• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Serbi, nga Uashingtoni në Bruksel për dialogun

September 7, 2020 by dgreca

-Në një Deklaratë të përbashkët nga Brukseli të ditës së sotme theksohet se, dokumentet e rëna dakord së fundmi në Uashington, D.C., duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme të lidhura me Dialogun, të ndërmarra nga të dy palët mund të japin një kontribut të dobishëm për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 7 Shtator 2020/ Kosova e Serbia  vijojnë dialogun në nivel të lartë pas takimit të parë e historik në 3 e 4 Shtator 2020 në Uashington-Shtëpinë e Bardhë dhe marrëveshjeve të nënshkruara me praninë e garancitë e Presidentit Amerikan Donald Trump.

Në Bruksel sot u takuan Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në një Deklaratë të përbashkët nga Brukseli të ditës së sotme – 7 Shtator 2020 theksohet:

“Me rastin e vazhdimit të Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja në mes të Prishtinës dhe Beogradit, Kryeministri Avdullah Hoti dhe Presidenti Aleksandar Vuçiq i konfirmuan Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë/Nënkryetarit të Komisionit Evropian, Josep Borrell, se ata i kushtojnë përparësi të lartë integrimit në BE dhe vazhdimit të punës në Dialogun Prishtinë-Beograd të lehtësuar nga BE, i cili është element kyç në rrugën e tyre drejt BE-së.

Ata gjithashtu u zotuan se do të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar harmonizimin e mëtejshëm me BE në përputhje me detyrimet e tyre përkatëse.

Në këtë drejtim, dokumentet e rëna dakord së fundmi në Uashington, D.C., duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme të lidhura me Dialogun, të ndërmarra nga të dy palët mund të japin një kontribut të dobishëm për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.”

Para takimit të dytë – të sotëm, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar për herë të parë në Bruksel në 16 Korrik 2020, pas një takimi virtual nëpërmjet video-konferencës në 12 Korrik 2020, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në rifillimin e dialogut mes dy vendeve të ndërprerë para 20 muajsh, pas takimit të 8 Nëntorit  2018.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi takimi i parë i nivelit të lartë kryeminsitror është mbajtur në vitin 2012  në 19 Tetor, i cili pasonte dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011.

 KRYEMINISTRI HOTI: KOORDINIM I PLOTE NE MES TE BE-se DHE SHBA-se LIDHUR ME MARREVESHJEN FINALE NE MES TE KOSOVES DHE SERBISE

 Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në 6 Shtator 2020, para takimit të sotëm Kosovë-Serbi ka shkruar:

Sot ne Bruksel takuam Emisarin Special te BE-se per dialog ne mes te Kosoves dhe Serbise, Mirosllav Lajcak, dhe Zevendes Ndihmes Sekretarin e Departamentit te Shtetit te SHBA-ve, Mattheë Palmer. Diskutuam per zhvillimet ne dialog deri me tani dhe takimin e neserm te nivelit te larte.
Jam shume i kenaqur qe po shoh koordinim te plote ne mes te BE-se dhe SHBA-se lidhur me marreveshjen finale ne mes te Kosoves dhe Serbise.

Filed Under: Featured Tagged With: Hoti, Palmer-Kosove-Serbi

MARRËVESHJA, KOSOVA DHE DIASPORA

September 7, 2020 by dgreca

NGA VALENTIN LUMAJ- Përpjekjet për liri dhe pavarësi të Kosovës për dekada me radhë, kulmuan në vitet 1998- ’99 me luftën e drejtë çlirimtare të popullit shqiptar atje dhe ndërhyrjen ushtarake dhe humanitare të Natos të dirigjuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vitet që pasuan, u karakterizuan nga një entuziazëm dhe eufori e ligjshme e shqiptarëve kudo në botë, që shpresuan për një shkëputje përfundimtare në të gjitha aspektet, të Kosovës nga Serbia. 21 vite nga përfundimi i luftës së ftohtë, sot Kosova gëzon një liri të plotë institucionale nga Serbia, por me një pavarësi të pjesshme në rrafshin politik dhe ekonomik.

Përfshirja e shtetit të Kosovsë në bisedime me shtetin e Serbisë për të zgjidhur ”çështjet e pazgjidhura”, pati rezultat këtë varësi ndaj Serbisë.

Kërkesa për të hyrë në bisedimet e ashtuquajtura të paqes Kosovë-Serbi, ka qenë një kërkesë e Beogradit e mbështetur nga ndërkombëtarët dhe mbas këtyre “bisedimeve të paqes” ka qenë qëllimi për të negociuar në përgjthësi pakënaqësitë e Serbisë ndaj Kosovës dhe jo të Kosovës ndaj Serbisë. Ka qenë Serbia ajo që në vazhdimësi ka patur pretendime tokësore, ekonomike dhe të njohjes politike ndaj Kosovës si shtet i pavarur. Kanë qenë në diskutim, veriu i Kosovës, Trepçja, Mitrovica, Ujmani, rrugët dhe hekurullat etj., të gjitha këto në territorin e Kosovës dhe në asnjë rast nuk është diskutuar për pretendime të Kosovës në territorin serb. Ndër kërkesat e pakta të shtetit të Kosovës ka qenë identifikimi i varreve massive në Serbi dhe rikthimi i eshtrave të viktimave të genocidit serb ndaj shqiptarëve apo rikthimi i shqiptarëvë në pronat e tyre.

Prandaj, në çdo marreveshje të tashme dhe të ardhshme, bëhet fjalë për të ngirë orekset dhe pretendimet e Serbisë dhe sigurisht që Serbia në çdo rast do të përfitojë në kurriz të Kosovës. Kjo nuk ka diskutim. Përndryshe këto bisedime të paqes nuk do të kishin kuptim. Rrjedhojë e kësaj logjike, mendoj unë, ishte edhe marrëveshja ekonomike Prishtinë-Beograd, e arritur së fundmi në Shtëpinë e Bardhë. Nga kjo marrëveshje, pa hyrë në detaje, Serbia ka përfitime të mëdhaja ekonomike, që në të njëjtën mënyrë mund të përkthehen si përfitime edhe për Kosovën, si në investime e mëdhaja në infrastrukturë, rritje ekonomike dhe hapje të vendeve të punës.

Dukë marrë në konsideratë shtetin të dobët të Kosovës, mungesën e unitetit dhe të unifikimit të mendimeve dhe veprimëvë në mes institucioneve, korrupsionin galopant, mungesën e eksperiencës në politikën ndërkombëtare, po ashtu tradhetarët shqipfolës të përfshirë në këtë proces në Prishtinë dhe Tiranë, të cilët për hir të së vërtetës nuk i kanë munguar kurrë shqiptarizmës, kjo marrëveshje ishte pozitive dhe e dobishme edhe për Kosovën. Kosova më së shumti përfiton në rrafshin politik, shumë i rendësishem për vetë situatën e gjeo-politikës aktuale që po kalon, ruan aleancën me SHBA-të, u hap rrugë njohjeve ndërkombëtare, zhbllokon procesin dhe është më afër njohjes reciproke me Serbinë. Do te uroja që kjo marrëveshje të ishte çmimi i plotë i njohjes reciproke Kosovë- Serbi, e cila nuk ndodhi por u shkëmbye me njohje reciproke me Izraelin. Kjo mosarritje lë të kuptosh se Kosova akoma ka rrugë dhe negociata për të bërë deri në njohje përfundimtarë me Serbinë dhë botën.

Nëse do ta quajmë këtë marrëvëshje të suksesshme për Kosovën dhe jo vetëm, kjo i dedikohet ekskluzivisht politikës largmamëse së Shteteve te Bashkuara të Amerikës dhe konkretisht Presidentit Trump. Pa ndërhyrjen dhe mbështetjen amerikane, shteti i Kosovës do të lundronte për një kohë të gjatë në llumrat e politikës së ndyrë të zyrave të Evropës, që si rezultat do të kishte çnjohje të reja të shtetit të Kosovës dhe do të vinte në pikëpyetje edhe një herë të ardhmen e saj si shtet i pavarur.

Megjithëse në qendër te vëmendjes ishin Kosova dhe Serbia, marrveshja kishte në thelb interesin trilateral. Kjo nuk bën ndonjë surprizë pasi Presidenti Trump në vazhdimësi ka theksuar se në çdo rast vendos interesin amrikan të parin. U duk qartë përfitimi politik i SHBA-ve, e para në angazhimin e Kosovës dhe të Serbisë në procesin e paqes në Lindjen e Mesme, që është një shtysë në vendosjen e mardhënievë të njohjeve reciproke të Izraelit me vendet rajonale arabe. Duhet marrë parasysh se Izraeli është një ndër aleatët më të fuqishëm të SHBA-ve, dhe diplomacia amerikane ka qenë shumë e përqendruar së fundmi në në vendosjen e paqes në atë rajon. Amerika fuqizon rolin e saj në Ballkan, rajon i cili ka qenë gjithmonë në vëmendjen e shteteve të fuqishme si Rusia apo Turqia. Po ashtu Presidenti Trump me këtë marrëveshje vërteton edhe një herë se është njeri i marrëveshjeve të mëdha dhe që po sjell paqe në mes kombeve të botës dhe kështu përmbush një premtim të dhënë popullit amerikan.

Po roli Diasporës së Amerikës? Për mendimin tim zero ose minus!

Them zero pasi ata të cilët kanë marrë përsipër të përfaqësojnë Diasporën, në përgjithësi u vunë në shërbim të plotë të kandidatëvë partiakë në prag-fushatën elektorale këtu. Lobimi dhe interesimi për çështjen e Kosovës kaloi në plan të dytë. (Përjashtoj këtu Federatën Vatra, e cila vlen të përshëndetet për qëndrimin asnjanës dhe mospërfshirjen në fushatën presidenciale).

Kur them minus, nënkuptoj rol negativ. Për disa muaj me radhë, një grup jo i vogël shqiptaro-amerikanësh, bisnesmenë të fuqishëm dhe njerëz me influencë ne komunitetin shqiptar, vunë në shënjestër Presidentin Trump, me akuza dhe spekulime denigruese, siç ishin akuza se Trump nëpërmjet ambasadorit Grenell po planifikon coptimin e Kosovës për përfitime elektorle, se diplomacia e Shtëpisë së Bardhë është në një linjë me Rusinë dhe Kinën, apo se Amerika po luan me gjakun e heronjëve të Kosovës, e të tjera. Këto spekulime që u vertetuan si të pabaza në rastin më të mirë, mund të kenë ndikuar për keq në ruajtjen e ndjenjave miqësore midis Presidentit Trump dhe Shqiptarëve në përgjithësi.

Përfshirja e çështjeve të kombit në fushata elektorale të Amerikës dhe pozicionimi kundër presidentëve në çdo kohë, i sjellin dëm apo mund të zbehin mardhëniet e mira midis shqiptarëve dhe Amerikës si aleati më i fuqishëm yni në këto 100 vitet e fundit.

Dua të theksoj se diaspora ka nevojë më shumë se kurrë për pajtim dhe riorganizim.

Nevoja për një rritje të lobimit dhe avokatisë së çështjeve kombëtare është në kushtet e emergjencës. Në 30 vitet e fundit, numri i diasporës është dyfishuar për të mos thënë trefishuar, ndërsa miqtë e shqipërisë në senat dhe kongres janë në nivelin më të ulët ndër këto vite. ME PËRFUNDIMIN E ZGJEDHJEVE PRESIDENCIALE NË SHBA, DIASPORA E TË DYJA KAHEVE TË POLITIKËS VENDORE KËTU, DUHET QË PËR HIR TË INTERESAVE IMEDIATE SHQIPTARE, T’I HARROJNË DALLIMET POLITIKE, MOSMARRËVESHJET E PËRKOHSHME SI REZULTAT I FUSHATËS DHE TË BËHEN NJË TRUP I VETËM NË FUNKSION TË MISIONIT TONË FINAL,BASHKIMIT KOMBËTAR.

Valentin Lumaj

Michigan, 7 Shtator 2020

Filed Under: Politike Tagged With: KOSOVA DHE DIASPORA, MARRËVESHJA, Valentin Lumaj

MALI I ZI, FILLON LAMTUMIRA E ZGJATUR E GJUKANOVIÇIT JETËGJATË

September 7, 2020 by dgreca

Nga Francesco Battistini- Përktheu Eugjen Merlika- Filloi të komandojë kur ishte Jugosllavia. Kur Saddami pushtonte Kuvajtin e Gorbaçovi humbiste BRSS. Kur Occhetto fundoste PKI dhe në Brindizi arrinin anijet e para të shqiptarëvet. Ka mbaruar të djelën në darkë: mbas gjashtë kryeministrish e dy kryetarësish, që e kanë këthyer, me tridhjetë vitet e tij të regjimthit, në më jetëgjatin e kryetarëveevropianë të Shtetit  së bashku me mbretëreshën Elizabeta. Milo Gjukanoviç ka humbur zgjedhjet politike. Deri në 2023 do të jetë kryetari i çalë i Malit të Zi, nëse opozitorët do të arrijnë të krijojnë një qeveri shumë të shtrënguar në vota e të çthurin rrjetën e fuqishme të pushtetit e të korrupsionittë endur në tridhjetëvjeçarin gjukanovist. Shumë i aftë t’i rrëshqasë padive të prokurorive italiane, i shpenguar në mohimin e krimeve të luftës e në kalimin nga aleanca me Milosheviçin në Aleancën atllantike që kishte bombarduar Millosheviçin, Milo u palos nga Kovidi dhe nga kriza e turizmit, zëri i parë i ekonomisë. Veçanërisht nga ndeshja politike me Kishën ortodokse filoserbe që në Malin e Zi lëviz një zgjedhës në tre.

            I fundmi autokrat i butë i Evropës perëndimore është përpjekur të sigurojë një votë alla Lukashenko, ka bërë propagandë shtruar në mediat që kontrollon (pothuajse të gjitha), i ka veshur humbjen e parashikuar Putinit dhe kujtdo që nuk i a ka falur kurrë faktin se ka zgjedhur NATO-n. Më kot. Edhe se ndoshta ka diçka të vërtetë në hamëndjet e tij komplotiste, po të kujtohet se sa u zemërua Moska sapo Podgorica braktisi përfundimisht vëllazërinë sllave me Beogradin: kjo pjesë e vogël e Ballkanit është një shtetëth pak më i madh se Trentino Alto Adige e me popullsi më të vogël se Umbria, por për pozitën strategjike n’Adriatik është i hollë e i rëndë si një gjilpërë kandari. Shumica e re, më e shumta filoserbe e filoruse, ka premtuar se do të mbetet e lidhur me BE dhe NATO-n. Një farë dyshimi është. Malazeztë luten si sërbët e shkruajnë si rusët: a do të arsyetojnë si atllantikë dhe evropianë?

            “Corriere della Sera”, 1 shtator 2020       Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Mali i Zi, Pierlugi Battista

EBRU TIMTIK, QUHEJ KËSHTU

September 7, 2020 by dgreca

Nga Pierluigi Battista-

Të mundohemi të gdhendim në kujtesë emrin e kësaj martireje turke të lirisë, për vdekjen e së cilës është përgjegjës tirani Erdogan: Ebru Timtik. Të mundohemi të mos t’a harrojmë menjëherë, siç bëjmë zakonisht ne evropianët që recitojmë në mënyrë shtiracake parime lirie, por pastaj për të jetuar qetë bëjmë sikur nuk ka asgjë e lëmë vetëm një veprimtare të të drejtave njerëzore të vdekur mbas 238 ditë greve urie në burg,  për të pasur një gjykim të drejtë dhe jo farsën tragjike që e kishte dënuar.Të mundohemi t’a kujtojmë për pak kohë Ebru Timtik: ku t’a marrësh që ndonjë guximtar të mund t’i kushtonte një shesh, të pagëzonte me emrin e saj një festival, një teatër, një panair libri. Të mundohemi të mos jemi tmerrësisht shtiracakë si gjithmonë: dy ditë zëmërimi për diktaturën në Biellorusi e pastaj heshtje, ndonjë titull gazete për demokratët në Hong Kong pastaj çensurë e heshtje për të mos prishur marrëdhëniet e dobishme me Pekinin, diktaturën që i pëlqen shumë qeverisë sonë, në shumicën e së cilës ka një parti që stoliset madje me mbiemrin “demokratike”.

E dijmë, Evropa duhet të nderojë sulltanin Erdogan sepse, duke e mbushur me para, mbajmë të ruajtur në kampet turke, ne që jemi kaq njerëzorë, bujarë, mikpritës të gjithë të mërguarit që do të mund të na jepnin ndonjë bezdi. Shtiremi sikur nuk ekziston despotizmi i Erdoganit sepse ndoshta mund të na ndihmojë të stabilizojmë Libinë, këtë therje në ijë me të cilën nuk dijmë si të sillemi. Mundohemi t’a injorojmë praninë e Ebru Timtik, që i lejoi vetes të kundërshtonte dhunimin e të drejtave njerëzore në Turqi e për këtë, jo vetëm ajo, është dënuar në mënyrë absurde pa asnjë nga garancitë që parasheh një Shtet i së Drejtës. Të kujtojmë edhe një herë emrin e saj, kaq i bezdisshëm për neve që nuk do të donim që sulltani Erdogan të zemërohej shumë: Ebru Timtik. Ebru Timtik është pasqyra e ndërgjegjes së fëlliqur të një Evrope pa dinjitet që nuk meriton asnjë respekt. Prandaj bëhet garë për t’a harruar. Prandaj kthehemi nga ana tjetër, siç bëjmë me Kinën, para së cilës përulen qeveritë dhe OBSH. Siç bëjmë me Rusinë ku kundërshtarët helmohen. Ebru Timtik, e vdekur e vrarë në heshtjen e përgjithëshme: quhej kështu.

“Corriere della Sera”, 30 gusht 2020        Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Ebru Timtik, Eugjen Merlika, Pierluigi Battista

SIMON QAFA NJOFTON PËR SHËRBIMET FUNERALE, MESHËN DHE CEREMONINE E VARRIMIT

September 7, 2020 by dgreca

Familja e Simon Qafës njofton miqtë, dashamirësit,Komunitetin, Vatrën për orarin e shërbimeve funerale të bashkëshortes së Tij- Lisa.Shërbimet funerale do të organizohen Ditën e Premte, 11 Shtator 2020, nga ora 2-9 P.M në Shtëpinë Mortore: Ballard-Durand-Funeral Home,që ndodhet në adresën:  

2 Maple Ave, White Plains, New York , 10601.

Telefoni i Funeralit: (914) 949-0566–

 Mesha do të organizohet Ditën e shtunë, 12 Shtator, në Kishën Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, NY në Orën 10.00 A.M.

Pas Meshës do të organizohet ceremonia e Varrimit në Gate Of Heaven Cemetery, në  Westchester County, New York. Adresa:10 W Stevens Ave, Hawthorne, NY 10532.

Në të gjitha ceremonitë Pandemia e Koronavirusit dikton mbajtjen e maskave dhe respektimin e distancës.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Lisa Simon Qafa, Mesha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 393
  • 394
  • 395
  • 396
  • 397
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT