Dy ditë pas ardhjes në fuqi të radikalëve të majtë dhe krijimit për herë të parë të një Ministrie të Emigracionit, ministrja plotësuese e këtij dikasteri, Tasia Xristodhulopoulou, (në foto) ka ripërsëritur premtimin e kësaj force politike për të dhënë nënshtetësi gjithë brezit të dytë të emigrantëve, apo fëmijëve të tyre të lindur në Greqi, por edhe atyre që kanë ardhur në moshë të vogël me familjet e tyre.
“Më duket se kemi dhënë shembuj konkretë, si gjatë periudhës së mëparshme, ashtu edhe në Parlament, kur kemi bërë shumë presion të jepej nënshtetësia te këta fëmijë. Ne kemi dhënë fjalën se menjëherë do të zëvendësojmë këtë padrejtësi të paparë me këta fëmijë, që kanë lindur këtu, që kanë mbaruar shkollat dhe nuk kanë njohur asnjë atdhe tjetër, transmeton TCH. Këta janë fëmijët e brezit të dytë të emigrantëve, ndërsa kemi dhe fëmijët e një brezi tjetër, ata që erdhën të vegjël këtu, nuk njohën asnjë atdhe tjetër dhe gjithashtu kanë mbaruar shkollat këtu e kanë mësuar vetëm gjuhën greke, dhe janë njësoj si fëmijët grekë. Këtu u rritën, këtu mësuan gjuhën, këtu janë shokët e tyre”, tha Tasia Xristodhulopoulou, ministre plotësuese e Emigracionit.
Xristodhulopoulou, që ka qenë prej vitesh në postin e përgjegjëses për të Drejtat e Njeriut, të Aleancës së radikalëve të majtë, ka deklaruar gjithashtu në lidhje me refugjatet nga Siria, veçanërisht me fëmijët e pashoqëruar nga zona e luftës, se Greqia do të ndjekë tani e tutje të gjitha konventat ndërkombëtare, që parashikojnë mikpritje e përkujdesje, të cilat nuk janë zbatuar kurrë.
Protestat e Prishtinës ndërmjet pushtetit dhe opozitës
Nga Bekim Bislimi/
D itëve të fundit, mijëra qytetarë kanë protestuar me kërkesën ndaj kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa që të shkarkoj ministrin për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq, për shkak të, siç është vlerësuar, deklaratave fyese ndaj familjarëve të viktimave të luftës.
Poashtu, në protesta është kërkuar edhe shndërrimi i kombinatit “Trepça, në ndërmarrje publike.
Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se protestat e fundit, në të cilat kanë marrë pjesë mijëra qytetarë, dhe që janë vlerësuar të organizuara nga partitë opozitare, kanë nxjerrë në pah antagonizmat e thellë ndërmjet pushtetit dhe opozitës.
Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se duke marrë parasysh që në demokraci, opozita është pjesë e sovranitetit të popullit, për aq sa ka numra në Kuvend, pushteti nuk ka të drejtë ta shtypë opozitën, për shkak se shtyp sovranitetin e popullit.
Por, në anën tjetër, sipas tij, opozita parlamentare, të cilës aktualisht i prin Lëvizja Vetëvendosje, përmes mitingjeve partiake po thirret në emër të popullit.
Sipas Matoshit, opozita nuk e ka këtë të drejtë, sepse nuk është instanca legjitime për tu thirrur në emër të popullit.
“Së këndejmi, duke luajtur rolin e një ‘pakice profetike’, opozita po rrëshqet në parlament të rrugës, sepse shumë më lehtë është ta bindësh turmën që të të brohoras, se sa ta bindësh një auditor të vogël, përkatësisht ta bindësh shumicën parlamentare brenda institucionit, përkatësisht në Kuvendin e Kosovës, se ke të drejtë”.
Por, Dren Doli nga Instituti për Studime Juridike e Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se e drejta e qytetarëve por të protestuar është e pamohueshme dhe nëse partitë opozitare arrijnë të adresojnë përmes këtyre protestave pakënaqësitë e qytetarëve, ky do të jetë mesazh i qartë për Qeverinë e Kosovës dhe partitë në pushtet.
“Nuk besoj që është e udhës që në Kosovë të vendoset një kulturë e tillë e komunikimit me qytetarë, ku çdo qytetarë i cili proteston për një të drejtë të tij apo për një çështje të caktuar, të konsiderohet si kundër qeverisë dhe kundër institucioneve të Kosovës, si dhe në të njëjtën kohë , qeveria të filloj akuzat ndaj gjithë këtyre njerëzve,që po protestojnë për të shprehur pakënaqësitë e tyre, në kontekstin, siç është duke ndodhur në Kosovë”.
Megjithatë, analisti Matoshi, vlerëson se situata mund të përshkallëzohet jo për shkak të kërkesave që tash kanë partitë opozitare, por për shkak të pakënaqësive të qytetarëve për shkak të korrupsionit të madh, mos sundimit ligjit dhe për shkak të mjerimit ekonomik. Por, sipas tij, si pushteti, ashtu edhe opozita, po i keqpërdorin këto pakënaqësi..
“Opozita po i keqpërdor protestat e ashtuquajtura padrejtësisht ‘gjithë popullore’ për ta përmbysur pushtetin, përkatësisht për ta arritur pushtetin politik. Ndërkaq, pushteti po i përdorë disa segmente të protestave, për t’ua bërë me gisht se janë të dhunshëm, se po synojnë shkatërrimin e pronës, sidomos pronës private.”
“Do të thotë, që të dyja palët po mundohen që ta keqpërdorin protestën – qoftë ajo edhe me motive të mirëfillta qytetare- për qëndruar në pushtet, përkatësisht, për të ardhur në pushtet”.
Ndryshe, Doli ka theksuar se shfrytëzimi politik i protestave aktuale është më i paktë se sa në rastet tjera, të cilat mund të jenë tema të diskutueshme politike.
Trepça nuk mbrohet nga ata që e shkatërrojnë Prishtinën
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi sot në mbledhjen e qeverisë se Trepça nuk mbrohet nga ata që e shkatërrojnë Prishtinën dhe kanë marrë mandatin për ta ndërtuar atë.
Duke shprehur keqardhjen për dhunën e djeshme të shkaktuar nga protestuesit, Mustafa tha se “qytetarët po keqpërdoren nga partitë politike për të ardhur në pushtet me forcë dhe për të shkaktuar trazira në Kosovë”, nënvizoi Mustafa.
“Trepça nuk mbrohet me dhunë ndaj policisë dhe shkatërrim të pasurisë shtetërore. Trepça tashmë është mbrojtur me Ligjin që pamundëson likuidimin e saj dhe do të mbrohet përfundimisht me Ligjin e veçantë, për të cilin kanë rënë dakord qeveria, minatorët dhe menaxhuesit e kompanisë”.
“Qeveria po ashtu kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos bien pre e partive politike, të cilat prapa kërkesave të tyre, fshehin dëshirën për pushtet. Qeveria kërkon nga opozita që kërkesat e tyre t’i ushtrojnë dhe t’i zgjidhin në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku kanë hapësirën ligjore dhe kushtetuese”, nënvizoi Mustafa.
Kreu i qeverisë kosovare u shpreh se “qeveria zotohet se do të përkrahë të gjitha institucionet shtetërore, për të garantuar një jetë normale për të gjithë qytetarët dhe prioriteti i saj nuk është demagogjia politike, por prioritet është zhvillimi ekonomik, përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve, sundimi i ligjit në gjithë territorin e vendit, zhvillimi i gjithëmbarshëm i vendit”.
Ai tha se qeveria shpreh keqardhje për të lënduarit dhe përkrah policinë në garantimin e pronës publike dhe pronës private, si dhe për të lënduarit nga radhët e policisë, ashtu edhe nga ana e protestuesve, në protestën e ditës së martë në Prishtinë, në kryeqytetin tonë, në protestën e organizuar e cila kishte qëllime kryekëput politike.
“Qeveria e Republikës së Kosovës respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por tendenca e përdorimit të protestave për të dëmtuar pronat publike dhe private, për të sulmuar Policinë dhe Shtetin, është e papranueshme në një shoqëri demokratike. Policia e Kosovës, si një institucion i pavarur kushtetues, e ka mbështetjen e plotë të Qeverisë, për të mbrojtur objektet shtetërore dhe pronat publike nga partitë politike, të cilat po keqpërdorin qytetarët për përfitime politike, me qëllim që të krijojnë trazira dhe të vijnë në pushtet me forcë”, nënvizoi Mustafa.
Kreu i qeverisë tha se “në një vend ku sundon ligji, ultimatumet ndaj institucioneve të pavarura janë të patolerueshme. Sulmi i opozitës ndaj Policisë së Kosovës, është sulm kundër shtetit të së drejtës, është sulm kundër vlerave më të larta të demokracisë dhe është sulm kundër institucioneve të pavarura”.
“Në protestën e të shtunës qytetarët ishin thirrur që të protestojnë për Trepçën dhe shkarkimin e një ministri për shkak të një deklarate të pamatur, për të cilën ka kërkuar falje dhe me të cilën ne nuk jemi pajtuar. Protesta e së shtunës ishte dëshmia e qartë se synimi i tyre ishte dhuna, ardhja në pushtet nëpërmes trazirave dhe kishte për qëllim provokimin e situatës. Prandaj në protestën e djeshme, opozitës nuk iu bashkuan nënat e të pagjeturve, veteranët e luftës, minatorët e Trepçës dhe asnjë organizatë civile, për shkak se ato nuk përfaqësonin interesin qytetar, por vetëm atë politik të subjekteve që e organizuan protestën”, tha Mustafa.
Mustafa theksoi se qeveria i garanton të gjithë qytetarët e Kosovës, se situata e sigurisë është nën kontroll të plotë, nga ana e institucioneve të pavarura dhe kushtetuese, dhe nuk do të tolerojnë anarkinë dhe destabilizimin, që ju shkon në interes minuesve të shtetit ligjor.
“Qeveria ka një partneritet të fuqishëm ndërkombëtar me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet tjera mike, për të forcuar sovranitetin tonë të brendshëm dhe për të prodhuar paqe në rajon dhe për të qenë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për luftimin e kërcënimeve globale të sigurisë. Shteti ynë, Republika e Kosovës, dhe populli ynë i shumëvuajtur, ka nevojë për paqe, qetësi, dhe ka nevojë për zhvillim që ofron jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit”, përfundoi Mustafa.
Ismail Kadare, shkrimtari epokë mbush 79 vjeç
Nga Flora Nikolla/
TIRANË, 28 Janar / Ismail Kadare, shkrimtar i madh i letrave shqipe dhe jo vetem , kanditat i çmimit Nobel në letërsi, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që e bëri të njohur në gjithë botën, ne “Daullet e shiut”, veprat e tij më të zhytura në natën e legjendës ballkanike jane , “Kush e solli Doruntinën” apo “Ura me tri harqe” apo ato me frymëzime të së tashmes si “Tri këngë zie për Kosovën”.
Ajo që josh dhe magnetizon gjatë leximit është të kërkuarit e tjetrës që nuk është imediatja historike apo joshja indigjene. Kadare zgjidh forcën e tij rrëfimtare duke zgjeruar profilet e realitetit, duke i deformuar. Ai merr polaritete historike –invazionin dhe pushtimin otoman, invazionin dhe pushtimin italian, diktatura si Piramida apo Vjedhja e gjumit në pallatin mbretëror duke laboruar ne një rrëfim legjendar, faqe që përshkruhen nga drithërima epike, jehona të tjera. Koha e faqes së tij të shkruar është një kohë diakronike, johistorike që përzien mitin dhe alegorinë.
Kadare kaloi fëmijërinë në qytetin e gurtë të Gjirokastrës dhe jeta mitike që ofron ky qytet duket se la gjurmë të thella në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Asim Zeneli”. Më pas kreu studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, pastaj në Institutin “Gorki” të Letërsisë Botërore në Moskë. Kadareja ka punuar në gazetën “Drita”, e më pas drejtoi revistën “Les letres albanaises”.
Është fakt që Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit qysh prej viteve ’60. Edhe pse në fund të vitit 1990, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, ai mbajti lidhje me Shqipërinë. Ai është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ambasador i saj në botë, është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, shkrimtari që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute.
Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një shpresë apo një ogur i bardhë për të.
Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.
Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në mbi 40 gjuhë të huaja ndersa ka 1000 botine ne bote, i tha ATSH-se , botuesi i shkrimtarit, Bujar Hudhri, duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar.
Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e fenomene e fakte historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike.
Ideja e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin “Kronikë në gur” (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale , ndërkohë që probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978) dhe Gjakftohtësia (1980).
E veçanta e Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Dimri i madh” (1977).
Por edhe poezia e Ismail Kadaresë është një prej zhvillimeve më novatore në vjershërimin shqip gjatë një gjysmë shekulli. Ajo shprehu vendosmërinë e shkrimtarëve të brezit të viteve ’60 për të realizuar qëllime estetike të ndryshme prej paraardhësve.
“Frymëzime djaloshare” (1954), “Ëndërrimet” (1957), “Endërr industriale” (1960), “Shekulli im” (1961), “Poemë e blinduar” (1962), “Përse mendohen këto male” (1964), “Shqiponjat fluturojnë lart” (1966), “Motive me diell” (1968), “Koha” (1976), “Shqipëria dhe tri Romat”, përbëjnë titujt kryesorë të veprës poetike të Kadaresë.
Ismail Kadare, në periudhën e parë të krijimtarisë së tij, u tërhoq pas poemës epiko-lirike. Në prirjen e përgjithshme ai nuk u shkëput prej frymës monumentalizuese të poezisë së mëparshme, por e kushtëzoi këtë me tipin e njeriut shqiptar, të historisë së tij kombëtare, të fatit të tij nëpër shekuj. Thuajse në të gjitha poemat e shkruara në vitet ’60 -’70 ka një gërshetim të mjeteve të reja të të shprehurit me mënyrën tradicionale të të vështruarit të jetës dhe të historisë.
Poezia e Kadaresë, është përgjithësisht e qartë, pa ekuivoke, shpesh marciale, thuajse përherë optimiste. Ajo, në kritikën zyrtare, është pritur si pasurim problematik i poezisë shqipe, veçanërisht me temën e qëndresës shumëshekullore të popullit shqiptar në rrugën e tij të gjatë të historisë. Poezia e tij është poezi e sfidave të mëdha shqiptare. Ajo është e përshkuar nga qëndrimi hyjnizues ndaj historisë kombëtare, ndaj lavdisë së tyre, ndaj tokës së të parëve, ndaj gjuhës shqipe.
Qëndresa hyn në poezinë e Kadaresë qysh prej kohërave antike, deri në periudhat më të afërta të historisë. Veçmas ajo lidhet me “motin e madh”, të epokës së Gjergj Kastriotit; por Kadare hyjnizoi një periudhë më të hershme se kjo, që ishte mitizuar më herët prej Rilindjes Kombëtare: periudhën e humanizmit evropian (siç mendon shkenca e historisë, kjo periudhë e gjeti Shqipërinë në të njëjtën shkallë zhvillimi me anën tjetër të Adriatikut), e cila pati shprehjen e saj dhe në njeriun dhe qytetërimin shqiptar. Poema epiko-lirike shqipe arriti një nivel të lartë afirmimi me vepra të tilla të I. Kadaresë, si “Përse mendohen këto male” dhe “Shqiponjat fluturojnë lart”, pastaj me “Shekulli i 20-të”, “Poemë e blinduar”, “Shqipëria dhe tri Romat” e vepra të tjera.
Poezia e Kadaresë është e prirur drejt sintetizmit dhe abstraksionit. Në këtë cilësi poezia e Kadaresë të sjell ndërmend vjershërimin e Migjenit. Sintetizmi shfaqet në mungesën e çfarëdo subjekti apo elementi të subjektit. Poemat e Kadaresë, përgjithësisht poezia e tij, janë art mendimi, pa elemente të rrëfimit (narracionit). Si të tilla, si poema mendimi, ato ofrojnë shumësi leximesh, në kohë dhe në mjedise të ndryshme.
Gjithashtu poezia intime e Kadaresë përshkruhet nga malli për qytetin e lindjes, për njerëzit që lanë gjurmë në fëmijërinë e tij, për atdheun kur ndodhet larg tij, për kohën studentore, vajzat dhe rrugët e Moskës kur është në atdhe, e mbi të gjitha, për vajzën që le gjurmë në shpirtin e tij, por që përgjithësisht ndodhet larg.
Përgjithësisht vepra e Kadaresë është e sunduar prej mitit të së shkuarës, evokimit të lavdisë së dikurshme. Kadare synon ta çlirojë njeriun shqiptar prej akuzash që e kanë ndjekur ndër shekuj, duke përfshirë akuzën si popull i lindur me instinktin e luftës dhe të mercenarizmit, binjak me armën dhe peng i saj.
Raporti midis jetës dhe vdekjes, midis të gjallëve dhe varreve, midis brezit që shkoi dhe atij që vjen, një nga raportet më thelbësore të qenies njerëzore, përbën një rregullator të mbifuqishëm të gjithë yllësisë së veprave të Kadaresë. Synimi parësor i çdo letërsie serioze që të qëndrojë mbi kohën dhe hapësirën zuri vend kryesor që tek romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Në vitin 1996 , Kadare u pranua anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet.Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka fituar Çmimin “Jeruzalemi” për vitin 2015. Çmimi do t’i dorëzohet Kadaresë në hapje të Panairit Ndërkombëtar të Librit muajin në muajin shkurt në Jeruzalem. Ai është konsideruar me këtë rast shkrimtari që i dha shprehje lirisë njerëzore në librat e tij.
Kadare është një tregimtar ironik dhe tepër interesant që rrëfen shkëlqyeshëm me nënkuptime të tërthorta rreth fajit kolektiv, veçanërisht në mos ndëshkimin e këtij faji… Edhe pse në formën e të shkruarit personazhet janë kryesisht lokalë, kuptimi dhe rëndësia janë padyshim universale. ” – thuhet në motivacion e mimit me te fundit te shkrimtarit te madh.
Disa nga veprat e Kadaresë
Frymëzime djaloshare – 1954
Shekulli im – (1961)
Gjenerali i ushtrisë së vdekur – roman- 1963
Përse mendohen këto male – 1964
Dasma – 1968
Motive me diell – (1968)
Kështjella – roman – 1970
Kronikë në gur – roman – 1971
Koha (1976)
Dimri i madh – roman – 1977
Ura me tri harqe – 1978
Prilli i thyer – 1980
Gjakftohtësia – përmbledhje novelash – 1980
Koha e shkrimeve – 1986
Koncert në fund të dimrit – 1988
Vepra Letrare – 1981-1989
Dosja H – 1990
Piramida – 1992
Shqipëri – 1995
Pallati i ëndrrave – 1996
Dialog me Alain Bosquet – 1996
Spiritus – roman- 1996
Kushëriri i engjëjve – ese- 1997
Poezi – 1997
Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë – ese- 1998
Tri këngë zie për Kosovën – triptik – 1998
Ikja e shtërgut – tregim – 1999
Qorrfermani – roman – 1999
Vjedhja e gjumit mbretëror – tregime – 1999
Ra ky mort e u pamë – ditar për Kosovën, artikuj, letra – 2000
Kohë barbare (Nga Shqipëria në Kosovë) – biseda – 2000
Breznitë e Hankonatëve – 2000
Bisedë përmes hekurash – 2000
Elegji për Kosovën – 2000
Lulet e ftohta të marsit – roman – 2000
Unaza në kthetra – 2001
Eskili, ky humbës i madh – 2001 (ribotim)
Qyteti pa reklama – roman – 2001
Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut – roman – 2002
Pasardhësi – roman – 2004
Identiteti evropian i shqiptarëve – 2006
Hamleti, princi i vështirë – Sprovë – 2006 /f.n/
NGJARJET E DHUNSHME TE 27 JANARIT NE PRISHTINE, SI NGJARJET E 21 JANARIT NE TIRANE
NGA ASLLAN BUSHATI-Zv/Kryetar i Vatres/
Duke i ndjekur direkt ne TV ngjarjet e 27 janarit 2015 ne Kosove, pata nje turbullim ne shpirt dhe ne ndergjegjen time si shqipetar, si intelektual dhe si Nenktyetar i Vatres. Pamjet rreqethese per me shume se kater ore, me risollen ne kujtese pjese nga historia e Kosoves te cilat i kam perjetuar edhe une si ushtarak e si shqiptar:ngjarjet e vitit 1968,1974,demonstratat e 1981,formesimi i rezistences ne Kosove e diaspore,dalja ne skenen politike kosovare e Dr.Ibrahim Rugova,qeveria kosovare ne mergim,takimet e konsultat e shumta me stafin e Dr.Rugoves, ndihma per UCK-ne, ndihmesa per pergatitjen per lufte te Batalionit “Atllantiku” ketu ne SHBA,demonstratat ne Uashington DC e NY, zhvillimi i luftimeve ne Kosove e deri tek clirimi i saj nga pushtuesit serb. Ne keto ngjarje kam edhe une pjesen time,qofte kjo edhe e nje milionta pjese e se teres. Keshtu si une ka edhe shume e shume shqiptar te tjere nga te gjitha trevat dhe diaspora shqipetare.Gjyshi im eshte plagosur ne Zhure te Prizrenit per te mbrojtur vendimet e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit, por edhe gjysher e katragjysher te shqipetareve te tjere jane vrare, plagosur, burgosur e humbur pasurite per clirimin e Kosoves dhe bashkimin kombetare. Keshtu ,sot shume shqiptareve , ashtu si dhe mua, u dhemb shpirti e u brehet ndergjegja per investimin qe kane bere per Kosoven dhe per ate cka shohin duke dyshuar se investimi mos po na shkon kot.
Keto ndiesi personale ndoshta nuk duhen thene publikisht, sepse ato nuk kane ndonje dobi te madhe publike, por jam i bindur se shume shqiptare bashkohen me mua se perplasja e e dhuneshme ne Prishtine me 27 Janar,ka arsyet e saja te forta, te jashteme dhe te brendeshme.
Si faktore te jashtem, ne gjykimin tim jane disa, te cilat nuk mund te ndalem ti analizoj ketu, por deshiroj vetem sa ti cek ato. Se pari: Intensifikimi i veprimtarise subversive te inteligjences ruso-serbe e cila (ajo ruse) parapriu pushtimin e Krimese,dhe hapjen e luftes ne Ukrahine. Kjo veprimtari tashme dukshem ka si objekt Kosoven me qellim per ta destabilizuar ate, e per te kthyer ate ne nje zone te re konflikti, duke larguar keshtu vemendjen e publikut te tyre nga deshtimet e brendshme . Krahasimi i Kosoves me Krimene s’ka asnje lidhje,por ruset vene shenje barazimi midis tyre sepse duan te perligjin agresionin e tyre nga njera ane dhe nga ana tjeter te thone se shihni kosovaret nuk jane ne gjendje te krijojne shtet(teze shume e njohur edhe e Beogradit).Qenia e tyre nen Serbi ka qene e ligjshme dhe ata duke patur prirje agresive e kane detyruar Serbine te ndermarre masa radikale. Pra thene me fjale te tjera largimi i Serbise nga Kosova ka qene i pa ligjshem dhe i pa justifikuar.Kjo eshte logjika putiniste dhe millosheviciane e diteve tona me te cilat perballet Kosova.
Se dyti: Nje pa aftesi totale e BE-se dhe e europiano perendimoreve per ta inkuadruar Kosoven ne gjirin e tyre si pjese perberese e tyre etnike,gjeografike,politike, kulturore, ekonomike madje dhe ushtarake. Si kane guximin zyrtaret e BE-se te ushtrojne trysni me programe, plane, platform,stratigji e mjete te tjera mbi Kosoven, kur pese nga keto vende nuk e njohin fare Kosoven?
Pse zyrtaret e BE-se nuk ushtrojne presion mbi mbi vendet qe nuk e kane njohur Kosoven ne menyre qe BE-ja te veproje ne unison?
Ne emer te kujt kjo bashkesi (bashkesi me 5 mungesa), i kreh bishtin Serbise, i bejne gjithfare leshimesh asaj ne kurriz te Kosoves, e i lejon serbet te levizin lirshem neper Europe, dhe nga ana tjeter i trajtojne qytetaret e Kosoves si qytetare te dores se trete?
Se treti: Nisur nga papunesia e te rinjeve ne shifrat 40-45 perqind, nje lum grupesh mafioze me origjine ruse,serbe,greke,turke (perfshi dhe ato shqiptare) i bejne disa te rinj kosovare mish per top ne makinerine vrasese ISIS ne Siri dhe Irak.Keto zinxhire mafioze nuk kane as me te voglin merak per jete njerezish, per destabilizim te situates ne Kosove,mjafon qe ajo te mbushe xhepat e saj me para nga sponsorit e vet politik.
Se katerti:Nje pa aftesi e theksuar e politikes dhe diplomacies se Shqiperise per ta mbrojtur Kosoven nga efektet negative nderkombetare eshte evidente, pasoje kjo e komplekseve inferiore ne ndertimin e marrdhenieve bi e multilaterale.Nderkombetaret i kane vene mbi supe Kosoves ne menyren me te pa drejte, barriera shtese nga me absurdet qe nga kushtetuta,ligje, rregulla, nene kerkesa ,duke trysnuar se mos zbatimi i tyre eshte baras me herezi. Politikane e diplomate shqipetare nuk kane guximin t’ju thone hapur europianeve se nese ju e trajtoni Kosoven si te dores se trete, ne do te shikojme hapur mundesine e bashkimit ne nje shtet te vetem.
Se pesti:Klasa politike ne Kosove veme re se eshte shume kokeulur para europianeve dhe here here deri ne naivitet.Disa goje te liga thone se kjo vjen nga qe disa kane i dosjet ne Serbi, disa ne Eulex,disa ne Zvicer, disa ne ish sigurimin e shtetit shqipter etj. Une preferoj dhe prirem te mos e besoj nje gje te tille. Por nese ndokush eshte i perlyer ne llumin e agjentures,trafiqeve te paligjeshme e veprimeve te tjera anti ligjore eshte mire te “hap krahun” sa nuk eshte vone dhe demin qe ja ka bere vehtes te mos ja percielli dhe Kosoves.
Se gjashti: Edhe administrate amerikane duket se ja ka deleguar te gjitha kompetencat e saj per Ballkanin ne teresi e ne vecaneti per ceshtjen shqipetare strukturave te BE-se. Kjo gje ne gjykimin tim si shqipetar dhe shtetas amerikan eshte gabim.Amerika ne asnje situate dhe per asnje moment nuk mund ti neglizhoje problemet shqiptare. Arsyaja eshte e thjeshte : shqiptaret jane me dashamiresit e tyre ne bote. Lidhjet e vjetra jane te qenesishme dhe sot ,kurse te tanishmet bazament i forte per te ardhmen.
Ne planin e brendshem Kosova po perjeton nje krize shumplaneshe. Kjo duket ne faktin se ne vend te ecjes perpara ajo ka bere nje ndalese te dukshme. U deshen gjashte muaj qe te formehet nje qeveri, por ne kete periudhe njohja nderkombetare e Kosoves eshte fashitur teresisht. Trysnia e nderkombtareve per “gjykaten special” u ka futur te dridhurat disa politikaneve qe permenden ne raportin e Dik Martit .Qeveria nga njera ane dhe opozita nga ana tjeter, kane zene istikamet dhe nuk lejojne asnje hapsire per levizje te metutjeshme.Emigracioni eshte gati galopant,dialogu me Beogradin duket te mos kete qene aq i sukseseshem, ne nje kohe qe pritet dialog tjeter ne nje kohe te shkurter. Liberalizimi i vizave dhe levizja e lire per 1.8 milion kosovare duket e larget, sa per pune te pa mjaftueshme te qeverise aq dhe per burrokratizem te zyrtareve te BE-se. Ketyre problemeve po tu shtohen edhe ato te pa punesise dhe te korrupsionit ne cdo nivel e bejne gjendjen e brendeshme ne valim dhe here here shperthyese.
Ne kete situate krize, i hodhi zjarrit benzine nje deklarate e pa pergjegjeshme e Ministrit te Qeverise Kosoves Jabllanovic , i cili megjithese kerkoi falje per deklaraten, ajo e beri efektin e saj negativ.Keshtu nisur nga kjo deklarate dhe nga nxjerrja ne plan te dukshem i problemit te Trepces,filluan demostratat te cilat perfunduan ne dhune e perleshje midis policise dhe demostruesve ,ku pati shume te plagosur nga te dyje palet.Per kater ore skenat me sollen ne kujtese ngjarjet e 21 janarit ne Tirane vetem se ne Prishtine per fat te mire nuk pati te vrare.
Zyrtaret ne Prishtine thane se demostrata ishte e pa ligjshme se per te nuk ishte marre leje paraprake tek autoritetet perkatese sipas ligjit. Por ne gjykimin tim edhe sikur te ishte marre leje dhe gjithcka te ishte ne rregull nga ana formale, deklarata e Jabllanovicit eshte perdorur ne demostrata vetem si fond dhe pa ndonje peshe reale. Po ashtu ceshtja e minieres se Trepces eshte nje problem kompleks qe nuk zgjidhet me demonstrate, por me bisedime midis te gjithe paleve te interesuara s si minatoret,sindikatat e tyre,investitoret ,Qeveria etj.
Nga korespondentet ne Prishtine mesuam se minatoret e Trepces u terhoqen nga demostrata,sepse ajo mori karakter politik dhe jashte kornizes se kushteve te sindikates. Te njejten gje u tha se bene edhe shoqata e grave “Thirrja e Neneve”.Keshtu perfundimisht brendia e demonstrates ishte thjeshte politike dhe e udhehequr nga lideret e Vete Vendosjes,AAK-se dhe Nismes. Duke qene se logjikisht problem i deklarates Jovanovicit dhe Trepces bien, atehere mbetet te pranojme se objektivi i opozites ka qene marrja e pushtetit .Por ne nje shtet demokratik, vota e lire eshte ajo qe vendos se kush do ta marre pushtetin. Per zgjedhjet e Qershorit 2014 nuk pati kontestime ne Kosove, keshtu te gjitha palet lypset ti binden verdiktit te zgjedhesit. Nga ky kend shikimi gjithkush ka te drejte te demostroje, por jo te perdore dhunen. Dhuna eshte e pa pranueshme dhe ne shqiptaret duhet te mesohemi me kete formule ne qofte se duam te ecim perpara e te mos behemi te shenjestruarit e botes.
Kur turmat e demostruesve kaluan caqet, lideret u zhduken nga sheshi.Pyetja shtrohet pse e bene ata nje gje te tille? Kane frike nga pergjegjesia apo deshen ti nxjerrin geshtenjat nga zjarri me duart e te tjereve? Ne te dyja rastet ne gjykimin tim kane vepruar gabim. Lideri kur ja nis nje pune, ndielle mbi vehte pergjegjesite, kurse kur arrine fitore e ndane ate me te tjeret.
Zhvillimi progresist politik ne Kosove eshte domosdoshmeri qe te eci perpara. Tirana zyrtare domosdoshmerisht duhet te beje me shume per te hapur dialogun e duke mbajtur qendrime te paanshme. Presidentja duhet te luaj rolin e saj me aktiv ne zbatim te kushtetutes dhe te ligjeve te vendit.Kuvendi te kthehet ne arene debati te shendetshem per mbarevajtjen e te gjitha puneve ne Kosove e jo ne nje hapsire sharjesh e fyerjesh te pa denja. Koalicioni qeveritare ti krijoje te gjithe hapsiren e nevojshme opozites per te shprehur mendimet e saj dhe mundesisht ti materializoje nje pjese te tyre. Trepca eshte e do te mbetet pasuri vetem e Kosoves dhe vetem e saj, por problem i saj lypset te zgjidhet me urtesi e me durim me te gjitha palet dhe faktoret e interesuar per te.Klasa politike kosovare nuk duhet te rrije kokeulur perpara askujt, ajo eshte ne ate pozicion te mbroje e coje perpara interesat e Kosoves. Me dialog gjenden shtigje e hapsira per ecjen perpara.Shpresoj se zhgenjimin qe pesuam do ta kalojme shpejt.