Deklaratë!
Situata e rëndë social – ekonomike në Shqipëri pas vërshimit të lumenjve e përmbytjes së tokave në veri e kryesisht në jug të vendit, mblodhi përsëri bashkë në New York Organizatën “Duart e hapura” që drejtohet nga Z. Aleksander Nilaj, Organizatën “Pelham Parkway Neighborhood Association” që drejtohet nga Znj. Edith Blitzer dhe Organizatën e Gruas “Shpresë & Paqe” që drejtohet nga Znj. Mimoza Dajçi.
Ndihma për të ndihmuar Shqipërinë pas kësaj katastrofe natyrore gjeti mbështetje të gjerë edhe nga politika amerikane në New York, duke filluar me Assemblyman Mark Gjonaj, Senatori Jeff Klein, Presidenti Ruben Dias Jr., James Vacca, mediat shqiptare dhe amerikane, organizata të ndryshme duke përfshirë edhe ato të komunitetit tonë.
Jemi pothuajse në fazën përfundimtare të këtij proçesi për nisjen e ndihmave në Shqipëri. Eshtë koha urgjente të përveshim mëngët e t’i futemi punës për t’ju gjendur sa më shpejt pranë motrave e vëllezërve tanë në momentin kur ata janë në hall e në nevoja për mbijetesë.
Ndihmat tona konsistojnë në veshmbathje, mjete didaktike, elektronike, etj.Kjo situatë na kërkon të shikojmë përpara e të veprojmë sa më parë që të jetë e mundur për t’i ardhur në ndihmë bashkëatdhetarëve tanë, ku si pasojë u përmbytën shtëpi, toka bujqësore, bagëti, shpendë, shkolla e institucione të rëndësishme të vendit si dhe humbi jetën një grua 38-vjeçare. Prandaj kërkojmë nga media e dashamirësit tanë në diasporë që të jemi kurdoherë bashkë në situata emergjente të vendit tonë apo edhe komuniteteve të tjera kudo që bashkëjetojmë.Ju faleminderit!
FOR us to help people, We need your help!
Pelham Parkway Neighborhood Association
Contact: Edith Blitzer Tel: 917.826.4410
The women’s Organization
“hope & PEACE”
Contact: Mimoza Dajçi Tel: 917.645.7452
E-mail: hope.peace.org@gmail.com
New York, 11 Mars, 2015
“Duart e hapura” Z. Aleksander Nilaj-Email-nilajaleks72@gmail.com Tel-718-913-2151
Me shqiptaret në Osnabrück të Gjermanisë
Nga Asllan Dibrani/
Festa e 8 marsi është dita që të gjitha gratë e botës i presin dhuratat nga të dashurit e tyre nga bashkëshortët, fëmijët e tyre si shenjë mirënjohjeje të përkushtimit duke shprehur dashurinë dhe respektin ndaj tyre.
-Dita Ndërkombëtare e Gruas 8 Marsi u festuar ne gjithë botën me qellim, të kujtimit të revolucionit mbi te drejtat e veta për barazi, paqë, drejtësi dhe ndërtim e saj që të jetë e barabartë në shoqëri përkrah burrave . Organizime të tilla u mbajtën në Shqipëri , Kosovë dhe trojet tjera, po edhe në Diasporën shqiptare.
Një tubim i ngjashëm u mbajt edhe ne Osnabrück të Gjermanisë me një manifestim madhështore kushtuar 8 Marsit festës së gruas shqiptare që gravitojnë në këto anë.
-Në një atmosferë impozante mjaft familjare , ishte një organizim mbresëlënës .
Organizatorja kryesore ishte Mehreme Aliaj apo siç e quajnë (Meri) e lindur në fshatin Mushtisht ,që njihet si një veprimtare dhe aktiviste e zellshme .Ajo ishte edhe si themeluese e kësaj shoqate .Pos si kryetare e shoqatës, ajo ka edhe obligimet ndaj firmës së vet që posedon një firmë të pastrimit kimik për tekstil , të quajtur “Meri’s Wäscherai” .Ndoshta ka një inspirim për kulturën nga se edhe Meri vjen nga i njëjti fshat i këngës dhe kulturës që rriti këngëtarët e njohura si Shkurte Fejzën ,Shyhrete Behlulin ,Remzije dhe Nexhat Osmanin ,motrat Mustafa etj.
Zonja Mehreme Aliaj , kryetare e “Shoqatës së gruas shqiptare në Osnabrück, si organizatore e tubimit la përshtypje të madhe në mikpritjen dhe si nikoqire . Ishte salla akoma në pritje të pjesëmarrëseve kur nga larg u vërente një ditë ma e veçantë qe me tu afruar gratë shihej një përzgjedhje e gardërobës se tyre me një elegancë që e tregonte se cila në vete.
Salla ishte shumë e vogël për t’i pranuar të ardhurit për këtë festë , nga se një numër mbeti edhe jashtë sallës pa mundur të futen brenda. Zonja Meri shprehet se jam shumë e kënaqur që kam arritur ta kemi një numër aq të madh të grave shqiptare për këtë festë . Nga ajo mësuam se kjo shoqatë ka lënë gjurmë veprimtarie edhe në aktivitete tjera kulturore . Kjo Shoqatë me një afat të shkurtë jete prej një vit e gjysmë, por me përvojë të madhe ka kryer një serë aktivitetesh. Kjo shoqatë ka tubuar mërgimtarët e kësaj ane edhe për festat tona kombëtare siç është “Pavarësia e Shqipërisë” ajo e “Kosovës” , por edhe aktivitete tjera të shpeshta që gjithnjë kanë si synim afirmimin e gruas shqiptare në suazat e kulturës së saj, por edhe në emancipimin e mëtutjeshëm të saj.
Sipas asaj qe u pa në këtë tubim pjesa dërmuese e këtyre grave ishte me një shkallë të kulturës me çka në mesin e tyre kishte edhe intelektuale , krijuese dhe aktiviste të dalluara . Shoqata sot për sot numëron një numër të konsiderueshëm anëtaresh, ku zonja Meri shprehet se ka sinjale të rritjes së tyre . Pastaj ajo thekson se me kalimin e kohës një shtytje në vete ka edhe shkollimi i gjeneratës së re në Gjermani, që dita ditës ,po e ngrit shkallën e kulturës dhe vetëdijes së gruas shqiptare edhe në Diasporë. Nga gjeneratat e reja , po thyhen kornizat e së kaluarës, që nga propaganda e pushteti jugosllav ka ndikuar edhe një neglizhencë edhe tek gjermanët të na kuptojnë drejt deri me tash, thekson nder te tjera zonja Meri. Ne jemi ato që duhet të ngremë zërin dhe të luftojmë për barazimin e femrës shqiptare qe është konsideruar si fuqi punëtore dhe sa për të lindur dhe asgjë tjetër! Zonja Meri shprehet se i ka ardhë keq që nuk kemi pritur gjithë ketë publik dhe sallën e kemi siguruar vetëm për 200 veta, por interesimi ishte i madh . Mbi 350 veta u grumbulluan në sallën e ngushtë, por një nume u detyruar të kthehet në shtëpi me çka përmes këtij shkrimi ju kërkon falje z.Meri . Gratë pjesëmarrëse ishin nga qyteti Ösnabryk ,Hanover , Hamburgu, Mindeni ,Nordhorn , Munsteri por edhe nga Holanda fqinje dhe Belgjika. Tubimin e shoqëruan edhe këngëtarët Benita Pula. Këngëtarja Benita Pula krijoj një atmosferë në publik që shpesh u aplauzuar nga publiku me çka modestia e saj krijoj një afri tek të pranishmit që shumë nga to u shprehen me një admirim me komplimente dhe përshtypje shumë të mirë, por mbeten me shpresa që kjo këngëtare te jetë ne mesin e tyre serish.
Benita Pula ka krijuar një emër në Gjermani ,por i mbesim borxh, po qe nuk e përmendim edhe burrin e saj Astrit Pula në kontributin që ka si menaxher i saj .Për këtë festë pati edhe ushqime nga kuzhina shqiptare me specialitete të ndryshme. Ky tubim përfundoj me këngë e valle te gëzuara dorë për dore me shpresa qe takimet tjera të jenë edhe ma mirë.
Drejtësi e munguar në Shqipëri
Nga ARTUR AJAZI/
A ka drejtësi në Shqipëri?Kjo është një pyetje ende pa përgjigje, që ne ja bëjmë shpesh njëri-tjetrit, duke mos marrë përgjigje kurrë. Kjo është një pyetje që kërkon përgjigje prej vitesh, dhe që çdo shqiptar ja bën politikës, kryetarëve të qeverive, kryetarëve të partive, deputetëve dhe Presidentit të Republikës. Dhe vërtetë, kur do të flasë drejtësia ? Kur do të flasë ajo për krimet e pazbardhura, për korrupsionin në rritjen më të madhe që ka parë ndonjëherë ky vend, për mijëra dosje të pahetuara dhe të mbyllura për “mungesë provash”, për akuzat publike dhe denoncimet që dëgjojmë në sallën e Parlamentit, për shitjen e trojeve në bregdet, për shitjen e armëve dhe zhvatjen e parave nga demontimi i tyre, për konçesionet e dyshimta, për aferat korruptive të tenderave, për lidhjet mafioze të zyrtarëve të çdo rrangu me krimin e organizuar. Më tepër se kurrë, sot organet e drejtësisë kanë nevojën më urgjente të nisjes pa asnjë minutë vonesë të reformave rradikale, (pavarsisht se ka 24vjet që thuhet se po bëhen, apo do të bëhen) të cilat do ti japin asaj një fizionomi të re, një qasje të re drejt pavarsisë dhe profesionalizmit. Organet tona të drejtësisë, duhet të kryejnë catharsis, duke vetëpastruar gjithçka të keqe, që lidhet me situatën dhe shkaktarët e saj. Mbi 80 per qind e shqiptarëve sot kanë patur dhe kanë ende punë me organet e drejtësisë, janë me mijëra vendime të paligjshme, janë me mijëra procese penale dhe civile të kontestuara nga qytetarët dhe deri tek Ministria e Drejtësisë pas ankesave të bëra. Dhe sërish situata mbetet e njëjtë. Drejtësi e munguar, drejtësi e përfolur. Shqiptarët nuk mund të presin ndryshime pa nisur reformat në organet e drejtësisë. Ata nuk mund të shpresojnë të prekin ndryshimin, nuk mund të besojnë tek organet e drejtësisë tek shohin se si me vendime gjykate u merret prona, u zhvaten paratë nga sekserët që kanë mbushur korridoret dhe kafenetë jashtë institucioneve. Shqiptarët nuk mund të shpresojnë dhe të besojnë se ndryshimi do të bëhet vetëm me fjalë dhe premtime, tek shohin të akuzuarit të dalin me vendime gjykatash nga qelitë pa mbushur 72 orë, apo tek provojnë mbi kurrizin e tyre padrejtësitë e proceseve penale dhe civile të blera me para. Shqiptarët nuk mund të shpresojnë dhe tu besojnë premtimeve, tek shohin të kapardisur, dhe të majmur në miliona euro zyrtarët e drejtësisë, “shërbëtorët” e ligjit. Ata që “Në Emër të Ligjit”, betohen se “nuk e shkelin kurrë atë”, edhe kur nisin hetimin, edhe kur mbushin dosjet me fakte ( të cilat shpesh janë të pabesueshme) . Sistemi ynë i drejtësisë sot, mbetet kaotik, i mbushur me elementë me mungesë të theksuar profesionalizmi, kurse nga pikëpamja morale shumica e tyre janë të padëshirueshëm në opinionin publik. Të akuzuar dhe të denoncuar deri në Strasburg, njerëzit e drejtësisë (por që realiteti e ka treguar se vetëm drejtësi nuk bëjnë) në Shqipëri, tashmë identifikohen me “taksambledhësit e pyllit”, personazhet e një filmi me motive nga e kaluara prodhuar para viteve ’90. Në institucionet tona të drejtësisë , nuk flitet fare për vendim në emër të ligjit, por për pazaret që ka bërë avokati me palët. Një mik që para pak vitesh ka mbajtur postin e nënkryetarit të gjykatës në Durrës, më tregonte një ditë mbi peripecitë që hiqte kur hidhej shorti në institucionin e tij, duke u shprehur se “më dukej vetja sikur isha mes çakenjve dhe jo mes kolegësh”. Kjo pasi sa herë hidhej shorti, plaste sherri dhe debati, dhe “kolegët” u nxirrnin të palarat njëri-tjetrit. Kjo situatë është bërë e padurueshme. Duke qenë si një prej kushteve që duhet përmbushur patjetër, dhe që do të monitorohet edhe nga ekspertët e BE, reformimi i organeve të sistemit të drejtësisë, kërkon fillimisht njerëz të motivuar, profesionistë të talentuar, dhe zyrtarë besnikë ndaj misionit të tyre duke mos falur asnjeri para ligjit. Sistemi drejtësisë duhet pastruar nga çdo element që ka përfituar dhe abuzuar dhe duhet pasuruar me profesionistë të përkushtuar. Dhe këta të fundit, nuk mungojnë, por ata duhen përkrahur, duhen mbështetur , për të krijuar frontin e bashkuar institucional për të nisur dhe bitisur reformimin e krejt sistemit të drejtësisë. Një drejtësi e mbështetur mbi ligjin, mbi barazinë e shtetasve para tij, është pasqyra e funksionimit të shtetit, dhe treguesi i mirëqenies së individit në komunitet.
PROTESTA E OPOZITES KALOI PA INCIDENTE
*BASHA: “Kumbarët nuk u morën vesh për ndarjen e pazareve./
“Dëgjojeni bashkimin e shqiptarëve, Rama ik, Meta ik,” tha Basha./
* Berisha: Mazhoranca kapitulloi, ia mbathën nga frika/
* ANTIMITING nga mbeshtetesit e Ilir Metes/
Sot, 12 Mars 2015, Siç ishte lajmëruar, rreth orës 11:00 ka nisur grumbullimi dhe marshimi i mbështetësve të Partisë Demokratike nga sheshi ‘Skënderbej’ drejt kryeministrisë, aty ku kreu i demokratëve ka mbajtë edhe një fjalim plot me akuza per mazhorancen, qe epiettoje te inkriminuar. Me parulla ku kërkohej dorëheqja e kryeparlamentarit Ilir Meta dhe largimin e klikës Rama-Meta, demokrate e simpatizantët e PD të ardhur që në orët e mëngjesit nga rrethe të ndryshme të vendit, i janë bashkuar thirrjes së PD për të protestuar kundër qeverisë.
Në krye të protestuesve qëndron kryetari i PD, Lulzim Basha dhe ish-kreu i PD-së, Sali Berisha. Mijëra njerëz kanë vërshuar në bulevard në një nga protestat më të mëdha të kësaj force politike. Parullat e hedhura në miting janë: “Meta ik” dhe “Të shporret qeveria”.
Fjalimin e parë e mbajti djali i Qamil Zelës, i cili u vetëvra në qeli për shkak se ishte burgosur për faturën e energjisë.“Na akuzuan padrejtësisht se po vidhnim energjin. Jam këtu sepse jam kundër padrejtësisë,” tha ai. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani tha se këta pushtetarë u zgjodhën sepse premtuan më të mirën. “Pushtetarët tanë janë një bandë oligarkësh, ndërkohë që populli zhytet në mjerim, krim e pasiguri. Shoqëria është në depresion nga arroganca e këtij pushteti,” tha Ristani. Nënkryetari i PD, Edi Paloka tha se padrejtësia ka arritur aty nuk ku nuk mban më. “Jemi këtu për t’i thënë Metës ik, Ramës zhduku,” tha Paloka. “Nuk mundet që qytetarët të përfundojnë në burgje dhe kriminelët në zyrat e shtetit,” tha ai. “Do e çojmë protestën deri në fund, derisa ata të zhduken”.
Pas kryetarit të grupit parlamentar të PD-së ka marrë fjalën kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ai tha se “populli, me pjesëmarrjen e madhe sot në miting e pushoi nga detyra kreun e Kuvendit”. Ai u shpreh se “ky miting është më i madhi i opozitës” dhe është shenjë e pakënaqësisë së qytetarëve.
Ai ka vijuar me akuzën publike se Rama dhe Meta kanë përmbysur gjithçka, se çmimi i energjisë është rritur, se faturat janë bërë të papërballueshme etj. “Asnjë hap i vetëm për të lehtësuar qytetarëve dhe për të qëndruar në anën e tyre. Kanë arrestuar mijëra bashkëqytetarë në një vit të vetëm, njerëz të përbuzur nga qeveria e tyre. Mjerim, varfëri kudo, kurse oligarkët po mbushin xhepat. Në çdo zyrë të qeverisë ka makutëri për zhvatje sipas modelit të dyshes Rama-Meta. Dhe kur shqiptarët nuk shtyjnë dot muajin, një hall tjetër na ka zënë, tritoli kërcënon jetën, njerëzit po luten të shpëtojnë kokën. Në Shqipëri, krimi nuk ka patur kurrë lidhje më të forta më qeverinë se pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Bandat e tyre kanë dorë të lirë dhe territore dhe janë bërë të paprekshëm. Nuk dihet ku mbaron krimi dhe ku fillon shteti”, akuzoi Basha.
Kreu I demokrateve ka vijuar me përmendjen e çështjes “Doshi”, sipas të cilit, superdeputeti që deri dje i hapeshin dyert, për 6 muaj Rama-Meta kanë mbajtur të fshehur krimin ndaj tij. “Për 6 muaj janë përpjekur që t’ia faturojnë këtë Partisë Demokratike. Eshtë bërë Pazar me jetën e dy deputetëve. Eshtë bërë shantazh dhe matje forcash. Jemi të tronditur nga kjo ngjarje, më e rënda e 25 viteve të fundit”, shtoi kryedemokrati.
Kreu i Partisë Demokratike duke folur para qindra mijëra mbështetësve deklaroi se bashkimi më i madhi shqiptarëve në këtë shesh i detyroi qeveritarët të mbyllin parlamentin dhe pushoi Ilir Metën nga detyra e kreut të Kuvendit. Basha i bëri thirrje dyshes Rama-Meta të shohin mirë bashkimin e shqiptarëve nga të gjitha anët e vendit dhe të largohen nga qeveria.
“Shqipëria e pa, bota e pa se pamja e bashkimit të shqiptarëve sot në këtë shesh mbylli parlamenti dhe pushoi Metën nga detyra e kreut të kuvendit. Rama-Meta shikojeni bashkimin e shqiptarëve dhe largohuni”, tha Basha.
“Qeveria e Ilir Rama dhe ilir Meta kanë përmbysur jetën e shqiptarëve, çmimi i energjisë është rritur, kurrë s’ka pasur kaq të papunë mes nesh. Kanë rritur taksat, kanë shtypur populli. Kjo qeveri nuk ka bërë asnjë akt të vetëm për të lehtësuar qytetarët, por kanë çuar në vetëvrasje shumë njerëz, kanë arrestuar mijëra vetë. Kudo shesh mjerim, varfëri, papunësi, por këta oligarkë po mbushin xhepat, në çdo zyrë të qeverisë ka vjedhje, makutëri për pasurim të shpejtë”, tha Basha.
Serish duke iu referuar çështjes kryesore për të cilën PD thërriti në shesh mbështetësit dhe simpatizantët e vet, çështjes së shumëpërfolur ‘Doshi’ dhe akuzat e drejtuara ndaj kreut të kuvendit, Ilir Meta si porositës i vrasjes së tij, Basha i bëri thirrje kryeministrit Rama të ndalë presionet ndaj Prokurorisë dhe drejtësisë, ndërsa i kërkoi edhe një herë Ilir Metës të japë dorëheqjen dhe të vihet përpara drejtësisë. Sipas Bashës, gjendja është akoma më e rëndë kur akuzat bëhen nga deputeti më i besuar dhe më i afërt i qeverisë, Tom Doshi. Kryedemokrati ka kërkuar nga qeveria të mos e përfshijë opozitën në këtë çështje, që sipas tij ka ardhur për shkak të prishjes së pazareve të pista mes tyre.
“Rama, Metën dhe Tahiri, të cilët mbajtën të fshehtë gjithçka dhe tani mundohen t’ia faturojnë përgjegjësinë opozitës, duke aluduar për afrimin e deputetit Doshi me PD-në”, tha Basha.
“Kumbarët nuk u morën vesh për ndarjen e pazareve. Ujërat e qelbura dolën në shesh dhe qelbën kudo”. “Por ata kanë harruar se ne jemi këtu, më të bashkuar se kurrë, më të vendosur se kurrë”.“I kërkojmë sot Ilir Metës me një zë, ik, jep dorëheqjen”.“I them Edi Ramës ndal trysninë ndaj organit të akuzës, mos bëj kryeprokurorin”. “Do jemi të mbledhur dhe të bashkuar deri në fitore”.
“Sido ta kenë emrin, Edi, Ilir, Emiliano apo Hakmarrje për Drejtësi, u themi se jemi këtu derisa drejtësia të bëhet”.
“Kjo qeveri ka devijuar nga rruga e ligjit dhe e Zotit,” nënvizoi kryetari i PD. “Shqiptarët kanë nevojë për një ofertë të re. U jap fjalën që Shqipëria do e ketë ofertën e re”. “Nuk ndalemi sa të ketë ligj e drejtësi, derisa krimi të ndalet, nuk ndalemi derisa qytetarët të kontrollojnë qeverinë, derisa Meta e Rama të largohen”. “Ky bashkim është shenjë se qeveria Rama- Meta është rrëzuar moralisht”. “Rroftë demokracia,” e mbylli Basha fjalimin e tij.
Berisha: Mazhoranca kapitulloi, ia mbathën nga frika
Ish- kryeministri Sali Berisha deklaroi pas seancës së shkurtër parlamentare se “mazhoranca firmosi kapitullimin”.
“Nuk ka ndodhur si këta që mbyllin parlamentin. Ia mbathën nga frika. Ky është akti i turpshëm. Kjo mazhorancë e gllabëruar nga krimi ka vetëm një rrugë: T’i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme,” tha Berisha.
Ai u shpreh se protestuesit janë pa dallime partiake.
“Aty do ketë mijëra socialistë. Këta e mbyllin parlamentin si ta kenë kuzhinën e Ilir Metës,” tha Berisha.
Berisha tha se Meta dhe Rama janë informuar që në protestë do jetë e gjithë Shqipëria, ndaj mbyllën parlamentin.
Edhe deputeti i PD, Mhill Fufi tha se mazhoranca dhe Meta janë trembur nga protesta.
Ndërkohë ish- kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se Meta shkeli edhe rregulloren.
“Ky është ish- kryetari i Parlamentit më qesharak dhe më gaztor. Është e paimagjinueshme që kryetari i Kuvendit të mos durojë më shumë se 12 minuta,” tha Topalli.
Mbështetësit e Metës, antimiting te selia e LSI
E ndërkohë, qindra simpatizantë të LSI-së, të cilët kishin ardhur edhe nga rrethet janë mbledhur pranë selisë së kësaj force politike, në mbështetje të kreut të saj, Ilir Meta, dorëheqja e të cilit është në qendër të kërkesave të protestuesve të sotëm.
Basha: Bashkimi i shqiptarëve në këtë shesh mbylli parlamentin, largoi Metën nga detyra
Kuvend, Meta e mbyll seancën për 15 minuta/
Berisha: Mazhoranca firmosi kapitullimin/
Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë ka zgjatur vetëm 15 minuat dhe është zhvilluar në kushtet e një tensioni të madh politik, në ditën kur opozita ka organizuar edhe një protestë që kërkon dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta.
Përfaqësuesit e opozitës janë ngritur në këmbë pranë foltores duke kërkuar sërish dorëheqjen e Metës.
Deputeti demokrat Arben Ristani nga foltorja e kuvendit i ka kërkuar Metës të japë dorëhqjen por ky i fundit i ka prerë fjalën, pasi ishte jashtë rendit të ditës.
Pavarësisht tensionit të krijuar, kryeparlamentari ka vijuar me rendin e ditës, votimin e projektligjeve që ishin parashikuar për sot, duke iu bërë me dije opozitarëve se pavarësisht nga axhenda e tyre, kuvendi do të vijojë punën normalisht normalisht. Pasi ka votuar me radhë të gjitha pr/ligjet, kreu i Kuvendit e ka deklaruar të mbyllur seancën e sotme.
Berisha: Mazhoranca firmosi kapitullimin e vet
Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka mbërritur në ambientet e kuvendit pikërisht në momentin kur seanca e sotme është deklaruar e mbyllur, e ka këtë cilesuar një akt të pashembullt në historinë e pluralizmit shqiptar, me anë të të cilit sipas tij mazhoranca firmos kapitullimin e saj.
“Mbyllja e Parlamentit shënon kapitullimin e mazhorancës. Ky është një akt i pashembullt. Këta kanë frikë nga protesta qytetare kundër krimit. Kjo mazhorancë e gllabëruar nga krimi ka vetëm një zgjedhje, t’u hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme”, ka deklaruar Berisha.
Rendi i ditës në Kuvend
1. Projektligji “Për sistemin e depozitës për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë”. (vazhdon shqyrtimi në komision)
2. Projektligji “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”. (vazhdon shqyrtimi në komision)
3. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkim dhe prodhimi),” të ndryshuar.
4. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Protokollit të zbatimit për aistencën financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”.
5. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Austriake të Zhvillimit, për asistencën teknike për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve”.
6. Projektvendim “Për zgjedhjen e kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
7. Projektvendim “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr. 48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore tregtare”.
KOMUNITET- Akt diskriminues në Tuz
Reagon diaspora: PARA GJUHËS DHE FLAMURIT PËRULEMI TË GJITHË/
Shqiptarët në Diasporë i gëzon fakti i çdo nisme që përmirëson jetën e bashkëkombësave tanë në vendlindje, mirëpo njëkohësisht na shqetëson dhe brengos deri në pafundësi diskriminimi konstant dhe sistematik i të drejtave të bashkëkombësave tanë në vendlindje nga aparati shtetëror malazias dhe politika e tyre sistematike antishqiptare.
Kjo politikë e qeverisë së Milo Gjukanoviqit dhe strukturave shtetërore të DPS-it po rëndojnë dhe kanë bërë të pamundur ekzistencën dhe mbijetesën e popullatës shqiptare në trojet e tyre autoktone nën Mal të Zi.
Është e dhimbshme kur protagonistë dhe implementues të kësaj politike të DPS-it bëhen vëllezëritë tanë të një gjaku dhe të një gjuhe. Kuislingë të tillë me veprat e tyre antikombëtare shkelin rëndë në luftën shekullore të bashkëkombësve të tyre për liri dhe barazi. Malësia si trevë dhe truall shqiptar në periudha të ndryshme të historisë ka ditur dhe dinë t’i dalë zot vetëvetes dhe këtë do e bëjnë bijtë e saj qofshin në Atdhe apo dhe në mërgim.
Ditëve të fundit dhe pikërisht më datën 3 Mars 2015 në kryeqendrën e Malësisë, në Tuz, u bë inaugurimi i sallës së arsimtarëve pranë shkollës “Mahmut Lekiq” në Tuz, investim ky i një agjensioni turk, ku vlera e investimit në total kap shumën 11.000 (njëmbëdhjetëmijë) Euro. Një investim i tillë me siguri që do të përmirësojë kushtet e mbarëvajtjes së edukimit, mirëpo është e pafalshme se si në një shkollë ku shumica e nxënësve dhe e personelit edukativo-arsimor janë shqiptarë të mos flitet SHQIP.
Është e pafalshme dhe një vepër antikombëtare që pikërisht aty në Tuz, në kryeqendrën e Malësisë, të valoj flamuri i pushtuesve të vjetër e të ri (Turq e Malazez) e mos të jetë prezent flamuri ynë me shqiponjën dy krenare.
Dhe ironia ma e madhe kur në këtë ceremoni të hapjes solemne të sallës së arsimtarëve udhëhoqi një shqipfolës me emrin Nikoll Dukaj, drejtori i shkollës së cekur ma lart , i cili me sa duket nga verbëria e të qënurit luajal i DPS-it harroj edhe gjuhën e vet amtare.
Dhe absurdi bëhet edhe ma i madh kur edhe vet personeli i mësimdhënësve të kësaj shkolle në gjuhën shqipe e duartrokiti këtë nëpërkëmbje të gjuhës dhe simboleve tona kombëtare.
Është obligim moral e kombëtar dhe i prindërve të nxënësve që vijojnë mësimin në këtë shkollë, që të reagojnë dhe ta ngrejnë zërin e protestës ndaj atyre që me veprat të tilla të tyre rreshtohen, në rradhën e atyre që historikisht janë dëshmuar si antishqiptarë dhe të tillë do të mbesin prapë.
Shoqatat Shqiptare me veprimtari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – me origjinë nga trojet tona etnike nën Malin e Zi, konsiderojnë se veprime të tilla meritojnë një reagim dhe dënim të ashpër nga opinioni i gjërë, dhe është koha e fundit e vetëdijësimit të atyre që pretendojnë t’iu dhurojnë dije fëmijëve tanë në vendlindje që të punojnë pak edhe në vetëdijësimin e vetëvetes së tyre në aspektin kombëtar.
Diaspora Shqiptare e Amerikës me shoqatat dhe potencialin intelektual që posedon nuk do rreshtin së punuari në të mirë të vendlindjes, dhe se njëkohësisht iu bëjmë me dije qeveritarëve, zyrtarëve dhe bashkëpunëtoreve të tyre se hapërimi i Malit te Zi drejt botës demokratike nuk do të mundet të vazhdojë tutje përderisa ky shtet shkel dhe nëpërkëmbë të drejtat e shqiptarëve autoktonë.
Diaspora Shqiptare në SHBA do të punojë deri në instancat më të larta të shtetit ku gravitojmë për të ngritur fuqishëm zërin në të mirë të vendlindjeve tona dhe për të ndaluar politikën diskriminuese të shtetit Malazias.
1. Shoqata “ Ana e Malit “ – New Yorki
2.Shoqata Atdhetare “ Malësia e Madhe, Detroit
3. Fondacioni “ Plavë-Guci “ – New York
3. Shoqata Malësia e Madhe, New York
5. Fondi Humanitar “Rapsha” Detroit
6. Fondacioni “ Dom Simon Filipaj
7 Shoqata Atdhetare “ Kraja i
8. Shoqata “ Ulqini Chicago