• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Artistia nga Kosova Alketa Xhafa Mripa ka hapur një ekspozitë në Londër

March 12, 2015 by dgreca

LONDON EGLAND:”Ju vetëm mos flisni rreth saj – You Just Don’t Talk About It”” është, e titulluar ekspozita e artistes nga Kosova, Alketa Xhafa Mripa, e cila u hap sot më 12 mars, në Galerinë e Sportit dhe Artistëve të Ballkanit, (Gab) në Londër, shkruan “Independent Balkan News Agency “.
Kjo ekspozitë me kuratore Kristale Ivezaj Rama, themeluese e Galerisë së Sporti dhe Artistëve të Ballkanit në Londër, tha për këtë axhensi se ekspozita e artistes nga Kosova do të qëndrojë e hapur deri më 22 mars të këtij viti.
“Ekspozita është realizuar në bashkëpunim me Grupin 4m grupit të arkitektëve dhe projektuesve me mbështetjen e” Art City “në Tiranë, i cili ka shtypur edhe Katalogjet e kësaj ekspozite”, tha kuratoria e kësaj ekspozite.
Ndërsa, shton ajo se ekspozita Alketës, ka të bëjë me artin konceptual, bazuar në një shumëllojshmëri të ndikimeve, duke përdorur mediumet e ndryshme të artit, të tilla si: portrete, fotografi, film dhe instalimeve.
Me veprat e saj, Alketa na dërgon në një nga pjesët më më të mira të dashurisë dhe në të njëjtën kohë, ajo na ballafaqon me dhimbje të mëdha.
Ajo e përshkruan amësinë, jo vetëm në aspektin e krijimit të vetë, por edhe në aspektin e sa amësi ka të bëjë me transformimet sociale që ne të përjetojmë në një nivel eksiztenciale.
Artistia gjithashtu studion marrëdhëniet midis brezave dhe se si ata kanë një ndikim në ne, personalisht dhe gjeopolitikisht.
E lindur në Pejë, Alketa Xhafa Mripa shkoi në Londër, pasi duke përfunduar shkollën e lartë, ku ajo ka studiuar art dhe histori të Artit. Ajo ka hapur edhe ekspozita të tjera më parë një në Firence Itali, Londër, etj./Beqir SINA/

Filed Under: Kulture Tagged With: Alketa Xhafa, ekspozite, Londer

TRI FJALË TË ARTA TË KONICËS

March 12, 2015 by dgreca

Tri shprehje të arta të Faik Konicës (1876-1942) që i kam mbledhur nga gazetat e vjetra Dielli, ia vlen t’i kujtojmë dhe t’i përsërisim me zë të lartë në këto ditë marsi të vitit 2015:
“Shteti ynë nuk lindi në mes të qetësisë dhe shëndetit, po lindi me të dhembura e mend dështoi. Duhej pra kujdesi më i madh që të mbahej i gjallë, që të merrte fuqi, që të rritej. Po, përkundrazi, ky shtet i vogël e i njomë ra në duar aq brutale dhe u përdor aq ashpër, sa edhe një shtet i vjetër dhe i rrënjosur do të ish tronditur sikur të pësonte ato që pëson ay.” Dielli, 28 tetor 1922.
“Në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: “U-ngjall nga idealistët, U- ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët”. Dielli, 1923.
“Shqipëria, për të rrojtur e për të lulëzuar, duhet të spastrohet nga gjithë qelbësirat e vjetra, duhet të riorganizohet në një bazë të re dhe në një mënyrë që tërë forcat morale dhe materiale të popullit të zhvillohen pa pengim.” Dielli, 24 janar 1925.(Ilir Ikonomi-fb)

Filed Under: Komente Tagged With: dielli, Ilir Ikonomi, TRI FJALË TË ARTA TË KONICËS

Absurditeti i një kronike!

March 12, 2015 by dgreca

Me rastin e 34 vjetorit të demonstratave të 11 marsit të viti 1981, RTK, dha një kronikë të shkurtër, aq sa për të denigruar kujtimin për këto ngjarje të rëndësishme, madje duke e dezorientuar qëllimin e një ngjarje madhore siç ishte ajo e vitit 1981, deri në banalitet!
… Po, RTK-, aty kishte tubuar një duzinë pjesëmarrës të atyre ngjarjeve, madje këta personazh të ripërsëritur që në ish Mezen (mensën) e Studentëve atë botë, kishin filluar protestat e rinisë studentore të Kosovës. Kjo ngjarje ripërsëritet me po këta pjesëmarrës gërdallë me tregimin kaq banal, ku heroi i këtyre kthesave vendimtare na del një “pjatë me fasule!”, madje as këtë nuk e thonë tamam shqip, por thonë një Kalanicë me Pasul!…, pra plasja për toke e kalanicës me pasul na del kryeheroi i gjithë këtyre ngjarjeve, madje, autorët e thyerjes së Kalanicës, sa vjen e ndërrohen, në rrahagjoksje për të marrë primatin mbi Kalanicën e nxehtë me pasul!!!
Këta zotërinj, mbetën kaq naiv dhe nuk e kaluan dot shkallën e adoleshencës; ishin torturat shekullore ato, burgosjet, përndjekjet, vrasjet pa gjyq, likuidimet dhe shpërnguljet masive kundër shqiptarëve, që ish pushteti shovinist jugosllav i kishte zbatuar për decenie me radhë si: pushkatimet e shqiptarëve në masë, pa gjyq në Tivar, Tetovë, Gjilan, Drenicë, Llap, shpërnguljet e mbi gjysmës së shqiptarëve nga trojet e veta, burgosjet e bijve tanë më të mirë në krye me Adem Demaçin, Ali Aliun, Zeqir Gërvallën e qindra tjerë, likuidimet e intelektualëve dhe atdhetarëve tanë si Riza Grajqevci, vëllezërit Gërvalla e dhjetëra bijve tanë, demonstratat e viti 1968 e deri tek dita e organizimit të këtyre ngjarjeve madhore të vitit 1981 e tutje, të cilave fillimisht iu kanë paraprirë edhe kërkesat që kishin karakter social, që po i vuante populli ynë, duke kulmuar me kërkesa të hapura politike deri në përgjakje të kësaj toke të zhuritur, ku edhe shënuan fundin e ish Jugosllavisë e cila me gjithë mundin e vet nuk arriti të ribëhet më kurrë.
Demonstratat e viti 1968, 1981 dhe rezistenca shekullore e shqiptarëve, bëri që ish Jugosllavia të mos ribëhet më, ndërkaq pushtuesin shovinist serb pushkët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e vranë përfundimisht!
Pra e gjithë kjo valë pakënaqësie dhe vendosmërie e shqiptarëve për të këputur prangat e robërisë shekullore, deri tek lufta e UÇK-ës, erdhi si rezultat i përpjekjeve tona shekullore për liri, madje sa më e madhe që ishte bërë shtypja mbi shqiptarët, aq më shumë është rritur rezistenca jonë për të shporrur pushtuesit tanë nëpër shekuj nga trojet tona dhe kurrë nuk jemi zmbrapsur, kjo ka si simbol heronjtë tanë të të gjitha kohërave dhe sublimimin e tyre për liri e atdhe, dhe jo Kalanicat e dalzotësit e Kalanicave me Pasul pa kripe!- luten, mos kaloni kufijtë e banalitetit me këto kalanica se nuk jeni axhami.
Mars, 2015
Mehmet BISLIMI

Filed Under: Opinion Tagged With: konika absurde, Mehmet Bislimi, protesta 81

”Betoveni dhe Revolucioni Frëng”*

March 12, 2015 by dgreca

Në 50-vjetorin e ikjes së Nolit nga jeta/*

“Fidelio” opera e vetme që kompozoi Betoveni, së pari ishte një Himn i Lirisë dhe vetëm rastësisht lirikë triumfi për dashurinë bashkëshortore. Florestani është martir i ideve të reja, i së Vërtetës të re:
Wahrheit wagt` ich kühn zu sagen
Und die Ketten sind mein Lohn!
(Unë guxova të them të Vërtetën
Dhe zinxhirët janë shpërblimi im!)
Të burgosurit, të lejuar për herë të parë për të marrë pak ajër të pastër, i këndojnë Himn Lirisë:
O Himmel! Rettung! Welch` ein Glück!
O Freheit! O Freiheit! Kehrst du zurück!

(O Qiell! Shpëtim! Çfarë Lumturi!
O liri! O liri! Kthehesh prapë!)
Kur Florestani shikon Leonorën, mendon se ajo është Engjëll i Lirisë:
Ein Engel, Lenoren, der Gattin so gleich,
Der führt mich zur Freiheit, ins himmlische Reich!

(O engjëll, Leonorë bashkëshorte menjëherë,
Ajo më shpie mua në gëzimin e mbretërisë qiellore!)

Fernandoja, i lajmëruar nga trumbetat, është Çlirimtari. Ai nuk i lejon të burgosurit që të gjunjëzohen para tij, ai është miku i tyre, vëllai i tyre:

Nicht knien länger sklavish!
Tyrannenstrenge sei mir fern.
Es sucht der Brüder seine Brüder
Und kann er helfen, hilft er gern.

(Të mos jemi më skllevër!
Tutje rreptësia e tiranëve.
Vëllai kërkon vëllezërit
Dhe në qoftë se mund të ndihmojë e bën me qejf.)

Në Simfoninë e Nëntë gjejmë një Himn të Vëllazërimit Botëror. Në origjinal Kënga e Gëzimit ka qenë Kënga e Lirisë1 dhe Betoveni pat filluar të punonte për këtë këngë që në vitin 1793. Kur Shileri e ndryshoi në Himn Gëzimit, vëllazërimit të Racës Njerëzore, u bë tema kryesore e vargjeve të famshme:
Alle Menschen werden Brüder…
Seid umschlungen Millionen
Diesem Kuss der ganzen Welt!

Të gjithë njerëzit bëhen vëllezër…
Të jesh i përqafuar prej milionave
Me një puthje përqafim!

Betoveni merakosej që mesazhin e tij ta bënte përsosurisht të qartë kësaj here dhe, porsi pasardhësi i tij i madh Vagneri, u vuri tituj temave muzikore. Kjo ishte absolutisht e domosdoshme. Ai donte të afrohej me masat dhe t`u shpaloste atyre idetë e reja të Revolucionit Frëng me një gjuhë që ato ta kuptonin dhe ta admironin, me gjuhën e Shilerit, poetit të Kontratës së Re të Rusoit. Revolucionar në pikëpamjet e tij politike, Betoveni ishte revolucionar edhe në artin e vet: Ai futi muzikë korale dhe solo vokale në pjesën e fundit të Simfonisë të Nëntë. Po, e bëri këtë për masat e budallallepsura, të cilat nuk do të mundnin ta kuptonin fjalimin e tij muzikor. Ai u foli masave me zhargonin e tyre!
Mirë, po a ishte e mundur që t`i ngrinte këto masa vjeneze, të mefshta, të përgjumura, të painteresuara? Oh, këto turma të mjera të Vjenës! “Verflucht, verdammt, vermaledeites, elendes, Wienerpack!”1Ato nuk dinin të bënin gjë tjetër veçse të hanin salçiçe dhe të pinin birrë të zezë. Dhe kur dikush e pyeti Betovenin nëse revolucioni mund të shpërthejë në Vjenë, ai përgjigjet me tallje:”Gjersa austriaku të ketë birrë të zezë për të pirë dhe salçiçe për të ngrënë as që ia fillon revolucionit.”2
Është e vërtetë se masat austriake ishin të qullëta, por mjeshtri me to kaq mund të bënte. U mundua shumë me njerëzit e mëdhenj, por ata i dolën më keq se mizëria. Medet! “Nuk ka gjë më të vogël sesa të mëdhenjtë!”3 Apo, siç e thotë Betoveni në frëngjisht: “Parceque les grands sont le plus faibles.” (Sepse të mëdhenjtë janë më të dobëtit),4 kështu nuk mbetej gjë tjetër veçse të ngriheshin masat. Pikërisht kjo i duhej kohës së tij. Ai e shprehu fare mirë këtë teksa i shkroi atij vagabondit të vogël Karlit:
“Koha jonë kërkon shpirtra të fuqishëm për të futur në veprim këto masa njerëzore, burracake, tradhtare të fundërrinave.”5
Karli i tij e kuptoi më së miri. Ai dinte greqisht.
Po, Betoveni e ndiente se ai ishte një nga ata shpirtra të fuqishëm, të cilët Fati ka paracaktuar për detyra herkuliane. Tani Fati i troket tek dera dhe e urdhëron që të përmbushë misionin e vet të shenjtë. Është gati për të marrë detyrën më të madhe të jetës së tij. Ai do t`i bëjë sopranot të bërtasin, të klithin, të çirren me triumf deri në kupë të qiellit, sikurse prostitutat e pazareve të Parisit kur panë se gijotina këputi kokën e Marie Antonetës dhe Luigjit XVI:
Sic semper tyrannis! (Ashtu si gjithmonë tiranëve!)
Po, vritini të gjithë, varini të gjithë mbretërit, princat dhe aristokratët.

Ah! Ça ira, ça ira, ça ira!
Les aristocrat` à la lanterne:
Ah! Ça ira, ça ira, ça ira!
Les aristocrat` on les pendra.

Ah! Do kalojë, do kalojë, do kalojë!
Aristokratët te shtyll` e fenerit;
Ah! Do kalojë, do kalojë, do kalojë!
Aristokratët do t`i varin.

Më kot sopranot e shkreta i luteshin mjeshtrit që të ndryshonte ato nota të larta të pamundura për t`i arritur. Betoveni ngulmoi në të tijën. Ato thanë se do të tingëllonte e egër. Por ai pikërisht këtë donte, sepse vetëm atëhere masat do të mund ta kuptonin idenë e saj. Dhe ai pati të drejtë. Më 7 maj 1824 u dha shfaqja e parë e Meshës Solemne në Re dhe Simfonia e Nëntë. Baron Zmeskalli vajti të dëgjonte Simfoninë, e cila kishte si nëntekst zhdukjen e klasës së tij, por çdo gjë që bënte mjeshtri ishte e mirë për të. Baroni urdhëroi shërbëtorët që ta shpinin në Teatrin Karntnertor të ulur në një karrocë-vig, sepse u ngrit i sëmurë nga dysheku.1
Suksesi ishte i mahnitshëm: përshëndetja e publikut ndaj shfaqjes pati një karakter kryengritës, kur doli Betoveni në skenë brohoritjet shoqëruar me duartrokitje u përsëritën pesë herë, ndërsa sipas etiketës së rreptë të qytetit, ishte zakon të jepeshin tri përshëndetje vetëm kur hynte Familja Perandorake. Policia u detyrua të ndërhynte për t`u dhënë fund manifestimeve. Simfonia shkaktoi një entuziazëm të papërmbajtur. Shumë vetë qanin. Betovenit pas koncertit i ra të fikët nga emocionet; e shpunë në shtëpinë e Shindlerit ku humbi në gjumë dhe mezi u përmend pas njëzet e katër orësh, me rroba në trup, pa ngrënë dhe pa pirë asgjë.2
Po, kësaj here Betoveni u afrua me masat jo vetëm me ato të Vjenës, por me masat popullore të të gjithë botës edhe për të gjitha kohërat me Simfoninë Jakobine të Lirisë, Barazisë dhe Vëllazërimit. Disa kritikë thonë se muzika e Simfonisë së Nëntë nuk është aq e mirë sa ajo e Simfonisë së Tretë dhe të Pestë. Ndoshta. De gustibus non disputandum. (Shijet nuk diskutohen). Por, gjëja më e rëndësishme për Betovenin në këtë rast ishte kumti dhe ai diti tua shpërndante këtë kumt revolucionar masave në një gjuhë aq të qartë sa ishte e mundur në rrethanat e epokës së Meternikut. Teksti nuk do të mundte të fliste kurrë më shkoqur. Censura e Meternikut nuk do ta kishte lejuar.
Betoveni ia përshkruan situatën shumë mirë poetit Kufner:
”Fjalët janë të lidhura me zinxhira, por lumturisht tingujt janë ende të lirë.”3
Dhe ai përdori tingujt muzikorë që të plotësonte tekstin poetik. Masat e pëlqyen dhe ende e pëlqejnë bashkimin e tij mjeshtëror dhe dramatik të poezisë me muzikën.
*Fragment- Përktheu nga anglishtja: Meri Lalaj
* Romen Rolan, Betoven, f. 46-47
* Romen Rolan, Betoven, f. 49

Filed Under: ESSE Tagged With: ”Betoveni dhe Revolucioni Frëng”*, Fan S Noli, MERI LALAJ

‘BOMBAT E ZAEVIT DHE KUSHTET E SHQIPTAREVE PER BASHKEQEVERISJE”

March 12, 2015 by dgreca

NGA FAIK KRASNIQI/
”Bombat” e Zaevit, me rastin e përgjimeve të politikanëve të opozitës dhe pozitës, jo vetëm që kanë shkaktuar një ”tërmet” të madh në skenën politike të Maqedonisë, por njëkohësisht kanë nxjerrë në pah edhe fytyrën e vërtetë kriminale të një pushteti diktatorial si ky i Nikola Gruevskit! Nga e gjithë kjo do të dalin në shesh edhe me dhjetëra procese të montuara politike dhe etnike, nga pushteti kriminal i Gruevskit, por kam bindjen që do zbardhet edhe rasti ”Monstra”, ku padrejtësisht për vrasjen e 6 sllavomaqedonasve u dënuan disa shqiptarë! Për rastin ”Monstra” prej fillimit ne analistët kemi shprehur dyshimet tona se e gjitha kjo është e montuar etnikisht dhe politikisht, nga pushteti i Gruevskit, për qëllime të tij politike! Por si duket këtyre padrejtësive më në fund po iu vije fundi! Pres që Nikola Gruevski dhe të gjithë përgjegjësit e këtyre pisllëqeve, të arrestohen dhe të japin llogari për këto gjëra!
Natyrisht që LSDM-ja do të mundohet të përfitojë me këto përgjime në kurriz të shqiptarëve, por shqiptarët duhet të tregohen vigjilentë në këtë rast! BDI-ja parti shqiptare në pushtet, duhet të dalë sa më parë nga ky koalicion me Nikola Gruevskin, të formohet një qeveri teknike mes shqiptarëve dhe sllavomaqedonasve, dhe të bëhen përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme! Në zgjedhjet e ardhshme, partitë shqiptare s’duhet të garojnë me më së shumë se dy parti, sepse duke garuar me nga 7-8 parti apo më shumë, vota e shqiptarëve po shpërndahet, dhe shqiptarët asnjëherë s’po arrijnë të marrin më shumë se 29 deputetë! Në rast se në zgjedhjet e ardhshme shqiptarët garojnë me vetëm dy parti, dhe me nje dalje sa më masive në zgjedhje, shqiptarët kanë gjasa që të marrin mbi 40-45 deputetë! Pas këtyre skandaleve, LSDM-ja mund të dalë e para në zgedhje, dhe cilado parti shqiptare që do futet në koalicion me ta, por pse jo edhe dy partitë shqiptare BDI dhe PDSH të jenë pjesë e Qeverisë, duhet të futen me kushte që janë në interes kombëtar të shqiptarëve, në atë koalicion qeverisës!
1) Marrëveshja e Ohrit të implementohet pikë për pikë!
2) Presidenti, Kryeministri apo Kryeparlamentari të jetë shqiptarë! Në tre nga këto pozita të rëndësishme shtetërore, një zëvendës të jetë shqiptar dhe një sllavomaqedonas!
3) Gjysma e pushtetit qeverisës të udhëhiqet nga shqiptarët!
4) 40% e administratës shtetërore të jenë shqiptarë!
5) Njëri nga drejtorët e Shërbimit Sekret të jetë shqiptarë!
6) Drejtori i përgjithshëm i Postave apo Doganave të Maqedonisë të jetë shqiptarë!
7) Komandanti i Ushtrisë apo Drejtori i përgjithshëm i Policisë të jetë shqiptarë!
8) Në ushtrinë dhe policinë e Maqedonisë si në hierarkinë e lartë, por edhe oficerët dhe ushtarët e policët, 40% të jenë shqiptarë!
9) Gjykatat dhe Prokuroritë të ndahen 60% me 40% mes sllavomaqedonasve dhe shqiptarëve, duke filluar nga kryetarët, gjykatësit, prokurorët dhe nënpunësit!
10) Në atë pozitë ku sllavomaqedonasi është udhëheqës, shqiptari të jetë zëvendës dhe anasjelltas!
11) Të bëhet prapë decentralizimi dhe ato lagje shqiptare të Shkupit që u bënë komuna, të kthehen prapë lagje të Shkupit, në mënyrë që kryeqyteti të jetë siç ka qenë para decentralizimit 50 % shqiptarë dhe 50% sllavomaqedonas! Kjo të vlejë edhe për Likovën në Kumanovë, Zajazin në Kërçovë etj!
Nëse partitë shqiptare nuk i kërkojnë këto të drejta përfaqësimi shtetëror dhe shumë të tjera që kanë të drejtë dhe duhet të kërkohen, s’kanë pse të futen në koalicione të panatyrshme me sllavomaqedonasit, ku shqiptarët nuk janë vendimmarrës dhe komb shtetformues!

Filed Under: Opinion Tagged With: bombat e Zaevit, faik Krasniqi, shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4026
  • 4027
  • 4028
  • 4029
  • 4030
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT