• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PORTRETI I MUZËS SHQIPTARE

February 26, 2015 by dgreca

NGA DRITA SILIQI/
Shënime mbi librin “Sonata e Hënës” të Eglantina Mandisë/
Musine Kokalari është figura më interesante dhe më tragjike midis shkrimtarëve të viteve ‘30. Më interesante sepse, ndonëse jetoi në një periudhë jo shumë të favorshme për zhvillimin e gruas intelektuale
shqiptare, arriti të fitojë, për hir të talentit dhe kulturës së saj, admirimin e shumë dashamirësve e studjuesve të shquar të kulturës dhe kombit shqiptar, siç qe albanologu M. Lambertz,i cili shkruan:
”Me dhuntinë e një talenti të gjithanshëm si ai i Kokalarit (duke i u referuar veprës se saj), është dhënë një tabllo piktoreske e nje gjuhe me ngjyra te gjalla te mrekullueshme.”
Ndërsa Talavini, mbasi vlereson stilin dhe gjuhën e veprës së saj, konkludon: “Mund t’ju them se ju jeni bërë e njohur prej kohësh, si një zë krejt i veçantë. “
Kështu u vlerësua Musinea, edhe nga personalitete të tjera, brenda e jashtë vendit.
Figura e saj u bë edhe me tragjikja, sepse iu desh të përjetojë dhimbje të padurueshme, tortura të paimagjinushme, izolimin dhe vetminë vrastare e, megjithatë, u ngrit mbi këto stoike e u bë simbol i pastërtisë, ndershmërisë, forcës morale të gruas shqiptare.
Jeta e Musinesë ishte shumë e shkurtër, po të numërosh çastet e pakta të lumturisë që provoi dhe shume e gjate, po te kujtosh ankthet, vuajtjet, mundimet, që perjetoi deri në fund të jetës. Pikërisht për këto arsye shkrimtarja E. Mandia, e njohur nga publiku për romanet tregimet, publicistikën, ku me mjaft ngohtësi, krijoi portrete interesante të grave pjesëmarrëse në lëvizjen për liri e pavarësi (1878-1939). Në vijim të kësaj pune të suksesshme shkruajti edhe biografinë e letrarizuar të M. Kokalarit “Sonata e Hënës”.
Si letrare, E. Mandine e tërheq njeriu, personaliteti mendjendritur i shkrimtares së re, që kërkonte me këmbëngulje të vërtetën e jetës, për ta bërë thelbin artistik të veprës së saj. Atë e intereson talenti artistik i njëzetvjeçares, e cila që në skicat e para të botuara, zbulon qartë intuitën krijuese, spontanitetin, dashurinë për njeriun e veçanërisht për gruan shqiptare.
MUZA, pseudonimi i Kokalarit, që në shkrimet e saj të para, zbulon idetë e veprave të ardhshme, idealet e një shkrimtareje që priret drejt hapësires dhe emancipimit të shoqërisë së ardhshme shqiptare.
…Dhe pikërisht tani, vjen midis nesh me këtë botim të E. Mandisë, si një premtim i realizuar, si një dhuratë e shumëpritur, ajo grua fisnike, që nuk rreshti gjatë gjithë jetës së ëndërruari dhe shpresuari për popullin e saj.
***
Jeta e Kokalarit, kësaj intelektualeje të shquar e martire, jep mundësi për të trajtuar vepra interesante, por u desh këmbëngulja në zbulimin e trajtimin e dokumentacionit, simpatia dhe interesi për këtë figurë, talenti i E.Mandisë si një gjurmuese e palodhur, pasioni i saj, që shkrimtarja të na japë një veper sa dinjitoze, aq edhe të frymëzuar.
Ja shkurt disa nga meritat e saj:
E. Mandia arriti të grumbullojë një material të pasur faktik, që konsiston në trashëgimin letrar të botuar të Musinesë, në dorëshkrimet, të cilat ruhen në Arkivin e Shtetit, në dëshmitë e bashkëmoshatarëve dhe bashkëpunëtorëve të saj, ne botimet vlerësuese, në shtypin e kohës, si L. Poradeci, Sotir Kolea etj. Këtë material faktik autorja e zgjodhi, e seleksionoi me kujdes dhe na krijoi përmes tij, atmosferën shoqërore dhe politike, që zotëronte në Shqipëri në ditët e vështira që po kalonte kombi ynë, në prag të luftës së dytë botërore dhe vitet e para të vendosjes se regjimit totalitar të E.Hoxhes. I gjithe populli po përjetonte ditë të vështira, por si thonë fjalës, dinim ç’kishim provuar në vorbullën e luftës që përfshiu gjithë botën, po nuk e dinim se ç’fat na priste në të ardhmen.
Sa kuptimplotë është dokumenti autentik, letra e shkruar nga Mumtaz Kokalari, vëllai i Musinesë, në vigjilje të çlirimit të Tiranës, ku ai, si një vizionar, parashikon dhe trembet nga e keqja qe po i vjen Shqipërisë “nga bashtua i Gjirokastres”, E. Hoxha.
“Fatkeqësia e kombit tonë dhe e Shqipëriseë së gjorë, – shkruan ai, – është se ka rënë në dorë të një njeriu përbindësh, tinzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megalloman, egoist, që i do njerëzit nën vehte, kumarxhi, gënjeshtar e kur, që jashte për studime, nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove, etj, fëlliqi botën me borxhe. Ne intelektualet gjirokastritë i a dimë të gjitha dhe sa i vlen lëkura, prandaj kërkon të na asgjësojë.” (Nxjerrë nga “Luftëtari i Lirise”, 27 Nentor, 1994). Ky parashikim u vërtetua. Pa mëshire u goditën, u vranë e u burgosën shokët e tij të fëmijërisë, të rinisë, të studimeve, që ia njihnin jetën intime, dy vëllezërit Kokalari, Dr. Enver Sazani, Ing. Sulo Klosi, Sabiha Kasimati e shumë të tjerë. …Dhe Musinea pagoi haraçin e intelektualëve të papërthyeshëm. Ndryshe nuk ka si të kuptohet ajo hakmarje e zezë, cinike, çnjerezore, ai persekutim 40 vjeçar. Burgim, internim, izolim, survejim i plotë, vetëm e vetëm që të mos shkruante, që truri t’i mpihej, që jeta t’i tretej në vetminë e plotë.
Po aq autetik është edhe dokumenti tjetër, fletë nga korrespondenca e M. Kokalarit me drejtorinë e spitalit onkologjik, tri letra të shkruara në periudhën Tetor-Dhjetor 1981, ku Musinea kërkon vetem kaq, të zbatohet data e parashikuar nga komisioni mjekësor për operim. Të lejohet të shtrohet në spital pasdite, sepse në Tiranë nuk ka ku të rrijë dhe nuk mund t’i përballojë shpenzimet e hotelit. Letra që mbeten pa përgjigje. …Dhe shkrimtarja E. Mandia vetëm me këto tri letra, me të vërtetën që rrezatojnë ato për mos ineresimin që u tregua ndaj Musinesë nga “mjekësia falas”, sjell pa komente në epilog fundin tragjik të kësaj martireje.
Këto e të tjera dëshmi i shërbejnë autores të japë të plotë figurën e Musinese si intelektuale e kompletuar, patriote e patrembur, idealiste largpamëse, mbledhëse e pasionuar e folklorit dhe shkrimtare e talentuar, përfaqësuese e denjë e së resë shqiptare, që po merrte pjesë, ndonëse me gjysëm zëri, në jetën kulturore e shoqërore shqiptare të viteve ‘30.
Duke u mbështetur në rrëfime të shoqeve të saj dhe bashkëvuajtëseve, në ditarin intim të vetë Musinesë, të momenteve më tronditëse të jetës, shkrimtarja Mandia, zbulon me mjeshtëri botën e pasur shpirtërore të Musinesë: çiltërsinë prej fëmije, butësinë prej femre, krenarinë dhe forcën e karakterit, cilësi që i dhanë mundësi të përballojë gjithë stuhitë e jetës. Është meritë e Mandisë, që na zbuloi anë shumë të qenësishme të karakterit të saj. Ndonëse një grua në dukje shumë e brishtë, ajo përballoi me një forcë të admirueshme karakteri, të gjitha kobet që i ranë mbi krye, duke ruajtur të papërlyer shpirtin e saj, duke mos bërë asnjë lëshim në rrugën e zgjedhur.
Me aftësi, autorja thur materialin autentik me trillimin. Kjo vepër është një biografi e letrarizuar; Mandia rrëfen për një jetë të jetuar me shumë endërra, shumë dashuri(mbi të gjitha për Atdheun dhe popullin), shumë brenga e shumë vuajtje, duke qëndruar mbi të vërtetën historike, por duke e pasuruar me ndërhyrjet e saj me takt, pa e deformuar këtë të vërtetë.
Ata që e kanë njohur Musinenë, e gjejnë, pas leximit të këtij libri, ashtu siç qe; ata që s’e kanë njohur, e gjejnë ashtu siç do ta donin. Në “Sonata e Hënës” të bie në sy një stil i larmishëm, që autorja e ka përshtatur në vartësi me momentet e jetës së Musinesë. Nga lirizmi i frymëzuar, plot dritë i viteve të fëmijërisë, kalohet në analizën e imtë të kërkimeve plot mëdyshje dhe ankthe të heroinës, në përpjekjet e saj për të gjetur të vërtetat e në vitet e universitet; më tej, në një stil konçiz lakonik, të prerë, ku më tepër flet dokumenti për ato momente vendimtare, ku ajo e cakton pozicionin e saj politik midis atyre, që mendojnë e luftojnë për një Shqipëri demokratike. Dhe në fund, një grua fatkeqe, që më kot u ndesh me trazitë e jetës, në epilogun tragjik të veprës. Për figura aq tragjike e njerëzore si Musine Kokalari, është nder e detyrë të shkruhet. E. Mandia ka meritën ta ketë realizuar këtë peng nderi me frymëzim e dashuri.
Tiranë,14 maj 1996.

Filed Under: ESSE Tagged With: Eglantina Mandia, MUZËS SHQIPTARE. Drita Siliqi, PORTRETI I

NE BJESHKET MAGJEPSE TE DRAGASHIT

February 26, 2015 by dgreca

Kompania “Kuk Commerc” me “Fabrikën e Metaleve” dhe”Qendrën Turistike” në bjeshkët magjepse të Dragashit!/
Shkruan Asllan Dibrani/
Ishte dite Janari kur vizituam Kompaninë “KUK-COMMERC” .Kjo Kompani që nga viti 1974, filloi veprimtarin si punëtori e vogël zejtare e cila aktivitetin e vet e ka zhvilluar në një lokal të vogël me mjete të pakta pune.Fillimisht kishin një ofiçinë pune të vogël nga e cila kanë prodhuar dhe riparuar mjete bujqësore si sëpata, kazma, lopata, plugje dhe vegla pune për nevojat e fshatarëve etj. Pak ma vonë kaluan edhe në përpunimin e llamarinës duke punuar ulluqe për shtëpi, koftorë, shporta etj. Në vitin 1989 u regjistrua si ndërmarrje prodhuese tregtare me emrin “KUK-COMMERC”, dhe në radhët e saj u punësuan një numër i konsideruar punëtorësh, ndërsa tani në gjirin e vet Kompania ka më së 80 punëtor të kualifikuar në lëmit përkatëse. Sot , kjo kompani radhitët si kompani udhëheqëse në përpunimin e metalit në Kosovë si dhe në Ballkan. Në strategjinë e vet projektuese Kompania “KUK-COMMERC” ka shumë prodhime të llojeve të ndryshme. Në prodhimet e veta përdor materialin kualitativ, konstrukton dizajnë të kualitetit më të lartë dhe operon modele të ndryshme nga e cila mbetet edhe mirënjohës qe është një pjese e artit të kangjellave,rrethojave te oborreve , ballkoneve dhe stolisjeve tjera që janë vendosur në gjithë Kosovën . Në ballkonet e shtëpive të bukura dhe në rrethojat është njëri ndër prodhuesit e këtij arti pamor qe ka lënë gjurmë në shumë anë. Ofron çmime të volitshme, ofron punë të shpejtë dhe efikase, po mbi të gjitha ofron cilësi dhe profesionalizëm.
Me këtë strategji të punëve, prodhimet e shoqërisë “KUK-COMMERC” kanë arritur një kualitet të lartë të punës praktike me cilësi evropiane. Puna e tyre kualitative është ranguar në një pozicion të kënaqshëm në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar. Kompania është e pajisur shumë mirë me teknologji bashkëkohore dhe është e kyçur në të gjitha fazat dhe proceset e prodhimit, duke filluar nga vegëltorja deri te fazat finale të prodhimit. Prodhimet e kësaj kompanie janë të pranishme në shume amvisëri kosovare dhe hijeshojnë restorante ekskluzive, si dhe shumë objekte tregtare, shkolla, spitale dhe objekte tjera siç cekëm më lartë. Ndërmarrja gjithmonë është në trend me teknologjinë dhe standardet bashkëkohore. Reparti prodhues i kompanisë “KUK Commerc” në Prizren produktet e veta kryesisht i eksporton në vendet e Evropës Perëndimore. Pronaret e “KUK COMMERC”, janë zotuar se do të vazhdojnë edhe më tej me investimet e reja si në Fabrikën e Produkteve të Metaleve , po ashtu edhe në objekte të tjera të cilat funksionojnë në kuadër të Kompanisë“KUK COMMERC”.
Hoteli Arxhena është i vendosur në Brod, 12 km nga Dragashi, dhe ofron një shërbim turistik me një kapacitet të larte dhe specialitete tradicionale të kuzhinës kosovare. Një palestër, e cila ka sauna dhe banjo, është e lirë dhe e mire ,po shumë tërheqës. Kjo pikë turistike ka ashensor që ju ndihmon sportisteve dimëror në ski të ngjiten atyre bukurive të rralla në shpatet e maleve të Sharrit të vendosura pranë hotelit. Ai vend piktoresk i ndihmon turistet që të lidhen me rrjetin e internetit pa pagesë ne hotelin“Arxhena”.Të gjitha dhomat janë të pajisura me TV kabllor dhe një tavolinë pune. Banja private janë me një dush, tharëse flokësh dhe tualetin komplet. Në disa dhoma ka gjithashtu një minibar.
Hoteli “Arxhena” ka pajisjeve të skive, bar në hotel ka edhe shume lojëra. Për tu ngjitur atje lart në majet e këtyre bukurive që vetëm cicërima e zogjve dëgjohet dhe përplasja e reve në qiellin e pa konkurrent nga vargmalet që na shoqëruan deri aty. Ky vend ka bukurinë e vet mahnitëse në të gjitha stinët , që pos turisteve vendas josh turist e huaj. Një ambient malor me ajër të pastër dhe me një pamje atraktive larg zhurmave të qytetit që paraqet një bukuri natyrore dhe shumë të rrallë . Aty ju ofrohet trajtim i veçantë, i mbështetur në infrastrukturë të posaçme biznesi më shërbime private, salla takimesh,internet Wi-Fi, faks, shtyp, TV, telekonferencë etj. Gjithçka është aty për ju edhe privatësia juaj të mbetet e tillë qe kënaqësia tu takoj juve, ndërsa shërbimi , puna , mikpritja pronareve të Kompanisë ”KUK-COMMERC”. ‘Pronarët flasin pak, por ma te arsyeshëm janë me punë në praktikë. Do tu mbesim borxh, po qe nuk i prezantojmë pas këtij reportazhi. Ata janë projektuesit dhe investuesit Hekuran dhe Driton Arifi nga hotel “Arxhena”. Ata bene vet rrugën e shtruan pa ndihmën e as një metaliku nga Qeveria e Kosovës. Vizita jonë ishte miqësore me një pritje të zakoneve shqiptare .Aty shkëmbyem biseda , mësuam shumë gjëra mbi turizmin dhe vlerat e kësaj ane . Koha na erdhi shpejt për t’u ndarë . Me vështirësi ja kthyem shpinën kësaj mrekullie qe ajri i saj të shëron dhe pamja e saj të magjeps… U ndamë nga zoti Dritoni që ishte në Hotelin e tij në këto ditë të bukura dimri qe edhe prezenca e tuiristeve ishte mjaft e madhe nga të huajt. Atje ma bora ka kohë që e mban të mbështjellur këtë natyrë që vetëm vëllezërit Arifaj kanë ditë dhe kanë mundur ta zaptojnë dhe ta pushtojnë. Ata gërshetojnë punën e pa u lodhur duke e zbutur egërsinë e atyre maleve të bukura me turizëm , që nuk ja kanë lakminë as maleve piktoreske në Austri e Zvicër.

Filed Under: Reportazh Tagged With: asllan dibrani, NE BJESHKET MAGJEPSE, TE DRAGASHIT

Përkujtimore-NJË VIT NGA NDARJA ME ELHAM SHARRËN

February 26, 2015 by dgreca

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe/
Dr. Bujar Leskaj/
Enver Memishaj/
Elhami Sharra, ishte një atdhetar i mirë, një trashgimtar i denj i familjes nga vinte, një nëpunës i përkushtuar, një njohës i mirë i shkencës, dhe ashtu si të parët e tij, nuk u kursye asnjëherë, për t`i shërbyer vendit, edhe në kushte shumë të vështira siç ishte viti 1992, kur sapo ishte rrëzuar diktatura komunite, apo viti 1997, kur komunistët rrëmbyen armët për të rimarrë me grykën e pushkës pushtetin që ua kishin marrë ”armiqtë e popullit”! . Ai nuk u tërhoq asnjëherë nga vështirësitë e jetës, por me guxim, me zgjuarsi por edhe me trimëri diti t`i kapërxente ato duke dhënë shembullin e një qytetari dhe intelektuali me vizion europian.
***
I sëmurë nga zemra në kërkim të një një mjekimi sa më të mirë ai shkoi në SHBA, por zemra e tij nuk mundi ti rezistojë vuajtjeve dhe persekutimit komunist, ajo pushoi së rrahuri në shkurt të vitit 2014, atje në Shtetet e Bekuara të Amerikës, të cilat Elhami i kishte ëndërruar gjithë jetën.
Vdekja e tij u përcuall nga shtypi i kohës. Gazeta ” 55 ”, shkruante: ”Shkoi në amëshim Elham Sharra, shërbestari i përjetshëm i Shqipërisë”
* * *
Trupi pa jetë i Elham Sharës mbriti në Shqipëri nga Amerika, më datën 27 shkurt 2014. Bashkia e Vlorës më datën 28 shkurt, organizoi homazhe në teatrin “Petro Marko” dhe u përfaqësua nga dy nënkryetarët e saj: Arben Beqiri e Ilir Banushi, të Partisë Socialiste. Bënë homazhe gjithashtu përfaqësues të institucioneve shtetërore: Kontrolli Lartë i Shtetit, përfaqësuar nga kryetari Dr. Bujar Leskaj, personalitete të shquara të Vlorës dhe të vendit tonë si Prof. Dr. Sali Berisha, struktura të Partisë Demokratike, qytetarë, miq e shokë të shumtë, etj.
* * *
Të parët e familje Sharra, së cilës i përket edhe Elhami, i kanë sjellë vendit e veçanërisht
Vlorës, shërbime të shquara:
Hasan Sharra ishte një nga luftëtarët e pare për Pavarësinë Kombëtare dhe mbështetës i
Ismail Qemalit. Gjithë ata që kanë marrë pjesë në Kuvëndin Historik të Vlorës më 28 nëntor
1912, tregojnë se: Hasan Sharra mbajti për tre muaj delegatët në shtëpinë e vet. Shpenzoi pa
kursim; më se 100 vetë hanin e pinin në shtëpinë e tij, u varfërua por me gjith qejf për Shqipërinë. Këta janë njerëzit e mëdhej me të vërtetë. Punojnë shkrinë pasurinë për çështjen kombëtare, por nuk flasin e as nuk kërkojnë shpërblim.
Ismail Qemali, një kohë ndenji në shtëpi të Hasan Sharrës, më pas në shtëpin e Xhemil bej Vlorës dhe më së fundi, caktoi si banesë ndërtesën e karantinës që ndodhet në Skelë, sot Muzeu i Pavarësisë Kombëtare.
Ceno Sharra, ishte oficer dhe ra dëshmor në Durrës, më 25 maj 1914, duke mbrojtur shtetin shqiptar.
Që nga 1912 deri në vitin 1915, për shumë kohë pallati Sharra në qendër të Vlorës, ishte selia e shumë zyrave të Qeverisë së asaj kohe.
* * *
Elham Sharra, si kanidat i Partisë Demokratike, u zgjodh kryetar bashkie në balotazhin e zgjedhjeve të 26 korrikut 1992. E filloi detyrën më 20 gusht 1992, dhe e ushtroi këtë detyrë deri më 14 nëntor 1996. Zgjedhjet i fitoi përballë ekonomistit të njohur Arben Malaj, në atë kohë drejtor i Bankës së Shtetit, në Vlorë.
Elham Sharra ka lindur në Vlorë në vitin 1942, ku kreu edhe arsimin para universitar.
Në vitin 1966, u diplomua në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Në vitin 1993, u trajnua nga USAID dhe Universiteti i Nebraskes, Sh .B .A., për Ekonomi Tregu dhe Menaxhim Biznesi.
Në vitin 1995, u trajnua në Instituti i Administrimit Publik, Finlandë: Administrim Publik dhe Menaxhim i Pushtetit Vendor. Në vitin 1999, u diplomua në Universitetin e Shkodrës në Fakultetin e Drejtësisë.
Në vitin 2001, fitoi diplomë për avokat nga Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Avokatëve, Tiranë.
Në vitin 2002, në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Natyrore ka fituar gradën: Doktor i Shkencave.
Pas diplomimit, në vitin 1966 deri në vitin 1990, ka punuar si inxhinjer prodhimi dhe teknollog në Ndërmarjen e Kripës dhe në Uzinën e Sodës në Vlorë.
Në vitin 1991 u emërua kryeinxhinier në Ndërmarrjen e Kripës Vlorë. Në vitin 1992 u zgjodh Zv/kryetar i Këshillit Pluralist të Rrethit Vlorë, si dhe kryetar i bashkisë së Vlorës.
Në intervistën e dhënë pas marrjes së detyrës ka deklaruar se: “Si kanidat i Partisë Demokratike… para elektoratit kam premtuar një platformë brenda programit të asaj partie… Në radhë të parë ngritëm administratën duke zgjedhur të rinj të guximshëm dhe ekspertë nga mosha 23 deri në 50 vjeç, ku harmonizohen profesionalizmi i lartë me ndershmërinë
qytetare, dy cilësi nga të cilat ka vuajtur administrata e mëparshme. Si kryetar Bashkie kam synuar të jem i xhveshur nga fanatizmi partiak, duke pëlqyer të jem i pari mes të barabartëve.
Në Këshillin e Bashkisë është arritur që shumë vendime të merren me mirëkuptim, duke i bashkuar forcat politike për të mirën e qytetit… Bashkia e kupton se privatizimi është rruga e shpejtë e përparimit ekonomik, prandaj po nxit hallkat e sajë për realizimin e këtij qëllimi… Kemi kërkuar bashkëpunim me personalitete të huaja nëpërmjet korespodencës në Zvicër, Manopoli, Itali, Tel-Aviv, etj.”.
Gjatë viteve 1995 – 1996, që Elham Sharra, ushtronte detyrën e lartë të kryetarit të Bashkisë, është zgjedhur edhe nënkryetar i Shoqatës Kombëtare të Kryetarëve të Bashkive të Shqipërisë.
Në vitin 1997, ai u emërua prefekt i Shkodrës, Malesisë së Madhe dhe Pukës.
Gjatë viteve 1999 – 2000, ka qënë Këshilltar i Kryetarit të Këshillit të Rrethit Tiranë.
Gjatë viteve 2001 – 2005, ka dalë në aktivitet privat.
Në vitin 2006 u emërua Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Kryeministri – Tiranë, nga ku doli edhe në pension.
* * *
Gjate Luftës së Dytë Botërore, 1939 – 1944, familja Sharra, mbajti krahun nacionalist dhe ishte kundër ideve komuniste, për këtë arsye Azis Sharra u vra pabesisht me atentat nga komunistët vlonjatë.
Pushteti komunist, jo vetëm që i mohoi kontributet patriotike të kësaj familje, por ushtroi mbi të një persekutim të egër. Pas shpronësimeve tërësisht që iu bë kësaj familje, filluan për të burgjet dhe internimet. Shumë anëtarë të këtij fisi u pushkatuan, u burgosën dhe u internuan deri në vitin 1990.
Elham Sharra do të kujtohet gjithnjë me nderim nga qyetarët vlonjatë si dhe nga të gjithë shtetasit shqiptar ku shërbeu me përkushtim dhe ndërgjegje të lartë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bardhosh Gace, Elham Sharra, Enver Memishaj, nga-Bujar leskaj, Përkujtimore

SHBA, shqetësime për depërtimin e Rusisë në Ballkan

February 26, 2015 by dgreca

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara të shtojnë përpjekjet për t’iu kundërvënë disa veprimeve të Rusisë në Ballkan, e cila, tha ai, synon të bëjë për vete vende të ndryshme. Gjatë një seance për buxhetin në Senatin amerikan, zoti Kerry tha se Rusia po përpiqet të rindezë një lojë të rrezikshme. Sekretari i Shtetit u bëri jehonë komenteve të senatorit Chris Murphy, i cili vitin e kaluar vizitoi disa vende të Ballkanit. Në seancën për buxhetin, Sekretari amerikan i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë për t’ju kundërvënë veprimeve të Rusisë në Ballkan. “Rusia ka nisur një përpjekje në shkallë të gjerë për t’i kthyer vendet e ndryshme në anën e saj. Në thelb, ajo po përpiqet të rindezë një lojë ku askush nuk fiton. Ne mendojmë se kjo është e rrezikshme dhe e panevojshme,” tha Sekretari amerikan i Shtetit. Zoti Kerry foli në komisionin e Senatit për ndarjen e fondeve, gjatë debateve mbi buxhetin për këtë vit financiar. Ai iu përgjigj komenteve të senatorit Chris Murphy, i cili vjeshtën e kaluar vizitoi disa vende të Ballkanit, duke përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën:-“Ajo për të cilën ne nuk flasim çdo ditë janë veprimet e Rusisë në Moldavi, Gjeorgji, Serbi, Mal të Zi, Letoni apo në vendet baltike. Kjo është një lloj lufte asimetrike që Rusia po e perfeksionon, duke blerë mediat apo duke paguar zyrtarët publikë. Njerëzit që nuk i blejnë dot, ata i frikësojnë,” tha senatori. Senatori Murphy tha se Perëndimi nuk po arrin t’i kundërvihet kësaj veprimtarie me mjete ligjore për t’i bërë të paefektshme mjetet që përdor Moska. Senatori, i cili vizitoi vendet e Ballkanit vjeshtën e kaluar, solli si shembull Serbinë, ku ai tha se Rusia po përpiqet të depërtojë në mënyrë masive, me një ndikim më të madh se kurrë më parë. Senatori Murphy tha se janë disa dhjetra vendet që po kërcënohen nga e ashtuquajtura “Rusia e Re”. Nga ana e tij, Sekretari i Shtetit Kerry, u bëri jehonë komenteve të senatorit Murphy, duke kërkuar që SHBA të mobilizojnë më tepër burime në këtë proces:-“Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia janë në vijën e zjarrit. Po kështu edhe Gjeorgjia, Moldavia dhe Transdnestria. Ne përpiqemi të bindim njerëzit se nuk kërkojmë një lojë me Rusinë, ku askush nuk del i fituar. Ne besojmë se Ukraina mund të bëhet një portë si për Lindjen ashtu edhe për Perëndimin”, tha Sekretari i Shtetit. Zoti Kerry tha se, SHBA po e ndëshkojnë veten në mënyrë të panevojshme duke kufizuar mundësitë që kanë, për të qenë më të pranishëm në disa nga këto beteja ku ato mund të sjellin një ndryshim.
Marë nga VOA, 25 shkurt 2015(foto-arkiv)

Filed Under: Rajon Tagged With: depertim, i Rusise ne Ballkan, Shqetësim, Xhon Kerry

Elsa Xhai: Radiot shqiptare kanë “vdekur”

February 26, 2015 by dgreca

PERSONAZH/Flet gazetarja, moderatorja dhe publicistja Elsa Xhai/
-Në Radi Tirana mungojnë emrat e mëdhenj të Fotiadhit, Vera Zheji, Meropi Matlia, Bejlerit, Lutos/
-Sot në radio mungojnë emisionet specialë që i mbanin shqiptarët me vesh pranë aparateve/
-Në vitin 2005 janë larguar për motive politike gazetarët më cilësorë të Radios/
-Në asnjë radio nuk ka një emission që të të ngelet në mendje/
– Radiot japin gjithë ditën muzikë tallava që të bën ta nderosh shpejt kanalin/
-Radio Tirana duhet të ecë me konceptet e BBC/
– Në shumë spikere po humbet gjuha jonë e bukur, pasi përdoren shumë fjalë të huaja/
– Besoj se Edi Rama do të bëjë një reform të drejtë në RTSH/
– Shumë spikere nuk kanë diksion, nuk intepretojnë lajmin, apo tekstin, por vetëm e lexojnë atë/
-Spikeret nuk kalonë nëpër teste apo në kurse parapërgatitjeje/
-Mungon gjuha e etikës, dhe komunikimit të kulturuar/
-“Të flasim bukur dhe me kulturë në RTV” është detyrë e ccdo gazetari/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Një gazetare dhe publiciste e spikatur. Emri i saj është skalitur në radio Tirana për vetë timbrin e veccantë të zërit të saj duke drejtuar me qindra emisione radiofonik. Por ajo ishte dhe një kolege, mike dhe profesioniste e veccantë për të gjithë në Radio Tirana. Ka mbaruar fakultetin e Histori-Filologjisë, dega gjuhë-letërsi dhe zotëron katër gjuhë të huaja, mes të cilës dhe persishten. Ajo ndoqi me shumë respect gjurmët e zërave të mëdhenj të radios që nga Vera Zheji, Meropi Matlia, Bejleri, Lutos etj. Një zë që ka jehuar për 36 vjet në valët e Radio Tiranës duke e bërë të dashur dhe miqësor për miliona shqiptarë. Emisioni “Mikrofoni midis jush” drejtuar nga ajo për 10 vjet rresht ka qenë më i ndjekuri. Në vitin 1990 falë erës pluraliste që frynte në portat e Shqipërisë, ajo ideon dhe realizon për herë të parë komunikimin direkt me dëgjuesin në transmetimin e mëngjesit, emision që e vazhdoi për 8 vjet rradhazi. Në kanalin e parë të Radio Tiranës programon emisionin “Një shoqëri për të gjithë” i cili në qendër të tij kishte njerëzit me aftësi të kufizuar. Kjo rubrikë u transmetua për 10 vjet rresht. Në vitin 2001 ajo realizon emisionin “Gruaja shqiptare në karrierë” në kanalin e parë, ndërkohë që nga viti 2000 punon si kordinatore e tre kanaleve. Përpiqet të punojë dhe të kualifikojë gazetarët e rinj, të cilët sot shprehin konsideratat më të larta. Organizon sondazhe për dëgjimin e radio Tiranës në gjithë vendin, deri tek shqiptarët jashtë atdheut, grumbullon vërejtjet dhe jep mendimet për organizim dhe ccelje rubrikash të reja duke ndikuar kështu në dëgjueshmërinë e këtij stacioni. Me zërin e saj brilant janë realizuar qindra reklama dhe spote publicitare. Ajo ka regjistruar me qindra dokumentarë dhe emisione nga më të shikuarit e të dëgjuarit. Veccanërisht emisionet e saj për bashkëatdhetarët nga Amerika, Greqia, Italia dhe e gjithë Europa, kanë qenë ndër më emocionuesit.
-Të mungon Radio Tirana?
Po shumë (loton). Aty u rrita, aty u formova si agzetare, aty kam marrë emocionet më të bukura të jetës, aty kam kaluar ditët më të bukura por edhe më të vështira. Radio Tirana, ishte burim kulture, etike, informacini real. Emisionesh me nivel të lartë…Tek ajo radio kemi marrë mesazhe urimi nga gjithë shqiptarët kudo në botë. Zërat e veccantë edhe sot komentohen nga shqiptarët kudo që janë.
Po sot…?
Përgjigjen ndoshta ti e di më mirë se unë. I ke ndjekur zhvillimet aty. Sot janë larguar profesionistët më të mirë. Janë larguar zëra që bënë epokë. Sot nuk ka më ato emisione të cilat i mbanin dëgjuesit shqiptarë me veshë pranë radiove në ccdo shtëpi. Shumë janë larguar nga kjo jetë dhe nuk kujtohen, shumë i kanë pushuar padrejtësisht në vitin 2005, të tjerë i kanë kaluar në vende të rëndomta. Porfesionalizmi në Radio Tirana vlen për të dëshiruar. Besoj shumë se Edi Rama do të bëjë një reformë serioze.
Sot ka shumë radio, mendoni se është në të mirë të medias fonike?
Për mua s’ka rëndësi sasia por cilësia. Nqs kjo mori radiosh do të ishte në funksion të cilësisë do isha dakort. Por jo, nuk po ndodh diccka e tillë. Sot nuk gjen një emison që të të ngelet në kujtesë. Radiot japin gjithë ditën muzikë tallava që të bën ta ndrosh shpejt kanalin. Radiot shqiptare kanw “vdekur”.
Po kur flasim për spikeret?
Ah, kjo është pika ime e dobët. Në shume spikere po humbet gjuha jonë e bukur, pasi përdoren shumë fjalë të huaja. Shumë të tjera nuk kanë diksion, nuk intepretojnë lajmin, apo tekstin, por vetëm e elxojnë atë. Spikeret nuk kalonë nëpër teste apo në kurse parapërgatitjeje.
Cfarë duhet të ndryshojë në Radio Tiarana?
Atë më mirë e di kryeminsitri i cili është i fushës së artit. Ai po bën shumë ndryshime, shumë zhvillime, besoj do ndalë dhe në këtë pikë. Në Radio Tirana duhet të ndryshojnë shumë gjëra. Duhet të ketë emiisone speciale, emisione me peshë, të cilat të lënë gjurmë. Radio Tirana duhet të ecë me konceptet e BBC. Pra shembujt egzistojnë, modelet janë ne na mbetet vetëm ti përvetësojmë duke i përshtatur për vendin tonë. Magjia e radios ende egziston, porn eve e kemi shpërdoruar këtë media fonike kaq të bukur dhe të fuqishme.

-Jeta juaj ka patur një rrugë të gjatë, atë të radios dhe të gazetarisë së shkruar. Kur keni qenë për herë të parë para mikrofonit dhe si jeni ndjerë?
-Kam qenë në vitin e dytë të shkollës së mesme në Korccë “Raqi Qirinxhi” kur u ndodha para mikrofonit të qendrës së zërit të kësajë shkolle si fituese e konkursit letrar me një poezi dhe esse të cilat i paraqita sicc i kërkonin, në gjuhën shqipe, ruse dhe angleze. Bashkëmoshatarët e mi dhe mësuesit më falenderuan dhe pas dhjetë ditësh u ndodha në një konkurs rinor në mikrofonin e Radio –Korcës. Më thanë se përvec emisionit të rinisë, ti cupë do të vish cdo të dielë në mikrofon të japësh lajmet, dhe të hartosh dhe ti flasësh programet muzikore të radios. Fillova të shtypja gjithshka me makinë shkrimi “Olivetëti”, sepse atëherë nuk kishte kompjuter. Pas disa muajsh viziton Radio Korcën, drejtori I Përgjithëshëm Z. Thanas Nano. Hyri në studion e transmetimit më përshëndeti, dhe me sa pashë unë isha e dobët dhe nuk ia mbushja syrinqë me ato duart e holla po shtypja dhe po hartoja
programin. Më tej sapo kasha filluar vitin 4-të të shkollës së mesme er përgatitesha të shkoja në universitet.. Më njofton drejtori që pas një viti do të organizohej një konkurs I madh në Radio- Tirana per redactor-spiker me pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria. Viti kaloi shpejt dhe unë u ndodha në Tiranë, studente tekk shkencat e natyrës, aty më kishte caktuar seksioni i arsimit. Ditën që mora pjesë në konkurs në ish kameralen e Radio Tiranës, më shoqëruan emocione pa kufi, përpara kisha zonjën Vera Zheji, Ruzhdi Pulahën, Nasi Lerën, Agron Cobanin e plot gazetarë e shkrimtarë që punonin aty. Pas leximit e pyetjeve të pafund dëgjova zërin kumbues të Vera Xhejit që përsëriti emrin tim dhe më la një takim tjetër. Radio-Tirana mu duk gjigande, tepër e pastër transmetoheshin përvecc shqipes edhe emisione në 22 gjuhë të huaja, emisioni për bashkëatdhetarët tanë ishte i përditëshëm. Ndërkohë kur dal jashtë mjedisit të radios shoh grumbuj njerëzish pa fund që kishin në duar valixhe të ardhur nga të gjithë rrethet, për të marrë pjesë në konkurs, nga i cili do të pranoheshin vetëm dy persona, një në radio e një në television.
– Më 1971 filluat të punonit në Radio-Tirana dhe pas 13 vjetësh më 1984 ju keni botuar një libër interessant pë rata apo ato që punojnë në radio dhe për bashkëpunëtorët e RTSH( në mos gaboj libri i parë shqiptar në fushën e medias)?
-Libri titullohej “Të flasim bukur dhe me kulturë në RTV” u botua në vitin 1984 nga Drejtoria e Përgjithëshme me drejtor Z. Marash Hajati. Inciativa ishte e kolegut tim Ahmet Balliu, me vajzën e të cilit Albanën që tashmë punon në Danimarkë, hapa edhe transmetimin e parë direkt të R-Tiranës me dëgjuesit e mëngjesit në vitin 1990. Janë theksuar në libër tiparet e Gazetarit e redaktorit radiofonik: Një përgatitje e përgjithshme shumë e mirë universitare.Një mendësi shumë e zhdërvjellët, radioja është një mjet i ri, në ndryshim të përherëshëm, është e rëndësishme të eksperimentosh produkte dhe gjuhë të re. Një aftësi e vecantë për të punuar në kohë tepër të kufizuar.Të komunikosh e të punosh me lehtësi në grup. Asnjëherë të mos hamendësosh kush thotë dhe ku qëndron vështirësia? Hap një mikrofon dhe fol, jo vetëm nuk është e aftë, por edhe nuk do të mësojë kurrë. Pak shpirt sakrifice përsa i përket orarit (puna nis herët në mëngjes). Një këshillë që ka të bëjë me synimet që do të arrish. Kush klikon (të bëhet shumë i famëshëm. (i llojit “Gjithë njerëzit më njohin kur kaloj rrugës) është mirë të rrahë rrugë të tjera( jo radion). Janë shumë të rralla rastet kur fillon punën në radio e mbetesh aty të bëhesh personazh i famshëm. Por në të gjitha rastet e tjera mbetet kënaqësia e të paturit dëgjues besnikë që, më shumë se emrin do të kujtojnë zërin tuaj. Kam filluar të ripunoj materialin e librit e kam nënvizuar se në një takim që kam patur në Neë York në Amerikë ndër të tjera identifikonin radion me drejtuesin e emisionit (bie fjala). Përvec librit mbas viteve 90 kam shkruar një sërë artikujsh në revistën “Sfida” kam realizuar disa studime rreth emigracionit në Itali, Greqi, Angli, ShBA e Kanada, që nje pjesë i kam botuar. Këto vitet e fundit kam realizuar edhe një sërë emisionesh në New York (SH.B.A)kam marrë pjesë në marshimin e madh për cëështjet e gruas në Uashington DC,në OKB”Pekini + 10” Një sërë telereportazhesh, nga vendete mësipërme. Kam botuar librin “Dropullitët”pas një cikli radio e telereportazhesh nga 34 fshatrat e Dropullit etj.Shkrime në shtypin tonë të përditëshëm
-Kur flasim për emisionin tuaj më të suksesëshëm në Radio?
-Dikur radioja ishte një metalurgji. Pas vitit 90 kam realizuar një cikël emisionesh për njerëzit me aftësi të kufizuar (1993-2003) titulluar “Një shoqëri për të gjithë” Vitin e parë e realizuam tre gazetarë, unë, Antoneta Malja dhe Adi Murraj, pas një viti e vazhdova e vetme ciklin e emisioneve deri në vitin e dhjetë dhe pas kësajë emisioneve për njerëzit me ak nuk u realizuan.

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, Elsa Xhai, kane vdekur, Radiot shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4063
  • 4064
  • 4065
  • 4066
  • 4067
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT