• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tension në Kuvend

March 5, 2015 by dgreca

Edi Paloka: Dorhiqu Meta! “Kupola e mafies është këtu mbrapa”!/
Ilir Meta: Doshi, deputet I PD. Bejeni kryetar!/
Berisha: Ky parlament sot ngjet si një zonë krimi./
Deputetët e Partisë Demokratike kanë mbërritur me gjysmë ore vonesë në seancën e radhës të ditës së enjte, pas mbledhjes së grupit parlamentar.
Që në nisje të diskutimit, kryetari i grupit të PD, Edi Paloka, kërkoi dorëheqjen e Ilir Metës si kryetar i Kuvendit.
Demokratët thonë se nuk do kërkojnë asgjë tjetër përveç shkarkimit të Metës.
“Kupola e mafies është këtu mbrapa,” tha Paloka.
Meta u përgjigj duke thënë se e ka firmosur kërkesën për shkarkim dhe ajo do të shqyrtohet.
“Është turp që qendron akoma në atë karrige. Jep dorëheqjen dhe dil përpara drejtësisë,” tha Paloka, duke shtuar se Doshi e ka akuzuar për vrasjen e tij.
Meta tha se Doshi tashmë është një deputet i PD.
“Mund ta bëni edhe kryetar,” tha Meta.
Pas shkëmbimit të akuzave, deputetët e PD u ngritën në këmbë, duke bllokuar foltoren.
“Zoti Beqja, lajmëroni urgjencën dhe shërbimin e shëndetit mendor,” tha Meta, duke ndërprerë seancën.
Fjalën e mori edhe ish- kryeministri Sali Berisha, që tha se e dinte skenarin për vrasjen e Tom Doshit para tre muajsh.
“Ky parlament sot ngjet si një zonë krimi. Për fatin tonë të keq dhe të qytetarëve shqiptarë, në këtë parlament nuk flitet gjë tjetër veçse krim, krim dhe vetëm krim. Unë kisha denoncuar disa herë tentativën për eliminimin e Tom Doshit,” tha Berisha.
“Nëse ka ndonjë njeri që ka qenë më agresiv ndaj Tom Doshit, ky është Sali Berisha. Por Sali Berisha është i ligjit. Nuk kërkoj kurrë përveç ligjit asgjë tjetër. Afera e vrasjes ishte mes jush dhe ju nuk po e mbyllni,” vijoi Berisha.
“Kur e dije prej tre muajsh, pse nuk e denoncove,” deklaroi Meta.
“E nise si lider demokracie, po e përfundon si aksioner pularie,” tha Meta, duke shtuar se Berisha mezi po priste vrasjen brenda mazhorancës.
Duke iu përgjigjur kërkesës së Sali Berishës për të dhënë dorëheqjen, pasi ka “porositur vrasjen e Tom Doshit”, Meta tha: “Për Shkëlzen Berishën e kam dhënë njëherë dorëheqjen, nuk e jap dy herë”.
“Mos u bëj pjesë e komplotit të pularisë me Tom Doshin dhe Dritan Priftin,” tha Meta.
“Shkëlzeni ishte në video me Dritan Priftin,” tha Meta.
“Kjo alibi që kërkon është e turpshme. Tom Doshin e merrje me helikopter qeveritar ti. Mos e ço vendin drejt atyre situatave që nuk duhet të shkojë,” tha Berisha.

Filed Under: Politike Tagged With: Berisha, Meta, Tension ne Kuvend

Hetime ndaj 135 personave për terrorizëm në Kosovë

March 5, 2015 by dgreca

Janë 135 persona ndaj të cilëve organet e ndjekjes penale në Kosovë, po zhvillojnë hetime nën dyshime për përfshirje në rastet që ndërlidhen me terrorizmin.
Pjesëmarrja, nxitja apo inkurajimi i njerëzve për pjesëmarrje në luftërat jashtë Kosovës, sidomos në Siri, në krah të organizatave të shpallura ndërkombëtarisht si terroriste, janë vepra të cilat rëndojnë mbi këta persona të dyshuar.
“Në Prokurorinë Speciale të Kosovës, nga periudha paraprake, në vitin 2014, janë bartur 8 raste. Prej tyre 4 raste me 19 persona janë nën hetime, kurse 2 raste me 2 persona dhe një rast me persona të panjohur janë në fazën preliminare të hetimeve”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Liridonë Kozmaqi Hajdaraj.
Nga janari i vitit 2014 deri më tani, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka thënë zëdhënësja Liridonë Kozmaqi Hajdaraj, ka pranuar gjithsej 23 raste, prej të cilave, 3 raste të pranuara në vitin 2015 me 117 persona, të dyshuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin.
Në përgjithësi, prokurorët e kësaj prokurorie kanë filluar hetimet ndaj 135 personave.
Vetëm gjatë vitit 2015, janë ngritur 4 aktakuza kundër 14 personave. Të pandehurit, dyshohen se u kanë bërë thirrje personave të tjerë për të kryer ose për të marrë pjesë në kryerjen e veprave terroriste, të marrin pjesë në aktivitetet e grupit terrorist dhe të sigurojnë fonde dhe burime materiale.
Të gjitha këto vepra, janë të dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Persona tjerë, akuzohen se kanë marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist në atë mënyrë që paraprakisht janë dakorduar që të shkojnë në luftë në Siri dhe t’i bashkohen grupit të shqiptarëve që kanë luftuar në anën e organizatës terroriste “ISIS” [Shteti Islamik].
Andaj, edhe këto vepra që kanë të bëjnë me organizimin dhe pjesëmarrjen në grupin terrorist, janë të dënueshme me Kodin Penal.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka konfirmuar se ka rreth 300 persona nga Kosova që janë përfshirë deri më tani në luftë në Siri apo edhe në Irak.
Institucionet e Kosovës janë në fazën finale të miratimit të Projektligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës. Pas miratimit dhe fuqizimit të tij, pritet që rastet e aktiviteteve terroriste dhe esktremizmit fetar të marrin një goditje shtesë.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nuredin Ibishi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, beson që sanksionimi me ligj i pjesëmarrjes në luftërat jashtë vendit në krah të organizatave terroriste ishte më se i domosdoshëm në rastin e Kosovës.
“Është një ligj me rëndësi të veçantë në aspektin e pengimit, jo vetëm të pjesëmarrjes direkte, por në një formë edhe të implikimeve tjera që ka të bëj me nxitjen, mbështetjen, financimin, organizimin dhe pjesëmarrjen e njerëzve në këto konflikte të armatosura”, ka thënë Ibishi.
Deputeti Ibishi thekson po ashtu se numri prej 300 personave, sa besohet se marrin pjesë në luftën e Sirisë, është mjaftë alarmant. Për këto zhvillime ai mendon se përgjegjësinë nuk e kanë vetëm autoritetet e Kosovës, gjendja e rëndë sociale dhe papunësia, por edhe ato ndërkombëtare që e kanë lënë Kosovën si një geto të izoluar në Evropë.
“Sigurisht që situata është alarmante. Raportet e ministrit Hyseni, por edhe autoriteteve tjera në Kosovë tregojnë për një implikim të tillë dhe një situatë mjaftë të rëndë. Fatkeqësisht që edhe jeta në geto në Kosovë, në kuptim të ngecjes në liberalizimin e vizave në njëfarë forme, ka frustruar qytetarët e Kosovës dhe një pjesë e tyre fatkeqësisht kanë zgjedhur rrugën më të keqe të mundshme, pra kyqjen në këto organizata terroriste në Siri dhe Irak”, ka deklaruar Ibishi.
Ndërkohë, njëri nga ish-deputetët më aktiv nga trajtimi i çështjeve nga fusha e sigurisë në legjislaturën e kaluar të Kosovës, Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se rastet që tashmë janë në procedurë, do të duhej të trajtoheshin përmes kodit penal dhe ligjeve përkatëse, ngase ligji i ri i miratuar nuk do të ketë efekt retroaktiv.
“Ky ligj, i cili po shpresoj që shpejtë do të hyj në fuqi, nuk ka efekt prapakthyes apo retroaktiv, por decidivisht ka efekt në parandalimin e vazhdimit dhe rritjes apo zgjerimit, indoktrinimit, thirrjeve për bashkim në luftërat e huaja, apo në gjuhën e urrejtjes apo në shpërndarjen e thirrjeve të tilla”, ka thënë Ramadani.
E veçanta e luftimit të ekstremizmit fetar dhe terrorizmit, ishte zgjerimi i hetimeve ndaj disa imamëve të Kosovës, të cilët vitin e kaluar në disa raste përfunduan edhe prapa grilave.
Ndonëse ata janë liruar, hetimet janë duke vazhduar, nën dyshimet për shpëlarje parash, financim të terrorizmit, nxitje për kryerje të veprave terroriste, rekrutim për terrorizëm, thirrje për rezistencë, organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.
Lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar është një problem global. Institucionet e Kosovës e kanë cilësuar luftimin e këtyre dukurive me prioritet të veçantë.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, në disa raste ka deklaruar se Kosova nuk do të bëhet çerdhe dhe as strehë e terrorizmit, kurse ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova është lidere në rajon sa i përket luftimit të ekstremizmit fetar.(Zijadin Gashi)

Filed Under: Kronike Tagged With: Hetime, ndaj 135, personave për, terrorizëm në Kosovë

KOMUNITETI ARBERESH I SICILISE, SESION SHKENCOR PER 100 VJETORIN E PAPA MATEU

March 5, 2015 by dgreca

Nga Zef Chiaramonte/
Më 7 mars, ditën e shtunë në orë 6 p.d. , komuniteti arbëresh i Sicilisë do kujtojë papa Mateun Shambra, me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Një simpozjum do mbahet mu në Kishën konkatedrale e Arbëreshëve, “la Martorana”, në Palermo, ku i ndyeri ishte famullitar për disa dekada.
Papa Mateu, përveç se prift arbëresh i ndershëm, ishte edhe ligjirues i Gjiuhës dhe i Letërsisë Shqipe në Universitetin e Palermos dhe bashkëpuntor i zellshëm i At Zef Valentini-t.
Ndër botimet e tij më me vlerë, kujtojmë Liber Brevium të Papa Kalistit, lidhur me epokën e Skënderbeut dhe përpunimin e Arkivit të famullisë greke-koroneze-arbëreshe të Sh. Kollit në Palermo.
Fjalën e rastit do ta mbajë Prof. Mateo Mandalà, ligjiruesi i sotëm i Shqipes në Universitetin e Palermos, i ndjekur nga famullitari i ri i Kishës Arbëreshe, papa Nikola Kuçi.
Ceremonia do marrë fund me concertin e muzikës bizantine arbëreshe drejtuar nga Profesori i shquar shqiptar Tonin Tarnaku.
Palermo, 28 shkurt 2015
Zef Chiaramonte, korrespondent nga Sicilia

Filed Under: Kronike Tagged With: E PAPA MATEU, KOMUNITETI ARBERESH I SICILISE, per 100 vjetorin, SESION SHKENCOR, Zef Chiarmonte

KALENDARI KULTUROR PA QASJE MBARËKOMBËTARE

March 5, 2015 by dgreca

Diskursi kulturor/
(Përkitazi në lidhje me nënshkrimin e kalendarit kulturor Shqipëri-Kosovë për vitin 2015)/
Shkruan: Dr. Nail Draga/
Ditë më parë mediat elektronike dhe të shkruara njoftuan se Kosova dhe Shqipëria do të kenë një kalendar të përbashkët kulturor për vitin 2015. Kështu më 20 shkurt në Prishtinë, Ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro – Furxhi dhe Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Shala, nënshkruan Protokollin e Bashkëpunimit në fushën e kulturës, duke rënë dakord për përfshirjen e aktiviteteve kulturore të dy vendeve në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor.
Kështu, Kosova dhe Shqipëria hyjnë në vitin e dytë të bashkëpunimit me Kalendarin e Përbashkët Kulturor i cili vjen në bazë të Deklaratës së përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës.
Nuk ka dilemë se nënshkrimi i Protokollit paraqet një vazhdimësi të bashkëpunimit të dy vendeve tona në fushën e kulturës me synimin e avancimit dhe promovimit të kulturës kombëtare brenda hapësirës shqiptare duke e konsideruar si nxitje për veprimtari të tjera në nivel mbarëkombëtarë, ku kultura duhet të jetë model për të tashmën dhe të ardhmen
Bëhet me dije se veprimtaritë e përbashkëta kulturore, sipas Kalendarit janë në fushën e librit, të teatrit, trashëgimisë, filmit, arteve muzikore e pamore etzj., qe mundësojnë prezantimin, njohjen dhe vetënjohjen shqiptare, qe paraqet nderim ndaj veprimtarisë kulturore kombëtare në përgjithësi.
Nuk ka dilemë se një akt i tillë është për tu përshëndetur, sepse është në favor të bashkëpunimit ndërshtetëror në përgjithësi dhe integrimit kulturor mabarëkombëtar në veçanti.
Por, me të drejt bëhët pyetja ku janë shqiptarët në Mal të Zi,Luginë të Preshevës e Maqedoni, dhe pse ata nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje. Mungesa e qasjes së tillë edhe për keto mjedise shqiptare, del qartë se kjo marrëveshje është e mangët dhe nuk mund të gezojë epitetin e sintagmës mbarëkombëtare. Pse ka munguar një qasje e tillë nga ministritë përkatëse nga Tirana e Prishtina, përgjigja duhet të jepet pikërisht nga këta dy adresa..
Mendoj se është dashur në mënyrë taksative të shënohen obligimet në kalendarin kulturor, në rastin konkret edhe për shqiptarët në Mal të Zi. Kështu shfaqje të ndryshme nga teatri, ansamblet muzikore, apo ekspozitat e ndryshme artistike do të ishin të obligueshme të paraqiten para shqiptarëve në Mal të Zi.
Kujtojmë me ketë rast se gjatë verës në Ulqin, organizohen veprimtari kulturore mbarëkokbëtare por edhe ndërkombëtare siç janë Panairi I librit, Festivali “Skena verore” dhe “Kalimera poetike”. Ne këto veprimtari por edhe të tjera të veçanta, pjesëmarrja e ansambleve artistike, apo individëve të ndryshëm do të ishte e nevojshme, sepse si e tillë ka mision të dyfishtë(artistik dhe kombëtar).
Me sa jam i informuar deri me tash nuk ka ekzistuar ndonjë interesim për ndonjë takim për çështje të tilla as nga Prishtina apo Tirana, edhe pse përpjekjet tona nuk nuk kanë munguar. Por, duhet cekur se çdo iniciativë ne ketë aspekt, ishte jashtë ministrive përkatëse, pra me subjektet e ndryshme kulturore, për pjesëmarrje ne veprimtaritë kulturore në Ulqin.
Kujtojmë me ketë rast se ne Skenën verore në Ulqin ftohen dhe marrin pjesë vazhdimisht trupa teatrale nga Shqipëria e Kosova, por edhe piktor dhe grupe të ndryshme muzikore.
Duke marrë parasysh se në të kaluarën ka qenë e pamundur një angazhim konkret në ketë drejtim sepse ishin rrethana të tjera shoqërore, tash në pluralizëm, pesha bie mbi institucionet përkatëse ne lidhje me bashkëpunimin ne ketë drejtim.
Andaj, mendoj se ka ardhur koha për angazhim konkret ne ketë aspekt, sepse intergrimin kulturor nuk do të na bëjnë të tjerët. Inicues të kësaj çështjeje duhet të jetë Ministria e kulturës e Republikës së Shqipërisë, sepse një veprim i tillë është obligim moral dhe kombëtar qe është i mbeshtetur edhe në nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Anashkalimi i shqiptarëve në Mal të Zi, të Luginës së Preshevës dhe ato në Maqedoni, ndoshta nuk është bërë me qellim, por mungesa e kësaj hapësire kulturore ne kalendrin kulturor të publikuar me 20 shkurt nuk arsyetohet më asgjë.
Ndryshimet ne ketë aspekt janë të nevojshme, e ate fillimisht në institucionet përkatëse si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë., sepse nëse nuk angazhohemi vet në ketë drejtim punët tona nuk do të na I kryejnë të tjerët.
Integrimi kulturor mbarëkombëtarë duhet të jetë mision parësor për ministritë përkatëse dhe institucionet shtetërore, ku me një koordinim të veprimeve nuk do të mungojnë as rezultatet konkrete, por fillimisht duhet të ndryshojë qasja dhe mentaliteti i personave përgjegjës në institucionet përkatëse.

Filed Under: Analiza Tagged With: DR. NAIL DRAGA, KALENDARI KULTUROR, MBARËKOMBËTARE, PA QASJE

Ëndrra nuk mund të vdes, për aq kohë sa SHQIPTARI jeton

March 4, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti/*
Armiqtë janë të elektrizuar nga ëndrra se me veprimet antishqiptare do të arrijnë shkombëtarizimin e tyre dhe një ditë, do të ushtrojnë një kontroll të plotë mbi ta. Kodoshët shqipfolës, në bashkëpunim me armikun e jashtëm, duan ta shtrydhin Atdheun tonë. Misioni i tyre është të vazhdojnë të na bezdisin me llomotitje të çoroditura dhe në thelb të pakuptim. Lehjet e tyre janë një përzierje e shushatur vetëmburrjeje primitive, përgojimesh të gjithçka-je shqiptare dhe profeci të flakta të predikuesve injorantë përçarës antikombëtar.
***
Kombi është një bashkësi njerëzore e qëndrueshme, e lindur mbi bazën e bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit shpirtëror që shprehet në bashkësinë e kulturës. Kombet kanë një shpirt të përgjithshëm dhe një unitet moral të vërtetë që i përfton ashtu siç janë. Ky unitet shfaqet sidomos nëpërmjet GJUHËS. Shqiptari i cili është duke flakur tej gjuhën amtare, zakonet e nderuara, dhe duke shkelur me këmbë dogmat kombëtare, ai fyen pikërisht ZOTIN.
Për një komb të caktuar, me rrënjët e veta-gjenealogjinë, me një kujtesë etnike, me një popullsi të dhënë, territorin, me zakonet e tij, gjuhën e tij, situatën gjeopolitike, pasuritë, cilësitë e mira e të këqija, duhen gjetur ligjet që i përshtaten.
***
Edhe pse shqiptarët nuk kanë druajtje të tepërt prej sundimtarëve, janë tejet të bindur dhe verbuar. Janë prej atyre kombeve që nënshtrohen jo pse autoriteti iu shkakton aq frikë, por sepse ata kanë aq frikë – jo nga autoriteti, por prej jetës – sa kërkojnë një pushtet të cilit t`i nënshtrohen. Ndërkaq, sundimtarët e tyre injorantë, kanë nevojë për një prijë të fuqishme, të fortë, që të kompensojnë ligështinë e tyre. Dhe, e gjejnë te fqinjët. Prandaj Shqipërinë e urdhëron Greqia, Kosovën Serbia, Turqia…
Kohët e fundit kam përshtypjen që jeni të vetëdijshëm se gjendeni në një botë të huaj dhe ju ka kapluar ndjesia e pafuqisë që rrjedh prej kësaj. Kjo lehtësisht mund t`ju mposhtë. Nëse do të ndjeni veten tërësisht pasiv, një objekt i thjeshtë, do të privoheni prej vetëdijes se keni një vullnet, një histori të lashtë dhe një identitet legjendar pellazg/ilir/shqiptar.
Nuk ka rrezik tjetër si ai kur mendja të ngulet në një pikë e nuk luan vendit, kurse unë jam vërtet nga ata që gjatë përmbushjes së detyrës, kanë nevojë për emocionet e lidhura me rreziqe e me marrje rreziqesh përsipër, për ta pasur mendimin të kthjellët. Ky është element i prirjeve të mia.
Një mik më pyeti: “Aurel, nga e nxjerrësh këtë kënaqësi emocionale, nga dashuria apo rreziku që vjen nga kjo lojë?”
Përgjigja ime ishte: “Nga rreziku. Sepse më nxit. Por, të lutem, mos më keqkupto, rreziqet nuk më pëlqejnë, më pëlqen t`u bëj bisht. Kështu u hapet rrugë energjive të mia.”
Ata që nuk kujdesen për ndjenjat e të tjerëve mund të bien shpejt në telashe. Shumica e vendimeve të marra janë të bazuara në emocione. Kjo ndoshta nuk duket ashtu sepse ne i maskojmë me fjalë të arsyeshme dhe shpjegime, por shpesh janë “ndjenjat e barkut” ato që vendosin.
Emocionet janë nxitës të fuqishëm në njerëz, për të mirë dhe për të keq dhe diçka që ne dëgjojmë me vëmendje kur ne të hasim në diçka që na sfidon. Janë instinktet origjinale indigjene që na tregojnë nëse ne duhet të ikim ose të luftojmë.
Të njohësh vetveten do të thotë të fitosh një kuptim thelbësor në rritje, mendore dhe ndijore, për pjesën tjetër deri më atë kohë të panjohur të psikikës vetjake. Ajo shkakton një shtim të energjisë, që çlirohet prej përgjegjësisë për të mbështetur kapërcimet; kështu pra, sa më tepër që njeriu është në ndërlidhje me realitetin e tij të brendshëm, aq më tepër është i dritësuar dhe i lirë.
***
Sa e shkurtër është rruga nga normal te i çmendur?
Çfarë është çmenduri dhe çfarë është normalitet? Kjo është një pyetje e lashtë me shumë përgjigje. Tradicionalisht ne e perceptojmë shpesh çmendurinë në lidhje me mangësinë e realitetit. Njerëzit që përjetojnë botën në një mënyrë krejtësisht të ndryshme se publiku i gjerë, shpesh konsiderohen si të sëmurë psikik, me çrregullime shpirtërore. Shumica e njerëzve e kuptojnë marrëzinë dhe çmendurinë si e kundërta nga e arsyeshmja.
Ne duhet të jemi sinqertë. Ka grupe në shoqërinë tonë që kanë një kokë bosh, gojë të madhe dhe një zë të lartë, por të cilët nuk janë myslimanë të vërtetë. Dhe, këta krijesa nuk përfaqësojnë shqiptarët mysliman. Ekstremizmi i tyre ka të bëjë me ideologjinë dhe jo Islamin. Më injorantët dhe më të çmendurit prej tyre:
propagandojnë mësimin fetar islam në shkolla
mbulesën me jorgan të femrave
kërcojnë me dhunë të përhapin islamin politik
Politikanët injorantë, servil, tradhtarë dhe të korruptuar deri në vesh:
vodhën dhe plaçkitën të gjitha pronat shoqërore
motivojnë / detyrojnë ikjen e shqiptarëve dhe boshatisjen e vendit
përpiqen të zvogëlojnë numrin e shqiptarëve të Kosovës, duke ua ndaluar lindjen e fëmijëve
ua dhurojnë fqinjëve KOASH-in, qytetet (Mitrovicën), minierat (Trepçën), lumenjtë (Vjosa, Radika), detin, kodrat, fushat, malet, tokën, qiellin, ajrin…
Botëkuptimet e tyre të përdredhura për çështjet dhe gjërat, janë fuqia më shkatërruese për Kombin dhe Atdheun.
***
Nacionalizmi i shqiptarëve është vrarë si pasojë e“pastrimit të trurit”, ndërkaq fqinjët shovinist e përforcojnë gjithnjë e më tepër. Megjithatë, nuk ka probleme me të cilat nuk mund të ballafaqohemi. Përvoja, njohuritë dhe besimi në vetvete na tregojnë se si ato duhet të trajtohen. Doemos, edhe shoqëria shqiptare të pastron plehrat nga kopshti vet, të krijojë strukturë dhe institucione të mirëfillta, të përhershme, që i sigurojnë asaj qëndrueshmëri.
***
Në shtator 2012, me disa miq dhe bashkëluftëtarë të mi ishim në Shqipëri. Afër dy muaj u stërvitëm në bjeshkët madhështore dhe ujërat e kaltra të Ksamilit. Natën e fundit para ikjes, në ditarin tim shkrova:
Fryrë zemrat dhe faqet me ngjyra të ndezura, homazh të dashurit Atdhe. Emri i shenjtë. Gjumi im është i heshtur, dhe askush nuk mund të ëndërrojë në mënyrë të lehtë dhe kështu të heshtur, kur malet dhe deti bie në gjumë, dhe askush nuk mund të buzëqeshë në mënyrë të qetë dhe të lumtur, kur zërat lundrues mbinatyror vdesin. Dhe, pyjet janë duke fjetur në luginë.
Shqipëri, Shqipëria ime, ma jep mua pranverën tënde, me diell mbi ujërat që lëkunden, por më dëgjo mua, më dëgjo mua kur ditët kalojnë dhe hijet e mbrëmjes mbulojnë ballin tim. Pastaj më mëso të zbehem, o Shqipëri moj nëna ime, dhe të hipi në një krevat në tokën tënde të shenjtë, kur vera e lënë vendin…(* USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: ESSE Tagged With: Aurel Dasareti, Ëndrra, nuk mund të vdes, për aq kohë sa, SHQIPTARI jeton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4047
  • 4048
  • 4049
  • 4050
  • 4051
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT