• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BLIC- EKSKLUZIVE: JA SI U VRANË VËLLEZËRIT BYTYÇI

June 3, 2015 by dgreca

Vrasja e vëllezërve Bytyçi vazhdon të jetë një prej pengesave, në mos pengesa kryesore për “riparimin” e marrëdhënieve Washington-Beograd. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili po qëndron në Washington, në mënyrën më tipike të tij ka provuar të inskenojë gjykimin e oficerëve serbë për vrasjen e shtetasve amerikanë nga Kosova të cilët bashkë me qindra të tjerë nga SHBA patën lënë shtetin dhe kombin mik për t’u bërë pjesë e Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Dhe menjëherë pas çlirimit të tre vëllezërit u ekzekutuan në mënyrë barbare nga serbët- edhepse të tre këta kishin shpëtuar jetëra serbësh- në dhe me uniforma të UÇK-së. Fakti që Vuçiqi provon ta inskenojë gjykimin në fjalë por para së gjithash vet fakti që nga Presidentët e SHBA-ve, Clinton, Bush dhe tash edhe Obama përmes zëvendësve të tyre dhe Sekretarëve të shtetit kanë insistuar dhe insistojnë në mënyrë direkte për gjetjen dhe gjykimin e vrasësve serbë- tregon që Beogradi kurrë nuk do të mund ta kalojë këtë barrierë e cila në mënyrën më të qartë tregon për lidhjet shqiptaro-amerikane.
Kurse për këto dhe sidomos angazhimin e Brigadës Atlantiku ekziston libri i Uk Lushit për Brigadën Atlantiku për të cilin edhe Ismail Kadare ka konstatuar që është një prej dokumenteve më sublime të luftës për Çlirimin e Kosovës. Në librin e Uk Lushit (të botuar së pari nga disa shtëpi botuese të Prishtinës dhe Tiranës) një prej kapitujve kryesorë është edhe jeta, lufta dhe vdekja e vëllezërve Bytyçi. Çasti i duhur që ky fragment nga libri i Uk Lushit të ribotohet sërish ekskluzivisht për lexuesit e Gazetës Blic./Gazeta Blic
Ylli Agroni dhe Mehmeti!/
Shkruan: UK LUSHI/
Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçin për herë të parë i pamë më 8 prill 1999, në parkingun e restorantit “Il Galleto”, në New Jersey. Atë ditë ata kishin ardhur aty për t’u bërë ushtarë të it “Atlantiku”. Me të përfunduar tubimi përgjegjësit e fondit “Vendlindja thërret” na kishin njoftuar se ceremonia formale për pagëzimin e Batalionit do të mbahej më 11 prill në Yonkers dhe ne grupe-grupe kishim lëshuar sallën e restorantit për të shkuar gjithsecili në shtëpitë tona.
Përjashta ishte errësuar. Llambat e neonit në shtylla lëshonin një fregmë te vobektë drite gjithë melankoli, që njëjtësohej plotësisht me gjendjen tonë emocionale. Shumica e njerëzve dilnin prej restorantit, të heshtur e të zymtë, në pritje, që të vinin makinat t’i merrnin. Unë dola me Gjyshin dhe me Viton. Ky i fundit vrapoi të merrte veturën që e kishte parkuar prapa restorantit.
Derisa unë dhe Gjyshi po prisnim Viton, një grup burrash nisën të shamatoheshin me zë të lartë. Njoha Yllin, Agronin dhe Mehmetin, që të tre vëllezër me njëri-tjetrin. Debatonin për rregullin e vendosur në lidhje me anëtarësimin në UÇK. Të tjerët përpiqeshin t’i bindnin tre vëllezërit Bytyçi se UÇK-ja nuk rekrutonte më shumë se një anëtar për familje. Por vëllezërit nuk bindeshin. Kështu, ata iu bashkuan Batalionit “Atlantiku” dhe luftuan me trimëri deri në çlirimin e plotë të Kosovës.
Në qershor të vitit 1999 lufta u krye. Ylli, Agroni dhe Mehmeti së bashku me ne ushtarët e “Atlantikut”, me shqiptarët e Kosovës dhe me forcat e NATO-s marshuam drejt Prishtinës. SHP i UÇK-së shpalli çmobilizimin e përgjithshëm. Të përmalluar për atdheun tonë, vendosëm të shijojmë lirinë për disa javë para se të ktheheshim në vendin tonë të dytë, SHBA. Kështu vepruan edhe Ylli, Agroni dhe Mehmeti të cilët, sapo u liruan nga shërbimi në UÇK, udhëtuan për në Prizren, ku u bashkuan me një pjesë të familjes, e cila gjatë luftës qe fshehur në Kosovë.
Vëllezërit Bytyçi kishin lindur në Chicago, në shtetin e Illinoisit, në vitet ‘70, pasi kryepatriarku i kësaj familjeje, Ahmeti, i detyruar nga dhuna jugosllave, qe zhvendosur nga Prizreni dhe qe vendosur në Chicago. Në vitin 1979, një pjesë e familjes që përbëhej nga Ylli, Agroni, Mehmeti, nëna Bahrija dhe dy fëmijët e tjerë ishte kthyer në Kosovë që të kujdeseshin për prindërit e Ahmetit.
Katërmbëdhjetë vjet më vonë, me 1993, duke lënë prapa nënën dhe tre fëmijë, Iliri (vëllai i madh i familjes), Ylli, Agroni dhe Mehmeti ishin rikthyer sërish në Chicago. Pas disa vjetësh ata u shpërngulen prej aty dhe u vendosen në Long Island, New York.
Kur krisi lufta e Kosovës familja ishte e shpërndarë nëpër botë. Nëna me dy fëmijë kishte mbetur në Prizren. Një vëlla, i cili po ashtu iu bashkua UÇK-së, kishte gjetur strehim në Gjermani, ndërsa Ahmeti me katër djemtë ndodheshin në Amerikë, pasi kishin përcjellë djemtë, Yllin, Agronin dhe Mehmetin, së bashku me Batalionin “Atlantiku”, për në vijat e frontit në luftën e Kosovës.
Nuk më kujtohet saktësisht koha kur u takova me vëllezërit Bytyçi për herë të fundit në Prishtinë, por duhet të ketë ndodhur aty nga java e parafundit e qershorit të vitit 1999, kur ata vendosën të na bënin një vizitë dhe erdhën prej Prizrenit me një makinë të kuqe. Ishin të njëjtit: të lumtur dhe plot energji.
Lajmet e para mbi rrëmbimin dhe burgosjen e tyre nga serbët arritën javën e parë ose të dytë të korrikut, por, përfundimisht, kjo u vërtetua nga fundi i korrikut. Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi ishin dënuar për kundërvajtje me 15 ditë burgim nga një gjykatës në Kurshumli të Serbisë, i cili pati urdhëruar që të dërgoheshin në burgun e Prokuples.
Vera e pasluftës së Kosovës ishte plot me pëshpëritje, fjalë, teori dhe thashetheme nga më të ndryshmet.
U përhapen histori të llojllojshme: se si ata kishin qenë duke përgatitur një operacion special sekret; se si kishin qenë në ndjekje të paramilitarëve serbë dhe nuk e kishin vërejtur se kishin dalë gabimisht në Serbi; se si kishin qenë duke ekzekutuar një plan rrëmbimi të serbëve brenda Serbisë, të cilët do të kërkonin më vonë t’i këmbenin me pengje shqiptare nëpër burgjet e Serbisë, por, për fatin e tyre të keq, ishin kapur nga forca speciale serbo-jugosllave, etj., etj.
Ka edhe një version të çuditshëm: disa thonë se vëllezërit u ndaluan në një postbllok që kontrollohej nga ushtarë rusë të forcave ndërkombëtare brenda Kosovës dhe pasi u arrestuan iu dorëzuan Serbisë. U tha e çfarë nuk u tha, por versioni më i besueshëm na u dha nga familja e vëllezërve Bytyçi, pasi ushtarët tanë biseduan me ta në shtëpinë e tyre në Prizren.
Pas hulumtimeve disaditore familja Bytyçi kishte mësuar se si bijtë e saj kishin përfunduar në një burg serb. Para se të ktheheshin në Prizren, gjatë kohës që ata kaluan me “Atlantikun”, vëllezërit Bytyçi kishin marrë vesh se nëna e tyre Bahria, motra Bukuria, dhe vëllai Fatosi ishin vrarë. Kur kishin arritur në shtëpi dhe kishin parë nënën, motrën dhe vëllanë gjallë, ishin gëzuar tej mase.
Familja u kishte treguar se si dy familje fqinje rome, Mitroviq dhe Minushi, i kishin ndihmuar duke i mbrojtur dhe kështu mbase ua kishin shpëtuar jetën.
Përfundimi i luftimeve kishte ndërruar shumë gjëra në Kosovë. Zallamahia e pasluftës e kishte bërë minoritetin rom cak të sulmeve të mundshme, sepse shumica prej tyre gjatë kohës së luftës patën bashkëpunuar me serbët. Miroslav Mitroviq dhe çifti Minushi ua kishin hapur zemrën fqinjëve Bytyçi për frikën se mund të binin viktima të hakmarrjes. Ata u ishin lutur vëllezërve Bytyçi t’i shoqëronin deri në kufirin verior me Serbinë. Donin të shkonin për Kralevë ku kishin të njohur. Ylli, Agroni dhe Mehmeti, për ta shpërblyer të mirën me të mirë, kishin pranuar të udhëtonin me fqinjët e tyre duke u ofruar mbrojtje dhe siguri derisa të arrinin kufirin me Serbinë.
Në fillim të qershorit 1999, NATO-ja dhe Ushtria serbo-jugosllave kishin nënshkruar Marrëveshjen Ushtarake Teknike të Kumanovës, sipas së cilës, forcat serbe nuk guxonin t’i afroheshin vijës kufitare Kosovë-Serbi më shumë se pesë kilometra. Është shumë e mundur që kjo zonë neutrale prej pesë kilometrash të ketë qenë kurthi që ka çuar vëllezërit Bytyçi në duart e serbëve, ngase ata mund të kenë kaluar në territorin e Serbisë duke kujtuar se ishin në tokën e Kosovës.
Sido që të jetë, atë verë përcëlluese të vitit 1999, përpos faktit se ish-luftëtarët tanë ndodheshin në burg në Serbi, nuk arritëm të mësonim më shumë.

Disa nga ushtarët e “Atlantikut” qëndruan më gjatë në Kosovë, por deri nga fundi i vitit 1999, shumica prej nesh, ishim kthyer në Amerikë. Sa ishim në Prishtinë informuam Qeverinë e Përkohshme të Kosovës të Hashim Thaçit se vëllezërit Bytyçi ishin nënshtetas amerikanë dhe i lutëm ata të bënin diçka në bashkëveprim me Qeverinë amerikane.

Sapo arritëm në SHBA, shumica nga ne filluam menjëherë të interesoheshim për fatin e bashkëluftëtarëve Bytyçi. Alarmuam shoqatat dhe organizatat e komunitetit, dhe së bashku edhe me Bacë Ahmetin, babanë e tre vëllezërve, kontaktuam anëtarët e Kongresit të SHBA-së, Eliot Engel dhe Sue Kelly; pastaj zyrën e senatorit Charles Schumer, porse krejt çfarë morëm si përgjigje ishte që serbët e dinin që vëllezërit Bytyçi ishin amerikanë, prandaj ata do të mendoheshin mirë para se të ndërmerrnin ndaj vëllezërve ndonjë akt që do të cenonte të drejtat e tyre.

Kaluan javë, muaj, pastaj një vit dhe, derisa ishte duke ikur viti i dytë prej ditës së burgosjes së vëllezërve Bytyçi, më 2 korrik 2001, një grup i ish-ushtarëve të “Atlantikut”, vendosëm të shkonim në promovimin e librit “Waging Modern War” të komandantit të NATO-s gjatë Luftës së Kosovës, Wesley Clark.

Ky promovim organizohej nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane në krye me Joe DioGuardin dhe mbahej në vendnisjen e “Atlantikut” për në luftë, në një nga sallat e “Royal Regency Hotel” në Yonkers, ku ne, për herë të parë, patëm veshur uniformat e UÇK-së.

Atë ditë gjenerali Clark nënshkroi së paku 400 libra brenda dy orësh; pastaj iu drejtua masës prej më se 500 vetash me një fjalim mbi ditët kur kishte udhëhequr luftën kundër Milosheviqit.
Kur mbaroi së foluri Wesley Clark, Joe DioGuardi mori fjalën e tha se do të lejoheshin pyetje, por numri i tyre do të ishte i kufizuar.

E ngrita dorën menjëherë pasi doja të bëja një pyetje të vetme, por nuk po më vinte rendi. Nuk më mbante vendi pasi ne secilën herë që Clark përgjigjej nuk më jepej mundësia të bëja pyetjen, ndaj më kapi frika se mund të më ikte rasti të ngrija çështjen e vëllezërve Bytyçi para njeriut që besoja se duhej të njihte persona të rëndësishëm në administratën e Qeverisë amerikane. Isha i bindur që nëse amerikanët e vendosin Beogradin nën trysni, ndofta mund të merrej vesh mbi fatin e tre luftëtarëve të Batalionit “Atlantiku”.

Vetëm pas dhjetë minutave Joe DioGuardi ma dha fjalën. Thashë se kisha qenë ushtar i UÇK-së në kuadër të batalionit “Atlantiku”, pastaj iu drejtova gjeneralit:
– I nderuar gjeneral Clark, ne ish-ushtarët e batalionit “Atlantiku” e kemi konsideruar veten edhe si ushtarë tuajt, ndaj dhe ju falënderojmë për krejt çfarë keni bërë të mbroni qytetarët e pafajshëm në Kosovë. Unë besoj se ju jeni një gjeneral me kod nderi. Kam një pyetje, të cilën ne ish-ushtarët e “Atlantikut” ua kemi shtruar shumë personaliteteve, por askush nuk po na jep përgjigje. Si ushtarak, jam i sigurt që ju do të bëni gjithçka që është e mundur të ndihmoni ushtarët… Fjala është për tre ish-ushtarë të “Atlantikut”, të cilët janë nënshtetas amerikanë. Pas luftës, në qershor të vitit 1999, ata u morën robër nga forcat serbe. Ata janë tre vëllezër dhe, edhe pse kanë kaluar dy vjet pas luftës, ende nuk e dimë ku janë dhe a janë gjallë? Ne ju lutemi t’na ndihmoni të zbulojmë se ç’ ka ndodhur me vëllezërit Bytyçi!

Gjenerali tha:
– Faleminderit… Dua t’ju tregoj një gjë: kam pasur dijeni për Batalionin “Atlantiku”. Kur dëgjova që amerikanët me origjinë shqiptare janë në Malet e Pashtrikut, dhashë urdhër që aeroplanët e NATO-s të bombardojnë menjëherë pozicionet e serbëve përballë jush, për të mënjanuar rrezikun që u kanosej… Sa i përket çështjes së tre vëllezërve, unë nuk di gjë, por, nëse m’i jepni emrat e tyre, do ta hulumtoj këtë çështje dhe do të shoh çfarë mund të bëj.
Mora një copë letër, shkrova emrat e Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçit dhe ia dhashë gjeneral Wesley Clarkut duke e falënderuar edhe një herë për gatishmërinë e tij për të na ndihmuar.

Nuk di çfarë bëri Clarku, por brenda pak ditësh shumëçka filloi të lëvizë. Kumti i zi se vëllezërit Bytyçi ishin ekzekutuar, u mor vesh nga të gjithë. Në fillim, si pandehmë; pastaj shumë shpejt, doli si lajm i vërtetë. Shteti serb kishte kryer edhe një krim. Ndryshe nga rastet e tjera, kur kishte vrarë me qindra-mijëra kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë, Qeveria serbe në rastin e vëllezërve Bytyçi ua kishte marrë jetën tre qytetarëve amerikanë.

Sipas Joe DioGuardit, Wesley Clark të nesërmen e promovimit të librit të tij, më 3 korrik, i kishte telefonuar ambasadorit amerikan në Beograd, William Mongomery. Dy ditë më vonë, më 4 korrik, DioGuardi ishte befasuar kur e kishin pyetur nëse e pranonte një telefonatë nga një serb i Beogradit.
Një burrë i quajtur Vladimir Radomiroviq, redaktor i gazetës serbe “Reporter”, i kishte shpjeguar me telefon kryetarit të Ligës se kishte marrë informacione nga njerëz anonimë brenda Qeverisë së Serbisë për hapjen e një varreze masive në Petrovoselo.

Radomiroviq kishte thënë se, sipas burimeve të tij, në mbetjet e zbuluara të personave në varrezën e Petrovoselos besohej se ishin edhe trupat e vëllezërve Bytyçi, të cilët i kishin sytë e mbyllur me shirita të zinj, duart e lidhura mbrapa me tel dhe kishin plagë plumbash në kokë dhe në gjoks.
Sipas ekspertizës, tre vëllezërit Bytyçi ishin ekzekutuar nga afërsia. Në rrobat e njërit prej vëllezërve ishte gjetur një dokument gjyqi, i datës 27 qershor 1999, në të cilin ishin shkruar emrat e tre vëllezërve. Aty thuhej se qenë dënuar me 15 ditë burg, sepse kishin hyrë në Serbi ilegalisht!

Sapo kishte përfunduar bisedën me Radomiroviqin, DioGuardi kishte telefonuar përfaqësinë e Amerikës në Beograd, si dhe kongresistin Benjamin Gilman. Ky i fundit e kishte vendosur administratën e presidentit George W. Bush nën presion dhe rezultati kishte qenë i menjëhershëm.
Zyrtarët amerikanë në Beograd i ishin shtruar punës të mblidhnin dhe të siguronin sa më shumë informacion, i cili do t’i dërgohej me urgjencë Departamentit të Shtetit në Washington D.C.

Më 12 korrik, Joe DioGuardi së bashku me këshilltaren për çështje të Ballkanit të Ligës Qytetare Shqiptaro- Amerikane, Shirly Cloyes, ishin takuar me punëtorë të Departamentit të Shtetit. Zyrtarët e Departamentit të Shtetit kishin premtuar se do ta respektonin protokollin e Byrosë së Çështjeve Konsullore, i cili saktësonte procedurat, sipas të cilave shteti amerikan duhet të sillet kur qytetarët amerikanë zhduken apo vriten jashtë Amerikës. Pastaj ata do t’ia kumtonin familjes Bytyçi lajmin përmes kanaleve zyrtare.

Të njëjtën ditë, me t’u kthyer në New York, DioGuardi i kishte bërë një telefonatë kryetarit të Shoqatës “Atlantiku”, Arbër Muriqi. Arbri e informoi Kryesinë për të gjitha zhvillimet dhe shprehu dyshimin që vëllezërit Bytyçi mund t’i kishim humbur përgjithmonë.
Më 14 korrik shoqata jonë lëshoi një komunikatë me anë të së cilës kërkonte nga Qeveria amerikane të bënte analizat e evidencës forenzike. Nëse vërtetohej se trupat e vëllezërve Bytyçi ishin në varrezën në Petrovoselës, atëherë shteti amerikan duhej të bënte gjithçka që të sillte vrasësit para drejtësisë.
Nuk kaloi shumë kohë dhe lajmi i zi u konfirmua. Në mesin e rreth 60 trupave të gjetur në varrezën e Petrovoselës ishin edhe vëllezërit Bytyçi. Detaje të reja të tmerrshme dhe tronditëse filluan të dalin në sipërfaqe.

Vëllezërit Bytyçi ishin liruar nga burgu i Prokuples tri ditë para se t’u skadonte dënimi. Fqinji i tyre, Miroslav Mitroviq, pasi ishte njoftuar për lirimin, kishte shkuar t’i merrte që të tretë dhe t’i ndihmonte të udhëtonin deri në kufi me Kosovën.
Derisa fqinji Mitroviq ishte duke pritur te porta kryesore, vëllezërit Bytyçi ishin nxjerrë nga ndërtesa e burgut përmes një dere anësore më 8 korrik 1999. Sipas dëshmisë së Mitroviqit, drejtori i burgut të Prokuples i kishte thënë atij se vëllezërit Bytyçi ishin marrë nga dy persona në rroba civile, të cilët i kishin futur vëllezërit në një makinë të bardhë pa targa regjistrimi dhe ishin larguar në drejtim të panjohur.

Drejtori kishte gënjyer. Destinacioni i veturës ku ishin futur vëllezërit Bytyçi kishte qenë Petrovoselo, një qytezë disa qindra kilometra larg Prokuples.
Ylli, Agroni dhe Mehmeti ishin transportuar për në bazën e Njësisë Speciale Antiterroriste të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Petrovoselo. Dy ditë më vonë ata ishin ekzekutuar me plumba pas koke dhe ishin hedhur në varrezën masive ku ndodheshin me dhjetëra trupa të pajetë të shqiptarëve.
Sapo mësuam mandatën e llahtarshme, kryesia e Shoqatës “Atlantiku” përpara se të bënte çfarëdo qoftë tjetër, u nis për në shtëpinë e Bacës Ahmet për t’u solidarizuar dhe për të ndarë dhimbjen me familjen Bytyçi. Qëndresa e familjes Bytyçi ishte stoike, e pakrahasueshme.

Sjellja kaq njerëzore e Bacës Ahmet ishte treguesi më i mirë se pse djemtë e tij kishin qenë njerëz të rrallë dhe patriotë të kulluar.
Lajmi mbi ekzekutimin e vëllezërve Bytyçi zemëroi si shqiptarët ashtu edhe amerikanët. Ai ia ndali frymën botës së civilizuar anembanë globit. Shumë anëtarë të Senatit dhe të Kongresit amerikan, në mesin e tyre senatorët Mitch McConnell dhe John McCain, si dhe kongresisti Eliot Engel, kërkuan që vrasësit të viheshin para gjyqit.

Shoqata “Atlantiku” lëshoi disa komunikata për mediumet ku thirrëm Departamentin e Shtetit dhe të gjitha autoritetet përkatëse që të bënin gjithë ç’ ishte e mundur që përgjegjësit për krimin e rëndë ndaj vëllezërve Bytyçi të silleshin para drejtësisë dhe të merrnin dënimin e merituar.

Fakti që Ylli, Agroni dhe Mehmeti ishin nënshtetas amerikanë, e vendosi Qeverinë serbe në një situatë të vështirë. Qeveria amerikane u prononcua haptas se vrasjen e vëllezërve Bytyçi e shihte si krim me paramendim ndaj qytetarëve të Amerikës. Ndërkohë FBI-ja kishte dërguar disa ekipe për hetime dhe Ambasada amerikane në Beograd po monitoronte me kujdes procesin e hetimeve që bënin autoritetet e Beogradit.

Ne, ish-ushtarët e Batalionit “Atlantiku”, ato ditë zie në komunitetin shqiptaro-amerikan u munduam t’i gjendeshim pranë familjes dhe Bacë Ahmetit. Gjatë një vizite në familjen Bytyçi zyrtarë të Departamentit të Shtetit u kishin shpjeguar familjes dhe Bacës Ahmet procedurat e sjelljes së eshtrave të qytetarëve amerikanë kur vriteshin apo aksidentoheshin jashtë Amerikës. Ata kishin ofruar mbështetje nëse familja donte t’i varroste djemtë në Kosovë.

Baca Ahmet e shestoi këtë me nënë Bahrien, gruan e tij, djemtë dhe me vajzën Bukurien dhe familja vendosi që eshtrat e Yllit, Agronit dhe të Mehmetit të ktheheshin në vendin e lindjes së tyre, në SHBA. Ata shprehën dëshirën që djemtë e tyre të varroseshin në varrezat e Yonkersit, 400 metra prej “Royal Regency Hotel”, prej ku bijtë e tyre dhe Batalioni “Atlantiku” ishin nisur për të ndihmuar në çlirimin e atdheut tonë në prill të vitit 1999.

Dëshirat e prindërve dhe të familjes u respektuan. Por trupat u transportuan për Amerikë vetëm pas më shumë se gjashtë muajsh shtyrjeje nga Qeveria serbe.
Në bashkërenditje të ngushtë me familjen dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan, me ish-luftëtarët e “Atlantikut” dhe me Shoqatën “Atlantiku” përgatitëm programin e ceremonive mortore të kthimit të eshtrave të vëllezërve Bytyçi në Kosovë – Prishtinë, i cili ishte si vijon:

  • E premte, 22 shkurt 2002:
    Nisja e pjesës së parë të delegacionit të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të shoqatës “Atlantiku” nga New York-u për në Prishtinë.
    E shtunë, 23 shkurt 2002
    Arritja e delegacionit në Prishtinë.
    E diel, 24 shkurt 2002
    Arritja e pjesës së dytë të delegacionit në Prishtinë. Ambasadori William Walker i bashkohet delegacionit në Prishtinë.
    E martë, 26 shkurt 2002
    Arritja e eshtrave të vëllezërve Bytyçi nga Serbia në Kosovë.
    E mërkurë, 27 shkurt 2002
    Ora 2 pasdite: Ceremoniali ushtarak dhe civil mortor me pjesëmarrjen e familjes, ish-pjesëtarëve të Batalionit “Atlantiku”, UÇK-së, qytetarëve të Kosovës. Nderimin ushtarak në ceremoni e kryen Garda e Ushtrisë së Kosovës (TMK).
    Ora 3 pasdite: Tubimi memorial kryesor në palestrën e sporteve “1 Tetori” në Qendrën e Studentëve në “Kodrën e Diellit”.
    E shtunë, 28 shkurt 2002
    Nisja e eshtrave nga Prishtina për në New York në përcjellje të delegacionit shqiptaro-amerikan.JA SI U VRANË VËLLEZËRIT BYTYÇI
    E premte, 1 mars 2002
    Ora 7 e mbrëmjes: Arritja e eshtrave të vëllezërve Bytyçi në aeroportin “John F. Kennedy” në New York. Ora 7:30 e mbrëmjes: Konferencë shtypi për mjetet amerikane të informimit.
    E shtunë, 2 mars 2002
    Vizitat e komunitetit dhe të miqve amerikanë për homazh eshtrave të vëllezërve Bytyçi.
    E diel, 3 mars 2002
    Shërbesa funerale nga ora 2 pasdite deri në orën 9 të mbrëmjes në Shtëpinë e Funeraleve Farenga Bros (620 Allerton Avenue në Bronx). Ushtarët e Batalionit bëjnë roja nderi pranë arkivoleve gjatë tërë kohës.
    E hënë, 4 mars 2002
    Tubimi komemorativ kryesor në SHBA fillon në oborrin e “Royal Regency Hotel” në adresën- 165 Tuckahoe Road, Yonkers, New York.
    Ora 1 pasdite: Varrimi i eshtrave të vëllezerve Bytyçi dhe nderimi i fundit- Varrezat St. Mary prapa “Royal Regency Hotel”.

Ceremonitë mortore dhe përcjellja me nderime ushtarake e eshtrave të vëllezërve Bytyçi në Prishtinë (27-28 shkurt 2002) dhe në New York (1-4 mars 2002) ishin ngjarje prekëse për shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptaro- amerikanët në veçanti. Çfarë i bëri ato aq sublime, ishte pjesëmarrja e qindra-mija shqiptarëve gjatë ceremonialeve në atdhe dhe në Amerikë dhe angazhimi i dhjetëra zyrtarëve amerikanë që bënë ç’mundën të sjellin bashkëqytetarët e tyre amerikanë me dinjitet në banesën e fundit.

Ditët pas varrimit të eshtrave të vëllezërve Bytyçi ishin të rënda, por ajo çfarë na bëri dhimbjen më të durueshme qenë me mijëra mesazhe ngushëllimi dhe letra përkrahjeje që i arritën familjes dhe shoqatës sonë…
Një ndër letrat më të bukura na erdhi nga një amerikane, Dana DaCosta. Ajo kishte punuar për zëvendëskomandantin tonë Fadil Idrizi dhe përmes tij kishte njohur edhe disa ushtarë të tjerë, të cilët e kishin impresionuar me thjeshtësinë dhe modestinë e tyre. Kishte lexuar në shtypin amerikan për tragjedinë që kishte pllakosur familjen Bytyçi dhe për komunitetin shqiptaro- amerikan dhe ishte ulur për të shkruar një letër shumë mallëngjyese që na e kishte dërguar ditën e varrimit.
Miqtë e mi të Batalionit “Atlantiku”.
Me rastin e humbjes së tre vëllezërve tuaj Bytyçi, ju lutem më lejoni të ndaj dhimbjen dhe pikëllimin me ju!
Kur ushtarët amerikanë kthehen nga lufta, ne i presim me parada, medalje, nderime dhe me ceremoni përshëndetëse deri në nivelet më të larta të qeverisë. Ushtarët tanë kthehen të lumtur në shtëpitë e tyre, te shokët dhe familjet e veta. Pasi ata kanë luftuar dhe ruajtur lirinë e Amerikës, ata mund të kthehen në shtëpi dhe të vazhdojnë jetën e tyre në rehati si përpara. Ushtarët amerikanë pas çdo lufte lavdërohen si heronj, ashtu siç e meritojnë.
Miqtë e mi shqiptarë nga Ballkani, nuk e kishit fatin e amerikanëve. Ju luftuat dhe ne u jemi falënderues, por shumë shokë dhe familjet tuaja nuk janë më. Për dallim nga luftëtarët amerikanë, shumë nga shokët tuaj të UÇK-së nuk kishin ku të ktheheshin. Shtëpitë e tyre dhe kujtimet e fëmijërisë ishin djegur deri në themele duke u shndërruar në hi.
Kam pasur rastin t’i njoh disa nga ushtarët e Batalionit tuaj “Atlantiku” dhe për një kohë të shkurtër ata më kanë lënë përshtypje të thella. Ndihem se kam qenë me fat që kam hyrë në rrethin konfidencial të tyre dhe kam pasur nderin të dëgjoj disa histori nga përvoja e tyre luftarake. Por asnjëherë nuk i kam ndier të mburren. Përkundrazi, ata më thoshin se ju bëtë çfarë ishte e nevojshme dhe do të kishit dëshiruar të kishit bërë më shumë. Ua them me sinqeritet: unë jam e mahnitur me trimërinë tuaj dhe po aq e befasuar me modestinë dhe përulësinë tuaj.
Ju jeni bërë vëllezër të vërtetë, në kuptimin më të pastër të fjalës. Vëllezër – jo nga prindërit apo lindja, por nga fuqia e çuditshme e fatit, i cili u kishte hedhur në duart e tmerrit që quhet luftë. Unë ju vështroj kur ju jeni me njëri- tjetrin dhe këto janë çaste kur kuptoj domethënien e lojalitetit si ndjenjë dhe qëndrim. Përkushtimi juaj për njëri-tjetrin është i rreptë dhe i paluhatshëm. Lidhja mes jush është e padepërtueshme dhe gati e prekshme fizikisht. Dashuria juaj për njëri-tjetrin ka lindur nga domosdoshmëria, shqetësimi i përbashkët dhe aspirata fisnike për atdheun tuaj origjinal.

E di, për ju nuk do të ketë parada e as nderime formale. Ju as nuk i prisni as nuk i kërkoni ato. Dëshirat tuaja janë shumë të thjeshta. Ato janë disa gjëra të drejta që unë i nënkuptoj si të garantuara, si për shembull ajri që thithim. Liria dhe të drejtat njerëzore themelore janë ato për çfarë luftuat ju ushtarët e Batalionit “Atlantiku”; të dyja, për ne amerikanët janë gjëra të cilat i kemi të përditshme.
Me zbulimin e trupave të Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçit, ish-luftëtarë të Batalionit tuaj, unë vetëm mund të parafytyroj ankthin dhe dhimbjen e familjes Bytyçi dhe të vëllezërve të tyre nga Batalioni “Atlantiku”. Unë e di si ndihen ushtarët e “Atlantikut” që i njoh, sepse ata, edhe pse duan, nuk mund t’i fshehin dot as hidhërimin e as trishtimin.

Vëllezërit Bytyçi ishin qytetarë amerikanë si unë dhe, po të donin, do të kishin mundur të rrinin mënjanë, larg luftës së Kosovës. Ata lirisht mund të rrinin në Amerikë dhe të linin në dorën e atyre që ishin në rrezik të bënin si të mundeshin. Por ata vepruan si burra dhe shkuan të ndihmojnë njerëzit e tyre. Forca e karakterit, guximi dhe besnikëria e vëllezërve
Bytyçi për të mbrojtur njerëzit nga vendi i të parëve të tyre, janë marramendëse. Fakti se ata zgjodhën të hynin në fushën e betejës, i bën ata tre djem të jashtëzakonshëm. Ky fakt tregon dinjitetin dhe integritetin e tyre. Unë jam e sigurt se në qiell ka një vend të veçantë për luftëtarë të tillë të guximshëm çfarë ishin Ylli, Agroni dhe Mehmeti.

Si “superfuqi” që jemi, krejt bota shikon nga Amerika kurdo që diku ka ndonjë trazirë. Jam e frikësuar, pasi lidhur me rastin e vëllezërve Bytyçi nuk kemi bërë gjithë çfarë është dashur dhe çfarë mund të bëjmë. Efektet e pavendosmërisë sonë përkundrejt Serbisë për rastin e vëllezërve Bytyçi mbeten të shihen. Si amerikane, ndihem e dhunuar. Si qenie njerëzore jam e tmerruar nga mungesa e respektit të serbëve për jetën. Është e padiskutueshme që Tribunali i Kombeve të Bashkuara në Hagë do të duhej të rrotullonte çdo gur dhe të fillojë hetimin e këtij rasti. Tribunali është fillimi i procesit të drejtësisë në Ballkan. Vetëm pas dokumentimit të krimeve të luftës dhe kërkimeve të plota për të vërtetën, pajtimi dhe procesi i shërimit të sa e sa viktimave dhe familjeve të shkretuara, do të jetë i mundshëm. Njerëzit e vrarë nuk do mund të kthehen në jetë, por nevoja për drejtësi dhe për të ditur të vërtetën është më se e nevojshme.

Gjithë evidenca e krimeve gjatë luftërave në Ballkan duhet të arkivohet dhe ata që vërtetohen dhe shpallen fajtorë duhet të dënohen. Unë për veten time ndihem e turpëruar, që edhe pse Beogradi ka një qeveri të re, në Serbi ende ka meshkuj dhe femra shqiptare që dergjen nëpër burgjet e shtetit serb, dhe të tillë që nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Ne, amerikanët, duhet t’i telefonojmë politikanët tonë të zgjedhur me votat tona. Të kërkojmë me këmbëngulje prej tyre të shtrëngojnë Qeverinë e Serbisë që t’u përmbahet ligjeve ndërkombëtare për trajtimin e pengjeve të luftës.

Pas Holokaustit, të gjithë njerëzit e fuqishëm të politikës deklaruan “Kurrë më!” U desh që gjysma e botës të ngrihet për të mposhtur njeriun e krisur Adolph Hitler, sepse pasojat mund të ishin katastrofale për gjithë njerëzimin. Megjithatë, ja ku jemi përsëri, sapo kemi vënë këmbën në mileniumin e ri, ende të përgjakur si familje njerëzore, dhe na mori 14 vjet ta hedhim nga pushteti i tij gjakësor Milosheviqin.
Dhe sot ai del para Tribunalit të Hagës arrogant dhe i zemëruar dhe thotë se krejt çfarë ka bërë ishte për dobinë e popullit të tij dhe se nuk ka bërë asnjë gabim. Kë duhet ta fajësojmë për dëmtimin e gjithë njerëzimit për çfarë ka ndodhur në Ballkan? Nëse të drejtat njerëzore themelore të cilitdo person në planetin tonë shkelen, a nuk jemi ne, qytetarët e gjithë botës, në një mënyrë a tjetër, përgjegjës? Pyetja që shtrohet me urgjencë është: rendi i kujt do jetë herën e ardhme dhe a do të lejojmë herën tjetër që të jemi vetëm soditës, apo do të mësojmë nga tragjedia e popujve të Ballkanit?

Në pamundësi t’u përgjigjeshim të gjithë bashkëluftëtarëve, dashamirësve, miqve, shokëve, institucioneve, si shqiptare ashtu dhe amerikane, dhe mjeteve të informimit, më 6 mars 2002, shoqata “Atlantiku” dërgoi një letër falënderimi, të cilën ua adresoi shqiptarëve në Ballkan, komunitetit shqiptaro-amerikan, Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Shtabit Suprem të Ushtrisë së Kosovës (TMK-së) dhe redaksive të mjeteve të informimit në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Republikën e Shqipërisë dhe në SHBA.
LETËR FALËNDERIMI NGA SHOQATA “ATLANTIKU”

Sigurisht që për familjen Bytyçi nuk ka asnjë lloj zëvendësimi për humbjen e tre djemve, Yllit, Agronit dhe Mehmetit. Dhimbja për këputjen e jetës së bijve të tyre nga dora e regjimit të Milosheviqit do të jetë e përhershme, por të përhershme do të jenë edhe respekti dhe krenaria për tre vëllezërit Bytyçi.

Pas gati tre vjetësh kërkimi, eshtrat e tyre më në fund prehen të qetë në tokën e Amerikës, në vendin e tyre të lindjes. Tre vëllezërit Bytyçi, si djem të vërtetë të Kosovës, u nisën nga atdheu i tyre i lindjes, SHBA, që në Kosovë të vendosen idealet amerikane të lirisë, të demokracisë dhe të tolerancës.
Me rastin e nderimit dhe përcjelljes madhështore të eshtrave të tre vëllezërve Bytyçi në Prishtinë dhe Yonkers të New Yorkut, shoqata “Atlantiku” falënderon të gjithë shqiptarët në Ballkan dhe në Amerikë që shprehën respekt dhe homazhe për vëllezërit Bytyçi.

Falënderojmë Ambasadën Amerikane në Prishtinë dhe posaçërisht ambasadorin John K. Menzis, për përkrahjen dhe punën e madhe në ndriçimin dhe premtimin për hetimin e rastit më tutje, derisa vrasësit e vëllezërve Bytyçi të dalin para drejtësisë. Falënderojmë Departamentin e Shtetit për punën e madhe dhe përkrahjen gjatë gjithë kohës prej kur gjenerali Wesley Clark, në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Beograd, filloi procedurën për identifikimin e trupave të vëllezërve Bytyçi.

Falënderimet më mirënjohëse për organizimin dhe nderimin dinjitoz dhe madhështor të ceremonisë në Prishtinë ia drejtojmë Ushtrisë së Kosovës (TMK-së), pjesëtarëve të Gardës së TMK-së dhe veçanërisht Shtabit Suprem te TMK-së dhe komandantit të Ushtrisë së Kosovës- gjeneral Agim Çekut.
Falënderojmë për përcjelljen e vazhdueshme dhe profesionale të ceremonisë mortore në Prishtinë të gjitha mediumet e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Republikës së Shqipërisë, si, stacionet televizive, radiot, gazetat, ashtu dhe mediumet elektronike në internet.

Me rastin e nderimit dhe përcjelljes madhështore të eshtrave të tre vëllezërve Bytyçi, gjatë ceremonisë së nderimit dhe varrimit në New York falënderojmë për ndarjen e dhimbjes dhe përkushtimin për mbarëvajtjen e ceremonisë ambasadorin William Walker, kongresistin Eliot Engel dhe policinë e distriktit të Yonkersit për përcjelljen me nderim të arkivoleve dhe kortezhit.

Falënderojmë po ashtu të gjithë pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan për nderimin që iu bënë eshtrave të vëllezërve Bytyçi gjatë ceremonisë funerale, si dhe me pjesëmarrjen masive gjatë varrimit. Falënderojmë të gjitha shoqatat dhe asociacionet e komunitetit dhe posaçërisht shoqatën “Miqtë e TMK-së për Amerikë dhe Kanada” me seli në New York për vënien në dispozicion të krejt anëtarësisë në informimin dhe organizimin e ceremonisë në Prishtinë dhe New York.
Ne fund falënderojmë për prezentimin dhe info- rmimin e ngjarjes mjetet e informimit në SHBA, veçanërisht gazetën ” The New York Times”, kanalet televizive, CBS, Channel 11, Channel 12, gazetën “Illyria” dhe stacionin televiziv Albanian Culture, për të mos harruar të falënde- rojmë me mijëra individë nga mbarë bota që na dërguan telegrame ngushëllimi dhe mbështetje.

Shoqata “Atlantiku” pas varrosjes së eshtrave të vëllezërve Bytyçi edhe një herë thërret autoritet amerikane që të bëjnë gjithçka derisa të identifikohen kryerësit e krimit ndaj vëllezërve Bytyçi dhe të vendosen para drejtësisë.
Edhe pse u lehtësuam një grimë, sepse kishim kryer një obligim të rëndësishëm ndaj vëllezërve Bytyçi duke i bartur eshtrat e tyre nga toka e ftohtë e Serbisë në tokën e tyre të lindjes në Amerikë, dhimbja dhe boshllëku në zemrat tona ishin shumë të mëdha. Hapi i ardhëm ishte dedikimi ynë të bënim çmos, që të fillonte procesi i drejtësisë.

Ne dhe sidomos familja Bytyçi tentuam gjithë çfarë mundëm të shtynim shtetin serb të zbatonte drejtësinë. Ata që kishin shkrepur plumba mbi vëllezërit duarlidhur, dhe veçanërisht ata që kishin dhënë urdhrat, do duhej të jepnin llogari para gjyqit. Porse, prej korrikut të vitit 2001, kur u zbulua krimi mbi vëllezërit Bytyçi, u deshën të kalonin vite derisa Serbia filloi të bënte diçka për të lejuar drejtësinë të ndizte motorët e sistemit të saj.

Fatos Bytyçi, vëlla i Yllit, Agronit dhe Mehmetit, pas vizitës së parë që kishte bërë në Serbi në vitin 2004, ia kishte mësyrë Beogradit edhe një herë në janar të vitit 2006. Madje ai ishte takuar edhe me presidentin serb, Boris Tadiq, i cili i kishte premtuar që rasti do të zgjidhej.
Por asgjë nuk ndodhi.

Atëherë familja i ktheu shpresat tek Qeveria amerikane, e cila, e frustruar me vonesat dhe arsyetimet më banale të Serbisë, më 11 korrik 2006, në një deklaratë të publikuar nga Ambasada në Beograd, nëpërmjet fjalëve të ambasadorit Michael C. Polt, kërkonte nga autoritetet serbe që të përfundonin shpejt hetimet mbi vrasjen e vëllezërve Bytyçi dhe të ngrinin padi kundër fajtorëve. Zyrtarët e Ambasadës së SHBA-së në Beograd ishin të bindur që prokurorët kishin evidencë të bollshme për të filluar gjykimin. Reagimi serb qe relativisht i shpejtë.

Më 23 gusht 2006, shtatë vjet pas krimit mizor kundër vëllezërve Bytyçi, Zyra e Prokurorisë së Krimeve të Luftës e Republikës së Serbisë shpalli lajmin se kishte ngritur padi kundër dy oficerëve të policisë serbe, Sreten Popoviq dhe Milosh Stojanoviq. Ata ishin të dyshuar si bashkëfajtorë në ndërmarrjen kriminale ndaj vëllezërve Bytyçi dhe kishin shkelur Konventën e Gjenevës për Pengjet e Luftës. Në fakt, hetimet formale për implikimin në krim të Popoviqit dhe Stojanoviqit kishin filluar në mars 2006, por gjykimi kundër këtyre dy oficerëve të rangut të ulët nuk filloi deri më 13 nëntor 2006.

Ndërsa zhvillohej procedura e gjykimit të Popoviqit dhe Stojanoviqit, vendi ku ndodhej varreza e Petrovoselos ishte në juridiksionin zyrtar të Zyrës së Prokurorisë në Negotin. Në mënyrë të përsëritur, kjo zyrë kishte kërkuar nga organet policore të identifikonin urdhëruesit dhe personat që kishin ekzekutuar urdhrin për vrasjen. Prokuroria ia kishte dërguar policisë një listë me emrat e njerëzve, të cilët mund t’u ndihmonin atyre të vilnin informacione të vlefshme për rastin, nëse departamentet përkatëse të policisë do të kryenin punën e tyre duke i kontaktuar dhe intervistuar njerëzit në listë.

Në mesin e emrave ishte Vlastimir Gjorgjeviq, ish-shef për Siguri Publike i Milosheviqit, i cili dyshohej se kishte organizuar rrëmbimin, transferimin dhe vrasjen e vëllezërve Bytyçi.
Prokurorët i sugjeronin policisë të merrnin në pyetje Obrad Stevanoviqin, ish- asistent të ministrit të Brendshëm dhe ish-komandant të të ashtuquajturit Ekip i Ndjekjes në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, anëtarët e të cilit i kishin marrë vëllezërit Bytyçi nga burgu i Prokuples. Një person tjetër i rëndësishëm për hetimet ishte edhe Goran Radosavleviq-Guri. Si ish-shef i xhandarmërisë serbe, Guri ishte në kontakt të vazhdueshëm me Vlastimir Gjorgjeviqin dhe, kur ishin likuiduar vëllezërit Bytyçi, kishte qenë komandant i kampit të Petrovoselos.
Drejtësia serbe kishte mbetur në baltë dhe lëvizte me zvarritje kërmilli. Kjo kishte mundësuar ikjen e të dyshuarve kryesorë për përfshirjen në krimin mbi vëllezërit Bytyçi: Vlastimir Gjorgjeviq dhe Goran Radosavleviq-Guri, të cilët flitej se fshiheshin në Rusi.

Policia, shërbimet e inteligjencës dhe segmente të shtetit serb, mundoheshin të fshihnin të vërtetën. Popoviqi dhe Stojanoviqi mbetën të akuzuarit e vetëm.
Më 28 shkurt 2007, u arrestuan edhe katër oficerë te tjerë të policisë serbe (në mesin e tyre ishte edhe Milenko Arsenijeviq), porse u liruan përkohësisht nga burgu dy të akuzuarit e parë-Milosh Stojanoviq dhe Sreten Popoviqi.
Këto dredha të drejtësisë dhe të ekzekutivit serb i detyruan amerikanët që në mars të vitit 2007, nëpërmjet Ambasadës në Beograd, të dalin me qëndrim shumë të prerë, si dhe të deklarojnë pa ekuivokë se Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së do të bënte hetime vetjake, në përputhje me ligjin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Hidhërimi amerikan u ndie menjëherë në Serbi. Organet e drejtësisë serbe lëshuan fletarrestime për Vlastimir Gjorgjeviqin dhe Goran Radosavleviq-Gurin, por shteti serb, thoshte se nuk dinte asgjë për vendndodhjen e tyre.
Të injoruarit e fakteve nga shteti serb u duk qartas, kur në qershor të vitit 2007, Tribunali i Hagës, në bashkëpunim me Serbinë dhe Malin e Zi, arrestoi Vlastimir Gjorgjeviqin. Ai nuk u arrestua në Rusi, ku thuhej se ishte fshehur, por u arrestua në mes të Budvës, qytet në bregdetin malazias. I dyshuari tjetër, Goran Radosavleviq-Guri, gjendet akoma i fshehur duke iu shmangur drejtësisë.
Sipas dëshmive të ish-funksionarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Dragan Karleusha, që i ka dhënë gjatë procesit kundër Milosheviqit në Hagë në vitin 2002, dhe së fundi në janar të vitit 2009, mbi vrasjet dhe transportimin e kufomave të shqiptarëve të vrarë në Suharekë, del se zinxhiri i urdhrave për të kryer krime ka filluar prej niveleve më të poshtme dhe ka kaluar përmes Vlajko Stojilkoviqit, ministër i Punëve të Brendshme, Radomir Markoviqit, shefi i Shërbimit Sekret të Serbisë dhe arrinte te kreu i shtetit, Slobodan Milosheviq.
Bazuar në praktikat e përcjella nga Serbia për të shtyrë, fshehur dhe shkatërruar provat në lidhje me krime të shumta ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe krimin mbi vëllezërit Bytyçi, në veçanti, duket qartë se mënyra e vetme që të arrihet drejtësia për rastin e vëllezërve Bytyçi është që çështjen Bytyçi ta merrnin përsipër ose gjykatat amerikane, ose ndonjë gjykatë ndërkombëtare.
Kur u arrestuan vëllezërit Bytyçi ata ishin çmobilizuar nga lufta dhe veprimet luftarake kishin përfunduar. Serbia kishte të burgosur që kishin luftuar me UÇK-në, që i kishte kapur gjatë luftës dhe pas luftës, por ata janë gjykuar, mbajtur peng apo lëshuar.
Pengjet e luftës nuk ekzekutohen as gjatë zhvillimit të luftimeve e lerë më në paqe. Krimi mbi vëllezërit Bytyçi ishte planifikuar, urdhëruar dhe kryer nga segmente të shtetit serb, që përfshijnë oficerë dhe zyrtarë të burgut në Prokuple e deri te kupola e shtetit dhe vetë Milosheviqi.
Vëllezërit Bytyçi u vranë, sepse ishin amerikanë dhe luftëtarë të UÇK-së. Serbia nuk do ta heqë kurrë turpin e krimit të saj mbi vëllezërit Bytyçi, por së paku mund ta lajë disi ndërgjegjen e katranosur, nëse i gjykon dhe dënon ata që e dhanë komandën dhe ata që e ngrehën këmbëzën dhe ua morën jetën në lule të rinisë vëllezërve Bytyçi.
Vëllezërit Bytyçi ishin shokë të mrekullueshëm. Më i madhi, Ylli, shumicën e kohës gjatë luftës e kaloi i angazhuar në punët e logjistikës. Ai ishte një djalë ëndërrimtar, inteligjent dhe i këndshëm. Agroni ishte një i ri i hijshëm dhe shumë i fuqishëm. Ai ishte një ushtar i patrembur dhe shumë herë iu fut armikut në thellësi të radhëve të tij. Më i riu nga ata, Mehmeti, ishte më i gjati dhe në vend të kapelës së UÇK-së, mbante si shami flamurin amerikan. Ne, ushtarët e Batalionit “Atlantiku”, do t’i mbajmë mend tre vëllezërit Bytyçi për jetë të jetëve, ashtu si ishin, të thjeshtë, entuziastë, plot jetë dhe luftëtarë trima.
Sot, dhjetë vjet pas luftës çlirimtare të Kosovës, kur kujtojmë tre heronjtë tanë që vdiqën për liri, zemrat tona mbushen me pikëllim e mirënjohje. Shqiptarët kudo që janë nëpër botë gëzojnë lirinë, për të cilën kontribuuan edhe vëllezërit Bytyçi. Ne kurrë nuk do ta harrojmë humbjen e bashkëluftëtarëve tanë të dashur, të cilët paguan çmimin më të lartë për liri. Ata që e njohin historinë e shqiptarëve e dinë që kombi ynë është besnik me miqtë, i dashur ndaj atyre që e respektojnë dhe i përkushtuar ndaj aleatëve. Por ne kurrë nuk do t’u përkulemi okupatorëve ose t’i dorëzohemi agresionit.
Sot, dhjetë vjet pasi shqiptaro-amerikanët nisën Batalionin “Atlantiku” që të ndihmojë për lirinë e Kosovës, duhet të shkojmë përtej dhimbjes dhe falënderimeve, të jemi syçelë dhe të gatshëm për sfidat që na presin. Ne duhet të nderojmë gjakun e Bytyçëve dhe të dëshmorëve të tjerë për hir të së ardhmes. Vëllezërit Bytyçi dhe martirët e tjerë të UÇK-së kryen detyrën e tyre.
Tash është radha jonë të kryejmë tonën dhe të punojmë për bashkimin dhe përparimin e kombit tonë. Ne e dimë se e kaluara nuk vjen dot më. Por, nuk i harrojmë ushtarët tanë, prandaj edhe u ngremë atyre përmendore nëpër tokat tona. Ish- bashkëluftëtarët nga “Atlantiku” dhe komuniteti shqiptaro amerikan u ngritën vëllezërve Bytyçi tre lapidarë mbi varrezat e tyre në Yonkers. Epitafet që shënuam në gurët e varrit të tre vëllezërve tanë nuk
duan koment, sepse ato flasin vetë.

Ylli Bytyçi
(në shqipe)
Në qoftë se çmimi i lirisë ishin jetët tona – ne nuk mundëm të japim më shumë!
(në anglishte)
If our lives were the price to pay for freedom- we could not give more!

Agron Bytyçi
(në shqipe)
Se Zoti vet e tha me gojë, që kombet shuhen për mbi dhe, Po Shqipëria do të rrojë, Për te, për te luftuam ne.
(në anglishte)
For the Lord Himself has said, That nations vanish from the earth, But Albania shall live on, Because for her, for her we fought.
Mehmet Bytyçi
(në shqipe)
Mbani këto fjalë në zemrat tuaja dhe kurrë mos harroni se kush jeni!
(në anglishte)
We commend these words to you. Carve them in you hearts and never forget who you are!

Shqiptaro-amerikanët i ngritën këto përmendore, sepse ne e respektojmë gjakun dhe trashëgiminë e luftës për liri të kombit shqiptar dhe kurrë nuk do të harrojmë golgotën nëpër të cilën kaluam.
Sot, një dekadë pas luftës së Kosovës, duhet të vazhdojmë të fitojmë përpjekjen për të mbrojtur lirinë, sidomos kur forca të caktuara në Serbi as sot, pasi Kosova ka shpallur mëvetësinë dhe aspiron vetëvendosjen, nuk i pranojnë shqiptarët si fqinjë të barabartë dhe bëjnë çmos që të minojnë pavarësinë e Kosovës. Rreziqet e së tashmes dhe sfidat e së ardhmes nuk do të jenë të lehta. Ato do të jenë të vështira, sepse lirinë është më vështirë ta ruash sesa ta fitosh.
Ne shpresojmë që dora jonë e shtrirë për paqe do t’i kthjellë fqinjët tanë serbë që ata të pranojnë të jetojnë në fqinjësi të mirë. Shqiptarët në Ballkan angazhohen që ta zgjerojmë shtëpinë tonë duke bërë që gjithë Evropa të ketë një kulm të përbashkët. Kombi ynë është përcaktuar për paqe, stabilitet, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim si me kontinentin mëmë, Evropën, ashtu edhe me Amerikën-miken e shqiptarëve. Por, përderisa ne e shtrijmë njërën dorë që të ofrojmë paqen, tjetrën e kemi gati të mbrojmë lirinë, të drejtat dhe interesat tona si një komb- unik dhe i pandashëm- në Ballkanin dhe Evropën e Bashkuar.
Ne, shqiptarët e Amerikës, nga foleja e lirisë, demokracisë dhe shpresës për një njerëzim që aspiron një të ardhme më të mirë; nga zemrat e pjesëtarëve të komunitetit tonë prej New Yorkut në Detroit, prej Bostonit në Philadelphia, prej Chicago-s në Los Angeles, prej Denverit në New Orleans, prej Miamit në Anchorage, prej Houstonit në Washington D.C; përmes kujtimit për vëllezërit Bytyçi përcjellim dëshirat tona më të mira për kombin tonë dhe njerëzimin. Nga mërgata e Nolit dhe Konicës, u bëjmë thirrje shqiptarëve kudo që janë, të jenë guximtarë, të bashkuar dhe paqedashës, kurse vendit tonë të dytë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u themi se e vlerësojmë miqësinë dhe besimin që na kanë dhënë.
Vëllezërit Bytyçi pushofshin në paqe dhe gjithmonë u bëftë shpirti dritë!
Zoti i bekoftë shqiptarët dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Filed Under: Histori Tagged With: BLIC- EKSKLUZIVE: Ja si, u vranë, Uk Lushi, vellezerit Bytyci

“Si shkohet për të vet vetja”…

June 3, 2015 by dgreca

Shkruan: Ricardo Rubio-Buenos Aires, Argjentinë/*
E njoha Jeton Kelmendin në qytetin e Curtea de Arges, ish kryeqyteti i mbretërisë së Vllahisë, Rumani, në vitin 2014, gjatë aktiviteteve në një festival të poezisë, virtyti më i madh i të cilit ishte për të mbledhur poetë të distancave të ndryshme, të largëta në të vërtetë, nga ato të cilat bashkojnë rregullisht autorët latinë me të cilat jam mësuar.
Kelmendi është dhe ka qenë një luftëtar në spektër të gjerë të fjalës; është një ish luftëtar ballkanas i cili u përball me peripecitë me të cilat politikat e rradhës i mbajnë pezull popujt, duke ua parandaluar lirinë dhesi pasojë e kësaj edhe buzëqeshjen; këtë temë e shtjellon Richard A. Brosio në parathënien e botimit në gjuhën angleze të paraqitur në vahzdim; preferoj, nga ana ime, tani të flas për punën e përkthimit dhe disa nga tiparet dhe karakteristikat e poetit tonë.
Ne e dimë se përkthimin në mes të gjuhëve të largëta, të tilla si gjuha spanjolle dhe ajo shqiptare ofrojnë më shumë vështirësi se ato me të cilat përballemi gjatë përkthimeve të teksteve të gjuhëve romane mes veti, sepse, në një mënyrë, në këto të fundit, substrati i përbashkët i latinishtes vulgare i bashkon
pjesërisht.
Kam vënë re se si anglishttja, me barrierat e saja që synojnë reduktimin e
fjalëve nuk e përballon sintetizimin energjik të shqipes, dhe në disa metafora ose alegori është dashur të ndërhyhet për t´i mbart nga një gjuhë në një tjetër, në mënyrë që të sigurojë vullnetin dhe synimin e poetit. E shoh në gjuhën shqipe një fuqi të fshehtë, të ngjashme me ate të gjuhës gjermane, por me më shumë mundësi të ekstraktit.
E kam bërë përkthimin nga gjuha angleze, nuk i di gjuhët ballkanike, arsye kjo që nuk më bënë të turpërohem që iukam drejtuar fjalor shqip kur versionet e poezive në gjuhën angleze ishin të papërcaktuara. Papërcaktime që, të detyruara nga idealizimi permanent i synimeve në tropet e Kelmendit, është dashur disa herë të modifikohen për të dhënë kredon e vërtetë të autorit, duke u përpjekur që të jam më besnik ndaj mendimit origjinal dhe sa më pak “tradhëtar”; një lojë e vështirë tekstualiteti, interpretimi dhe përshtatjaje, sepse kthimi i kuptimeve me përkthim të thjeshtë, duke e respetuar renditjen e fjalëve, do të rezultonte në një marrëzi të pakuptueshme.
Janë tri çështje qendrore që zënë plan të parë të “Si shkohet për të vet vetja”, domethënë: çrrënjosja (“atdheu”, “Albanica “,” Iliria “); dashuria, ndoshta më e madhja; dhe kalimi i viteve. Të tjerat, që i konsideroj nëntema, janë homazhe dhe përkujtime (“Gonxhe”, “Familja Dukaj “), disa prej tyre të ndërthurura edhe me çrrënjosjen, me dashurinë dhe me kalimin e viteve.
Tema e çrrënjosjes manifestohet si një nostalgji që madhëron peisazhet e fëmijërisë, madje edhe duke i mbart ato në imazhe të një të kaluare të krenarisë historike, u afrohet njerëzve dhe ngjarjeve që kurorëzojnë përzgjedhjen e tij, duke e cituar familjen e tij origjinale, më të mëdhenjtë e tij dhe më të mëdhenjtë e atdheut të tij.
Tema e dashurisë zë një numri më të madh të punimeve, dashuri që duket
të mos jetë gjithmonë e njëjta dhe në të cilën çifti takohet në vende të ndryshme dhe të largëta, si të mos kishin mundësi të vendoseshin në një vend, në këto raste
ku shpirti paqëndrueshme i autorit tonë i bashkon pasionet e dashurisë me temën e çrrënjosjes-, në këto situata, të dashuruarit janë të detyruar gjithmonë që të vijnë me kohë, që të presin një ardhje, që të ikin në kohë të caktuar, që të ëndërrojnë, dhe që të janë përherë të përmalluar.
Tema e moshës kronologjike e shqetëson autorin tonë në disa nga
tekstet e shfaqura këtu, kjo fazë është e njohur në mjedisin tonë si krizë e moshës së mesme, që e përshkruan një periudhë të pyetjeve personale që prezantohet me të arritur një midis të papeshë konceptuar si pritje jetësore, në të cilën, ai e cili vuan, zakonisht e ndjen si të humbur moshën e rinisë dhe të mjerë hyrjen në moshën e pjekurisë: fakt është se në këtë moshë nuk është se jihet njeri i vjetër e poashtu as
një i ri që ëndërron të fluturoi. Ndoshta poezia “E dashur, më mëso të
dashuroj “(fq. 54), ka një nga çelësat për sintetizimin e të paktën dy
nga temat kryesore të librit.
Momenti kur manifestohet shpronësimi nga ndruajtjet është padyshim një nga virtytet e mëdha të Jeton Kelmendit, na flet se si nuk i shmanget të vërtetës ose ndjenjave të mëdha thumbuese: na flet ca për pak kripë të dashurisë, duke e përdorur simbolin e kripës në përshtatje të përsosur, “koha” pak kohë në dashuri do të jetë kërkesa e tyre; në mënyrë që mund të shihet në këto prekje të vogla, jo vetëm aftësia, por edhe sinqeriteti me të cilin i ndan me ne betejat e tij të inteligjencës dhe nevojat e tij emocionale. Ia vlen për këtë, përveç sintezës, tropeve krahasuese dhe metaforave të pastra që shpesh sintetizojnë në mënyrë figurative semantikën e vargjeve të para, duke u dhënë një “hyrje”, paj janë këto vargjet e para shkaktare të ideve që do t´i shqyrton në çdo rast, këto figura që janë futur në rrjedhën e zhvillimit të teksteve si një fat në lojë, ku shfaqet një pikëllim dhe fill më pastaj krahasohet, e ndërron, në metaforë ose e lë të kuptohet si alegori, si në rastin e poezisë së parë, e cila i jep emrin e saj librit “Si shkohet për të vet vetja”. Për latinët, padyshim është një risi, pavaërsisht se sintetikja, në rastin tonë, afrohet të fshehtës, ajo nuk ndodh te Kelmendi, nuk do të hasim në zona aq të errëta që ngatërrojnë qëllimet, ndoshta analogjitë, të ndryshme nga ato që ne i trajtojmë në gjuhën tonë, do të na paraqitnin disa vështirësi. Për t´u shmangur gabimeve, na mjafton të dimë se poeti ka një gjuhë të drejtërpërdrejtë, pa rrotlla, pa motive të fshehta, edhe pse me aluzione të shpeshta; nuk kërkon të mashtroj lexuesit me dyshime e as nuk dëshiron të thotë e të fshehet ose të dua të shprehet dhe të fshehet pas murit të palexueshëm; ndoshta po, na kërkohet një kënd i ri i të analizuarit dhe i të kuptuarit nga i cili do ti afrohemi kësaj mënyre të pamurit dhe dhe të të shprehurit.
Një vepër poetike si kjo e Jeton Kelmendit, tematikisht e gjerë dhe gjithëpërfshirëse, e krijon një univers të plotë e cila natyrisht mban rregullat e veta -dhe kjo ka të bëj me veprën artistike, e cila është e bazuar në një strukturë organike të rastit, e cila duket se i shkon më shumë për shtati fuqisë konceptuale të poezive dhe jo njësisë tematike, sikur çështjet nuk mund të ndaheshin apo Kelmendi nuk deshi t´i ndajë ato, sepse janë “të pandashme” nga vetja e tij, dhe përziehen dhe përputhen në mënyrë të përhershme; e pranoj dhe e mirëpres këtë vullnet, në të njëjtën mënyrë që e pranoj se punimet që më shumë i “ndjen” apo me të cilat është më i kënaqur janë ato në fillim të këtij libri, poezitë e para që arsyetojnë dhe e vërtetojnë poetin, shumë të angazhuara për cilësinë ontologjike të panoramës emocionale që i parandjen nga kronologjikja — të mos harrojmë se një nga temat kryesore është kalimi i viteve. Ndoshta kjo është arsyeja themelore që çdo dukuri artistike duhet të pranohet me rregullat e saj, nga vetja, nga ligjet e veta, në qoftë se doni t´i analizoni arsyet e të qenurit. Duke u bazuar në këtë koncept, roli i poetit në veten e tij dhe kah vetja e tij, miratojmë një hapësirë shoqërues emocionale, Einfühlung*, parim ose gjysëm teori e Theodor Lipps, duke e formuluar një projektim sentimental për dashurinë duke e kombinuar dashurinë e tërë në konkluzionin:

“Thuaje edhe një fjalë / shqip / Zoti e bekoftë Arbërinë / ndizeni një qiri / le ta ndriçon vendin / e Ilirisë / Kjo është hera e parë / nënë, që je drita në veten tënde”

nga poezia “Duke jetuar përtej vetvetes” (fq. 18), ku shkrihet drita e Nënë Terezës me gjuhën shqipe dhe atdheun historik, tri dashuri të bashkuara në poezinë e dytë të librit, që lirojnë vendimin nga ajo që pritet gjatë këtij udhëtimi poetik. Që nga aty, një fat i panoramës historike të rajonit, një peizazh i brendshëm që ngjall të vërtetën, të mbajturën mend, atë që në te është jetuar, apo që dëshirohet të jetohet, dhe pastaj temat e dashurisë, të futura me sinjalet e shpallura. Një udhëtim i tërë nëpër energjinë dhe njohuritë e Jeton Kelmendit, një udhëtim që afron një hapësirë të bukurisë, një ngushëllim me muzikën e fjalëve dhe referenca të shumta për veprimtarinë e një poeti.

Ricardo Rubio
Buenos Aires, Argjentinë, 2015.
*Parathenia e librit “Si shkohet për të vet vetja”

Filed Under: ESSE Tagged With: “Si shkohet për të vet vetja", Jeton Kelmendi, Ricardo Rubio

PANORAMË POLITIKE SHQIPTARE

June 3, 2015 by dgreca

Nga Eugjen MERLIKA/
“Arti i luftës është arti i shkatërrimit të njerëzvet, politika është arti i të gënjyerit”- D’ALEMBERT/
Edhe se të nxehtit e stinës nuk është ndier ende shumë, matësit e etheve politike shqiptare shënojnë “temperatura” të larta, që janë të zakonëshme për një fushatë zgjedhore kudo, por marrin trajta të veçanta “lufte të ftohtë” në Shqipëri. Në më shumë se një shekull shteti të pavarur nuk arritëm ende të njohim e respektojmë etikën njerëzore edhe në garat zgjedhore. Ulja e personalitetit të kundërshtarit, në shumicën e rasteve, mbetet arma e zgjedhur e kandidatëve apo atyre që i kanë caktuar ata.
Ndoshta këtë herë ka një qëndrim disi ndryshe e ndonjë shembull i Shkodrës e Tiranës japin nota optimizmi. Në Shkodër dy kandidatet femra, (Bazhdari e Ademi), bëjnë një ballafaqim korrekt para studentëve, në të cilin shpalosin programet e tyre. Më duket një veprim mjaft i vlerësueshëm, madje të cilin nuk e has as në Itali , ku këto ditë ka qenë një fushatë zgjedhore. Në Tiranë kandidatët Kosova dhe Veliaj, më shumë i pari se i dyti, përqëndrohen në problemet reale, të mprehta e të shumta të kryeqytetit, pa u ndalur në propagandën politike të partive. Kjo mënyrë të biseduari me votuesit më duket më e zgjuara dhe më e pëlqyeshmja.
Ndërkaq vazhdon në largësi dyluftimi i kryetarëve : në një anë ai i PD-së, z. Basha, e në tjetrën ai i PS-së, kryetari i Qeverisë, z. Rama, e ai i Kuvendit e LSI-së, z. Meta. Duket, në pamje të parë, se ka një farë korrektësie në këta dyluftime të përditëshme por, në thelb, jemi të pranishëm në një garë të pafund për të personalizuar proçesin në një ballafaqim meritash apo të metash vetiake. Kështu Basha vazhdon të përdorë armën e vet të parapëlqyer, atë të padisë së “mos mbajtjes së premtimeve” kundrejt dyshes Rama – Meta, një armë e zakonshme në politikë, sidomos në opozitë. Por kur kjo armë fillon të mbahet e zhveshur edhe mbas 15 ditësh të marrjes së pushtetit nga kundërshtari, e humbet disi rolin e saj. Nga ana e saj, dyshja Rama – Meta, sidomos i pari, gjithandej e quajnë të paqenë punën e të zgjedhurve të PD-së, si një “vegjetacion” në pushtetin vendor, duke filluar nga kryetari i bashkisë së kryeqytetit.
Hasim në një farë manikeizmi të dyanshëm në paraqitjen e kundërshtarit dhe punës së tij, gjë që nuk tregon ftohtësi e ndershmëri gjykimi, mbasi mungon kurajua për të njohur e vlerësuar edhe punën e kundërshtarit, kur ajo është e dobishme, në ligje apo veprime të veçanta që shkojnë në favor të bashkësisë e të shtetit. Megjithë dobinë e një mendësie të ndryshme nga ajo e gjithë këtyre viteve të pas komunizmit, që karakterizon marredhëniet pushtet – opozitë, me gjithë bagazhin e veprimeve shpesh të pafrytëshme e të dëmshme si braktisjet e Kuvendit, apo mobilizimet e manifestimevet thjesht për qëllime politike, të zbatuara njësoj, si dy pika uji, nga dy forcat kundërshtare, nuk është ky aspekti më negativ i panoramës politike shqiptare.
Atë duhet t’a kërkojmë tek korrupsioni, një dukuri e shpalosur si flamur, përpara çdo fushate zgjedhore, për të marrë votat e për të zhvendosur kundërshtarin nga pushteti, por e vënë në letargji, sapo të merret ky i fundit. Muajt e fundit kemi qënë të pranishëm në një dukuri të paparë ndonjëherë, atë të ndërhyrjes në forma të ndryshme të autoriteteve politike të huaja, përfaqësues organizmash ndërkombëtare apo shtetesh miq, ndonjëherë me tone shumë të forta në ngritjen e problemeve. Është një tregues jo vetëm i paaftësisë apo mungesës së vullnetit të klasës sonë politike për t’u ballafaquar seriozisht me patologjinë e sëmundjes, për të ndërhyrë kirurgjikisht mbi të, por edhe i shqetësimit të dukshëm të të huajve për të shëndoshur gjëndjen tonë që, n’atë drejtim i ngjan një kome klinike. Po mundohen, me të gjitha mënyrat, të huajtë të na bindin të çrrënjosim tumorin nga nivelet e larta të shtetit. Prokurori kroat dhe ministreja rumune vijnë e japin përvojën e tyre. I pari ka vënë në bangën e t’akuzuarvet ish kryeministrin Sanader, duke filluar hetimet nga një orë dore, e dyta ka dërguar në hetime e proçese më shumë se 1400 vetë, ndërmjet të cilëve ministra e deputetë.
Por çfarë ndodh tek ne ? Merremi me muaj të tërë, gjykata, prokurori, qeveri e parlament me telenovelën Doshi – Frroku. Autoriteti për kontrollon e pasurisë del herë mbas here me shifra të pajustifikueshme mbi pasuritë e politikanëve, me miliona euro, por askush nuk merr mundimin të zbulojë prejardhjen e tyre, kur llogaria është fare e thjeshtë të bëhet. Thuhet se Tom Doshi ka 23 mil. ndërsa Dritan Prifti rreth 10 të tillë. Shifrat e tyre dalin sepse ata kanë hyrë në kundërshti me kryetarin e LSI-së, por deklarimi dhe vërtetësimi i pasurive duhet t’ishte një praktikë e zakonshme që nuk zbatohet apo bëhet tepër formalisht. Si ka mundësi që organet e kontrollit dhe të garancisë, si Kryetari i shtetit, Gjykata kushtetuese, Prokuroria e përgjithëshme, Kontrolli i lartë i shtetit, nuk ngrenë kurrë zërin për këtë anomali të jetës shqiptare ? Apo vlen më shumë privatësia e banditëve të shoqërisë ?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve të çojnë në një përfundim tepër zhgënjyes : shoqëria jonë, në nivelet e saj të larta t’administrimit, nuk është e interesuar për zbatimin e ligjshmërisë. Ja sepse korrupsioni nuk luftohet, ja sepse zv. Ambasadori amerikan, duke dalë jashtë perimetrit të detyrës së tij, i bën thirrje nxënësve të exellence-s në Tiranë, të mos qëndrojnë indiferentë kundrejt fateve të Vendit të tyre.
Para 135 vjetësh Kryeministri i Britanisë së Madhe, Disraeli, shprehej kështu : “Ushtrimi i politikës në Lindje mund të përcaktohet me një fjalë të vetme : skuthërí”. Atëherë ne nuk përfshiheshim në këtë përcaktim, sepse nuk kishim një politikë tonën, edhe se kishim treguar, nëpërmjet Lidhjes së Prizrenit, se ishim të lidhur me tokat dhe zakonet tona. Fatkeqësisht sot në përballimin e problemeve qëndrore tonat mund të përdorim termin e Disraelit, skuthëri. Të gjithë janë të vetëdijshëm se korrupsioni ka rrënjë të thella e të gjithë i janë nënështruar idesë se askush nuk mundet t’a zhdukë, sepse ata që e kanë për detyrë shmangen, tërhiqen, sepse ndoshta çmimi i luftës është shumë i shtrenjtë.
Rezultati është se në parlament shkojnë edhe njerëz me proçese kriminale të hapura jashtë shtetit e në kandidaturat për organet vendore ka edhe nga ata që janë të përfolur. Shpjegimi është i thjeshtë : forca e parasë që arrin të blejë gjithshka edhe pozitën edhe paprekshmërinë. Përballë kësaj gjëndjeje politika nuk paraqet alternativa, dhjetra partitë fiktive vrapojnë të vihen në rradhë për të marrë ndonjë thërrime lëmoshë nga partitë e mëdha që e kanë blinduar sistemin me një marrëveshje të vitit 2008.
Kohët e fundit ka patur zgjedhje edhe në Vende të tjera t’Evropës. Kanë dalë në skenë forca të reja, herë për mirë e herë për keq, por janë dëshmi e ndryshimeve të opinioneve publike, shumë prej të cilëve bëjnë levë mbi faktorin korrupsion. Dukuria nuk është vetëm e jona, e kanë në forma e përmasa të ndryshme edhe të tjerët. Ndërsa ata, mirë apo keq, mundohen t’a luftojnë, ne kënaqemi me qëndrimin vend numuro, presim të tjerët të marrin përsipër zgjidhjen e problemeve tona, për të dëgjuar në shqip nga ambasadori amerikan se “gomarin e nxjerr nga balta i zoti”. Përpjekjet për moralizimin e politikës duhet të jenë të përherëshme, mbasi prirja për të fituar me rrugë të lehta është gjithmonë e pranishme në racën njerëzore. Ato nuk duhet të jenë mjete për luftimin e kundërshtarit e për fitime politike të çastit, por kostante e jetës së shtetit e shoqërisë.
Së pari ky proçes është i lidhur me respektimin e rregullave, gjë e cila vazhdon të mbetet problematike për ne, si pasojë e një mendësie të rrënjosur thellë nga gjysëm shekulli komunist, në të cilin rregullat ishin në funksion të “përkatësisë klasore” e zbatimi i tyre subjekt i “luftës së klasave”. Sot nuk hasim të tilla mynxyra juridike, por në lëmin e drejtësisë kanë hyrë interesat financiare, shumë më të fuqishme se sa udhëzimet për karakterin klasor të saj dikur. Një shembull i thjeshtë, por tregues i mendësisë së shkeljes së rregullave qe edhe fillimi i fushatës zgjedhore para datës së caktuar me rregulloren e K.Q.Z. Përgëzime kryetares së saj që i vuri në dukje partive shkeljen e rregullores.
Për të ngulitur këtë mendësi qeveria aktuale ka ngulur këmbë që në krijimin e saj, por mjetet e përdorura janë shumë të diskutueshme. Rreptësia në kërkimin e zbatimit të ligjeve e rregulloreve është një domosdoshmëri, që duhet t’i nënështrohet një ligji të pashkruar, të zbatohet njëlloj për të gjithë qytetarët. Në këtë drejtim ankesat janë të shumta e nuk është e lehtë dalja në përfundime të sigurta. Ana tjetër e këtij problemi rrënjësor për të sotmen dhe t’ardhmen tonë, është zbatimi i forcës vepruese të shtetit mbi qytetarët shkelës të rregullave, në masën e kriteret e duhura. Në këtë drejtim besoj se ka teprime, mbasi nuk mund të konceptohet largimi nga puna e një punonjësi sepse nuk ka paguar një faturë të korrentit, aq më tëpër arrestimi e dënimi me gjyq i tij, kur nuk ka raste të përsëritura vjedhjesh të mëdha të energjisë. Dhënia policisë kompetenca të shtetrrethimit çon në veprime herë herë të pajustifikueshme e shpesh në kundërshtim me normat evropiane. Para disa ditësh policia i ka hequr të drejtën e patentës për gjashtë muaj një qytetari, sepse ka hyrë gabimisht në një rrugë me kah të kundërt . Pakujdesia në trafikun duhet ndëshkuar, por n’asnjë Vend t’Evropës nuk hiqet patenta për një veprim të tillë, pa asnjë pasojë apo dëm kundrejt të tretëve. Gjoba, në masën e duhur, është ndëshkimi që duhet të parashikojë ligji.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i realitetit shqiptar është ai i marredhënieve me Vendet e rajonit e të botës. Takimet dhe mbledhjet e fundit të kryeministrave ballkanas në Tiranë, besoj se mund të quhen një tregues i mirë i veprimtarisë së shtetit. Ka një keqësim të marredhënieve me Greqinë, që kalon periudhën e saj më të vështirë nga mbarimi i luftës së dytë botërore. Nuk do t’a dëshironim një gjë të tillë, sepse kemi atje më shumë se gjysmë milioni shqiptarë të mërguar, por nëse përmirësimi i atyre marredhënieve do të ishte kusht sine qua non për lëshime të interesave kombëtare, ai bëhet i papranueshëm. Përmirësimi i marredhënieve me Sërbinë, i nxitur dhe i detyruar nga Evropa, shkon në drejtimin e duhur. Projekti i ndërtimit të një autostrade nga Nishi në Durrës është një sihariq, tregues i një perspektive të mirë për të dy Vendet e për gadishullin.
Bashkëpunimi me fqinjët është një detyrim, jo vetëm për shpresën e hyrjes n’Evropë, për të cilën kohët nuk do të jenë të shkurtëra, por edhe për vetë dialektikën ballkanase, të vështirësuar nga trashëgimi historike, ndërthurje interesash të të mëdhenjve e probleme kombëtare të lëna nga vendimet e shekullit të shkuar. Çështja kombëtare duhet të mbetet gjithmonë në qendrën e projektit tonë për t’ardhmen, por nuk mund të trajtohet në fundin e këtij shkrimi, për hapësirën e nevojshme që kërkon. Mendoj se filozofija, që duhet të na paraprijë në strategjinë e saj, është ajo e ish Presidentit Rugova, kurse episode si ai i dronit në stadiumin e Beogradit apo i aksionit të Kumanovës, megjithë respektin e thellë për ndjenjat atdhetare të protagonistëve, nuk janë më të këshillueshmet në rrugën tonë.
Ishin këto disa nga problemet me të cilët ballafaqohemi këto ditë. I duhen shtuar këtyre ata të zhvillimit ekonomik, të punës e të ngritjes së standartit të jetesës, për të cilët premtimet e politikës janë të pakursyera, pa spjeguar kurrë se ku do të gjenden paratë për të sendërtuar projektet. Fakti që flitet për ulje taksash në fushatën zgjedhore për administratat vendore e, njëkohësisht për projekte faraonike të qyteteve tona, pa mbulesën e duhur financiare, janë demagogji që nuk dëshmojnë seriozitetin e një klase drejtuese. Ato vetëm vërtetojnë fjalët e iluministit të madh francez D’Alembert, të vendosura në krye të këtij shkrimi.
Ngopja me lugë të zbrazur ka qenë kostanteja e 70 vjetëve të fundit të jetës sonë shtetërore. Do të ishte më e dobishme të na thuhej e vërteta, qoftë edhe e hidhur, për t’u vetëdijësuar për vështirësitë e sakrificat që na presin për t’arritur ata synime, që të tjerë popuj të Lindjes ish komuniste i kanë realizuar.
Qershor 2015 Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Panorame e politikes, shqiptare

MAQEDONI, VENDI IM I DASHUR…

June 3, 2015 by dgreca

“Jam shqiptar me besabesë,/
anës lumit të Vardarit do të vdes./
Dyshek toke dhe jastëk gurë,/
s’luaj nga vendi se jam burrё!…“/…
Nga Rasim Bebo, Çikago/
Unë jam maqedonas, zotërinj qeveritarë të Tiranës dhe të Prishtinës, ndërsa ju më keni lënë mua dhe të parët keni njohur, që nga krijimi i vitit 1991, shtetin artificial të Sllavo- Maqedonisë, pra, ekzistencën e kombit dhe të shtetit sllavo-maqedon. Po ta kishit kërkuar me konsekuencë, ju, Tirana dhe Prishtina, ne do të ishim tani vetë në krye të shtetit Maqedon dhe jo sllavo-maqedonët rrjepacakë. Por ju u bëtë urë sllavo-ruso-grekut dhe kjo është tradhti kombëtare. Ka të drejtë prof. Mejdi Hyseni, kur thotë: “Të tre qeveritë, e Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit janë më armike se greku, serbi, malazesi dhe maqedonasi.” Këtu mungon fjala “sllavë” para fjalës maqedon.
Ka Profesorë dhe doktorë, të cilët maqedonasit i quajnë maqedonas etnikë, sepse këta nuk vënë nocionin “sllav” para emrit maqedon. Ka raste, kur armiqtë e Shqipërisë renditin edhe Maqedoninë dhe nuk e përcaktojnë “Sllavo- maqedonasit”. Një tjetër shkruan: “Maqedonasit dhe shqiptarët luftuan kundra serbit në vitin 1913 dhe për këtë është vënë një pllakë përkujtimore në Strugë, që përkujtohet çdo vit.” Vallë a ka bërë vaki që maqedonasit (sllavë) dhe shqiptarë të luftojnë kundra serbëve?… Kristo Polljanskit i hapet goja kur thotë, se: “… se maqedonasit e sotshëm ishin stërnipërit e Lekës së Madh.”Kur i thane se në kohën e Lekës, ju bridhnit në stepat e Rusisë dhe keni ardhur 10 shekuj më vonë, ai përgjigjet: “por kur ne u vendosëm në trojet maqedonëve të lashtë, ne jemi pasardhësit e tyre, por edhe gjenetikë.” Kurse ne heshtim. Ata mbas vitit 1991 që u njohën si qeveri, e quajtën veten “maqedonë antikë”. Dhe kështu ata rrëmbyen emrin maqedon, vendin maqedon, identitetin maqedon, flamurin maqedon dhe historinë e Maqedonisë.
Pak histori, që tregon se dihet nga të gjithë se kush jemi.
Popullsia që u vendos më vonë në Maqedoni, Epir dhe Iliri, ishte pikërisht nga kjo kryeqendër pellazge, Mikena dhe Argosi. Mendohet se kanë ardhur në pjesën e poshtme të Ballkanit rreth vitit 1900 p.e.s. (E. J., f. 66).
Për herë të parë në histori të tri mbretëritë pellazge: Maqedoni, Epir dhe Iliri, d.m.th. shqiptarët e hershëm, u vunë nën një prijës, nën Mbretin Filipi i II, 359-336. P.e.s Mbretërit e Maqedonisë kanë qenë mikpritës të figurave kundërshtare të Athinës. Mbreti Aminta, 540-500 p.e.s. Pranoi refugjatë të shquar, tetë të syrgjynosur nga Athina, si despotin Pisistrati me të birin Hipian, 510 p.e.s. Ndërsa, Mbreti Perdika i II, 454- 413,p,e.s. mirëpriti Melanipidin, një autor i shquar lirikash, dhe Hipokratin, 460-375 p.e.s. “Babai i mjekësisë” i lindur në Kosin Pellazgë, i cili shërbeu te Perdika si mjek i pallatit të tij, (E. J., f.100). Mbreti Arkelau, 413-399 p.e.s. mirëpriti poetin tragjik Euripidin, në vitin 404. Shumë të tjerë, u mirëpritën nga mbretërit maqedonas në besën pellazgo-shqiptare. Citojmë Tajar Zavalanin: “Më 617, një fuqi e kombinuar avaro-sllave arriti kulmin. Si një valë deti prej njerëzish, shkruan Prokopi, me burra gra dhe fëmijë, ata u vërsulën duke kthyer në gërmadhë dhe zhytën në gjak Ilirinë, Maqedoninë, Epirin dhe Thrakën. Ata vranë dhe masakruan të gjithë njerëzit që u ranë në duar, pa dallim seksi dhe moshe. Më se 200.000 vetë humbën jetën.”
Historiani Çek Prof. Dvornik thotë: “Sllavët nuk kanë asnjë legjendë heroike, që të kujtojnë vendosjen e tyre në gadishullin e Ballkanit”
Historiani Anglez William Temperly shkruan: “Sllavët shkatërruan monumentet e mrekullueshme, që ishin krijesat e gjeniut të perandorëve të mëdhenj romako-bizantin me origjinë shqiptare Dioklecianit dhe Justinianit.” Sllavët më herët, nuk janë përmendur fare, askush nuk i ka njohur me një emërtim kombëtar, sepse kjo hapësirë ishte shqiptare, territori shqiptar, popullata shqiptare, ndërsa sllavët në Maqedoni ishin pakicë, raja, që i solli në luginën e Vardarit Perandoria Osmane për të punuar tokën…
Josif Bagëri (1870-1930) thotë: “Asimilimi u përballua gjatë 520 viteve të sundimit osman, por ndodhi vetëm nga viti 1913 e këtej, kur u pushtua nga Serbia dhe vazhdoi gjatë komunizmit. “
Prof. Saimir Lolja shkruan: “A ka shpëtuar pa u vënë re fakti, se është e pamundur me qenë njëkohësisht edhe maqedon edhe Sllav? Një maqedon i vitit 300 p.e.s. ndahet me 1000 vjet nga një sllav i ardhur në vitin 700 e.s. Është bërë e udhës, se na ka shpëtuar, që sllavet i quajmë maqedonë.”
Në artikullin e Zotit Rexhep Shahu, që është një material shumë i mirë dhe i kohës, kur ne e dimë që ai nuk është Maqedon, por e dimë që është një vjedhës, rrëmbyes i emrit, duhet, ta përcaktojmë, se është “Sllavo maqedonas”. Marrim disa shprehje te Zotit Rexhep Shahu, ku mungon përcaktimi “sllav”: -“Ambasadorit të Shqipërisë duke kërkuar falje, u tha Maqedonëve se e kemi…” 2- “…por ai e do Maqedoninë për veten e tij,”. 3. -“, përkulje e puthje dore maqedonasve si servilë…”. Pra, përpara emrit Maqedoni, duhet vendosur emri “sllavë”. Si zakonisht nocioni “sllav” të përcaktojë se kush je. Kemi parasysh një mbiemër me dy emra “sllavë dhe maqedonë”. Kombet që bëjnë pjesë në Maqedoni, quhen: “turko – maqedonas”, “Greko – maqedonas”, “serbo – maqedonas’, “bullgaro – maqedonas”, kështu duhet edhe për “sllavo – maqedonas”.
Ju shkruani: “Torta është në tavolinë. Duhet ndarë me domosdo me Maqedonasit (emri maqedonasit nuk duhet). Fjalia do të ishte e përkryer: “Torta është në tavolinë. Duhet ndarë me dy pronarë të saj, me sllavo maqedonasit dhe me maqedonasit shqiptarë. Kurdoherë duhet të shënojmë, se këta janë: “SLLAVO-MAQEDONAS”.
Z. Rexhep Shahu Thotë: “Maqedonia nuk funksionon pa shqiptarë e sllavë-maqedonas, si dy këmbë të saj.”Vërtetë, ka ardhur koha që sot Maqedonia duhet të qëndrojë mbi dy këmbë, me shqiptarët dhe sllavo maqedonasit, por është e vështirë, kur ata përgatitën “mostrat”, “Kumanovën”, kur të tërheqin prej hunde dhe dalin me parullën “Më mirë një shqiptar i vdekur” dhe partitë shqiptare në krye kanë tradhtuar.
Rexhep Shahu thotë: “Duhet të gjejmë shqiptarë që flasin sakllam shqip, e jo shqiptarë të shpikur si të tillë, sipas oreksit e dëshirave të Gruevskit e të sllavo -maqedonasve që jetojnë me një histori të shpikur.”
Rasim Bebo, Addison, Çikago, maj 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: maqedoni, rasim bebo, vend i dashur

A PO I AFROHET “TORNADO-ja” EKONOMISE SE GREQISE?

June 3, 2015 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/
Nisur nga të dhënat statistikore të fundit të prillit të këtij viti, “meteorologet” e parave thonë se “tornado”-ja nuk është shumë larg ekonomisë greke. Borxhi publik i Greqisë është afërsisht 313 miliard, ose ekzaktësisht 312,679,022,950 euro. Pra Greqia cdo vit duhet t’u paguaj kredidhënësve të saj (FMN-së,Bankës Qëndrore Europiane, BE-së dhe vendeve të tjera), jo më pak se 10 miliard euro në vit. Në këto kushte do të duheshin 42 vite për t’u paguar detyrimet huadhënësve të saj, në qoftëse borxhet nuk thellohen ose nuk shtohen penalitete të tjera për tejkalimin e afateve të këstevë të pagesave.
Kjo situatë e ekonomisë greke më solli në mendje kohën e “piramidave në Shqipëri”, të cilat kanë lënë gjurmë të pa heqëshme në kujtesën tonë. Aty nga fillimi i nëntorit të 1996, shkova për arsye pune në zyrën e Zotit Alfred Moisiu (në atë kohë ish Zëvëndës Minister i Mbrojtjes e më pas President), dhe krahas të tjerave i thashë shqetësimin tim për skemat piramidele se nuk i pelqejë dhe se më duken si një dalldi kolektive. Në vazhdim i thashë Zotit Moisiu se ndoshta është mirë që zyrtarisht të thuhet dicka për ta ndaluar këtë fenomen. Ai ishte akoma më i shqetësuar se unë dhe se prognoza e tij ishte drithëruase kur e dëgjova. Më pas pata rastin t’ja them edhe ish Ministrit të Mbrojtjes të ndierit Safet Zhulali, i cili në analizën e punës së muajt nëntor tha afërsisht se parat e kursyera janë të sigurta në bankën e shtetit e jo tek privatët. Kam dëgjuar se disa ushtarakë kanë shitur edhe shtëpit për të futur pratë për shumim tek privatët, kjo është e paimagjinueshme-tha ai. Por sic e dini miqt e mi, fenomeni nuk u ndal, por si një ortek masiv dëbore në rrëshqitje, shembi ekonominë shqiptare duke zënë ndër vehte dhe gjithe institucionet e shtetit, duke vënë në rrezik pavarsinë e vendit, sa u deshën forcat ndërkombëtare të vinin e të na vendosnin rendin e qetësinë . Por pas stuhisë njerëzit të trullosur e të marrosur filluan të pyesin njeri tjetrin dhe institucionet e shtetit se ku shkuan miliardat e parave shqiptare? Kjo pyetje që prej asajë kohe e deri më sot, nuk ka marrë një përgjigje të saktë, por disa gojë të liga thanë se “gropat e zeza të Egjeut janë të mëdha dhe shumë gëlltitëse”.
Duke e lënë pas këtë histori të hidhur ( por duke mos e harruar kurrë atë), le të këthehemi edhe një herë tek ekonomia greke me të cilën Shipëria është e lidhur me një mijë fije. Sipas njoftimit të agjensisë greke të statistikave ELSTAT, del se në Greqi në tre mujorin e parë të vitit 2015 ka një rënie të investimeve në 7.5 përqind, produkti i brendëshëm bruto (PBB) u ul në 0,2% krahasuar me tremujorin para ardhës, eksportet u ulën në 0,6%, të mirat materiale nga eksportet u ulën në o,3%, importet u ulën në 0,7%, të mirat material nga importet u ulën në 2,3% dhe shërbimet u shtrenjtuan me 10,8%. Duke qenë se tremujori i fundit i 2014-tës ishte në rënie dhe tremujori i parë i 2015 është në rënie, ekonomia greke konsiderohet në recension.Po ashtu statistikat thonë se Greqia është vendi me nivelin më të lartë të borxhëve për frymë në botë. Borxhe marrin të gjitha vendet në një formë ose në një tjetër, por i lajnë ato në kohë sepse kanë për masë shprehjen shtrihen këmbët sa është jorgani. Greqia është një e vdekur ekonomikisht e pa varrosur, sepse borxhi i saj është sa dyfishi i PBB-së.Kjo situatë ndodh në një kohë që shumë shtetarë e politikanë grek kanë miliona e miliarda në banka jashë Greqisë, vila e pasuri të paluajtëshme në Greqi e jashtë saj dhe kur blihen armatim e paisje ushtarake të gjeneratës së fundit. Kjo e ka emrin korrupsion e keq qeverisje. Këtë korrupsion e keq qeverisje do ta vuajnë grekët vetë, por dota vuajnë edhe mbi 750 mije emigrantët shqiptarë të pas viteve nëntëdhjetë, camët shqipfolës dhe jo shqipfolës, e mbi dy million arvanitas qe kanë derdhur gjakun dhe djersën e tyre për një Greqi më të mirë.
Personalisht më vjen keq dhe ndiejë dhimbje per këtë gjendje ekonomike të pa shpresë të Greqisë. Ndiehem keq kur në media thuhet për një kolaps të mundshëm në një kohë të shkurtër. Nuk do t’ja dëshiroja këtë situatë jo vetën Greqisë ku jetojnë kaq shumë shqiptarë emigrant, camë autoktonë dhe arvanitas, por asnjë vendi tjetër. Por thone se mendja e madhe është e zeza e të zotit dhe se koka bën e koka pëson. Tani pa dhimbje kjo situatë nuk kalohet. Dhimbjet janë shkurtim i administratës , i rrogave, pensioneve, sherbimeve, policisë, ushtrise, fondeve për art, kulturë, shkencë, sport etj gati në 50% dhe qëndrimi në këto nivele për një kohë të gjatë. Shtetëzimi i pasurive të vëna në mënyrë të pa ligjëshme dhe shitja e pasurive publike. Por “tornadoja” mbi ekonominë greke , me rrathët ciklonik mund të marrë me vehte edhe ekonomi të tjera të lidhura me të.Del apo nuk del Greqia nga zona e euros dëmi do të bëhet. Ai do të jetë më i madh në se del dhe këthehet tek monedha kombëtare greke dhrahmi dhe pak më i vogël në se qëndron në euro por zbaton masat shtërnguese të përmendura më lart.
Tani le të këthehemi tek ekonomia shqiptare dhe të shohim se sa e influencuar mund të jetë ajo nga keqësimi i asaj greke. Statistikat tregojnë se sot borxhi i Shqipërisë është zyrtarisht 73%, kur me ligj duhet të ishte deri në 61%. Disa media thonë se borxhi mund të jetë ndoshta në kufijt e 80-90%, por nuk poblikohet me shpresë se do të ulet dhe për të mos ngjallur alarm.Shpresoj që kjo të mos jetë e vërtetë se po të jëtë e vërtetë alarmi nuk është fals. Edhe në këto situata të borxhit të lartë, Qeveria vazhdon të marrë kredi me përqindje më të ulta për të larë ato të më parëshmet, në një kohë që shumë politikanë e zyrtarë të lartë kanë vila luksoze, para në bankat jashtë vendit, pasuri të paluajtëshme brenda e jashë Shqiperisë , nje tablo gati si ajo greke.Ministria e Financave dhe institucionet që merren me statistikat mund të kenë prirjen per ti rrumbullakosur për mirë disa të dhëna ekonomike, por parlamenti është i detyruar të bëjë publik e me transparencën më të madhe ,në radhë të para borzhin dhe rrezikun makro ekonomik që i kanoset vendit nga kolapsi ekonomisë greke dhe veshtirësitë e asaj italiane.
Por pyetja shtrohet se cilët sektorë mund ta tërheqin ekonominë shqiptare në greminën greke? Mendoj se bankat janë të parat, sepse disa prej tyre i kanë bankat të ashtu quajtura “mëmë” me qendër në Greqi. Në se Banka Qëndrore e Shqiprisë(BSH) dhe institucionet financiare qëndrore, tregohet të pavëmendëshme, një skemë e re piramidale do të bjerë mbi ekonominë shqiptare. Po ashtu energjitika, lëndët e para, mjetet e konsumit do të pësojnë një rritje të shpejtë sa mund të bëhen të pa përballueshme për konsumatorin shqiptar.Në këto kushte është domosdoshmëri për qeverinë ,rishikimi i planeve ekzistuese dhe sigurimi i një hapsire ekonomike më stabile ,më e garantuara dhe e përballueshme për nivelin ekoniomik të Shqipërisë.
Si përfundim, jo vetëm për momentin që lidhet me Greqinë, por edhe në të ardhmen e afërt ekonomia shqiptare do të jetë e zbuluar dhe e rrezikuar nga fenomenet e jashtëme në se nuk do të ketë një strategji të vërtetë afat gjate kombëtare.Pavarsisht nga ndërrimi i qeverive disa linja duhet të jenë platform mbi të cilat nuk duhet të luaj askush. Kështu, fiksimi i kufirit të borxhit jo më shumë se 60% dhe perspektiva drejt BE-së, duhet të jetë strategji të shoqeruar me masa makro ekonomike të votuara në parlament me dy të tretat e votave. Zhvillimi i brendëshëm ekonomik lypset të vihet mbi baza më të shëndosha të një platforme kombëtare e jo partiake, mbi baza konkurenca programesh e jo platforma ideologjike. Cdo adresim se ju që shkuat nuk keni bërë asgjë dhe ne që po vijmë po e fillojmë nga zeroja, është e pa pranueshme. Shqiptarë janë të dyja krahët e politikës si liderët dhe zgjedhësit, nuk janë disa atdhetarë e disa armiq të atdhetarisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: a po i afrohet, asllan Bushati, GREQISË, Tornado

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3836
  • 3837
  • 3838
  • 3839
  • 3840
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT