dhe kontrolle, që kanë rezultuar me zbulimin e hershëm të fibroadinomeve tumorbening tek me shumë se 100 femra, prej tyre afro gjysma janë diagnostifikuar me kancer në gji. Disa nga këto paciente, ka rezoltuar të jenë operuar me sukses dhe disa gjenden në terapi të rregullt me mundësi maksimale për tu shpëtuar jetën”.
Këtu vijnë të vizitohen pacientë nga Dibra, qytete e ndryshme nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe të gjitha zonat përreth, pa marë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare e konfesionale, ku te gjithe sherbimet dhe vizita mjeksore janë falas për të gjithë pacientet. Kurse, ajo që është më e rëndësishme per këtë qendër që të arrihet, është që te femrat të flaket mentaliteti i gabuar dhe të zë vënd kultura për tu vizituar rregullisht sa herë që lind dyshimi për kancerin në gji” pohon doktori i saj Dr. Nikolla, nga Shkupi.
Në një korrnizë në murin e klinikës, mes shumë fotografive duket edhe një fotografi e Znj. Teuta Arfi-t, ish Ministre e Integrimit, nga BDI-ja, dhe aktulisht Kryetare e Komunës së Tetovës, e cila ka qenë vetë një paciente e kësaj klinike, e egazimuar dhe e trajtuar me shumë sukses.
Më kujtohen fjalët e përurimit, thotë Rusi, i cili tha “që akoma pa u mbyllur plagët e vdekjes së vajzës sonë, u hap një ambulancë, që të ndihmojmë një nënë që të rriste fëmijët. Pasi më vdiq vajza kujton ai në muajin Maj – u hap ambulanca në qytetin e Dibrës së Madhe.  Një herë u hap në Dibër e pastaj në Amerikë.  Orari i punës , shërbimet dhe stafii i Qendra për Diagnostifikimin e kancerit në gji “Florina Rusi – Marke, nuk ka ndryshuar dhe do të vazhdojë të punojë njëlloj siç ka punuar deri më tash dhe nuk do të ketë asnjë pengesë për të kryer misjonin dhe qëllimin tonë që i kemi vënë vetes” – theksojë  z.Rusi
Ndërsa, nuk nguron të shprehet hapur i pakënaqur, që Komuna e Dibrës, të “parët” e saj si i quan ai, nuk e kan vlerësuar asnjë her këtë kontribut të familjes Rusi nga Shtetet e Bashkuara, dhuratë e madhe kjo për mjekësinë në qytetin e Dibrës së Madhe.
Dhe shtonë, i “zëmëruar” “Jo ,asnjëhere, nuk na kan ardhur të na vizitojnë. Megjithëse, ata dinë vetëm të vijnë e të bëjnë ndonjë fotografi, kur vjen Ambasadori i SHBA, për çdo vit këtu, apo kur vjen ndonjë personalitet i lart nga Shkupi, të cilët kanë qenë personalitetet shqiptare të Maqedonisë, kur kanë ardhur të vizitojnë këtë qendër, sa her vijnë në Dibër të Madhe”.
Këtu, ai permend edhe faktin se kur u hap ambulanca, ka qenë Ali Ahmeti, deputeti i Peshkopisë z.Sali Shehu , kryetari i Peshkopisë Ilir Krosi, Ambasadori amerikan në Shkup, ish këshilltari i Presidentit Klintonit, edhe djali im Iliri, që ka qenë dhe kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan dhe kryetar i Shoqatës Atdhetare Dibra në Nju Jork, spjegon Presidenti i klinikës, zoti Turan Rusi.
  Dhe kujton një thënje të ish- Ambasadorit amerikan, në Shkup, ambasdorit Volers, i cili ka thënë që më bën përshtypje që një qendër e tillë të ofrojë të gjitha shërbimet falas, duke pasur parasyshë koston e madhe të këtyre shërbimeve cilësore, të cilat kushtojnë shumë, dhe mos të ketë atë vlersimin e duhur nga komuniteti shqiptar “.
  A janë deri tani, kryesisht këtu grat e diagnistikuara, nga Dibra e Madhe, dhe zonat për rreth nga Shqipëria
    Po thotë Rusi,:”Shumicën e kemi nga Dibra, por edhe zonat kufitare nga Shqipëria. Dhe, ajo që më shqetëson,  këtu në Maqedoni, nuk mund t’i kuptoj disa hipokrit , mbasi si mundet të mos bëjnë diçka në lidhje me këtë klinikë, për të sjellur pacintetet, jo për neve se nuk kemi ndonjë interes, pasi për mua “sa me pak të vijn aq më mirë” i thonë një fjale, pasi unë paguaj , vetëm për një të ardhur të doktorit, nga Shkupi, për një vizitë më kushton 300 dollar, kurse tekniku merr 150 dollar në ditë”.
 Dhe, të gjitha shërbimet këtu janë falas?
“Po, po! çdo shërbim këtu është falas, si psh incizimet, madje kontribojmë edhe në operacione. Kemi pasur një rast të tillë, kur komunikova me një zonjë nga Buqliza, e cila më tha që e kishte probleme financiare në operacionin dhe sekretarja më informoi, dhe unë e telefonova duke paguar shpenzimet, e mija që të nisej për në Tiranë”, tregonë presidenti i Klinikës z. Turhan Rusi.
 Katër vjet më parë familja Rusi në Nju Jork ka themeluar edhe Fondacionin ” Florina Rusi-Marke Foundation”
  Fondacioni i Kancerit “Florina Rusi” është krijuar nga familja Rusi për të nderuar kujtimin e Florinës si një nje person me energji dhe optimizëm. Familja e saj, pas vdekjes së saj  në Nju Jork, themeloi Fondacionin e Kancerit që ka për qëllim grumbullimin e fondeve për mjekimin e kancerit nga klinikat e institute.
  Që nga viti 2003, çdo muaj gusht, në ditëlindjen e Florinës, ky fondacion çdo vit organizon në Nju Jork lojën e golfit, në të cilën marrin  pjesë personalitete të njohura që japin donacione për klinikat që luftojnë kancerin, në SHBA, dhe Dibër të Madhe dhe zonat për rreth saj në Maqedoni.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina, Dibra e Madhe:, kancer, Qendra e diagnostikimit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3791
  • 3792
  • 3793
  • 3794
  • 3795
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT